• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

30 SHKALLËT E UNIVERSITETIT TË VLORËS DHE BIBLIOTEKËS SË TIJ

September 20, 2024 by s p

30 -VJETORI I UNIVERSITETIT “ISMAIL QEMALI”, VLORË

BIBLIOTEKA SHKENCORE “NERMIN VLORA FALASCHI” E UNIVERSITETIT “ISMAIL QEMALI”, VLORË

MSc. Albert HABAZAJ, bibliograf.

Përgjegjës i Bibliotekës Shkencore “Nermin Vlora Falaschi”, Universiteti “Ismail Qemali”, Vlorë

Libri është diell. Biblioteka e Universitetit të Vlorës i do rrezet e librit për studentët, pedagogët, stafin dhe studiuesit.

Shkurtore

Në këtë shkrim jubilar nderimi për 30-vjetorin e Universitetit tim të dashur, që mban emrin zyrtar Universiteti “Ismail Qemali”, Vlorë, i cili përkon po ashtu edhe me datëlindjen e Bibliotekës Shkencore “Nermin Vlora Falaschi” të këtij institucioni të lartë arsimor në Shqipëri, nuk kam dëshirë të merrem me historinë mbi 2600 vjeçare të Vlorës për liri, pavarësi e dituri përgjatë rrjedhave të kohës. Dëlirësisht nuk kam synim shkrimor të merrem as me parashikimin dhe dëshirën e madhe atdhetaro-romantike të Sami Frashërit që “Shkolla e Anijerisë duhet të jetë mbanë detit, tek të jenë  edhe anijet e luftës, në Durrës, anë Ujit të Ftohtë anë Vlorës; po aq, as me njërën nga dallëndyshet e para të arsimit shqiptar, siç qe Shkolla Tregtare në Ujë të Ftohtë, Vlorë, çelur më 8 Nëntor 1924, që përfshinte nxënës nga Vlora, Fieri, Ballshi, Berati, Gjirokastra, Elbasani, Durrësi e Kosova dhe që në vitin 1933 është quajtur edhe Institut i Tregtisë, e cila krahas Normales së Elbasanit e ca pak simotrave shqiptare, sfiduan furtunat perandrorake (të vjetra dhe të reja) dhe mbijetuan denjësisht. Thjesht do ta përmend që Shkolla e Lartë e Oficerëve të Florës Ushtarake Detare apo Shkolla e Lartë e Marinës (e cila më pas u emërua Akademia Detare), u hap për herë të parë në historinë e vendit tonë, ashtu siç ëndërronte Rilindasi i madh buzë detit të Vlorës, në Ujë të Ftoftë, më 4 shtator 1961. Po ashtu, thjesht sa do të përmend që Shkolla e Lartë Ushtarake e Aviacionit Shqiptar (SHLA) u hap më 11 maj 1962 po në Vlorë [edhe pse kam qenë vetë student për aviator (1979-1981) dhe kam mall, ndjej krenari e po aq trishtim].

Po ashtu, thjesht po e përmend Shkollën Mjekësore “Jani Minga”, të vetmen shkollë kombëtare me histori më tepër se gjysmë shekullore; Shkollën Pedagogjike, shkollat e mirënjohura të arsimit të përgjithshëm “Ali Demi”, “H. Xhelo”, apo Shkollën Industriale. Është i pamohueshëm për kulturën arsimore vendi dhe roli i Filialit të Fakultetit Ekonomik të Universitetit të Tiranës, i ngritur në Vlorë në periudhën 1970-1980 për degët Plan dhe Kontabilitet apo i Filialit i Institutit të Lartë Pedagogjik të Shkodrës për degët e Mësuesisë: Gjuhë – Letërsi, Matematikë – Fizikë, Biologji – Kimi dhe Histori – Gjeografi për periudhën 1969-1982. Këto instricione arsimore ishin fanarë ndriçues për udhëtimin dituror e dritëror të Vlorës dhe të devotshmëve të merituar për dije, por, sadopak, për hir të njohjes, mundësive dhe pozicionit organik të punës, do t’i bie pikës mbi ì për fillimet e Universitetit të Vlorës.

Fillimet e Universitetit

Për hapjen e Universitetit “Ismail Qemali”, Vlorë, vendosi Këshilli i Ministrave të Shqipërisë me vendimin nr. 105, datë 28.02.1994, me kryeministër prof. dr. Aleksandër Meksi. Më 1 Mars 1994 u ngrit grupi i punës për të kristalizuar, për t’i dhënë formë e drejtim të qartë idesë për një shkollë të lartë në Vlorë, e cila kishte kohë që diskutohej në mjediset intelektuale të qytetit, vlonjatëve të Tiranës dhe miqve të Vlorës. Pra, ideja ishte e thjeshtë: Vlorës i takon se e meriton një universitet me 3 fakultete. Dhe kështu nisi punën grupi i punës apo bordi drejtues i ngritur posaçërisht për drejtimin e nëngrupeve, me përfshirjen serioze të të cilëve nisi veprimtaria për ngritjen e Universitetit në qytetin e madh bregdetar të Shqipërisë Jugperëndimore (i dyti qytet portual në Shqipëri mbas Durrësit).

Në bordin drejtues u emëruan 7 intelektualë, personalitette të dijes dhe arsimit: 

1. Dr. Sezai Bazaj – kryetar (diplomuar për ekonomi)

2. Dr. Spiro Caushi – nënkryetar (më vonë Prof. Dr. – diplomuar mësues fizike)

3. Kristaq Pavli – anëtar (diplomuar  për mjekësi, (kardiolog)

4. Janaq Vaso – anëtar (diplomuar  mësues fizike)

5. Pajtim Islami – anëtar (diplomuar  për inxhineri mekanike)

6. Dr. Nestor Tereska – anëtar (Prof. Dr., më vonë Akad., në atë kohë – Rektor i Universitetit të Tiranës, diplomuar  për mjekësi – nefrolog)

7. Dr. Gëzim Karapici – anëtar (më vonë Prof. Dr., në atë kohë – kohë – Rektor i Universitetit Politeknik të Tiranës, diplomuar  për inxhineri elektrike)

Për formimin e 3 fakulteteve të kësaj shkolle të lartë u krijuan 3 grupe që u ngritën dhe u drejtuan nga specialistë dhe akademikë me përvojë të përzgjedhur nga Universteti i Tiranës, Politekniku, si dhe ekspertë lokalë. Këto grupe drejtoheshin nga: 

  1. Dr. Halit Xhafa – kryetar i grupit të punës për ngritjen e Fakultetit të Tregtisë [sot: i Ekonomisë], (në atë kohë Zv/dekan i Fakultetit të Ekonomisë në Universitetit të Tiranës);
  2. Prof.dr. Rexhep Bregu – kryetar i grupit të punës për ngritjen e Fakultetit të Infermierisë [sot: të Shëndetit], (në atë kohë Zv/dekan i Fakultetit të Mjekësisë në Universitetit të Tiranës);
  3. Dr. Nikolin Pema – kryetar i grupit të punës për ngritjen e Fakultetit të Marinës [Sot: i Shkencave Teknike dhe të Natyrës], (në atë kohë Zv/dekan i Fakultetit të Inxhinierisë Mekanike në Universitetit Politeknik të Tiranës).

Më 3 Tetor 1994 nisi dita e parë e mësimeve në Universitetin e Vlorës, me 162 studentët e parë të shpërndarë në 3 fakultete: Fakultetin e Tregtisë me degët Biznes dhe Turizëm, Fakultetin e Marinës me degën Inxhinieri Navale dhe Fakultetin e Infermierisë për përgatitjen e infermerëve, të cilët i përshëndeti zëvendës rektori prof. Spiro Caushi. Më 10 Tetor 1994 u zhvillua ceremonia e përurimit të Universitetit të Vlorës. Në këtë festë të madhe arsimore për Vlorën dhe Shqipërinë mori pjesë edhe Presidenti i Shqipërisë në atë kohë prof. dr. Sali Berisha, ish – Ministri i Arsimit prof.dr. Xhezair Teliti, si dhe shumë personalitete të tjerë të ftuar.

Formimi i auditorëve dhe krijimi i një stafi akademik të denjë, kërkues e ambicioz, me të dhëna kurrikulare nga më të kompletuarat për kohën, të prirur për të zhvilluar aspektet e tyre akademike dhe fakultetet përkatëse gjithashtu, ishin kriteret përmes të cilëve u përzgjodhën, mes 130 kandidatëve, 10 pedagogët e parë efektivë dhe 31 pedagogë të jashtëm. 

Nderojmë dhe vlerësojmë ata që hodhën themelet e Universitetit tonë: dr. Sezai Bazaj, i cili me hapjen e Universitetit u emërua Rektor i këtij institucioni të ri të arsimit të lartë shqiptar; prof.dr. Spiro Caushi, i cili u emërua Zv/Rektor dhe dekan i Fakultetit të Marinës (i cili është cilësuar si dekan i Zëvendës Rektorëve të Universitetit të Vlorës, por ndoshta në rang Republike, sepse këtë detyrë e ushtroi deri ditën që doli në pension). Po me kaq nderim kujtojmë dhe vlerësojmë bërthamën e parë pedagogjike, që, përveç Rektorit dhe Zv/Rektorit, përbëhej nga pedagogët Selman Lamaj (dekan i Fakultetit të Tregtisë), Natasha Ahmetaj (pedagoge e Fakultetit të Tregtisë), Brunilda Lilaj (dekane e Fakultetit të Infermierisë), Kristofor Lapa (dekan i Fakultetit të Marinës, Flutura Kondili (pedagoge e Fakultetit të Infermierisë), Diana Kozdine (pedagoge e Fakultetit të Infermierisë), Vasil Mino (pedagog i Matematikës) dhe Mimoza Shtëmbari (pedagoge e gjuhës angleze).

Rektorët në vite:

Mbas dr. Sezai Bazaj, i cili është rektori i parë i emëruar i Universitetit të Vlorës (1994-1998), në vitin 1998, Rektor u emërua Dr. Bilal Shkurtaj (sot Prof. Dr.), i cili u zgjodh nga Senati për dy mandate. Në zgjedhjet e vitit 2008, Prof. Dr. Tanush Shaska u zgjodh Rektor i Universitetit të Vlorës, i cili kontribuoi deri në vitin 2010. Në vitin 2010, Prof. Dr. Albert Qarri u zgjodh Rektor i Universitetit të Vlorës. Në vitin 2016 u zgjodh Rektor i Universitetit të Vlorës, Prof. Dr. Roland Zisi, i cili vijoi në krye të Universtietit për dy mandate deri në vitin 2024. Në zgjedhjet e 21 Qershorit 2024 fiton postin e Rektorit Prof. dr. Aurela Dai Saliaj (e para grua fitimtare në garat për postin e lartë të Rektorit ndër vite), fakt, që, veç të tjerash, tregon se në Vlorë emancipimi i femrës po ravijëzohet  dukshëm dhe qartë si drita e diellit.

Dy piketa 

Gjatë udhëtimit 30-vjeçar të Universitetit tonë, vlen të theksojmë se në vitin akademik 2007-2008, Universteti i Vlorës arriti shifrën rekord të studentëve në 10 000 të regjistruar, nga të cilët 7400 studentë në sistemin me kohë të plotë dhe 2880 në sistemin me kohë të pjesshme, duke u renditur kështu i dyti në shkallë vendi mbas Universitetit të Tiranës dhe i pari midis universiteteve të rretheve (përfshi dhe universitetet e tjera të Tiranës).

Në ditët e sotme studentët vijojnë studimet në 15 departamente, të cilët janë në strukturën e organigramës së 4 fakulteteve: Fakultetit të Shëndetit, atij të Ekonomisë, të  Shkencave Humane dhe Drejtësisë, si dhe Fakultetit të Shkencave Teknike dhe Natyrore.

Studentët tanë në UV studiojnë në fusha e programe të ndryshme si: Ekonomik, Inxhinieri, Juridik, Infermieri, Pedagogji të Specializuar, Shkenca Kompjuterike, Informatikë, Gjuhë të Huaja, Gjuhë dhe Letërsi Shqipe, Mësuesi, Matematikë – Fizikë etj. Në total UV ofron 2 diploma tekniko-profesionale, 30 programe studimi Bachelor, 37 Programe studimi Master (Shkencor dhe profesional) si dhe një program doktorature. Në UV ofrohen edhe programe studimi: “Master Profesional” në “Udhërrëfim dhe Komunikim Turistik”, program studimi: Formim i vazhduar në fushën Psiko-Pedagogjike, programin e riorganizuar të Ciklit të Dytë në “Mësuesi për Arsimin fillor” dhe programi double degree në fushën e Turizmit në bashkëpunim me Universitetin “Aldo Moro”, Bari Itali. Gjithashtu aplikohen edhe dy programe të reja double degree: Bachelor në “Gjuhësi të Aplikuar në Fushën e Turizmit”, në partneritet me Universitetin e Salentos, Lecce, Itali dhe programi “Inxhinieri mekanike”, në bashkëpunim me Universitetin Politeknik, Bari, Itali. Gjithashtu në Fakultetin e Shkencave Hmane funksionon Doktorata “Studime Gjuhësore, Letrare dhe Kulturore”/ Doktoratë “Language, Literaty and Cultural Studies”.

BIBLIOTEKA E UNIVERSITETIT

Biblioteka Shkencore “Nermin Vlora Falaschi” është çelur me themelimin e Universitetit “Ismail Qemali”, Vlorë, në 10 Tetor 1994, i cili fillimisht kishte emërtimin Universiteti Teknologjik “Ismail Qemali”, Vlorë. 

Më 28 nëntor 2005, Biblioteka e Universitetit mori emrin “Nermin Vlora Falachi” për të nderuar kulturologen Nermin Vlora, mbesë e Ismail Qemal Vlorës.

Universiteti ka në dispozicion të studentëve, pedagogëve, studiuesve dhe stafit të këtij Institucioni të arsimit të lartë 3 (tre) biblioteka me 3 (tre) salla leximi, me personel 4 (katër) vetë, me vendndodhje, përkatësisht: Biblioteka shkencore qendrore nr.1, në Godinën A (Rektorati), kati II, që mbulon dhe Fakultetin e Ekonomisë me personel 2 (dy) specialistë; Biblioteka B, nr.2 në Fakultetin e Shkencave Humane dhe Drejtësisë, kati III, me 1 (një) specialist (që mbulon edhe Fakultetin e Shëndetit) dhe Biblioteka e Re, nr.3 në godinën C, kati I në Fakultetin e Shkencave Teknike dhe Natyrore, e cila është hapur më 28.03.2018 me 1 (një) specialist/e.  

Sektori i Bibliotekës Shkencore është njësi ndihmëse e Universitetit, strukturë ndihmës akademike me karakter administrativ në nivel institucioni dhe është në vartësi të Rektorit, sipas organigramës, nëpërmjet zv/rektorit Akademik që ndihmon në realizimin dhe mbështetjen e veprimtarive të mësimnxënies/ mësimdhënies dhe të kërkimit shkencor ose të zhvillimit të institucionit të arsimit të lartë (Universitetit “Ismail Qemali”, Vlorë.

Biblioteka Shkencore e Universitetit “Ismail Qemali” Vlorë është shtëpia e librit, sidomos për studentët, patjetër për pedagogët, stafin dhe studiuesit (jo vetëm personel i UNIVLORËS) që i mirëpret me dashamirësi nga ora 08.00-20:00. Biblioteka jonë është strehëza juaj e ngrohtë, e qetë, me hapësirë dhe me dritë, ku ju mund të studioni më mirë se kudo. Mirë se vini, miq e dashamirës të librit dhe shërbimit tonë si misionarë drite për mendim dhe veprim të mirë, të bukur dhe shoqërisht të dobishëm! Jeni të mirëpritur çdo ditë, jo vetëm gjatë sezonit të provimeve, studentë të dashur, po ashtu të mirëseardhur në konferencat, simpoziumet, tryezat shkencore, veprimtaritë kërkimore – shkencore apo letraro – kulturore, që kryen biblioteka universitare si pjesë e së tërës së UNIVLORËS!

Përnjohje e duhur profesionale

Sektori i Bibliotekës Shkencore pranë UV-s, ndjek një politikë të ruajtjes së trashëgimisë së tij akademike, kulturore dhe shkencore, duke shërbyer si një strukturë e depozitimit të infomacionit të shkruar dhe elektronik dhe të organizimit të aktiviteteve ku promovohen libra, autorë dhe tendenca bashkëkohore kulturore, shkencore e letrare. 

Orari i Bibliotekës: Biblioteka Qendrore në Godinë është e hapur: e hënë – e premte, ora 08:00-20:00, është në shërbim të studentëve, pedagogëve dhe stafit të Fakultetit të Ekonomisë dhe Rektoratit, mbasdite për të gjithë studentët dhe pegagogët e të katër fakulteteve të universitetit.

Dy bibliotekat e tjera kanë orarin zyrtar 08:00-16:00, fundjavë dhe ditë festash – pushim. 

Në Bibliotekën kryesore (Nr.1) është edhe Arkiva e e Bibliotekës, e cila kryen detyrat sipas standardeve të shkencës së Bibliotekonomisë për arkivat e bibliotekave universitare. Funksionon Biblioteka Online dhe Biblioteka Digjitale. Qysh nga viti 2013 Biblioteka është përfshirë në Sistemin Ndërkombëtar të Përshkrimit Bibliografik COBISS. Net, duke realizuar regjistrimin e njësive bibliografike libra dhe jolibra (botime monografike, (së pari ato tekste që janë në funksion të studentëve dhe pedagogëve), buletine e artikuj shkencorë, domosdoshmërisht artikujt e botuar në buletinet shkencorë, që nga ai nr. 1 (v. 2001) korrekt me standardet Ndërkombëtare të Bibliotekomonisë në këtë fushë.

Numri i vendeve për sallë përkatësisht: Total – 120, Bibloteka A – 60, Bibloteka B – 37,

Bibloteka C – 23. Numri i përdoruesve/ frekuentuesve: Total – 80, Bibloteka A – 45, Bibloteka B

– 20, Bibloteka C – 15. 

Gjatë vitit akademik 2019-2020, në mjediset e Bibliotekës Qendrore (Godina A) u krijua Arkiva e Bibliotekës, e cila kryen detyrat sipas standardeve bibliotekonomisë për arkivat e bibliotekave universitare. 

Koeficienti i shfrytëzueshmërisë, [llogaritur me numrin e përdoruesve të bibliotekës mbi numrin

e vendeve në çdo sallë (total bibliotekat)] është afërsisht 0.67 ose 67 % shfryëzohet. Sipërfaqja e

bibliotekës A është 252 m². Aty u krijua sipas standardeve dhe në mjedisin e duhur për Arkivin e

Bibliotekës. Sipërfaqja e bibliotekës B është 90 m², ndërsa Sipërfaqja e bibliotekës C është 80 m².

Pasurimi i fondeve të bibliotekës sigurohet përgjithësisht me pasurim korent dhe më pak me

pasurim retrospektiv. Burimet e pasurimit për librin në gjuhën shqipe janë: blerjet me procedurë

sipas buxhetit të përcaktuar me preventivat dhe specifikimeve teknike, miratur nga S.A dhe B.A.

[me tenderim], dhe dhuratat nga institucione shtetërore, organizata jofitimprurëse apo persona

privatë, për tekste që paraqesin interes për studentët, pedagogët e stafin. Për librin e huaj

nëpërmjet burimeve të ndryshme të pasurimit që gjenden në internet. Një adresë e tillë që kemi

shfrytëzuar është: http://www.amazon.com apo Barnes & Noble company http://.barnesandnoble.com

Ndihmesë të dukshme në dispozicion të studentëve kanë dhënë Akademia e Shkencave e Shqipërisë, Akademia e Studimeve Albanologjike, KLSH, institucione të tjera apo personalitete të fushave të ndryshme të dijes e shkencës me literarurë fizike si: tekste mësimore bazë dhe literaturë ndihmëse në gjuhë shqipe apo të huaja, libra apo revista shkencore të nevojshme, të mjaftueshme dhe të përshtatshme për mbulimin e të gjitha moduleve e veprimtarive mësimore sipas natyrës e specifikës së programit të studimit.

Biblioteka funksion me fonde të hapura (salla leximi – të tri bibliotekat) dhe me fonde të mbyllura (biblioteka qendrore).

Në total, fondi i trashëguar (1994-2024 (me blerje dhe dhurata, shqip dhe në gjuhë të huaj) është: 55. 000 tekste në përreth 15.000 tituj. Blerjet dhe dhuratat kanë pasuruar burimet manuale të bibliotekës dhe e kanë freskuar ndjeshëm atë nëpërmjet përditësimit të literaturës ndërkombëtare, në shërbim të katalogimit dhe administrimit elektronik të fondit dhe periodikut. Biblioteka mundëson shfrytëzimin e të gjitha botimeve, që disponon nga përdoruesit e ndryshëm, nga çdo bibliotekë dhe laborator i fakulteteve përkatësisht. Ndërkohë, duke qenë në formatin digjital, i njëjti material/ botim mund të aksesohet nga më shumë se një përdorues njëkohësisht, dhe mund të lexohet në kohën që përdoruesi përcakton, pa pasur varësi nga disponibiliteti i ambjenteve të UV. Biblioteka Shkencore është shërbestare e studentëve dhe pedagogëve të Universitetit.

Biblioteka Shkencore për akreditimin e Universitetit

Institucioni siguron ruajtjen, mirëmbajtjen dhe zhvillimin e trashëgimisë së tij akademike, kulturore dhe shkencore. (Kreu III Standardi VII.4) UV ka vënë në dispozicion të studentëve, pedagogëve, studiuesve dhe stafit të këtij Institucioni 3 (tre) biblioteka me 3 (tre) salla leximi, me personel 4 (katër) vetë, me vendndodhje, përkatësisht: Biblioteka qendrore, në Godinën A (Rektorati), që mbulon dhe Fakultetin e Ekonomisë me personel 2 (dy) specialistë, Biblioteka B, në Fakultetin e Shkencave Humane dhe Drejtësisë me 1 (një) specialist (që mbulon edhe Fakultetin e Shëndetit) dhe Biblioteka e Re në godinën C, në Fakultetin e Shkencave Teknike dhe Natyrore me 1 (një) specialist/e. Sektori i Biblotekës Shkencore pranë UV-s, ndjek një politikë të ruajtjes së trashëgimisë së tij akademike, kulturore dhe shkencore, duke shërbyer si një strukturë e depozitimit të infomacionit të shkruar dhe elektronik dhe të organizimit të aktiviteteve ku promovohen libra, autorë dhe tendenca bashkëkohore kulturore, shkencore e letrare. Çdo pedagog (me kohë të pjesshme ose të plotë) dorëzon tekstet mësimore dhe/ose tekstet e ushtrimeve që ka përdorur dhe përdor në kurset e tij pranë Sektorit të Shërbimeve të Librit në Bibliotekën Shkencore për t’u ardhur në ndihmë studentëve, të cilët nuk kanë mundësi financiare për ti blerë ato [E2.65]. Theksojmë se çdo publikim i stafit akademik ka plotësuar kriteret e publikimit të tyre në përputhje me Vendimin e miratuar nga SA [E2.66]. Gjithashtu, çdo pedagog dorëzon listën e punimeve të diplomës së ciklit të dytë dhe të tretë në hard copy tek të dyja Biblotekat e UV-së (Sektori i Shërbimeve të Librit) [E2.65]. Çdo veprimtari kërkimore-shkencore e stafit akademik është në përputhje me “Rregulloren e Etikës mbi veprimtarinë kërkimore-shkencore dhe botuese” e miratuar me Vendim të SA-së [E2.67]. SA ka miratuar listën e disa botimeve që do të përbëjnë “minibibliotekë zyre” në formë pakete për zyrat e autoriteteve drejtuese, kryesekretareve, sekretarive mësimore dhe administratës (sektorë, drejtori) me qëllim që secili autoritet e punonjës i Universitetit të ketë njohuri të përgjithsme për gjuhën shqipe, shkrimin e saj, popullin shqiptar, identitetin, vlerat kombëtare, historinë, kulturën dhe letërsinë shqipe, Kosovën, arbëreshet etj. [E2.68]. UV ka marrë në pronësi Opusin e trashëgimisë kulturore të Lefter Çipës, të cilat përbëjnë një pasuri kombëtare jo vetëm për studentët e fushës, që vijojnë studimet e nivelit të dytë, por edhe për pedagogët dhe studiuesit shqiptarë apo të huaj. Gjithashtu, UV ka botuar Bibliografinë e “Botime të pedagogëve të Universiteti “Ismail Qemali”, Vlorë, pjesa 1 (1994-2006). Po ashtu është botuar Bibliografia “Botime të pedagogëve të Universiteti “Ismail Qemali”, Vlorë, Libra. Pjesa 2 (2006-2020). UV ndjek një politikë të vlerësimit dhe zhvillimit të pasurive të tij akademike, kulturore dhe shkencore, duke mbështetur stafin akademik në botimet e artikujve shkencore në Buletinin e UVsë, promovimin e librave dhe krijimin e arkivës dixhitale [E2.69]. UV promovon shembuj të praktikave të mira, nxit e inkurajon personelin akademik për përmirësimin e mëtejshëm të cilësisë së mësimdhënies e kërkimit shkencor nëpërmjet mbështetjes financiare [E2.70]. UV boton periodikisht dhe vë në dispozicion të stafit dhe studentëve Buletinin e saj Shkencor (nga viti 2013- me ISSN 2310-6719), i cili përmban artikujt shkencorë të pedagogëve të UV-së, të autorëve të tjerë shqiptarë apo të huaj. Ky Buletin është hapur në vitin 2001 dhe shërben si një pasuri jo vetëm për UV-në por edhe më gjerë. 13 buletinet e para (nga viti 2001- 2008) janë regjistruar në programin COBISS.Net dhe po vijohet me përditësimin e artikujve të buletinëve me ISSN. Për dixhitalizimin e standardizuar dhe të unifikuar të librit/ tekstit mësimor apo artikujve shkencorë të nevojshëm, UV është në proçes unifikimi me rrjetin e Bibliotekave Universitare me lider Bibliotekën e Akademisë së Shkencave, për përmbushjen e planit kombëtar për dixhitalizimin e Bibliotekave Universitare dhe atyre të rrjetit. 

Përditshmëria

Sektori i Bibliotekës shkencore, me të tre bibliotekat e fakulteteve është një mbështetje efektive e mësimit dhe hulumtimit të studentëve në literaturën e duhur bashkëkohore, revistat/ buletinet, etj.

Informacioni për bibliotekat dhe aktivitetet e tyre publikohet në faqen e internetit të Universitetit.

Orari i Bibliotekës: Biblioteka Qendrore në Godinë është e hapur: e hënë – e premte, ora 08:00-

20:00, është në shërbim të studentëve, pedagogëve dhe stafit të Fakultetit të Ekonomisë dhe

Rektoratit, mbasdite për të gjithë studentët dhe pegagogët e të katër fakulteteve të universitetit.

Dy bibliotekat e tjera kanë orarin zyrtar 08:00-16:00, fundjavë dhe ditë festash – pushim. Për të

llogaritur numrin e përdoruesve të Bibliotekës dhe koeficientin e shfrytëzueshmërisë përdorim

Statistitat vjetore, mujore dhe ditore, të cilat plotësohen sipas udhëzimeve që ka biblioteka dhe

ruhen në arkiv, sipas kritereve. Librat për përdorim jashtë bibliotekës huazohen duke plotësuar

kartelën e lexuesit/ përdoruesit sipas rregullores së bibliotekës.

Biblioteka ka Rregulloren e brendshme të saj të miratuar nga Senati Akademik i Universitetit.

Për bibliotekën online dhe atë digjitale:

1. Në softin COBISS3 uvl për digjitalizimin e katalogut bibliografik të koleksionit të Bibliotekës

përditësojmë tekste dhe artikuj shkencorë si pjesë e rrjetit në sistemin ndërkombëtar Cobiss. Net.

Studentët kanë kërkuar për materiale/ tekste, artikuj digjitalë sipas manualit të librarisë digjitale,

i cili ka shërbyer për të aksesuar shërbimin e librarisë digjitale, duke aksesuar këtë shërbim në

linkun: https://ulibrary.rash.al/

2. Biblioteka Digjitale

Për Bibliotekën elektronike online është punuar me burimet elektronike për Shqipërinë, ndërsa për digjitalizimin e standardizuar dhe të unifikuar të librit/ tekstit mësimor apo artikujve shkencorë të nevojshëm në fillim të viti 2021 ka filluar funksionimin Biblioteka Digjitale e Universitetit. Marrja në pronësi nga Universiteti “Ismail Qemali”, Vlorë e Opusit të trashëgimisë kulturore të Lefter Çipës, nisi me skanimin dhe digjitalizimit e dorëshkrimeve me vlerë dhe materialeve të rralla në version origjinal dhe kopje autentike të këtij autori polifon, etnofolkloristit dhe poetit atipik Çipa, që përbëjnë një pasuri kombëtare jo vetëm për studentët e fushës, që vijojnë studimet e nivelit të dytë, por edhe për pedagogët dhe studiuesit shqiptarë apo të huaj. Biblioteka shkencore Qendrore, ka gjithashtu në funksion të studentëve dhe pedagogëve edhe Bibliotekën digjitale të prof. Pietro di Marco. Për digjitalizimin libror, vijon puna përditshërisht dhe pa ndërprerje për skanimin, ruajtjen dhe vënien e tyre në dispozicion të përdoruesve, duke pasur përparësi botimet unikale, ato që nuk lejohen të dalin nga salla, enciklopeditë, fjalorët, dorëshkrimet, botimet  e vjetra, si dhe  ato tekste universitare, që janë më të rëndësishëm e të domosdoshëm për studentët së pari. Me këtë proces merret kryesisht specialisti Elton Brakaj.

3. Bibliografitë

Janë botuar 2 punime profesionale në fushën e Bibliotekonomisë: Bibliografia “Botime të pedagogëve të Universitetit “Ismail Qemali”, Vlorë, Pjesa 1 (1994-2006), ku përfshihen 65 autorë dhe 3 përkthyes – pedagogë të UNIVLORËS me 167 njësi bibliografike (tituj librash, regjistruar dhe në Sistemin Ndërkombëtar të përshkimit Bbliografik të njësive libra dhe jolibra) si dhe: “Bibliografia e Universitetit “Ismail Qemali”, Vlorë: Tekste mësimore universitare dhe monografi shkencore të pedagogëve të Universitetit “Ismail Qemali”, Vlorë,  Pjesa 2 (2006-2023), ku përfshihen 179 tituj librash, nga të cilat 117 tekste mësimore dhe 62 monografi, prodhim intelektual i 108 pedagogëve të Universitetit “Ismail Qemali”, Vlorë, si dhe 17 përkthyes të këtij institucioni të lartë arsimor, përgatitur nga bibliografi Albert Habazaj, të cilat janë punime kërkimore – shkencore unikale me vlera serioze për universitetin dhe ndër të rrallat ndër universitetet shqiptare. 

Ndryshe nga e para, kjo bibliografi është e integruar në Sistemin dhe Shërbimet e Përbashkëta Bibliografike Online (COBISS), sipas standardeve ndërkombëtare të përshkrimit bibliografik, si edhe në Sistemin Informues për Veprimtarinë Kërkimore në Shqipëri (E-cris.AL). Në këtë Bibliografi, përveç njësive bibliografike – libra të pedagogëve të UV, janë përfshirë dhe punimet shkencore të figurave të njohura të shkencës shqiptare, si prof. Daritan Spahiu, Llukan Puka, Shaban Sinani, Sulo Hadëri, Sherif Bundo, Beshir Ciceri, Ilir Mandro Agron Xhagolli etj. që, në të Universitetin “Ismail Qemali”, Vlorë  gëzojnë statusin “Personel Akademik i ftuar”. Në fund të çdo njësie bibliografike, ndodhet ID përkatëse që e identifikon secilën njësi në këtë sistem.

Në Panairin e Tretë Mbarëkombëtar të Librit Akademik dhe Shkencor, zhvilluar në Tiranë në datat 23-25 prill 2024, organizuar nga Akademia e Shkencave e Shqipërisë dhe Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës me bashkëpunimin e Qendrës Kombëtare të Librit dhe Leximit, me pjesëmarrjen e mbi 35 institucioneve, universiteteve dhe subjekteve me veprimtari botuese shkencore, Universiteti “Ismail Qemali” Vlorë, për herë të parë në historinë e tij 30 vjeçare promovoi në sallën “Aleks Buda” të Akademisë së Shkencave të Shqipërisë,  dy botimet e tij:

  • Studime Ndërdisiplinore në Albanologji – autor Prof. Dr. Roland Zisi
  • Bibliografia e Universitetit “Ismail Qemali” Vlorë, pjesa II (2006 – 2023), përgatitur nga Albert Habazaj.

Drejtoi seancën: Albert Habazaj, paraqitën botimet: Prof. Teuta Toska, Akad. Vaso Tole, Albert Habazaj dhe Dr. Ermir Xhindi.

5. Janë regjistruar në Programin Cobiss/ Sistemi dhe shërbimet e përbashkëta bibliografike

online të gjithë artikujt shkencorë të pedagogëve të Universitetit "Ismail Qemali" Vlorë, të autorëve të tjerë shqiptarë apo të huaj, të cilët janë botuar në:

a) Buletinet shkencorë të Universitetit “Ismail Qemali”, Vlorë (nga viti 2013- ) me ISSN 2310-

6719;

b)  Buletinet Shkencorë të Universitetit Teknologjik “Ismail Qemali”, Vlorë  (nga viti 2001-

2008, gjithsej 13 buletine pa ISSN), të cilëve u kemi vendosur numrin e brendshëm, Y990-8080,

përcaktuar nga Cobiss dhe njohur ndërkombëtarisht, regjistrime të krijuara dhe të shkarkuara në COBISS.AL, të cilat gjenden në online në: https://www.cobiss.net [LIBRARY INFORMATION SYSTEMS AND CURRENT RESEARCH INFORMATION SYSTEMS NETËORK], Library (Acronym) UVL, Cataloguer Albert Habazaj].

Me projektin e ri të Universitetit “Ismail Qemali” Vlorë, të Bibliotekës digjitale, e cila konsiston në konvertimin e të gjithë fondit të koleksioneve të Bibliotekës shkencore “Nermin Vlora Falaschi” të UV nga libra fizikë – që janë akutalisht – në digjitalë, realizojmë automatizimin e Bibliotekës universitare, katalogimin dhe administrimin elektronik të fondit dhe periodikut sipas standardeve ndërkombëtare të shkencës së bibliotekonomisë. Përpunimi teknik sipas standardeve ndërkombëtare në shërbim të katalogimit dhe administrimit elektronik të fondit dhe periodikut, po e jep efektin tek rrit cilësinë, shpejtësinë dhe efektivitetin e shërbimeve të ofruar ndaj përdoruesve, tek mundëson qasjen me informacion në distancë të përdoruesve dhe shpërfaqjen e informacionit nëpërmjet burimeve alternative, duke përfshirë internetin, nëpërmjet motorëve kryesorë të kërkimit e shërbime të tjera, që i përkasin Bibliotekës digjitale. Kjo platformë mundëson aksesimin e të gjitha botimeve që biblioteka e UV disponon nga përdoruesit e ndryshëm, nga çdo bibliotekë dhe laborator të fakulteteve përkatësisht. Ndërkohë, duke qenë në formatin digjital, i njëjti material/ botim mund të aksesohet nga më shumë se një përdorues njëkohësisht, dhe mund të lexohet në kohën që përdoruesi përcakton, pa pasur varësi nga disponibiliteti i ambjenteve të UV. 

Stafi i bibliotekës është angazhuar edhe në veprimtaritë kërkimore – shkencore të Universitetit dhe të institucioneve të tjera të arsimit të lartë në Shqipëri  e jashtë vendit, ku kanë dhënë ndihmesën e tyre me botime të ndryshme të fushave, ku janë përfshirë.

Festa kulturore-artistike 

Kemi realizuar takime me shkrimtarë të shquar si Kadareja, Dritëroi, Ali Podrimja, Fatos Arapi, Nasho Jorgaqi, Fatos Kongoli, Xhevahir Spahiu, Flutura Açka, Maku Pone, etj., me fizikanin e shquar, prof. Niko Thomo, me studiuesit e njohur Anton Berisha, me akademik Gjovalin Shkurtaj, profesorët Rami Memushaj, Ymer Çiraku, Farudin Krutaj, Mësuesin e Popullit, të ndjerin Kristaq Shtëmbari, me albanologët arbëreshë, akad. Francesco Altimari e Matteo Mandalá, etj. Domethënëse dhe me mesazhe të larta njerëzore e kulturore janë bërë veprimtaritë për princin e lirikës shqiptare Ali Asllani, për poetin e studiuesin e spikatur Nexhat Hakiu dhe për kalorësin e lirisë së fjalës, personalitetin shquar të letërsisë bashkëkohore shqiptare Petro Marko, etj. Në këto veprimtari e konferenca shkencore roli i bibliotekës së Universtetit ka qenë i dukshëm, me kumtesat e përgatitura e të mbajtura nga specialistët e saj, të cilat dhe janë botuar, si dhe me faktin se veprimtaritë janë bërë në mjediset e bibliotekës universitare. Për mbarëvajtjen e tyre kemi patur bashkëpunim të frytshëm me Lidhjen e Shkrimtarëve dhe Artistëve të Vlorës, që më vonë u riogranizua si Shoqata e Shkrimtarëve dhe Artistëve “Petro Marko” Vlorë. Ndihmesë të palodhur organizative ka dhënë dhe prof.dr. Bardhosh Gaçe.

Gjithashtu, Biblioteka “Nermin Vlora Falaschi” ka zhvilluar e zhvillon veprimtari letrare-artistike dhe kulturore, në të cilat përuron autorë e studiues vlonjatë, autorë të njohur shqiptarë dhe të diasporës shqiptare nëpër botë, ndër të cilët mund të përmendim autoritete të letrave shqipe si Rudolf  Marku, Primo Shllaku, Vllasova Musta, Daut Gumeni etj. Në Bibliotekën “Nermin Vlora Falaschi”, – siç shprehet mësuesi veteran dhe drejtues i arsimit,  poeti lirik Hiqmet Mehmetaj – jemi mbledhur shpesh dhe kemi shkëmbyer mendime, kemi përfituar nga njëri- tjetri, ndaj këtë sallë e quaj faltore, kishë, xhami apo teqè, si bekim i Zotit. E përmend këtë fakt se janë disa njerëz, humanë në universitetin “Ismail Qemali” Vlorë, që na i kanë krijuar këto mundësi”. Dhe kështu, pa u dukur, bëjmë gjëra të thjeshta, të mira e të dobishme, vërtet të vogla, por me dashuri të madhe, siç dëshironte dhe shenjt Tereza. Për çdo veprimtari, që zbukuron botën e qytetit, Biblioteka e Universitetit të Vlorës është një vatër e ngrohtë e shkrimtarëve dhe artistëve, e njerëzve të dijes dhe veprimit përparimtar.

Nuk mund të harroj stafin

Në stafin e bibliotekës, duke filluar që nga themelimi i Universitetit dhe deri në vitin 2024, që përkon me 30-vjetorin e Universitetit “Ismail Qemali” Vlorë kanë punuar apo punojnë: Ermira Sharra, Elisabeta Shehu, Lida Mezini, Albert Habazaj, Esmeralda Çelaj, Hatixhe Likaj, Gentjan Zejno, Elton Brakaj dhe Marieta Mërkuri.

Drejtues të Bibliotekës së Universitetit “Ismail Qemali”, Vlorë ndër vite kanë qenë: Ermira Sharra: 1994-2007 dhe Msc. Albert Habazaj: 2007 e në vijim. Mirënjohje, kolegë të dashur, ju që keni dalur në pension, apo që keni emigruar jashtë shtetit, si dhe ju që jeni në krahun tim në sektorin e Bibliotekës Shkencore “Nermin Vlora Falaschi” të Universitetit “Ismail Qemali”Vlorë, si njësi ndihmëse e tij për edukimin akademik, qytetar dhe kulturor të studentëve tanë të dashur, pa të cilët ne nuk mund të funksionojmë në këtë institucion të lartë arsimor!

Filed Under: Kronike

Lidhja II e Prizrenit

September 17, 2024 by s p

Instituti i Studimeve Historike “Lumo Skendo”/

16 shtator 1943 – U themelua Lidhja II e Prizrenit nga Kuvendi Kombëtar i Prizrenit, me delegatë nga Prizreni, Prishtina, Dragashi, Suhareka, Rahoveci, Gjakova, Peja, Plava, Gucia, Rozhaja, Novi Pazari, Senica, Gjilani, Mitrovica, Shkupi, Tetova, Gostivari, Dibra, Ohri dhe Ulqini. Kuvendin e drejtoi Komiteti Ekzekutiv, me kryetar Musa Shehu. Kuvendi vendosi formimin e Lidhjes së Dytë të Prizrenit, organizatë politike kombëtare, e cila do të angazhohej për bashkimin dhe mbrojtjen e trojeve etnike. Kuvendi zgjodhi Komitetin Qendror të Lidhjes, të përbërë nga 7 veta. Kryetar i Lidhjes u zgjodh Rexhep Mitrovica, më pas Bedri Pejani dhe Xhaferr Deva.

Filed Under: Kronike

E VRANË PA GJYQ SHKENCËTAREN SABIHA KASIMATI

September 16, 2024 by s p

Uran Butka/

Instituti i Studimeve Historike “Lumo Skendo”

Sabiha Kasimati, një nga gratë e shquara intelektuale, shkencëtarja e parë shqiptare, u pushkatua nga regjimi komunist vetëm pse ishte e tillë. Ajo vjen jo rastësisht nga një familje e njohur intelektuale libohovite. Sabiha Kasimati lindi në Edërne (Adrianopojë) të Turqisë më 15.09.1912. Atje kaloi fëmijërinë, e ushqyer nga prindërit me dashuri për Shqipërinë, por edhe për kulturën evropiane. Kur u kthye familja në atdhe, ajo u vendos në qytetin e Korçës, ku filloi studimet në Liceun Francez të këtij qyteti. Ajo qe e para femër që e mbaroi këtë shkollë perëndimore, në vitin 1930. Qysh nxënëse, ajo zotëronte disa gjuhë të Perëndimit dhe të Lindjes, në mënyrë të shkëlqyer frëngjishten, aq sa habiste edhe profesorët francezë të Liceut.

Vajzat korçare, por edhe qytetarët e Korçës e kujtojnë edhe sot Sabihanë si dallëndyshen e parë të Liceut, si çupën e emancipuar, të kulturuar dhe me temperament burrëror, që mbeti si një shëmbëlltyrë e pashlyer për vajzërinë dhe djelmërinë shqiptare.

Mbas mbarimit të Liceut të Korçës, ajo punoi disa kohë në si mësuese në shkollën normale femërore të Korçës, duke dhënë lëndët e Edukatës morale dhe të gjuhës frënge. Më vonë u transferua si pedagoge në shkollën shqiptaro-amerikane në Kavajë, ku jepte biologji.

Në vitin 1936 mundi të plotësonte dëshirën e zjarrtë për studime të larta. Shteti shqiptar i akordoi bursë studimi në Universitetin e Torinos, në Fakultetin e Shkencave Biologjike, të cilin e përfundoi me sukses me notat 30’/30’, me lavdërim ( trenta su trenta con lode). Në verën e vitit 1941 mbrojti edhe doktoraturën dhe u kthye në atdhe.

Në Shqipëri punoi me entusiazmin e një vajze të re e të kulturuar, por edhe me vullnetin e një shkencëtareje të re që kërkonte t’i shërbente vendit të saj në nevojë. U emërua pedagoge në Institutin Femëror “ Nëna Mbretneshë” në Tiranë. Mbas disa vjetësh pune me pasion, u detyrua të shkonte në Itali për kurë shëndetsore në një sanatorium të Torinos. Pas shërimit, aty nga viti 1945, u rikthye.

Nisi punën në Institutin e Shkencave, siç quhej atëherë bërthama e parë shkencore, që drejtohej nga prof. Selaudin Toto, i cili më pas u pushkatua nga regjimi komunist.

Sabihaja punoi me zell dhe përkushtim në specialitetin e ihtiologjisë ( disiplinë shkencore që studion peshqit). Për rezultatet e saj për studimin e peshqve në ujrat e vendit tonë si edhe për vlerën ushqimore dhe ekonomike të tyre, ajo punoi 10 vjet me radhë dhe përfundoi monografinë ”Peshqit e Shqipërisë”.

Sabihaja ishte një intelektuale e kompletuar, që kishte studiuar në Perëndim, një filozofe dhe biologe që e njihte mirë thelbin dhe shfaqjen e panatyrshme e çnjerëzore të sistemit totalitar komunist, i cili po vendosej në Shqipëri. Ajo u dëshpërua thellësisht nga goditjet e rënda që po u jepeshin intelektualëve të vendit, veçanërisht atyre që kishin studiuar në Perëndim, mjaft nga të cilët ishin kolegët e saj. Gjyqet ushtarake dënonin me pushkatime dhe burgime të rënda elitën shqiptare. Ajo u trondit veçanërisht nga pushkatimi i drejtorit të saj, shkencëtarit Selaudin Toto si edhe i intelektualëve opozitarë Gjergj Kokoshi, Suad Asllani, Sulo Klosi, Shefqet Beja, prof. Stanislav Zuberit etj, veçanërisht nga dënimi i shkrimtares së parë shqiptare, Musine Kokalari. Kështu Sabihaja filloi të shprehte pakënaqësinë për regjimin dhe për Enver Hoxhën, shokun e saj të klasës në Liceun e Korçës.

Këto pakënaqësi të saj, si edhe prejardhja nga një familje e madhe, tërësisht intelektuale dhe demokratike, bënë që emri i Sabihasë të futej në listat e zeza të Sigurimit të Shtetit si “kundërshtare e regjimit”.

Dr. Namik Kasimati, rrëfen: “Duke qenë se Sabihaja kishte mbaruar Liceun Francez bashkë me Enver Hoxhën dhe e njihte mirë, i kërkoi një takim.

Sabihaja: Kam ardhur të të them se ti po vret gjithë intelektualët. Dua të të pyes se me cilët ke ndërmend ta ndërtosh Shqipërinë, me teneqexhinjtë apo me këpucarët?

Enveri: Boll lexove iluministët francezë, të këshilloj të lexosh Marksin dhe Leninin.

Sabihaja ishte e çiltër, e shkujdesur dhe nuk mendonte se i ishte qepur pas vdekja. Ajo kishte kurajon t’ia përplaste të vërtetën në sy Enver Hoxhës, por, nga ana tjetër, të takonte pa droje edhe shoqet, shokët e miqtë që ishin goditur pa të drejtë nga diktatura. Një herë ajo shkoi në kampin e internimit në Jubë, ku punonin si të burgosur shokët e saj Tika Tezha, Felatun Vila etj. Mirëpo Tika i tha: “Sabi, mos shkel më këtu, sepse je në rrezik.”.

Në fakt, terrori masiv komunist në vitin 1951 mori edhe kokën e Sabihasë.

Vendimi për të realizuar këtë masakër, u mor jo në sallën e gjyqit, por në Byronë Politike e PPSH, saktësisht në mbledhjen e datës 20.02.1951, me pretekstin e hedhjes të një sasie të vogël dinamiti në oborrin e Ambasadës Sovjetike, që theu vetëm disa xhama në mbrëmjen e datës 19.02.1951, ora 19.15. Urgjentisht u mblodh kupola e partisë-shtet dhe me propozim të ministrit të Brendshëm, Mehmet Shehut, u vendos të merreshin masa të jashtëzakonshme represive “pa marrë parasysh ligjet në fuqi”.(Të gjithë anëtarët e Byrosë, përfshirë edhe E. Hoxhën : Jemi dakord me këto masa. ( Proces verbali i mbledhjes së Byrosë Politike, 20 shkurt 1951)

Shfaqet lakuriq një pushtet kriminal terrorist, që nuk respektonte as kushtetutën dhe legjislacionin që kishte hartuar e miratuar vetë. Ministri i Brendshëm kërkoi nga Byroja Politike që arrestimet të bëheshin qysh atë natë. “Një masë të tillë e kemi marrë edhe kur u vra Bardhok Biba, dmth kemi pushkatuar edhe jashtë ligjeve në fuqi. Listat i kemi gati. Po të jeni dakord ju, veprojmë që sonte”. Ai kërkoi që të arrestoheshin menjëherë 100 ose 150 vetë, nga të cilët 10 ose 15 më të rëndësishmit, të pushkatoheshin pa gjyq.

Pra, ishte vetë Partia, vetë pushteti politik, me Enver Hoxhén në krye, që shkelnin ligjet dhe urdhëronin një krim shtetëror, një terrorizëm shtetëror, një genocid shtetëror me përmasa të mëdha, për motive politike e pushtetore. Në vendimin e Byrosë politike, përveç pushkatimeve e burgimeve pa gjyq, u vendos që të bëhej një operacion masiv spastrimi, të persekutoheshin e të internoheshin persona e familje “reaksionare” në tërë hapësirën shqiptare.

Shqipëria komuniste ishte në një kapërcyell kohësh, po kalonte nga dominanca jugosllave në atë sovjetike, ndaj duheshin kurbanë të tjerë për të mbajtur pushtetin si edhe kurbanë të rinj në themelet e miqësisë me BS dhe në vijën staliniste të PPSH. “Duhen vrarë njerëz të tjerë për të mbajtur pushtetin” -thoshte Mehmet Shehu.

Arrestimet që u bënë menjëherë sipas vendimit të Byrosë Politike më datën 20-23 shkurt 1951, ishin të paligjshme, sepse u kryen pa ndonjë urdhër-arresti té prokurorit dhe pa ndonjë vendim gjykate. (Vetëm më vonë u plotësuan urdhër-reshtimet dhe procesverbalet e “gjykimit”)

Arrestimet u bënë mbi listat e vdekjes, të parapërgatitura nga Sigurimi i Shtetit në Ministrinë e Brendshme.( Arkivi i Ministrisë së Brendshme)

Sabihaja u arrestua më 20.02.1951 me pretekstin e “bombës” nw Ambasadwn Sovjetike.

Ajo bënte pjesë në listën e Sektorit të Dytë të Drejtorisë së Sigurimit të Shtetit, të përpiluar nga kapiten Rasim Dedja. Përbri emrit të saj ishte vënë një kryq, që do të thoshte se ajo do të pushkatohej. Përpilues i listave të zeza, rrëfen: “Vlerësimi për personat që do të pushkatoheshin dhe që janë pushkatuar në fakt, është bërë direkt nga udhëheqja e Ministrisë, që në atë kohë ka qenë Mehmet Shehu me zëvendësministrin e tij – Kadri Hazbiu, që mbulonte Sigurimin e Shtetit”.

Enver Hoxha i miratoi të gjitha veprimet dhe emrat e viktimave, që ishin përzgjedhur, duke iu vwnw nga njw kryq pwrpwra. Por Enveri shtoi nga ana e tij emrat e Sabiha Kasimatit, Reiz Selfos, Manush Peshkëpisë, Qemal Kasoruhos, të cilët ishin nga treva e Gjirokastrës dhe ai i njihte personalisht, por që edhe ata ia dinin mirë horrllëqet E. Hoxhës. Për pushkatimin e saj dhe njëzet e dy intelektualëve të tjerë kishte vendosur Byroja Politike e KQ të PPSH, me vendimin e datës 20 shkurt 1951. Nuk ka shembull në gjithë vendet e Lindjes komuniste, që të vendoste për të vrarë njerëz Byroja Politike e Partisë, madje, pa gjyq dhe duke shkelur edhe ligjet e asaj kohe!

Të akuzuarit, nuk kishin asnjë lidhje apo bashkëpunim me njëri tjetrin; nuk ishin pjesëtarë të ndonjë organizate politike apo terroriste të cilësuar, asnjërit nuk i përmendet në akuzë pjesëmarrja në hedhjen e bombës në Ambasadën Sovjetike – për shkak të së cilës ata u arrestuan! Siç dihet botërisht, ata persona që hodhën dinamitin, si Qazim Laçi, Hysen Lulla etj, anëtarë të organizatës “Bashkimi Kombëtar”, u arrestuan po ato ditë, u mbajtën fshehtas në hetuesi për tetë muaj dhe u dënuan për hedhjen e dinamitit në Ambasadën Sovjetike me vdekje dhe burgime të rënda. Pra ishin të tjerë ata që e hodhën dinamitin si një akt antisovjetik, antistalinist.

Siri Çarçani dëshmon: “Për dijeninë time, Gjykata e Lartë Ushtarake nuk ka zhvilluar gjyq ndaj këtyre të pandehurve.” Po ashtu, drejtori i Sigurimit té Shtetit, Rasim Dedja, dëshmon: “Për pushkatimin e këtyre personave, nuk është bërë gjyq dhe këtë e them, sepse nga zyrat e Ministrisë së brendshme ata janë çuar direkt në vendin e pushkatimit” (Proces-verbal i mbajtur nga Prokuroria e Përgjithshme, v.1992)

Me qenë se ekzekutimi pa gjyq bëri bujë, brenda dhe jashtë Shqipërisë, atéhere Gjykata e Lartë Ushtarake në bashkëpunim me Sigurimin e Shtetit, pasi ishin pushkatuar 22 të arrestuarit, nisën procedurat përpilimit të procesverbaleve të rreme, fiktive, sikur gjyqi ishte zhvilluar. Ekzistojnë dy procesverbale gjyqësore të falsifikuara të Gjykatës së Lartë. Njëri mban datën 26.2.1951:

“Gjykata Ushtarake me kryetar nënkolonel Shuaip Panariti, anëtar kapiteni i parë Vangjel Kocani dhe kapiten i parë Nonda Papuli, e sekretar Hidaji Bejo e ka filluar shqyrtimin e çështjes më 26.02.1951 dhe është shprehur për dënimin e të gjithë të akuzuarve me vdekje – me pushkatim, duke u bazuar në ligjin 372 datë 12.2.1946. Ky vendim gjykate është i formës së prerë dhe i ekzekutueshëm menjëherë.” Në fund ka firmosur kryetari i gjykatës së Lartë Ushtarake Shuaip Panariti dhe anëtari Vangjel Kocani; nuk është firmosur nga anëtari tjetër Nonda Papuli dhe sekretari Hidaji Bejo. ( Procesverbali i datës 26.02.1941)

Anëtari i trupit gjykues të Gjykatës së Lartë Ushtarake dhe nënkryetar i saj, Vangjel Kocani, dëshmon:

“E kujtoj mirë se në vitin 1951 ka ndodhur një ngjarje në Tiranë dhe konkretisht u fol se ishte hedhur një bombë në Ambasadën Sovjetike…Pas ca ditësh të kësaj ngjarjeje, apo me kalimin e një jave, unë jam thirrur nga kryetari i Gjykatës së Lartë Ushtarake, Shuaip Panariti dhe më tha se ti e di që është hedhur një bombë në Ambasadën Sovjetike, sigurimi ka arrestuar dhe një pjesë nga të arrestuarit, 22 veta janë pushkatuar pa u bërë gjyq, prandaj duhet që të firmosim një vendim gjyqësor penal formal , pasi gjyq nuk mund të bëjmë, se Sigurimi i ka pushkatuar pa gjyq personat… Shuaipi më tha se vendimi i gjykatës është formal, nuk ka asnjë pasojë dhe duhet ta bëjmë këtë pasi është urdhër i udhëheqjes së shtetit dhe në atë kohë kryeministër ishte Enver Hoxha. Shuaipi më tha: “Ti, Vangjel mos u shqetëso, derisa vendimi është formal dhe ne në fakt nuk gjykojmë njeri”. Më porositi që për këtë vendim penal fiktiv, “duhet të mbyllësh gojën e të mos i thuhet asnjë njeriu se është sekret i madh shtetëror”. Pas kësaj kemi shkuar me Shuaipin në zyrat e Ministrisë së Brendshme. Shuaipi më paraqiti vendimin gjyqësor të daktilografuar dhe unë e kam firmosur. Kur ma dha vendimin për ta firmosur , Shuaipi nuk më ka treguar ndonjë dosje hetimore , nuk kam parë asnjë lloj materiali hetimor”.( Procesverbal i mbajtur në Prokurorinë e Përgjithshsme, v.1992)

Sekretari i Gjykatës së Lartë, Hydai Bejo, dëshmon: “Nuk e firmosa kur ma sollën vendimin, sepse nuk mora vesh, u bë apo nuk u bë gjyq. S’mund të hidhja firmë, pa qenë në gjykim Po ashtu, refuzoi të firmoste edhe Nonda Papuli, S’kishim si të bënim ndryshe.” (Dëshmi e Hydai Bejos, sipas proc.verbalit)

Por nuk mungojnë vetëm firmat e anëtarëve të trupit gjykues, mungojnë edhe të dhënat e tjera që shënohen zakonisht në procesverbalet, gjithashtu datat janë ngatërruar, pra, gjithçka është kundërthënëse, hartuar në nxitim e sipër. Njëri procesverbal i falsifikuar mban datën 27.2.51, kur të akuzuarit nuk ekzistonin më, ata ishin vrarë në mesnatën e datës 26.2.1951 dhe ishin varrosur. Madje, njëri prej tyre, Jonuz Kaceli ishte vrarë nga torturat në birucat e Sigurimit të Shtetit dhe e kishin hedhur nga dritarja, duke thënë se kishte bërë vetëvrasje!

Të gjitha këto manovrime e shkelje juridike, nuk e mbuluan dhe nuk e fshehën dot masakrën e kryer pa gjyq dhe pa asnjë fajësi të provuar.

Sabihaja nuk e pranoi akuzën për akte terroriste, për pjesëmarrje në organizata terroriste, për vënie në shërbim të agjenturave të huaja, por pranoi me burrëri se, si intelektuale, ishte kundër pushtetit totalitar dhe ideologjisë së tij komuniste:

“ Kam qenë kundër pushtetit popullor, sepse nuk pajtohet me ideologjinë time. Unë nuk kam qenë kurrë e mendimit se me akte revolucionare të arrihej në socializëm. Jam lidhur me një grup shokësh, të cilët edhe ata kanë qenë armiq të Partisë Komuniste…”

Sabihaja ishte një demokrate e vërtetë evropiane.

Zonja Didi Biçaku, nga familja e Aqif pashë Elbasanit, e cila u arrestua në një kohë me Sabihanë dhe qëndroi në një birucë me të në burg, ka dëshmuar: “Më kujtohet çasti kur Sabihaja u kthye nga hetuesia. Ishte e qetë. Hë? – e pyeta shkurt. – Më akuzuan si terroriste, m’u përgjigj ajo. U thashë: Unë kam studiuar për biologji dhe jam evolucioniste. Evolucioni është në natyrën e gjërave. Me dhunë nuk shkohet dot as në socializëm, as në demokraci ; shkohet drejt shkatërrimit.»

E vranë pa gjyq intelektualen, pedagogen, shkencëtaren, demokraten e shquar, martiren Sabiha Kasimati! Në mesnatën e datës 26 shkurt 1951, të lidhur me tela me gjemba, bashkë me 21 burra nga e gjithë Shqipëria, i pushkatuan dhe i hodhën në një gropë të përbashkët, pranë Urës së Beshirit. Fshatarët kanë dëgjuar britmat e saj, deri sa dha shpirt. Eshtrat e saj sot prehen në varrezat e dëshmorëve të kombit, në një varr të përbashkët me 22 martirët e pushkatuar atë natë të përgjakshme.

Xha Kadriu nga Mëniku, që zbuloi varrin, rëfen: “Më vonë , kur ai vend, ku u pushkatuan, filloi të shpyllëzohej, një traktoristi që po punonte aty, i ra të fikët tek pa që traktori tërhiqte zvarrë një kufomë gruaje, të cilën e mbuluan përsëri. Ishte trupi i patretur ende i Sabiha Kasimatit!”

Filed Under: Kronike

“5 përgjigje ndaj turfullimeve të z. Vućič për të shpallur luftë”?!

September 14, 2024 by s p

Gjeneral ® Piro Ahmetaj/

Sigurisht e ndjek me interes strategjik, disi edhe me keqëardhje riciklimin e oshilacioneve si dhe trimërimin mbas lufte të z. Vuçič, Presidentit të Serbisë (ish-Ministrit të Milosheviçit) si dhe ushtarit të axhendës së Rusisë – Putiniste, se: “do të shpallte luftë për kthimin e gjendjes së mëparshme (para 1999) gjeopolitike në Kosove dhe Metohi … ” !!

Ndërsa këto trufullime, gjithësesi, kanë gjetur një interes të shtuar jo vetëm mbarëkombëtar, por edhe në Washington, Bruksel, etj në “kapacitetin e Ekspertit të Sigurisë Kombëtare, Rajonit dhe NATO”, do perpiqem, të përcjell publikisht disa gjetje dhe përgjigje/mesazhe strategjike, jo vetëm ndaj Beogradit të pushtuar nga oshillacionet e Millosheviçit:

Së pari, të zgjohet dhe të harrojë endrrat neo-staliniste në Rajon dhe posacërisht për Kosovën martire, pasi përtej të gjithave: “prej datës së çlirimit nga pushtuesit Serb (12 Qershor 1999) Republika e Kosovës, sigurisht që nuk është por dhe nuk ka për tu kthyer më kurrë si pjesë e jurdiksionit territorial dhe hartës gjeopolitike të Serbisë”. Pikë.

Së dyti, të lëri përrallat me/pa mbret që nuk i beson as më as Moska, as Dodik, dhe sigurisht as ushtria e radikaleve në Beograd. E vërteta, pra kufijtë dhe harta gjeopolitike e patjetërsueshme janë rrenjosur dhe skalitur me gjakun e dëshmorëve të kombit në shekuj si dhe nga fuqia ushtarake e Aleancës Euroatlantike në 1999. Kështu “përsa kohë të ketë edhe Shqiptarë si dhe prezencë të USA/NATO-s në Kosovë, Serbia ka ZERO shance për të “shpallur luftë”, por dhe ka ZERO fuqi/këllqe për të sulmuar ushtarakisht sovranitetin si dhe tërsinë teritoriele të Kosovës”.

Thënë këtë, përsëris thirrjen miqësore për aktorët mëndjehapur në Beograd: “të mos lejojnë që qeveria e Vućič, etj mbas Tij, të shpenzojnë kot stër koti mbi 1.5 miliard € në vit nga mundi i popullit serb (për armatatosjen nga me Tanke; Mig-29, Rafale, Helikopter, raketa dhe dronë vrases) pasi e vërteta është se asnjë nga vendet ndërkufitare (përfshi Kosovën) apo Aleancë nuk e rrezikon sovranitetin e Serbisë”.

Së treti, riciklimi manktheve të Millosheviçit (Eprorit) apo trimërimi Juaj (z.Vucic) 25 vjet mbas humbjes së luftës gjakatare, mund të ushqejë militantët si dhe axhendën e radikalëve në Beograd; interesat e krimit të organizuar, apo “laraskat dhe sorrat rreth liqenit Ujmanit …”, por kurrësësi nuk munden të trembin kombin Shqiptar si dhe as fuqinë e sprovuar ( që gjunjëzoi makinerine kriminale tç Millosheviçit në 1999) të Aleancës Euroatlantike (USA/NATO/UK/BE) !

Së katërti, pa mëdyshje, që edhe 25 vitet pas çlirimit të Kosovës apo 31 muajt e luftës neo-naziste të Putinit në Ukrainë: “oshilacionet e Beogradit Zyrtar, i gjej të sikronizuara me interesat gjeopolitike të Rusisë në Ballkan”. Por Kremlini ka dështuar për të hapur një front të ri lufte si dhe për të mbajtur ndezur frymën antiperëndimore/USA në rajon. Po ashtu z. Vuçiç, ka (keq) dështuar për të bërë viktimën apo për të pirë nga 5 nëna (Moskë, Washington, Bruksel, Pekin, Paris)!

Së pesti, përtej dhe përfshi këtë rast (kërcenimin për shpallje lufte ndaj Kosovës dhe NATO-s..!!) përsëris se megjithë përpjekjet dhe progresin 25 vjeçar për tu larguar nga urrejtja dhe gjakëderdhja shekullore, fatëkeqësisht paqja, siguria, stabiliteti demokratik dhe ardhmëria euroatlantike për 6 vendet e ballanit perëndimor, mbetet ende të kërcënuara kryesisht nga Serbia.

Në shtesë, gjeni edhe “tre rekomandime strategjike” për faktorët shtetërorë si dhe ekspertet/kolegët mendjehapur në Prishtinë, Tiranë, USA/NATO, etj:

1. Përkundër “dogmave internacionaliste dhe kakofonisë sovraniste”, Prishtina Zyrtare kurrësesi nuk do duhej/t të marrë (pa u konsultuar) vendimmarrje me impakte strategjike, që minojnë themelet e besimit me “çlirimitarët e vërtetë/USA/NATO, që prej 25 vitesh vijojnë të mbajnë peshë kritike për sigurinë dhe ardhmërinë e Kosovës”. Për më tepër: “riciklimin e dalldisjes/kërcënimeve ushtarake të Serbisë ndaj Kosovës”, të mos i konsiderojnë si oportunitete populiste, por si “përgjegjësi e lartë shtetërore për të ndërtuar Kosovën moderne”, përtej prezencës së NATO-s (që nuk do të jetë e përjetshme); vendin ku, qytetarët pavarësisht përkatësive etnike, fetare dhe politike të ndihen të barabartë para ligjit, si dhe faktorizimin me dinjitet të Kosovës nga konsumatore në kontribuese për sigurinë si dhe integrimin e rajonit në NATO dhe BE!

2. Tirana dhe Prishtina zyrtare, e kanë përgjegjësi të lartë shtetërore dhe historike njëherësh, të zhvillojnë projektin: “2-Shtete Sovrane, 1-Komb i vetëm”, duke mos u fshehur prapagandës egocentrike që vjen nga fuqia e mbipushtetit dhe mbas “gishtit të përkujdesjes diplomatike”, por duke harmonizuar dhe garantuar SHBA/NATO/BE se kjo “qasje e vonuar” do të kontribuojë për paqen afatgjatë në rajon, sigurisht përfshi edhe Serbinë.

3. Aktorëve me peshë strategjike si dhe Ekspertëve/kolegëve në rajon, Washington, Bruksel, etj do t’i ri-sugjeroja që perspektivën e paqes dhe stabilitetin e Rajonit, ta para-kushtëzojnë me rikthimin e vetëm dy Masave të Mirëbesimit Reciprok (CSBM), nëpërmjet të cilave Beogradi “të imponohet” se: (a) do të ruajë balancat e fuqisë ushtarake duke mos kërcënuar integritetin teritorial të Kosovës; (b) nuk do të vendos instalime dhe as aktivitete ushtarake (25 km distancë ajrore dhe 10 km tokësorë), në kufijtë shtetërore mes vendeve. Këto dy kushte gjithësesi duhen të monitorohen nga USA/NATO/BE, që mbeten faktor kritik për paqen në rajon.

Ndërsa, përkundër riciklimit të urrejtjes dhe gjakëderdhjes shekullore, besoj edhe më fortë se këto trufullime staliniste për luftë mbeten një këmbanë alarmi, për të mbajtur zgjuar kujtesën e popujve të ballkanit se: “paqja mbetet misioni i vetëm, në interes të bashkëjetesës paqesore, sigurisë, mirëqënies së qytetarëve si dhe ardhmërisë euroatlatike të Shqiperisë, Kosovës, MV, Malit të Zi, Bonje-Hercegovinës dhe Serbisë”!

Autori: Gjeneral ® Piro Ahmetaj:

Ekspert për SK, Rajonin dhe NATO-n,

Zv/President i Këshillit të Atlantikut; & ish:

Këshilltar për Sigurinë Kombëtare në PD,

Këshilltar i Presidentit të RSh; Zv/ShShPFA,

Përfaqësues Ushtarak në SHAPE/NATO.

Filed Under: Kronike

Kosova me Amerikën, kujton 11 Shtatorin 2001…

September 11, 2024 by s p

-Para 23 viteve – 11 Shtator 2001: Populli i Kosovës manifestime solidariteti me popullin amerikan dhe duke dënuar sulmet terroriste kundër SHBA-ve: Amerikë, ne jemi me ty…/

-Presidenti historik i Kosovës, Ibrahim Rugova, Presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Xhorxh Bush, i dërgonte telegram: Me rastin e sulmit mbi Qendrën Tregtare në Nju Jork dhe mbi Pentagonin, drejtuar kundër civilëve dhe fuqisë Tuaj, pranoni simpatinë time dhe të popullit të Kosovës, i cili këtë tragjedi po e jeton me dhembje dhe në zi/

– Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, së bashku me Zëvendëskryeministren dhe Ministren e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla-Schwarz dhe Zëvendës-shefen e Misionit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Republikën e Kosovës, Anu Pratipati, bënë sot homazhe dhe vendosën lule të freskëta pranë pllakës përkujtimore “Kosova Kujton”/

Gazeta DIELLI nga korrespondenti në Kosovë Behlul Jashari

PRISHTINË, 11 Shtator 2024/ Kosova solidarizohej fuqishëm me Amerikën e goditur nga sulmet terroriste të para 23 viteve – 11 Shtatorit 2001. Atëherë media raportonte se, e gjithë Prishtina ishte në Sheshin Nëna Terezë në shenjë solidariteti me Popullin Amerikan dhe duke dënuar sulmet terroriste kundër Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Amerikë, ne jemi me ty – ishte motoja kryesore e pankartave. Shumë nga qytetarët, që kishin dalë në sheshe e rrugë për të përkrahur Popullin Amerikan dhe për të protestuar kundër terrorizmit që i goditi SHBA-të, ishin mbështjellë me Flamurin Amerikan.

Manifestime solidariteti dhe protesta kundër terrorizmit u mbajtën edhe në qytetet tjera të Kosovës si në Ferizaj, Prizren, Mitrovicë, Pejë, Gjakovë, Gjilan etj. Pjesëmarrja e popullatës edhe në këto qytete ishte e madhe. Presidenti historik i Kosovës, Ibrahim Rugova, i cili ndodhej për një vizitë në Kanada, me rastin e sulmeve kundër SHBA-ve, Presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Xhorxh Bush, i dërgonte këtë telegram:

I nderuari President,

Me rastin e sulmit mbi Qendrën Tregtare në Nju Jork dhe mbi Pentagonin, drejtuar kundër civilëve dhe fuqisë Tuaj, pranoni simpatinë time dhe të Popullit të Kosovës, i cili këtë tragjedi po e jeton me dhembje dhe në zi. E dënojmë këtë sulm dhe jemi të bindur se të gjithë ata që bëjnë akte terrori dhe horrori kundër civilëve dhe fuqisë Tuaj dhe kundër njerëzimit, duhet të ndalen.

Në këto momente të rënda, jemi së bashku me Ju dhe me Popullin Amerikan, që së bashku me aleatët Tuaj ia sollët lirinë Kosovës.

Jemi të bindur se Ju do të mendoni një strategji të re të mbrojtjes për SHBA-të dhe për miqtë Tuaj e për botën e lirë demokratike.

Juaji sinqerisht,

Dr.Ibrahim Rugova

GAZETA RILINDJA ME KRYETITULLIN NË BALLINË “SULM TERRORIST NË SHBA” NË TË GJITHA FAQET E SAJ – E TËRA I KUSHTOHEJ NGJARJES TRONDITËSE DHE ZHVILLIMEVE E REAGIMEVE PAS SAJ

Në 11 Shtator 2002 Televizioni i Kosovës dhe televizionet e tjera nacionale e lokale janë kyçur drejtpërdrejt në rrjetin amerikan CNN me përkthim simultan për të përcjellë raportimet për sulmet terroriste në Amerikë.

Poashtu gazetat e përditshme të Kosovës shkruanin gjerësisht.

Gazeta tradicionale e Kosovës “Rilindja” me kryetitullin në ballinë “Sulm terrorist në SHBA” dhe me dënim të fuqishëm të sulmit e me shumë mesazhe solidarizimi me Shtetin e Popullin Amerikan botonte shkrime e fotografi në të gjitha faqet e saj – e tëra i kushtohej ngjarjes tronditëse dhe zhvillimeve e reagimeve pas saj.

Gazeta “Bota Sot” në gjerësinë e tërë faqes së parë kishte titullin “Seri aktesh terroriste kundër Shteteve të Bashkuara të Amerikës, supozohet për mijëra të vrarë”.

Gazeta “Koha Ditore” në faqen e parë shkruante në kryetitull “Në Nju Jork sulmohet civilizimi botëror”.

Gazeta “Zëri” në ballinë kishte titullin kryesor “Sulm terrorist kundër Amerikës”.

Gazeta “Kosova Sot” kryetitull kishte “Terrroristët sulmojnë Amerikën”.

Të gjitha gazetatat e Kosovës botonin shumë shkrime e fotografi në ballina e faqe të brendshme.

Kryeministri Kurti bën homazhe në përkujtim e nderim të viktimave të 11 Shtatorit 2001

Prishtinë, 11 shtator 2024

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, së bashku me Zëvendëskryeministren dhe Ministren e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla-Schwarz dhe Zëvendës-shefen e Misionit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Republikën e Kosovës, Anu Pratipati, bënë sot homazhe dhe vendosën lule të freskëta pranë pllakës përkujtimore “Kosova Kujton”, në oborrin e ndërtesës së Qeverisë, për të përkujtuar dhe nderuar viktimat e sulmit terrorist të 11 Shtatorit, që ndodhën në vitin 2001 në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Në përkujtim të viktimave të atij sulmi mizor e terrorist kundër Shteteve të Bashkuara të Amerikës, kryeministri Kurti u shpreh se sot kujtimi ynë shkon për viktimat, si dhe solidariteti ynë me familjet që i kanë humbur më të dashurit e tyre.

Kryeministri më tej kujtoi se në mesin e atyre që u vranë para 23 vjetësh ishin edhe tre bashkatdhetarë shqiptarë të familjeve Camaj, Dedvukaj dhe Gjonbalaj.

Ai shtoi se terrorizmi duhet luftuar nga të gjithë dhe duhet bashkëpunimi i secilit shtet, secilës qeveri, secilit aktor e faktor, secilit politikan, secilit qytetar liridashës, i cili dëshiron paqe, demokraci, të drejtat e njeriut, pluralizëm politik dhe mirëqenie, që nuk diskriminon asnjeri.

“Republika e Kosovës qëndron pranë Shteteve të Bashkuara të Amerikës, në këtë ditë përkujtimi dhe theksojmë partneritetin, aleancën dhe miqësinë tonë të fuqishme në çdo aspekt e në veçanti, në luftë kundër terrorizmit,” përfundoi kryeministri.

Prononcimi i plotë i kryeministrit Kurti:

Jemi këtu bashkë me zëvendëskryeministren, me ministra e zëvendësministra, dhe me zëvendës ambasadoren amerikane për të nderuar viktimat e 11 Shtatorit 2001, viktimat e atij sulmi mizor e terrorist kundër Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Kujtimi ynë shkon për viktimat, solidariteti ynë me familjet që i kanë humbur më të dashurit e tyre, dhe gjithashtu bashkëpunimi ynë me qeveritë demokratike anembanë botës të prira nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, në luftë kundër terrorizmit.

Para 23 viteve, 2977-të qytetarë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, në Kullat Binjake, në Pentagon, në katër avionët dhe 403 zjarrfikës e policë, duke provuar t’i shpëtojnë ata, humbën jetën, ranë heroikisht dhe shënuan një datë e cila sot paraqet edhe një epokë të re, që prej atëherë, sepse terrorizmi duhet luftuar nga të gjithë, dhe duhet bashkëpunimi i secilit shtet, secilës qeveri, secilit aktor e faktor, secilit politikan e do të thosha secilit qytetar liridashës i cili dëshiron paqe, demokraci, të drejtat e njeriut, pluralizëm politik dhe mirëqenie që nuk diskriminon asnjeri.

Në mesin e atyre që u vranë para 23 vjetësh ishin edhe tre bashkatdhetarë shqiptarë që gjithashtu i kujtojmë, të familjeve Camaj, Dedvukaj dhe Gjonbalaj.

Republika e Kosovës qëndron pranë Shteteve të Bashkuara të Amerikës, në këtë ditë përkujtimi dhe theksojmë partneritetin, aleancën, dhe miqësinë tonë të fuqishme në çdo aspekt e në veçanti, në luftë kundër terrorizmit.

Nderime dhe lavdi të gjitha viktimave dhe qëndresës e sakrificës së zjarrfikësve dhe policëve amerikanë!

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani ka kujtuar 11 shtatorin e vitit 2001, e që sipas Presidentes Osmani, kjo ditë ndryshoi përgjithmonë rrjedhën e historisë dhe la gjurmë të pashlyeshme në zemrat e familjeve të viktimave dhe gjithë botës demokratike.

Postimi i plotë i Presidentes Osmani:

11 shtatori- ditë dhimbjeje, kujtese dhe solidariteti të palëkundur

Sot shënohet 23-vjetori i sulmeve tragjike të 11 shtatorit 2001, ditë, e cila ndryshoi përgjithmonë rrjedhën e historisë dhe la gjurmë të pashlyeshme në zemrat e familjeve të viktimave dhe gjithë botës demokratike. Tmerri dhe humbja e pakuptimtë e afër 3000 jetëve na kujtojnë brishtësinë e paqes dhe dhimbjen e thellë, të cilën e ka shkaktuar ky akt terrorist. Imazhet, pikëllimi dhe ankthi mbeten të gdhendura në kujtesën tonë kolektive. Në këtë ditë ne gjejmë forcën në unitet, duke qëndruar përkrah popullit amerikan, si gjithmonë, në mbrojtje të paqes, drejtësisë dhe një të ardhmeje më të mirë!

Filed Under: Kronike

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 22
  • 23
  • 24
  • 25
  • 26
  • …
  • 595
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • DIAMANT HYSENAJ HAP FUSHATËN PËR KONGRESIN AMERIKAN – FJALA E MBAJTUR PARA KOMUNITETIT SHQIPTARO-AMERIKAN
  • Nga Besa në New York: Shoqata Besi organizoi një mbrëmje të veçantë për Festën e Flamurit
  • Në 90 vjetorin e lindjes së poetit Faslli Haliti
  • Dilemat e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare në Kosovë
  • Nga Shkodra në Bejrut…
  • Faik Konica, fryma e pavdekshme e një atdhetari dhe dijetari shqiptar
  • Abetaret e para të shkrimit të shqipes, fillesa të letërsisë shqipe për fëmijë
  • Valon Nikçi, një shqiptar pjesë e ekipit të Kongresistit George Latimer në sektorin e Task-Forcës për Punësimin dhe Ekonominë
  • Dega e Vatrës në Boston shpalli kryesinë
  • VATRA NDEROI KRYETARIN E KOMUNËS SË PRISHTINËS Z. PËRPARIM RAMA
  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT