• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Regjisori, shkrimtari dhe përkthyesi Gjergj Vlashi në 90 vjetorin e lindjes

July 13, 2018 by dgreca

DSC00185

Nga Gëzim Kabashi*/

“Nderi i Kombit” Gjergj Vlashi sot do të festojë 90-vjetorin e lindjes.

Një datë e shënuar, e cila i kujton admiruesve të tij dhjetra shfaqje të vëna në skenë, shumë tituj librash të përkthyer dhe mjaft të tjerë të shkruar prej tij: por mbi të gjitha u kujton jetën intensive që ai vazhdon të kryejë edhe kur po hyn në dekadën e 10-të të jetës së tij. Kohët e fundit ai ka përkthyer një tjetër roman nga spannjishtja, i cili është në proces botimi nga shtëpia botuese “Ombra GVG”.

Regjisori, shkrimtari dhe përkthyesi Gjergj Vlashi është kthyer në një pikë referimi për bashkëqytetarët e tij durrsakë, jo vetëm për aktivitetin e gjatë dhe krijimtarinë e pashterur, por mbi të gjitha për pjesmarrjen konstante në veprimtaritë qytetare.

I nderuar me titujt e lartë “Nderi i Kombit”, “Artist i Popullit” dhe “Mjeshtër i Madh i Punës” Gjergj Vlashi është mjaft i njohur si themelues i Varietesë dhe regjisor i Estradës së Durrësit në vitin 1960, ndërsa ka botuar më shumë se 45 vepra në letërsi origjinale, përkthime dhe komedi.

Kolegët e tij e vlerësojnë si “babai i Varietesë shqiptare” edhe për elementët modernë për kohën që ngjiti në skenat e estradës në Durrës, Pogradec, Vlorë, Peshkopi, Lushnje apo në Shkodër,e po ashtu edhe për punën si pedagog i jashtëm në Institutin e Arteve (sot Universiteti i Arteve). Ato nisin me shfaqjen “Vizitoni ekspozitën tonë” për të vijuar me dhjetra spektakle, të drejtuara prej tij.

Spektaklet me humor “Sofra ballkanike” apo ajo me satira nga Fan Noli u vlerësuan së tepërmi nga spektatorët dhe specialistët.

Pas viteve 1990, kur të gjithë rendën pas pronave Gjergj Vlashi iu kushtua përkthimit dhe letërsisë. Ai udhëton shumë në SHBA dhe në Evropë.

Gëzohet kur shtërngon duart me autorë, disa prej të cilëve Nobelistë: Hose Kamilo Sela, Hose Saramago, apo Paolo Coelho.

Librat e shkruar prej tij sjellin letërsi për fëmijë, tregime, novela dhe romane. Disa prej tyre i kushtohen Kosovës dhe janë botuar si në Kosovë edhe në Itali.

Përkthimi e ndihmoi Vlashin të dëshmojë në skenë mënyra të tjera komunikimi, ndërsa pas viteve 1990 njohja e gjuhëve të huaja do të bëhej për të një “kalë i fortë beteje”.

Ai nis përkthimin e Kafkës nga gjermanishtja, një prej autorëve më të shquar botërorë. Sjell në shqip veprat “Dera e gjyqit”, “Procesi”, “Metamorfoza dhe novela të tjera”, si dhe “Mjeku i fshatit dhe tregime të tjera”. Më parë kishte firmosur përkthimet Dino Buxati (italisht) e Xhejms Olldrixhi (anglisht), e më vonë edhe Hose Saramago (portugalisht), antologjitë me tregime austriake, spanjolle, hispano amerikane, mes të cilave veçojmë edhe dramën e vetme të shkruar nga Aleksandër Moisiu, me titull “I burgosuri”.

Sipas tij, megjithëse nuk ka një “ndarje me thikë” mes këtyre fushave, në krijimtarinë e tij ka dominuar skena, pasi ka punuar 40 vjet si regjisor profesionist. Gjergj Vlashi nuk e quan “divorc” ndërprerjen e raportit me regjisurën, duke shtuar se tërheqja ka qenë një vendim i arsyeshëm, duke iu nënshtruar ligjeve të jetës e të moshës.

Në 20 vitet e fundit Gjergj Vlashi ka udhëtuar shumë.

Floriani, violinist dhe drejtues i një formacioni orkestral në Korunja (Spanjë) një nga djemtë e Gjergj Vlashit, çdo dy vjet organizon në qytetin e lindjes, në Durrës,  “Bienalen e muzikës klasike”. Ndërkaq Zefi, djali i madh vazhdon të ushtrojë pasionin e pikturës në SHBA, atje ku jeton që nga viti 1990.

Gjergj Vlashi u lind në Durrës në një nga rrugicat pranë qendrës së tij dhe nuk u largua asnjëherë nga vendlindja.

I njohur për korrektesën proverbiale dhe për vullnetin e fortë Gjergj Vlashi bën një jetë aktive, edhe pse ka trokitur në moshën 90 vjeç.

Regjisori, përkthyesi dhe shkrimtari i njohur çmohet së tepërmi nga bashkëqytetarët e tij për kulturën dhe kontributet. Për këto motive Bashkia dhjetë vjet më parë e ka nderuar me titullin “Qytetar nderi”, ndërsa durrsakët janë përgatitur ta festojnë ditëlindjen e bashkëqytetarit të tyre.

* E falenderojme gazetarin Gezim Kabashi qe e ndau me elxuesit e Diellit intervisten, ndërkohë e urojmë mjeshtrin e penës dhe të regjisurës Gjergj Vlashin me ratsin e Ditëlindjes! Shumë Urime Mjeshtër!

Filed Under: Interviste Tagged With: Gezim Kabashi, Gjergj Vlashi, në 90 vjetorin e lindjes

Bisedë me poetin arvanitas Dino Koubatis

May 14, 2018 by dgreca

1 dino zylotNëse Verleni, Rebo, Malarme dhe të  tjerë shkruan vargje “simbolike”,

Ali Podrimja solli simbolizmin e vërtetë të poezisë më të re botërore.  Koubatis/

pdrimja

Bisedoi: Keze Kozeta Zylo/

Kohët e fundit keni promovuar librin  ’’Ali Podrimja’’- in Memoriam në Ditët e Diasporës, si ju lindi ideja për të sjellë pranë publikut poetin nga më të dashurit e popullit shqiptar Ali Podrimën?

pdrimja gruajaAli Podrimja ishte miku im personal.  Ishte një nga figurat e mia më të dashura, por dhe si poet, më emocionon në vecanti.  Poezia e tij, përmes patriotizmit, historisë dramatike të fëmijës së tij dhe me mënyrën që ai e shprehte, më thithte.  Poeti Kombëtar, Ali Podrimja ishte shumë i njohur në qarqet letrare jashtë vendit të tij, por jo shumë i njohur në Greqi.  Në të njëjtën kohë, shumë pak ishin angazhuar me krijimtarinë e tij. Ato të cilat desha të theksoj, ishte se Ali Podrimja, nuk ishte vetëm poet, por  një poet, i cili krijoi një Shkollë Poezie të tijën, të cilën mund ta quaja ’’Simbolizmi i ri ’’(Neosymbolism). Nëse Verleni, Rebo, Malarme dhe të tjerë  shkruan vargje “simbolike”, Podrimja solli simbolizmin e vërtetë të poezisë më të re botërore.d kociLibri ”Ali  Podrimja’’ është botuar dhe në gjuhën  greke, përkthyer në shqip nga shkrimtari Iliaz Bobaj, si është pritur nga lexuesi grek?

Përkthimi i Iliaz  Bobaj mund të them është shumë informativ.  Këtë thanë të gjithë shqiptarët që lexuan studimin dhe e pëlqyen.  Midis tyre dhe antropologu i madh dhe filozof Përparim Kabo , drejtori i Muzeut  Kombëtar Dorian Koçi dhe poeti i madh Ilirian Zhupa. Përveç kësaj, të njëjtin vlerësim i bëri dhe Shoqata  Letrare ’’Gjon Kazazi’’, e cila me propozimin e shkrimtarit dhe poetit Muharrem Kurti dhe me mbështetjen e Komunës së Gjakovës,  u botua libri për poetin Ali Podrimja. Në Greqi libri është gati të botohet për pak kohë.

Si shkrimtar, si regjisor, aktor i njohur sa ndikon politika greke dhe shqiptare në marrëdhëniet midis artit dhe politikës shpesh herë të mbrapshtë?nenshkrime

Si një njeri i përgjegjshëm  dhe qytetar, kam pikëpamjet e mia, si për marrëdhëniet midis popujve, por edhe për të gjykuar në menyrë  objektive dhe ashtu siç duken gjërat në të vërtetë. Heq mënjanë ’’pengesën’’ dhe unë shoh në thellësi, dhe atë , të cilën shoh është se politika ndjek rrugën e saj, dhe njerëzit të tyre.  Dy popujt tanë dinë të vlerësojnë njerëzit dhe të zhvillojnë marrëdhënie të shëndetëshme ndërmjet tyre. Kultura e përbashkët shumë vjeçare, gjithashtu i ndihmon ata të përballojnë me mirëkuptim dhe me frymë bashkë –krijuese, mundësitë kulturore, të cilat u ofrohen atyre.  Unë flas dhe nga përvoja ime ashtu siç dihet këtu dhe 25 vjet bashkëpunoj me faktorë të shumtë kulturor si në Shqipëri ashtu dhe në Kosovë.

1 psikologjia

 

Kur keni filluar të shkruani për herë të parë?

Një histori shumë  e largët! ’’Krijoja ’’poezi që kur isha fëmijë, dhe shkrimi im i pare ’’zyrtar’’, u vendos  në një fletore të shkollore, kur isha ne vitin e parë të gjimnazit.

Në shkrimet tuaja apo në librat e ndryshëm, në jetën e personazheve si shkrimtar, sa ka ndikuar leterësia e antikitetit grek në botën tuaj krijuese si njeri?

Në roman, ose në veprat teatrale, shpesh përdor të dhëna historike në kohëra të ndryshme dhe nga vende të ndryshme të botës.  Kjo për shkak se unë jam shumë i lidhur me historinë në përgjithësi, dhe veçanërisht me antikitetin grek. Ndonjëherë kam vënë heronjtë të na tregojnë  historinë, nga përvoja e tyre, ose të tregojnë për jetën e tyre.

Jeni  vlerësuar me çmime të larta ndërkombëtare, cilat janë disa nga ato, dhe sa frymëyuese kanë qëne për penën tuaj?

Jo, unë nuk shkruaj si shkrimtar, as nuk krijoj  si regjisor dhe aktor, me qëllim të caktuar për të marrë çmime.  Do te ishte fatkeqësi në se mendoja kështu. Për këtë arsye dhe ju nuk do të shihni as në zyrën time, as dhe në shtëpinë time çmime të varura në mur.  Jo se nuk iu jap rëndësi. E kundëtra, më japin kënaqësi të veçantë, si njohja e atyre ku krijoj dhe jap.Këtë desha të theksoja në pyetjen time se sidoqoftë vlerësimet e merituara frymëzojnë, siç dhe pohoni vetë që ju japin kënaqësi të vecantë.

Cilat janë lidhjet tuaja me shkrimtarët shqiptarë dhe mendimi  juaj për artin dhe letërsinë shqiptare?

Kam patur fatin e mirë të njoh shumë shkrimtarë bashkëkohorë shqiptarë dhe poetë dhe të lidhem me ta dhe paralelisht të njihem me veprat e tyre, si brenda vendit, si  dhe të diasporës, po ashtu dhe ata, të cilët jetojnë këtu dhe shumë vite në Greqi. Kështu unë ndjek nga afër zhvillimin e letërsisë moderne, por gjithashtu marr pjesë, pasi disa libra të mia janë botuar në gjuhën shqipe.  Dhe akoma jam duke botuar në gazeta të tilla si ’’Nacional’’dhe revista letrare si ’’Ilz’’, tek e cila jam dhe anëtar i bordit. Shumë antologji kanë botuar poezitë e mia dhe është bërë promovimi i librit ’’Iliana jeta jonë mbaron në tanks’’ në Gjirokastër dhe më vonë në Tiranë  dhe ka marr kritikë të mirë. Botimet ’’TOENA’’ më kanë përqafuar me dashuri. Marrëdheniet e mia me letërsinë e vjetër të Shqipërisë, kam patur kujdes të jenë gjithashtu të mira, po ashtu kam lexuar sa më shumë të jetë e mundur shkrimtarët më të vjetër.

Ju jeni  martuar me bijën  tepelenase mësuesen e nderuar Luljeta Nuraj, cila ka qënë njohja e parë  dhe përshtypjet tuaja nga vizita në Tepelenë, si dhe në familjen e saj?

E konsideroj veten time të bekuar në këtë martesë.  Është një marrëdhënie dashurie, mirëkuptimi dhe bashkëpunimi reciprok me respekt të madh për marrëdhëniet tona.  Ajo është gjithmonë pranë meje dhe më mbështet. Përsa i përket përshypjeve të mia nga Tepelena, ato janë të njëjta për të gjithë Shqipërinë.  Pamje të bukura, njerëz të mirë, thesare arkitektonike historike, dhe në shumë vende akoma dhe sot, vende të cilat mbeten autoktonike, brenda kohës së kaluar me njerëz të thjeshtë dhe me natyrën e paprekur, sikur në Memaliaj, me lumin Vjosa, të përqafoj dhe ti dhurojë bukuri mjedisit të virgjër.  

Me siguri në hyrje të Tepelenës ju jeni përshëndetur me Ali Pashë Tepelenën, një ndër figurat më të shquara historike të Kombit, varri i të cilit me trupin e tij pa kokë ndodhet në Janinë, cili është mendimi juaj?

Unë  besoj se ajo që i përket një populli duhet ta respektojmë dhe jo ta plaçkisim.  Aglezët morën nga Akropoli Statujat e Karjatidhes, turqit morën kokën e Aliut dhe kështu me radhë.  Këto akte karakterizojnë keq ata, të cilët i bëjnë dhe akoma më shumë, kur kohët ndryshojnë, ngjarjet eleminohen nga përparimi më i gjërë i frymës moderne.  Shpresoj që të rikthehet një rregull. Sa për personalitetin e vetë Ali Pashës, unë duhet të them se ishte me të vërtetë i madh dhe roli, të cilin ai ka luajtur në historinë e Perandorisë Osmane, ka ndihmuar në masë të madhe revolucionin grek kundër turqve. Unë dua të them se kam studjuar në veçanti personalitetin, karakterin dhe punën e tij, se duhej ta interpretoja atë si në Teatër ashtu dhe në televizion më parë.  

Me çfarë do të paraqiteni në të ardhmen për lexuesit tuaj të shumtë?

Disa ditë më parë doli në qarkullim libri im ’’Letër për një regjisor të ri’, ndërsa në  gjuhën shqipe do të dalë shumë shpejt studimi im ’’Psikologjia e Rolit, faktor bazë në interpretimin e veprës Teatrale’’, me parathënien e filozofit Përparim Kabo. Në pranverë do të botohet një vëllim poetik me titull  ’’Të dashurisë e të jetës’’ , dhe më vonë një roman historik me titull ’’Ditët e fundit të Konstadinopolit’’, i cili bën fjalë për momentet e fundit të Konstandinopolit (Stambolli) , para se të bjerë përfundimisht në duart e  turqve.

12 Maj, 2018

Staten Island, New York

 

Filed Under: Interviste Tagged With: Dino Kurbatis, Interviste, Keze Zylo

Luljeta Lleshanaku: katarsisi, zgjidhja për krimet e komunizmit

May 11, 2018 by dgreca

1 LleshanakuShqipëria është vendi që përjetoi një nga regjimet më të egra komuniste, ku kundërshtarët e regjimit u vranë, u burgosën, apo u internuan me vite të tëra e ku dhjetra mijëra qytetarë, së bashku me familjet e tyre përjetuan vuajtje të mëdha fizike e mendore. Sot, mbas pothuajse tridhjetë vjetësh, vuajtjet që kaluan këta njerëz kanë mbetur ende të patrajtuara siç duhet. Këtë e pohojnë jo vetëm viktimat e sistemit, por edhe sociologët, shqiptarë e të huaj. Por çfarë detyrimi ka shoqëria shqiptare ndaj viktimave te komunizmit? Për të biseduar për këtë temë, e ftuar në studion e Nju Jorkut të Zërit të Amerikës, ishte Luljeta Lleshanakun, poete, autore e 8 librave me poezi në shqip dhe 12 në gjuhë të tjera, aktualisht Drejtoreshë për Kërkimet në Institutin e Studimeve të Gjenocidit Komunist në Shqipëri.

Zëri i Amerikës: Luljeta, sapo ndoqëm kronikën e kolegut tonë në Tiranë lidhur me aktivitetin e organizuar për të kujtuar të persekutuarit e periudhës së komunizmit. A mendoni që shoqëria shqiptare në gjithë këto vite ka treguar vëmendjen e duhur ndaj viktimave të komunizmit?

Luljeta Lleshanaku: Gjatë pesë viteve të fundit ka një lloj rikthimi të fuqishëm tek çështja e transparencës së të shkuarës komuniste në Shqipëri dhe kjo për disa arsye. E para është faktori ndërkombëtar, vëmendja që i kushtojnë organizatat ndërkombëtare transparencës së epokës së komunizmit; çuditërisht ka qenë e fortë gjatë 5 viteve të fundit. E dyta, është krijimi i Institutit të Studimeve të Krimeve të Komunizmit ku punoj edhe unë. E treta, që është dhe institucioni tjetër që ka objektin, ose të drejtën legjitime të merret me këtë punë, është dhe krijimi i Institucionit të Autoritetit të Hapjes së Dosjeve; pra, aprovimi i ligjit për hapjen e dosjeve, i cili për fat të keq, ishte një moment kyç, që u bë vonë dhe duhet të ishte bërë së bashku me lustracionin. Vërtet u aprovua si një ligj vetëm për hapjen e dosjeve, edhe ai prapë në vetvete nuk është krejt i plotë sepse një pjesë e informacionit mbahet konfidencial. Ksëhtuqë le të themi që kemi një rikthim të çështjes së komunizmit në Shqipëri. Por se me çfarë ritmi dhe se sa vonë jemi, këtë e kuptojnë më mirë ata që merren me këtë punë. Unë merrem me këtë punë në Shqipëri dhe e di se sa të vonuar jemi. Në një histori e cila nuk ka dokumentacion zyrtar që ta mbështesë ose ai që është, është tepër i pamjaftueshëm, atëherë e vetmja mënyrë është marrja e dëshmive. Por nga momenti në moment, çdo minutë, madje dhe në këtë moment që po flasim, ne po humbasim dëshmitarët e asaj epoke. Pra është një proces, i cili filloi shumë vonë për fat të keq dhe tani që po flasim, jo-bindshëm; pra është një institucion i vogël që merrët me këtë punë dhe jo i plotë. Megjithatë, le të themi që u zhbllokua një situatë.

Zëri i Amerikës: Pra, ju thoni që ka një lloj përparimi në këtë aspekt. Megjithatë, sipas jush, përse vazhdojnë të shfaqen skena të tilla, si ato që u shfaqën më 5 maj ku nostalgjikë të regjimit, duke u shfaqur publikisht me simbolet e komunizmit, në fakt ofendojnë memorjen e shqiptarëve. Përse ndodhin këto skena?

Luljeta Lleshanaku: Ne pretendojmë të jemi së shpejti një vend anëtar i BE-së; mirëpo dy nga rezolutat më të fuqishme të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës, e para e vitit 1996, që ishte për çrrënjosjen e trashëgimisë komuniste dhe e dyta për ndëshkimin e krimeve të komunizmit, asnjëra prej të dyja rezolutave nuk u zbatua. Është një hap shumë i rëndësishëm për stabilitetin e vendit dhe integrimin në BE. Mirëpo nostalgjikë të komunizmit dhe të diktatorit Enver Hoxha ka dhe do të ketë gjatë gjithë kohës. Ajo që në një farë mënyrë e zgjidh apo i jep drejtim çështjes, është një akt zyrtar që ai të njihet si diktator, periudha e komunizmit të njihet zyrtarisht si periudhë krimesh kundër njerëzimit dhe është shumë e rëndësishme të futet në zbatim ai ligj i cili zbatohet në pesë nga vendet anëtare të BE-së, ish-shtete komuniste, ku penalizohet mohimi i krimeve të komunizmit. Natyrisht këtu futet edhe adhurimi i figurës së Enver Hoxhës, përdorimi i imazhit të tij. Duhet thjesht një ligj, kjo rregullohet me një akt zyrtar për të cilin ne jemi të vonuar.

Zëri i Amerikës: Në se në Shqipëri do të kishte ndodhur një proces ku persona të cilët patën qenë instrumente të verbëra të regjimit e që patën bërë krime të viheshin para drejtësisë, apo të gjykimit të shoqërisë, pra të ishte bërë një lloj pastrimi shpirtëror, a do të kishte ndihmuar kjo që të shëroheshin plagët e shkaktuara nga regjimi?

Luljeta Lleshanaku: Ky lloj katarsisi do të ishte e vetmja zgjidhje e saktë, e plotë dhe e pastër dhe duhej bërë, sigurisht, në vitet e para pas ndryshimit të sistemit. Përgjigja ime nuk është origjinale, se ajo është thënë më parë, por desha të them se thjesht fillimisht ka munguar vullneti politik e para, dhe e dyta, ai regjim që zgjati pothuajse 5 dekada, implikoi pjesën më të madhe të popullsisë, në mënyra të ndryshme. Kjo do të thotë se një pjesë ishin direkt persekutorë, ishin ekzekutorët dhe pjesa tjetër, nën presion, nën presion të fuqishëm, nën presion të dobët, u bënë pjesë e kësaj ndotjeje kolektive. Por një gjë më duket shumë interesante. Në vend që ata që ta kërkojnë transparencën e krimeve të komunizimit, të jenë vetë ish komunistët, sepse është një mënyrë për t’u distancuar nga një njollë e tillë; do të thotë “vërtetë ai qe një regjim komunist, vërtet unë qesh komunist, por ama nuk kam të bëj”, është një lloj distancimi personal, individual nga ajo e shkuar dhe janë përkundrazi, të persekutuarit politikë që kërkojnë transparencën dhe tashmë deri diku edhe ato pak shoqata të cilat merren me këtë çështje.

Zëri i Amerikës: Luljeta, ju vetë jeni bijë e një familjeje të persekutuar nga komunizmi dhe keni përjetuar drejtpëdrejt persekutimin. Do të doja të përsëris një thënie kuptimplotë: Njerëzit duhet të falin, por nuk duhet të harrojnë….

Luljeta Lleshanaku: Unë nuk besoj shumë në institucionin e faljes. Unë të them të drejtën besoj shumë në institucionin e drejtësisë. Do të thotë, që të identifikohet krimi, është tjetër punë ndëshkimi, askush nuk kërkon ndëshkim; dhe lustracioni do ta kryente më së miri këtë funskion. Të idenetifikohet krimi. Komunizmi nuk është nocion abstrakt. Komunizmin e bënë njerëzit. Pra, secili duhet të mbante dozën e vet të përgjegjësisë. Ndëshkimi është tjetër gjë. Falja është tjetër gjë. Por ne nuk kemi arritur akoma të identifikojmë krimin e jo më atë vetëdije publike, atë vetëdije morale, që duket tepër romantike për kushtet, apo për përvojën time, ku të ketë edhe këtë përballje e të kërkuarit falje mbi përgjegjësinë e vet gjithësecili.

Zëri i Amerikës: Luljeta, desha të kaloj tek një temë tjetër. Ju ndodheni në Shtetet e Bashkuara për të promovuar librin tuaj më të fundit me poezi të përkthyer në anglisht nga Ani Gjika. Ç’mund të na thoni për këto promovime që keni patur?

Luljeta Lleshanaku: Ky është libri im i tretë që botohet në Shtetet e Bashkuara dhe i pesti në anglisht, sepse dy të tjerët janë botuar në Angli; sigurisht, unë jam në emocionet e fillimit, libri porsa ka dalë, ka vetëm dy javë. Jam në një turne leximesh: kisha dy lexime në Boston javën që shkoi; kam dy lexime në fund të kësaj jave në Nju Jork, në Librarinë McNeal në Bruklin dhe një tjetër në Shtëpinë e Poetëve në Manhaten. Është një situatë tepër interesante, sepse ti po i flet një audience krejt tjetër, dmth një lexuesi i cili di shumë pak, ose aspak për Shqipërinë dhe fare pak për Europën Lindore. Unë pretendoj që ky libër të sjellë diçka të re për ta, por njëkohësisht diçka shumë të njohur për ta, që të jetë universale. Tashti se sa është ruajtur kjo balancë, nuk kam nga ta di, pres se cili do të jetë reagimi; deri tani juam relativisht e kënaqur, është dy javë që ka dalë, Shoqata Amerikane e Poetëve e futi në listën e librave të rekomanduar, revista World Literature Today dhe linke të tjera… le të shohim. Unë shpresoj që po përjetoj atë emocionin e përballjes me audiencat, ku libri sapo ka rënë në dorë.

Zëri i Amerikës: Luljeta të falenderoj për bisedën dhe të uroj sukses.

 

 

 

Filed Under: Interviste Tagged With: Katarsis, krimet e komunizmit, Luljeta Lleshanaku

MARJANA BULKU: GJUHA DHE VLERAT,NA BASHKOJNE PER JETE

April 21, 2018 by dgreca

-Nëse do t’i ktheheshit retrospektivës së viteve të fëmijërisë suaj, si do i kujtonit ato?

Ah fëmijëria, ajo është “mbretëria jonë e humbur” (kështu e konsideroj  unë atë) edhe pse ne jemi një brez i rritur në errësirë kishte më shumë lumturi brenda saj, ndoshta për shkak të naivitetit të kohës, të izolimit, pa lirisë, mungesave të disa kushteve minimale që kur ua tregoj fëmijëve sot u duken të pa konceptueshme. E,megjithatë dy gjëra të mrekullueshme  që e kanë mbështjellë fëmijërinë tonë unë dua ti kujtoj gjithmonë. Ato janë:1.Përkujdesja e jashtëzakonshme prindërore dhe 2. Miqësia e mirë. Gjithësesi është mirë që në çdo etapë të jetës, njeriu duhet të gjejë të mirën, ta ruajë atë në shpirt e pse jo edhe tia përcjellë brezave.

-Keni përfunduar studimet e larta në universitetin Histori-Filologji të Tiranës,dega Gjuhë Letërsi dhe më vonë studimet pas universitare, institutin e Studimeve Europiane, Master për Politika  dhe Institucionet në Bashkimin Europian. A e kishit menduar se po bënit zgjidhjen e duhur për të ardhmen tuaj? 

 -Kur përmenda mangësitë e rritjes pak më sipër, kisha parasysh edhe mungesën e lirisë për të zgjedhur profesionin e së ardhmes bazuar në merita dhe preferenca, për këtë as flitej e mendohej para viteve 90-të. Janë mijëra të rinj që u mohohej e drejta e studimit për shkaqe politike dhe qindra të tjerë që nuk e kishin të drejtën e zgjedhjes të degës për të cilën donin të studionin. Duket qesharake sot kur kujtojmë se partia shtet vendoste për ne. Shkollimi i lartë i limituar dhe sistemi i politizuar deri në robëri e kushtëzonte lirinë tonë madje mundej që edhe të na e privonte atë.Brezat e rritur në izolim nuk mundën ta liberalizonin shkollën e lartë edhe pse për hir të së vërtetës ajo konsiderohej “paja” për ne gjeneratat e para 90- tës.Por unë e kam dashur letërsinë edhe pse ëndërra ime ishte mjekësia. E në mangësi të saj fjalën e kam përdorur si “mjet shërimi” pasi vërtet besoj se komunikimi i butë, zbut dhe shëron. Letërsia u bë pasioni dhe profesioni im.

-Ndonëse po i kushtonit kohë dhe vëmëndje letërsisë, mësimdhënies, çuditëtisht  një ditë në jetën tuaj zë vend dhe politika.  Si ndodhi?

  -Politika kjo gjë e ndaluar për qytetarët shqiptarë, ka qenë diku në familjen time, e nëndheshme, e padukshme. Gjyshja e mamës time , një grua stoike siç e përshkruajnë bashkohësit ishte delegate e Dibrës në kongresin e parë të gruas antifashiste në Berat në vitin 1943, madje edhe kishte mbajtur një fjalim atje. Për familjen e saj Kadiu , një derë ku predikohej fe dhe moral kjo nuk ishte ndonjë gjë e jashtëzakonshme, ndërsa për Dibrën e izoluar të asaj kohe, madje edhe të kësaj kohe ky fakt duhej të ishte historik, por historitë tona janë prej lapsi dhe gome …Tek unë u gdhend ajo grua e cila mbajti në shpirt dashurinë për fenë dhe jo për partinë nga e cila familja e saj do të kishte goditje të njëpasnjëshme.Mamaja ime ka qenë kryetarja e parë e Lidhjes Demokratike të gruas në Dibër, lidhje të cilën më pas do ta drejtoja unë. Krijimi i Partisë Demokratike në Shqipëri,pavarësisht turbulencave, kishte mision përmbushjen e të drejtave të mungura, dhe i parë nga ky kontekst ishte domosdoshmëri e vonuar që për shkak të izolimit të gjatë dhe pamësimit me lirinë, derivoi në një lloj pluralizmi kaotik. Unë i përkas asaj shkolle politike mbase pak klasike por që beson se politika është arti i zgjidhjes kur aplikohet nga njerëzit e duhur. Sot tabloja politike është e mjerë por kjo nuk mendoj se duhet ti stepë intelektualët dhe patriotët , përndryshe vendi do ti nënshtrohet një lloj diktature edhe më brutale e më të padrejtë se ajo që na izoloi nga bota e zhvilluar për më shumë se pesëdhjetë vjet.

-Vjen një ditë,largimi nga të afërmit, miqtë, shoqet, vendlindja… Shqipëria,  duke shtegëtuar në Amerikë. E prisnit këtë  shkëputje?

-Ka qenë korriku i vitit 2011, dita kur u larguam nga Shqipëria, jo me një vendim definitiv, por që më vuri përpara një vendimi shumë të vështirë kur im bir fitoi një edicion arkitekture dhe iu rezervua një vend studimi nëe Art and design hight school Manhattan. Aty unë ndalova, mora njëdrejtim krejt tjetër, ishin ëndrrat e tij që udhëhiqnin hapat e mija jo të lehta në Amerikën që nuk ka qenë kurrë destinacioni im për të ndërtuar jetën.

-Sa i vështirë ishte për ju  integrimi në Amerikë,veçanërisht në  jetën  gjigande  Nju Jorkeze ? 

-Për mua ka qenë e vështirë shkëputja nga Shqipëria, ishte një ikje e pa vullnetshme, e diktuar nga rrethanat dy -tri vitet e para pothuajse vetëm fizikisht ndjehesha këtu sepse shpirtërisht dhe mendërisht ndjehesha në Shqipëri, atje ku edhe sot ndjej se jeton pjesa më vitale e jetës time. Njeriu është i detyruar të përshtatet e për më tepër në Nju Jork,në këtë vend ku popullsia pothuajse shumicë emigrantësh, ndjehet ngrohtë në një shtet gjigand si ky ku të gjithë jemi të huaj por askush nuk ndjehet i tillë. Këtë lloj sistemi, adaptimi që vetëm Amerika e ka, fillova ta pranoj , kuptoj dhe sot realisht e vlerësoj shumë si një model kulturor që diversitetin etnik e konsideron vlerë dhe pasuri. Integrimi është një proçes që nis me përshtatjen ndaj një ritmi tjetër pune e përditëshmërie që unë e konsideroj si përvojë. Ka pothuaj tri vjet që unë punoj në shërbimin shëndetsor ambulator brenda një korpusi spitalor nga ku ke aq shumë për të mësuar që nga cilësia e kujdesit për pacientin që këtu konsiderohen si klientë e deri tek teknologjia e avancuar e të dhënave për pacientin, të drejtat e tij dhe rëndësinë e jetëve njerëzore në realitetin amerikan sidomos krahasuar me vendet nga ne vijmë.

-Në shumë shtete këtu në Amerikë,funksionojnë jo pak televizione shqiptare. Përse zgjodhët për të punuar në televizionin“Albanian Culturë” dhe jo në një televizion tjetër?

-Kontaktet e mia me televizionin Albanian Culture kanë qenë rastësore, rastësi e bukur do ta quaja në dy evente prezantime librash ku njërin e moderoja unë dhe tek tjetri thjesht u intervistova nga drejtuesi i këtij televizioni zoti Adem Belliu. Që nga ajo kohë ne kemi një bashkëpunimshumë të frytshëm me televizionin Kultura Shqiptare, i cili tashmë ka një histori më se 20-vjeçare në komunitetin shqiptaro-amerikan këtu. Unë jam part time aty për shkak se puna ime e përditëshme i përket një fushe tjetër por që në fakt shpesh herë bëhet burim frymëzimi për mjaftë emisione, mendime dhe vlerësime për jetën që janë bazë e emisionit tim “Një jetë…disa histori”.

-Prej katër vitesh drejtoni emisionin”Një jetë…disa histori”, ideuar  dhe realizuar nga ju.Si lindi ky produksion?

-Kur u ula për herë të parë në atë studio modeste televizive gjëja e parë që ndesh aty është arkivi i pasur Aty pata rast që vetëm në pak ditë të”njoh” shumë çka nga shqiptaro amerikanët, veprimtari, intervista, kronika, madje pata nxitjen e bashkëthemelueses së këtij televizioni, zonjës Mimoza  Belliu për të vazhduar një cikël të hershëm “Bota e gruas” por jo, tashmë në mendjen time ishte kristalizuar “Një jetë…disa histori “, e cila tashmë është një historizës katër vjeçare.

-Si ndiheni përballë ekranit, i cili padyshim ju merr jo pak kohë që nga projekti, takimin me personazhin, deri tek realizimi i emisionit?

-Ekrani është përgjegjësi ,është komunikim, është qasje me kohën edhe kur koha , dita apo çasti jot ka preokupime të tjera e megjithatë ajo çka është gjithmonë me mua, gjithmonë një është serioziteti në veshje, sjellje,komunikim.Për mua ajo studio është një marrdhënie shumëplanëshe me problematikën,të ftuarit dhe ata që e ndjekin komunikimin. Miqtë e televizionit Albanian Culture, janë shikues konservatorë që vlerat e familjes, traditës , historisë i kanë të shenjta , edhe unë po ashtu , jo vetëm për të qenë sinkron me ta, por sepse ato janë në tërësinë e qenies time.Të ftuarit e mi janë individë të fushave të ndryshme, që të gjithë kanë vëmendjen time maksimale sepse të kuptohemi në shumicën e rasteve ato biseda janë spontane,të natyrshme,  pa  asnjë  truk apo parapregatitje ,por shumë prej të ftuarve janë inspirim për mjaftënga shkrimet e mia për arsye të multi problematikës që derivon nga ai bashkëbisedim historish personale e kolektive.

-Keni mundur të intervistoni personalitete nga fusha të ndryshme të jetës,jo vetëm këtu në SH.B.A.por madje nga Kanadaja dhe Shqipëria. Cilin prej tyre mund të përmendësh  si më mbresëlënës?

-Janë vërtet me dhjetra e   dhjetra personalitete, njerëz të zakonshëm, artistë edhe pse i kam të gjithë në kujtesë nuk do bëj specifikime , janë miq të albanian culture tv, janë në fondin e arkivit dhe kam bindjen që në të ardhmen do jenë në nje botim po me këte titull.

-Cili mbetet çelësi i suksesit në punën tuaj,që pas çdo emisioni, edhe  pse e lodhur,sërish ndjeheni e kënaqur?

-Është kënaqësi kur sheh se ekranit i rritet shikueshmëria ,është edhe përgjegjësi dhe detyrim për të rritur cilësinë, për të sjellë histori por edhe vlera në studio që natyrisht mbart edhe vështirësi objektive brenda.Televizionet shqiptare këtu nuk janë aq të fuqishme në teknologji dhe mjedisin fizik,e megjithatë ato mbeten kampione të mbajtjes gjallë të kujtesës, promovimit dhe ruajtjes së kulturës shqiptare, gjuhës dhe historisë tonë si dhe promovimit të vlerave të fushave të ndryshme, e kjo është jo vetëm kënaqësi por edhe mision që natyrisht mbart shumë aktorë brenda. Pra nëse ka sukses në komunitet ky sukses do të pasqyrohet edhe në ekran,ne jemi një korelacion veprimesh që ekziston dyanshmërisht.

-Çfarë do të thoshit për bashkëpunimin, konkurencën që ekziston  midis  jush dhe kolegëve të televizioneve të tjera?

-Unë  nuk e konsideroj si konkurencë ekzistencën e disa mediave , është një marrdhënie paralele, ne kemi shumë gjëra të përbashkëta, por në një fushë të lirë veprimi çka nënkupton se ka kaq shumë hapësira në Amerikën e madhe, ku kreativiteti nuk duhet të na bëjë konkurues ndaj njëri- tjetrit por të ndryshëm, të larmishëm dhe partnerë në çështje të përbashkëta.Sa për ta ilustruar:kur në studio kam dibran unë detyrimisht dua të kem në krah Beqir Sinën, dibranin që nuk u ngop kurrë me Dibrën.

-A pretendoni se veten tuaj e shprehni më mirë,kur shkruani artikuj e poezi,apo gjatë punës suaj në televizion?

Unë nuk besoj në përsosmëri edhe pse kam idhuj të cilët i konsideroj të përsosur, por kur dëgjoj veten jam kritike ndaj saj. Mendoj se shkrimi është një mënyrë më e maturuar e prezantimit të mendimit, madje proza ime edhe pse pak  botuar, është më e bukur. Më pëlqen stili telegrafik ku teksti dhe konteksti i shkojnë lexuesit në mënyrë të shpejtē, të ngjeshur, konçize. Kam dashur gjithmonë që çdo akt leximi të nxisë reflektime e kritika dhe të mos jetë vetëm vargëzim shkronjash. Mesazhi e bën veprën jetë gjatë.

-Mendoni se tematika që shtrohet në shkrime apo komunikimet tuaja i jep vlerë atyre? 

-Natyrshëm që tematika, të qenit sinkron me realitetin natyrisht edhe fleksibël, sepse ne jetojmë në SHBA dhe sensi i realizmit këtu apo atje kanë masën e vet çka e bën edhe më të vështirë rolin dhe vërtetësinë e shënimeve, por ky pozicion këtu dhe atje ka edhe bonuset e veta që të vejnë në pozita solide kur lexon objektivisht dhe i nënshtrohesh logjikës të së vërtetave.Është me shumë rëndësi sensibiliteti dhe reflektimi, tipare këto që të mbajnë gjithmonë në kontakt me temat e kohës.

-Ku e shikoni Ju tashmëMarjanën,si nënëe dy fëmijëve, bashkëshorte, njëkohësisht poete dhe gazetare?

-Kur shikoj vitet qërendin,mosha,djemtëqërriten e shkollohen, natyrshëm  aty ështëMarjana dhe Iliri,bashkëshorti im, roli ynëi padiskutueshëm nëkonsolidimin e edukimin  e dy djemve. Padyshim e përditëshmja, e ardhmja  brënda meje ështëpoezi,prozë, letërsi.

-Sa kanë  ndikur tek ju përfundimi  i studimeve Europiane, krijimtaria   juaj si poete, në gazetari , moderim?

-Shkollimi dhe përvoja janë dy anë paralele që nxisin dhe rrisin njëra tjetrën, ndaj dhe pas çdo cikli studimi kam pyetur veten se si do ti ruaj çka mësova edhe nëse ato nuk do më duhen. Dhe e vërteta është se më janë dashur gjithmonë. Dijet nuk të tradhëtojnë kurrë. Në punën e përditëshme mësuesia më vjen në ndihmë kur më duhet ti kujtoj diabetikut dietën, të moshuarit ilaçet, depresivit dashurinë për jetën dhe njeriut në përgjithësi se shëndeti i mirē është kapital.E natyrisht që dijet e studimeve master politikash evropiane janë një bagazh që merr dhe i jep formë çdo komunikimi.Jeta është më e thjesht dhe e bukur kur din, padija të burgos , të bën të pa lirë dhe këtë ne e kuptojmë kur largohemi nga Shqipëria.Megjithatë unë e konsideroj edukimin si një bonus individual që gjithë se cili e ve në përdorim mbi bazën e kapaciteteve personale intelektuale.

 Kohët e fundit, jeni zgjedhur në Kryesinë e Vatrës. Çfarë do të thotë të jesh në Vatër e për më tepër në forumet drejtuese të saj

-Federata Panshqiptare “VATRA” ,është faqja më e bukur e historisë së Shqipërisë, që i dha emër dhe jetë Shqipërisë edhe përpara shtet formimit, është vendi ku të gjithë shqiptarët pavarësisht mureve gjeografikë,apo politikëndarës ndjehen bashkë.E konsideroj përgjegjësi   angazhimin tim apo të çdokujt tjetër aty. Është ai lloj vendi ku ligjëroi Konica e Noli e ku çdo fjalë e mendim duhet të ketë peshë e maturi. Për shqiptarët e vjetër këtu Vatra është lidhja me atdheun ndërsa për ne rishtarët është mohimi i padrejtë i lirisë, prandaj ne kemi të nevojshme ti takojmë këto dy kohë që mbartin shumë histori të pashkruara ende.Le ta quajmë një muze shqiptarie që nëse do ndrijë do na nderojë, e nëse do e denigrojmë do jetë përgjegjësi dhe faj historik. Unë besoj që po jetojmë atë lloj moment historik ku çdo lloj përgjegjësie apo angazhimi shoqëror i duhet dhe i vlen  Kombit sot më shumë se kurrë.

-Çfarë mendoni për rolin dhe cilësinë e shkollave shqipe në diasporë.

 -Pa dashur të paragjykoj ato dua të nxis dhe përkrah çdo lloj vullneti për të mbajtur gjallē gjuhën shqipe. Dhe ky vullnet mundet të vijë nga familja,intelektualët, televizionet, organizatat, individët, nuk ka rëndësi se si vjen por është shumë e rëndësishme që të institucionalizohet  dhe shkolla është vendi i duhur.Nuk ka investim më patriotik sesa ai gjuhësor, ndër të gjitha të shumtat që na ndajnë, gjuha është vlera që na bashkon sot e përjetë.

– Cila ështënjëditëe zakonshme për Ju?

-Gjëja e parë, me të cilën nis dita ime, është kafja,letra dhe lapsi.Tre botimet e librave të mi me poezi“Zemër e Thinjur”, “Lutja e Vetmisë” dhe “Muzg egzistence” që tashmë i përkasin një epoke tjetër  (Qesh ciltërsisht)së shpejti do të shoqërohen nga “lindja “ e një libri të ri,Duke mos harruar kurrësesi prozën,ku po përpiqem të gjej kohën dhe momentin e duhur,të mbledh krijimet e kohëve të fundit,në rrugëtimin e librt të dytë në prozë. Ndonëse këto “hoje mjalti”, i përkasn retrospektivës së disa viteve të mëparshme të Marjanës,e cila fizikisht jeton në Amerikë, por shpirtërisht jetoj në Shqipëri

                                             INTERVISTOI :FADIL SHEHU

                                                        Nju Jork ,Prill 2018

Filed Under: Interviste Tagged With: Fadil Shehu, Interviste, Marjana Bulku

Miku të mos bëhet zot shtëpie

April 21, 2018 by dgreca

“Presioni i Erdogan per gylenistët”? …Kreu i Komunitetit Mysliman: Miku të mos bëhet zot shtëpie/

Kreu i Komunitetit Musliman shqiptar, Skënder Bruçaj, iu përgjigj me kujdes, por pa ekuivoke pyetjes që iu drejtua mbremë në emisionin “Java” në RTSH në lidhje me shmangien e tij nga protokolli gjatë një veprimtarie të Presidentit të Turqisë, Erdogan në vizitën e këtij të fundit në Tiranë.

Bruçaj theksoi marrëdhëniet miqësore si dhe mbështetjen e Turqisë ndaj komunitetit mysliman shqiptar, por duke iu referuar rastit konkret tha se është tradita shqiptare që mikun e vendos gjithmonë në krye të vendit, por kur ky, pavarësisht respektit, kërkon të jetë edhe zot shtëpie atëhere kjo bëhet e papranueshme. Pavaresisht se nuk përmendi emra, u duk qartë se referimi ishte për Presidentin e Turqisë.

Shqipëria dhe Kosova janë prej shumë muajsh nën presionin e Akarasë për të dorëzuar  kundështarët gulenistë të Presidentit Erdogan që qeveria e tij i akuzon si terroristë. Eksportimi i këtij konflikti në Shqipëri është shfaqur edhe në përpjekjet apo gjestet e Ankarasë për të ndryshuar drejtimin e komunitetit mysliman në  Shqipëri.

Bruçaj tha mbremë se krerët e komunitetit Musliman në  Shqipëri nuk caktohen nga shteti, por zgjidhen sipas rregullaave të vetë Komunitetit.

Bruçaj shpreh mbështetjen në emër të komunitetit mysliman shqiptar për rakomandimin pozitiv nga Komisioni Europian.

“Komunitetit mysliman ka një rol thelbësor në themelimin e shtetit shqiptar, në përcjelljen e mesazheve universale të paqes, tolerancës dhe bashkëjetesës fetare. Ne jemi shumë të gëzuar për këtë rakomandim, i cili i shërben interesave të vendit dhe shtetit shqiptar të cilat komuniteti mysliman i konsideron prioritare”, tha ai.

Filed Under: Interviste Tagged With: Brucaj, Erdogan, Gylenistet, Miku

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 73
  • 74
  • 75
  • 76
  • 77
  • …
  • 211
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare
  • Në sinoret e Epirit…
  • Mbrëmë hyri në fuqi Ligji i SHBA për autorizimin e mbrojtjes kombëtare
  • Skënderbeu “grek”, ose si të bëhesh grek pa e ditur
  • A historic moment of pride for the New Jersey Albanian-American community
  • U zhvillua veprimtaria përkujtimore shkencore për studiuesin shqiptaro-amerikan Peter Prifti
  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT