• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

“5 Maji” është njollë dhe shenjë e keqe

February 11, 2022 by s p

Av. Ylli Manjani/

Janë disa pika të kuqe që duhen mbajtur në konsideratë, sa herë flitet për banorët e 5 Majit:1. Nxjerrja me forcë nga shtëpitë e tyre është akt dhune shtetërore dhe ska asnjë lidhje me mbrojtjen e rendit publik. Policia ka hyrë në ato shtëpi private jo për betejë me krimin, por në betejë me njerëzit dhe pronën e tyre të ligjshme! Asnjë ligj nuk justifikon atë sjellje!2. Shteti nuk i shpronësoi pronarët, por u rrëmbeu dhe në sytë e tyre ua shkatërroi pronën! As nuk ua shkëmeu me një pronë tjetër. Thjesht i nxori jashtë shtëpive të tyre me forcë!!!3. Ato banesa nuk i shembi tërmeti, por pushteti. Ndaj trajtimi i banorëve me ligjet e skaduara të tërmetit nuk është ligjshmëri, por poshtërsi! Asnjë lidhje me rendin kushtetues!4.Prona private nuk u mor në shërbim të një interesi publik, por për biznes privat. Aty nuk do ndërtohet as rrugë, as shkollë apo qoftë dhe park apo vepër infrastrukture që ti shërbejë publikut. Jo! Aty do ndërtohen pallate nga privatë që do shiten në treg!!! U rrëmbyen pronat e njerëzve për interes thellësisht privat!! 5.Po shpërngulen 5000 banorë nga banesat private për të sjellë 15000 të tjerë që do bljenë shtëpi aty!!! Asnjë lidhje me interesin publik. As me zhvillimin e qëndrueshëm urban. Me ligjshmërinë jo e jo!6.Çertifikata e pronësisë nuk është më “e shenjtë”. Pushteti i ka dhënë vetes të drejtë të marrë pronën private sipas qejfit, pa pyetur fare për titullin e pronësisë!!!Enver Hoxha në 1946 ka bërë shumë më pak sesa kaq.Ky është alarm. Nesër pushtetit, i cili duhet të mbajë me bukë e pare edhe opozitën, mund ti duhet shtëpia jote!!!!

Filed Under: Komente

KRIMI SI TREGUES SINTETIK I KRIZËS MORALE TË SHOQËRISË SHQIPTARE

February 8, 2022 by s p

Fran Gjoka

Vitet e fundit, ngjarjet kriminale nё shoqёrinё tonё, kanё qёnё tё shumta. Ne duhet të jemi të ndërgjegjshëm që shenjat në jetën tonë shoqërore janë të tilla, që tregojnë se në shumë aspekte shëndeti i shoqërisë është dëmtuar nga sasia dhe intensiteti në rritje i krimit. Madje ai po shfaq patologji të reja sociale, pikërisht nga ndikimi negativ dhe theksimi i nuancave të forta të krimit, intolerancës, dobësimit të solidaritetit social dhe komunikimit human. Kjo nga që në mënyrë të drejtpërdrejtë apo të tërthortë, krimi po dëmton keq “mekanizmat” socialitetit human, aftësinë për të jetuar në mënyrë normale me tjetrin në çdo situatë, dhe për pasojë ka pësuar rupture evidente edhe sociabiliteti, si kërkesë e njeriut të qytetëruar, për të qënë i integruar në mënyrë normale në jetën shoqërore. Krimi është duke u bërë një e keqe sociale shumë e madhe, që ka përfshirë të gjithë llojet e konflikteve personale e interpersonale në “luftën” për hapësira jetike e pronësi, që vijnë nga kolapsi urban apo varfëria, depresioni social në zgjerim. Bashkë me to është zgjeruar konfliktualiteti i politikës, mungesa e diskutimeve të qeta dhe dialogut konstruktiv, që rrit tensionet dhe shfaqjet militanteske të shpërthimit alogjik të një lloj neurotizmi social, i cili gjithashtu shpesh herë është kthyer në faktor që gjeneron krime me natyrë politike apo elektorale. Padyshim, shumë nga fatkeqësitë e tjera që kemi kaluar në të kaluarën, i kemi shpjeguar herë në mënyrë thelbësore e herë në mënyrë të sipërfaqshme dhe justifikuese, kryesisht me ekzistencën e sistemit totalitar. Por si shpjegohet që në shoqërinë tonë, vazhdojnë çuditërisht shumë efekte sociale, edhe pse shkaku i tyre është larguar nga jeta jonë e përditshme. Paradoksalisht fjala vjen, krimi në shoqërinë shqiptare në vend që të “zbutej”, për fat të keq kohët e fundit përkundrazi po zgjerohet dhe agravohet. Ai gati ka marrë përmasat e një çmenduarie sociale, është shtuar jo vetëm në sasi, por është bërë akoma më i sofistikuar, barabar edhe si “cilësi”.

        Për pasojë, jemi në momente sociale, kur jeta urbane është turbulluar pikërisht nga shfaqja e krimit si patologji e zgjeruar e jetës. Situata kriminale në shoqërinë tonë është një realitet imediat, i prekshëm, gati i përditshëm, që po e bën jetën e shqiptarëve të vështirë, të parehatshme për ta jetuar atë si duhet. Krimi është kthyer në një “teh” të mprehtë, i fortë dhe kërcënues për jetën urbane. E keqja më e madhe është se sasia në rritje e tij, po shoqërohet me shfaqjen gjërësisht të ndjenjës së pesimizmit social, që ushqehet nga ideja disfatiste, se kjo e keqe e madhe sociale po bëhet e papërballueshme. Midis shumë arsyeve me natyrë objektive dhe të kuptueshme, krimi në shoqërinë tonë po zgjerohet, nga një tendencë negative e deformimit dhe reduktimit të mënyrave të komunikimit social, qytetar dhe të qytetëruar. Për fat të keq jemi në një situatë kur përditë shtohen dhe zgjerohen format e krimit, duke kapur formatin e trajtave më të përbindshme. Po qe se vlerësojmë shtrirjen, gjërësinë dhe intensitetin e krimit në shoqërinë tonë, besoj se treguesit sasiorë janë në nivel maksimal dhe të patolerueshëm. Nganjëherë të duket sikur kjo kohë na ka vënë në një situatë paradoksale, të vështirë për ta kuptuar ontologjinë e saj. Padyshim, statistikat në rritje të krimit në shoqërinë shqiptare, janë pasqyrë e një lloji krize të “moralit publik”. Sepse demokracia që solli lirinë për të gjithë, duket se solli edhe “çlirimin” e krimit dhe praninë e zgjeruar të njerëzve asocialë e kriminelë. Kjo ka bërë që shpesh herë të bëhet evaziv kufiri i ndarjes, midis sjelljes normale sociale dhe humane nga ajo patologjike, irracionale e kriminale. Sipas gjykimit tim, lufta me krimin nuk është betejë e lehtë, as e thjeshtë. Jo vetëm në aspektin e dominimit, si veprim fizik kriminal por mbi të gjitha në kuptimin metafizik e konceptual, si anomali me pasoja të zgjeruara sociale dhe efekte përkeqësuese të cilësisë në jetën tonë të përditshme. Madje ky “rrezik metafizik” i krimit në shoqëri është më ndikues dhe thelbësor, sepse përpjekja e errët, strategjia okulte e tij, synon ta kthejë dhunën, krimin dhe vrasjen në një “normë sociale”, që duhet konsideruar si “gjëndje normale” në jetën e shoqërisë tone. Kjo përpjekje retrograde e destruktive është ajo që unë mendoj se duhet kundërshtuar e para, radikalisht, në mënyrë të vendosur dhe vazhdimisht nga e gjithë shoqëria jonë. Sepse sulmet me natyrë konceptuale kanë “prapavijë morale”, dhe në një farë mënyre janë pjesë e strategjisë diabolike dhe me pasoja të rënda, afatshkurtra dhe afatgjata.

C:\Users\pc\Desktop\1.jpg

        Padyshim në këto momente krimi, dhuna dhe shumë të këqija sociale, jo vetëm që ekzistojnë (ekzistojnë edhe në shoqëri të tjera), por tek ne krimi dhe e keqja sociale është masivizuar dhe banalizuar. Ndaj duhet të heqim dorë nga semplifikimi i sfondit social dhe peshës fizike e metafizike të shumë të këqijave sociale, sidomos të atyre që janë të lidhura dhe burojnë prej krimit. Sepse e vërteta është që kohët e fundit, krimi po bëhet një nga “karakteristikat e tmerrshme” të kohës sonë. Madje, në jetën e përditëshme po shfaqen shenja të thella të mungesës së stabilitetit social, pikërisht nga determinimi destabilizues i krimit, dhe për pasojë edhe nga shtimi njerëzve, që me sjelljen asociale e kriminale, tregojnë qartë se janë në pozitat e veprimit pa busullën personale të orientimit human. Një pjesë e njerëzve me prirje e sjellje kriminale, e përdorin krimin si mënyrë për të shfaqur “trimëri”, por gjithnjë e në çdo rast kjo “trimëri” përdoret vetëm për arsye të liga individuale. Prania e tyre në shoqëri është një ndër arsyet e shumta, që midis nesh janë shtuar “objektet e konflikteve”, subjektet e krimit që gjërat konfliktuale preferojnë t’i zgjidhin në rrugë kriminale, duke ngushtuar në këtë mënyrë hapësirat dhe rrugët e mundshme të zgjidhjes së tyre me dialog, mirëkuptim qytetar, nëpërmjet rrugës “paqësore” dhe përdorimit të “instrumenteve” të bashkëekzistencës dialoguese. Është dukuri tejet shqetësuese, fakti që në shoqërinë tonë është duke lulëzuar një kundërkulturë sociale, që determinon shfaqjet e intolerancës, mungesën e “hapësirave dialoguese” të mirëkuptimit në raportet njerëzore interpersonale. Në të gjitha rastet, sjellja kriminale është rezultat I konfliktit të paarsyeshëm, në konfliktin e krijuar me “palën tjetër”. Krimi është rezultat edhe i faktit që janë zgjeruar disa difekte sociale në sjelljen e njerëzve tanë, sikurse janë shfaqjet e forta të egoizmit, shenjat evidente të “kokëfortësisë ballkanike”, të cilat në përgjithësi nxitin “kulturën e dhunës”, shfaqjen evidente të karakterit destruktiv të sjelljes njerëzore. Kultura e dhunës dhe agresiviteti janë shfaqjet nga më të shëmtuara, që pengon përpjekjen sociale që krimi në shoqëri të mund të frenohet. Të gjitha këto dukuri kanë marrë përmasa shqetësuese, pikërisht gjatë procesit tranzitiv të kalimit nga totalitarizmi në situatat sociale të një lloji “liberalizmi eksentrik”.

          Këto sjellje e veprime anormale e kriminale, të shoqëruara me dhunë, vrasje e sjellje sociale neurotike, janë faktorë, ndoshta nga më kryesorët, më të rëndësishmit që e kanë cënuar dhe dëmtuar “shëndetin social” të shoqërisë shqiptare. Ato e kanë prekur cilësinë e jetës së njerëzve, duke tentuar ta bëjnë shoqërinë tonë një ambient social të vështirë për të jetuar normalisht. Kjo është arsyeja pse pikërisht sasia e lartë e dhunës, numuri në rritje i krimit dhe vrasjes e kanë bërë të ulët “çmimin e jetës” së shqiptarëve, duke e konsideruar krimin si një gjë që mund të ndodh dhe të cilit nuk kemi çfarë t’i bëjmë, përveçse duhet të mësohemi me këtë kundërkulturë dhe të “mësohemi” që të bashkëjetojmë me të në mënyrë të “natyrshme”. Krimi dhe vrasjet njeriun normal, qytetarin e arsyeshëm, individin me sjellje rracionale, e kanë vënë përballë dilemës: A mund të jetohet normalisht në një “shoqëri të kriminalizuar”, në të cilën krimi është bërë gati si “buka e përditshme”? Ku duhet të jetojmë në një shoqëri që funksionon normalisht apo në një shoqëri që vazhdon të pësojë metamorfozë e të transformohet, sikur të jetë “kopësht zoologjik”? Pse familja është bërë kaq e dhunshme dhe me sasi të larta të krimit brenda saj? Familje apo çmendinë? Duhet të bëjmë jetë të qetë sociale, apo shoqëria po mbushet me të “çmendur” duke marrë trajtën dhe formën e një spitali psikiatrik? Pse kaq shumë njerëz në shoqërinë tonë vriten, humbin jetën për motive banale dhe gjëra pa vlerë? Këto janë pyetjet që i lindin çdo qytetari që jeton në këtë shoqëri, përballë me dhunën dhe krimin e përhapur kudo, në familje, shkollë, ambiente sociale e vende publike, për të gjitha llojet e shkaqeve dhe motiveve personale apo sociale qofshin. Sasia e zgjeruar e vrasjeve dhe krimit në familje e jashtë saj, janë kaq të zgjeruara e intensive, saqë në mënyrë intuitive të duket sikur jemi në një shoqëri, në të cilën krimi dhe vdekja janë bërë “nevoja natyrale” e shoqërisë, shumë pak shqetësuese, duke harruar të vërtetën humane që në jetën e njeriut dhe shoqërisë biofile, normale, të humanizuar “vdekja biologjike në formë natyrale është nevoja e fundit e njeriut”. Analiza sociologjike e ontologjisë dhe fenomenologjisë së krimit në shoqërinë tonë, sipas mendimit tim, tregon për një prirje shumë delikate që ka lidhje me një lloj “strukturimi homogjen”, midis fenomenit antisocial të krimit dhe veprimit të kriminelëve, të cilët kanë tendencën e thellimit të sjelljes kriminale, duke u shfaqur si “qenie të degraduara”, të cilët nuk kanë kurfarë sensi human, nga që kanë nxjerrë “jashtë përdorimit” dialogun, komunikimin, humanitetin apo tolerancën. Kjo është arsyeja pse duket qartë që në disa drejtime, shoqëria jonë ka marrë karakteristika të dhunshme, që shfaqet shpesh si krizë sociale me difekte serioze në mënyrat e komunikimit social dhe personal. Kjo e bashkuar me një proces të përshpejtuar të dehumanizimit dhe desolidarizimit të lidhjeve njerëzore, janë arsye të zgjerimit të konflikteve, dhunës, krimit. Në qëndrimin ndaj krimit dhe gjykimin e merituar ligjor të kriminelëve, shpesh herë ndeshemi me analiza sempliste të shkaqeve, shoqëruar me argumentime ngushëlluese e moralizuese të atyre që i kanë kryer ato, duke zbutur fajin dhe përgjegjësinë penale të kriminelëve, nën arsyetimin ngushëllues të “ekzistencës së përjetshme” të së keqes, krimit në shoqërinë njerëzore, faktit që vrasjet kanë qënë pjesë përbërëse e jetës. Këto qëndrime, qoftë edhe në trajtë latente janë tejet të rrezikshme, të papranueshme. Në se justifikojmë krimin dhe kriminelët me argumentin banal të “ekzitencës së përjetshme” të së keqes dhe vazhdimësisë së vrasjes në shoqëri, “…kështu vëmë veten në rrezik; dhe rrezikojmë në rradhë të parë njerëzoren te ne, e cila në thelb është pjesa jo kafshërore, aspekti etik i vetes”. (Z. Bauman, “Moderniteti dhe Holokausti”, f. 314. Besoj se krimi është një nga aktet më të shëmtuara, shoqërisht shumë i rrezikshëm. Nuk ka propagandë sado liberale qoftë që të mund ta justifikojë ekzistencën e tij, ta trajtojë atë si “zakon të ligjshëm” apo që veprim që mund të tolerohet. Koncepti për shoqërinë liberale, për kufirin moral, human dhe ligjor midis asaj që lejohet dhe asaj që ndalohet, është fare i qartë. Profesor Claudio Magris i Universitetit të Triestes sociologjikisht mendon me të drejtë, se “Një shoqëri liberale duhet t’i lejojë një individi thuajse çdo gjë – idetë, kënaqësitë, dëshirat, fiksimet e tij- dhe kategorikisht t’i ndalojë ato pak gjëra që mund ta shndërrojnë atë në një persekutues, të madh a të vogël, të individëve të tjerë; këto akte të dhunshme duhen bërë tabu, të ndërpriten përpara se të na paraqiten si opsione konkrete”. (C. Magris, “Panairi i Tolerancës”, f.36)

Filed Under: Komente

Askush nuk do e tregojë të vërtetën tonë historike nëse ne heshtim

February 7, 2022 by s p

Faton Bislimi, PhD


Siç ka thënë njëri nga presidentët më ikonik të SHBA-ve, John F. Kennedy, “mos pyet se çfarë mund të bëjë vendi yt për ty, por se çfarë mund të bësh ti për vendin tënd,” unë sot në mëngjes i kam dërguar një letër të gjithë atyre Kongresistëve të nderuar të SHBA-ve që më 4 shkurt i shkruan Presidentit Biden për Serbinë duke lartësuar atë si një vend mik e aleat të SHBA-ve që nga Lufta e Dytë Botërore e deri më sot. Askush nuk do e tregojë të vërtetën tonë historike nëse ne heshtim. Serbia për shekuj të tërë ka ndërtuar trillime nga më të çmendurat kundër popullit tonë nëpër krejt botën. Jo më! Këtu e keni letrën time të përkthyer në shqip:Kongresistes Claudia TenneyKongresistit Emanuel CleaverDhoma e Përfaqësuesëve të SHBA-veBashkë-Kryesuesë të Grupit SerbWashington, DC 20515E nderuar znj. Tenney dhe i nderuar z. Cleaver, Po ju shkruaj sot në cilësinë time si ish-Deputet i Kuvendit të Republikës së Kosovës dhe si Anëtar Ekzekutiv i Bordit të Ligës Qytetare Shqiptaro-Amerikane për të shprehur brengosjen time të sinqertë në lidhje me letrën tuaj drejtuar Presidentit Biden për Serbinë të datës 4 shkurt 2022, e cila u nënshkrua edhe nga 14 kolegë tuaj.Jam lindë e rritë në Kosovë, kam përjetuar okupimin brutal serb të vendlindjes sime si fëmijë, e si i ri (adoleshent) kam qenë refugjat i ndarë prej familjes sime gjatë luftës së Kosovës 1998-99. Më vonë, kam pasë mundësinë që të studijoj e jetoj në SHBA, duke përfshirë edhe angazhimin në stafin e Komitetit për Marrëdhënje Ndërkombëtare të Kongresit nën udhëheqjen e të ndjerit Tom Lantos në fillim të viteve 2000. Si person që sheh në Kongresin e SHBA-ve gardianin e demokracisë dhe të drejtave të njeriut, jam thellësisht i shqetësuar me përmbajtjen jo të saktë të letrës suaj e aq më shumë me prezentimin skajshmërisht të pasaktë që i bëhet Serbisë. Të dhënat historike për Serbinë të thëna në letër mund të jenë të vërteta pjesërisht, por ato nuk munden t’i lënë nën hije krimet serbe ndaj hebrejëve në periudhën kohore që ju i referoheni, gjatë Holokaustit respektivisht. Hebrejtë e zënë nga serbët u janë dorëzuar menjëherë nazistëve, gjerësa e kundërta është e vërtetë për Kosovën dhe shqiptarët në përgjithësi. Realisht, Shqipëria është vendi i vetëm në botë që ka pasë më shumë hebrejë pas luftës sesa para saj. Secili hebre që kishte arritur të futej në Shqipëri ishte shpëtuar, dhe ata kanë mundë të arrijnë në Shqipëri kryesisht përmes ndihmës së shqiptarëve të Kosovës të cilët kishin rrezikuar jetën e vetë vetëm e vetëm që të shpëtonin hebrejtë në nevojë. Kjo storje e jashtëzakonshme e orëve më të errëta të histories njerëzore buron nga tradita e vjetër shqiptare, besa. Tutje, letra juaj sikur harron të theksojë diçka që përmendet në secilin takim apo shkëmbim letrash nga zyrtarët amerikanë me Serbinë: vrasjen brutale të tre qytetarëve amerikanë me prejardhje shqiptare, vëllezërve Bytyçi. Ata u vranë në fund të luftës në Kosovë më 1999. Serbia ende nuk i ka sjellur para drejtësisë kryesit e këtij krimi. Të lihet anash ky fakt është thuajse përpjekje për të fshehur një krim serb ndaj qytetarëve të SHBA-ve. Asnjë Anëtar i Kongresit nuk duhet të lë anash një krim të tillë ndaj shtetasëve amerikanë. Letra juaj pretendon se Serbia dhe SHBA-të gëzojnë një marrëdhënje të sinqertë në aspektin e sigurisë dhe mbrojtjes, por kjo nuk qëndron. Realisht, Serbia e konsideron NATO-n agresore dhe historikisht ka shërbyer si dorë e zgjatur e Rusisë për t’u përzier në çështjet e brendëshme të Evropës. Në krejt Evropën, nuk ka aleat më të madh e më lojal të Rusisë sesa Serbia. Ju rikujtoj se është po kjo Serbi që më 2019 bleu sistemin e mbrojtjes raketore ajrore S-400 nga Rusia përkundër kërkesës amerikane që të mos e bënte një gjë të tillë. Është po kjo Serbi që më 2011 i lejoi Rusisë të ndërtonte një bazë ushtarake në Nish, duke i dhënë kështu Rusisë mundësinë të balancojë prezencën ushtarake amerikane në Bondsteel të Kosovës. Deklaratat tuaja në letër për investimet ekonomike amerikane në Serbi, edhe njëherë dështojnë të tregojnë se këto investime janë shumë më pak të rëndësishme politikisht sesa miliarda dollarë që Serbia ka përfituar nga Kina përmes Iniciativës së Rrugës dhe Rripit (RBI). Realisht, Serbia është përfituesja më e madhe e fondeve kineze të RBI-së, përmes së cilës ka ndertuar shumë projekte infrastrukturore nëpër gjithë vendin. Dihet botërisht se ky projekt financues kinez është një mënyrë përmes së cilës Kina po e rritë influencën e vet politike në disa vende evropiane – influence kjo që sigurisht do të përdoret kundër interesave amerikane në rajon. Në fund, por jo më pak e rëndësishme – mos të harrojmë se kur ndodhi 11 shtatori, shqiptarët në Kosovë po ndeznin qirinjë për të ndarë dhimbjen me SHBA-të, kurse serbët po festonin e po digjnin flamurin amerikan nëpër rrugët e Beogradit. Anti-amerikanizmi i tyre buron nga vëllazëria e kahmotshme me Rusinë dhe nga fakti që SHBA-të parandaluan Beogradin për të bërë më shumë krime kundër njerëzimit, më shumë krime luftë, e më shumë gjenocid (siç kishte bërë në Bosnje), kur Amerika udhëhoqi fushatën e bombardimeve ajrore kundër Serbisë për t’i dhënë fund luftës në Kosovë. Tutje, secili sondazh kredibil ndërkombëtar tregon se janë shqiptarët populli më pro-amerikan në Evropë, e jo serbët. Si bashkë-kryesuesë së Gurpit Serb në Kongres, unë e kuptoj se roli juaj është të ndihmoni në lartësimin e marrëdhënjeve në mes SHBA-ve dhe Serbisë. Edhe unë e përkrah idenë e një Serbije vërtetë demokratike, në paqe me fqinjët, dhe të penduar për të kaluarën. Por, ky qëllim fisnik nuk mund të arrihet nëse nuk e flasim të vërtetën e plotë, sepse “vec e vërteta do t’i çlirojë ata.” Nuk kam dyshim se këto të dhëna të shtrembëruara dhe të pasakta ju janë ofruar nga kontaktet tuaja me qeveritarët e Serbisë, të cilët vazhdojnë të mohojnë të kaluarën dhe të injorojnë realitetin. Rrjedhimisht, kërkoj që ju të tërhiqni nënshkrimin tuaj nga letra në fjalë ngase ajo nuk reflekton të vërtetën historike, por portretizon një Serbi që ende nuk ka lindur. Përzemërsisht juaji, Faton Bislimi, PhDIsh-Deputet i Kuvendit të Republikës së Kosovës– Në foto: letra origjinale e dërguar tek bashkë-kryesuesit e Grupit Serb në Kongres. E njeta, por e personalizuar për secilin Kongresist individualisht, i është dërguar edhe 14 kongresistëve të tjerë.

Filed Under: Komente

Copëza nga historia

February 5, 2022 by s p

Astrit Lulushi/


Shumë gjëra pak ndryshojnë sado kohë të ketë kaluar. Fjalët e urta bëhen zakone, nuk shqiten, si për shembull “armiku i armikut tim është miku im”. Kur një person i ikën përndjekjes, ai shkon në një vend me marrëdhënie të këqija ose aspak diplomatike me atdheun e tij. Edhe në lashtësi njerëzit bënin të njëjtën gjë.Aleksandri i Madh iku në Iliri kur tensionet ishin rritur në Maqedoni për fronin; Iliria ishte armik tradicional i Maqedonisë dhe Aleksandri, pasi pati një incident me të atin për të qenë trashëgimtar ligjor ose jo, ikja në Iliri ishte zgjedhje logjike.Ja çfarë ndodhi, sipas Plutarkut në biografinë e Aleksandrit:Në dasmën e Kleopatrës, me të cilën Filipi ra në dashuri dhe u martua, xhaxhai i saj Atalus uroi që maqedonasit t’i luteshin perëndive t’u jepnin një pasardhës të ligjshëm të mbretërisë. Këto fjalë e zemëruan aq shumë Aleksandrin, sa që përplasi gotën dhe tha: “Pse ç’jam unë, bastard?”Filipi, duke marrë anën e Atalusit, u ngrit dhe do ta kishte qëlluar djalin e tij, por nga vera që kishte pirë, i rrëshqiti këmba, dhe u rrëzua. Me këtë rast Aleksandri e ofendoi: “Shikoni njeriun që bën përgatitje për t’u hedhur nga Evropa në Azi, nuk kalon dot as nga një kënd i odës në tjetrin.”Pas kësaj, ai dhe nëna e tij Olimpia ikin dhe pasi e vendosi atë te vëllai i saj në Epir, Aleksandri vetë u tërhoq në Iliri. Një ditë, Demarati Korinti, një mik i vjetër i familjes, erdhi për vizituar Filipin dhe pasi mbaruan komplimentet dhe përqafimet e para, Filipi e pyeti nëse grekët ishin në miqësi me njëri-tjetrin. Demarati i tha: “Lëri grekët dhe shiko më mirë shtëpinë tënde”. Filipi u bind nga ky qortim, dhe me ndërmjetësimin e Demaratit e ftoi Aleksandrin që të kthehej. Kjo ndodhi në vitin 336 pes, kur Aleksandri ishte 20 vjeç.Më 356 p.e.s., Filipi mori këto tre mesazhe njëherësh; se Parmenio kishte mundur ilirët në një betejë të madhe, se kali i tij i garës kishte fituar në Lojërat Olimpike dhe se gruaja e tij kishte lindur Aleksandrin.Pra, ilirët ishin thyer, kishin humbur territore dhe nuk përbënin ndonjë kërcënim dhe nuk ishte e çuditshme që Aleksandri të shkonte atje. Princi maqedonas mund të përdorte disa trupa ilire nëse donte të bënte një përpjekje të detyruar për fronin. Kjo nuk ishte e paimagjinueshme. Në fakt kishte ndodhur më parë. Në vitin 424 p.e.s., Perdicas i Maqedonisë kërkoi ndihmën e spartanëve kundër Arrhabeausit të Lyncestis, i cili me ndihmën e ilirëve, donte të rrëzonte dinastinë Argead për kontroll mbi Maqedoninë. Por frika e frymëzuar nga karakteri luftarak i ilirëve bëri që përçapja të dështonte dhe Arrhabeaus mbeti i pakontestuar në Lyncestis, megjithëse nuk arriti të marshonte kundër Pellës dhe të rrëzonte Argeadët.

Filed Under: Komente

VIKTOR HYGO

February 2, 2022 by s p

Prof. Xhelal Zejneli/

Viktor Hygo (Victor-Marie Hugo, Besançon, 26 shkurt 1802 – Paris, 22 maj 1885) është poet, romancier, dramaturg dhe eseist francez. Veprimtar për të drejtat e njeriut. Mbase personalitet më me ndikim i romantizmit francez. Edhe pse në Francë njihet për poezitë dhe për dramat e tij, jashtë vendit të vet e njohin për romanet “Të mjerët” (Les Misérables) dhe “Kambanari i katedrales Notre-Dame” ((Notre-Dame de Paris). Është autor i disa vëllimeve poetike. Kritika i ka vlerësuar lartë vëllimet Les Contemplations dhe „Legjenda e shekullit“ (La Légende des Siècles). Ndonjëherë është konsideruar edhe si më i madhi poet i Francës. 

Si i ri, ka qenë tejet konservator, por me kalimin e viteve, qëndronte gjithnjë më afër të majtëve. U bë një republikan i pasionuar dhe veprat e tij merren me problemet politike dhe sociale si dhe me tendencat artistike të kohës. Ishte djali i tretë i Zhozef Leopold Hygosë (Joseph Léopold Sigisbert Hugo, 1773-1828) dhe gruas së tij Sofia Trebyshe (Sophie Trébuchet (1772-1821). Babai ishte oficer i lartë i Napoleon Bonapartit (Napoleon Bonaparte, 1769-1821), ndërsa e ëma – ruajaliste fanatike. Pjesën më të madhe të jetës Hygo e kaloi në Francë. Në vitet 1840 e këndej, u angazhua në jetën politike. Pas grushtit të shtetit të vitit 1951, d.m.th. gjatë pushtetit të Napoleonit III (1808-1873), emigroi në Bruksel (Bruxelles). Në vitet 1852-1855 jetoi në Zhersej (Jersey), ndërsa në vitet 1855-1870 dhe përsëri në vitet 1872-1873 – në Gernsej (Guernsey). Në vitin 1857 u lirua me një amnisti të përgjithshme dhe që atëherë qëndrimi në egzil ka qenë zgjedhje e tij personale. Në të vërtetë, Hygo e refuzoi amnistinë. Duke u angazhuar për Republikën e Tretë, fitoi autoritetin e shkrimtarit të parë, të mbrojtësit të të shtypurve dhe të kundërshtarit të pakompromis të tiranisë. 

Ishte figura më e shquar e romantizmit francez, udhëheqës i shkollës rreth së cilës u tubuan pothuajse të gjithë artistët bashkëkohorë, me renomenë e poetit kombëtar. Veprimtarinë e vet letrare nuk e ndante nga veprimtaria shoqërore. Në moshën 17-vjeçare themeloi revistën “Conservateur littéraire”.       

Fëmijëria e hershme e Hygosë ka qenë përplot ngjarje të mëdha. Në shekullin para se të kishte lindur, në Revolucionin francez (5 maj 1789 – 9 nëntor 1799) i erdhi fundi Dinastisë së Burbonëve (Bourbon), ndërsa vetë Hygoi dëshmoi për ngritjen dhe rënien e Republikës së Parë dhe për themelimin e Perandorisë së Parë, nën udhëheqjen e Napoleon Bonaparit. Napoleoni u shpall perandor kur Hygo ishte vetëm 2 vjeç, ndërsa Dinastia e Burbonëve u rikthye në fron para se Hygo të mbushte 18 vjeç. Pikëpamjet e ndryshme politike dhe fetare të prindërve të Hygosë  reflektonin forcat që luftonin për epërsi në Francë gjatë tërë jetës së tij: Babai i Hygosë ka qenë oficer i lartë i dekoruar i ushtrisë së Napoleonit, republikan ateist i cili Napoleonin e konsideronte hero, ndërsa e ëma ishte ruajaliste katolike, e cila, sipas rrëfimeve të caktuara ka qenë dashnore e gjeneralit Viktor Lahori (Victor Lahorie), të ekzekutuar në vitin 1812 si i dyshuar për kurdisje planesh kundër Napoleonit. Sofia e shoqëroi burrin e saj, Zhozef Leopoldin  në detyrat në Itali, ku shërbeu si guvernator i një province afër Napolit. E shoqëroi edhe në Spanjë ku administronte tri provinca spanjolle. E vetëdijshme për problemin e shpërnguljes së vazhdueshme për shkak të jetës ushtarake, në vitin 1803 Sofia ndahet përkohësisht nga burri i vet dhe vendoset në Paris. Që atëherë kujdeset për arsimimin dhe zhvillimin e Hygosë. Prania e saj pranë të birit dhe ndikimi mbi të, u vërejt në poezitë dhe në fiksionet e hershme, tema kryesore të të cilave ishin Mbreti dhe feja. Më vonë, duke i përcjellë ngjarjet që shkaktuan revolucionet e viti 1848, Hygo hoqi dorë nga katolicizmi ruajalist dhe u bë ithtar i republikanizmit dhe i lirisë së mendimit.

*   *   *

Kundër dëshirës të së ëmës, i riu Hygo u dashurua dhe u fejua fshehurazi me shoqen e fëmijërisë Adel Fushe (Adèle Foucher, 1803-1868). Për shkak të afrisë me të ëmën, Hygo vetëm pas vdekjes së saj më 1821, u ndje i lirë të martohet me Adelën. U martuan në vitin 1822. Viktor Hygo dhe gruaja e tij Adèle Hugo kishin pesë fëmijë, tre djem dhe dy vajza:

Léopold Hygo (1823-1823) vdiq si foshnjë dy muajshe; 

Leopoldinë Hygo (Léopoldine Cécile Marie-Pierre Catherine Hugo, 28 gusht 1824 – 4 shtator 1843). Më 1843 u martua me Sharl Vakeri (Charles Vacquerie, 1817 – Villequier, Francë, 4 shator 1843). Sapo u martuan, që të dy u mbytën me rastin e aksidentimit të anijes, më 4 shtator 1843, Villequier të Francës. Kur u mbytën, Leopoldina ishte 19-vjeçe, ndërsa burri i saj, Sharli – 26 vjeç;  

Charles Hugo (1826-1871) djali i dytë i Hygosë; gazetar, fotograf she shkrimtar; 

François-Victor Hugo (1828-1873) fëmija i katërt i Hygosë; i përktheu në frëngjisht veprat e dramaturgut dhe poetit anglez Uilliam Shekspir (William Shakespeare,1564-1616), që u botuan në 18 vëllime në vitet 1859-1866;

Adèle Hugo (1830-1915) ishte fëmija i pestë, më i vogli i Hygosë; Si e re, shfaqi shenja skizofrenie; u dashurua te një oficer britanik, pora i e refuzoi.

Shënim: Dhimbjen atërore për vdekjen e së bijës, Leopldinës, në moshën 18-vjeçare, Hygo e shfaqi në elegjinë „Demain, dès l’aube“ (Nesër me të gdhirë). Në letërsinë botërore është e njohur poema litike me tone elegjiake „Anabel Li – Annabel Lee“ (1849) e poetit amerikan Edgar Allan Po (Edgar Allan Poe, 1809-1849), e përkthyer në shqip nga Fan Noli (1882-1965). Elegji të njohura në letërsinë shqipe janë “Vaje” e Andon Zako Çajupit (1866-1930) kushtuar gruas së tij të ndjerë zvicerane, Evgjenisë si dhe dy elegjitë e Nolit “Syrgjyn vdekur” kushtuar Luigj Gurakuqit (1879-1925) si dhe “Shpellë e Dragobisë” kushtuar Bajram Currit (1862-1925).   

*   *   *

Në vitin 1833 Hygo krijon lidhje dashurie me artisten franceze Zhyliet Drue (Juliette Drouet, e lindur si Julienne Josephine Gauvain, 1806-1883). Lidhja midis tyre ka zgjatur pesëdhjetë vjet, deri në vdekjen e saj. Para se të lidhej me Hygonë, Zhyliet Drue kishte një vajzë me skulptorin francez Jean-Jacques Pradier të njohur si Xhejms Pradie (James Pradier, 1790-1852), e cila quhej Klerë Pradie (Claire Pradier, 1826-1846).   

*   *   *

Për shumë shkrimtar të rinj të brezit të Hygosë, model krijues ishte prozatori francez Fransua-Rene dë Shatobrian (François-René de Chateaubriand, 1768-1848), baba i romantizmit dhe një prej personaliteteve letrare më të shquar në Francë në vitet 1800 e këndej. Shatobriani ishte model edhe i Hygosë. Në rininë e vet, Hygo zhvilloi tezën „Shatobriani ose asgjë“. Jeta e tij e mëvonshme kishte ngjashmëri të mëdha me atë të paraardhësit të tij. Sikur Shatobriani, edhe Hygo nxiti dhe përparoi zhvillimin e romantizmit dhe u ndërlidh me politikën si një hero i republikanizmit. Për shkak të qëndrimeve politike u syrgjynos nga atdheu i vet.        

*   *   *

Pasioni i parakohshëm dhe elokuenca e veprave të hershme të Hygosë, i sollën sukses dhe famë qysh në moshë të re. Vëllimi i tij poetik Nouvelles Odes et Poésies Diverses u botua në vitin 1824, kur ishte vetëm 23-vjeçar. Kjo i solli edhe pagë mbretërore nga mbreti i Francës Luigji XVIII (Louis XVIII, 1755-1824), vëlla i Luigjit XVI (Louis XVI, 1754-1793). Për entuziazmin dhe rrjedhshmërinë spontane të poezive të tij, lexuesit krenoheshin. Por, vetëm përmbledhja „Ode dhe poezi të ndryshme“ (Odes et poésies diverses) e botuar në vitin 1822/1826, e zbuloi Hygonë si një poet të madh dhe të shkëlqyer, mjeshtër të lirikës dhe të poezisë kreative.

*   *   *

Romanin e parë, “Han d’Islande” e botoi në vitin 1823, ndërsa romanin e dytë “Bug-Jargal” e botoi te vjet më vonë, më 1826. Në periudhën e viteve 1829-1840 Hygo botoi edhe pesë vëllime poetike (Les Orientales, 1829; „Gjethe vjeshte“ (Les Feuilles d’automne, 1831); „Këngë muzgu“ (Les Chants du crépuscule, 1835); „Zëra të brendshme“ (Les Voix intérieures, 1837); dhe „Rreze dhe hije“ (Les Rayons et les ombres, 1840). Tani e përforcoi reputacionin e vet si një prej poetëve lirikë më të mëdhenj dhe në të mirë të të gjitha kohëve. 

*   *   *

Dramat – Me veprat teatrore, Hygo nuk arriti sukses të shpejtë. Në vitin 1827 botoi dramën “Komveli” (Cromwell), e cila kurrë nuk u shfaq. Drama më shumë njihet për parathënien e autorit, sesa për subjektin që shtjellohet. Gjatësia e madhe e dramës u konsiderua e papërshtatshme për shfaqje. Në hyrje, Hygo i këshillon shkrimtarët francezë të çlirohen nga stili klasik i teatrit, duke e filluar kësisoj konfliktin midis klasicizmit francez dhe romantizmit. Pas kësaj ngjarjeje, ky konflikt do të zgjasë edhe shumë vite. Pas “Kromvelit”, në vitin 1828 pasoi drama “Amy Robsart”. Është një dramë eksperimentale nga fëmijëria e Hygosë, e inspiruar nga “Kenilworth” (1821) e romancierit dhe poetit skocez Uolltër Skot (Walter Scott, 1771-1832). Drama e sipërthënë e Hygosë ishte në produksion të kunatit të tij, dramaturgut francez Pol Fusher (Paul-Anri Foucher, 1810-1875). Ajo mezi ia doli të përballojë një shfaqje para një publiku mosmirënjohës, para se të hiqej nga skena. E para dramë e Hygosë e produkuar me emrin e tij personal, ishte “Marion Delorme”. Edhe pse në fillim i ndalua dhe u censurua për kritikën ndaj monarkisë, ndalesa u hoq. Premiera pa censurë u shfaq në vitin 1829, por përsëri pa sukses. 

Drama e ardhshme që e shkroi dhe e shfaqi Hygo është “Hernani”. Shfaqja e saj përbën një prej ngjarjeve më të suksesshme dhe më tronditëse të shekullit XIX në skenën teatrore të Francës, madje që natën e parë kur u bë e njohur si “Beteja për Hernani-në”. Sot kjo vepër është pothuajse e panjohur dhe nuk e përmendin, përpos si bazë e operës së kompozitorit italian Xhuzepe Verdi (Guiseppe Fortunino Francesco Verdi, 1813-1901), me të njëjtin titull.

Por, në atë kohë, shfaqja e dramës sa nuk u shndërrua në konflikt midis rivalëve kryesorë të kohës në kulturën dhe në shoqërinë franceze: klasicistët kundër romantikëve, liberalët kundër konformistëve dhe në fund republikanët kundër ruajalistëve. Dramën e dënuan me të madhe edhe gazetat. Megjithëkëtë ajo shfaqej për çdo natë në teatrin të mbushur plot. Kjo situatë sinjalizonte njëherazi se koncepti i Hygosë për romantizmin ishte politizuar tej mase. Hygo besonte se liberalizmi do ta çlirojë popullin prej vuajtjeve nga monarkia dhe diktatura; po kështu romantizmi do ta çlirojë artin nga klasicizmi. 

I frymëzuar nga suksesi i dramës “Hernani”, Hygo vazhdoi me dramat, jo rrallë edhe në vargje. Në vitin 1832 boti dramën “Mbreti argëtohet” (Le Roi s’amuse). Drama u ndalua që natën e parë të shfaqjes. Por, për shkak të përqeshjes së theksuar të aristokracisë franceze, sapo doli e botuar, ajo fitoi një popullaritet të madh. I motivuar nga ndalimi, dramën tjetër, “Lukrecia Borgia” (Lucrèce Borgia, 1833) Hygo e shkroi vetëm për 14 ditë. Drama u shfaq jo më parë se në vitin 1833 dhe doli e suksesshme. Rolin kryesor e luante Medemoiselle George (Zonjusha Zhorzhë), dashnore e dikurshme e Napoleonit, ndërsa artistja Zhyliet Drue (Juliette Drouet) luante njërin prej roleve dytësore. 

Por më vonë, Zhyliet Drue luajti rol tejet të madh në jetën private të Hygosë, duke u bërë dashnore dhe muzë e përjetshme e tij. Madje edhe gruaja e Hygosë ka thënë se ai ka qenë tejet i lidhur me Zhyliet Drue, saqë ajo është konsideruar pjesë e familjes. Duhet shtuar se Hygo ka pasur një numër të madh aventurash dashurie.

            Në dramën e ardhshme të Hygosë “Marie Tudor”(1833), Zhyliet Drue e luajti rolin e Zhanë Greit (Lady Jane Grey, 1537-1554; sundoi vetëm nëntë ditë), paraardhëse e mbretëreshës Meri Tjydor (Mary Tudor, 1496-1533). Por. Zhyliet Drue nuk doli e përshtatshme për këtë rol, ndaj menjëherë pas natës së parë, u zëvendësua nga një artiste tjetër. Ky ishte roli i saj i fundit në skenën franceze. Që atëherë, jetën e vet ia përkushtoi Hygosë. Me një shpërblim të vogël financiar, ajo u bë sekretareshë e tij pa pagesë dhe bashkëjetuese në 50 vitet e ardhshme. 

Premiera e dramës “Angelo, tiran i Padovës” (Angelo, tyran de Padoue, 1835) u shfaq në vitin 1835 dhe pati sukses të madh. Pas kësaj, për shfaqjen e dramave të reja, Duka i Orleanit (Ferdinand Philippe, duc d’Orléans, 1810-1842) themeloi teatër të ri. Duka ishte bir i mbretit Lui-Filip (Louis Philippe, 1773-1850), i cili ishte adhurues i madh i veprave të Hygosë. Théâtre de la Renaissance (Teatri i Rilindjes) u hap në nëntor të vitit 1838. E para dramë që u shfaq në të ishte “Ruy Blas” (1838), e cila, krahas dramës “Hernani” është vepra më e njohur e Hygosë. Ndonëse kjo dramë konsiderohet sot si një prej më të mirave të Hygosë, në atë kohë nuk u pranua aq mirë. 

Edhe në moshë të shtyrë, Hygo shkruante për teatrin. Midis veprave që kanë zënë vend në përmbledhjen “Teatër në liri” (Théâtre en liberté, 5 vëllime të botuara post mortem 1886) është përfshirë edhe “Shpata” (L’Epée).     

Drama vijuese “Les Burgraves“ (1843) u shfaq vetëm 33 net dhe filloi ta humbë publikun që shkonte për të parë dramë konkurrente. “Les Burgraves“ ishte dramë e fundit e vërtetë e Hygoit. Në vitin 1862 shkroi dramën e shkurtër “Torquemada”. Ajo u botua vetëm pak vjet para vdekjes së tij dhe nuk ishte e destinuar për t’u shfaqur në skenë. Në vitin 1864 botoi një ese për dramaturgun dhe poetin anglez, Shekspirin (William Shakespeare, 1564-1616), stilin e të cilit u përpoq ta zbatonte edhe në dramat e veta. 

*   *   *

E para vepër e Hygosë për të rritur u shfaq në vitin 1829. Ajo manifestonte një vetëdije sociale të mprehtë që do të ndikojë me të madhe në njërën prej veprave të tij të mëvonshme. “Ditët e fundit të njeriut të dënuar me vdekje” është vepër e cila ushtroi ndikim të madh mbi krijuesit siç janë shkrimtari, eseisti dhe dramaturgu francez, nga nëna spanjolle, laureat i çmimit “Nobel” (1957) Alber Kamy (Albert Camus, 1913-1960), romancieri anglez Çarlz Dikinz (Charles Dickens) dhe romancieri e novelisti rus Fjodor Mihajlloviç Dostojevski (1821-1881). Në vitin 1834 doli “Claude Gueux”, tregim dokumentar i shkurtër për vrasësin të ekzekutuar në Francë. Hygo ka pohuar se ajo ka qenë pararendëse e veprës më të njohur të tij “Të mjerët” (Les Misérables). Por, i pari roman i vërtetë i Hygosë është “Kambanari i katedrales Notre-Dame” (Notre-Dame de Paris, 1831). Ky roman i gjatë dhe tejet i suksesshëm u botua në vitin 1831 dhe shpejt u përkthye pothuajse në të gjitha gjuhët e Evropës. Një prej efekteve të romanit ishte popullarizimi i katedrales Notre-Dame. Tani katedralen e vizitonin mijëra turistë që e kishin lexuar romanin. Libri ngjalli dashuri edhe për godinat e pararenesancës, të cilat që atëherë ruhen në mënyrë aktive.

*   *   *

Hygo i nisi planet për një roman të madh lidhur me vuajtjet dhe padrejtësitë sociale në vitet 1830 e këndej. Por, i duheshin plot 17 vjet që të realizohej vepra më e njohur e tij, “Të mjerët” që doli më 1862. Autori ishte i vetëdijshëm se ky roman do të jetë i jashtëzakonshëm, kështu që botimi i takoi blerësit që ofroi më shumë. Shtëpia botuese belge Lacroix & Verboeckhoven ndërmori një fushatë marketingu, që për atë kohë ishte diçka e pazakonshme. Para se të dilte nga shtypi, vepra u botua gjashtë muaj në gazetë. Në fillim u publikua vetëm pjesa e parë e veprës (“Fantine”), e cila në të njëjtën kohë u botua edhe nëpër qytetet e mëdha. Pjesët e librit u shitën shpejt dhe patën ndikim të madh mbi shoqërinë franceze. Reagimet ndaj veprës shtriheshin nga entuziazmi i papërmbajtur deri te dënimet e shfrenuara, por problemet që u shtruan te “Të mjerët”, sakaq hynë në rendin e ditës të Kuvendit Popullor të Francës. Në horizontin tematik të veprës Hygo sjell mjediset e panjohura dhe të përbuzura, periferitë metropolitane dhe sociale, burgjet dhe nëntokën e Parisit. Vepra ua çel rrugën romaneve të tjera të autorit, si “Punëtorët e detit” (Les Travailleurs de la mer, 1866), “Njeriu që qesh” (L’Homme qui rit, 1869), “Nëntëdhjetë e treta” (Quatre-vingt-treize, 1874).

Kreativiteti letrar i Hygosë ka zgjatur gjashtëdhjetë vjet. Mbijetoi klasicizmin,  romantizmin dhe realizmin, është bashkëkohës i natyralizmit dhe i simbolizmit. Botimi i parë i përmbledhjes së veprave të tij u krye nga Hetzel në 57 vëllime. Duhet thënë se ka pasur kritikë të cilët e kanë parë me dyshim nivelin artistik të veprave të tij. Megjithëkëtë, vepra e tij është dëshmi e një vrulli prometean, e madhështisë kozmike dhe vizionare. Hygo është figura më e rëndësishme e romantizmit francez. 

Romani “Të mjerët” edhe sot vazhdon të jetë i popullarizuar në mbarë botën. Është përshtatur për film, për TV dhe për skenë muzikore. Janë shkruar edhe libra të tjerë që në njëfarë mënyre konsiderohen vazhdime të këtij romani. Portrete dhe figura të personazheve të caktuara të romanit “Të mjerët” janë pikturuar dhe janë ilustruar nga piktorë dhe ilustrues të mëdhenj francezë të kohës. Një prej tyre është edhe figura e Kozetës (Cosette), e ilustruar nga ilustruesi francez Emil Bajar (Émile-Atoine Bayard, i njohur edhe si Abel de Miray, 1837-1891). 

*   *   * 

Në romanin “Punëtorët e detit” (Les Travailleurs de la Mer, 1866), Hygo u largua prej çështjeve sociale dhe politike. Megjithëkëtë, libri u prit mirë. Në romanin kushtuar ishullit Guernsey në të cilin Hygoi qëndroi 15 vjet si i syrgjynosur, Hygo përshkruan betejën e njeriut me detin dhe me krijesat e tmerrshme që jetojnë nën sipërfaqe. Në Paris u shfaq trendi i ri – kalmarët. (Logo vulgaris). Që nga ushqimet dhe ekshibicionet deri te kapela dhe argëtimet në simbolin e kalmarit, parisienët u fascinuan me këtë kafshë të cilën shumica e konsideronin mistike. Fjala Guernsey e përdorur në libër, u përdor për t’iu referuar shumëkëmbëshit apo oktapodit.

Problemeve politike dhe sociale iu kthye në veprën e ardhshme, “Njeriu që qesh” (1869) në të cilën jep një pasqyrë kritike të aristokracisë. Por, romani nuk doli aq i suksesshëm si ato paraprake, ndaj Hygoja tha se thellohet dallimi ndërmjet tij dhe bashkëkohësve letrarë, siç ishin romancieri francez Gystav Flober (Gustave Flaubert, 1821-1880) dhe romancieri francez me prejardhje italiane, Emil Zola (Émile Zola, 1840-1902), veprat natyraliste  të të cilëve bëheshin gjithnjë më të popullarizuara se veprat romantike të Hygosë. Romani i fundit i Hygosë “Nëntëdhjetë e treta” (1874) trajtonte një çështje të cilës ai dikur i shmangej: Sundimi i terrorit gjatë Revolucionit francez. Edhe pse në kohën e botimit të romanit popullariteti i Hygosë ishte në rënie, shumë kritikë këtë vepër e konsiderojnë si tejet të rëndësishme, duke e radhitur përkrah veprave të përparshme të tij. 

*  *  *

Jeta politike dhe egzili – Pas tri përpjekjeve të pasuksesshme, në vitin 1841 Hygo u zgjodh për herë të parë në Akademinë Franceze (Académie Française), duke e përcaktuar kësisoj rolin e tij të rëndësishëm në letërsinë franceze. Pas kësaj, me të madhe u përfshi në jetën politike duke u bërë ithtar i madh i Republikës. Në vitin 1841 mbreti Luigj-Filip (Louis-Philippe, 1773-1850) e caktoi për gjeneolog mbretëror. Kësisoj Hygo hyri në shoqërinë e lartë si Pair de France (titull i vasalit/këshilltarit të mbretit në mesjetë, i barasvlershëm me lordin anglez). Duke qenë në këtë pozitë, fliste kundër dënimit me vdekje dhe padrejtësisë sociale. U angazhua për lirinë e shtypit dhe për pavarësinë e Polonisë. Më vonë, përkatësisht pak para revolucioneve të vitit 1848 dhe formimit të Republikës së Dytë Franceze, u zgjodh në Asamblenë Ligjvënëse dhe Konstitucionale.

Kur Napoleoni III (Louis-Napoléone Bonaparte, 1808-1873), në vitin 1851 e mori tërë pushtetin dhe kur e miratoi kushtetutën antiparlamentare, Hygo haptazi e shpalli tradhtar të atdheut. Për ta shpëtuar jetën, Hygo ikën në Bruksel (Bruxelles), pastaj në Xhersej (Jersey). Përfundimisht, u vendos me familjen në një prej ishujve kanalesh, Gernsej (Guernsey), e pikërisht në Hauteville House, ku jetoi në egzil deri në vitin 1870. Derisa ishte në egzil, Hygo i shkroi pamfletet e njohura kundër Luigj Bonapartit, “Napoleoni i vogël” dhe “Historia e një krimi” (Histoire d’un crime). Këto dy pamflete u ndaluan në Francë. Megjithëkëtë, patën një ndikim të madh atje.

Shënim: Napoleoni III ishte i pari president i Francës, në vitet 1848-1852. Në vitet 1852-1870 ishte perandor i Francës.

*   *   *

Gjatë qëndrimit në Gernsej (Guernsey), Hygo i shkroi disa prej veprave më të njohura të tij, siç janë romani “Të mjerët” si dhe përmbledhjet tejet të çmueshme me poezi “Dënime” (Les Châtiments, 1853); “Përsiatje” (Les Contemplations, 1856) dhe “Legjenda e shekujve” (La Légende des siècles, 1859).

Ndodhi njëherë që Hygo ta bindë qeverinë e Mbretëreshës Viktoria (Alexandrina Victoria, 1819-1901) të Britanisë së Madhe dhe Irlandës, të mos i ekzekutojë gjashtë irlandezë, të fajësuar për veprimtari terroriste. Akti i tij rezultoi me heqjen e dënimit me vdekje nga konstitucioni apo nga kushtetuta e Gjenevës, e Portugalisë dhe e Kolumbisë.

Edhe pse Napoleoni III, në vitin 1859 lëshoi amnisti për të gjithë mërgimtarët politikë, Hygo refuzoi të kthehet për arsye se kjo do të nënkuptonte tërheqjen e kritikës së vet dhe ndryshimin e mendimeve ndaj qeverisë dhe pushtetit. Vetëm kur Napoleoni III ra dhe lindi Republika e Tretë, në vitin 1870 Hygo u kthye në atdhe dhe sakaq u zgjodh në Kuvendin Popullor dhe në Senat.                                 

*   *   *

Pikëpamjet fetare të Hygosë – Gjatë jetës së vet, pikëpamjet fetare të Hygosë ndryshonin në mënyrë radikale. Si i ri, ishte katolik dhe shfaqte respekt të thellë ndaj hierarkisë kishtare dhe autoritetit kishtar. Që atëherë, ai gjithnjë më tepër largohet nga katolicizmi dhe shfaq pakënaqësi të madhe ndaj papëve dhe manifeston pikëpamje antiklerikale të fuqishme. Gjatë qëndrimit në egzil, është bërë spiritualist, kurse më vonë është bërë ithtar i deizmit racional të ngjashëm me atë që e ka mbështetur shkrimtari dhe filozofi francez, Volteri (emri i vërtetë François-Marie Arouet, 1694-1778). Pyetjes së një regjistruesi drejtuar Hygosë në vitin 1872, në është katolik, ai i është përgjigjur: “ Njeri me mendime të lira numër 1”. Hygo kurrë nuk e humbi antipatinë ndaj kishës katolike të Romës, kryesisht për shkak të indiferencës së saj ndaj vuajtjeve të punëtorëve të cilët ishin të shtypur nga monarkia por edhe për faktin se veprat e Hygosë se veprat e tij shpesh ndodheshin në listën “e veprave të ndaluara” të papës, që të përkujton Index librorum prohibitorum të mesjetës. Për “Të mjerët”, Hygo u sulmua nga shtypi katolik 740 herë. Pas djemve të vet, Sharlit (Charles) dhe Fransua-Viktorit (François-Victor), Hygo kërkoi që francezët të varrosen pa kryq dhe pa klerik. Të njëjtë e kërkoi edhe për vete. Edhe pse Hygo besonte se dogma katolike është e vjetër dhe në shuarje e sipër, institucionin e fesë katolike, kurrë nuk e ka sulmuar drejtpërsëdrejti. Ai mbeti njeri tejet religjioz dhe deri në fund të jetës besoi në forcën e lutjes, në nevojën e njeriut për lutje. 

Racionalizmi i Hygos mund të haset në poezitë e tij në “Torquemada” (1869), që flasin për fanatizmin fetar, “Papa” (1878), dhunshëm antiklerikal, “Fetë dhe feja” (1880), në të cilën e mohon dobinë nga kishat, si dhe në poezitë e botuara post mortem “Fundi i Sotonës/djallit” (1886) dhe “Zoti”(1891), në të cilën krishterimin e paraqet si grifon (qen gjahu), ndërsa racionalizmin si engjëll. (Griffon: lloj qeni, qen gjahu; petrit, gjeraqinë; kafshë përrallash; burim uji mineral). Për fenë, Hygo thotë: “Feja kalon, por Zoti mbetet”. Sipas Hygosë, një ditë fetë mund edhe të zhduken, por njerëzit do të vazhdojnë të besojnë në “Zot, në Shpirt dhe në përgjegjësi”. 

*   *   *

Vitet e fundit të Hygosë – Në vitin 1870, Hygo u kthye në Paris. Populli e nderoi si një hero kombëtar. Në vitin 1872, përkundër popullaritetit që gëzonte Hygo i humbi zgjedhjet për t’u pranuar në Kuvendin Popullor. Pas disfatës që pësoi në zgjedhje, Hygo pësoi një sulm të lehtë në tru, përjetoi rrethimin e Parisit, vajza i përfundoi në spitalin psikiatrik. Brenda kësaj periudhe i vdiqën edhe të dy djemtë. Vajza e dytë, Leopoldina (Léopoldine), u mbyt në vitin 1843 në fatkeqësinë e anijes. Në vitin 1868 i vdiq gruaja Adela (Adèle). Në vitin 1883 i vdiq dashnorja besnike Zhyliet Drue (Juliette Drouet), vetëm dy vjet para vdekjes së tij. 

Përkundër humbjeve të mëdha familjare, Hygo e vazhdon betejën për ndryshime politike. Më 30 janar 1876, u zgjodh anëtar i Senatit të sapoformuar. Faza e fundit e tij në jetën politike konsiderohet e pasuksesshme. Hygo mori rolin e plakut kokëfortë, ndërsa gjatë qëndrimit në Senat, bëri fare pak.  

*   *   * 

Hygo vizatues – Bota e njeh Hygonë si njeri të letërsisë. Por të paktë janë ata që e dinë se ai ka treguar interesim edhe në lëmin e artit figurativ. Gjatë jetës, ka krijuar mbi 4,000 vizatime. Në fillim, vizatimi ka qenë hobi (hobby) i tij. Por, pak para egzilit, vizatimi nisi të luajë rol të madh në jetën e tij. Në këtë kohë ai kishte vendosur të ndërpresë shkrimin dhe t’i përkushtohet politikës. Në vitet 1848-1851 vizatimi ka qenë preokupim kreativ kryesor i Hygosë. Vizatonte vetëm në letër dhe në format të vogël, duke përdorur kryesisht tush ngjyrëgështenje të errët ose tush të zi, me shtesa të vogla të ngjyrës së bardhë. Me ngjyra vizatonte shumë rrallë. Vizatimet që janë ruajtur janë vlerësuar si të suksesshme dhe për nga stili, paksa “moderne”. Sot pikturat e tij konsiderohen si një prej paraardhësve të surrealizmit dhe të ekspresionizmit abstrakt. Hygo nuk nguronte të përdorë shabllone fëmijësh, njolla tinte (ngjyre), pellgje ngjyre dhe njolla, dantella dhe mjete të tjera ndihmëse. Shpesh ka përdorur edhe karbon shkrepësi. Shpesh i ka përdorur edhe gishtërinjtë e vet, në vend të lapsit apo penelit (furçë pikturimi). Për të arritur efektet e dëshiruara, ka shtuar ndonjëherë edhe kafe dhe blozë (çagjë). Thuhet se Hygo shpesh ka vizatuar me dorën e majtë dhe pa shikuar në letër dhe për të arritur në mendimet e pavetëdijshme, ka vizatuar edhe kur ndodhej në seanca spiritualiste. Këtë koncept të tij më vonë e ka popullarizuar dijetari, psikiatri dhe eseisti austriak me prejardhje hebraike Zigmund Frojd (Sigmund Freud, 1856-1939).

Për të mos e vënë në hije punën letrare të vet, Hygo i mbante vizatimet larg syve të publikut. Por, shpesh u jepte vizatime pjesëtarëve të familjes dhe miqve, më së shpeshti si piktura në panoramat e punuara me dorë që i dërgonte në kohën kur ndodhej në egzil. Disa prej pikturave të tij janë shfaqur. Ato janë vlerësuar lartë edhe prej piktorit holandez të post-impresionizmit, Vincent van Gog (Vincent van Gogh, 1853-1890) si dhe prej piktorit Eugjen Delakrua (Eugène Delacroix, 1798-1863), prijës i shkollës franceze të romantizmit në art. Që të dy ishin të njëmendimi se sikur Hygo të ishte bërë piktor dhe jo letrar, do t’i kishte lënë nën hije të gjithë piktorët e kohës së tij. 

Shënim: Për shkak të prejardhjes hebraike, Zigmund Frojdi u ballafaqua me pengesa për t’u bërë profesor në universitetin e Vjenës. Kundër tij ishin qarqe të caktuara akademike. Qëndrimet kundër tij u shtuan edhe për shkak të teorive të tij për ligjshmëritë e fshehta të jetës shpirtërore, të njohur si psikanalizë (studimi “Interpretimi i ëndrrave” – Die Traumdeutung, 1900). Qysh në të gjallë, tërthorazi apo drejtpërsëdrejti ushtroi ndikim pothuajse në të gjitha shkencat humane dhe shoqërore. Gjurmë të përhershme ka lënë edhe në praktikën dhe kritikën letrare. Teoritë e tij janë dënuar dhe janë ndaluar prej ideologjive totalitare, të djathta apo të majta, naziste apo staliniste. Pas pushtimit të Austrisë nga Hitleri (Adolf Hitler, 1889-1945), Frojdi u largua nga Vjena. Bashkë me Gustav Mahler-in, Arnold Shënberg-un, Karl Kraus-in, Artur Shnicler-in, Adolf Los-in etj. i dha Vjenës shenjë të pashlyer modernizmi. 

Shënim: Gustav Mahler (Çeki, 1860 – Vjenë, 1911) është kompozitor i epokës së romantizmit, austriak nga Bohemia, një prej dirigjentëve më të shquar të brezit të vet; 

 Arnold Shënberg (Arnold Schönberg, Leopoldshtat, Vjenë, 1874 – Los Anxheles, Kaliforni, 1951) është kompozitor austriak-amerikan, një prej më me ndikim të shekullit XX; 

Karl Kraus (Karl Kraus, Jiçin, Çeki, 1874 – Vjenë, 1936) është publicist, dramaturg dhe poet austriak. prej vitit 1899 deri në vdekje botoi revistën “Die Fackel”, medium i kritikës së tij të ashpër dhe pa kompromis. Stigmatizoi dhe demaskoi hipokrizinë e rojeve të moralit, qëndrimet e sipërfaqshme të shtypit dhe korruptimin e tij, ironizoi të ashtuquajturin opinion publik. Si një “prokuror publik” satirik kundër të gjitha të metave të qytetërimit, luajti rol të rëndësishëm në jetën kulturore. Shkroi dhe botoi përmbledhje esesh, kritikash dhe polemikash. Një prej tyre është “Morali dhe kriminaliteti” (Sittlichkeit und kriminalität, 1908);        

Artur Shnicler (Arthur Schnitzler, Vjenë, 1862 – Vjenë, 1931) është tregimtar dhe dramaturg austriak, me prejardhje hebraike; 

Adolf Los (Adolf Loos, Bërno, Çeki, 1870 – Kalksburg, 1933) është arkitekt austriak, teoricien me ndikim në përmasa evropiane për arkitekturën moderne. 

*   *   *

Romantizmi lindi në Angli në vitin 1790 dhe vdiq në vitin 1830. Në Francë dhe në Gjermani, romantizmi u shfaq në fillim të shekullit XIX. Realizmi evropian është drejtim letrar që vjen pas romantizmit. Realisti legjendar francez Honore dë Balzak (Honoré de Balzac, 1799-1850) vdiq tridhjetë vjet para se të vdiste romantizmi francez, me në krye Hygonë. Në vitin 1870 e këndej, romantizmi francez i Hygosë, nuk mund të qëndronte në skenën letrare franceze, në një kohë kur edhe realizmi francez, me Balzakun në krye, kishte vdekur tashmë. Romantizmi francez dhe Hygo, u ngritën kundër klasicizmit. Por, rrethanat e reja politike, sociale, ekonomike dhe morale do të imponojnë një art të ri, drejtim, metodë, shkollë apo rrymë letrare të re. Jemi në fin de siècle (fundi i shekullit). Tanimë në skenën letrare franceze do të dalin simbolistët dhe natyralistët francezë.   

Hygoi ushtroi ndikim të dukshëm mbi poetin dhe kritikun francez Sharl Bodëler (Charles Baudelaire, 1821-1867), poetin francez Artyr Rembo (Arthur Jean Nicolas Rimbaud, 1854-1891), poetin francez Stefan Malarme (Stéphane Mallarmé, 1842-1898) si dhe mbi surrealistët.  

 Shënim: Përfaqësues kryesorë të simbolizmit francez janë: poeti dhe eseisti francez Pol Verlen (Paul Marie Verlaine, 1844-1896) dhe poeti francez Stefan Malarme (Stéphane Mallarmé, 1842-1898). Në rrethin e ngushtë të simbolistëve ndodhen poeti dhe kritiku francez Sharl Bodëler (Charles Baudelaire, 1821-1867) dhe poeti francez Artyr Rembo (Arthur Jean Nicolas Rimbaud, 1854-1891). Përfaqësues kryesorë të natyralizmit francez janë romancieri francez Gystav Flober (Gustave Flaubert, 1821-1880) dhe romancieri francez me prejardhje italiane, Emil Zola (Émile Zola, 1840-1902).       

*   *   *

Në shkurt të vitit 1881, Hygo kremtoi ditëlindjen e shtatëdhjetë e nëntë. Për nder të shkeljes së tij në dhjetëvjeçarin e tetë, u mbajt një prej manifestimeve më të mëdha të mbajtura për ndonjë shkrimtar të gjallë. kremtimi filloi më 25 shkurt 1881. Hygosë iu dha Vazoja e Sevresit, dhuratë tradicionale për sovranët. Më 27 shkurt 1881, për nder të tij u mbajt një prej paradave më të mëdha në historinë e Francës. Populli marshoi prej Avenu d’Eylau deri në Champs-Elysees, për të mbërritur në qendër të Parisit. Populli marshoi gjashtë orë për të kaluar pranë banesës së Hygosë në të cilën ai i shikonte nga dritarja. Çdo pëllëmbë e paradës ishte bërë dhe ishte planifikuar vetëm për Hygonë. Duke aluduar për këngën e Kozetës (Cosette) te “Të mjerët” kujdestarët zyrtarë mbanin edhe lule misri.   

Hygo vdiq më 22 maj 1885, në moshën 83-vjeçare. Vdekja e tij u shoqërua nga një dhimbje publike masive. Bota nuk e çmon vetëm si shkrimtar të jashtëzakonshëm, por edhe si    një shtetar që luftoi për ta ruajtur tërësinë e Republikës së Tretë dhe të demokracisë në Francë. Në funeralin e tij që u nis prej Harkut të Triumfit deri në Panteon (Panthéon), ku u varros Hygoja, morën pjesë mbi dy milionë njerëz. 

Figurën e Hygosë e kanë pikturua shumë piktorë dhe fotografë të kohës, midis tyre edhe fotografi, karikaturisti, gazetari Feliks Nadar (Gaspard-Félix Tournachon, 1820-1910). Për nder të Hygosë u ngritën në Francë memoriale. Për ta përkujtuar qëndrimin e tij në Gernsej (Guernsey), banorët e kësaj zone i ngritën përmendore në Kandi (Candie). Vendqëndrimet e tij në Guernsey dhe në Place des Vosges Nr. 6 në Paris, qyteti i Parisit i shndërroi në muze. Në muze përkujtimor u shndërrua edhe shtëpia në Vianden të Luksemburgut, ku kishte banuar Hygo në vitin 1871. Në religjionin Cao Dai të Vietnamit, Hygo është shenjtor.       

*   *   *

Veprat e botuara në të gjallë të Hygosë: Ode të reja (1824.); Byg-Jargal (Bug-Jargal, 1826); Hani i Islandës (Han d’Islande, 1823); Ode dhe poezi të ndryshme (1822/1826); Kromveli (Cromwell, 1827); përmbledhja Orientalet (Les Orientales,1829); Dita e fundit e njeriut të dënuar me vdekje (Le Dernier jour d’un condamné), (1829); Hernani (1830); Kambanari i katedrales Notre-Dame (Notre-Dame de Paris, 1831); Marion Delorme (1831); Gjethe vjeshte (‘Les Feuilles d’automnes, 1831); Mbreti argëtohet  (Le roi s’amuse, 1832.); Lukrecia Borgia (Lucrèce Borgia, 1833); Maria Tjudor (Marie Tudor, 1833); Mirabo (Mirabeau, 1834); Letërsia dhe filozofia në mosmarrëveshje (Littérature et philosophie mêlées (1834); Klod Gy (Claude Gueux (1834); Angelo, tiran i Padovës (Angelo, tyran de Padoue, 1835); Këngë muzgu (Les Chants du crépuscule. 1835); Zëra të brendshme (Les Voix intérieures, 1837); Ry Bla (Ruy Blas, 1838); Rreze dhe hije, 1840); Rajna (1842); Les Burgraves (1843.); Napoleoni i vogël, (1852); Ndëshkimet (Les Châtiments (1853); Letra Luigj Bonapartit, (1855); Përsiatje (Les Contemplations, 1856); Legjenda e shekujve (La Légende des Siècles, 1859); Të mjerët (Les Misérables, 1862), (sipas të cilit është shkruar mjuzikli me të njëjtin titull); eseja Uilliam Shekspir (William Shakespeare, 1864); Këngë rruge dhe pylli (Les Chansons des rues et des bois, 1865); Punëtorët e detit (Les Travailleurs de la Mer, 1866), Parisi-manual (1867); Njeriu që qesh (L’Homme qui rit, 1869); Viti i tmerrshëm (L’Année terrible, 1872); Nëntëdhjetë e treta (Quatre-vingt-treize, 1874); Fijet e mia (Mes Fil, 1874); Punë dhe fjalë – para egzilit (Actes et paroles — Avant l’exil, 1875); Punë dhe fjalë – gjatë egzilit (Actes et paroles – Pendant l’exil, 1875); Punë dhe fjalë – pas egzilit (Actes et paroles – Depuis l’exil, 1876); Legjenda e shekujve – pjesa e dytë (La Légende des Siècles, 1877); Arti i të qenit gjysh (1877); Historia e një krimi, pjesa e parë (Histoire d’un crime, 1877); Historia e një krimi, pjesa e dytë (Histoire d’un crime, 1878.); Papa (1878); Fetë dhe feja (Religions et religion, 1880); Gomari (L’Âne, 1880); Të tetëdhjetat e shpirtit (Les Quatres vents de l’esprit, 1881); Torkëmada (Torquemada, 1882); Legjanda e shekujve, Vëllimi III (La Légende des siècles Tome III, 1883); Arkipelagu i La Manshit (L’Archipel de la Manche, 1883).

Poezi të botuara post mortem – Teatër në liri (Théâtre en liberté, 1886); Fundi i djallit  (La fin de Satan, 1886); Gjëra që i kemi parë – seria e parë (Choses vues, 1887); Krejt lira (Toute la lyre, 1888); Alpe dhe Pirineje (1890); Zoti (Dieu, 1891); Franca dhe Belgjika (1892); Krejt lira – seri e re (Toute la lyre, 1893); Letërkëmbime, Vëllimi I, (Correspondances, 1896); Letëkëmbime – Vëllimi II, (Correspondances, 1898); Vite të kobshme (Les années funestes, 1898); Gjëra që i kemi parë – seria e dytë (Choses vues, 1900); Post-skriptum i jetës sime (Post-scriptum de ma vie, 1901); Tufa e fundit (Dernière Gerbe, 1902); Një mijë franga shpërblim (Mille francs de récompense, 1934); Oqeani. Grumbull  gurësh (Océan. Tas de pierres, 1942); Gurë (Pierres, 1951), Biseda me amshimin. 

  Xhelal Zejneli

Filed Under: Komente

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 109
  • 110
  • 111
  • 112
  • 113
  • …
  • 482
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • FRANG BARDHI ME VEPRËN E TIJ, APOLOGJI E SKËNDERBEUT MBROJTI ME BURIME TË SHEK.XV E XVI, ORIGJINËN SHQIPTARE-ARBËRORE  TË SKËNDERBEUT
  • Ismail Qemali, 16 janar 1844 – 24 janar 1919
  • Letërsia si dëshmi e së vërtetës…
  • Mirënjohje për atin tim…
  • Isa Boletini, 15 janar 1864 – 23 janar 1916
  • “Yll’ i Mëngjezit”
  • “Histori e shtypit arbëresh: nga zanafilla deri në ditët e sotme”
  • “Personalitet Historik” – Bajram Curri: Një jetë në shërbim të çështjes kombëtare
  • Shqiptarët dhe parimet themelore të së drejtës ndërkombëtare dhe përgjegjësia evropiane
  • Në Ditën e Gjenocidit në Kosovë, nevoja e Kualifikimi Juridik Ndërkombëtar për Krimet e Kryera në Kosovë (1998–1999)
  • FUNDI I REZISTENCËS SË NACIONALIZMËS 1946-1947
  • ZBULOHEN KONGRESET E BALLIT KOMBËTAR
  • 15 janari është Dita e Përkujtimit të Gjenocidit ndaj Shqiptarëve në Kosovë!
  • Editori Diellit Dr. Athanas Gegaj përkujtohet në New York më 25 Janar 2026
  • Arsyet e vërteta pse ngriu procesi i vizave emigruese për në Amerikë për shqiptarët!

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT