Nikollë Camaj*/
Ju sjelli përshëndetjet e ngrohëta e vëllazërore nga vendlindja juaj, dhe vendlindhja e të parëve tuaj! Të ju them që në fillim se ftesa për të marrë pjesë në këtë Festë më gëzoi pa masë, siç do të gëzonte çdo malësor, ajo më nderoi, siç do të nderonte çdo shqiptar!
Të nderuar bashkëvendës,
Jemi sonte këtu për të shënuar dhe festuar njërën prej datave më të rëndësishme të historisë sonë. Them njërën prej datave, pasi që krahas 28 Nëntorit 1912, shqiptarët vendosin edhe 28 Nëntorin e vitit 1443, pastaj 6 Prillin e 1911-tës, si edhe 17 shkurtin e 2008-tës. Por në të njëjtën sofër me këto data, duhet ulur edhe një, atë të Kongesit të Lushnjës, 21 janar 1920.
Prandaj mendoj se historianët tonë duhet ta bëjnë të qartë se pa Kryengritjen e Malësisë dhe pa Kongresin e Lushnjës s’di si do të bëhej Shqipëria. Sepse, pa të parën, zor se do të kishte Vlorë, e pa të dytën, drua se Vlora do të shkonte dam.
Miq të dashur,
Nga 28 nëntori i vitit 1443, kur i madhi Gjergj Kastrioti Skënderbe, ngriti flamurin kombëtar në kalanë e Krujës, deri në prillin e vitit 1911, respektivisht, në nëntorin e vitit 1912, kaluan 5 shekuj, e deri në shkurtin e 2008-tës, për një pjesë të kombit, 6 shekuj robërie, për tokën e shkabës dykrenore, e cila gjithnjë fluturoi lartë, dhe nga atje u përkujdes për popullin e vet, por nuk harroi të zbresë në fole, kur i erdhi dita.
Pavarësia e Shqipërisë nga perandoria turke, mjerisht jo e të gjitha trevave etnike, e përgatitur në vite e vite kryengritjesh, që filluan në viset e ndryshme Arbënore, për të përfshirë më vonë krejt Shqipërinë e atëhershme, u pagua shtrenjtë, me gjakun e bijve dhe bijave, më të mirë. Njëjtë siç u pagua edhe pavarësia e shtetit të dytë shqiptar, Kosovës.
Unë nuk jam historian, por, si njeri i letrave dhe i politikës, e njoh të kaluarën e popullit tim, e megjithatë sonte s’do t’ju mbaj orë historie, pasi që të dhënat për këtë date të lavdisë sonë i gjen kushdo e kudo, por nuk po mundem pa i cek vetëm disa fakte, e që lidhen me kontributin e patriotëve që i ka shënuar historia, por edhe shumë të tjerëve që kanë mbetur pa emër, e natyrisht edhe me kontributin e miqve tonë të përjetshëm, popullit amerikan.
Kuvendi historik Kombëtar, me delegatë nga të gjitha trojet etnike, i mbajtur në Vlorën heroike, më 28 Nëntor tё vitit 1912, nxori Deklaratën e Pavarësisë dhe ngriti Flamurin Kombëtar të Kastriotëve, simbolin e lirisë, simbolin e ëndrrave tona shekullore, ëndrrave për një të ardhme më të mirë të kombit shqiptar, në gjirin e kombeve të përparuara të botës.
Pra, pas pesë shekujsh shpresë e rezistencë, për të mbajtur gjallë indin kombëtar, për të ruajtur gjuhën e flamurin, ku kontribut të veçantë dhanë Rilindësit tonë, dhe pas kryengritjeve të kohëpaskohshme, sidomos pas Lidhjes së Prizrenit, për të kulmuar me Kryengritja e Malësisë, në prillin e vitit 1911, Shqipëria u shpall shtet në vet.
Ismail Qemali, derisa po e shpaloste Flamurin e qëndisur nga Marigona, në fjalën e Tij solemne, ndër të tjera u shpreh:
“Fqinjët tanë nuk duhet të gënjehen me lakmi, sepse shqiptari s’e duron robërinë. Historia e shekujve të kaluar e dëshmon këtë të vërtet. Ky truall është atdheu ynë. Ne e kemi gjuhën tonë, zakonet tona, kulturën tonë. Ndaj, sot, të mbledhur në këtë kuvend të madh historik, ne shprehim para gjithë botës vullnetin e popullit tonë sovran”.
E ndava jo pa shka këtë pasus, pasi që është aktual edhe sot, pasi që fqinjët tonë grabitqarë, e të lidhur mes veti për të dëmtuar Shqipërinë, provuan që të ndikojnë në kancelaritë evropiane për ta copëtuar e ndarë mes veti tokën arbërore. Lufta e parë botërore ua rriti apetitet edhe më tepër, por aty ishte Willsoni i madh, që i ndaloi këto aspirata të sëmura, që nuk ndalojnë edhe sot e kësaj dite.
Pra, ne kurrë nuk duhet harruar se fati i historisë sonë, i lirisë sonë, i zhvillimit tonë, lidhet ngushtë me këtë popull liridashës, e aleat të pashoq. Aso kohe Wudri Wilsoni, e në kohën e re Bill Klintoni e Gergo Bushi… e edhe sot e kësaj dite, kushdo, që i rri në krye këtij shteti mik, e kanë nën përkujdesje të veçantë popullin e Gjergj Kastriotit, Nënë Terezes e Adem Jasharit, të Ded Gjon Lulit, Isë Boletinit e Isamil Qemalit…
Dua të nënvizoj faktin se çdo herë që dalim para opinionit, si dimension qendror na imponohet e kaluara, sepse mu atë pjesë, të tjerët dëshirojnë që ne ta harrojmë, kurse duke iu referuar asaj, ne jo vetëm se dëshmojmë ekzistencën tonë nëpër shekuj, por edhe ruhemi nga lakmia e së tashmes dhe nga rreziku për të humbur të ardhmen!
Prandaj, çdoherë e çdoku, të shprehim respektin ndaj të gjithë atyre, emër e paemër, që u murosen në themelet e Shqipërisë, por edhe të gjithë atyre që në Fortifikatën tonë kombëtare, vendosën qoftë edhe një guralec për së mbari.
Vëllezër e motra të nderuara,
Me lejoni që disa fjalë t’ua them edhe për ne, për shqiptarët e sotëm, për gjeneratën që ka rrolin e urës mes atyre që shkuan e atyre që do të vijnë pas.
Shqipëria dhe shqiptarët po shënojnë një zhvillim tejet të shpejtë, me gjasa që të bëhen lider ballkanik.
Kosova po fiton kornizat e shtetit modern e të sigurt për të jetuar në të. Kërcënimet nga fqinji verior nuk mungojnë, por lojërat e tij hileqare tashmë i ka kuptuar e tërë bota dhe nuk po i pinë më ujë. Këtë e dëshmon më së miri edhe Rezoluta e fundit e BE-së për Kosvën. Ndoshta mungon konsolidimi i brendshëm politik, por ndërtimi i demokracisë e merr pengun e vet.
Ndoshta mungon kohezioni politk, por ai sot nuk guxon të mungojë. Shqiptarët kanë nevojë të veprojnë së bashku, si kurrë më parë, që vërtet të bëhemi lider i proceseve integruese, brendashqiptare dhe evropiane.
Vetëm mungesa e bashkëpunimit dhe e vlerësimit vëllazëror mund të na dëmtoj. Si edh evlerësimi i gabuar i së kaluarës sonë.
Ajo që gjithherë duhet ta kemi para sysh është se Kosova është djepi i patriotizmit tonë dhe kushdo t’i rrijë në krye duhet të vlerësojë rrugëtimin e përgjakshëm të gjeneratave të tëra për të ruajtur kombin. “Kosova është gjaku im që nuk falet”, shkruante i madhi Ali Podrimja.
Kur është fjala për Shqiptarët e Maqedonisë si popull shtetformues, mund të themi se janë në rrugë të mbarë.
Por nuk e ksihin të lehtë, as ata. Kyçja në qeveri me kundërshtarët nuk është aspak e lehtë. Por vizionarët këtë punë kanë, të marrin përsipër peshën dhe përgjegjsinë e hapave të guximshëm.
Luginën e kemi në hall e në gojë të ujkut. Mbetet përgjegjësi e Kosovës, që në procesin e zgjedhjes së statusit të serbëve brenda sajë, të zgjedhë edhe çështjen e Luginës, gjë që nuk dyshoj se do ta bëjë.
Çamërinë, pothuaj e kemi qarë, e ajo pra dha themeltarët e Greqisë moderne. Ata burra me fustanella që i këndonte Bajroni, nuk ishin askush tjetër por shqiptarët autoktonë, që luftonin për liri. Artistja e famshme greke, Irena Papas, nuk mund të shkonte nga kjo botë pa e rrëfyer se ishte shqiptare. Të tillë janë miliona grekë!
E për ne në Malin e Zi, çfarë të ju them.
Jo të bashkuar sa do të na donit ju, e as sa do të duhej, edhe pse ne në Malësi mund të jemi shembulli më i mirë për këtë. E shqiptarët e kanë mirë, vetëm kur veprojnë së bashku! Vetëm ashtu mund të jemi urë e fortë mbi të cilën mund të kalojë amaneti i të parëve te brezat që vijnë.
Por, të përçapur përjetësisht midis historisë, identitetit dhe integrimeve, nuk e kemi fare të lehtë.
Historia në mëson se sa rëndësi ka të ruajmë identitetin, e identiteti ruhet vështirë në kushtet e integrimeve më se të nevojshme, prandaj duhet t’i menaxhojmë mirë këto tre komponente të të përditshmes sonë.
Sot, dy koalicionet shqiptare janë në qeveri, ku qeveria mbështetet edhe nga forca politike të serbeve, deri dje e paimagjinueshme.
Ajo që dua të ju them sonte këtu, e që ju paralajmeroj se me të interesuarit mund ta vazhdojmë në formë diskutimi, neser mbas meshe, është se qeveria e re mbeshtetet në baza programore të diktuara nga ne, e të pranuar nga BE e SHBA, ku veçoj katër pikat kyçe: Eurointegrimet, bashkëpunimi kredibil me NATO-n, bashkëpunimi me shtete e pranuara nga Mali i Zi, kyçur këtu edhe Kosovën, politika e jashtme në harmoni me atë evropiane në raport me Rusinë, si edhe decentralizimi i pushtetit dhe akcioni afirmativ.
Ju garantoj, se sikur këto të dyja të fundit, pra BE dhe SHBA, të kishin dashur që kjo qeveri të mos formohet, ajo as nuk do të formohej, ose do të formohej pa përkrahjen tonë.
Në Këtë qeveri ne jemi të përfaqësuar denjësisht, njëjtë si edhe në Kuvend, dhe asnjëherë nuk do të bëjmë kompromise të kalbura në kurriz të çështjes kombëtare.
*Fjala e deputetit shqiptar në Malin e Zi, z. Nikollë Camaj, mbajtur në Festën e Pavarësisë, në Michigan.