Intervistë me futbollisten Riga Kallaba
Intervistoi: Mirela Kanini
KUSH ËSHTË RIGA KALLABA, A MUND TË NA THONI DIÇKA MBI VETEN TUAJ?
Unë jam me origjinë nga Kosova, gjenerata e dytë lindur e rritur në Chicago. Jam 15 vjeç dhe në shkollë të mesme. Luaj futboll për skuadrën time ECNL club, the Illinois State Team, Midwest Regional Team, Semi Pro Team, dhe skuadrën kombëtare të Kosovës.
QË TË ARRINI ATY KU JENI SOT ME SIGURI KENI HASUR NË VËSHTIRËSI TË NDRYSHME. SI KA QËNË PËR JU RRUGA E SUKSESIT?
Unë përballem me sfida të ndryshme çdo ditë për të siguruar një të ardhme të suksesshme. Prindërit e mi kanë sakrifikuar shumë dhe kanë punuar pa rreshtur për ti dhënë familjes sime shansin për një jetë më të mirë. Ata kanë theksuar gjithmonë rëndësinë e edukimit, shkollimit, shëndetit dhe vlerave morale për mua dhe motrat e mia. Kjo do të thotë që unë duhet të punoj shumë për të arritur objektivat e mia, ta shtyj veten time fizikisht dhe mentalisht edhe kur ndonjëherë ndihem e lodhur. Vendet e stërvitjes time janë larg dhe ky ushëtim është I lodhshëm. Një udhëtim I tillë i zakonshëm është 3-4 orë në ditë për një praktikë futbolli. Shpesh herë më duhet të mësoj dhe bëj detyrat për të nesërmen në makinë. Gjithashtu unë udhëtoj shpesh në qytete të ndryshme ose jashtë vendit për ndeshje. Ditët e mia janë shumë të ngjeshura dhe unë kam shumë pak kohë të lirë meqënëse pjesën më të madhe ma zë shkolla dhe futbolli. Shpesh herë unë nuk marr dot pjesë në evenimente sociale ashtu si gjithë shoqet e mia por e kuptoj që rrethanat e mia janë unike po ashtu dhe prioritetet. Unë e di që shkolla dhe dedikimi në futboll janë investim në të ardhmen time.
KUR MENDUAT QË KJO ËSHTË RRUGA QË DUHET TË NDIQNI?
Motrat e mia më të medha luajnë volejboll. E gjitha filloi kur familja ime udhëtonte për në Florida për të ndjekur motrat e mia që luanin për Nationals. Ne u futëm në një dyqan Nike për të blerë diçka dhe unë fillova të luaj me një top futbolli ndërkohë që prisja. Nuk desha të iki pa marrë topin dhe babai ma bleu atë, së bashku me mbrojtëset e këmbëve. Që atë ditë se kam hequr më këmbën nga topi.
A ISHTE E VËSHTIRË TË ARRIJE SUKSESIN NË AMERIKË?
Definitivisht është shumë e vështirë të ngjitësh shkallët e suksesit në një sport që luhet në të gjithë botën dhe ka aq shumë konkurencë, por unë punoj shumë dhe e shtyj çdo ditë veten time drejt suksesit.
TASHMË QË JENI BËRË E SUKSESHME A E PYESNI NDONJËHERË VETEN “ SI ARRITA KËTU”?
Çelësi është të punosh shumë, sakrifica dhe disiplina. Unë gjithmonë i vendos objektiva vetes dhe jap 110% në gjithshka që bëj. Më e rëndësishme është familja ime dhe mbështetja që më kanë dhënë për të qënë aty ku jam sot. Ata kanë dedikuar kohën e tyre, energji dhe dashuri për të më ndihmuar mua të arrij objektivat e mia.
A KENI PASUR MOMENTE DOBËSIE KUR KE DASHUR TË TËRHIQESH?
Jo. Asnjëherë. As që e kam çuar kurrë ndërmend të tërhiqem. Unë jam rritur me mentalitetin që mund të arrij dhe realizoj gjithshka dua në jetë nëse punoj fort për të dhe nuk tërhiqem kurrë. Familja ime më ka rritur të jem e vendosur dhe konsistente sepse gjërat e mira në jetë nuk vijnë kollaj.
JU JENI TASHMË NJË FIGURË E NJOHUR PËR KOMUNITETIN SHQIPTAR NGA TË GJITHA TREVAT. NE NDIHEMI SHUMË KRENARË PËR JU SEPSE NUK ËSHTË GJË E VOGËL TË LUASH ME EKIPIN KOMBËTAR TË KOSOVËS. PËR MË TEPËR NE JU KEMI KËTU NË CHICAGO. POR SI JU BËN KJO TË NDIHENI JU?
I vlerësoj pa masë fjalët tuaja të ngrohta dhe është nder dhe krenari për mua të përfaqësoj komunitetin shqiptar kudo nëpër botë. Fakti që e bëj komunitetin tim krenar më jep një ndjesi të papërshkrueshme. Gjithashtu dhe fakti që unë jam e para futbolliste ( femra dhe meshkuj) nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës që luaj për kombëtaren e Kosovës është një nder i madh. Mbështetja që kam anembanë botës është një tjetër arësye që më motivon për të vazhduar. Unë jam krenare që jam shqiptare dhe do vazhdoj të përfaqësoj popullin tim dhe ta valvis sa më lart flamurin Kosovar.
KUSH JANË PLANET TUAJA PËR TË ARDHMEN?
Plani im kryesor është që në të ardhmen të jem versioni më i mirë i vetes nga ana akademike dhe atletike. Une dua të kem një shkollim superior dhe kam shumë shpresë për një karrierē të shkëlqyer sportive profesionale.
ÇFARË DO TI THONIT PËR TË INSPIRUAR DIKË QË ËSHTË DUKE NDJEKUR NJË RRUGË TË NGJASHME ME TUAJËN?
Ki besim në vetvete, puno fort, dhe përfito nga çdo oportunitet për të përmirësuar vetveten.
ÇFARË JU INSPIRON JU?
Janë disa faktorë që më inspirojnë mua. I pari është gjyshi im, Sevdai Thaqi, i cili ka bërë shumë për Kosovën dhe popullin tonë. Ai është gjithashtu një nga atletët më të mirë që kam njohur. Ai akoma është në gjendje të eci me duar që për një 78 vjeçar është e padëgjuar. Ai ja ka dedikuar jetēn e tij edukimit dhe pregatitjes së atletëve shqiptarë. Ai ka trajnuar gjithashtu nënën time që të bëhet skiatore profesionale dhe ajo ka fituar dy herë titullin kampione e Kosovës. Ata janë jo vetëm inspirimi im por unë jam krenare të eci në hapat e tyre që të vazhdoj të përfaqësoj Kosovën.
KUSH JANË HOBITË TUAJA?
Përveç futbollit më pelqen palestra, kërcimi, të këndoj, të gatuaj. Më pëlqen të jem aktive dhe të mësoj gjëra të reja.
NJË THËNIE QË JU PËLQEN DHE MOTIVON…
Don’t be afraid to give up the good to go for the great! ( Mos ki frike të lësh të ikë diçka e mirë për diçka të shkëlqyer).