• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Shqiponjat fluturojnë poshtë*

June 21, 2013 by dgreca

*Kuajt prej plasteline të garës elektorale, dhuna mediatike e grotesku i industrisë së prodhimit të politikbërësve./

* Në njërin kamp të fushës kemi Sali Berishën, kryeministër aktual i Shqipërisë, kardiolog për nga profesioni, i super –shkolluar me një kapacitet intelektual të lakmueshëm, me një kujtese patologjike që e ushtron çdo ditë. Me 20 e ca vite  eksperiencë në politikbërjen shqiptare, Berisha është njëri prej arkitektëve të sistemit demokratik shqiptar. Njohës opracional i 4 gjuhëve të huaja ai është një dashuronjës fin e elegant i kulturës, letërisë, muzikës, kinematografisë por edhe turizmit e guzhinës…

* Rama për nga formimi akademik mban një diplomë egzekutive si mësues vizatimi. Pas një dështimi në qasjen e tij të parë profesionale, pikturën, Rama inicjohet në politikë nga lideri i opozitës së atëherëshme, Fatos Nano dhe merr postin e Ministrit të Kulturés…. Ata që s’e duan e quajnë psikopati me prirje fashiste si rrjedhojë e natyrë së tij të rrëmbyer ./

Shkruan :  Elona Zhana/

Sipas njërit prej principeve  të demokracisë  ne që nuk ushtrojmë detyrimin tonë qytetar të votimit, jemi   « de facto » të përjashtuar nga e drejta e të prononcuarit qoftë për procesin e zgjedhjeve qoftë për rezultatet.

Ndaj për të legjitimuar atë çfarë do të them në vijim, ose së paku këtë artikull do t’i bëja thirrje principit të mos-konfliktit të interesit i cili pretendoj të anulloje « de juro » rregullatorin demokratik të sipërpërmendur.

Beteja e radhës në Shqipëri, janë zgjedhjet parlamentare. Ndërsa ndjek pasqyrimin e fushatës elektorale në shumicën e mediave shqiptarë të cilat e sërvirin atë për pak mé shume se 3.1 million  votues është e vështirë të jesh indiferent edhe nëse mjedisi jot i mënjeherëshëm është i painfluencueshëm. Përshtypja e parë që të krijohet është ajo e dyluftimit dhe garës për një kryeministër.

E parë në këtë prizëm, në njërin kamp të fushës kemi Sali Berishën, kryeministër aktual i Shqipërisë, kardiolog për nga profesioni, i super –shkolluar me një kapacitet intelektual të lakmueshëm, me një kujtese patologjike që e ushtron çdo ditë. Me 20 e ca vite  eksperiencë në politikbërjen shqiptare, Berisha është njëri prej arkitektëve të sistemit demokratik shqiptar. Njohës opracional i 4 gjuhëve të huaja ai është një dashuronjës fin e elegant i kulturës, letërisë, muzikës, kinematografisë por edhe turizmit e guzhinës.

Në dosjen e tij të zezë gjinden ngjarjet e ’97, tragjedia e Gërdecit, ngjarjet e 21 janarit 2011 si dhe akuza për trafikim të rezultateve të zgjedhjeve lokale të vitit 2011. Berishës po ashtu i taksohen edhe promovimi i një modeli arkaik e komunist të lidershipit si dhe kutivimi i kultit të individit. Ai akuzohet të ketë tendencën të vrasë politikisht çdo zë të ri branda PD që mund të ngjallë frikën e konkurencës e sipas të njëjtës logjikë afron reth tij klane shërbëtorësh e servilësh të paaftë që përveç militantizmit nuk kanë ndonjë meritë tjetër.

 

Në anën tjetër të fushës, kemi Edi Ramën.  Rama për nga formimi akademik mban një diplomë egzekutive si mësues vizatimi. Pas një dështimi në qasjen e tij të parë profesionale, pikturën, Rama inicjohet në politikë nga lideri i opozitës së atëherëshme, Fatos Nano dhe merr postin e Ministrit të Kulturés. I rënë në sy shumë shpejt nder të tjera për ekstravagancén e tij ai bëhet njëri  prej fytyrave publike popullore  dhe fiton karrigen e kryebashkiakut të Tiranës në vitin 2000 . Me një  dozë kulture franceze, të huazuar nga qëndrimi i tij në Paris ai shfaqet ndryshe në betejën e radhës.  Dashuria e tij e fundit i ka dhënë më shumë besim në vetvete . Po ashtu  duket se ka perënduar  edhe epoka e çorapeve dyllojesh si dhe shijeve të këqija në të veshur. Ai shfaqet kësaj here më karizmatik se asnjëherë, më i vetpërmbajtur dhe me kostume serioze. Edhe strategjia e tij e komunikimit duket më e studjuar.  Batutat e huazuara nga  filmat shqiptarë që i jepnin imazhin e një kulture fort të limituar janë zgjeruar me një lirshëri që  gjithesesi vjen nga kontaktet dhe nga përvoja politike.  Ata që s’e duan e quajnë psikopati me prirje fashiste si rrjedhojë e natyrë së tij të rrëmbyer .

 

Kuajt e garës elektorele/

 

Si për nder të një gostie të madhe, zakoni e do që të nxiren nga dollapi të gjitha gjërat e shtëpisë.  Dhe realisht për këtë fushatë janë njerrë jo vetëm ato egzistuese që nga themelet ,  por janë shpikur e trilluar aq shumë saqë edhe vet shpikësit e kanë të vështirë të ndajnë shapin nga sheqeri.

Kur në fakt situata është shumë më e thjeshtë.

Së pari dhe ajo që është më e rëndësishmja, kënvështrimet e elektoratit, atij jo-militant, ndalen tek fakti i thjeshtë që pozita gjykohet në bazë të asaj çfarë ka berë ose ç’farë nuk ka arritur të bëjë gjatë dy mandateve konsektuvive. Ndërsa opozita vlerësohet në bazë të asaj ç’farë paraqet si premtime.

Kjo teorikisht kushtëzon edhe përdorimin e kuajëve të garës së radhës.  Kështu kemi një shfaqje ku PD-ja përpiqet të  teatralizojë me perurime rrugësh e show të stilit amerikan.

Dhe në anën tjetër elektoratit i serviret një programi i PS-së realisht sharmant por tërësisht i çoroditshëm, i skicuar copa –copa, edhe nga projekt drafti i fushatës së François Hollandë, edhe nga teori të labouristeve anglezë, edhe nga teori të demokracisë participative të cilat meqë jemi janë mjaft të kritikuara nga Bacque et Sintomer për shembull.

Por opinioni e di që programet partiake janë thjesht mjete mediatike pa arritur të bëhën kurrë instrumente të realizimit të idealeve të partive që i prodhojnë.  Madje për më tepër liderat partiakë nuk skuqen tek u japin programeve respektive emrat e tyre… Dhe kuajt e garës mbeten kuaj plasteline qesharakë.

 

Dhuna mediatike /

Mediat, roli i të cilave duhet pranuar që është jo tërësisht i qartë në shoqërinë shqiptare,  ka ndërmarrë një aksion të pashoq të pasqyrimit të kësaj gare elektorale.  Arritja më e madhe  e tyre është që asgjë nuk e shokon më publikun shqiptar. Kështu për shëmbull që kryeparlamantarja e shan publikisht me libër shpie shefin e opozitës nuk bën më ndonjë efekt. Po ashtu  që njefarë Mero Baze ish këshilltar i Berishës i konvertuar në anti Berishë sigurisht për ndonjë prishje të intersit personal mbjell urrejtje gjeneze me familjen Berisha duke luajtur me nocjone shumë delikate si inçest asnjë efekt nuk bën. As që një vajzë përgjithtësisht e zgjuar si Ilva Tare bëhët qesharake në formatin e saj duke pyetur keta të ashtuquajturit “përfaqesues të faktorit ndërkombëtar”,  se si e përse veprojmë ne shqiptarët në mënyra të dhëna;  nuk merret për keq. Apo që moderatorët e ndryshëm pasi kanë kaluar në studiot e tyre çdo personazh të mundshëm ftojnë një farë Baton Haxhia si analist gjë që me gjithë respektin e mundshëm për personin e mësipërm, vë shumë gjëra në pikëpyetje duke parë njohuritë tejet të limituara të këtij të fundit për politikën shqiptare.

Grotesku i industrisë së prodhimit të politikbërësve shqiptar shpaloset pa asnje skrupull në teprimet mediatike të  « shtetit spektakël » Imazhet personale të politikanëve, të bazuara në teknikat e komunikimit, nga mjete duket se janë kthyer në qëllime.

*“Les aigles volent bas”-, titull i huazuar nga njé artikull i diplomatit Idriz Basha publikuar né gazetén “Le Monde” 30 vite me paré.

 

 

 

Filed Under: Komente Tagged With: Elona Zhana, poshte, shqiponjat fluturojne

DEKLARATE SHTYPI E SHOQATES PRONESI ME DREJTESI

June 21, 2013 by dgreca

Informojmë opinionin publik se deklarimet e bëra në televizor  dhe në shtyp se Shoqata “Pronësi me Drejtësi” ka bërë pakt apo ka nënshkruar marrëveshje me Partinë Republikane për zbatimin e nenit 41 të Kushtetutës nuk janë të vërteta . Nëse dikush nga antarët e shoqatës për shkaqe subjektive në këto zgjedhje mbështesin PR, PD,PS apo ndonjë forcë politike , kjo është puna e tyre por kjo nuk është platforma e Shoqatës “Pronësi me Drejtësi” dhe aq më pak marëveshje me Shoqatën.  Demokracia e pretenduar nga politikanët në Shqipëri është e gabuar, sepse për popullin nuk ka demokraci dhe nuk respektohen të drejtat e njeriut pasi shkeljes së të drejtës së pronës në 45 vjet komunizëm i është shtuar edhe 23 vjet kaos, vjedhje, korrupsion. Për ta meremetuar në maksimumin e mundëshëm këtë sistem hibrid korruptiv dhe kleptokratik, shoqata “Pronësi me Drejtësi” dhe  shoqata “Bregdeti” kanë paraqitur të plotë , kërkesat, platfotmën, rrugë zgjidhen përfshi dhe projektligjin, që janë bërë publike disa herë në shtyp dhe në www.defendingproperty.com .

Rruga e gabuar 1991-2013 për pronat është rruga e mohimit të të drejtave të njeriut dhe e tradhëtisë më të madhe që historikisht ky popull ka përsuar nga drejtuesit e dalë nga gjiri i tij me zgjedhjet parlamentare.Ftojmë Presidentin e Republikës si garantin e Kushtetutës, që vazhdon të shkelet, ftojmë të gjithë kryetarët e partive që po kërkojnë votat në 23 Qershor  dhe ambasadorët që dëshirojnë ta kurojnë korrupsionin dhe sistemin hibrid pseudodemokratik, ta drejtojnë politikën shqiptare në rrugën e demokracisë sipas modeleve perëndimore, të shprehin opinionin e tyre  për zgjidhjen e problemit të pronës në raport me atë të shoqatës “Pronësi me Drejtësi” dhe “Bregdeti” të paraqitur në faqen tonë të internetit. Lidhur me pronën, Partia Republikane nuk është shpëtimtare dhe si fillim duhet t’i   kërkojë publikisht falje pronarëve sepse ka pjesën e saj të fajit, duke qenë pjesë e Kuvendit të Shqipërisë dhe e koalicionit Qeverisës. Shqiptarët nuk mund të fshijnë nga kujtesa faktin se përkeqësimet e legjislacionit për pronat kanë nisur me propozimin e deputetit republikan Arian Madhi, pastaj janë miratuar nga maxhoranca dhe opozita ka abstenuar.

Lidhur me angazhimin e PR për të zbatuar standardet e Komisionit Europian dhe rekomandimet e Gjykatës Europiane të të Drejtave të Njeriut, kemi sqaruar bindjen tonë në një deklaratë shtypi lidhur me Rezolutën e KE e datës 6 Qershor 2013, në të cilën Këshilli i Ministrave duke u shprehur në termat më të ashpra të gjuhës diplomatike, nënvizon se moszbatimi i vendimeve të Gjykatës paraqet një rrezik madhor për shtetin ligjor dhe ve në pikpyetje kredibilitetin e shtetit Shqiptar. Personat e interesuar mund të informohen ne faqen e Shoqatës www.defendingproperty.com . Po ashtu është e çuditëshme që një Parti Parlamentare të deklarojë se angazhohet se do zbatojë nenin 41 të Kushtetutës. Por çfarë ka bërë kjo parti në këto 22 vjet ??  Gjithsesi këto angazhime të Partisë Republikane pohojnë mungesën e shtetit ligjor. Angazhimi tjetër i Partisë Republikane se …”…do të kërkojmë që në strukturat e institucioneve më të rëndësishme që trajtojnë çështje të pronësisë siç janë AKKP, ZQRPP dhe zyrat e saj në rrethe, ALUIZNIT, në qendër dhe në rrethe, të përfshihen përfaqësues të shoqatave të pronarëve si palë e interesuar” është një pohim i njëanshëm ku mplekset gabimi dhe hileja. Këto institucione zbatojnë ligje të cilat mohojnë të drejtën e pronësisë për pronarin e ligjshëm dhe pengojnë  kthimin e pronës tek i zoti, prandaj Shoqata nuk mund të jetë dhe nuk do të bëhet mbështëse e kësaj platforme që vjedh në emër të ligjit  pronat e pronarëve. Shembujt jane flagrantë të shumtë dhe të pa kundërshtushëm. Shoqata nuk është vegël e pushtetit, nuk është vegël e AKKP dhe as e ndonjë partie politike. Pjesëmarja e personave të ndryshëm nga shoqata në këto institucione nuk do të thotë aspak se ata përfaqësojnë Shoqatën. Por nuk mund ta mohojmë faktin se angazhimi i njerëzve të ndershëm në drejtimin e këtyre strukturave do pakësojë korrupsionin që kanë imponuar deri sot personat që kanë drejtuar këto institucione. Përfundimisht kjo nuk është zgjidhja përfundimtare e problemit të pronës. Sqarojmë Partinë Socialiste dhe partitë e majta si dhe të gjithë institucionet e interesuara se, janë të mjaftushme arkivat tona, mjafton te happen, ndonse edhe arkivat italiane aty janë. Nëse një forcë politike dëshiron ta zgjidhi problemin e pronës themeli është projektligji që kemi paraqitur dhe është i dyshimtë çdo veprim tjetër që nuk ka ne themel parimet e kushtetutës që ne i kemi materializuar në projektligjin e cituar.

Për Kryesinë e Shoqatës Kombëtare “Pronësi me Drejtësi

Kryetari Rrapo Hajredin Danushi

Filed Under: Komente Tagged With: deklarate e shoqates, Pronesi me Drejtesi

RËNDËSIA E VOTËS – 23 QERSHOR, 2013

June 21, 2013 by dgreca

“Vota e lirë e popullit është instrumenti më racional dhe më paqësor për bërjen e reformave.” Tomas Xhefersoni

Shkruan: Frank Shkreli/

Fushata elektorale në Shqipëri po merr fund dhe 23 qershori shënon ditën kur votuesit shqiptarë do të hedhin votën e tyre për partinë dhe kandidadin që ata preferojnë.   Ky shkrim nuk ka për qëllim rekomandimin për mbështetjen e ndonjë partie ose një tjetre, ose të ndonjë kandidati të përkrahur nga partitë e ndryshme. Por ka të bëjë me personin më të rëndësishëm tani në fund të kësaj fushate – me votuesin shqiptar — dhe me rëndësinë që vota e tij ka për ‘të personalisht dhe për të gjithë shoqërinë dhe kombin shqiptar.

Çdo zgjedhje është me rëndësi, por zgjedhjet e 23 qershorit janë të një rëndësie të vecantë, pasi do të vendoset zgjedhja e një kuvendi të ri dhe rrjedhimisht e një qeverie të re që do vendosë të ardhmen e vendit, të pakën për katër vjetët e ardhëshëm dhe mund të lejë pas një trashëgimi — të mirë ose të keqe — për një periudhë edhe më të gjatë për fatet e Shqipërisë dhe për për fëmijtë dhe familjet shqiptare.

Të demoralizuar nga proceset politike gjatë 20-vjetëve të fundit, dhe polarizimet e tanishme politike,  shumë veta mund të  mendojnë se vota e tyre nuk është e rendësishme, se nuk çon kandar.  Disa mund të mendojnë se të gjithë kandidatët dhe partitë që ata pëfaqësojnë janë të njëjtë, se nuk ka kurrfarë dallimi midis tyre, as për nga programi as për nga vizioni që kanë për të ardhmen e vendit.  Mund të thotë dikush se cilido kandidat ose cilado parti të fitojë, asgjë nuk do të ndryshojë. Këjo mund të jetë e vërtetë.   Por ndryshimi fillon nga ti, votuesi shqiptar.  Të votosh për kandidatin që ti mendon se është kandidati më i mirë dhe i cili, si deputet i zonës tënde, do tu përgjigjet nevojave tua dhe të familjes tënde, duke u bazuar në kualifikimet dhe karakterin e kandidatit, si dhe në programin dhe vizionin e tij ose të saj për zonën që përfaqëson dhe për të mirën e të gjithë Shqipërisë.

Vota e lirë është një privilegj që nuk duhet të lihet pas dore dhe të mos përfidhet, si diçka e pa rëndësishme.  Shqiptarëve, këte të drejtë ua kishte mohuar kulshedra komuniste për pothuaj 50-vjetë.

Ende, anë e mbanë botës ka vende ku njerëzit nuk janë të lirë të hedhin votën sipas dëshirës, vullnetit dhe ndërgjegjes së tyre.  Hedhja e votës së lirë është themeli i demokracisë, por fatkeqsisht edhe në vendet me traditë demokratike, pjesëmarrja në votime është tepër e ulët.

Demokracia nuk është një dhuratë, por është diçka që duhet të ruhet dhe të mbrohet, pasi ruajtja e demokracisë, njëkohësisht siguron ruajtjen dhe mbrojtjen e lirive dhe të drejtave civile.  Si e tillë, demokracia ka nevojën tonë, nevojitë pjesëmarrjen tonë në zgjedhje. Për më tepër,  pjesëmarrja në votime është kritike për zhvillimin dhe forcimin e sistemit politik demokratik të vendit, por edhe për mirëqenjen ose jo ekonomike dhe politike të vet votuesve.   Nëqoftse politikanët e zgjedhur venë re një apati nga ana e zgjedhësve për të marrë pjesë në procesin demokratik, ata do tu kushtojnë më pak vëmendje nevojave dhe shqetësimeve të votuesve.   Politikanët duhet të mbahen përgjegjës për mënyrën se si ata zbatojnë politikën, nëse mbajnë fjalën për zbatimin e premtimeve të dhëna, nëse  zbatojnë rregullat e lojës, duke u bazuar në faktin se si ata u përgjigjen nevojave ekonomike dhe shqetësimeve politike të zgjedhësve.  Nëqoftse nuk merr pjesë në votime, atëherë mos u anko për të bërat dhe të pa bërat e politikanëve, për abuzimet për korrupcionin, për……

Rasti unik për t’i dërguar një mesazh klasës politike — duke përkrahur ata që mund të kenë bërë një punë të mirë gjatë mandatit të tyre dhe duke ndëshkuar ata, që në sytë e elektoratit, nuk meritojnë të jenë në Kuvendin e Shqipërisë — është hedhja e votës në ditën e zgjedhjeve, pjesëmarrja sa më e gjërë e votuesve.   Merre me mendë, nëqoftse secili vendos të mos marrë pjesë në zgjedhje.    Demokracia si sistem do të merrte fund, pasi demokracia është qeverisje nga populli dhe pa pjesëmarrjen e popullit në procesin politik, pra në zgjedhje, nuk ka demokraci.   Mos pjesëmarrja në votime, në vetvete, është një votë kundër demokracisë, dhe në favor të atyre që nuk meritojnë të jenë përfaqsues të denjë të popullit. Ish presidenti amerikan Xhejms Garfield (1877) ka thënë për përgjegjësitë e votuesit, se “Tani më shumë se kurrë populli është përgjegjës për karakterin e anëtarve të Kongresit.  Nëqoftse ky trup legjislativ është injorant, i korruptuar dhe arrogant, këjo ndodhë sepse vet populli toleron injorancën, arrogancën he korrupcionin.”

Votimet, në asnjë vend, përfshirë edhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, nuk janë një proces i lehtë dhe gjithmonë kanë të meta dhe mungesa.  Por votimi është gjëja më me rëndësi tani që ka marrë fund fushata, kanë marrë fund debatet dhe kritikat shpesh të ashpëra midis partive dhe kandidatëve.  Kandidatët dhe partitë kanë shpalosur programet e tyre.  Për mirë ose për keq, edhe ekspertët e mbrendshëm dhe të jashtëm, përfshirë edhe diplomatët, e kanë thënë gjithashtu fjalën dhe kanë dhënë këshillat e tyre në lidhje me fushatën dhe mirvajtjen e zgjedhjeve të 23 qershorit.  Të gjitha debatet, të gjitha sharjet, britmat dhe shpërthimet emocionale në televizion dhe në median e shkruar, midis partive dhe përfaqsuesve të tyre morën fund, për t’i lënë tani radhën votuesit shqiptar ta thotë fjalën e vet duke hedhur votën e tij me ndërgjegjshmëri morale në favor të individëve me karakter dhe moral, si dhe partisë ose partive me programin më të mirë për të çuar Shqipërinë përpara, në të mirën e vendit dhe të kombit shqiptar, për katër vitet e ardhëshëm dhe më gjatë.   Përgjegjësia pra dhe pjesëmarrja e votuesit shqiptar në zgjedhjet, këtë të djelë, është tepër e rëndësishme.  Sipas njërit prej baballarëve të kombit amerikan, Samuel Adams, “Çdo qytetar duhet ta kuptojë se me votën e tij, ai nuk është duke i dhënë një dhuratë personale ose të kënaqë një kandidat për të cilin voton…por duhet të jetë i vetdijshëm se me votën e tij ai është duke ushtruar njërën prej obligimeve më solemne të shoqërisë njerëzore, për të cilin ai është përgjegjës para Zotit dhe atdheut të vet.”

“Vota e lirë e popullit është instrumenti më racional dhe më paqësor për bërjen e reformave.” Tomas Xhefersoni

“Kur një qytetar hedhë votën e vet në favor të një kandidati që njihet si i pa moralshëm, ai abuzon me obligimet e tija ndaj shoqërisë. Duke bërë një gjë të tillë, ai jo vetëm që sakrifikon interesat e veta, por edhe interesat e fqinjit, dhe njëkohsisht tradhëton interesat e kombit.” Noah Websteri – ”Nëqoftse nuk voton, e humbë të drejtën që të ankohesh”

 

 

Filed Under: Komente Tagged With: 2013, 23 qershor, Frank shkreli, rendesia e votes

Votimi, detyrë dhe përgjegjësi

June 21, 2013 by dgreca

 nga Dr. Elton Mara, Nju York/

 Duke marrë shkas nga thirrja që organizata “Vatra” i bëri popullit shqiptar përpara zgjedhjeve, publikuar në gazeten “Dielli” dhe nga artikulli “ You‘ve got a friends in Albania”, botuar në gazeten “The Sun”, disa ditë përpara, desha të shpreh dhe unë mendimin tim për zgjedhjet, sidomos për raportin e çdo shqiptari ndaj tyre, kudo që të ndodhet, pavarësisht nga profesioni, mosha, feja, përkatësia politike etj.. Po e them që në fillim se populli ynë, e sidomos rinia shqiptare, pjesë të së cilës e  konsideroj dhe veten, duhet ta kuptojë e ta ndjejë thellë se votimi është njëkohësisht detyrë dhe përgjegjësi.

Pse u ndala tek ky problem, që mund të jetë i njohur për këdo? Përveç arsyes që përmënda në fillim të shkrimit, pata dhe një shtysë tjetër: kam lexuar në disa gazeta apo dhe ndjekur në televizion, mendimin apo propozimin e disa analistëve të njohur, duke bërë thirrje për bojkotim, për t’i dorëzuar fletët e votimit të bardha apo, edhe më keq akoma, për t’iu hequr atyre vizë e për t’i bërë të pavlefshme. Të gjitha këto mua më duken qëndrime jo serioze, të papërgjegjëshme dhe, mbi të gjitha nuk i shërbejnë askujt, veç prishin punë. Kjo për disa arsye.

E para se votimet nuk janë thjesht një ritual apo rregull që bëhen çdo katër vjet apo dhe më shpesh apo më rrallë, sipas rastit, por një mundësi e madhe për të përmirësuar gjendjen, për të çuar më tej arritjet e deritanishme apo për të ecur në rrugë të reja, të pashkelura deri tani, nëse do të kemi të bëjme me një opozitë serioze e që shqetësohet sinqerisht për fatet e vendit e jo për karriget që do të zërë në Parlament apo qeveri. Nëse ti nuk voton, me fjalë të tjera, ti sfidon një popull të tërë duke i çuar mesazhin se aq më bën se ç’po ndodh apo ku po shkon ai vend e ai popull, nga kemi dalë dhe ne. Vota, pra, për mua, i shërben edhe një lloj diagnostikimi të arritjeve të qeverise aktuale apo dhe vizioneve e programeve që ka shpalosur opozita.

Problemi bëhet edhe më i mprehtë për ne kur kemi parasysh se jemi një popull i vogël dhe, siç ka treguar dhe përvoja e kaluar, ndodh që për rezultatin e zgjedhjeve të ketë rëndësi përcaktuese edhe një votë e vetme. E theksoj për ne, por kjo ëshët një kërkesë që e ka evidentuar edhe përvoja e shteteve të tjera, deri edhe e SHBA-së, me këtë popullsi kaq të madhe. Mjafton të kujtojmë atë që ndodhi në shtetin e Floridës, gjatë zgjedhjeve presidenciale, në mes kandidatëve Bush dhe Al Gore.

Nga gjithë sa thashë më sipër, do ta quaja të tepërt të sillja argumente të tjera për pjesëmarrjen në votime. Cdo njeri duhet ta ndjejë për detyrë apo edhe si nder që po i jepet mundësia të ndikojë në të ardhmen e vendit e të popullit.

Për më shumë se 40 vjet, gjatë diktaturës që lamë pas,  populli ynë ka votuar nën presionin e të ashtuquajturit “pushtet i popullit”, që vetëm i popullit nuk ishte. Njerëzit çoheshin si të çmëndur që pa u gdhirë, si e si të shkonin të votonin, se po të vonoheshin, e dinin ata se ç’i priste. Unë po i quaj zgjedhje e votime edhe ato, por mbase duhen quajtur ndryshe, se në to as nuk votohej e as nuk mund të bëje ndonjë zgjedhe se qe vetëm një kandidat që ti mbase nuk i kishe dëgjuar as emrin deri atëhere. As që diskutohej paraqitja në qëndrën e votimit. Le të guxoje po të doje të mos votoje për të ashtuquajturin “kandidat të Frontit Demokratik”. Ishte një shfaqje e tillë groteske, që edhe ne që e kemi përjetuar vetë, na duket si e pabesueshme. Rezultati dihej e nuk kishte nevojë fare të hapeshin kutitë e votimit: në shumicën e rasteve qe 100 përqind apo, rrallë herë, 99 përqind. Përfitoj nga rasti të them një kuriozitet që mbase nuk e di ndonjeri, se ne, me ato zgjedhje, kemi hyrë në rekordet e Ginessi-t. Kush nuk beson, le ta verifikojë.

Kam votuar për herë të parë më 1988 dhe kandidat qe…shoku Ramiz, numuri një i shtetit. Radhët gjarpëruese të njerëzve qenë pa fund. Sot ato mund t’i shohësh veç në Korenë e Veriut të Kim Jong-Unit. Mbase dhe me këto nuk po them ndonjë gjë të re, por i përmenda se fatkeqësisht edhe në Shqipëri, ndonëse kanë kaluar më se dy dekada, ka akoma njerëz që votojnë në rresht dhe për të njëjtën parti që kanë votuar për vite me radhë. Ata akoma e konsiderojnë fletën e votimit si një formular pa shumë rëndësi dhe jo si një armë e fuqishme për të ndëshkuar ata që nuk kanë punuar mirë e për t’u hapur rrugën të tjerëve që e meritojnë.

Nëqoftëse kërkojmë të integrohemi në Europën e Bashkuar dhe të bëhemi pjesë e pandarë e saj, duhet të gjithë të marrim pjesë në votime dhe pas tyre, të bëjmë ç’është e mundur për t’i ndihmuar ata që do të marrin stafetën dhe jo t’u futim shkopinj në rrota, siç ka ndodhur deri tani, në shumë raste. Vota është një impuls pozitiv për të gjithë: edhe për të papunët që të mos jenë më në atë status; edhe për punonjsit e administratës që të përmirësojnë cilësinë e shërbimeve; edhe për biznesmenët që të jenë sa më profesionalë, të ndershëm e konkurues; edhe për fermerët që të mos kënaqen vetëm me rrugët e ujësjellësin por të kenë dhe mjekun e mësuesin në lartësinë e kohës; madje dhe për emigrantët që ta shohin Shqipërinë si mundësi bashkëpunimi e punësimi. Është për të ardhur keq që propozimi i kryeministrit Berisha, për të votuar dhe emigrantët nëpër konsullata kudo në botë, nuk gjeti miratimin e opozitës me Ramën në krye, me justifikimin se votat do manipuloheshin nga qeverija aktuale. Mua më duket i pa kuptimtë ky pretendim, duke pasur parasysh mjetet elektronike të sotme që i japin mundësi jo vetëm komisioneve të votimit por dhe çdo njeriu të kontrollojë rregullsinë e zgjedhjeve dhe pamundësinë e manipulimeve, kur kemi parasysh faktin se çdo gjë bëhet “live” në media. Kam përshtypjen se jo frika e manuipulimeve, por të tjera arsye qëndrojnë pas atij refuzimi.

Pa dashur të ndikoj tek asnjeri për votimet e ardhëshme, them se qeveria e deritanishme e ka përligjur plotësisht mandatin që i dha populli. Nuk po hyj në argumenta të thella, se nuk është vendi, por po e ilustroj atë përmes një shëmbulli konkret.

Unë për vete kam shkuar gati çdo vit në Shqipëri e kam ndjekur hap pas hapi ndryshimet e bëra atje. Siç ndodh me fëmijët që i sheh përditë e nuk e vë re rritjen e tyre, dhe unë i kam përjetuar ato ndryshime progresivisht, hap pas hapi.

Pak ditë më parë takova një mikun tim nga Lushnja, këtu në NY. Ai kishte 14 vjet pa shkuar në vendlindje dhe ishte çuditur, për të mos thënë mahnitur, nga ndryshimet rrënjësore që kishin ndodhur atje, si në infrastrukturë, ashtu dhe në shërbimet.

Arritjet e qeverisë aktuale të Shqipërisë, marrin përmasa më të larta, sidomos kur i krahason me shtetet e tjera, sidomos me fqinjët tanë, që po mbahen me paterica. Maqedonia e Sërbia po paralajmërohen çdo ditë se mund t’iu rivihen vizat për qytetarët e tyre. Shihni po deshët dhe Italinë e Greqinë, antare të BE-së, që po i shtyjnë ditët në “reanimacion”, me ndihmat/serume që po iu jep FMN-ja e BB-ja. Në Greqi u mbyll për mungesë fondesh edhe Televizioni Shtetëror, ERT-ja, ndërsa Italia detyrohet të ndërrojë kryeministrat çdo gjashtë muaj. Ndërkohë, në Shqipëri përurohen aq shumë autostrada të reja sa nuk janë përuruar kurrë ma parë. Rrogat e pensionet janë rritur progresivisht e plot arritje të tjera. Edhe të huajt habiten se si po e sfidon krizën rajonale e botërore ky vend i vogël. Faktet flasin vetë e komentet janë të tepërta.

Votuesi shqiptar s’ka se si të mos i ketë parasysh tërë këto kur shkon për të votuar. Ai tashmë e ka të qartë se nuk janë bllokimi i rezolutave, grevat e urisë, bojkotimet e ngërçet ato që do ta çojnë Shqipërinë përpara. A e dëgjuat se ç’tha ish-sekretari Mbrojtjes i SHBA-së, Rumsfeld, për arritjet tona? A thua se ai flet më kot, siç rokanis ndonjë nga analistët tanë? Këto i pohon në shkrimin e tij edhe Z.Peter Lucas, që cituam në fillim, i cili në fund i kujton administratës së Obames të mos harrojë se ka një mik me vlerë si Shqiperija.

Të jem i sinqertë me lexuesin, dua të bëj dhe një pohim të fundit. Nëse deri para pak muajsh kisha një farë rezerve për fitoren e së djathtës, sot kam bindjen se ajo është e vetmja alternativë për ta çuar Shqipërinë atje ku ëndërojnë tërë bashkëkombasit e mi.

Edhe njëherë, ju bëj thirrjen e zemrës: Votoni si qytetarë, dhe jo si ushtarë.

Filed Under: Komente Tagged With: detyre dhe pergjegjesi, Dr. Elton Mara, votimi

Dëshmia ime për Edi Ramën:Doktrina e tij – midis nacionalsocializmit dhe bolshevizmit

June 21, 2013 by dgreca

Shkruan: Enver Bytyçi/

Miku im, Ferdinand Hysi, ma dha idenë e këtij shkrimi. Ai kishte parë autobuzin mavi të “Rilindasve”, por pa vënë re se kush ishte brenda tij. Më tha se ata që janë në autobus na shohin, na vëzhgojnë ne, ndërsa ne e kemi të pamundur që t’i vëzhgojmë ata. Simbolika e dramaturgut të njohur është e qartë: Kandidati për kryeministër, Edi Rama, dhe ekipi i tij, nëse vijnë në pushtet, do të vëzhgojnë dhe përndjekin cilindo që nuk i bindet vullnetit politik të tyre. Instrument i vëzhgimit dhe përnfjekjes nuk do të jetë autobuzi mavi, por zyrat e institucioneve të shtetit. Ndërkaq vetë do të vijojnë të fshihen e të fshehin çdo veprim që shkon ndesh me shtetin e së drejtës. Ata po japin mesazhin se shteti do të jetë “ekipi i rilindjes”.Teorikisht e kanë shpallur këtë ide që kurse kanë vendosur luftën kundër iniciativës së lirë, kundër sistemit të taksave e kundër koncesioneve. Praktikisht po e provojnë të japin mesazhin e tillë me autobuzin mavi, nga brenda të të cilit vëzhgohet çdokush, me pamundësi për të vëzhguar nëse ata brenda tallen, ironizojnë apo nderojnë qytetarët që kalojnë pranë këtij autobuzi. Ndërkaq zoti Rama parmbrëmë u betua para B. Fevziut dhe publikut se në asnjë rast nuk ka bërë presion ndaj biznesit e medies. I përgjigjej një pyetje për Koço Kokëdhimën dhe e merrte atë në mbrojtje, duke akuzuar jo vetëm kryeministrin Berisha, por edhe ish-kryeministrin, Nano. Kjo më detyroi që së paku të jap një dëshmi timen për Edi Ramën, aso kohe kryetar të Bashkisë së Tiranës, sesi ai e ka vënë pushtetin e tij në funksion të asgjësimit të fjalës e shtypit të lirë në Shqipëri:

Ishte fundgushti i vitit 2001. Aty nga mesdita ia mbërritën në zyrat e redaksisë së revistës “Koha” shumë veta, me e pa uniformë. Sa thoni ju të nderuar lexues? Plot tetë persona, tre policë të rendit, të cilët merrnin pagën në drejtorinë e Policisë së Shtetit, dy policë të policisë financiare, të cilët paguheshin nga Drejtoria e Përgjithshme e Tatim-Taksave si dhe tre punonjës civilë, të cilët paguheshin nga kryetari I Bashkisë së Tiranës, Edi Rama. Hynë në zyrë pa trokitur dhe me fytyra të ngrysura, terr si pusi. Më paraqitën një fletë-gjobë prej 8000 lekësh të reja, pa paralajmëruar dhe pa njoftuar dhe më urdhëruan t’ju jepja paratë. I pyeta pse duhej ta firmosja dhe më thanë se këtu ke vënë pa leje reklamën e revistës (ajo ishte vetëm 40×60 dhe ngjitur me dritaren e zyrave). Ishte një fyerje dhe një alibi për dhunimin e institucionit mediatik, të themeluar me një vendim gjykate.

U thashë se reklama katër herë më të mëdha e në mes të rrugës gjendeshin me dhjetra e qindra. Pse nuk ndaluat aty, por erdhët direkt tek unë….– Mos e zgjat, më thanë, firmos e paguaj gjobën. Nuk mundesh as të ankohesh. Kur i pieta se nga vinin e kush ishin, ata më thanë se vinin në emër të kryetarit të Bashkisë, Edi Rama. Tre civilët qenë vëzhguesit e veprimeve të policëve, të cilët për të bindur padroninpër besnikërinë e tyre më morën çelësat dhe liçencën e botimit. Edhe pse u thashë se liçencën mund të ma marrë vetëm gjykata, sepse ajo ma kishte dhënë, nuk dëgjuan nga ai vesh. Ju kërkova një procesverbal dhe njëri prej policëve të policisë financiare, si më cubi ndër ta, më bëri nderin përkatës. Më tha po, ta hedh unë firmën për marrjen e liçencës. Pas nja dy orë të bërtiturash, sharjesh dhe akuzash për shkrimet në revistën “Koha”, më nxorën dhe mua jashtë bashkë me personelin, më mbyllën derën me një çelës-dryn, të cilin e vunë te hekurat mbrojtës e më thanë të mos dukem më aty. Shkurt, të mbyllja revistën.

Sigurisht që vazhdova punën, por jo ditën, natën, dhe e nxora numrin e radhës të revistës, fiks në datën e caktuar, më 1 shtator 2001. Në këtë numër botova në shqip dhe anglisht një protestë drejtuar kryeministrit, presidentit dhe trupit diplomatik. Bashkë me protestën edhe procesverbalin e konfiskimit e rrëmbimit të liçencës. E dija se kryeministri dhe presidenti ndjeheshin të kënaqur nga kjo histori, por doja që të isha në rregull me protokollin dhe vetëveten. Ndërkohë pas tri-katër ditësh më njoftojnë që pas një jave të shkoja në ambasadën amerikane. Isha në dilemë. Mendoja se do të më priste ambasadori Limprecht dhe më vinte zor ta takoja, sepse në revistë para disa kohësh ishte botuar shkrimi i ashpër i Kastriot Miftarajt “Të gjitha skandalet e Joseph Limprecht”. Por jo. Jo se nuk isha pak a shumë i të njëjtit mendim me kolegun tim e nëse do të thirresha për atë shkrim, nuk do të kasha dilemë. Por më priti shefja e Marrëdhënieve me Publikun, Debora Xhons. Më dëgjoi e nuk më dha asnjë këshillë, vetëm duke më shtruar një pyetje sugjestive: – Çfarë mund të bëjmë ne?!. I dhashë përgjigje dhe pas dy ditësh personi që më kishte rrëmbyer me forcën e niformës liçencën u shfaq në dyert e redaksisë e ma ktheu atë.

Thashë me vete u zgjidh edhe kjo punë. Por nuk mbaroi me kaq. Shitja e reistës “Koha” në qytetin e Tiranës filloi të binte shumë. Aso kohe Rama kishte deklaruar prishjen e kioskave. Gazetashitësit ishin në garë të respektonin gjithçka çfarë u thoshte Bashkia, me qëllim që t’i shpëtonin ciklonit. Kioska ngjit me bibliotekën kombëtare shiste normalisht 60-70 revista. Por në muajin pasardhës në tetor 2011, shiti vetëm 11 copë, po kështu në nëntor. Shkoja herë pas here dhe revistën nuk e shihja asnjë cast në reklamë. Nuk shihej. Ishte e fshehur. Kush pyeste direkt, nëse kishte dalë revista, nxirrej një ekzemplar nga nënbanaku dhe I jepesh nga shitësja, duke parë me kujdes mos ishte ndonjë që e ndiqte nga pas. Pas dy muajsh, i shqetësuar për këtë fenomen debatova me shtësen (Natashën) dhe ajo u detyrua të më thotë të vërtetën.“Kanë ardhur nga Bashkia dhe më kanë urdhëruar të mos e shes revistën “Koha”.Ndryshe, më kanë thënë, do ta prishim kioskën. Të lutem mos e publiko këtë, se më merr në qafë”. Nuk e publikova, por prej asaj kohe ky veprim i Edi Ramës më rri gur në qafë. Nuk mund ta besoja, si është e mundur që një kryetar bashkie të merret në detaje me gjëra të tilla, vetëm e vetëm që ta shkatërrojë një botim të lirë e kritik ndaj tij dhe qeverisë që ai përfaqëson?!

Nuk po I shkruaj të gjitha dhunimet dhe presionet që më bënin shefi i SHISH, Fatos Klosi, vetë kryeministri i asaj kohei partisë në pushtet, i cili me paturpësi I thoshte ambasadorit bullgar: “Çoje në gjyq atë maskara””.Nuk po ndalem as me vendimin e gjykatës së faktit që për një shkrim të Agim Shehut më vuri gjobën prej 500 mijë lekë apo të Gjykatës së Apelit, e cila këtë masë dënimi e rriti katër fish, duke e çuar në dy milionë lekë të reja. Por u ndala vetëm te dy raste ekstreme të Edi Ramës.

Prej katër vitesh kam ndjekur me trishtim arsyetimet e kreut të opozitës për gjoja opcionin ndryshe të tij të ndërtimit të shtetit të së drejtës në këtë vend. Prej gati një viti ndjek me neveri mashtrimin e radhës për gjoja “Rilindjen” e Shqipërisë, në rastin e ardhjes së tij në pushtet. Shumëkush mundet dhe ndoshta dikush ka të drejtë ta besojë. Por gjithkush që e beson do të zhgënjehet në momentin që do të përballet me pushtetin e Ramës. Arroganca e tij është e pakufishme dhe e paimagjinueshme. Madje do ta quaja një lloj arrogance hybrid të shartuar me nacionalsocializmin e Hitlerit dhe bolshevizmin e Stalinit, çka do të thotë se do të ishte më I egër se secila prej tyre të marrë veç e veç.

Edhe dy ditë e shqiptarët do të drejtohen në kutitë e votimit. Ata gjenden midis dy alternativave, të Ramës dhe të Berishës. Përvoja ka dëshmuar dhe fushata elektorale tregoi gjithashtu se ata janë shumë larg njëri-tjetrit. Ne pamë në këto muaj fushate një Ramë të pandryshueshëm me atë Ramën që dërgonte uniformat e tij për të dhunuar një institucion botimi, revistën “Koha”. E bënte këtë thjesht se nuk donte të ballafaqohej me kritikat e saj. Në fushatën elektorale ai ka shfaqur gjithashtu të njëjtën doktrinë. Kushdo që ka folur kundër alternativës së tij është kërcënuar për “largim nga puna” e madje për ndjekje penale. Kushdo që është i kënaqur me rritjen e rrogave nga qeveria “Berisha”,si mësuesit, infermierët, mjekët, policët, janë etiketuar dhe kërcënuar në bllok, si komunitete. Kushdo që ka reaguar brenda radhëve të partisë së tij është gjendur në mes të natës i vetmuar dhe anatemuar si “tradhëtar”, madje është kërcënuar deri në dhunimin e familjes së tij. Cilido gazetar që i ka bërë pyetje të padëshiruar prej tij është përballur me arrogancën e përgjigjes së Ramës.

Dhe të gjitha këto, që shihen në ekrane, pa llogaritur labirinthin e bëmave jashtë kamerës, duhet të bindin dhe më spetikët se Rama kryeministër është një kërcënim I madh, jo për mua, jo për ty si individ, por për familjet tona, për komunitetet punuese, për zhvillimin e vendit, për vetë Shqipërinë dhe kombin Shqiptar. Nuk është Edi Rama dhe ekipi i tij, që mund të sjellë rilindjen. Rilindja e shqiptarëve ka trokitur tashmë dhe dita ditës po bëhet realitet i pakontestueshëm.

Rama kërkon t’i vejë shqiptarët në provë. U thotë më votoni dhe do ta shihni se çfarë do të bëj unë si kryeministër. Por unë dhashë dëshminë timë personale e institucionale, për të thënë se Rama ëshët i pabesueshëm, jo vetëm i paparashikueshëm. Me Ramën Shqipëria do të ketë një gur të rëndë në qafën e saj, por edhe ndërkonbëtrët do të kenë telashe të mëdha me tekat e tij. Zyrat e të drejtave të njeriut do të mbushen me dosje të shumta ankesash ndaj qeverisjes së Ramës. Gjyqet do të përditësohen me paditë kundër “kryeministrit”Rama. Bota demokratike do të zhgënjehet Brenda pak javësh, ndërsa shqiptarët që të nesërmen e marrjes së pushtetit prej tij, nëse ai do të votohet për marrjen e pushtetit.

Unë kam ndjesinë se shqiptarët e kanë kaluar periudhën kur u besonin rrenave të mëdha. Ndaj nuk kanë se si t’i besojnë alternativës pa opcione e mashtruese të Edi Ramës. Aq më pak mund t’i besojnë ata që e kanë provuar mbi kurriz qeverisjen e Tiranës prej tij, madje dhe ata që kanë provuar të bashkëpunojnë me të.

 

Filed Under: Komente Tagged With: deshmia ime, doktrina e tij, Enver Bytyci, midis, nacionalizmit dhe bolshevizmit, per edi Ramen

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 466
  • 467
  • 468
  • 469
  • 470
  • …
  • 486
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Ekzistenca e kombit shqiptar varet nga ekzistenca e kombit amerikan
  • Flamuri Shqiptar: Nga Emblemë Perandorake në Identitet Kombëtar
  • ATHANAS GEGAJ VEPRIMTAR DHE STUDIUES SHQIPTAR NË AMERIKË  I SHQUAR PËR ROLIN E TIJ NË ÇËSHTJEN KOMBËTARE 
  • DR. ATHANAS GEGAJ, EDITORI I DIELLIT DHE SEKRETARI I VATRËS U PËRKUJTUA NË NEW YORK
  • Ismail Qemali në gazetën franceze “Le Bloc”
  • Grupi artistik shqiptar “Albanian Eagles Dance” përformoi në “ArtFest Fort Myers” në Florida
  • INSTITUCIONALIZIMI I BARAZISË SË SHQIPTARËVE – NGA MARRËVESHJA POLITIKE TE GARANCIA JURIDIKE
  • ALBANIAN HERITAGE BOOKSHELF INITIATIVE
  • Stuhitë “Bomb Cyclone”: Kur natyra teston kufijtë e shoqërisë moderne
  • Dr. Athanas Gegaj, editori i Diellit dhe sekretari i Vatrës përkujtohet në New York
  • SHQIPJA – GJUHË E MADHE E NJË POPULLI TË VOGËL, POR TË LASHTË E RRËNJETHELLË NË TROJET E VETA
  • Një vulë, një zarf, një epokë…
  • 20 Shkurti i 35 viteve më parë…
  • Mohimi i krimeve shpërfaqet si vazhdimësi e vetë krimeve
  • GJUHA AMTARE, NJË PJESË THELBËSORE E IDENTITETIT DHE TRASHËGIMISË SONË KULTURORE

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT