• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Freedom House: Shqipëria dhe Kosova pjesërisht të lira

January 28, 2015 by dgreca

Nga Keida Kostreci/
Në një vit kur gjendja e lirisë në botë pësoi rënie për të nëntin vit me radhë, Shqipëria dhe Kosova vazhduan të përfshihen në kategorinë e vendeve pjesërisht të lira. Në raportin vjetor të organizatës Freedom House, vlerësimi për Shqipërinë nuk ka ndryshuar, ndërsa Kosova ka shënuar përparim, duke u përfshirë për herë të parë mes vendeve me demokraci elektorale.
Gjendja e lirisë në Shqipëri
Shqipëria vazhdon të ketë të njëjtën shkallë vlerësimi, duke marrë 3 pikë për gjendjen e lirisë në përgjithësi, në një sistem matës me një shkallë nga 1 në 7, ku 1-shi përfaqëson liritë më të mëdha dhe 7-ta mungesën më të madhe të lirive.
Freedom House ia atribuon mosndryshimin e vlerësimit kombinimit të problemeve të rrënjosura institucionale dhe reformave pozitive por që janë ende në fazat e para.
“Sigurisht që ne do të preferonim që Shqipëria të kishte shënuar më shumë përparim”, thotë Arch Puddington, zv/president për kërkimet tek kjo organizatë.
Ai ia atribuon mungesën e përparimit, historisë së shtypjes së regjimit totalitar të Enver Hoxhës, që ai thotë ishte më i rëndë sesa vendet e tjera të Evropës Lindore.
“Mendoj se vendi ende po përpiqet të dalë nga ajo errësirë ku ishin zhytur nën regjimin Hoxha. Prandaj mund t’u duhet pak më shumë kohë. Ata kanë shënuar përparime të rëndësishme”.
Raporti nënvizon se qeveria e kryeministrit Edi Rama siguroi në vitin 2014, statusin e vendit kandidat pas tre shtyrjeve të mëparshme dhe është vlerësuar për masat ndaj krimit të organizuar, ligjit të ri për lirinë e informacionit dhe ligjit për proceset e konsultimit për hartimin e legjislacionit dhe strategjive të rëndësishme për politikat.
Megjithatë, vazhdon Freedom House, vendi vazhdoi të vuante pasojat e mosmarrëveshjeve politike, përfshirë bojkotimin e parlamentit nga opozita, mosndëshkimin e zyrtarëve dhe ish-zyrtarëve të lartë të akuzuar për korrupsion dhe një trashëgimi emërimesh politike në postet e gjyqtarëve. Zoti Puddington thotë se nëse do që të anëtarësohet në BE, Shqipëria duhet të intensifikojë përpjekjet.
“Por një nga gjërat që kemi mësuar është se kur një vend anëtarësohet në BE, ka prirjen t’i respektojë standardet demokratike në mënyrë të qëndrueshme, kështuqë ne shpresojmë që Shqipëria ta arrijë atë synim”.
Kosova, mes demokracive elektorale
Kosova konsiderohet si një nga vendet me përparim më të madh për zhvillimet e vitit të kaluar. Ajo për herë të parë është futur mes vendeve të konsideruara “demokraci elektorale” falë vlerësimeve për procesin zgjedhor dhe të drejtave politike.
Të drejtat politike kanë marrë notën 4 nga 5 për vitin e kaluar, falë zgjedhjeve relativisht të suksesshme të qershorit dhe marrëveshjes politike për qeverinë e koalicionit. Për liritë civile, vlerësimi ka qenë i pandryshyar në 4.
Freedom House thotë se 2014-a shënoi një kulminim të prirjeve pozitive dhe se përveç zgjedhjeve organizata vërejti edhe përmirësimin në pluralizmin politik, marrëdhëniet partiake dhe përgjegjshmërisë së qeverisë. Freedom House thotë se vlerëson faktin që PDK-ja bashkëpunoi, që udhëheqësi i opozitës u bë kryeministër dhe që qeveria po e shton transparencën ndaj publikut.
Zoti Puddington thotë se shumë vende si Kosova kanë pasur arritje që janë ende të reja në drejtim të demokracisë.
“Nëse një vend arrin përmirësim, ne e njohim atë përmirësim. Nëse vitin që vjen, gjërat lëvizin në drejtim të gabuar, nëse ka një rënie të shkallës së lirisë, ne do ta nënvizojmë atë”, thotë zoti Puddington.
Duke folur për ngjarjet e ditëve të fundit që u shoqëruan me dhunë, ai thotë se synimi i Freedom House nuk është të gjykohet nëse ndryshimet që janë realizuar do të vazhdojnë nga një vit në tjetrin.
“Pra ne e kuptojmë që ka një element brishtësie në demokracinë e Kosovës sot. Korrupsioni ka qenë gjithmonë problem madhor. Përsa i takon këtij akti të dhunshëm ditët e fundit, një pjesë e madhe e saj ka të bëjë me tensionet mes serbëve dhe shqiptarëve të Kosovës”.
Zoti Puddington thotë se tensionet mes shqiptarëve dhe serbëve janë diçka me të cilën zyrtarët e vendit duhet të përballen. Në fakt megjithë përmirësimin e kohëve të fundit, në raport thuhet se kushtet e serbëve retorika islamofobike ishin shqetësime për vitin 2014. Mes incidenteve shqetësuese përmenden arrestimi i imamëve të Prishtinës, Pejës dhe Mitrovicës dhe dëmet e varrezave ortodokse serbe.
Rënie e lirisë në shkallë globale
Në shkallë globale, Freedom House vlerëson se në vitin 2014 liria ka rënë për të 9-in vit me radhë, për shkak të taktikave agresive nga regjimet aurtoritare dhe shtimit të sulmeve terroriste. Raporti i Freedom House shqyrton gjendjen e të drejtave politike dhe lirive civile. Zoti Puddington, thotë se pranimi i demokracisë si forma mbizotëruese e qeverisjes dhe e një sistemi ndërkombëtar ngritur mbi idealet demokratike, është nën kërcënimin më të madh që prej 25 vjetësh.
Raporti citon ndërhyrjen ruse në Ukrainë, dhe zhvillimet në Egjipt, Turqi dhe Kinë si shembuj.
Por Freedom House tërheq vëmendjen se demokracitë shpesh presin deri kur prirjet autoritare të kthehen në katastrofë ndërkombëtare para se të ndërhyjnë dhe kjo sipas kësaj organizate është për të ardhur keq sepse edhe regjimet më shtypëse kanë treguar se përgjigjen para presionit të popullit të tye dhe atij nga jashtë.(Zeri I Amerikes)

Filed Under: Komente Tagged With: Freedom House:, pjesërisht, Shqiperia dhe Kosova, të lira

LAJM MORTOR NGA FAMILJA SELIMAJ

January 18, 2015 by dgreca

Me pikëllim të thellë njoftojm komunitetin, shokët, miqët dhe dashamiret se sot me datën 18 janar 2015 ndërroj jetë në moshën 85 vjeçare
SHERIF RAMA SELIMAJ
Trupi i të ndjerit do të ekspozohet neser me datën 19 janar 2015 duke filluar nga ora 3:00PM gjerë në 9:00PM në Albanian American Islamic Center që gjindet në këtë adresë: 1325 Albemarle Road, Brooklyn, NY 11226
Varrimi i të ndjerit Sherif do të bëhet në Guci. .
Për çdo informacion thirrni familjen Selimaj në këtë numer telefoni: 1917-685-9923.

Filed Under: Komente Tagged With: nderroi jete, SHERIF RAMA SELIMAJ

“Charlie Hebdo”, karikaturë për 4 klerikët shqiptarë

January 15, 2015 by dgreca

Në numrin e fundit të revistës satirike ‘Charlie Hebdo’ që doli ditën e mërkurë në shenjë homazhi për 12 të vrarët në aktin terrorist të 7 janarit dhe u shit në 5 mln kopje në disa gjuhë të botës gjendet edhe një karikaturë kushtuar 4 klerikëve shqiptarë, marshimi i të cilëve në homazhet e mbajtura në nder të viktimave u prit me duartrokitje të shumta nga qytetarët e mbledhur në rrugët e Parisit.
Përfaqësues të 4 feve mbajnë secili moton ‘Je suis Charlie’, shprehje që pushtoi ditën që nga sulmi i përgjakshëm dhe shoqërohen nga mbishkrimi: ‘Nouveaux Amis’-Miq të rinj.
15 janar 2015 (gazeta-Shqip.com

Filed Under: Komente Tagged With: : Miq të rinj, ”Charlie Hebdo”, karikaturë për 4 klerikët shqiptarë

NJË AKSIDENT AUTOMOBILISTIK

January 14, 2015 by dgreca

Nga Luan Çipi/
E kush e mendonte se do dëmtohej keqas, me frakturë në të dy këmbët dhe goditje e shembje në kokë Minella Mosko, thuajse më i riu midis nesh? Dhe ishte duke shkuar në një mbrëmje për të parë një koncert me muzikë orkestrale.
Minella Mosko është pjesëtar aktiv i një grupi të madh vlonjatësh, pensionist të ardhur në Tiranë ndër vite, që mblidhen e bisedojnë thuajse çdo ditë, duke pirë nga një gotë kafe, apo çaj te Bar Restorant “Ulqini”, në qendër të Tiranës.
Minella Mosko është më i gjatë, më i ri, më i mbajturi dhe më “pasionanti demokrat”, në këtë grup, heterogjen në anësitë politike, po me dashuri të ndërsjellët të pandarë, të respektuar dhe në asnjë rast të fyer apo të detyruar. Me gjithë përpjekjet dhe kahet e tyre parësore drejt kulturës, ekonomisë dhe shkencës, është e pashmangshme cekja me problemet e përditshme politike, ndikuar nga qëndrimi i përgjithshëm mediatik e televiziv bashkëkohor. Ndizet shpesh biseda dhe Minella mbron me këmbëngulje dhe argumente, të djathtën e vendosur pozitive, pa u tërhequr për asgjë dhe në asnjë rast. Dhe një tjetër çudi: rastiste të mungonte Minella, siç po ndodh prej 8-9 ditësh dhe biseda fashitet, se ngelet memece shumica, thuajse e njëmendshme.
Po, kush është Minella Mosko? Ai erdhi në Vlorë fare i vogël dhe gjithë jetës aktive, thuajse e kaloi në qytetin e Vlorës. I lindur në qytetin e Gjirokastrës në vitin 1937 Minella ishte djali më i vogël i Vango Moskos, një këpucar i talentuar, i pasuruar nga aftësitë dhe përpjekjet vetjake dhe që u kujdes gjatë e me durim për mirërritjen dhe shkollimin e tij. Pasi kreu cilësisht Gjimnazin Ali Demi në Vlorë dhe Fakultetin Ekonomik të Universitetit Shtetëror të Tiranës, punoi pak kohë në Fermën Bujqësore Thumanë dhe pastaj deri në fund si ekonomist, fillimisht në Seksionin e Bujqësisë të Komitetit Ekzekutiv të K.P.Rrethit Vlorë dhe si Shef Plani, në Kooperativën Bujqësore të Tipit të Lartë Novoselë të Vlorës. Pas ndryshimeve demokratike edhe pse u aktivizua gjallërisht qysh në ditët e para, për arsye ekonomike emigroi familjarisht në Greqi dhe pas shumë vitesh në Selanik, (ku sot banon djali me familjen e tij) u kthye e u vendos si pensionist në Tiranë, ku kishte të punësuar vajzën e tij të dashur.
Me këtë rast, duhet theksuar, se Minella Mosko, fqinjët Grek, i adhuron së tepërmi, jo vetëm për kulturën dhe antikitetin e hershëm të lavdishëm, (që e njeh mirë) po dhe sepse i quan popull mikpritës, të gëzueshëm e jetësor e për më tepër, luftarak atdhetar e antiturq të vendosur.
Njerëzit, thonë përgjithësisht fjalë të mira kur p.sh. dikush vuan e përpëlitet në spital dhe përcjell halle të kësaj bote të mundimshme, siç bëmë edhe ne sot, një grup shokësh që vizituam dhe takuam në vuajtje atë. Por, është më se e vërtetë, (dhe ky është mendim i përbashkët absolut), se Minella Mosko është një qytetar me kulturë e zgjuarsi, me dije të gjerë dhe me mendim të vetin. Jo vetëm për kontributin e tij në drejtimin konkret të ekonomisë për shumë vite, si drejtues ekonomik, organizator edhe studiues, por dikur edhe si një djalosh energjike i dalluar për kohën, dhe me prirje shkencore. Unë jam dëshmitar për punët e tij drejtuese shkencore në ekonomitë bujqësore dhe për studimet specifike p.sh. në drejtimin dhe organizimin e transportit të brendshëm me efektivitet, që tërhoqi për kohën vëmendjen mbarëkombëtare, etj.
Me këtë rast dua të nënvizoj faktin se e veçantë, që i bie në sy kujtdo sa e takon dhe bisedon me të direkt, (mandej edhe si poliglot në disa gjuhë deri anglisht, rusisht, italisht e greqisht), është bagazhi dituror i tij i pasur dhe enciklopedik, në ekonomi, filozofi, letërsi, art dhe kulturë.
Ai fatmirësisht dhe pse në mënyrë autodidakte, është i thelluar dhe njohës i mirë i muzikës klasike sidomos, sepse nuk lë koncert e operë pa parë disa herë, pas premierës, që e ka normë të detyruar. Ai është njohës i vlerësuar i pikturës, si i rritur në studiot e piktorëve të mëdhenj vlonjat Skënder Kamberi e Nestor Jonuzi, që i ka ndër shokët më të afërt, si dhe njohës analitik i plejadës së “Shkollës Vlonjate të Pikturës”, veprat e të cilëve i njeh dhe i interpreton me aftësi, një nga një.
Minella Mosko është një bibliofag, lexues i pashkëputur çdo ditë, i vëmendshëm e i thelluar i letërsisë, sidomos asaj shqiptare. Ushqen një respekt të veçantë për gjeniun e letrave shqip, Ismail Kadarenë dhe s’ka lënë faqe të librave të tij pa lexuar e përhapur, mandej dhe të gjitha librat në prozë e poezi të Agollit, Arapit dhe deri te të Pandeli Koçit, Reshat Kripës, Përparim Hysit dhe Eden Babanit, etj. Ato faqe libri të pagoja, e dinë se ç’heqin nga nënvizimet shumëngjyrëshe, me theksime e vërejtje prej profesionisti, deri te nënvizimi i gabimeve ortografike, ku “nuk të fal”. Në këtë drejtim, Minella Mosko, ka edhe meritën, për disa libra të jetë bashkëpunëtor, si korrektor letrar.
Minella Mosko është poliglot dhe i ditur, po dhe shpirtmirë, i virtytshëm dhe shok i dashur e i gatshëm për të ndihmuar këdo, ndërkohë i shkathët, jetësor, siç është dhe trupmadh e i fuqishëm.
Kush e dëgjoi se ai u bë pre e një aksidenti automobilistik gjatë rrugës, e shpjegon me vitalitetin e tij të pazakontë për moshën, që e shpuri të vetmuar në rrugën me shumë trafik automobilistik, drejt Sallës së Koncerteve të Akademisë së Arteve, në këtë ditë të ftohtë dimri, ndërkohë që ne moshataret e tij, lakmonim një qoshk të ngrohtë e të qetë pranë shtëpisë.
Ai kërkonte, siç bën gjithnjë, një kënaqësi të muzikës klasike më shumë edhe pse midis ftohmës, vuajtjes dhe rrezikut. Ai gjithnjë ka qenë një njeri, që “nuk e gris kohën kot”, po me tërheqje, pasion e dëshirë për artin.
Minella Mosko u dëmtua, pa asnjë faj të vetin, se e goditën buzë mbrëmjes midis rruge, nga mbrapa dhe dhunshëm, qoftë dhe pse aksidentalisht. Ai ç’prej 10 ditësh është në Spitalin e Traumës Laprakë, Tiranë dhe nuk dihet sa dhe kur do rikuperohet plotësisht. Minella Mosko u sakrifikua, në kërkim të Artit!
Nderim, jetë e shëndet dhe shërim të shpejtë e rehabilitim të plotë Minella Moskos!
Tiranë, më 14.01.2015

Filed Under: Komente Tagged With: Luan Cipi, NJË AKSIDENT AUTOMOBILISTIK

Papa Françesku telegram Presidentit Nishani: Paqe e bekim mbi Shqipërinë

January 14, 2015 by dgreca

Papa përshëndet vendet mbi të cilat fluturoi gjatë udhëtimit drejt Azisë/
Shkruan: Gjergji Mima/ – Gjatë fluturimit me avion nga Roma drejt Kolombos (Sri Lanka), Papa Françesku, siç është traditë, u dërgoi telegrame përshëndetjeje Krerëve të Shteteve të atyre vendeve mbi cilat kaloi gjatë udhëtimit apostolik. Pastaj në avion përshëndeti gazetarët që e shoqëronin gjatë këtij udhëtimi aziatik.
Sipas “Radio Vatikanit”, atmosfera në avion qe e përzemërt dhe familjare, siç di të krijojë Papa Françesku, me një risi: kësaj here nuk ishin gazetarët që shkonin për ta përshëndetur Papën, por qe Ati i Shenjtë Françesku, shoqëruar nga drejtori i Sallës së Shtypit të Vatikanit, atë Federiko Lombardi, ai që shkoi personalisht tek 76 gazetarët shoqërues, prej vendeve të ndryshme.
Me një buzëqeshje të veçantë Papa Bergoglio u tha: “Ju falënderoj për shoqërimin tuaj e ju uroj udhëtim të mbarë. Keni shumë punë! Ju falënderoj shumë, faleminderit edhe një herë për shoqërimin tuaj”.
Papa Françesku pastaj deshi t’u shtrëngonte dorën çdonjërit gazetarë, duke u ndalur për pak çaste në bisedë. Për sa i përket protokollit, gjatë udhëtimit u nisen telegramet e Papës drejtuar vendeve mbi të cilat fluturonte avioni.
Pas përshëndetjes drejtuar presidentit italian e bekimit apostolik për Italinë, Papa u drejtoi përshëndetjen e tyre edhe Shqipërisë e Turqisë, shoqëruar me lutjet e tij së bashku me kujtimin e vizitave të fundit apostolike.
Paqe e gëzim Papa i uron edhe Greqisë e qytetarëve të këtij vendi. Paqe e prosperitet, së fundi, edhe për Iranin, Emiratet e Arabisë, Omanin e Indinë.
Telegrami i Papës për Presidentin e Shqipërisë
Si zakonisht, gjatë kalimit të avionit në hapësirën ajrore të vendeve të ndryshme, Papa Françesku u dërgon një telegram përshëndetjeje të gjithë krerëve të shteteve përkatëse. Kështu ndodhi edhe kësaj radhe, gjatë udhëtimit të Atit të Shenjtë për në Sri Lankë e Filipine. Avioni papnor kaloi edhe sipër Shqipërisë. Ja telegrami drejtuar presidentit të Republikës së Shqipërisë, Bujar Nishani:
“Shkëlqesisë së Tij, Bujar Nishani
President i Republikës së Shqipërisë
Përshëndes përzemërsisht Shkëlqesinë Tuaj, ndërsa fluturoj mbi Shqipëri në udhën drejt Sri Lankës dhe Filipineve. Duke kujtuar ngrohtësisht vizitën time në vendin tuaj, ju siguroj rishtas lutje për kombin dhe popullin.

Filed Under: Komente Tagged With: bekim mbi Shqipërinë, Papa Françesku telegram, Presidentit Nishani: Paqe e

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 416
  • 417
  • 418
  • 419
  • 420
  • …
  • 484
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Nexhat Peshkëpia dhe “Noli si Poet Shqiptar…”
  • RINGJALLJA E BALADËS SI KUJTESË KULTURORE DHE NARRATIVË TRAGJIKE
  • Filatelia serbe si instrument i hegjemonisë dhe shovinizmit shtetëror
  • SHQIPTARËT NË HOLOKAUST PARA HEBRENJVE
  • Kujtesa e Luftës së Kosovës në Udhëkryqin e Historisë dhe Kohës – Studime nga Profesor Asistent Abit Hoxha
  • Jani Vreto dhe Rilindja Kombëtare Shqiptare
  • “Vatra Long Island” fton komunitetin në festën e Pavarësisë së Kosovës që organizohet më 15 shkurt 2026
  • Tradita Amerikane e “Groundhog Day”, -25°F dhe ngrohja globale që na gjeti me pallto leshi
  • “BORDI I PAQES”, NJË SPROVË PËR SHQIPTARËT NË NJË BOTË QË PO NDRYSHON
  • “Have You Listened to Radio Prishtina?”
  • Tribuni i lirisë, Major Abas Kupi u përkujtua në Krujë
  • KOMUNITETI KRAJAN NË NEW YORK MBAJTI MBLEDHJEN E ZHJEDHJEVE TË PËRGJITHSHME TË KRYESISË SË RE TË SHOQATËS “KRAJA”
  • Fan Noli, Federata Vatra dhe John F. Kennedy: Lidhjet e Diasporës Shqiptare me Politikën Amerikane dhe Demokracinë Globale
  • Today marks the 84th anniversary of the Voice of America
  • MËRGATA SHQIPTARE, NGA KUJTESË E SË KALUARËS NË SUBJEKT AKTIV

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT