• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Kosovë-Jahjaga fton spektrin politik parlamentar për dialog

October 19, 2015 by dgreca

-Deklaratë e Presidentes së Republikës së Kosovës/
-Në pritje të takimeve të Presidentes me drejtuesit politikë, mbledhja e Kryesisë së Kuvendit të Republikës së Kosovës, e paraparë për sot, është shtyrë për ditën e martë/
-AAK, një nga tre partitë opozitare, do mbajë konferencë për shtyp/
Nga Behlul Jashari/ PRISHTINË, 19 Tetor 2015/ Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, në një konferencë shtypi sot deklaroi se, pas konsultimeve me krerët e institucioneve, me Kryeministrin dhe Kryetarin e Kuvendit për t’i njoftuar me vendimin tim, ftoj për dialog politik partitë politike parlamentare në përpjekje për të tejkaluar gjendjen e krijuar në vend.
“Veprimet e dhunshme dhe diskursi si në institucione dhe jashtë tyre të ditëve të fundit janë të papranueshme dhe rrezikojnë të lëndojnë konsensusin demokratik në Republikën e Kosovës”, theksoi ajo.
Mandati im si Presidente e vendit, vijoi Jahjaga, është të garantoj funksionimin demokratik të institucioneve dhe të shërbej si faktor uniteti, dhe mbi këtë bazë e ftoj spektrin politik parlamentar të Kosovës që të pranojnë këtë ftesë për dialog për mospajtimet në këto javët e fundit.
“Tashmë ftesat subjekteve politike si të koalicionit qeveritar ashtu edhe partive opozitare u janë dërguar, fillimisht për takime të ndara në zyrën time, dhe përfundimisht – në mirëbesim – në tryezë të përbashkët”, tha Presdientja e Republikës.
Shpresoj, vijoi Jahjaga, që kjo iniciative e imja të ndihmojë që shqetësimet t’i adresojmë me pjekuri politike dhe duke dëshmuar angazhimin tonë që të jetësojmë përkushtimin tonë për një demokraci parlamentare që fuqizon institucionet, forcon besimin e qytetarëve në perspektiven e vendit të tyre dhe krijon pajtimin bazik për rrugën tonë përpara.
“I thërras partitë politike dhe përfaqësuesit e tyre t’i përgjigjen ftesës dhe të tregojnë vullnet që bashkërisht të gjejmë gjuhë të përbashkët për daljen nga kjo gjendje”, theksoi ajo.
Presidentja Jahjaga u shpreh se, tash më shumë se kurrë është momenti t’ua dëshmojmë të gjithë qytetarëve që na e kanë besuar udhëheqjen e këtij shteti se dëshira e tyre për të jetuar në paqe, të kenë një ardhmëri të sigurt për ta e për brezat e ardhshëm nuk është premtim që zbehet përballë sfidës së parë, por udhërrëfyes, obligim, besë e dhënë se dallimet tona, të çfarëdo natyre, i tejkalojmë në tryezë, duke biseduar, duke gjetur zgjidhje bashkërisht dhe duke marrë përgjegjësi për to.
“Përgatitjet për seancën plenare” janë sot në axhendën e mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit të Republikës së Kosovës me kryetarët e grupeve parlamentare.
Kosova po vazhdon të humb në kohë me Kuvendin e saj, i cili në legjislacionin e kaluar ishte 7 muaj jofunksional, 1 muaj para e 6 muaj pas zgjedhjeve parlamentare parakohëshme të 8 qershorit, derisa u mblodh në seancën konstituive shumë të vonuar në 8 dhjetor 2014.
Para më shumë se një muaji, raportimi i qeverisë së Kosovës lidhur me katër marrëveshjet e arritura në Bruksel më 25 gusht 2015 ishte në axhendë në seancat e para të sesionit vjeshtor në 17 e 22 shtator. Në seancën e parë nuk ishin të pranishëm raportuesit dhe koalicioni qeverisës kërkoi shtyrje, ndërsa në të dytën që u shpall e mbyllur pas disa ndërprerjeve e pa u zhvilluar pati edhe gjuajtje vezësh nga opozita drejt kryeministrit sapo ai nisi raportimin.
Kuvendi i Kosovës pa asnjë seancë të përfunduar në sesionin vjeshtor, i bllokuar nga opozita, është mbledhur në një seancë tjetër në 15 tetor të ftuar nga Kryesia me shefat e grupeve parlamentare, në mbledhjen me vetëm përfaqësuesit e subjekteve politike të koalicionit qeverisës, përballur edhe me bojkotin opozitar.
Por, që në fillim deputetët e opozitës bllokuan me “rrethim” të foltorës dhe kryesuesit, e pastaj, për të dytën herë, si edhe një javë më parë, hodhën gaz lotsjellës dhe seanca e Kuvendit të Kosovës u ndërpre.
Derisa ndodhnin zhvillimet në seancën parlamentare dhe pas ndërprerjes së saj, në shesh para ndërtesës së Kuvendit të Kosovës kishte grumbullime për protestë të aktivistëve të opozitës e qytetarëve tjerë.
“Aksionet simbolike” të opozitës, me “rrethime” të foltores e kryesuesëve, fërshëllima, gjuajtje vezësh e gazi lotësjellës në sallën e seancave të Kuvendit, janë pjesë e kundërshtimeve, edhe me protesta në rrugë dhe me një peticion me rreth 200 mijë nënshkrime deri tani, të 4 marrëveshjeve të 25 gushtit me Serbinë dhe marrëveshjes së demarkacionit me Malin e Zi.
“Protesta jonë në Kuvend nuk do të ndalet dhe nuk do të lejojmë normalizimin e ‘Zajednicës’ dhe faljen e tokave të Kosovës Malit të Zi”, ka paralajmëruar opozita në deklaratën e përbashkët të tre partive, LVV, AAK e Nisma.
Opozita shprehet me fjalën serbe “Zajednica” që do të thotë “Bashkësi” dhe nënkupton Bashkësinë/Asociacionin e komunave me shumicë sebe në Kosovë.
Në mbledhjen e sotme të Kryesisë me shefat e grupeve parlamentare, sipas njoftimeve zyrtare nga Kuvendi, “do të diskutohet për vazhdimin e seancës plenare, të ndërprerë në 15 tetor si pasojë e hedhjes së gazit lotsjellës”. Opozita vazhdon të bojkotojë mbledhjet e Kryesisë së Kuvendit dhe komisionet parlamentare, ndërsa kërkon të mos thirren seanca plenare, ku shkon vetëm për t’i bllokuar.
“Kërkojmë nga Kryesia e Kuvendit që të mos thërras më seancë plenare. Çfarëdo insistimi në këtë drejtim është provokim dhe përshkallëzim i situates në Republikën e Kosovës”, ka theksuar opozita në një deklaratë.
Organizata të shoqërisë civile në Kosovë në një deklaratë kanë shprehur opinionin se, “thirrja e seancave plenare pa ndryshim të qëndrimeve dhe rrethanave politike, nuk i shërben daljes nga situata e krijuar politike”, ndërsa theksojnë se “gjuha e dialogut politik është forma e vetme e zgjidhjes së problemeve politike”.
“Po ashtu, ne kërkojmë që në këtë proces të përfshihet edhe Presidentja e vendit si garante e funksionimit kushtetues të institucioneve”, përfundohet në deklaratën e organizatave të shoqërisë civile. Ndërkohë, u njoftua nga Presidenca kosovare se, “Presidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga mban sot konferencë për media”.
SHTYHET PËR NESËR MBLEDHJA E KRYESISË SË KUVENDIT, NË PRITJE TË TAKIMEVE TË PRESIDENTES ME DREJTUESIT POLITIKË
Ndërkohë, mbledhja e Kryesisë së Kuvendit të Republikës së Kosovës, e paraparë për sot, është shtyrë për ditën e martë, në orën 11:00.
Kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli, para fillimit të mbledhjes, i njoftoi nënkryetarët e Kuvendit dhe kryetarët e grupeve parlamentare me iniciativën e presidentes së vendit për takime me drejtuesit institucionalë dhe politikë, lidhur me zhvillimet e fundit politike në Kosovë. Në pritje të zhvillimit të këtyre takimeve, kryetari Veseli propozoi që mbledhja të shtyhet për ditën e nesërme. Propozimi u përkrah njëzëri nga Kryesia.
Kreu i Kuvendit bëri të ditur po ashtu se gjatë kësaj jave do të mbahet mbledhja plenare, e ndërprerë javën e kaluar.

FTESA E PRESIDENTES PARTIVE, AAK KONFERENCË SHTYPI

Pas njoftimit për ftesën e Presidentes, sapo bëhet e ditur nga AAK, partia e dytë opozitare, se do mbajë konferencë për shtyp sot në orën 13:30 në selinë qendrore në Prishtinë. Ende nuk ka ndonjë njoftim nga dy subjektet tjera politike të opozitës së bashkuar, LVV dhe Nisma.

Filed Under: Komente Tagged With: Behlul Jashari, Ftese per dialog, Jahjaga

SHOQATA”LABERIA” KERKON LARGIMIN E KRYEPESHKOPIT JANULLATOS

October 17, 2015 by dgreca

LETER PERSONALITEVE DREJTUESE TE REPUBLIKES SE SHQIPERISE/
Presidentit të Republikës Bujar Nishani/
Kryetarit të Kuvendit Ilir Meta/
Kryetarit të Këshillit të Ministrave Edi Rama/

P ë r k u j t e s ë*/
Ne, anëtarët e Shoqatës “Labëria” Vlorë, duke pasur parasysh qëndrimin më të fundit të kryepeshkopit Anastas Janullatos ndaj çështjes së kishës së Shën Thanasit në Dhërmi, vendosëm t’ju drejtohemi me këtë Përkujtesë për arsyet e mëposhtme.
U bënë më shumë se 23 vjet që kryepeshkopi Anastas Janullatos drejton Kishën Ortodokse të Shqipërisë. Ai erdhi në Shqipëri si eksark,me detyrë që të ringrinte kishën në fjalë, derisa të përgatitej një kryepeshkop shqiptar, dhe mandej ai të largohej për në vendin e vet.
Në letrën që i drejtonte Ramiz Alisë më 03 qershor 1991, Janullatosi shkruante se ai vinte në Shqipëri për “krijimin e kushteve, në një kohë sa më të shpejtë, që Kisha Ortodokse Autoqefale e Shqipërisë të vetëdrejtohet, me bindjen se riorganizimi i Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë duhet të përfundohet në bashkëpunim me ortodoksët e interesuar”. Por, çuditërisht, gjatë këtyre 23 vjetëve, nuk u bë asnjë përpjekje nga ana e tij për përgatitjen e një kryepeshkopi shqiptar, ndërkohë që gjatë këtyre viteve kushdo nga ortodoksët shqiptarë mund të kishte përfunduar 5 universitete për t’u përgatitur për kryepeshkop.
Përkundrazi, Anastas Janullatosi e përjetësoi postin e kryepeshkopit, në kundërshtim me Statutin e Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë,të themeluar nga imzot Fan Noli.
Për më tepër, gjatë kësaj periudhe, Anastas Janullatosi ka mbajtur qëndrime që kanë rënë ndesh me interesat kombëtare të Republikës së Shqipërisë.
Kështu, gjatë kohës që Serbia po bombardohej nga aviacioni i NATO-s, qëlloi që Janullatosi të ndodhej për një vizitë në Moskë. Gjatë asaj vizite, ai i deklaroi agjencisë ruse Itar-Tass se po u derdhkej gjak “i pafajshëm” serb, ndërkohë që Kosova po notonte në lumenj gjaku.Pra,në raport me popullin shqiptar të Kosovës, Janullatosi radhitej përkrah shovinizmit serbomadh që po masakronte Kosovën barbarisht.
Në gazetën “Kathimerini” Janullatosi para ca vitesh ka deklaruar:“Nuk e kuptoj idenë e shqiptarëve që feja e shqiptarit është shqiptaria.
Këtë tezë do ta luftojmë, duke dalë hapur kundër Rilindjes Kombëtare Shqiptare”.
Janullatosi ka kërkuar që Bashkimi Evropian të jetë një bashkim politik i krishterë, ku, sigurisht, të mos marrë pjesë Shqipëria që shumicën e popullsisë e ka të fesë islame.
Në intervistën që i ka dhënë gazetarit amerikan Fred Reed në vitin 1996, Janullatosi ka thënë: “Njerëzit në Perëndim duhet ta kuptojnë se islamizmi është, në thelb, një fe politike”, duke anashkaluar në një mënyrë cinike faktin që feja në Greqi drejton shtetin.
Po në intervistën e sipërpërmendur të vitit 1996, Janullatosi ka deklaruar: “Agjenci të rëndësishme të qeverisë shqiptare janë në duar të fundamentalistëve myslimanë. Forca të fuqishme antiortodokse duan të krijojnë republikën e parë islamike në Evropë, pikërisht këtu, një Shqipëri të Madhe që do të përfshijë Kosovën dhe një pjesë të Maqedonisë”.
Kjo ishte një shpifje e pastër nga ana e Janullatosit, sepse askund dhe asnjëher s’ka menduar kush të krijojë në Shqipëri ndonjë republikë
Në bashkërendim të plotë me qëndrimin e nazifashistëve të partisë “Agimi i Artë” kundër emigrantëve shqiptarë, Janullatosi ka deklaruar publikisht në shtypin shqiptar: “…emigrantët abuzuan me mikpritjen e treguar dhe shfaqën sjellje kriminale”.
Gjatë tërë aktivitetit të vet si kryepeshkop i kishës ortodokse në Shqipëri, sa herë që vetë ka krijuar probleme në dëm të interesave tona kombëtare, Janullatosi nuk ka marrë kontakte asnjëherë me udhëheqësit shqiptarë. Përkundrazi, duke mos i njohur këta si udhëheqësit e vendit,ai, në raste të tilla, ka kontaktuar me udhëheqësit grekë. Për këtë dëshmojnë ngjarjet me rastin e zhvarrimeve në Kosinë të Përmetit, kur, pas shqetësimeve që lindën brenda vendit, Janullatosi nuk kontaktoi as me presidentin Moisiu, as me kryeministrin Berisha, por shkoi e kontaktoi menjëherë me kryeministrin grek Karamanlis. Të njëjtën gjë bëri Janullatosi edhe në rastin e zhurmës që u bë për të ashtuquajturën kishë e Shën Thanasit, duke nxituar për në Athinë, drejt e në kabinetin e Janullatosi ka ngritur kisha ortodokse edhe atje ku nuk ka asnjë këmbë ortodoksi, siç është rasti i kishës ortodokse që ka ngritur në Fratar të Mallakastrës.
Janullatosi nuk ka organizuar as edhe një meshë të vetme në nderim të figurave të shquara të ortodoksisë shqiptare që u mallkuan dhe u masakruan barbarisht nga kisha shoviniste greke dhe as në nderim të themeluesve dhe të kryepeshkopëve të saj, si imzot Noli, Visarion Xhuvani dhe Kristofor Kisi. Por ama Janullatosi, në gusht të vitit 2014, në Kolkondas të Fierit, organizoi një meshë madhështore në nderim të armikut të betuar të gjuhës shqipe dhe të kombit shqiptar, Kozmait të
Etolisë. Kjo meshë ishte një fyerje e rëndë dhe një poshtërim i pastër që Janullatosi i bënte mbarë kombit shqiptar ditën për diell.
Ne mendojmë se misioni i Janullatosit në Shqipëri duhet vlerësuar jo vetëm si i shteruar, por edhe si i tejkaluar, sepse, nisur nga faktet e lartpërmendura, mund të thuhet me bindje të plotë se ai ka kohë që është shndërruar në shkaktar për rrezik përçarjeje fetare në vendin tonë.
Ne mendojmë se ka ardhur koha të rithemelohet Sinodi i Shenjtë dhe në krye të Kishës Ortodokse Fanoliane të Republikës së Shqipërisë, të zgjidhet një Kryepeshkop Shqiptar, duke iu përmbajtur Statutit të vitit 1929. Ne dëshirojmë të vihet sa më parë në jetë deklarata e kryeministrit Rama, i cili, pas zhurmës që bëri Janullatosi në bashkëpunim me Athinën për kishën e Shën Thanasit, deklaroi shprehimisht: “Do ta rindërtojmë kishën, ishte djepi i gjuhës shqipe, grekët s’kanë të drejta mbi besimin tonë”.
Nga sa më sipër, rezulton se Janullatosi ndodhet në Republikën e Shqipërisë me një mision politik që ia ka ngarkuar kisha ortodokse greke dhe Athina zyrtare, me qëllim greqizimin e Shqipërisë së Jugut. Me këtë mision, Janullatosi e ka shndërruar Kishën Ortodokse Fanoliane në një filial të kishës ortodokse greke. Këtë e dëshmon më së miri deklarata e historianit grek Nikolas Stavros në librin me titull “Ballkani dhe ballkanasit e rinj”, në të cilin shkruan shkoqur fare: “Futja në dorë e kishës shqiptare është fitorja më e madhe e jona në Shqipëri në shek.
Ne dëshirojmë që Ju, si udhëheqës të Republikës së Shqipërisë, të merrni shembull nga ish-kryeministri Pandeli Evangjeli në vitin 1920, i cili i dha një mësim të mirë pararendësit të Janullatosit, duke e dëbuar nga Shqipëria, sepse kërkonte t’u mbushte mendjen qytetarëve të Korçës se ata na qenkeshin grekë.
Për Shoqatën Atdhetare – Kulturore “Labëria”, Vlorë

Albert Habazaj Ahmet Demaj
Sekretar Kryetar
Vlorë, 18 shtator 2015

*Kjo Përkujtesë u është dërguar tre personaliteteve të vendit: Presidentit Bujar Nishani, Kryeministrit Edi Rama, Kryetarit të Parlamentit Ilir Meta dhe deputetit të Vlorës Koço Kokëdhima, më 18 Shtator 2015, me letër me përgjigje; na është kthyer përgjigjja vetëm për marrjen e të katër letrave më datën 21 shtator 2015. Pritëm një gjysmë muaji dhe, meqenëse nuk pati reagim nga të mëdhenjtë tanë, më datën 06 Tetor 2015 e nisëm Përkujtesën në disa nga gazetat kryesore që botohen në Tiranë, si: “Telegraf”, “Panorama”, “Dita”, “Shekulli”, “Sot”, “Zëri i Popullit”, “55”, “Nacional” e ndonjë tjetër, por deri më sot asnjëra prej tyre nuk e botoi. Kështu që po e dergojmë gazetave qe publikohen online, edhe jashte evndit..
Nderim për botuesit online!

Vlorë, 17 tetor 2015

Filed Under: Komente Tagged With: E KRYEPESHKOPIT JANULLATOS, KERKON LARGIMIN, kerkon largimin e Janullatos, Shoqata Laberia, SHOQATA"LABERIA"

Kosova ka mbështetjen e plotë të BE e SHBA

October 16, 2015 by dgreca

-Kryeministri kosovar Isa Mustafa, pas kthimit nga Brukseli/
PRISHTINË, 16 Tetor 2015/ Kryeministri kosovar Isa Mustafa, pas kthimit nga Brukseli, deklaron se Republika e Kosovës ka mbështetjen e plotë të Bashkimit Evropian dhe të Shteteve të Bashkuara të Amerikës për fuqizimin e subjektivitetit ndërkombëtar. “Ne po punojmë përditë për ta bërë shtetin tonë funksional dhe partnerë të denjë me miqtë tanë”, thekson ai.
Mustafa bën të ditur se në Bruksel ka zhvilluar takime të rëndësishme me zyrtarë të shumtë evropianë, përfshirë edhe kolegët e Partive Popullore Evropiane (EPP), të cilët udhëheqin shumicën e qeverive të vendeve të Bashkimit Evropian dhe të cilët më kanë rikonfirmuar mbështetjen për Kosovën. Po ashtu, vijon ai, patëm një darkë pune të organizuar nga Përfaqësuesja e Lartë e Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Federica Mogherini, me delegacionin e Serbisë.
“Ne po punojmë pareshtur për ta bërë Kosovën anëtare të UNESCO-s dhe jemi të sigurt se këtë do ta arrijmë brenda pak ditësh. Brenda pak javësh, Kosova do ta nënshkruajë Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit me Bashkimin Evropian. Për një periudhë të shkurtër ne do të përmbyllim detyrat tona dhe do ta marrim datën e Liberalizimit të Vizave. Që nesër, barrikada në urën mbi lumin Ibër, do të hiqet dhe me mbështetjen e Bashkimit Evropian, ashtu siç është paraparë, ajo do të shndërrohet në urë që lidh e jo më që ndanë qytetin e Mitrovicës”, shprehet Mustafa.
Kosovës, vijon ai, i duhet konsensus nacional për këto procese të rëndësishme dhe parasegjithash, Kosovës i duhet të dëshmojë racionalitet dhe stabilitet.
“Nga aktet e dhunës në institucione, ndaj institucioneve të shtetit, institucioneve të pavarura dhe ndaj përfaqësuesve legjitimë të qytetarëve të Kosovës, ne duhet të kthehemi kah debati i bazuar në rregullat demokratike dhe brenda institucioneve përfaqësuese”, thekson kryeministri Mustafa.
Ai shton se, qytetarët e Kosovës nuk e meritojnë pasigurinë që prodhojnë situatat konfliktuale me prapavijë betejën për pushtet.
“Ne kemi përgjegjësi t’i udhëheqim ata për aq sa ata na kanë besuar me vullnetin e tyre. Konform atij vullneti, ne duhet të sillemi në institucionet e shtetit. Debat në Kuvend në vend të bllokadës. Argumente në vend të akuzave. Vizion për të ardhmen e jo kthim prapa. Kosova ka institucione me legjitimitet qytetar dhe të njohur e mbështetur ndërkombëtarisht. Kosova duhet dhe do të ecë përpara”, përfundon Mustafa në ‘facebook’. /b.j/

Filed Under: Komente Tagged With: Isa Mustafa, Kosova ka mbështetjen e plotë, të BE e SHBA

Kosovë-Veseli: Më vështirë të fitojmë apo ta menaxhojmë lirinë

October 15, 2015 by dgreca

-Të hënën mbledhja e Kryesisë së Kuvendit për vazhdimin e seancës së ndërprerë me lotsjellës/
Nga Behlul Jashari/ PRISHTINË, 15 Tetor 2015/Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, ka shkruar sot në ‘facebook’: “Pamjet e fundit në Kuvendin e Republikës së Kosovës dhe koha, do të dëshmojnë se a ishte më e vështirë të fitojmë lirinë apo ta menaxhojmë atë”. Ai ka ka postuar edhe katër foto nga seanca e sotme e Kuvendit të Kosovës me gaz lotësjellës të hedhur nga opozita e bashkuar e tre partive, e cila ka deklaruar se, “ne jemi të vendosur në protestën tonë kundër marrëveshjeve me Serbinë dhe asaj për demarkacionin me Malin e Zi”.
Kuvendi i Kosovës pa asnjë seancë të përfunduar në sesionin vjeshtor, i bllokuar nga opozita, është mbledhur në një seancë tjetër sot të ftuar nga Kryesia me shefat e grupeve parlamentare, në mbledhjen me vetëm përfaqësuesit e subjekteve politike të koalicionit qeverisës, përballur edhe me bojkotin opozitar.
Por, që në fillim deputetët e opozitës bllokuan me “rrethim” të foltorës dhe kryesuesit, e pastaj, për të dytën herë, si edhe javën e kaluar, hodhën gaz lotësjellës dhe seanca e Kuvendit të Kosovës u ndërpre.
Derisa ndodhnin zhvillimet në seancën parlamentare dhe pas ndërprerjes së saj, në shesh para Kuvendit kosovar kishte grumbullime për protestë të aktivistëve të opozitës e qytetarëve tjerë.
“Aksionet simbolike” të opozitës, me “rrethime” të foltores e kryesuesëve, fërshëllima, gjuajtje vezësh e gazi lotësjellës në sallën e seancave të Kuvendit, janë pjesë e kundërshtimeve, edhe me protesta në rrugë dhe me një peticion me rreth 200 mijë nënshkrime deri tani, të 4 marrëveshjeve të 25 gushtit me Serbinë dhe marrëveshjes së demarkacionit me Malin e Zi.
“Protesta jonë në Kuvend nuk do të ndalet dhe nuk do të lejojmë normalizimin e ‘Zajednicës’ dhe faljen e tokave të Kosovës Malit të Zi”, paralajmëroi edhe sot opozita në deklaratën e përbashkët të tre partive, LVV, AAK e Nisma.
Opozita shprehet me fjalën serbe “Zajednica” që do të thotë “Bashkësi” dhe nënkupton Bashkësinë/Asociacionin e komunave me shumicë sebe në Kosovë.
Për të hënën, në 19 tetor, është ftuar mbledhja e Kryesisë së Kuvendit të Republikës së Kosovës me kryetarët e grupeve parlamentare, derisa ende nuk ka datë kur do vazhdojë seanca plenare e ndërprerë sot.
“Do të diskutohet për vazhdimin e seancës plenare, të ndërprerë sot si pasojë e hedhjes së gazit lotsjellës”, bëhet e ditur në njoftimin e dërguar nga Kuvendi i Kosovës.
“Kërkojmë nga Kryesia e Kuvendit që të mos thërras më seancë plenare. Çfarëdo insistimi në këtë drejtim është provokim dhe përshkallëzim i situates në Republikën e Kosovës”, thekson deklarata e opozitës.

Filed Under: Komente Tagged With: Behlul Jashari, menaxhimi i lirise, Veseli: Gjendja e krijuar, veshtire

DARKA E LAMES

October 15, 2015 by dgreca

-Darka e Lamës, është një festë e lashtë iliro-shqiptare, e falënderimit Zotit për frytet e punës dhe të korrat e vitit, ndërsa është bërë traditë në Kosovë, fillimisht organizohej në kryeqytet./
-Presidenca: Është shtyrë për një kohë tjetër për shkaqe organizative dhe teknike/
-Presidenti Rugova në 23 tetor 2003: Festa e Ditës së Falënderimit – Darka e Lamës është një festë tradicionale popullore dhe familjare e Kosovës dhe në viset e tjera shqiptare/
Nga Behlul Jashari/ PRISHTINË, 15 Tetor 2015/ Zyra e Presidentes së Kosovs sapo njofton se, “manifestimi tradicional Darka e Lamës, i paraparë të mbahet sot në qytetin e Pejës, është shtyrë për një kohë tjetër për shkaqe organizative dhe teknike”.
Darka e Lamës, është një festë e lashtë iliro-shqiptare, e falënderimit Zotit për frytet e punës dhe të korrat e vitit, ndërsa është bërë traditë në Kosovë, fillimisht organizohej në kryeqytet.
Vitin e klauar u festua në Sheshin “Lama e Drithit” në Gjakovë, për herë të parë në këtë qytet, meqë deri atëherë tradicionalisht e institucionalisht Darka e Lamës organizohej vetëm në Prishtinë.
Në Kosovën moderne Dita e Falënderimit – Darka e Lamës e rimori peshën që i takonte, madje jo vetëm si akt i trashëgimisë shpirtërore e kulturore më 2002, kur Presidenti historik i Kosovës, Ibrahim Rugova, e shpalli festë shtetërore.
Në vitin 2013 Darka e Lamës u festua në sheshin me emrin e shtatoren e Presidentit historik Rugova, në Prishtinë.
Në Prishtinë, në 23 tetor 2003, në mjediset e hotelit “Grand”, kur ishte një nga festimet e Darkës së Lamës, organizuar nën patronatin e Presidentit të Kosovës Ibrahim Rugova, Presidenti theksonte se Festa e Ditës së Falënderimit – Darka e Lamës është një festë tradicionale popullore dhe familjare e Kosovës dhe në viset e tjera shqiptare.
Duke folur për traditën e festës së Darkës së Lamës, Presidenti Rugova theksonte se ajo është shumë e vjetër. Madje edhe autorët antikë e kanë shënuar që nga shekulli V para Krishtit si festë e vitit tek ilirët, të parët e shqiptarëve që është festuar rreth 23 tetorit. Autorëve antikë ia ka tërhequr vëmendjen kjo fesët e rëndësishme e kulturës shqiptare, shtonte ai.
Presidenti Rugova theksonte se kjo festë nëpër shekuj është ruajtur deri në ditët tona. “Populli ynë ka shumë festa të vitit, që lidhen me solsticin, si shumë popuj të tjerë, që përmbyllen me Darkën e Lamës, që është më e njohura në Kosovë”, theksonte ai, duke shtuar se vitin e kaluar e ka shpallur festë tradicionale shtetërore të Kosovës, e cila do të festohet në çdo familje në Kosovë.
“Në këtë ditë kemi menduar si të parët tanë, t’i bëjmë falenderim Zotit për të mirat që na i ka falur brenda një viti dhe t’i lutemi Atij që në vitin tjetër, në motin tjetër të na falë, të na dhurojë më shumë të mira”, shprehej Presidenti Rugova dhe shtonte se “kjo Ditë Falënderimi na obligon dhe na përkujton se duhet t’i shtojmë prodhimet tona të tokës”.
“Po ashtu na obligon që prodhimet e tokës së Kosovës t’i përpunojmë, t’i bëjmë më cilësore për të gjithë qytetarët tanë dhe për eksport për kombet e tjera. Dhe në këtë ditë ne i lutemi Zotit për këtë”, vijonte Rugova.
Njëherit paralajmëronte se që nga viti i ardhshëm për ditën e kësaj feste nuk do të punohet dhe do të jetë ditë që i kushtohet falenderimit.
“Shpresoj se kjo festë do të pasurohet me forma të ndryshme të manifestimit në të ardhmen”, theksonte Presidenti Rugova, duke i ftuar të pranishmit që të kënaqen me tryezën e shtruar e me prodhime kosovare tradicionale.
“Zoti e bekoftë e Kosovën dhe të mirat e saj”, përmbyllte fjalën Presidenti i Kosovës Ibrahim Rugova, duke folur në Ditën e Falenderimit – Darkën e Lamës.

Filed Under: Komente Tagged With: Behlul Jashari, Darka e Lames, presidenca, Shtyhet

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 390
  • 391
  • 392
  • 393
  • 394
  • …
  • 482
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Shqiptarët dhe parimet themelore të së drejtës ndërkombëtare dhe përgjegjësia evropiane
  • Në Ditën e Gjenocidit në Kosovë, nevoja e Kualifikimi Juridik Ndërkombëtar për Krimet e Kryera në Kosovë (1998–1999)
  • FUNDI I REZISTENCËS SË NACIONALIZMËS 1946-1947
  • ZBULOHEN KONGRESET E BALLIT KOMBËTAR
  • 15 janari është Dita e Përkujtimit të Gjenocidit ndaj Shqiptarëve në Kosovë!
  • Editori Diellit Dr. Athanas Gegaj përkujtohet në New York më 25 Janar 2026
  • Arsyet e vërteta pse ngriu procesi i vizave emigruese për në Amerikë për shqiptarët!
  • ERNEST KOLIQI ( 20 MAJ 1903 – 15 JANAR 1975)
  • SHQIPTARËT NË SANREMO!
  • “Punë hajnash-punë krajlash” dhe mendtarë që heshtin
  • MBRETI ZOG (1933) : “BASHKIMI I KOSOVËS ME SHQIPËRINË, NJË DËSHIRË E MADHE PËR TË CILËN NUK DO TË KURSEJMË ASNJË PËRPJEKJE PËR TA REALIZUAR…”
  • Perspective of a Trauma Surgeon and Former Health Minister of Health of Kosova
  • “I huaji”
  • JO NE EMRIN TIM!
  • Krimi kundër njerëzimit në Reçak dhe lufta e narrativave

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT