• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

E ARDHMJA E SHQIPËRISË VARET NGA PUNA E MËSUESVE

March 8, 2024 by s p

Instituti i Studimeve Historike “Lumo Skendo”/

Dua më parë të uroj mësuesit e prefekturës së Durrësit dhe veçan ata të Tiranës, për krijimin e Lidhjes së tyre. Lidhje që do t’ju premtojë të mbushni më mirë dhe me efekt më të madh detyrën. Ju falem nderit, juve zoti Kryetar dhe juve të dashur miq dhe shokë, për këtë nder që më bëtë, duke më ftuar sot. Pritmi ynë varet nga puna e mësuesve, varet nga arsimi dhe edukata e djelmërisë. Në këtë edukatë të shpirtit, të mendjes dhe të zemrës dua që një pikë të inspirohet mirë në frymë të nxënësve. Dua të them: ndjenja e përgjegjësisë. Çdo njeri duhet të jetë i përgjegjshëm për punët dhe sjelljet e tij, të ngrejë gjithë barrën e akteve, pa vënë re ç’bën fqinji dhe shoku i tij, pa humbur kohën të shikojë dhe të kritikojë t’afërmin. Le të kuptojë secili prej nesh dhe të kemi si themel të edukatës përgjegjësinë personale.

Është i vetmi mjet që të arrijmë ne vetë në përmirësim dhe përparim moral, e vetmja fushë që t’i bëjmë të rinjtë e Shqipërisë sonë të bëhen të dobishëm e të vlefshëm. Tetë vjet më parë, kur fati i zi më shtrëngoi të largohem nga ky dhé i dashur, Shqipërinë e lashë jo vetëm të shkelur prej fuqive të huaja, po edhe të shikuar prej shqiptarëve vetë si një krijesë e të huajve, si një foshnjë, për të cilën s’kishte zemër nëne, që të qajë dhe të mëshirojë. Përpara një ideje të tillë, sa herë përndërtohej ndërgjegjja patriotike! Vdekja, pa dyshim, do të dukej më e mirë se sa një vetëvrasje e ngadalshme.

Sot, Shqipërinë e kemi tonën, të krijuar me përpjekjen tonë, të bërë me thonj e me dhëmbët tonë dhe më tepër akoma, me dëshirën dhe vullnetin tonë. E kemi sot vendin tonë të dashur, jo si një dhuratë të pamëshirshme të Evropës, po të bërë dhe të krijuar prej nesh, kundër dashjes dhe dëshirës s’Evropës. Lirinë dhe vetëqeverimin tonë e kemi marrë me pahir, rrëmbyer me fuqi. Ajo Evropë, që pretendonte se po luftonte për të drejtat e popujve dhe për të mbrojtur drejtësinë dhe qytetërimin, ajo Evropë, që gjer më dy vjet më parë na shikonte si të dënuar me vdekje, si të gatuar për të qenë gjahu dhe plaçka e të tjerëve, zuri të na respektojë dhe të na dojë, vetëm kur pa se jemi të zotët të mbrojmë ne vetë jetën tonë. I dhamë këto prova, kur kuptuam se Shqipërinë jemi të zotë ta bëjmë vetë. Tani mund të jemi të sigurt se kemi një simpati të madhe në botë të qytetëruar, një simpati të vërtetë. Mbi këtë, një barrë e rëndë na bije mbi ndërgjegje: këtë truall që e krijuam, duhet që ta ruajmë, ta zbukurojmë. Është një detyrë ati dhe mëme kundrejt birit të tij. Është dhe një detyrë biri drejt mëmës së tij. Kemi detyrë jo vetëm të matim dhe të vëzhgojmë Shqipërinë tonë, po dhe ta mbrojmë prej rreziqeve, që e rrethojnë, ta bëjmë të përparuar e të ndriçuar. Dhe nuk mund të punojmë për kombin dhe vendin tonë, po që nuk patëm një dashuri për çdo cep të Shqipërisë, një dhembshuri për çdo njeri të kombit tonë. Duhet të zgjojmë kultin e patriotizmës, adhurimin e Shqipërisë. Bota e sotme s’na jep ndonjë shembull kulti dhe adhurimi për truallin e gjyshërve. Po, në këqyrshim historisë e afërme të Rilindjes, do të shohim se kjo rilindje është bërë vetëm pasi ka zënë populli që të ndjejë në zemër të tij një dashuri të përsosur për çdo send që i përket atdheut dhe kombit. Patriotizma është mbase një egoizmë. Ajo ndjenjë na shtyn të kërkojmë madhërinë dhe nderin e kombit, se tek ajo madhëri e te ai nder do të gjejmë ne vetë madhërinë, lumturinë dhe nderin tonë. Jemi patriotë se e dimë që pa një truall dhe pa një shtet të fortë, pa një komb të përparuar, bije në rrezik rrojtja dhe jeta jonë.

Ky gjykim na shtyn dhe duhet të na shtyjë që të bëjmë disa therori për të mirën e përgjithshme, që të mos mendojmë vetëm interesin tonë të tanishëm, po interesin e përbashkët të nesërm, se ai interes do të na ruajë dhe interesin tonë të veçantë. Kështu, pra, egoizma e patriotizmës ndryshohet dhe këmbehet në një altruizmë të vërtetë dhe na shtyn në therori.

Nderi dhe madhëria e çdo shqiptari varet nga nderi dhe madhëria e Shqipërisë. Është një llogari e lajthitshme ajo që të përbuzësh shokun, me shpresë që të lartësosh veten tënde. Statujën e një njeriu të madh nuk e shtien brenda në një gropë, po e ngrenë në një piedestal të lartë, mbi një themel të shëndoshë. Në doni, pra, që të jini të nderuar dhe të mëdhenj, bëni më parë Shqipërinë dhe kombin shqiptar të jenë të madhëruar e të lartësuar. Miq dhe shokë të mi, mësoni të kurseni kohën, mësoni mirëpërdorimin e kësaj gjeje të vlefshme, që i thonë kohë. Na vjen keq për plaçkat materiale dhe e dimë vleftën e një vilari pëlhure.

Harrojmë se ditët tona janë të matura dhe se gërshëra e shtrigës kohë, është gjithnjë gati të presë fillin e gjëllimit. Vendi dhe kombi ynë duan punë të gjatë, me durim të palodhur. Kemi një mijë e një punë për të bërë. Puna lyp kohë. Kuptoni mirë vleftën e këtij faktori dhe mos e vdisni kot.

Lumo Skëndo

Filed Under: Komente

“NATO, mesazhe gjeostrategjike nga Baza Ajrore e Kuçovës”

March 4, 2024 by s p

Gjeneral ® Piro AHMETAJ/

Siç është bërë gjerësisht e njohur, sot, “datë 4 Mars 2024”, nëpërmjet një ceremonie të shtetit shqiptar, Aleancës Euroatlantike, SHBA-së, etj do të inagurohet përfundimi i projektit të NATO-s për: “ndërtimin e Bazës Mbështetëse Ajrore të Kuçovës”.

Në pamundësi për t’ju përgjigjur fizikisht ftesës “gjithëpërfshirëse” të Ministrit Peleshi, në “kapacitetin e Ekspertit të Sigurisë Kombëtare, Rajonit dhe NATO-s”, po adresoj disa këndvështrime rreth mesazheve gjeopolitike, strategjike, operacionale dhe ndoshta ekonomike të këtij projekti, ose mbi prezencën, për herë të parë me instalime ushtarake në kohë paqe (Peace Establishment) të NATO-s në territorin e RSh:

Pikësëpari, për (a) peshën gjeopolitike të këtij projekti mjafton të sjellim në memorjen kombëtare, që jo rastësisht, përfundimi i këtij projekt u konfirmua nga Sekretari i Shtetit të ShBA, z. Blinken, gjatë vizitës në Tiranë: “muajin e ardhshëm do të përurohet baza ajrore NATO-s në Kuçovë”!

Kjo pasi, si për çdo vënd tjetër anëtar, prezenca (footprint) ushtarake në kohë paqe e NATO-s në territorin e Republikës së Shqipërisë, mbart jo vetëm mesazh strategjik për sigurinë kolektive (artikulli 5) por edhe për mbrojtjen e interesave gjeopolitike të Aleancës Euroatlantike (USA/NATO) në Rajon dhe Mesdhe. Për rrjedhojë, besoj se vendi i parë mes 31 vendeve anëtare të Aleancës që ka përfitime gjeopolitike është RSh!

Për më tepër, përzgjedhja e kësaj e baze nga NATO, sigurisht lidhet edhe me (b) pozicionin gjeostrategjike të bazës së Kuçovës, e cila “prej 1955 deri 1992 ka shërbyer si bazë me peshë strategjike, kryesisht për shkak të Mig-ve, që edhe pse përtej mundësive të një vendi mjerisht të izoluar, për prapagandën e regjimit konsideroheshin si “legjione kamikaze” të fuqisë Ajrore të RPSSh, pra kundër kampeve të imperializmit (USA/NATO) si dhe revizionistëve Sovjetik (Varshav), ose edhe të dyja së bashku” !!

Por në situatën aktuale, ndërtimi kësaj baze, ose prezenca në kohë paqe e NATO-s në territorin e RSh, sigurisht mbart edhe një “mesazh force” ndaj Rusisë – Putiniste dhe çdo vendi tjetër që vijon të shpërdorohet nga Kremlini: “kush guxon të sulmojë ushtarakisht jo vetëm integritetin territorial të Republikës së Shqipërisë, por tashmë edhe prezencën e NATO-s (siç është Baza Ajrore e Kuçovës), do të përballet dhe do të ndëshkohet në mënyrë shëmbullore nga fuqia e pakonkurueshme Ajrore e Aleancës së Atlantikut të Veriut”, që u konfirmua si e tillë në 1999, kundër makinerisë kriminale të Millosheviçit, apo Jo ?

Nga ana tjetër, ndërtimi kësaj baze në territorin e RSh (edhe pse gjithësesi modeste), i jep (c) peshë shtesë aftësive operacionale të NATO-s por edhe garanci besimit publik te fuqia dhe vlerat e Aleancës për mbrojtjen e tërësisë teritoriale në kuadër të artikullit-5, por edhe në kuadër të mbështetjes së stërvitjeve dhe manovrave operacionale të NATO-s dhe Forcave Ajrore të RSh.

Përsa (d) përfitimet ekonomike nga ndërtimi i kësaj baze (gjithësesi modeste në kapacitete), nuk janë as pjesë e ekspertizës, as qëllimi i këtij opinioni. Megjithatë mund të përmend: “projekti ka nisur në 2018 me reciprokisht 50 milion € nga nga fondi përbashkët i Aleancës (NATO Common Funds) si dhe 5 milion € nga pala Shqiptare”, që ka edhe përgjegjësitë e vendit pritës (RSh) për: “shpronësimet, ndërtimin e perimetrisë së sigurisë dhe rrugëve lidhëse, standartet e mirëmbajtjes së hangarëve, depositave të karburantit, ndriçimit, kamerave të sigurisë si dhe të sensorëve të zbulimit përreth bazës”.

Ndërsa përtej konfuzionit që e ushqehet jo vetëm nga ushtria e “sekserëve mëndjendryshkur”, shtoj se, mundet edhe të ketë efekte ekonomike modeste, për komunitetin e biznesit në zonën e Kuçovës, përfitime që gjithësesi do të ndërvaren nga personeli aktiv ushtarak për sigurinë e bazës, operatorët, mirëmbajtjen si dhe kryesisht nga dinamika e aktiviteteve ushtarake, siç janë stërvitjet e NATO/USA (p.sh Steadfast 2024), apo të FARSh, etj që mund të organizohen në këtë bazë. Sigurisht do doja dhe uroj të jem i gabuar, por nuk besoj kurrësesi se komunitetit të rrethinave të Kuçovës: “bashkë me këtë bazë do t’i vijë ndonjë parajsë ekonomike, as do shpërthejnë puse elektorale punësimesh, etj”.

Së dyti, pikërisht për këto vlera dhe asnjë mëdyshje, 4 Marsi 2024 meriton të skalitet si “një datë që i bën nder historisë së marrëdhënieve të RSh me NATO-n”. Por përtej vullnetit konstant politik në 1994, 2008, 2013, apo 2018, nuk janë kurrësesi vitet që e “veshin me dekorata të ekzagjeruara Partinë në pushtet”, ndërsa 2018 është inventarizuar si viti që NAC/NATO ka miratuar projektin e propozuar nga SHAPE për ndërtimit e Bazës Ajrore Mbeshtetese të Kuçovës.

Kështu përtej kakofonisë së jo vetëm opinionistëve të gjithëditur dhe për shkak të së vërtetës duhet qartësuar se: “parimi i pa negociueshëm” për miratimin e projekteve që ndërtohen nga fondi i përbashkët i Aleancës, nuk janë kursësesi kërkesat/ambiciet e Qeverisë së radhës/rastit, por vetëm pesha gjeostrategjike dhe operacionale që ofrojnë projekti konkret në dobi të misionit të NATO-s për mbrojtjen e sovranitetit të 31 vendeve anëtare.

Si ndër dëshmitarët teknik të reformës së mbrojtjes, më tej si Përfaqësues Kombëtar Ushtarak në Komandën Supreme të NATO-s (SHAPE), më duhet ta konfirmoj me përgjegjësi se “lista me të gjitha infrastrukturat strategjike” (bazat tokësore, detare dhe ajrore të RSh, përfshi Bazën Ajrore Kuçovës etj,) janë vënë vullnetarisht në dispozicion të Aleancës që mbas aplikimit të RSh për në programin e Partneritetin për Paqe në 1994 (PfP/NATO). Ndërsa për më tej, këtë listë e kam/kemi dorëzuar zyrtarisht (në emër të RSh) në SHAPE sipas një formulari standart (të detyruar) për secilën (çdo infrastrukturë të listës) mbas marrjes së ftesës së anëtarësimit në Samitin e Bukuresht, në Prill 2008.

Pra miratimi i projekteve që investohen nga Fondi i Përbashkët i Aleancës (NCF) nuk bazohet kurrësesi në orekset dhe axhendat elektorale të 31 vendeve anëtare apo nga Emri, gjatësia apo Partia e KM, apo MM në detyrë, por vetëm nga nevojat dhe impaktet operacionale që prodhohen për mbështetjen e policimit ajror si dhe përmbushjen e misionit bazë (artikulli 5) apo/dhe rast pas rasti në angazhimet paqebërëse të Aleancës.

Konkretisht, miratimi për financimin e 50 Milion € për ndërtimin e Bazës Ajrore të Kuçovës është bërë nga NAC në 2018 (pa asnjë kërkesë specifike të Qeverisë RSh), por vetëm pasi u peshua (nga një listë me qindra baza ajrore të ofruara nga vendet e tjera) si dhe u rekomandua nga Komanda Supreme e NATO-s (SHAPE) si një “bazë ndihmuese eficiente për mbështetjen e operacioneve të Aleancës”.

Në përmbledhje të sa më sipër, ndërtimin e kësaj baze të NATO/RSh e çmoj me interesa të larta gjeopolitike, strategjike, operacionale, ekonomike si dhe për besimin publik te fuqia dhe vlerat e Aleancës Euroatlantike. Ndërsa përtej përfitimeve, Tirana Zyrtare duhet të demostrojë mirënjohje kombëtare dhe përgjëgjesi shtetërore shtesë duke përmbushur të gjitha detyrimet dhe standartet e Aleancët të përcaktuara në marrëveshjen e SOFA-s për personelin aktiv të angazhuar në sigurinë fizike, elektronike si dhe përmirësimin e kulturës së bashkëpunimit me Forcat Ajrore të USA/NATO (Ramstein, Gjermani).

Nga ana tjetër, ky projekt jo vetëm zyrtarizon prezencën (footprint) e parë në kohë paqe të NATO-s në teritorin e RSh por edhe që demostron peshën gjeostrategjike si dhe konsistencën 15 vjeçare të RSh (prej anëtarësinit, 4 Prill 2009) si anëtare serioze ndaj kërcënimeve dhe përgjegjësive të përbashkëta, pasi edhe në këtë rast: “Tirana Zyrtare demostron mbështetje të pa kushtëzuar ndaj projekteve për modernizimin e fuqisë ushtarake të Aleancës në interes të sigurisë kolektive (artikulli-5) të 31 vendeve të NATO-s, mbrojtjen e vlerave dhe interesave Euroatlantike (USANATO); si dhe deri në fitoren “ jo vetëm për Ukrainën”!

Duke e vlerësuar me interesa të larta/afatgjata kombëtare ndërtimin nga NATO të Bazës Ajrore të Kuçovës, duhet edhe ta nënvizojmë se kësaj arritje nuk i vlejnë kurrësesi as ekzagjerimet dhe as privatizimi Partiak; as llogjet cinike me “opozitën me/pa brava dhe vulë”; as shpërdorimi i Institucioneve Kushtetuese si infermeri (pa) shërimi nga “sëmundja bolshevike e të gjithaPushteteve”, POR: “vetëm dashuria, nderimi dhe përulësia për vendin, përgjegjësia e lartë shtetërore ndaj interesave kombëtare, besimi si dhe “bekimi” nga/ndaj vlerave perëndimore dhe partneritetit strategjik me SHBA, NATO dhe BE”.

Së fundmi, duke j’u uruar suksese personelit të Fuqisë Ajrore të NATO-s si dhe kolegëve Shqiptarë, e meritojnë po ashtu t’ju shprehim mirënjohjen projektuesve, kontribuesve për ndërtimin e kësaj baze si dhe domosdoshmerinë e: “ppërditësit të mëtejshëm i Sistemit të Sigurisë dhe Mbrojtjes Kombëtare, duke modernizuar konceptin, strukturat, kapacitetet, balancat demokratike të pushteteve si dhe kulturën Euroatlantike të bashkëpunimit me NATO-n”.

* Autori, Gjeneral ® Piro Ahmetaj:

Ekspert për SK, Rajonin dhe NATO-n,

Zv/President i Këshillit Atlantikut; & ish:

Këshilltar i Presidentit, Zv/ShShPFA,

Përfaqësues Ushtarak në SHAPE/NATO.

Filed Under: Komente

580 VITE NGA BESËLIDHJA E LËZHËS

March 4, 2024 by s p

2 MARS 1444/ Atëmotin e besëlidhjes së kryezotëve të Arbrit, fjala e Skënderbeut në Kuvendin e Lezhës, sipas Marin Barletit.

Nga Albert Vataj

Asokohen kur u beslidhën dalzotët, atëmot kur mori udhë kuvendi i kryezotëve dhe princërve të Arbrit. Më 2 mars të viti 1444 çeli punimet ai tubim gjithëarmbnor. S’andejmi përfaqësues të zotërimeve erdhën për t’u lidhur në besë. Një e nesërme e përgjakshme dhe robërie do të behte stuhishëm në vortar e t’parëve. Bisha e orientit në grahmat e një vrage “tradhtie” po gatitej në hakërrinë e një hakmarrjeje. Rifitimi i Krujës dhe zotërimeve të tjera, të rrëmbyera nga Skënderbeu e kishin kapluar në qiell inatin e kësaj makine të përbindshme vrastare. Duhej dalë zot fateve të trojeve arbnore. Askush më i besueshëm dhe më ndikues se Skënderbeu nuk do të ishte ndër ta, zotër dhe kryezotër, trima dhe fisnikë. Kuvendi i Lezhës mbetet një prej fillesave më të qenësishme të gjallimit të vetëdijes së Arbrit në marrjen në dorë të fateve. Themelët e një aleance politiko-ushtarake të këtilla përmasave, kanë të bedentë këtë tubim të sunduesve të asokohshëm. Rrethanat historike, pritshmëritë e zhvillimeve, dinamika e fushatave osmane, mrujtën idenë e thirrjes së kryezotëve në një kuvend, nga ku do të përftohej tharmi i një aleance dalëzotësish të fatit të Arbrit.

Një pjesë e trojeve duke qenë nën paqen të kushtezuar, stepi vendimmarrjen e princërve për t’u bërë pjesë e këtij kuvendimi. Kësisoj dhe ndryshaz shtrimi i kësaj rrugë kërkoi një punë paraprake dhe ngulmëtare të Skënderbeut, si nistar dhe prijës i kësaj mbledhje grusht në Lezhë. Megjithatë të gjithë kryezotët u gjendën në një dakordësi duke u bërë pjesë e vullnetit të bashkimit nën një përbetim. U dyndën nga krejtkah arbri shtrihej, zotër dhe princër, kryetrima dhe kryezotë.

Fjala e Skëndërbeut në Kuvendin e Lezhës

Etër dhe princër fort të nderuar, dhëntë Zoti e pushofshin të krishterët tanë së besuari dhe më në fund, njëfarë neverie na majttë ne larg besës otomane, ose, më drejt, larg pabesisë së tyne mëse kartagjenase. Dhe unë sot, sigurisht nuk do të turbulloj qetësinë e atdheut, si një iniciator, ndoshta i urryer i një lufte të re dhe nuk do t’ju shtyja juve me ngut në këto vështirësi e rreziqe të luftës për interesa të larta, sikur Gjon Kastrioti, babai im i dëgjuar, e nga ana tjetër, një princ shumë i urtë të mos i kishte zënë aq fort besë këtij Murati të pabesë, kur nën preteksin e paqes, arriti t’i merrte rob e peng për siguri të bijtë. Por ç’të qahesh më tej për prindin tim? Ky është një gabim i përgjithshëm, një fat i përbashkët i të gjithë princërve të krishterë. Ç’të them për fuqinë e grekëve, të misëve dhe pastaj të princërve të tjerë të krishterë? Të gjithë këta, s’ka dyshim që i zhduku një besim i tillë i tepruar dhe tani s’u ka mbetur asgjë nga otomani i pabesë, veçse mundësia për t’u penduar.

Prandaj nuk mbetet asgjë, o etër të këtij Kuvendi…

Por ja, do të thoshte kush, shumë gjëra otomani i ka shtënë në dorë edhe me trimëri. Krahina të panumërta dhe mbretëri të shumta i ka vënë nën zgjedhë në ditët tona me anë të armëve, e do të numëronte fitoret e pambaruara të tij: Hyri krenar në Azi, i ra jo një herë anë e mbanë Greqisë dhe pa derdhë pikën e gjakut, u fut kaq herë në Misi. Pra, mos kujtoni vallë se ai e paska aq të lehtë të godasë Arbërinë e pamposhtur, Epirin e pathyeshëm. Arbrin, Epirin, ku gjithë këta kapedanë, gjithë këta princër të pathyeshëm, gjithë këta popuj fort luftarakë janë në vlug të fuqisë me armë në dorë, e të bashkuar! Dhe me të vërtetë, se sa e çmojnë barbarët dhe se sa e llogarisin trimërinë tuaj, për këtë, dëshminë më të sigurtë mund ta keni nga unë, që kam kaluar shumë vjet me ta në paqe e në fushë. Me pahir e me përdhunë, i binden nevojës për të luftuar kundër jush…

Por ndërsa dëshira ime për të folur dhe arsyeja e një pikëllimi të përligjur po më shtyjnë që të zgjatem, unë po e them hapur se do të ketë shumë nga ata që janë mësuar për një kohë kaq të gjatë me paqen, megjithëse jo krejt të ndershme, dhe prandaj mund të hidhërohen ngaqë nuk i ftoj tani për këto luftëra të vështira dhe mund të thonë se sido që të marrë puna e fatit, asgjë s’mund të kryhet pa gjakun e tyre. Do të pikëllohen gjithashtu nënat, që do të duhet t’i dërgojnë bijtë në luftëra të rrezikshme, do të vajtojnë gratë; të shqetësuara për fatin e burrave, dhe fëmijët e vegjël, të lënë në shtëpi, nga frika se mos mbeten jetimë. E ndoshta të gjithë do të më quajnë gjakatar, gjë që tmerrohem kur e mendoj dhe do të më mallkojnë si një shkaktar të papritur luftërash të rrezikshme dhe të gjakshme…

… Vetë përfundimi i luftës si një gjykatës i drejtë, do të tregojë për së shpejti në është bërë çdo gjë mirë, apo keq. Vetëm për një gjë do të guxoj unë t’ju zotohem juve të gjithëve, se në të gjitha punët e mundimshme që do të na duhet të hyjmë, në të gjithë rreziqet që do të jetë nevoja të përballojmë, mua do të më keni ushtar apo kapedan me durim të pathyer. Çshtjes suaj e të krishtërimit, unë s’kam për t’i munguar as ditë as natë, asnjëherë…

Por sido që të ndoshë në këtë mes, ne të paktën s’kemi për t’u penduar për qëllimet tona, sepse unë gjatë gjithë asaj kohe që jetova me armikun, ia mësova dhe ia di shumë mirë lëkurën, dhelpëritë, mashtrimet e gjithë zakonet me radhë, gjë e cila është shumë e rëndësishme në punët e luftës…

(Në këtë luftë) do të kemi me vete Senatin dhe popullin e Venedikut, të vetmen shtyllë të fesë së krishterë, më të fuqishme sot në det e në tokë, që mund t’i krahasojë triumfet e veta me gjithë triumfet që mbahen mend në historinë njerëzore dhe që mund të matet me të tjerë për çfarëdolloj lavdie…

…Fjala që ka marrë dhenë dhe thëniet e të gjithëve, pohojnë se një ushtri shumë e madhe po gatitet pareshtur kundër nesh dhe me energji nga më të mëdhatë që mund të bëhen. Prandaj i duhet dhënë fund çdo vonese, o etër të Kuvendit, duhen lënë mënjanë këto këshillime tona, për të cilat nevojat e luftës s’kanë kohë të presin. Duhet t’i bien anë e mbanë gjithë vendit, duhet të shpallet vendimi, duhen numëruar kokë për kokë njerëzit, të shkruhen pa humbur kohë ushtarët, me qëllim që të mos i kërkojmë mënyrat e luftës kur të jetë vonë, atëherë kur të kemi armikun përpara dhe kur buçima e borive për të thirrur ushtarët, të na shurdhojë veshët.

Ngrihuni pra, o etër të pathyeshëm, tregohuni më në fund, me ndihmën e perëndive, të denjë për sundimin e krishterë para gjithë brezave që do të vijnë këtej e tutje. Falenderimet nga unë për mirësinë e sotme, pritni të armatosur, me përkrenare në krye, para flamujve, në djersë, në pluhur dhe do t’i keni sipas ndihmave që do të jepni për luftën…

Pjesë nga fjala e Skënderbeut në Kuvendin e princërve të Arbrit.

“Historia e Skënderbeut”, Marin Barleti, f.122-129

Themelet e Kuvendit të Lezhës

Për t’ia arritur këtij qëllimi, Skënderbeu sapo mori Krujën. filloi bisedimet paraprake me bujarët shqiptarë. Këto bisedime, vazhduan edhe në fillim të vitit 1444. Fitoret që po korrte Huniadi, lajmet që qarkullonin në ato muaj se në vendet e ndryshme të Evropës qëndrore e perëndimore po bëheshin përpjekje për të organizuar një fushatë të re ushtarake kundër turqve, suksesi i shpejtë që korri Skënderbeu në çlirimin e zotërimeve të Kastriotëve si dhe gadishmëria e mbarë popullit për të luftuar kundër turqve, i bindi bujarët shqiptarë se kishte ardhur koha që të çliroheshin edhe ata nga zgjedha e sulltanit dhe të rifitonin zotërimet e tyre të mëparëshme. Ne këto rrethana, ftesa e Skënderbeut për të mbajtur një kuvend të përgjithshëm gjeti pëlqimin e pothuajse të gjithë bujarëve shqiptarë. Kuvendi u vendos të mblidhej në fillim të marsit. Mbledhja u caktua të bëhej në qytetin e Lezhës që ishte nën zotërimin e Venedikut, për të mos ngjallur dyshimin e republikës dhe për të evituar pakënaqësinë e bujarëve, që mund të shkaktohej në qoftë se mbledhja bëhej në një nga domenet feudale. Republika e Venedikut dhe ajo e Raguzës u ftuan të dërgonin përfaqësuesit e tyre në kuvend.

Kuvendi u çel më 2 mars 1444 pranë katedrales së Shën Kollit të Lezhës. Midis bujareve që moren pjesë në kuvend qenë udhëheqësit e kryengritjeve të mëparëshme: Gjergj Arianiti, Andre Topia, Nikollë Dukagjini dhe Teodor Korona Muzaka. Personalitete të tjera të rëndësishme qenë gjithashtu Pal Dukagjini, Lekë Zaharia, Lekë Dushmani,Gjergj Stres Balsha, Pjetër Spani, sundimtari i Malit të Zi Stefan Cernojeviçi dhe mjaft feudalë të tjerë. Në kuvend morën pjesë edhe përfaqësues të fiseve malësore.

Çfarë u diskutua

Çështja kryesore që u bisedua në kuvend qe ajo e bashkimit të vendit në luftën kundër turqve. Skënderbeu, pasi u foli pjesëmarrësve të kuvendit mbi të kaluarën e tij dhe arësyet që e kishin detyruar të shërbente si sanxhakbej i sulltanit, u theksoi atyre nevojën e bashkimit të forcave të vendit per të marrë pjesë në luftën kundër turqve tani që fitorja e hungarezëve kishte hapur prespektiva për çlirimin e popujve të Ballkanit. Në përfundim të bisedimeve, bujarët shqiptarë, megjithëse në shumë çështje kishin divergjenca të theksuara, u shprehën në mënyrë të njëzëshme për bashkimin e tyre në luftë kundër turqve, bashkim ky në shkallë kombëtare që ndodhte, nga sa dihet, per të parën herë në historinë e Shqipërisë feudale. Me pëlqimin e pjesëmarrësve kuvendi vendosi formimin e një besëlidhjeje e cila njihet me emërin “Lidhja shqiptare”, ose “Lidhja e Lezhës” Lidhja shpalli Skënderbeun kryetar të saj.

Vendimet e Kuvendit

Një vendim tjetër me rëndësi që mori kuvendi i Lezhës qe formimi i një ushtrie shqiptare me repartet që do të rekrutonin si Skënderbeu ashtu dhe bujarët e tjerë në zotërimet e tyre. Komandant i saj u caktua gjithashtu Skënderbeu, me titullin “kapiten i përgjithshëm ndërsa komandantët e reparteve të veçanta do të caktoheshin nga vetë bujarët. Përveç ushtrisë, kuvendi vendosi të krijonte edhe një arkë të përbashkët për të përballuar shpenzimet e luftës. Fondi do të krijohej me kontributet që do të jepnin bujarët shqiptarë si dhe me një pjesë të të ardhurave të kriporeve të Shën-Kollit që ndodheshin në veri të Durrësit. Kontributi që premtuan të jepnin bujaret arriti në shumën e rëndësishme prej 200 mijë dukatësh ari.

Filed Under: Komente

Gjuha Shqipe në gojën e nënës sime

March 1, 2024 by s p

Lazer Stani/

Gjuha shqipe gjithmonë më ka magjepsur në gojën e nënës sime. Ditën fliste pak, merrej me punë, nuk kishte kohë as të merrte frymë. Po, ndërsa hynte e dilte në dhomën tonë të ndenjes, gjithmonë thoshte ndonjë fjalë, ndonjë shprehje, herë duke m’u drejtuar mua e herë pa iu drejtuar askujt, duke e lënë fjalën ose fjalinë pezull në ajër, në pritje që dikush ta dëgjonte para se fjala ose shprehja shuhej, të varrosej në heshtjen që lëshonin muret e trashë në atë qoshe të humbur të botës ku jetonim. Por kishte edhe raste kur nëna ulej pranë meje e bisedonte vetëm me mua, ose lëvizte nëpër shtëpi gjithë gjallëri dhe vazhdonte të më fliste, sikur donte të ndante barrën e rëndë te fjalëve me mua. Edhe pse fëmijë, unë e pata kuptuar se nëna ime fliste më bukur se të gjithë njerëzit që njihja. Përveç zërit të ëmbël dhe pëshpëritës, që në veshin tim vinte si një kompozim mahnitës, ajo vazhdimisht shqiptonte fjalë që unë nuk i dija, ose shprehje që duhej të ishin shumë të vjetra e vinin nga thellësia e kohës, të ngjeshura e të lëmuara, si gurët e zallit të bartur prej larg, nga thellësitë e maleve.

Kjo gjuhë bëhej më e gjallë dhe me e pasur kur ajo me tregonte histori, përralla të dëgjuara apo rrëfime të krijuara prej saj, me përsonazhe që ajo dinte t’i veçonte prej gjuhës që flisnin. Fjala në gojën e saj sikur gjente vetveten, rikrijohej e shqiptohej, sikur thuhej për herë të parë. Trupi i imët dhe i brishtë i sime mëje dukej sikur ishte krijuar prej fjalëve dhe sa herë fliste, rrëfente, ose këndonte, mua më dukej se ajo do të shndërrohej e tëra në fjalë, e tëra në gjuhë, do të shndërrohej në gojë të drurëve, gurëve, lumejve, shkëmbijëve, maleve, horizontit, qiellit deri sa të tretej e të shuhej krejt në fjalën e fundit. Ligjërimi i saj ishte i thjeshtë, i butë, muzikor, kumbues, i çlirët, i natyrshëm, magjepsës….

Nga “Instinkti i Fjalës”

Filed Under: Komente

Vendimi i Kryeministrit Kurti për heqjen e Dinarit serb nga qarkullimi

February 26, 2024 by s p

Dr. Vlora Obërtinca/

Tash sa ditë është temë aktuale heqja e dinarit nga qarkullimi në territorin e Republikës se Kosovës. E drejtë legjitime do të mendonte njeriu, duke qenë që shteti duhet ta shtrijë legjitimitetin e kontrollës financiare brenda integritetit të vet territorial.

Shtrohet pyetja, a ka të drejtë kryeministri Albin Kurti në kërkesën e tij për heqjen e Dinarit serb nga qarkullimi dhe aplikimin e Euros si valutë të vetme në tregun financiar të Kosovës ?

Një Bankë Qëndrore e një shteti është shtylla e tretë shtetërore pas Kryetarit dhe Kryeministrit, që mbikqyrë dhe rregullon tërë tregun financiar brenda shtetit, duke përfshirë edhe politikën monetare ku menaxhohet tregu i parasë. Por, a e shtrin autoritetin e vet Banka Qëndrore e Kosovës në veri të Kosovës që nga viti 1999 ? Sigurisht që JO.

Ne vitin 2007 Banka Qendrore e Kosovës nën udhëheqjen e Unmik-ut i kishte dhënë licencën “Komercialna Banka” të Serbisë për të operuar në veri të Mitrovicës dhe enklavat e tjera serbe, ndonëse, nuk kishte qasje e as autoritet mbikeqyrës që nga themelimi e deri në mbyllje të kësaj banke në fund të Janarit 2024 ! Athua është në dijeni BE-ja me emisarët e vet ndërmjetësues për këtë cështje ? A do ta kishte lejuar Banka Qendrore serbe në Beograd apo edhe Banka Qendrore Evropiane një bankë të huaj të vepron në selinë e saj në Frankfurt për 16 vite radhas, pa e mbikqyrur dhe pa pasur casje asnjeherë si në rastin e Kosovës ? Këto quhen standard të dyfishta që pengojnë Kosovën për anëtarësim në BE. Përderisa emisarët e BE-së shkojnë e vijnë, në vend se ta miratojnë heqjen e Dinarit nga qarkullimi si vendim legjitim i BQK-së, tani ata ftojnë qeveritarët tanë padrejtësisht për të diskutuar këtë temë në Bruksel.

Nuk njoh Kryeministër në botë që do të lejonte anarki financiare brenda shtetit të vet, sic kanë lejuar kryeministrat kosovare që nga viti 1999 deri te kryeministri Kurti. Andaj, a ka te drejtë Kryeministri Kurti në kërkesën e tij për shtrirjen e legjitimitetit financiar brenda territorit të shtetit të tij ? Absolutisht PO .

Kur Banka Qëndrore e një shteti nuk ka kontrollë mbi qarkullimin e një valute të dytë në tregun e vet financiar, situata mund të jetë e komplikuar dhe të sjellë shumë sfida dhe pasoja si:

Mungesa e Kontrollit të Politikës Monetare me ç’rast Banka Qendrore mund të ketë vështirësi në menaxhimin e politikës monetare në mënyrë efektive. Kur një valutë e huaj në këtë rast Dinari serb qarkullon lirishëm në tregun financiar të Kosovës, Banka Qendrore humbë kontrollin mbi faktorët që ndikojnë në kursin e këmbimit dhe në nivelin e furnizimit të valutës zyrtare në këtë rast Euro. Sasia e parasë në qarkullim nuk ka kontrollë, andaj fenomenet negative si inflacioni, deflacioni apo edhe krimet financiare mund të jenë të pranishme. Përvec, kësaj emetimi i letrave me vlerë nuk arrin deri në veri të Kosovës, që në mënyrë indirekte ndikon negativisht në të hyrat buxhetore shtetërore dhe në zhvillimin ekonomik të vendit.

Sipas kësaj logjike të hyrat buxhetore nga tregu financiar, doganat dhe ATK-ja duhet të shpërndahen nëpër komunat e veriut dhe enklavat serbe por, kur vije puna që ato të kontribuojnë në mbushje të buxhetit shtetëror, ato mund të shmangen dhe lirisht ta shkelin ligjin madje me dijeni të Brukselit zyrtarë. Mos të harrojmë se BE-ja ka asistuar vazhdimisht që nga viti 1999 në implementin e standardeve financiare konform ligjit dhe rregullave të saj, duke i mbeshtetë edhe sot e kësaj dite institucionet financiare të Kosovës për mbretërim të ligjit, si standard i pashmangëshëm për anëtarësim të Kosovës në BE. Kjo për Kosovën dhe BE-në do të thotë ‘ sillu e biri vetit “!

Papërshtatshmëria e Kushteve të Financimit me ç’rast një valutë e huaj qarkullon lirisht, pa rregullat ligjore të tregut financiar të shtetit ku vepron, në këtë rast Kosovës, mund të ketë ndikim negativ në kushtet e financimit të shtetit. Nëse shumica e transaksioneve zhvillohen në një valutë të huaj, ku shteti nuk ka qasje, shteti mund të jetë i ekspozuar ndaj riskut të lartë valutor, duke e bërë më të vështirë për të financuar borxhin dhe për të menaxhuar kushtet e tij financiare.

Ndikim Negativ në Kursin e Këmbimit dhe në Stabilitetin Ekonomik, me ç’rast një valutë e huaj ka një ndikim të madh në tregun financiar të shtetit, kjo mund të sjellë paqëndrueshmëri në kursin e këmbimit dhe të shkaktojë turbulencë në ekonominë vendase. Kur kursi i këmbimit është i paqëndrueshëm, mund të ketë pasoja negative për stabilitetin makroekonomik dhe për fuqinë blerëse të qytetarëve dhe bizneseve.

Rreziku i Arbitrazhit me ç’rast mund të ketë dallime në vlerën e dy valutave brenda një shteti, atëherë ka rrezik që individët dhe kompanitë të përfitojnë nga ky dallim duke bërë arbitrazh dhe shfrytëzim të sistemit anarkik financiar.

Vështirësi në Planifikimin dhe Stabilitetin Makroekonomik me ç’rast ka dy valuta të përdorura brenda një shteti, dhe është shumë e vështirë për autoritetet ekonomike të planifikojnë dhe të sigurojnë stabilitet në nivelin makroekonomik. Si pasojë e kësaj Kosova nuk ka mundur ende të realizon Rejtingun Kreditor nga kompanitë me renome botërore sic është “Standards and poor”, si pasojë e së cilës vështirë se do ta kthen kokën kah Kosova ndonjë investor serioz. Investitorët ndërkombëtarë zakonisht shmangin vendet me rrezik të lartë ekonomik, duke krijuar një spiralë negative për zhvillimin ekonomik të atij vendi.

Rreziku i Kontrollit të Kapitalit me ç’rast, në rrethana kur një valutë e huaj qarkullon lirisht dhe pa asnjë kontroll nga shteti ku vepron, ka rrezik që kapitali të lëvizë lirshëm në dhe jashtë shtetit në reagim ndaj ndryshimeve në politikën monetare dhe fiskale. Kjo lloj lëvizjeje e lirë e kapitalit pa asnjë kontrollë nga rregullatori financiar dhe fiskal vendor, ai i BQK-së dhe ATK-së, mund të shkaktojë turbulencë dhe të çojë në humbje të kontrollit të shtetit mbi politikat ekonomike të tij.

Mungesa e besueshmërisë në Sistemin Financiar me ç’rast ekziston instabiliteti ekonomik dhe kursi i këmbimit është i paqëndrueshëm, besueshmëria në sistemin financiar të shtetit mund të preket. Kjo mund të shkaktojë një krizë besimi, duke çuar në tërheqje të depozitave bankare dhe zvogëlimin e aktivitetit financiar brenda vendit.

Humbja e Kontrollit Tatimor me ç’rast një valutë e dytë përdoret në tregun e brendshëm dhe Administrata tatimore nuk ka qasje në të, humbet kontrolli mbi transaksionet dhe të ardhurat e tyre nga taksat dhe tarifat. Kjo mund të zvogëlojë burimet e nevojshme të financimit për qeverinë dhe mund të shkaktojë vështirësi në mbajtjen e financave publike në balancë.

Rritja e Ekonomisë Informale me ç’rast, për shkak të mungesës së tatimeve dhe kontrollit tatimor mbi transaksionet në valutën e dytë, mund të rritet ekonomia informale dhe evazioni fiskal. Bizneset dhe indivdët mund të preferojnë të kryejnë transaksione në këtë valutë për të shmangur tatimet dhe tarifat e aplikuara në valutën zyrtare.

Rritja e Riskut dhe Pasigurisë Financiare me ç’rast, mosfunksionimi i kontrollit tatimor mbi një valutë të dytë mund të krijojë një mjedis më të rrezikshëm dhe të pasigurt për investitorët dhe bizneset. Rritja e rreziqeve financiare mund të ndeshë në zvogëlimin e investimeve dhe rritjen e kostos së kapitalit për të gjithë aktorët në ekonominë e shtetit.

Ndikim negativ në zhvillimin ekonomik me ç’rast, përdorimi i një valute të dytë pa kontroll tatimor mund të shkaktojë mosfunksionimin e disa sektorëve të ekonomisë, duke shkaktuar humbje të të ardhurave për shtetin dhe ndikim negativ në rritjen ekonomike. Kjo situatë mund të përkeqësohet edhe më tej nëse ekonomia informale rritet dhe zë një pjesë të madhe të aktivitetit ekonomik.

Nga analiza e më sipërme shtrohet pyetja, se sa ka humbur buxheti qeveritar i Kosovës për 23 vitet e fundit duke mos pasur kontrollë financiar në pjesën veriore të Mitrovicës ? Vetëm mund të shpekulojmë pa asnjë të dhënë zyrtare dhe kredibile nga institucionet shtetërore financiare të Kosovës. E dhimbshme por, e vërtetë!

Kjo është Kosova jonë e dashur në shërbim të demokracisë ndaj të drejtave të minoriteteve, të drejta këto që nuk i gjen askund në rruzullin tokësor sepse, këtu nuk kemi të bëjmë me të drejta njerëzore por, me shkeljen e ligjeve ndërkombëtare financiare dhe ekonomike që janë të parashikuara me Konventa ndërkombëtare. Si mund të rri BE-ja indiferente ndaj fenomenit të tillë negativ bashkë me emisarët e vet Lajcak dhe Borell, kur Banka Qendrore Evropiane i parasheh saktë se si duhet funksionojë një treg i rregullt financiar. Kjo më nuk është politike por, kryekput ekonomike dhe financiare. Si mund të anëtarësohet Kosova në institucionet financiare të BE-së, kur nuk ka kontrollë të plotë mbi tregun e vet financiar dhe BE-ja i mbyllë sytë dhe njëkohësisht kërkon përmbushjen e standardeve për anëtarësim. Kjo i bie ” hip se të vrava, zbrit se të vrava “!

Andaj, për të adresuar gjithë këto sfida të dhimbshme financiare dhe ekonomike, Kryeministri Kurti ka të drejtë të plotë dhe legjitime që të veprojë në interes të rujatjes së stabilitetit financiar dhe ekonomik të vendit, pas 23 viteve të pas luftës, duke urdhëruar ndalimin e përdorimit të Dinarit serb në territorin e Republikës së Kosovës.

Shkruan : Dr.sci.Ms. Vlora Obërtinca – Eksperte e tregjeve financiare dhe Doktor shkence në Lidership. Autorja ka studiuar dhe është specializuar në Vjenë, dhe ka qenë pesë herë drejtoreshë në institucionet kyqe financiare të Kosovës. Ajo harton reformat ekonomike qeveritare si eksperte e pavarur.

Filed Under: Komente

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 61
  • 62
  • 63
  • 64
  • 65
  • …
  • 491
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Beqir Derhemi, një emër në zanafillën e Televizionit Publik Shqiptar
  • Bashkë me pranverën, çelin edhe lulet e shkollave shqiptare në diasporë
  • Vittore Carpaccio nga Panteoni i Harruar në premierë dokumentari në Nju Jork
  • Rruga “Skënderbeu” në Bronx, një simbol i gjallë i krenarisë, unitetit dhe trashëgimisë shqiptare
  • Një komb pa kujtesë nuk ka themele
  • Kush ishte gazetarja shqiptaro- amerikane që u shpall “non grata” nga qeveria komuniste
  • Një vepër e rrallë në ikonografinë shqiptare, Shën Kristofori me kokë qeni
  • NJË ZË I RI SHQIPTARO-AMERIKAN NË UASHINGTON NË SHËRBIM TË KUJTESËS HISTORIKE TË VIKTIMAVE TË KOMUNIZMIT
  • Patronimet kolektive me -aj , si identitet shqiptar i Malësisë së Madhe
  • SHANI PNISHI – NJË ZË I NDËRGJEGJES KULTURORE NË NDËRPRERJEN MES ATDHEUT DHE DIASPORËS
  • Mitrush Kuteli, figura e shquar që jetoi mes dy botëve
  • Shqipëria në Balkanfila XXI me identitet, përfaqësim dhe arritje
  • HOMAZH PËR LEGJENDEN DINAMOVITE
  • EMRI I ROBERT LULGJURAJ MBËRRIN NË ZYRËN OVALE TË PRESIDENTIT TRUMP
  • Franz Kafka dhe kushti i brendshëm i lirisë, një thirrje për zgjim nga vetë ndërtimi i robërisë

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT