• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

PATRIOT APO TRADHËTAR?

June 13, 2013 by dgreca

Ne Foto: Personi që nxorri në publik informacionet e fshehta, ishte i riu 29-vjeçar, amerikani Eduard Snouden, një ish-nëpunës me kontratë i Agjencisë super secrete të   Sigurimit Kombëtar./

Nga Frank Shkreli/

Një javë e sa më parë, gazeta britanike Guardian dhe gazeta amerikane Uashington Post botuan informacione për programin e fshehtë të qeverisë federale të Shteteve të Bashkuara për përgjimin e miliona telefonatave dhe komunikimeve në internet.   Personi që nxorri në publik informacionet e fshehta, ishte i riu 29-vjeçar, amerikani Eduard Snouden, një ish-nëpunës me kontratë i Agjencisë super secrete të   Sigurimit Kombëtar.Ndërsa Uashingtoni zyrtar po vlerëson dëmet e shkaktuara nga publikimi i pa-autorizuar i programeve të fshehta dhe ndërkohë që komisione të ndryshme të Kongresit Amerikan kanë njoftuar mbajtjen e seancave dëgjimore në lidhje me këtë çështje, zëdhënës të qeverisë amerikane, para Kongresit dhe në media — janë duke mbrojtur programin e mbledhjes në masë të informacioneve mbi tabulatet telefonike — duke thënë se ky veprim u ndërmor në bazë të një urdhëri të fshehtë të një gjykate që miratonte mbledhjen e informacionit nga Agjencia e Sigurimit Kombëtar.   Qeveria amerikane dhe mbështetsit e këtij programi thonë se përdorimi i kësaj praktike është me rëndësi për të mbrojtur Shtetet e Bashkuara nga sulmet dhe kërcënimet për sulme terroriste, pasi ky program ndihmon në identifikimin e personave ose grupe personash që mund të kenë kontakte me terroristë, të cilët duan të dëmtojnë këtë vend, siç ka ndodhur në të kaluarën, duke filluar nga 11 Shtatori i vitit 2001.   Qeveria amerikane gjithashtu, shpjegon në deklaratat e saja,  se këto përgjime u ndërmorën bazuar në nenin 215 të ligjit federal mbi përgjimet brenda vendit, e që njohet si “Akti Patriot”, i miratuar gjatë administratës së Presidentit Xhorxh W. Bush, pas sulmeve të Al Kaidës. Qëllimi i këtij Akti është për tu dhënë kompetenca më të mëdha agjencive të fshehta për të përgjuar komunikimet elektronike për parandalimin e ndonjë sulmi terrorist.    Presidenti Barak Obama ka nënshkruar zgjatjen e afatit të këtij ligji edhe për katër vjetë të tjera. Më heret këtë javë,  ai e mbrojti programin e përgjimeve telefonike  duke thënë se “Vlerësimi im dhe i ekipit tim është se këto praktika na ndihmojnë të parandalojmë sulmet terroriste.   Ndonjë shkelje modeste e privatcisë që ndodh kur kontrollohen tabulatet, por pa dëgjuar përmbajtjen e bisedave telefonike –krahasuar me përfitimin — ia ka vlejtur,” tha Presidenti Obama.
Gjithashtu në mbrojtje të këtij programi, Drejtori i Agjencisë për Sigurimin Kombëtar, gjenerali Keith Alexander i tha dje një seance të Kongresit se të dhënat nga programi i përgjimeve kanë mundësuar parandalimin e dyzina sulmesh dhe komplotesh terroriste, duke shtuar se praktika të tilla janë jetike për mbrojtjen e atdheut.   Ai i tha gjithashtu Kongresit se dëshiron të informojë popullin amerikan se, “ne po përpiqemi të jemi transparent, të mbrojmë të drejtat dhe liritë civile si dhe privatcinë, por në të njëjtën kohë, edhe sigurinë e këtij vendi”, tha gjenerali Alexander.Ky ligj, siç pretendojnë zyrtarët,  mund të lehtësojë punën e agjencive të fshehta amerikane për të mbledhur informacione mbi sulme të mundëshme terroriste, por praktikat që lejon ky ligj në këtë angazhim, janë kritikuar dhe kundërshtuar ashpër nga indidvidë dhe organizata që mbrojnë të drejtat civile dhe privatcinë individuale, duke thënë se agjencive të fshehta dhe të rendit publik u janë dhënë kompetenca tëpër të mëdha, sidomos në kryerjen e përgjimeve të vazhdueshme elektronike.    Madje, madje, në lidhje me këtë, janë njoftuar tanimë, një numër padishë kundër qeverisë federale, duke filluar nga Bashkimi Amerikan i Lirive Civile, (e njohur me inicialet anglisht ACLU), organizatë e cila e ka quajtur praktikën e grumbullimit të informacionit si tepër alarmuese.   Duke njoftuar dje padinë kundër qeverisë federale, organizata ACLU tha se programi i fshehtë i Agjencisë së Sigurimt Kombëtar shkelë seriozisht të drejtat e amerikanëve.

Ish-nëpunësi me kontratë i Agjencisë së Sigurimit Kombëtar, Eduard Snouden, personi që pa autorizim nxorri në dritë programin e fshehtë për përgjimin e telefonatave, gjëndet tani në Hong Kong.   Lajmet bëjnë të ditur se Ministria Amerikane e Drejtësisë është duke marrë në shqyrtim padinë kundër tij për ta ekstraduar dhe për ta hedhur atënë gjyq nën akuza kriminale.   Në Hong Kong, Eduard Snoudën i dha një intervistë gazetës kineze në anglisht, “South China Morning Star”, gjatë së cilës ai u shpreh se nuk ka në mend të këthehet ë Amerikë dhe shtoi se fatin e tij ua ka lënë në dorë gjykatave dhe popullit të Hong Kongu-ut.

Këtu në Shtetet e Bashkuara, publikimi i njoftimeve mbi programin e përgjimit të telefonatave dhe burimeve të tjera të internetit, ka shkaktuar një debat të ashpër në media dhe në të gjitha nivelet e shoqërisë, qoftë mbi njoftimin e këtyre sekreteve, qoftë edhe mbi personin, Eduard Snoudën,i cili pa autorizim informoi botën për ekzistencën e këtij programi të fshehtë përgjimi.   Nga një anë, një numër individësh dhe organizatash, si të majta ashtu edhe të djathta, kanë shprehur zemërimin e tyre në lidhje me ekzistencën e këtij programi përgjimesh të fshehta, ndërsa disa anëtarë të Kongresit Amerikan thonë se kanë qenë në dijeni të këtij programi dhe se e mbeshtesin atë si një mjet për të parandaluar sulmet  terroriste kundër popullit amerikan, siç tha kryetarja Komisionit të Senatit për Zbulimin, Senatorja demokrate Dajanë Fainstain.  Ndërsa Senatori republikan Lindsi Graham tha se, ai nuk i shikon veprat e Eduard Snoudën si vepra patriotike por i konsideron ato si akte kriminale dhe se si të tilla, ai “Shpreson se do ta ndjekim Z. Snoudën deri në fund të dynjasë me qëllim që ai të përballet me drejtësinë.”

Vet, Eduard Snoudën i tha gazetës kineze “South China Morning Star”, e cila botoi disa citime nga intervista në uebsajtin e saj, se ai nuk e konsideronte veten, “as tradhëtar dhe as hero, por thjeshtë një amerikan”, duke shtuar se ai gjëndej në Hong Kong, jo për të ikur nga drejtësia, por siç tha ai, “jam këtu për të zbuluar një kriminalitet”.

Nëse Eduard Snoudën është hero apo tradhëtar është ende heret të thuhet, me shpresë që njoftimet e tija pa leje, të mos kenë dëmtuar sigurimin kombëtar të këtij vendi dhe që njoftimi i këtij programi të fshehtë të mos përfundojë në humbje jete.   Por në mos asgjë tjetër, — nxjerrja në shesh dhe njoftimi për ekzistencën e programit të fshehtë të përgjimit nga ana e qeverisë amerikane të miliona telefonave të amerikanëve, —  ka nxitur një debat të ashpër, por të doemosdoshëm, siç tha edhe vet Presidenti Obama, mbi nevojën për të pasur një program të tillë të fshehtë përgjimi për parandalimin e sulmeve terroriste dhe që njëkohësisht të  mbrojë të drejtat civile dhe privatcinë e shtetasve amerikanë, të garantuara nga Kushtetuta e Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

 

 

Filed Under: Komente Tagged With: Frank shkreli, PATRIOT APO TRADHËTAR?

Tirania e shumicës mbi pakicën!

June 12, 2013 by dgreca

Nga Faik KRASNIQI/

”Demokracia është kuvendimi dhe votimi i dy ujqve dhe një qingji për çështjen se çfarë do të hanë për drekë!”E njihni atë kuturierin (rrobaqepësin) anglez John Galliano që punonte për markën franceze ‘’Dior’’. Ishte tapë në një lokal dhe ca turistë e provokuan, e filloi të shante hebrenjtë, që mirë ja u kishte bërë Hitleri, etj, etj. Kur videon ja nxorën në youtube e hoqën direkt nga puna me ceremoni. Kurrë nuk kanë për t’i dhënë më punë në modë, ngaqë hebrenjtë kanë çelësat e saj si dhe ato të kinemasë dhe po ashtu bankat.

Kjo është diktatura ose tirania e shumicës mbi pakicën. Pakicë është ky(John Galliano) kreatori i modës, ndërsa shumicë është populli i thjeshtë botëror, me kokën e mbushur me paragjykime ose siç përmblidhet rëndom në gjuhën e shtypit OPINIONI PUBLIK, i cili është dhe tirani i sotshëm botëror.

Autocensura e njerëzve, e sidomos atyre që kanë kokën plot e shumë gjëra të tregojnë, dhe që është më e keqe se censura, se të lë pasoja psikologjike bile të kthen të çmendur, vjen pikërisht nga kjo tirania e masës, e turmës, e shumicës.

Me një diktator ke një shans ta gjesh një gjuhë të përbashkët, ndërsa me turmën, me shumicën, ASNJËHERË. Se turma nivelon gjithnjë nga poshtë(në demokraci s’ka më artistë të mëdhenj, shkrimtarë të mëdhenj, vepra madhështore, turma është e paaftë ta kuptoj artin e madh ngaqë përbëhet prej njerëzish të vegjël).

Feja monoteiste (me një Zot të vetëm) është po ashtu tirani e shumicës, e masës, e turmës etj, etj. Bile krishterimi ishte fitorja e skllavit mbi njeriun e lirë, si dhe lindja e tiranisë se masës. Niçja jo pa qëllim thotë ‘’Zoti vdiq’’, sepse me Zot nuk mund të kishte vend për Mbinjeriun e tij. Enveri po ashtu jo pa qëllim e ‘’eliminoi’’ Zotin. Nuk mund të këtë vend për të dy, diktator (njeriu suprem) dhe Zot. Po të shohësh në Magreb, vendin e diktatorëve po e rimerë ZOTI etj, etj.

PS; Ndërsa ato ‘’shteti i së drejtës dhe ‘’ndarja e pushteteve’’ janë llafe koti, pa lidhje.

 

Filed Under: Komente, Opinion Tagged With: faik Krasniqi, mbi pakicen, tirania e shumices

SHPIRTËRAT E ATYRE QË NA THËRRASIN MË 23 QERSHOR

June 12, 2013 by dgreca

Mikut tim, Muhamer Kurti, që ndërroj jetë në agimin e lirise,  në pragun e pranverës 1989, i kushtohet, si dhe të gjithë bashkëmoshatarëve të mij, që lindën, e vdiqën në robërinë komuniste./

 Nga Tomorr Hoxha/

E madhërishme do te jetë pranvera e këtij viti, unë e ndiej se sa fort po dridhen muret e bllokimit e mezi e pres 23 qershorin.Në atë prag  pranvere te vitit 1989 Merka,  ende nuk i kishe mbushur  tridhjetë vjeç, dukej se të dy ishin në garë, ai dhe pranvera.  Dukej se asnjëherë  pranvera nuk kishte rendur aq fuqishëm sa do të bënte të paqenë atë dimër, dimrin e fundit te robërisë më të madhe  që bota ndonjëhere kishte njohur. Dielli shklëqente mrekullueshëm, agimet dhe muzgjet ishin mahnitës, në atë  prelud pranevere dukej se  edhe vet krijuesi ishte i ngazëllyer me çlirimin e madh  që popujve u ishte bërë ndonjëherë në historinë e tyre… por atë mëngjes, dukej se edhe pranvera e ndali

ngarendjen e saj…

Ishte një mëngjes më tepër se gri e që përçonte një lagështirë  dhimbëse, një ankth pothuajse mbyëtës ndihej në ajër…dikush më tregon se mbrëmë ishte shuar në një rrethanë aksidenti tragjik në turnin e tretë, i dashuruari  i asaj pranvere te madhe Muhamer Kurti, ose Merka siç

thërrisnim ne miqte dhe te afërmit e tij. Vlora po përcillte me  një proçesion madhështor birin e sajë. Nuk mungonin në të, të gjithë

grupmoshat e veçanërisht rinia që ishte pothuajse e tëra…Dhimbje, pezm, e njëherësh krenari e nder të ishe në rradhën e miqve të tij, që ashtu edhe prej arkemortit të tij të parakohshëm shpallte madhështinë e qënies së njeriut në botën tonë.

Pranvera çuditshëm e ndali vrullin, djaloshi që kishte fluturuar në amshim dukej se ishte kudo, kështu tregonin të gjithë, sikur shpirti i tij i dlirë endej mes nesh, dëshironte të  bëhej edhe ai dëshmitar i asaj ngjarje të madhe, që aq fuqishëm e kishte jetuar në ënderrat e tij.

*    *    *

Pranvera ja la vendin verës, e vetem vjeshta do të mund ti dhuronte planetit ngazëllimin e lirisë që ndërroj faqen e historisë së njerëzimit ….muri i ferrit, ose i Berlinit u shemb, zilet e parajsës tingëlluan fuqishëm për popujt e shtypur nën tiraninë komuniste.

Era e ndryshimit ndihej kudo, në çdo gjethe peme, në çdo frymëmarrje, i ngjasonte një mrekullie të vërtetë, përjetimi i atyre ditëve, edhe vet universi përjetonte një ekstazë.

E Merka sërish ndihej se ishte mes nesh e se shpirti i tij endej diku mes nesh, ai kishte vendosmërinë që të mbetej këtu deri në agun e lirisë.

Pranverë 1990, The Scorpions me këngën “Era e ndryshimeve” u bënë hit i shekullit të gjithë popujve qe aspironin lirinë. Në vjeshtën e atij viti, u trandën themelet e tiranisë, një  Burrë i Madh që e kish kuptuar se ishte lindur pikërisht për atë ditë, i dha formë lëvizjes studentore,  asaj lëvizje që gjunjëzoj robërinë, duke themeluar Partinë Demokratike, të parën parti opozitare. Të gjith ne miqt, të afërmit, vëllezërit e motrat e Merkes ishim atje, pothuajse e gjithe ajo rini pjesëmarrëse në proçesionin e tij atje ishin, ishin edhe për Merken , që gjithësesi ndihej se nuk ishte transferuar ende ne vendin qe atij i ishte caktuar në parajsë.

Merkja rridhte nga një familje fisnike, të parët e tij ishin dëgjuar në trevat e tyre për vlerat e larta morale dhe cilësitë e spikatura atdhetare,  gjë që kish bërë që prindërit e tij të kishin përjetuar persekutime që nga  kampet shfarosëse famëkeqe e deri në internimet dhe mungesën e strehës së pa përshtatëshme ku i kishin vendosur, pasi i zbuan nga trojet e tyre e në të cilat kishin bujtur figura të ndritura të kombit, gjë për të cilat ai nuk hezitonte të krenohej, dhe krenaria e tij nuk ishte egosite, por e kishte frymëzuar atë në rrugëtimin e tij  mjerisht të shkurtër, por mrekulisht të paharrueshem.

Ai Burri i Madh, që kishte vendosur të ndryshonte Shqipërinë, thuhej që ishte doktor zemre dhe historia e kishte ngarkuar të shëronte zemrën e kombit të sëmur. Në atë rrugëtim lotësh të 50 vjetëve të trishtuara, ku gjëmonin prej pesë dekadash krimet më të padëgjuara që i ishin bërë këtij vendi përgjat gjithë historisë së tij, eksperimente tragjike të gatuara në humnerat më të errëta …e zemra e kombit lëngonte.

Ne u thirrem në përballjet e mëdha  më 31 mars 1991, ishim të gjithë atje, ishim edhe për Merken, kur i mposhtëm në zemrën e tyre…  dikush tha,  sikur të ishte edhe Merka sot këtu. Pritëm, në Tiranë, përfaqësuesin e kombit më të madh, në vitin 1991, Xheims Bejker, lot gezimi, nderuam  mikun e madh ashtu siç edhe na takonte, e bota u drodh për ato vlera mirënjohje e fisnike që vetëm popujt e bërë sipas shëmbëlltyrës sonë  mund ta bëjnë, e kur miku i madh artikuloj: “ at last You’re  Free “ , në fund ju jeni të lirë, sërish mendova….sikur të ishte edhe Merka këtu.

Kur ne u thirrëm për të ngadhënjyer më 22 mars 1992, dhe ngadhënjyem, në atë festë epokash … sërish  menduam se sa mirë do të ishte që të ishte edhe Ai këtu , Merka.

Kur ne qëndruam në rebelimin e vitit 1997 do të ishte mirë që ti të ishje për  të forcuar fortesën e qëndresës, që më mir se ty askush nuk e dinte.

Kur u thirrëm në Marshimin e Madh të lirisë  të viteve 1997-2005 shumë nevojtej zemra jote e forte .

Edhe kur u thirrëm për të ringadhënjyer në vitin 2005, ne ngadhënjyem sërish.Kur më duhet të të risjell në kujtesë ti nuk mund të vish, perveç si një simfoni në horizont e si një ideal fisnik, ose si një vizion diku përpara, sepse ti ishe gjithëmonë një hap përpara dhe një hap më mirë,  sepse ishe vetë simbolika e ndryshimit.

Po miku im, ti ke qenë në të gjitha evenimenet e mëdha, që na kanë ndjekur, shpirti yt ka qenë këtu mes nesh për të frymëzuar ashtu siç ti dije të frymëzoje me vullnetin tënd, me pastërtinë e qëllimeve dhe lartesinë e vlerave qe ti mbartje. Me kundërshtimin e çdo lloj  padrejtësie, sigurisht  me modelin “Satjagraha” që ishte filozofia  që ti kishje zgjedhur në jetën tënde dhe që e realizove përsosmerisht.

Ne sërish jemi thirrur tani të udhëhiqemi prej doktorit të zemrës , për të mos e lënë në mes rrugën e nisur, sepse ashtu siç edhe unë mbaj mend , asgjë më shumë se puna e lënë në mes nuk të revoltonte ty, edhe e shprehje gjithmonë, që rruga e lënë në mes eshtë më keq se hiçi.

Ja pra, se përse une, ju, vëllezërit e motrat e tij, të gjithë pjesëmarrësit e asaj përmase njerëzore në proçesionin e ndarjes me Merkën, do te jemi Ndryshimi e do të jemi Perpara.

Merka ! Ne do ta votjme sërish  Doktor Sali Berishën . Për fëmijerinë tënde të pafëmiëjruar. Për djalërinë tënde te padjalëruar.

Për lirinë tënde te pashijuar.

 

 

 

 

 

 

 

Filed Under: Komente Tagged With: me 23 qershor, qe na therrasin, shpirtrat e atyre, Tomorr Hoxha

Pse serbët na analizonin si komb?

June 12, 2013 by dgreca

Shkruan: FAHRI XHARRA/

Serbët e njohin mirë historinë tonë ,e dijnë shumë mirë qe janë në tokë të huaj.I dijnë doket e zakonet tona; dhe sa më mirë të na njohin aq më mirë e më lehtë manipulojnë me ne. Ky është arti i diplomacisë të cilën ata e kanë mësuar mirë. Ne jemi largë dhe shumë largë në këtë aspekt; e më e keqja  është që po largohemi edhe më shumë nga ajo që duhet ta dijmë përmendësh.

                                                  ….Arnauti div i trimit,

që e përgatit të keqën në çdo anë

Por se në gjakun e tij trimëror

As një pikë nga ai i turkut nuk e mbanë

(Aleksa Gj. Bogosavljeviç , 1897)

Në lutjet e tona të përditshme, shqiptarët nuk e përmendim atdheun. I lutemi Zotit, i kërkojmë falje për gabimet e bëra. I lutemi të na dhurojë pasuri, fat dhe mirëqenie. I lutemi të na shpëtojë nga e keqja, nga i mallkuari. I lutemi të na shpëtojë familjen; por vetëm lutje për veten vetjake. A e keni dëgjuar kënd të lutet për atdheun? Nuk i lutemi Zotit që ai t`na shpëtojë kombin, atdheun. Nuk i lutemi Zotit të na shpëtojë nga zhbërja. Nuk i lutemi Zotit që të na ruajë kombin.Pse? Askush nuk na mësuar për një lutje të tillë.

Bota vëren dhe vrojton. Ne shqiptarët sigurisht që jemi në qendër të vrojtimit. Ata e dinë që ne jemi të lehtë, ata e dinë që ne nuk kemi qendër të rëndimit.Për derisa bota na vrojton ,ne nuk i përfillim rregullat më elementare të qytetërimit. Vrojtuesi më i madh ka qenë dhe është Serbia. Prej se ka ardhur dhe na është afruar ,dhe e kemi fqinj ,Serbia vazhdimisht vrojton , shënon dhe sipas nevojave të veta i shpërndanë ato shënime ,vrojtime dhe dihet vazhdimisht për të keqen tonë. Kemi ne,farë institucioni të mësheft apo të hapur ku mund të lexojmë karakterin e një populli tjetër të huaj. ?Serbët e kanë ,jo vetëm për ne por për tërë botën.
Serbët e njohin mirë historinë tonë ,e dijnë shumë mirë qe janë në tokë të huaj.I dijnë doket e zakonet tona; dhe sa më mirë të na njohin aq më mirë e më lehtë manipulojnë me ne. Ky është arti i diplomacisë të cilën ata e kanë mësuar mirë. Ne jemi largë dhe shumë largë në këtë aspekt; e më e keqja  është që po largohemi edhe më shumë nga ajo që duhet ta dijmë përmendësh.

Më rastisi të lexoj një libër të botuar në vitin 1897  me titull ” O arnautima” (Për Arnautët)

të shkruar nga Aleksa Gj. Bogosavljeviç – oficir i zhandarmerisë mbretërore të Serbisë . Dikush mund të pyet se ç`është për ne interesant sa çka ka shkruar një oficir zhandarmerie për ne..  Mua mu duk e arsyeshme që të komentoj këtë përmbledhjen etnografike për një popull (për ne) ,nga një ushtarak icili si e thot edhe vet ” unë e bëra t`imen dhe le të sherbej për nevojat e shtetit ” (Serbisë).

Libri është thjesht përshkrim i një populli nga syri i një atdhetari serb( për Serbinë ky është atdhetar) që mendon më largë, libri botohet më 1897 , e që të këqijat për ne në atë kohë ishin në vazhdimin e përgatitjeve.

Moto të librit të tij , shkruesi  e venë një poezi  ku e lartëson trimërinë shqiptare ,dhe sipas bindjës së tij që gjaku shqiptar nuk paska asnjë pikë gjaku turk .E quditshme të dëgjohet nga goja e serbit një gjë e tillë.!

Se çfarë populli janë shqiptarët ,autori i siguron lexuesit se do t`i njoftoj me këtë libër; ”duhet t`i njofim sepse neve, pas fatkeqësisë së vitit 1690 na zuan tokat tona ( Shpërngulja e Madhe Serbe fxh)” . Ky thot  se serbët janë ”vëllazër prej gjaku (?) me Drenicakët, Rugovësit , Lumjanët, Shkodranët dhe Dibranët,Labjanët dhe Malësorët ”Ata janë kusherinj me serbët sepse janë  të krishterë ortodoks dhe katolik”. ” Kemi humbur mjaft kohë , duhet të punojmë më shumë për Serbinë tonë duke njohur vetvetën dhe të tjerët që na rrethojnë” -thot autori. Por pa dashtas e cekë se shqiptarë ka në Srem ,në Nikinci dhe në Ratkoci fër Mitrovicës së Sremit ( Serbia e sotme). Pse po them pa dashtas , sepse e sjegon shumë mirë se si erdhën shqiptarët në këto anë : me shpërnguljen e madhe serbe  . Një shpërngulje e rrjejshme serbe  dhe në të njejtën kohë një largim i së paku 40 00 familjeve ortodokse shqiptare nga Kosova. Një mashtrim epokal për shqiptarët . ” Aty u vendosën Kelmendasit dhe që edhe sot e kësaj dite i ruajnë doket dhe zakonet e tyre ( Viti 1897fxh)”

Në Istër, në fshatin Peroj ( arnautska dolina) jetojnë mbi 500 arnaut. Këtu i solli sipas autorit, Republika e Mletës me 1657 . Ata e paskan ruajtur veshjen e tyre kombëtare , zakonet e tyre ,flasin arnautisht (shqip) ,por që të gjithë janë të fesë ortodokse.

Në librin “ O arnautima”: spjegohet drejtë gjendja e shqiptarëve në Itali,” Shqiptarët e Italisë jetojnë në regjionin e Puljas dhe Abruzias. Kanë ardhur këtu menjëherë pas vdekjës së  Gjorgje Kastriotiçit ( Gjergj Kastrioti). Këta  Arnaut ,këtu i solli i biri i Skënderbeu dhe nëna e tij Andronika ( Donika) ,pas vitit 1468. kurrkund nuk e cekë se Skënderbeu ishte serb.

”Në kohët e fundit, ankohet autori në libër se të Arnautët e Italisë ka filluar të ngjallët vetdija kombëtare. E kanë filluar luftën për kombësinë e tyre por edhe për bashkëkombasit e tyre në Shqipëri . Ata për këto i kanë formuar komitetet  e tyre dhe mbajnë mitingje të vazhdueshme duke kërkuar që Shqipëria të fiton autonominë dhe që qeveria italian t`i ndihmojë shkollat e tyre. Këta shqiptarë janë me ndikim të madh në Itali,dhe të gjitha mitingjet që janë mbajtur kanë dhënë rezultate. Çështja shqiptare në Itali   është popullarizuar shumë dhe opinioni publik në Itali e kërkon autonominë e Shqipërisë.””

Pra kjo ishte koha e Rilindjes Shqiptare në vrullin më të madh.

Ku janë shqiptarë? ” Në pjesën Perendimore të Gadishullit Balkanik, përgjatë Detit Adriatik dhe atij Jon, nëepër , Thesaali ,Greqi , Mal të Zi  Bosne , Hercegovinë dhe në Serbinë e vjetër (Kosova), është vendi që është tri herë më i gjatë se i gjerë e i cili quhet  Arbania ose Arnautluki.”   Serbët janë plotësisht të vetdijshëm për shtrierjen tonë të vërtetë natyrale .

Lumenjt e Arnautlukut  thot autori janë shumë por me rrjedhë të shkurtër si : Bojana (Buna) , Shkumba (Shkumbini) , Vojuca (Vjosa) Drini, Limi,Vardari, Ibri ,Sitnica dhe Llabi.Sipas tij të lundrueshëm janë vetëm Buna , Shkumbini dhe Vjosa.

” Arnautët ndahen në fise ”Gegë e Toskë , Krasniqë Kelmendas, Mirditas , kastar , Hot, Dibranë dhe Malisor . Këta të fundit janë më të këqinjt ,mëtë zjarrtit dhe më trimat nga të gjithë.” Ndarje e gabuar e fiseve! Kurse për gjuhë shqipe thot se ështe e veqantë dhe nuk ka asnjë lidhëshmeri me ndonjë gjuhë të gjallë.

”Shqiptarët nuk janë pak ,por ndjenjë për shtetformim nuk kanë :dhe  vazhdon ” sipas traditës sonë (serbe fxh) dhe të drejtës sonë historike,duhet që kërkojmë të drejtën për posedim të Serbisë së Vjetër ( Kosovës) dhe Maqedonisë e posaqërisht në ato anë që banohet me shqiptarë se pa ata Sërbia e Madhe nuk mund të paramendohet.”

Vazhdohet me përshkrimin tonë të jetës në fise , hakmarrjen sidomos te shqiptarët ortodoks të Kosovës dhe Shqipërisë Veriore ( vëllezërit tonë si e thot autori):. Përshkruhet se të shqiptarët kihet shumë kujdes  në martesat ndërfisnore që ato mos të ndodhin. Kuse në faqën 20 ceket se shumica e shqiptarëve e pijnë rakinë dhe verën por që nuk dehen ,nuk njihen me shprehinë e të dehurëve.

“Te shqiptarët musliman  bëhet synetia ,por nëpër fshatra  ndodhë që të mbesin pa atë ceremonial edhe nga 3-4vjet në mungesë të hoxhës , por edhe kur t`iu vjen rradha ,të rinjt rriten dhe ikin nëpër male për tu mëshefur se iu vjen marre ,dhe kështu mbesin të pa synetuar.” “ Shqiptarët nuk janë fetarë të mëdhenj, të premteve hoxha me tre -katër pleq e kryejnë faljen ,kurse të rinjt  në oborrin e xhamisë apo nëpër fshat në atë kohë luajnë me armë , duke i treguar aftësitë e tyre. Arma për shqiptarët është diçka që nuk guxon t`iu mungoj” Flitet për besën dhe hakmarrjen.

Një gjë që e brengosë autorin është që shqiptarët pa dallim feje e mbrojnë njëri tjetrin.

Fahri Xharra ,09.06.13

 

Filed Under: Komente Tagged With: Fahri Xharra, na analizonin, Pse serbet, si komb

500 MIJË DOLLARË PËR 45 MINUTA FJALIM

June 12, 2013 by dgreca

Ish-Presidenti i SHBA, Bill Clinton mund të ketë bërë 89 milion dollar duke folur pasi ai la zyrën në Shtëpinë e Bardhë/

Nga Beqir Sina/

NEW YORK : Bill Clinton me më shumë se 89 milion dollar mund të mbaj rekordin e depozitimit të parave të tij,  që kur ai u largua nga Shtëpia e Bardhë në vitin 2001, sipas vlerësimeve të CNN. Ky stacion televizivë prestigjozë thotë se Klintoni i ka mbledhur këo para duke mbajtur fjalime dhe duke dhënë leksione në SHBA, anembanë botës. Çmimin më të madh për një fjalim ish- Presidenti i 42 i Shteteve të Bashkuara – Bill Clinton e ka fituar në një paradhënie me 500.000  për të dhënë një fjalim 45 minutësh në ditëlindjen e 90 për presidentin izraelit Shimon Peres – Çfarë i takon Clintonit afërsisht 11,100 dollar për minutë sipas llogarive .

    Ish presidenti Clinton është paguar tashmë, thanë televizionet Amerikane, dhe ka “caktuar” tarifën e çmimit për të siguruar pjesëmarrjen e tij në festë për politikanin numër një izraelit më 17 qershor në Rehovot.

    Sipas disa burimeve anonime thotë CNN, parat për të folur për Presidentin Bill Clinton janë paguar nëpërmjet bankës nga Keren Kayemeth LeIsrael (KKL) Fondi Kombëtar i hebrejeve në Izrael, e cila është ndarë nga Fondi Kombëtar i hebrejeve në SHBA

   Zyra e Bill Clinton në Manhattan New York, njofton se nga kjo shumë Partia Demokratike nuk do të përfitojnë, mbasi këto janë përfitime personale nga shuma e tij e rezervave bankare, Kjo shumë  raportohet se do të i drejtohet për Fondacionit William J. Clinton. Ndërkohë sipas shtypit amerikan, Fondacioni Klinton nuk i është përgjigjur një kërkese për koment të gazetarëve amerikan.

     Kurse të dhënat financiare e Bill Clinton, thotë zyra e ish-Sekretares Amerikane të Shtetit Hillary Rodham Clinton, tregojnë se burri i saj i ka bërë në një shumë të konsiderueshme që kur ai la Shtëpinë e Bardhë, në vitin 2000.

   Fillimisht, për të siguruar gjysmë milion dollar për fjalimin e Bill Clintonit në Izrael, u kërkua nga mysafirë që ishin të ftuar të paguajnë një tarifë hyrje 800 për person. Por, Presidenti Peres e nuk e pranoi këtë “bilet” kaq të shtrenjët,, duke thënë se ai nuk do të marrë pjesë në Darkën në nder të Ditëlindjes së tij në qoftë se ajo ka për t’u kthyer në një darkë mbledhje fondesh.

     ‘Presidenti Bill Clinton do të jetë e ftuara e nderit në cilësinë e një mysafiri të veçantë, nga Qendra Rehovat e cila do të mbajë këtë darkë nderi për Presidentin e Izraelit”, tha zyra e Presidentit të Izraelit Simon Perez në një deklaratë, sipas gazetës Globes në Tel Aviv.

     ‘Raportet e mëparshme, thanë se është vendosur se nuk do të ketë asnjë mbledhje fondesh në këtë ngjarje, dhe njerëzve që janë të ftuar nuk do të u kërkohet të paguajnë për pjesëmarrjen e tyre.’ 

     Në vitin 2011, të dhënat tregojnë se ngjarjet më fitimprurës të ish Presidentit Clintonit ishin jashtë shtetit. Ai ka fituar 750,000 dollar në nëntor 2011 për të mbajtur leksione në Hong Kong për të folur për të punësuarit në superkompaninë suedeze të telekomit Ericsson . Atë vit, ai gjithashtu ka fituar 700.000 dollar për një seri komentesh në një kompani botuese gazetës në Lagos, Nigeri, dhe 550,000 dollar për një fjalim në një konferencë biznesi në Shanghai, Kinë.

    Pas fjalimit në Ditëlindjen e Presidentit të Izraelit Simon Peres këtë verë, ish-Presidenti Clinton do të qëndrojë në Izrael përsëri këtë verë për të folur në Konferenca e Presidentëve nga e gjithë bota, më 19 qershor në Tel Avivë, me titull: “Udhëheqjet që e bën dallim”

     Ish-Kryeministri britanik Tony Blair dhe Mikhail Gorbachev, ish-lideri i Bashkimit Sovjetik, gjithashtu do të jenë të pranishëm për të folur në Konferencën e Presidentëve.

     Ndërkohë thuhet se Fizikanti i Universitetit të Cambridge Stephen Hawking tha se edhe ai ishte ftuar për të marrë pjesë në konferencën e Presidentëve më 19 qershor, por ai tha në maj se ai ka për t’a bojkotuar ngjarjen në solidaritet me palestinezët.

 

Filed Under: Komente Tagged With: 500 mije dollare, Bill Klinton, per 45 minuta fjalim

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 465
  • 466
  • 467
  • 468
  • 469
  • …
  • 482
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NGA NJË KOLONI DE FACTO NË NJË KOLONI DE JURE
  • ADEM DEMAÇI, JO THJESHT FIGURË E REZISTENCËS, POR KATEGORI KONCEPTUALE E SHTETFORMIMIT
  • Roli i gazetës “Arnavud/Shqipëtari” në formimin e vetëdijes kombëtare te shqiptarët përballë politikave turqizuese të xhonturqve
  • Si investonte Serbia në thellimin e përçarjeve ndërmjet udhëheqësve shqiptarë dhe në shkëputjen e tyre nga ndikimi austro-hungarez
  • Marrëdhëniet e Gjergj Kastriotit – Skënderbeut me Republikën e Venedikut sipas dokumenteve të Arkivit Apostolik të Vatikanit, Arkivit të Shtetit të Venedikut dhe burimeve historike botërore
  • “U SHKEPUT NJE METEOR POR ZJARRI MBETET ZJARR…!”
  • Përurim i “American Dream” në Vatër
  • Një vit që ka filluar mbarë për Vatrën në Chicago
  • Kategorizimi i qyteteve shqiptare sipas Sami Frashërit në vitin 1890
  • Abas Kupi, historia, e vërteta dhe dashuria për atdheun…
  • Kur karakteri tejkalon pushtetin
  • ABAZ KUPI DHE LUFTA ANTIFASHISTE NË SHQIPËRI
  • Fortesa Latifi: “It can be difficult to grow up when you’re constantly faced with a younger version of yourself”
  • ABAZ KUPI, I HARRUAR DHE I KEQTRAJTUAR NGA HISTORIA ZYRTARE
  • VATRA DHE FAMILJA KUPI ORGANIZUAN SIMPOZIUM SHKENCOR ME RASTIN E 50 VJETORIT TË KALIMIT NË PËRJETËSI TË NACIONALISTIT TË SHQUAR ABAS KUPI

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT