Ministri Kosovar i Arsimit, anëtar në Akademinë Evropiane të Shkencave dhe Arteve
PRISHTINË, 5 Mars 2016/ Në Salzburg, Austri, është mabjtur sot ceremonia e inaugurimit të anëtarëve të rinj të Akademisë Evropiane të Shkencave dhe Arteve. Në këtë ceremoni u promovua edhe ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë në qeverinë e Kosovës, Prof.Dr. Arsim Bajrami, i cili është pranuar anëtar i rregullt aktiv i kësaj Akademie.
Njoftimi dërguar sot nga Ministria thekson se, anëtarësimi në Akademinë Evropiane të Shkencave dhe Arteve është nder dhe respekt për personalitetet që bëhen anëtarë të saj dhe për shtetin që përfaqësojnë, ngase shumica e laureateve të çmimit Nobel kanë qenë anëtarë të kësaj Akademie.
Ministri kosovar i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Prof. Dr. Arsim Bajrami, i cili është anëtari më i ri i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Republikës së Kosovës, është pritur zyrtarisht nga kryetari i Akademisë Evropiane të Shkencave dhe Arteve, Felix Unger dhe anetarë tjerë të kësaj Akademie, me të cilët ka biseduar për bashkëpunimin ndërmjet dy Akademive respektive./b.j/
Përkujtohet në Tiranë Adem Jashari
TIRANË, 5 Mars/ Bashkia e Tiranës dhe Ambasada e Kosovës kanë përkujtuar sot 18-vjetorin e Ditës së Rënies së heroit legjendar të luftës së Kosovës, Adem Jashari.
Për këtë qëllim u zhvilluan homazhe te Monumenti i heroit që gjendet në Rrugën e Durrësit, ku mori pjesë kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, ambasadori i Kosovës në vendin tonë, Ramiz Lladrovci, zëvendësministri i Mbrojtjes, Petro Koçi, anëtarë të Shoqatës së Familjeve të Dëshmorëve të Tiranës dhe Shoqatës së ish-Luftëtarëve Shqiptarë në formacionet e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Në emër të Bashkisë së Tiranës, kryetari Veliaj vendosi kurorën me lule në nder dhe kujtim të veprës së Adem Jasharit në përpjekje për çlirimin e Kosovës.
Duke iu përgjigjur interesit të mediave, ai vlerësoi lart figurën e heroit Adem Jashari, i cili me luftën e tij u kthye në një motivim për të gjithë ata që kërkonin pavarësinë e Kosovës, brenda dhe jashtë saj.
“Më vjen mirë që bashkë me ambasadën e Kosovës vazhdojmë një traditë të përkujtimit çdo vit të komandantit Adem Jashari, sepse për të ecur përpara duhet të kujtojmë si kemi mbërritur deri këtu. Një Kosovë e lirë, një Shqipëri e lirë, i’u dedikohet atyre që luftuan për liri. Betejat nuk kanë mbaruar, betejat për liri duhet të vazhdojnë çdo ditë, për të siguruar atë për të cilën shumë dhanë jetën”, tha Veliaj.
Kryebashkiaku shtoi se lufta dhe sakrifica e të gjithë heronjve që kanë dhënë jetën për kombin shqiptar, duhet të jetë një detyrim për të gjithë shqiptarët sot, që të punojmë për zhvillimin e shteteve shqiptare në të dy anët e kufirit.
“Sot, Kosova dhe Shqipëria kanë nevojë për sakrifica të përditshme, për të shtyrë përpara amanetin e atyre që dhanë gjënë më të çmuar, për të parë ditë të bardha dhe për një komb më të begatë në të dy anët e kufirit”, theksoi Veliaj.
Nga e ana tij, ambasadori kosovar në vendin tonë, Ramiz Lladrovci ka falënderuar Shqipërinë për vlerësimin që i bënë heronjve të luftës së Kosovës. “Bashkë me kryetarin dhe zëvendësministrin e Mbrojtjes jemi këtu për të respektuar kujtimin e veprës dhe jetës së komandantit legjendar Adem Jashari dhe familjes Jashari. Kështu që, unë i përgëzoj të gjithë qytetarët shqiptarë kudo ku janë, që këtë ditë ta kujtojmë për jetë e mot”, tha ambasadori Lladrovci.
Tirana ka një rrugë me emrin e Atjonit, në kujtim të djalit të Visar Zhitit
Tirane, 5 Mars 20115- Nga sot segmenti nga rruga “Faik Konica” deri pranë shkollës së mesme të Gjuhëve të Huaja “Asim Vokshi” në Tiranë do mbajë emrin “Rruga e Atjonit”, në kujtim të djalit të shkrimtarit të njohur, Visar Zhiti, i cili humbi jetën tragjikisht dy vite më parë, në moshën 19 vjeçare në një aksident rrugor.
Pllakati me emrin e Atjon Zhitit u zbulua nga kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj dhe familjarë e miq të Atjonit, gjatë një ceremonie të posaçme të organizuar gjatë ditës së sotme, ku merrnin pjesë edhe kryetari i Këshillit Bashkiak, Aldrin Dalipi, si dhe Administratori i Njësisë Nr. 2, Elez Gjoza.
Mustafa: USAID-i, rol shumë të rëndësishëm në zhvillimin e Kosovës
Prishtinë, 3 mars 2016 -Kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, priti të enjten në takim ndihmës administratorin e USAID-it për Evropë dhe Euroazi, Thomas Melia, i cili po qëndron për vizitë në Kosovë.Në takim ishte i pranishëm dhe ambasadori i SHBA-ve Greg Delawie dhe drejtori i Misionit të USAID-t në Kosovë, James Hope.Kryeministri Isa Mustafa theksoi progresin e arritur në Kosovë, me përkrahje të fuqishme të USAID-it në zhvillimin ekonomik, ndërtimin e institucioneve demokratike, sundimin e rendit dhe ligjit dhe fusha të tjera.Duke folur për prioritetet e mëtejme të Qeverisë së Kosovës, kryeministri Mustafa veçoi fokusimin në fuqizimin e sektorit të energjisë, hapjen e vendeve të punës për gratë dhe të rinjtë.Duke shprehur mirënjohje të thellë për përkrahjen e pazëvendësueshme të SHBA-ve dhe të USAID-t, kryeministri Mustafa shprehu përkushtimin e plotë për avancimin e mëtejmë të partneritetit dhe bashkëpunimit.Ndihmës administratori i USAID-it për Evropë dhe Euroazi, Thomas Melia, vlerësoi të arriturat në Kosovë, duke shprehur përkushtimin e USAID-it për vazhdimin e përkrahjes dhe avancimin e progresit.Ndihmës administratori Melia, po ashtu, tha se USAID-i do të mbetet i fokusuar për të ndihmuar Kosovën në zhvillimin ekonomik, duke qenë partneri më i mirë i Kosovës në këto procese.Gjatë takimit, është biseduar edhe për projektet konkrete të mbështetura nga USAID-i, të cilat po japin rezultate konkrete në zhvillimin e Kosovës si dhe përkrahjen e USAID-it për Kosovën në kuadër të MCC-së.
- « Previous Page
- 1
- …
- 289
- 290
- 291
- 292
- 293
- …
- 596
- Next Page »