
Artan Nati/
Qëndrimi i një populli ndaj qeverisë së tij është ai që formon natyrën e asaj qeverie. Ne jemi përgjegjës për atë që ndodh me rojtarët tanë. Me dëshirë apo pa dëshirë, ne ia kemi shitur integritetin tonë si popull një qeverie që është gjithnjë e më totalitare. Ne u kemi dorëzuar pushtetarëve dhe kryetarëve të partive një pushtet të pakufizuar e të papërgjegjshëm, një pushtet që në thelb i përket vërtetë popullit. Dhe kush janë vërtet rojtarët tanë? Studimi i historisë sonë të qëndrimit të përkulur që në kohët e pushtimit otoman nxjerr në pah disa të vërteta të ashpra që mund të mos duken shumë të këndshme për veshët e pamësuar. Kur Otomanët erdhën para mbi 500 vitesh në vendin tonë, realizuan ndërrimin e fesë tonë, me gjithë luftërat heroike të Skënderbeut për mbrojtjen e kristianizmit. Ne krenohemi me Skënderbeun, por harrojmë të përmendim faktin se ne tradhëtuam idealet e tij. Biles shpesh kjo tradhëti interpretohet si zgjuarsi dhe taktikë për mbijetesë të kombit shqiptar ndaj rrezikut të gllabërimit nga fqinjët grek e sllavë. Më tej gjatë luftës së dytë botërore, kur elita shqiptare e kohës, vihet në shërbim të Italisë fashiste e më tej bashkëpunëtore e nazizmit, interpretohet si një taktikë e zgjuar për të krijuar Shqipërinë e madhe dhe shmangur gjakderdhjen në vend.
Të mos harrojmë se këto qëndrime i dhanë mundësi komunistëve të shfrytëzonin situatën dhe të mobilizonin popullin kundër pushtuesit, duke sjellë në vend diktaturën më të egër në vend. Kjo situatë nënshtrimi vazhdoi më tej pas përmbysjes së diktaturës komuniste, kur shpresat dhe sakrificat e studentëve dhe popullit shqiptar u tradhëtuan për interesa personale. Shumë shpejt në krye të partive të mëdha e të vogja erdhën ish-komunistët të emëruar nga ish liderët komunistë, ndërkohë që protestat dhe sakrificat e studentëve dhe të persekutuarëve të sistemit u tradhëtuan. Të gjitha këto ndodhën siç mund t’i imponohesh një tufe delesh, gjë e cila e bënte edhe më agresiv ujkun e huaj apo vendas. Në rastin konkret e bëri më agresiv regjimin komunist apo diktatorët e vegjël të partive të mëdha apo të vogla, si edhe gjithë ujqërit kudo që mund të shfaqen në sistemin tonë “demokratik.” Më tej për të siguruar tufën e deleve dalin dhe mbajnë leksione pseudo intelektualët si edhe pseudo patriotët tanë, duke na treguar se populli duhet të rri i qetë, se zgjedhjet që ne kemi bërë si popull dhe ujqërit e kësaj kopeje delesh, ka qenë më e mira dhe më racionalja.
Si shpërblim këta teoricien marrin shpesh honorare nga qeveritarët tanë, poste ambasadash etj, nën petkun e patriotit dhe intelektualit. Në vend që të përballin realitetin dhe paraqesin zgjidhje, ata mundohen të justifikojnë situatën dhe veprimet e tanishme. Ata shpesh justifikohen me faktin se ne duhet të fokusohemi në anën pozitive, që të inspirojmë njerëzit dhe tu ofrojmë atyre modele pozitive. Në fakt psikologjia na mëson krejt të kundërtën, ajo shpjegon se “Frika që ne nuk sfidojmë bëhet limiti ynë” duke theksouar se frika e pazgjidhur mund të bëhet barriera e vetë-imponuar, duke parandaluar rritjen e vendit dhe arritjet personale. Nqs ne nuk shikojmë mitet tona me sy kritik, nqs ne nuk kritikojmë dhe mbajme përgjegjës liderët tanë, ne jemi të destinuar të mbetemi një komb delesh.
Trashëgimia e nënshtrimit që turqit na lanë ende mbetet në sistemin tonë demokratik të modeluar perëndimor. Sot, ne me të vërtetë jemi bërë një komb delesh. Dhe qeveria jonë, një qeveri e ujqërve. Dhe kjo sepse ne i kemi lejuar.
Për një kohë të gjatë, ne i kemi lënë ata të bëjnë gjithçka pa vënë në dyshim përgjegjësinë e tyre. Ne i ndërruam pashallarët tanë turq me feudalët vendas, më tej me pashallarët e kuq e tashmë me pronarët e partive si dhe autokratët e shërbëtorët e tyre. Ne kurrë nuk e kuptuam vërtet konceptin apo fuqinë e demokracisë. Ideja e adhurimit praktik të individëve është ende e pranishme mes nesh, ndërkohë që secili prej nesh është individ i barabartë dhe themeli i demokracisë moderne perëndimore
Jemi mësuar aq shumë me servilizmin dhe tarafllëkun në shoqërinë tonë, sa diku përgjatë rrugës, harruam se ne kishim pushtetin e vërtetë. Se populli nuk duhet të ketë frikë nga qeveria e tij, por është qeveria që duhet të ketë frikë nga populli.
Si bëhet një qeveri totalitare? Gjithmonë fillon me pak. Vjedhje të vogla, korrupsione të vogla, një vrimë në sistem që kalon pa u vënë re, një nevojë elementare që mbetet e pambikëqyrur për të cilën askush nuk ankohet. Ata fillojnë të shohin se njerëzit nuk janë fare të interesuar për të respektuar veten dhe mbrojtjen e pushtetit nga sharlatanët, përkundrazi bëhen bashkëpunëtor. Njerëzit janë të kënaqur për sa kohë që kanë një shtrat për të fjetur dhe tre vakte për të ngrënë.
Dhe kështu fillon. Pushteti korrupton dhe pushteti absolut korrupton absolutisht, siç tha dikur Lord Akton. Dhe kjo mungesë llogaridhënieje ndaj njerëzve është ajo që e bën një qeveri të bëhet e ashpër mbi njerëzit e saj. Ne harrojmë t’i mbajmë nën kontroll dhe ata përfitojnë. Dhe një shtet Orwellian lind nga hiri i njerëzve që kanë shitur kurrizin e tyre për bukë.
Pastaj përsëri, njerëzit me të vërtetë nuk duan ndryshim. Nuk ka shumë kohë që pensionistët dolën në rrugë për pensione dinjitoze dhe lëvizja e tyre mbeti e izoluar, sikur rrogat dhe kushtet e punës të ishin të mjaftueshme, ndërkohë që korrupsioni masiv përpinte pasurinë dhe taksat e vendit.
Ndërkohë që vendi i drejtohet kutive të votimit, gjysma e qeverisë është në burg, dhe gjysma tjetër në ethe i serviloset kryeministrit për një vend të sigurt në parlament, ashtu si delet e nënshtruara. Në kampin demokrat kundështarët e dikurshëm të kryetarit (në 80 vjetorin e lindjes) si viçat kërcejnë dhe hedhin hapin për të siguruar mandatin.
Duket sikur në zgjedhjet e 11 majit do të marrin pjesë dy ujq e një dele dhe delja duhet të vendosi se kujt ujku duhet t’i ofrohet për ushqim.
E gjithë historia e përparimit të lirisë njerëzore tregon se të gjitha lëshimet e bëra kanë lindur nga lufta e zjarrtë dhe revoltat. Nëse nuk ka protesta dhe kontroll të vazhdueshëm, nuk ka përparim. Pushteti nuk lëshon asgjë pa kërkesë. Nuk e ka bërë kurrë dhe nuk do ta bëjë kurrë. Kufijtë e tiranëve, pushtetarëve, kryetarëve të partive etj. përcaktohen nga qëndresa e atyre që ata shtypin, mashtrojnë dhe vjedhin
Dhe kështu, ne rrimë urtë teksa na frenojnë të drejtën e fjalës së lirë, jetojmë me frikën e reagimit, na thuhet t’i jemi mirënjohës qeverisë që thjesht ka bërë atë që duhet të bëjë një qeveri. Ne harrojmë se zhvillimi nuk është një dhuratë për ne nga qeveria, por ka qenë gjithmonë detyrë e qeverisë të ndjekë zhvillimin për kombin. Nëse nuk ka luftë, nuk ka përparim. Ata që pretendojnë se favorizojnë lirinë dhe megjithatë përçmojnë protestën, janë burra që duan të korrat pa lëruar tokën. Ata duan shi pa bubullima dhe rrufe. Ata duan oqeanin pa zhurmën e ujërave të tij të fuqishëm.