• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

80 VITE NGA ARRESTIMI I NORBERT JOKLIT  NË PAKTHIM 

May 10, 2022 by s p

Nga Hazir MEHMETI, Vjenë

Përvjetor: Përkujtim i  themeluesit të Albanologjisë

Derisa me rastin e 25 vjetorit të pavarësisë Jokli u nderua nga Mbreti Zog me dekoratën “Urdhëri i Skënderbeut“. Është koha e reflektimit tonë në vlerësimin ndaj atyre që albanologjinë e vunë në baza shkencore.

           Shpeshherë në kohë takohen dy ekstremet, vlera dhe jovlera. Kështu ishte kur jetoi në Austri gjuhëtari i madh, Norber Jokli,  i cili shkëlqente me punën e tij shkencore dhe ishte sinonim vlere. Kjo vlerë shndritë akoma më shumë kur dihen rrethanat e formësimit të saj, i rrethuar nga nazizmi si pushtet dhe ideologji antinjerëzore. Kudo  përreth zotëronte acari i ngrirë dimëror nazist që vriste çdo aguliçe marsi në paralajmërimin e pranverës së domosdoshme. Ato mblidheshin një nga një sapo fillonin të hapnin  petalet në rrezet e diellit të shumëpritur.

Dhe, vrasja ishte mizore, pa gjyq e pa gjykatës. Përbindëshat me figura njeriu çirreshin rrugëve të Vjenës në gjuetinë e tyre makabre, ku muret e pallateve shekullore rrëqetheshin nën rënkimet e fëmijëve, pleqve, grave, të cilët nxirreshin me dhunë nga shtëpitë e tyre.

Fati i bashkëkombëseve të tij e ndoqi edhe Norbert Joklin. Ai e dinte rrezikun që e përcillte, por nuk mundi të mos e ndante fatin me njerëzit e  gjakut tё tij. Rrezikun e kuptuan po ashtu shumë nga miqtë e dashamirët e tij, të cilët e paralajmëruan rrezikun. Gjergj Fishta do të kërkonte nga Jakomoni (përfaqësues nga qeveria pushtuese fashiste italiane) që Shqipëria të jetë e gatshme për strehim të  Joklit, hebreut, i cili themeloi studimet albanologjike. Ashtu vepruan edhe disa intelektual e veprimtar shqiptarë që e njihnin situatën dhe e ndjenin rrezikun që e kanoste Joklin.

Ernest Koliqi i shkruan konsullit shqiptar në Vjenë, Nikollë Rrotës, se duhet ndërmarr veprime që Joklit t’i mundësohet udhëtimi i menjëhershëm për në Shqipëri.  Lasgush Poradeci shtronte nevojën e sjelljes së Joklit nga Vjena në Shqipëri dhe vënien e tij në krye të Institutit Albanologjik që do themelohej në Tiranë. Të gjitha këto lëvizje bëheshin tani kur Shqipëria ishte e pushtuar nga Italia fashiste.

Nga ana e tij, Jokli kërkonte mundësinë e udhëtimit për në Amerikë, ndërmarrje kjo jo e lehtë në atë kohë.

Para  tetëdhjetë vitesh, në mëngjesin e 4 marsit të vitit 1942, Jokli merret me forcë nga gestapoja në banesën e  tij në rrugën Neustiftgasse 67, Bashkia e 7-të e Vjenës.

Studiuesi, Mechthild Yvon, në botimin e tij me titull:  “Fati i albanologut Norbert Jockli dhe bibliotekës së tij “  mes tjerash shkruan: ,,Shumica e hulumtimeve të deritashme lidhur me fatin e albanologut vjenez Norbert Jokli dhe grabitja e bibliotekës private të tij nga nazistёt janë unik se: Rasti i Joklit është një shembull neveritës i brutalitetit nazist nga kolegët e tij specialistë nga UN- dhe reparti i bibliotekës, para se gjithash i Dekanit të Fakultetit Filozofik, Viktor Christian, i cili ndërmerr deportimin e Joklit në mars të vitit 1942, kur ai  vdes në Maly Trostinec, me çka e nxjerr para përgjegjësisë. Rrallë ndonjëri që e ka mbështetur.

Sipas ditarit të Paul Kretschmer, ish mësues i Joklit, indogermanist , i cili shkruan se Jokli është deportuar qysh në vitin 1941. Një intervenim i rrethit kolegjial do ta shpëtonte para transportimit për në asgjësim. Në vitin 1942 nuk ishte më tutje e mundur. Biblioteka, pronë e tij do të dërgohet në “rrethin shkencor”, duke u shkarkuar përfundimisht në Bibliotekën Kombëtare (Österreichische National Bibliothek), e cila qe nga ajo kohë gjendet aty”.

Disa fakte të reja lidhur me rrethanat dhe gjendjen e Joklit dhe përpjekjet e tij për t’u shpërngulur për në Shqipëri përmes Italisë bashkë me bibliotekën e pasur të tij si dhuratë për Ministrinë e Arsimit të Shqipërisë.

Sipas shënimeve  nga Kraft, “Jokli e kishte ndërmend që bibliotekën t’ia dhuronte  Ministrisë së Arsimit të Shqipërisë dhe ta merr përsipër tё drejtën e tij për të emigruar. Kështu, ai kërkoj leje nga Dekanati i Fakultetit Filozofik, mirëpo u denoncua tek Gestapoja nga rektori  i fakultetit, Viktor Christian. Këtë qëndrim e  përkrah edhe Evelyn. Megjithatë nuk mund të vërtetohet denoncimi sipas të dhënave të deritanishme, e njëjta vlen edhe për listën e deportimeve  nga Vjena në vitet 1941 dhe 1942. Sipas Kraft-it, Jokl u arrestua në vendbanimin e tij në Vjenë VII, Neustiftgasse 67 nga Gestapo dhe u deportua në piken grumbulluese në Vjenë II, ”Castellegasse”.  Pra, si shihet, nazistët nuk lenin shënime dokumentuese në veprimet e tyre. Ato bëheshin në formë perfide.

Norbert Kokli, u lind në Bzenec të Moravisë në Çeki, më 25 shkurt të vitit 1877. Rrjedh nga një familje tregtare hebre. Maturën e mbaron me sukses të shkëlqyeshëm në vendlindje, kurse studimet në Vjenë, së pari në drejtësi,  pastaj në shkencat gjuhësore dhe mësimet për bibliotekist. Punon në Bibliotekën Universitare të Vjenës deri në pensionimin e tij të detyrueshëm nga nacional-socialistët e ardhur në pushtet në vitin 1938. Publikimet dhe aktivitetet publike të Joklit do të kufizohen sipas Ligjit Racist të Nyrenbergut edhe pse kjo nuk u tha në mënyrë eksplicite lidhur me botimet e tij. Në këto rrethana Joklin për katër vite rresht e vizitonte nxënësi i tij, Georg Solta, i cili dëshironte të vazhdonte punën shkencore të mësuesit të tij. Në anën tjetër ai e furnizonte Joklin me libra nga biblioteka. Solta nuk kujton asnjë përkrahje nga kolegët e Joklit në gjendjen e krijuar.

Si studiues linguistik u morr me Indogermanistikë, Sllavistikë dhe Romanistikë. Pas mbarimit të studimeve të dyta nga gjuhësia ai mësoi si autodidakt gjuhën shqipe, një gjuhë e pa studiuar gati fare, me të cilën do merret tërë jetën e tij.  Ndoqi kursin e shqipes tek Dr. Gjergj Pekmezi, i cili ishte lektori i parë i gjuhës shqipe në Universitetin e Vjenës.

Në vitin 1913 emërohet si përgjegjës për ,,Shkencat gjuhësore Indogermanistike me theks të veçantë për shqip, gjuhët baltike dhe sllave”. Krahas punëve në bibliotekë ai punon intenzivisht në gjuhësinë shqipe, duke arritur të bëjë emër si albanolog dhe sot konsiderohet si themelues i Albanologjisë. Me hulumtimet e tij gjuhësore ai konstaton, se gjuha shqipe bën pjesë në gjuhët indoevropiane.

Jokli mes tjerash u dallua në fushën e etimologjisë, marrëdhënieve të gjuhës shqipe me gjuhët tjera, fonetikën e zhvillimet në morfologjinë e fjalëve.  Vdekja e hershme nuk i mundësoi botimin e një vepre përmbledhëse të hulumtimeve të tij. Ai, megjithatë, botoi disa vëllime si “Sudien zur albanischen Etymologie und Wortbildung”, Vjenë, 1911 (Studime për etimologjinë dhe fjalëformimin e shqipës” dhe “Linguistisch¬kulturhistorische Untersuchungen aus dem Bereiche des Albanischen”, Berlin- Lajpcig, 1923 (“Gjurmime gjuhësore, historikokulturore nga lëmi i shqipes”.

Studimet e tij gjuhësore përfshinin gjithashtu marrëdhëniet e gjuhës shqipe me gjuhët tjera të lashta jo-greke të Ballkanit, me ilirishten, trakishten, duke e nxjerr tezën e tij të prejardhjes së shqipes si një sintezë e tezave ilire e trake. Jokli mbrojti me këmbëngulje autoktoninë e shqiptarëve, ku Dardania e lashtë vihet si djepi i parë i tyre. Ai e vlerëson lartë punën e rilindësve për pasurimin e gjuhës shqipe duke ndikuar në  vijueshmërinë mbi baza filologjike. Vendin e shqiptarëve – Shqipërinë, Jokli  e viziton tek në vitin 1937, duke e plotësuar dëshirën e  tij, ku pritet mirë duke u nderuar me “Urdhni i Skënderbeut”.  Jokli ishte i njohur edhe nga personalitetet e tjera të kulturës që vepronin në atë kohë në Vjenë, të cilëve u interesonin shqiptarët dhe kultura e tyre. Njëri nga ata ishte  paleontologu dhe albanologu i njohur Franc Nopcsa i cili i  la Joklit në trashëgimi punën e tij në studimet albanologjike në vitin 1933 pasi ai vrau sekretarin e tij Bajzit Elmaz Doda dhe veten pas një krize të rëndë psikike. Fotografitë e Nopcsas dhe Dodes nga rajone shqiptare të fillim viteve të shekullit njëzet ruhen si vlera në Bibliotekën Kombëtare të Austrisë në Vjenë.

Vepra e Joklit është padyshim një vlerë në shumë rёndёsi pёr gjuhësinë në përgjithësi dhe shqipen në veçanti. Ai ishte komunikues dhe mbante lidhje të ngushta me intelektualёt shqiptarë më në zë të kohës, si: Gjergj Fishtën, Ernest Koliqin, Faik Konicën, Aleksandër Xhuvanin etj.

Shkenca shqiptare ashtu sikurse populli shqiptar përjetuan ringjallje por edhe katrahurën e robërisë dhe nazizmin shkatërrues komunist, i cili nuk la rrugë për vlerësim të njeriut, pra as të miqve të kombit shqiptar siç ishin albanologët nga hapësirat gjermanofolëse duke përfshirë këtu edhe Joklin.

Derisa me rastin e 25 vjetorit të pavarësisë Jokli u nderua me dhënie çmimi, çfarë do bënim tani në këtë kohë kur kemi dy shtete shqiptare në përkujtimin e Joklit dhe miqve tjerë, a do duhej përkujtuar denjësisht. Është koha e reflektimit tonë në korrigjimet  në mësimet tona të atyre që albanologjinë e vunë në baza shkencore. Edhe këtu pseudoshkenca greko-sllave  tentuan ta varrosin kulturën, gjuhën e vendorëve në tokat e të cilëve kishin ardhur. Falë këtyre mendje ndritur u vu themeli i ringjalljes së një civilizimi të lashtë mijëra vjeçar duke u kurorëzuar me alfabetin shqip si paraprijës i lindjes së shtetit shqiptar.

Filed Under: Kulture Tagged With: Hazir Mehmeti

ENO PEÇI, BALERIN E KOREOGRAF I NJOHUR NË OPERËN SHTETËRORE TË VJENËS         

May 9, 2022 by s p

Hazir MEHMETI, Vjenë   

Dekoratat: “Kalorës i urdhrit të Skënderbeut“, (2018) dhe “Kurora e Nderit të Austrisë për Shkencë dhe Art” (2019)  (“Österreischen      Ehrenkreuzes für Wissenschaft und Kunst”) 

Vjena Historike! Vjena nyje e fuqishme udhëkryqet e historisë shqiptare.  Vjenën e Operës me koncertin e saj ku niset mbarësia e vitit të ri. OpernBall, simboli i klasikes vjeneze, aty edhe  Eno Peçi me vallëzimet dhe koreografinë e tij.  
      Historia shqiptare në Vjenë, ripërtërihet çdo herë ashtu siç ripërtërihet miqësia mes dy kombeve. Kjo peshon në punën e njerëzve tanë, mes tyre Eno Peçi me të cilin u takuam aty pranë shtëpisë së tij të parë e të dytë në jetën artistike të tij, Operës Shtetërore të Vjenës. Në qendër të Vjenës, aty ku sheshi shkrihet në gjelbërimin, gjenden lokale që ofrojnë ushqime tradicionale të shoqëruara me verën e njohur shekujve dhe shërbimi me profesionalizëm e me kulturë i njohur në gjithë globin. Ishte një takim vëllazëror i përzemërt me dëshirat e mëdha për progresin tonë, atdheut tonë ashtu siç e ëndërruam shekujve. 

Pak biografi:     

Eno Peçi, balerin, solist dhe koreograf, u lind në Tiranë. Gjatë viteve 1994- 1998 kreu studimet në Shkollën e Baletit në Tiranë.  Në moshën gjashtëmbëdhjetë vjeçare, një valltar i stërvitur në Shqipëri, migron në Austri ku studion në Shkollën Shtetërore të Baletit të Vjenës dhe në vitin 2000 në Baletin Rinor Europian. Që nga ky vit Eno Peçi  është pjesëtar i trupës së Baletit në Teatrin e Operës dhe Baletit të Vjenës.   Renato Zanella, drejtori i baletit në Vjenë, nga viti 1995 deri në 2005, e solli atë në ansambël, kështu në vitin 2002 i dha rol në baletin “Spartacus”.  Në vitin 2003 arrin të jetë pjesë e solo këndimit deri në vitin 2009 kur do kalon në solo vallëzim baleti.  Eno Peçi është i pari balerin shqiptar i cili përfaromi direkt në Koncertin e Vjenës të fillim vitit 2014. Ka bashkëpunuar me shumë koreografë të njohur si: Renato Zanalla, John Neumeyer, Roland Petit, Boris Eifman, Ëilliam Forsythe, Vladimir Malakov, Peter Right, Hans Van Manen, Giogio Madia, Leonide Massine, Nicolas Musin, Jiri Kylian, Paul Lightfoot etj.  Ka qenë pjesëmarrës në “Ballon Vjeneze” dhe në Koncertin Vjenez të fund vitit që prej vitit 2004.
      Që atëherë, ai ka qenë në gjendje të interpretojë në një larmi rolesh, Bluebeard, në baletin e Stephan Thoss-it Bluebeard’s Secret deri tek Ulrich në “Bat” i Roland Petit dhe Torero Espada në “Don Kishoti” nga Rudolf Nurejew e deri tek roli titull në filmin “Onegin” të John Cranko apo Tybalt tregojnë talentin e tij dhe modelin e rolit të ndjeshëm, në koreografinë e Cranko “Romeo dhe Juliet“, në të cilat ai tregon talentin e tij dhe modelin e rolit të ndjeshëm. Në vitin 2009, Eno Peçi u prezantua si koreograf në një mbrëmje të organizuar nga Klubi i Baletit të Operës Shtetërore të Vjenës në Volksoper. Që atëherë ai ka vallëzuar mendërisht në dy këmbë: Me Baletin Shtetëror të Vjenës ai u prezantua me koreografinë e tij “Herzblume” në skenën e Volksoper dhe së fundmi paraqitje e tij tek baleti muzikor nga Igor Strawinskys me titull “Petruschka”. Në Gala Star World World 2018 u shfaqën dy Pas des deux “Subjekti” (me Mila Schmidt, premierë në gala në Grand Théâtre de la Ville Luksemburg me Maria Yakovleva) dhe “Hush”, një premierë botërore me Olga Esina. Me 8 shkurt 2018, Peçi bëri koreografinë edhe paraqitjen e Baletit Shtetëror të Vjenës në hapjen e Ballos Operistike. Eno Peçi pati premierën e shfaqjes “Exil” në Teatrin Kombëtar të Kosovës, e cila rezultoi shumë e suksesshme.Ein Bild, das Person, Mann, Anzug, Wand enthält.

Automatisch generierte Beschreibung

Për sukseset e tij Republika e Shqipërisë, Presidenti i Republikës i jep Zotit  Eno Peçi Titullin: “Kalorës i Urdhrit të Skënderbeut”. “Në vlerësim të talentit të jashtëzakonshëm si solist dhe koreograf duke arritur majat më të larta të baletit klasik, njëkohësisht ambasador i shkëlqyer i imazhit të Shqipërisë në Austri dhe në botë”.  Në Austri, Eno Peçit, i ndahet çmimi prestigjioz: “Kurora e Nderit të Austrisë për Shkencë dhe Art” (2019)  (“Österreischen      Ehrenkreuzes für Wissenschaft und Kunst”). Në vitin 2020 Opera e Vjenës e hap programin e saj të vallëzimit në balet më koreografi të Eno Peçit. Ishte kjo edhe një mirënjohje e madhe e punës së tij, falë aftësive të jashtëzakonshme krijuese që ka. Sukseset e Eno Peçit janë të vuzhdueshme dhe të prekshme. Ai është imazhi më i mirë i Atdheut në Austrinë mike, dhe jo vetëm. 

Filed Under: Interviste Tagged With: Hazir Mehmeti

TRAGJEDIA NË BULLGARI, VATRA SHPREH NGUSHËLLIMET MË TË THELLA

November 23, 2021 by s p

Dielli

Federata Panshqiptare e Amerikës VATRA shpreh ngushëllimet më të thella për bashkatdhetarët tanë në Maqedoninë e Veriut që u ndanë tragjikisht nga jeta pas aksidentit të tmerrshëm në Bullgari. VATRA shpreh keqardhje dhe dhimbje të thellë për humbjen e jetëve të bashkatdhetarëve tanë, iu shpreh ngushëllime të sinqerta familjarëve të viktimave dhe ju dëshiron shërim të shpejtë të lënduarve nga ky aksident që na ka shokuar të gjithëve. VATRA lutet me shpirt për bashkatdhetarët që u ndanë prej nesh papritmas. VATRA u gjendet pranë familjeve të prekura, pranë të lënduarve dhe pranë të gjithëve shqiptarëve që u tronditën nga ky aksident tragjik. Ngjarja e kobshme në Bullgari, është një lajm tragjik që na ka shokuar dhe shkatërruar të gjithëve. Me zemër, me shpirt dhe me lutjet tona jemi pranë familjeve që humbën më të dashurit e tyre në këtë tragjedi të rëndë. Dhimbja është e papërshkrueshme, humbja është e pazëvendësueshme, tronditja është shumë e madhe për të gjithë ne. Ngushëllime të sinqerta për të gjithë. Zoti qoftë ndihma, lehtësimi dhe shpëtimi prej kësaj tragjedie.

I prekur dhe me dhimbje të thellë

Kryetari i VATRËS

Elmi BERISHA

Filed Under: Kulture Tagged With: Hazir Mehmeti

AUSTRIA KREMTON 26 TETORIN-FESTËN KOMBËTARE

October 26, 2021 by s p

Nga Hazir MEHMETI, Vjenë/

Austria kremtoi 26 Tetorin, Festën Kombëtare të saj. Gjithë shqiptarët urojnë: Gëzuar 26 Tetori – Festën Kombëtare Austri! Në rrethana pandemie u organizua ceremonia solemne në “Heldenplatz” ku morën pjesë vetëm 100 rekrutëve para të cilëve parakaluan drejtues të vendit, mes tyre Alexander Van der Bellen, presidenti i Austrisë, Schallenberg, Kancelar. Schallenberg, Kancelari Austriak: “Pandemia dhe sulmi terrorist na kanë treguar se ne nuk jemi një ishull i të bekuarve”. Historia e popujve, me gjithë rezonimet e saj, tregon mbi ecjen shekujve të njerëzimit dhe progresin e tij. Njëra nga më të shquarat në kontinent, ishte historia e popullit austriak në veçanti dhe atij gjermano folës në përgjithësi. Nga kjo botë e thellë ngjarjesh e rezonimesh, pa dyshim, veçohet fuqishëm shekujve Dinastia Habsburge. Jo rastësisht, këtu personalitet të veçantë me rrënjë shqiptare e gjejnë vetën si pjesë brenda saj e njohur për drejtimin dhe sundimin e një pjese të madhe të Europës. Pas Luftës së Parë Botërore në vitin 1918, Austria-Hungaria dhe aleatet e tyre e humbin luftën dhe kjo sjell shpërbërjen e Monarkisë duke qenë edhe fundi i sundimit të Dinastisë së Habsburgëve. Republika e parë Pas Luftës së Parë Botërore, dinastia Mbretërore e Habsburgëve e humbë pushtetin, por do mbetet akoma e fuqishme dhe shumë e vlerësuar nga masat qytetare në Austri. Në këto rrethana me 12 nëntor të vitit 1918 shpallet Austria shtet Republikë me Karl Renner- drejtues i qeverisës i saj. Emri zyrtar i Republikës së Austrisë u vendos të quhet Republika Gjermano-Austriake. Një vit më vonë aleatet fitues, me marrëveshje paqe, ia ndaluan Austrisë bashkimin me Gjermaninë dhe nga kjo detyrimisht rrjedh emri Republika e Austrisë. Që nga viti 1921, Austria ka nëntë Njësi Federale me Vjenën kryeqytet dhe vet Vjena një njësi federale (Bundesland). Republika e Austrisë pati disa kriza të mëdha ndër të cilat ajo e vitit 1929 ku papunësia dhe problemet sociale ishin të madha. Këtë krizë e shfrytëzuan forcat social kristiane të kancelarit austriak Egelbert Dollfuß në vitin 1933 i cili e shpërbën së funksionari Parlamentin duke vendosur regjim autoritar dhe duke marr kontrollin qeverisës pa zgjedhje parlamentare. Kështu gradualisht kriza thellohet dhe në vitin 1934 vjen deri te lufta qytetare mes regjimit i mbështetur nga policia e shtetit kurse ana tjetër Partia Socialdemokrate e përkrahur nga policia e saj, të cilën luftë e fiton regjimi me forcën e policisë dhe ushtrisë. Pas kësaj pason tentim puçi nga Nacional socialistët ku vritet Kancelari i Shtetit. Në vitin 1938 Republika e Austrisë nën drejtimin e Kurt Schuschnigg do bëhet pjesë e Gjermanisë nacional-socialiste nën trusnin e Adof Hitlerit edhe pse ishte e ndaluar sipas marrëveshjes me aleatët fitues të Luftës së Parë Botërore. Pakënaqësia e popullsisë, zhgënjimi i saj ishte e madhe në këto rrethana ku papunësia, pasiguria dhe inflacioni ishin të mëdha. Kjo situatë shfrytëzohet nga Hitler i cili në mars urdhëron marshimin e ushtrisë së tij drejtë Austrisë. Kjo do të ketë për pasojë zhdukjen e grupeve etnike në mënyrë të organizuar dhe permanente: hebrenj, rom etj të cilët dërgohen në kampin famëkeq Mauthausen ku do mbyten rreth dyqind mijë njerëz barbarisht. Republika e Austrisë në këtë kohë nuk ekziston fare dhe vendi do njihet formalisht vetëm si Ostmark. Rreth 1,2 milion austriak ishin pjesë e armatës gjermane.Republika e dytë Fituesit e Luftës së Dytë Botërore: SHBA, Britania, Franca dhe Bashkimi Sovjetik vendosin që Austria të jetë një shtet në vete. Gradualisht u krijuan rrethanat për ndryshime dhe në prill të vitit 1945 Karl Renner zgjidhet kancelar i regjimit provizor deri në nëntor kur do mbahen zgjedhjet demokratike parlamentare në Republikën e Dytë të Austrisë. Deri në vitin 1955 fjalën e fundit për rrjedhat e përgjithshme në Austri e kanë aleatet fitues, kur përfundimisht edhe largohen nga vendi. Tani Austria përsëri është shtet i pavarur plotësisht. Në rindërtimin e vendit të shkatërruar rol vendimtar do të ketë SHBA me planin e njohur “Plani Marshal”, një mbështetje e fuqishme financiare, por krahas kësaj shumë ushtarë amerikan do ndihmojnë fuqishëm ndërtimin e vendit të shkatërruar dhe ndërtimin e kapaciteteve prodhuese. Në këto raporte lidhje me aleatet fitues rol me rëndësi luajtën kancelari i atëhershëm i Austrisë Juliuss Raab dhe Leopold Figl, ministër i punëve të jashtme. Modernizimi Vitet 1950-1970 karakterizohen me lëvizje të njerëzve në drejtim të qyteteve dhe ardhje të fuqisë punëtore nga jashtë. Vendi shënon ngritje të lartë të industrisë moderne falë reformave të gjithanshme të qeverisjes ku dallohet veçanërisht Kancelari i Austrisë Bruno Kreisky. Në Austri vazhduan reformat gjithanshëm: në politikën e dëmshpërblimit, punësimit, pensionimit, lëvizjes, sigurimit, arsimimit, mbrojtjes. Pozita strategjike në mes të Europës dhe politika jashtë aleancave ushtarake Perëndim (NATO) dhe Lindje (Traktati i Varshavës), e bënë Austrinë një vend me peshë në marrëdhëniet ndërkombëtare. Si anëtare e plotë e Bashkimit Europian, Austria bëhet në vitin 1995. Sot Austria me zhvillimin e saj, kualitetin e jetës së banorëve të saj, renditet në shtet më të pasura të botës. Ka vite që nuk njeh papunësie e inflacion fal reformave të vazhdueshme në qeverisjen e vendit. Çdo vit në Austri qarkullojnë rreth 270 miliard Euro. Si rezultat i lëvizjeve migruese në Austri sot jetojnë 1, 4 milion banorë me origjinë tjetër nga 8,5 milion banorë sa ka vendi. Prej tyre në Austri jetojnë rreth shtatëdhjetë mijë qytetar me origjinë shqiptare nga të gjitha trevat etnike shqiptare. Shqiptarët Raportet mes shqiptarëve dhe austriakëve janë shekullore ku veçohen shumë personalitete historike në ngritjen e bashkëpunimit anasjelltas deri në kuptimin e aleatëve. Nga austriakët me rrënjë shqiptare janë të njohur Gjergj Basta dhe Karl Gega. Në lëmine e kulturës dha artit është i njohur Aleksandër Mosiu (Alexander Moissi). Këto figura madhore cilësohen si ura lidhëse mes dy kombeve. Kjo lidhje pozitive u shpreh në udhëkryqet më të vështira të kombit shqiptar për jetë a zhdukje në kohën e Luftërave Ballkanik dhe pas tyre. Orekset gllabërues të fqinjëve armiq kërkonin vdekjen e shqiptarëve duke i pushtuar ata dhe vetëm falë mbështetjes që i dha Austo-Hungaria lëvizjes shqiptare të mbetur nga lufta kundër omanëve të mundur dhe fqinjëve armiq e tinëzarë, arriti të realizohet shpallja e pavarësisë së Shqipërisë në një territor pëllëmbë dore nga ajo që realisht ishte nga trojet etnike respektivisht nga Pashallëqet Shqiptare nën sundimin osman. Interesat strategjike në Gadishullin Ilirik, tani kërkonin faktorizimin e shqiptarëve krahas kombeve tjera. Nga raportet e tyre rrodhi historia e jetësimit të shtetit të ri shqiptar pas pesë shekujve, nga koha e Gjergj Kastriotit Skënderbeut. Ky burrështetasi dhe luftëtar i pamposhtur, mbrojti civilizimin evropian nga gjysmëhëna e verdhë turke më shumë se gjithë kombet tjera në Europë. Nami i tij ishte brumosur si vlerë kombëtare shqiptare në vepra arti, kulture e historie të krijuesve më në zë në kontinent. Nuk janë të rastësishme vërtetësitë shkencore të historianëve, gjuhëtarëve, etnologëve, arkeologëve austriak e gjerman rreth shqiptarëve dhe lashtësisë së tyre mileniumeve. Në universitet austriake ishin gjithmonë dyert e hapura për shqiptarët ku studiuan qindra student shqiptarë që në kohën e Monarkisë dhe Republikës së Parë të Austrisë, tani të njohur si figura historike kombëtare: Eçrem Çabej, Lasgush Poradeci, Asdreni, Aleks Buda, Hil Mosi, Gjergj Pekmezi, Uran Butka, Hasan Ceka, Sokrat Dodbibaj, Krist Maloki, etj. Figura politike austriake që mbështetën kombin shqiptarë në shekullin e Republikës së Austrisë pa dyshim janë: Bruno Kreisky, Alois Mock, Albert Rohan, Ulrike Lunacek. Ndihmat e gjithanshme të Austrisë për shqiptarët janë të shumta dhe shpeshherë përcaktuese në rrugëtimin drejtë lirisë dhe prosperitetit kombëtar. Austria me politikën e saj jashtë blloqeve ushtarake kishte një ndikim të madh në rrjedhjen e rrethanave politike në kuptimin pozitiv të zgjidhjes së konflikteve rajonale. Andaj nuk ishte i rastësishëm zgjedhja nga ky vend i Kurt Waldheim-it Sekretar i OKB-së prej vitit 1972 deri në vitin 1981. Bisedimeve të Vjenës mes kosovarëve dhe serbëve në vitin 2007 në të cilat nuk arrihet marrëveshje, por këto bisedime ishin përcaktuese e kursit drejtë pavarësisë së Kosovës së mbikëqyrur sipas planit të Martti Ahtisaarit. Këtu, pa dyshim, rol të rëndësishëm kishte diplomati austriak Albert Rohan si nënkryetar i Planit Ahtisari. Aktualisht në Austri jetojnë rreth 70 mijë shqiptarë, shumica mërgatë e re. Janë të integruar mirë në jetën e vendit. Kanë shoqata e biznese të shumta dhe dallohen me sukseset e tyre. Në qendrat Universitare të Austrisë studiojnë student shqiptarë nga të gjitha viset shqiptare. Vetëm në Vjenë, si qendër studentore e njohur në botë, studiojnë rreth dymijë student shqiptarë, kryesisht në studime të larta. Në Austri mësohet gjuha shqipe si gjuhë amtare krahas gjuhëve tjera, nëse prindërit janë të interesuar. Aktualisht mësojnë vetëm 1600 nxënës, prej tridhjetë mijë sa ka në shkollat austriake. Tani shqiptarët janë të kyçur edhe në organet administrative vendore dhe në jetën politike. Vjena është pjesërisht seli e Kombeve të Bashkuara ku edhe shqiptarët janë të përfaqësuar përmes shtetit amë, Shqipërisë.

Filed Under: Reportazh Tagged With: Hazir Mehmeti

KARL GEGA, GJENIU AUSTRIAK ME RRËNJË SHQIPTARE

October 10, 2021 by s p

Hazir MEHMETI, Vjenë    

Që në nisjen e trenit nga Vjena për në qytetin e bukur të Grazit, çdo gjë e ndërtuar të kujtonte gjeniun me rrënjë shqiptare me pavdekësinë e veprës së tij madhore, ku ndër të shkëlqyerat mbeti hekurudha me urën madhështore të Semeringut e cila pushtoj lartësitë e maleve drejt Adriatikut. Urat, tunelet dhe gjithë vepra madhore është një mrekulli kohe dhe krenari e zhvillimit njerëzor në gjithë globin. Me emrin e Karl Geges krenohet e gjithë shkenca botërore, e në veçanti kombi austriak ku jetoi dhe shprehu talentin e tij dhe ai shqiptar nga e kishte origjinën e tij.    Për këtë gjeni u shkruan dhjetëra e qindra vepra nga më të ndryshmet, ku jo rrallë u spekulua mbi origjinën e tij, por falë hulumtimeve nga studiues europian, bashkangjitur dhe ata  shqiptarë, u nxor saktësisht gjeneza e argumentuar e familjes Gega.   Studiuesit nga universiteti i Venecias Dr. Alvin Saraçit dhe arkitektit Flamur Ahmeti, organizuan për herë të parë nga shqiptarët, simpozium në Bashkinë e nëntë  të Vjenës më 24 qershor 2005 ku përfundimisht zbardhet origjina shqiptare me fakte e Karl Geges. Më parë prejardhja e tij u trajtuar ne mënyre hipotetike duke e nxjerrë si austriak apo italian. 

Kryetari i Austrisë, Franz Jonas, para gjysmës shekullit do deklaron: “Simeringu është një kryevepër e mendjes njerëzore, qe për te gjitha kohët do te mbetet e lidhur me jetën e Gheges”.  Në aktivitetin përkujtues të veprës së Karl Gegës, Dr.Willibald Rosner, drejtor aktivi në St.Pölten do shprehet:  “Carl Ritter Von Ghega ka rrënjë shqiptare, u lind në Venedik si pjesë e bregdetit Mesdhetar, hapësirë me një kulturë të lartë e të zhvilluar. Nga Venediku  e vazhdoi  jetën dhe veprën e tij si qytetar austriak në Austri. Këtu gjeti mundësinë e shprehjes së dijes së tij gjeniale dhe në këtë kuptim  është me vlerë përkujtimi i rrënjëve të tij, mësimi mbi jetën dhe veprën e Carl Ritter Von Gheges” 

 Rrënja…

 Karl Gega (1802-1860) U lind nga prindërit shqiptar në Venedik. Babai i tij kishte qenë një oficer marinarine i lidhur shumë me detin, kurse Karli tregoi një dashuri të madhe për matematikë, më e madhe se sa për detin: Ishte inxhinier austriak me origjinë shqiptare. Karl Gega ndërtoi  hekurudhën e Simeringut, prej Gloggnitz deri në Mürzzuschlag..  Pas vizitës së tij në rrethin e ushtarakëve, ai në moshën 15 vjeçar regjistrohet në Universitetin e Padovës, ku pas një viti diplomon duke e fituar titullin akademik Inxhinier, kurse një vit më vonë edhe titullin e  Arkitektit.  Një vit më vonë, pra në moshën 17 vjeçare e arrin titullin, Doktor i Matematikës. 

Dr. Alvin Saraçi e argumenton gjenezën e Gegëve mbi bazën e dokumenteve origjinale te gjetura ne bibliotekën e Muzeut Correr te Venecias, te pabotuara më parë, hartuar ne vitin 1835 nga Giovanni Battista Ghega, prift në Kishen e San-Markos dhe kushëri i parë (djalë i xhaxhait) i Karl Gheges. “Stërgjyshërit e Karl Gheges dhe Giovanni Battista Gheges ishin vendosur ne Perast, pranë Kotorrit në Mal te Zi, pasi u larguan nga Shqipëria, e cila ra plotësisht nën sundimin turk me mposhtjen edhe te Shkodrës me 1479. Prej me shume se tre shekujsh ata kishin shërbyer si oficere marine dhe zyrtarë te lartë te Republikës se Venedikut. Një dokument i 3 tetorit 1739 mund te konsiderohet si dokumenti i pare e gjetur deri tani, qe dokumenton linjën e Ghegeve, qe fillon me Giorgio(Gjergj) Ghegen dhe vazhdon me te birin e tij Cristoforo (Kristofor), qe del si oficer marine ne Venedik, por edhe si pjesëmarrës ne luftën Veneciane te Thesalise kundër turqve, ku mbetet i plagosur dhe humbë një krah”.Cristoforo pati një djalë me emrin Gasparo (Gaspër), i cili ne vazhdën e traditës familjare u be oficer marine duke arritur gradën e kolonelit. Gaspari pati tre fëmije: Antonion (Anton), Giovanniantonion dhe Angelan. Antonio Ghega eshte babai i Karl Geges, kurse Giovanniantonio është i ati i Giovanni Battista Gheges, prift ne Kishen e San-Markos.

        Në vitin 1842, Gega u emërua udhëheqës planifikimi për të gjithë jugun e shtetit Austro-Hungarez, ku  Semeringu mbetet  kryevepër në kontinent. Pas mbarimit të saj në vitin 1854, ai fitoi titullin Rihter, (Kalorës) dhe do quhet Karl Rihter Gega.  Në kalendarin e figurave historike, Karl Ritter Von Ghega renditet ndër njëqind figurat më të mëdha në historinë e kombit austriak, krahas Mozartit, Froidit, Maria Therzes, Franz Jozefit, Kafkes etj

     Emri i Karl Gegës dhe Aleksandër Moisiut tani janë ura lidhëse mes dy popujve tanë, këtë e thanë figura të njohura nga të dy kombet.   Sipas hulumtimeve të bëra në trevat shqiptare rreth Karl Gegës, 80 përqind e shqiptarëve nuk dinë fare për te, kjo vjen nga fakti se shumë pak u mësua, shkrua dhe u fol për këtë gjeni me gjak shqiptari. Shqiptarët kanë nevojë të njohin rrënjët e tyre shekujve, sukseset e tyre gjeniale njëri nga të cilët pa dyshim është Karl Gega. 

Filed Under: Histori Tagged With: Hazir Mehmeti, Karl Gega

  • 1
  • 2
  • 3
  • …
  • 20
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Pritje spektakolare për Kryeministrin Albin Kurti në Vatër
  • ALBANOLOGU KROAT MILAN VON SUFFLAY SIPAS DOKUMENTEVE MË TË REJA NGA ARKIVI SHTETËROR HISTORIK I DUBROVNIKUT
  • UKRAINA 2022 : Fushë  beteje në  mes dy qytetnimesh : Demokraci liberale Europiane versus  Autokraci tradicionale Ruse
  • Heronjtë që na duhen, por që nuk i meritojmë
  • Shqipëria po qanë…
  • Lamtumirë Dr. Gjon Buçaj
  • LAMTUMIRË DR. GJON LEKË BUÇAJ
  • KANË FILLUAR PUNIMET PËR REHABILITIMIN E KISHËS SË KUVENDIT TË ARBËRIT AFËR LEZHËS 
  • BOSTONI, VIZITA E RRADHËS E KRYEMINISTRIT TË KOSOVËS ALBIN KURTI
  • Kombi shqiptar dhe politikat e sigurisë në ditët e sotme
  • Dalip Greca – Emër i Pashuar
  • Dalip Greca, një emër në kujtesën e gazetarisë shqiptare
  • Dalip Greca, një profesionist dhe patriot i madh
  • Kur vdekja merr krijues dhe atdhetarë të mirëfilltë
  • Lamtumirë kolegu ynë Dalip Greca

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari Albin Kurti alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla Astrit Lulushi Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fadil Lushi Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Hazir Mehmeti Ilir Levonja Interviste Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Tregim Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT