• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Histori e Shpirtit Shqiptar : studim eseistik

November 10, 2023 by s p

Ndriçim Kulla/

Për mua si autor u desh një punë e jashtëzakonshme studimore e analitike që kjo gjë të bëhej e mundur. Çdo histori, në një parim të përgjithshëm, që të shkruhet mirë dhe shkencërisht, duhet të kalojë nëpër tri faza: në fazën e parë të grumbullimit të të dhënave dhe burimeve, në fazën e dytë të hartimit të monografive për secilin prej burimeve të saj më përfaqësuese, dhe vetëm më pas të hartimit të një historie të përgjithshme ndërburimore, ndër-dimensionale dhe ndër-disiplinore.

“Një histori e shpirtit shqiptar”, ku shpirti, kodi i burimit etnik shqiptar dhe psikika e tij këndvështrohet në raport me letërsinë që ajo prodhoi nga shkrimi i parë shqip deri në epokën e letërsisë së realizmit socialist.

Nëse sprovën mbi poezinë dhe këngët popullore Kadareja e pat quajtur “Autobiografia e popullit tim në vargje”, një histori e poezisë shqiptare, që për një periudhë të gjatë kohe deri në fillimet e shekullit XX, do të përbënte bazën themelore të gjithë letërsisë sonë, mund të konsiderohet edhe si një histori e shpirtit shqiptar të shpalosur përgjatë historisë sonë. Për këtë arsye shinat nëpër të cilat do të shtrohet traseja e sprovave tona do të jetë sa vepra poetike aq edhe mjedisi historik që rrethoi dhe frymëzoi këto vepra. Po edhe në këtë “pasqyrë të veçantë” të shpirtit të kombit, mund të ravijëzonim disa trajektore rrugëtimi ose nëse do ta thonim poetikisht, përderisa një shpirt mund të shihet si një sinfoni zërash, një histori e tillë mund të shoqërizohet si një histori zerash të brendshëm, zërash të ndërgjegjes, të psikikës së kombit, që si një provani, kanë jehuar përbrenda shpirtit, zemrës dhe kreativitetit vetjak, nga autori në autor, për të vërshuar kështu “lumenjtë” e veprave të tyre, nëpërmjet të cilave arriti të krijohej “deti” i gjithë shpirtit të kulturës shqiptare.

Në këtë libër, zëri i përfaqësimit estetik të botës si një parathënie, do të niste me një poet shumë pak të njohur, tangjencial në letrat shqipe, siç është Mikel Maruli, përfaqësuesi i madh i estetizmit arbëror në Rilindjen europiane. Por jehona e tij do të ushtojë fort dhe fuqishëm, për t’u kthyer në një manifest të formimit estik të shpirtit shqiptar tek poeti ynë më i madh lirik, Lasgush Poradeci. Duke filluar nga Budi dhe duke u fuqizuar te Bogdani, shpirti barok arrin të krijojë një zë të fuqishëm në letërsinë tonë, ashtu siç humusi i poezisë popullore do të bëhet toka e pasur ku do ushqehen autorët tanë më përfaqësues të kësaj periudhe që po shqyrtojmë, që nga De Rada deri te Fishta. Shpirti i provanisë do të jetë një zë proverbial në qestën e arbëreshëve, duke i dhënë lartësi të papërsëritshme veprës së De Radës e Zef Skiroit, ashtu si binomi “për atme e fe” do të zenitohej në zërin e mrekullueshëm artistik të De Martinos dhe Fishtës.

Tiranë : Plejad, nëntor 2023.

396 faqe ; format i madh 16 x 23.5 cm.

Filed Under: Kronike

FALIMINDERIT SHENJTËRIA E JUAJ PAPA FRANCESKU!

November 8, 2023 by s p

Besim Ndregjoni/

Kan kaluar vetëm pak ditë nga vizita e një përfaqësie e të Përndjekurve Politikë shqiptar në Vatikan me Shenjtërinë e tij Papa Franceskun. Kjo vizitë historike e përfaqësisë tonë konsakron rëndësinë e të kaluemes tonë tragjike, dhe synon njëkohësisht , përkrahjen e Selisë së Shenjtë ndaj shqiptarve antikomunistë, që përballuan terrorin psikologjik, fizik, të diktaturës enveriste e cila gjatë gjithë sundimit të saj përdori në mënyrë ekstreme ideologjinë staliniste me reprezalje në shkatrimin e jetëve njerzore. Për të sunduar diktatori ma i egër e më kriminel Enver Hoxha përdori ndaj popullit të tij të gjitha aktet kriminale, si pushkatimin me dhe pa gjygj, burgosjen politike, pa njohur asnjë lloj moshe që nga adoleshenca, e deri në moshën madhore mbi 85vjeç. Internimet masive të familjeve veriore, shkatrimin e itenditetit kombëtar me vënjen e yllit bolshevik në flamurin kombëtar, që nga veshjet shqiptare shekullore, e deri tek besimin në Zot. Vëmendja e Atit të shejtë ndaj të mbijetuarve të diktaturës ishte përpjekja e tij në shërbim të shoqërisë shqiptare me ringjall një Shqipëri me Zotin e për njeriun! Sot, Shqipëria ende e pa shërueme nga plagët e murtajës komuniste, ende e trazueme nga mbeturinat helmuese të klasës politike aktuale në jetën e përditshme e në ndërgjegjen e secilit , mban gjallë një të kalueme monsturoze që refuzon me vdekë dhe nuk ka fuqi me ushqye të renë demokratike që duhet të jetoi. Përfaqësia jonë në Vatikan ishin dëshmitarët okular të epokës komuniste, ata ishin shqiponjat e lirisë që në mes plumbave, torturave dhe terrorizmit sadist enverist, ngritën flamurin pa yll në revoltën antikomuniste të Spaçit duke mbrojtur itenditentin kombëtar. Demir Pojani që nuk u e njohti frikën përpara torturave, por u qëndronte si shqiponjë sadistëve të Spaçit, mirditori Xhet Kadeli që me mençurinë e oroshianit deklamonte në at revoltë qëndresën përball xhelatëve, Piktori 88 vjeçar Gëzim Çela që pikturoi në liri, masakrën e burgjeve komuniste, dhe kampet e punës, që kaloi gjatë dhjetra viteve në burgjet politike. Nuri Stepa i urti, e i pamposhturi, dhe një ndër protogonistët e asaj revolte, por që nuk din të mburret vetëm përmend heroizmin e shokëve që u pushkatuan. Vlonjati Qemal Demiri që e kishte të shejtë flamurin e Ismail Bej Vlorës. Pavllo Popa qëndrestari që mbrojti heroin Pal Zefin nga policët kriminel të Spaçit. Lorenc Luka i lindur në internim, e një kontribuues i madh në drejtimin e Bashkisë Shkodër për ngritjen e muzeut të Kujtesës. Si dhe unë, ish i Përndjekur Politikë nga regjimi komunistë, Misionar i ngritjes së Murit të Kujtesës për 6000 të pushkatuarit politikë që ju kan humbur eshtrat, biri i një antifashisti, dhe humanistit që shpëtoi jetë hebrenjsh, dhe u dënuar për motive politike si agjent i anglo-amerikanëve me dhjetra vite burg, nipi i tre të pushkatuarve, dhe dy të mbyturve në hetusi nga torturat çnjerzore. Sëbashku me këtë përfaqësi fisnikësh e qëndrestarësh të mbijetuarve të komunizmit, ishte Kryeipeshkvi Shkodër –Pultit, Imzot Angelo Masafra , arbëreshi patriot, udhëheqësi shpirtnor i besimit katolik, mbrojtsi i zjarrtë i të Drejtave dhe Lirive të Njeriut për ish të përndjekurit politikë gjatë tre dekadave, dhe kleriku që mbrojti godinën e burgut të Spaçit pa u rrënua, kontribuesi i këtij takimi historik! Këta ishin dëshmitarët okular të epokës komuniste në takimin historik me Papa Franceskun. Ne i treguam shenjtërisë së tij vuajtjen e pamerituar dhe forcën e karakterit me i qëndrue besnik vetes, tu përfshi edhe atë të jetës. Ne i përsëritëm Papa Franceskut , se në katastrofën komuniste, ka pasë një element që ka mbajtur nji qëndrim frymëzues për ne e për breznitë e ardhshme. Ky element ka qënë popullsia me besimin katolik dhe udhëheqësit e saj shpirtnor kleri katolik. Dhe emocionet e veçanta ishte kur i dorzova letrën e At Patër Mëshkallës këtij gjikandi fetar e atdhetar, në kohën që diktatura po shembte kisha e xhamia, ai kishte guximin me i shkruar Kryeministrit sadist kriminelit Mehmet Shehu sepse ju komunistët, po e ktheni Shqipërinë, me tre besime fetare shekullore, në një vend atesit në rang botëror. Binomi “Fe e Atdhe”gjatë viteve të diktaturës së kuqe , u tregua një fortesë e pathyeshme, dhe e papërkulshme! Kjo ishte e vërteta që ja përsëritëm Shenjtërisë së tij që Shqipëria ishte një shtet burg ku akuzoheshin pa faj, arrestoheshin pa faj, torturoheshin pa faj, por ata i qëndruan besnik fesë që besonin dhe nuk e harruan asnjëherë “Nanën Shqipëri.” Para skuadrave të pushkatimit ata thirrnin: Rroftë Shqipnia, Rroftë Krishti Mbret, Rroftë Papa. Këta atdhetarë kan ra në heshtjen e përhershme, dhe kan lavdinë e përhershme të një populli me mirënjohje. Martirizimi i klerikëve shqiptarë dhe persekutimi i veçantë i klerikëve e besimtarve katolikë shqiptarë janë fakte që duhen studjuar si manifestime monsturoze të diskreminimit fetar dhe politik në Shqipëri. Shqipëria pret nji përgjigje! Shoqëria shqiptare nuk do të shërohet kurrë pa dal në pah e vërteta. Martirizimi i 35% të shqiptarve duhen studjuar, dhe jo të përdoret propaganda komuniste për të përjetsuar emrin e diktatorit nëper godina shtetnore e të heshtish përball këtij martirizmi. Prandaj duhet studimi sistematikisht që të kuptohet e mos të përsëritet. Pse ngjau kjo katastrofë për shqiptarët? Cilët janë faktorët që e prodhuan? Pse heshtet nga 32 vite pluralizëm ndaj të së vërtetës që ka ndodhur!

Madhështia shpirtnore e shqiptarve antikomunistë jehon çdo ditë!

Pak rëndësi ka pasë për xhelatët ekzekutues, se historia e popullit shqiptar, nuk njeh rast të vetëm kur të mbijetuarit e diktaturës kan qënë pjesëmarrës e në shumë raste udhëheqës në kalvarin shekullor të vendit tonë, e në luftra kundër armiqëve kërcënues e sidomos komuniteti katolik, dhe tani në pluralizmin e deformuar shqiptar, kontributi i të mbijetuarve të diktaturës me mesazhet e paqes në forcimin e një Shqipërie të lirë, që përpiqet me qënë europiane.

Dashuria dhe shërbimi ndaj atdheut rrjedhin nga detyrat e mirënjohjes, ndryshe nga klasa politike aktuale që gjatë tre dekadave manifeston urrejtje, dhe e ka kthyer shtetin në një çiflik të vetin, duke ndjekur rrugën e diktatorit.

Sot andrra e keqe ku duan të ja zgjasin jetën politikanet e indokrinueme pasardhs të komunizmit ka përfundue. Jo vetëm ata që janë përgjegjës direkt në krimet e kryeme , por dhe ata që margjinalisht ndjehen fajtorë sepse kan hesht gjatë këtij tranzicjoni duhet të ndihen fajtorë sepse kan hesht. Shoqëria duhet të kalojë nëpër procesin e rivlerësimit të përgjegjësisë së tyre dhe jo në qëndrimin imoral dhe amoral në ditët e vështira që po kalojmë. Papa Francesku çmoi lartë kauzën e të përndjekurve politikë shqiptar që kan përbuzur hakmarrjen, një fitore morale shqiptare me përpjesëtimet historike, që këputi zingjirin e hakmarrjes. Ai e bekoi këtë kauzë , sepse falja e fajit ka zanafillë hynjore , asht karakteristikë e shpirtmadhësisë së të përndjekurve politikë shqiptar, ky është një ogur i mirë, i këtyre shqiptarve të mirë , që kan vendos mospërsëritjen e tragjedisë së kalueme. Ne nuk gjykojmë! Krimin ta dënoi drejtësia.

Nga qelitë e errta të burgjeve komuniste , nga kampet e vdekjes të Shqipërisë së martirizueme një shoqëri e re po ngrihet, po rritet me i dhanë formë nji të ardhme ma të mirë për vete dhe për prindërit e tyre që vuajnë nga pesha e fajit të heshtjes. Sakrifikicat e të përndjekurve politikë shqiptar do të njohin vlersimin e tyre të plotë , dhe mirënjohjen e përhershme vetëm atëherë kur parimet që ata mbrojtën me çmimin e jetës së tyre do të pasurojnë mendimin tonë, dhe do të udhëheqin veprat e e bashkëatdhetarve të tyre në të ardhmen.

Indiferenca për të kaluemen tonë tragjike që ne të mbijetuarit e diktaturës dëshmojmë.

Burimi kryesor i heshtjes para krimit të kryer …. na frikson!

Vizita historike, bekimi dhe mbështetja e Shenjtërisë tuaj, Papa Francesku për ne të mbijetuarit e diktaturës, është këmbanë alearmi për politikanët e tranzicjonit shqiptar që kërkojnë përjetsimin e figurës së diktatorit.

Bekimi i Papa Franceskut me 25 tetor 2023 për kombin shqiptar është lumturia shpirtnore për demokracinë dhe paqen. Nuk ka paqe pa drejtsi, nuk mund të ketë drejtsi pa kërkuar t*falun, nuk mund të ketë falje pa të vërtetën. Kështu na mësonte Papa Wojtila në vitin e parë pluralizmit 1993.

Nga shpirtat e të mbijetuarve të diktaturës komuniste del Mirnjohja:

FALIMINDERIT SHENJTËRIA E JUAJ PAPA FRANCESKU!

Filed Under: Kronike

VATRA TAMPA BAY FTON TË GJITHË SHQIPTARËT NË FESTËN E FLAMURIT KOMBËTAR

November 4, 2023 by s p

VATRA TAMPA BAY FTON TË GJITHË SHQIPTARËT NË FESTËN E FLAMURIT KOMBËTAR.

Filed Under: Kronike

TAQ BUDA – FARMACISTI PATRIOT E POLITIKAN I ELBASANIT

November 3, 2023 by s p

Roland Gjini

Marin Haxhimihali*

Taq (Dhimitër) Buda është një personalitet i njohur në fushën e farmaceutikës, por edhe patriot dhe politikan i Elbasanit, i gjysmës së parë të shekullit XX. Lindi në vitin 1869 në lagjen Kala të këtij qyteti, lagje me tradita patriotike dhe arsimdashëse, dhe ndërroi jetë në vitin 1941. Vitet e para të shkollimit i kreu në vendlindje, arsimin e mesëm në Manastir, asokohe qendër e vilajetit me të njëtin emër, më pas, arsimin e lartë për farmaci e ndoqi dhe e përfundoi në Athinë, në vitin 1892. Po këtë vit kthehet në Elbasan, duke qenë farmacisti i parë i specializuar dhe i arsimuar jo vetëm për këtë qytet, por në tërë trojet shqiptare. Vetëm dy javë pas kthimit në vendlindje, Taqi (sikurse e thërrisnin elbasanasit dhe ky emër i mbeti në vazhdimësi), u caktua të punonte si inspektor arsimi në shkollat e qytetit, por kjo punë nuk i solli asnjë kënaqësi. Ai shet pronën e trashëguar dhe hap një farmaci që bëri emër, sepse kishte shërbim modern dhe barna të efektshme, melheme (pomada që i bënte vetë), etj. I pajisur me eksperiencën e trashëguar prej të atit, i cili ishte mjek, si dhe me një diplomë me rezultate të shkëlqyera nga Fakulteti i Mjekësisë së Athinës, Taq Buda filloi ta ushtronte profesionin e farmacistit në Elbasan që nga viti 1894. 

Farmacia ka qenë përballë Hamamit. Në katin sipër Reshiti, çiraku, grumbullonte dhe ndihmonte në përgatitjen e barnave. Poshtë ishte pritja e klientëve dhe një holl ku rrinin shpesh dhe mjekë që lëshonin recetat, si dr. Miraku etj. Farmacia, e quajtur “Shëndeti”, u pajis me barna që vinin nga Italia, ku T. Buda kishte marrëdhënie me një bazë grosiste të njohur në Bari, me pronarin e së cilës familja e ruajti miqësinë deri pas Luftës II Botërore. Letrat dhe kartolinat dërgoheshin me siglën e shtypur enkas sipër: “Farmacia Shëndeti Taq Buda-Elbasan”. Farmacia në qendër të pazarit ishte moderne për kohën, nëse i besojmë përshkrimit të një udhëtari austriak në një revistë vjeneze.

Në vitin 1897, Taq Buda martohet me Elena Kasapi (Xhufka) në një dasëm të madhe që u bë në shtëpinë e re, të sapondërtuar të Budave në qendër të qytetit. Gjatë viteve të regjimit komunist kjo shtëpi u shtetëzua dhe u kthye në Degën Ushtarake të Elbasanit. Sot është prishur dhe mbi trallin e dikurshëm të saj është ndërtuar një pallat shumëkatësh. Një rastësi fatlume bëri që dasma e tij të përjetësohej nga peneli i Edith Durham, e cila ishte mikeshë në shtëpinë e Budave, që i vizitonte sa herë kalonte nga Elbasani gjatë udhëtimeve të saj nëpër viset shqiptare. Nga kjo martesë u krijua një familje e gjerë me pesë djem (Herakliu, Stasi, Mihali, Aleksi, Sofokliu) dhe tri vajza (Athinaja, Liria, Roza).. Pra, Taq Buda është edhe babai i akademikut të njohur elbasanas, Aleks Budës. Situata e qëndrueshme ekonomike i dha mundësinë Taq Budës që të shkollonte gjashtë prej fëmijëve të tij, katër djem e dy vajza, me shpenzimet e veta. Po ashtu, ai ndihmoi financiarisht edhe familjarë të tjerë, si për shembull të mbesën, vajzën e vajzës së madhe, Enerieta Dodbiba nga Elbasani, e cila gjithashtu ka ndjekur 4 vjet Gjimnazin e Tiranës. 

Taq Buda nuk spikat vetëm si një farmacist i suksesshëm. Ai ishte gjithashtu një luftëtar i rradhëve të para për pavarësinë e Shqipërisë, për alfabetin e gjuhës shqipe si dhe për autoqefalinë e Kishës ortodokse shqiptare, pas vitit 1921 u bë edhe një politikan aktiv në Parlamentin shqiptar. Kishte njohje me patriotë shqiptarë të klubeve të ndryshme që u hapën në Elbasan, menjëherë pas shpalljes së Hyrietit (1908), sidomos me ata të shoqërisë “Bashkimi” ku bënte pjesë. Këto klube, u bënë vatra të përhapjes së shkollave dhe arsimit shqip, ndërsa shtëpia e Budave, në një dokument të vitit 1907, përshkruhet si “çerdhe subversivësh”, ku bëheshin plane kundër pushtimit osman e kundër helenizimit të Shqipërisë.  

Më 14-22 nëntor 1908, Taq Buda merr pjesë si delegat e përfaqësues i Elbasanit në Kongresin e Manastirit. Ai ishte partizan i përdorimit të alfabetit latin dhe ju kundërvu hapur përpjekjeve për ta shkruar shqipen me alfabetin grek. Këtë e dëshmon më së miri letra që T. Buda, më 27 gusht 1908, tre muaj para se të shpallej platforma për shkrimin e shqipes në Kongresin e Manastirit me dy alternativat e saj, i drejtonte gazetës Alithia (E vërteta) të Selanikut. Aty i kundërvihej me argumenta grupimit të quajtur “Shqiptarët Ortodoksë të Selanikut dhe të fshatrave përreth”, të cilët donin ta shkruanin shqipen me gërma të alfabetit grek. 

Më 2-9 shtator 1909, si përfaqësues i shoqërisë “Bashkimi”, T. Buda merr pjesë si delegat i Elbasanit, në Kongresin e Elbasanit, ku u propozua midis të tjerash hapja e së parës shkollë që do të përgatiste mësues, të cilët do të përhapnin diturinë jo vetëm në Elbasan, por në mbarë viset shqiptare. Që nga ai moment Taqi u bë njëri nga financuesit kryesorë të kësaj shkolle. E çmonte vlerën e arsimit edhe si atdhetar, sepse nëpërmjet tij, si të gjithë rilindësit, mendonte që do të çelej një perspektivë e mirë për Shqipërinë. 

Taq Buda është firmëtar i Pavarësisë së Elbasanit me grupin e parisë së qytetit në nëntor 1912, tri ditë përpara shpalljes së Pavarësisë Kombëtare në Vlorë, të nxitur nga përparimi i ushtrisë serbe drejt Elbasanit. Ka bërë pjesë, madje dhe e ka drejtuar grupimin politik “Pleqësor” të Shefqet Vërlacit, fillimisht si pjesë e Partisë Popullore (1921) pas formimit të Këshillit Kombëtar nga Kongresi i Lushnjes dhe një vit më pas (1922) ai së bashku me përkrahësit e Vërlacit, kaluan në Partinë Përparimtare. T. Buda ka qenë gjithashtu dy herë deputet në Parlamentin shqiptar: më 5 prill 1921 u zgjodh në Këshillin Kombëtar, kurse më 27 dhjetor 1923, sërish deputet në Asamblenë Kushtetuese. Ndërkaq kishte abstenuar më 2.12.1922 në votëbesimin ndaj qeverisë së Zogut. Edhe pas vitit 1922 vazhdoi të bënte pjesë në grupimin politik të Shefqet Vërlacit “Pleqësorët”. Ky pozicionim i tij pranë Vërlacit nuk kishte të bënte me ndonjë pakënaqësi të tij ndaj Aqif Pashë Elbasanit, për të cilin ruante respekt e vlerësime, por me familjen Vërlaci kishte një miqësi familjare të trashëguar. Ndërsa në planin politik, mendojmë se ndoshta fakti që “Pleqësorët”, apo “Përparimtarët”, ishin për një regjim politik në formën e republikës, e kishte joshur atë, pasi dihej që ai zotëronte një kulturë perëndimore. Një arsye më shumë mund të ketë qenë edhe fakti që Shefqet Vërlaci ishte pro italian, vend me të cilin Taq Buda kishte interesa jetësore ekonomikë, pasi qyteti i Barit ishte furnizuesi kryesor i barnave të farmacisë së tij. 

Në parlamentin e parë legjitim, të formuar nga zgjedhjet popullore, Taq Buda luan një rol tepër aktiv. Pas zgjedhjes si deputet në pranverë të vitit 1921, ai u caktua anëtar i Komisionit për Punët e Administratës e të Ushtrisë. Mori disa herë fjalën në parlament (Këshillin Kombëtar), duke ngritur probleme nga më të ndryshmet. Kështu, në një seancë parlamentare ai ngriti problemin e ndërtimit të Urave mbi lumin Shkumbin në Qukës dhe të urës së Ali Beqarit. Duke qenë profesionalisht i lidhur me mjekësinë, në një diskutim të tijin u ndal në çështjet e sigurimit të ndihmës dhe të ushtrimit të lirë të detyrës së mjekut, sidomos për ata që janë përgatitur apo po përgatiten jashtë vendit: “Në vend që t’i jepet një hovë përparimit të kësaj dege, përkundrazi, i vëmë një palë pranga, që jo vetëm të mos mundi të përparojë, por ta shtyejë për ma poshtë… Për me i dhanë një encuragemente (inkurajim) studentave që ndodhen jashtë dhe që studiojnë në këtë degë. Se i përket nderit, shëndetit, jetës e dinjitetit të popullit shqiptar”. Në fushatën e zgjedhjeve për Asamble Kushtetuese të vitit 1923, Taq Buda u vu në krye të grupit elektoral “Pleqësorët” që mbështeste Shefqet Vërlacin. Ishte në listën e kandidatëve për deputetë të Asamblesë në radhët e këtij grupi. Ky grup i fitoi zgjedhjet e dhjetori për Asamble Kushtetuese dhe mes 10 deputetëve të Elbasanit, njëri ishte Taq Buda.

Vijoi të jetë aktiv në jetën politike shqiptare edhe pas dhjetorit të vitit 1924, pra pas riardhjes së Ahmet Zogut në pushtet. Tërheq vëmendjen fjalimi i tij në Parlament gjatë diskutimit të Statutit të Republikës Shqiptare në fillimin e vitit 1925, ku T. Buda ishte i vetmi deputet që kundërshtoi sanksionimin në statut të nenit që vendoste si kryeqytet të Shqipërisë Tiranën. I ndërgjegjshëm se shumica e kolegëve tashmë e kishte vendosur Tiranën si kryeqytetin e ardhshëm të Shqipërisë, T. Buda e merr fjalën duke u shprehur: “i sigurue se forca e arsyes nuk tremet nga forca e shumicës gishtit”. Gjatë ushtrimit të funksioneve parlamentare, Taq Buda mbajti edhe postin e kryetarit të Odës ekonomike në parlament. Në këtë kuadër, hartoi edhe një raport për qeverinë ku konstatohej shfrytëzimi që i bëhej krahut të lirë të punës në Shqipëri nga kompanitë e huaja, sepse “s’ka ligje të posaçëm që të rregullojnë punëtorin me atë që jep punën”. Të njohura janë gjithashtu debatet e tij në parlament në lidhje me projektligjin për shërbimin shëndetësor dhe farmaceutik si dhe propozimi i argumentuar për shpalljen e Elbasanit kryeqytet. 

Në vitin 1925 është përsëri në listën e kandidatëve për deputetë të Elbasanit, por fakti që këtë rradhë ai nuk fitoi, e bëri që të tërhiqet nga pjesëmarrja aktive në politikë për një farë kohe. Rikthehet përsëri si politikan në prill të vitit 1939, duke u përfshirë në listën e delegatëve të Elbasanit për në Asamble Kushtetuese, përkrah kryeministrit proitalian Shefqet Vërlaci.

Një aspekt tjetër ku Taq Buda ka qenë mjaft aktiv lidhet me autoqefalinë e kishës ortodokse shqiptare. Më 1922 ai është përfaqësues i Shpatit në Kongresin e Beratit, ku u shpall autoqefalia e kishës shqiptare. Më 1929 është përsëri delegat i Shpatit në Kongresin II të Autoqefalisë në Korçë. Në prag të këtij kongresi, firma e Taq Budës figuron krahas atyre të Lef Nosit, Dhimitër Papajanit e Kov Delianës në telegramin përshëndetës që populli i Elbasanit i dërgonte kongresit. Elbasani shquhej për harmoni fetare, banorët e qytetit kishin miqësi të sinqerta e përpiqeshin ta ndihmonin njëri-tjetrin në çdo rrethanë, pa bërë asnjë diferencim fetar. Në këtë kuadër duhet parë edhe miqësia me shumë e shumë familje të tjera elbasanase pa dallim feje, ku dallohej miqësia me familjen e Shefqet Vërlacit, të cilin Taqi e vlerësonte për disa qëndrime e mendime, sipas tij, të spikatura.

*Dr. i shkencave Marin Haxhimihali është nipi i Prof. Aleks Budës dhe stërnipi i Taq Budës.

Filed Under: Kronike

“Zhvillimet kulturore – historike te shqiptarët në Maqedoni gjatë shekujve XIX – XX”

October 31, 2023 by s p

Shkup, 31.10.2023 – Sot Instituti i Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve – Shkup bëri prezantimin e punës dyvjeçare hulumtuese-shkencore në kuadër të projektit me temë “Zhvillimet kulturore – historike te shqiptarët në Maqedoni gjatë shekujve XIX – XX”, të mbështetur nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës e Republikës së Maqedonisë së Veriut. 

Ky projekt hulumtues dhe botues, është fryt i punës së palodhshme të hulumtuesve shkencorë të Institutit të Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve – Shkup, të përbërë nga drejtuesi i projektit historiani Dr. Skender Asani – këshilltar shkencor, dhe ekipi bashkë-hulumtues në projekt: Dr. Sevdail Demiri – këshilltar shkencor, Dr. Besnik Rameti – bashkëpunëtor shkencor, si dhe asistentët hulumtues Emin Azemi dhe Sali Islami.

Në përurimin  e projektit në fjalë mori pjesë ministri i Arsimit dhe Shkencës, Dr. Jeton Shaqiri, i cili theksoi rëndësinë e mbështetjes së vazhdueshme ndaj zhvillimit të shkencës përmes dokumentimit të së kaluarës sonë historike në këto troje.

Drejtori i Institutit dhe drejtues i projektit, Dr. Skender Asani, tha se ky projekt paraqet një përpjekje serioze, që për herë të parë t’i ofrohet opinionit shkencor një pasqyrë e re dhe objektive për zhvillimet kulturore-historike të shqiptarëve që jetojnë në territorin e sotëm të Republikës së Maqedonisë së Veriut. Pa dyshim që kjo punë është konkretizuar përmes hulumtimeve të shumë arkivave shkencore, jo vetëm se në vendin tonë, por edhe në Tiranë e Prishtinë, e posaçërisht në Zagreb të Kroacisë, ku është gjetur një thesar shumë  pasur arkivor dhe dokumentar për shqiptarët, sidomos gjatë shekullit XX, u shpreh Asani.

Fryt i punës dyvjeçare të këtij projekti hulumtues shkencor janë edhe disa botime që janë bërë deri më tani në kuadër të Institutit, por në mënyrë specifike, për këtë temë flet botimi i veçantë “Zhvillimet kulturore – historike te shqiptarët në Maqedoni gjatë shekujve XIX – XX”. Në cilësinë e autorëve janë pesë hulumtuesit shkencor të projektit në fjalë, të cilët janë marrë me tema të caktuara, varësisht nga profili i tyre profesional-shkencor. Këshilltari shkencor Dr. Sevdail Demiri, tha se vepra e botuar në 500 faqe me titullin e projektit, paraqet një platformë të etabluar shkencore për shkrimin e historisë së shqiptarëve të këtyre trevave, për periudhën e vrullshme të shekujve XIX – XX. 

Në këtë tubim shkencor, përpos studiuesve dhe mysafirëve të shumtë, prezantuan edhe përfaqësuesit e lartë të Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës, Elvana Hasanoviq – udhëheqëse e sektorit të Shkencës dhe Zhvillimit Teknologjik dhe Ahmed Qazimi – udhëheqës i sektorit të Arsimit të Lartë. 

Filed Under: Kronike

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 51
  • 52
  • 53
  • 54
  • 55
  • …
  • 596
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Potret kushtuar guximtarit të përndjekur Qemal Agaj
  • Shqipëria Nuk Ka Nevojë të Bëhet Singapor — Ka Nevojë të Bëhet Baltike
  • “PRIJATARËT E LAVDISË” – POEZI NGA VALBONA AHMETI
  • Gjuhën shqipe nuk e humb Norvegjia, e humbim ne në shtëpi
  • Një letër – Dy intelektualë – Tri dekada më vonë
  • Propaganda…
  • 𝐃𝐢𝐩𝐥𝐨𝐦𝐚𝐜𝐢𝐚 𝐞 𝐒𝐞𝐧𝐭𝐢𝐦𝐞𝐧𝐭𝐞𝐯𝐞 𝐌𝐢𝐝𝐢𝐬 𝐊𝐨𝐦𝐛𝐞𝐯𝐞: 𝐑𝐢𝐤𝐭𝐡𝐢𝐦𝐢 𝐢 𝐍𝐣𝐞𝐫𝐞̈𝐳𝐢𝐦𝐢𝐭 𝐧𝐞̈ 𝐧𝐣𝐞̈ 𝐁𝐨𝐭𝐞̈ 𝐊𝐨𝐧𝐟𝐥𝐢𝐤𝐭𝐮𝐚𝐥𝐞
  • LËVIZJA KOMBËTARE – NGA AUTONOMIA TE PAVARËSIA E SHQIPËRISË
  • “VATRA” në Boston ju fton në “Albanian Boston Community Center” më 17 janar 2026
  • NGA NJË KOLONI DE FACTO NË NJË KOLONI DE JURE
  • ADEM DEMAÇI, JO THJESHT FIGURË E REZISTENCËS, POR KATEGORI KONCEPTUALE E SHTETFORMIMIT
  • Roli i gazetës “Arnavud/Shqipëtari” në formimin e vetëdijes kombëtare te shqiptarët përballë politikave turqizuese të xhonturqve
  • Si investonte Serbia në thellimin e përçarjeve ndërmjet udhëheqësve shqiptarë dhe në shkëputjen e tyre nga ndikimi austro-hungarez
  • Marrëdhëniet e Gjergj Kastriotit – Skënderbeut me Republikën e Venedikut sipas dokumenteve të Arkivit Apostolik të Vatikanit, Arkivit të Shtetit të Venedikut dhe burimeve historike botërore
  • “U SHKEPUT NJE METEOR POR ZJARRI MBETET ZJARR…!”

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT