• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Ka nisë protesta e opozitës në Prishtinë

February 17, 2016 by dgreca

*Kërkohet dorëheqja e Qeverisë së Kosovës/

Në Prishtinë ka nisur protesta e thirrur nga tri subjektet politike në opozitë, Lëvizja Vetëvendosje, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nisma për Kosovën.Disa mijëra qytetarë janë mbledhur në drejtim të Qeverisë së Kosovës, ku do të mbahet manifestimi qendror i opozitës, në kërkim të dorëheqjes së qeverisë dhe mbajtjes së zgjedhjeve të parakohshme.Protestuesit fillimisht janë tubuar te Biblioteka Kombëtare, prej nga më pas kanë vazhduar për në qendër të Prishtinës, ku qytetarë të shumtë po festojnë njëkohësisht edhe Ditën e Pavarësisë. Kosova sot shënon edhe tetëvjetorin e shpalljes së pavarësisë së saj.

Shumë qytetarë që po marrin pjesë në protestë janë transportuar nga qytete e mjedise të ndryshme të Kosovës.Ndërkohë, Policia e Kosovës duket e mobilizuar për të siguruar mbarëvajtjen e protestës.Forca të mëdha të Policisë së Kosovës tashmë janë vendosur para objekteve të institucioneve të larta, Qeverisë dhe Kuvendit të Kosovës.

Protestat e opozitës kanë nisur muaj më parë, për të kundërshtuar marrëveshjen ndërmjet Kosovës dhe Serbisë në Bruksel, më 25 gusht 2015, lidhur me krijimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, si dhe marrëveshjen me Malin e Zi për shënjimin e vijës kufitare.

***

Në Prishtinë ka nisur protesta e thirrur nga tri subjektet opozitare, Lëvizja Vetëvendosje, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nisma për Kosovën.

Liderët dhe përfaqësuesit e partive opozitare po i mbajnë fjalimet e tyre para protestuesve, duke bërë thirrje për dorëheqje të qeverisë së Kosovës.

Disa dhjetëra mijëra qytetarë i janë përgjigjur thirrjes për, siç është thënë, protestë masive, të organizuar nga tri partitë opozitare.

Marshi i protestuesve ka nisur nga hapësira në afërsi të Bibliotekës Kombëtare, për të vazhduar përgjatë sheshit ‘Nëna Terezë’, e deri te sheshi ‘Skënderbe’, në afërsi të objekteve të institucioneve të larta, Qeverisë dhe Kuvendit të Kosovës, ku edhe po mbahet manifestimi qendror i opozitës.

Shumë qytetarë që po marrin pjesë në protestë janë transportuar nga qytete e mjedise të ndryshme të Kosovës.

Liderët opozitarë kanë theksuar se numri i madh i qytetarëve të tubuar në protestë tregon se “Kosova më nuk do të durojë të udhëhiqet nga njerëz që e kanë shkelur Kushtetutën”, duke aluduar në kryeministrin e Kosovës, Isa Mustafën dhe zëvendëskryeministrin Hashim Thaçi.

Ata kanë theksuar se “protesta është e qytetarëve, ashtu siç është edhe shteti i Kosovës dhe ky është kuorumi i vërtetë”.

Ndërkohë, Policia e Kosovës, e cila që më parë pati paralajmëruar se ka bërë planin për të siguruar mbarëvajtjen e protestës, si dhe për të siguruar rendin publik, duket e mobilizuar për zbatimin e këtij plani.

Forca të mëdha të Policisë së Kosovës tashmë janë vendosur para objekteve të institucioneve të larta, Qeverisë dhe Kuvendit të Kosovës, si dhe në disa rrugë që ndërlidhen me sheshin Nëna Terezë.

Në ditën kur po shënohet përvjetori i tetë i pavarësisë së Kosovës, opozita po proteston me kërkesën për largimin e qeverisë së vendit, dhe që vendi të shkojë në zgjedhje të jashtëzakonshme.

Protestat e opozitës kanë nisur muaj më parë, për të kundërshtuar marrëveshjen ndërmjet Kosovës dhe Serbisë në Bruksel, më 25 gusht 2015, lidhur me krijimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, si dhe marrëveshjen me Malin e Zi për shënjimin e vijës kufitare.

(Se shpejti korrespondenti i Diellit ne Prishtine dergon materiale te zgjeruara)

Filed Under: Kronike Tagged With: ne Prishtine, Nisi protesta

Presidenti Obama uron Pavarësinë e Kosovës

February 17, 2016 by dgreca

Uashington, 17 shkurt 2016 – Sic njoftoi Presidenca e Kosovës,Atifete Jahjaga,me rastin e 8 vjetorit të Pavarësisë së Kosovës, ka marrë urime nga Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Barack Obama.

 Në urimin e presidentit Obama shkruhet:

E nderuara zonja Presidente,

Ju lutem pranoni urimet e mia personale dhe të popullit amerikan për përvjetorin e tetë të Kosovës si shtet i pavarur.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës mbështesin pa u lëkundur popullin e Kosovës për krijimin e një demokracie vibrante dhe shumetnike. E ardhmja e Kosovës sovrane është shtet partner i integruar plotësisht në skenën ndërkombëtare. Gjatë vitit të kaluar, Kosova ka bërë përparim të rëndësishëm drejt këtij qëllimi të përbashkët, në veçanti me nënshkrimin e Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit me Bashkimin Evropian.

Shtetet e Bashkuara përgëzojnë Kosovën për përparimin që po bën në arri tjen e marrëveshjeve në dialogun e lehtësuar nga BE-ja për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë. Kosova gjithashtu ka demonstruar përkushtim për sundim të ligjit duke i hapur rrugë themelimit të Gjykatës Speciale për të adresuar pretendimet për krime lufte.

Këto hapa po avancojnë sovranitetin e Kosovës dhe po e inkurajojnë një Ballkan më të sigurt dhe më të qëndrueshëm.

Në vitet e ardhshme na presin shtigje të reja të bashkëpunimit në marrëdhëniet tona bilaterale, përfshirë edhe përmes programit Kompakt në mes të Kosovës dhe Korporatës Sfidat e Mijëvjeçarit (MCC).

Shtetet e Bashkuara do të mbeten një partner i fuqishëm të atyre që duan në Kosovë një të ardhme paqësore, demokratike dhe prosperuese për vendin e tyre.

Filed Under: Komente, Kronike Tagged With: Barak Obama, Presidenti i SHBA, uron Jahjagen

FSK-ja parakaloi në tetë vjetorin e Pavarësisë së Kosovës

February 17, 2016 by dgreca

FSK-ja tetë vjetorin e shpalljes së Pavarësisë së Republikës së Kosovës e shënoi me homazhe në Memorialin e Komandantit Adem Jashari në Prekaz dhe me parakalimin e kuadrateve të FSK-së në Sheshin Nënë Tereza dhe Zahir Pajaziti në Prishtinë.

Homazhe në Prekaz

Ministri i FSK-së Haki Demolli së bashku me komandantin e FSK-së gjenerallejtënantë Rrahman Rama dhe stafin e lartë të Ministrisë dhe FSK-së, shënimin e tetë vjetorit të shpalljes së Pavarësisë së Kosovës e nisen me homazhe në Memorialin e komandantit legjendar Adem Jashari në Prekaz, të cilët në shenjë nderimi vendosën kurora me lule të freskëta dhe bënë homazhe.  Ndërsa manifestimi qendror u mbajt në sheshin Nëna Terezë dhe Zahir Pajaziti. Në manifestim morën pjesë presidentja e Republikës së Kosovës, znj. Atifete Jahjaga, kryeministri i Kosovës Isa Mustafa, zëvendës kryeministri Hashim Thaçi, ministri i FSK-së, zoti Haki Demolli, komandanti i FSK-së, gjenerallejtënant Rrahman Rama, ministra, zëvendëskryeministra, ambasadorët dhe atashetë e akredituar në Kosovë, deputet dhe qytetarë të shumtë të Kosovës. “Kjo është dita më e shënuar e historisë së Kosovës që përmbledh sakrificën, mençurinë e përkushtimin për ta jetësuar idealin e gjeneratave të tëra për një shtet” tha në fillim të fjalës së saj, presidentja e Kosovës Atifete Jahjaga, për të shtuar se: “Tetë vjet që prej shpalljes së pavarësisë ne përkujtojmë idealet që na bëjnë bashkë, përkushtimin për lirinë dhe për zhvillimin e vendit tonë, për demokracinë që ndërtohet çdo ditë dhe njëkohësisht edhe për paqen”. Presidentja Jahjada, përshëndeti edhe FSK-në për punën që po bënë në ndërtimin e një force të re. “Sot është festë për ju pjesëtarë të Forcës së Sigurisë së Kosovës, që keni përmbledhur me sukses prej shumë muajsh punën tuaj në ndërtimin e një force të re mbrojtëse e që po prisni, ashtu si edhe të gjithë qytetarët e tjerë, ta realizoni ëndrrën tuaj. Forca e Armatosur e Kosovës është e ardhmja e juaj, e ardhmja jonë e përbashkët, e ardhmja e shtetit të Kosovës”.  Në fund, presidentja e Kosovës vlerësoi se pavarësia e Kosovës është garantuese e pagës, stabilitetit dhe sigurisë në rajonin e Evropës Juglindore.
Ndërsa kryeministri i Kosovës Isa Mustafa, në fjalën e tij, në përvjetorin e shënimit të 8 vjetorit të Pavarësisë së Kosovës përmbledhi të arriturat e përgjithshme të Republikës së Kosovës. “Kjo ditë është kurorëzim i aspiratës për liri, pavarësi dhe demokraci, është ditë e përkujtimit të sakrificës së shumë gjeneratave që u flijuan për këtë ide dhe dëshmorëve e martirëve të vendit të bekuar. Këto 8 vjet, ne kemi demonstruar përkushtim për ta bërë Kosovën një vend të denjë për të jetuar. Kemi dëshmuar përgjegjësi ndaj qytetarëve dhe jemi përpjekur të njohim e zbatojmë obligimet tona ndaj fqinjëve dhe partnerëve tanë ndërkombëtarë.
Përmbyllja e shënimit të përvjetorit të Shpalljes së Pavarësisë së Kosovës u bë me parakalimin e kuadrateve të FSK-së dhe të njësive të Policisë së Kosovës.

 

Filed Under: Kronike Tagged With: e Pavaresise se Kosoves, FSK-ja parakaloi, në tetë vjetorin

JAHJAGA: GËZUAR PAVARËSINË E KOSOVËS, ËNDËRRA E SHQIPTARËVE GJATË NJË SHEKULLI

February 16, 2016 by dgreca

– Fjalimi i Presidentes Atifete Jahjaga në pritjen zyrtare me rastin e tetëvjetorit të pavarësisë së Republikës së Kosovës/
– Presidentja: Sonte jemi bashkuar për të shënuar tetëvjetorin e pavarësisë së Republikës së Kosovës, të vendit tonë të dashur, ditëlindjen e shtetit tonë të ri. Këtë ditë madhështore, të cilën breza të tërë për njëqind vjet e patëm ëndërr dhe që për një shekull e lartësuam si synim të përpjekjeve tona kolektive për të jetuar në paqe dhe liri./
Prishtine, 16 shkurt 2016/
I nderuar Kryeministër Mustafa,
Të nderuar përfaqësues të institucioneve të Kosovës,
I nderuar senator Korker,
I nderuar kongresist Terner,
Të nderuar ambasadorë dhe përfaqësues te misioneve ndërkombëtare në shtetin tonë,
Të nderuar familje të Dëshmorëve,
Qytetarë të dashur,
Zonja dhe zotërinj,
Sonte jemi bashkuar për të shënuar tetëvjetorin e pavarësisë së Republikës së Kosovës, të vendit tonë të dashur, ditëlindjen e shtetit tonë të ri. Këtë ditë madhështore, të cilën breza të tërë për njëqind vjet e patëm ëndërr dhe që për një shekull e lartësuam si synim të përpjekjeve tona kolektive për të jetuar në paqe dhe liri.
Shteti ynë lindi me shumë mundime. Për të u bë një sakrificë e hatashme njerëzore, vuajtje të thella me pasoja të rënda, të cilat shumë familje vazhdojnë t\’i jetojnë 16 vjet pas përfundimit të luftës, edhe në këtë natë përvjetori të pavarësisë.
Është pikërisht ky rrugëtim i jonë i përbashkët dhe përjetim i përveçëm për secilin prej nesh që e forcon themelin e Kosovës që e bëmë bashkërisht shtet. Na bën secilit t\’i gëzojmë privilegjet dhe përgjegjësitë e të qenurit kosovar – përfshirë përgjegjësinë historike për ta përmbyllur këtë cikël shtetndërtimi – njëkohësisht. E bën Kosovën idealin e vetëm, sepse Kosova është më e rëndësishme se secili prej nesh.
Sakrifica për të arritur deri këtu na bën të vetëdijshëm që Kosova nuk mund të përvetësohet. Ajo nuk është e asnjë lideri politik. U takon qytetarëve të saj, të cilët sot janë më të bashkuar se kurrë për t’i refuzuar përçarjet dhe ndasitë e kësaj klase politike, për të kërkuar llogaridhënie, për të këmbëngulur për rend dhe ligj, për t’i dhënë fund degradimit moral dhe korrupsionit, për t\’i rikthyer në busullë të angazhimit tonë vlerat dhe idealet që na ndihmuan ta shpallim Kosovën shtet dhe që pranë kësaj kauze rreshtuan aleatët tonë të mëdhenj, shtetet çerdhe të demokracisë. Ju faleminderit që jeni përkrah nesh Ambasador Delawie, Kosova nuk ka mik më të madh. Ambasadorë të nderuar, ju faleminderit për mbështetjen e pakursyer.
Këtë vit më shumë se çdo vit tjetër i kemi përjetuar dhimbjet e rritjes. Në kontekst të tillë, mospajtimet janë kuptueshme sikur që janë sfidat e një kushtetute të aprovuar, por të patestuar, e cila përkundër të gjithave duhet të vazhdojë t’i japë peshë e legjitimitet çdo vendimmarrjeje dhe veprimtarie tonë. Zgjidhjet tona duhet të jenë kushtetuese dhe institucionale, sepse vetëm kështu e forcojmë besimin që na duhet për ta rrumbullakuar këtë shtetformim. Është e pamohueshme që në këtë fazë të shtetndërtimit si shoqëri na duhet dialog i brendshëm për rrugën tonë përpara. Por, ky diskutim asnjëherë nuk guxon të sfidojë konsensusin bazik demokratik, të cilin e vendosëm në themelet e shtetësisë së Kosovës dhe mbi të cilin ndërtuam legjitimitetin tonë shtetëror e ndërkombëtar. Nuk guxon ta testojë miqësinë tonë me aleatët tanë apo ta vë në mëdyshje përcaktimin tonë për të ndërtuar shtet demokratik, të ngjallë frikë e të krijojë pasiguri për të ardhmen tonë. Kjo është ditë e shumëpritur, kjo është ditë e shenjtë që nuk shndërrohet në kontestim të dashurisë për atdheun.
Është e padiskutueshme që kemi shumë punë. Shumë punë për të kërkuar drejtësi për ata që nuk janë më. Punë për të përfshirë secilin qytetar, pa dallim etnie, në ndërtimin e shtëpisë tonë të përbashkët. Punë për t’i thënë jo korrupsionit që po monopolizon fuqinë në duart e një pakice që ia mohon të drejtën e barabartë për të konkurruar, punuar dhe për të krijuar mirëqenie qytetarit të Kosovës. Punë për të arsimuar gjeneratën e ardhshme. Për ta mbajtur atë të shëndoshë. Vendosmëri për t’i mbajtur përgjegjës të gjithë ata që nuk i kanë përfaqësuar interesat e qytetarëve denjësisht.
Padyshim, Dita e Pavarësisë duhet të jetë ditë reflektimi. Por, mbi të gjitha ajo është ditë feste, ditë gëzimi kur kthejmë kokën prapa dhe ndihemi krenarë për të arriturën tonë më të madhe këtë shekull, bërjen e Kosovës shtet. E ndajmë këtë ditë me më të dashurit tanë për të festuar dashurinë tonë më të madhe – dashurinë tonë për Kosovën, këtë ëndërr gjeneratash që ne kemi fatin dhe përgjegjësinë ta jetësojmë.
Kosova do të ecë përpara, ballëhapur e e patrembur. Qytetarët e saj do të vazhdojnë të jenë insistues për të ardhmen e tyre të pakthyeshme evropiane, të palëkundur në besimin që ditët e mira për Kosovën vetëm sa kanë filluar.
Qytetarë të Republikës së Kosovës, Urime 8 vjetori i pavarësisë. Të jemi krenarë me arritjet tona të përbashkëta dhe të mos ndalemi të aspirojmë më shumë.
Gëzuar Kosovë!

Filed Under: Kronike Tagged With: E PATËN ËNDËRR, JAHJAGA: GËZUAR, pavaresine e Kosoves, PËR NJË SHEKULL, QË BREZAT

Haradinaj: Pavarësia e Kosovës, e arritur për të gjithë shqiptarët

February 16, 2016 by dgreca

PRISHTINË, 16 Shkurt 2016/ Pavarësia e Kosovës është një e arritur për të gjithë shqiptarët kudo që janë, i ka edhe herojt, dëshmorët dhe martirët e vetë, tha sot lideri i AAK, Ramush Haradinaj.
Ai, thekson njoftimi i dërguar, në prag të 17 Shkurtit, ka bërë homazhe në disa prej pikave kulmore që lidhen me pavarësinë e Kosovës.
“Në prag të kësaj ditë, isha për të ndëruar disa prej figurave që punuan fort për pavarësinë e këtij vendi. Isha në nderim në Prekaz, te shtatorja e Zahir Pajazitit dhe te varri i Presidentit Rugova.
Nderim dhe lavdi për të gjithë ata”, u shpreh Haradinaj./b.j/

Filed Under: Kronike Tagged With: e arritur, Haradinaj: Pavarësia e Kosovës, për të gjithë shqiptarët

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 294
  • 295
  • 296
  • 297
  • 298
  • …
  • 596
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • SHBA dhe arkitektura e re e paqes globale: Diplomacia strategjike dhe ndërtimi i rendit të ri ndërkombëtar në epokën e demokracive të avancuara
  • Isa Boletini, Rënia si Akt Themelues i Ndërgjegjes Kombëtare dhe Alarm i Përhershëm i Historisë Shqiptare
  • Kongresi i Lushnjës dhe periudha përgatitore për Luftën e Vlorës 1920
  • GJON MILI DHE EKSPOZITA MЁ E MADHE FOTOGRAFIKE BOTЁRORE E TЁ GJITHA KOHRAVE
  • Rezoluta-6411,nga SHBA-ja, do të jetëson ndaljen e diskriminimit dhe  zgjidh drejt çështjen e Krahinës Shqiptare
  • IBRAHIM RUGOVA: BURRËSHTETASI QË E SFIDOI DHUNËN ME QYTETËRIM 
  • Mbi romanin “Brenga” të Dr. Pashko R. Camaj
  • Presheva Valley Discrimination Assessment Act Advances
  • Riza Lushta (22 JANAR 1916 – 6 shkurt 1997)
  • Krimet e grekëve ndaj shqiptarëve të pafajshëm në Luftën Italo-Greke (tetor 1940 – prill 1941)
  • Masakra e Reçakut në dritën e Aktakuzës së Tribunalit Penal Ndërkombëtar për ish-Jugosllavinë
  • FATI I URAVE PREJ GURI MBI LUMIN SHKUMBIN
  • Skënderbeu, Alfonsi V dhe Venediku: në dritën e Athanas Gegajt
  • Abaz Kupi si udhëheqës ushtarak i çështjeve kombëtare
  • “Lule e fshatit tim” – Poezi nga Liziana Kiçaj

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT