• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

”Nje jetë…Disa histori ” – Me mësuesen Drita Gjongecaj

December 9, 2015 by dgreca

NGA EKRANI I TV KULTURA SHQIPTARE NE NEW YORK /

Nga Marjana Bulku/

Eshtë vërtet bukur të takosh shqiptaret që kanë emigruar ne USA, të shkëmbesh sado pak eksperiencat e tranzicionit me ta, por akoma më bukur është kur disa prej tyre, të cilët ti në Shqipërinë e vogël as do mund ti kishe takuar kurrë ,këtu ke rastin ti njohësh e ti kesh ndofta miq të paharruar.Ajo është Drita Gjongecaj , me të cilën për herë të parë biseduam në studion e Albanian Culture TV këtu në New York.Për mua edhe një fjali e vetme nga bisedat me miq të në studio bëhet shkas për t’iu rikthyer dhe parë më në thellësi…E di cfarë është emigracioni Marjana?!…-Më tha Drita në kafen tonë rutinë….

-Eshtë si ajo porta që hapet e mbyllet pafund e nga ku ti nuk pret askënd të njohur të të shfaqet sakaq….

Drita Gjongecaj ka lindur dhe është rritur në Bajram Curri dhe është diplomuar në Gjuhë dhe Letërsi në fakultetin Filologjik të Tiranës. Në vendlindje ka punuar si mësuese e shkollës tetëvjecare dhe të mesme dhe më vonë si drejtoreshë e shkollës “Konferenca e Bujanit”. Me shpërnguljen në Tiranë, ajo përfundoi shkollën e Bibliotekave pranë Bibiotekës Kombëtare Shqiptare dhe siguroi dëshminë e njohjes së gjuhës angleze përmes testit TOEFL (Test of English as a Foreign Language) duke u emëruar kështu si përgjegjëse e Sektorit të Pasurimit dhe Marrëdhënieve me Jashtë në bibliotekën shkencore të Universitetit Bujqësor të Tiranës.

Në vazhdim, nëpërmes Projektit Amerikan SARA, USAID, Drita ka marrë pjesë në dy specializime afatshkurtra në fushën e bibliotekave në Virginia Tech, USA si dhe në Universitetin e Basilicatës, Itali. Duke sjellë eksperiencën dhe njohuritë e fituara gjatë specializimeve dhe me ndihmën e Projektit SARA, Drita formoi për herë të parë degët e bibliotekës për cdo fakultet të Universitetit Bujqësor duke u ofruar më shumë mundësi studentëve për të gjetur materiale shkencore në profilin e tyre. Gjatë kësaj kohe ajo ka botuar edhe artikuj në Buletinin e Bibliotekave.

Vitet e para në Amerikë, Drita ka punuar si shumë emigrantë me orë të zgjatura dhe pagë minimale derisa ka siguruar qëndrimin legal në Amerikë. Pas kësaj, ka filluar të mbështesë vullnetarisht komunitetin me përkthime gojore apo me shkrim dhe ka punuar si mësuese e gjuhës angleze për emigrantë të kombësive të ndryshmë nëpërmjet Departamentit të Arsimit në NY si dhe Saint Rita’s Center for Immigrant and Refugee Services. Në vitin 2005, Drita përfundoi në Mercy College masterin e saj të parë shkencor në mësimdhënien e Anglishtes për folësit e gjuhëve te tjera (Teaching English to Speakers of Other Languages –TESOL). Më pas ajo përfundoi studimet pasuniversitare në kolegjin mjaft prestigjoz në lëmin e arsimit, Bank Street College of Education (2007) si drejtuese metodike për mësuesit e anglishtes si gjuhë e dytë dhe ata bilingual (Bilingual and English as a Second Language Teacher Leadership). Gjatë kësaj kohe ka dhënë lëndët English Grammar (Gramatika e Anglishtes) dhe English as a Second Language (ESL) në kolegjin Globe Institute of Technology. Në 2009, ajo përfundoi edhe një master tjetër në administrimin dhe drejtimin e shkollave që i dha mundësinë të emërohet si zv. drejtoreshë shkolle ku dhe punon prej 5 vitesh.

Vullneti dhe dëshira e mirë e kanë shtyrë Dritën të punojë edhe për komunitetin shqiptar. Ajo është Zv. Presidente e Organizatës së Asimtarëve Shqiptaro-Amerikanë (Albanian-American Educators Association) e formuar kohët e fundit në NY.

Megjithëse e ngarkuar me punë dhe aktivitete shoqërore, Drita gjen kohë edhe për familjen. Eshtë e martuar dhe ka dy fëmijë. Vëmëndja dhe dashuria më e madhe tani i dedikohet nipit të vogël 2 vjecar që sic thotë ajo vetë, i ka dhënë një shkëlqim tjetër jetës së saj.

.Zonja Drita, ju jeni nga ato që i keni përjetuar sfidat e integrimit në jetën amerikane me kurajo dhe forcë të admirueshme,është kjo pjesë e temparamentit apo jeta ti strukturon veprimet vetë ngadonjëherë?

Nje shprehje amerikane thotë, “You never know how strong you are until being strong is the only choice you have”- “Asnjëherë nuk e kupton sa e fortë je derisa të qenit e fortë ju mbetet e vetmja zgjedhje”. Të ndërtosh jetën nga e para nuk është e lehtë dhe peripecitë që emigrantët heqin janë sa të ngjashme, aq edhe të ndryshme. Edhe sot e kësaj dite shpeshherë më rastis t’i hedh sytë rrotull e t’i bëj vetes të njëjtën pyetje rrugës për në punë: Edhe sa kohë do të jem këtu? Si është e mundur që i kam lidhur objektivat dhe ëndrrat me këtë lagje, me këtë vend, me këtë grup shoqëror apo kolegësh? Ishim mësuar ta lidhnim të ardhmen tonë, madje edhe të fëmijëve e nipave tanë me të njëtin vend, me të njëjtat rrugë, … hapësirë e kufizuar. Dhe vjen në një vend ku hapësira është aq e madhe sa nuk di as c’të zgjedhësh sepse vendimet duhet të merren në kohë reale kur informacioni dhe përshatshmëria janë akoma të pamjaftueshme. Me fjalë të tjera, prapë hapin e ke të shkurtër apo për një farë kohe mbetesh edhe vend numëro. Megjithatë kur i vë vetes një qëllim, e sidomos kur ke fëmijë apo prindër që presin prej teje, njeriu e gjen forcën dhe nganjëherë, bën më shumë ndoshta edhe nga c’ka menduar.

.Jeni vlerësuar ”Mësuesja e Vitit 2014” ,përtej vlerësimit që përcjell ky stimul që ”Motrat Qiriazi” ia adresojnë cdo vit intelektualeve shqiptare që kontribojnë në cështjet e edukimit këtu në SHBA, cfarë domethënie ka kjo për ju?

Eshtë nder të vlerësohesh nga një organizatë prestigjoze si organizata “Motrat Qiriazi”. Kjo organizatë ka nderuar gra që kanë qenë të suksesshme në jetën e tyre personale por edhe kanë dhënë një kontribut të vyer në edukimin shkollor të shumë nxënësve. Në fakt, sado që bota ka ndryshuar dhe ndryshon dita ditës, arsimi është një fushë e cila i ruan vlerat e veta si edhe më parë. Arsimtarët janë ata që kultivojnë etikën, qytetarinë, por edhe i përgatisin studentët për karrierën që i pret në vazhdimësi. Duke qenë se numri i arsimtarëve këtu në NY është rritur në mënyrë të ndjeshme në këto 7-8 vitet e fundit, të vlerësohesh si “Mësuesja e Vitit” është si të thuash një privilegj dhe pa dyshim një nder që i bëhet individit në fjalë. Kur punon me përkushtim dhe profesionalizëm, frutet janë të kënaqëshme dhe nëse këto arritje vihen në dukje dhe vlerësohen edhe nga komuniteti i gjerë e jo vetëm atje ku individi punon, kënaqësia dyfishohet. Përvec kësaj, për mua kjo ka edhe një domethënie tjetër: më jep imazhin e të qenit në atdheun tim, midis kolegëve dhe profesionistëve me të cilët kemi shumë gjëra të përbashkëta; më jep ndjesinë e vazhdimësisë së asaj që kemi lënë pas por që nuk kemi mundur të shkëputemi prej saj.

A mund të na e përshkruani ”Konferencën e arsimtareve shqiptaro-amerikanë” e para e llojit dhe me siguri e vetmja deri tani .Cfarë përcolli te komuniteti ynë dhe sa prezent është komuniteti shqiptar aq arsimdashës tradicionalisht , në kushtet kur koha nxjerr në pah mirëarsimimin por edhe koston e lartë (si kohë ) që ai nënkuptom.

Organizata e arsimtarëve shqiptaro-amerikanë ka vetëm pak muaj që është formuar. Takimi i parë i hapur u organizua më 23 tetor të këtij viti. Eshtë e vërtetë se komunitetit tonë i ka munguar deri tashmë një rrjet professional ku arsimtarët pa dyshim, por edhe cdokush që ka të bëjë me arsimin si psh. konsulentët, profesorët, ndihmës mësuesit, punonjësit socialë etj. të mund të shkëmbejnë experiencën dhe njohuritë profesionale, të gjejnë mbështetje reciproke, të organizojnë aktivitete të përbashkëta, etj. Kjo organizatë do të jetë mbështetje gjithashtu për komunitetin e gjerë shqiptaro-amerikan në lidhje me nevojat që ata kanë në lidhje me arsimimin e fëmijëve të tyre si dhe perspektivat e së ardhmes në këtë fushë.

Sic e thashë, numri i arsimtarëve dhe punonjësve të tjerë shqiptaro-amerikanë në arsim sa vjen dhe rritet. Në qytetin e Nju Jorkut ka më se 1800 shkolla publike që përfshijnë 1.1 milion nxënës nga kopshti (Kindergarten) deri në klasën e 12-të. Mundësitë për punësim janë konkrete dhe ne si organizatë mund të ndihmojmë dhe orientojmë edhe të rinjtë që synojnë t’i bashkohen këtij profesioni. Do më pëlqente të citoja Mandelën këtu në lidhje me arsimin: “Education is the most powerful weapon we can use to change the world” – “Arsimimi është arma më e fuqishme që mund të përdorim për të ndryshuar botën.” Po t’i bashkojmë aftësitë tona intelektuale dhe të koordinojmë aktivitetin tonë, do të jemi padyshim më të suksesshëm dhe këtë synon edhe organizata jonë.

.Projekti juaj ”Dygjuhësh” është një epërsi që mund të bëjë një hap cilësor në ato dhjetra përpjekje për ruajtjen dhe trashëgimin e gjuhës shqipe këtu në diasporë. A mund të na e panomarizoni ecurinë e deritanishme.

Ashtu është. Projekti dy-gjuhësor është pa dyshim pasioni im më i fuqishëm në lëmin e arsimit. Qysh në Shqipëri kam punuar në disa raste me kurse private të anglishtes dhe tani me një koncept të ngjashëm në Amerikë mund t’u mësojmë fëmijëve të lindur këtu gjuhën e të parëve.

Projekti dy-gjuhësor do t’u sigurojë shqiptarëve për herë të parë shkollën e tyre institucionale nën drejtimin e Bordit të Arsimit (Department of Education). Në këtë shkollë, fëmijët do të studiojnë falas kurrikulumin sipas standardeve të shtetit të Nju Jorkut edhe në shqip, edhe anglisht. Me fjalë të tjera mësimi zhvillohet në shkollë të rregullt publike dhe nxënësit studiojnë një ditë në anglisht dhe ditën tjetër në shqip ose, në mënyrë të ngjashme me këtë, gjysmën e ditës në njërën gjuhë dhe gjysmën në tjetrën. Kjo pasqyrohet edhe në dëftesën shkollore të fëmijës dhe brenda pak viteve ata janë në gjendje t’i shkruajnë, lexojnë dhe kuptojnë të dyja gjuhët dhe kulturën e të dy vendeve.

Dihet se ruajtja e gjuhës amtare ka qenë dhe mbetet dëshirë e shqiptarëve qysh nga Rilindasit dhe deri në ditët e sotme. Por sot kërkesat sociale dhe ekonomike e sjellin këtë nevojë në nivele të tjera. Tani njohja dhe përdorimi i gjuhës duhet të jetë në nivele akademike në të katër komponentet e saj (të shkruarit, të lexuarit, të folurit dhe të të dëgjuarit) dhe prindërit duhet ta kuptojnë se në ekonominë e sotme globale, njohja dhe përvetësimi në të tilla nivele i hap individëve më shumë dyer për prosperitet.

Mësimi integrues ose paralel në dy gjuhë është i bazuar në studime shkencore dhe në eksperiencën e shumë e shumë programeve që janë të përhapura sidomos në Los Angeles, Texas, apo New Mexico ku numri i emigrantëve është vërtet i konsiderueshëm. Në bazë të statistikave të ndryshme, fëmijët që studiojnë në programe integruese dy gjuhëshe arrijnë rezultate më të larta në mësime si edhe në provimet e shtetit të Nju Jorkut, teste të cilat përfshijnë nxënësit që nga klasa e tretë fillore. Programe të tilla egzistojnë në NY në gjuhën hebraishte, kineze, japoneze, në gjuhën e Bangladeshit, në spanjisht dhe frengjisht, por asnjë deri më sot në shqip.

Në të vërtetë nuk është aspak e lehtë për të siguruar një program integrues dy-gjuhësor pasi ka disa kritere të caktuara që duhen përmbushur dhe në të njëjtën kohë ka edhe burokracira të shumta në instancat e larta që kanë fuqinë e miratimit të një programi të tillë. Z. Mark Gjonaj, Asambleisti i parë shqiptar në Nju Jork ka deklaruar mbështetjen e tij të plotë për këtë projekt dhe ka kontaktuar kohët e fundit me zyrtarë të Federatës së Mësuesve të NY dhe tw Bordit tw Arsimit në përpjekje për të përshpejtuar procedurat e miratimit të një programi të tillë. Megjithatë mbetet akoma shumë për të bërë. Unë kam disa muaj që merrem me hartimin e projektit të propozuar në Departamentin e Arsimit (DoE), projekt që përfshin programin mësimor, kualifikimin professional të mësuesve, tekstet dhe materialet që nevojiten, etj. Në këtë fazë është shumë e rëndësishmë të sigurojmë prononcimin e sa më shumë prindërve që janë të interesuar t’i rregjistrojnë fëmijët në këtë program.

Partneri kryesor në këtë proces duket se është KOMUNITETI i shqiptarëve , a keni ndonjë mesazh drejtuar atij.

Në të vërtetë është komuniteti që do t’i japë shtytjen përfundimtare këtij projekti. Nëse në të shkuarën, shumë nëna shqiptare nuk kanë pranuar të flasin një fjalë anglisht me qëllim që ta ruajnë shqipen dhe t’i “detyrojnë” fëmijët e tyre të komunikojnë vetëm në shqip me ta, sot egziston mundësia që kjo dëshirë e trashëguar brez pas brezi të bëhet realitet pa asnjë kusht, pa dhënë asgjë në këmbim dhe mbi të gjitha, mbi baza reale akademike dhe me metodat më bashkëkohore tashmë të provuara si të suksesshme.

Ndoshta ka prindër që kanë merak se mësimi në gjuhën shqipe do të bëhet pengesë për përvetësimin e lëndëve në anglisht ose ndoshta mund të ndikojë për keq në zhvillimin psikik të fëmijëve,  apo thjesht studimi paralelisht në dy gjuhë mund të jetë mbingarkesë mendore për ta. Unë dua t’u them atyre se përkundrazi të mësuarit në dy gjuhë jo vetëm e ndihmon përparimin e tyre në mësime por në të njëjtën kohë i bën këta fëmijë akoma më observues, më të thellë në mendimin analitik e po ashtu me kulturë të gjerë.

E vecanta e këtij programi është se u krijon njëkohësisht mundësinë për të përvetësuar dy gjuhët si atyre që kanë lindur në Amerikë dhe e kanë anglishten si gjuhë parësore, edhe atyre që dinë shqip por vetëm pak ose aspak anglisht. Me qëllim që nxënësit të aftësohen të flasin, kuptojnë, lexojnë dhe shkruajnë të dyja gjuhët, rekomandohet që ata të fillojnë jo më vonë se në Kindergarten që këtu në Amerikë ka program të mirëfilltë mësimor apo edhe klasën e parë. Po kështu nevojitet që këta nxënës të qëndrojnë në program për të paktën 5 vjet deri sa të përfundojnë shkollën fillore. Vetëm natyra humane e ka aftësinë e të folurit dhe kjo është më e favorizuar në mosha të vogla pasi periudha me e ndjeshme e pjekurise biologjike të trurit në lidhje me gjuhën lidhet me këtë moshë. Më vonë, një pjesë e madhe e qelizave nervore përkatëse, së bashku me aftësitë përvehtësuese atrofizohen apo edhe humbasin. Kjo është arsyeja që fëmijët dhe të rinjtë mësojnë gjuhë të huaja shumë më lehtë dhe më shpejt sesa të rriturit. Rezultatet janë të dukshme sidomos në shqiptimin e fjalëve dhe aksentin që të rriturit në më të shumtën e rasteve nuk e evitojnë dot.

Në të njëjtën kohë është favorizuese që politikat arsimore të Nju Jorkut e inkurajojnë integrimin në jetën, gjuhën dhe kulturën amerikane paralel  me ruajtjen e identitetit etnik, historik, kulturor dhe gjuhësor të emigrantëve. Ky është një shans për brezin e ri në mërgim për t’u zhvilluar si pjesëtarë të të dy kulturave dhe të dy gjuhëve njëkohësisht. Gjuha shqipe duhet mësuar pasi përbën identitetin tonë etnik e historik dhe shërben si investim për kombin. Do të doja të përmendja këtu Rilindasin Filip Shiroka, i cili u drejtohej bashkatdhetarëve nga Kairoja me këto fjalë: «Kurrë nuk kemi të drejtë të quhemi komb i qytetëruar, sado që të mësojmë gjuhë të huaja, sepse kombi nuk qytetërohet vetëm me mësimin e gjuhëve të huaja, por me mësimin e gjuhës së vet!». Do të shtoja këtu se përvecse për atdhetarizëm, brezat e sotëm duhet ta ruajnë gjuhën shqipe edhe për interesa personale, ekonomike dhe kulturore. Dygjuhësia përbën një përparësi edhe në tregun e punës në ekonominë e sotme globale.

Korrektësia, serioziteti, maturimi, racionaliteti janë tipare që ju bëjnë të besueshëm në komunitet, por janë edhe aktorë të tjerë besoj… cilët konkretisht do donit të ishin përkrah tuaj në këtë proces me efekte kaq të vlefshme dhe në shërbim të një kauze që shkon përtej interesave të vogla.

Ta hartosh dhe të vësh në zbatim një program të tillë, është një proces i tërë dhe kërkon shumë punë. Do të doja që kolegët e mi arsimtarë kudo në NY të ndihmojnë në sensibilizimin e prindërve në lidhje me rëndësinë dhe përfitimet që mbart në vetvete mësimi paralel dhe integrimi i dy gjuhëve në aspektin personal dhe atë kombëtar. Në të njëjtën kohë do t’u sugjeroja mësuesve që janë të licensuar të punojnë në Departamentin e Arsimit në NY të punojnë për të zotëruar gjithashtu certifikatën shtesë që kërkohet për mësimdhënie në programe dy-gjuhësore (programi bilingual kërkon 15 kredite shtesë). Të vazhdojmë ta ruajmë me krenari dhe ta trashëgojmë gjuhën e bukur shqipe, gjuhë unike që paraqitet një degë më vete në pemën e gjuhëve indoevropiane dhe që për shekuj me rradhë i ka rezistuar kohërave.

Ju Faleminderit Drita…Ndjej se pas cdo bisede me ju unë shoh nga ajo ”dere e hapur” ku uroj të shoh përherë Dritën kurajoze ,plot ambicje dhe të guximshme me dëshirën e paepur që gjuha shqipe të ruhet, flitet dhe trashëgohet edhe këtu në diasporën e largët.

Dhjetor 2015

 

 

 

Filed Under: Interviste, Komunitet Tagged With: ''Nje jetë...Disa histori '' - Me mesuesen, Drita Gjongecaj, Marjana Bulku

25TH ANNIVERSARY OF THE FALL OF COMMUNISM IN ALBANIA

December 7, 2015 by dgreca

Press Statement/
John Kerry /
Secretary of State/
Washington, DC/
December 7, 2015/
On behalf of President Obama and the American people, I offer my sincere congratulations to all Albanians as you celebrate National Youth Day, which this year marks the 25th anniversary of the student movement that led to the fall of communism on December 8, 1990.
This historic transition was championed by the brave leaders of the student movement, bolstered by the regular citizens who marched and demonstrated against the dictatorship, and aided by the courageous former party members who assisted in establishing popular rule.
On this occasion, we recognize the great strides Albania has taken over the past quarter century. Today, Albania is a dedicated NATO Ally contributing to international peace and security.
Albania is also on the path toward full Euro-Atlantic integration, making necessary reforms to strengthen its democratic institutions and develop a competitive free-market economy. The United States values its warm friendship with the Albanian government and people and looks forward to deepening our partnership in the future.

Filed Under: Komunitet Tagged With: 25TH ANNIVERSARY OF THE FALL OF COMMUNISM IN ALBANIA, DC, John Kerry / Secretary of State/ Washington

IMZOT RROK MIRDITA DHE SHQIPTARET E AMERIKES

December 7, 2015 by dgreca

Imzot Rrok Mirdita, me një histori të gjatë me Nju Jorkun, ka qenë simbol i unifikimit të katolikëve të Treshtetshit – New York-New Jersey-Connecticut/

Nga Beqir Sina-New York/

HARTSDALE – NEW YORK: Si pasojë e një hemoragjie cerebrale, mesditën e sotme ka ndëruar jetë imzot Rrok Mirdita. Pavarësisht ndërhyrjes që ka kryer ditë më parë, ai nuk ia ka dalë dot mbanë.”Arkidioqeza Metropolitane Tiranë-Durrës, me shumë dhimbje njofton se sot, më datë 7 dhjetor 2015, rreth orës 14:30, në Qëndrën Spitalore “Nënë Tereza”, si pasojë e një hemoragjie cerebrale, ka kaluar në shtëpinë e Atit, Bariu i saj, Shkëlqesia i tij Imzot Rrok Mirdita, Arqipeshkëv Metropolit i Arkidioqezës Metropolitane Tiranë- Durrës.Qysh me datë 4 dhjetor 2015, Imzot Mirdita ka pësuar një insult cerebral. Menjëherë i është nënshtruar atë ditë një ndërhyrje kirurgjikale dhe është ndjekur në repartin e terapisë intensive të Neurokirurgjisë, ku ka vazhduar në gjëndje kome.Pavarësisht të gjitha përkujdesjeve dhe përpjekjeve nga ana e stafit të Neurokirurgjisë, gjëndja e tij ka ardhur duke u përkeqësuar derisa sot ka ndërruar jetë”.Kisha Katolike shqiptare në Amerikë “Zoja e Shkodrës” e cila ndodhet në një mjedis të bukur natyror, periferinë Harsdale – në kantonin Ynokers(NY), për çdo vitë, ka pasur një aktivitet të dendur fetar e shoqëror dhe kombëtar, ku një kontribut të veçnatë ka lënë edhe Imzot Rrok Mirdita.

Dom Pjeter Popaj prezanton kandidatet per krezmin

Ardhja e Imz. Rrok Mirdita gjithmonë ka qenë ngjarje e veçantë për kishën e besimtarët – në Kishën katolike shqiptare në Amerikë “Zoja e Shkodrës” në Harstdale – New York.Më 2006 në Kishën katolike shqiptare në Amerikë “Zoja e Shkodrës” në Harstdale – New York, u zhvillua një aktivitet i rëndësishëm fetar. Aktivitet, në cilin mori pjesë edhe i përndershmi Imz. Rrok Mirdita, Arqipeshkev Metropolitan i Tiranë – Durrës.I përndershmi Imz. Rrok Mirdita dha Sakramentin e krezmimit (perforcimit) 48 kandidatëve në New York.Në ceremoninë e rastit atë bashkëmeshuan, me Imz. Mirditën, famullitari Dom Pjetër Popaj, zv/Famullitari Nikolin Pergjini dhe sekretari personal i Imz. Mirditës Dom Marjan Paloka. Ishin present dhe rreth 450 vetë, besimtarë e besimtare. Çdokush i pagëzuar katolik ka me borxh të krezmohet, ashtu edhe këta të rinj, që u përgatiten për 9 muaj në katekizëm, u krezmuan ata.

Sakramentin e krezmimit (perforcimit) 48 kandidatëve me Imzot Rrok Miriditën

Gjate meshës të orës 1:30 pas dite, ceremonia e krezmimit filloi me prezantimin e kandiatëve nga Dom Pjetër Popaj. Mandej, Imz. Mirdita, në predikimin përkatës, u foli të rinjëve për domethënien e Sakramentit të Krezmimint duke e krahasuar atë me ardhjen e Shpirtit Shënjt mbi apostuj. Për ata që nuk janë të njohur me Kishën Katolike, ajo përcakton shtatë sakramente: Pagëzimi (përmes të cilit bëhemi të krishterë), Rrëfimi (përmes të cilit pajtohemi me Zotin duke i rrëfyer mekatet e bëra dhe duke u penduar për to), Kungimi (përmes të cilit marrim shujten shpirtërore, duke u ushqyer, në formë buke, me Mishin dhe Gjakun e Krishtit), Krezmimi (përmes të cilit përforcohemi në fe), Vojimi (që jepet kur jemi duke vdekur), Urdhëri Shënjt (shugurimi meshter), Kurora e Martesës (përmes së cilës sancionohet bashkimi në kurorë). Mbas predikimit, Imz. Mirdita, duke i lyer kandidatët në ball me vajin e krezhmit dhe duke përsëritë formulën e krezmimit, “Prano vulën e dhuratës së Shpirtit Shenjt”, i shpalli ata të krezmuar.Më në fund, në shenjë dashuri dhe respekti Imz. Mirdita u pa të pozoi me çdonjerin, e të porsa krezmuarve për fotografi përkujtimore, si dhe për fotografi në grup dhe me besimtarët, ku shumicën e tyre i njihte prej shërbesave fetare në New York.

I përndershmi Imz. Rrok Mirdita, Arqipeshkev Metropolitan i Tiranë – Durrës

Imzot Mirdita, i tha zoti Mark Shkreli gazetës sonë, kishte ardhë enkas për krezmimin e fëmijve. Ky sakrament, si rregull, jepet vetëm nga ipeshkvinjt, megjithse, nga njëherë, edhe priftërinjt mund t’a bëjnë. Ai tha se, Imz. Mirditën e kishte ftuar famullitari Dom Pjeter Popaj, në shenjë respekti për shërbimin e tij 20-vjeçarë në këtë famulli, që nga viti 1973 deri më 1993, kur Papa Gjon Pali II e ka emëruar arqipeshkev të arqipeshkvisë Durrës – Tiranë. Ai, me kënaqësi, e pranojë këtë ftesë, dhe çdo vjet vjen enkas për këtë.Burime nga kisha thanë atëhere se i Përndershmi Imzot. Mirdita, udhëtonte për në Itali ku, ai do të celebronte një meshë në kishën Zoja e Shkodrës, në zonën Genazzano, ku gjendet afreskoja e njohur, e cila, sipas legjendës, me 1467, në mënyrë të mrekullueshme, është shkëputë nga muri i kishës së Zojës, në rrënzë kalasë së Rozafatit në Shkodër dhe, e bartur nga engjejt, ka fluturuar përtej Adriatikut dhe ka zënë vend në Genazzano, ku ishte në ndërtim një kishe e re. Dy shkodranë iu vunë mbas dhe kaluan detin – këmbë. Shumë papë, duke përfshir edhe papën shqiptar Klementin XI, e kanë vizituar ketë shenjtore në Genazzano. Kisha Katolike shqiptare në Amerikë “Zoja e Shkodrës”, ka organizuar disa shtegtari në provincën e Genazzanos, dy të fundit më 2000 dhe 2003.Ne mes Imz. Mirdita (ne mes), Dom Pjeter Popaj (ne te majten e Mirdites), Dom Nikolin Pergjini (ne te djathten e Mirdites) me te rinjte e sapo krezmuar

Rrok Mirdita, ka një histori të gjatë me Nju Jorkun

Ai ka ardhur në New York, nga arqipeshkvia e Tivarit me 1973 dhe ka shërbyer si ndihmës i Mons. Oroshit, i cili ishte administrator i Kishës “Zoja e Këshillit të Mirë” në Bronx, deri më 1986, kur Oroshi, pensionohet dhe Mirdita bëhet administrator. Menjëherë ai mori hapa për unifikimin e katolikëve të Treshtetshit, New York-New Jersey-Connecticut. Më 1987 u nënshkrua deklarata për unifikimin, kurse me 26 shtator 1989 u nënshkrua kontrata për blerjen e trollit ku sot gjendet kisha e bukur e Zojes së Shkodrës në Hartsdale. Dy ditë më vonë se të ndodhte kjo, Arqipeshkvi i New Yorkut, kardinali O’Connor, e shpalli famulli dhe emëroi Dom Rrok Mirditën famullitar të parë.Me propozimin e Mark Shkrelit, njeri shumë i afërt me kishë, dhe përkrahjen e këshillit, kisha u emerua Zoja e Shkodrës. Punët filluan me zell, por Mirdita, nuk arriti t’i futë themelet kishës së re sepse Papa Gjon Pali II, në dhejtor 1992, e emëroi arqipeshkev të Durrës-Tiranës, gjë që e detyroi shpërnguljen e tij nga New Yorku.

Imz. Mirdita, që erdhi në New York, për këtë rast, dhe më pas do të udhtonte për në Itali, për të të celebruar një meshë në shenjtoren e Zojës së Shkodrës në qytetzën Genazzano, nja 45 km në verilindje të Romës.

Tonin Mirakaj, aktivisti i palodhur i komunitetit shqiptaro-amerikanë, vatranë i hershëm dhe publicist, ish Kryetari i Këshillit të Kishës Katolike Shqiptare “Zoja e Kshillit t’Mir” (sot “Zoja e Shkodrës”, Hartsdale, New York), kujton mikun e tij – Imzot Rrok Mirditën, në një shkrim të tij, kur ai erdhi në krye të Kishës Katolike Shqiptare në New York duke thënë :”Më 1986, themeluesi i qendrës, tashti Msgr. Zef Oroshi, për arsye shëndetsore, del në pension dhe Dom Rrok Mirdita, caktohet Administrator i qendrës, duke u vendosur në krye të të Kishës Katolike Shqiptare në zonën e Tri-Shtetshit”.Pra, qysh këtu nisi udha e bariut të Zotit, në Nju Jork e Imzot Rrok Miridtës

Publicisti dhe shkrimtari Klajd Kapinova, ka shkruar se I Përndershmi Dom Rrok Mirdita, ka qenë i angazhuar maksimalisht edhe në Simposiunin për Pjetër Bogdanin në Nju Jork .Ku si shkruan Kapinova :” Sot me të drejtë në shtypin e ditës përkujtohet 25-vjetori i vizitës së parë të linderit paqësor të demokracisë dhe lirisë së Dardanisë martire Dr. Ibrahim Rugovës, një vlerësim mëse i merituar edhe në të adhmen duke përkujtuar edhe personalitetet të tjera, që morën pjesë në Simpoziumin historik dhe kulturorë, për Bogdanin në New York.Ai në këtë shkrim nuk ka lënë pa permendur edhe Imzot Rrok Mirditën, të cilin ne po e kujtojmë sot në këtë shkrim ditën e amshimit.Kapinova thotë se; “Në lajmërimin e hartuar nga komisioni përgatitës, që mban datën 3 korrik 1989, ndër të tjera lexojmë: “Këshilli i kishës katolike shqiptare në New York, adminstratorit I Përndershmi Dom Rrok Mirdita dhe ndihmësi i tij Dom Pjetër Popaj, lajmërojnë të gjithë bashkësinë shqiptare, se me datën 7 tetor 1989, do të mbahet një “Seminar Përkujtimor”, me rastin e 300-vjetorit të vdekjes së Ipeshkvit të kishës katolike, teologut, shkrimtarit, themeluesit të letërsisë shqipe dhe patriotit të madh shqiptar Imzot Pjetër Bogdanit…Kurse, Fran G. Shkreli, (i cili ka punuar për Zërin e Amerikës për një periudhë 30-vjeçare në detyra të ndryshme, përshirë shef i Shërbimit shqip dhe shef i Drejtorisë së Euro-Azisë), ka thënë për këtë aktivitet se :”Është me vend që të përmenden disa prej tyre –më të rëndë-sishmet — siç ishte akademia e mbajtur me rastin e 300-vjetorit të Imzot Pjetër Bogdanit, kur u ftua Dr. Ibrahim Rugova për të mbajtur ligjëratë. Kjo ishte vizita e parë e Ibrahim Rugovës në Amerikë dhe mund të thuhet lirisht se Kisha Zoja e Keshillit të Mirë mund të marrë kredinë se me këtë ftesë, konsiderohet që ai të ketë filluar karjerën e tij politike, që pak më vonë e konsolidoi atë si udhëheqsin e Kosovës që e njihte e gjithë bota, si udhëheqës i Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe më vonë si President i atij vendi.”

Edhe publicisti, kritiku letrar, shkrimtari i disa librave, autori Tomë Mrijaj, Sekretar i Përgjithshëm i “Lidhjes së Tretë të Prizrenit” në librin e tij me titull : “Monsinjor Zef Oroshi, Një jetë e shkrirë për fe e atdhe” e përmend Imzot Rrok Mirditën për kontributin e tij fetar dhe kombëtar në Kishën Katolike Shqiptare në Nju Jork

Kisha Katolike shqiptare “Zoja e Shkodrës” dhe Qendra kulturore Nëna Terezë kan promovuar veprën në 3 vëllime “Për një Shqipëri me Zotin” e Imzot Rrok Mirditë.

Vepra tri vëllimshe me titullin “Për një Shqipëri me Zotin..” që mbledh predikimet, fjalimet e shkrimet e kryeipeshkvit të Tiranë-Durrësit, imzot Rrok Mirditës gjatë misionit të tij ipeshkvnor në udhëheqjen shpirtërore të Kishës dioqezane Tiranë-Durrës, u promovua në Nju Jork .

Promovimi i këtij libri, u bë nga Kisha Katolike shqiptare “Zoja e Shkodrës”, Qëndra e saj kulturore Nëna Terese, nën përkujdesjen e Dom Pjetër Popoj, famullitari dhe meshtari i kësaj kishe. Libri “Për një Shqipëri me Zotin”, përsiatjet e një bariu shpirtëror, të Imzot Rrok Mirditës, është i përgatitur nën kujdesin e dom Marjan Palokës, Marjan Lumçit dhe Gjergj Metës.

Të pranishëm në promovimin e veprës, në Biblotekën e Qendrës Kulturore Nëna Terese, ishin edhe përfaqësues të besimit katolik, mysliman e ortodoks dhe vetë autori, arqipeshkvi Mirdita, i cili për disa vjet ka shërbyer në këtë kishë.

Ceremonia e promovimit te librit u zhvillua me pjesëmarrjen e konsiderueshme të një numri të madh lexuesish, shkrimtarë këta dhe poetë shqiptarë në SHBA-ës.

Në këtë promovim morën pjesë; edhe disa lider të komunitetit, studentë, e personalitete të njohura nga trojet etnike shqiptare, që jetojnë e punojnë këtu në SHBA-ës. “Dhe, kjo nuk është aspak diçka e rastësishme, si për pjesëmarrjen kaq masive, por edhe për vendin e vyer, ku u zhvilliua aktiviteti, që i jep një rëndësi të posaçme librit të Imzot Rrok Mirditës, pjesë e këtij komuniteti, është edhe ai vetë”, tha Dom Pjetër Popaj.

Njëri prej përpiluesve, të këtij libri dom Marjan Paloka, i cili, mori pjesë vetë në këtë promovim, në Biblotekën e Qendres Kluturore Nëna Terese .

Prof. Sami Repishti, shkrimtar, humanist dhe historian shqiptarë, dekoruar disa herë nga qeveritë shqiptare dhe amerikane për veprimtari patriotike e akademike, ish professor në Universitetin Adelphi në New York, dhe autor i një numri studimesh dhe librash për Shqipërinë,  ish i burgosur politik (1946-56) aktivist per te drejtat e njeriut, në kumtesën e tij foli për temat më të rëndësishme të librit, dhe nënvizoi vështirësitë që Imzot Rrok Mirdita dhe të tjerë, si At Zef Pllumi dhe At Zef Luli, kanë kaluar gjatë regjimit komunist, pasi ai dhe vetë ka kaluar më shumë se 10 vjet në burgjet e egra të diktaturës së Enver Hoxhës.

“Megjithatë tha profesor Repishti, libri i Imzot Rrok Mirditës  “Për një Shqipëri me Zotin”, qysh në titullin e zgjedhur bukur,  ka gjetur mirë  vlerat didaktike, historike dhe shpirtërore të veprës dhe përvojës 17-vjeçare që arqipeshkvi Mirdita,  pati në Kishat Katolike të Durrësit dhe Tiranës, dhe kudo që ai shërbeu e shërben ende  me aq devotshmëri”.

Në këtë promovim veç përshëndetjeve dhe fjalës kryesore së mbajtur nga Dom Pjetër Popaj me ligjerata u paraqitën tre ligjerues, Dom Marijan Paloka, studiuesi Bardhyl Ukcama dhe professor Sami Repishti.

Promovimin e librit “Për një Shqipëri me Zotin”, me autor Imzot Rrok Mirditës, e drejtojë Lekë Përlleshi.

Ndërsa përshëndeten miku i Imzot Rrok Mirditës, Tonin Mirakaj, si dhe dr Gjon Buçaj, Adnan Mehmeti, drejtori i Qëndrës Kulturore Nëna Terese, zoti Mark Shkreli.

Në mesin e qindra pjesëmarrësve ishin edhe Presidenti i Shoqatës së Shkrimtareve Shqiptaro-Amerikanë, Adnan Mehmeti, nga Letovica e Preshevës, i cili krijon dhe jeton prej vitesh në Amerikë, poetja nga Kosova  Rita Salihu – veprimtare e komunitetit nga Rhod Island, me bashkëshortin e saj, Inxh. Adem Salihu, Kryetari i Federatës Pan Shqiptare të Amerikës VATRA, dr Gjon Buçaj, gazetari dhe publicisti i njohur  Frank G. Shkreli, gazetari dhe redaktori i disa gazetave në Shqipëri dhe SHBA-ës, Dalip Greca, editor i gazetës Dielli etj.

 

 

Filed Under: Komunitet Tagged With: Beqir Sina, Imzot Rrok Mirdita, Shqiptaret e Amerikes

Gjimnastja e vogël Liza Dema, vend të parë në Chikago

December 6, 2015 by dgreca

Një lajm i gëzuar na vjen nga Chikago. Vogëlushja shqiptaro-amerikane Liza Dema fitoi vendin e pare në garat e gjimnastikës që u zhvilluan këtë javë në “Chicago Park District.” Natyrisht cdo  sukses i fëmijëve shqiptarë, kudo që ndodhen, në cdo akktivitet ose sport na gëzon të gjithëve.  Ndaj le ti përcjellim Urimet më të mira gjimnastes së vogël Liza dhe suksese të mëtutjeshme ne sportin e bukur të gjimnastikës. {Sh.K}.

Filed Under: Komunitet Tagged With: Gjimnastja e vogël Liza Dema, ne Chikago, vend të parë

AVOKATI YLBER DAUTI – NJË BETEJË E VESHTIRE LIGJORE QË LUMTUROI GRUAN FATKEQE KOSOVARE

December 5, 2015 by dgreca

Shqiptarja nga Kosova, e kthyer në një invalide –ulur në karrocën e saj, e diagnostikuar me një simptomë të rrezikshme të sklerozës multiple, e aksidentuar nga një autobus publik në Queens-New York, mbeti pesë vjet”peng” i një zyre avokatore amerikane, ndërsa avokati shqiptar në kufijtë e një viti i dha asaj mbrojtje të kualifikuar ligjore dhe dhjetëfishin e shpërblimit që i patën premtuar…./

NGA DALIP GRECA/

Eleonorën nga Kosova e takova një pasdite fundtetori në paradhomën e zyrave të avokatit Ylber Dauti, në katin e 30-të, në Brodway, Manhattan, NY.Ajo e kishte kërkuar vetë takimin, ku do të ishte i pranishëm edhe vëllai i saj që kishte ardhë enkas nga Evropa.E ulur mbi karrocën e saj të invalides, e ndihmuar nga një grua e moshuar, jo e kombsisë shqiptare, fqinjë me të, ajo më zgjati dorën dhe u prezantua.Dukej pak e lodhur por tepër e gëzuar.

  Historia e Eleonorës është plot dhembje.Ajo vuan nga një simptomë e rrezikshme e sklerozës multiple, së fundi e rënduar pas një aksidenti, që kishte ndodhë 6 vite të shkuara. Si ndër mjergull e kujton ngjarjen e 5 gushtit të vitit 2009 në Astoria, Queens, NY. Një rastësi e dhimbshme; të nesërmen kishte ditëlindjen.Ishte duke kaluar rrugën me drita të lejushme për këmbsorët por dhe makinat, por shoferi i një autobuzi, nuk e ka parë që ajo ishte para tij…. Në atë kohë e sheh veten të përplasur përtokë. Ajo fatkeqesisht kishte muaj para akisdentit qe vuante nga skleroza multiple. Ndërkohë që vazhdonin mjekimet, një zyrë avokatore amerikane e merr përsipër mbrojtjen ligjore të saj. Kalojnë muaj, vite dhe asgjë nuk po ndodh me avokatët amerikanë që i japin përditë shpresë, madje i premtuan se do të fitonte miliona, por asgjë. Kur ajo i ka humbur shpresat, vjen një telefonatë nga i vëllai, që jeton në Evropë….

Elonora, lëshon një”ah” tip ofshame dhe vazhdon rrëfimin:”Zoti ma dërgoi avokatin Ylber Dauti që më shpëtoi nga gjendje e pashpresë ku isha zhytur.Jeta më ishte bërë e padurushme nga skleroza, depresioni, hallet, borxhet…. Kisha pesë vjet që prisja avokatin amerikan t’ma përfundonte çështjen gjyqsore, por asnjë sinjal perveç pritjes pafund s’kisha prej tij.”

Në bisedë hyn i vëllai. Ai tregon shkurtazi se si vëlla dhe motër i kishin hequr shpresat nga zyra avokatore amerikane, por nuk po gjenin një zgjidhje që ta shpejtonin.Madje në vitin 2013 ai kishte udhëtuar drejt Nju Jork-ut dhe kishte shkuar tek zyra avokatore amerikane.Sërish vetëm premtime dhe asgjë tjetër.Avokatët amerikan i thanë se së shpejti do të niste gjyqi dhe ajo do të fitonte. U kthye i mërzitur në Evropë. Ishte tepër e vështirë që të gjente një avokat në distancë, por ndërsa hulumtonte në internet kishte lexuar në një gazetë shqiptare histori për çështje ligjore të shqiptarëve të Amerikës, të fituara nga avokati Ylber Dauti. Ai më citon dhe titullin e shkrimit: “Ylber Dauti, avokati shqiptar që diktoi ndryshimin e ligjit në shtetin e Nju Jork-ut”.

I vëllai i Eleonorës më tregon se pasi e kishte lexuar shkrimin, i telefonoi së motrës dhe i dha numrin e telefonit të avokatit, duke e këshilluar,që të lidhej me të dhe i kishte shpreh mendimin se ndoshta me avokatin shqiptar do t’ia dilnin mbanë.

Eleonora e vazhdon rrëfimin: “Me shumë emocion dhe shprese e formova numrin e telefonit të avokatit.”Ishte qershori i vitit 2014, kur ajo i telefonoi.Iu prezantua dhe i tha se kishte nevojë për ndihmën e tij për të fituar çështjen ligjore që nuk po zgjidhej prej vitesh nga një zyrë avokatore amerikane.I ka treguar zvarritjet e gjata dhe mosinteresimin.Avokati e ka ftuar të shkojë në zyrën e tij në një kohë të përshtatshme, por ajo i është përgjigjë se nuk mundet të dalë jashtë, madje se e kishte të vështirë të lëvizë brenda shtëpisë.I kishte treguar avokatit se vuante nga skleroza, sëmundje me të cilën ishte diagnostikuar para se t’i ndodhte aksidenti. I ka treguar se ishet fare e vetme dhe nuk kishte kush ta ndihmonte. Ndjehej e humbur në vetminë, mjerimin dhe me sëmundjen.I tregoi se nuk ishte në gjendje as të kujdesej për veten e saj. Avokati Dauti, i prekur nga historia e saj, mori vendimin për të shkuar dhe ta takuar Eleanoren tek banesa e saj.I ka kërkuar adresën dhe ka marrë rrugën drejt shtëpisë së saj në Lagjen Astoria të Queens-it.Kur ka shkuar i ka rënë ziles dhe ka pritë gjatë.Në fakt më parë ajo e ka paralajmëruar se mund të vonohej në hapjen e derës nga që ka vështirësi.Pritja ka qenë e gjatë.Heshtja shtoi shqetësimin.Avokati i ka rënë telefonit të saj.Por sërish asgjë.Ç’ka ndodhë? Karroca është përmbysur dhe e ka zënë poshtë Eleonorën.Avokati sërish i bie telefonit. Ajo arrin që ta zgjasë me mundim telefonin dhe i thotë se nuk ka mundësi ta hapë derën nga që është rrëzuar, por e udhëzon t’u bjerë zileve të fqinjëve që t’i hapin derën kryesore.Ai u ka rënë me radhë shumë zileve derisa dikush e ka hapë.Kur është hapur dera, avokati është befasuar nga pamja sureale që i është shfaqë parasysh.Me shumë mundim e ka kthyer në dhomë. Avokati ka tentuar që të thërrasë ndihmën e shpejtë të sillnin ambulancën, por ajo e ka ndaluar, duke i thënë se kjo i ndodhte shpesh për shkak të sklerozës.Vetëm duke parë gjendjen e saj, pa e njohur në detaje çështjen gjyqsore, avokati i kishte dhënë fjalën se si shqiptar do ta mbronte me përkushtim në çështjen ligjore. E dëgjoi me vëmendje historinë e saj prekse, pa asnë njeri që ta ndihmonte, pa qenë e zonja t’i shërbente vetes, pasojat e aksidentit dhe të sëmunjdes, e kishin zhytë në depresion.

Avokati tronditet nga rrëfimet e saj, kur i tregoi se kishte raste kur rrëzohej në banjë dhe s’kishte kush ta ngrinte,aty kishte mbetë pa ndihmë, e rrëzuar për orë të tëra, i kishte telefonuar policisë,- kanë ardhë e kanë shkatërruar derën për t’i dhënë ndihmë,- kishte raste që mbetej e pa ushqyer, se nuk mund të lëvizte jashtë apartamentit, madje dhe brenda kishte vështirësi. Edhe pse nuk ishte i qartë dhe i mirëinformuar për rrethanat e aksidentit të saj,edhe pse nuk ishte i sigurët nëse do t’ia dilte mbanë një rasti të tillë që dukej kompleks, i paqarte dhe si i zhytur në mjegull, pas atij rrëfimi tronditës, avokati ndjeu dhimbje për situatën e saj të mjerushme, dhe vendosi ta merrte në mbrojtje dhe të ndiqte me përparësi rastin e saj. Vendimi i parë që mori ishte gjetja e një shërbyeseje që të kujdesej për Eleonoren dhe të përmirësonte kushtet çnjerëzore ku ajo jetonte. E mori dosjen e saj nga avokatët amerikanë, ku qëndronte prej 5 vitesh.Bisedoi me avokatët e palës kundërshtare dhe mësoi se ata u kishin bërë një ofertë prej rreth pak qindra mijë dollarësh avokatëve të mëparshëm, por në fakt Eleonora kurrë nuk kishte pasë informacion për këtë ofertë. Avokatët nuk ia kishin përmendë kurrë.

Avokati, studioi dosjen në detaje dhe ndërtoi strategjinë e gjyqit.Natyrisht çështja ishte tepër e komplikuar. Nuk kishet dëshmitarë okularë për aksidentin.Ishte vetëm fjala e të aksidentuarës, përkundër fjalës së shoferit të autobuzit, i cili pretendonte se e aksidentuara ishte rrëzuar nga trotuari dhe kishte rënë para autobuzit. Nga ana tjetër e aksidentuara – për shkak të gjendjes shëndetesore – nuk mbante mend detajet e aksidentit, kështu që avokati e kishte të vështirë të provonte përmes dëshmisë së klientes së tij se shoferi nuk po tregonte të vërtetën, edhe pse vetë z. Dauti krijoi bindjen se shoferi po gënjente.Përsa i përket dëmit të shkaktuar çështja komplikohej më shumë sepse që para aksidentit klientja vuante nga sëmundja e sklerozës multiple(të shpërndarë), një sëmundje e tmerrshme e sistemit nervor, që mund të shkaktojë paralizë, dëmtime të memories, dëmtime të aftësisë për të komunikuar, për të shikuar etj. Në rastin e të aksidentuarës dëmtimet ishin shkaktuar në kokë, ç’ka e detyroi atë që të qëndronte pesë ditë në spital. Për fatin e saj të mirë nuk kishte pësuar fraktura, kështu që nuk ishte nevojë për ndërhyrje kirurgjikale, pasi ënjtjet e trurit ishin larguar nga mjekimi në spital.Pala tjetër, jo vetëm insistonte, se aksidenti nuk ishte shkaktuar nga shoferi i autobuzit, por pretendonin se të gjitha simptomat prezente tek e aksidentuara ishin nga skleroza multiple dhe jo nga dëmtimet e aksidentit.Avokatët e mëparshëm kishin zgjedhë një strategji të thjeshtë dhe aspak bindse pasi pretendonin se të gjitha simptomat prezente ishin pasojë e aksidentit dhe asgjë nuk ishte e lidhur me sklerozën multiple. Për avokatin Dauti kjo ishet një strategji e papërgjegjshme pasi çdo gjykatës dhe çdo anëtar Jurie mund të futet në internet dhe me një hulumtim rreth sklerozës multiple do të mjaftonin 2 minuta për të mësuar se skleroza multiple është një sëmundje e tmerrshme e sistemit nervor e cila mund të shkaktojë shumë prej simptomave që klientja e aksidentuar i vuante aktualisht. Ne fakt pala kundërshtare do të sillte në gjyq një ekspert neurolog nga më të mirët në Amerikë për trajtimin e sklerozës i cili do të dëshmonte në gjyq se që të gjitha simptomat nga të cilat Eleonora vuante, vinin si shkak i sklerozës multiple dhe jo nga aksidenti. Kjo ishte një strategji disi ëndërrimtare dhe e përgatitur në mënyër naive nga avokatët e mëparshëm pasi faktet dhe evidenca nuk perputheshin me një strategji të tillë.

Avokati Ylber Dauti e ndryshoi komplet strategjinë e mbrojtjes.Ai konstatoi se avokatët e klientes së tij kishin bërë gabime strategjike në çështje. Nuk kishin marrë ekspertët e duhur për ta prezantuar çështjen para Jurisë dhe Gjykatësit. Ai përzgjodhi një eksperte, ixhjiniere biomekanik (eksperte me edukim mjeksor dhe inxhinierik,që bëjnë studime e analiza për të përcaktuar mënyrën e ndodhjes së aksidentit, nëpërmjet studimeve inxhjinerike të vendodhjes së aksidentit dhe analizës mjekesore të dëmtimeve trupore) për të provuar se natyra e dëmtimeve fizike ishte e tillë që vërtetonte se versioni i shoferit për mënyrën se si kishte ndodhë aksidenti, ishte i pabesueshëm. Avokati mori gjithashtu ekonomiste dhe mjeke nga më të mirët në Nju Jork dhe e bazoi strategjinë e çështjes mbi një fakt të pamohueshëm se : Vërtetë , shumë nga simptomat e klientes së tij ishin si rezultat i skelrozës multiple, por pretendimi i avokatit Dauti ishte se dëmtimet e aksidentit i kishin shkaktuar stres të madh të aksidentuarës dhe se ky stres kishte çuar në përshpejtimin e përkeqësimeve e simptomave të sklerozës multiple.

Avokati Ylber Dauti i kërkoi gjykates të përshpejtonin datën e gjyqit pasi klientja jetonte në kushte çnjerëzore dhe se po vazhdonte të merrte para hua për të përballuar jetën.Avokati Dauti punësoi një kameraman që të filmonte një ditë tipike nga jeta e mjerueshme e klientes së tij, me qëllim që Juria të shihte vetë se në çfarë rrethanash ishte katandisë e aksidentuara.

Dhe çfarë ndodhi?

Pas  shkëmbimit të dokumenteve ligjore, me strategjinë e re të mbrojtjes së çështjes, pas raporteve të ekspertëve dhe regjistrimeve filmike, pala tjetër, në prag të gjyqit ofroi një dëmshpërblim rreth tre herë më të madh se çfarë u kishte afruar avokatëve të mëparshëm amerikanë.Avokati shqiptar tashmë kishte siguruar epërsinë, i tha klientes që të mos e pranonte.Gjatë procesit të zgjedhjes së Jurisë pala tjetër e rriti ofertën dhe ofroi një shumë prej rreth pesë herë më të madhe, por përsëri avokati Dauti tha”JO”. Gjatë seancës gjyqsore, kur pala tjetër afroi një shumë rreth dhjetëfish më të madhe, avokati bisedoi me klienten e  tij dhe vëllanë e saj në Evropë, dhe e pranuan ofertën disa million dollarëshe, duke e fituar çështjen brenda nje viti,ndërkohë që avokatët e mëparshëm për 5 vite kishin arritur te siguronin vetëm një ofertë shumë herë më të vogël.

Kur e pyes avokatin se si ndjehet pas kësaj beteje të vështirë ligjore, ai shprehet:”Mbyllja e kësaj çështjeje më ka hequr një barrë nga më të rëndat profesionale në karrierën time. Kam vuajtë shpirtërisht.Më ka bërë të vuaj gjendja e saj e mjerushme. Kisha frikë ta imagjinoja jetën dhe të ardhmen e saj në rast se çështja do të humbte apo do të shtyhej nëpër apele gjyqsore për 5-6 vite të tjerë. Ajo jetonte në kushte jo njerëzore, me para borxh, që i huazonet me shpresë se çështja do të mbyllej shpejt e me sukses dhe ajo do të shlyente borxhlinjët. Tani jam i qetë dhe i gëzuar pasi bashkëkombsja ime mund të ndërtojë një jetë normale në kushtet e sëmundjes së saj duke punësuar një shërbyse dhe duke marrë mjekimet e nevojshme për lehtësimin e simptomave të sklerozës, pse jo do Zoti dhe ajo mund edhe të shërohet nga sëmundja pasi shkenca dhe mjekësia po zbulojnë mrekullira çdo dite …..Vërtetë ndjehem i gëzuar për këtë betejë të fituar.” Ndërsa Eleonora me sy të përlotur shton: “Për shkak të shkrimeve tuaja, arritëm ta gjejmë Ylber Dautin – i cili, si avokat i zoti, jo vetëm ma fitoi brenda një viti çështjen që po zvarritej për 5 vjet nga avokatët amerikanë – por ai më doli si vëlla pasi u kujdes për mua jo vetëm si kliente por sikur të isha motra e tij…dhe unë kurrë nuk do të harroj.”

              ***

PS: Bashkëbisedusja kërkoi që në fillim të vendosnim një pakt; të mos e publikoja emrin dhe mbiemrin e saj të plotë për shkak të sensitiviteteve të çështjes gjyqsore, ndjeshmërisë së situatës së saj shëndetësore dhe marrdhënieve të saj me të tjerë.

 

Filed Under: Komunitet, Mergata Tagged With: Avokati Ylber Dauti, beteje e veshtire ligjore, Eleonora, Gruaja nga Kosova

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 256
  • 257
  • 258
  • 259
  • 260
  • …
  • 395
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • The Alliance That Doesn’t Exist
  • MAXIMILIAN LAMBERTZ – DIJETARI AUSTRIAK QË IA KUSHTOI JETËN STUDIMIT TË GJUHËS DHE FOLKLORIT SHQIPTAR
  • Shkodër, 8 prill 1937, kur vetëdija jonë kombëtare u lartësua nga “Lahuta e Malcis”, rrokaqielli i eposit në vargje i At Gjergj Fishtës
  • MASAKRA E TIVARIT DHE AJO NË FRONTIN E SREMIT – KRIM KUNDËR NJERËZIMIT!
  • MËRGIM KORҪA – “HISTORI TË PASHKRUARA”
  • Një jetë në shërbim, një dekadë në bashkim
  • MBRESAT E MIA ME KOMUNITETIN SHQIPTAR KËRÇOVAR NË OLLTEN TË ZVICRRES
  • Misioni i Madh i Studentave të Shkupit! Shqiptar bashkohuni studentave!
  • NJË GJUHË, NJË IDENTITET – STUDENTËT DALIN NË MBROJTJE TË SHQIPËS
  • “Shqiptarët e Amerikës” ndjekin me shqetësim të thellë zhvillimet e fundit në Maqedoninë e Veriut
  • Eshtrat e Hasan Tahsinit duhet të sillen në atdhe
  • “Irani dhe Siguria Kombëtare”!
  • Pamja e Hënës të cilën nuk jemi mësuar ta shohim
  • Analizë strategjike: Roli i SHBA-ve dhe ndikimi i NATO-s në suksesin operacional ushtarak
  • MICKOSKI DHE POLITIKA E KAMUFLUAR NË BALLKAN

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT