• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Opozitarizmi si kulturë e munguar

September 5, 2022 by s p

Opozitarizmi është kulturë e munguar në Shqipëri , dhe jo vetëm në Shqipëri  ,e ndofta prandaj  është kaq e vështirë ekzistenca dhe  mbijetesa e tij edhe pse është një nevojë  kaq jetike e munguar dhe  e domosdoshme.

Në vënde si Shqipëria ku mungojnë rregullat dhe standartet e ku lehtësisht liria ka si derivat ose kaosin ,ose frikën ,fenomeni i mungesës së opozitarizmit bëhet shqetësues pasi e shpie vendin dhe të drejtat në lakun e krizave  të thella shoqërore, morale madje edhe ekzistenciale.

Kur hedh sytë nëpër histori të afërta dhe të largëta sheh se sa i vetmuar , mohuar dhe dhunuar është “ zëri që kundërshton “, ai që nuk dakortësohet me të gjithë dhe me gjithçka por mbetet si një tentativë e vazhdueshme  për dëgjim dhe respektim të principeve apo parimeve  individualiste prej të cilave lind evoluimi.

Pikërisht këtu zë fill e nis logjika që i jep frymë opozitarizmit.

Si një instrument që nuk i nënshtrohet grupit i cili jo gjithmonë ka të drejtë opozitarizmi bëhet embrion i një të drejte që hesht, i një të drejte që nuk duhet të dhunohet, i një të drejte që duhet të mbrohet.

E keqja jo rrallë herë “ përqafohet” nga turma, madje e kundërta është e vërtetë ajo vetëm sa e nënshtron atë pêr shkak të dy elementëve fatkeqë që mbisundojnë sjelljet njerëzore ; servilizmi dhe të qenit sipërfaqsor.

Edhe kur turma thërret dhe duartroket për dikë ( mungesë thellimi dhe të menduari) , kjo jo gjithmonë është për tju gëzuar .

Si ta ndihmosh opozitarizmin ?! 

Kjo nënkupton të jesh objektiv në perceptimin e realitetit, të njohësh problemet jetike që prekin dhe përndjekin jetët, të dallosh të keqen , të ndihmosh fatkeqin, të jesh i vërtetë dhe realist, të dëgjosh “ zërin që s’ flet dot “ të jesh me të drejtat e të drejtëve në një botë ku jo çdo e drejtë e fituar / dhuruar është realisht e drejtë.

Mund edhe të duket teorike renditja ;1, 2, 3 por opozitarizmi është edhe logjikë .

Opozitarizmi dhe e vërteta jane gjithmonë bashkë dhe e vêrtetë do të thotë fakt, ngjarje, përjetim, rrëfim, përllogaritje  e të gjithave dhe dëshmi me çdo mjet e tyre .

Opozitarizmi dhe mos heshtja ecin paralel , nuk ka armik më të madh të opozitarizmit se heshtja . 

A nuk heshtën të drejtat e shqiptarëve për infinit vjet ?!

Dhe rezultati ishte nënshtrimi i tyre ndaj dhunës fizike dhe ekonomike  për pa limit  vjet .

 Opozitarizmi ka partner ndershmërinë dhe principet ;ato në  familje , miqësi , shoqëri, organizatë ,etj. Duket teori por janë të drejtët ata që dhunohen më shumë në shoqëritë kur rolin e mbrojtësit të të drejtave e bëjnë jo pak herë pikërisht dhunuesit e tyre.

Opozitarizmi dhe besueshmëria janë dy koncepte që kanë si bazë objektivizmin . Pra për sa kohë ekziston e vërteta : si fakt , si dokument , si dëshmi, si akt ,si zë që ngre krye dhe ZË ,opozitarizmi merr shtigjet  e lirisë që vazhdimisht  cungohet nga errësira përballë ; ajo e iluminimit të rremë, dhunës , mohimit dhe denigrimit .

Ndaj duhen dëgjuar viktimat e dhunës , ata që nuk flasin, flaken, denigrohen ,ata sistemi i gjatë i pa lirisë i la të pa zë, të pa shkollë, të pa shpresë , të pa krahë .

Dhe vonë nuk është kurrë të fillohet nga ata  sepse e drejta flen mbi plagë të vjetra dhe të reja .

Kurrë nuk është vonë për t’u kthyer aty ku zinxhirët e fajeve kanë zënë ndryshk prej lotëve të neglizhencës edhe të harrimit .

Opozitarizmi është filiz lirie!

Marjana Bulku 

Filed Under: Komente Tagged With: Marjana Bulku

Askush i përjetshëm mbi këtë tokë…

September 4, 2022 by s p

Angjelina Nika/

Çfare dreq fati pata qe jetova nē kete kohe të tmerrshme për qëniet njerëzore në botën anembanë. Një tmerr për familjet dhe shoqëritë në ditët e sotme, jeta në pikatore ku: vëllai vret vëllanë, Nënën, Babanë, Motrën. Ku fëmijës i ndërpritet buzëqeshja nga përdhunimi. Ku mjerimi ulet këmbëkryq në vatrat e varfëra, ku njerëzit ikin pa kthim. Ku krimineli nderohet si hero. Ku artistit i humbet vlera, ku fjalës dashuri dhe sinqeritet i ka humbur rruga e logjikës dhe arsyes…O njerez vetëm një gjë mendoni: askush nuk është i pavdekshëm dhe i përjetshëm në këtë tokë.. kohë e antivlerave ngado. Njerëz antihumanë në pistën e garave pa pengesa. Shoqëritë dhe kombet e kanë të nevojshme rikthimin në boshtin e tyre të mbështetjes mbi parime të shenjta, moral të pastër, respekt të ligjit e qenieve e krijesave njerëzore. Njerëzit e dëmshëm dhe që bëjnë veç hije janë një rrezik për shoqërinë, kombin, historinë. Sot më shumë kurrë duhet rikthim të besimit te familja, te Zoti, te morali, te e drejta, te ligji.

Filed Under: Komente Tagged With: Angjelina Nika

KËRKESA DHE MOSPRANIMI

September 1, 2022 by s p

Nga Eugjen Merlika/

“Ajo që bën një komb nuk është të folurit e së njëjtës gjuhë, dhe as përkatësia së njëjtës prejardhjeje etnografike, por të kryerit së bashku të veprave të mëdha në të shkuarën dhe dëshira për të kryer të tjera të tilla në t’ardhmen”.

Ernest Renan (1823 – 1892), filozof e historian francez

Kryetari i Shoqatës Mbarëkombëtare “Trojet e Arbërit”, në një shkrim të datës 21 gusht 2022 me titull: “ Neo-otomanët refuzojnë kërkesën e Shoqatës “Trojet e Arbërit”për Muranën e Gjergj Kastriotit në Prizren, por Shqiptarët do t’a vendosin atë në Prizren”, me të cilin njofton opinionin publik të gjithë trevave shqiptare brënda e jashtë kufijve të Shteteve shqiptare dhe njëkohësisht edhe Mërgatën shqiptare në të gjithë botën, për një vendim të autoriteteve të Qendrës për Trashëgiminë kulturore në Prizren dhe Këshillit përkatës të saj, se i është përgjigjur në mënyrë johenike kërkesës së asaj Shoqate për të patur lejen e atij institucioni për të vendosur në territorin e qytetit të Prizrenit Muranën e Gjergj Kastriotit-Skënderbeut.

Autori i shkrimit, historiani Nue Oroshi, nuk sjell në njoftimin e tij, tekstin e plotë të mospranimit të kërkesës së Shoqatës nga autoritetet përkatëse të Prizrenit. Pa këtë, që do t’ishte tepër i rëndësishëm në vlerësimin e atij vendimi, nuk mund të jepet një gjykim i saktë rreth kësaj kundërshtie ndërmjet Shoqatës “Trojet e Arbërit” dhe Qëndrës për Trashëgiminë kulturore e Këshillit përkatës të qytetit të Prizrenit. Do t’ishte me interes të posaçëm për të gjithë shqiptarët, të njiheshin nëpërmjet fjalëve tekstuale të vetë atyre zonjave e zotërinjve, ligjërimin e atij vendimi që përbën në tërësinë e tij, një absurditet të pakonceptueshëm për cilindo njeri që flet gjuhën shqipe. 

Mendoj se është detyrë parësore e atyre nëpunësve të emëruar të Qendrës e Këshillit për Trashëgiminë kulturore të qytetit historik të Prizrenit, të dalin me një deklaratë të hapur, në të cilën të shpjegojnë, shkoqur e hollësisht, arsyet përcaktuese të vendimit të tyre, që tejkalon shumë rëndësinë e tyre si organe t’emëruar nga Bashkia e qytetit e ndikon në të gjithë opinionin mbarëshqiptar për lemerinë e llahtarën që bart në vetvete e që përcjell në ndërgjegjet vetiake e kombëtare të secilit shqiptar atdhetar. Ata zonja e zotërinj duhet të jenë të vetëdishëm për vlerat e qytetit që përfaqësojnë e trashëgimin  e tij në fushat kulturore e historike.

Pikërisht ato vlera e ajo trashëgimi mendoj se kanë qënë përcaktuese në nismën e lëvdueshme të Shoqatës “Trojet e Arbërit” që, me ndihmesën e saj financiare, të sjellë n’atë qytet një tjetër simbol që e lidh me pjesën më të ndritur të historisë shqiptare e figurën e Gjergj Kastriotit, si personaliteti më madhor i saj. N’atë nismë, simbolikisht dhe idealisht, vendoset një lidhje ndërmjet dy shekujsh, atij të pesëmbëdhjetit e atij të nëntëmbëdhjetit, që janë karakterizuar nga dy epope, përmasat e të cilave kanë përcaktuar majat më të larta të shprehjes së vlerave më qenësore të kombit shqiptar e të vetë shqiptarizmës si filozofi, si ide e si program. Këta shekuj, në kujtesën historike të shqiptarëve, u binjakëzuan me emrat e Krujës e të Prizrenit.

Nëse epoka e Gjergj Kastriotit, me periudhën 1443 – 1478, shënoi në historinë evropiane qëndresën shqiptare kundrejt prirjes së perandorisë më të fuqishme të kohës, për të sulmuar Evropën dhe qytetërimin e saj, duke përfaqësuar të vetmen mburojë të tyre, me përfundime të papërfytyrueshme përsa i përket rezultateve në mbrojtjen e kontinentit dhe flijimeve të pashmangëshme të vetë shqiptarëve, Lidhja e Prizrenit 1878 – 1881 nxori në pah një tjetër epope edhe se jo në përmasat e së parës, as si synim dhe as si përfundim. Rëndësia e saj u përcaktua nga mbrojtja e tokave shqiptare nga synimet grabitqare të shteteve fqinjë, të përkrahur nga Evropa mosmirënjohëse që “harroi” shpejt flijimin shqiptar për mbrojtjen e qytetërimit të saj. Lidhja e Prizrenit qe e para përpjekje e vetëdijshme e shqiptarëve në historinë e tyre, për të pohuar së bashku vlerat e tyre si bashkësi historike, etnike, gjuhësore, territoriale, duke kërkuar vëndin e tyre të merituar në fushën kontinentale. Si e tillë ajo mbeti njëlloj e shkruar me gërma t’arta në historinë e popullit tonë, për të cilën jemi krenarë e ballëlartë edhe sot, mbas 141 vitesh. Ajo epope pati si far ndriçues të veprimtarisë së saj të shkurtër pikërisht figurën legjendare të Gjergj Kastriotit-Skënderbeut, figurë që frymëzonte të gjithë udhëheqsit e Lidhjes.

Me gjithë stuhitë historike që kanë përcaktuar fatin tonë kombëtar, të detyruara nga fuqi më të mëdha se sa mundësitë tona  për qëndresë, ne si shqiptarë, në Shqipëri, Kosovë e kudo ku jetojnë bashkësi të mëdha e më pak të mëdha shqiptarësh kudo që ndodhen, duhet t’a ndjejmë vehten pjestarë të të njëjtit komb, të së njëjtës histori. Si të tillë një nga vlerat tona njerëzore që duhet të na karakterizojnë është nderimi i ynë për të shkuarën tonë, për bëmat e saj të hidhura apo më pak të hidhura, heroike apo më pak heroike, të lumtura apo të trishtuara, të urta por edhe të marra, sepse të gjitha ato përbëjnë atë përvojë që mbetet pasuria e jonë e përbashkët. Mund të jetojmë në Vënde të ndryshme, apo në trevat shekullore tonat, mund të fitojmë të tjera shprehi e të tjera mendësi, simbas mjediseve në të cilët gjindemi, por nuk duhet të harrojmë vetitë tona qenësore të trashëguara, ato që kanë përcaktuar ecjen tonë të përbashkët në hullitë e historisë.

Vendimi i Qëndrës për Trashëgimi kulturore në Prizren më duket se nuk shkon n’atë drejtim. Mospranimi për të gjetur një copëz toke ku të vendoset falas Murana e Gjergj Kastriotit, jashtë çdo lloji argumenti shpjegues që mund të jepet, mbetet një dhunim i hstorisë sonë, i vlerave të saj, i trashëgimisë së saj. Si i tillë ai fyen botën shpirtërore të cilitdo pjestari të kombit tonë, sepse ai godet në zemrën tonë, në figurën më të ndritëshme me të cilën janë njëjtësuar në ëndërrat e idealet e tyre dhjetra breza bashkatdhetarësh tanë. Aq më tepër e dhimbëshme bëhet kjo dukuri, nëse i përgjigjet pohimit të Kryetarit të Shoqatës “Trojet e Arbërit” që padit “neo-otomanizmin” e një pjese të qytetarëve të Kosovës së pavarur si arsyen kryesore të mospranimit të kërkesës së Shoqatës. Po të jetë kështu, ai vendim mospranimi nuk mund të mos zgjojë tek cilido shqiptar atdhetar një zemërim të brëndshëm që del nga thellësitë e zemrave e ka nevojë të shprehet me fuqi e vendosmëri, si një protestë kombëtare kundër një mendësie që nuk duhet të gjejë vënd në shllimet tona, në synimet, në jetën tonë, sepse do të përbënte turpin tonë të shekullit të njëzetenjëtë. 

Mund të ketë individë që mund të kenë mendësi larg shqiptarizmës e parapëlqime të tyre vetiake të hapura apo të fshehta. Është e drejta e tyre t’i ushqejnë apo t’i shprehin ato, por është e papranueshme që të ketë institucione në shtetet shqiptarë që të marrin vendime e qëndrime kundër shqiptare, madje të arrijnë deri në fyerje të vlerave më të larta të vetë kombit.

Le të shpresojmë se Qeveria e Kosovës, nëpërmjet Ministrive të Mjedisit, Planifikimit hapësinor dhe Infrastrukturës e asaj të Kulturës, Rinisë e Sporteve, do të ndryshojë atë vendim të turpshëm e do t’i kthejë qetësinë të gjithë shqiptarëve kudo që ndodhen. Uroj me gjithë zemër të jetë kjo zgjidhja m’e mirë, mbasi pështjellimi i autoriteteve të huaj në këtë katrahurë nuk t’i sillte asgjë të mirë e të dobishme dinjitetit tonë kombëtar dhe aftësisë për të zgjidhur vetë problemet tona, qoftë edhe në raste të këtilla, kur më e pakta arsye e shëndoshë do të detyronte përshkimin e rrugës së duhur. Ai pështjellim do të përkeqësonte përfytyresën tonë, tashmë të lënduar nga një tridhjetëvjeçar demokrature jo të hijshme.

                                                                                                   Gusht 2022     

Filed Under: Komente Tagged With: Eugjen Merlika

Floriani dhe modeli i suksesit

August 30, 2022 by s p

Ilir Levonja/

Florian Markun e priti Edi Rama dhe kësisoj nuk ia vlen te adhurojmë më. Nga ana tjetër një trajneri kombëtar i ka mbetur qejfi, madje e quan boksier Instagrami, jo boksier kombëtar. Në Lushnje e shpalli Qytetar Nderi Taulanti, ndaj harram e pastë. Janë dsa nga vulgaritetet tona nga ku e kemi të pa mundur t’i shpëtojmë politizimit. Madje diku lexon se iks politikan po përfiton nga fama e Luiza Gegës apo Florian Markut. Eshtë fare e thjeshtë, e njëjta gjë do të ndodhte po të ishte kryeministër edhe dikush tjetër nga e djathta, apo nga tërësia pa identitet politik e karvanit të mini partive shqiptare. Mos e trasmetoni mërinë karshi Ramës, Berishës a Ilir Metës tek një sportistë a djalë emigrant, i cili ka arritur aty ku është përmes punës së tij. Sot shqiptarë të suksesshëm gjen në mbarë botën. Deri në rrangje të larta. Ju kujtohet kur një vajzë nga familje emigrantësh shqiptarë zgjidhej në majin e 2019, eurodeputete në Suedi. Emri i saj është Arba Kokalari, ne të gjithë u krenuam. Ashtu siç ka misionarë të tjerë që bëjnë kaq shumë për shiptarët emigrantë, komunitetin etj., madje edhe për vendin amë, si Marko Kepi në Amerikë që mblodhi fonde e ndërtoi shtëpi për të dëmtuarit e tërmetit 26 nëntorit 2019. Për të mos u futur më thellë edhe tek ata fëmijë emigrantësh që marrin medalje me flamuj të Greqisë, Italisë apo ndonjë shteti tjetër. Nuk kanë tradhtuar vendin, shtetin amë, përkundrazi e kanë nderuar atë. Se i kanë thënë botës që shqiptarët nuk janë shpellarë por mëtues të vlerave njerëzore. Çdo kryeministër shqiptar si majtas dhe djathtas do vepronte po njësoj siç veproi Rama. Merrni rastin e Florianit, një djalë familje emigrantësh nga Lushnja. Sot në Londër, aty ku kinematë a produksioni i kinematografisë kanë në qendër mafian shqiptare me shtëpitë e barit. Turpi jonë kombëtar. Bash aty ai shpallet kampion. Le t’i referohemi emrit të tij të ringut se sa shtëpive të barit. Eshtë në vazhdën e vlerave me të mira shqiptare, një përpjekje heronjsh që kanë lënë tokën e tyre dhe i janë adresuar botës së madhe. Kurse atij trajneri kombëtar që nuk e quan dot boksier a sportist kombëtar një të tillë që nuk kalon nga duart e tia, është mangësi formimi për ‘të, jo për sportistin. Në përgjithësi është në kulturën tonë show politik. Sigurisht Rama nul bën përjashtim. Por kjo nuk ka domethënien se Floriani është Rama a Erion Veliaj. Ftesës nga vendi amë nuk bën krim t’i përgjigjesh. Kjo jo për hatër të hirearkisë politike, por për ata qytetarë që të ndjekin fizikisht e shpirtërisht kudo. Ai është sportisti që ka ngritur një profil fituesi. Këtë shikoni. Bota njeh plot modele. Madje ka shtete të lodhura nga politika dhe lufta civile, nga ekonomia e dobët dhe ikja e përjetshme. Por ka mes tyre edhe simbole që kanë ofruar gjithçka sipërore nga vetvetja për të përmisuar emrin e qytetit dhe vendit të origjinës. Përshembull sot Filipinet i njohin më shumë nga titujt e Meni Pakajos se nga krimet e Ferdinand Markos. Meni Pakojo i kthente fitimet në shtëpi për të pastrehët. Ferdinand Marko internonte, burgoste, vriste. Ne na duhen modelet e mira pavarsisht se sa përfiton politika. 

Filed Under: Komente

VERIU I DARDANISË DHE SHKAQET E KRIZËS

August 27, 2022 by s p

Me qëllim që të analizojmë me kujdes situatën e sigurisë në veri të Dardanisë, ndër të tjera duhet të analizojmë disa nga faktorët kryesorë demografikë, gjeografikë, politikë, diplomatikë dhe ushtarakë të cilët ndikojnë në këtë krizë por dhe në zgjidhjen e kësaj krize.

Në muajin shtator të vitit 2021, vendosjes së reciprocitetit për vendosjen e targave të përkohshme për serbët të cilët futen në Kosovë, Serbia iu përgjigj me provokime, bllokime rrugësh, sulme me armë kundër forcave të policisë së Kosovës, etj duke urdhëruar strukturat e saj paralele të cilat organizohen, financohen dhe drejtohen nga shërbimet serbe të sigurisë në bashkëpunim me agjensitë ruse të inteligjencës.

Në këtë rajon të Kosovës, sulmet e strukturave paralele serbe të ekzekutuara ditët e fundit me përfshirjen edhe të agjentëve rusë të grupit ‘Wagner’, kanë qëlluar drejtëpërsërdrejti kundër forcave të policisë së Kosovës në Liqenin e Ujmanit, kanë bllokuar rrugët në vendkalimet kufitare zyrtare në Jarinje dhe Bërnjak, kanë ekzekutuar gjashtë sulme me armë gjatë muajit prill të vitit 2021, etj duke treguar qartazi se pas këtyre incidenteve qëndron Beogradi dhe Rusia, të cilët kërkojnë të vështirësojnë sa më shumë situatën në këtë rajon tashmë që vazhdon pushtimi ushtarak Rus në Ukrainë.

Në datën 7 gusht 2022, Shefi i Shtabit të Përgjithshëm serb Gjenerali Milan Mojsiloviç së bashku me drejtuesit kryesorë të komandave të tjera ushtarake vizituan njësitë e xhandarmarisë dhe të njësive të armatosura serbe në zonën kufitare tokësore me Dardaninë, konkretisht bazat ushtarake “Tabalije” dhe “Rudnica” dhe aftësitë e tyre operacionale për të reaguar sa më shpejtë në rast nevoje. Në këtë këndëvështrim, gjykoj se në këtë krizë ka rëndësi studimi i faktorit demografik në këtë rajon.

1. Faktori ushtarak.

Në Serbi ndodhet baza rajonale e Sputnikut në Beograd, në ministrinë serbe të mbrojtjes ndodhet zyra e përfaqësisë së MM ruse, ndërkohë në Nish rreth 160 km ndodhet ‘Qëndra Humanitare’ e Rusisë, e cila vepron në mënyrë të fshehtë në të cilën punojnë shumë agjentë të shërbimeve sekrete të sigurisë FSB, GRU dhe SVR, misioni të cilëve është grumbullimi i informacioneve për vendet në rajonin e Ballkanit Perëndimor (shiko hartat në kufi me Serbinë, Dardania veri-lindore dhe harta tjetër Dardania veri-perëndimore).

Por agresiviteti i shfaqur gjatë ditëve të fundit nga Serbia, nuk është asgjë tjetër më shumë sesa vazhdimi i një plani të qartë 20 vjeçar, ku vetëm në kufirin me Kosovën janë ndërtuar dhe dislokuar 48 baza operative ushtarake, nga të cilat 28 janë të ushtrisë dhe 20 të xhandarmarisë. Këto baza kanë filluar të ndërtohen që nga muaji gusht 2001, nën asistencën informative të Rusisë dhe të shërbimeve të saj të sigurisë FSB, SVR dhe GRU. Bashkëpunimi i Rusisë me Serbinë shfaqet edhe tek grupi i miqësisë Serbi-Rusi, ku nga 250 anëtarë të Parlamentit serb 151 prej tyre janë pjesë e këtij grupi.

Serbia për momentin i ka pozicionuar forcat e saj përgjatë kufirit me Republikën e Dardanisë. Forca kryesore e cila patrullon kufirin janë efektivët e Brigadës së Xhandarmarisë. Brigada e xhandarmarisë serbe përbëhet nga 4 batalione.

Batalioni katërt psh përbëhet nga shumë pjestarë të forcave speciale ‘Kobra’, njësi anti-terroriste dhe një forcë elitë policore.

Këto janë forcat të cilat ruajnë dhe patrullojnë kufirin me Dardaninë.

Patrullimet e tyre realizohen 24 orë në ditë dhe realizohen nga efektivë prej katër personash të armatosur: Dy persona të pajisur me automatik AK-47 model i përmirësuar serb, i treti me automatik/mitraloz prodhin serb model M-84 kalibër 7.62 x 54 mm dhe personi i katërt me sniper ‘Crna Strela’ prodhim serb kalibër 12.7 mm ose M-76 7.92 x 57 mm.

2. Faktori demografik.

Në pjesën veriore të Kosovës jetojnë shumë pak serbë. Ata në vazhdimësi e kanë refuzuar regjistrimin për të vetmen arsye se dalin më pak se 30.000 qytetarë. Në qytetin e Mitrovicës ndodhet një universitet i cili frekuentohet nga studentë nga Serbia, për të vetmen arsye se diplomat merren me lehtësi. Qyteti më i afërt në Serbi nga Mitrovica është qyteti i Kraljevas rreth 150 km i cili është qytet në “zhdukje” për shkak të largimit të madh të popullsisë serbe jashtë vendit.

Në pjesën e Gjilanit, Novobrdos, Kamenicës, Vitisë, Lipjanit, Prishtinës dhe Shterpcës jetojnë më tepër se 100.000 qytetarë serbë, por Serbia nuk shqetësohet shumë për ta. Në fakt, muajt e fundit Serbia i ka shtuar forcat e saj në kufirin e Kosovës në pjesën e Gjilanit, Vitisë, Kamenicës dhe Podujevës. Ky në fakt është një mashtrim dhe tërheqje vëmendje, sepse objektivi i tyre përfundimtar është marrja e kontrollit në veriun e Kosovës.

Shpesh herë vendime të tilla janë mbështetur nga deklaratat e Ministrit të Jashtëm Rus Sergei Lavrov dhe zëdhënesës së tij Maria Zakarova, të cilët kanë deklaruar se: “Atje ku ka popullsi serbe nuk duhet të ketë prezencë shqiptarësh”, pra haptazi pasi dështuan në marrjen e pushtetit gjatë zgjedhjeve në Malin e Zi, në Bosnjë-Hercegovinë dhe në Kroaci, serbët vazhdojnë të insistojnë për mundësinë e zgjerimit të territoreve nëpërmjet shkëmbimit të tyre, krijimit të Asociacioni i komunave me shumicë serbe (Zajednica), zgjerimit të influencës sërbe në rajonin e Ballkanit me zgjerimin e nismave ekonomike.

3. Faktori gjeostrategjik i Kopaonikut, parë nga aspekti i luftës elektronike, sinjaleve dhe telekomunikacionit.

Duke marrë parasysh rëndësinë strategjike të bjeshkëve të Kopaonikut (pasuritë nëntokësore, pikat strategjike të telekomunikacionit, lartësinë e Ravna Goras, etj), kërkesave të vazhdueshme të Serbisë dhe dakortësimit të tyre me ‘miqtë’ e tyre shqiptarë për ndryshimin e kufirit, qasjen e ndryshme ndaj serbëve që jetojnë në pjesën veriore dhe shtetasve të cilët jetojnë në brendësi të Republikës së Dardanisë, në prapavijë qëllimi strategjik i Serbisë është ndryshimi i vijës kufitare.

Siç e dimë edhe nga historia e kaluar, kur Serbia nuk ka interes strategjik nuk bën lëshime. Por në mënyrë të heshtur në prapavijë nëpërmjet “metodave serbe„ nën drejtimin e lidershipit të tyre “perëndimor“ do të vazhdojnë të tentojnë të përfitojë sa më shumë të jetë e mundur. Psh në vitin 2007, Serbia dërgoi për vizitë zyrtare në SHBA shefin e tyre të shtabit të ushtrisë serbe Gjeneralin Ponosh, i cili gjatë takimeve me autoritetet e sigurisë amerikane kërkoi që ta mbështesnin që maja e Kopaonikut t‘i takonte Serbisë.

Në vijim duhet bërë një analizë për rëndësinë që kjo majë sa i përket Luftës Elektronike, Sinjaleve dhe Telekomunikacionit, të cilat në gjykimin tim më shumë se Serbisë mund t‘i shërbejnë Federatës Ruse.

Në këtë majë (si në fotot e publikuara) është vendosur një radar me rreze të mesme operacionale rreth 400 km. Ky radar u shkatërrua nga aviacioni amerikan në vitin 1999. Por në atë kohë u shkatërrua vetëm kupola e radarit, sepse nëpërmjet një ashensori ai ndodhej thellë në tokë. Para disa vitesh Serbia kërkoi që të kontrollonte hapësirën ajrore të Kosovës, për kontrollin e qarkullimit të aviacionit civil, kërkesë e cila u refuzua nga NATO, duke mos lejuar aktivizimin i këtij radari.

Serbët nuk hoqën dorë nga kjo ide, sepse në atë kohë vetëm nga kontrolli i hapësirës ajrore të Kosovës ata fitonin një sasi prej 13 milionë euro në vit dhe në të njëjtën kohë serbët planizuan të ndërtonin në bjeshkën Besna Kobila në afërsi të Vranjës një bazë tjetër radarësh për qëllim ushtarake dhe inteligjente.

Si përfundim, marrja e kontrollit të majës së Ravna Goras, do t’i mundësonte serbëve dhe rusëve vendosjen dhe instalimin e radarëve të fuqishëm të luftës elektronike (EW) dhe pajisjeve të tjera moderne ruse të zbulimit elektronik (ELINT) të afta që të kontrollinin sinjalet telefonike por jo vetëm në katër vende të NATO-s Malin e Zi, Maqedoninë e Veriut, Shqipëri dhe deri në Greqi.

4. Liqeni i Gazivodës ( Ujmanit).

Liqeni i Gazivodës është liqeni më i madh në Kosovë. Ai ka një sipërfaqe prej 11.9 km2 nga të cilat 9.2 km2 i përkasin Republikës së Dardanisë dhe vetëm 2.7 km2 Serbisë. Ky liqen furnizon me ujë të pishëm qytetet: Mitrovicë, Vushtrri, Obiliq por në të ardhmen edhe qyteti i Prishtinës të mund të furnizohet nga ky liqen. Termocentralet Kosova A dhe Kosova B furnizohen me ujë po ashtu nga ky liqen artificial. (shiko hartën lartë).

Ekzistenca e këtij liqeni është shumë i rëndësishëm për mbijetesën e banorëve të këtyre qyteteve, për zhvillimin industrial dhe bujqësor të Dardanisë. Pa shfrytëzimin me ujë nga ky liqen, termocentralet mbyllen dhe Kosova mbetet pa energji elektrike.

5. Faktori ekonomik.

Në shtesë sa më lartë, në këtë rajon ekzistojnë pasuritë të jashtëzakonshme të pasurive minerale, të cilat gjenden në pjesën veriore të Dardanisë dhe janë vlerësuar në mbi 200 miliardë Euro. Në këtë rajon gjenden me shumicë mineralet qymyrguri, plumb, zink, argjend, ar dhe shumë minerale të tjera. Këto pasuri përrallore padyshim që i lënë pa gjumë mercenarët serbë dhe bashkëpunëtorët e tyre shqiptarfolës.

Dritan Demiraj, Ph.D.

Filed Under: Komente

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 95
  • 96
  • 97
  • 98
  • 99
  • …
  • 482
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Shqiptarët dhe parimet themelore të së drejtës ndërkombëtare dhe përgjegjësia evropiane
  • Në Ditën e Gjenocidit në Kosovë, nevoja e Kualifikimi Juridik Ndërkombëtar për Krimet e Kryera në Kosovë (1998–1999)
  • FUNDI I REZISTENCËS SË NACIONALIZMËS 1946-1947
  • ZBULOHEN KONGRESET E BALLIT KOMBËTAR
  • 15 janari është Dita e Përkujtimit të Gjenocidit ndaj Shqiptarëve në Kosovë!
  • Editori Diellit Dr. Athanas Gegaj përkujtohet në New York më 25 Janar 2026
  • Arsyet e vërteta pse ngriu procesi i vizave emigruese për në Amerikë për shqiptarët!
  • ERNEST KOLIQI ( 20 MAJ 1903 – 15 JANAR 1975)
  • SHQIPTARËT NË SANREMO!
  • “Punë hajnash-punë krajlash” dhe mendtarë që heshtin
  • MBRETI ZOG (1933) : “BASHKIMI I KOSOVËS ME SHQIPËRINË, NJË DËSHIRË E MADHE PËR TË CILËN NUK DO TË KURSEJMË ASNJË PËRPJEKJE PËR TA REALIZUAR…”
  • Perspective of a Trauma Surgeon and Former Health Minister of Health of Kosova
  • “I huaji”
  • JO NE EMRIN TIM!
  • Krimi kundër njerëzimit në Reçak dhe lufta e narrativave

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT