• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

KUJTESË FUSHATËS ZGJEDHORE

June 20, 2013 by dgreca

Nga Eugjen Merlika/

Fushata zgjedhore e vitit 2013 hyri në metrat e saj të fundit. Mitingjet e forcave politike nuk njohën asnjë pushim në të gjitha anët e një Vendi që duket se ende ruan entuziazmin e njëzet viteve të shkuara, po të gjykohet nga turmat e qytetarëve që mbushin sheshet apo sallat e takimeve dhe konferencave.

Shqipëria e sotme nuk është më ajo e fillimit të viteve 90, ndryshon në pasurinë e saj të paluajtëshme, mbasi pamja e qyteteve dhe qëndrave të saj të banimit është krejt tjetër. Ndërtimet, si treguesi më i saktë i një forme zhvillimi të një shoqërie, është një dukuri që paraqet , në vetvete, dy fytyra : atë të jashtëmen, që reklamon mirëqënien, dhe atë të brëndëshmen, të padukshmen, që lidhet me fondet, me lejet e ndërtimit, me allishverishet, me korrupsionin, me shkatërrimin e mjedisit, me mos  respektimin e rregullave, me fitime të mëdha që shpërndahen në disa drejtime … Kur flitet për ndërtimet atyre  u shtohen dhe elementët e tjerë të infrastrukturave si rrugët, ujësjellësat, bonifikimet etj., që, të marra së bashku, japin tabllonë e një Vendi, për të cilin politika, në këtë fushatë zgjedhore, ka dy qëndrime krejtësisht të kundërta : njëra, ajo qeveritare, duke tejzmadhuar rezultatet kërkon kapitalin e saj politik, duke i veshur vetes meritat e duke u munduar të ushqejë shpresa që, në synimin e saj, duhet të kthehen në vota për të siguruar vazhdimësinë e pushtetit. Ndërsa tjetra është ajo opozitare, që kërkon t’a fitojë pushtetin, duke nxirë dhe asgjësuar gjithshka që, në vitet e shkuara, ka kryer kundërshtari politik në timonin e drejtimit të Vendit.

Rezultati është një varg gënjeshtrash që vërtiten pa pushim në mëndjet e trallisura të  shqiptarëve që, ende sot, mbas gati një të katërt shekulli të tjetërsimit të sistemit, mendojnë si të gjejnë mënyrën për t’u larguar nga Shqipëria, gjë që tregon se sa pak i besojnë premtimeve të politikës, tepër bujare në këto ditë të nxehta qershori, në përshkrime mjedisesh prrallore të viteve t’ardhëshme.

Premtimet rrokin të gjitha problemet e shqiptarëve, nga qindra mijra vëndet e reja të punës deri tek rritje marramendëse rrogash e pensionesh, nga asgjësimi i taksave tek projektet faraonike të infrastrukturave apo të energjitikës deri në kufijtë e “superfuqive”. Pa hyrë në analizën e tyre, që nuk duan ndonjë zgjuarsi të veçantë për të kuptuar se i shëmbëllejnë më shumë fantazisë së autorëve të letërsisë fëminore se sa parashikimeve të shtetarëve të urtë e realistë, bën përshtypje fakti se ka një premtim, për të cilin nuk flitet fare, që mbetet jetimi i vetmuar i këtyre zgjedhjeve, të trumbetuara me kaqë zhurmë.

Është fjala për dëmshpërblimin e ish të përndjekurve politikë, për të cilët duket se politika ka një alergji të hershme, mbasi ndoshta, nga llogari të thjeshta shifrash kalemxhinjsh të saj, nuk paraqesin ndonjë interes të veçantë, sepse nuk janë të organizuar edhe se paraqiten me disa shoqata që janë kthyer në pronësi vetiake të kryetarëve të përjetshëm, janë lehtësisht të manipulueshëm e nuk përbëjnë një pellg të madh votash. Të gjitha këto konsiderata mund të jenë të saktësuara nga logjika cinike e politikës. Ajo që nuk mund të përligjet është fakti se prej më shumë se njëzet vjetësh Shteti shqiptar, në borxh për shfrytëzimin rreth gjysëm shekulli të punës së papaguar të mijra njerëzve, të dënuar nga diktatura për krime të ndërgjegjes, megjithëse ka marrë një vendim e ka hartuar një projekt dëmshpërblimi, një projekt që në vetvete respekton një logjikë jo të drejtë, sepse nuk mban parasysh kohët e ndryshme të dënimeve, ende sot është mjaftuar me shlyerjen e një të tetës së detyrimit. Projektet “madhështore” të shumicës qeverisëse në fund të mandatit i kalojnë sipër këtij detyrimi, e shkelin me të dyja këmbët, sepse në fund të fundit këto janë “mundësitë” e shtetit, se borxhin duhet t’i a “kërkojnë Enver Hoxhës”, se të tjerët (socialistët) nuk e njohin një detyrim të tillë.

Ky është mendimi jo zyrtar, i pa shprehur haptas, por zotërues në dhomat e pushtetit të koalicionit qeverisës  me përfundimin që pohova më sipër : nga tetë këste të përcaktuara është paguar vetëm një, duke shkelur paprerë të gjitha afatet kohorë të lajmëruar prej vetë përfaqësuesve të Qeverisë. Shteti ka kursyer përsëri me djersën dhe gjakun e viktimave të dhunës komuniste. Një qëndrim i tillë, tallës e sorollatës ndaj të mbijetuarve të ferrit komunist, qoftë zyrtar i maskuar nga hipokrizia “demokratike”, qoftë pasojë llogarish burokratësh të zyrave “demokratike”, akoma më keq mos njohje e problemit nga partia socialiste, ndryshon shumë pak nga brutaliteti dhe mizoria e komunizmit enverist.

Fakti që, edhe në morinë e pafund të premtimeve të këtyre ditëve, nuk thuhet asnjë fjalë për këtë detyrim madhor të Shtetit e të shoqërisë shqiptare, është tregues i një imoraliteti të theksuar, jo vetëm politik, administrativ, ekonomik, ligjor, por mbi të gjitha njerëzor. Kjo vlen për ata që qeverisin, e akoma më tepër për Opozitën ish komuniste, që shqetësohet me të tepër për pensionet e ushtarakëve, ushtrues drejtpërsëdrejti të dhunës komuniste, që kanë qenë edhe përfituesit më të mëdhenj të privilegjeve të regjimit, ndërsa heshtin me mospërfillje për problemin kryesor të ish të përndjekurve politikë. Në këtë vështrim sllogani i famshëm “të gjithë bashkëvuajtës e të gjithë bashkëfajtorë”, i kthyer në një parim ndikues edhe në vizionin e këtyre problemeve, është një shtrembërim i papranueshëm dhe tepër revoltues për ata që kanë kaluar dhjetëvjeçarë të gjatë të jetës së tyre në burgjet dhe kampet e internimit të diktaturës së kuqe shqiptare.

Të gjithë duhet të jenë të vetëdijshëm se të përndjekurve të diktaturës askush nuk po u bën një nder, se Shteti shqiptar ka një borxh që nuk është ai i nderit, por real që ka të bëjë me punën e papaguar t’atyre njerëzve, burra e gra të dënuar nga ligjet e diktaturës me privim lirije për motive politike, por të detyruar nga komandat e kampeve të punës  të punonin duke realizuar e tejkaluar çdo ditë normat e përcaktuara në të gjitha proçeset e punës, duke filluar nga tharja e kënetave të Maliqit, Thumanës apo Tërbufit, në brezaret e Borshit apo fushat e Belshit, në ndërtime uzinash,  aeroportesh, apo lagje qytetesh e deri në shfrytëzimin e minierave të Spaçit apo Qafë Barit. Për ato punë kolosale Shteti shqiptar nuk ju ka paguar asgjë të dënuarve, ato para janë depozituar në arkat e tij. Ka një ligj universal, të respektuar në të gjitha demokracitë, që i njeh njerëzve të konsideruar të dënuar pa baza, dëmshpërblimin për gjithë kohën e dënimit, mbas fitimit të pafajësisë. Një vendim pafajësije, për të gjithë të dënuarit e ndërgjegjes në sistemin komunist, e  shpalli Kuvendi i parë i Shqipërisë paskomuniste. Kërkesa për dëmshpërblimet e ish të përndjekurve është pasojë e atij vendimi, dhe mënyra si është trajtuar ligjërisht tregon se është mbajtur parasysh një minimum të drejtash. Sot edhe ai minimum rrezikon fshirjen e plotë.

Themelet e Shtetit komunist shqiptar janë të mbushur me gjakun e viktimave të tij. Mbi atë themel u ngrit godina “demokratike”. Por ende, mbas gati një të katërt qindvjeti nuk shfaqet vetëdija, ndershmëria e guximi për të pastruar gjakun nga themelet. Ai gjak, simbas logjikës kriminale ende të përligjur në një pjesë shqiptarësh, duhet të jetë si kurmi i Rozafës, çmimi për të ruajtur kalanë të pashkrehur. Kthimi i dëmshpërblimeve ish të përndjekurve, më të shumtët tani të ikur nga kjo botë , në një kohë të shpejtë e pa sorollatje të mëtejshme, do të ishte veprimi i parë në drejtim të përmirësimit të imazhit të politikës e të Shtetit. Do të ishte shenja e parë domethënëse e shkëputjes nga e kaluara, e dënimit të saj efektiv e jo të rremë. Kundërveprimi ndaj ndonjë shprehjeje apo projekti të të malluarve të diktatorit gjirokastrit për të ngritur bustet e tij, është një shashkë tymosëse për të verbërit kundrejt faktit, që Shteti dhe politika shtyjnë në kalendat greke borxhet e gjakut e të djersës  së viktimave të diktaturës.

Nuk ka e nuk mund të ketë asnjë justifikim për këtë moskokëçarje të madhe të Shtetit kundrejt pjesës më të dobët të shoqërisë e fakti që, në lumenjtë e propagandës zgjedhore, askush nuk tregon kurajën të ballafaqohet me problemin, qoftë edhe formalisht, tregon se sa e papërgjegjëshme dhe sa larg problematikës reale e thelbësore të këtij Vendi është klasa e tij politike. Në fakt është po e njëjta e vitit 1991, ajo e parafabrikuara nga tezat e Katovices, një mori bijsh e bijash të vazhdimësisë ramiziane, të mbrujtur nga gjiri i nënës me urrejtjen për “armiqtë e klasës”. Këtë urrejtje, në pjesën më të madhe të saj, për leverdi konjukturale nuk e shpreh haptas, por e shfaq tërthorazi, nëpërmjet qëndrimit tërësisht negativ kundrejt kërkesave, më se të ligjëshme, të ish të përndjekurve politikë.

Kryetarit të Opozitës dhe bashkëpuntorëve të tij, që valëvisin pa prerë flamujt e “Rilindjes shqiptare”, vlen t’u kujtohet se rilindja duhet të jetë, në rradhë të parë, dënimi me plot gojën e pa dyshimin më të vogël të atij sistemi që çoi në vdekjen klinike të Shqipërisë. Krahas atij dënimi bëhet i detyrueshëm shërimi i plagëve të hapura që ai la në shoqërinë shqiptare, përfshirë këtu dhe dënimin e krimeve e të autorëve të tyre. Ky proçes, që në një Vend normal e në një rrjedhë normale zhvillimesh demokratike gjatë pothuaj një të katërt shekulli, sot duhet të kishte qenë i mbyllur, duhet rihapur me forcë, duke patur në qendër të tij, pikërisht zgjidhjen e shpejtë e përfundimtare të dëmshpërblimit të ish të përndjekurvet politikë.

Ky nuk duhet të jetë objektiv i vetëm një force politike apo i një koalicioni qeverisës. Për sendërtimin e tij duhet një marrëveshje e përgjithëshme dhe e sinqertë mes të gjitha palëve. Pa këtë marrëveshje demokracia jonë do të jetë e mangët dhe rakitike, edhe nëse do të ketë arritje në fushën ekonomike, edhe nëse do të respektojë parametrat e Evropës, edhe nëse do të bëhet pjesë e saj.

Qershor 2013                                      Eugjen Merlika (ish i përndjekur politik)

Filed Under: Komente Tagged With: Eugjen Merlika, kujtese per fushaten, zgjedhore

NJË MËSIM NGA BRIGJET E BOSFORIT

June 16, 2013 by dgreca

“ Në sheshet e në rrugët kryhet një provim pjekurie për qeverinë turke që duhet të  vërtetojë se mbron opinionet e të gjithë përbërësve të shoqërisë.”-  EMA BONINO (Ministre e jashtëme e Italisë)/

Shkruan: Eugjen Merlika/ Itali/

Parku Gezi, me 600 drunjtë dhe florën e tij, përbën “mushkërinë e gjelbër” të një qyteti të madh, të lashtë e bashkëkohor, me një histori mijra vjeçare e famën e njërit ndër qytetet më të bukura të Mesdheut, Stambollit.

Dhjetë vitet e fundit, zhvillimi ekonomik i vrullshëm i Turqisë, që renditet sot në rradhët e para të shteteve të zhvilluara, me tregues ekonomikë e financiarë për t’u patur zili, në një kohë kur Evropa dhe Amerika lëkunden mes krizash të pazakonta, e kanë kthyer edhe Stambollin në kantiere të fuqishme ndërtimi. Ky bum ndërtimesh, në të cilin ndërthuren interesa nga më të ndryshmet, dha një vendim ekzekutimi edhe për parkun Gezi, sepse në vendin e tij duhej të ndërtohej një mbitreg i madh dhe një xhami, në një metropol në të cilin në vitin 2007 ishin aktive 2944 të tilla. Por organizatat e ndryshme (rreth tetëdhjetë) mjedisore e të tjera, kur panë se filluan të priten drujtë e të vetmit park të madh të qytetit të tyre, u muarën vesh me njëra tjetrën për të kundërshtuar këtë vendim të shtetit. Më 31 maj qytetarët, kryesisht të rinj, mbushën sheshin Taksim, për t’i bërë të ditur autoriteteve se, për qytetarët e Stambollit, parku Gezi është i paprekshëm, i padhunueshëm, është oazi i çlodhjes dhe freskisë, prodhuesi i oksigjenit aq i domosdoshëm për milionat që jetojnë në atë qytet.

Manifestimi nuk u prit mirë nga Qeveria turke dhe Kryetari i saj, Rexhep Tajip Erdogan. Nuk u kërkua një ballafaqim i qetë argumentash me përfaqësuesit e protestuesve, nuk u mbajt parasysh fakti se ajo protestë ishte nisur nga një nevojë jetike e qytetarëve, nga mbrojtja e mjedisit që sot është kthyer edhe për papërgjegjshmërinë e shumë administratave në botë, në një nga problemet më të mprehta të shoqërisë njerëzore. Qeveria zgjodhi rrugën e përballtjes, të shpërndarjes me forcë të demostruesve e vuri në dispozicion të këtij projekti repartet e policisë, të pajisura me mjetet më të ndryshme, që nga shkopinjtë e gomës,tek pompat e ujit dhe bombat me gaz lotsjellës.

Përfundimet e përleshjeve gjatë disa ditëve qenë mbi 500 të plagosur, katër të vdekur, qindra të arrestuar, një tabllo që e vuri në një dritë të keqe imazhin e Turqisë, kryesisht të drejtuesve të saj aktualë, me në krye dorëfortin Erdogan. Sukseset në qeverisje arrijnë të zbehin arsyen, deliri i madhështisë errëson vizionet deri në absurditet që i kthen vartësit në numura, që duhet të zbatojnë pa asnjë lloj diskutimi urdhërat e Kryetarit, sepse vetëm ai di, “i njeh problemet”, i shërben “interesave të atdheut e të popullit”. Kjo mendësi çoi në “tolerancën zero”, në ultimatumet për të zbrazur parkun apo sheshin Taksim, në evokimin e “komploteve të jashtëme”, për të destabilizuar Turqinë, në etiketimin e demostruesve si “terroristë”, në qindra arrestime njerëzish të paarmatosur. Madje kulmi u arrit me arrestimet e 70 avokatëve të të ndaluarvet, jo në sheshet e demostratave por në hapësirat e gjykatave, ku kryenin detyrën e tyre. Besoj se kjo masë nuk ka asnjë rast të ngjajshëm në të gjithë botën perëndimore, përfshirë këtu dhe sistemet e saj autoritare në kohë të ndryshme.

Vëzhguesi i paanshëm pyet me kërshëri : si ka mundësi që një udhëheqës apo një udhëheqje që, në vitet e fundit, kanë patur merita të padiskutueshme në zhvillimin dhe modernizimin e Vendit të tyre, të rrëshqasin mbi një lëkurë bananeje e të arrijnë në një shkelje kaqë të shëmtuar të të drejtave të qytetarëve të tyre ? Spjegimi, veç motiveve vetiake apo kolektive që burojnë nga qëndrimi i gjatë në pushtet, i cili, për vetë natyrën e tij brejtëse, ka prirjen të ndryshojë personalitetin e pushtetarëve, nuk përjashton edhe mundësinë e ndërthurjes së interesave të mëdha financiare që lidhen me persona t’afërt të Kryeministrit. Në këtë vështrim shtypi i huaj flet për interesa të lidhura me emrin e dhëndërrit të tij.

Këto pohime kanë nevojë të vërtetohen, për t’u marrë si argumenta të mirëqëna, por nuk mund të hidhen poshtë a priori. Ndërthurja e interesave të pushteteve me ekonomitë, në Vende ku sistemet e kontrollit e të kundërpeshave lënë për të dëshëruar, krijojnë një lëmsh që i ngjet një mine lëvizëse, e cila mund të shpërthejë, me pasoja herë herë shkatërrimtare, nga një çast në tjetrin.

Politologu i njohur italian Sergio Romano i ve në të njëjtin plan Kryeministrin turk dhe Presidentin e Rusisë, duke analizuar pikat e kontaktit që bashkojnë përvojat e tyre në drejtimin e shteteve :

“Parabola e Putinit është shumë e ngjajshme me atë të udhëheqësit turk Rexhep Tajip Erdogan. Kanë patur gjithmonë një stil autoritar, por familjariteti i gjatë me pushtetin i ka bërë të dy përbuzës dhe të padurueshëm ndaj çdo pengese që shfaqet në rrugën e tyre. Të dy janë të bindur se identiteti kombëtar është dhe identitet fetar dhe Putin po shlirohet nga kundështia liberal – demokrate në të njëjtën mënyrë, me të cilën Erdogani ka shkrehur ledhin laik të shtetit të themeluar nga Qemal Ataturku.”

Mbas disa ditësh përleshjesh e dhune nga ana e policisë, mbasi Kryeministri lëshoi mbi turmat e demostruesve “rrufetë e Zeusit”, duke marrë mbi vete kërkesat për dorëheqje të Opozitës dhe qortimet, jo shumë miqësore të aleatëve të jashtëm amerikanë, evropianë, apo të organizmave ndërkombëtare, një ndryshim i menjëhershëm solli një sqarim që premton mjaft në brigjet e Bosforit. Qeveria pezulloi prerjen e pemëve në parkun Gezi dhe premtoi se do t’i a kalonte çështjen vendimit të një gjykate dhe më pas një referendumi në ish kryeqytetin e perandorive Bizantine e Otomane.

Shpresojmë që kjo të jetë një zgjidhje e drejtë e një problemi që, për logjikën normale, nuk duhej as të ekzistonte. E them këtë mbasi një vendim si ai për parkun Gezi fyen dhe arsyen më të thjeshtë, sepse në një demokraci të arrirë nuk mund e nuk duhet të merret pa një miratim paraprak të popullsisë, mbasi është i lidhur drejtpërdrejt me jetën e saj, me shëndetin, me mënyrën e jetesës, me të shkuarën dhe t’ardhmen e saj. Në këtë kontekst dhe n’atë të marrëdhënieve të mira me republikën e Turqisë, duam të shohim n’atë Vend përfytyresën e një shoqërie e të një shteti në të cilët të jenë të siguruara e të respektuara të gjitha vlerat e demokracive të përparuara.

Përvoja e këtyre ditëve plot trazira në Anadollin e largët na sjell dy mësime të rëndësishme, që mendoj se duhet t’i mbajmë parasysh për të sotmen dhe t’ardhmen tonë. I pari i përket klasës politike, që duhet të dijë të ruajë jo vetëm barazpeshat e saj e të pushtetit, por dhe respektimin e parimeve themelore të demokracisë, ndër të cilët më kryesori është vullneti i lirë i shoqërisë civile. Në këtë drejtim duhet shmangur pushtetomania me çdo kusht e dehja prej saj, shpërdorimi i pushtetit në dobi të interesave vetiake, të kastave, të tarafeve, të klientelave, të partive, duke mbjellur e kultivuar korrupsionin. Vetëm në këtë mënyrë ajo do të jetë në gjendje të plotësojë imazhin e saj të domosdoshëm për të sendërtuar projektin e saj historik, atë të bashkimit me Evropën.

Mësimi i dytë i drejtohet qytetarëve shqiptarë, që duhet të ndërgjegjësohen t’a shohin pushtetin me sy kritik e jo të hipnotizuar, sepse kur ai bëhet autokrat e merr vendime në kundërshtim me të drejtat e tyre të ligjëshme e të natyrshme, duhet të kenë guximin t’i mbrojnë ato të drejta, duke paguar edhe çmimin e nevojshëm. Qëndrimi kritik ndaj pushtetit, i çfarëdo ngjyre qoftë, mospajtimi me degjenerimin e tij të çfarëdo forme, është kura më e mirë parandaluese e sëmundjes së tij të mundëshme. Ai qëndrim na jep neve atë dinjitet e prestigj që, së bashku me dëshirën dhe mundin tonë për të shkuar në rrugën e zhvillimit, do të ishin kartat tona të kreditit në bashkimin me kontinentin.

Itali, Qershor 2013

Filed Under: Komente Tagged With: e Bosforit, Eugjen Merlika, mesim nga brigjet, Taip Erdogan

”Engelana ” e Ohrit dhe Mateja Matevski

June 15, 2013 by dgreca

Nga Fahri XHARRA/

Maqedonia është një degëzim shqiptar me një vazhdimësi po ashtu shqiptare  4.000 vjeqare . Shkrimtarët e Romës dhe të Greqisë së vjetër e vërtetojnë ndërthurjen ilire në identitetin Ilir të Maqedonasve të vjetër si Plini i Vjetri, Strabo-ja dhe Ptolomeu. ”Duke u bazuar në këto shkrime, një numër i madh i historianëve dhe gjuhëtarëve të shekujve XIX-të dhe XX-të me këmbngulje e mbështesin hipotezën e identitetit ilir të Maqedonasve. Me këtë rast e përmendim Karl Otfrid Mueller, William Smith , Charl Antony, G.Finlay .( arberiaonline)”

Më vonë gjuhëtarët e mirënjohur që e mbështesin tezën e thelbit Ilir në gjuhën e vjetër Maqedone janë: G. Kazaroff, M. Rostovtzeff, M. Budimir, H. Baric(Miltiades Hatzopoulos: 1999). Por Anastasios Phoivos Christidēs (2007) që të jemi të pa një anëshëm në këtë qështje duhet thënë që debate mbi karakteristikat e Gjuhës Maqedone janë ende të pa përfunduara dhe si të tilla ende mbesin thelbësisht Ilire deri të Greke-Thrakase -Ilire.

Ku jemi ne si shqiptar?

Akademiku Mateja Matevski në moshën 80 vjeqare e deklaroi përkatësinë e tij etnike shqiptare. I lumt! Po pse kaq vonë?  “Përse ka nevojë që një intelektualë i njohur 50 vite gjatë komunizmit dhe 23 vite në demokraci të fshehë ndjenjën ( përkatësinë fxh) e tij kombëtare.”. ”Matevski nuk e ka fshehur identritetin e tij. Se ai është shqiptar e ka pohuar disa herë, gjatë bisedave, kur isha korrespondent në Shkup, por nuk ka pranuar të flasë hapur për këtë. Megjithatë ata që e kanë njohur e që kanë punuar me të e kanë ditur. Nëna e tij, që e kishte sjellë në Shkup, nuk dinte të fliste maqedonishten mirë dhe komunukonte shqip”(Rrahim Sadiku).”  ”Ne nuk mund të ndajmë njoftimin se akademiku Mateja Matevski është shqiptarë nga Maqedonia. Ky akt i njohjes së akademik Mateut Matevski pas 80 vjet fshehje dhe mimikë, është një guxim tashmë i ndarë me publikun maqedonas. Ne e mirëpresim dhe e përgëzojmë për këtë. Kjo është një e drejtë themelore të çdo qytetari, që të deklarojë lirisht ndjenjat ( përkatësinë fxh) kombëtare. Por, kjo ka shokuar opinionin maqedonas, për shkak se një fakt i tillë paraqet një braktisje nga maqedonizmi antik i promovuar nga pushteti aktual në Maqedoni”, shkruan VMRO-Partia Popullore.

Sipas kësaj partijeje opinioni maqedonas qenka shokuar sepse një fakt i tillë po paraqitka braktisje nga maqedonizmi antik i promovuar nga pushteti  aktual në Maqedoni. Këtu sllavëve të Maqedonisë po iu përzihen kabllot . Cila është Maqedonia antike? A janë duke e spjeguar drejtë këtë qështje apo mos janë duke e mashtruar popullin e vet me një barrë historike  që aspak nuk iu takon.

Të nderuarit  Mateja Matevski dhe Branko Manojllovski vetëm sa e hapën apo më mirë të them e shkyen ”vellon e heshtjës” , ” vellon e frikës dhe të kërcnimit”.Po kush ka guxuar nga shqiptarët ortodoks në kohën e komunizmittë deklarohet që është shqiptarë. Hapin e tyre kishin për ta ndjekur edhe të tjerët sikur edhe shqiptarët tjerë të ngarkoheshin me mbrojtjën e tyre. Sa shqiptarë musliman , katolik dhe ortodoks e kanë lëshuar Maqedoninë gjatë kohës së komunizmit?  Zhbërje totale.

“Ky akt i virtytshëm vetëm na konfirmoi se diçka nuk është në rregull me shoqërinë maqedonase, dhe seriozisht duhet të rishikojmë maqedonizmin e ashtuquajtur dhe të pranojmë dhe të zbatojmë parimet e demokracisë për të cilën jemi përkushtuar”, ka shkruar në fund partia VMRO-Popullore, që drejtohet nga ish-kryeministri Lubço Georgievski.

Po pra , nuk jeni në rregull dhe patjetër duhet të rishikoni historinë e maqedonizmit ?

“Një pranim i tillë nga ana e Matevskit i cili pas 80 vjetësh fshehjeje, më në fund mori guximin dhe pranoi publikisht para opinionit maqedonas, është për t’u përshëndetur dhe ne e urojmë për këtë! ” thuhet më tutje në letër . Si e shihni duhet të ketë pasur guxim të madh që të pranohet publikisht diçka e tillë.

”Me këtë hapet çështja parimore dhe thelbësore, në çfarë hutie kemi jetuar dhe akoma jetojmë”, thuhet në reagimin e VMRO-Popullore. Asfarë hutie; vetëm një qendrim i drejtë i qështjes historike dhe qëndrim i mençur ndaj shqiptarëve dhe të vërtetën e tyre historike do t`a ç`rrënjoste hutinë dhe dhe gjetjen e një rruge të drejtë për shtetin e Maqedonisë.

Deparmenti i parahistorisë të Muzeut të Ohrit e filloi një punë shumë të vlerëshme për historinë botërore duke punuar në vendgjetjen arkeologjike ,mbi Kishën e Shën Erazimit në hyerjen veriore  të qytetit të Ohrit , ku sipas arkeologut Pasko Kuzman gjindet një vendbanim i lashtë i Fisit Maqedonas Engelani. Që në fillim ,tentim për mashtrim me të dhëna historike . Ku ka pasur fis Maqedonas Engelani?  Ata ishin fis Ilir Enkelejt .

“ Jemi te Ohri dhe historia e tij shqiptare  , por e stërvjedhur  nga ardhacakët.Në antikuitet (shënime sllave) qyteti njihej me emrin e vjetër “Lychnidus” që ndoshta do të thoshte “ qyteti i dritës” ose “ guri i çmuar që lëshon dritë”.Por pas vitit 879 psK nuk quhej më Lychnidos , por sipas sllavëve Ohrid,që ndoshta rrjedhë nga fjala sllave “ “vo hrid “ me kuptimin “ në breg” sepse qyteti i vjetë ishte në maje të bregorës buzë liqenit”. E shifni , një rrenë tjetër e zakonshme sllave  me qëllim të humbjes së çdo gjurmëje shqiptare . Por është e pamundur!

Banorët  e herëshëm të  regjionit të gjerë të Liqenit të Ohrit  (Bogumil Hrabak… Disa emërtime gjeografike si Nishi , Shtipi ,Ohri iu erdhën Sllavëve  nga goja e arbanasve…) ishin Dasaratët dhe Enkelejt ( fise Ilire). Zbulimet në vazhdimësi tregojnë që qyteti banohej edhe nga Filip i II-të i Maqedonisë  (Origjina ilire e Aleksandrit të Madh)

Edhe studjuesi aspak i drejtë për qështjen shqiptare J.J. Wilkes  në librin e tij “The Illyrians, 1992,” shkruan” ,”the Illyrian Enchelei, the ‘eel-men’, whose name points to a location near Lake Ohrid” ( Enkelejt Ilirian , “njerëzit- njalë”, përputhet  me lokacionin afër Liqenit të Ohrit). Pra që në start një mundim për shtrembërim.

Pra jo Engelana ,por kështjella e Enkelejve. Flitni të vërtetën.

Fahri Xharra

13.06.13 Gjakovë

* Mateja

Keshtjella e Enkelejve  e ndërtuar me gurë ciklop

Filed Under: Komente Tagged With: dhe Mateja e Matevski, e Ohrit, Engelana, Fahri Xharra

KY GOMAR, KA MBETË NË BALTË…

June 15, 2013 by dgreca

Nga Fritz RADOVANI/

  Shpesh ndodhë në jetë që gomari të bahet kenja ma e afert me të cilin kalon shumë kohë. Një fshatar porsa del drita në mengjes ma parë se gomarin nuk besoj se takon njeri…            Kështu ka ngja në një nga fshatrat e Mirditës, aty nga vitet 1946 – 47…

E mori i zoti gomarin dhe u nis në pyll me pre dru per shtëpi. Preu sa preu dhe filloi me ia ngarkue gomarit barren e druve. Njëfarë kohe u lodh fshatari aq sa mendoj mos me vazhdue ma ngarkesen pa ndezë një cigare. U ul mbi një cung aty afer gomarit dhe i merzitun nga mundi e lodhja iu drejtue Zotit në qiell: “Deri kur o Zot, po i len komunistat me na marrë Shpertin, aman bre, qiti faret këta t’ patenzonë !?”… Fiku cigaren me kujdes mos me marrë zjarr pylli, shterngoi barren e druve, mori gomarin perdore dhe u nisë tek shtëpia. Shkarkoi drutë dhe u ul tek votra. Nuk vonuen as dy orë e ia mërriten tek shtëpia e fshatarit forcat e ndjekjes me operativin e zonës.

E thirren me emen dhe hyne në shtëpi. Mbasi e pyeten ku ishe, pse shkove në pyll, dhe me cilin ke bisedue kunder pushtetit popullor, fshatari i topitun nuk dinte me mendue “kush e paditi até!” U mundue i shkreti me mohue fjalët e veta, po ata ngulnin kambë se ke folë kunder nesh, madje dhe “i kerkue Zotit me na qitë faret”!! Fshatari i shkretë vazhdonte me mohue edhe pse po bindej se me të vertetë ata po i dinin të sakta fjalët e tija. Kur operativi po ngulte kambë dhe i sigurtë iu drejtonte fshatarit se “çfarë i ké kerkuar Zotit per neve?!”.. Fshatari i zanun ngusht u tha: “Per qiell e tokë ju me Zotin, nuk keni punë, po pse edhe gomari em kenka ba spijuni juej s’ e kishe mendue! Të gjitha po i pranoj, po gomarin si e keni ba me folë kunder meje, që unë i shikoj atij sytë e ballit?!”…E morën me vete rrezikun fshatar dhe mbasi e ngordhën në hu…e dënuen.

Mbas disa ditësh mirditësi po i tregonte një shokut të vet kur e çuen në një kamp pune …tue vazhdue me dyshue se gomari ka kenë i vetem aty e askush tjeter nuk ka pasë mundsi me ndigjue çka ky iu drejtue Zotit… Miku i tij nga Mirdita filloi me qeshë dhe i tregoi se, “me siguri, nuk të ka shkue mendja me shikue naltë nder lisa, mbasi ka disa muej që forcat e ndjekjes po gjurmonin disa diversanta dhe rrinin nalt tue veshtrue lëvizjet e njerzëve poshtë me mujtë me i kapë diversantat ose ata, që shkonin nder pyje, me u çue bukë atyne…e ashtu, si ty, më ka ngja edhe mue me forcat e ndjekjes në një pyll tjeter, ata të kanë ndigjue kur ti i ke nêmë!”

Kishte kohë që fshatarit  i rrinte mendja tek gomari…

Pergjithsisht shqiptarët shumë ngjarje i lidhin me jeten e gomarit.

Aq per qejfë i kanë gomarët sa në perngjasim me ta, edhe votojnë tash 22 vjet…

A mund të marrin me mend kush se sa faqe të një librit të vet i ka kushtue edhe poeti i madh At Gjergj Fishta, një gomarit me emnin “Gomari i Babatasit”?!

Dhe ja, si e fillon librin e vet kushtue atij “gomari”:

Pra, nji herë e pikë ma s’parit

Po i diftoj rodit t’ Shqiptarit

Se un ktu s’ kndoj burrnin’e t’ Parit,

As trimnit e ndo’i luftarit,

Veç nji gaç, nji zog gomarit,

Qi, qyqari, për send tjetër

– N’ dashtë i ri t’ jet, n’ dashtë i vjetër –

S’ duhet gja, veç se me bártë

E me ngrânë, t’ thuesh, si Shqiptarët…

***

Një Burrë shumë i kulturuem më shkruen këto ditë, sigurisht, me keqardhje per gjendjen e krijueme në Shqipni… “Mbas 100 vjetësh, akoma nuk e kanë mësuar të vërtetën se është i zoti që e nxjerr gomarin nga balta.”…Ishte para ngjarjeve të partive të pista LSI, PISI, PQN, PSSh… e kush po i merr vesh shkronjat e tyne,  pra, prap si në 1941 me PKSh, kur shovenistët jugosllavë gjetën disa tradhëtarë, mbeturina osmanllijshë në Pazarin e Vjeter të Tiranës qamiliste, dhe formuen me terroristë atë “parti”, që s’ ka mbetë gomar që nuk po e drejton…

Po, nuk duhet harrue se: “Gomari asht ngulë në llomin e Shqipnisë e nuk po zhgulet!”

Mos asht i “zoti” i këtyne gomarëve që “drejtojnë” Shqipninë, B. Tadiç, R. Krivokapiç, Muhamet Budimliç, e disa të tjerë që nuk ndryshojnë nder surreten nga ata të 1941 ?

Grumbullimi i këtij llomi në Shkoder e ka domethanjen e vet!

Autorët e “2 Prillit 1991” kerkojnë persëritje “datash” të këtij muej!

Ata që kanë mbulue krimet e komunizmit në Shkoder tue mos dënue asnjë terrorist nder këta 22 vjet, ata kerkojnë vazhdimsinë e mbajtjes së pushtetit, krimit, vrasjeve dhe hajnisë!

Shkodranët, nuk duhet me u ba prè e terroristëve dhe tradhëtarëve që tash 22 vjet, vetem po i mashtrojnë e genjejnë…per me mbushë xhepat e vet.

Në Qershor, Asnjë Shkodranë, nuk duhet me hy në baltë per me nxjerrë “gomarin”…

“Gomarin” t’a nxjerrin “ata”, që tash 72 vjetë e kanë zhytë në llom dhe në gjak…

“Gomari” nuk asht as prej Barbullushit, as prej Shkodret !

Ai e ka “hanin e hajnave” në Tiranë… që në 1920…

Melbourne, 2013.

Filed Under: Komente Tagged With: Fritz radovani, ky gomar ka mbete ne balte

DEKLARATE SHTYPI E SHOQATES PRONESI ME DREJTESI

June 13, 2013 by dgreca

Rezoluta e Këshillit të Europës i referohet moszbatimit të vendimeve të Strasburgut mbi kthimin e pronave të shtetëzuara nga komunizmi dhe shënon fillimin e denoncimit të Shqipërisë për shkelje të Konventës./

Nga Rrapo Hajredin Danushi/Kryetar i Shoqatës Kombëtare “Pronësi me Drejtësi/

Informojmë opinionin publik se Rezoluta e Këshillit të Europës e datës 6 Qershor 2013 mbi kthim/kompensimin e pronave të shtetëzuara nga regjimi komunist, tregon se Europa e ka kuptuar dështimin PD/PS dhe se Shqipëria është në prag të denoncimit për shkelje të Konventës Europjane mbi të Drejtat e Njeriut.

Në mbledhjen e tij të fundit më 6 qershor 2013, Këshilli i Ministrave i Këshillit të Evropës – instanca politike që ndjek ekzekutimin e vendimeve të Gjykatës Europjane mbi të drejtat e njeriut (Gjykatës së Strasburgut) – adoptoi një rezolutë mbi Shqipërinë: Interim Resolution CM/ResDH(2013)115 . Rezoluta i referohet moszbatimit të vendimeve të Strasburgut mbi kthimin e pronave të shtetëzuara nga komunizmi dhe shënon fillimin e denoncimit të Shqipërisë për shkelje të Konventës. Rezoluta shënon një shkallëzim të ri pas adoptimit të gjykimit pilot në korrik 2012 (rasti Manushaqe Puto etj. kundër Shqipërisë) dhe fillimin e procedurës që parashikon dënimin e Shtetit që refuzon të aplikojë (ekzekutojë) vendimet e Gjykatës (neni 46 i Konventës).

Ky paralajmërim për Shtetin, merr shkak nga 11 vendime te GJEDNJ të pa ekzekutuara dhe nga mungesa e vullnetit nga ana e shtetit shqiptar për të zgjidhur njëherë e mirë problemin e kthim/kompensimit të pronave. Këshilli i Ministrave konstaton me preokupim të thellë se megjithë ndihmën dhe propozimet që Këshilli i Ministrave i ka dhënë Qeverisë shqiptare për zgjidhjen e çështjes së kthim/kompensimit e cila po zvarritet për një kohë shumë të gjatë, Shteti Shqiptar nuk ka paraqitur deri më sot asnjë plan të qartë dhe efikas për të zgjidhur këtë problem brenda afatit të përcaktuar. Duke u shprehur në termat më të ashpra të gjuhës diplomatike, Këshilli i Ministrave nënvizon se moszbatimi i vendimeve të marra në vitet ’90 për kthim/kompensim dhe i vendimeve të Strasburgut paraqet një rrezik madhor për shtetin ligjor dhe ve në pikpyetje kredibilitetin e shtetit Shqiptar. Rezoluta apelon instancat më të larta shtetërore shqiptare t’i kushtojnë rendësinë më të madhe adoptimit të një plan veprimi që mundëson krijimin e një mekanizmi kthim/kompensimi efikas brenda 17 qershorit 2014 – afat ky i caktuar nga Gjykata. Ky mekanizëm duhet të përfshijë masat e identifikuara nga Gjykata dhe Këshilli i Ministrave.

Gjykata e Strasburgut ka konstatuar që në 2007 se moskthimi dhe moskompensimi ose kompensimi i pamjaftueshëm i pronarëve të shpronësuar nga regjimi komunist është një problem sistemik që prek një numër të madh njerëzish në Shqipëri. Shumë raste të ngjashme janë dërguar në Gjykatën e Strasburgut. Një duzinë prej tyre janë gjykuar (grupi i rasteve Driza dhe Manushaqe Puto) dhe Shteti shqiptar është dënuar me kthim fizik dhe/ose kompensim financjar prej qindra-mijë eurosh. Duke parë mungesën e vullnetit nga ana e shtetit shqiptar për të zbatuar këto vendime si dhe për të zgjidhur njëherë e mirë problemin e kthim/kompensimit të pronave, Gjykata Evropjane adoptoi në korrik të 2012 një hap të dytë – proceduren e “gjykimit pilot”.Rezoluta e fundit është një hap i tretë. Strasburgu kërkon masa urgjente për të garantuar zgjidhjen e problemit të pronës për të gjithë vendin dhe këtë politikanët duhet jo vetëm ta lexojnë por dhe ta kuptojnë dhe ta zbatojnë . Zbatimi nuk bëhet me mendime dhe vendime personale por në përputhje me Kushtetutëm. Në faqenwww.defendingproperty.com shoqata jonë dhe ajo “Bregdeti” kanë ofruar projektligjin dhe platformën që plotëson të gjitha kërkesat e Strasburgut dhe e zgjidh përfundimisht problemin e pronës. Ajo forcë politike që do ta kuptojë më mirë këtë situatë me siguri do të marri vota me shumicë të cilësuar.

Për Kryesinë e Shoqatës Kombëtare “Pronësi me Drejtësi

Kryetar Rrapo Hajredin Danushi

 

 

Filed Under: Komente Tagged With: Keshilli i Europes, rezoluta, Rrapo Danushi

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 464
  • 465
  • 466
  • 467
  • 468
  • …
  • 482
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NGA NJË KOLONI DE FACTO NË NJË KOLONI DE JURE
  • ADEM DEMAÇI, JO THJESHT FIGURË E REZISTENCËS, POR KATEGORI KONCEPTUALE E SHTETFORMIMIT
  • Roli i gazetës “Arnavud/Shqipëtari” në formimin e vetëdijes kombëtare te shqiptarët përballë politikave turqizuese të xhonturqve
  • Si investonte Serbia në thellimin e përçarjeve ndërmjet udhëheqësve shqiptarë dhe në shkëputjen e tyre nga ndikimi austro-hungarez
  • Marrëdhëniet e Gjergj Kastriotit – Skënderbeut me Republikën e Venedikut sipas dokumenteve të Arkivit Apostolik të Vatikanit, Arkivit të Shtetit të Venedikut dhe burimeve historike botërore
  • “U SHKEPUT NJE METEOR POR ZJARRI MBETET ZJARR…!”
  • Përurim i “American Dream” në Vatër
  • Një vit që ka filluar mbarë për Vatrën në Chicago
  • Kategorizimi i qyteteve shqiptare sipas Sami Frashërit në vitin 1890
  • Abas Kupi, historia, e vërteta dhe dashuria për atdheun…
  • Kur karakteri tejkalon pushtetin
  • ABAZ KUPI DHE LUFTA ANTIFASHISTE NË SHQIPËRI
  • Fortesa Latifi: “It can be difficult to grow up when you’re constantly faced with a younger version of yourself”
  • ABAZ KUPI, I HARRUAR DHE I KEQTRAJTUAR NGA HISTORIA ZYRTARE
  • VATRA DHE FAMILJA KUPI ORGANIZUAN SIMPOZIUM SHKENCOR ME RASTIN E 50 VJETORIT TË KALIMIT NË PËRJETËSI TË NACIONALISTIT TË SHQUAR ABAS KUPI

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT