• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

E bekuara bujqësi në penën e Gjovalin Gjeloshit

January 16, 2025 by s p

Bashkim Koçi

Gazetar në Shqipëri/

Libri që ka si “personazh” kryesor dhe të vetëm, të bekuarën bujqësi, shkruar me pasion nga një misionar si Gjovalin Gjeloshi, të kthen prapa në vite dhe e vendosë bujqësinë tonë në dy kohë. Krahas nostalgjisë për këtë degë, nga më të rëndësishmet të ekonomisë, të ofron edhe problematikën e hallet pa fund të shëndetit pa shërim të plotë të saj. Edhe pse shkrimet problemore janë hedhur në letër dhe janë bërë publike në shtypin e kohës në periudha të ndryshme, e disa relativisht të largëta, çuditërisht janë aq të freskëta dhe aktuale sa lexuesi nuk do të mundë të jetë në gjendje të ndajë dot të shkuarën nga e tashmja. Shkrimet e autorit mund të jenë “të vjetër” nga vitet kur problemet janë evidentuar e trajtuar, por janë aq të freskët e aktuale, sa zor se gjen këshilla më të sakta për të shëruar e për ta bërë disi më të shëndetshme bujqësinë tonë të sëmurë.

Gjovalini duke u shfaqur edhe si specialist i nivelit të lartë, pra kompetent e i qartë për çka shkruan e këshillon, ka guxuar të rrok të gjitha problemet e hallemadhes bujqësi e madje të zbulojë e të rekomandojë nëpërmjet shembullit të më të mirëve, se ilaçi më i mirë që mund të bëjë efekt, është jo vetëm kujdesi e meraku për t’u qëndruar punëve në kokë, por edhe futja në përdorim e në masë të gjerë të teknologjive të përparuara. Gjovalini me pasion e merak bujku, nuk harron për të tërhequr vëmendjen e organeve të pushtetit vendor e qendror, si të periudhës komuniste edhe më shumë të asaj të demokracisë, që të mund të kthejnë ndonjëherë kokën për të dëgjuar ulërimat e dhimbjes të më të shumëvuajturës bujqësi.

Gjuha dhe fryma e shkrimeve është shpresëdhënëse dhe optimiste, por duke mos lënë mënjanë pozicionin kritik, të mbështetur nga faktet dhe dukuritë e konstatuara aty ku mbillet e korret, të cilat Gjovalini i ka qëmtuar me kujdesin dhe vëmendjen e gazetarit profesionist. Nuk mund të mos sjell në këto rradhë shkrime si shumë të goditura si “Kullotje me shkop” dhe jo “shkopin kullotave”, “Kujt i dhimbsen më shumë lisat: fshatarit apo rojtarit”, -”Të deleguar” që u ngatërrohen nëpër këmbë ”të zotëve të punës”, “Vërtetë, ia dhamë fshatit, ç’kishim për t’i dhënë”, “Në derra ra murtaja, në ministri raftë damllaja”, “Shirat përmbytës në qarkun e Lezhës ikën. Lanë mbrapa: llumin për fshatarët, turpin për qeveritarët”, “Toka që po u kalbet “mishi”, toka që po u dalin “brinjët”, e shumë të tjerë që ngrejnë dhe i japin vlera librit.

Gjovalinit i dhëmb, madje dhimbje që i shkon deri në kockë, trajtimi dhe kujdesi për tokën. Ai për këtë çështje e ka kapur “demin nga brirët” dhe as më shumë e as më pak, i ka sjellë në faqet e librit pa bërë asnjë zbukurim.

Tek shkrimet e trajtuara me profesionalizëm agronomi e gazetari si “Shqipëria, “delja e zezë…”, “Për “100 ha tokë”, apo “për çdo 100 ha tokë”?” apo “Kullimi bëhet në verë, ujitja në dimër”, “Të mbrosh tokën është si të mbrosh atdheun” etj, etj., lexuesi mbetet pa fjalë dhe mund të sjellë vlerësim maksimal për nervin me të cilin i sjell Gjovalin Gjeloshi.

Ajo çka të bën përshtypje në librin e Gjovalin Gjeloshit është përdorimi mjeshtëror i të gjithë zhanreve të publicistikës. Aty gjen shkrimin problemor, vëzhgimin, reportazhin, intervistën e madje edhe “Shënime Udhëtimi”. Kjo e fundit, qysh në kohën kur ai ishte student. Autori nuk e ka patur të vështirë, nëmos është ndjerë komod, të hedhë në letër me të gjitha ngjyrat e ylberit punën e fermerëve, gjithçka që ata sakrifikojnë për të kultivuar bimë të shëndetshme, për të prodhuar produkte bujqësore e blegtorale në standarde që kërkon tregu, madje edhe tregu evropian.

Dua të them se autori i këtij libri nuk ka lënë të mbetet “e harruar” ajo që e ka bërë të ndjehet “e fyer”, e lënë “prapa liste”, siç është fusha e propagandës. Në konceptin e autorit, propaganda nuk është një mjet që e ka përdorur vetëm sistemi komunist me tërë shtrembërimet që i veshim asaj. Për autorin, propaganda është komunikim që përdoret për të ndikuar ose për të bindur, ai mjet që çon përpara një axhendë të caktuar. Në këtë aspekt vlen të theksohet propagandimi i përvojës së përparuar në punët dhe shërbimet e bimëve të prodhimit bujqësor, si në bujqësinë e djeshme, ashtu edhe në të sotmen. Autori, përveç kritikave të gjithgjendëshme në tekst, ka sjellë edhe përvojën e përparuar në çdo rast.

Me guxim autori ka trajtuar jo vetëm çështje të bujqësisë, por edhe të fshatit në tërësi përpara vitit 1991: probleme të furnizimit të popullsisë me produkte bujqësore e blektorale, të cilësisë së gatimit të bukës e cila në fshat nuk e kishte vëmendjen e duhur, të urbanizimit të fshatit jo vetëm brenda vijave të verdha, të nivelit të jetesës. Dhe kryeshkrimi mendoj unë, për të filluar vënien e alarmit, se fshatari ynë po vuan nga mungesa e produkteve ushqimore, është shkrimi i botuar në faqen e parë të gazetës “Bashkimi”, më 1 korrik 1990, “Problemi është shtruar për zgjidhje. Të heshtim apo…”?, shkrim i cili hidhte idënë e zgjerimit të oborreve kooperativiste. Sipas dokumentacioneve të kohës, ky shkrim u bë shkak që Byroja Politike e Komitetit Qëndror të PPSH, 25 ditë më vonë daljes në dritë, të merrte vendimin për zgjerimin e oborreve. Po kështu , disa shkrime e intervista për pyjet, të mbeten në mendje.

Një vend të dukshëm zë bujqësia në tranzicion. Kjo fillon qysh me ndarjen e tokës sipas ligjit famkeq, ai i ndarjes së tokës për frymë pa shpërblim, abuzimet shtetërore që u bënë dhe vijojnë të bëhen në ndarjen e tokës bujqësore, te konceptet e reja që duhet të kemi për kooperativat bujqësore, pajisjen me mjete mekanike, kujdesi dhe ndihma e shtetit ndaj “bujkut të ri”, që tashmë quhet fermer, kujdesin e munguar ndaj ruajtjes së tokës bujqësore, ndaj rifutjes së tokave nën ujë apo deri edhe tek një term që fatkeqësisht është në vendin e duhur: “ribonifikimi” i tokave të Shqipërisë që shtrihen në zonën e lagësht fushore. Zëri është ngritur në qiell për këto probleme, është bërtitur e ulëritur, por memec-shurdhëria mbetet ende në grupin e sëmundjeve të pashërueshme. Janë disa shkrime që dëgjon melodinë e këtij problemi madhor.

Pena e Gjovalin Gjeloshit, që u kushtohet problemeve të bujqësisë, zë fill në gazetën e studentëve të Universitetit Bujqësor të Tiranës, “Studenti i Bujqësisë”, vijon me gazetën kombëtare të përditshme “Bashkimi”, gazetë në të cilën bëri emër prej gazetari problemor të këtij sektori si dhe në gazetën “Koha Jonë”. Për të mos e ndërprerë aktivitetin gazetarsek për këtë sektor edhe pas vitit 1990. Fillimisht në gazetën “Rilindja Demokratik”, “Shpresë”, gazetën “Dita”, “55” dhe “Tema”.

Duke mos u mjaftuar vetëm me sipërfaqet botuese që i rezervonin gazetat e mësipërme, ai vetë themeloi dhe drejtoi disa gazeta lokale, ku ndër më të arrirat mund të përmendim gazetën “Drini”, e cila për tre vjet me radhë, u bë tribunë e mendimit të specialistëve për problemet që shqetësonin bujqësinë tonë të vuajtur. Gjovalini me këmbëngulje të pazakontë bën apel në këtë gazetë, por edhe në organe të tjera, për të vënë në shërbim të bujqësisë shumë më shumë vend në ekranet televizive, e pjesën që i takon në faqet e revistave e të gazetave periodike e kombëtare.

Një kapitull i veçantë në këtë libër i kushtohet pikërisht gazetës Drini. Autori, si drejtor dhe kryeredaktor i kësaj gazete, ka sjellë për lexuesin, mendimet e autorëve të ndryshëm për këtë gazetë, vlerësimët që i janë bërë asaj nga specialistë të bujqësisë, medias dhe fushave të ndryshme të ekonomisë. Një vlerësim e meritueshëm për këtë gazetë, sepse u botua në një kohë kur shtypi bujqësor, siç thotë specialisti Illo Foto, ishte varur në litar, pra mungonte dhe vijon të mungojë përsëri.

Libri “Balta që (s)duam”, me autor Gjovalin Gjeloshin ka privilegjin të jetë disi i veçantë në llojin e vet. Siç edhe e përmendëm në fillim të këtyre rradhëve, ai ka marrë përsipër të sjellë me kujdes e përgjegjësi, problematikat e të shkuarës së bujqësisë tek e sotmja. Të gjithë ata që do të mundin ta kalojnë nëpër duar, besoj se do të mundin të dëgjojnë një zë të fuqishëm: Bëj më të mirën që mundesh! Atë që e mbjell tani, do ta korrësh më vonë.

Filed Under: Kronike

DITA E PËRKUJTIMIT TË GJENOCIDIT SERB NDAJ SHQIPTARËVE

January 15, 2025 by s p

Hazir MEHMETI/

“Harresa është kusht i domosdoshëm i kujtimit”.(Zhari).

Serbia kreu gjenocid të pa parë në Evropë ndaj shqiptarëve. Ky gjenocid duhet njohur nga institucionet relevante ndërkombëtare. Leo Freundlich në “Golgota shqiptare”, iu referohet fakteve, shkruan: “Historia e këtij kombi është një zinxhir i pakëputshëm luftërash të përgjakshme kundër shtypësve së dhunshëm. Por, këto tmerre të përgjakshme nuk ishin në gjendje ta shfarosin këtë racë të fuqishme”.

Shqiptarët u masakruan, torturuan, u dëbuan shekujve nga pushtuesit serb. Në kontekst të përcaktimit të një date dhe simbolin e saj për të përkujtuar këtë gjenocid barbarë po nxjerr nga libri “Pranverë e helmuar” disa fakte nga arkivat dhe shtypi botëror. Serbia ishte dhe mbeti shtet terrorist. Këto tmerre nga terrori shkatërrues ndaj kombit shqiptar, janë akoma të pa hulumtuara sa duhet.

Dokumentet më famëkeqe janë Memorandumet e Akademisë Serbe të mbështetura dhe frymëzuara nga Kisha Ortodokse Serbe. Këto memorandume fillojnë me memorandumin e vitit 1844 – të Ilija Garashanit. Sipas elaboratit shfarosës ndaj shqiptarëve të zyrtarit serb, Ilija Garashaninit, “Naçertania” ( 1844 ) ku ai shkruan: “Midis dy Luftërave Botërore qeveria e krajlit në emër të Reformës Agrare nacionalizoi 129.212. 94 hektar tokë në Kosovë. Gjatë kësaj kohe, në Kosovë janë vendosur 13.482 familje (serbe e malazeze) me rreth 67. 410 anëtarë në 594 vendbanime.( A J B. MAR,96 – 21 – 69, Regjistri i kolonive: datë 8. 4. 1940 ). Milan Obrenoviç, princi i Serbisë: “Merita më të mëdha ndaj shtetit dhe kombit serb do t’i ketë ai, i cili do të arrijë të zhdukë e të shpërngulë më shumë shqiptarë!“. “Në kushte të një dimri me borë që nuk mbahet mend, nxori nga shtëpitë rreth 300.000 shqiptarë të Toplicës, Kosanicës, Pustarekës etj., që banonin në 700 lokalitete, prej të cilave rreth 640 plotësisht shqiptare e më shumicë shqiptare islame nga fundi i shekullit XVI- fillimi i shekullit XVII. Rreth 350.000 shqiptarë kryesisht myslimanë i larguan nga trojet stërgjyshore ushtritë greke e malazeze. Burimet flasin për rreth 70.000 shqiptarë të therur, të vrarë e të pjekur në zjarrin e shtëpive në rreth 600 fshatra shqiptare të rrafshuara me zjarr vetëm më 1877 – 1978.

Në shekullin e kaluar, pas Luftës Ballkanike, kur Turqia humbi, popullsia shqiptare autoktone në Luginën e Moravës që nga Pllana e Madhe, Nisus (Nishi) e duke vazhduar deri në Gjevgjeli përjetoi masakrat e tmerrshme nga ushtria serbe. U rrafshuan për tokë fshatra e qytete shqiptare (752 vendbanime), u masakruan mizorisht mbi 150 mijë kurse u dëbuan mbi 300 mijë shqiptarë nga tokat e tyre. Këto masakra ishin me përmasa gjenocidi i paparë deri atëherë në Evropë.

Leo Freundlich. Pjesë nga ky gjenocid u shkrua nga Leo Freundlich në librin e tij “Albanien Golgatha” (1913), në shqip “Gjenocidi shqiptar. Është një dokument i cili u shkrua nga publicisti e politikani austriak me rrënjë hebre Leo Freundlich (1875-1953) i cili përshkruan metodat e spastrimit etnik nga pushtuesi serb për të larguar popullsinë shqiptare të Maqedonisë, Shqipërisë së Veriut dhe Kosovës Është një përmbledhje e lajmeve që ai mblodhi drejtpërdrejtë gjatë udhëtimit në krahina shqiptare gjatë pushtimit serb të viteve 1912-1913, duke shpjeguar në detaje dëbimet, dhunimet masakrat, torturat dhe abuzimet në shkallë të gjerë te popullsia shqiptare, vuajtjen nën sundimin serb nga ushtria dhe paraushtarakët çetnikë. Dokumenti u ri-përkthye nga Robert Elsie. Leo Freundlich më tutje në akuzën e tij shkruan: “Serbët në Shqipëri erdhën si vrasës e jo si çlirimtarë. Në Konferencën e Ambasadorëve në Londër, kufijtë e Shqipërisë u vendosën të përcaktoheshin me nxitim sipas statistikave kombëtare ose statistikave të caktuara nga komisioni i cili do të formohet në vend aty për aty. Serbët kanë nxituar t’i ndryshojnë këto statistika me grykën e mitralozave dhe bajonetave. Ata kanë bërë mizori që janë të papërshkrueshme. Deri tani, qeveritë kanë heshtur. Por tani është e qartë se heshtja e mëtejshme është e barabartë me bashkëfajësi. Për serbët, armiku më i madh është e vërteta. Ajo e rrezikon ekzistencën e tyre”. Leo Freundlich është zëri më i fuqishëm i kohës në protestë kundër zhdukjes masive të shqiptarëve etnik në territoret e tyre etnike. Ai i cilëson fuqitë e mëdha të Evropës në bashkëfajësi të cilat nuk intervenojnë. Në shkrimet e tij protestuese argumentoi vrasjet e mbi 300 mijë shqiptarëve.

Prof. Dr. Olivera Milosavljeviq, Beograd: “Me politikën pushtuese të qeverisë serbe ndaj arbanasve, në kufirin perëndimor të Serbisë janë krijuar marrëdhënie të tilla që në të ardhmen e afërt vështirë se mund të pritet paqe dhe gjendje e qëndrueshme. Shtypi ynë, në një garë katastrofale për të ndihmuar një politikë të referuar dhe ekzekutuar në mënyrë të neveritshme, me muaj dhe vite ka përhapur mendime tendencioze për arbanasit.

Ky është edhe sot mjeti i vetëm me të cilin shtypi shovinist krijon te populli serb urrejtjen ndaj arnautëve “të egër”, duke fshehur, si nepërka këmbët e egërsirës, atë që populli serb ka bërë ndaj tyre. Ballkanicus dhe dr. Vlladan [Gjorgjeviçi] kanë shkruar nga një libër të plotë me dëshirë të qartë për ta ndrydhur këtë popull të mjerë arbanas dhe ta dëshmojnë paaftësinë e tij për një jetë të kulturuar dhe kombëtare, me qëllim që të dëshmojnë se ai popull si racë, nuk ka sens për jetë të kulturuar dhe të pavarur. Ata gjithë atë që në primitivizmin e atij populli ekziston, e paraqesin jo si shprehje të shkallës së historisë në të cilën ata gjenden dhe nëpër të cilat kanë kaluar edhe popujt e tjerë, por si shprehje të paaftësisë së tyre racore për zhvillim kulturor në përgjithësi”.

Jovan Trifunovski, “Në bazë të burimeve arkivore historike e të tjera në trevat e Sanxhakut të Nishit që nga Antika e deri në mes të shekullit XIX ekzistonte në kontinentet popullsia shqiptare”. Dr. Jovan Haxhivasilev, shkrimtar serb, duke shtjelluar politikën shfarosëse serbe ndaj elementit shqiptar, shkruan: “Dëbimi i shqiptarëve u bë me qëllim që Serbia të bëhej shtet i pastër nacional dhe, të krijohet mundësia që aksioni i mëtejmë të drejtohet kah Kosova. Stefan L. Popoviç: “Disa familje shqiptare iknin dhe tërhiqeshin luginës së Moravës Jugore nëpër të ftohtit e madh, nëpër grykën e Gërdelicës, deri te Vranja e Kumanova… Nikola Pashiçi, drejtues i Qeverisë së Mbretërisë Serbo-Kroato-Sllovene dhe themeluesi i Partisë Radikale Serbe, deklaron: “Šiptara tuči, muči i ne daj mu da uči”- Shqiptarin rrihe, mundoje dhe mos e le të mësojë”. Ivan Gjuriç. Nisma e të Drejtave të Njeriut, Beograd, në Parlamentin e Serbisë: “Vetëm dhjetë kilometra ku tani jemi ulur, dhjetë kilometra nga qendra e Beogradit, në Batajnicë gjendet varri masiv në poligonin e njësive speciale kundër terrorizmit, me kufoma të më shumë se 700 shqiptarëve nga Kosova, prej të cilave 75 fëmijë, u varrosën në Batajnicë të kallura me një qëllim; të fshehin krimin. Nga zhvarrosja e kufomave nga tërë Kosova janë sjellë në Batajnicë të kallura e të groposura, me një qëllim; të fshihet krimi i policisë serbe dhe njësive paramilitare serbe. Shteti e me të edhe shoqëria e kanë vendosur që këtë ta injorojnë”. Deutsch-Gjermanisht “Nur zehn Kilometer von dem Platz, an dem wir sitzen, zehn Kilometer vom Zentrum Belgrads entfernt, in Batajnic, findet sich ein Massengrab im Poligon des Anti-Terror Kommandos, mit den Leichen von über 700 AlbanierInnen aus dem Kosovo, davon 75 Kinder, die in Batajnica verbrannt und begraben wurden, mit einem Ziel: Die Gräueltaten und die Verbrechen zu verdecken. Die Leichen wurden aus allen Ecken des Kosovo hierher transportiert, um die Verbrechen und Gräueltaten des serbischen Militärs und der Paramilitärs zu verdecken. Der Staat, und somit auch die Gesellschaft, haben sich entschlossen, dies zu ignorieren“. (Perkhim: Mag.Kreshnik Mehmeti)

Dr. Sabit Uka: “Dëbimi i shqiptarëve nga Sanxhaku i Nishit 1877 – 1878”, libri I. Prishtinë, 1994, fq. 220 – 21 etj.). Procesin e kolonizimit të trojeve shqiptare me elementin sllav, shpopullimin e etnitetit shqiptar, serbizimin gjatë periudhave më të fundit Beogradi e ka zbatuar në mënyrë të veçantë gjatë “Krizës Lindore” ( 1875 ).

Në Luginën e Nishit gjatë kësaj periudhe, u vranë e masakruan 35.000 shqiptarë. Në një lagje të Nishit të banuar me shqiptarë, u plaçkitën e dogjën 300 shtëpi. Qazim Meta: “Pushtuesit zbatuan gjenocid e etnocid me strategji të tokës së djegur për spastrimin etnik shqiptar të tokave të aneksuara me përkrahje morale, politike, diplomatike e ushtarake të Rusisë e të Evropës”. (Woice of Albanieans, autor: Dr. Jusuf Osmani: “Qeveria e kriminelit e kasapit të Ballkanit, Sllobodan Millosheviçit, dhe forcat terroriste të Republikës Federative të Jugosllavisë e të Serbisë vetëm gjatë viteve 1998-1999 vranë 8.099 civilë të pafajshëm shqiptarë. Sipas gjinive krimi ndahet kështu: 6.624 meshkuj dhe 1.475 femra. Të vrarë civilë e ushtarë të UÇK-së janë 11.738 persona, nga të cilit 10.014 meshkuj dhe 1.724 femra. Pushtuesi serb vrau dhe zhduku 1.323 fëmijë deri në moshën 16 vjeçare.

Në vitet 1944- 1946 shqiptarët u ndodhën mes dy zjarreve; atij fashist dhe atij çetniko-komunist serbo-jugosllav, i cili ishte më dinak dhe më shkatërrues për shqiptarët. Nga forcat serbo-sllave u arrestuan në fund të Luftës së Dytë Botërore mijëra të rinj shqiptarë dhe i deportuan të etur dhe uritur drejt Tivarit. Buzë detit, aty ku ishte Metropoli i Duhanit, brenda një dite u ekzekutuan mbi tre mijë të rinj shqiptarë të rrëmbyer me qëllim ekzekutimi. Ishte kjo pjesë e programit nga memorandumet famëkeqe serbe në vazhdimin e gjenocidit për zhdukjen e shqiptarëve. Këto masakra si pjesë e gjenocidit serb mbeten akoma të pa ndriçuara dhe askush nuk mori përgjegjësi, bile as që u diskutua ndonjëherë seriozisht. Në Kosovën e robëruar nuk e lejonte pushteti i cili ishte autor i këtij krimi, të zbardhej e vërteta, megjithatë, populli i ruante në shpirtin dhe kujtesën e tij dhe nuk i harroi kurrë. Ai i thurte këngë, tregime dhe përkujtime që nuk vdesin në krenarinë kombëtare. Në Shqipëri diktatura e ndërtuar mbi bazën ideologjike të serbo-sllavëve ishte bashkëfajtore dhe nuk kishte interes ideologjik dhe as fuqi morale. Në luftën e fundit kur shpërtheu egërsia serbe duke tentuar pastrimin etnik të Kosovës të ngjashëm me atë të shekullit nëntëmbëdhjetë e njëzetë kur nga viset shqiptare të Vranjes, Leskocit, Medvegjes, Bujanocit, Preshevës u dëbuan mbi 300 mijë shqiptarë dhe 150 mijë u masakruan. Kjo ndodhi para syve të botës, e njohur si Golgota Shqiptare të cilën e dokumentoi nga afër publicisti e diplomati austriak me rrënjë hebreje Leo Freundlich në veprën e tij “Albanischer Golgotha”. Për këtë vepër dhe aktivitetin e autorit akoma shqiptarët nuk nxorën dhe mësuan asgjë, as hartuan ndonjë dokument akuzë kundër Serbisë. Leo Freundlich e përgatiti dhe parashtroi para mediave të kancelarive të fuqishme botërore dhe gjykatave të asaj kohe si dokument akuzues për gjenocid ndaj një etnie.

Batajnica në Beograd ku grumbulloheshin e masakroheshin shqiptarët dje, u ri përsërit para syve të Evropës edhe në ditët e sotme. Shteti i Kosovës dhe Evropa demokratike duhet të zbardhin përfundimisht në emër të popullit të Kosovës gjenocidin serb ndaj shqiptarëve. Viktimat nuk pyesin për demokraci, ato akuzojnë dhe kërkojnë drejtësi. Varri masiv i 762 shqiptareve e shqiptarëve, prej të cilëve 74 fëmijë, në Batajnicë, akuzon dhe është argument i fuqishëm i cili vërteton gjenocidin serb, një nga faktet e shumta se Serbia duhet të denoncohet në gjyqet ndërkombëtare për gjenocid të vazhdueshëm ndaj shqiptarëve. Shtetet demokratike duhet ta njohin pa vonuar gjenocidin serb ndaj shqiptarëve të pafajshëm.

Shënimi përkujtues i vuajtjeve të tmerrshme që pësoi shekujve populli shqiptar, është detyrim kombëtar në mënyrë që historia të mos përsëritet.

Filed Under: Kronike

Jeta dhe veprimtaria e Ndre Mjedës si poet dhe albanolog

January 9, 2025 by s p

Inesa Sulaj/

Mjeda poet – Figura e Ndre Mjedës është një nga figurat më tërheqëse në mbarë historinë e letërsisë shqipe. Mjeda ishte novator në poezinë shqipe. Ai solli polimetrinë, kombinimin e vargjeve teke me çifte, kombinimi i vargjeve 10 rrokshe me vargje 5 rrokshe.Mërgimi, malli dhe brenga për atdheun, si dhe e kaluara e lavdishme e tij, , si dhe e kaluara e lavdishme e atdheut jane temat të cilat mbizotëruan në poezinë e Mjedës . Edhe pse i ri ai ishte i gatshëm të shkruante poezi malli, edhe poezi atdhetare edhe poema historiko-mitologjike, falë talentit të shquar, por edhe përgatitjes së tij shumë të mirë gjuhësore e stilistike dhe përgatitjes intelektuale. Që në arsimimet e para në fshatrat e katundit është gjetur një vjershë e cila tregonte për talentin e Ndre Mjedës, një ndër hartimet letrare më origjinale të hershme të tij.
Në vjeshtë të vitit 1883 Ndre Mjeda shkruajti poezitë e para origjinale, përktheu e filloi të përshtaste nga poetë të huaj romantikë. Mjeda përzgjodhi për të shqipëruar poezitë europiane ndër më të njohurat e kohës, por këtë e bëri përmes personalitetit të tij artistik. Në 1884 ai filloi të përshtaste poezi si Fratricide e poetit Giusseppe Vllavrasi i Toskënisë, dhe Vaji i Dallëndyshes të cilën e përshtati nga Tomaseo Grossi.

Poezia Vllavrasi i Toskënisë u hartua në kushte të një depresioni të brëndshëm shpirtëror të Mjedës, natyra e poezisë ishte shqiptare, fabula shqiptare por edhe problemi ishte tipik shqiptar. Kjo poezi u bë popullore në Shqipëri dhe u përfshi ne Ahengun Shkodran duke u kënduar në dasma e koncerte. Gjithashtu me anë të kësaj poezie Mjeda frymëzoi piktorin Kol Idromeno për të krijuar një ndër veprat më interesante me titullin Gjakmarrja.

Pasi mësoi nga traditat e vlerat folklorike të popullit, nga gjuha e gjallë e tij Mjeda shkroi poezi të tilla si : Mikut tem Pal Morettit, Mall per atdhe,Vaji i Bylbylit, Gjuha shqipe. Që në moshën 20 vjecare hartoi poezine Vaji i Bylbylit e cila u bë një nga veprat më të shquara të kohës dhë të letërsisë sonë të traditës. Kjo poezi nuk do ishte vetëm një nismë e mbarë për fillimet e tij poetike por do të mbetej përcaktuese e rrugës që ai do të ndiqte deri në fund të këtij rrugëtimi në fushën e krijimtarisë letrare. Kjo poezi u bë antalogjike hyri në tekstet shkollore e u përkthye në shumë gjuhë të botës. Ndre Mjeda e ndjente gjuhën si element kryesor tregues të kombësisë. Njohës me rrënjë të gjuhëve të shumta, ai e vlerësoi gjuhën shqipe që tanave jau del, si një dritë pa hije .

Poezia Gjuha Shqipe , refleksion i vuajtjeve që kishte poeti për gjuhën e tij ,e cila ishte aq e bukur dhe e fisme por s’trajtohej e tillë nga rrethet studimore të kohës.. Në fund të vitit 1888 krijoi një tufë me poezi brilante si Malli për atdhe, Shtegtari, Po shkon me bujt te Zoja, Varri i Skonderbegut.3 Mjeda shkruante poezi kur kishte problem me veten,kur e mbulonte gjendja e pashpresë atëhere kur e kaplonte pesimizmi. Poezitë e tij largoheshin nga ngjyrimet politike dhe i përqaseshin trajtave letrare,të cilat synonin botën e brendshme të njeriut. Ndre Mjeda krijoi jo vetëm Juvenilian e mirënjohur por edhe poemat Lissus, Scodra e Liria dhe ato do të jenë jo vetëm një “histori e popullit“ por do të jenë dhe një histori e shpirtit të tij , dhe sidomos histori e filozofisë dhe e gjuhës së tij.
Ndërsa Mjeda hartonte poezinë Scodra ai luante me mitologjinë , duke krijuar figura që vetëm një ëndërrimtar mund t’i fantazonte. Poema Lirija është një nga kryeveprat e poezisë shqipe e cila është prova e parë e Mjedës për ti kthyer lirikat e tij në një stil klasik, një stil të përsosur, që ishte niveli më i lartë i të shprehurit poetik.

Në 1902 me rastin e përfshirjes së Mjedës në çështje e Iballës për hapjen e një shkolle të parë shqipe në Alpet e Veriut si dhe për ato të bashkimit të shqiptarëve në kryengritjen antiosmane, ai hartoi poezinë “Bashkoju”. Ideja themelore e poezisë përbëntë thirrjen spontane të brëndshme , por të përjetshme të Mjedës drejtuar popullit shqiptar për të qënë i bashkuar.
Më 20 nëntor 1908 pas përfundimit të Kongresit të Manastirit, Mjeda hartoi më një frymë tringellimin“Andrre”e cila u përkthye në anglisht, italisht, rusisht, rumanisht etj. Në të njëjtin ditë e cast ka hartuar dhe poeti tjetër i njohur, Gjergj Fishta, sonetin me titull “Tingllim”. Ishte një shpërthim poetik i mrekullueshëm i dy poetëve të mëdhenj në çastin solemn të shpalljes së vendimit të alfabetit, që në fakt ishte shpallja e pajtimit kombëtar. Mjeda shkruante poezi kur ishte i frymëzuar, kur donte të çlironte vetveten nga përjetime të tensionuara. Poezia për Mjedën ishtë mbi të gjitha “mënyra e jetës, e jetës integrale”.Poezia për Mjedën ishte një dhunti hyjnore, Mjeda e shihte poezinë si një produkt të natyrshëm të qënies dhe vetëdijes së tij.

Mjeda albanolog – Kontributi i Mjedës, përveç në fushën e poezisë është mjaft i vlefshëm dhe i vyer edhe në fushën e Albanologjisë. Që në moshë të re ,kur ai ishte student në seminaret jezuite, ai studio shkrimtarët e vjetër si Buzukun, Budin dhe Bogdanin si dhe alfabetet e tyre. Gjuha e të cilëve sipas Mjedës mund të shërbente për një afrim të mundshëm në mes të 2 kryedialekteve të shqipes,qoftë edhe pasurimin e gjuhës shqipe. Ai mblodhi thuajse gjithë gramatikat shqipe si dhe krijoi një biblotekë albanologjike rreth 80 libra, punë që se kishte bërë asnjë tjetër. Që në fillim të viteve 1886-1887 Mjeda filloi punët me alfabetin e gjuhës shqipe. Atij i bënte përshtypje se alfabeti i cili përdorej në librat shqip kishte karakter italianizant dhe nuk shprehte natyrën e tingujve të gjuhës shqipe. Që në fillimet puna e tij me alfabetin shqip u karakterizua nga një rigorozitet shkencor, ç’ka ishte në natyrën e Mjedës. Duke ruajtur parimin bazë, Mjeda mënjanoi shkronjat jolatine, si dhe u përpoq të minimizojë fenomenin e diagramave që vërehej ne Katekizmin e Kristoforidhit duke zëvendësuar më shkronja diakritike.

Gjatë studimeve në Krakow (1891-1892) ai u përfshi në rrethin e gjërë të studimeve albanologjike kryesisht studime historike,folklorike,gjuhësore e etnografike.Në 1891-1896 Mjeda hartoi një vepër të rëndësishme siç ishte Fjalori Etimologjik i Gjuhës Shqipe .Ndre Mjeda falë një formimi shkencor të plotë, pati largpamësinë që duke u mbështetur në konceptet filologjike më të përparuara të kohës, të përqafonte teorinë e prejardhjes ilire të popullit shqiptar e të gjuhës shqipe. Natyra dhe prejardhja e gjuhës shqipe përbënte një nga preokupimet kryesore të Mjedës. Që në 1892 Mjeda filloi të thurte plane për hartimin e një vepre gramatikore krahasuese të shqipes, sepse kjo lidhej me planet e tij për t’u kthyer në atdhe e për të ndërtuar një shkollë shqipe të mesme mbi baza shkencore, kjo u realizua vetëm në vitin 1900.
Në periudhën që ai studioi ne Krakow, ai pati letërkëmbim të dendur me albanologun austriak Gustav Meyer si dhe albanolog të tjerë të huaj. Angazhimi i Meyer do luante rol të dukshëm në mbrojtjen e planeve e guximshme të Mjedës për ortografinë e re të shqipes.

Ndre Mjeda së bashku me Meyer u përpoqën të zbulonin lidhjen mes gjuhës shqipe, ilirishtes dhe mesapishtes. Në vitin 1896-1897 Gustav Meyer së bashku me ndihmësin e tij Ndre Mjedën boton Studime Shqiptare V dhe VI. Studime Shqiptare VI u botua në 30 shtator 1897 në Vjenë dhe ishte e përbërë nga tekste shqiptare të ndara në dy pjesë , ku pjesa e parë ishte me tekste gegërisht të cilat ishin punë e Ndre Mjedës dhe pjesa e dytë me tekste toskërisht. Në 1898 Mjeda mori statusin e shkrimtarit dhe historianit zyrtar në Krakovë, Poloni.

Në vitin 1900 ai hartoi një gramatikë krahasuese të gjuhës shqipe, ku binte në sy prirja e Mjedës për të përdorur metoda krahasuese.7 Në kohën që Mjeda ishte duke hartuar gramatikën e krahasuar të gjuhës shqipe, ai zotëronte shumë mirë italisht, latinisht, greqisht e vjetër, frengjisht, spanjisht, portugalisht, polonisht, serbokroatisht dhe gjermanisht. Ai përpiqej të studionte pasurinë leksikore, fenomenet dialektologjike morfologjike, fonetike, si kanë ndryshuar me kohë dhe krahina të ndryshme.

Një ndër meritat më të shquara të tij, është se në kushtet e pushtimit Osman, themeloi dhe drejtoi shoqërine gjuhësore Agimi. Albanologu Mjeda ishte personi më aktiv i saj i cili punoi me këmbëngulje për alfabetin e gjuhës shqipe me shenja diakritike si dhe për hartimin e teksteve shkollore. Gjatë periudhës së veprimtarisë së shoqërisë (1901-1909) u hartuan rreth 30 tekste shkollore me alfabetin e shoqërisë Agimi.Tesktet shkollore Agimi patën një përdorim të gjërë dhe disa prej tyre u ribotuan katër herë duke u përdorur deri ne vitin 1930. Në vitin 1934 u botua Vrejtje mbi artikuj e premna pronës të gjuhës shqipe kjo vepër e rendit Mjedën ndër të parët studiues shqiptarë që ka trajtuar problemin e ndërlikuar të origjinës së përemrave pronor.

Mjeda ishte i pari albanolog shqiptar që mori pjesë Kongresin e XIII Ndërkombëtar të Orientalistëve ne Hamburg në 10 shtator 1902 . Tema që mbajti në këtë Kongres e cila u referua nga Mjeda në gjuhën latine ishte “Shqyrtimi i qellzoreve në dialekte të ndryshme të Shqipërisë”. 8Në këtë Kongres Mjeda u njoh dhe u përkrah nga shumë personalitete shkencore të kohës nga mbarë bota sic ishin, Holger Pedersen (filolog danez),Maurice Bloomfield (filolog amerikan) ,Karl Patsch (historian austriak) etj. Pas mbarimit të këtij kongresi ,Mjeda hartoi nje vepër kushtuar alfabetit shqip me titullin Promemoria ne cila është një analizë për punën e Mjedës për modifikimin dhe popullarizimin e alfabetit të tij me shenja diakritike. Alfabeti i hartuar prej Mjedës me disa ndryshime, kishte fituar miratimin e dijetarëve më të mëdhenj të Europës, pothuaj pjesës më të madhe të ipeshkvijve shqiptarë si dhe administratës austriake. Në 1904 pas zgjidhjes përfundimtare të problemit të alfabetit Mjeda hartoi Abetaren, Arithmetiken , Katekizmin, Këndime për shkolla të para të Shqypniesë, Numeratore për shkolla të para të Shqypniesë,Të mbledhunit e mbësimeve të krishtena për shkolla të para të Shqypniesë, Drejtues i drejtshkrimit, Histori e Shejtë. Këto libra u botuan në Vjenë dhe u ndanë në katër konsullata,Shkodër,Prizren,Shkup dhe Durrës. Abetarja Shqipe e Mjedës u përdor rreth tre dekada në shkollat shqipe,sidomos në veri dhe u shfrytëzua nga shume autorë hartues abetaresh. Abetarja e Mjedës është ndër të parat abetare shqipe që u transkriptua sipas alfabetit latin të Kongresit të Manastirit,nga vetë autori Ndre Mjeda në 1910. Veprimtaria e Mjedës në Kongresin e Manastirit përbën fazën më kulmore e më të shquar ,në mes të punës së tij shumëvjecare për alfabetin shqip. Mjeda sakrifikoi punën e tij 20 vjeçare për hir të interesit të kombit dhe pranoi alfabetin e Stambollit. Pas hartimit në mënyrë të sukseshme të librave për arsimin fillor, Mjeda në shkurt 1909 hartoi dy libra të tjerë, Historia dhe Gjeografia për shkollën qytetare të cilat në përmbajtjen e tyre historinë dhe gjeografinë e Shqipërisë.

Filed Under: Kronike

Prof.Dr. Kopi Kyçyku, in memoriam…

January 8, 2025 by s p

Raimonda Moisiu/

“S’më mbetet tjetër përveçse të perifrazoj porositë e njerëzve më të mençur e më të ditur se unë, që botës shqiptare nuk i kanë munguar kurrë: Atmëmëdhtarì të pacak, përkushtim e besim në vlerat e veprimtarisë krijuese, ndershmëri, modesti dhe zell, palodhshmëri”.

Akademik Prof.Dr. Kopi Kyçyku

Kam ndjerë një trishtim të thellë dje, kur lexova për ndarjen nga jeta të Eruditit, Akademik Prof. Dr. Inxh. Kopi Kyçyku. Kam pasur fatin dhe privilegjin ta njihja Profesor Kopin, madje kam zhvilluar edhe një intervistë dhe kur vija në Shqipëri, kemi pirë edhe kafe tek “Europa Café”, në qendër të Tiranës. Akademik Prof. Dr. Kopi Kyçyku është një autor me një shumëllojshmëri zërash mahnitës plot jetë dhe energji, me visionin madh unik, historik, social dhe harmonik të jetës, i cili, qoftë edhe vetëm në përvojën e leximit duket i mjaftueshëm si lexim i përvojës. Akademik Prof. Dr. Kopi Kyçyku është një penë e njohur për monografitë historike ballkanike dhe më tej, deri në Azinë e largët, në dy gjuhë: shqip dhe rumanisht, sikundër:”Mustafa Qemal Ataturku; Me Ataturkun; Kryengritja e armatosur e Ilindenit (Maqedoni) e vitit 1903; Republika e Turqisë në vitet 1945-1985; Pater (Emil Konduraqi); Midis strehësh e trandjesh; Arumunët e Shqipërisë në kontekst ballkanik; Arumunët në optikën shqiptaro-rumune; Një vështrim në marrëdhëniet shqiptaro-rumune gjatë shekujve; Historia e Shqipërisë; Historia e Maqedonisë; Historia e Azerbajxhanit; Algjeria: e shkuara dhe e sotmja; Marrëdhëniet inter-etnike shqiptaro-italiane dhe dygjuhësia; Ataturkizmi dhe Turqia e Mijëvjetshit të Tretë; Hajdar Alijev – një Ataturk i kohës sonë; Hristo Botev – pena dhe pushka; etj; Përveç kësaj, ai radhitet ndër shkrimtarët e poetët që ka lëvruar disa zhanre, me:

-Dhjetra vëllime poetike dhe në prozë për fëmijë e të rritur; drama e komedi me një akt, skeçe, novela, pamflete dhe fejtone, reportazhe, përshkrime, artikuj kritikë, ese etj;

– Rreth tridhjetë vepra letrare dhe shkencore të përkthyera nga gjuhët e huaja në shqip dhe anasjelltas;

– Tekste universitare për gjuhët italiane, rumune dhe turke;

– Mbi treqind artikuj shkencorë dhe studime për gjuhësinë e krahasuar, për historinë ballkanike dhe botërore, për gjeokiminë etj, të botuara në organe të shtypit të specializuar në Shqipëri, Rumani e në vende të tjera.

– Mbi dyzet referate dhe kumtesa shkencore, të paraqitura në konferenca, simpoziume dhe kongrese kombëtare dhe ndërkombëtare, pa lënë mbas dore marrjen sistematike me publicistikë. Ka filluar të krijojë që në fëmijëri, me ambicjen e vërtetë për t’u bërë shkrimtar e poet dhe një pasardhës i denjë i dy kolosëve të letrave shqipe, bashkëqyetarëve të tij: Lasgush Poradeci e Mitrush Kuteli. Kontribues me një karrierë tashmë të gjatë krijuese, me ndikimin e mençur të mendimit artistik e filozofik në letërsinë shqipe e rumune, zotërues i shumë gjuhëve të huaja, veprat origjinale në disa zhanre, në shqip, por edhe dygjuhëshe, e kanë bërë të mirënjohur akademik prof. dr. Kopi Kyçykun jo vetëm në mjediset shqiptare, por edhe në ato ballkanike dhe eurojuglindore, madje në mbarë Evropën e në botë. Personazhet e veprave të tij letrare janë njerëz të thjeshtë, të mitur e të rritur, me magjinë e plotfuqishme plot jetë në të kaluarën e të tashmen, të cilët kanë lirinë, ëndrrat e përvojat jetësore përkatëse.

Ngushëllime Familjes Kycyku, Miqëve, kolegëve dhe komunitetit të letrave shqipe.

Lamtumirë, Akademik Prof. Dr. Inxh. Kopi Kycyku, autor i shumë vëllimeve me poezi, tregime, drama, pamflete, artikuj kritikë për letërsinë e artet, si dhe studimesh shkencore; përkthyes i mjaft veprash letrare, historike dhe gjeologjike nga disa gjuhë, në shqip, rumanisht dhe italisht.

Mirënjohje dhe nderim për mikun dhe kolegun tonë të cmuar, Akademik Prof. Dr. Inxh. Kopi Kycyku, hija e veprës së tij do të shquhet ndër breza si një vlerë kombëtare e historike.

Ti do tè mbetesh perhere një penë e njohur për monografitë historike ballkanike dhe më tej

Qofsh i paharruar! Të Ikurit si Ti mbeten Jetësisht të ardhur!

U prehsh në paqe Profesori ynë i mrekullueshëm!

Prehu i qetë në Liqenin e dritave dhe mes ëngjujve të Parajsës

Ëngjëjt të këndofshin në çdo agim!

Pranë familjes Kycyku

Filed Under: Kronike

Justin Trudeau, dha dorëheqjen. Çfarë pritet më tej për marrëdhëniet SHBA-Kanada?

January 7, 2025 by s p

Përktheu Rafael Floqi nga Christopher Sands Canada Institute/

Më 6 janar 2025, kryeministri kanadez Justin Trudeau njoftoi synimin e tij për të dhënë dorëheqjen si kreu i Partisë Liberale sapo partia të jetë në gjendje të zgjedhë një udhëheqës të ri. Në sistemin parlamentar të Kanadasë, kryeministër bëhet lideri i partisë me numrin më të madh të vendeve në Dhomën e Komunave.

Trudeau gjithashtu ka kërkuar dhe ka marrë një zgjatje të Parlamentit deri më 24 mars. Vendimi për prorogim është marrë nga Guvernatori i Përgjithshëm Mary Simon, e cila është përfaqësuesja e mbretit Charles III, i cili është Mbret i Kanadasë si dhe i Mbretërisë së Bashkuar. Prorogacioni përfundon një seancë parlamentare, dhe ndërsa është shtyrë, nuk mblidhet asnjë komision parlamentar dhe i gjithë legjislacioni që është në proces do të duhet të rifutet. Por votat e mosbesimit mund të kthehen derisa Parlamenti të kthehet në seancë. Gjatë kësaj periudhe, Trudeau mbetet kryeministër me kompetenca të gjera, duke përfshirë aftësinë për të zbatuar çdo autoritet ligjor të dhënë më parë nga Parlamenti, kështu që shërbimet qeveritare dhe aftësia për të vepruar do të vazhdojnë. Ministrat aktualë të kabinetit dhe nëpunësit civilë vazhdojnë normalisht në punët e tyre.

Partia Liberale mund të zëvendësojë Trudeau para 24 marsit. Procesi drejtohet nga rregullat e partisë. Udhëheqësi i ardhshëm liberal do të shërbejë si kryeministër deri më 20 tetor 2025, datë fikse për zgjedhjet e ardhshme të përgjithshme federale.

Kur Parlamenti të rikthehet, qeveria e re do të paraqesë një fjalim nga froni (duke vendosur axhendën e qeverisë, e nevojshme në fillimin e një sesioni të ri të Parlamentit) dhe do ta ndjekë këtë me një buxhet federal në prill. Liberalët kontrollojnë 153 nga 338 vendet në Dhomën e Komunave, një pluralitet por jo një shumicë. Trudeau po jep dorëheqjen nga vendi i tij, gjë që mund të reduktojë Liberalët në 152 vende. Kjo do të thotë se partitë opozitare mund të përdorin votat për Fjalimin e Fronit dhe buxhetin si mocione besimi dhe të detyrojnë zgjedhje.

Në të kaluarën, Trudeau ka arritur me një pakicë vendesh në Dhomën e Komunave, sepse partitë opozitare nuk ishin gati për zgjedhje, megjithatë qeveria aktuale, e zgjedhur në vitin 2021, është qeveria e pakicës më jetëgjatë në historinë kanadeze, që do të thotë se opozita, veçanërisht konservatorët e udhëhequr nga Pierre Poilievre, të mirëfinancuar dhe të gatshëm për zgjedhje. Kjo e bën situatën politike në Kanada veçanërisht të paqëndrueshme dhe koha e dorëheqjes së Trudeau do të krijojë vrull që Partia e tij Liberale ta zëvendësojë atë shpejt dhe që opozita të detyrojë zgjedhjet nëse mundet përpara tetorit.

Për të përmbledhur, në 12 muajt e ardhshëm, Trudeau do të zëvendësohet si lider i Partisë Liberale dhe si kryeministër? Zgjedhjet do të përcaktojnë renditjen e partive në Dhomën e Komunave? dhe kryeministër do të bëhet kryetari i partisë me më shumë mandate pas zgjedhjeve të 2025. Me potencialisht tre kryeministra në një vit, 2025 do të jetë një vit i paqëndrueshmërisë së pazakontë politike në Kanada.

Për Shtetet e Bashkuara, ka disa pyetje që shtron dorëheqja e Trudeau, ndër të cilat më të rëndësishmet janë:

Siguria Kombëtare: Justin Trudeau vizitoi me Presidentin e zgjedhur Trump në Mar-a-Lago më 30 nëntor dhe u zotua të rrisë sigurinë kufitare dhe përpjekjet për të ndaluar fentanyl dhe trafikimin e qenieve njerëzore në kufirin verior të SHBA-së për të shmangur një tarifë prej 25 përqind për eksportet kanadeze në Shtetet e Bashkuara. Në samitin e NATO-s në korrik 2024, Trudeau premtoi të rrisë shpenzimet kanadeze të mbrojtjes në 2 për qind të PBB-së deri në vitin 2032, por nuk shpalli një plan për të arritur këtë qëllim. A do t’i respektojë Kanadaja këto premtime nën një udhëheqës të ardhshëm?

Marrëdhëniet Ndërkombëtare: Kanadaja pret samitin e liderëve të Grupit të Shtatë në Alberta në qershor, për të cilin takimet ministrore kanë qenë në pritje të konfirmimit të Senatit të SHBA për anëtarët e kabinetit amerikan. Sa kohë do të dimë se kush do të përfaqësojë Kanadanë? Ndërkohë, Kanadaja ka punuar me Shtetet e Bashkuara për të mbështetur Ukrainën pas pushtimit rus dhe kryerjen e patrullave të lirisë së lundrimit me Marinën e SHBA në Detin e Kinës Jugore. A do t’i mbështesë kryeministri i ardhshëm këto misione? Dhe a do të jetë në gjendje qeveria e ardhshme kanadeze të përfshihet në Haiti dhe kriza të tjera të Amerikës Latine nga Kuba në Venezuelë?

Tregtia: Marrëveshja e Shteteve të Bashkuara të Meksikës së Kanadasë që zëvendësoi NAFTA-n është në pritje për rishikim dhe madje ndoshta negociata të reja deri në vitin 2026. Trudeau ndoqi Kryeministrin e Ontarios Doug Ford dhe Kryeministrin e Albertës Daniele Smith duke sugjeruar publikisht se meqenëse Shtetet e Bashkuara dhe Kanadaja janë të lidhura me tregtinë kineze dhe investimet dhe Meksika nuk është, mund të jetë më mirë të negociohet një marrëveshje e re tregtare midis Shteteve të Bashkuara dhe Kanadasë dhe të lihet Meksika jashtë. Dhe të tre qarqet po bashkëorganizojnë Kupën e Botës FIFA të futbollit në vitin 2026. Cili do të jetë qëndrimi i ardhshëm i qeverisë kanadeze për marrëveshjet e Amerikës së Veriut?

Energjia: Kanadaja është vendi më i madh i Shteteve të Bashkuara furnizuesi i energjisë së huaj, duke ofruar energji hidroelektrike dhe lëndë djegëse si nafta, gazi, hidrogjeni dhe uraniumi. Këto nuk do të ndikohen nga pasiguria politike kanadeze. Kjo pasiguri mund të ngadalësojë më tej përpjekjet e planifikuara për nxjerrjen e mineraleve kritike dhe tokave të rralla dhe të planifikojë për investime të mëdha në kapacitetin e përpunimit të mesëm. Për më tepër, një mosmarrëveshje mbi gazsjellësin Enbridge Line 5 nuk zgjidhet në vitin 2025.

Tregtia dixhitale: Taksa e shërbimit dixhital të qeverisë Trudeau prej 3 përqind të të ardhurave të krijuara nga përdoruesit kanadezë të platformave të huaja teknologjike hyri në fuqi më 28 qershor 2024 dhe zbatohet në mënyrë retroaktive në 2022. Firmat e teknologjisë amerikane janë të bashkuara në kundërshtim me këtë taksë dhe do të bëjnë presion. Administrata Trump do të hakmerret, por një tërheqje e negociuar nga Kanadaja mund të arrihet me pasardhësin e Trudeau.

Ndërsa kanadezët punojnë në këtë periudhë të tranzicionit politik, Shtetet e Bashkuara do të luajnë një rol të rëndësishëm sepse çështjet kryesore me të cilat përballet Kanadaja lidhen në mënyra të ndryshme me Shtetet e Bashkuara. Rreziku është që administrata e ardhshme të keqvlerësojë sfidat dhe mundësitë e angazhimit me qeverinë Trudeau.

Nëse Uashingtoni i afrohet Kanadasë pa kujdes gjatë këtij tranzicioni, liberalët që zgjedhin liderin e tyre të ardhshëm dhe kanadezët kur të shkojnë në zgjedhje më vonë këtë vit, do të kërkojnë një kryeministër dhe qeveri të aftë për të shtyrë prapa në mbrojtje të interesave kanadeze: një nacionalist, apo edhe anti. – Udhëheqësi amerikan. Një qasje e menduar nga Uashingtoni tani mund të përmirësojë shanset për angazhim konstruktiv mbi çështjet dypalëshe dhe globale nga Otava. Për shkak se shumica e kanadezëve i pëlqejnë dhe vlerësojnë Shtetet e Bashkuara si partnerë, qeveritë e tyre e bëjnë gjithashtu. Ky moment politik kanadez duhet të ketë një fund të lumtur për interesat e SHBA.

Nëse jo, Uashingtoni do të fajësojë veten.

Filed Under: Kronike

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 14
  • 15
  • 16
  • 17
  • 18
  • …
  • 595
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit
  • Shqipëria u bë pjesë e Lidhjes së Kombeve (17 dhjetor 1920)
  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT