• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Dëshmia ime për Edi Ramën:Doktrina e tij – midis nacionalsocializmit dhe bolshevizmit

June 21, 2013 by dgreca

Shkruan: Enver Bytyçi/

Miku im, Ferdinand Hysi, ma dha idenë e këtij shkrimi. Ai kishte parë autobuzin mavi të “Rilindasve”, por pa vënë re se kush ishte brenda tij. Më tha se ata që janë në autobus na shohin, na vëzhgojnë ne, ndërsa ne e kemi të pamundur që t’i vëzhgojmë ata. Simbolika e dramaturgut të njohur është e qartë: Kandidati për kryeministër, Edi Rama, dhe ekipi i tij, nëse vijnë në pushtet, do të vëzhgojnë dhe përndjekin cilindo që nuk i bindet vullnetit politik të tyre. Instrument i vëzhgimit dhe përnfjekjes nuk do të jetë autobuzi mavi, por zyrat e institucioneve të shtetit. Ndërkaq vetë do të vijojnë të fshihen e të fshehin çdo veprim që shkon ndesh me shtetin e së drejtës. Ata po japin mesazhin se shteti do të jetë “ekipi i rilindjes”.Teorikisht e kanë shpallur këtë ide që kurse kanë vendosur luftën kundër iniciativës së lirë, kundër sistemit të taksave e kundër koncesioneve. Praktikisht po e provojnë të japin mesazhin e tillë me autobuzin mavi, nga brenda të të cilit vëzhgohet çdokush, me pamundësi për të vëzhguar nëse ata brenda tallen, ironizojnë apo nderojnë qytetarët që kalojnë pranë këtij autobuzi. Ndërkaq zoti Rama parmbrëmë u betua para B. Fevziut dhe publikut se në asnjë rast nuk ka bërë presion ndaj biznesit e medies. I përgjigjej një pyetje për Koço Kokëdhimën dhe e merrte atë në mbrojtje, duke akuzuar jo vetëm kryeministrin Berisha, por edhe ish-kryeministrin, Nano. Kjo më detyroi që së paku të jap një dëshmi timen për Edi Ramën, aso kohe kryetar të Bashkisë së Tiranës, sesi ai e ka vënë pushtetin e tij në funksion të asgjësimit të fjalës e shtypit të lirë në Shqipëri:

Ishte fundgushti i vitit 2001. Aty nga mesdita ia mbërritën në zyrat e redaksisë së revistës “Koha” shumë veta, me e pa uniformë. Sa thoni ju të nderuar lexues? Plot tetë persona, tre policë të rendit, të cilët merrnin pagën në drejtorinë e Policisë së Shtetit, dy policë të policisë financiare, të cilët paguheshin nga Drejtoria e Përgjithshme e Tatim-Taksave si dhe tre punonjës civilë, të cilët paguheshin nga kryetari I Bashkisë së Tiranës, Edi Rama. Hynë në zyrë pa trokitur dhe me fytyra të ngrysura, terr si pusi. Më paraqitën një fletë-gjobë prej 8000 lekësh të reja, pa paralajmëruar dhe pa njoftuar dhe më urdhëruan t’ju jepja paratë. I pyeta pse duhej ta firmosja dhe më thanë se këtu ke vënë pa leje reklamën e revistës (ajo ishte vetëm 40×60 dhe ngjitur me dritaren e zyrave). Ishte një fyerje dhe një alibi për dhunimin e institucionit mediatik, të themeluar me një vendim gjykate.

U thashë se reklama katër herë më të mëdha e në mes të rrugës gjendeshin me dhjetra e qindra. Pse nuk ndaluat aty, por erdhët direkt tek unë….– Mos e zgjat, më thanë, firmos e paguaj gjobën. Nuk mundesh as të ankohesh. Kur i pieta se nga vinin e kush ishin, ata më thanë se vinin në emër të kryetarit të Bashkisë, Edi Rama. Tre civilët qenë vëzhguesit e veprimeve të policëve, të cilët për të bindur padroninpër besnikërinë e tyre më morën çelësat dhe liçencën e botimit. Edhe pse u thashë se liçencën mund të ma marrë vetëm gjykata, sepse ajo ma kishte dhënë, nuk dëgjuan nga ai vesh. Ju kërkova një procesverbal dhe njëri prej policëve të policisë financiare, si më cubi ndër ta, më bëri nderin përkatës. Më tha po, ta hedh unë firmën për marrjen e liçencës. Pas nja dy orë të bërtiturash, sharjesh dhe akuzash për shkrimet në revistën “Koha”, më nxorën dhe mua jashtë bashkë me personelin, më mbyllën derën me një çelës-dryn, të cilin e vunë te hekurat mbrojtës e më thanë të mos dukem më aty. Shkurt, të mbyllja revistën.

Sigurisht që vazhdova punën, por jo ditën, natën, dhe e nxora numrin e radhës të revistës, fiks në datën e caktuar, më 1 shtator 2001. Në këtë numër botova në shqip dhe anglisht një protestë drejtuar kryeministrit, presidentit dhe trupit diplomatik. Bashkë me protestën edhe procesverbalin e konfiskimit e rrëmbimit të liçencës. E dija se kryeministri dhe presidenti ndjeheshin të kënaqur nga kjo histori, por doja që të isha në rregull me protokollin dhe vetëveten. Ndërkohë pas tri-katër ditësh më njoftojnë që pas një jave të shkoja në ambasadën amerikane. Isha në dilemë. Mendoja se do të më priste ambasadori Limprecht dhe më vinte zor ta takoja, sepse në revistë para disa kohësh ishte botuar shkrimi i ashpër i Kastriot Miftarajt “Të gjitha skandalet e Joseph Limprecht”. Por jo. Jo se nuk isha pak a shumë i të njëjtit mendim me kolegun tim e nëse do të thirresha për atë shkrim, nuk do të kasha dilemë. Por më priti shefja e Marrëdhënieve me Publikun, Debora Xhons. Më dëgjoi e nuk më dha asnjë këshillë, vetëm duke më shtruar një pyetje sugjestive: – Çfarë mund të bëjmë ne?!. I dhashë përgjigje dhe pas dy ditësh personi që më kishte rrëmbyer me forcën e niformës liçencën u shfaq në dyert e redaksisë e ma ktheu atë.

Thashë me vete u zgjidh edhe kjo punë. Por nuk mbaroi me kaq. Shitja e reistës “Koha” në qytetin e Tiranës filloi të binte shumë. Aso kohe Rama kishte deklaruar prishjen e kioskave. Gazetashitësit ishin në garë të respektonin gjithçka çfarë u thoshte Bashkia, me qëllim që t’i shpëtonin ciklonit. Kioska ngjit me bibliotekën kombëtare shiste normalisht 60-70 revista. Por në muajin pasardhës në tetor 2011, shiti vetëm 11 copë, po kështu në nëntor. Shkoja herë pas here dhe revistën nuk e shihja asnjë cast në reklamë. Nuk shihej. Ishte e fshehur. Kush pyeste direkt, nëse kishte dalë revista, nxirrej një ekzemplar nga nënbanaku dhe I jepesh nga shitësja, duke parë me kujdes mos ishte ndonjë që e ndiqte nga pas. Pas dy muajsh, i shqetësuar për këtë fenomen debatova me shtësen (Natashën) dhe ajo u detyrua të më thotë të vërtetën.“Kanë ardhur nga Bashkia dhe më kanë urdhëruar të mos e shes revistën “Koha”.Ndryshe, më kanë thënë, do ta prishim kioskën. Të lutem mos e publiko këtë, se më merr në qafë”. Nuk e publikova, por prej asaj kohe ky veprim i Edi Ramës më rri gur në qafë. Nuk mund ta besoja, si është e mundur që një kryetar bashkie të merret në detaje me gjëra të tilla, vetëm e vetëm që ta shkatërrojë një botim të lirë e kritik ndaj tij dhe qeverisë që ai përfaqëson?!

Nuk po I shkruaj të gjitha dhunimet dhe presionet që më bënin shefi i SHISH, Fatos Klosi, vetë kryeministri i asaj kohei partisë në pushtet, i cili me paturpësi I thoshte ambasadorit bullgar: “Çoje në gjyq atë maskara””.Nuk po ndalem as me vendimin e gjykatës së faktit që për një shkrim të Agim Shehut më vuri gjobën prej 500 mijë lekë apo të Gjykatës së Apelit, e cila këtë masë dënimi e rriti katër fish, duke e çuar në dy milionë lekë të reja. Por u ndala vetëm te dy raste ekstreme të Edi Ramës.

Prej katër vitesh kam ndjekur me trishtim arsyetimet e kreut të opozitës për gjoja opcionin ndryshe të tij të ndërtimit të shtetit të së drejtës në këtë vend. Prej gati një viti ndjek me neveri mashtrimin e radhës për gjoja “Rilindjen” e Shqipërisë, në rastin e ardhjes së tij në pushtet. Shumëkush mundet dhe ndoshta dikush ka të drejtë ta besojë. Por gjithkush që e beson do të zhgënjehet në momentin që do të përballet me pushtetin e Ramës. Arroganca e tij është e pakufishme dhe e paimagjinueshme. Madje do ta quaja një lloj arrogance hybrid të shartuar me nacionalsocializmin e Hitlerit dhe bolshevizmin e Stalinit, çka do të thotë se do të ishte më I egër se secila prej tyre të marrë veç e veç.

Edhe dy ditë e shqiptarët do të drejtohen në kutitë e votimit. Ata gjenden midis dy alternativave, të Ramës dhe të Berishës. Përvoja ka dëshmuar dhe fushata elektorale tregoi gjithashtu se ata janë shumë larg njëri-tjetrit. Ne pamë në këto muaj fushate një Ramë të pandryshueshëm me atë Ramën që dërgonte uniformat e tij për të dhunuar një institucion botimi, revistën “Koha”. E bënte këtë thjesht se nuk donte të ballafaqohej me kritikat e saj. Në fushatën elektorale ai ka shfaqur gjithashtu të njëjtën doktrinë. Kushdo që ka folur kundër alternativës së tij është kërcënuar për “largim nga puna” e madje për ndjekje penale. Kushdo që është i kënaqur me rritjen e rrogave nga qeveria “Berisha”,si mësuesit, infermierët, mjekët, policët, janë etiketuar dhe kërcënuar në bllok, si komunitete. Kushdo që ka reaguar brenda radhëve të partisë së tij është gjendur në mes të natës i vetmuar dhe anatemuar si “tradhëtar”, madje është kërcënuar deri në dhunimin e familjes së tij. Cilido gazetar që i ka bërë pyetje të padëshiruar prej tij është përballur me arrogancën e përgjigjes së Ramës.

Dhe të gjitha këto, që shihen në ekrane, pa llogaritur labirinthin e bëmave jashtë kamerës, duhet të bindin dhe më spetikët se Rama kryeministër është një kërcënim I madh, jo për mua, jo për ty si individ, por për familjet tona, për komunitetet punuese, për zhvillimin e vendit, për vetë Shqipërinë dhe kombin Shqiptar. Nuk është Edi Rama dhe ekipi i tij, që mund të sjellë rilindjen. Rilindja e shqiptarëve ka trokitur tashmë dhe dita ditës po bëhet realitet i pakontestueshëm.

Rama kërkon t’i vejë shqiptarët në provë. U thotë më votoni dhe do ta shihni se çfarë do të bëj unë si kryeministër. Por unë dhashë dëshminë timë personale e institucionale, për të thënë se Rama ëshët i pabesueshëm, jo vetëm i paparashikueshëm. Me Ramën Shqipëria do të ketë një gur të rëndë në qafën e saj, por edhe ndërkonbëtrët do të kenë telashe të mëdha me tekat e tij. Zyrat e të drejtave të njeriut do të mbushen me dosje të shumta ankesash ndaj qeverisjes së Ramës. Gjyqet do të përditësohen me paditë kundër “kryeministrit”Rama. Bota demokratike do të zhgënjehet Brenda pak javësh, ndërsa shqiptarët që të nesërmen e marrjes së pushtetit prej tij, nëse ai do të votohet për marrjen e pushtetit.

Unë kam ndjesinë se shqiptarët e kanë kaluar periudhën kur u besonin rrenave të mëdha. Ndaj nuk kanë se si t’i besojnë alternativës pa opcione e mashtruese të Edi Ramës. Aq më pak mund t’i besojnë ata që e kanë provuar mbi kurriz qeverisjen e Tiranës prej tij, madje dhe ata që kanë provuar të bashkëpunojnë me të.

 

Filed Under: Komente Tagged With: deshmia ime, doktrina e tij, Enver Bytyci, midis, nacionalizmit dhe bolshevizmit, per edi Ramen

Taksa “e shenjtë” vs. “e ndershme” dhe IRS-i

June 20, 2013 by dgreca

Ajshtajni pat thënë:”Gjëja më e vështirë në botë për t’u kuptuar janë taksat mbi të ardhurat”.

Nga Rafael Floqi/Detroit/

Kur Rama mësoi se ato që po thoshte në fillim të fushatës për sistemin e taksave, tregoi se nuk dinte asgjë për sistemin e taksimit dhe ngatërronte taksën progresive me atë proporcionale, pasi taksa prapocionale në vetvete është taksa e sheshtë. Pastaj më vonë mëtoi ta quante atë me emrin e vërtetë ekonomik si “taksë progresive”.  Ndërsa muajin e fundit të fushatës, si për t’iu kundërvënë Berishës për termin “taksë e sheshtë, ai shpiku termin “taksë e ndershme”, që bën aluzion, sikur të gjitha llojet e taksave të tjera ishin të pandershme. Ç’ka tregon se politika e PS-së për taksat është vetëm propagandë.

Madje, për t’u dukur më i ditur në emisionin “Opinion” të Blendi Fejziut ai futi ne gojë të tij edhe një deklaratë, sipas së cilës, një këshilltar ekonomik i Obamës e pat quajtur atë “një taksë të poshtër”.

Por si qëndron e verteta?

Taksimi si sistem për mbajtjen e shtetit lidhet me origjinën e vetë shtetit, fillimisht në natyrë dhe pastaj në para. Ai është një mjet për të mbajtur në këmbë shtetin dhe të dyja sistemet e taksimit janë përdorur historikisht nga shteti si institucion për qëllime të ndryshme, duke e vendosur barrën tatimore herë mbi popullsinë dhe herë mbi prodhuesit. Ka pasur periudha si gjatë komunizmin shqiptar, kur taksimi i fshehur dhe puna vullnetare, apo me detyrim (angari) taksonte mbi 70 % të të ardhurave të popullsisë.

Para disa ditësh, së bashku me shkollën e vajzës time, vizituam Senatin e Michiganit në Lansing, dhe një nga pyetjet që shoqëruesja u drejtoi nxënësve 9 –vjeçarë, ishte se çfarë lloj taksash kemi në SHBA?

Dhe përgjegja ishte, se kemi taksa mbi pronën dhe taksa mbi të ardhurat, dy boshte të sistemit tatimor amerikan. Por natyrisht, ka edhe taksa të drejtpërdrejta mbi shitjen në masën afro 6 përqind, që ndryshon nga shteti ne shtet dhe vendndodhja pasi asaj i bashkangjiten taksat lokale dhe ato të shërbimeve. Mjafton të shihni një faturë të Comcast-it dhe të kuptoni se ka taksa mbi çdo gjë, që nga komunikimet elektronike e deri për thirjet e policisë, Kodit (911).

Por shpesh kalkulimet e taksave nuk janë aq të thjeshta. Madje një gjeni si Ajshtajni pat thënë: ”Gjëja më e vështirë në botë për t’u kuptuar janë taksat mbi të ardhurat”.

Por nëse Rama dhe Berisha “i tërhequr” për t’iu kundërpërgjigjur ofertës “ programore te opozitës” diskutojnë vetëm përciptas dy llojet e taksimit, apo format e taksimit, taksimin e sheshtë dhe atë progresiv. Analiza për përparësitë e njerit apo tjetrit sistem, është e cekët, propoganduese, elektorale, pasi në fakt, secili sistem ka të metat “drejtësitë dhe padrejtësitë e tij”, por ajo që është e rëndësishme është se cili është më produktiv në një kohë të caktuar, në një vend të caktuar, në një situatë të caktuar ekonomike.

Por, nëse qeveria e ka të vendosur në zbatim sistemin progresiv tatimor, opozita, siç po duket, më shumë, për rezonancë politike të qendrimeve të majta, sesa për argument ekonomik të bazuar në një truall real ekonomik në Shqipëri, thekson me deklarata populiste se do te heqë taksat për 95% të popullsisë dhe se vetëm, “do të taksojë të ardhurat dhe dividendin e 5 % të popullsisë”, duke ia ngarkuar kështu barrën fiskale vetëm kësaj shtrese të shoqërisë pa dhënë një një shkallë apo një tavan apo dysheme. Kjo bëhet në të njetën kohë, kur është hedhur dhe teoria utopiste për shërbim shëndetësor falas. Që sistemi shëndetësor ka nevojë per ndryshime është afermendsh, por premtimi për shërbim falas nuk e çon atë para por prapa.

Por këtu ka një inkosenguencë që tregon se sistemi i taksimit progresiv, dhe ulja e taksave janë në një konflik ekonomiko–ideologjik.

E majta kudo në botë është e interesuar për taksa të larta dhe ndikim të shtetit në ekonomi dhe shpërndarje. Kështu ishte e vështirë për Ramën dhe për ekspertët e tij në emisionin “Opinion” t’i përgjigjeshin pyetjes,se me se do ta pagonin shërbimin shëndetësor falas.

Edhe pse deklaroheshin për humanizëm për njerëzit në nevojë, dhe më tepër për populizëm asnjeri, as Rama, as epsertët e PS, Beqja apo bankieri Shkëlqim Cani që zgjodhi heshtjen, s’ishin në gjendje apo s’mund të shpjegonin, se si do ta paguante qeveria e tyre këtë shpenzim në buxhet, para se is ashtuquajturi mekanizëm programit socialist të hynte në zbatim, dhe kjo gjë hodhi mjaft dyshim mbi aritmetikën tatimore të PS-së.

 

Teoria e taksimit të më të pasurve është jo vetëm një parim i së majtës qysh në origjinë, por i bën karshillëk edhe teorive të majta në SHBA edhe tezës së Obamës apo të miliarderit Warren Buffet para fushatës presidenciale në SHBA, se “nuk është e drejtë që sekretarja e tij e paguante më shumë në taksa sesa vetë ai”.

Në thelb, debati është sa ekonomik, aq edhe ideologjik. Le të kujtojmë ç’ndodhi në Francë kur aktori “nder i Francës”, Jerard Depardieu la edhe nështetesinë, për të mos paguar barrën fiskale të 75 % të vënë nga presidenti Holande. Flitet se tatimi mbi të ardhurat për 5% të të pasurve në Shqiperi, do të arrijë në masën 40 %. Po kur prodhuesit e konsoliduar francezë u zhvendosën, për shkak të taksave në Belgjikë apo në Luksemburg, ç’mund të bëjnë 5 % e industrialistëve të rinj shqiptarë. Të largohen nga vendi?

Fatura e të ardhurave të më shumë se 8.000 ekonomive familjare franceze ra 100 për qind me të ardhurat e tyre vitin e kaluar, raportoi të shtunën gazeta e biznesit “Les Echos”, duke cituar dhëna të Ministrisë së Financave. Qeveria Socialiste e presidentit Francois Hollande e imponoi tatimin shtesë vitin e kaluar, menjëherë pas marrjes së detyrës, për të kompensuar ndikimin e një skeme tavan të krijuar nga paraardhësi i tij konservator për të pasur tavan taksimin e përgjithshëm të individit në 50 për qind të të ardhurave vetjake. Qeveria ka qenë e detyruar që të riformulojë një projekt-ligj për të vënë një taksë e përkohshme 75 për qind mbi të ardhurat mbi 1 milion euro, i cili kishte qenë një nga premtimet e fushatës të Hollande që ka ulur popullaritetin e tij në 8  për qind.

Por le të ndalim tek dy dallimet mes taksës së sheshtë dhe asaj progresive.

Sipas Mike Bell, një sistem proporcional i taksave është ai në të cilin tatimi mbi të ardhurat është i njëjtë me përqindjen e të ardhurave nga çdo person, pa marrë parasysh se sa është barra mbi të ardhurat, që atë e rëndon. Sistemi proporcional i taksave, shpesh referohet si taksë e sheshtë. Por le të bëjmë një vështrim për tatimet historike proporcionale për të kuptuar, pse Berisha e quan, sistemin e tij “të shenjtë”.

Taksa proporcionale ka egzistuar mjaft herët që gjatë kohës, kur kisha e krishterë institucionalizoi një taksë proporcionale, e cila në atë kohë u quajt “një të dhjeta”. Dhjetë për qind e të gjithë të të ardhurave u kërkohet të jepej në kishë për qëllime fetare.  Shembulli më i mirë i tatimeve proporcionale sot në Amerikë është tek taksa e shitjes. Ndërsa taksa e shitjes mund të ndryshojnë nga rajoni në rajon, çdo blerës paguan të njëjtën taksë shitjeje. Nëse tatimi i shitjes është 10 për qind, çdo blerës i një kompjuteri 500 $ do të paguante 50 $ në taksa shitjes, pavarësisht nga të ardhurat personale.

Për çdo lloj tatimi, ka argumente pro dhe kundër, si për meritat dhe për të metat. Një prej argumenteve më të mëdha për taksat proporcionale apo ato të banesave, në SHBA është se ato janë argumentuar si më të lehta dhe si më “të drejta”. Një tjetër argument, është se një taksë e sheshtë siguron më shumë motivim për njerëzit që të përpiqen të fitojnë më shumë, madje edhe në nivele të ardhurave të larta, për shkak se një person nuk do të humbasë më shumë për taksat, nëse ai fiton më shumë para dhe kështu kjo shtesë e ndihmon atë.

Por ka edhe argumente kundër taksavet proporcionale. Një argument kundër taksave proporcionale është se ajo mund të veprojnë ngjashëm me një taksë regresive. Fakti që të gjithë paguajnë shumën e njëjtë të tatimit të shitjes mbi një blerje është me të vërtetë, megjithatë, për një 50 $ shitje rëndesa e faturës tatimore do të ishte një përqindje me e lartë në raport me të ardhurat për dikë që bën 30.000 $ në vit, në krahasim me dikë tjetër që bën 100.000 $ në vit.

Departamenti i Thesarit, ka deklaruar qysh më 1984 që ai kundërshtonte, ashtu si bën Rama sot në Shqipëri, një taksë të sheshtë mbi të ardhurat, sepse ajo sposton një sasi të lartë të barrës tatimore nga njerëzit me të ardhura të larta tek njerëzit me të ardhura të ulëta, por duke rritur bazën, numrin e popullsisë së taksueshme.

Ne fakt, taksat mund të kategorizohen edhe si, proporcionale regresive, ose progresive, dhe dallimet kanë të bëjnë me masën e tatimit kundrejt bazës së tatueshme (të tilla si të ardhurat e familjes apo fitimet e një biznesi).  Një taksë regresive është një taksë ku subjektet me të ardhura të ulta janë subjektet që paguajnë një pjesë më të madhe të të ardhurave të tyre në taksa më të larta relativisht nga të ardhurat që fitojnë.

(Taksa regressive, gjithashtu, mund të mendohet si tatim, ku norma margjinale tatimore është më pak se norma mesatare e taksës.  Një taksë proporcionale (e quajtur ngaherë edhe si një taksë e sheshtë) është një taksë ku të gjithë, pavarësisht nga të ardhurat, paguajnë të njëjtën pjesë e të ardhurave në tatime. (Taksat proporcionale gjithashtu mund të mendohen si tatime, ku normat e margjinale dhe mesatare tatimore janë të njëjta.

Por ç’është taksa progresive? Ajo është një taksë ku subjektet me të ardhura të ulëta paguajnë një pjesë të ulët nga të ardhurat e tyre. (Taksat progresive gjithashtu mund të mendohen si tatime ku norma margjinale tatimore është më e lartë se norma mesatare e taksës.

Përveç këtyre, taksimi fiks, i njejtë, është një taksë ku të gjithë paguajnë të njëjtën sasi parash në taksa, pavarësisht nga të ardhurat. Një tatim fiks është një lloj i veçantë i tatimit regresiv, pasi një sasi të caktuar të parave do të përbëjnë një fraksion të lartë të të ardhurave kundrejt të ardhurave të ulëta subjekteve dhe anasjelltas. E tillë është taksa për TV shtetëror ne Shqipëri.

Shumica e shoqërive kanë sisteme progresive të të ardhurave. Po a është kjo e (e drejtë apo jo), kjo varet. Nëse e sheh si drejtë, që subjektet me të ardhura të larta të kontribuojnë në një pjesë më të madhe të të ardhurave të tyre, pasi ata kanë shpenzuar një pjesë shumë më të vogël nga të ardhurat e tyre për nevojat themelore.

Sistemet tatimore progresive të të ardhurave, gjithashtu, janë pjesërisht balancuar nga sistemet e tjera tatimore, që ka të ngjarë të jenë regresive në natyrë. Për shembull, një akcizë mbi makinat ka të ngjarë të jetë një taksë regresive që familjet me të ardhura të ulëta që ata ta kalojnë një pjesë të madhe të të ardhurave të tyre tek makinat. Ndërsa familjet me të ardhura të ulëta, gjithashtu, kanë tendencë për të shpenzuar fraksionet më të mëdha të të ardhurave të tyre në nevojat bazë të tilla si ushqimet dhe veshmbathjet, kështu që një taksa e shitjes për sendet e tilla, gjithashtu, do të jetë mjaft regresive. (Kjo është arsyeja pse në SHBA kjo taksë është tipike për ushqimet e papërgatitura që mund të përjashtohen nga taksat e shitjeve, dhe në disa shtete edhe veshjet janë përjashtuar nga taksa e shitjes.

Ne dallim tjetër, që nuk bëhet në fushatën në Shqipëri është qendrimi ndaj tatimeve mbi të ardhurat kundrejt taksave mbi konsumin. Një taksë mbi të ardhurat, jo çuditërisht, është një taksë në të holla mbi atë që një individ ose nje familje grumbullon në vit. Këto të ardhura mund të vijnë ose nga të ardhurat e punës, si pagat, rrogat dhe shpërblimet, ose nga të ardhurat e investimeve të tilla si interesi, dividentët dhe fitimet kapitale.

Tatimet në të ardhura deklarohen, përgjithësisht, si një përqindje e të ardhurave, dhe kjo përqindje mund të ndryshojë nëse shuma e të ardhurave të familjes ndryshon. (Taksat e tilla referohen si taksa regresive dhe progresive.

Gjithashtu, fitimet kapitale tatohen në përgjithësi në një normë të ndryshme se sa të ardhurat e tjera. Përveç kësaj, tatimet mbi të ardhurat janë shpesh objekt për atë që njihet si zbritje tatimore dhe kredi taksash.

Nga kjo shumë bëhet zbritja tatimore, që është shuma që zbritet nga shuma që numërohet si e ardhura për qëllime tatimore. Zbritjet tatimore janë për shembull, ato për interesin e paguar në hipoteka (mortgage) për shtëpi dhe donacionet për bamirësi. Kjo nuk do të thotë se një familjeje  i rikthehet e gjithë shuma e interesit apo dhurimit, megjithatë, pas  zbritjes së taksave, por kjo vetëm do të thotë se këto shuma nuk janë subjekt i tatimit mbi të ardhurat.

Taksat e konsumit, në anën tjetër, vihen kur një individ ose familje blen mallra. Taksa më e zakonshme e konsumit (në SHBA të paktën) është taksa e shitjes,në vende të tjera në Evropë është TVSH-ja,(VAT) tatimi mbi vlerën e shtuar, e cila është vihen si një përqindje e çmimit të artikujve që janë më të shitur për konsumatorët. Në disa vende të tjera, tatimi në shitje është zëvendësuar nga tatimi mjaft i ngjashë i vlerës së shtuar. (Dallimi kryesor në mes një taksë shitjeje dhe një taksë mbi vlerën e shtuar është se kjo e fundit është e vënë në secilën fazë të prodhimit dhe në këtë mënyrë u vendoset të dyjave sa bizneseve dhe ekonomive familjare.)

Ka disa përjashtime të përbashkëta mbi tatimin e shitjes që janë sendet ushqimore dhe veshjet. Taksat e shitjeve janë zakonisht të vëna nga qeveritë shtetërore, që do të thotë se këto norma ndryshojnë nga një shtet në një tjetër. (Disa shtete, madje kanë një taksë të shitjes prej zero për qind!) Taksat e konsumit gjithashtu mund të marrë formën e akcizës apo të taksave luksoze, të cilat janë tatimet mbi sendet specifike (makina, alkooli, etj) në normat që mund të ndryshojnë nga norma e përgjithshme tatimore e shitjes.

Shumë ekonomistë mendojnë se taksat e konsumit janë më të efektshme sesa taksat e të ardhurave në nxitjen e rritjes ekonomike.

Prandaj askund nuk flitet për mashtrim është propaganda që bëhet për “taksën e ndershme”? Ç’është kjo lloj takse, si matet, si shprehet, cilët janë treguesit? Kjo nuk ka asnjë lidhje me sistemin shkencor tatimor, me metodat, mekanizmat e saj?

Rama duket se nuk i ka kuptuar në thelb këto probleme të mprehta, se çfarë është “taksa progresive”, pesha qe zë, kush ndikohet, kush përfiton dhe kush humbet.

“Rama flet e flet për tatimin mbi të ardhurat e punonjësve dhe tatimin mbi fitimin e bizneseve qe zëne vetëm rreth 3.7 për qind te produktit nacional bruto. Ai le, thuajse mënjanë tatimin mbi vlerën e shtuar dhe akcizat. Këto së bashku me taksat doganore zëne rreth 70 për qind te te gjithë të ardhurave nga taksat.

Në fund të fundit taksa mbi të ardhurat e popullsisë nuk zë ndonjë peshe të madhe në të ardhurat e buxhetit të shtetit, ajo mund te kompensohet me shtimin e të ardhurave në forma të tjera të taksimit

Problemi nuk është si të taksojmë me shume një kategori taksapaguesish dhe të lehtësohen disa te tjerë, gjë që duhet bërë, por si të gjenden rrugë e mundësi për të shtuar të ardhurat në buxhetin e shtetit për të përballuar nevojat në rritje”.

Por kush do ta paguajë atëherë taksën progresive? Mbetet popullsia dhe te ardhurat nga bizneset.

Taksa e sheshtë ka qenë me e mira për kushtet e Shqipërisë, ka nxitur bizneset e vendit dhe të huaja. Për vendet me ekonomi informale kjo taksë rrit efikasitetin e tregut, duke reduktuar shtrembërimet, dhe krijon stimuj me të medhenj se kurrë për të punuar dhe që krijojnë mundësi zhvillimi kapitalizmit. Gjithashtu ky tatim ka potencialin e zgjidhjes së deficitit të borxhit të jashtëm. Sistemi progresiv nxit për mënyra dhe marifete duke i detyruar në parantezë paguesit e nivelit të lartë të taksave që të fitojnë më shumë, të kërkojnë për të ndjekur rrugët e shmangies së tatimit, qoftë përmes mjeteve ligjore ose të paligjshme. Edhe pse taksa e sheshtë duket si shumë e rëndë për të varfërit – ose si një faktor që kontribuon drejt krijimit të një “tregun e zi”, – një taksë të sheshtë është thjesht një sistem më i drejtë se mund zgjidhë edhe çështjet e balancimit të borxhit apo të deficitit për Shqipërinë, madje edhe këtu në Shtetet e Bashkuara.

Efikasiteti e taksës së sheshtë arrihet nga pesë burime. Së pari, është një ndryshim i bazës tatimore nga të ardhurat për konsum. Së dyti, krijon i një bazë tatimore më gjithëpërfshirëse, e cila eliminon trajtimin tatimor diferencial të aseteve të ndryshme dhe formave të të ardhurave. Së treti, ulja e normave tatimore, i cila ngre normën e kthimit dhe nxit në rrugën për të punuar, duke kursyer dhe investuar. Ajo gjithashtu, redukton stimujt për të shmangur ose mos paguar taksat. Dhe tjetra është se redukton koston, per t’i lejuar kompanitë që të ulin nivelin e taksave.

Kur ju merrni cekun e pagesës në fund të periudhës së pagesës së parë në një punë të re, është gjithmonë interesante për të parë pagën neto. Deri kur ju të merrni pagën tuaj në dorë, ajo është prerë më parë deri si një pica, ku subjekte të ndryshme kanë marrë nga një një copë. Subjektet që marrin paratë ndryshojnë nga personi në person,nga kompania në kompani,  dhe nga shteti në shtet. Megjithatë, pothuajse çdo e ardhur duhet të paguhen taksa federale mbi të ardhurat në përgjithësi, por ne nuk mendojnë shumë në lidhje me taksat, përveç gjatë sezonit vjetor të deklarimit të taksave. Kjo është, ndoshta, koha më e druajtshme e vitit për miliona amerikanë. Por gëzimi pak është i lidhur me 15 prillin që është afati i fundit për paraqitjen e formularëve të taksave.

Në fakt, tatimi mbi të ardhurat federale amerikane që kryhet nga IRS-i afrohet me një sistem proporcional të taksave, edhe sepse ai i përzien si tatimet progresive –ku norma më e lartë e të ardhurave tatimore rritet si dhe tatime mbi të ardhurat, regresive si pagesat e Sigurimit Social dhe taksat e pronës – kështu duke pasur një shkallë të ulët të taksave të ardhurat rriten.

Nga ana tjetër, rikthimi i taksave është një sistem i drejtë për të siguruar balancimin e barrës fiskale, sidomos, ndaj njerëzve në nevojë. Ata që në formularët e tyre kanë deklaruar më shumë taksa ato i kompesohen nga shteti, gjë që bën që të vendoset një farë ekuilibri. Qeveria në Shqipëri tentoi ta vendosë deklarimin vullnetar të të ardhurave, dy vitet e fundit por fasha e atyre që prek është vetëm ajo e atyre me të ardhura mbi 2000 dollarë në muaj. Nëse deklarimi i taksave në Shqipëri do të shkrihej për të gjithë popullsinë, rikthimi i taksave do të neutralizonte diferencën e barrës fiskale mbi shtresat e varfëra qe përpiqet të parashtroi programi i PS-së, duke rënduar 5 % e popullsisë më të pasur. Para do ditësh një mik i imi, drejtor në një nga bankat kryesore të huaja në Shqipëri më thoshte. Se ai “është ndjerë i majtë dhe gjithnjë deri tani ka votuar majtas, por tani taksa progresive që rrit ngarkesën e pagesës së tij me 2.5 herë më shumë e bën atë “me keqardhje të votojë djathtas”. E në konfidencë ai shtoi se Ramës nuk i intereson kjo shtrese e popullsisë, pasi ajo ka vetëm 5 % të votave, dhe i duhen deklaratat populiste për taksën progresive dhe heqjen e taksave se për shumicën e popullsisë, pasi ata kanë vota që mund ta sjellin atë në pushtet”. Ndaj,  mendoj se kthimi i taksave mbi të ardhurat” kombinuar me taksën e sheshtë, duket të jetë rruga më e drejtë për ekonominë shqipare sot.

Filed Under: Komente Tagged With: e dnershme, IRS, Rafael Floqi, Taksa e shenjte

Përpara drejt fitores…!

June 20, 2013 by dgreca

Nga RESHAT KRIPA*/

Në këto ditë të fundit të fushatës zgjedhore për Kuvendin e Shqipërisë, para syve më del ajo pamje e tmerrshme e atyre viteve të errëta të kaluara në periudhën e zezë të sundimit komunist. Mbi të gjitha më dalin para syve figurat e ndritura te atyre burrave te shquar, ajkës së kombit shqiptar, që shkuan para plumbit dhe litarit me thirrjen : “Për Liri, për Shqipëri, për Flamurin Kuq e Zi”. Më dalin figurat e papërsëritura të atyre që më mirë pranuan prangat e rënda të burgut se sa lirinë e dhunuar. Më dalin figurat e atyre mijra grave heroina dhe fëmijve të tretura thellë nëpër kampet e tmerrshme të internimit.

Më dalin këto pamje dhe nga zemra më shpërthen një thirrje: “Mos harroni”! Mos harroni të rënët tanë, por mos harroni edhe ata që i vranë, pasi pinjollët e tyre janë ata që sot duan të dalin në krye të shtetit për të ringjallur përsëri figurën e diktatorit të përmbysur dhe një nga këta është edhe Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, ati i të cilit, Kristaq Rama, ishte ai që firmoste, pa nguruar aspak, dënimin me varje të poetit Havzi Nelaj në gushtin e vitit 1988, në një kohë kur komunizmi në botë kishte filluar të merrte rrokullimën. Mos harroni të burgosurit dhe të internuarit politikë, por mos harroni edhe ata që i burgosën dhe i internuan, pasi ata vetë dhe pinjollët e tyre sot janë mbledhur rreth Partisë Socialiste për t’i bërë gropën demokracisë në vendin tonë, për të restauruar kohën e përmbysur.

Mos harroni! Kujtojini dhe votoni për Partinë Demokratike dhe koalicionin e djathtë, sepse ishte ky koalicion që në legjislaturën e parë të tij 1992-1997, realizoi përmbysjen e regjimit totalitar, që u dha lirinë ish të dënuarve politikë, që shkolloi me mijra bij tanët që regjimi i kishte lënë në errësisrë, që punësoi me mijra të tjerë në të gjitha rangjet e administratës, duke filluar nga drejtorët e institucioneve shtetërore dhe deri në krye të parlamentit dhe partive politike.

Mos harroni vitin e zi 1997 të organizuar dhe drejtuar nga falangat socialisto-komuniste. Mos harroni martirët e rënë në ato ditë të zeza. Mos harroni Bujar Kaloshin, Lekë Çokun, Besnik Hidrin, Bashkim Shkurtin, Fredi Shehun, Besim Manolin, Gëzim Shabanin, Gjergj Mehmetin, Azem Hajdarin, Besim Çerën, Adem Shehun dhe plot të tjerë bij nënash të familjeve të përndjekura politike dhe demokrate, një masakër e vërtetë që pasoi me nxjerrjen nga burgu të autorëve përgjegjës të dhunës komuniste dhe dëmshpërblimin e tyre, anullimin e ligjit të lustracionit të miratuar dy vjet më parë, i cili nuk i lejonte këta persona të merrnin pjesë në administratën shtetërore, pushimin nga puna të mijra të përndjekurve politikë e të tjera.

Mos harroni, por votoni për Partinë Demokratike dhe koalicionin e djathtë, pasi ishte ky koalicion që i rezistoi me vendosmëri dhunës së kuqe dhe që solli, në vitin 2005, përsëri në pushtet Partinë Demokratike dhe koalicionin e djathtë.

Mos harroni Partinë Socialiste dhe koalicionin e majtë por shikoni se si ka vepruar ajo gjatë këtyre viteve. A nuk ishte ajo që, me urdher të Edi Ramës, i nxorri jashtë nga parlamenti deputetët e saj kur votohej Rezoluta e Kuvendit të Shqipërisë, në mbështetje të asaj të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës,  “Mbi ndëshkimin e krimeve të komunizmit”? A nuk ishte ajo që, kur votohej ligji “Për dëmshpërblimin financiar të të përndjekurve politikë”, po me urdhër të Edi Ramës i nxorri deputetët nga salla? A nuk ishte ajo, kur diskutohej amendamenti mbi dëmshpërblimin e të pushkatuarve pa gjyq, përsëri me urdhër të Edi Ramës, i nxorri deputetët nga salla, madje pati edhe ndonjë, si ish kryeministri i zbardhur para kohe i socialistëve, Pandeli Majko, t’i quante ata “Plehra”? Cilët ishin plehra, zoti Majko? Mos vallë vullnetarët e batalionit 4000 të NATO-s që vinin në Shqipëri për ta çliruar atë nga thundra komuniste? A  jeni me NATO-n ju zoti Majko, pasi ajo qysh prej themelimit të saj në vitin 1949 deri më sot është e njëjta? Po patët ndopak kurajo në ndërgjegjen tuaj duhet të përgjigjeni për këto pyetje. A nuk ishte, më së fundi, Partia Socialiste ajo që, me urdhër të kryetarit të saj, Edi Rama, doli përsëri jashtë kur dikutohej ligji i ri i lustracionit që do të flakte jashtë politikës  më shumë se gjysmën e socialistëve të Shqipërisë.

Mos harroni, por votoni Partinë Demokratike dhe koalicionin e djathtë  sepse  ishte  ky  koalicion

që e futi Shqipërinë në Këshillin e Europës qysh në legjislacionin e parë të tij, që e futi Shqipërinë në NATO dhe liberalizoi vizat me Bashkimin Europian, në legjislacionin e dytë. Që do ta fusë Shqipërinë në Bashkimin Europian dhe do të liberalizojë vizat me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, në legjislacionin e ardhshëm. Votoni për Partinë :Dermokratike dhe koalicionin  e djathtë që ndërtoi Autostradën e Kombit, rrugën që bashkoi dy shtetet shqiptare me njeri-tjetrin, autostradën Tiranë-Elbasan, autostradat Levan-Vlorë dhe Levan-Tepelenë, mijra kilometra rrugë rurale, që po ndërton rrugën e Arbërit dhe rrugë të tjera në të katër anët e Shqipërisë. Votoni Partinë Demokratike dhe koalicionin e djathtë për ngritjen e mirëqënies së vendit tonë, për zhvillimin e bujqësisë moderne shqiptare, për rritjen e pagave dhe pensioneve. Së fundi, votoni Partinë Demokratike dhe koalicionin e djathtë se është e vetmja forcë politike në Shqipëri që do të zgjidhë brenda një kohe relativisht të shkurtër problemet e të përndjekurve politikë duke filluar nga dëmshpërblimi deri në kërkesat e tjera të tyre.

Mos harroni! Nxirreni në pension të parakohshëm dështakun e artit, dështakun e sportit, dështakun e familjes, dështakun e politikës, karrieristin dhe anarshistin, Edi Rama, kopjen e diktatorit fashist, Benito Musolini, që në rininë e tij ishte një socialist i flaktë por që karrierizmi dhe anarshizmi e shndërroi në kryetar të partisë fashiste që u bë shkak i shpërthimit të një lufte botërore. Lereni të pushojë fatkeqin në plazhet nudo të Francës, ashtu siç ia lejon edukata e tij, ashtu siç e ka zakon.

Përpara drejt fitores! Përpara!

*Mbajtur në takimin e të përndjekurve politikë të kryeqytetit me kandidatët për deputet dhe përfaqesuesit e partive të koalicionit të djathtë të kryesuar nga Partia Demokratike në sallën e Teatrit të Operas dhe Baletit më 18 qershor 2013

Filed Under: Komente Tagged With: perpara derjt fitoreve, reshat kripa

APPEAL TO THE ALBANIAN PEOPLE

June 20, 2013 by dgreca

For immediate release!

 During the June 15, 2013 meeting, the Board of Directors approved the following:

As the scheduled elections for 23 June are critical to the country’s near and long term future and for democratic institutions in Albania, VATRA calls on the people of Albanian to get out and vote en masse in the upcoming elections; to exercise their civic duty to vote peacefully and express their free will. Show the democratic world, of which we aspire to be part of, that we belong fully integrated in the European Union;

VATRA, as a patriotic organization that is intimately connected to Albania’s destiny and its long history of anti-communism, calls on the people of Albania to vote against any derivative form of the communist party, which is a real threat to the future of a fragile Albanian democracy;

Vote against reinstalling the dictator’s statue in the squares of Albania’s cities; such an act is an insult to the recent memory of the Albanian citizens and a provocation that jeopardizes stability in the country;

Vote against sham courts that decide the fate for the politically persecuted; don’t trust false promises passed down by communists that can only be realized through violence and tyranny;

VATRA reminds the Albanian people that the age of the second national renaissance actually began in December of 1990 with the overthrow of the enverist dictatorship, whereas the unification of the four original communist parties in November 1941 is not the renaissance of the Albanian people but of 8 November.

VATRA calls on the Albanian people, to not vote for political forces that do not distance themselves from and do not break ties with the “8 November renaissance”; instead  vote only for those which are against returning communists to power, that are for integration and democratic progress. Remember that the road to a bright future cannot be paved with banners and images from the past totalitarian regime.

Albanians, vote today, tomorrow may be too late!

 

Filed Under: Komente Tagged With: Appeal, to the albanian people, Vatra

NË TIRANË KA FILLUE ME FRY KARAJELI I KUBLAVE…

June 20, 2013 by dgreca

Ne Foto: Ky “buzqeshë” në kohë karajeli…/

Nga Fritz RADOVANI/ Besoj se nuk asht nevoja me hy me shpjegue se çka asht ajo lloj eret që thirret andej kah Shiroka, e deri në të derdhun të Bunës në detin Adriatik, me emnin karajel kublash… Ajo e ka kohen e saj aty nga gjysa e marsit e deri kah fundi i prillit, kur edhe kubles i ikë shija gatimit. Mirpo, në vitet e fillimit të këtij shekullit të ri karajeli asht tue vazhdue deri kah gjysa e muejt qershor.  Aso kohe, dikur, mbushej liqeni me lundra e sule gjoje peshkut që vinin deri poshtë në dejlan. Ndersa lumi Buna, në dukje një lum i qetë per lundrim edhe ajo mbushej me peshkatarë. Ishte gja shumë e kandshme me kenë nder ato lundra sidomos me mjeshtra gjojet, kur zinin me një mjeshtri të madhe disa lloje peshku, që asaj anë nuk i mungonin në kohen (ose vaktin) e vet. Shiroksit janë kenë të njohun per mjeshtrinë e zanjes së peshkut. Me dashtë me shkrue per këte mjeshtri që nuk i ka mungue Shkodres ashtu si edhe gatimi i peshkut, do të vazhdonim gjatë ndonse, qellimi i këtij shkrimi nuk asht ky. Era e karajelit thonë se “tashti” asht çvendosë…

Nuk më kishte shkue mendja kurrë se edhe karajelin e kublave e ka marrë Tirana!

Kjo ide, me e pasë edhe karajelin në Tiranë, paska lindë kur asht rregullue liqeni artificial dhe kopshti zoologjik mbas universitetit, ku studentat do të shihnin në terren se si fryen era dhe si njerzit duhet të mësohen me shkue kah i çon ajo. Atëherë nuk njihej karajeli i kublave kështu, tiranësit filluen me i dhanë randsi peshkut që sillej nga gjithë Shqipnia per me e gatue Tirana.

Atë peshk që ishte ma i zgjedhuni e perlante Blloku i udhëheqësave, ku mbas sa kohe e shihnim “peshkun tonë” edhe nder zyre të randsishme… Kur fillonte me “rrah” bishtin ia gjenin vendin edhe atij si shokëve të tjerë per të cilët kanë fillue me ba edhe perkujtimore… Harrojnë se edhe mbasi dilnin prej furre, i vinte era karajelit të Liqenit Shkodres. Ndersa, krapuliqat e kublat nuk i perdornin gati fare në Bllok, se kur fergohen merrte erë tanë Tirana… Ata vetem me raste kongresesh apo tubimesh per festat e themelimit PPSh, ose kur i grumbullonin atje dhe shokët e byrosë zgjidhnin ndonjë kubul të freskët per sekretare…ose në zyrat e komiteteve të Tiranës.

Specialistët këto kubla i njihnin kryesisht nder velza se kur ishin të ndiqme i kthenin në dejlanin e Shkodres, ku nuk binin në sy se aty kishte shumë si ato… Ishin mësue shkodranët me hanger çka nuk e perlante Tirana, e nga këto rasa kemi pasë mjaftë. Besoj iu kujtohet qarkullimi i kuadrit kur pat ardhë në Shkoder sekretar partie Pjeter Kosta. Më ka çuditë një mik i tij kur më ka tregue se në një bisedë ky e kishte pyetë Pjetrin, se a me të vertetë keni vendosë me e zhdukë fenë, dhe Pjetri ishte pergjegjë, deri këtu Enver Hoxha gjithshka që ka ba e ka ba per me forcue komunizmin në Shqipni, me shpalljen e Shqipnisë shtet ateist nuk jam dakord… mbasi mbrenda dy – tre vjetësh Populli Shqiptar i madh e i vogel ka me u ba hajdut, se nuk ka frikë ma as Zotin as Pushtetin…E keni me pa kur të konsiderohemi popull kot po edhe hajn… Tashti, unë këtu nuk mund të tham se a e ka pasë në rregull perkufizimin Pjetri, po dij me thanë se nuk po mbetë kush pa u permendë nder sferat e nalta të shtetit shqiptar per hajni e korrupsion, dhe se, as nuk po ka ma njeri me ma të voglen seder, të pakten me u konsiderue “peshk i ujnave t’ambla”, që tek ne ka gjithkah, në Veri e në Jug dhe madje, mos me e pasë per turp me tregue se prejardhjen e tyne e kanë prej detit Kuq apo prej detit të Zi… As dreqi nuk po e merr vesh se ku i ka zanë e ama!!

Në Shkoder që ishte qyteti ma i madh i Shqipnisë, janë numrue me gishta familjet per të cilat ndokush edhe guxonte me folë ndonjë gja jo të mirë…Koha ndryshoi!         Edhe kjo gja ngjau se karajeli kishte ndryshue edhe në Shkoder drejtimin e vet…Aty nga viti 1974 qarkullonte një nga anekdotat ma të bukra të asaj kohë. Në një ndermarrje kontrolli puntor para vitit 1967, kapë tek dera e daljes një puntor që kishte vjedhë dishka. Hapet fjala në ndermarrje e atë natë edhe në të gjithë qytetin: “Filanin xy…e kishin zanë tue vjedhë në ndermarrje!!” Shumica dyshonin mos asht kurdisje… “nuk ka mundësi xy me vjedhë, asht familje e mirë, nuk e ban ai djalë atë punë, nuk janë familje që e çojnë veten aty…”. Mbas vitit 1970, prap kontrolli puntor kap nje tjeter tek dera e një fabrikës, që kishte vjedhë…Hapet fjala e merr dheun: “Kishin kapë tue vjedhë tek dera e fabrikës …puntorin yz tue vjedhë!” – Au, po si ngjau kjo punë, po nuk paska pasë asnjë nga ata që do të kontrollonin të njohun ai rrezikzi, me i tregue se do të kontrollojnë!..” Pra, as nuk u diskutonte ma as familja as kenja qytetare, por mbas vitit 1970…”A nuk pat kush me i tregue!?”

“Hajnia nuk ishte ma turp per Shqiptarët!!”, po vetem “rrezik” per ata që kapeshin…

Per mos me u largue nga tema duhet thanë e verteta, se nder shtete demokratike ka vlerë të madhe karajeli i kublave në periudhen e fushatës së votimeve, jo per me tregue se ata që janë tue u pergatitë per me kenë nder listat e të zgjedhunëve janë të sjellun aty nga karajeli, po tek ne Shqiptarët kryesore per ata që zgjidhen asht se dikur, ata duhet t’ ishin në rrjeten e peshkut…

Ata që nuk dijnë me notue të rrethuem në kariq nuk vlejnë, se kapen nga grepi…

Para disa vitesh pranë stacionit të trenit ishte edhe një serë ku kultivohej peshku. Unë e kam pa nga dritaria e trenit, po ma vonë më kanë tregue se aty asht kenë rritë edhe peshkaqeni… Nuk u habita aspak se Tirana gjithnjë asht kenë e mbushun me peshkaqejë madje, që edhe të kanë shkye kur ishin t’ unshem. Mbas vitit 1967 kultivimi i tyne filloi në të gjitha anët e vendit.

Sot ka aq shumë nga zogjtë e tyne sa në Shkoder, thirreshin “zojgjë ku…blash”.

Asht me u çuditë para një fakti që ngjet vetem nder Shqiptarë; as nuk mendon njeri që me kultivue dhe me i shtue delfijtë… ndoshta, nuk favorizon era e karajelit që frynë në Tiranë!

Disa ia lanë fajin qeveritarëve, se gjoja ata nuk i pelqejnë delfijtë, kanë ba e janë mësue me peshkaqejë nëper zyre e shtëpija, e nuk i bahet me i hjekë edhe prej djelmëve e vajzave të veta që kanë frikë se i ndryshojnë trashigiminë… Delfini mund ti mësojnë tjera virtyte… që nuk i pershtaten kerkesave të kohës. Sot Shqipnia asht e prirun per qeverisje peshkaqejësh!

Delfini nuk asht i prirun nga karajeli… Ai edhe knaqësinë me luejtë me fëmijë e ka kur Perëndon dielli, ndersa peshkaqejtë tanë, atëherë janë në gjoje…vetem Lindja, ua shton oreksin!

Delfini kerkon edhe kushte tjera…të cilat nuk i pershtaten as mentalitetit tonë.

Jemi mësue sot në rrjetë, neser në kariq, dikush në grep, mandej në kosh, mbasneser  dikush në tavë, dikush në gradelë…besa edhe direkt në prush, kur vinte fundi perdorej një thanje: “Edhe filanin e hangri furra…!” A janë pak prej tyne? – Jo pak! Hiqni menden nga delfini!

Shqiptarët tash 70 vjet pelqejnë me u qeverisë nga peshkaqejtë…

Edhe karajeli i këtij viti andej kah Tirana, thonë se…vazhdon me frye nga Lindja!

Melbourne, 2013.

Filed Under: Komente Tagged With: Fritz radovani/ ne Tirane, ka fillue me fry, Karajeli i kublave

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 471
  • 472
  • 473
  • 474
  • 475
  • …
  • 490
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Eliot Engel, in memoriam…
  • «Dritë-shkronja» e Eugène Pittard
  • Propozimi i Presidentit amerikan Donald J. Trump për emërimin e Gjeneral Lejtnant (Ret.) Eric P. Wendt si Ambasador i SHBA-ve në Shqipëri
  • Manifestimi i AAWO “Motrat Qiriazi”, nderohet sakrifica dhe suksesi i gruas shqiptare
  • Leonardo da Vinci, gjeniu që e shndërroi artin në instrument për të depërtuar në sekretet e krijimit
  • Kënaqësi të takohem me Presidentin Bill Clinton dhe bashkëshorten e tij, ish-Sekretaren e Shtetit Hillary Clinton
  • Zëri i ndërgjegjes sonë kombëtare…
  • “Ora e maleve”
  • Në ditën e lindjes së shkrimtarit të madh Jakov Xoxa
  • Njeriu-Mozaik
  • Samiti i Diasporës, njё skenë pa aktorë
  • Kosova përballë një prove historike shtetërore
  • YLLI MEÇAJ I VLORËS – ARTIST KOMBËTAR SHUMËPLANËSH
  • VATRA PËRKUJTON PATRIOTIN ZEF BALAJ NË 4 VJETORIN E KALIMIT NË PËRJETËSI
  • ATË QË KA MONOPOL GJENIU NUK MUND T’IA MARRË DOT NJERIU!

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT