• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

OPINIONISTËT E TIRANËS, BINJAKËZUAR ME POLITIKËN DHE OLIGARKËT, IA KANË SHITUR SHPIRTIN DJALLIT

June 8, 2013 by dgreca

Nga ELIDA BUÇPAPAJ/

Shtypi dhe mediat e shumta të Tiranës vendosin në fokus të tyre dizinformacionin. Kjo sindromë, ky morbus duhet të shërohet me çdo kusht. Ti e kupton se noton total në dizinformacion, kur kërkon që ta krahasosh të njëjtin lajm në gazeta apo televizione të ndryshme. Dhe përfundimi është se do të mbetesh me gojë hapur, pasi do të konstatosh se nga lajmi, që ka kaluar në guzhinat e redaksive, ku kryeshefi është pronari apo oligarku i tranzicionit, nuk ka mbetur më asnjë shenjë.

Abuzimi me lajmin në Tiranë është i frikshëm, në kuptimin se si keqpërdoret ai. Është e kuptueshme që çdo gazetë apo televizion të ketë politikën e vet redaksionale, të zgjedhë prej lajmit, të nënvizojë dhe ta kthejë në kryetitull atë që i shkon për shtat, por pa guxuar t’i ndryshojë as edhe një presje.

Kulmi i rrezikut është se politikat redaksionale të gazetave apo televizioneve nuk përputhen dhe nuk kanë asnjë pikë të përbashkët me interesat kombëtare të vendit. Si ndodh rëndom në një demokraci Perëndimore, ku duke anuar majtas apo djathtas, kritikat janë në shërbim të zgjidhjeve më të mira për vendin dhe në të mirë të opinionit publik. Në Tiranë shtypi dhe mediat kanë politika imponuese, pra diktojnë atë që duan ata, kë duan ata, si duan ata për interesa të tyre dhe assesi të vendit. Diçka që rrezikon integritetin e vendit.

Abuzimi me lajmin në Shqipëri është profesional që nga era e diktaturës dhe kryhet mjerisht nga ata që duhet të jenë zëdhënësit, besnikët dhe përcjellësit e tij, por që kanë dalë totalisht nga roli. Sepse opinionistët e Tiranës janë binjakëzuar dhe trinjakëzuar me politikën dhe oligarkët, pra ia kanë shitur shpirtin djallit.

Lajmin në Shqipëri e veshin, e zhveshin, i bëjnë make up, e përçudnonjë, e zbukurojnë, e lajlulosin, e lenë pa frymë, pa organe, pa asgjë, e kalojnë në gijotinë dhe pastaj e krijojnë sipas gustove dhe shijeve të tyre. Dhe kur vjen puna tek gustot, atëhere ata krekosen e dalin me maksimën latine që thotë « De gustibus non est disputandum », se gustot dhe shijet nuk vihen në diskutim. Dhe kur ke parasysh shijet e pronarëve dhe botuesve të Tiranës, asnjëri prej tyre nuk është as vegjetarian apo vegan, të gjithë janë carnivorë, mishëngrënës. Kështu bëjnë edhe me lajmin, ia rrjepin mishin, deri palcën.

Ju duket makabre, kjo që po ju them. Mos do të më thoni: uff, çfarë sensi antinjerëzor keni kur përshkruani këtë fenomen; zonjë kujdes se keni shkelur etikën profesionale me këtë gjuhë të helmatisur! Por kështu është e vërteta, e hidhur, e helmatisur, pelin, të cilën gazetarët e Tiranës, shërbëtorët e aq shumë zotërinjve e kthejnë me kokë përmbys.

Lajmin nuk mund ta transformojë askush, qoftë ky kush të dojë, qoftë ky të ketë lidhje me kë të dojë, qoftë me kryeministrin apo me liderin e opozitës, apo qoftë i punësuar nga pronarë me lidhje me qeverinë apo me grupet e interesit pranë opozitës, lajmi është kokëfortë, është ky që është dhe si i tillë duhet respektuar.

Në Tiranë lajmi masakrohet. Sikur të mos mjaftonte censura. Të gjithë opinionistët që dalin nëpër ekranët e televizioneve të Tiranës me flokë të sapolyera dhe krehura nga parukieret më në modë të metropolit ballkanas, me kostume shik firmato dhe me këpucë me çmim sa pensionet e dhjetë shqiptarëve, unë i përfytyroj gjithnjë me zinxhirë me dryna, sepse burgosin lajmin. Pastaj kur duan të hiqen elokuentë, për të evidentuar gradat e tyre shkencore, atëhere janë zero me xhufkë, sepse gënjejnë, pasi flasin dhe llapin sikur të kenë adn të përbashkët me të pronarëve. Ndërsa me publikun nuk kanë asnjë lidhje dhe publiku i njeh ata si zëdhënës të politikës dhe oligarkisë tranzicioniste, sepse me urdhërin e tyre lajmi përçundohet, transformohet sipas interesave të partive, partiakëve, oligarkëve, pra lajmi zhvishet nga të qëni lajm dhe kthehet në agjitpropagandë, diçka e ngjashme me kohën e diktaturës.

Këta faqezinj shkelin të drejtën e opinionit për informim sepse lajmi është e drejtë dhe pronë e opinionit publik. Jo vetëm në rang kombëtar dhe rang vendi, por në rang global. Ne e shohim në çdo sekondë se ndodh diçka, kudo që të ndodhë, opinioni informohet menjëherë, ne e marrim lajmin menjëherë dhe gazetarët pastaj bëjnë updated, përditësimin, për ta saktësuar, për t’i shkuar tek e vërteta që është vetë lajmi.

Në Tiranë ndodh e kundërta, në Tiranë gazetarët marrin rroga marramendëse, pushtojnë hapësirat që duhet të jenë pronë legjitime e opinionit publik, për ta çorientuar opinionin publik, për ta larguar nga e vërteta, nga lajmi, për t’ia bërë mendjen dhallë, çorap si thotë populli. Me këtë strategji gazetarët orintohen nga politika, nga botuesit dhe pronarët, të cilët midis tyre kanë lidhje të forta interesi ekzistencial, sepse mbijetojnë falë abuzimit, falë shkeljeve të ligjit të konkurencës, tregut të lirë, i cili vendos kufij dhe nuk lejon të abuzosh as me të drejtat dhe as me pushtetet. Këto të drejta sanksionohen në kushtetutën e një vendi demokratik, ku shteti i së drejtës përjashton çdo lloj abuzimi dhe ku fjala e lirë, e vërteta dhe lajmi janë sovrane. Nëse shkelet sovraniteti i lajmit dhe i të vërtetës, si veprohet në Shqipëri, është shkelur edhe sovraniteti i shtetit, qytetarit dhe opinionit publik.

 

Filed Under: Komente Tagged With: analistet e Tiranes, binjakezuar me politiken, Elida Buçpapaj

JA PERSE KRYEMINISTRI BERISHA DUHET T’I FITOJE EDHE KETO ZGJEDHJE

June 7, 2013 by dgreca

KOMENT PËR ZGJEDHJET E 23 QERSHORIT 2013/

Nga Prof. Thanas L. GJIKA/SHBA/

 Në fushatën e sotme për zgjedhjet e 23 qershorit, forcat kryesore janë polarizuar midis Partisë Demokratike me z. Sali Berisha në krye dhe Partisë Socialiste me z. Edi Rama në krye. Arsyetimi kryesor që përdoret sot për të mbushur mendjen e popullit shqiptar se nuk duhet votuar z. Sali Berisha, është nevoja e rrotacionit, zëvendësimi i tij me z. Edi Rama, mbasi ai ka qëndruar shumë gjatë në pushtet dhe ka bërë gabime të rënda…

Për mendimin tim ky arsyetim nuk është bindës, mbasi:1. Rrotacioni është një domosdoshmëri në vendet me demokraci të zhvilluar, si SHBA, shtetet e Europës së Bashkuar, etj, por jo për vende me demokraci të brishtë, si Shqipëria, që kanë kaluar një periudhë të gjatë kohe nën zgjedhën e egër komuniste. Z. Sali Berisha vërtet ka qendruar gjatë në pushtet dhe ka berë gabime, të cilat i pranon dhe vetë, por detyrat kryesore ai i ka kryer mirë. Sot Shqipëria, nga një shtet në gjendje kome që ishte në vitet 1991-1994, është forcuar, ka hyrë në NATO dhe po ecën me sukses drejt Europës së Bashkuar. Fshatarësia shqiptare sot ka toka e bagëti, ka shtëpi të reja, është e punësuar në pronën e vet. Të gjithë qytetarët e Shqipërisë jetojnë sot shumë, shumë më mirë se në vitet 1945-1991.

2. Partia Socialiste e Shqipërisë, si vijuese e drejtpërdrejtë e PPSH / PKSH ka pasur e ka nevojë dhe detyrë të zhvillojë së pari katarsën e vet, për t’u çliruar nga mendësia komuniste. Që kjo parti të kthehet në një forcë të vërtetë demokratike duhet të pranojë sukseset e kundërshtarit, duhet të mos shajë e shpifë kundër çdo bëme të Partisë Demokratike në pushtet, por të japë obsionet e saj më të mira. Z. Edi Rama, në vend që të merrej me rigjenerimin e partisë së tij këto tetë vjet të qëndrimit në opozitë, kreu veprime shumë të dëmshme politike duke mos hyrë në parlament, duke zhvilluar greva urie e demonstrata pa bukë, duke ushqyer vetëm urrejtje e tifozllëk të sëmurë. Më 21 janar 2011 ai nuk doli në krye të demostruesve, por i la demostruesit si bagëti pa bari dhe demostrata degjeneroi në një demostratë të dhunshme, duke dëshmuar se partia e tij nuk është në gjendje të kryejë një demostratë paqësore, si i zhvillojnë forcat politike demokratike.

3. Unë mendoj se fitorja e z. Sali Berisha më 23 qershor 2013 do t’i bëjë mirë të dy forcave kryesore politike, pra do t’i bëjë mirë së ardhmes së Shqipërisë. Kjo fitore do të sjellë si pasojë mënjanimin e z. Edi Rama nga kryesia e PS-së. Kjo parti do të shpëtojë nga ky kryetar i rastit e ambicioz, i cili për hir të mbajtjes së karrikes e shkatërroi PS-në duke mënjanuar shumë prej elementëve të pjekur të saj. PS-ja gjatë katër vjetëve të ardhshëm do të ketë mundësi të rigjenerohet dhe të përgatisë kuadro të pjekur për të konkuruar denjësisht në zgjedhjet e vitit 2017. Nga na tjetër dhe PD-ja gjatë katër vjetëve të ardhshëm do të ketë kohë të përgatisë kuadro të reja që po rriten në gjirin e saj për të vijuar edhe më mirë se z. Sali Berisha lojën politike të pluralizmit me tolerancë e pjekuri për të dëshmuar se dhe ne shqiptarët meritojmë të hyjmë në BE.

 

Filed Under: Komente Tagged With: 23 qershor, koment per zgjedhjet, Thanas L Gjika

FALENDERIM NGA FAMILJA MIRAKAJ DHE LIBOHOVA

June 7, 2013 by dgreca

Ne emer te familjes Mirakaj dhe Libohova falenderoj te gjith miqte dhe dashamiret qe na u gjeten prane ne momentet e veshtira te ndarjes nga kjo jete, te bijes ,gruas dhe nenes te pa harushme per dy vajzat Anna dhe Emma.

Flenderojme te gjihe ata te njohur e te panjohur qe nepermjet telefonave dhe mjeteve elektronike na shprehen dhimbjen dhe na ngushelluan per humbjen.e Manjoles.

Nje falenderim te veqante ja drejtojme zotit Dalip Greca qe u be zedhenes i dhimbjes tone dhe zotin Beqir Sina..

JU A KTHEFSHIM TE GJITHVE NE DITE GEZIMI.ME NDERIME .LEK E DOLORES MIRAKAJ

Filed Under: Komente Tagged With: Dolorez, lek mirakaj, Manjola Mirakaj

Replikë e Shoqatës “Pronësi me Drejtësi” me zonjën Lovovsky

June 7, 2013 by dgreca

ME QENDRIMIN MOHUES PËR PRONËN E TRASHËGUAR BANKA BOTËRORE LEHTËSON VJEDHËSIT,VË NË PIKËPYETJE  DEMOKRACINË DHE TË ARDHMEN E SHQIPËRISË /

E nderuar zonja Lovovsky, Drejtoreshë e Bankës Botërore në Shqipëri/

Analizuam përgjigjen të letrës tuaj të bërë publike në gazeten Telegraf te datës 6 Qershor 2013. Ju falenderojmë që përgjigjen e beni të hapur dhe ndjejmë detyrim moral të falenderojmë publikisht redaksinë e gazetës “Telegraf” dhe “Dielli”, që kanë botuar pa censure shkrimet tona dhe kjo i dallon ato nga gazeta te tjera të cilat nuk botojnë shkrimet tona nëse janë kritike për këtë apo për atë drejtues partie apo të drejtues të politikës.

Në përgjigjen tuaj ju thoni: “ Për shkak të rëndësisë që kanë të drejtat mbi pronat e paluajtshme dhe çështjet ende të pazgjidhura që lidhen me procesin e reformës së tokës, Banka Botërore ka përgatitur në vitin 2011 një studim mbi këtë problematikë me titull “Qeverisja në mbrojtjen e të drejtave mbi pronën e paluajtshme në Shqipëri: sfidë e vazhdueshme”. Qëllimi i studimit ishte informimi i debatit publik dhe theksimi i rëndësisë që ka angazhimi në dialog me të gjitha grupet e interesit, në mënyrë që të zgjidhen problemet e mbetura pezull lidhur me privatizimin, kthimin/kompensimin, legalizimin dhe zhvillimin e një tregu toke të efektshëm. Më tej ju citoni botimin e dytë të rishikuar të B.Botërore në prill 2012 dhe thoni: “Studimi ka kaluar në filtrin e një procesi shqyrtimi të plotë dhe ka marrë mbështetjen e drejtuesve të Bankës Botërore. Banka Botërore është një institucion shumëpalësh për zhvillim, i cilipunon me dhe për vendet anëtare, si Shqipëria. Ne do të vazhdojmë një dialog të hapur, profesional dhe pragmatik për këtë dhe për sfida të tjera të zhvillimit në Shqipëri me të gjitha grupet kyçe të interesit për ta ndihmuar vendin që të ecë më shpejt drejt dhënies fund të varfërisë së skajshme, nxitjes së prosperitetit të përbashkët, përmirësimit të qeverisjes dhe çuarjes përpara të integrimit në BE”.

Jemi të diziluzionuar me përgjigjen tuaj zonja Lovovski pasi ajo nuk ka asnjë lidhje me problemet, që ju kemi bërë publike datë 27 dhe 30 maj dhe as me ktitikën zotit Boçari datë 1 qershor 2013.

Për studimin e vitit 2011 ne ju kemi vënë në dukje një mori me gafa dhe për hir të së vërtetës në materialin e rishikuar në prill 2012, ju keni maskuar një pjesë të tyre, duke ruajtuar detajet dhe thelbin e qëndrimit mohues për pronën e trashëguar duke filluar me termin djallëzor ish-pronar për pronarët e vërtetë dhe të ligjshëm . Ju rendisni të parën privatizimin dhe nuk shpreheni me me kritikë ose mbështetje për zgjidhjen nëpërmjet projektligjit që ne ju kemi paraqitur, ashtu siç kemi bërë ne dy shoqatat me studimin tuaj. Ju kemi thënë në tryezë dhe detyrohemi t’ua themi edhe në New York se duke neglizhuar propozimet tona për të zbatuar parimet bazë të demokracisë dhe detyrimet kushtatuese Banka Botërore realisht ka financuar zhvillimin e korrupsionit dhe në emër të ligjit ka lehtësuar vjedhjen e pronave që konfiskoi sistemi sllavokomunist. Duke mos analizuar projektligjin që ne ju kemi paraqitur (shih www.defendingproperty.com) duke e krahasuar atë me çdo alterntë tjetër, ju realizoni të kundërtat e asaj që pretendoni në këtë përgjigje. Ju pohoni se B.Botërore po punon për zhvillimin e Shqipërisë dhe për ta ndihmuar vendin, ne ju kemi argumentuar se duke sabotuar kthimin fizik të pronës tek i zoti, Banka Botërore po e saboton demokracinë dhe të ardhmen e Shqipërisë. Këtë situatë e denoncojnë mijëra të vrarë për probleme prone dhe vetë ju që pranoni se procesi të cilin ju e mbështesni me rekomandime por dhe financiarisht nuk ka përfunduar prej 22 vjetësh. Prandaj ju jeni nxitës dhe mbështetës moralë dhe financiarë të abuzimeve të pushtetarëve tanë.

Kthimi i pronës së grabitur tek i zoti eshte detyrim kushtetues por jo sfidë siç mendoni ju për ta lënë të hapur kohën se kur do zgjidhet. Ne insistojmë se prona e konfiskuar, e grabitur e përfituar padrejtësisht nuk është pronë e grabitësit, por ju e trajtoni si pronë të pushtetarëve (!!) . Për atë pronë grup interesi është vetëm pronari i ligjshëm dhe shteti që duhet të zbatojë detyrimet kushtetuese. Përgjigja juaj na diziluzionon kur mendojmë se shpreh qëndrimin e Bankës Botërore. Ky është menaxhim i gabuar , që ju nuk mund ta maskoni më tej në emër të Bankës Botërore, duke kërkuar grupe të tjera interesi, duke zëvendësuar detyrimet kushtetuese dhe të drejtat e njeriut me platformën tuaj se B.Botërore do të vazhdojë një dialog të hapur, profesional dhe pragmatik,. Kjo ngjan si dy pika uji manovrën e shokut Ramiz Alia për të ricikluar klanin komunist në kushtet e pluralizmit.

Me ankesat dhe argumentat e shumta që ju kemi drejtuar ndër vite ju si Bankë Botërore ju kemi argumentuar se po bëni një padrejtësi të madhe ndaj qytetarëve duke i penguar ata për të gezuar pronën e trashëguar të konfiskuar sistemi i diktaturës. Ndofta për shkak të bindjes tuaj të gabuar nga sistemi komunist por edhe specialiste të tjerë, të paguar, si p.sh. ekonomisti Hernando De Soto, po e mbështesni këtë krim moral, duke rekomanduar legalizime, privatizime , pa përfunduar kthimin fizik dhe pa dalluar se prona është e shtetit apo pronë e shtetasve të cilën shteti duhet ta kthejë në origjinë. Ju bëni veshin e shurdhër ndaj llogjikës se pa mbaruar kthimi nuk mund te legalizohen grabitjet dhe shkeljet ligjore. Kështu bëhet gjithnjë dhe më e qartë se shkaku i vërtetë është mbështetja juaj për zbatimin e direktivës së shokut Ramiz Alia në mbledhjen e Byrosë Politike në Tetor 1989, ku ai për të shpronësuarit rekomandon: “…Do t’u japim nga një letër në dorë që tu njihet prona, por këtë nuk do t’ua japim asnjëherë. Do ti ngatërrojmë në forma të ndryshme me njëri tjetrin, që të kalojnë në gjykatë, ku të zbatohet rrotacioni nga gjykata e shkallës së parë në të dytën dhe për shkak të difektesh teknike, kthim për rigjykim në shkallën e parë…..Pasuria e tëra na përket ne, se ne e bëmë.” Ky është realiteti i sotshëm dhe këtë ua kemi thënë në tryezë dhe kjo mbetet e shkruan në gjurmët që ju lini çdo ditë kur ecni në tokë.

Shpresojmë që ju të reflektoni dhe të kuptoni se duke sabotuar kthimin e pronës tek i zoti, ju nuk sabotoni pronarët por Shqipërinë. Për të parandaluar këtë ne do të jemi të detyruar të kërkojmë largimin tuaj nga Shqipëria

Ne pritje të reagimit tuaj ftojmë të gjithë analistët dhe gazetarët deputetët aktualë dhe kandidatët e Kuvendit të ardhëshëm të shprehen për këtë problem bazë të demokracisë.

Rrapo Hajredin Danushi

Kryetar i Shoqatës “Pronësi me Drejtësi”

 

 

Filed Under: Komente Tagged With: Lovovsky, replike me zonjen, Rrapo Danushi

HAPËSIRA SHQIPTARE MË VERILINDORE – PENG I TERMAVE

June 7, 2013 by dgreca

Nga SKËNDER BUÇPAPAJ/

Paraqitja në Kuvendin e Kosovës e një rezolute për shqiptarët e Preshevës, Medvegjës e Bujanocit vuri në një provë vendimtare politikën shtetërore të Republikës së Kosovës, e cila, duam apo nuk duam ne, ende nuk ekziston si e tillë, veçanërisht ende nuk ekziston në aspektin kombëtar të saj.

Dilema përmblidhet shkurt kështu: Në qoftë se Republika e Kosovës do të mëtonte që, në rrafshin shqiptar, çështja e këtyre tri komunave tona në jug të Serbisë të jetë ekskluzivitet i saj, atëherë do t’i takonte të krijonte një infrastrukturë ligjore, politike, diplomatike shtetërore, në kuadrin e një strategjie tërësore për këtë çështje.

E shtroj kështu dilemën e mësipërme, sepse Prishtina ka dhënë shenja të dukshme jomirëkuptuese ndaj një roli ose ndaj një vëmendjeje, për shembull, të Tiranës ndaj këtyre tri komunave shqiptare. E, në qoftë se Republika e Kosovës e shikon çështjen e tyre si domen kryesisht të saj, duke iu lejuar sadopak rol faktorëve të tjerë shqiptarë, atëherë i takon të mendojë ajo dhe të përcaktojë ajo se çfarë roli do të kenë këta faktorë, në çfarë mënyrë do të bashkërendohen ata me Prishtinën e mbi çfarë infrastrukture të posaçme do të bazohen.

Vetëm duke u institucionalizuar përpjekjet e përbashkëta të faktorëve shqiptarë dhe vetë hapësirës më verlindore të atdheut e të kombit tonë, do të arrihet përmirësimi thelbësor i gjendjes së përgjithshme në këtë hapësirë, do të arrihet që ajo të ketë zhvillim të barbartë në kuadrin e Republikës së Serbisë dhe përmbushje të saj në kuadrin e hapësirës tërësore shqiptare në rajonin e Evropës Juglindore.

Thelbi i rezolutës së paraqitur në Kuvendin e Kosovës, përmendur nga mediat, ishte: “Qeveria e Kosovës të shtojë kujdesin dhe interesimin shtetëror për përmirësimin e gjendjes së shqiptarëve në Preshevë, Bujanoc e Medvegjë, lidhur me të drejtat e tyre civile, politike dhe nacionale. Qeveria e Kosovës të ketë më shumë kujdes dhe trajtim më të mirë për qytetarët shqiptar nga këto komuna që janë shpërngulur në Kosovë dhe të drejtat e tyre janë të cenuara. Qeveria të hapë një zyrë në Prishtinë dhe një tjetër në Gjilan për qytetarët nga Presheva, Bujanoci e Medvegja me qëllim të mbrojtjes së drejtave dhe përmirësimit të gjendjes së tyre.”

Përveç kësaj linje të autorit të Rezolutës, si dhe të forcës politike opozitare që përfaqëson ai, në Kuvend, gjatë debatit të nxehtë u vunë re edhe dy linja të tjera. Njëra e deputetit të Vetëvendosjes Liburn Aliu. Ky mëtoi që Rezoluta të kërkojë shtyrjen e ratifikimit të planit për zbatimin e Marrëveshjes Kosovë-Serbi të arritur më 19 prill në Bruksel. Tjetra ishte ajo e paraqitur nga vetë kryeministri i Kosovës i cili kërkoi të mos ketë rezolutë, por të ketë një ndryshim në Kushtetutën e Republikës së Kosovës: “që nenit 1 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës t’i shtohet edhe pika 4, dhe të theksohet: Republika e Kosovës ka të drejtë të interesohet dhe të mbrojë të drejtat legjitime të shqiptarëve jashtë Kosovës, me mjetet e përcaktuara me këtë Kushtetutë, ligjet e Kosovës dhe aktet ndërkombëtare”.

Autor i Rezolutës ishte deputeti gjilanas i Lidhjes Demokratike të Kosovës Lutfi Haziri. Një ndër figurat kryesore të kësaj partie dhe të Kosovës, Haziri mbahet mend sidomos për faktin se ka kryesuar delegacionin e Kosovës në takimet e Vjenës për përcaktimin e statusit të Kosovës. Duke qenë, nga Gjilani, komunë e Republikës së Kosovës ngjitur me tri komunat shqiptare përtej kufirit shtetëror, Haziri ka treguar ndjeshmëri të veçantë dhe e ka ngritur vazhdimisht zërin për këtë temë.

Rezoluta e paraqitur prej tij mund të miratohej pa kurrgjë të keqe në mënyrë të njëzëshme nga Kuvendi i Kosovës dhe pa fare debat. Në asnjë fjalë, fjali apo kryeradhë Rezoluta nuk përmbante asnjë lloj shqetësimi në kuadrin e vendit apo të rajonit, nuk përbënte asnjë lloj shqetësimi në aspektin e ligjësisë ndërkombëtare. Aq më tepër, nuk e cënonte aspak atë që ishte arritur në Bruksel mes Kosovës dhe Serbisë, përkundrazi e plotësonte kuadrin e domosdoshëm të synimit të asaj marrëveshjeje, i cili është përmirësimi i marrëdhënieve ndërshtetërore mes dy vendeve fqinje, shtete të pavarura dhe sovrane.

Mund të ishte për debat parashtrimi i deputetit të Vetëvendosjes Liburn Aliu, për faktin se i gjente të papërgatitur ndoshta deputetët e të gjitha forcave politike në Kuvendin e Kosovës. Por një rezolutë me një përmbajtje të tillë do të ishte shumë më detyruese për qeverinë e Republikës së Kosovës dhe për të gjithë faktorët e interesuar ndaj përmirësimit të marrëdhënieve mes Kosovës e Serbisë.

Edhe më improvizuese ishte paraqitja e kryeministrit Hashim Thaçi, nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës. Në vetvete shtimi i një kryeradhe të katërt në Nenin 1 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, nga përmbajtja është plotësisht e pranueshme dhe me vend. Me një formulim që nuk do ta ndryshonte përmbajtjen, por do të kishte më shumë sens juridik, në aspektin detyrues, kjo kryeradhë mund të përfshihet në këtë kushtetutë në rast të një rishikimi thelbësor apo tërësor të saj, mendoj, në një kohë të afërt.

Dështimi i miratimit të Rezolutës në Kuvendin e Kosovës, ku ishin të pranishëm si vëzhgues edhe personalitetet kryesore të Preshevës, Medvegjës e Bujanocit, la shije të keqe sidomos tek i gjithë faktori përkatës shqiptar. Këtyre tri komunave, për absurd, veçanërisht pas miratimit të marrëveshjeve të para teknike mes Prishtinës dhe Beogradit në Bruksel, iu është vështirësuar komunikimi me Kosovës. Nëse serbët e Kosovës e kanë të pasur të lehtë të komunikojnë me ata të Serbisë dhe, anasjelltas, serbët e Serbisë e kanë pasur edhe më të lehtë të komunikojnë me ata të Serbisë, ky komunikim mes shqiptarëve të Kosovës dhe atyre të Preshevës, Medvegjës e Bujanocit është vështirësuar. Dhe në këtë vështirësim e kanë rolin e tyre edhe Serbia, edhe Kosova.

Qoftë edhe vetëm për këtë fakt, në bisedimet e Brukselit dhe në marrëveshjen e arritur mes Kosovës e Serbisë, patjetër do të duhej të përfshihej veçantia, në këtë sens, e tri komunave shqiptare në jug të Serbisë, si njëra nga urat kryesore të mirëkuptimit midis dy vendeve fqinje. Kjo nuk u bë. Dhe, sa nuk është vonë, do menduar nga Brukseli e faktori perëndimor në tërësi që të gjendet mënyra për t’u përfshirë.

Shqiptarët në trojet e tyre në Preshevë, Medvegjë e Bujanoc janë pakicë kombëtare shqiptare në Republikën e Serbisë, si vijim i drejtpërdrejtë territorial dhe kombëtar i Republikës së Kosovës. Pra, ata e gëzojnë statusin e pakicës kombëtare të Repubikës së Kosovës në Republikën e Serbisë. Janë e vetmja pakicë zyrtare që Kosova ka në një shtet tjetër. Pra, Republika e Kosovës e ka detyrim të drejtpërdrejtë shtetëror dhe kombëtar mbështetjen dhe përkrahjen e gjithanshme ndaj tyre. Dhe duhet ta ketë detyrim kushtetues shtetëror dhe kombëtar mbështetjen dhe përkrahjen e tyre të gjithanshme. Republika e Shqipërisë e ka këtë detyrim të përcaktuar me kushtetutë. Ndërkaq, shqiptarët e Malit të Zi, shqiptarët e Maqedonisë, shqiptarët e Greqisë, shqiptarët kudo që ndodhen e kanë detyrim kombëtar mbështetjen dhe përkrahjen e gjithanshme të shqiptarëve të Preshevës, Medvegjës e Bujanocit.

Krahina shqiptare më verilindore, Presheva, Medvegja dhe Bujanoci, nuk e ka shkëputur asnjëherë gjatë gjithë historisë veten e saj nga lëvizjet për liri dhe përparim të hapësirës tjetër ilirodardaneshqiptare. Gjatë mijëra vjetëve, përveç ndonjë periudhe të shkurtër nën sundimin bullgar, kjo krahinë ka qenë së bashku me Dardaninë (Kosovën). Vetëm në vitin 1945 Tito, për herë të parë, e shkëputi këtë krahinë nga Kosova dhe e përfshiu në Republikën e Serbisë. Kështu shqiptarët e ish Jugosllavisë në trojet e tyre copëtoheshin në katër njësi federative – Kosovë, Serbi, Maqedoni dhe Mal i Zi. Edhe pas kësaj date shqiptarët e kësaj krahine kanë marrë pjesë në të gjitha lëvizjet kombëtare deri në ditët tona. Në kuadrin e shpërbërjes së Jugosllavisë ata, nëpërmjet referendumit të 1-2 Marsit 1992, me 95% të votave, u shprehën për bashkim me Kosovën. Ata bënë më së miri detyrën e tyre në kuadrin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK). Në vitin 2000 formuan Ushtrinë e tyre Çlirimtare të Preshevës, Medvegjës e Bujanocit (UÇPMB). Në Marrëveshjen e Konculit, të arritur në maj të atij viti, ata kurorëzuan që Republika e Serbisë, sa kohë që ata të jenë pjesë e saj, t’ua përmbushë të gjitha liritë njerëzore dhe kombëtare.

Republika e Serbisë nuk e ka zbatuar marrëveshjen. Kjo krahinë, edhe pas mbarimit të Luftës së Ftohtë, edhe pas çlirimit të Kosovës, i është nënshtruar e i nënshtrohet një spastrimi etnik të heshtur sistematik të ndërmarrë nga Beogradi. Pasiguria e jetës, kërcënimet dhe kanosjet e përditshme, mungesa e arsimit, shëndetësisë dhe shërbimeve të tjera janë faktorë që e nxitin dhe e stimulojnë më tej spastrimin e heshtur etnik të kësaj krahine shqiptare. E ndodhur në vijën e parë të frontit të mbrojtjes së substancës sonë kombëtare, kjo krahinë e ka të domosdoshme dhe urgjente mbështetjen dhe përkrahjen e të gjithë faktorëve të tjerë shqiptarë dhe e të gjithë faktorëve miq e aleatë.

Nga ana e saj, kjo krahinë shqiptare i ka përpunuar të gjithë termat e funksionimit të saj si gjeopolitikë e veçante në kuadrin e gjeopolitikës shqiptare dhe asaj rajonale. Mirëpo Prishtina, nën trysnitë e ushtruara ndaj saj për përmirësimin e marrëdhënieve me Republikën e Serbisë, ka përpunuar të tjera terma, duke u vënë praktikisht në pozita kundërthënëse ndaj aspiratave të krahinës shqiptare të Preshevës, Medvegjës dhe Bujanocit. Për herë të parë, shkallën e madhe ku ka arritur kjo kundërthënie, e kupton vetë kryeministri i Kosovës, pikërisht në kryeradhën që propozon t’i shtohet Kushtetutës së Republikës së Kosovës. Për herë të parë, çarmatosen përfundimisht kalemxhinjtë e dekombëtarizuar pranë tij, me teoritë e tyre të riprovincializimit të Kosovës dhe të shqiptarëve të saj.

Sa kohë që të mos jetë arritur një njësim dhe harmonizim i plotë i termave në vetë Prishtinën, hapësira shqiptare më verilindore, pra Presheva, Medvegja dhe Bujanoci do të mbeten peng i këtyre termave. Në qoftë se nuk flasim me të njëjtën gojë e me të njëjtën mendje të gjithë faktorët shqiptarë për pjesët përbërëse të çështjes sonë kombëtare, atëherë ne nuk do të arrijmë t’i imponojmë ato as tek palët kundërshtare, as tek faktorët ndërkombëtare. Perkundrazi, do të vazhdojmë të gërryhemi, të tretemi, të tkurremi e të rrudhemi gjeografikisht, politikisht, kombëtarisht në të gjitha pikëpamjet.

 

Filed Under: Komente Tagged With: Hapesira shqiptare, me verilindore, peng i termave, Skender Bucpapaj

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 469
  • 470
  • 471
  • 472
  • 473
  • …
  • 483
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • ANNA KOHEN: Nuk harrroj vlerat humanitare dhe bujarinë e shqiptarëve
  • Akademia e Shkencave përkujton me nderim në 10-vjetorin e ndarjes nga jeta akademik Kristo Frashërin
  • Ndryshimet e Kodit Penal një realitet me risqe dhe kurthe penalizimi për gazetarët
  • Kongresi Kombëtar i Lushnjes u bë gur themeli për ndërtimin e shtetit shqiptar
  • Libri “Tragjedia Çame” i bashkëautorëve Lita-Halimi, një testament dokumentar
  • FREEDOM IN JANUARY 2026
  • “ALBLIBRIS”, NJË PREMTIM KADARESË QË E KREVA NË NËNTËDHJETËVJETORIN E TIJ
  • Përmendorja e Skënderbeut në Ulqin
  • Join us at Albanian Heritage Day at Yankee Stadium!
  • ABAS KUPI, AKTIVITETI POLITIK NË EMIGRACION DHE NË SHBA
  • Marksizmi, nostalgjia e sfumuar filozofike dhe praktike
  • U mbajt konferenca shkencore “Tish Daija në 100 vjetorin e lindjes”
  • NDËRROI JETË PJETËR LEKA IVEZAJ
  • LIRIA KA EMËR: UÇK
  • VENDI IM

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT