• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

“Filantropi” amerikan Xhon de Kej

January 22, 2022 by s p

Dr. Hasan Bello/

Një nga historitë më interesante të “filantropëve” që kanë ardhur në Shqipëri në vitet 30-të është ajo e Xhon de Kej, i cili përfaqësonte një korporatë amerikane. Ai do t`i ofroi qeverisë shqiptare 10 milion dollarë, që t`i kthente borxhet Italisë dhe si shpërblim kërkoi prej saj disa koncensione. Në fakt, ky mashtrues dhe aventurier ndërkombëtar ishte një “personalitet” i njohur për shërbimet sekrete. Kjo, sepse, edhe vetë shërbimi sekret amerikan e mbante nën vëzhgim për shkak të implikimit të tij të hershëm kundër xhonturqve, si përhapës të ideve socialiste, si autorë i librit “Paraja e popullit” dhe si posedues i disa pasaportave, gjermane, meksikane, etj. Sipas të dhënave të Departamentit të Shtetit, ai kishte marrë pjesë në lëvizjen meksikane kundër SHBA në vitet 1913-1914 dhe ishte detyruar të fshihej për shkak të implikimit në disa operacione të kundraligjshme bankare apo si i përfshirë edhe në kontrabandë në Irlandë. Për të mikluar autoritetet shqiptare, ai ndoqi një skemë që rëndom praktikohet edhe 30 vitet e fundit. Ai i dërgoi një letër Sanije Zogut, motrës së Mbretit, e cila ishte Kryetare e Kryqit të Kuq, sipas së cilës, do t`i dhuronte kësaj organizate 100.000 franga shqiptare. Pas ndërtimit të imazhit publik, Xhon de Kej, në tetor të 1930 do të filloi tentativat për të lidhur një marrëveshje me Ministrinë e Ekonomisë, për formimin e një konsorciumi të kapitalistëve amerikanë me një kapital 200 milion dollarë. Sipas të dhënave, me ndihmën e këtij kapitali, ai kishte deklaruar se do të ndërtonte tre porte, një rrjet hekurudhor, kanale vaditëse për bujqësinë, shfrytëzimin e minierave, lumenjve, dhe themelimin e dy bankave, një industriale dhe një tregtare. Për këto “investime” ai do t`i jap Bankës Shqiptare një çek të pa mbuluar prej 350.000 frangash ari. Në tetor të 1933, shtypi i kohës shkruan se, Banka e akuzonte atë si “aventurierin dhe mashtruesin e njohur”. Për këtë arsye, autoritetet shqiptare Xhon de Kej-in dhe kolegun e tij Jozef Shipler-in nga Zvicra do t`i dënojnë me dy vite e gjysëm burg. Kjo histori shihej me kërshëri nga diplomatët italianë, të cilët i raportonin Ministrisë së Jashtme në Romë se, “filantropi” amerikan i kishte bërë një shërbim të madh politikës italiane, sepse “shqiptarët besojnë në çudinë se disa filantropë të huaj do ta shpëtojnë Shqipërinë”.

Filed Under: Komente

110 VJET ECJE N’TERR

January 21, 2022 by s p

Discover Albania: GJERGJ KASTRIOTI - SKENDERBEU (1405-1468)

GJERGJ KASTRIOTI – SKENDERBEU

DHE FLAMURI I DED GJO’ LULIT 

Pergatiti: Fritz RADOVANI:

Zoti njëherit me ballin e Gjergj Kastriotit – Skenderbeut shndriti edhe mendjen e të gjithë Atyne Shqiptarve që e mbajtën me nderë këte Emen në gjakun e vet, Atdheun dhe Flamurin, me Shqipen Dykrenare dhe Gjuhen e Bekueme të Imz. Pal Engjullit. 

Ajo Gjuhë Shqipe e Bekueme mbi ballin e çdo Shqiptari, provoi se nuk shuhet as, nuk fshihet dhe as nuk humbet as edhe qinda e mija vjetë, nga Toka Ilire! E prova ma e sakta e Historisë së lavdishme të Shqipnisë së Gjergj Kastriotit, asht edhe sot, Ajo rrenojë e vjeter shkodrane, ku u formue Shoqnia Atdhetare “Bashkimi” në 1899. 

E nder shkambijt e Shirokës, në shtëpinë e Tom Mark Radovanit, camerdhokët e atij fshati nën kujdesin e Dom Zef Ashtës, mësonin prej vitit 1874 me shkrue Shqip. (Ky material historik i saktë me mësuesa dhe nxanësa u shkrue nga mësuesi i nderuem Gjush Sheldija në vitin 1933.) 

Mbas vitit 1902 Françeskanët e vendosun në Shqipni që në Shekullin XIII, i japin një drejtim të posaçëm arsimit, kulturës, shkrimit, revistave, dokumentave historike dhe në bashkpunim me Jezuitët italianë, Shkodra asht nder qendrat kulturore t’Europës. 

Në vitin 1908 asht At Gjergj Fishta, që na dha Alfabetin e Gjuhës Shqipe, aprovue ky alfabet nga Shqiptarët e të gjithë Trojeve të Shqipnisë në Kongresin e Manastirit. 

Kishin kalue jo vite, po shekuj kur Flamuri i Gjergj Kastriotit kishte ra nga Kështjella e Krujës Heroike dhe bashkë me Heroin tonë Kombëtar ishin vorrosë për me u kalbë. Shtërgata e robnisë turke kishte mbulue me brraka uji gjithë Trojet tona, ku shuhej çdo ditë çdo virtyt dhe shpresë e Shqiptarëve. Ishin përdhosë kështjella e kulla ku dikur ndër ato hatlla varej me madhshti Lahuta, martina e huta; tashma ishin ba vetem vende të shkreta ku këndonte qyqja e kulumrija…Ishin thye e ra përtokë deri ndër vorret e të parëvet Kryqat e drunit të lisit e të çamit.  Deri poshtë ku derdhej gryka e lumit ishin shue shenjat e pushimit, vue me dalta ndër shkambij. Shqiptarët, rrugë pa rrugë, përditë e ma shumë zhyteshin në humnerën e mjerimit e të padijes. Dhuna kishte shpërba edhe gurin e kthye në ranë, thonë disa, po vende-vende edhe në pluhun e baltë të kuqe nga gjaku me të cilin mbruhej e njeshej për thundra të kuajve të robnuesit, i cili krenohej ngallnjimtar mbi eshtnat e nxjerruna nga vorret e shpuplueme, të shkapërndame e të tretuna në të katër anët. Mbi kumbonaret e Kishave të vjetra monumentale ngrihej nalt një copë zhele robnije, që tregonte se mbi këte “minare” nuk do të ketë kurrma Kryqa, dhe se Shqiptarët nuk do të dijnë “asnjëherë” çka u pat mësue dikur Imzot Pal Engjulli i Drishtit, rrenuem e ba rrafsh me tokë. 

Ishte shue jo vetëm rrezja e dritës së shpresës për Liri, po edhe dielli ishte zanë nga një tymnajë e vransinë që njillte kob. Vetullat e burrave ishin bashkue e ba hudhi si t’ u kishte shkrepë rrufeja në votër e shkimë me farë e fis gjithshka që u kishte falë i Madhi Zot brez mbas brezi. Vetëm kelkaza aty-këtu çilte ndonjë lule e vyshkej nën ferrat e morrizat e pafarë që e patën mbulue këte Dhé të bekuem dikur, ku, tashma as dallëndyshat nuk vinin në stinën e tyne, se as pranverë nuk kishte ma! Zhegu aziatik kishte përvlue e zharitë si mos ma keq fusha e male e kthye në shkretinë, ku ndonjë gomar fatzi kryente sherbimet e deves për pushtuesin barbar. Edhe qentë e fshatit nuk lehnin ma, se portarja ishte thye natën kur ndër shtëpija kishte msy e mëshef pabesia e shnderimi i robnuesit përbindsh. Burri nuk mbante ma as gurin unur të trashiguem ndër shekuj me llullën e vet prej druni ku ishte ma i forti, daltue nga çobajt fatzez që rritnin desht për me ua shtrue sofrat rrumbullake “felëshuesëve”. 

Tue shfletue fletët e historisë së asaj kohë lufta e përgjakshme e Malësisë së Mbishkodres filloi në Marsin e vitit 1911 dhe vazhdoi në të gjitha ato krahina të pathyeshme shekullore deri në fundin e Gushtit të vitit 1911, ku nuk duhen lanë pa u zanë në gojë edhe klerikët katolikë që morën rrugët ndër male bashkë me Malësorët e vet besnikë, tue fillue nga Famullitari i Kastratit At Mati Prennushi, Famullitari i Bajzës së Kastratit At Lorenc Mitroviq, Famullitari i Grudës At Buonaventur (Buon) Gjeçaj, Famullitari i Vuksanlekaj At Karlo Prennushi, Famullitari i Traboinit At Luigj Bushati e Famullitari i Rrapshës At Sebastjan Hila, të gjithë bajtës të Nderuem të zhgunit të Shen Françeskut t’Asizit. Këta fretën asnjë ditë nuk pranuen me jetue në mëshiren e malazezëvet, por iu drejtuen Argjipeshkvit të Shkodres Imz. Jak Serreqit, i cili pat qendrue dorjashtë për disa kohë, e ma vonë, me ndikimn e Imz. Luigj Bumçit dhe Don Ndre Mjedjes, Famullitar në Kukël, vunë në dijeni Vatikanin, njëkohsisht edhe me konsullin Austriak në Shkodër, u lidhën në Austri me Arqiduken Franc Ferdinandi, tue i vue në dukje prirjen politike të Kryengritjes së Malësorëve të Mbishkodrës.

Kleri Katolik Shqiptar që ishte ndër Ato Malësi, kishte arrijtë deri aty sa me deklarue se: “Në kjoftë se turqit përpiqeshin me depertue ndër rrethet kishtare malore, ata do të kryesonin rezistencën me Kryq në dorë.” (The Times, Wednesday, May 10, 1911.)

110 vjet ma parë, me 6 Prill 1911, me Dedë Gjo’ Lulin.

I madh e vogël pa kursye as jeten e vet u banë mburojë! Mbarë Malësia me armë në dorë u rreshtue me e mbajtë nalt Emnin e pushken e Tij!

Atdheun filloi me e rrah flladi i freskët i Lirisë! 

Fitorja e shpërblyeme me gjak prej Shqiptarve ndër shekuj erdhi! 

Urata, lutja, kanga e falnderimi ndaj të Madhit Zot s’ pushonin! 

Sejcili, sa kishte forcën, me një kurban i rrinte pranë shtizës.

Pikë lotit nuk shihej n’ Atë vend, veç gaz e hare në sytë e Atyne Burrneshave që këndonin e shkrepshin armët.

Edhe gratë me të zeza e gjetën një “shenjë” me u gazmue!

Aty pranë në trungun e një gështenje gjuhej në shej një kapicë…

Sa andej këndej kriste bataria e Malësorëve e zanet ma  të forta e të fuqishme thenin heshtjen shekullore me ushtimën e tyne ndër ato maje malesh, tue jehue e tue u derdhë me jone hyjnore drejt Qiellit paster me një Kushtrim të pafund, që zbriti ndër ato lugina të prarueme e u bashkue me valët e dallgët e harrlisuna të Adriatikut, tue zgjue nga kllapia shekullore mbarë një Europë: “Oooo… Burra bre.., çonju se Flamuri i Gjergj Kastriotit u ngrit edhe njëherë në Tokën Arbnore!” 

Në vitin 1994 Profesor Gjon Sinishta, në revistën e drejtueme prej Tij, Albanian Catholic Bulletin, 1994, vol. XV, fq.150, University of San Francisco USA, botoi një dokument që u pat shkrue nga amerikani Profesor Dr. Stephen Schwartz: 

“On March 24, 1911 the Albanian double-headed eagle flag was raised for the first time in five centuries since the death of Scanderbeg. The flag was raised on the top of Deçiq mountain, near the toën of Tuzi. It had been wrapped and secretly carried from Shkoder by Franciscan Father Mati Prennushi under his religious habit.” Që në gjuhën shqipe domethanë: “Më 24 Mars 1911, pesë shekuj mbas vdekjes së Skënderbeut, për herë të parë u ngrit Flamuri Shqiptar me shqiponjën dykrenare. Flamuri u ngrit në maje të malit Deçiq, afër qytetit të Tuzit. Atë e solli në mënyrë të fshehtë nga Shkodra, Françeskani At Mati Prennushi, i cili e kishte palosë nën zhgunin e tij.” U ngrit për mos me zdrypë kurrma, kurrma!

Tingujt e Lahutës.., vazhdonin Kangët e veta…Ky dokument i randësishëm Historik ka të shenueme datën që u firmue nga Atdhetarët: Gërçe, 23 Qershor 1911.  

Sigurisht, kjo lejon me pranue pa kushte edhe pjekuninë e Tyne  politike dhe kulturore, të cilën sot fatkeqsisht e dishrojmë në të gjitha hallkat Shtetin Shqiptar, deri tek Presidenti, që kur pret qeveritarë turq heqë nga zyra e vet bustin e Heroit kombëtar Gjergj Kastriotit..                                                             

Me 28 Nandor 1912 Shqipnia fitoi Pamvarsinë vetem me kambnguljen burrnore të Luigj Gurakuqit, i cili me revole mbi tavolinë u tha të gjithë pjesmarrësve n’ Vlonë: 

“Sot me 28 Nandor 1912, o do të Shpallet Pamvarsia e Shqipnisë, ose nuk del i gjallë asnjeni prej këtu ku jemi të mbledhun!” Dhe, ashtu u ba! 

Eshtnat e Ded Gjo’ Lulit i treguen Shqiptarëve e Shqipnisë mbarë, se: 

“Për Ty vdiqa, Për Lirinë tande! Nuk kam dashtë tjetër!”

Shqiptarët dolën nga robnia Turke me armë në dorë dhe janë të gjithë tradhëtarët e vendit që po me armë e vrasje të pabesa u shërbyen serbëve me sjellë një okupacion tjetër, vetëm pse nuk arrijtën asnjëherë me u çveshë nga fanatizmi anadollak, i cili ndër shekuj e ka tregue këtë qendrim të tyne antikombëtar, tue i shërbye kujtdo përveç Atdheut! E persa vite, mbas 1912, nuk u gjet asnjë Shkodranë me drejtue  një ditë të vetme Shtetin Shqiptar?

***

Qeveria e parë e Shqipnisë u krijue në vitin 1912 me kryeministër Ismail Qemal beu, nga data 29 nëntor 1912 deri më 1914. 

Mbas qeverisë së tij radhiten 44 kryeministra të tjerë deri tek kryeministri i sotëm të cilët kanë ushtrue këtë detyrë për periudha të ndryshme kohore:

Mehmed Fevzi bej Alizoti; janar-mars 1914.

Turhan Pashë Përmeti; 15 mars deri më 3 shtator 1914, dhe 1918 deri në vitin 1920.

Esat pashë Toptani; 5 tetor 1914 – 27 janar 1916.

Sulejman bej Delvina; 30 janar 1920 – 14 nandor 1920.

Iljaz bej Vrioni; 10 dhjetor 1920 deri 19 tetor 1921

Pandeli Evangjeli; 19 tetor 1921 deri 6 dhjetor 1921

Qazim Koculi; 6 dhjetor 1921 deri 7 dhjetor 1921

Hasan Prishtina; 7 dhjetor 1921 deri 12 dhjetor 1921

Idhomene Kosturi; 12 dhjetor 1921 deri 30 dhjetor 1921

Xhafer Ypi; 30 dhjetor 1921​ deri 4 dhjetor 1922

Ahmet Zogu; 4 dhjetor 1922 deri 5 Mars 1924

Shefqet bej Vërlaci; 5 Mars 1924 deri 2 qershor 1924

Iljaz bej Vrioni; 2 qershor 1924 deri 16 qershor 1924

Fan Noli; 16 qershor 1924 deri 26 dhjetor 1924

Ahmet Zogu; 26 dhjetor 1924 deri 30 janar 1925

Koço Kota; 10 shtator 1928 deri 5 Mars 1930

Pandeli Evangjeli; 5 Mars 1930 deri 22 tetor 1935

Mehdi bej Frashëri; 22 tetor 1935 deri 9 nandor 1936

Shefqet Vërlaci; 12 prill 1939 deri 4 dhjetor 1941

Mustafa Kruja; 4 dhjetor 1941 deri 19 janar 1943

Eqrem bej Libohova​; 19 janar 1943 deri 13 shkurt 1943

Maliq Bushati; 13 shkurt 1943 deri 12 maj 1943

Eqrem bej Libohova​; 12 maj 1943​ deri 9 shtator 1943

Ibrahim bej Biçaku; 9 shtator 1943 deri 24 tetor 1943

​Mehdi bej Frashëri; 24 tetor 1943​deri 3 nandor 1943

Rexhep bej Mitrovica; 3 nandor 1943 deri 18 korrik 1944

Fiqri Dine; 18 korrik 1944​ deri 26 tetor 1944

​Enver Hoxha;​1 janar 1946 deri 20 korrik 1954​

Mehmet Shehu; 20 korrik 1954 deri 18 dhjetor 1981

​Adil Çarçani ;18 dhjetor 1981 deri 22 shkurt 1991

​Fatos Nano; 22 shkurt 1991 deri 5 qershor 1991

​Ylli Bufi; 5 qershor 1991 deri 10 dhjetor 1991

Vilson Ahmeti; 10 dhjetor 1991 deri 13 prill 1992

​Aleksandër Meksi; 13 prill 1992 deri 11 Mars 1997​

Bashkim Fino; 11 Mars 1997 deri​ 24 korrik 1997​

Fatos Nano; 24 korrik 1997 deri 2 tetor 1998​

Pandeli Majko; 2 tetor 1998​ deri 29 tetor 1999​

Ilir Meta; 29 tetor 1999 deri 22 shkurt 2002

Pandeli Majko; 22 shkurt 2002 deri 31 korrik 2002

​Fatos Nano;31 korrik 2002 deri 11 shtator 2005

​Sali Berisha; 11 shtator 2005 deri 8 shtator 2013​

Edi Rama; 8 shtator 2013 -​Kryeministër në detyrë…

Nga viti 1939 e deri në vitin 1944, 29 Nador Shqipnia asht e pushtueme.

PRESIDENTA TË SHQIPNISË:

  1. AHMET ZOGU, president i 1-rë i Republikës

Ditëlindja: 8 tetor 1895

VENDLINDJA: Burgajet, Mat.

KOHA E QENDRIMIT NË DETYRË: 30 janar 1925  deri më 1 shtator 1928

ARSIMIMI:I paarsimuem në Turqi dhe Austri dhe i padiplomuar në Akademi. PËRKATËSIA FETARE: Musliman

DETYRA TË TJERA SHTETËRORE: Mbret, kryeministër, ministër i Brendshëm, deputet.

VDEKJA: 9 prill 1961, I daignostikuem me kancer. Vorroset në Francë.

  1. OMER NISHANI, presidenti i 2-të i Republikës (President i presidumit të Kuvendit Popullor)

Ditëlindja: 1887

VENDLINDJA: Gjirokastër.

KOHA E QENDRIMIT NË DETYRË: 10 janar 1946 deri më 31 korrik 1953

ARSIMIMI: Mjek, i diplomuar në Stamboll, Turqi.

PËRKATËSIA FETARE: Orgjinë muslimane. Ateist

DETYRA TË TJERA NË SHTET: Ministër i Jashtëm, deputet.

VDEKJA:  25 maj 1954 me vetëvrasje.

  1. HAXHI LLESHI, presidenti i 3-të i Republikës (Kryetar i presidumit të Kuvendit Popullor)

Ditëlindja: 19 tetor 1913

VENDLINDJA: Dibër,

KOHA E QENDRIMIT NË DETYRË: 1 gusht 1953 deri më 21 nëntor 1982.

ARSIMIMI: Arsimim fillor, i padiplomuem.

DETYRA TË TJERA NË SHTET: Ministër i Brendshëm, deputet.

PËRKATËSIA FETARE: Me orgjinë muslimane, atesit.

VDEKJA: 1 janar 1998, natyrore. 84 vjeç, 9 muaj e 18 ditë.

  1. RAMIZ ALIA, presidenti I 4-ët I republikës (Kryetar i presidumit dhe president)

Ditëlindja: 18 tetor 1925.

VENDLINDJA: Shkodër. (Ardhë nga Bosnja)

KOHA E QENDRIMIT NË DETYRË: Që nga 22 nëntori 1982 deri më 2 prill 1992.

ARSIMIMI: Diplomuar në shkollën e Partisë, Moskë, Rusi.

PËRKATËSIA FETARE: Me orgjine muslimane, ateist.

DETYRA TË TJERA NË SHTET: Ministër i Arsimit, deputet.

VDEKJA: 17 tetor 2011, natyrore.

  1. SALI BERISHA, presidenti I 5-të i Republikës.

Ditëlindja: 15 tetor 1944.

VENDILINDJA: Vuçidol, Tropojë.

MOSHA KUR MORI DHE LA DETYRËN: E mori detyrën në moshën 47 vjeç, 5 muaj e 25 ditë dhe e la 52 vjeç, 8 muaj e 26 ditë.

ARSIMIMI: I diplomuar për Mjekësi në universitetin e Tiranës.

PËRKATËSIA FETARE: Familja me prejardhje muslimane.

DETYRA TË TJERA NË SHTET: Kryeministri i 32-të i shtetit shqiptar, deputet.

  1. REXHEP MEIDANI, presidenti i 6-të i republikës.

Ditëlindja: 17 gusht 1944.

VENDILINDJA: Tiranë

KOHA E QENDRIMIT NË DETYRË: 24 korrik 1997 deri më 24 korrik 2002.

ARSIMIMI: I diplomuar për fizikë në universitetin e Tiranës.

PËRKATËSIA FETARE: Familja me prejardhje muslimane.

DETYRA TË TJERA NË SHTET: Deputet.

  1. ALFRED MOISIU, presidenti i 7-të i republikës

Ditëlindja: 1 dhjetor 1929.

VENDLINDJA: Shkodër. (Me origjinë nga Jugu)

KOHA E QENDRIMIT NË DETYRË: 24 korrik 2002-24 korrik 2007.

ARSIMIMI: I diplomuem ushtarak.

PËRKATËSIA FETARE: Ortodoks

DETYRA TË TJERA NË SHTET: Ministër i Mbrojtjes.

  1. BAMIR TOPI, presidenti i 8-të i Republikës.

Ditëlindja:24 prill 1957

VENDLINDJA: Durrës.

KOHA E QENDRIMIT NË DETYRË: Nga 24 korriku 2007 deri më 24 korrik 2012 

MOSHA KUR MORI DETYRËN: E mori detyrën 50 vjeç e 3 muaj.

ARSIMIMI: I diplomuem si mjek veteriner në Universitetin Bujqësor, Kamëz.

PËRKATËSIA FETARE: Familja me prejardhje mulsimane.

DETYRA TË TJERA NË SHTET: Ministër i Bujqësisë, deputet.

  1. BUJAR NISHANI, presidenti i 9-të i Republikës.

Ditëlindja: 29 shtator 1966.

VENDLINDJA: Durrës

KOHA E QENDRIMIT NË DETYRË: 24 korrik 2012–24 korrik 2017

ARSIMIMI: I diplomuar ushtarak dhe jurist.

PËRKATËSIA FETARE: Familja me prejardhje muslimane.

DETYRA TJERA SHTETNORE: Ministër i Brendshëm, ministër i Drejtësisë, deputet.

  1. ILIR META, presidenti i 10-të i Republikës

Ditëlindja: 24 MARS 1969

VENDLINDJA: ÇEPAN, SKRAPAR.

DITA KUR U ZGJODH PRESIDENT: 28 PRILL 2017, ORA 18.00.

ARSIMIMI: DIPLOMUAR PËR EKONOMI NË UNIVERSITETIN E TIRANËS.

PËRKATËSIA FETARE: Musliman Bektashi.

***

Janë plot 110 vjetë që Shqiptarët kujtojnë se kanë fitue Pamvarsinë Kombtare, me 28 Nandor 1912. Por prej asaj ditë, me 29 Nandor 1912, Shtetin Shqiptar e ka drejtue Ismail Qemal beu i Vlonës që s’ishte dakord me  “Pamvarsi të plotë nga Turqia”.

E Shqiptarët tash 110 vjetë vazhdojnë të qeverisen nga disa“mbeturinat anadollake”! 

Shteti ma i mbrapambetun i Europës, dhe gjithnjë jashta Saj, ku sundon korrupsioni, hajnia, imoraliteti, vllavrasja, shfarosja, pabesia, paburrnia, urrejtja, ateizmi, shperdorimi i detyrës, injoranca, mendjemadhsia, kapadailleku, trafikantët e drogës. E gati harrova: Shkatrrimtarët e vertetë të Shtetit Shqiptar!

Melbourne,  21 Janar 2022.

Filed Under: Komente

Dorë pushteti

January 20, 2022 by s p


Astrit Lulushi/

Shumica mund të gabojë po aq rëndë sa disa. Kjo e vërtetë është e njohur edhe mes politikanëve, të cilët prej 30 vjetësh janë angazhuar në procesin e tranzicionit, ose formimin e Shqipërisë kapitaliste apo si Europa. Duke i ndarë votuesit përmes sistemit të partive politike, ata shpenzojnë energjitë e tyre për të luftuar për çështje pa rëndësi. Kështu, me veprim të matur politikanët mund të sigurojnë për vete atë që kanë planifikuar kaq mirë dhe kanë arritur me kaq sukses; përçudnim dhe kthim prapa, madje nuk u dhimset të shkojnë deri në periudhën osmane kur vendi ishte vasal. Zgjedhja nga vetë njerëzit, përgjithsisht nuk dallohet për mençuri. Dora e pushtetit dirigjon e i bën votuesit të zgjedhin atë që i nevojitet sistemit; kështu pushteti bëhet gjykatësi i vetes. Zoti nuk ekziston, prandaj çdo gjë është e lejuar, thoshte Niçe. Por jo çdo gjë është e lejuar, prandaj Zoti ekziston, përgjigjej Dostojevski.

Filed Under: Komente

Erdogani inaguroi pushtimin ekonomik

January 17, 2022 by s p

Ilir Levonja/

Në internet qarkullon një foto se si një makinë vinç, me dy ustallarë në kovë, mbulojnë faqen e shembur të një banese. Arsyeja, nga që do vi Erdogani. Apo aty diku kalon Erdogani dhe që mos të dukemi për ibret të Zotit, po e mbulojmë. Nga kjo kuptojmë se godina në fjalë ndodhet në Laç ku sot Erdogani dha çelsat e 522 shtëpive etj., për më tepër bash në ditën e pervjetorit të ndarjes nga jeta të heroit tonë kombëtar. Unë nuk po merrem me këtë fakt se sot po çahet interneti me patriotizëm nga njëra anë dhe nga ana tjetër me heshtje varri nga përkrahësit e Ramës. Por një fjali shkurt duhet thënë, sa për Turqinë dhe Erdoganin që tashmë ka dy dekada në pushtet, të gjithë ishat janë çmendur nga dashuria për ‘të. Me Fatos Nanon, me Sali Berishën, pa diskutim dhe ky qillotaxhiu. Kjo rrjedh nga edukata tashmë gangrenë e jona, ndihmat. Tek ne ndihma nga jashtë është mendësi shekujsh. Mirë për çështje të mëdha a kur të duhet lëvizësh malet, por edhe për thërrimet, ne jemi gati të hapemi dyersh. Ndaj mos u habisni sot me faktin se përse Erdogan po vjen bash përvjetorin e ndarjes nga jeta të heroit tonë kombëtar. Ju ka blerë, totalisht… aq të dëshpëruar jemi sa mbulojmë rrënojat me mushama të vizatuara, mushama murale. Kur e pyet dikë në lidhje me këtë fakt, të thotë nuk kemi. Megjithëse është një planifikim bajat se nuk besoj që një bashki, a një komunitet, a një biznes të mos ketë pesë muratorë e dy bojaxhinj për të ndrequr një fasadë. Mirëpo, të mbysin, të thonë nuk kemi. Dhe është e logjikshme sepse, aq shumë pagesa sa ishin bërë për qokë, nga fond i gjoja inceneratorëve, përqindje kjo e ajo, mediash e këshilltarësh. Me emra i publikoi ai zotria, por shqiptarët po merren me luftën Berisha-Basha, për më tepër u mjaftuan me arrestimin e Lefter Kokës dhe aq. Megjithëse faqe të tëra prokurash ishin aty me përqindje të dhëna në dorë, deri gjoja këshilltarë për Bashkitë më të humbura të vendit. Bordero paralele, një për vete një për shtetin, informalitet apo krimi ekonomik i mirëfilltë. Por prapë shtypi merret me Berishën, merret me Bashën. Lekun e tyre e kanë vjedhur ata që bëjnë të kulluarit nëpër studiot e telvizioneve, vet televizionet, gazetarët, shqiptarët i dëgjojnë me sytë zgurdulluar. Ore, ju kanë vjedhur, ata janë hajdutë, nuk e kanë për turp të dërgojnë fëmijët nëpër shkollat e botës me lekët tuaj, ju shqyheni sysh. Puthni ekranin kur shajnë Berishën. Nuk thonë një gjysmë fjalë se ju kanë rjepur, jo vjedhur, por rjepur. Evokojnë konfliktin, jo vjedhjen. Kurse qeveriu evokon ”miqësinë” tradicionale të vëllait, ndihmën këtë gangrenë të shqiptarëve, edhe pse janë po aq inteligjentë sa hollandezët apo hebrejtë. Nuk ka vendi ynë as tulla e as llaç. Nuk kemi as krahë punë…, pika neve. Dhe i gëzohemi Erdoganit si kalamajtë plakut të krishtilindjes a plakut të vitit të ri siç e quanin komunistët, përfshi bllokmenët shqiptarë. Vjedhin Shqipërinë për vete dhe e ndertojnë atë me ndihma sikur të jemi popull invalid. Ky është realiteti shqiptar, jo ai që thotë Edi Rama dhe kompania e tij. Erdogani ju ka ndërtuar xhamitë, shtëpitë, spitalet, ju bën të mbuloni fasadat e rrënuara me mushama, ju kërkon rishikimin e historisë etj. Ka të drejtë, sepse na kanë mbytur invalidët, jo shtetarët. Shkurt jemi kthyer në një vend invalid. Vend pordhaxhinjësh.

Filed Under: Komente

LUIGJ ÇEKAJ DHE LIBRI I TIJ I DHIMBJES

January 10, 2022 by s p

“Unë vij nga Shkodra” (Në 1-vjetorin e kalimit të tij në amshim) 

                                               Nga Frank Shkreli 

A person standing at a podium

Description automatically generated with medium confidenceShoqata e Shkrimtarëve Shqiptaro-Amerikanë (SHSHSHA) organizoi takim letrar për veprën e Poetit dhe shkrimtarir Luigj Çekaj, (Postmortem), me rastin e 1-vjetorit të kalimit të tij në amshim. Takimi u mbajt me 9 Janar, 2022, në Qëndrën Nënë Tereza, pranë Kishës Katolike Shqiptare, “Zoja e Shkodrës”, në Hartsdale të Nju Jorkut. Sipas Shoqatës së Shkrimtarëve Shqiptaro-Amerikanë, takimi në kujtim të ndjerit Luigj Çekaj, mbahet në kuadër të nismës së Shoqatës për, siç thuhet, “dinamizimin e veprimtarive me qëllim të afirmimit të vlerave letrare të shkrimtarëve shqiptarë që punojnë dhe krijojnë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.”  Ndër folësit, në këtë takim, i ftuar nga (SHSHSHA) të fliste për vlerat personale dhe artistike të poetit/shkrimtarit Luigj Çekaj, ishte edhe autori i këtij shkrimi — bashkvendas i tij me origjinë nga Shkreli i Malësisë së Madhe — i cili, e kujtoi poetin me këto fjalë: 

Përshëndetjet e rastit…

Ishte, pikërisht, në këtë ditë të 9 Janarit, 2021, në këtë kishë, “Zoja e Shkodrës”, ku u celebrua mesha për shpirt të dashurit tonë, kolegut dhe mikut të shumë shqiptarëve që e kanë njohur atë gjatë viteve e dekadave — të ndjerit poet e shkrimtar, Luigj Çekaj.  Me të ardhur në Shtetet e Bashkuara të Amerikës në fillim të 1990-ave, Luigj Çekaj, si edhe shumë shqiptarë të tjerë para dhe pas tij, ishte i lidhur me këtë qëndër, me këtë kishë, jo vetëm si antar dhe besimtar që frekventonte cermonitë fetare, por edhe si shkrimtar e poet dhe për disa vite si redaktor i organit të Lidhjes Katolike Shqiptaro- Amerikane, revistës “Jeta Katolike Shqiptare”.  Me këtë rast, me mall kujtoj fillimet e mia gazetareske me këtë revistë, në kohën e Mons. Dr. Zef Oroshit, në fillim të 1970-ave.  Duket se, pjesën më të madhe të veprimtarisë së saj, revista e “Jeta Katolike Shqiptare”, është drejtuar nga përfaqsues të fisit të Shkrelit, përfshir Mark Koliqi Shkreli, i cili për një kohë të gjatë tashti vazhdon si kryeredaktor i saj.

Para do kohe kam shkruar një artikull të gjatë për Luigj Çekaj, kështuqë nuk dëshiroj të zgjatem – duke mos dashur të testoj as durimin tuaj — jo se nuk e meriton Luigj Çekaj — por dua që edhe të tjerët të kenë mundësi të flasin për Luigjin, sidomos për vlerat poetike të tij, një fushë në të cilën unë jam i mangët.  


Luigj Çekaj me origjinë ishte nga Shkreli i Malësisë së Madhe të mbi-Shkodrës nga fshati Bzhetë, nga rrjedhë edhe familja ime. “Në Shkrel, te shtëpia e prindërve të mi”, është një ndër poezitë e Luigjit, dedikuar vendlindjes. Atje ku, “Te muri, në vend të lahutës, bimë vjerrëse varen. Atje ku piqej buka, tani zogu ndjen uri.”

Kur Luigji ka qenë në moshën 3 vjeçare, në vitin 1953, babai i tij Kolë Çekaj, për t’i shpëtuar dënimit të sigurt me vdekje nga regjimi komunist i Enver Hoxhës, ishte arratisur në Jugosllavi, ku ka qëndruar për disa vite.  Për një kohë, edhe në shtëpinë e familjes time në fshatin Amull. Me Luigjin ishim moshatar.  Më kujtohet kur babai i Luigjit, Kolë Gjoka, në shtëpinë tonë më përkëdhelte duke shprehur mallin për djalin e tij Luigjin, ndërsa më thoshte “e kam lenë një djal sa ti në Shqipëri, e më ka marrë malli shumë për të”.  Sidoqoftë, i ati i Luigjit, eventualisht, vendoset në Amerikë, ndërsa Luigj i vogël, në moshën 2-3 vjeçare njolloset nga regjimi komunist shqiptar me etiketimin absurd të një të prekuri politik. Vet Luigji, me nënën dhe motrën do të jetonin nën tmerin e persekutimit, burgosjes dhe diskriminimit nga diktatura komuniste.  


Luigji, gjithmonë e ka pasur pasion letersinë, por mundësia për të botuar ju dha vetëm pas shembjes së Murit të Berlinit.  Fillimisht, (1991-1993) ai ka kontribuar si redaktor i poezisë në gazetën e pavaruar “Besa” në Shkodër. Pastaj, ai si shumë të tjerë, do të vinte këtu në Nju Jork si emigrant politik, duke realizuar, “Endërrën që u zgjat sa jeta…nga Shqipëria në Amerikë më kishte zgjatur rrugëtimi rreth 40 vjet, pa ndërprerje…”, ka shkruar Luigji në librin e tij, ‘Unë vij nga Shkodra’, atje, “ku kam provuar thikën e luftës së klasave”, në brinjë.  

Vendoset në Bronx të Nju Jorkut, ku duke filluar nga 1994 gjëndet pranë dhe bashkpunon me mediat e diasporës, ndërsa ishte i angazhuar edhe me punë të tjera për të mbajtur gjallë familjen. Më vonë i bashkohet revistës, “Jeta Katolike”, organ i Kishës Katolike Shqiptare, “Zoja e Shkodrës” në Hartsdale, Nju Jork.

Përveç këtij aktiviteti Luigji ka botuar disa vepra me poezi, por edhe librin me prozë, “Unë vij nga Shkodra”, nga ku ka përmbledhur mbresat dhe kujtimet e tij nga jeta dhe takimet e shumta në Shqipëri dhe Amerikë — përfshir një numër personalitetesh si Dom Pjetër Popaj, Dr. Rexhep Krasniqi, Profesor Peter Prifti, Dr Agim Lekën, Z. Tonin Mirakaj, e të tjerë shqiptaro-amerikanë të rëndomtë që kishte takuar në jetën e përditëshme. 

Titulli i librit, “Unë vij nga Shkodra”, mund të përcjell idenë se është një vepër kushtuar vet autorit, por në të vërtetë është një libër, kryesisht, për të tjerët, kushtuar personave dhe personaliteteve me të cilët është takuar gjatë jetës së tij, ose me të cilët kishte punuar, përpara dhe pas shpërnguljes së tij në Amerikë. Ndonëse jetoi në Amerikë për tre dekada dhe megjithëse u largua nga Shkodra, “I pezmatuar”, sipas fjalëve të tij — Luigji nuk harroi kurrë se nga vinte. 

Thuhej dikur për Luigj Gurakuqin se, “Ku ish Luigji, ish përfaqësue Shkodra”.  Edhe për Luigjin tonë mund të thuhet se ku ishte Luigj Çekaj, ai aty përfaqësonte dhe mbronte Shkodrën. Megjithë vuajtjet e tija dhe të familjes, ai ishte krenar për Shkodrën dhe për Shqipërinë, atje ku kishte kujtimet e tija.

 “Shqipëri, asgjë në botë veç nënës,
Nuk kam dashur më shumë se ty.”, shprehet ai.

Vërtetë, i tillë ishte poeti e shkrimtari Luigj Çekaj, kurrë nuk nuk e humbi dashurinë për Shqipërinë — nuk ankohej për vuajtjet dhe kalvarin e gjatë nëpër të cilin kishte kaluar ai dhe familja e tij nën regjimin diktatorial të Enver Hoxhës. As nuk qahej për ndonjë dhembje shpirtërore ose shëndetësore, as për sëmundjen që më në fund i mori jetën para kohe, në moshën 70-vjeçare, në Nju Jork. 


Në Nju Jork, Luigj Çekaj është shquar dhe vlerësuar nga komuniteti shqiptaro-amerikan në përgjithësi, por në veçanti, nga komuniteti i intelektualëve shqiptaro-amerikanë, si një kontribues i vyer ndaj kulturës shqiptare këtu në Amerikë dhe më gjerë.

Luigj Çekaj simpatizohej nga të gjithë, pa dallim, me të cilët ai vinte në kontakt: respektohej për sjelljet e tija prej një zotërije të vërtetë, për fisnikërinë e natyrës së tij prej malësori, si dhe për njerëzinë dhe çiltërinë e përzemërt, duke bërë shumë miq këtu në Shtetet e Bashkuara, shqiptaro-amerikanë nga të gjitha trojet shqiptare, por edhe të tjerë. 

Vini re folësit sot këtu, të renditur në programin e kujtesës për Luigj Çekajn, por edhe pjesëmarrësit në sallë — përfaqsues nga të gjitha trojet shqiptare, duke filluar nga Presheva,  Kosova, Malësia e Madhe e deri në Vlorë.

Luigji ishte në harmoni të plotë me të gjithë, pa dallim krahine, feje, ose profesioni. Prandaj edhe respektohej dhe nderohej nga të gjithë, sepse ashtu i trajtonte të gjithë: me respektin dhe me nderimin që meritonin njerëzit me të cilët punonte e bashkpunonte. Veti të rralla këto, por jo të pa dëgjuara për bashkvendas tanë, të atyre anëve.

Luigji fliste dhe shkruante për të tjerët.  Shkrimet e tija dallohen për dashurinë dhe për respektin e tij për njeriun, për të tjerët, por edhe në shenjë mirënjohjeje, për ata që e kishin ndihmuar, sidomos, në fillim kur, si të gjithë ne, edhe ai ishte përballur me vështirsitë e adaptimit në këtë vend. 

Me prozë dhe me poezi dedikuar të tjerëve, ai i ngritë shqiptarët por edhe të tjerët, që ai ka takua gjatë jetës, sidomos ata që ka njohur dhe me të cilët është takuar këtu në Shtetet e Bashkuara, qoftë edhe për një kohë të shkurtër, por që kanë lenë mbresa të forta njerëzore dhe atdhetare tek poeti Çekaj. 

Duke lexuar librin, “Unë vij nga Shkodra”, të Luigj Çekaj, njeriu pyet veten, sa shumë shokë paska pasur.  Fjala e urtë, “Trimi i mirë me shumë shokë”, i përshtatet shumë Luigjit.

Lajmi, një vit më parë, se Luigji ishte ndarë prej nesh, përgjithmonë, erdhi në kulmin e përhapjes së mjeruar të COVID-19.  Mungesën e tij nuk e ndjejmë hiç më pak sot se një vit më parë. Shkuarja e parakohëshme në amshim e poetit dhe shkrimtarit, Luigj Çekaj, mjeroi familjen e vet në radhë të parë, të afërmit e tij, por varfëroi edhe shumë dashamirës të letërsisë dhe kulturës shqiptare. 

Komuniteti shqiptaro-amerikan në Nju Jork ka humbur një aktivist dhe mbështetës të papritueshëm, ndërkohë që bota e jonë shqiptare këtu në Amerikë, mbeti pa një organizator dhe frymëzues aktivitetesh, në favor të lartësimit të gjuhës dhe kulturës kombëtare në këtë vend të bekuar, ku të gjithë gjetëm strehim dhe mundësi për të ushtruar dhe zhvilluar talentet tona që na ka falë Perëndia.

Me jetën plot vuajtje të rënda dhe me veprat e tija të vlerësuara nga intelektualët e dalluar shqiptaro-amerikanë me të cilët bashkëpunoi ngusht pas vendosjes së tij në Amerikë, Luigj Çekaj si njeri, si poet e shkrimtar, nderoi veten dhe familjen e tij të ngushtë, fisin e origjinës dhe më gjerë.  Shkodra dhe Shkreli janë krenarë me ‘të, ndërsa komuniteti shqiptaro-amerikan është përgjithmonë mirënjohës për kontributin e tij të vyer që ka dhënë për vitet sa jetoi dhe punoi në gjirin e komunitetit tonë këtu në Shtetet e Bashkuara. 

Me jetën dhe veprimarinë e Luigjit, është krenare, sidomos, familja e ngushtë e Luigjit, bashkshortja Violeta dhe fëmijt e tyre, ashtu si edhe rrethi më i gjerë familjar. Por, jemi krenarë edhe ne që kemi pasur fatin ta njohim, sado pak, Luigjin dhe familjen.  Jemi krenarë për të — se megjithë travajët, mundimet dhe sakrificat e tija edhe të familjes së tij nën regjimin diktatorial çnjerëzor komunist të Enver Hoxhës, Luigj Çekaj nuk humbi asnjëherë dashurinë për Shkodrën dhe Shkrelin, as nuk ndërpreu kurrë veprimtarinë e tij për forcimin dhe lartësimin e vlerave të vërteta të malësorit, të shqiptarit dhe të Atdheut –Shqipëri!

Me ndiesi miqësije vëllazërore për të dhe familjen e tij, në këtë 1-vjetor të ndarjes së tij prej nesh — Luigji pastë dritë në amshim! Familjes së ngushtë dhe më të gjerë, dashamirësve, miqëve dhe kolegëve të tij të shumtë u dhashtë Zoti forcë.  I përjetëshëm qoftë kujtimi i tij.

Frank Shkreli

May be an image of 2 people and people standing

May be an image of 5 people and people standingDom Pjetër Popaj, famullitari i Kishës Zoja e Shkodrës në Nju Jork duke përshnëdetur pjesëmarrësit. 

May be an image of 14 people and people standingBashkshortja e të ndjerit Luigj Çekaj dhe djali Terenc Çekaj duke pranuar dekoratën postmortëm në emër të dashurit të tyre nga Nën-Kryetari i Federatës Pan-Shqiptare Vatra, Dr. Pashko Camaj 

*Fotot e mësipërme nga aktiviteti në Qendrën “Nënë Tereza”, Kisha Katolike Shqiptare “Zoja e Shkodrës”, janë marrë nga Facebook e Gazetës Dielli, organ i Federatës Pan-Shqiptare Vatra

A person in a suit and tie

Description automatically generated

Luigj Çekaj, 1950-2021 — “Për herë të parë e të fundit në moshën dy vjeç, më arrestuan”.

Text, whiteboard

Description automatically generated
A group of people posing for a photo

Description automatically generated with medium confidence

       Autori me familjen e ngusht të ndjerit poet Luigj Çekaj

Filed Under: Komente

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 118
  • 119
  • 120
  • 121
  • 122
  • …
  • 489
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Kullat e familjeve të mëdha patriotike si objekte të trashëgimisë historike
  • ALARM SIGURIE DHE NDËRGJEGJËSIMI KOMBËTAR
  • Edith Durham – Shqiptarët dhe serbomalazezët në 1910-1912
  • Public Statement from VATRA
  • “Universi Biblik” si pasuri e Muzeut të Artit Mesjetar
  • Lavdi përjetë martirëve të 2 prillit!
  • KOSOVA DHE PAVARËSIA E SAJ NË KËNGËT E ARIF VLADIT
  • Masakra e Tivarit – Një e vërtetë e shtypur për shumë kohë
  • Pasqyrimi në filateli i mbështetjes amerikane ndaj Shqipërisë gjatë L2B
  • MASAKRA E TIVARIT, 1945: HESHTJA ZYRTARE QË VAZHDON TË VRASË
  • DR.ATHANAS GEGAJ, EDITORI I “DIELLIT” NË OPTIKËN E DOKUMENTEVE ARKIVORE TË VATRËS (1963-1971)
  • Kujtojmë në ditën e lindjes patriotin e shquar Kostandin Çekrezi, figurë e rëndësishme e historisë dhe publicistikës shqiptare
  • Vasil Rakaj, malësori që ngjizi me shkëmb, metal, dru, baltë dhe shpirt, altarin e përjetësisë
  • “Ajo që pashë në Raçak më ndryshoi jetën”, ambasadori Walker rrëfen në Boston çfarë ndodhi në Kosovë
  • VATRA Boston dhe Kisha “Holy Trinity” promovuan librin “Saint Paul in Dyrrach” të profesor Thanas Gjikës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT