-Kuvendi i Kosovës, seancë të veçantë për nder të Komisionerit të BE-së Johannes Hahn/
-Hahn: Mezi pres që të jem në Kosovë, tash është koha për zbatim të MSA-së-
PRISHTINË, 30 Tetor 2015-B.Jashari/ Kryesia e Kuvendit të Republikës së Kosovës, sot, në mbledhjen e përbashkët me kryetarët e grupeve parlamentare, të drejtuar nga kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli, konfirmoi axhendën parlamentare për javën e ardhshme.
Kështu, të hënën, më 2 nëntor, në orën 10:00, Kuvendi do të mbajë seancë plenare në të cilën do të shqyrtohet Projektligji për Ratifikimin e Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit (MSA) ndërmjet Kosovës dhe Bashkimit Evropian.
Të premten, në 6 nëntor, në orën 11:00, Kuvendi do të mblidhet në një seancë të veçantë për nder të Komisionerit për Zgjerim të Bashkimit Evropian, Johannes Hahn, i cili njëherësh do t’u adresohet deputetëve me një fjalë rasti.
Mbledhja e Kryesisë së Kuvendit të Republikës së Kosovës, e zhvillur sot në mesditë, ishte e katërta në katër ditët e fundit.
Në 27 tetor, në ceremoninë e nënshkrimit të MSA-së Kosovë-Bashkimi Evropian, që u zhvillua në Strasburg, Komisioneri i BE-së për Politika të Fqinjësisë Evropiane dhe Negociata të Zgjerimit, Johannes Hahn, ka thënë se vërtetë është një arritje e madhe në marrëdhëniet dypalëshe, në veçanti kur është fjala për aspiratat evropiane të Kosovës .
“Është një ditë e madhe për të gjithë ne, duke falënderuar ekipet tona, pa të cilat kjo gjë nuk do të ishte arritur. Mezi pres që të jem në Kosovë javën e ardhshme dhe të çojmë deri në fund atë për të cilën jemi marrë vesh sot dhe të shohim për mundësitë se si ta zbatojmë, sepse tash është koha për zbatim”, është shprehur komisioneri Hahn.
Kryeministri Isa Mustafa, në ceremoninë e nënshkrimit të MSA-së ka theksuar se, “procesi i evropianizimit kuptimplotë të Kosovës, që po fillon sot, do të përcillet me një përkushtim të plotë shtetëror dhe institucional të Kosovës dhe me partneritet të plotë me Bashkimin Evropian”.