• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

90 VITE JETË, 63 VITE NË FEDERATËN VATRA

June 24, 2024 by s p

Sokol Paja/

New York, 22 qershor 2024 – Tonin Mirakaj, një ndër aktivistët më të veçantë të çështjes kombëtare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës festoi 90 vjetorin e lindjes. Një atdhetar i flaktë, patriot i dalluar, aktivist i zjarrtë, antikomunist i vendosur, besimtar i devotshëm dhe qytetar model, për mbi 6 dekada Tonin Mirakaj dha kontribut të jashtëzakonshëm në komunitetin shqiptar në Amerikë. Në një festë private me familjarë e miq të ngushtë, me bekimin e Dom Nikolin Përgjinit e Diakon Marash Shkrelit, e bija Diana Mirakaj Finerti dhe nipat Poul e Anthony Evangelista mbajtën fjalën kryesore të drekës festive teksa shprehën dashuri e mirënjohje për Toninin e dashur e të shtrenjtë, për mirësinë, dashurinë, këshillat, përkujdesjen, humorin, zgjuarsinë, sakrificat e gjithçka ai i ka dhuruar familjes në 90 vite jetë.

Tonin Mirakaj shqiptaro-amerikan i natyralizuar që në vitin 1967, ka lindur më 5 Korrik 1934 në Iballë të rrethit të Pukës, në familjen “Mirakaj”, e njohur për persekutimin e qëndrim antikomunist, që në vitet e para të marrjes së pushtetit diktatorial që sundoi në Shqipëri afro 50 vjet. Tonin Mirakaj jeton në Amerikë që nga data 24 Shkurt 1961, i ardhur nga kampet 2 UN të Italisë. Në këto kampe kaloi 6 muaj. Në Amerikë erdhi me garanci të Komitetit Shqipria e Lir, dhe ndihmë të International Rescue Committee. Shkrimin e parë për botim pas ardhjes në Amerikë ia dërgoi editorit të gazetës “Shqiptari i Lirë” Profesor Nexhat Peshkopia. Ai e lidhi me Federatën Vatra dhe i dha një kopje të Kanunores, të cilën e ruan edhe sot me fanatizëm. Tonin Mirakaj u regjistrua si anëtar në Vatër në verë të vitit 1961. Për herë të parë ishte delegat në Kuvendin e Vatrës në vitit 1971. Tonin Mirakaj u zgjodh anëtar i Kryesisë, kryetar i degës 29 NY/NJ, kryetar kuvendi, sekretar, reporter kuvendesh disa herë, dhe n/kryetar i Federatës Vatra për 4 vjet në vitet: 81, 82, 83 dhe 85. Ka pasur një bashkëpunim të ngushtë me gazeten Dielli, kryesisht me editorin Xhevat Kallajxhi, bashkëpunim që e ruan edhe sot. Tonin Mirakaj është aktiv dhe ndër figurat kryesore të Vatrës e veprimtarisë patriotike në USA që nga viti 1971 deri më 1997. Anëtar i disiplinuar dhe shembull që nga 1961 e në vazhdim. Në mediat e shkruara në Amerikë Tonin Mirakaj ka kontribuar në gazetat: “Shqiptari i Lirë”, “Dielli”, “Koha e Jonë”, “Illyria” dhe “Jeta Katolike”. Tonin Mirakaj ndihmoi shumë emigrantë në integrimin e tyre në Shtetet e Bashkuara të Amerikës me punë e përkthime në emigracion. Gjatë jetës së tij u takua me shumë politikanë shqiptarë ndër ta veçon Doktor Rugovën, Doktor Berishën, Mejdanin, Moisiun etj.

Tonin Mirakaj u vlerësua dy herë nga Vatra, veçojmë më 26 dhjetor 2017 me rastin e 105 vjetorit të themelimit: “Anëtar i Përjetshëm” i saj, për anëtarësi të shkëlqyer, për qëndrim të denjë ndaj çështjes shqiptare, dhe shembull i qytetarit shqiptaro-amerikan. Tonin Mirakaj u dekorua nga Presidenti i Republikës së Shqipërisë z.Ilir Meta më 9 qershor 2022 me Titullin e Lartë: “Kalorës i Urdhërit të Skenderbeut” në shenjë vlerësimi dhe mirënjohje për kontributin e spikatur në demokratizimin e Shqipërisë, forcimin e lidhjeve historike shqiptaro-amerikane, lartësimin e imazhit shqiptar e vlerave tona kombëtare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Me kishen katolike shqiptare në New York Tonin Mirakaj fillon aktivitetin e tij me formimin e Lidhjes Katolike Shqiptare Amerikane (The Albanian American Cathilic League) më 16 Qershor 1962. Me 21 Korrik 1962 zgjidhet Këshilli i parë i Lidhjes: Tonin Mirakaj zgjidhet sekretar. Gjatë periudhës 1962 – 2000, ka kryesuar Këshillin e Kishës në 4 mandate, në periudha të ndryshme. Ka kryesuar aktivitete si Seminarin Internacional me rastin e 300 vjetorit të vdekjes së Imzot Pjeter Bogdani, mbajtur në Fordham University më 7 Tetor 1989, i cili në mes të tjeresh solli në Amerikë për të parën herë Profesor Ibrahim Rugovën. Në atë rast, filloi aktiviteti i tij diplomatik dhe politik që solli rezultate të përmasave historike për Kosovën dhe gjithë kombin shqiptar. Tonin Mirakaj organizoi Festivalin e parë shqiptar më 28 Tetor 1991, suksesi i të cilit filloi një traditë që po vazhdon për më shumë se 30 vite. Kryesoi shtegtimin në Vatikan dhe Audiencën me Shenjtërinë e Tij Papa Gjon Pali i dytë, Shtegtimin në Tokën e shenjtë etj. Kontributi dhe veprimtaria e Tonin Mirakajt do të ishte e pamundur pa mbështetjen e bashkëshortes së tij Miliana dhe vajzave Eleonorë e Diana, djalit Danjel të cilët kane qenë në çdo hap me Toninin dhe aktive në veprimtaritë e Kishës Katolike Shqiptare në New York duke kontribuar në korin e Kishës e në grupin Rozafati që prej fillimit. Jeta e Tonin Mirakajt është një frymëzim për brezat, mbi 6 dekada aktivizëm e kontribut thelbësor për komb e komunitet në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Tonin Mirakaj me jetën e tij aktive e veprimtarinë shumplanëshe, përfaqëson një plejadë patriotësh që shënuan një emër të ndritur në historinë e shqiptarëve në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Faleminderit dhe mirënjohje për gjithçka Tonin Mirakaj.

Filed Under: Komunitet Tagged With: Sokol Paja, Tonin Mirakaj

Kurani në shqip si ngjarje e madhe e kulturës kombëtare*

June 24, 2024 by s p

Prof.Muhamed Mufaku/

Sivjet kemi dy ngjarje të lidhura: 40-vjetorin e botimit të përkthimit të parë të Kuranit dhe 80-vjetorin e lindjes së akademikut dhe përkthyesit të Kuranit, Feti Mehdiu.

Me këtë rast dëshiroj ta zhvilloj një paralele midis përkthimit të parë të Kuranit që nuk u kompletua në Tiranë (1921-1927) dhe përkthimit të parë komplet të Kuranit që u botua në Prishtinë më 1985.

Me konsolidimin e shtetit kombëtar shqiptar më 1920 dhe me hovin e zhvillimit të kulturës kombëtare, plejada e asaj kohe ndjente përgjegjësi për misionin e vet në integrimin e shqiptarëve në një kulturë kombëtare. Një prej pjesëtarëve të kësaj plejade ishte Ilo M. Qafëzezi (1889-1964), që e përfaqësonte gjeneratën e dytë të rilindësve, i cili bëri emër me aktivitete e vepra të ndryshme në mesin e kolonive shqiptare në Rumani e Amerikë deri më 1924, kur u kthye në Korçë dhe u bë biografi më i njohur shqiptar në periudhën midis dy luftërave. Përkundër kontributit të tij në kulturën kombëtare shqiptare, Ilo Qafëzezi pësoi shumë nën regjimin komunist deri në vdekjen e tij më 1964.

Me frymën e rilindësve, I. Qafëzezi punoi shumë për integrimin e shqiptarëve me anë të kulturës kombëtare. Në këtë kontekst mund të kuptohet rëndësia e ndërmarrjes së tij për përkthimin e Kuranit në gjuhën shqipe, pjesa (fashikulla) e parë e të cilit u botua në Rumuni më 1921 kurse pjesa e dytë në Korçë më 1927, si një ngjarje historike për kulturën shqiptare, e cila kishte jehonë të madhe jo vetëm në Shqipëri, por edhe në Turqinë e re.

Në parathënien e tij, Qafëzezi niset nga motivi fisnik për integrimin kulturor të shqiptarëve myslimanë dhe të krishterë, i cili mund të arrihet kur shqiptarët e krishterë mund të mësojnë për fenë islame nga burimi (Kurani) në gjuhën shqipe. Në mungesë të kësaj njohjeje, pra të Kuranit në gjuhën shqipe, ai e konsideron atë si “cipë qepe misterioze që i ndan fetarisht shqiptarët muhamedanë nga vëllezërit e tyre të krishterë”. Ndaj, ai e merr si obligim ta përkthejë Kuranin në gjuhën shqipe.

Qafëzezi pranon me keqardhje se ai nuk e ka përkthyer Kuranin nga arabishtja, por nga anglishtja (përkthimi i orientalistit të njohur anglez George Sale, i botuar në Londër më 1734), por ai shpreson se do të pasohet me përkthim më të mirë nga ndonjë ulema shqiptar nga arabishtja. Me fjalë të tjera, Qafëzezi nuk kishte pretendime të tjera, por vetëm motive kombëtare, duke ofruar një përkthim pa gabime e interpretime që prekin “vëllezërit muhamedanë”, që ishte ngjarje e madhe për atë kohë jo vetëm në Shqipëri, por edhe në Republikën e re turke ku u botuan më 1924 dy përkthime të Kuranit në turqisht, mu atëherë kur Hafiz Ali Korça kreu edhe përkthimin tjetër që nuk na arriti.

Këto përkthime, dhe të tjera në anglishte, aktualizuan në botën islame debatin mbi përkthimin e Kuranit në gjuhë të tjera, derisa Az-hari e lejoi atë më 1936, gjë që hapi rrugën për botimin e disa përkthimeve të Kuranit nga ulema të Bosnjës.

Ajo porosi historike e I. Qafëzezit për një përkthim më të mirë nga një ulema shqiptar nga arabishtja u realizua më në fund me botimin e përkthimit të Kuranit në Prishtinë më 1985 nga akad. Feti Mehdiu, i cili është njëkohësisht ulema në kuptimin mysliman dhe orientalist në kuptimin shkencor.

Kuptohet, para këtij botimi kemi pasur disa përpjekje në Shqipëri dhe në mërgatë. Në mesin e tyre ajo që meriton të përmendet këtu është kontributi i imamit Vehbi Ismaili (1919-2008), i cili filloi të botonte fragmentet e para të përkthyera të Kuranit qysh nga viti 1950 në revistën “Jeta myslimane shqiptare”. Më 1977 ai e kishte kryer punën dhe kishte përgatitur një version të daktilografuar për të udhëtuar në vendet arabe për ta realizuar botimin e përkthimit të tij atje. Por atë kopje të vetme e humbi gjatë rrugës. Kështu, imam V. Ismaili gjatë një vizitë në Prishtinë më 1979 u takua me akad. Feti Mhdiun (kur ishte atëherë ligjërues në Degën e Orientalistikës), me të cilin ka pasur korrespondencë në lidhje me përkthimin e Kuranit, dhe ia tregoi ç’ndodhi, duke e përfunduar bisedën me këto fjalë: “Unë nuk mundem më, vazhdo ti e unë të ndihmoj”.

Ky takim midis dy ulemave dhe dy përkthyesve të njohur nga arabishtja sikurse i dha porosi tjetër (pas asaj të I. Qafëzezit) akad. Feti Mehdiut, që e nxiti të punojë në mënyrë intensive për ta mbaruar dhe botuar përkthimin e tij më 1985. Imam V. Ismaili, i cili ishte në kontakt të vazhdueshëm me akad. Feti Mehdiun gjatë punës së tij, e priti mirë këtë përkthim dhe e promovoi në SHBA e Kanada në mesin e shqiptarëve, si dhe në Konferencën e parë për përkthimet e Kuranit në botë që u mbajt në Stamboll më 1986 nga institucioni i njohur IRCICA.

Ky përkthim kishte jehonën e vet në mesin e myslimanëve në ish-Jugosllavi, që ishin atëherë gati 20 për qind e popullsisë, dhe u promovua si “ngjarje e kulturës shqiptare” në revistën “Glasnik” (nr.5, Sarajevë 1985), e cila ishte organi i Pleqërisë së Bashkësisë Islame në Jugosllavi.

Vërtet, botimi i Kuranit më 1985, sikurse ai më 1921, ishte një ngjarje e madhe kulturore në rrethana të reja historike. Sikurse më 1921, kur Shqipëria integrohej në një kulturë kombëtare, në Kosovë e Maqedoni filloi procesi i një integrimi të ri kulturor pas vitit 1981.

Sikurse më 1921 ndihej mungesa e Kuranit në gjuhën shqipe si vepër burimore e shumicës myslimane, në Kosovë e në Maqedoni ndihej nevoja për këtë burim në procesin e ri kulturor antikomunist, si pjesë përbërëse e kulturës shqiptare. Në këto rrethana historike botimi i Kuranit nuk do të dilte me kohë (1985) pa përkrahjen e liderit të ri shqiptar Ibrahim Rugova. Kjo ka kuptimin e vet për atë kohë e për këtë kohë, sepse I. Rugova ishte intelektual laik, por e kuptoi rëndësinë kulturore të kësaj iniciative për integrimin e ri kulturor kombëtar të shqiptarëve. Në saje të kësaj nuk na habit tirazhi rekord i atij botimi (10 mijë kopje) për atë kohë.

Sikurse në Bosnjë më 1977, kur doli përkthimi i parë i Kuranit nga arabishtja, po ashtu nga një ulema e një orientalist i njohur boshnjak, ashtu edhe botimi i parë i Kuranit në Kosovë hapi rrugën për shumë përkthime që arritën në 13 deri më tani. Në mesin e tyre përkthimi i akad. Feti Mehdiut tani po del në botimin e katërt, gjë që ka domethënien e vet.

Botimi i parë doli me titull të thjeshtë (Kur`an-i), sikurse ai në Sarajevë më 1977, kurse i dyti më 1999 doli me titull “Kurani dhe hija e tij shqip”. Në mesin e dy botimeve u shprehen mendime të ndryshme qoftë për përkthimin ose për titullin. Në mesin e ulemave të asaj kohe ende kishte rezerva në parim ngase Kurani nuk mund të përkthehet, por mund të përkthehen e të shpjegohen ajetet e tij. Në saje të kësaj erdhi botimi i dytë me titullin “Kur`ani dhe hija e tij shqip”, për të treguar se Kurani i përkthyer nuk është ai Kuran origjinal i zbritur nga Allahu, por është thjesht hija e tij në gjuhën shqipe, edhe pse unë personalisht mendoj se ky është thjesht versioni shqip i Kuranit në arabisht.

Nga ana tjetër, disa linguistë kishin ca vërejtje për përkthimin e parë. Duke marrë parasysh se unifikimi i gjuhës shqipe u bë më 1972 me peshë dominante nga Shqipëria komuniste, përdorimi i gjuhës së re letrare u stabilizua gradualisht në Kosovë e në Maqedoni gjatë viteve ‘70. Kuptohet në leksikonin e gjuhës së njësuar mungonin shumë fjalë dhe shprehje adekuate të kulturës islame, ndaj nuk ishte e lehtë të arrihej një përkthim i Kuranit në gjuhën e njësuar më 1985. Botimi i këtij Kurani e nxiti në një mënyrë Bashkësinë Islame të Kosovës të nxjerrë më 1986 revistën mujore “Dituria Islame”, që lexohej shumë atëherë pasi që përfshinte shumë tema të kulturës kombëtare shqiptare, e cila hapi rrugën edhe për diskutime në lidhje me ligjërimin shqip të kulturës islame. Në saje të kësaj, ishte e natyrshme që akad. F. Mehdiu, një prej bashkëpunëtorëve të “Diturisë Islame”, të përmirësojë përkthimin që t’i përgjigjet këtij trendi të ri në Kosovë e në Shqipëri pas rënies së regjimit monist më 1990.

Tani, në rrethana të reja ku kemi nja 13 përkthime të Kuranit në gjuhën shqipe, është momenti që të merren parasysh këto rrethana historike dhe të rikonsiderohet përkthimi i parë i Kuranit në gjuhën shqipe si kryevepër e akad. Feti Mehdiut, përkundër kontributit të tij të madh në filologjinë orientale, me rastin e 80-vjetorit të lindjes.

*Fragmente nga një kumtesë e lexuar në tubimin në Bazel të Zvicrës më 22 qershor 2024.

Filed Under: Komunitet

Shpresëdhënëse – Mbresa nga “Një Mbrëmje së Bashku e Qendrës Kërkimore për Fëmijë Shën Juda”

June 21, 2024 by s p

Rafaela Prifti/

Shpresëdhënëse është fjala përmbledhëse e darkës së parë Një Mbrëmje së bashku e Spitalit Kërkimor për Fëmijë Shën Juda dhe takimi i parë i AFC USA me drejtuesit e këtij institucioni të shquar mbajtur në Boston Harbor Hotel më 7 qershor. Themeluar mbi 70 vjet më parë nga aktori, producenti dhe filantropisti amerikan me origjinë libaneze, Danny Thomas, (1912 – 1991), Qendra spitalore për Fëmijë e njohur me emrin “Saint Jude” u hap në Memphis, Tennesse në vitin 1962. Historia e jetës së Danny Thomas, prej nga nisi edhe përkushtimi i tij për të mos lënë asnjë fëmi të shuhet në agun e jetës (“No child should die in the dawn of life”) ka frymëzuar dhe ka gjetur mbështetje e përkrahje nga breza të tërë të ekspertëve, mjekëve, sponsorëve dhe ekipeve të administratorëve që ndihmojnë çdo ditë për gjetjen e kurave të kancereve tek fëmijët dhe sëmundjeve të rënda në pediatri.

Tre breza të Saint Jude në atë sallë ishin dëshmia më e mirë e një trashëgimie të suksesshme prej shtatë dekadave. “Darka e parë e këtij lloji,” tha, mes të tjerave Judy Habib, Kryetare e Bordit të Qendrës Spitalore për Fëmijë Saint Jude, “u nisi si një ide, vetëm dy muaj më parë, për një takim formal në Boston ku gjendet qendra administrative e spitalit të fëmijëve.” Por nga çdo detaj i mbrëmjes, duke filluar nga paraqitja e punimeve artistike të pacientëve, shoqëruar me një përshkrim të shkurtër jetësor, tek mesazhi përshëndetës i Marlo Thomas, bija e themeluesit të Saint Jude, video montazhet me pacientët e vegjël, eleganca e dekorimit, menysë, prezantimi i ankandit, përzgjedhja e muzikës, ishte e vështirë të besoje se organizatorët kishin mundur të arrinin të gjitha në aq pak kohë.

Drejtuesi tjetër i mbrëmjes, Dr. George Dekki nga Beth Israel Deaconess Medical Center tregoi sesi qysh fëmijë, ai kishte filluar të ndihmonte duke shkuar “derë me derë” me një kuti të vogël që e kishte ruajtur, për të mbledhur ndihma për Saint Jude. Dhe brezi i tretë në familjen Dekki, vajza e tij, tashmë e diplomuar, tregoi sesi në moshën 11 vjeçare ishte njohur me Suzane, e cila më pas e humbi betejën me kancerin. Kompozimi i një kënge kushtuar asaj “Një Akullore me Suzanën” (Ice Cream with Suzanne), të cilin e kishte interpretuar shumë herë qysh atëherë, përcolli tek pjesëmarrësit dhembshurinë njerëzore që nuk njeh moshë.

Nga rrëfimet e folësve që përshkruanin nisjen e udhëtimit të atyre që sot i përkasin brezit të themeluesve shihej filli i vazhdimësisë nga krijuesit tek ardhmëria. Për AFC USA, një shoqatë që feston pesë vjetorin këtë vjeshtë, “pjesëmarrja në darkën The Boston Hope Dinner vendoste lidhje me një institucion pararojë në arenën kërkimore të kurimeve dhe të luftës kundra kancerit tek fëmijët në Amerikë dhe në mbarë botën me programin e tyre të aleancës globale Saint Jude Global Alliance,” thanë Presidentja e AFC Roberta Nashi Panariti dhe Dr. Albana Mihali, MD, FACP.

“Vizioni i një shoqate me jetëgjatësi të tillë si Saint Jude,” tha Presidenti dhe Drejtuesi Ekzekutiv, Dr. James Downing, “është vazhdimësia e misionit të saj nga krijuesit tek ardhmëria –founders to future.” Por në rrafshin praktik që përherë e më tepër vlerësohet forca e komunitetit dhe e shoqatave si Albanians Fighting Cancer ku pjesëtarët japin kohën dhe energjitë për të qenë pranë njëri tjetrit në kohë të mira dhe të këqija.

Shpresa për t’i dalë mbanë luftës kundra kancerit vjen nga moria e terapive të avancuara si edhe nga optimizmi që përftohet nga prania në komunitet. Këto ide theksoheshin edhe në esenë e botuar këto ditë nga Shoqata Amerikane e Kancerit (American Cancer Society) Shpresë Përmes Përparimit.

Projektet dhe organizata kërkimore të kancerit janë shumëfishuar veçanërisht në dhjetëvjeçarët e fundit por kjo shoqërohet me sfidat e veta për sa i takon financimit të studimeve të kushtueshme për të kuruar dhe shpëtuar jetë. Prandaj darka të tilla si The Boston Hope Dinner i kushtohen mbledhjes së fondeve dhe gjetjes së sponsorëve të rinj. Dikur Dr. Dekki dhe moshatarët e tij shikonin baballarët e tyre dhe dilnin me kutinë e vogël në fushata bamirësie, sot pjesëmarrësit e darkës dhe përkrahësit shtypnin butonat në telefonat e dorës. Pavarësisht nga koha dhe vendi, dëshirën për të qene pranë njëri tjetrit e ndiejmë njësoj sepse duam që dikush ta hap derën dhe të na shoh si jemi. “Tell someone I am here,” ishte jo vetëm rrëfim prekës i një fëmije me kancer në Nikaragua që trajtohej nga Dr. Silva, Presidenti i atëhershëm i qendrës spitalore Saint Jude, por edhe “momenti kur e gjithë qasja ndaj sëmundjes, që trajtohej deri atëherë pas dyerve të mbyllura, ndryshoi nga mjekët dhe ekspertët tek kujdesi aktual për pacientët dhe të mbijetuarit nga kanceri në fëmijëri, i konceptuar si një tërësi komplekse,” tha Presidenti dhe Drejtuesi Ekzekutiv i Saint Jude, Dr. James Downing.

Filed Under: Komunitet

HALIL ARIF GECAJ (1930-1984)

June 18, 2024 by s p


HALIL ARIF GECAJ (1930-1984)

Me rastin e 40 vjetorit të vdekjes së Halil Arif Gecajt, ne bijtë dhe bijat e tij, e kujtojmë me shumë mall, dashuri e respekt. Ne mburremi dhe krenohemi për babën tonë të paharruar. Ai na dhuroi gjithçka në jetë: dashuri familjare e njerëzore dhe na edukoi ta duam atdheun e Kosovën tonë.

Halil Arif Gecaj lindi në fshatin Llukë e Ulët në vitin 1930, komuna Deçan nga prindërit Arif dhe Time Malokaj Gecaj. Rrjedh nga një familje e njohur dukagjinase, e cila ka trashëguar traditat shqiptare: dashurinë ndaj familjes, ndaj të tjerëve dhe mbi të gjitha dashurinë ndaj atdheut.

Halili ishte fëmija i tretë nga shtatë fëmijët e babait të tij, Arif Gecajt, katër djem dhe tri vajza: Smajli, Meta, Halili, Rrustemi, Ziza, Ajmanja dhe Hava.

Halil Gecaj, duke qenë i edukuar dhe i rritur në një familje të madhe, ka ndjekur rrugën trashëgimtare të të parëve të tij dhe është përpjekur që këtë begati të saj ta afirmojë sa më shumë me punë dhe vepra të mirëfillta kombëtare.

Halili qysh si fëmijë e kuptoi se jeta është e bukur kur ajo begatohet me tiparet njerëzore, me dashuri dhe vullnet për të krijuar familje të mbarë dhe të shëndetshme. Familja Gecaj kishte një miqësi të gjerë në Dukagjin e përtej tij, kurse vetë Halili ishte ai që ia rriti edhe më shumë nderin dhe dinjitetin e saj.

Gjatë tërë jetës u muar me punë bujqësore dhe blegtorale. Nga natyra ishte i zgjuar, zemërmirë dhe shumë bujar që veten e lënte keq për ta ndihmuar tjetrin në nevojë.

Në vitin 1957 u martua me Dykë Mushkolaj nga Irzniqi i Deçanit, një familje, gjithashtu e njohur në Dukagjin. Halili me Dykën lindën pesë djem dhe dy vajza: Hysenin, Muharremin, Xhaferin, Çaushin, Shpendin dhe vajzat, Shpresën dhe Havën.

Kur motra e tij Ziza, e martuar për Metë Bajraktarin e Vranocit, i cili ndodhej në pritje në Itali, përkatësisht në Atena për të migruar me tri vajzat dhe djalin në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Halil Gecaj, vendosi ta vizitonte atë, edhe pse kishte shumë vështirësi përpara, sepse asnjëherë nuk kishte dalë jashtë Kosovës, dhe nuk dinte asnjë gjuhë të huaj për të përballuar këtë rrugë të gjatë, herë me tren e herë me autobus. Ky fakt flet për gjindshmërinë dhe sakrificën që bënte për motrën e tij, Zizën.

Halili më 1975 i bën një vizitë edhe vëllait të tij më të vogël Rrustemit në Itali që, gjithashtu, ishte në pritje për të emigruar në SHBA.

Meqenëse i vëllai Rrustem Gecaj kishte migruar në SHBA, Halili e ka vizituar atë më 1978-1979 në New York. Në këtë vizitë që i bën të vëllait, motrës Ziza, nipave dhe mbesave, Halili pat rast të njihej edhe me shumë bashkëatdhetarë të ardhur nga trojet shqiptare.

Halil Arif Gecaj në vitin 1981 filloi të lëngonte nga një sëmundje e rëndë, e cila

dalëngadalë ia grryente trupin dhe shpirtin e tij dhe në një moshë relativisht të re më 1984, kur ishte vetëm 54 vjeç, vdiq në vendlindjen e tij në Llukë të Ulët prej se cilës s’u nda kurrë.

Ai pas veti la një familje të shëndoshë, të edukuar në mirësi e tradita kombëtare.

Shpirti i tij, pushoftë në paqe të përhershme.

Familja Gecaj,

në Llukë të Ulët të Deçanit dhe në SHBA

Filed Under: Komunitet

Konsulli i Përgjithshëm i Kosovës në New York, Ambasadori Blerim Reka dhe një pritje në nderim të 25-Vjetorit të Çlirimit të Kosovës

June 14, 2024 by s p

Nga Keze Kozeta Zylo/

Në mjediset e Konsullatës së Përgjithshme të Kosovës në Manhattan, Konsulli i Përgjithshëm I Republikës së Kosoves, Ambasadori Blerim Reka dhe një pritje në nderim të 25-Vjetorit të Çlirimit të Kosovës.

Në hyrje na mirëprisnin Konsulli Fatmir Zajmi dhe pedagogia Ymrane Reka. 

Nderoi me pjesëmarrjen e saj Ambasadore Dr. Suela Janina Përfaqësuesja e Përhershme e Shqipërisë në Kombet e Bashkuara.   

Përfaqësues të shquar të Diasporës si Dr. Pashko Camaj, Sekretar i Vatrës, Z. Mark Gjonaj, Harry Bajrakatari, Vehbi Bajrami, Bruno Selimaj, Lumi Hadri, Musa Dakaj, Haxhi Dauti dhe bashkatdhetarë të tjerë morën pjesë në këtë ceremoni për 25 Vjetorin e Çlirmit të Kosovës. Më e vogla ishte nxënësja 11 vjeçare Emma Watkins dhe Tringa Bytyqi të dyja nxënëse të Shkollave Shqipe Alba Life në Staten Island dhe në Manhattan.

Konsulli i Përgjithshëm i Kosovës në New York, Ambasadori Blerim Reka pasi përshëndeti gjithë pjesëmarrësit dhe iu uroi Ditën e Çlirimit të Kosovës midis të tjerash tha: 

Aleatët tane Euro-Atlantik, javën e kaluar festuan 80 vjetorin e mposhtjes së nazizmit hitlerian, e Kosova sot po kremton 25 vjetorin e Çlirimit nga fashizmi millosheviqian. Para tetë dekadash, zbarkimi i aleatëve në Normandi dhe para çerek shekulli hyrja e NATO-s në Kosovë, pas ndërhyrjes ajrore 78 ditëshe; i dhanë fund dy regjimeve gjenocidale. 

“D-Day”, shënoi desantin Trans-Atlantik krah rezistencës së armatosur franceze. Hyrja e tankeve britanike të KFOR-it, shënoi zbarkimin e trupave Veri-Atlantike, në vijim të luftës Çlirimtare të UÇK-së. 

Derisa Republika e Kosovës, u ngrit nga hiri i luftës, në një rrëfim suksesi të shtet-ndërtimit demokratik; Beogradi, nuk ndryshoi as pas çerek shekulli. Agresioni në Banjskë vjet dhe “Kuvendi Pan-Serb” sivjet, dëshmuan se Serbia mbeti e njejta: hegjemoni militariste, e papenduar për të kaluarën e saj gjenocidale.

Faleminderit luftëtarëve të Lirisë dhe aleancës Veriatlantike. Kosovë, urime dita e Çlirimit!

Ne si konsullatë këtë festë të 25 Vjetorit e kemi menduar me një intepretim artistik nga Lahuta e Malcis nga aktori Armend Baloku.  

Me vëmendje i kam ndjekur aktivitetet në Kosovë, ne trojet shqiptare dhe në Diasporën Shqiptaro Amerikane të cilat po përkujtojnë 25-Vjetoriin e përfundimit të fushatës 78-ditëshe të bombardimeve të NATO-s mbi ish-Jugosllavinë, që edhe çliroi përfundimisht Kosovën.  

Kryeparlamentari Glauk Konjufca me kontribute të mëdha për Kosovën tonë martire mirëpriti kryeministrin e Anglisë z. Tony Blair ose Heroi i Lirisë siç i thërret populli i Kosovës.

“Lahuta e Malcis” nga Gjergj Fishta intepretuar nga aktori Armend Baloku

Me shumë emocion lexova posterin që ishte shpërndarë në të gjitha karriget rreth Lahutës së Malcis nga Burri i ndritur i Kombit Gjergj Fishta që do të interpretohej nga aktori Armend Baloku.

Armend Baloku nje aktor simpatik nga Peja, apo siç njihet në një ndër rolet e tij si “Froku”, është aktori i njohur në Kosovë dhe më gjerë. Ai ka lindur dhe është shkolluar në Pejë.

Kryevepra e letërsisë kombëtare nga At Gjergj Fishta, “Lahuta e Malësisë”, nën intepretimin brilant të aktorit Baloku ndezi atmosferën plot emocion dhe drithërrima, ndërsa nga sytë e ndonjë gruaje pashë pikëza loti.  Po po lot!  Të dëgjosh vargjet e Epit në monodramë, duke sjellë të gjithë heronjtë e Gjegj Fishtës para publikut në këtë ditë të shenjtë doemos që do të ketë efekte tejet emocionale.  Grimasat, lëvizjet e trupit, të duarve të cilat ndonjëherë beheshin si allti të rrëmbenin të tërën dhe të ndalonin frymën.  Autori bëri një intepretim të shkëlqyer artistikisht dhe fizikisht, sepse ai solli në ecje bjeshkët, malet, kodrinat, Oso Kukën dhe armiqtë e zinj me të cilët luftoi heroikisht.  

Do te veçoja Knjaz Nikollë n me Lugatin, ndë rhyrjen e Oso Kukë s në  dyluftime të  personazheve, Ali Pashë  Gusis etj.  Aktori Armend Baloku u ndë rpre disa herë  nga duartrokitjet e pjesë marrë sve pë r intepretimin e tij professional dhe artistik.  Memorizimi ishte një nga aftësitë më të rëndësishme që i nevojiten një aktori dhe Armandi ia doli.

Zëri dhe levizjet e tij ishin si instrumente të akorduara, thelbësore, i cili herë e lëshonte zërin një oktavë me lart herë një më poshtë. 

Gjergj Fishta është tejet aktual dhe do të mbetet përjetësisht.  Kultura dhe atdhetarizmi I tij frymëzojnë brezat, kanë frymëzuar UCK-në sepse kanë një fuqi të jashtëzakonshme gati mbi natyrore ndaj dhe bëhen muzë perëndeshë frymëzimi. Fishta është drite e mendimit dhe e fjalës së epërme si në këto vargje:

“Pash njat sy që e paske hyll, 

qe ma qile e qe ma mylle, 

si ajo hana nëpër pylle, 

m’kallxo n’këtë hije shpati, 

si ta pshtoj Shqipninë i ngrati, 

se t’baj be  n’gurë të vorrit, 

n’bige të Shalës e n’shkamb Tomorrit,

 qe për të nuk me dhimet djali, 

qe për të jeten e fali”.

Kosova është dhe siç thotë poeti i ndritur Ali Podrimja si:  Kosova është flakë e hershme e ashtit tim t`pelcitur.Bota në ty le të kallet!

Aktiviteti u filmua nga z. Qemal Zylo për TV “Alba Life” dhe Halil Mula për TV 21

Gëzuar 25-Vjetorin e Çlirimit KOSOVË!

Rrofsh përjetësisht!

12 Qershor, 2024

Manhattan, New York

Filed Under: Komunitet

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 41
  • 42
  • 43
  • 44
  • 45
  • …
  • 386
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Potret kushtuar guximtarit të përndjekur Qemal Agaj
  • Shqipëria Nuk Ka Nevojë të Bëhet Singapor — Ka Nevojë të Bëhet Baltike
  • “PRIJATARËT E LAVDISË” – POEZI NGA VALBONA AHMETI
  • Gjuhën shqipe nuk e humb Norvegjia, e humbim ne në shtëpi
  • Një letër – Dy intelektualë – Tri dekada më vonë
  • Propaganda…
  • 𝐃𝐢𝐩𝐥𝐨𝐦𝐚𝐜𝐢𝐚 𝐞 𝐒𝐞𝐧𝐭𝐢𝐦𝐞𝐧𝐭𝐞𝐯𝐞 𝐌𝐢𝐝𝐢𝐬 𝐊𝐨𝐦𝐛𝐞𝐯𝐞: 𝐑𝐢𝐤𝐭𝐡𝐢𝐦𝐢 𝐢 𝐍𝐣𝐞𝐫𝐞̈𝐳𝐢𝐦𝐢𝐭 𝐧𝐞̈ 𝐧𝐣𝐞̈ 𝐁𝐨𝐭𝐞̈ 𝐊𝐨𝐧𝐟𝐥𝐢𝐤𝐭𝐮𝐚𝐥𝐞
  • LËVIZJA KOMBËTARE – NGA AUTONOMIA TE PAVARËSIA E SHQIPËRISË
  • “VATRA” në Boston ju fton në “Albanian Boston Community Center” më 17 janar 2026
  • NGA NJË KOLONI DE FACTO NË NJË KOLONI DE JURE
  • ADEM DEMAÇI, JO THJESHT FIGURË E REZISTENCËS, POR KATEGORI KONCEPTUALE E SHTETFORMIMIT
  • Roli i gazetës “Arnavud/Shqipëtari” në formimin e vetëdijes kombëtare te shqiptarët përballë politikave turqizuese të xhonturqve
  • Si investonte Serbia në thellimin e përçarjeve ndërmjet udhëheqësve shqiptarë dhe në shkëputjen e tyre nga ndikimi austro-hungarez
  • Marrëdhëniet e Gjergj Kastriotit – Skënderbeut me Republikën e Venedikut sipas dokumenteve të Arkivit Apostolik të Vatikanit, Arkivit të Shtetit të Venedikut dhe burimeve historike botërore
  • “U SHKEPUT NJE METEOR POR ZJARRI MBETET ZJARR…!”

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT