• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Fondacioni Jahjaga mbrëmë lansoi edicionin e tetë të Revistës ZA dhe përmbylli një vit tejet të suksesshëm

December 13, 2023 by s p

Atifete Jahjaga/

Ky edicion trajtoj rrëfimet e grave nga fusha e Ekonomisë, si shtylla kryesore e zhvillimit të vendit. Kemi vendosur këtë temë meqë besojmë shumë se fuqizimi i grave dhe zhvillimi ekonomik lidhen shumë ngushtë me njëra tjetrën. Andaj, në këtë numër kemi gra nga sektori i financave dhe bankës, udhëheqëse të bizneseve të gastronomisë, udhëheqëse të kompanisë së riciklimit të vajit, prodhimit të çajrave bio, e kompanisë për energji të ripërtrishme e shumë storie tjera rrënqethëse. Rrëfime të cilat na bëjnë të besojmë se çdo sfidë njëmend na bënë më të fortë, e në rastin e grave dhe burrave që ishin në këtë edicion, edhe të suksesshëm.

Falënderoj secilin personazh që na besuan të ndajnë storien e tyre për lexuesit e revistës ZA.

Përveç ZA-së Fondacioni Jahjaga mbrëmë në mesin e shumë miqve, bashkëpunëtorëve, përkrahësve e familjarëve festoi edhe për shumë suksese tjera, për të cilat falënderoj stafin e mrekullueshëm të Fondacioni Jahjaga, vajzat të cilat janë motori i vërtetë i një pune fantastike.

Fotot mbesin kujtim i pashlyeshëm në memorien e secilit nga ne, për kapjen e momenteve fantastike falenderoj fotografin Ekrem Krasniqi. Për muzikën e atmosferen e mrekullueshme falenderoj Albina Kelmendin me familje të cilët me zërin e tyre i dhanë jetë festës sonë. Ndërsa miqtë, përkrahësit, familjarët e gjithë të pranishmit që festuan me ne, faleminderit që jeni pjesë e rrugëtimit tonë.

Gëzuar për më shumë punë, për më shumë suksese e më shumë arsye për të festuar vitin tjetër.

Filed Under: Kronike

RRETH JETËS E AKTIVITETIT TË ARSIMTARIT E PATRIOTIT JOVAN DIMITRESKU

December 9, 2023 by s p

Prof.Dr. Roland Gjini/

Në plejadën e intelektualëve dhe figurave të shquara të qytetit të Elbasanit nuk mund të mos veçosh Jovan Dimitreskun, ndër të parët njerëz të shkolluar të këtij qyteti. Ashtu si për shumicën e intelektualëve shqiptarë, edhe për Jovanin diktatura komuniste nuk përdori vetëm harresën dhe mënjanimin, por edhe ndëshkimin dhe denigrimin. 

Jovan Dimitresku, është lindur në 15 tetor 1886 në Elbasan. Familja e tij ishte banore e hershme e lagjes Shënkoll, të populluar kryesisht nga banorë me prejardhje arumune, siç ishte edhe origjina e familjes Dimitresku. Stërgjyshi i Jovanit, Papa Dhimitri, ka qenë prift në kishën e lagjes Shënkoll. I jati, Jorgji, i përkiste një familjeje të mesme zanatçinjsh, siç ishin edhe shumica e familjeve të kësaj lagjeje.

Që herët në këtë lagje të Elbasanit ishte hapur një shkollë fillore në gjuhët greke e rumune. Këtu Jovan Dimitresku mori mësimet e para. Në vitin 1898 Jovani mbaron shkollën fillore me rezultate të shkëlqyera. Etja e tij për dije tërhoqi vëmendjen e shqiptarëve të Rumanisë, të cilët u interesuan që ai të vazhdojë më tej studimet. Si rrjedhojë, autoritetet zyrtare të Vilajetit të Manastirit i japin një bursë për të ndjekur studimet në Shkollën Perandorake të Gallata-Sarajt në Stamboll. Edhe këtu Jovani i përfundoi studimet me rezultate të shkëlqyera.

Në vitin 1911 kthehet në atdhe, në qytetin e tij të lindjes. Po këtë vit filloi të punojë si mësues i frëngjishtes dhe i historisë në gjimnazin turk të Elbasanit. Ndërkohë, që në vitin 1908 në këtë qytet është dhënë leja nga Porta e Lartë për hapjen e shkollës në gjuhën shqipe, Jovani, i arsimuar dhe i mbrujtur nga ndjenjat atdhetare, në vitin 1913 drejton shkollën Qëndrore Shqipe të qytetit, pikërisht atë që ishte shkolla e parë e hapur zyrtarisht.

Përkushtimin e tij atdhetar ai e tregoi që në vitin 1912. Në 25 Nëntor të këtij viti ishte një ndër patriotët elbasanas që mori pjesë në aktin e ngritjes së flamurit të Pavarësisë në këtë qytet. Shpallja e Pavarësisë dhe rruga e re e nisur për krijimin e konsolidimin e shtetit shtetit shqiptar, nuk mund të linte pa përdorur kapacitetin intelektual dhe aftësitë e Jovan Dimitreskut. Ishte njohës i gjuhëve frëngjisht, turqisht, italisht, rumanisht, anglisht, greqisht, serbisht, persisht. Ishte i dhënë pas dijes, i përkushtuar pas atdheut, por edhe i apasionuar pas sportit. Ai, që kur ishte student në Stamboll, merrte pjesë në skuadrën e futbollit të Gallata-Sarajt. “Një rol për përhapjen e futbollit në Elbasan luajti patrioti elbasanas Jovan Dimitresku, i cili sapo kishte mbaruar studimet në Stamboll. Ai solli me vete dy topa futbolli, një pompë dhe mastikë. Nën drejtimin e tij u formua një skuadër e përbërë nga mësues e të rinj që stërviteshin dy herë në javë”. Pra, Jovani është i pari që futi lojën e futbollit në qytetin e Elbasanit, që ngriti një skuadër dhe drejtonte stërvitjet që në vitin 1913. Për këtë kanë dëshmuar edhe mësuesi i shquar dhe drejtuesi i shoqërisë artistike “Afërdita”, Ahmet Gashi si dhe Qamil Cela dhe Besim Qorri. Stërvitjet dhe lojërat zhvilloheshin dy herë në javë në fushat “Balashja e Beut” dhe “Cairja e Stringës” buzë Shkumbinit.

Aftësitë intelektuale të Jovan Dimitreskut nuk u përdorën vetëm në fushën e arsimit dhe të sportit. Si njeri me dije e kulturë të gjerë ai kontribuoi edhe në administratën shtetërore, në prefektura, bashki dhe në Tiranë. Ja kronologjia e detyrave dhe funksioneve të rëndësishme që kreu Jovani:

1918-1925, kryesekretar i Prefekturës së Elbasanit.

1925-1926, prefekt në qytetin e Gjirokastrës.

1927-1928, shef i Kabinetit të Posaçëm pranë Këshillit Ministruer të Republikës së Shqipërisë.

1929-1932, jeton familjarisht në ShBA.

!932-1935, pas kthimit në Shqipëri vendoset në Elbasan, në qytetin e lindjes.

1935-1938, kryetar bashkie në qytetin e Sarandës.

1938-1939, nënprefekt në Libohovë.

1939-1940, nëpunës në administratën shtetërore të Peqinit.

1940-1942, nëpunës në Ministrinë e Ekonomisë në Tiranë.

Pas vitit 1942 Jovan Dimitresku nuk angazhohet më në ndonjë punë apo detyrë shtetërore. Ndër arësyet kryesore të kësaj tërheqjeje është urrejtja e tij ndaj pushtuesit fashist si dhe mungesa e dëshirës për të punuar qoftë si nëpunës i thjeshtë në administratën shtetërore të varur nga pushtuesi.

Çlirimi i vendit e gjeti në Tiranë, në moshën 58 vjeç, megjithatë ende me dëshira e energji për të punuar. Por rregjimi komunist që erdhi në fuqi pas çlirimit, në vend që t’i jepte vendin e duhur dhe të përdorte në dobi të popullit aftësitë dhe intelektin e Jovanit, përkundrazi, e cilësoi atë armik vetëm e vetëm se ai kishte qenë nëpunës i lartë i administratës së Zogut.

Nuk mjaftoi vetëm shpërfillja dhe denigrimi që iu bë. Në vitin 1946 dëbohet nga Tirana me gjithë familjen e tij, me pesë fëmijë, më e madhja 16 vjeç e më i vogli 8 vjeç. Vendoset në Elbasan. Këtu shpresoi se do të gjente punë e përkrahje për të rritur fëmijët. Por veç ngrohtësisë së njerëzve të thjeshtë të lagjes e të qytetit, nuk gjeti përkrahje tjetër. Pushteti lokal e sulmoi më tej. E mobilizuan me dhunë të bëjë punë të detyruar tepër të rënda për moshën e tij të plakur. Ka punuar në hapje kanalesh e në ndërtim hekurudhe. Vështirësitë për rritjen e fëmijëve iu shtuan sepse e lanë pa triska fronti, madje edhe pa triska buke.

Mes sakrificave, ndonëse ai plakej, fëmijët u rritën. Ai vdiq në moshën 75 vjeçare më 11 shkurt të vitit 1961. U varros me nderime e respekt jo vetëm nga lagja por edhe nga populli i ndershëm i Elbasanit. Diktatura e harroi dhe e persekutoi, por jo ata që e njihnin dhe ia dinin meritat.

* Të dhënat biografike janë marrë nga shënime të pjesëtarëve të familjes të Jovan Dimitreskut.

Filed Under: Kronike

U mbajt takimi i parë zyrtar i hapur i Institutit për Hulumtimin dhe Dokumentimin e Krimeve të kryera gjatë luftës në Kosovë

December 8, 2023 by s p

Ditën e sotme u mbajt takimi i parë zyrtar i hapur i Institutit për Hulumtimin dhe Dokumentimin e Krimeve të Kryera Gjatë Luftës në Kosovë.

‘’Pas një rruge të gjatë për të krijuar një themel të fortë, jam fort i lumtur t’iu uroj mirëseardhje në takimin e parë zyrtar të hapur të Institutit për Hulumtimin dhe Dokumentimin e Krimeve të Kryera Gjatë Luftës në Kosovë.” u shpreh kryeministri Kurti gjatë fjalës së tij.

“Duhet të sigurohemi që të bëjmë më të mirën që mundemi që të adresojmë gjithë atë sa ka ndodhur gjatë luftës së fundit në Kosovë. Kemi më shumë se 13.000 persona të vrarë gjatë luftës së fundit, mijëra persona të përdhunuar, mijëra të torturuar e të burgosur.” shtoi ai.

Ai theksoi se Instituti për herë të parë në historinë e pasluftës parasheh divizion të veçantë për dëmin e shkaktuar material e jo material dhe për nevojat e viktimave.

Në përmbyllje të fjalës së tij, kryeministri fuqizoi mesazhin se qëllimi i të gjithë neve është i përbashkët: krijimi i kujtesës kolektive, e cila nuk do të na shërbejë vetëm neve, por edhe gjithë gjeneratave të ardhshme që do të vijnë pas nesh.

“Historia është e mbushur me mësime të dhimbshme, por mbase pjesa më e rëndësishme për t’u mbajtur në mend është që paqja kërkon drejtësi por edhe rehabilitim. Në Kosovë nuk ka ndodhë asnjëra, e viktimat e luftës i meritojnë që të dyja.” tha kryeministri.

Me këtë rast Drejtori i Institutit për Hulumtimin dhe Dokumentimin e Krimeve të Kryera Gjatë Luftës, Atdhe Hetemi, u shpreh se Instituti simbolizon një hap të rëndësishëm në mbështetjen dhe përpjekjen e tij për njohje dhe promovim të së vërtetës, për krijimin e parakushteve për paqe të qëndrueshme në Kosovë dhe rajon.

Synimi kryesor është bashkëpunimi i ngushtë me të gjithë ata që kanë interes në dokumentimin, hulumtimin dhe zgjerimin e njohurive rreth krimeve të kryera gjatë luftës, ku veçoi se Instituti do të punojë në shërbim të paqes dhe drejtësisë, e do të sigurohet që krimet të cilat kanë ndodhur në Kosovë, të mos kalohen pa u dokumentuar, si detyrë e institutit ndaj viktimave dhe shoqërisë.

Filed Under: Kronike

Testamenti i një njeriu të urtë të politikës shqiptare

December 6, 2023 by s p

Dr. Dorian Koçi/

Kemi pasur nevojë gjithmonë për njerëzit e urtë, për njerëzit që kanë mbledhur një eksperiencë të madhe në jetë dhe mund të na e përcjellin neve sa herë që kemi në nevojë në kohën dhe vendin e duhur. Mungesa e tyre për shkak të ndryshimeve drastike që kanë ndodhur në jetën politike shqiptare ka qenë fatale. Kjo gjë ka rënë më tepër në sy në kohën e ndryshimeve të mëdha, të ndryshimeve të sistemeve ku nxitimit dhe ideologjisë së shpërbërjes është dashur që ti kundërvihet maturia dhe ideologjia e gjithëpërfshirjes. I urtë natyrisht nuk do të thotë që të jesh gjithmonë i matur dhe ngadaltë por ashtu si me të drejtë e ka përjetuar populli në mbiemrin që i ka bashkangjitur fjalëve kur vërtetë ato duhen të tingëllojnë të mençura, nënkuptojnë dhe iniciojnë veprime të mençme për kohën dhe epokën. Një i tillë p.sh ka qenë personazhi poetik i poemës “Histori e Skënderbeut” të Naimit, Kamani që në kulm të dilemës së Arbrit për të kundërshtuar apo jo pushtimin otoman, zgjedh luftën. Natyrisht, që Kamani prezanton dhe kredon e Naimit si poet e rilindës por në jetën tonë të përditshme ne s’kemi pasur nevojë që të kemi vetëm personazhe letrarë të urtë pasi mes nesh kanë gjalluar njerëz të tillë që na kanë inspiruar të gjithëve.

Para pak ditësh u nda nga jeta politikani dhe shkrimtari Sabri Godo, një plak i urtë dhe i mençëm i jetës publike shqiptare që me veprën dhe fjalën e vet kontribuoi aq shumë në ndërtimin e dialogut politik në vend, hartimin e ligjeve dhe mbarëvajtjen e një politike të jashtme dinjitoze në rajon. Por si është zakoni në politikën shqiptare menjëherë pas vdekjes nuk ngurruan që të vinin komentet pozitive duke vënë në dukje më të drejtë meritat e këtij personazhi të rëndësishëm të tranzicionit të vështirë shqiptar dhe asnjëherë nuk u pyet sesa u vlerësua dhe iu dha rëndësi sa ishte në jetë. Po të ishte gjallë i urti Godo, me humorin që e karakterizonte do të thoshte se nëse Dr Adhamulli i komedisë “Pas vdekjes” të A.Z.Çajupit e shijoi për së gjalli nekrologjinë e tij, Godo s’mundi të dëgjonte një të tillë dinjitoze dhe kur vdiq. Kjo mos arritje për të bërë një nekrologji të plotë të Godos por dhe jo vetëm atij, nuk besoj se vjen nga dëshira e keqe për ti përçmuar këta figura por në fakt nxjerr në dukje një problem të madh të shoqërsië shqiptar, atë të mungesës së theksuar të kulturës politike në vend. Për të gjithë ata që mund të besojnë se politikani dhe shkrimtari Sabri Godo ishte një nga partizanët e shumtë që zbritën nga mali në 1945 dhe duke u arsimuar dhe edukuar në kohë u bë ai personalitet që ne kishim, mund të zhgënjehen lehtë. Sabri Godo ishte nip i tre figurave të shquara të historisë së Shqipërisë, të persekutuar dhe vrarë në dy regjime të ndryshme. Ethem dhe Ismet Toto, i pari ministër i brendshëm në qeverinë liberale të Mehdi Frashërit në 1936 dhe i dyti një nga intelektualët më të shquar të kohës, biografi i parë i monografisë së Ataturkut në shqip ishin nga organizatorët e kryengritjes së Delvinës më 1937, një lëvizje që kërkonte modernizimin e mëtejshëm të regjimit në Shqipëri dhe të nxirrte në pension një klasë politike që vazhdonte të vozitej sa në kujtimet e ëmbla të orientalizmit dhe sa në korrupsionin nepotike të kohës. Të dy pësuan një fat tragjik, i pari vrau veten pas dështimit të kryengritjes kurse i dyti u var publikisht. Vëllai tjetër Selaudin Toto, deputet i opozitës në parlamentin e dalë nga zgjedhjet e dhjetorit 1945 u arrestua dhe u pushkatua barbarisht nga regjimi komunist si “agjent i borgjezisë dhe i kapitali të huaj”. Me këtë trashëgimi politike, Sabri Godo do të fillonte jetën e tij politike si partizan i përhershëm i republikanizmit, një ëndrre që ai i mbeti besnik deri në fund të jetës. Zhgënjimet e mëdha që ai dhe shumë të tjerë do të pësonin pas triumfit të luftës antifashiste me instalimin e diktaturës komuniste nuk do t’i mpaknin shpirtin dhe revoltën djaloshit të ri progonatas të lindur në Delvinë.

Ashtu si gjithë talentet e mëdha që kufizimi i lirisë nuk i lejonte që të shpreheshin për atë që ndodhte në Shqipëri iu kthye historisë dhe nëpërmjet saj i dha mesazhet që dëshironte popullit dhe kombit të vet. Në kohën kur Safet Butka, një nacionalist atdhetar shqiptar i vetëvrarë tragjikisht për t’iu shmangur vëllavrasjes përqeshej dhe vihej në lojë nga propaganda komuniste, Sabri Godo botoi romanin “Plaku i Butkës”, kushtuar babait të Safetit duke dashur t’i tregojë lexuesve se familje dhe c tradita patriotike përfaqësonin Butkajt që regjimi i konsideronte kundërshtarë. Kur vendi ishte i mbushur me terror dhe pushteti komunist rivendoste marrëdhëniet diplomatike me Greqinë më 1971 duke “shitur” për interes të njohjes së vet diplomatike çështjen çame, Sabri Godo botonte romanin historik “Ali Pasha Tepelena” si për tu treguar kombit se ku përfundojnë miqësitë e pamenduara mirë me fqinjët dhe se ku përfundon çdo udhëheqës që ushton një pushtet të pakufizueshëm. Kur vendi ishte i tronditur pas spastrimeve të viteve 70’, Sabri Godo boton romanin historik “Skënderbeun’ për të treguar të gjithë shqiptarëve se heroi i tyre i vërtetë nuk është diktatori, por Skënderbeu heroi kombëtar dhe mbrojtësi i Evropës. Me këtë pasuri shpirtërore të madhe që ai kish falur kombit të vet do të hynte në kapërcellin e viteve 90’ kur sërish si për të përmbushur detyrën deri në fund drejt atdheut do të themelonte së bashku me Petro Markon , një shok të hershëm të dajove të tij martirë, Partinë Republikane duke luajtur një rol të rëndësishëm në konsolidimin e demokracisë liberale në Shqipëri. I qetë dhe përherë i matur, politikani Godo do të hidhte gjithmonë ujë zjarrit të politikës së pamatur shqiptare si në 1992, 1997,1998, 2002 apo dhe në 2011.

Për më tepër do të luante një rol përherë prej qëndrestari përsa i përket politikës së shtetit shqiptar në rajon duke kontribuar sa mundte në stabilitetin e situatës në Maqedoni, zbulimin dhe prerjen e orekseve të qarqeve shoviniste greke të sëmura nga nacionalizmi primitiv i shekullit të XIX apo qartësimit dhe përforcimit të pavarësisë së Kosovës. Në gjithë këtë rrugëtim idealist të tij, ashtu si romanin autobiografik “Udhëtari” ai s’kërkoi asnjëherë që ti imponohej jetës politike të vendit me poste por kërkoi në mënyrë të vazhdueshme që shqiptarët të bëheshin qytetarë të mirëfilltë që respektojnë rregullat e demokracisë dhe shtetin ligjor. Një dëshirë dhe vullnet që ai e shprehu në hartimin e Kushtetutës së vitit 1998, dokumentit themeltar të shtetit si për të mbyllur kontributin e vet ndaj kombit me një gjest kaq fisnik që të kujton ligjvënësit e lashtë të demokracisë antike greke. Mesa duket , ky ishte dhe testamenti i fundit i tij politik, ndaj nëse vërtetë duhet ta respektojmë të urtin Godo në radhë të parë duhet të respektojmë kushtetutën e vendit dhe të heqim dorë nga ndërhyrjet e pavenda sa herë që nuk përmbushen me rezultatet zgjedhore dhe dëshirën për pushtet të pakufizuar. Në fakt , kjo mbetet dhe sfida e radhës e respektit tonë ndaj tij por dhe konsilidimit të kulturës politike, një dëshire të kahershme të politikanit, shkrimtarit dhe republikanit, Sabri Godo.

Filed Under: Kronike

Vatra Tampa Bay festoi në mënyrë madhështore festën e Flamurit Kombëtar

December 5, 2023 by s p

Luan Kalana

Publicist shqiptaro-amerikan./

Vatra Tampa Bay organizoi koncert festiv madhështor familjar në Clearwater Florida me rastin e festës së Flamurit Kombëtar dhe 111 vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë. Një festë madhështore me pjesëmarrjen e këngëtarëve: e madhja Aurela Gaçe, vëllezërit korçarë Endri dhe Stefi dhe Armanda. Festa e Flamurit Kombëtar u shoqërua nga një atmosferë festive emocianale e paparë e papërshkrueshme, me pjesëmarrjen e rreth një mijë persona në tavolina me banket. Kjo festë entuziazmoi mbarë komunitetin shqiptar ndër më të mëdhenjtë në Florida. Duhen faqe të tëra për ta përshkruar këtë spektal muzikor, me këngë e valle nga të gjitha trevat shqiptare. Festa e Flamurit bashkoi të gjithë shqiptarët në një festë kombëtare si “dasem” shqiptare e madhe ku motra e vellezer shqiptarë ishin më të gëzuar me të bashkuar si kurrë ndonjëherë. Superdiva shqiptare Aurela Gace e ndezi sallen, e cila buçiste nga zëri i saj kumbues dhe emocianal që nga nisja me himnet e Shqipërisë dhe të USA që u kenduan në këmbë nga të gjithë pjesëmarrësit, të mëdhenj e të vegjël që mbushnin sallën plot e përplot energji patriotike.

Duke vazhduar me këngëtarët korçarë Endri e Stefin dhe kenegetaren e re Armanda, me këngë nga te gjitha trevat shqiptare sidomos Kosovës e Çamërisë. Emocionuese ishte kënga kushtuar heroit legjendar Adem Jasharit, “Mora fjalë” një himn në çdo ambient patriotik. Festa e Flamurit Kombëtar në Tampa Bay ishte një manifestim i shkëlqyer patriotik e komunitar shqiptar me këngë e valle pa pushim deri pas mesanate, me pika kulminante kur këngëtarët u bashkuan me pjesëmarësit në skenë dhe u ulen këmbëkryq si në sofër të gjithë, në sofrën patriotike të kombit tonë.

Nuk kam fjalë ta përshkruaj këtë moment magjik. Falenderoj të organizatorët e Federatës ‘VATRA” në Tampa Bay dhe të sallës së koncertit, me një dekor festiv me ekrane të mëdhenj në podum në skenë dhe anash ku valviteshin flamurët shqiptarë e pamje nga Shqiperia festive. Vatra tregoi dhe një herë se qëndron në krye të veprimtarisë patriotike e komunitare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Në fund pjesëmarësit u ndanë nga këngëtarët mes emocioneve të pa përshkruara, me përqafime dhe me foto-autografe, ndërsa këngëtarja Aureala Gace na dhuroi falas, diskun e saj më të te fundit. Një festë që do ta mbajmë mend gjatë në memorien tonë. Respekte e vlerësime posaçërisht organizatorëve z.Isuf Spahiu, z.Endri Filipi dhe z.Islam Sala. Gëzuar Festa e Flamurit Kombëtar. Rroftë Shqipëria.

Filed Under: Kronike

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 47
  • 48
  • 49
  • 50
  • 51
  • …
  • 596
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Potret kushtuar guximtarit të përndjekur Qemal Agaj
  • Shqipëria Nuk Ka Nevojë të Bëhet Singapor — Ka Nevojë të Bëhet Baltike
  • “PRIJATARËT E LAVDISË” – POEZI NGA VALBONA AHMETI
  • Gjuhën shqipe nuk e humb Norvegjia, e humbim ne në shtëpi
  • Një letër – Dy intelektualë – Tri dekada më vonë
  • Propaganda…
  • 𝐃𝐢𝐩𝐥𝐨𝐦𝐚𝐜𝐢𝐚 𝐞 𝐒𝐞𝐧𝐭𝐢𝐦𝐞𝐧𝐭𝐞𝐯𝐞 𝐌𝐢𝐝𝐢𝐬 𝐊𝐨𝐦𝐛𝐞𝐯𝐞: 𝐑𝐢𝐤𝐭𝐡𝐢𝐦𝐢 𝐢 𝐍𝐣𝐞𝐫𝐞̈𝐳𝐢𝐦𝐢𝐭 𝐧𝐞̈ 𝐧𝐣𝐞̈ 𝐁𝐨𝐭𝐞̈ 𝐊𝐨𝐧𝐟𝐥𝐢𝐤𝐭𝐮𝐚𝐥𝐞
  • LËVIZJA KOMBËTARE – NGA AUTONOMIA TE PAVARËSIA E SHQIPËRISË
  • “VATRA” në Boston ju fton në “Albanian Boston Community Center” më 17 janar 2026
  • NGA NJË KOLONI DE FACTO NË NJË KOLONI DE JURE
  • ADEM DEMAÇI, JO THJESHT FIGURË E REZISTENCËS, POR KATEGORI KONCEPTUALE E SHTETFORMIMIT
  • Roli i gazetës “Arnavud/Shqipëtari” në formimin e vetëdijes kombëtare te shqiptarët përballë politikave turqizuese të xhonturqve
  • Si investonte Serbia në thellimin e përçarjeve ndërmjet udhëheqësve shqiptarë dhe në shkëputjen e tyre nga ndikimi austro-hungarez
  • Marrëdhëniet e Gjergj Kastriotit – Skënderbeut me Republikën e Venedikut sipas dokumenteve të Arkivit Apostolik të Vatikanit, Arkivit të Shtetit të Venedikut dhe burimeve historike botërore
  • “U SHKEPUT NJE METEOR POR ZJARRI MBETET ZJARR…!”

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT