• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

NË KUJTIM TË MARIE SHLLAKUT – SHKODRANES NGA MAKËSIA E MADHE QË DHA JETËN PËR LIRINË E KOSOVËS

February 17, 2024 by s p

Frank Shkreli/

Marie Shllaku: “Kosovë, gjaku im t’u bëftë dritë”!

Në 16-vjetorin e Pavarësisë së Republikës së Kosovës.

Shpallja e Pavarësisë së Kosovës më 17 shkurt 2008, ishte kurorëzim i një rrugëtimi të gjatë e të vështirë prej më shumë se një shekulli për shqiptarët e Kosovës dhe për mbarë Kombin shqiptar. Si e tillë, kjo datë, në historinë e shqiptarëve, është një arritje kulmnore dhe një fitore e lavdishme për mbarë Kombin shqiptar.

Lufta për çlirimin e Kosovës e udhëhequr nga Ushtria Çlirimtare e Kosovës u ndërmor në një kohë kur popullit shqiptar të Kosovës po i rrezikohej vetë identiteti dhe ekzistenca e tij në trojet e veta mijë-vjeçare. Lufta shekullore e shqiptarëve për ekzistencë dhe diplomacia në veprim për ndërkombëtarizimin e çeshtjes së Kosovës — e udhëhequr me qa sukses nga Presidenti i parë historik Dr Ibrahim Rugova, gjatë dekadave të fundit të shekullit të kaluar, bëri aq shumë miqë ndërkombëtarë për çeshtjen e Kosovës dhe për shqiptarët në përgjithësi, sidomos këtu në Shtetet e Bashkuara. Diplomacia dhe lufta për çlirimin dhe për pavarësinë e Kosovës, lehtë mund të krahasohet me arritjet historike të Kombit shqiptar, siç është Kuvendi i krerëve të gjitha krahinave shqiptare nën udhëheqjen e Gjergj Kastriotit Skënderbe në Lezhë, në vitin 1444 dhe me Lidhjen e Prizrenit më 1878, ku përfaqësues nga të gjitha trojet shqiptare, me në krye Abdyl Frashërin, u mblodhën aty në Prizren, në një çast historik për të shpëtuar tërësinë e tokave shqiptare.

E gjithë ajo veprimtari diplomatike dhe ushtarake si dhe lëvizjet mbarë kombëtare përfshir mobilizimin e paparë ndonjëherë më parë në histori të komunitetit Shqiptaro-Amerikan të dekadave të fundit të shekullit të kaluar që çuanë në festëns e madhe të Pavarësisës së Kosovës që shënohet sot – i treguan botës se shqiptarët vetëm donin të udhëhiqnin veten, në liri dhe të pavarur në trojet e veta stërgjyshore të bashkuar në një shtet të tyre. I treguan botës në mënyrën më dinjitoze se trojet shqiptare nuk ishin pa zot. Ishte një luftë dhe një qëndresë historike – e mbështetur ndërkombëtarisht nga miqët e njohur të shqiptarëve –në krye me Shtetet e Bashkuara, kundër pushtuesve sllavo-komunistë të trojeve shqiptare, duke shënuar kështu një kapitull të ri në historinë e Kombit Shqiptar – Pavarësinë e Republikës së Kosovës!

Mbi të gjitha Dita e Pavarësisë së Kosovës simbolizon bashkimin e shqiptarëve anë e mbanë trojeve shqiptare dhe përtej. Është një ditë, gjithashtu, që në zemrat tona frymëzon kujtimin e heronjve dhe heroinave shqiptare të shekullit të kaluar që dhanë jetën për idealet e larta – për bashkimin e shqiptarëve, me thirrje dhe me luftë e sakrifica duke flijuar edhe jetën e tyre për pavarësinë, lirinë dhe demokracinë e të gjithë shqiptarëve, anë e mbanë trojeve, dhe pa dallim. Liri! — ishte kryefjala e Shqiptarëve gjatë gjatë shekullit të kaluar:

Give me liberty or give me death!” — Më jep lirinë, ose më jep vdekjen!”, ishte thirrja e politikanit dhe oratorit amerikan Patrick Henry në një fjalim, në Kuvendin e dytë të shtetit Virxhinia me 23 Mars, 1775 në Kishën e Shën Gjonit në Riçmond të Virxhinies.

“Ma mirë dekë nën dhé m’u kja,

Se për t’gjallë me mbetë nën shkja”. At Gjergj Fishta

–“Kam ardhë me vdekë me ju”!, do tu drejtohej Marie Shllaku komandantëve të çetave nacionaliste në Kosovë, siç pat deklaruar ajo në gjyqin kundër saj.

–“Kosovë, gjaku im t’u baftë dritë”! Marie Shllkau në sallën e gjyqit në Prizren, Korrik, 1946.

Marie Shllaku, Shkodranja që luftoi dhe vdiq për lirinë e Kosovës:

–Megjithëse e haruar dhe e anashkaluar gjatë shekullit të kaluar komunist, por edhe sot — në luftë kundër ripushtimit serb të Kosovës, u shqua heroina Marie Shllaku, gjatë Luftës së II Botërore. Le të kujtojmë sot në këtë ditë të Pavarësisë, Marie Shllakun, heroinën e Kombit shqiptar, të cilën komunistët shqiptaro-sllavë e dënuan me vdekje-pushkatim, sepse donte Kosovën e lirë, dhe të gjithë shqiptarët të bashkuar në një Shqipëri etnike.

–Të Kujtojmë Marie Shllakun, e cila megjithse në moshë të re, u njoh dhe mori mësime e këshilla nga më të mëdhejt e Kombit të asaj kohe, përfshir At Gjergj Fishtën, ndër të tjerë, për angazhimet e saja në mbështetje të objektivave për realizimin e idealit të lartë të bashkimit të trojeve shqiptare.

Të kujtojmë sot, Marie Shllakun, e cila nën mbikqyrjen e At Gjergj Fishtës kishte mësuar mirë historinë e Kombit Shqiptar, dhe fliste një dyzinë gjuhësh të huaja.

–Të kujtojmë Marie Shllakun, pjesëmarrësen në Kuvendin e Drenicës, ku mbajti fjalimin e saj të famshëm patriotik duke pajtuar, sipas të dhënave, dy udhëheqsit e Luftës së Drenicës, Shaban Polluzhës dhe Mehmet Gradicës. Kuvendi i Drenicës ishte thirrur me qëllimin përfundimtar për të shpëtuar Kosovën nga komunistët serbo-malazezë-shqiptarë!

–Të kujtojmë Marie Shllakun, njërën prej heroinave të lirisë dhe pavarësisë së Kosovës sot, por edhe si shembull se si duhet të luftohet dhe të mbrohet liria, demokracia e pavarësia kombëtare, qoftë edhe me flijimin e jetë për këto vlera të mëdha njerëzore e kombëtare.

–Të kujtojmë, anti-komunisten e flakët Marie Shllaku, që luftoi për bashkimin e të gjitha trojeve shqiptare pa dallim –përfshir Kosovë e Çamëri — Shkodranen 24-vjeçare, Marie Shllakun që për këto veprimtari të saja dhe bashkpuntorçve të saj, ajo u pushkatua nga komunistët shqiptaro-serbë — në Prizren në nëntor të vitit 1946 – KRIMET E KOMUNIZMIT: Marie Shllaku, At Bernardin Llupi, Kolë Parubi, Gjergj Martini

Sipas të dhënave, ajo u pushkatua në Prizren pas gjyqit që iu bë asaj bashkë me 26 intelektualët e tjerë të angazhuar me të në veprimtaritë për bashkimin e trojeve shqiptare. Sigurimi i Shtetit shqiptar, në bashkëpunim me UDB-ën jugosllave vendosën në atë kohë pushkatimin për Marie Shllakun, 24 vjeç; At Bernard Llupin, 60 vjeç; Kolë Parubin 41 vjeç dhe Gjergj Martinin, 29 vjeç, ndërsa të tjerët u dënuan me burg. Këta të 4 ishin nga Shkodra të cilët u dënuan, përfundimisht, për veprimtarinë e tyre — martirë të demokracisë, për bindjet e tyre për bashkimin kombëtar – në ditën e zezë të 15 korrikut, 1946, pikërisht aty në Prizrenin e Lidhjes Kombëtare të Prizrenit të vitit 1878 — ndërsa pushkatimi u bë në Nëntor të po atij viti, sipas të dhënave arkivore. Ndërkohë, sllavo-komunistët ua kanë tretur varret që as sot nuk dihet se ku i kanë.

Në këtë ditë të pavarësisë së Republikës së Kosovës, Marie Shllaku – Shkodranja nga Malësia e Madhe — uron, ashtu si atëherë, para bishave të egra shqiptaro-sllavo-aziatike komuniste: “Kosovë, gjaku im t’u baftë dritë”!

I përjetëshëm qoftë kujtimi i heroinës shkodrane Marie Shllaku me bashkpuntorët e saj dhe i të gjithë atyre heronjve dhe heroinave nga të gjitha trojet shqiptare të gjitha akohërave, që kanë flijuar jetën për lirinë, të drejtat dhe pavarësinë që Kosova gëzon sot!

Gëzuar Pavarësia e Republikës së Kosovës!

Frank Shkreli

Marie Shllaku, At Bernardin Llupi, Kolë Parubi e Gjergj Martini, të pushkatuar nga shqiptaro-serbët komunistë në Prizren, në vitin 1946 — martirë të demokracisë, për lirinë, pavarësinë dhe bashkimin e Kosovës me Shqipërinë. Dhanë jetën për dashurinë e tyre të pamposhtur për Atdheun në mbrojtje të identitetit kombëtar të shqiptarëve dhe të trojeve të tyre mija vjeçare!

“Unë Marie Shllaku e lindur me 22 tetor, 1922 në Shkodër. 24-vjeçe. Studente e filozofisë në Romë. Akuzohem se jam marrë me politikë. Kështu, ju po e queni dashurinë time për atdhe. Unë jam në burg se nuk pajtohem që Kosova të jetë nën Jugosllavi. Kosova ashtë pjesë e pandashme e Shqipënisë. Nuk më tremb dënimi me vdekje. Jam krenare që luftova për TY Kosovë! Heret ose vonë do të jesh pjesë e Shqipënisë. Rrnoft Kosova! Rrnoftë Shqipënia Etnike.” Një deklaratë që disa burime ia atribojnë Marie Shllakut.

Filed Under: Komente

“KOSOVË, NE DO TË DALIM ZOT”

February 16, 2024 by s p

Ambasador Dr.Blerim Reka/

Zonja dhe Zotërinj, të nderuar bashkëatdhetare dhe të nderuar bashkëatdhetarë.

Duke ju falënderuar për praninë tuaj, më lejoni të evokoj shkurtimisht këtë datë të shënuar historike, më të rëndësishmen për shtetin e Kosovës.

Sivjet kremtojmë 16 vjetorin e pavarësisë dhe 25 vjetorin e çlirimit të Kosovës. Këto dy përvjetorë janë edhe një dëshmi e një rruge të gjatë dhe jo të lehtë, por njëkohësisht edhe provë se Republika e Kosovës, është rrëfim suksesi i shtete-ndërtimit demokratik pro-perëndimor, e cila lindi nga lufta çlirimtare e UÇK dhe mbështetja e SHBA-së dhe e NATO-s, kundër regjimit gjenocidal serb.

Lufta përfundoi para një çerek shekulli, por jo edhe kërcënimet nga fqiu verior, si ai i 24 shtatorit të vitit të kaluar. Agresionin e zbrapsëm me suskes, siç do zbrapsim edhe çdo tentim tjetër që sulmon tërësinë territoriale dhe sovranitetin, sepse siç mund ta lexoni edhe moton e këtij përvjetori: “KOSOVË, NE DO TË DALIM ZOT”.

Kosova mbetet pjesë e botës demokratike, përball kërcnimeve të botës autoritare, por gjithnjë në miqësi të përhershme dhe partneritet strategjik me SHBA-të.

Lavdi dëshmorëve të lirisë,

Përjetësisht Republika e Kosovës

Filed Under: Komente

Mesazhet e Sekretarit Blinken nga Tirana

February 16, 2024 by s p

Përgatiti  Rafael Floqi/

Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, deklaroi në Tiranë se “partneriteti i SHBA-ve me Shqipërinë është më i fortë se ç’ka qenë ndonjëherë”. Këto komente ai i bëri në përfundim të takimit me kryeministrin Edi Rama, që shënoi dhe fundin e vizitës së tij 8 orëshe në Tiranë, ku u prit edhe nga Presidenti Bajram Begaj ndërsa pati një takim dhe me drejtues të katër institucioneve të rëndësishme të Drejtësisë, Kryetaren e Gjykatës së Lartë Holta Zaçaj, Kryetarin e Gjykatës së Lartë Sokol Sadushi, Inspektorin e Lartë të Drejtësisë Artur Metani dhe drejtuesin e Prokurorisë së Posaçme Altin Dumani, por jo me përfaqësues të opozitës.

 Takimi me Ramën zgjati afro dy orë dhe në përfundim të tij u nënshkruan dy marrëveshje mirëkuptimi, e para për Programin e Shkëmbimit Akademik Fulbright dhe e dyta Kundër Manipulimit të Informacionit të Shtetit të Huaj, e cila do të ketë në fokus çështjet e disinformimit.

Avioni amerikan i Sekretarit të Shtetit, Antony Blinken prek  tokën shqiptare 

Ne Ora 11:10 minuta, ndërsa e shoqëronte  zëvendës ndihmës sekretarja e Shtetit për Çështjet e Evropës dhe Euroazisë, ish ambasadorja e SHBA në vendin tonë, Yuri Kim Në pistën e aeroportit zyrtari i lartë i Shteteve të Bashkuara u prit nga ministri i Jashtëm Igli Hasani, i ngarkuari me punë i SHBA pranë ambasadës David Wisner si dhe ambasadori i Shqipërisë në SHBA, Ervin Bushati.

Pasi u takua me zyrtarët, eskorta e Blinken u nis drejt Tiranës, ndërsa të gjitha rrugët ishin të ‘blinduara’ nga policia dhe nuk do të lejohej qarkullimi i mjeteve.

Në ora 13:35 -Sekretari Blinken zhvillon një takim dhe përshëndet me punonjësit e Ambasadës Amerikane në Tiranë dhe anëtarët e familjes në Tiranë, Shqipëri.

Në Ora 14:15 -Sekretari Blinken takohet me aplikantët afganë për vizë emigruese speciale në Tiranë, Shqipëri. Ai po  bisedoi me aplikantët afganë për vizë emigruese speciale, të cilët u strehuan në Shqipëri, pasi u larguan nga Afganistani, pas marrjes së tij nën kontroll nga talebanët në verën e vitit 2021. Nga afro 2500 afganë që mbërritën në Shqipëri, aktualisht vetëm një grup i vogël prej pak më shumë se 100 personash, janë ende në vend.

Në Ora 15:05 -Sekretari Blinken takohet me Presidentin shqiptar Bajram Begaj në Tiranë, Shqipëri. 

blinken

Departamenti Amerikan i Shtetit ka zbardhur pjesë nga biseda që zhvilloi Sekretari Blinken me Presidentin e Republikës, Bajram Begaj. Është shumë mirë që ne mund të tregojmë se partneriteti ynë strategjik është më i fortë se kurrë.

Nuk mund të pajtohesha më shumë. Faleminderit. Këtë e shohim çdo ditë. Ky është një partneritet dhe ne jemi mirënjohës për të. Ne e dimë se kaq shumë nga sfidat që ka secili prej nesh, ne mund t’i përballojmë në mënyrë më efektive së bashku, jo vetëm. Dhe kështu që ne të kemi miqësinë, partneritetin – kanë qenë 101 vjet marrëdhënie diplomatike, por vitet e fundit veçanërisht ne kemi parë forcën e partneritetit në shumë fusha të ndryshme. Kështu që është një kënaqësi e madhe. 

Festojmë të ardhmen e marrëdhënieve SHBA-Shqipëri

Nga aktiviteti te Piramida, Sekretari Amerikan i Shtetit Antony Blinken ka thënë se është i lumtur të jetë në Tiranë.  

Mirëdita të gjithë dhe ju falënderoj për një mirëpritje të mrekullueshme në vendin e shqiponjave. E ndjej ngrohtësinë këtu dhe në do vend tjetër në Tiranë. Nuk mund të shpjegoj sa mirënjohës jam.

Që të jem sot me ju për të festuar arritje e këtyre programeve është i rëndësishme për të forcuar marrëdhëniet mes vendeve. Falënderoj Wisnerin dhe sidomos kryeministrin Rama, jam i lumtur që jam sot me ju në një qytet ku ju si ish-kryetar bashkie e keni energjizuar. Jam mirënjohëses dhe për partneritetin që kemi.

Këto 4 vitet e fundit që kemi punuar bashkë, çdo vështirësi që kemi pasur, kryeministri ka qenë pranë nesh. Tani kanë thënë njerëz se ky vend këtu, kjo ndërtesë, tregon rrugën e Shqipërisë që nga përfundimi i Luftës së Ftohtë, 35 vite më parë, ndërtesa iu kushtua një diktatori që i çoi shqiptarët në kampet e përqendrimit dhe përfaqësonte të kaluarën.

Në atë kohë e vetmja marrëdhënie me vendin tonë ishte Zëri i Amerikës. Po të shikoni rreth e rrotull, ky vend është i mbushur me dritë, ka kafe, salla, inkubatore teknike, është një simboli fuqishëm i të tashmes dhe të tanishmes, të marrëdhenive të SHBA me Shqipërinë dhe kjo ndërtesë u rindërtua me fondin shqiptaro-amerikan.

E pashë dhe sot në rrugën e Tiranës, energjinë dhe entuziazmin për të ardhmen. Për të ardhmen e integrimit në Europë dhe botë. Vitin e kaluar një numër rekord turistesh vizituan Shqipërinë.

Ekipi juaj u kualifikua në Europian për herë të dytë dhe herën e fundit në 2016 ishte hera e fundit ishte një sekretar shteti që vizitoi Shqipërinë. Nuk dua të them se ka ndonjë lidhje, por ndoshta do të vij në finalen e kupës europiane.

Po shikoni lidhjet e fuqishme midis vendeve tona në mënyra të tjera. Amerikanë të rinj po kërcejnë gjithë natën me Dua Lipën. Shefja e teknologjisë në Open Ai, një nga njerëzit që po lidh botën për inteligjencën artificiale, Mira Murati. Në New York është një restorant shqiptar. Kapërcimi i Shqipërisë në botën e re nuk ishte aq e thjeshtë sa të hapeshin dritat. Sekreti ishte tek të rinjtë si ju që bënë ndryshimin. 

Këtu mes nesh kemi gazetarë që po ekspozojnë korrupsioni dhe gra ndërmarrëse që fillojnë bizneset e tyre, luftojnë kundër ekstremizmit dhe e bëjnë Shqipërinë akoma më të hapur.

Të rinjtë kanë rol thelbësor për të ndryshuar Shqipërinë. Disa prej jush keni mirëpritur familjet afgane, kjo tregon bujarinë e shqiptarëve. Isha në ambasadën tonë dhe u takova me disa familje afgane, që presin të shkojnë në SHBA, rrugëtimi i tyre nuk do ishte i mundur pa Shqipërinë.

Nuk është vetëm fakti që ju po i prisni me krahët hapur, por dhe mënyra sesi i mirëprisni, që është shumë e fuqishme., Ishte emocionuese për mua që mes refugjatëve afganë ishin dy prindër, burrë e grua, me 5 fëmijë dhe secili preh tyre ishin numër një në shkollë, por kur mbërritën talebanët vajzat nuk shkonin në shkollë. Por, sidoqoftë ata gjetën mënyrë për t’i dhënë mësim, dhe tashmë vajzat binjake kanë mësuar anglisht në mënyrë fluente dhe kanë ide të qarta për të ardhmen e tyre. Njëra do të jetë në fushën e modës, tjetra në biznes. Unë ju dhashë ide të punojnë në biznes të përbashkët për modën. Unë pashë shpresën e ringjallur të tyre në Shqipëri në rrugën e tyre për në Amerikë. Jam shumë mirënjohës për partneritetin tonë me Shqipërinë.

Asnjë vend nuk ka monopol për ide të mira. Ne mësojmë prej jush ashtu siç ju prej nesh. Marrëdhënia jonë është në thelb për krijimin e ideve. Për 30 vitet e fundit kam udhëtuar në shumë vende të botës dhe kudo është një person që ka një ide personale për të zgjidhur një problem. Dhe sa më shumë të këmbejmë idetë dhe përvojën, aq më të mirë do të jemi. Me Shqipërinë lidhëm marrëdhënie më shumë se 100 vjet më parë dhe sot jam i bindur se shekulli që vjen do ta bëjë botën më të sigurt dhe ju jeni ata që do ta bëni. Jam mirënjohës për rolin tuaj dhe shpresoj shumë për rolin dhe kontributin tuaj për këtë të ardhme. Ju falenderoj!

Në Ora 16:15 Sekretari Blinken takohet me kryeministrin shqiptar Edi Rama në Tiranë, Shqipëri.

Ora 17:55 pasdite Sekretari Blinken merr pjesë në një ceremoni nënshkrimi për një Memorandum Mirëkuptimi mbi Shkëmbimin Akademik Fulbright dhe një Memorandum Mirëkuptimi Kundër Manipulimit Informativ të Shtetit të Huaj në Tiranë, Shqipëri.

Ora 18:10 Sekretari Blinken dhe kryeministri shqiptar Edi Rama mbajnë një konferencë të përbashkët për shtyp në Tiranë, Shqipëri.

Partneriteti me Shqipërinë është më i fortë se kurrë

Blinken

Sekretari Amerikan i Shtetit, Antony Blinken, në konferencën e përbashkët me kryeministrin Edi Rama, është shprehur se partneriteti me Shqipërinë është më i fortë se kurrë.

Blinken u shpreh gjithashtu se me Ramën kanë  diskutuar dhe për sfidat e sigurisë me të cilat përballet bota sot, ndërsa shtoi se Shqipëria është një nga kontribuesit e parë të Ukrainës.

“Ju falënderoj shumë që na keni mikpritur sot. Do ta filloj me dy shprehje që kemi. “Nëse dikush nuk ka mundësi të përjetojë kënaqësinë, ne kemi mundësinë ta ftojmë sërish”. “Dhe kur dielli shkëlqen dhe kur nuk bie shi, është një mik i rëndësishëm”. Kjo është diçka që nuk mund t’ua shpreh sa duhet që është tribut. Jam në vizitën e parë sepse ky partneritet është më i fortë se çka qenë.

Është një rrugë me dy kalime dhe po bëjmë gjëra me njëri-tjetrin dhe për njëri-tjetrin Si alet kyc i NATO-s, zë i rëndësishëm në KS e OKB kemi partneritet të rëndësishëm. Kemi folur për gjëra të rëndësishme, për Ukrainën që është përballur me Rusinë.

Kemi patur mundësinë të diskutojmë për sfidat për po përballemi, për të nxitur sigurinë. Shqipëria ka qenë një nga mbështetëset e para të Ukrainës dhe ka dërguar ndihma ushtarake dhe është një nga 10 kontrinueset kryesore për të ardhurat për frymë. Muajin e ardhshëm Shqipëria do të përurojë bazën e Kuçovës”, tha Blinken.

Blinken për Kosovën

Nga ana e tij zoti Blinken në fjalën e tij nuk u ndal as në zhvillimet në rajon as për çështjen e Kosovës. Por në përgjigje të pyetjeve të gazetarëve ai theksoi se “dialogu mes Kosovës dhe Serbisë i lehtësuar nga Bashkimi Europian është shtegu i duhur dhe i vetmi nga palët duhet të kalojnë, dhe ne jemi të angazhuar që të bëjmë gjithçka që duhet për t’i mbështetur ndërsa ata e përshkojnë këtë shteg”. Sekretari Blinken tha se Shtetet e Bashkuara nuk duan të shohin përsëritjen e asaj çfarë ka ndodhur në vitet e 90-ta në rajonin e Ballkanit, fillimisht në Bosnjë e pastaj edhe në Kosovë.

“Për këtë arsye jemi të angazhuar t’i mbështesim të gjitha përpjekjet për të çuar përpara integrimin e gjithë Ballkanit Perëndimor me njëri-tjetrin dhe Evropën. Sa i takon Kosovës dhe Serbisë, bisedimet e ndërmjetësuara nga Bashkimi Evropian janë rruga e vetme e duhur dhe jemi të angazhuar të bëjmë gjithçka që duhet për të mbështetur të dyja vendet që të përshkojnë këtë rrugë”, tha zoti Blinken.

Roli i Shqipërisë për qëndrueshmërinë rajonale

“Ky është shtegu që qartazi i vë të gjithë drejt një të ardhmeje më të mirë. Ne e dimë se cila është alternativa pasi e kemi përjetuar, e kemi parë. Prandaj jemi të vendosur që të bëjmë gjithçka që mundemi për t’i mbështetur të gjitha vendet e rajonit që ta ndërmarrin këtë rrugë dhe t’i mbështesim bisedimet e lehtësuara nga BE-ja”, tha zoti Blinken.

Sekretari Blinken nuk komentoi mospajtimet ndërmjet qeverisë amerikane dhe qeverisë së Kosovës rreth vendimit të autoriteteve në Prishtinë për ndalimin e përdorimit të dinarit serb në zonat e banuara me shumicë serbe në Kosovë.

Në këtë kontekst ai vlerësoi rolin e Shqipërisë e cila, sipas tij, “ka qenë një forcë për stabilitet rajonal, për integrim rajonal dhe progres rajonal dhe ky është shtegu në fakt, që kaq qartazi i sjell të gjithë drejt një të ardhme më të mirë”. Zoti Blinken vlerësoi më tej rolin e Shqipërisë në NATO si “një aleat kyç”, mbështetjen për Ukrainën si dhe qëndrimin e saj në Këshillin e Sigurimit, ku në fund të dhjetorit të kaluar ajo përmbylli mandatin e saj dyvjeçar si anëtar jo i përhershëm.

Blinken për Reformën në drejtësi 

Takimi i zotit Blinken me drejtues të institucioneve të Drejtësisë, disi i pazakontë për një shef diplomacie, ishte në fakt një konfirmim i mbështetjes së Shteteve të Bashkuara për reformën në Drejtësi. “Reforma në Drejtësi nuk ka qenë e thjeshtë, por kemi filluar të shohim rezultate. U takova me prokurorë dhe me gjyqtarë, të cilët janë duke drejtuar reforma kryesore. Anëtarë të rëndësishëm të botës së krimit janë duke përfunduar në procese gjyqësore dhe është e rëndësishme që me këtë proces të vazhdohet përpara. Ne do të vazhdojmë ta mbështesim Shqipërinë që të bëjë hapa përpara, proces që është i rëndësishëm edhe për anëtarësimin në BE, ku është vendi që Shqipëria e meriton”, u shpreh Sekretari Blinken. Në fakt, sekretari për shtetin Entoni Blinken nuk ndau të njëjtin entuziasëm me ta. Blinken foli për reformën në drejtësi si një procës, që madje nuk kishte qenë perfekt.

    “Reforma në drejtësi nuk ka qenë e lehtë, perfekte, ose e shpejtë por po tregon rezultate, sikurse i përshkroi edhe kryeministri. Sot u takova edhe me prokurorë dhe me gjyqtarë. Po i ndihmojmë në përpjekjet e tyre për reformën. Zyrtarë të korruptuar po mbajnë përgjegjësi. Anëtarë të krimit të organizuar po shkojnë në burg dhe po humbin pasuritë e tyre. Ndaj ky është një proces i fuqishëm. Por është një proces. Dhe po ecën para” tha ai.

Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Igli Hasani ka reaguar me anë të një postimi në “facebook” në lidhje me nënshkrimin e dy Memorandumeve  me Sekretarin Blinken.

WhatsApp Image 2024-02-15 at 18.48.54

Hasani e cilëson këtë si një hap përpara në partneritetin e Shqipërisë me SHBA.

Nënshkruam sot me Sekretarin Blinken, dy Memorandume Mirëkuptimi mbi Shkëmbimin Akademik Fulbright dhe Kundër Manipulimit të Informacionit të Shtetit të Huaj.

Një tjetër hap përpara në partneritetin tonë me Shtetet e Bashkuara, ndërsa punojmë së bashku për të nxitur bashkëpunimin akademik dhe shkëmbimin kulturor dhe për të adresuar kërcënimet në rritje nga aktorët e huaj në fushën digjitale.

Mesazhi i Blinken pas largimit nga Shqipëria

Blinken pas Vizitës shkroi në rrjetin social “ X”   

 “SHBA janë të përkushtuara për të mbështetur Shqipërinë në rrugën drejt BE dhe në luftën kundër korrupsionit”, kështu shkruan në rrjetin social “X” Sekretari Amerikan i Shtetit Anthony Blinken, pas mbylljes së vizitës në vendin tonë. Shtetet e Bashkuara janë të përkushtuara për të mbështetur Shqipërinë në rrugën e saj drejt anëtarësimit në BE dhe në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Kryeministër @EdiRama dhe diskutova bashkëpunimin tonë për të avancuar stabilitetin rajonal, mbrojtjen kibernetike dhe reformën gjyqësore.

Epilog

Në epiqendër të vizitës është shqetësimi amerikan për situatën rajonale dhe çështje gjeostrategjike. Pyetjes për situatën në rajon dhe agresionin rus, tha se ne jemi shumë të shqetësuar dhe duhet të përgatitemi. Agjendat e brendshme politike në diplomaci janë të dytat si pjesë e diskutimit. Po pse nuk e takoi përfaqësuesin e opozitës mendoj se për shkak të pozitës formalizuese që ka opozita kryesore e vendit është evituar. 

Partneriteti strategjik me SHBA-të ka rrënjë të thella dhe është në përputhje me vullnetin e mbi 85 për qind të shqiptarëve. Shqipëria ka vite që angazhohet si kontribuuese efektive, duke filluar nga zhvillimet në rajonin e trazuar të Ballkanit Perëndimorë. SHBA-të mund të luajnë një rol më ndikues dhe të harmonizuar me BE-në në zgjidhje të situatës së trazuar midis Serbisë dhe Kosovës, situatë që ndikon negativisht edhe te vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor. Avantazhet tona historike duhet të mbrohen me fanatizëm nga jo vetëm prej politikanëve, por sidomos duhet të mbrohen nga shoqëria civile dhe opinioni publik. Opinioni publik nuk vepron sipas instinktit të zgjedhjeve politike të radhës, por në bazë të krenarisë dhe dashurisë për vendin e tyre dhe për perspektivën euro-atlantike të fëmijëve të tyre. Avantazhe historike të vendit tonë përfshijnë: Shqipëria e shekullit të 20-të nuk ka pasur konflikte etnike; nuk ka pasur konflikte fetare dhe opinioni publik shqiptar është një mbështetës i qartë dhe i përkushtuar në orientimin dhe angazhimin e Shqipërisë drejt paqes dhe mirëqenies edhe për rajonin e Ballkanit Perëndimorë. Shqipëria është aleat i besueshëm dhe efektiv për NATO dhe SHBA në arritjen dhe ruajtjen e paqes dhe për rritjen e mirëqenies në rajonin tonë historikisht problematik. 

Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken reagoi në X, pas vizitës që zhvilloi në ambasadën amerikane. Ai veçon tre çështje si më të rëndësishme, ardhja e afganëve, reforma në drejtësi në Shqipëri si dhe forcimi i partneritetit ushtarak. 

“Faleminderit Ambasadës së SHBA-së në Tiranë për punën tuaj të rëndësishme në prioritetet kyçe, nga ndihma për rivendosjen e mijëra aleatëve afganë deri te mbështetja e reformës në drejtësi në Shqipëri dhe forcimi i partneriteteve tona ushtarake”, shkruan Blinken në “X”.

Si përfundim në këtë vizitë nuk u fol për demokracinë dhe shtetin e së drejtës, pasi në mes ishin interesat gjeopolitike dhe ekonomike. 

Filed Under: Komente

The Council of Albanian Ambassadors welcomes Secretary Blinken’s visit to Albania

February 15, 2024 by s p

The Council of Albanian Ambassadors welcomes Secretary Blinken’s visit to Albania and believes that it underscores the unwavering commitment of the United States to stand by Albania and the entire region, by offering continuous support for their security, stability and prosperity.

We believe that such diplomatic engagements reinforces the strong bonds of friendship and cooperation, as strategic partner countries, NATO members and contributors to peace and stability.

Secretary Blinken’s visit to Albania also represents a pivotal moment of solidarity and commitment from the United States in addressing pressing issues affecting not only the Republic of Albania but also Albanians in the region.

The Council of Albanian Ambassadors appeals that a much stronger focus is needed on resolving the situation in the north of Kosova by establishing state authority throughout the country, as well as advocating for the rights of the Albanians in the Presheva Valley.

The Council of Albanian Ambassadors cherish the strong strategic partnership with USA and appreciates their efforts to fight corruption at all level, build the rule of law and strengthen a democratic society.

Filed Under: Komente

MUNGESA E NARRATIVËS SË BESUESHME NË KRONIKËN E ZEZË

February 13, 2024 by s p

Dom Gjergj Meta/

Çdo ditë mediat tradicionale dhe portalet na servirin ngjarje të kronikës së zezë. Nga më të shumëllojshmet. Shumë portale janë bërë si një morg ku tashmë ekzistenca e kufomave nuk bën më përshtypje. Madje disa vendosin edhe fotot jashtë mureve si për të tërhequr sytë e kalimtarëve. Mësohemi me to. Të paktën në dukje, pasi shtresat që krijohen në nënvetëdijen tonë, nga përmbajtja toksike e tyre, janë aty e herët a vonë do të dalin në sipërfaqe me pasoja të paparishikueshme.

Ajo që unë vë re me shumë trishtim është mungesa e një narrative (ose e narrativave) që çon drejt të vërtetës së një ngjarjeje. Shumë zëra nuk janë gjithmonë garantë të një vështrimi shumëpërmasor, por shpesh janë burim pështjellimi e madje nxitës të ndjenjave të përzjera ndaj ngjarjes dhe njerëzve të përfshirë.

Pjesa më e madhe njerëzve nuk kanë në disponim filtra leximi apo kuptimi të asaj që thuhet, sidomos një farë moshe e rritur që janë viktima të çdolloj gjëje që shkruhet apo vendoset në një video me zë e figurë në rrjetet sociale që si rrjeta u kanë rënë mbi krye. Të rinjtë? E vërteta e tyre është se nuk janë të interesuar, por kjo është një çështje tjetër.

Profesioni i gazetarit është në krizë të thellë më shumë se kurrë. Lajmsi, sepse ky është gazetari, është e vërtetë që nuk hyn në gjak, por ka detyrën e përcjelljes së saktë të asaj për çka është lajms. Kjo sepse ngjarja dhe lajmi për të nuk janë pronë e tija. Ai duhet vetëm ta përcjellë. Por si mund ta bëjë këtë nëse nuk e ka strukturën e duhur profesionale për ta bërë?

Jo çdo foto e shkrepur në një vendngjarje, jo çdo filmim apo çdo llafe e thënë, ka vlerën e së vërtetës. E vërteta është një puzzle ku pjesët duhet të pranëvendosen harmonishëm dhe në përkim me njëra-tjetrën. Ja pse shumë lajme dhe ngjarje janë një “mozaik” mediatik i ndërtuar keq, i pashikueshëm dhe madje të lë një shije të hidhur.

Ka shumë ngjarje që kanë bërë bujë e sidomos ngjarjet me karakter familjar apo histori të mëtuara si rozë që më shumë nxisin një lloj epshi thathethemi se sa dëshirën për të vërtetën dhe nxitjen për të reaguar. Agjencitë mediatike janë të interesuara më shumë për algoritmin e klikimeve, për shikueshmërinë, sesa për të vërtetën objektive të informimit. Mjafton të shohësh ndotjen që vjen nga komentet në një çfarëdolloj ngjarjeje.

Nuk mund dhe nuk duhet të mësohemi me kufomat dhe jetët e shkatërruara. Ato janë jetë që dikur lëviznin në rrugët e lagjet tona. E dikur mund të jemi edhe ne të tillë. Kontributi për një jetë cilësore dhe të mbrojtur është detyrë dhe e drejtë e çdokujt.

Duhet një narrativë e jetës dhe e bukurisë së saj në mënyrë që t’i çirret maska të keqes e të mos mësohemi me të.

Filed Under: Komente

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 59
  • 60
  • 61
  • 62
  • 63
  • …
  • 488
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Racionaliteti erotik i pushtetit shqiptar
  • Hapet dega e 7-të e kursit të gjuhës shqipe në Lesvos të Greqisë
  • Besimi ndaj së mirës…
  • VATRA, NDERIM E RESPEKT PËR XHIM XHEMËN NË 84 VJETORIN E LINDJES
  • “Themeluesi – Lidershipi i Ismail Qemalit”
  • Rasim Juniku, një jetë mes filatelisë dhe dashurisë për Kosovën
  • Shpirti arvanitas në Rilindjen Europiane për atdheun e humbur
  • “Saint Paul in Dyrrach”
  • THEMELIMI I “ALBLIBRIS” – LIBRI SHQIP NË SHTETET E BASHKUARA TË AMERIKËS
  • Dy kryeqytete, një komb
  • Dashamir Gurabardhi: “Arti si zhvillim dhe emancipim kombëtar”
  • SHUMËSIA STILORE-LIGJËRIMORE NË PROZËN DOKUMENTARE TË REXHEP QOSJES
  • Atë Arthur Liolin, kleriku, studiuesi dhe shërbestari i shquar i komunitetit shqiptar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës
  • FEDERATA VATRA URON: GËZUAR FITËR BAJRAMIN
  • Gjykata: Mbyllja e “Zërit të Amerikës” e paligjshme, urdhërohet rikthimi i 1,000 punonjësve

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT