• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Nis intervistimi i disa ish-pjesëtarëve të UÇK-së në Hagë

January 14, 2019 by dgreca

Ish-komandanti i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Rrustem Mustafa, u paraqit të hënën për intervistim në Prokurorinë Speciale në Hagë, në lidhje me pretendimet për përfshirjen e ish-pjesëtarëve të UÇK-së në krime të luftës dhe të pasluftës në Kosovë.

Në një deklaratë të shkurtër për gazetarë, para intervistës, Mustafa tha se “do t’iu përgjigjet të gjitha pyetjeve të prokurorit”.

Rrustem Mustafa
Rrustem Mustafa

Në Hagë këtë javë do të intervistohet edhe Sami Lushtaku, po ashtu ish-komandant i UÇK-së.

Në mesin e të ftuarve për intervistim janë edhe Sokol Dobruna, Nazif Mehmeti e Raimonda Rreci.

Avokatët e disa të të ftuarve kanë thënë se klientët e tyre “do të paraqiten vullnetarisht” dhe se “janë të gatshëm të sqarojnë çdo rrethanë” që po heton Prokuroria Speciale.

Është raportuar se Remzi Shala, i cili po ashtu ka marrë ftesë, nuk do të paraqitet në intervistë, pasi ka thënë se nuk i beson Gjykatës Speciale që do të trajtojë pretendimet për krime lufte në Kosovë.

Në zyrën e Prokurorit Special nuk kanë folur rreth ftesave, ndërsa autoritetet në Kosovë u kanë bërë thirrje të gjithë atyre që janë ftuar për intervistë, të përgjigjen, në mënyrë që të tregojnë “luftën e pastër të UÇK-së”.

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka thënë të premten se Qeveria e tij nuk është informuar nga Gjykata Speciale për intervistat që do të bëhen, por ka kujtuar se Kosova e ka obligim ligjor që t’i mbështesë ligjërisht dhe financiarisht të prekurit dhe familjet e tyre.Ligji për Gjykatën Speciale është miratuar në Kuvendin e Kosovës në vitin 2015, ndërsa institucioni është bërë funksional në korrik të vitit 2017, kur është miratuar Rregullorja e Procedurave dhe e Provave.

Gjykata do të veprojë në Hagë, me prokurorë dhe gjykatës ndërkombëtarë, por me ligjet e Kosovës.

Krijimi i saj ka pasuar publikimin e një raporti nga Këshilli i Evropës në vitin 2011, në të cilin thuhet se ka prova të mjaftueshme për të hetuar krimet që supozohet se i kanë kryer ish-pjesëtarë të UÇK-së kundër serbëve dhe disa shqiptarëve të dyshuar për bashkëpunim me regjimin e Beogradit, gjatë dhe para luftës.

Hetimet do të përqendrohen në krimet e supozuara nga janari i vitit 1998 deri në dhjetor të vitit 2000.

Në Kosovë, Gjykata Speciale ka shkaktuar pakënaqësi dhe zemërim dhe ka çuar në protesta të veteranëve të UÇK-së.

Sipas disave, me këtë gjykatë po bëhet barazimi i luftës së UÇK-së me mizoritë e forcave serbe gjatë luftës së viteve 1998-1999 në Kosovë, e cila ka përfunduar me ndërhyrjen e NATO-s.

Veteranët dhe disa deputetë thonë se kjo gjykatë duhet të gjykojë të gjithë ata që dyshohet se kanë kryer krime në Kosovë dhe jo, siç thuhet, vetëm një bashkësi etnike.

Në fund të vitit 2017, pas një peticioni me 15 mijë nënshkrime, një grup i deputetëve të Kuvendit të Kosovës ka ndërmarrë nismën për shfuqizimin e Gjykatës Speciale.

Pas disa javësh presion politik nga bashkësia ndërkombëtare, udhëheqësit e institucioneve të Kosovës kanë thënë se gjykata nuk do të shfuqizohet.

Filed Under: Kronike Tagged With: Gjyqi I Hages, Intevistohen, UÇK-se, wish Komandantet

Kosova do udhëheqë fushatën botërore të pastrimit

January 9, 2019 by dgreca

-Ministri Matoshi: Në vitin 2019, Kosova do të udhëheqë dhe koordinojë fushatën botërore të pastrimit/

Kosove-pastrimi-Organizata Let`s Do It World me seli në Tallinn të Estonisë, si anëtar i akredituar në Programin Mjedisor të Kombeve të Bashkuara (UNEP), në dhjetor të vitit 2018, nga 158 shtete ka përzgjedhur Kosovën si fitues të çmimit për fushatën e pastrimit të tokës/

PRISHTINË 9 Janar 2019-Gazeta DIELLI/ Ministri i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Fatmir Matoshi, sot është takuar me udhëheqësen e rrjetit Let’s Do It World, Heidi Solba dhe anëtaren e Bordit, Anneli Ohvril.

Gjatë këtij takimi, ministri Matoshi tregoi se në vitin 2019, Kosova do të udhëheq dhe koordinoj fushatën botërore të pastrimit, ku do të jap mesazh ndërkombëtar për ruajtjen dhe mbrojtjen e mjedisit nga mbeturinat.

“ Ne si vend, pra Let’s Do It Kosova me vendim të Let’s Do It Word dhe e mbështetur nga MMPH-ja në vitin 2019, do të koordinojmë dhe udhëheqim fushatën botërore të pastrimit për shkak të rezultateve që kemi arritur në fushatë për pastrimit të mjedisit. Ky do të jetë shembulli më i mirë për shkak se me 21 shtator, kur do të organizohet Dita Botërore e Pastrimit, ne do të dërgojmë mesazhe nga ky vend. Kjo është një mundësi e mirë për të promovuar Kosovën në arenën ndërkombëtare. Por deri më 21 shtator ne kemi shumë punë për të bërë”, deklaroi ministri Matoshi.

I pari i MMPH-së, tha se gjatë këtij viti, Kosova do t’i jap fund çështjes së mbeturinave përmes investimeve dhe zbatimit të ligjit.

“ Unë besoj që në vitin 2019 është viti ku ne do të ndahemi nga mbeturinat në tersi. Por për të ardhur deri te kjo, ne kemi edhe disa punë për t’i bërë duke mbështetur kështu komunat në infrastrukturë por edhe duke i pajisur me kontejner. Po ashtu ne kemi një memorandum me Qeverinë Gjermane dhe GIZ-in për ndarjen e 7 milion euro për grumbullim të mbeturinave nëpër komuna. Në të njëjtën kohë do të vazhdojmë me zbatimin e Udhëzimit Administrativ për Gjoba Mandatore”, tha Matoshi.

Ministri Matoshi tregoi se Kosova është përgëzuar nga organizata Let’s Do It Word për punën e bërë gjatë aksionit tre mujorësh për pastrimin e vendit.

“Në takim ne u përgëzuam si vend, si task forcë, si Qeveri, si ministri, si organizata të Shoqërisë Civile për punën që e kemi bërë në kuadër të aksionit ‘Ta pastrojmë Kosovën’. U përgëzuam për numrin e madh të vullnetarëve që kanë marrë pjesë në këtë fushatë. Kjo na bënë të ndjehemi krenar si ministri, si vend, si shoqëri për organizimin që kemi bërë”, ka pohuar Matoshi.

Ndërsa udhëheqësja e Rrjetit të “Let’s Do It World”, Heidi Solba, ka lavdëruar institucionet e Kosovës për punën e bërë me projektin “Ta pastrojmë Kosovën”.

“Jeni duke udhëhequr si shembull në mesin e 158 shteteve që janë anëtare e ‘Let’s Do It World’. Për këtë arsye si rezultat të shkëlqyer që ka ofruar Kosova në këtë drejtim, ju ftojmë të jeni shtet udhëheqës në organizimin që do të ndodh në shtator në gjithë botën. Jemi të nderuar që ministri Matoshi do të jetë pjesëmarrës në konferencën që do të mbahet në Estoni” tha Solba.

I pranishëm në këtë takim ishte edhe drejtuesi i organizatës “Let’s Do It Kosova”, Luan Hasanaj i cili vlerësoi të suksesshëm fushatën për pastrimin e mjedisit.

“Është kënaqësi që, më shumë se sa rezultati që është arritur në aksionin e pastrimit të Kosovës ku u larguan 900 deponi, po arrijmë që Kosovën ta bëjmë lajm ndërkombëtar. Kosova është lajm i mirë për shumë vende të botës andaj shpresojmë që të vazhdohet mbarë gjatë tërë vitit duke dhënë lajme të mira”, deklaroi Hasanaj.

Organizata Let`s Do It World me seli në Tallinn të Estonisë, si anëtar i akredituar në Programin Mjedisor të Kombeve të Bashkuara (UNEP), në dhjetor të vitit 2018, nga 158 shtete ka përzgjedhur Kosovën si fitues të çmimit për fushatën e pastrimit të tokës./b.j/

Filed Under: Kronike Tagged With: Behlul Jashari, do udhëheqë fushatën botërore, kosova, të pastrimit

Kosovë-Festohen e urohen Krishtlindjet ortodokse

January 7, 2019 by dgreca

-Urojnë liderë institucionalë, politikë e fetarë. Në Manastirin e Graçanicës, komunë me shumicë serbe afër Prishtinës,  në kremte ishte edhe ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Philip S. Kosnett/

1 a manastir-gracanice_31 manastir-gracanice_12 a Gracanice

-Krishtlindjet ortodokse, 7 janari, janë një nga festat zyrtare të përcaktuara me Ligjin për festat zyrtare në Republikën e Kosovës miratuar në Kuvend në 21 maj 2008 – vitin e shpalljes së pavarësisë në 17 shkurtin historik/

Gazeta DIELLI nga korrespondenti në Kosovë Behlul Jashari/

PRISHTINË, 7 Janar 2019/ Krishtlindjet ortodokse kremtohen edhe në Kosovë, i urojnë liderë institucionalë, politikë e fetarë.

“Të gjithë besimtarëve ortodoksë u shpreh urimet më të mira në ditën e Krishtlindjes së tyre. Le të ketë edhe më shumë paqe, lumturi dhe begati në familjet e tyre. Gëzuar kjo ditë e shenjtë”, është mesazhi i presidentit të Republikës, Hashim Thaçi.

Kryeministri Ramush Haradinaj  u ka uruar për shumë mot Krishtlindjet ortodokse të gjithë qytetarëve të Kosovës dhe atyre ndërkombëtarë, të cilët shërbejnë në misione të ndryshme në vend, që festojnë sipas kalendarit julian.“Kjo festë është nxitje për promovimin e vlerave njerëzore, si mishërim i hyjnores. Realiteti shumëfetar i shoqërisë sonë duhet të na shërbejë si motiv shtesë që ta ndërtojmē një shtet, që garanton më shumë shpresë, mirëqënie ekonomike dhe siguri për qytetarët. Kremtofshi në paqe, me familjet Tuaja, me mirësi e begati”, është shprehur kryeministri i Kosovës.

Poashtu, kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, partisë më të madhe opozitare, Isa Mustafa, të gjithë qytetarëve të besimit ortodoks ua uron Krishtlindjen.“Në këtë ditë feste familjet e juaja të jenë të mbushura me shëndet, begati dhe shumë dashuri. Çdo festë, edhe kjo le ta gjejë popullin e Kosovës më të bashkuar prë një ardhme të përbashkët plot begati”, thekson ai në mesazhin e urimit.

 Mbrëmjen e djeshme në Manastirin e Graçanicës, komunë me shumicë serbe afër Prishtinës,  në kremte ishte edhe ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Philip S. Kosnett, i cili tha se kjo ishte Krishtlindja ortodokse e parë për të në Kosovë.”Është mrekulli të jesh këtu, këtu jam me bashkëshorten time. Kjo është Krishtlindja jonë e parë në Kosovë dhe është privilegj që jemi këtë mbrëmje në Graçanicë. Thjeshtë, u dëshiroj të gjithëve Krishtlindje të lumtur dhe paqe në vitin 2019”, citohet ambasadori.Në Kosovë pjesë e besimtarëve ortodoksë është komuniteti serb, i cili  përbën 1.47 % të banorëve sipas regjistrimit të popullsisë të pranverës 2011, kur u numëran 1.739. 825  banorë rezidentë, prej tyre  92.93 % shqiptarë, pa përfshirë një të tretën e kosovarëve që vlerësohet se jetojnë e punojnë jashtë vendit.

Përqindja e komunitetit serb do ishte më e lartë me përfshirjen në regjistrimin e popullsisë të katër komunave veriore të Kosovës, ku serbët e kanë refuzuar.Në zgjedhjet lokale 2017 në Kosovë numri i votuesve në këto katër komuna veriore me shumicë serbe, sipas regjistrit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, ishte: Mitrovicë e Veriut – 21.797,  Leposaviç – 17.747,  Zveçan – 9.069 e Zubin Potok – 8.400.

Krishtlindjet ortodokse, 7 janari, janë një nga festat zyrtare të përcaktuara me Ligjin për festat zyrtare në Republikën e Kosovës miratuar në Kuvend në 21 maj 2008 – vitin e shpalljes së pavarësisë në 17 shkurtin historik.Dekretimi i  këtij ligji si dhe i 40 ligjeve tjera të  dala nga Paketa e Propozimit Gjithpërfshirës për Zgjidhjen e Statusit të Kosovës të Kryenegociatorit Martti Ahtisaari – Emisarit Special të OKB-së, ishte një nga zhvillimet e ditës së 15 qershorit 2008 të hyrjes në fuqi të Kushtetutës, e cila është miratuar nga Kuvendi  para afër 11 vitesh në 9 prill, më pak se dy maj pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës, të njohur deri tani nga 116 shtete anëtare të OKB-së.

Në Kosovë, që ka gjithësej 38 komuna, nga10 komunat me shumicë serbe 5  janë të reja – Graçanica, Kllokoti, Ranillugu, Parteshi dhe Mitrovica e Veriut, të formuara sipas Paketës Ahtisaari. Po sipas kësaj Pakete, katër komunave me shumicë serbe që ekzistonin në Kosovë, Leposaviçit, Zubin-Potokut dhe Zveçanit, që të trija në veri, dhe Shtërpcës në jug, i është shtuar edhe një tjetër – Novobërda, me zgjërimin e saj.

Filed Under: Kronike Tagged With: Behlul Jashari, Kosovë-Festohen e urohen, Krishtlindjet ortodokse

Gazeta Rilindja 31 Dhjetor 2018, Ribotimi si Protestë

December 31, 2018 by dgreca

31 Dhjetor 2018–RILINDJA-PROTESTË, ridalje simbolike pas 10 vitesh e gazetës historike të Kosovës/

RILINDJA -31-dhjetor-2018-BALLINAGazeta tradicionale e Kosovës Rilindja në këtë ndërrim motesh, në pritje të 2019-tës, sot në mbrëmje (31 Dhjetor 2018) ridel  simbolikisht (botim digjital) për PROTESTË dhe me kërkesën e përsëritur për t’u rikthyer e përditshme – për privatizim.

Në 2019-tën, në 21 Shkurt, bëhen 17 vjet nga dëbimi i kundërligjshëm dhe i padrejtë i gazetës Rilindja – detyrimisht mbyllja e të përditshmes së parë shqiptare në Kosovë, e cila ka nisë të dalë para 74 viteve, në 12 Shkurt 1945 në Prizren, në frymën e Konferencës së Bujanit e me angazhimin e intelektualëve më të shquar të asaj kohe, me shkronja plumbi që u sollën me arka nga Tirana.

Gazeta historike Rilindja nuk u ndal edhe kur u mbyll, nuk është ndalur edhe kur ishte ndaluar në kohë paralufte e  tw luftws për liri e pavarësi të Kosovës.

 Pas luftës, pas mbylljes – dëbimit që i bëri administrata e UNMIK nga shtëpia e saj, në ngjarje historike të lirisë e pavarësisë Rilindja vazhdoi të jetë histori e Kosovës duke dalë me numra specialë e të jashtëzakonshëm, edhe protestues, të kohëpakohshëm.

Numri i parë i pas dëbimit –  i jashtëzakonshëm i gazetës Rilindja ka dalë në 5 Mars 2002 me raportime për zgjedhjen e presidentit e qeverisë në seancën e një dite më parë të Kuvendit të Kosovës të zgjedhjeve të para në liri.

Gazeta Rilindja, kronikë e zhvillimeve historike të Kosovës, pasi doli me botime speciale edhe për ngjarjen historike të shpalljes së pavarësisë dhe njohjet ndërkombëtare që pasuan, ka përmbyllë daljet e mëse 40 numrave të jashtëzakonshëm të kohëpaskohëshëm në 30 Dhjetor 2008, me numrin festiv të Vitit të Ri 2009, me paralajmërimin në ballinë: DUKE BESUAR NË SUNDIMIN E LIGJIT NË SHTETIN E KOSOVËS PRESIM QË NGA NUMRI I ARDHSHËM RILINDJA TË DALË PËRDITË.
Kryetitulli në ballinën e gazetës Rilindja ishte i ëndërres dhe i të ardhmes: KOSOVA SHTET NË OKB. Dy nga titujt tjerë në ballinë: 53 SHTETE NJOHËN SHTETIN E KOSOVËS dhe VITI 2009 I SHQIPËRISË NË NATO.

 Kaluan plot 10 vjet nga numri i fundit i jashtëzakonshëm e protestues i 30 Dhjetorit 2008 i gazetës Rilindja e të drejtës së shkelur dhe pa sundim ligji në rastin e saj…

Rilindja duhet të ridalë e privatizuar, duke pasur edhe shembullin e gazetave tjera në rajon që kishin status të njejtë si ndërmarrje shoqërore, e që vazhdojnë të dalin të privatizuara…

Kërkesa për privatizim-ridalje të gazetës tradicionale të Kosovës Rilindja i është bërë edhe Agjencisë Kosovare të Privatizimit, e cila është themeluar si një organ i pavarur publik, në bazë Ligjit të miratuar nga Kuvendi i Republikës së Kosovës, si pasardhëse e Agjencisë Kosovare të Mirëbesimit e themeluar nga Misioni  i OKB i pas luftës në Kosovë.

Një nga titujt e kësaj ridalje simbolike të gazetës Rilindja në 31 Dhjetor 2018 është: “23 Tetor 2018: Lajm i mirë nga Qeveria e Kosovës – Vendimi ­ për kryerjen e pagesës për shpronësimin e Ndërtesës së ish-Ndërmarrjes Shoqërore ‘Rilindja’”.

“Punëtorët e gazetës tradicionale të Kosovës Rilindja presin që në 2019-tën Qeveria të bëjë pagesën për shpronësim dhe të realizojnë 20 përqindëshin, se tepër shumë gjatë presin të drejtën – 17 vjet nga dëbimi i dhunëshëm, i padrejtë e i kundërligjshëm nga adminisrata e UNMIK-ut në 21 shkurt 2002 nga Pallati Rilindja, ku pastaj pas shpalljes së Pavarësisë së Kosovës ka 10 vjet që janë vendosur disa ministri të Qeverisë së Shtetit të Kosovës”, theksohet në shkrimin e gazetës tradicionale të Kosovës Rilindja që ridel pas 10 vitesh.

“RILINDJA-PROTESTË, ridalje simbolike pas 10 vitesh”, është një nga titujt tjerë të gazetës, e cila riboton edhe disa shkrime të para një dekade – numrit të 30 dhjetorit 2008, me tema që edhe tani janë aktuale.

Filed Under: Kronike Tagged With: Behlul Jashari, Ridoli Gazeta Rilindja, si proteste

URIMI I PRESIDENTIT META PËR VITIN E RI-2019

December 31, 2018 by dgreca

‘GËZUAR VITIN E RI!’, PRESIDENTI META: UROJ QË VITI 2019 TË REALIZOJË HAPJEN E NEGOCIATAVE ME BE-NË/

1 ilir meta

Presidenti i vendit, Ilir Meta me anë të një postimi në rrjetet e tij sociale ka bërë një urim për të gjithë shqiptarët me rastin e ndërrimit të viteve.

Në urimin e tij, Meta i ka bërë thirrje që lënë pas të gjitha vështirësitë dhe konfliktet e vazhdueshme për të ndërtuar një dialog të qëndrueshëm, më shumë përkushtim dhe vëmëndje ndaj gjërave të mira e të bukura për suksese të përbashkëta.

“Të dashur motra e vëllezër shqiptarë! Sot, në ditën e fundit të vitit 2018 uroj sinqerisht të lemë pas të gjitha vështirësitë, pamundësitë e ndasitë, konfliktet e vazhdueshme dhe rraskapitëse të vitit që po mbaron, për të ndërtuar një dialog të qëndrueshëm, të shëndetshëm e të gjithanshëm mes nesh, për të na sjellë të gjithëve, më shumë përkushtim dhe vëmëndje ndaj gjërave të mira e të bukura, më shumë vullnet, forcë e përgjegjësi, më shumë energji, mençuri dhe besim për të qenë së bashku në sfidat tona dhe më shumë vizion e përpjekje për suksese të përbashkëta.

Uroj që Viti 2019 të realizojë dëshirën e madhe të hapjes së negociatave me Bashkimin Evropian dhe të na sjellë më pranë ëndrrën e bukur të të rinjve dhe të gjithë shqiptarëve, “ta bëjmë Shqipërinë si gjithë Evropa”, duke na ftuar, gjithë secilin prej nesh, të dhurojmë më shumë dashuri për njëri-tjetrin, fëmijët tanë, prindërit e të afërmit, fqinjët e miqtë tanë, për familjen shoqërinë e vendin tonë të mrekullueshëm!

Gëzuar Vitin e Ri 2019! Ju uroj shëndet, gëzim e hare, paqe, shpresë e mirëqenie, dashurie e mirësi për njëri-tjetrin! Le të na shoqërojnë këto urime e ndjenja pozitive për gjatë gjithë vitit që po troket!”

Filed Under: Kronike Tagged With: PËR VITIN E RI-2019, URIMI I PRESIDENTIT META

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 162
  • 163
  • 164
  • 165
  • 166
  • …
  • 600
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NJË GJUHË, NJË IDENTITET – STUDENTËT DALIN NË MBROJTJE TË SHQIPËS
  • “Shqiptarët e Amerikës” ndjekin me shqetësim të thellë zhvillimet e fundit në Maqedoninë e Veriut
  • Eshtrat e Hasan Tahsinit duhet të sillen në atdhe
  • “Irani dhe Siguria Kombëtare”!
  • Pamja e Hënës të cilën nuk jemi mësuar ta shohim
  • Analizë strategjike: Roli i SHBA-ve dhe ndikimi i NATO-s në suksesin operacional ushtarak
  • MICKOSKI DHE POLITIKA E KAMUFLUAR NË BALLKAN
  • ÇËSHTJA KOMBËTARE NË POLITIKËN E TIRANËS TË VITIT 1920
  • Në ditëlindjen e Vaçe Zelës, legjendës së gjallë të këngës, zërit që i dha shpirt një epoke
  • 115 vjet nga Kryengritja e Malësisë së Madhe dhe ngritja e flamurit në Deçiq
  • GEORGE POST WHEELER, AMBASADOR I SHBA-SË NË SHQIPËRI (1934) : “SHQIPËRIA DHE BURRAT E SHQIPONJËS…”
  • Përshtypje nga Bashkëbisedimi i AFC-së dhe Mjekëve Gastroenterologë AAGA
  • Një princeshë evropiane përballë traditës shqiptare
  • Arkeologët shqiptarë nën vlerësimin e studiuesit anglez Nicholas Geoffrey Lemprière Hammond
  • E drejta për përdorimin e gjuhës amtare në arsimin e lartë në Maqedoninë e Veriut

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT