• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Shqetësimi i një maturanti: Ç’po ndodh me rininë shqiptare?

May 11, 2016 by dgreca

Nga Renato Shkulaku/Maturant/

Rinia e sotme duhet të jetë simbol i paqes,kulturës ,dashurisë, emancipimit etj. Të rinjtë duhet të mendojnë seriozisht për të ardhmen e tyre duke studiuar, duke marrë pjesë në aktivitete të ndryshme dhe jo të merren me gjëra të rëndomta dhe të parëndësishme, të cilat shkatërrojnë të ardhmen e tyre. Sot, në botë të rinjtë arrijnë të krijojnë gjëra të pabesueshme në shumë fusha të jetës, fakt i cili tregon se ata e vlerësojnë kohën dhe merren me gjërat e duhura.

Por ç’farë po ndodh me rininë shqiptare? A po ecin ata në rrugën e duhur?

Fatkeqësisht, kohët e fundit në gjimnazet e Shqipërisë, janë përhapur masivisht shumë sherre, të cilat fillojnë me keqkuptime të vogla, kryesisht me vajzat protagoniste. Këto ngjarje të pakëndëshme pasqyrohen nga media e mirënjohur, e cila është gjithmonë në shërbim të shqiptarëve, JETAOSHQEJF. Rasti më i fundit ndodhi në një nga gjimnazet e Korçës, “Raqi Qirinxhi” ku dy vajza kishin nisur një “betejë” midis tyre. Sipas raportuesve të Jetaoshqejf, sherri kishte ndodhur sepse një vajzë kishte ofenduar bashkëmoshataren e saj, dhe kjo e fundit e kishte marrë vesh. Gjatë pushimit, kishte ndodhur sherri, i shoqëruar me grushte, shqelma dhe një fjalor krejt banal. Por fatmirësisht, disa djem, të cilët ishin të pranishëm në ato momente, kishin ndërhyrë për ta ndalur atë sherr, ku treguan një kulturë e cila duhet marrë shembull nga të gjithë, pasi në shumë zënka të tjera shumë individë tregohen indiferentë.

Nga kjo zënkë, por edhe nga shumë të tjera ne kuptojmë se rinia shqiptare nuk po ecën në rrugën e duhur. Po vërtetohet se kjo rini ka shumë nevojë për edukim, kulturë dhe për shumë dije, ku në vend ta kërkojnë nga librat, e shpenzojnë atë duke u marrë me gjëra koti si rrjetet sociale apo duke bërë budallallëqe nga më të ndryshmet. Sic e theksuam e më lart, në këto sherre masive të ndodhura kohët e fundit, protagoniste kanë qënë vajzat. Por si mundet një femër të ngreje dorën mbi një femër tjetër, si mundet të gjuajë me shqelma apo të përdorë një fjalor banal?

Femra mbart vlera të mëdha në një shoqëri, dhe për fat të keq, këto vajza të reja shqiptare nuk e kuptojnë vlerën që kanë, por e humbin plotësisht atë duke luajtur rolin kryesor në këto ngjarje të pakëndëshme dhe të papranueshme për një shoqëri të zhvilluar dhe demokratike. Një fakt tjetër për të ardhur keq është që edhe shumë individë të tjerë tregohen indiferentë gjatë këtyrë sherreve. Disa brohorasin, disa filmojnë, disa mund edhe të bëhen pjesëmarrës në sherr duke ndihmuar shokun apo shoqen ku sulmojnë kundërshtarin, por askush nuk ndërhyn për të ndaluar zënkën. Kjo tregon se këta individë tregohen të papërgjegjshëm, të pamëshirshëm dhe “kënaqen” kur të tjerët zihen. Pra ky është realiteti shqiptar, një realitet i hidhur ku njerëzit po bëhen akoma më të prapambetur dhe nuk po merret asnjë masë kundër kësaj.

Por ç’farë duhet bërë për ti parandaluar këto ngjarje në të ardhmen?

Pikat kyce në “formimin” e njeriut mbetet sjellja, kultura dhe vlerat e paçmueshme që përcjellin në një shoqëri. Edukimi, sidomos i fëmijëve duhet marrë më seriozitetin më të madh. Çdo individ duhet të kuptojë se në shkolla, nuk vlen vetëm një notë e mirë, por edhe një sjellje korrekte. Në çdo shkollë, çdo nxënësi duhet ti bëhet e qartë se sa rëndësi ka kultura në një shoqëri, dhe ata duhet të përpiqen ta fitojnë atë, njësoj siç përpiqen për një notë sa më të mirë. Por sigurisht për këtë gjë ata duhet të kenë vëmendjen e plotë si të prindërve që është kryesorja por edhe të mësuesve. Pra me pak fjalë çdo gjë varet tek edukata që përcjellim tek të rinjtë. Çdo të mbjellim do korrim thotë populli , që do të thotë ajo kulturë që po u përcillet të rinjve ajo po merret , dhe realisht kjo kulturë është për të ardhur keq. Këto ngjarje duhet të merren shumë seriozisht dhe duhen marrë masa për parandalimin e tyre. Rinia e sotme do të jetë e ardhmja e vendit, dhe duhet bërë çdo gjë që Shqipëria të përfaqësohet denjësisht nga kjo rini.

 

 

Filed Under: Opinion Tagged With: c'po ndodh, me rininë shqiptare?, Renato Shkulaku

Gjykime,dënime, ikje, kërcënime, ç`po ndodhë vërtetë në Kosovë?!

March 1, 2015 by dgreca

Nga Gani Qarri/
Mjerisht, ne si popull kemi ardhë në një gjendje të tillë tragji-komike sa që nuk di njeriu ç`të bëj më parë, të qaj apo të qeshë me shqiptarët. Askush nuk mund të provojë ato që ndjejnë dhe përjetojnë ata. Blerim Kuqi arrestohet dhe dërgohet në burgun e Kleçkës për ekzekutim. Akuzohet si “dezertor e spiun i pushtetit serb!”
Gjykimi i shpallur nuk ishte çka-do-punë!…madje hiq më pak se “Dënim me vdekje – pushkatim!”
Gjykatësi i rastit makabër përdorë ligjet serbo- jugosllave për dënimin e “bashkëluftëtarit” thërret edhe familjen e të dënuarit, shqiptar, Babain dhe Nënën e tij që të “hallallshiten” për herë të fundit me të birin e dënuar nga një “shqpfolës” me kodet penale të ligjeve serbo-jugosllave!
Është shkruar (I.Z) se të dënuari-it, i shpëtoi fati nga një konfrontim i papritur me forcat e pushtuesit, me ç`rast do të ikte edhe vet “gjykatësi” me librat e ligjeve serbe në dorë, të cilat i shërbenin për dënimin e shqiptarëve me vdekje. Madje, pa asnjë mahi apo fare pa shaka, atë do ta pasonin “trimërisht” edhe ekzekutorët “sy-patrembur” me pushkët e ngritura për të vra, jo armikun por bashkëkombësit e vet.
Kështu mbijetuan ata që prisnin radhën e ekzekutimit, për ç ‘gjë me siguri atëbotë do të fliste gjatë e përsëriste shpesh në lajmet e saj alla-serbçe, edhe Hajrije spikerica, të cilën për çudi, asnjëherë nuk u dëgjua që “sokolat” e tillë, ta kenë dënuar qoftë edhe në mungesë.
Të gjitha këto ndodhnin nga frymëzues të përçarjeve politike dhe udhërrëfyes të vrasjeve ndër-shqiptare, sjellje me të cilat “kadinjët” e sojit, në vend se ta luftonin, me dënime si këto, e ndihmonin drejtpërsëdrejti pushtuesin.
Në burgjet e vendosura katundeve nga “sokolat”si ky, aty ku ndiheshin zot të përkohshëm, bënë kërdi edhe për zënka personale.
Ata tradhtuan ëndrrën e shqiptarëve për liri, dhe shkelën me të dy këmbët mbi idealet e luftës çlirimtare duke e kthyer atë në kampanjë vrastare ndërmjet shqiptarëve, dhe lënë plagë të hapura të cilat ende nuk po gjejnë shërim, në këtë vend.
Madje, “ekzekutuesi” i kodeve serbe për dënimin e shqiptarëve me vdekje, provokon edhe sot, derisa kokë më vete, në gungat e së cilës ndoshta numërohen shpirtrat e të dënuarve pa faj, deklaron hapur dhe në mënyrë publike, se ushtarët si Blerim Kuqi, gjatë luftimeve kundër Serbisë, ai vet i dënonte me vdekje, sipas kodit penal serbo-jugosllav.
Për çudi, këso gjykimesh, ky “jurish-jurist” sillte mu atëherë kur edhe pushtuesi me po të njëjtat ligje, kishte dënuar një popull të tërë me vdekje dhe shfarosje, kohë në të cilën kërkohej që të gjithë shqiptarët e veçanërisht udhëheqësit “sokola” të shquheshin në mbrojtjen e popullsisë së pambrojtur me të cilën forcat e pushtuesit luanin si donin, që nga masakrimet deri te përdhunimet publike, derisa “sokoli i jakovës”, fatkeqësisht merrej me dënimin e ushtarëve të lirisë, të cilët ndoshta ende detyrohen të heshtin si puna e Blerim Kuqit.
Ndaj, edhe nuk është fare çudi ,nëse thirren “dobrovolca” edhe “sokolat” si ky me përvojë jugosllave, në gjykatën speciale, për sqarime të paktën mbi mënyrën e dënimit të shqiptarëve me ligjet serbe, i cili për ndryshim nga koha e komunizmit, në pamundësi për ti quar në Tivar për pushkatim si paraardhësit e tij, ai i dënonte ata vet dhe aty për aty -me vdekje, gjithmonë sipas ligjeve penale serbe!
Hajde patriotizëm, hajde….
Dënime me vdekje për bashkëkombësit!… sipas kodit penal “jugosllav” ekzekutoheshin shqiptarët, në luftë?!….
Po ku kishte ligje jugosllave, sidomos sa i takon dënimit të shqiptarëve, ato që të gjitha ishin modifikim i kodeve penale të Serbisë.
Por, kush i porosiste këto dënime? Serbia me ligjet e secilës ai ndante “drejtësinë” kurse Kosovën përdorte vetëm si vend kamuflim për të mbuluar ndihmën e hapur që i bënte pushtuesit me gjykime si këto, apo si mund të arsyetohen veprime të tilla, të cilat për një „Sudi“ me nam bile edhe “kryesori” i “luftës” siç na paska qenë ai, nuk duhej të ishin tërësisht të pa ditura dhe as krejt të pa qëllimta.
Fatkeqësisht njerëz të tillë, mbytën drejtësinë në vend dhe quan deri aty gjendjen sa ndërkombëtarët të kërkojnë formimin e gjykatës speciale vetëm për Kosovën, me mbajtje gjykimesh jashtë saj, nga droja e përzierjes së serishme e „sokolave” në punë ligjesh të cilat ka kohë që janë çrrënjosur nga ta dhe nuk ekzistojnë më fare në Kosovë, aq sa drejtësia nuk kap të dënuarit dhe ligji lë të lirë autorët e krimeve të „pazbuluara”, rast i vetëm dhe unikal në tërë bashkësinë evropiane.
Kësaj i thonë, luaje macë kokën e buallit-18 kg.-rëndë, e po të jetë, kodra-kodra si e “sokolit” dhe me “gunga” të mbushura përplot kode penale serbo-jugosllave, zot-ruana, mund të peshojë shumë më tepër, dhe bëhet jo vetëm e palëvizshme por edhe e pa-prekshme dhe tepër e rrezikshme për shqiptarët e Kosovës!
Ndaj si dënimet me kodet penale serbe, ashtu edhe gjendja kaotike në vend, dëshmojnë katërçipërisht se jo të gjithë “sokolat” luftuan për “liri, por për pushtet dhe pasuri, për të cilat ata nuk “dënuan” vetëm kundërshtarët e konkurrentët, por vranë edhe ardhmërinë e Kosovës në tërësi, kështu edhe 15 vite pas lufte, me dhjetëra mijëra shqiptar, detyrohen të ikin nga atdheu i vet, duke kërcënuar edhe me vetëvrasje, nëse vendet evropiane i kthejnë në shtetin ku sundon “sallamadia” e “sokolave” të “historisë”.
Athua vallë u bë mjaft, apo deri kur kështu, në Kosovë ?!

Filed Under: Analiza Tagged With: c'po ndodh, Gani Qarri, ne Kosove

C`po ndodhë në Kosovë ?!

July 11, 2013 by dgreca

Nga Gani Qarri Zyrih/ Zvicer/

Qenka tejet trishtuese kur njeriu sheh në këtë gjendje popullin e vet. Një popull të tërë që nga skamja dhe mjerimi i padurueshëm,ka mësy të ikë dhe një orë e më parë ta lë atdheun e tij, nën mallkimin që i sollën ata që nuk do duhej. Ndoshta u bë mjaft për këta njerëz të cilët padrejtësisht, që sa kohë ushqehen me dezinformata zbukuruese,kurse gjërat nuk shkuan asnjëherë në rrugën e duhur dhe drejtimin në të cilin shqiptarët besonin.

Atyre tanimë,nga zhgënjimet e njëpasnjëshme,mjerisht u është bërë i pamundur qëndrimi në atdhe. Vrojtimi indiferent ndaj korrupsionit, nepotizmit keqpërdorimit të demokracisë,pasurimit marramendës të pushtetarëve dhe varfërisë trishtuese të popullsisë kanë filluar ta kërcënojnë jetën e tyre dhe sigurinë tonë kombëtare, e cila i detyron njerëzit e dëshpëruar në ikje të pakthim.

Se kjo gjendje do të shkoj kaq larg dhe deri në këtë ditë sa të kërcënoi me zbrazjen e vendit dhe ç`shqiptarizimin e atdheut,këtë nuk e ka pritur askush. Mirëpo të vazhdoj edhe më tej,që ky vend i sjellur në këtë skamje marramendëse dhe varfëri të skajshme deri në vdekje klinike, të udhëhiqet nga pushtetar milioner dhe deputetë të katapultuar AKSIDENTALISHT në Kuvend me vota të vjedhura,kurse shqiptarët –në shenjë proteste– ta lëshojnë tërësisht të heshtur – vendlindjen e tyre, fatkeqësi më të madhe për këtë popull nuk mund të ketë.

Jo vetëm pushtetarët por as opozitarët, nëse ka të tillë në Kuvendin e Kosovës,që sa vite shihet se nuk janë aty për të shpreh zërin e votuesve të zhgënjyer, por për votimin pa kundërshtime të të gjitha planprogrameve të qeverisë, ashtu siç ajo i do dhe paraqet para tyre.

“Përfaqësues” të tillë keqpërdorin në mënyrë mjeshtërore sinqeritetin dhe durimin e këtij populli, duke punuar me hile në emër të tij, dhe pa asnjë përkushtim për interesin e vendit dhe aspiratave të atyre që ranë për lirinë e Kosovës.

Sjellja e tillë është edhe çështje e identitetit kombëtar, dinjitetit personal dhe edukimit njerëzor jo vetëm të deputetëve por edhe votuesve të heshtur që nuk bëzajnë para asnjë padrejtësie ndaj tyre dhe vendit ku jetojnë, madje as para përpjekjeve të fundit antikombëtare, për amnistimin në “paket” të të gjitha krimeve, kriminelëve dhe të inkriminuarve, në çfarëdo vepër penale.

Më kotë shqiptarët shpresuan gjatë gjithë kohës se gjërat do të ndryshonin për të mirë. Fatkeqësisht as pas 14 vitesh çlirimi,nuk ka kthim nga e mbara. Përkundrazi,vendi po mbytet nga korrupsioni, skamja ,varfëria dhe pasiguria totale,ndaj edhe njerëzit kanë marrë arratinë duke ikur me “cuc e me mic” me krejt çka kanë dhe si munden, nga varfëria tmerruese që pushtetarët dhe të gjitha partitë politike bashkë-ditën ti sillnin atdheut, e cila po thellohet përditë e më keq.

Asnjë vend në botë nuk mund të ecë përpara,nëse pushtetarët e tij nuk njohin zanat më të mirë sesa gjatë gjithë kohës së qëndrimit në pushtet të mbjellin korrupsion dhe prodhojn varfëri e skamje, i cili po ia zë frymën këtij vendi dhe dëmton me të madhe imazhin e Kosovës, gjë që shihet se fare nuk është breng e tyre, siç nuk bregosen për dhjetra autobusët e mbushur me shqiptarë hallexhinj, që brenda dite largohen nga Kosova.

Qytetarët e Kosovës kanë kaluar nëpër periudha të vështira të dhunës dhe diskriminimit, plagët e të cilëve janë ende të hapura,duke shpresuar se me çlirimin e vendit,të paktën do tu mundësohej mbijetesa në atdheun e vet. Por ata nuk mund ta fshehin më zhgënjimin e tyre ndaj sot janë më të dëshpëruar se kurrë më parë me pushtetarët dhe opozitarët, pothuajse në masë të njëjtë

Frustrimi më i madh vije nga qëndrimet e së ashtuquajturës “Opozitë” nga flirtimi politik dhe praktik i kastës së konsumuar që moti të udhëheqësve të LDK-s, të cilët pas dështimeve të një pas njëshme në zgjedhje dhe politikë,nuk hezituan të tradhtonin edhe votuesit e tyre duke hyrë në martesë të fshehtë me pozitën,nga veprimet e të cilëve, me të drejtë elektorati ndihet thellësisht i zhgënjyer dhe tradhtuar rëndë.

Ndaj, është momenti më i artë për ta, dhe koha e fundit për politikanët e inkriminuar,që të pensionohen sa më parë dhe ti thonë lamtumirë politikës në këtë vend, një herë e përgjithmonë.

Kurse,grupit të prirë nga Sabri Hamiti,Isa Mustafa, Ismet Beqiri e Lutfi Haziri, nuk u ka mbet më fije “yndyre”,për tu zbavitur edhe më tej me politikë.

Ata, u pa qartë për disa vite,se nuk janë në gjendje ta mbajnë dhe ushtrojnë fer e si duhet këtë detyrë,ndaj dhe mbeten përfundimisht të paaftë për zanatin e politikbërjes. Ky grup fatkeq,jo vetëm se dështuan disa herë në punën e tyre por edhe janë konsumuar aq shumë sa që askush, bile as optimistët më të pandreqshëm, nuk mund të shpresojnë më se me këta në krye, do të ketë opozitë të njëmendët apo parti me perspektiv ndonjëherë.

Zotërinj, ju jeni prapambetja vet, moszhvillimi dhe humbja e përditshme, fatkeqësia e pështirë e këtij vendi. Sa më gjatë që ta shtyni avazin e nisur,aq më keq jo vetëm për partinë (nëse mund të quhet e tillë edhe nën udhëheqjen tuaj)por edhe për shtetin dhe gjithë shqiptarët, sepse ju jeni bërë shkas edhe i të mos pasurit Opozitë të mirfillt që disa vite në Kosovë.

Nën udhëheqjen tuaj, nga opozitë fiktive u kthyet në bashkëshorte të dëgjueshme dhe besnike të partisë në pushtet,duke bërë aminin për çdo gjë. Madje,ndoshta duke qenë edhe vet të zhytur thellë në korrupsion e vepra tjera penale, ju asnjë herë nuk e ngritët zërin kundër çfarëdo keqpërdorimi në Kosovë.

Për fat të keq,dikush nga grupi juaj përmendet si bashkëpunëtor i UDB-së,tjetri si “I zoti” i një shoferi që kishte për “hobi” transportin e lëndëve narkotike nëpër Serbi,tjetri për inkriminim në vrasje brenda partisë së vet, kurse një tjetër kohët e fundit ka nisë të shkruaj edhe letra të përbashkëta “dashurie” me buzhalinjët,drejtuar EULEX-it.

Zotërinj,kështu nuk zhvillohet politika as udhëhiqet partia. Është e pakuptueshme se ku e gjeni ju gjithë këtë luks flirtimi derisa bashkë me pozitën, e keni sjellë një popull në zgrip të jetës dhe detyruar të lë vendin e të ikë natën nga sytë këmbët. Gjendja që pozitë dhe opozitë krijuan ,duke detyruar pjesë të tëra të një populli në shpërngulje,është diversion kombëtar,shkatërrim i identitetit të një populli dhe pjesë e strategjisë së antishqiptarizmit në këto troje.

Ndaj, për hir të Kosovës dhe njerëzve të këtij vendi, ikni sa më shpejt ,ikni më se mjaft,shkoni në shtëpi dhe hani pensionet dhe pasurinë e grumbulluar në mënyrat që vetëm ju i dini,të cilat uroj ti hani ashtu siç i keni fituar. Por përfundimisht ikni. Ikni sepse është koha dhe ky popull nuk mund t`ua falë përgjithmonë çdo mëkat që keni bërë në kurriz të tij dhe vendit që i takoni. Pra zotërinj- fajtorë, cilët-do qofshit,më mirë shkoni dhe me ikjen tuaj-krijoni mundësi, që shqiptarët përfundimisht ta shohin dhe kuptojnë se ç`po ndodhë në të vërtetë me atdheun e tyre,sa s`është bërë vonë për të gjithë.

Gani Qarri Cyrih, 11 Korrik 2013

 

Filed Under: Komente Tagged With: c'po ndodh, Gani Qarri, ne Kosove

Artikujt e fundit

  • AT SHTJEFËN GJEÇOVI DHE DR. REXHEP KRASNIQI, APOSTUJ TË IDESË PËR BASHKIM KOMBËTAR
  • Marjan Cubi, për kombin, fenë dhe vendlindjen
  • Akademik Shaban Sinani: Dy popuj me fat të ngjashëm në histori
  • THE CHICAGO TRIBUNE (1922) / WOODROW WILSON : “NËSE MË JEPET MUNDËSIA NË TË ARDHMEN, DO T’I NDIHMOJ SËRISH SHQIPTARËT…”
  • SHQIPËRIA EUROPIANE MBRON HEBRENJTË NË FUNKSION TË LIRISË
  • KONGRESI KOMBËTAR I LUSHNJES (21-31 JANAR 1920) 
  • Një zbulim historik ballkanik
  • VATRA DHE SHOQATA E SHKRIMTARËVE SHQIPTARO-AMERIKANË PROMOVOJNË NESËR 4 VEPRA TË PROF. BESIM MUHADRIT
  • Që ATDHEU të mos jetë veç vend i dëshirës për të vdekur…
  • KAFE ME ISMAIL KADARENË
  • Kosova paraqet mundësi të shkëlqyeshme për investime
  • PARTIA NUK ËSHTË ATDHEU, O KOKËSHQOPE
  • 50 VJET VEPRA POETIKE KADARE
  • IT’S NOVEMBER 28TH
  • Një arritje për shqiptarët në Michigan

Kategoritë

Arkiv

Tags

alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Hazir Mehmeti Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT