• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

OGLINDA LUMII (1923) / AHMET ZOGU, NAPOLEON BONAPARTI SHQIPTAR

March 19, 2024 by s p


Kryeministri Ahmet Zogu në të majtë – Burimi : Our World , 4 nëntor 1923, f.67
Kryeministri Ahmet Zogu në të majtë – Burimi : Our World , 4 nëntor 1923, f.67

Nga Aurenc Bebja*, Francë – 17 Mars 2024

Revista rumune “Oglinda Lumii” ka botuar, të shtunën e 6 janarit 1923, në faqen n°770, një artikull lavdërues asokohe për Napoleon Bonapartin shqiptar, Ahmet Zogun, të cilin, Aurenc Bebja, nëpërmjet blogut të tij “Dars (Klos), Mat – Albania”, e ka sjellë për publikun shqiptar :

Napoleoni shqiptar

Burimi : Oglinda Lumii, e shtunë, 6 janar 1923, faqe n°770
Burimi : Oglinda Lumii, e shtunë, 6 janar 1923, faqe n°770

Ky është Ahmet Zogu, presidenti i Këshillit të Ministrave të Shqipërisë, pavarësia e të cilës u njoh përfundimisht vetëm një vit e gjysmë më parë. Kryeministri i ri, të cilin bashkatdhetarët e krahasojnë me Napoleon Bonapartin, është një figurë kurioze në politikën botërore dhe, pa dyshim, ai është kreu më i ri i qeverisë në të gjithë botën (ai është 27 vjeç).

Në një moshë kur shumë të tjerë sapo kishin kaluar pragun e shoqërisë, Ahmet Zogu tashmë i përket legjendës. Ai konsiderohet njeriu i paracaktuar për ta çuar Shqipërinë drejt begatisë dhe madhështisë; Vendimet e tij janë ligj për të gjithë shqiptarët, pavarësisht besimit fetar.

Karriera politike e Zogut, ose më saktë lufta për pavarësinë e vendit, daton prej kohësh, pasi diktatori aktual ishte vetëm një adoleshent 15-vjeçar. Që atëherë, ai u hodh shkabave dhe më shumë se një herë rrezikoi jetën e tij gjatë kryengritjeve përmes të cilave populli shqiptar shfaqi dëshirën për të jetuar jetën e tij, i lirë nga tutela e huaj. Natyrisht, ka shumë vështirësi për të zbutur, të gjitha që rrjedhin nga keqkuptimet me Greqinë, nga njëra anë, Jugosllavinë, nga ana tjetër, në lidhje me përcaktimin e kufijve. Por duke qenë se Republika Shqiptare lindi nën kujdesin e Lidhjes së Kombeve, është për të shpresuar që këto konflikte të zgjidhen së shpejti.

***

Forma e qeverisjes së Shqipërisë ka veçori që e bëjnë atë të ndryshme nga regjimi demokratik i republikave të tjera.

Nominalisht, pushteti suprem ushtrohet nga ai që quhet Këshilli i Regjencës, një lloj Lejtenance Mbretërore. Ky këshill, i përbërë nga katër anëtarë, zgjidhet me plebishit. Ai që aktualisht është në funksion është rrjedha e konsultës së përgjithshme të vendit të vitit 1920.

Këshilli i Regjencës emëron kryeministrin, i cili zgjedh vetë bashkëpunëtorët e tij.

Kontrolli i akteve të pushtetit ekzekutiv ushtrohet nga një parlament prej 75 deputetësh. Për përfaqësimin kombëtar është përgjegjës vetëm kreu i qeverisë; Ministrat e tjerë janë zyrtarë të thjeshtë, nën autoritetin e drejtpërdrejtë të kryeministrit.

Ahmet Zogu është edhe ministër i Brendshëm dhe i Jashtëm.

Filed Under: Kronike

DEKLARATË E DIASPORËS SHQIPTARE TË GREQISË

March 18, 2024 by s p

Ne, përfaqsues të organizimeve të shkallës së dytë dhe dhjetra shoqata dhe organizata të emigrantëve, si edhe veprimtarë të shquar të emigracionit shqiptar në Greqi, të mbledhur në qytetin e Selanikut më datë 25 shkurt 2024, shpallim njëzëshëm dhe zyrtarisht themelimin e Diasporës Shqiptare në Greqi.

Krijimi i DSHG përbën një përqasje të re, të domosdoshme, kalimin në një nível tjetër për organizimin dhe përfaqësimin e shtetasve shqiptarë rezidentë në Greqi në baza gjithëpërfshirëse dhe demokratike, me kulturë bashkëpunimi dhe etikë komunikimi.

Në datë 12 dhjetor 2023, ne publikuam Thirrjen për themelimin e Diasporës Shqiptare në Greqi, duke ftuar të gjithë të interesuarit të marrin pjesë në diskutimin e hapur për të hartuar Statutin e këtij organizimi, që tu përgjigjet sa më mirë kërkesave dhe sfidave të kohës.

U zhvilluan mjaft takime me përfaqsues organizatash dhe veprimtarë të shquar me një shtrirje gjeografike nga e gjithë Greqia; nga Atika, Greqia e Veriut, Kreta, Peloponezi, Epiri, Thessalia, Greqia Perëndimore etj.

Diskutimet, këmbimi i ideve, përvojat pozitive të organizatave dhe veprimtarëve të shquar në diasporë u shoqëruan me aksione konkrete pranë faktorëve politikë dhe institucionalë të nivelit më të lartë në Greqi.

Brenda periudhës dhjetor 2023 deri në muajin shkurt 2024, përfaqsitë e DSHG kryen takime zyrtare pune me kryetarë partie, me ministra dhe deputetë të tre partive kryesore parlamentare greke, Nea Dhimokratia, SYRIZA dhe PASOK-KINIMA ALLAGIS.

Në takimet e përfasuesve të DSHG me faktorët politikë grekë, u dëshmua aftësia jonë e bashkëpunimit dhe bashkërendimit, kultura e lartë e dialogut me politikën greke me jehonë dhe ndikim të madh në opinionin e gjerë grek dhe shqiptar, në të dy vendet tona.

Përfaqësuesit tanë ligjor kanë kryer të gjitha proceduarat e nevojshe konform ligjeve në fuqi dhe kanë depozituar pranë gjykatës së Athinës kërkesën dhe Statutin për njohjen ligjore të themelimit të organizimit të shkallës së tretë me emrin “Diaspora Shqiptare në Greqi” (Η Αλβανική Διασπορά στην Ελλάδα) me qendër në Athinë.

Diaspora Shqiptare në Greqi është organizatë e shkallës së tretë, gjithëpërfshirëse, jo qeveritare, jo fitimprurëse dhe jo partiake.

Diaspora Shqiptare në Greqi ndër të tjera ka si qëllim:

– Ruajtjen e identitetit të emigracionit shqiptar: të gjuhës shqipe, të kulturës, të traditave dhe zakoneve shqiptare.

– Kuptimi gradual midis shoqatave, organzatave dhe grupimeve të ndryshme shqiptare në Greqi, bashkëpunimi dhe veprimtaritë e përbashkëta me qëllim integrimin e emigrantëve në shoqërinë greke, duke ruajtur paralelisht kulturën dhe identitetin kombëtar.

– Integrimi i emigrantëve shqiptarë në shoqërinë greke dhe europiane, kryesisht nepermjet njohjes ligjore, punësimit dhe qëndrimit të tyre në Greqi, barazise përballë ligjit, mësimit te gjuhës greke, si dhe gjuhëve të tjera që ndihmojnë në kontaktet dhe forcimin e marrëdhënieve, si dhe lidhur me barazinë në punë, në shkollë, në arsim e në shërbimet publike.

– Kultivimi i frymës së miqësisë së mirë ndërmjet shqiptarëve, grekërve dhe të çdo lloj kombësie tjetër emigrantësh në Greqi.

Këshilli i Përkohshëm Drejtues i DSHG merr përsipër drejtimin, organizimin, dhe gjithë veprimtarinë deri në zgjedhjet përfundimtare të organeve të DSHG.

KËSHILLI I PËRKOHSHËM DREJTUES I DSHG

Selanik, 25 shkurt 2024

Unioni i Shoqatave Shqiptare në Greqi

I përbërë nga Shoqata dhe Organizata si vijon:

1. – Shoqata e Emigrantëve Shqiptarë “Mëmëdheu”, Megara

2. – Shoqata e Emigrantëve Shqiptarë “Elbasani”, Athinë

3. – Shoqata e Emigrantëve Shqiptarë “Aspropirgos”

4. – Shoqata e Emigrantëve Shqiptarë në “Larisa”

5. – Shoqata e Emigrantëve Shqiptarë “Iliria”, Volos

6. – Organizata “Omiros”, Athinë

7. – Shoqata e Emigrantëve Shqiptarë “Egjialia”, Egjio

8. – Shoqata e Emigrantëve Shqiptarë “Skënderbeu”, Ierapetra, Kretë

Lidhja e Shoqatave Shqiptare në Kretë

E përbërë nga Shoqata dhe Organizata si vijon:

1. Shoqata e Emigrantëve Shqiptarë në Hanja, Kretë

2. Shoqata e Emigrantëve Shqiptarë në Rrethimno, Kretë

3. Shoqata “Bashkimi” Shqiptarë në Iraklio, Kretë

4. Shoqata e Emigrantëve Shqiptarë Kasteli, Kissamo, Hanja, Kretë

5. Shoqata e Emigranëve Shqiptarë në Sitia, Kretë

Komuniteti Shqiptar i Selanikut

Ku përfshihen edhe Organizatat e mëposhtme:

1. Unioni i Emigrantëve të Imathias

2. Shoqata e Pensionistëve në Selanik

3. Shoqata “Sithonia”, Halkidhiki

4. Shoqata “Vatra e Cerrikut”

5. Shoqata “Elbasani” në Selanik

6. Qendra Kulturore Shqiptaro-Greke “Pegasus”

Organizata e Gruas në Greqi “JETA”

Shoqata Kulturore dhe Artistke “Lushnja” në Greqi

Bashkimi i Delviniotëve në Greqi

Lidhja e Gruas Shqiptare në Greqi

Shoqata e Emigrantëve Shqiptarë në Greqi

Lobi Euroatlantik Shqiptar në Greqi

Shoqata e Emigrantëve Shqiptarë në Patra

Shoqata e Emigrantëve Shqiptarë në Nafpakto

Shoqata e Emigrantëve Shqiptarë në Bashkinë Velvendo, Kozani

Gjithashtu edhe shumë aktivistë dhe figura të shquara të Diasporës Shqiptare në Greqi, siç:

Z. Fatos Malaj, ish kandidat për deputet në Parlamentin e Greqisë, specialsitë i çështjeve të Emigracionit

z. Lefter Kuqo, biznesmen, aktivist në politikën shqiptare dhe politikën greke,

z. Ardi Toska, aktivist i dalluar në Rrethin e Fthiotidës, njohës i çështjeve të migracionit.

z. Sokrat Lambro, poet, skulptor, akivist i shquar, etj.

Për më shumë informacion:

Website: www.diasporashqiptare.gr

e-mail: info@diasporashqiptare.gr

facebook: Diaspora Shqiptare e Greqisë – Αλβανική Διασπορά Ελλάδας

Filed Under: Kronike

Kryeministri Kurti përkujton viktimat civile të vrara në Masakrën e Tregut të gjelbër në Mitrovicë

March 13, 2024 by s p

Mitrovicë, 13 mars 2024/

“Në këtë përvjetor të 25-të, kemi ardhur në Mitrovicë për të nderuar kujtimin e civilëve të vrarë nga forcat e Serbisë në Masakrën e Tregut të gjelbër në vitin 1999. Teksa shprehim dhembjen dhe nderimin tonë për jetët e humbura, theksojmë domosdoshmërinë për drejtësi për viktimat e kësaj masakre dhe qindra masakrave të tjera të kryera nga Serbia në Kosovë”, tha Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti.

Kryeministri Kurti theksoi se është detyrë e jona që të mos e harrojmë kurrë të kaluarën e errët dhe të punojmë për Republikën tonë demokratike, ku parimet kryesore janë respektimi i të drejtave të njeriut dhe drejtësia.

“Granata supozohet që është shkrepur nga një objekt ushtarak ku ishin të vendosura forcat serbe gjatë luftës 1998-99. Aty sot qëndron Kampi i Policisë së Republikës së Kosovës, që bartë emrin e heroit Enver Zymeri, e që garanton sigurinë, si e mirë publike që u ofrohet të gjithë qytetarëve pa dallim”, theksoi Kryeministri Kurti.

Në këtë ditë të kujtimit, s’ka si të mos na vije në mendje masakra në tregun Markale në Sarajevë, që ishte një nga krimet më të rënda gjatë rrethimit të qytetit në vitet 1992-1995, tha Kryeministri, duke shtuar se këto masakra në Kosovë dhe Bosnjë e Hercegovinë, janë dëshmi e veprimeve gjenocidale të Serbisë.

Së bashku me Ministrin e Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, Drejtorin Ekzekutiv të Institutit për Krimet e Kryera Gjatë Luftës në Kosovë, Atdhe Hetemi, si dhe deputetë të Kuvendit, Kryeministri Kurti vendosi lule para pllakës përkujtimore të kësaj masakre.

Më 13 mars 1999, në masakrën e Tregut të gjelbër në Mitrovicë, me hedhje granatash nga forcat serbe janë vrarë shtatë civilë: Abaz Mecinaj (1944), Ahmet Strana (1941), Elizabeta Hasani (1994), Ragip Bajrami (1946), Rrahim Peci (1934), Sevdije Selani (1949) dhe Valdete Strana (1977); si dhe janë plagosur 128 të tjerë, shumë prej të cilëve mbetën invalidë.

Filed Under: Kronike

Kryeministri Kurti në shënim të 43-vjetorit të demonstratave studentore: Pranvera e vitit 1981 vazhdon të jetë një gurthemel i shtetit republikan të Kosovës së pavarur

March 12, 2024 by s p

Prishtinë, 11 mars 2024/

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka mbajtur një bashkëbisedim me ish- të burgosurit politikë dhe studentët në shënim të 43-vjetorit të demonstratave të vitit 1981, që u organizua në Mensën e Studentëve, në Prishtinë.

Duke kujtuar periudhën e asaj kohe, kryeministri Kurti tha se pranvera e vitit 1981 vazhdon të jetë një gurthemel i shtetit republikan të Kosovës së pavarur, por njëkohësisht edhe shembull i zellit studentor, që nuk përfundon me studimet, por vetëm sa nisë me to, meqenëse përfaqëson edhe pjesën më të emancipuar politikisht e kombëtarisht të popullit tonë e të shoqërisë sonë.

Ai ka shprehur falënderimin dhe mirënjohjen e thellë për të gjithë pjesëmarrësit e atyre demonstratave, duke theksuar se gjithçka kishte nisur më 4 mars këtu në Mensën e Studentëve, 11 marsi që u pasua edhe me 26 marsin dhe 1 e 2 prillin dhe u tronditën themelet e padrejta të Jugosllavisë, që patën për parullë kryesore atë që e kemi thënë të gjithë ne me aktivizmin tonë, pra Kosova Republikë.

“Nga Kosova Republikë te Republika e Kosovës, kështu pra lidhen brezat e shqiptarëve, të cilën bëjnë betejë të paepur për çlirim e për barazi”, tha kryeministri Kurti, duke theksuar se Kosova e pavarur që sot e gëzojmë në themelet e saj e ka sakrificën e shumë brezave, mundin e shumë gjeneratave, të cilët ne asnjëherë nuk i harrojmë dhe rregullisht i përkujtojmë.

Fjala e plotë e kryeministrit Kurti:

Të dashur studentë,

Të nderuar të pranishëm, zonja e zotërinj, motra e vëllezër,

Të nderuar kolegë nga Qeveria e Republikës së Kosovës, ministrja e Arsimit edhe ministri i Kulturës, Arbëria edhe Hajrullau,

Të nderuar bashkëveprimtarë të çështjes kombëtare,

Të nderuar aktivistë politikë, të cilët keni marrë pjesë dhe keni organizuar demonstratat gjithëpopullore të pranverës së vitit 1981, të cilat filluan si protesta studentore.

Këtu kemi disa prej tyre, kemi Hydajet Hysenin, Xhemajl Pllanën, Shefik Sadikun, Kadri Batushën dhe të tjerë, të cilët në atë kohë kur diskriminimi ndaj shqiptarëve, shfrytëzimi dhe padrejtësitë po shtoheshin, e ngritën zërin dhe në këtë mënyrë treguan që e ashtuquajtura Jugosllavi socialiste kishte popuj e njerëz që ishin më të barabartë se sa të tjerët. Dhe, në këtë mënyrë vetëdijësuan edhe opinionin publik ndërkombëtar, në kohën kur ngritja studentore e popullore shqiptare e Kosovës përputhej me “Solidarnostin” sindikalist në Poloni atëbotë.

Prandaj, pranvera e vitit 1981 vazhdon të jetë një gurthemel i shtetit republikan të Kosovës së pavarur, por njëkohësisht edhe shembull i zellit studentor, që nuk përfundon me studimet, por vetëm sa nisë me to, meqenëse përfaqëson edhe pjesën më të emancipuar politikisht e kombëtarisht të popullit tonë e të shoqërisë sonë.

Me këtë rast, dua të shpreh falënderimin dhe mirënjohjen e thellë për të gjithë pjesëmarrësit e atyre demonstratave. Ishte 4 marsi këtu në Mensën e Studentëve kur gjithçka filloi, 11 marsi që u pasua edhe me 26 marsin dhe 1 e 2 prillin dhe u tronditën themelet e padrejta të Jugosllavisë së AVNOIT, që patën për parullë kryesore atë që e kemi thënë të gjithë ne me aktivizmin tonë, pra Kosova Republikë.

Nga Kosova Republikë te Republika e Kosovës, kështu pra lidhen brezat e shqiptarëve, të cilët bëjnë betejë të paepur për çlirim e për barazi.

Jemi në Mensën e Studentëve, ku sot të lirë gëzojmë këtë Kosovë të pavarur, e cila në themelet e saj e ka sakrificën e shumë brezave, mundin e shumë gjeneratave, të cilët ne asnjëherë nuk i harrojmë dhe rregullisht i përkujtojmë.

Unë ju dëshiroj shumë shëndet, studime të mbara e sukses në jetë të gjithë studentëve që janë këtu, meqenëse këta janë tregues i të ardhmes ekonomike, politike e kulturore të Republikës sonë, të institucioneve të shtetit, të shoqërisë e të popullit.

Urime 11 Marsi, kjo ditë e kryengritjes studentore që u bë gjithëpopullore, e tash kisha dashur që t’ia jap fjalën edhe Hydajet Hysenit, i cili në fotografinë e famshme të demonstratave të marsit e të prillit të vitit 1981 është aty në pemë me megafon, e pranë tij është Kadri Batusha, i cili sërish është pranë Hydajetit, por kësaj radhe këtu në Mensë të Studentëve.

Filed Under: Kronike

Nga Mathieu AREF (albanolog, Universiteti i Sorbonës, Paris): Një përgjigje shkencore për mohuesit e vjetërsisë së gjuhës shqipe

March 9, 2024 by s p

Peticionistët po bëjnë luftën e gabuar për tema të cilat absolutisht nuk i zotërojnë.

Një përgjigje shkencore për mohuesit e vjetërsisë së gjuhës shqipe.

Nga Mathieu AREF , albanolog, Universiteti i Sorbonës, Paris

(mat.aref@ëanadoo.fr)

Mos vallë të gjithë ne Shqiptarët duhet të përvetësojmë këndvështrimet e tyre të gabuara ndaj paraardhësve tanë PELLAZGËT dhe gjuhën e tyre SHQIPEN aktuale ? Ja një pjesë të shkurtër e Historisë së vërtetë, një vepër që më ka kushtuar 50 vjet studime dhe hulumtime të pa ndërprerë.

Më duket pikëlluëse ky peticion, antidemokratik, kundër lirisë së shprehjes dhe mbi të gjitha një manovër për të ardhur keq nga ana e tyre. Akademikë të tillë që shtypin “fjalën publike” dhe “mbytin lirinë e shprehjes”, nuk ekzistojnë në Evropën Perëndimore. Kështu pra në këtë mënyrë Shqipëria nuk do të anëtarësohet në Bashkimin Evropian…në qoftë se nuk ndryshon ideologjinë e saj.

Para së gjithash, këta pseudoakademikë zgjodhën për të vënë në dyshim dy pikat thelbësore të kombit shqiptar : mosnjohjen e Pellazgëve si paraardhës të vërtetë të popullit shqiptar dhe përgënjeshtrimin e lashtësisë së gjuhës pellazgo-shqiptare. Është e paimagjinueshme disa akademikë dhe disa zyrtarë shqiptar mund të nisë një peticion për të vënë në pikëpyetje këto dy aspekte thelbësore të specifikës sonë unike në Evropë, pa dhënë as më të voglin provë dhe argument, as referencën më të vogël të çfarë ata pohojnë : vetëm për të kënaqur veten dhe të kënaqin bindjet e tyre ideologjike. Kjo kundërshton çdo studim të denjë nga njerëz që pretendojnë se janë “shkencëtarë”.

Për më shumë se 50 vjet kam studiuar gjërë e gjatë origjinën e të parëve tanë dhe atë të gjuhës sonë. Falë studimeve dhe kërkimeve të mia, analizave të thelluara, referencave të pakundërshtueshme të mbështetura nga një tezë e dorëzuar në Universitetin Sorbonne të Parisit, arrita të hedh dritë të re mbi Historinë dhe gjuhën e paraardhësve tanë prestigjioz që Akademia e Tiranës i ka fut në baltinë për të kënaqur bindjet e saj të rreme dhe për të bërë kështu të lumtur armiqtë tanë të trashëguar. Me sa duket pseudoakademikët tanë bazohen në konsiderata politike apo gjeopolitike në vend që të mbështetet në argumente dhe metoda shkencore të besueshme dhe të padyshimta.

Pse atëherë këta pseudoakademikë zgjodhën Ilirët dhe jo Pellazgët si paraardhës të tyre kur emri “Ilirë” u shfaq vetëm pas shekullit të VII para erës sonë ? Pse atëherë, në të njëjtën kohë, refuzojnë të pranojnë lashtësinë e gjuhës shqipe në atë që quhet, padrejtësisht, sistemi “indo- evropian” kur një ekip shkencëtarësh amerikanë sapo kanë pohuar se gjuha shqipe është një nga gjuhët më të vjetra në Evropë ? Pa prova apo argumente bindëse këta pseudoakademikë i lejojnë vetes të mohojnë origjinën tonë të vërtetë, të përgënjeshtrojnë lashtësinë e gjuhës sonë, të tradhtojnë atdheun tonë dhe të tallen me popullin tonë !

Përpara se t’u përgjigjem “shkencërisht” (dhe jo me “fjalë” bosh…në një peticion) këtyre dy pikave thelbësore, më duhet t’u them të gjithë këtyre censuruesve të improvizuar se ata po bëjnë luftën e gabuar për tema mbi të cilat absolutisht nuk i zotërojnë dhe që peticioni i tyre është tinëzar sepse i fusin të gjithë në të njëjtin thes.

Për më tepër, nuk e kuptoj pse dhe si njerëzit që e quajnë veten “shkencëtarë” bazohen tek autorët modernë për të shkruar Historinë e popullit shqiptar kur këta autorë vetëm përsërisin gabimet e paraardhësve të tyre historianë ?! Ata gabohen rëndë sepse preferojnë të imitojnë të tjerët (edhe nëse e kanë gabim) sesa të shkruajnë vetë historinë e tyre duke kryer studime dhe kërkime të duhura dhe të thelluara dhe duke iu referuar burimeve më të lashta të Antikitetit, për të mbështetur seriozisht punën e tyre duke përdorur metodat e kërkimit shkencor. Por veç kësaj dhe për të rënduar më tej rastin e tyre është e qartë se duke zgjedhur të rishkruajnë

Historinë e vendit të tyre bazuar në kritere të papërshtatshme dhe në gabime të dukshme historike (të bëra nga autorë modernë) po bëjnë lojën e armiqve të Shqipërisë për arsye të ndryshme. Së fundi, kur politika apo gjeopolitika ndërhyn në historinë e një vendi është e qartë se diçka po ndodh që nuk është në asnjë mënyrë për të mirën e këtij vendi : kur ideologjia ndërhyn apo përzihet me Historinë, ajo e vret Historinë. Atëherë si mund për historinë dhe gjuhën tonë ti konsiderojmë si të dyshimtë dhe në favor të Greqisë : pozicioni historik dhe gjuhësor të Akademisë së Tiranës ? Kjo është një tradhti e vërtetë ndaj popullit, historisë së tij, gjuhës së tij dhe mbarë Kombi Pellazgo-shqiptar.

Tani do të trajtoj shkurtimisht të ashtuquajturin problem të Pellazgëve dhe të Gjuhës së sotme shqipe të ngritur nga Akademia e Tiranës. Sigurisht që teza ime është revolucionare (si askush nuk e ka bërë deri me sot) sepse vë në pikëpyetje origjinën e Greqisë si dhe “sistemin indo- evropian” të gjuhëve evropiane ku gati gjysma e shteteve dhe popujve të Evropës nuk janë “indigjenë” por e kanë prejardhjen nga kontinenti fqinj i Azisë. Kjo pikë e fundit më detyron të filloj më poshtë me “Gjuhësinë” përpara se të flas për Historinë Pellazgo-Shqiptare.

Gjuhësia moderne është një disiplinë e vonshme dhe bazat e saj u vendosën në fund të shekullit të 19-të. Ithtarët e kësaj disipline, duke mos arritur të gjenin gjuhën amtare të Evropës, kanë krijuar artificialisht një gjuhë bazë : “indo-evropianën”. Të gjithë këta gjuhëtarë për afro 150 vjet u mbyllën në kullën e tyre të fildishtë, domethënë disiplinën e tyre. Në fakt puna e tyre nuk ishte multidisiplinare dhe do të kërkonte, për të qenë e besueshëm, ndihmën e disiplinave të tjera : parahistorisë, historisë, arkeologjisë, antropologjisë, kronologjisë, mitologjisë… Popujt dhe gjuhët e tyre ishin të përziera pa marrë parasysh historinë e tyre, prejardhjen etnike, gjuhët e tyre stërgjyshore, paraqitja e tyre kronologjike në Evropë, etj. Të gjithë këta elemente përbëjnë një “bazë shkencore” për fillimin e çdo pune shkencore dhe në fund të së cilës ndërhyjnë “studimet gjuhësore”, duke përfshirë studimet semantike, sintaksore, morfologjike, fonetike, fonologjike, krahasuese, etj. Fatkeqësisht, “puna multidisiplinare” nuk u krye dhe studimet u bazuan në mënyrë specifike në “gjuhësi”. Por që në fillim, për shkak të mungesës së gjetjes së “gjuhës amtare” të vërtetë të Evropës (e cila mund të gjendej vetëm në Evropë), studimet gjuhësore morën një rrugë të gabuar që mund të çonte vetëm në një qorrsokak të vërtetë. Fatkeqësisht, nëse gjuhëtarët e parë do të ishin përqendruar me shumë ngulm në gjuhën shqipe (që unë e konsideroj një “fosil e gjallë” të vërtetë), ne nuk do të ishim në këtë gjendje. Ata nuk do të kishin “shpikur” indo- evropianishten dhe nuk do të kishin shkuar në Azinë Qendrore apo Indi për të gjetur “sanskrishtën” ose “tokharishtën”. Gjithçka që mund të bënin ishte ta konsideronin “shqipen” si një gjuhë më vete… prandaj u vendos në raft. Aty i ndaloj shpjegimet e mia sepse është shumë e gjatë për të dhënë të gjitha shpjegimet e nevojshme këtu (referojuni librave, tezës dhe artikujve të mi). Fundi i këtij paragrafi është një tranzicion i mirë për të folur për Pellazgët dhe “gjuhën” e tyre.

Pellazgët sipas të « gjithë autorëve antikë » konsiderohen si pararendësit të Helenëve dhe jo stërgjyshërit e tyre. Qytetërimi që autorët modernë e kanë quajtur “mikenas” nuk ka ekzistuar kurrë me këtë emër sepse i vetmi qytetërim parahelen që ka ekzistuar para shfaqjes së Helenëve ishte « Qytetërimi pellazg ». Për më tepër, autorët e lashtë dinin vetëm emrin e « qytetit » të Mikenës dhe nuk folën kurrë për një « qytetërimin miken », një shpikje e pseudo- arkeologut Heinrich Schliemann, i cili gjatë gërmimeve të tij në qytetin e Mikenës në Argolis (ish pellazgjik me ekselencë para pushtimit helen) zbuloi një thesar të cilin ia atribuoi “Agamemnonit”. Për shkak të emrit “Miken” ai dekretoi se ishte një qytetërim mikenas (1650 deri në 1100 – i datuar nga arkeologët dhe historianët modernë) të cilin ai e konsideronte helen : të gjithë arkeologët, historianët dhe gjuhëtarët modernë morën më pas

pretendimet e Schliemann-it si një e vërtetë tingulluese dhe gabimi ende vazhdon pa u vënë në pikëpyetje asnjëherë… përveç nga unë… dhe logjika matematikore e studimeve dhe kërkimeve të mia të thelluara ! Por askush nuk e ka vënë re se ka pasur një periudhë e quajtur “Epoka e Errët” (-1200-800 pes) që mbeti totalisht e heshtur aty ku nuk dimë absolutisht asgjë…nga rrjedh edhe termi “e errët”. Si mund të konsiderojmë se Helenët rrjedhnin nga mikenasit kur ata janë shfaqur vetëm pas kësaj periudhe ku nuk kemi asnjë gjurmë nga Helenëve. Si mund të dalin nga « hiçi »?! Për më tepër, Helenët dhe Dorianët nuk përmenden në poemat epike (Iliada dhe Odisea) dhe veçanërisht në “Katalogun e enëve” të Iliadës ! Nga ana tjetër, në Iliadë Zeusi konsiderohet « mbret, Dodonas dhe Pellazg ». Më pas, sipas Porfirit, biografi i Pitagorës i cili para se të vdiste kishte pohuar se Zeusi quhej « Zan » (në gegënisht « zan, zani » = zë, zërri në toskërisht). Këtë e vërtetojnë priftërinjtë e Dodonës, të cilët interpretuan “Zanin” e Zeusit nga shushurimat e gjetheve të « Lisit të Shenjtë ». Pse lisi « i shenjtë » ? Sepse ka shumë të ngjarë të ishte një “reminishencë” e së kaluarës parahistorike të Pellazgëve që kishin jetuar nëpër « shpella ». Prandaj i kam quajtur “Shpellazg” = Popujt e shpellave : etnonim që e zbulova falë një prapashtesës përcaktuese pellazge (e rruajtur vetëm nga Armenët sepse Shqiptarët e kanë humbur ka kohë) që përcakton një « popull » dhe ku « lëndet » e Lisit i ushqenin Pellazgët gjatë bredhjeve të tyre parahistorike.

Për më tepër, për të demonstruar lidhjen e dukshme midis Pellazgëve dhe Shqiptarëve të sotëm, duhet të dini se poemat epike (Iliada dhe Odisea) ishin « poema të traditës gojore pellazge »… prandaj shumica e antroponimeve, eponimeve, toponimeve, toronimeve…të Iliadës (poema më e vjetër se Odisea) mund të interpretohen shumë saktë nga gjuha shqipe/gegë (referojuni Leksikut tim të përfshirë në tezën time dhe i futur në librin tim të parë “Shqipëria… »). Apo gjëjmë ndonjë gjurmë helene para shekullit VIII ? Sigurisht jo…dhe shumë zbulime dhe pohime të tjerë dhe shumë referenca (mbi 900 në tezën time) i kemi në tezën time dhe librat e mi. Këto pak indikacione apo zbulime janë vetëm një pjesë e vogël e të gjitha studimeve dhe kërkimeve të mia kushtuar Pellazgëve dhe gjuhës shqipe për më shumë se 50 vjet të jetës sime.

Ja tani në paragrafin në vijim TË GJITHA faktet dhe gjestet thelbësore të parë nga vetë qytetërimi helen : një qytetërim i uzurpuar, i monopolizuar, i modifikuar dhe i manipuluar për të shërbyer interesat e pushtuësve Helenë pas shekullit të 8-të para erës sonë.

Para shekullit të 8-të para erës sonë nuk kemi asnjë gjurmë të ekzistencës së Helenëve. Ja ngjarjet historike dhe kulturore që ndodhën PAS shfaqjës të pushtësve Helene :

Duhet shënuar një fakt domethënës : sipas arkeologëve popullsia e Atikës/ Athinë është katërfishuar ndër 50 vite, nga vitet 800 deri 750 para erës sonë ! Ky emigracion eshtë nje shembull që verteton pushtimin grek në ato kohe. « Kjo datë në fakt korrespondon me atë të paraqitjes së pushtuesve helenë ».

Nga shekulli të 8-të dhe përtej (në çfarë do të bëhej Greqi), ndryshime të rëndësishme shoqërore dhe kulturore po dalin në pah nga të ashtu quajtura shoqëri mikeniane. Ne jemi larg nga çfarë janë quajtur «Minoanë ose Egjeo-Kretasë » (nënkuptohet nga autorët modernë, gabimisht, paraardhës të Heleneve !), të cilët në këtë kontekst nuk kanë asgjë të përbashkët me Helenët si historikisht apo etno-gjuhësisht.

Zhdukja e mbretërisë dhe vendosja e Tiranisë. Ky eshtë një shembull tjetër që verteton ndreçimin politik et shteterorë nato kohë.

Shfaqja e hyjnive të reja të panjohura nga Homeri, si ajo e Dionisit.

Lëvizjet e kolonizimeve do të kenë filluar rreth vitit 775 para Krishtit (datë e

disktueshme, në parim 60 vite zbritje) drejt deteve të perëndimit (Korfuzi, Italia, Marselia…) dhe rreth viteve 700-680 para Krishtit drejt brigjeve të Azisë së Vogël dhe Detit të Zi. Kjo është epoka e krijimit të korridoreve të famshëm tregëtarë (“emporion”) dhe “Apoikoi” (“kolonitë”).

Praktika e djegie së të vdekurve (pellazge) zëvendëson atë të varosjes së të vdekurve edhe të quajturit te vetë Mikenas.

Qytetërimi i Hekurit zëvendëson atë të Bronxit (Pellazg). Homeri në poemat e tij flet shpesh për hekurin, ndërkohë që Mikenasit (Pellazg) nuk e njihnin përdorimin e këtij metali në atë kohë të herët.

Shfaqja e shkrimit alfabetik nga fundi i shekullit VIII para Krishtit, i cili konkretizohet vetëm nga fundi i shekullit VII dhe pastaj në shekullin VI para Krishtit me botimin e Iliadës dhe Odisesë nën tiraninë e Pizistratit (jetonte rreth viteve 600-527 para erës sonë). Përveç kësaj, këto poema kanë vazhduar të “zbukurohen” dhe të ripunohen deri në epokën aleksandrine (shekulli III pes), periudhë gjatë të cilës ato janë transkriptuar përfundimisht. Te Homeri nuk ekziston asnjë aluzion për ndonjë lloj shkrimi alfabetik.

Alphabeti ishte i quajtur fenikas nga Herodoti (V, 58). Duhët shënuar që para Plinit, Diodori i Siçilës (< -90/ > +30) ka folur për atë alfabet. Ironia është se alfabetet (greke, etruske dhe latine) që thuhët që rrjedhnin nga alfabeti i mbiquajtur “fenikas” ishin në të vërtetë me origjinë pellazge. Grekët e uzurpuan atë alphabet e ripunuan për të shkruar gjuhën e tyre baza e të cilës ishte pellazgjistja përzierrë me gjuhet e pushtuësve Helen : çfarë nuk shpjegohet falë gjuhës shqipe e konsideroj si « helene ». Diodori i Sicilës (Biblioteka historike – III, 67 ; V, 74 dhe vijim § V. 3. c.) nga ana e tij tha se që nga fillimi, ky alfabet u quajt “gërmat pellazge” dhe se ky nuk ishte fenikas. Ai shtoi se Fenikianët kanë shërbyer si rrip transmetimi, dmth që ata ua kanë marr Pelazgëve në ishullin Kretë, kthyën më të në Feniki (ku u kanë veshur çdo germa një emër fenikas : Alif, Beit…) dhe pastaj e transmetuan tek Helenët (në Tebë të Beotisë) më anën e fenikasit Kadmos (Kadmi) i cili emër shpjegohet në gjuhën e sotme semito-arabe « kadem » = i ardhuri, ai që erdhi. Sipas përfundimet të studimeve të mia unë them që me ardhjën e pushtuesve Helenë Pellazgët kishin humb përdorimin e shkrimit në qjuhën e tyre. Helenët kanë bërë çmos për të zhdukur një pjesë të madhe të gjurmeve pellazge dhe përvetësuan një pjesë tjetër.

Iliada dhe Odisea : poema të traditës gojore pellazge.Këto janë botuar nga Pisistrati në mes të shekullit VI para erës sonë. Falë poemave epike (Iliada dhe Odisea), të përcjella nga Pellazgët (të cilësuar «hyjnorë» në Iliadë X/429), pushtuesëve të rinj Helen, sot dimë se çfarë gjuhe flisnin popujt autoktonë (Pellazg), të cilët banonin në «vendin që do të bëhej Greqi» (Herodoti I/56,58 – II/50,52 VIII/44). Kjo gjuhë e Perëndive («e ndryshme nga ajo e njerëzve» d.m.th e grekëve – cf. Iliada I/ 379 – 415) ashtu siç e cilësonte Homeri, gjuha e «Zeusit pellazg dhe dodonas» (Iliada XVI / 233, 234), është më se e gjallë : gjuha shqipe e sotme (sidomos gegënishtja), e ruajtur pothuajse e paprekur falë maleve të paarritshme të Shqipërisë veriore qysh prej mijëvjeçarësh. A nuk është ajo gjuhë, sot, një lloj «fosile e gjallë», e cila na sjell provën se këta Pellazg ishin pikërisht stërgjyshërit e Thrako-Ilirëve dhe të pasardhësve të tyre të fundit, Shqiptarët të sotëm ? Gjuha shqipe a nuk arrin të dekriptojë apo të deshifrojë shumicën e emrave të mitologjisë (e mbiquajtur greke) si dhe teonimet, eponimet, toponimet, oronimet dhe antroponimet të Iliadës/Odisesë dhe të një pjese të madhe të toponimeve të Europës dhe në veçanti të rajonit danubo-ballkano-egjeas ?

Gjuha e Pellazgëve ishte përbërësi kryesor i Helenëve të lashtë (nëpërmjet Ionianët : « Pellazg të kthyër në Helen pasi zotëruan greqishtjen », na tregon Herodoti). Kjo do të thotë me një fjalë « Pellazgët dygjuhësh » që kanë pruar një ndihmë të madhe

logografeve helen në transkriptimin të poemave pellazge në gjuhën që do u bente greke.

Ndërtimi i tempujve prej “guri” fillon vetëm nga shekulli VII para erës sonë. Tempujt e lashtë : dy “Heraia” të Argosit dhe të Olimpit ishin të ndërtuara mbi një bazament tullash të thara dhe me kolonada prej druri ! “Naos”, pjesë të një tempulli nuk është aspak i një kohe më të mëparshme se fundi i shekullit VII pes. Vendi i shenjtë i Delfit kushtuar Apollonit, fillon të vizitohet në shekullin VIII para Krishtit, por tempulli i Apollonit u ndërtua vetëm në shekullin VII pes. I djegur në vitin 548 pes, ky tempull u rindërtua rreth vitit 510 pes. Nën tiraninë e Klistenit (vitet 600-570 pes) Delfi u bë vendi i shenjtë më i madh i gjithë greqisë.

Stilet arkitekturore u shfaqën fillimisht me Spartanët/Dorian në shekullin VII pes (stili dorik) pastaj me Jonianët në shekullin VI pes (stili jonik) dhe më në fund stili korintian në shekullin V pes. Nga viti 725 pes fillon arti orientalizues.

Stili gjeometrik u shfaq me « qeramikën ». Kulmi i tij vendoset në vitet 770-750 pes (Dipilon, Lefkandi).

Kremtimi i Lojrave Olimpike të para fillon në vitin 776 para erës sonë dhe Lojrave Pitike në vitin 582 pes. Panathinasit janë themeluar në vitin 566 pes. Te Homeri nuk ekziston asnjë kremtim të këtij lloji.

Një lloj lufte e re zhvillohet në Greqi me shfaqjen e Hopliteve : armatim i ri (hoplon, porpak, antilabe, knemide) dhe një formë e re luftimi (Falanga).

Polisi, sipas disa autorëve, u shfaq në shekullin VIII pes dhe sipas disa të tjerë në shekullin VI. E drejta e qytetarisë u vendos përfundimisht për Athinën vetëm në shekullin VI pes.

Shfaqja e perëndive të reja, midis tyre Dionisi dhe Pani ; mbretërit-poetë, ndër të cilët Orfeu dhe Muza (nismëtarë të qytetërimit grek, sipas vetë Heleneve) ; ose të heronjve të rinj, midis tyre Herakliu dhe Tezeu i cili sipas disa autorëve ishte krijuesi i sinocizmit athinas.

Legjenda e DEUKALIONIT u krijua për të fshirë plotësisht të kaluarën pellazge, një përmbytje që fshin gjithçka para heleneve, në mënyrë që të fillohet nga zero. Kështu, si me magji, doli në dritë Heleni djali i Deukalionit dhe i Pirrhas : Helen, eponimi i stërgjyshit të Helenëve. Ky mit i Deukalion (homologu i « Nuhit/Noe» të Biblës) u formua në një kohë relativisht të vonshme.

LUFTA E TROJËS, kjo luftë e përshkruar në Iliadë nuk është ajo që ne besojmë edhe që kemi mësuar deri tani nëpër librat shkollore dhe universitare për disa arsye të zhvilluara në tezën time. Sipas arkeologëve, në vendin e qytetit antik të Trojës gjenden disa shtresa, më të rëndësishmet prej tyre janë ato të fundit : TROJA VI (-1750-1300), VII a, (-1300-1180), VIII (-950-85), IX (-85 deri më sot). Ajo që ka të bëjë me Luftën (hipotetike) të Trojës sipas arkeologëve të bazuar nga Eratostenes do të zinte shtresën VII a. Por llogaritja e Eratostenes dhe e arkeologëve janë vetëm llogaritje hipotetike pa asnjë bazë historike apo shkencore. Prandaj, ne nuk kemi asnjë shkrim historik që na jep një datë të saktë dhe të gjitha llogaritjet e arkeologëve “modern” devijojnë dhe rrotullohen rreth asaj të astronomit, matematikanit dhe gjeografit helen Eratostenes (- 276-194) që nuk është veçse një llogaritje probabiliteti që nuk ka bazë shkencore. Prandaj GJITHÇKA sillet rreth datës (të gabuar) të Eratostenit (-1193-1194). Por në nivelin historik nuk gjejmë asnjë gjurmë nga Helenëve në këtë interval kohor sepse fillimet e vërteta të shfaqjes së pushtuesve helenë ndodhen pas shekullit – 800 para erës sonë (që përshtatet me shtresën VIII të arkeologëve). Aq më tepër që pas datës së dhënë nga Eratosthenes ka pasur një periudhë të heshtur prej “katër shekujsh të ashtuquajtur “të errët” (-1200-800)” ku nuk kemi asnjë gjurmë që verteton ekzistencës të Helenëve. Këta të fundit, gjatë pushtimit të Trojës së lashtë (në fund të

sh. të VIII), e quajtën atë qytet antik : “Ilion” dhe në të njëjtën kohë e quajtën « Iliadë

» (nga “Ilion” !) poemën epik të “lashtë” i titulluar “Zemërimi i Akilit” nga autorët e lashtë. Kjo periudhë e “Ilionit” është “shtresa e tetë” e arkeologëve : data e pushtimit Helen (-700-680) të Azisë së Vogël perëndimore. Ata transpozuan një luftë të lashtë trojane, të rrëfyer në poemin Iliadë, në luftën e tyre të pushtimit të Azisë së Vogël perëndimore, atë të « Ilionit » (helen).

Pas të gjitha këtyre ngjarjeve që u shfaqën pas shekullit të 8-të pes : « si » dhe « pse » autorët moderne e kanë ngritur gabimisht shfaqjen dhe ekzistencën të Heleneve shumë herët në shkallën e moshëve të kaluar : 2000/2500 vite pes !! Kjo Histori false e pushtuësve Helen është më i madhi mashtrim historik i Humanitetit.

PS : « Emri Ilir » nuk u zhduk, por vetëm ai i “Pellazgëve” me ardhjen e pushtuesve helen të cilët kanë bërë gjithçka për të mos lënë asnjë gjurmë nga Pellazgëvesi dhe…emri i tyre. Disa Pellazgë u integruan dhe u asimiluan në këtë hapësirë të re e krijuar nga pushtuesit helen, por për t’i shpëtuar këtij pushtimi dhe asimilimi shumica e Pellazgëve u nisën në veri të Greqisë për t’u bashkuar me fiset e tjera pellazge…pjesa tjetër u assimilua (JONËT, Pitagora, Aristoteli, etj… ishin pellazg të “helenizuar”). Rrjedhimisht, pak nga pak me zhdukjen e “emrit” të Pellazgëve, të gjitha këto fise të veriut të Greqisë, duke përfshirë edhe Pellazgët që ikën nga Greqia, u quajtën “POPUJ TË LIRË” duke nënkuptuar “jo të nënshtruar Helenëve” pushtuesit e rinj të Pellazgjisë. Të gjitha këto fise pellazge ishin të shpërndara në të gjithë veriun e Greqisë si dhe në gjthë pjesën tjetër të juglindjës të Evropës dhe u grupuan në principata ose mbretëri të vogla që merrnin « emrin e fiseve » që u nënshtroheshin princave ose mbretërve që secili kishte emrin e vet : « Teuta mbretëresha e Ardianëve », « Genti mbret i Labeatëve » por asnjëherë Teuta mbretëreshë ilire apo e Ilirëve apo Genti mbret ilir apo i Ilirëve : kjo vlen edhe për Enkeletë, Taulantët, Dassaretët, etj. Ky emërtim « i lirë » u kthye në « etnonim ». Ky popull pellazg “kurrë” nuk e quajti veten “Ilirë” (por « i lirë »), ishin “të huajt” që i quajtën kështu ! Helenët, pastaj Romakët, e përhapën këtë emër në të gjithë Evropën deri me sot. Kur ata ishin vetëm një popull « i lirë » dmth jo i nënshtruar por të quajtur me emrin e tyre të veçantë (pellazg) : popull « i lirë, jo i nënshtruar », siç e kemi vërejtur…dhe jo një etnonim i vërtetë sepse ishte një dhe i njejti popull !

Gazeta-Nacional.com

Filed Under: Kronike

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 36
  • 37
  • 38
  • 39
  • 40
  • …
  • 595
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • DIAMANT HYSENAJ HAP FUSHATËN PËR KONGRESIN AMERIKAN – FJALA E MBAJTUR PARA KOMUNITETIT SHQIPTARO-AMERIKAN
  • Nga Besa në New York: Shoqata Besi organizoi një mbrëmje të veçantë për Festën e Flamurit
  • Në 90 vjetorin e lindjes së poetit Faslli Haliti
  • Dilemat e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare në Kosovë
  • Nga Shkodra në Bejrut…
  • Faik Konica, fryma e pavdekshme e një atdhetari dhe dijetari shqiptar
  • Abetaret e para të shkrimit të shqipes, fillesa të letërsisë shqipe për fëmijë
  • Valon Nikçi, një shqiptar pjesë e ekipit të Kongresistit George Latimer në sektorin e Task-Forcës për Punësimin dhe Ekonominë
  • Dega e Vatrës në Boston shpalli kryesinë
  • VATRA NDEROI KRYETARIN E KOMUNËS SË PRISHTINËS Z. PËRPARIM RAMA
  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT