Instituti i Studimeve Historike “Lumo Skendo”/
Beteja e Tamarës, 14 janar 1945, është një nga luftrat më të përgjakshme të Luftës civile në Shqipëri.
Batalioni i Parë i Brigadës I Sulmuese marshoi drejt grykës së Hotit për të dalë në Rapsh dhe prej andej, përgjatë luginës së Cemit, për në Tamarë. Një batalion i armatosur dhe i sprovuar në përpjekje, kryesisht me partizanë jugorë që nuk e njihnin terrenin, madje nuk e dinin saktësisht se kundër kujt luftonin. E dinin që luftonin kundër armiqve, ndonëse në Kelmend nuk kishte të tillë.
Malsorët e Kelmendit mundoheshin të kuptonin se çka lypte ushtria nacionalçlirimtare në këto shkrepa. Përse i rrezikonte partizanët e thjeshtë, por edhe malësorët e këtyre maleve? Përse duheshin të vriteshin si armiq?
Në afërsi të Urës së Tamarës, forcat e Brigadës I S hasën me Mark Gjeloshin e Rahovicës, që dha kushtrimin. Gjëmuan mitralozët e partizanëve drejt tij dhe krisën pushkët e malësorëve. Shungulloi lugina e Cemit dhe jehona e saj u përhap në gjithë Kelmendin.
Në raportin e shtabit të Divizionit II S drejtuar Shtabit të Korparmatës III, jepet kështu beteja e Tamarës, e cila nisi në orën 6.00 të mëngjesit të datës 14 janar 1945:
“Njëkohësisht me kompaninë e parë të Batalionit I të Brigadës I, vihen në lëvizje edhe dy kompanitë e tjera të batalionit, të cilat (nga Broja) marshojnë me shpejtësi për të zënë pikën me rëndësi: Urën e Tamarës, që ishte e vetmja rrugë tërheqjeje. Rreth orës 6 të mëngjesit, ndërsa këto forca drejtohen për atje, pararoja ndeshet me rojat armike. Në këtë mënyrë hapet zjarri, i cili për së shpejti bëhet i përgjithshëm… Reaksionarët, duke përfituar sidomos nga njohja e terrenit, i cili ishte i panjohur prej forcave tona, gjithë gryka e shkëmbinj, sulmojnë e kundërsulmojnë për të mbajtur pozitat dhe për t’u marrë krahët forcave tona, për t’i rrethuar ato në mes të dy grykave. Lufta vazhdon e paprerë, që prej orës 6 të mëngjesit e deri në ora 4 të pasdites me sulme e kundërsulme nga të dyja anët. Rreth orës 2, forcat e batalionit ndodhen të rrethuara, sepse armiku mundi t’u zinte të vetmen rrugë të tërheqjes, që ishte ajo e ardhjes. Qysh në goditjen e parë, forcat tona kanë pasur të vrarët e parë dhe të plagosurit. Duke e ndier veten të rrethuar dhe duke mos pasur mundësi për të hyrë brenda në katund, shtabi i batalionit – komandanti dhe zv.komisari, mbasi njoftojnë dhe nënkomandantin,vendosin tërheqjen në drejtim të Triepshit, katund jugosllav matanë lumit të Tamarës. Ndërsa fillojnë tërheqjen, plagoset rëndë komandanti i batalionit, Vullneti, i cili në pamundësi tërheqjeje, mbetet aty dhe zihet rob nga reaksionarët. Megjithëse i plagosur rëndë, siç tregon një partizan tjetër i zënë rob bashkë me të e që më pas mundi të largohej, Vullneti qëndroi shumë mirë përpara kërcënimeve dhe provokimeve të reaksionarëve, duke i përbuzur ata dhe duke u përgjigjur me krenarinë që e karakterizonte gjithë jetën e tij partizane. Në orën 3, fillojnë tërheqjen, duke kaluar lumin e Tamarës në drejtim të katundit Triepsh dhe duke iu ngjitur me vështirësi malit me dëborë. Në orën 4, shkëpusin kontaktin me armikun. Pjesa më e madhe e batalionit, arriti në ora 12 e natës në katund, e lodhur, e raskapitur dhe me humbje të ndjeshme, që në atë minutë, dukeshin më të mëdha se ç’ishin. Humbjet e batalionit në atë përpjekje kanë qenë: 14 të vrarë, 19 të plagosur, 2 të humbur dhe 2 dezertorë.
Të vrarët janë:
1. Fejzi Bolena (Vullneti) komandanti i batalionit.
2. Aliko Zagolli, nënkomandant kompanie.
3. Qani Shemedini, skuadërkomandant.
4. Ziqiri Hasani
5. Mevlan Gjyshi partizan
6. Ali Seiti partizan
7. Afez Guzi partizan
8. Numan Beshiri partizan
9. Zeqir Biçaku partizan
10.Tahir Suli partizan
11. Ahmet Hajdini partizan
12. Feti Ferhati partizan
13. Islam Çaushi partizan
14. Refat Banushi partizan
Prej këtyre, Numan Beshiri ka vdekur nga të ftohtit në dëborë.
Të plagosurit, në përgjithësi, kanë qenë të plagosur lehtë dhe pjesa më e madhe e tyre doli nga rrethimi, ndërsa pjesa tjetër u zu rob. Mbasi i çarmatosën dhe u morën kapotat e këpucët, i lanë të lirë dhe janë kthyer. Të humburit janë Rexhep Ramadani dhe Iljaz Jupi. Ata që kanë dezertuar vullnetarisht janë Sabri Daja nga Tirana dhe Tahir Kurani nga Dibra. Përveç këtyre, mbetën të rrethuar dhe të zënë robër edhe 14 partizanë të tjerë, të cilët, mbasi i çarmatosën dhe i zhveshën, i lanë të lirë. Batalioni, mbasi ndenji një ditë në Triepsh, pse ishte shumë i lodhur, në mëngjesin e datës 16 janar niset për në Tuz, ku mbërrin në darkë dhe prej andej merr lidhje me forcat e tjera të Brigadës”. (Arkivi i FA, Fondi Korp.III, dosja 18, v.1945)
Kur lexon këtë raport të shtabit të Divizionit II për betejën e Tamarës, në radhë të parë ndjen keqardhje për jetët e humbura të dhjetëra partizanëve, që u vranë atje, se ata shqiptarë dhe bij nënash ishin, por u përdorën si mish për top nga krerët komunistë në luftën për pushtet dhe u bënë viktima të një lufte civile mes shqiptarësh, që s’e kishin përjetuar kurrë malësorët e këtyre anëve, të cilët kishin luftuar nëpër shekuj e brez pas brezi kundër pushtuesve të huaj, por jo kundër vetvetes, si këtë herë.
Po ashtu, në këtë betejë, që vazhdoi 10 orë pa ndërprerje, me sulme dhe kundërsulme të ashpra, u vranë e u plagosën edhe disa luftëtarë të Kelmendit, natyrisht më pak sesa partizanë, sepse ata e njihnin terrenin dhe kishin zënë shtigjet. Ranë në këtë betejë Rrok Pretashi, Lucë Gjon Uci, Ndue Zef Nikolla dhe Kolë Mark Deda, që të katër prej Vukli. Edhe këta viktima të luftës së çmendur civile, të provokuar e të drejtuar nga krerët komunistë shqiptarë dhe të mbështetur nga jugosllavët.
Sipas relacioneve të komandave të ushtrisë NÇ, Prek Cali dhe bajraktarët e Kelmendit u prinë malësorëve në betejën e Tamarës. Ishte një mbrojtje gjithëpërfshirëse e krejt popullit të Kelmendit e më gjerë. E pranon vetë komandanti i Shtabit të Përgjithshëm, Enver Hoxha, në urdhër-operacionin e tij, ku ndër të tjera, thotë: “Prek Cali ka mundur të grumbullojë një forcë prej 300 vetësh të armatosur në Kelmend dhe kohët e fundit ka marrë kurajon të goditë një pjesë të forcave të Brigadës së Parë në Vermosh, duke na shkaktuar humbje. Në luftimet kundër nesh ka marrë pjesë edhe popullsia e atij rrethi”.( Arkivi i FA, f.Korp.III, d.1 viti 1945)
Në kulmin e dimrit, të dëborës e të acarit, 150 burra nga Vukli me Kolë Gjon Bajraktarin në krye dhe nga Nikçi me Tom Doshin në krye, mbërritën të parët, ndër ta edhe bashkëkombas nga Hoti dhe Plava e Gucia, që në raportet e shtabeve të ushtrisë qeveritare quhen “çetnikë”! Pasdite mbërritën edhe Brojasit, që u vunë përkrah tyre. Më pas ia behën edhe forca të tjera të krahinave përreth. Po ashtu, mbështetën dhe tamarasit. U bënë gjithsej 400 vetë. Kështu, shpërtheu lufta mbrojtëse e Tamarës, e panjohur në historinë e shkruar, e ruajtur vetëm në dokumente arkivorë të pavjelë dhe në kujtesën e Kelmendit, në rrëfimet e ish luftëtarëve e të dëshmitarëve, disa prej të cilëve janë ende gjallë.
At Zef Pllumi, rrëfen: “Komandanti Shefqet Peçi i nisi batalionet partizane më 13 janar 1945 për me shtrue Kelmendin. Kaluen Leqet e Hotit, kaluen Grabomin e, kur mbërrinë në Tamarë, aty Kelmendi u tha: ndalni! Krisi pushka nga të gjitha anët. Partizanët kishin mbetë në kurth. Malësorët kishin mundësi me i zhdukë të gjithë, por u treguen fisnikë. Menduen se qenë vllazën shqipëtarë, prandej nuk duheshin shue. Atyne, mendojshin kelmendasit, u duhej qitë ndër mend se vllaznit nuk i danin punët me luftë, por me të marrun vesht. Prandej, mbasi u dhanë nji mësim, gjatë të cilit mbetën të vramë e rob gjysa e bataljonit, i lanë me u tërhekë. Kur u err, disa prej partizanëve kaluen në Mal të Zi, që ishte afër, të tjerët u kthyhen mbrapa. Kelmendi nuk mund të merrej. Ishte një shprehje e vjetër : “Lufton vendi e jo Kelmendi”. Por, në të vëtrtetë, kësaj here luftonte Kelmendi e vendi”.
Kjo betejë e përgjakshme përbën kulmin e luftimeve të fazës së parë të operacionit ushtarak. Dëbora u skuq nga gjaku i dhjetëra të vrarëve nga të dyja anët.
Lufta frontale vazhdoi në të dy krahët e lumit Cem, që edhe ai u përskuq nga gjaku i shqiptarëve, të cilët tashmë luftonin kundër njëri-tjetrit.
Beteja e Tamarës ishte një luftë civile frontale me shumë viktima. Nuk mund të thuhej më që “luftohej kundër forcave gjermano-balliste apo gjermano-zogiste”, , sepse gjermanët ishin larguar qysh në nëntor 1944 nga Shqipëria . Nuk mund të thuhej, gjithashtu, që luftohej kundër disa bandave “reaksionare”. Ishte një sulm i ushtrisë kundër Veriut shqiptar, që ndeshi në kundërshtimin e qartë dhe të hapur me armë të popullsisë së atjeshme. E pranojnë këtë fakt gjithë raportet e komandave të ushtrisë, e pranonte edhe Enver Hoxha, kur thoshte: “Në luftën kundër nesh ka marrë pjesë edhe popullsia e atij rrethi”.
Në këtë luftë u angazhuan krejt burrat e katundit Vukël. Ndikimi i bajraktarëve Lucë Gjoni e Mark Gjeloshi dhe pjesëmarrja e tyre në luftë, i ngriti të gjithë më këmbë, ashtu si dikur kur mësynte shkjau.
“Baba im, Lucë Gjoni, ka qenë në mbledhjen e Brojës, – dëshmon në gjyq Ndue Luca nga Vukli. – Populli ishte mbledhun mbi kushtrimin që u asht ba për me shkue në Tamarë, të primë prej Kolë Gjonit, axha im. Organizatorët e luftës së Tamarës, duhet ta dinë të parët e popullit, janë Prek Cali, Kolë Gjoni e të tjerë”.
Ndue Gjon Rapuka nga Vukli, pjesëmarrës në luftën e Tamarës, deponon në gjyq: “Kushtrimi na u dha prej Mark Gjeloshit nga Nikçi dhe Ndue Gjon Smajlit prej Broje. Me këtë kushtrim thërriteshin gjithë bajraqet për me shkue në luftë kundër partizanëve në Tamarë. Partizanët e kishin shkaktue çeljen e luftës”.
“Tek ura e Tamarës na ka mbajtë fjalë Gjekë Marashi dhe na ka thanë se do të luftojmë kundra partizanëvë se janë të pafe”- dëshmon luftëtari nga Vukli, Fran Dosh Preka, që kishte marrë pjesë në atë betejë.
Ndërsa kryengritësi, që u plagos në betejën e Tamarës, Dedë Gjelosh Lula, nga Vukli, dëshmon në procesin gjyqësor: “Mbas kushtrimit të dhanun për me shkue në luftën e Tamarës kundër partizanëve, edhe unë, sikurse gjithë të tjerët, mora pjesë në luftë. Vendi ku u ba lufta ishte i hapët. Aty pranë meje kam pasë 20 shokë prej Vukli, nga këta: Kolë Gjoni, Fran Doshi, Zef Gjoni, Kolë Marku, Llesh Kolë Palushi e të tjerë. Kolë Gjoni na prini në luftë. Unë u plagosa dhe ngela. Më tërhoqën shokët dhe nuk e pashë mbarimin e luftës. Nuk kam vrarë asnjë partizan dhe nuk di gja për partizanët e kapun. Nga katundi jonë kemi zbritë në Tamarë ndonja njëzet vetë”.
Zef Gjon Rapuka, nga Vukli, thotë: “Neve na ka pri përpara për në Tamarë Kolë Gjoni dhe Dedë Gjoni dhe ata kanë luftue më përpara nga të gjithë”.
Po ashtu edhe nga katundi Nikç, pjesëmarrja e burrave ishte e madhe, me përjashtim të atyre që ishin me bagëti në bjeshkë. Nga Nikçi kanë qenë në luftën e Tamarës: Gjelosh Toma, Dedë Lulash Smajli, Fran Zef Pëllumbi, Prel Tom Gjergji, Kolë Prek Pëllumbi, Gjergj Mark Luca, Mark Toma e të tjerë.
Kolë Preka, nga Nikçi thotë: “Tom Doshi ka qenë i pari i Nikçit që dha kushtrimin për të shkue në Tamarë. Në këtë luftë, që zgjati gati dy javë, unë kam luftue veç tri ditë, me qenë se e kisha gjën’e gjallë vetëm në shtëpi dhe u tërhoqa”.