Kosovë-Peticioni mbi 90 mijë nënshkrime në 8 ditë
-Shtypi: Opozita pa alternativë/PRISHTINË, 27 Shtator 2015/ “Afër 100 mijë nënshkrime kundër ‘Zajednicës’ dhe demarkacionit me Malin e Zi”, janë mbledhur sipas njoftime të opozitës në Kosovë. “Dita e tetë 90,076 nënshkrime”, është numri deri në përfundimin e ditës së djeshme, i peticionit që vazhdon të nënshkruhet, organizuar nga opozita, e cila shprehet me fjalën serbe “Zajednica” që në shqip do thotë “Bashkësi” dhe nënkupton Bashkësinë e komunave me shumicë serbe në Kosovë, e cila është një nga katër marrëveshjet e 25 gushtit Prishtinë-Beograd, në Bruksel.
“Qeveria të tërheqë menjëherë nënshkrimin nga katër marrëveshjet me Serbinë të datës 25 gusht 2015 si dhe nga marrëveshja për demarkacionin me Malin e Zi”, kërkohet në peticion.
“Opozita e bashkuar” kosovare ka paralajmëruar protesta pas peticionit. Subjekti më i madh opozitar në Kosovë, LVV, ka bërë edhe “thirrje për vullnetarë, për mobilizim të përgjithshëm për ta mbrojtur Republikën”.
“Thërrasim për vullnetare e vullnetarë që janë të gatshëm të na ndihmojnë në organizimet tona të përditshme siç janë aksionet simbolike, tubimet me qytetarë, peticioni, organizimi i protestave, punë administrative, organizimi i takimeve të ndryshme, punët logjistike, ndihma në punën dhe kontaktin me media dhe qytetarë, etj.”, shprehet LVV.
Tre subjektet opozitare të Kosovës, LVV, AAK e Nisma, me gjithësej 31 deputetë në parlamentin 120 anëtarësh, kanë protestuar në Kuvend dhe kanë bllokuar e ndërprerë seancën e parë të sesionit vjeshtor, në dy ditë – të nisjes dhe të vazhdimit, ku ka pasur edhe gjuajtje me vezë drejt kryeministrit kosovar.
Ndërsa, “Opozita pa alternativë”, është kryetitull i shtypit të sotëm në Kosovë.
Gazeta Koha Ditore shkruan se, në vend të argumenteve, janë thyer vezët këtë javë në Kuvend. Ato u hodhën nga deputetët opozitarë në drejtim të kryeministrit Isa Mustafa që në nisje të raportimit të tij për katër marrëveshjet e fundit me Serbinë.
Opozitarët i ikën ballafaqimit të argumenteve në këtë seancë plenare, e cila u shty për një ditë tjetër, shkaku që, pas aksionit kundër Mustafës, ata penguan fizikisht edhe zhvillimin e punimeve të mëtejme. Një seancë e ndërprenë edhe javën e shkuar.
Dhe, këtyre veprimeve dhe arsenalit të vezëve i kanë paraprirë edhe aksione të tjera, sikur gjuajtja në dy raste të ndara në drejtim të eskortës së kryeministrit, tentativa për të zhvilluar edhe aksione proteste në shtëpinë e tij në fshatin Prapashticë të Prishtinës, e edhe shfryrja e gomave të dhjetëra veturave qeveritare.
Veprimet janë dënuar nga institucionet shtetërore, ndërsa kanë marrë notë negative edhe nga shumë diplomatë të akredituar në Prishtinë.
Radikalizmi i opozitës shihet si pafuqi e saj për të konkurruar me ide në skenën politike, e njëkohësisht mungesë e alternativave kundrejt politikave qeveritare.
Vëzhgues të zhvillimeve politike thonë se do t’i kushtojë kjo më së shumti vetë opozitës. Po kështu, edhe se viktimizimi i kryeministrit mund ta mobilizojë rreth tij një pjesë të heshtur të elektoratit. Një alarm që japin, është edhe ai se armiqësia mund të bartet edhe në publik”, thuhet, mes tjerash, në shkrimin e gazetës./b.j/
Papa Françesku në Filadelfia
Papa Françesku shkoi te shtunen me 26 Shtator në Filadelfia ku do të mbyllë vizitën e tij në Shtetet e Bashkuara. Pas fjalimeve në Kongres dhe në Kombet e Bashkuara këtë javë që synuan nxitjen e udhëheqësve botërorë për veprime të guximshme mbi imigracionin dhe mjedisin, Papa pritet të përqëndrohet më shumë tek katolikët e zakonshëm gjatë dy ditëve të tij në Filadelfia. Në Filadelfia, Papa drejtoi edhe një meshë në Katedralen e Shën Pjetrit dhe Palit.
Ai mbërriti nga Nju Jorku, ku të premten u bëri thirrje udhëheqësve botërorë në OKB të drejtojnë përpjekjet kundër ndryshimeve klimatike, varfërisë dhe të mbrojnë refugjatët që po largohen nga zonat me konflikte.
“Po kështu, qeveritarët duhet të bëjnë gjithçka të mundur për t’u siguruar se të gjithë do të kenë minimumin material dhe shpirtëror për të jetuar me dinjitet dhe për të krijuar dhe mbajtur një familje, e cila është qeliza bazë e çdo zhvillimi shoqëror. E thënë më thjesht, nevojiten tre gjëra: strehim, punësim, dhe tokë.”
Në Nju Jork, Papa drejtoi meshën për mijëra vetë në sheshin Madison dhe vizitoi një shkollë në Harlem.
Reagimi ka qenë i gjithanshëm ndaj kësaj vizite që filloi me Uashingtonin. Njerëz nga besime të ndryshme e përkrahin dhe e njohin me dashuri si “Papa i njerëzve”.
“Mendoj se ai ja del të na bashkojë të gjithëve, pavarësisht besimit fetar. Më pëlqen që ka një fuqi që shtrihet përtej fesë.”
Papa e mbyll nesër vizitën e tij në SHBA me pjesëmarrjen në “Takimin Botëror të Familjeve” dhe me një meshë në qiell të hapur që pritet të mbledhë 2 milionë njerëz.
Ambasada Amerikane: Hetimi i CEZ u takon shqiptarëve
Një ditë pas kërkesës së kryeparlamentarit Ilir Meta për një hetim ndërkombëtar me ndihmën edhe të SHBA-ve për çështjen “CEZ”, Ambasadën Amerikane sqaron nëse do ta ofronte këtë ndihme të kërkuar nga Meta. Sot zëdhënësi i kësaj ambasade, z.Ryan J. Roberts, theksoi se “Policia dhe prokurorët shqiptarë janë të vetmit përgjegjës për të drejtuar hetime në lidhje me çështje që ndikojnë popullin shqiptar dhe institucionet e tij”. Zoti Roberts tha se, “Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë të mbështesin institucionet ligjzbatuese të Shqipërisë në përpjekje për të ngritur kapacitetet dhe efektshmërinë e tyre. Nepermjet zyrës së OPDAT, Ambasada ofron këshilla ekspertësh, promovon reforma dhe nxit veprime të ndjekjes penale kundër korrupsionit”, deklaroi ai. Dhe në të shkuarën Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë qëndruar larg përfshirjes së drejtëpërdrejtë gjatë hetimeve të prokurorëve shqiptarë për cëshje sensitive të drejtësisë shqiptare. Ata vetëm kanë ndihmuar kur i është kërkuar ekspertiza kriminalistiko-shkencore në dy raste sic ishte analizimi plumbave që vranë 4 protestuesit e 21 Janarit dhe videon Prifti-Meta. {Sh.K}
Kryeministri Rama, fjalim në OKB
Kryeministri Edi Rama mbajti fjalën përpara seancës së posaçme për zbatimin e Axhendës së zhvillimit post 2015, në Samitin e Kombeve të Bashkuara./
Kryeministri shqiptar vlerësoi axhendën ambicioze dhe transformuese për Zhvillim të Qëndrueshëm, që synojnë zhdukjen e varfërisë ekstreme, si rruga për të lëvizur nga një bashkëpunim i thjeshtë në një partneritet global.
“Kjo axhendë e re, kurajoze, ambicioze e një transformimi global është angazhimi ynë që t’i çojmë njerëzit nga përjashtimi tek gjithëpërfshirja. Nga varfëria tek rruga e begatisë, nga pasiguria tek parashikueshmëria dhe zgjidhjet, për të lëvizur nga një bashkëpunim i thjeshtë në një partneritet global”, deklaroi Rama.
Duke u ndalur tek Shqipëria, kryeministri nënvizoi rëndësinë e zhvillimit të shtetit, demokracisë dhe vlerave perëndimore. “Reforma në Drejtësi që po ndërmerret do të bashkojë më shumë shtetin me qytetarët”, deklaroi Rama
“Ne jemi duke ndërmarrë një reformë transformuese në drejtësi, një proces jetësor që do ta bashkojë më shumë shtetin me qytetarët, do t’i japë drejtësisë kuptimin e saj të vërtetë dhe do të ketë një ndikim më të thellë dhe pozitiv mënyrën sesi vendi do të shkojë përpara në vitet në vijim”, tha kryeministri.
Shefi i qeverisë shqiptare, në seancën në Samitin e Kombeve të Bashkuara, përpara të cilit një ditë më parë iu drejtua dhe Papa Françesku, nuk harroi të përmendë vlerën e harmonisë fetare në Shqipëri, si një cilësi e nënvizuar edhe nga ati i shenjtë në vizitën në Tiranë. Bashkëpunimi rajonal dhe përpjekjet e Ballkanit për t’u afruar me BE-në, ishin një tjetër pikë ku u ndal kryeministri Rama.
“Ende në pritje për t’u kualifikuar si anëtarë të BE-së, ne jemi duke bërë gjithçka që mundemi, ndërmjet nismave konkrete, për të sjellë më afër gjithë vendet e Ballkanit Perëndimor dhe të rrisim bashkëpunimin në çdo fushë të jetës. Dihet botërisht se sa më shumë bashkëpunojmë me njëri tjetrin, sa më shumë bashkëndajmë, sa më shumë jemi të ndërlidhur, sa më shumë e njohim dhe e pranojmë njëri-tjetrin, kemi më shumë shanse që të jetojmë dhe të punojmë së bashku në paqe dhe harmoni. Sigurisht, kjo gjë është thelbësore për qëndrueshmërinë”, tha Rama.
- « Previous Page
- 1
- …
- 345
- 346
- 347
- 348
- 349
- …
- 596
- Next Page »