• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

BETEJA E TAMARËS

January 15, 2024 by s p

Instituti i Studimeve Historike “Lumo Skendo”/

Beteja e Tamarës, 14 janar 1945, është një nga luftrat më të përgjakshme të Luftës civile në Shqipëri.

Batalioni i Parë i Brigadës I Sulmuese marshoi drejt grykës së Hotit për të dalë në Rapsh dhe prej andej, përgjatë luginës së Cemit, për në Tamarë. Një batalion i armatosur dhe i sprovuar në përpjekje, kryesisht me partizanë jugorë që nuk e njihnin terrenin, madje nuk e dinin saktësisht se kundër kujt luftonin. E dinin që luftonin kundër armiqve, ndonëse në Kelmend nuk kishte të tillë.

Malsorët e Kelmendit mundoheshin të kuptonin se çka lypte ushtria nacionalçlirimtare në këto shkrepa. Përse i rrezikonte partizanët e thjeshtë, por edhe malësorët e këtyre maleve? Përse duheshin të vriteshin si armiq?

Në afërsi të Urës së Tamarës, forcat e Brigadës I S hasën me Mark Gjeloshin e Rahovicës, që dha kushtrimin. Gjëmuan mitralozët e partizanëve drejt tij dhe krisën pushkët e malësorëve. Shungulloi lugina e Cemit dhe jehona e saj u përhap në gjithë Kelmendin.

Në raportin e shtabit të Divizionit II S drejtuar Shtabit të Korparmatës III, jepet kështu beteja e Tamarës, e cila nisi në orën 6.00 të mëngjesit të datës 14 janar 1945:

“Njëkohësisht me kompaninë e parë të Batalionit I të Brigadës I, vihen në lëvizje edhe dy kompanitë e tjera të batalionit, të cilat (nga Broja) marshojnë me shpejtësi për të zënë pikën me rëndësi: Urën e Tamarës, që ishte e vetmja rrugë tërheqjeje. Rreth orës 6 të mëngjesit, ndërsa këto forca drejtohen për atje, pararoja ndeshet me rojat armike. Në këtë mënyrë hapet zjarri, i cili për së shpejti bëhet i përgjithshëm… Reaksionarët, duke përfituar sidomos nga njohja e terrenit, i cili ishte i panjohur prej forcave tona, gjithë gryka e shkëmbinj, sulmojnë e kundërsulmojnë për të mbajtur pozitat dhe për t’u marrë krahët forcave tona, për t’i rrethuar ato në mes të dy grykave. Lufta vazhdon e paprerë, që prej orës 6 të mëngjesit e deri në ora 4 të pasdites me sulme e kundërsulme nga të dyja anët. Rreth orës 2, forcat e batalionit ndodhen të rrethuara, sepse armiku mundi t’u zinte të vetmen rrugë të tërheqjes, që ishte ajo e ardhjes. Qysh në goditjen e parë, forcat tona kanë pasur të vrarët e parë dhe të plagosurit. Duke e ndier veten të rrethuar dhe duke mos pasur mundësi për të hyrë brenda në katund, shtabi i batalionit – komandanti dhe zv.komisari, mbasi njoftojnë dhe nënkomandantin,vendosin tërheqjen në drejtim të Triepshit, katund jugosllav matanë lumit të Tamarës. Ndërsa fillojnë tërheqjen, plagoset rëndë komandanti i batalionit, Vullneti, i cili në pamundësi tërheqjeje, mbetet aty dhe zihet rob nga reaksionarët. Megjithëse i plagosur rëndë, siç tregon një partizan tjetër i zënë rob bashkë me të e që më pas mundi të largohej, Vullneti qëndroi shumë mirë përpara kërcënimeve dhe provokimeve të reaksionarëve, duke i përbuzur ata dhe duke u përgjigjur me krenarinë që e karakterizonte gjithë jetën e tij partizane. Në orën 3, fillojnë tërheqjen, duke kaluar lumin e Tamarës në drejtim të katundit Triepsh dhe duke iu ngjitur me vështirësi malit me dëborë. Në orën 4, shkëpusin kontaktin me armikun. Pjesa më e madhe e batalionit, arriti në ora 12 e natës në katund, e lodhur, e raskapitur dhe me humbje të ndjeshme, që në atë minutë, dukeshin më të mëdha se ç’ishin. Humbjet e batalionit në atë përpjekje kanë qenë: 14 të vrarë, 19 të plagosur, 2 të humbur dhe 2 dezertorë.

Të vrarët janë:

1. Fejzi Bolena (Vullneti) komandanti i batalionit.

2. Aliko Zagolli, nënkomandant kompanie.

3. Qani Shemedini, skuadërkomandant.

4. Ziqiri Hasani

5. Mevlan Gjyshi partizan

6. Ali Seiti partizan

7. Afez Guzi partizan

8. Numan Beshiri partizan

9. Zeqir Biçaku partizan

10.Tahir Suli partizan

11. Ahmet Hajdini partizan

12. Feti Ferhati partizan

13. Islam Çaushi partizan

14. Refat Banushi partizan

Prej këtyre, Numan Beshiri ka vdekur nga të ftohtit në dëborë.

Të plagosurit, në përgjithësi, kanë qenë të plagosur lehtë dhe pjesa më e madhe e tyre doli nga rrethimi, ndërsa pjesa tjetër u zu rob. Mbasi i çarmatosën dhe u morën kapotat e këpucët, i lanë të lirë dhe janë kthyer. Të humburit janë Rexhep Ramadani dhe Iljaz Jupi. Ata që kanë dezertuar vullnetarisht janë Sabri Daja nga Tirana dhe Tahir Kurani nga Dibra. Përveç këtyre, mbetën të rrethuar dhe të zënë robër edhe 14 partizanë të tjerë, të cilët, mbasi i çarmatosën dhe i zhveshën, i lanë të lirë. Batalioni, mbasi ndenji një ditë në Triepsh, pse ishte shumë i lodhur, në mëngjesin e datës 16 janar niset për në Tuz, ku mbërrin në darkë dhe prej andej merr lidhje me forcat e tjera të Brigadës”. (Arkivi i FA, Fondi Korp.III, dosja 18, v.1945)

Kur lexon këtë raport të shtabit të Divizionit II për betejën e Tamarës, në radhë të parë ndjen keqardhje për jetët e humbura të dhjetëra partizanëve, që u vranë atje, se ata shqiptarë dhe bij nënash ishin, por u përdorën si mish për top nga krerët komunistë në luftën për pushtet dhe u bënë viktima të një lufte civile mes shqiptarësh, që s’e kishin përjetuar kurrë malësorët e këtyre anëve, të cilët kishin luftuar nëpër shekuj e brez pas brezi kundër pushtuesve të huaj, por jo kundër vetvetes, si këtë herë.

Po ashtu, në këtë betejë, që vazhdoi 10 orë pa ndërprerje, me sulme dhe kundërsulme të ashpra, u vranë e u plagosën edhe disa luftëtarë të Kelmendit, natyrisht më pak sesa partizanë, sepse ata e njihnin terrenin dhe kishin zënë shtigjet. Ranë në këtë betejë Rrok Pretashi, Lucë Gjon Uci, Ndue Zef Nikolla dhe Kolë Mark Deda, që të katër prej Vukli. Edhe këta viktima të luftës së çmendur civile, të provokuar e të drejtuar nga krerët komunistë shqiptarë dhe të mbështetur nga jugosllavët.

Sipas relacioneve të komandave të ushtrisë NÇ, Prek Cali dhe bajraktarët e Kelmendit u prinë malësorëve në betejën e Tamarës. Ishte një mbrojtje gjithëpërfshirëse e krejt popullit të Kelmendit e më gjerë. E pranon vetë komandanti i Shtabit të Përgjithshëm, Enver Hoxha, në urdhër-operacionin e tij, ku ndër të tjera, thotë: “Prek Cali ka mundur të grumbullojë një forcë prej 300 vetësh të armatosur në Kelmend dhe kohët e fundit ka marrë kurajon të goditë një pjesë të forcave të Brigadës së Parë në Vermosh, duke na shkaktuar humbje. Në luftimet kundër nesh ka marrë pjesë edhe popullsia e atij rrethi”.( Arkivi i FA, f.Korp.III, d.1 viti 1945)

Në kulmin e dimrit, të dëborës e të acarit, 150 burra nga Vukli me Kolë Gjon Bajraktarin në krye dhe nga Nikçi me Tom Doshin në krye, mbërritën të parët, ndër ta edhe bashkëkombas nga Hoti dhe Plava e Gucia, që në raportet e shtabeve të ushtrisë qeveritare quhen “çetnikë”! Pasdite mbërritën edhe Brojasit, që u vunë përkrah tyre. Më pas ia behën edhe forca të tjera të krahinave përreth. Po ashtu, mbështetën dhe tamarasit. U bënë gjithsej 400 vetë. Kështu, shpërtheu lufta mbrojtëse e Tamarës, e panjohur në historinë e shkruar, e ruajtur vetëm në dokumente arkivorë të pavjelë dhe në kujtesën e Kelmendit, në rrëfimet e ish luftëtarëve e të dëshmitarëve, disa prej të cilëve janë ende gjallë.

At Zef Pllumi, rrëfen: “Komandanti Shefqet Peçi i nisi batalionet partizane më 13 janar 1945 për me shtrue Kelmendin. Kaluen Leqet e Hotit, kaluen Grabomin e, kur mbërrinë në Tamarë, aty Kelmendi u tha: ndalni! Krisi pushka nga të gjitha anët. Partizanët kishin mbetë në kurth. Malësorët kishin mundësi me i zhdukë të gjithë, por u treguen fisnikë. Menduen se qenë vllazën shqipëtarë, prandej nuk duheshin shue. Atyne, mendojshin kelmendasit, u duhej qitë ndër mend se vllaznit nuk i danin punët me luftë, por me të marrun vesht. Prandej, mbasi u dhanë nji mësim, gjatë të cilit mbetën të vramë e rob gjysa e bataljonit, i lanë me u tërhekë. Kur u err, disa prej partizanëve kaluen në Mal të Zi, që ishte afër, të tjerët u kthyhen mbrapa. Kelmendi nuk mund të merrej. Ishte një shprehje e vjetër : “Lufton vendi e jo Kelmendi”. Por, në të vëtrtetë, kësaj here luftonte Kelmendi e vendi”.

Kjo betejë e përgjakshme përbën kulmin e luftimeve të fazës së parë të operacionit ushtarak. Dëbora u skuq nga gjaku i dhjetëra të vrarëve nga të dyja anët.

Lufta frontale vazhdoi në të dy krahët e lumit Cem, që edhe ai u përskuq nga gjaku i shqiptarëve, të cilët tashmë luftonin kundër njëri-tjetrit.

Beteja e Tamarës ishte një luftë civile frontale me shumë viktima. Nuk mund të thuhej më që “luftohej kundër forcave gjermano-balliste apo gjermano-zogiste”, , sepse gjermanët ishin larguar qysh në nëntor 1944 nga Shqipëria . Nuk mund të thuhej, gjithashtu, që luftohej kundër disa bandave “reaksionare”. Ishte një sulm i ushtrisë kundër Veriut shqiptar, që ndeshi në kundërshtimin e qartë dhe të hapur me armë të popullsisë së atjeshme. E pranojnë këtë fakt gjithë raportet e komandave të ushtrisë, e pranonte edhe Enver Hoxha, kur thoshte: “Në luftën kundër nesh ka marrë pjesë edhe popullsia e atij rrethi”.

Në këtë luftë u angazhuan krejt burrat e katundit Vukël. Ndikimi i bajraktarëve Lucë Gjoni e Mark Gjeloshi dhe pjesëmarrja e tyre në luftë, i ngriti të gjithë më këmbë, ashtu si dikur kur mësynte shkjau.

“Baba im, Lucë Gjoni, ka qenë në mbledhjen e Brojës, – dëshmon në gjyq Ndue Luca nga Vukli. – Populli ishte mbledhun mbi kushtrimin që u asht ba për me shkue në Tamarë, të primë prej Kolë Gjonit, axha im. Organizatorët e luftës së Tamarës, duhet ta dinë të parët e popullit, janë Prek Cali, Kolë Gjoni e të tjerë”.

Ndue Gjon Rapuka nga Vukli, pjesëmarrës në luftën e Tamarës, deponon në gjyq: “Kushtrimi na u dha prej Mark Gjeloshit nga Nikçi dhe Ndue Gjon Smajlit prej Broje. Me këtë kushtrim thërriteshin gjithë bajraqet për me shkue në luftë kundër partizanëve në Tamarë. Partizanët e kishin shkaktue çeljen e luftës”.

“Tek ura e Tamarës na ka mbajtë fjalë Gjekë Marashi dhe na ka thanë se do të luftojmë kundra partizanëvë se janë të pafe”- dëshmon luftëtari nga Vukli, Fran Dosh Preka, që kishte marrë pjesë në atë betejë.

Ndërsa kryengritësi, që u plagos në betejën e Tamarës, Dedë Gjelosh Lula, nga Vukli, dëshmon në procesin gjyqësor: “Mbas kushtrimit të dhanun për me shkue në luftën e Tamarës kundër partizanëve, edhe unë, sikurse gjithë të tjerët, mora pjesë në luftë. Vendi ku u ba lufta ishte i hapët. Aty pranë meje kam pasë 20 shokë prej Vukli, nga këta: Kolë Gjoni, Fran Doshi, Zef Gjoni, Kolë Marku, Llesh Kolë Palushi e të tjerë. Kolë Gjoni na prini në luftë. Unë u plagosa dhe ngela. Më tërhoqën shokët dhe nuk e pashë mbarimin e luftës. Nuk kam vrarë asnjë partizan dhe nuk di gja për partizanët e kapun. Nga katundi jonë kemi zbritë në Tamarë ndonja njëzet vetë”.

Zef Gjon Rapuka, nga Vukli, thotë: “Neve na ka pri përpara për në Tamarë Kolë Gjoni dhe Dedë Gjoni dhe ata kanë luftue më përpara nga të gjithë”.

Po ashtu edhe nga katundi Nikç, pjesëmarrja e burrave ishte e madhe, me përjashtim të atyre që ishin me bagëti në bjeshkë. Nga Nikçi kanë qenë në luftën e Tamarës: Gjelosh Toma, Dedë Lulash Smajli, Fran Zef Pëllumbi, Prel Tom Gjergji, Kolë Prek Pëllumbi, Gjergj Mark Luca, Mark Toma e të tjerë.

Kolë Preka, nga Nikçi thotë: “Tom Doshi ka qenë i pari i Nikçit që dha kushtrimin për të shkue në Tamarë. Në këtë luftë, që zgjati gati dy javë, unë kam luftue veç tri ditë, me qenë se e kisha gjën’e gjallë vetëm në shtëpi dhe u tërhoqa”.

Filed Under: Kronike

#SiSot, më 10 janar 1920, u vra gazetari i dytë në historinë e shtetit shqiptar, Sali Nivica

January 10, 2024 by s p

Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave/

Angazhimi i tij parësor u shpreh në radhët e Komisisë Letrare, në drejtim të lëvrimit të gjuhës shqipe. Ishte një ndër themeluesit e Komitetit “Mbrojtja Kombëtare e Kosovës”. Aty bashkëpunoi me veprimtarë të spikatur, si: Kadri Prishtina, Hasan Prishtina, Bajram Curri, Kel Marubi, Sotir Peçi, Elez Isuf Ndreu, Gjergj Fishta, Ndre Mjeda, Vinçenc Prenushi etj.

Si anëtar i Kryesisë së Komitetit, vuri në gatishmëri gazetën e tij “Populli” për të artikuluar përpjekjet dhe aspiratat e kombit shqiptar. Nivica u vra në Shkodër në moshën 30-vjeçare. Viktimë kishte rënë edhe pararendësi i tii në krye të gazetës “Populli”, Mustafa Qulli.

Bashkëlidhur, një foto ku paraqitet Nivica në prani të Sotir Martinit dhe të një grupi miqsh. Po ashtu, një përshkrim mbi veprimtarinë e Nivicës nga fletorja “Populli”.

#ArkivatFrymëzojnë

#ArkivatKujtojnë

#SaliNivica

#AQSH

Filed Under: Kronike

Ta ndezim edhe ma shumë shkëndijën e dashurisë për gjuhën tonë te çdo i ri shqiptarë në Kroaci 

January 9, 2024 by s p

Intervistë me znjsh.Gentiana Lleshdedaj, kryetare e Shoqatës Kulturore Shqiptare “Shkëndija” në Zagreb të Kroacisë.

Intervistoi: Dashnim HEBIBI, Zagreb

“Kam pasur fatin të njoftohem me ish studentë, që i kemi ftuar në Zagreb për 60 vjetorin e shoqatës dhe kam biseduar me shumë prej tyre, që ishin edhe kryetarë më parë për kujtimet dhe mundimet e tyre që i kanë kaluar para shumë viteve. Kjo ka qenë njëkohësisht frymëzim për punën time, por edhe më kanë bërë shumë mirënjohëse dhe i përulem gjithë atyreve, që kanë vepruar në kohërat më të vështira për të mundësuar, që unë sot së bashku me miq e mikeshat e mia, që ta kemi në shumë aspekte punën më të lehtë“, na tha ndër të tjera, zonjusha, Lleshdedaj.

Veprimtaria e mërgatës sonë për të mirën e atdheut nuk mundet të matet me asnjë mjet. Veprimtaria e tyre ishte e shenjtë, shumë shpirtërore për të mirën e tokave shqiptare. Atdhetarët e gjeneratave të para, me shumë mundi e ruajtën e punuan për brezin e ri, që nëse do të vijnë në diasporë, ta kanë imazhin e mirë. Nuk është thënë kot, mos e shiko vetëm për veten, por shiko e bënë vendin edhe për të tjerët. Çdo mërgimtarë ishte ambasador i atdheut. Kosova nuk e kishte të vështirë nëpër shtete të ndryshme të evropës dhe botës për të vazhduar bashkëpunimin me shtetin pritës përmes ambasadorëve, duke ju falënderuar mërgimtarëve, atyreve që sakrifikuan gjithçka për atdhe, por edhe në anën tjetër, duke punuar e ruajtur imazhin e shqiptarit. Gjeneratë pas gjenerate, po vijnë edhe gjeneratat e reja, ose ajo e katërta me radhë. Ti kthehemi kësaj here, një tempulli të aktiviteteve të shqiptarëve, Shoqatës Kulturore „Shkëndija“ të Zagrebit, ndër më të vjetrat në evropë. Shoqatë që rreth vetes kishte emra e emra të shumtë veprimtarësh. Që kanë rujtur në ditët më të vështira bërthamën e shqipes dhe sot, po shihen edhe rrezet e sukseseve tek gjenerata e re. Hiq më larg, se në dhjetorin e vitit që sapo e kemi lënë, kremtoi 60 vjetorin e themelimit. Mjafton të përmendet datëlindja e saj dhe pastaj të kujtojmë historinë e punës së madhe kombëtare që e kanë dhënë, atdhetarët brenda asaj sofre. Tani, kanë ardhur gjeneratat e reja, veprimtarët e dëshmuar, ose gjenerata e parë dhe e dyta, po i jep hapësirë gjeneratave më të reja, që ata të marrin timonin e aktiviteteve, por pa u larguar as ata nga ajo sofër, sepse një jetë të tërë e kanë pasur rreth Shkëndijës. Të shkruash, e të shkruar, për veprimtarinë e Shkëndijës është pak, por besojmë shumë, se në një të ardhme, do të kemi edhe monografinë si pasaportë të veprimtarisë dhe do të ruhet në çdo familje, sepse është bërë një punë e madhe. Është për tu përshëndetur kryesitë e kaluara të shoqatës, që gjithmonë kanë pasur rreth vetes, atdhetarë të rinjë, që një ditë, ti dorëzojnë punën. Ashtu edhe ndodhi, tani kemi një kryetare të gjeneratës së re e rritur dhe e shkolluar në Kroaci, zonjusha Gentiana Lleshdedaj. Njihet thuajse nga të gjithë, sepse ishte afër Shkëndijes që moti edhe me aktivietete të ndryshme që ka dhënë ajo, si valltare e moderatore. Përkrahje mori nga kryesia e kaluar dhe nga brezi i ri, që së bashku ta drejtojnë Shkëndijën dhe të ketë shkëndi për jetë. E tani është më e lehtë, sepse kemi Kroacinë shtet, kemi Kroacinë mike të përbetuar dhe mundësitë janë më të lehta për të vepruar. Nga Shkëndija, përveç se kam pasur fjalë miradie, jam i nderuar edhe me mirënjohje-falënderim për kontributin tim modes. Por, ajo mirënjohje-falënderim, më ka obliguar, që të angazhohem edhe më shumë, që të jem pranë veprimtarisë së Shkëndijës, edhe pse, ka kohë, që jam larguar nga gazetaria aktive për tu drejtuar e realizuar projekte të tjera të një fryme tjetër. E pamundur, t`i iki përcjelljes e ndihmës së mërgatës sonë edhe përmes shkrimeve të mia modeste, të shkruara, ashtu me lehtësi, për ta kuptuar lexuesi im, sidomos ai i mërgimit. Se cilat janë planet e kryesisë së re të Shkëndijës për vitin e ri që sapo e filluam dhe për një të ardhme, do të mësojmë, nga intervista ekskluzive, ose më mirë me thënë e para për median shqiptare, nga zonjusha, Gentiana. 

Përshëndetje zonjusha Lleshdedaj. Fillimisht, ju urojmë vitin e ri 2024 dhe njëherit, urime edhe për detyrën që iu ka besuar, kryetare e Shoqatës Kulturore „Shkëndija“ në Zagreb. Sigurisht, se është intervista e parë e këtij viti. Na thoni, cili është urimi juaj për anëtarët e Shkëndijes, mërgimtarët në Kroaci dhe shqiptarët në përgjithësi?

Përshëndetje edhe për ju. Është nder dhe kënaqësi që me keni ftuar për intervistë dhe ju faleminderit që më keni dhënë mua edhe shoqatës Shkëndija këtë mundësi. Ju uroj juve edhe familjes tuaj më të mirat e botës për këtë vit dhe për çdo vit që vjen, poashtu edhe anëtareve të Shkëndijës, mërgimtareve në Kroaci ju uroj lumturi, shëndet dhe begati në familjet e tyre. 

Jeni anëtare e „Shkëndijës“, që moti. Si e pritët, ku ju besua vota, që të jeni e para e Shoqatës Kulturore „Shkëndija“ në Zagreb e cila ka 60 vjet veprimtari?

Po, jam anëtare e Shkëndijës gati për 10 vite dhe anëtaresimi im ka qenë thjesht nga dashuria ime për vallëzim, sepse kam ëndërruar të jem pjesë e ndonjë ansambli dhe këtu e kam plotësur këtë dëshirë, gjërat pozitive që kanë ardhur pastaj kanë qenë të pa planifikurara. Fakti, që kolegët dhe miqt e mi në shoqat më kanë dhënë besimin dhe kanë vendos me qenë pikërisht unë ajo që do jetë e para e shoqatës më të vjetër në Kroaci është për mua nder i madh dhe një përgjegjësi për të cilën shpresoj, se do jem mbartës dinjitoz, sepse ketë e meriton Shkëndija. Shpresoj poashtu, që do të sjell një shkëlqim dhe një frymë të re përmbi bazën që është e vendosur nga shumë e shumë anëtare e kryetarë para meje.

Sa anëtarë i ka „Shkëndija“?

Shkëndija për momentin ka më shumë se 50 anëtarë dhe jemi në rritje të këtij numri për fat të mirë.

Keni kremtuar 60 vjetorin e „Shkëndijës“. Cilat janë planet për një të ardhme?

Plani për të ardhmen është, përveç projekteve që i kemi të suksesshme çdo vit, ringjallja e sekcioneve të muzikës, vallëzimit dhe këndimit, sepse kemi të rinjë që kanë shprehur dëshirë për angazhim dhe kjo më bënë jashtë mase të lumtur. Gjithashtu, plani im është bashkëpunimi me shoqatat tjera në Kroaci.

Bashkëpunimi juaj me institucionet kroate?

Bashkëpunimi kryesor është me Këshillin për Pakicat Kombëtare i cili ndër vite ka ndihmur Shkëndijën për projekte dhe vazdhojmë të kemi komunikim të shëndetshëm me ta dhe shpresoj, që do t`i përforcojmë edhe me institucionet tjera në të ardhmen.

Po, cili është bashkëpunimi me shoqatat tjera apo organizatat shqiptare që veprojnë në Zagreb e më gjerë?

Deri tani mbështëtesi më i madh i Shkëndijes ka qenë dhe vazhdon të jet Unioni i Shqiptarëve në Kroaci më të cilin kemi organizuar edhe festën për kremtimin e 60 vjetorit, por edhe çdo vit bashkëpunojmë për organizimin e ditëve të rinisë shqiptare, festat e pavarësisë dhe manifestime të tjera. Kemi marrëdhënie shumë të mira edhe me shoqatat tjera po edhe me Këshillat e shqiptarëve në gjithë Kroacinë.

Ku mendoni, se do të duhej të angazhoheni më shumë?

Mendoj, që fokusi im primar do të jetë të rinia dhe angazhimi në folklor si dhe mundësimi i shfrytëzimit të talentit dhe punës të profesorëve më të mirë të muzikës dhe vallëzimit për ata që kanë vullnet dhe dëshirë për tu bërë pjesë e Shkëndijës. 

Bashkëpunimi juaj me veprimtarët, që ishin në Shkëndi, qoftë në Kroaci apo edhe me ata që janë larg Kroacisë?

Veprimtarët që ishin në shoqatën Shkëndija dhe jetojnë dhe veprojnë akoma në Kroaci vazhdojnë të jenë aktiv dhe e vlerësoj seciln prej tyre që ka ofruar të jetë pjesë e projekteve. Për ata jashtë shtetit, përveç juve z. Dashnim, që ju kemi këtu për çdo gjë gjatë gjithë këtyre vite, dua ta ceki edhe z. Xhavit Hoxha i cili është në Ljubljanë të Sllovenisë, edhe pse nuk e kemi këtu gjithmonë, ka qenë i gatshëm për të marrur pjesë në çdo projekt që kemi bërë dhe fjalët nuk mjaftojnë për t’ju falendëruar. 

Sigurisht, se keni bashkëbiseduar me veprimtarët e ditëve të para të Shkëndijes në manifestimin e madh, që e keni pasur në dhjetor në Zagreb me rastin e 60 vjetorit. Kujtoni, se cila ishte dëshira e tyre për të ardhmen  e Shkëndijës?

Kam pasur fatin të njoftohem me ish studentët që i kemi ftuar në Zagreb për 60 vjetorin e shoqatës, dhe kam biseduar me shumë prej tyre që ishin edhe kryetarë më parë për kujtimet dhe mundimet e tyre që i kanë kaluar para shumë vitesh. Kjo ka qenë njëkohësisht frymëzim për punën time, por edhe më kanë bërë shumë mirënjohëse dhe i përulem gjithë atyreve, që kanë vepruar në kohërat më të vështira për të mundësuar, që unë sot mund ta kem në shumë aspekte punën më të lehtë. Faleminderit jo vetëm nga Shkëndija dhe nga unë por edhe nga çdo shqiptar të komunitetit tonë në Kroaci sepse nuk e di sa janë njërëzit të vetëdijshëm, se sa vlen për ta pasur një shoqatë si Shkëndija në komunitet. Çdo njeri me të cilin kam folur, më ka folur me respekte dhe e kam ndjerë nga ata, që kanë pritshmëri të mëdhaja për angazhimin e të rinjëve por edhe më kanë transmetuar shumë energji pozitive si një nxitje për vazdhim të punës.

Shkëndija nuk është e kufizuar vetëm në Zagreb, por në gjithë Kroacinë. Çka presni nga veprimtarët që jetojnë e veprojnë në Kroaci?

Veprimtarët në Kroaci më të vërtet më kanë shprehur përkrahje nga Istra deri në Osijek dhe Dalmaci. Kam pasur shumë mesazhe dhe telefonata me urime dhe me shprehje të dëshirës që përmes Shkëndijës ta zhvillojmë një ansambël të fuqishëm dhe të kemi më në fund pas shumë vitesh përfaqsusesit me valle shqiptare në vendin ku jetojmë.

Bashkëpunimi juaj me ambasadat shqiptare ate të Shqipërisë dhe Kosovës si dhe me ambasadorin aktual të Republikës së Maqedonisë Veriore?

Me të gjitha ambasadat kemi pasur dhe kemi bashkëpunim shumë të mira ndër vite dhe i ftojmë dhe presim me kënaqësi në të gjitha manifestimet tona. Afërsia me ambasadat është shumë e mirë dhe padyshim, se edhe në të ardhmen, janë të mirëseardhur dhe i mirëpresim edhe për ide, sugjerime, por edhe për t`na ndihmuar.

E dini, sa studentë shqiptarë janë në Universitetin e Zagrebit?

Nuk e dijmë numrin e sakt, por është një ndër planet jo vetëm të Shkëndijës, por në përgjithësi të shqiptarëve në Zagreb, sepse është në interesin e komunitetit tonë të marrim informacion të sakt për studenta por edhe për numrin e nxënësve shqiptar nëpër shkollatt në Zagreb. Do të punojmë në këtë drejtim. Dyert e Shkëndijës janë të hapura për të gjithë. Ishte, është dhe do të jetë, shtëpi e gjithë shqiptarëve, prandaj na duhet, që të angazhohemi të gjithë, që të punojmë edhe ma shumë, për të mbajtur të gjallë frymën tonë kombëtare dhe miqësinë shpirtërore me shtetin kroat.

Pse do të duhej, që rinia shqiptare ti bashkohet Shkëndijës?

Duhet ti bashkohet rinia sepse, duke u nisur nga eksperienca ime, këtu kam mësuar përveç koreografive të ndryshme dhe shumë për muzikën shqiptare, për historinë, për këngëtarët dhe artistët të ndryshëm që shqiptaria i ka pas edhe që i ka akoma. Poashtu, është një mundësi për ta mësuar më mirë gjuhën shqipe sepse shumë prej tyre janë lindur në Kroaci dhe kjo mundësi përmes artit dhe shoqërisë është mënyra më e mirë. Ata janë e ardhmja jonë dhe ata do e vazhdojnë punën e kësaj shoqate. Detyra që ja kam dhënë vetit është ta ndezi shkëndijën e dashurisë dhe respektit për, gjuhën, traditat tona dhe kulturën tonë në çdo anëtarë, që shpreh interes për tu aktivizuar dhe për gjithë brezin e ri që po rritet në Kroaci.

Mesazhi juaj drejtuar gjithë veprimtarëve që jetojnë e veprojnë në Zagreb dhe gjithë Kroacinë?

Puna për të mirën e komunitetit është e palodhshme. Shumë herë nuk është e vlerësuar sa duhet, por dua t`ju thëm, që puna e secilit vlen më shumë që mendoni në qoftë se bëhet nga mirësia e shpirtit dhe dashuria për atdheun, kulturën dhe gjuhën. Kur mendoni, që keni bërë pak, besoni kur të ndaleni dhe shikoni pas vetit pas një kohe do t`i shihni rezultatet në gjeneratat që vijnë pas. Gjithë jemi hallkë e një zinxhiri dhe së bashku jemi të pandalshëm.

Ju falënderoj shumë për kohën dhe besoj shumë, se do të kemi bashkëpunim dhe do të keni përkrahjen tonë, ashtu siç e keni pasur edhe më herët ndër vite.

Nderi është plotësisht i imi, faleminderit që më keni ftuar në ketë intervistë dhe që jeni mbështetës i Shkëndijës për shumë vite dhe vazhdoni të jeni me të njejtin pasion. Pres me padurim, që të shoh, se çka sjell e ardhmja jonë, sepse jam e bindur, që na presin gjërat e bukura. Shkëndija është e të gjithë shqiptarëve, pavarësisht se nga cila trevë e shqiptarisë vjen. Fati jonë është i madh, që jetojmë në Kroaci, në këtë shtet të zemrës e shpirtit për të gjithë shqiptarët dhe më duhet ripërmendur, se Kroacia është dhe do të mbetet, atdheu i dytë për shqiptarët. Këtë e kemi treguar edhe gjatë luftës, lirisë e pavarësisë së shtetit kroat edhe me dhënie të jetës, por edhe shumë skarifica të tjera. Neve na duhet si komunitet të punojmë më shumë, sidomos për brezin e ri. Ta ruajmë gjuhën tonë të bukur shqipe e traditat tona. Të parët tanë kanë punuar shumë me ato mundësi që kanë pasur, tani është në dorën tonë, që të jemi edhe më të bashkuar, të kemi projekte dhe të jemi ata që e meritojmë. Si popull jemi paqësorë dhe bëmirës. Gjenerata e re që po rritet në Kroaci është shembull i mirë, ashtu siç ishin gjeneratat e para në Zagreb e gjithë Kroacinë. Me dekada e dekada, Kroacia ka pasur dyert e hapura për ne shqiptarët, që siç dihet në Shkëndi kemi pasur, kemi e do të kemi intelektual, bëmirës, veprimtarë, sportistë, artistë të gjithë nga shoqëria jonë, që të ecim përpara. Urime ky vit i ri për të gjithë lexuesit tuaj, mërgatën në Kroaci dhe gjithë shqiptarët kudo që janë. Ejani në Shkëndi të rinjë e të reja, ju mirëpresim të vallëzojmë, flasim e këndojmë shqip. 

Intervistoi: Dashnim HEBIBI, Zagreb

Filed Under: Kronike

Papa Françesku bën thirrje kundër dhunës ndaj grave 

January 5, 2024 by s p

Nga Mimoza Dajçi/


Papa Françesku që së fundi u shfaq me një plis të bardhë me shqiponjën dy krenare, foli më 1 Janar 2024 nga Selia e Shenjtë për parandalimin e dhunës ndaj grave. Kjo thirrje vjen si këmbanë alarmi për cilindo që ngre dorë mbi gruan, dhunon apo vret atë. Një arsimtare shqiptare sëbashku me dy fëmijët e saj u gjetën të vrarë në banesën e tyre nga bashkëshorti e babai i fëmijëve në New York. Ngjarje tronditëse që po ndodhin mbarë botës edhe në shumë familje shqiptare. Dhuna në familje është shqetësim global dhe raste të tilla janë bërë virale në rrjetet sociale, kur një i dënuar tre herë për dhunë në familje godet gjykatësen në Amerikë.

Në takimet me miket tona pyesim pse vritet një grua?

Dihet se femrat janë seksi më i dobët, si shqiptare duke u ndalur tek femrat shqiptare, ato janë inteligjente, të bukura, sakrifikojnë shumë për fëmijët e familjen. Meshkujt shqiptarë apo të huaj që dhunojnë apo vrasin një grua, një bashkëshorte shqiptare e ndjejnë veten inferiorë ndaj tyre dhe përdorin forcën e shpatullave duke ushtruar dhunë apo duke i marrë jetën asaj dhe fëmijëve të tyre. Përjashtuar sigurisht ata djem e burra që janë korrekt me veten dhe familjen e tyre. Inferioriteti bën këdo të izolohet e përgjithësisht tipa të tillë nuk janë të shoqërueshëm, bëhen paranojak. Duke u prirur nga pasiguria kanë komplekse dhe reflektojnë negativitet ndaj personit tjetër. Femicidi brenda tyre është më i lartë se i vetë femrës me të cilën ata bashkëjetojnë. Krenaria dhe karakteri jo nënshtrues i femrës i bën ata lloj meshkujsh më agresiv e posesiv duke kaluar në arrogancë, dhunë e krim. 

Duke folur në meshën e përvitshme në Vatikan Papa Françesku tha se nënshtrimi që mund t’i bëhet një gruaje është një nënshtrim për gjithë njerëzimin. Ndërsa duke vlerësur gratë tha se ato janë dhuruese dhe ndërmjetëse të paqes. Një burrë që ushtron dhunë ndaj një gruaje është shprehur Papa përfshihet në diçka që është pothuajse “satanike”. Në një takim që kemi patur me Senatoren Ruth Hasell Thompson në New York tha se, kur dhunë shikojmë në familje edhe midis dy fëmijëve të vegjël duhet t’i veçojmë menjëherë nga njeri tjetri, aq më tepër dhunën mes një çifti që agravohet detyrimisht ata duhet të ndahen për mos patur drama më të rënda.

Por kemi dhe femra që “dashurohen me dhunuesin”, dashuria për mashkullin kriminel i verbon sytë i rrëmben zemrën, si rrjedhojë femra kthehet në viktimë të tij. Rritet njësh me dhunuesin ajo dhe fëmijët e tyre. Në këtë rast tek to ndodh “Sindroma e Stokholmit” shpëlarja e trurit. Një e keqtrajtuar në vend që të urrejë dhe dënojë kriminelin dhe aktin e tij kriminal, i cli ka ushtruar dhunë psiqike dhe fizike e simpatizon dhe e dashuron atë. Gjendje psikologjike kjo që përfshin lidhjen dhe ndjenjat pozitive të viktimës kundrejt kriminelit. Dikush që preket nga kjo sindromë mund të ketë ndjenja konfuze ndaj dhunuesit si dashuri, simpati, empati dhe dëshirë për t’i mbrojtur ata. Por jo çdo kush përjeton këtë sindromë, ka raste që disa persona reagojnë në këtë mënyrë në situata ekstreme për mbijetesë.

Sipas disa autorëve sindroma e stokholmit shfaqet në rrethana të ndryshme, ka raste kur një person kërcënon se do të vrasë një person tjetër, dhe duket vërtetë se është në gjendje ta bëjë këtë. Përsëri ndjesë për ata djem, ata burra që janë dhe e ndjejnë veten jashtë këtyre kategorive, por këto mendojmë janë disa arsye që shpjegojnë vrasjen ndaj nje gruaje, por ka ende shkaqe të tjera ndoshta të panjohura akoma. 

Në Shqipëri sot janë ngritur “Strehëza” për gratë e dhunuara e fëmijët e tyre. Që ato të jenë në funksion të kësaj pjese të shoqërisë e mos braktisen prej tyre, duhet kërkesë llogarie dhe të punohet me standartet e kohës. Pasi në një emision investigativ kemi parë punonjëset e një strehëze të tillë duke i thënë grave të dhunuara, nëse duan të rrinë le të rrinë, përndryshe u tregojnë derën….dhe në mungesë të ushqimit për bebet e vogla i thonë t’i ushqejnë me ujë dhe sheqer…Shpresojmë që këto probleme të jenë adresuar e mos të përsëriten më.

Filed Under: Kronike

“Ipeshkvia Shkup – Prizren nëpër shekuj”

January 3, 2024 by s p

Prof.Skënder Asani/

Vepra kapitale e don Gaspër Gjinit “Ipeshkvia Shkup – Prizren nëpër shekuj”, tani vjen nën siglën e ITShKSh-së në Shkup, si një nga studimet më serioze për të kaluarën e lashtë të trojeve tona etnike.

Shkupi dhe Prizreni, edhe si qendra qytetërimi, edhe si qendra fetare kulturore, kanë qenë të njohura qysh herët dhe kanë vazhduar, me lëkundje, nëpër shekuj, për të mbërritur edhe në ditët tona. Për këtë arsye kjo vepër është sa historia e Ipeshkvisë Shkup – Prizren nëpër shekuj, po aq dhe historia e Dardanisë, e Kosovës dhe e disa viseve të Evropës Juglin­dore.

Ky studim në të vërtetë është teza e doktoratës së autorit Gjini, hartuar në latinisht dhe mbrojtur në Universitetin Papnor Urbaniana të Romës më 1968.

Vepra pati disa botime dhe ribotime në shqip dhe gjuhë të huaja, kryesisht nën kujdesin e shtëpisë botuese “DRITA” – Prishtinë, drejtuar nga miku ynë don Fatmir Koliqi, të cilin e falënderojmë pa masë për të drejtat autoriale që këtë vepër të ribotohet në Shkupin dardan.

Siç dihet, libri fillimisht ishte përkthyer prej kroatishtes nga Mirie Rushani, por ky ribotim i Institutit tonë vjen më i plotë, më i kuptueshëm dhe më i saktë, falë angazhimit të palodhshëm profesional – redaktorial të prof. dr. Anton Nikë Berishës, të cilit i shprehim mirënjohjet tona të thella.

Kjo vepër e veçant në fakt është edhe pjesë e projektit tonë shkencor-hulumtues mbi trevat lindore shqiptare, ku Ipeshkvia Shkup-Prizren ishte një kronikë e gjallë e argumentimit të autoktonisë dhe vazhdimësisë iliro-dardane-shqiptare në këto troje. Vet gjeografia dhe historia e kësaj Ipeshkvie është harta kulturore e shpirtërore e e piqendra e Dardanisë së dikurshme ku Shkupi jo vetëm ishte selia, por edhe porta e rëndësishme që lidhte civilizimet e lindjes dhe perëndimit.

Botimin e kësaj vepre e shoqëron pa dyshim entuziasmi shkencor për të vazhduar ribërjen e historisë mbi standardet që ngre ky botim i veçantë, kurse Instituti ynë do të vazhdojë përpjekjet titanike për ta rikonfiguruar trajtimin e të kaluarës sipas një dipotrie krejt objektive e të liruar nga ndikimet politike e idelogjike.

Filed Under: Kronike

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 44
  • 45
  • 46
  • 47
  • 48
  • …
  • 595
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit
  • Shqipëria u bë pjesë e Lidhjes së Kombeve (17 dhjetor 1920)
  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT