• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

VATRA, nderoi me çmimin e “Meritave”, disa prej vatraneve

May 1, 2013 by dgreca

Për nder të mbylljes me sukses të punës së Kuvendit të Vatrës, në restorantin e bukur Lighthouse Restaurant – në City Island Avenue, Bronx, NY, u shtrua një darkë, gjatë së cilës u dhanë çmimet “AWARD OF MERIT”, disa vatranëve, më të dalluara në dekadat e fundit./

NGA BEQIR SINA, New York/

CITY ISLAND BRONX NY : Mbas Kuvendit të sukseshëm, të shoqatës më të vjetër në Amerikë, në mbrëmje u mbajtë një darkë tradicionale e organizuar nga Federata PanShqiptare e Amerikës VATRA. Në këtë darkë festive, përveç drejtuesve të lartë, të Vatrës, kryetarit të saj Dr Gjon Buçaj dhe kryesisë dhe anëtarëve të saj delegatëve morën pjesë dhe mysafirë të nderuar, Ministri i Diasporës në Qeverinë e Kosovës z. Ibrahim Makolli i shoqëruar nga drejtori për investimet në Diasporë, Naim Dedushaj,  Konsulli i Përgjithshëm i Kosovës, në New York, Ambasadori Bekim Sejdiu, anëtari i Asamblesë të Shtetit të New Yorkut, z. Mark Gjonaj, konsulli Fatmir Zajmi.

Në darkën e Vatrës erdhën edhe familja Cungu dhe e veja e doktor Uruçit, pjestar të familjes  Kaloshi, Kallajxhiut, Danit, Liços, Kumbarçe, Mirakaj, Mulosmani, Bytyqi, Përndocaj, Metalia, Qafa, Husenaj, Ndreu, Ndreca, Tonuzi, e të tjerë, pra të këtyre vatranëve të shquar, familje të njohura në SHBA si familjet më të vjetra të vatranëve, anëtarët e të cilëve kanë dhënë një kontribut të shquar në të shkuarën për Vatrën, por që nuk jetojnë më.

Në darkë morën pjesë delgatët si dhe drejtuesit e tyre, Dega Washington DC,  Dega Michigan,sekretari Mondi Rakaj dhe zv/kryetari Pjeter Jaku edelegate te tjere; Dega Hudson Valley, z. Elmi Berisha; Dega South Florida, z. Kolec Ndoja, Dega Jacksonville, Florida, z. Adriatik Spahiu; Dega Queens, NY, dr. Skender Myrtezani; Dega South Westchester, NY, z. Nick Markola; Dega Newburgh, NY, dr Nexhat Kalici, mandej edhe atyre të New Yorkut.

Kryetari i sapo zgjedhur i Vatrës, dr Gjon Buçaj, pasi foli për historikun e kësaj shoqate famëmadhe, rolin dhe kontributin e saj historik, në dobi të çështjes kombëtare, vuri në pahë edhe vlersoi lartë kontributin që kan dhënë disa figura të dalluara të kësaj shoqate, të cilët ishin pionerët e parë të Vatrës, dhe mbajtën gjallë frymën e zjarrtë patriotike dhe demokratike në SHBA.

Ndërsa, këngëtari i mirënjohur Gëzim Nika, krijojë me repertorin e tij të njohur një atmosfer të bukur festive, me këngë valle patriotike nga të gjitha trevat.

Në mbrëmjen e së shtunës të 27 prillit, në darkën në restorantin piktoresk Light House të bashkatdhetarit Mark Gjonaj, Vatra nderoi me çmim pas – vdekjes, “Post Mortum” Çmimin “Award of Merit”; Nexhmije Zaimin, Dr.Hamdi Uruçin, Dr. Edward Liçon, Xhevat Kallajxhiun, Ing. Mahmoud Cungun, Ramiz Danin, Arif Neza, Abdulla Kaloshi, Petraq Ktona, Ymer Doda dhe Rexhep Kumbarçe.

Po ashtu u nderuan me “Award of Merit”, Ish editori i Diellit, Anton Çefa vatranët: Mustafë Elezi, Musli Mulosmanaj, Jonuz Ndreu, Hajdar Tonuzi, Tonin Mirakaj dhe Vasel Ujkaj.

Çmimet i dorëzojë vetë kryetari i Vatrës, dhe i morën në mes emocionve të papërshkruara disa prej fëmijëve të këtyre figurave të dalluara, patriot dhe atdhetar të flakt,  të cilët kanë dhënë një kontribut të shquar në të shkuarën për Vatrën, dhe kombin shqiptar, por që nuk jetojnë më.

 

Filed Under: Kronike Tagged With: disa nga vatarnet me cmimin e Merites, Vatar nderoi

101-vjetori i Vatrës është dhe 101 vjetori i Bashkimit të Parë me VATREN i Kombëtarëve të Worcesterit

April 30, 2013 by dgreca

Fjala përshëndetëse e kryetarit të Shoqatës KOMBI ,z.Artur Vrekaj në Kuvendin e VATRË-s /

I nderuar Kryetar i Vatrës Zoti Gjon Buçaj! /

I nderuar Ministri i Diasporës së Kosovës Zoti Ibrahim Makolli! Të nderuar veprimtarë, njerëz të letrave shqipe dhe të mediave! Në emër të anëtarësisë së shoqatës Atdhetare Kulturore KOMBI jemi sot këtu të përshëndesim Punë të mbarë Kuvendit të Vatrës!Është nder për misionin tonë të përcjellim sot Vizionin përbashkues të Shoqatës Atdhetare Kulturore KOMBI të Worcester,MA e themeluar 5 vjet më parë, që mori rrugë nga Pavarësia e Kosovës si ngjarja e dytë e sapritur e kombit shqiptar. Është përgjegjësi të jesh sot veprimtar i Diasporës, është nder për veten, familjen. Por mbi të gjitha, është frymëmarrje për Shqiptarinë! 101-vjetori i Vatrës është dhe 101 vjetori i Bashkimit të Parë  me të i Kombëtarëve të Worcesterit,MA. Shqiptarët e Worcester,MA të ardhur me valën e Dytë të pas 1990-ës më së shumti nga Shqipëria dhe Kosova e rihodhën në hartën e Diasporës Shqiptare këtë qytet amerikan me veprimtarinë atdhetare e kulturore të shoqatës me emrin domethënës KOMBI sipas emrit të shoqërisë së parë KOMBËTARE të brezit të parë të emigrantëve. Edhe amerikanët e Worcester në qeverinë lokale tashmë e dinë se shoqata KOMBI përfaqëson me dinjitet komunitetin shqiptar, sepse ne si shoqatë modeste kemi në program ruajtjen e Identitetit Kombëtar që e kemi dëshmuar me Ngritjen zyrtare të Flamurit para Bashkisë Worcester, me simpoziume për figura si Skënderbeu e Nënë Tereza a ngjarje si Kongresi i Manastirit, me përfaqësime modeste në festat e komuniteteve Italiane dhe Irlandeze siç janë pjesëmarrjet në paradat e St Patrick dhe Columbus Day apo me takimet kulturore. Ne kemi dhënë prova të bashkimit me veprimtari udhëhequr nga Vizioni ynë përbashkues i të gjithë grupeve organizuese të komunitetit të shqiptarëve të Massachusetts e më gjerë në New England. Ndaj sot ne jemi më të hapur dhe bashkëpunojmë për veprimtari cilësore sipas kalendarit historik kombëtar me Lidhjen Qytetare Shqiptaro-Amerikane, me shoqatat Kosova e MassBesa të Boston, me Kishën Shqiptare të Worcester,MA , me shoqatën e studentëve shqiptarë të Universitetit të CT, si dhe jemi në kontakte edhe me veprimtarë të shoqatave Në Filadelfia dhe New York. Parë nga misioni kombëtar shoqatat shqiptare të Amerikës janë në një linjë. Parë nga organizimi i Diasporës ne jemi të parcelizuar sipas qyteteve ku në disa qytete veprojnë disa organizime ( kombëtare apo fetare) që jo rrallëherë sjellin edhe konfuzion në komunitet sepse disa prej tyre në mesin tonë i kushtojnë më shumë rëndësi mbledhjes së parasë me moton për Identitetin Kombëtar! Vërehet ndër shqiptarët e Amerikës edhe një protagonizëm i pakuptimtë në disa raste. Darkomania e kripur nga çmimi dhe festivalet për parambledhje nuk e ndihmojnë sa duhet shqiptarinë edhe pse ne shqiptarët e kemi më të lehtë të marrim pjesë në veprimtari me dolli dhe këngë dhe të shijojmë më shumë lavdi. Kush më mirë se Amerika ta jep mundësinë e të qënit aktiv në Diasporë për gjithë komunitetin shqiptaro-amerikan të Amerikës apo për komunitetin shqiptar të qytetit ku banon? Ndaj ne duhet të jemi në veprim! Organizimet shqiptare të Amerikës duhet të shohin më larg  për ardhmërinë e përbashkimit sepse kemi organizime edhe në bazë trevash ose qytetesh. Çdo ekip drejtues ka barrën e madhe për një reflektim me bashkëkuvendime. Në të mirë të ardhmërisë së Diasporës së bashkuar. Ne duhet të japim shembuj konkretë për të ribërë Bashkimin e Diasporës, për ti dhënë frymë shqiptarëve të Amerikës si faktor përfaqësues, e promovues, si përçues të vlerave më të mira kombëtare shqiptare që të ndihmojmë kombin në nevojë dhe të nderojmë vetveten ! Bashkë mund të bëjmë më shumë se do të jemi me një fjalë! Shoqata KOMBI është e  hapur me çdo organizim aktiv në Amerikë  për të ndikuar më shumë tek brezat e rinj duke i ftuar ata në drejtim me kandidim vullnetar e zgjedhje demokratike siç bëjmë në Worcester. Sepse ata janë e ardhmja! Për një Diasporë të bashkuar në Amerikë! Një komunitet shqiptar i fortë i Amerikës është shpresë më shumë për ardhmërinë e kombit. Jeni të mirëpritur në Worcester,MA për çdo program që mund ta organizojmë së bashku sepse ne jemi të ushqyer nga shqiptaria si feja e përbashkët dhe e para që na mbledh në veprimtari kombëtare. Ne lexohemi se veprojmë dhe  bashkëpunojmë duke qënë të hapur me Shqiptarët e Worcester, Boston, Hartford, New York dhe Diasporën në tërësi. Urime Kuvendit Tuaj! 27 Prill 2013 ,New York

 

Filed Under: Kronike Tagged With: artur vrekaj, pershendetje en Kuvendin e Vatres

Prof. Dr. Muharrem Dezhgiu uron kryetarin e Vatres

April 30, 2013 by dgreca

I nderuari dr. Buçaj, kryetar i Federates Panshqiptare VATRA,/

Kam nderin dhe kenaqesine te ju uroj shpirterisht per rizgjedhjen tuaj ne krye te Vatres, asaj organizate te madhe me tradita te fuqishme atdhetare, e cila ka qene frymezuesja dhe iniciuesja e te gjitha ngjarjeve historike ne mbrojtje te identitetit kombetar te shqiptareve.

Kam besim te plote se Vatra, nen drejtimin tuaj, do te ruaje dhe do te coje perpara traditat me te mira te saj, te arkivuara gjate jetes se saj te begate 100 vjecare. Shpresoj qe ne veprimtarine e saj te metejshme Vatra do te rrise bashkepunimin me te gjithe perkrahesit dhe mbeshtetesit e saj, per gjallerimin e rolit te saj ne kushtet e reja historike qe po perjeton kombi yne.

Uroj qe Vatra te jete pike referimi per frymezimin kombetar te shqiptareve kudo jetojne, tashme, neper bote. Roli juaj ne drejtimin e saj do te jete historik per realizimin e ketij misioni teper te larte.

Me respekt dhe konsiderate vellazerore

Muharrem Dezhgiu

Tirane, 30 prill 2013

Filed Under: Kronike Tagged With: dr. Gjon Bucaj, prof. Muharrem Dezhgiu, uron kryetarin e vatres

AMBASADORI FERIT HOXHA URON DR. GJON BUCAJ PER ZGJEDHJEN KRYETAR I FEDERATES VATRA

April 30, 2013 by dgreca

Permanent Representative of the Republic of Albania to the United Nations/New York/

Zotit Gjon BUCAJ/

Kryetar I Federatës Panshqiptare/

VATRA, New York/

I dashur zoti Bucaj,/

Dëshiroj t’ju përgëzoj për rizgjedhjen tuaj si kryetar i Federatës PanShqiptare  VATRA, në Kuvendin e zhvilluar me datë 27 prill 2013, si dhe t’ju uroj përzemërsisht punë ta mbarë e të sukseshme në drejtimin e kësaj organizate të rëndësishme.

Kam gjithë bësimin se marrëdhëniet e shkelqyera që Misoni i RSH-së pranë OKB-së ka me Vatrën dhe me ju personalisht mund vetëm të forcohen dhe, me këtë rast, dëshiroj t’ju rikonfirmoj gatishmërinë tonë për të vazhduar bashkëpunimin e ngushtë me Federatën, në të mirë të interesave të shqiptarëve, Shqipërisë dhe Kombit shqiptar.

Zhvillimi dhe përparimi I Shqipërisë dhe i mbarë kombit shqiptar është gjithnjë i lidhur ngushtë me integrimin e mëtejshëm të vendit në arenën ndërkombëtare për të mbrojtur më mirë dhe për të nxitur më shumë interest kombëtare, për të rritur dhe forcuar rolin dhe kontributin e Shqipërisë në rajon e më gjerë në botë. Në këtë kuadër, sic është tashmë e njohur, e vërtetuar dhe sic është theksuar në vijimësi nga drejtuesit më të lartë të Shtetit, komuniteti shqiptaro-amerikan do të vazhdojë të ketë një rol të veçantë, të rëndësishëm dhe të pazëvendësueshëm në forcimin e lidhjeve të Shqipërisë dhe gjithë kombit shqiptar më Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Në këtë kontekst, Federata Panshqiptare VATRA ka dhe do të vazhdojë të ketë një rol, të vecantë e të rëndësishëm.

Lutem pranoni, zoti Kryetar, shprehjen e ndjenjave të mia më të mira,

Sinqerisht,

Ferit HOXHA

Ambasador

New York, 29 prill 2013

Filed Under: Kronike

DARDHARËT PËRKUJTOJNË BIRIN E TYRE VATRANIN JANI MELKA

April 29, 2013 by dgreca

Nga ROZI THEOHARI, Boston/

Vetëm vdekja mundi ta shtrijë përtokë Jani Melkën, këtë lis të gjatë e të nurshëm, aktivistin dardhar, publicistin dhe atdhetarin, që ndërroi jetë me 5 shtator 2004, nga një sëmundje e rëndë. Me humbjen e tij, ai la në hidhërim të thellë bashkëshorten Zhaneta, dy djemtë, Klodin e Ilirin, me dy nuset e shtëpisë, Klodianën e Mariolën, nënën e Zhanetës, Izminin, si dhe shumë miq e shokë, dardharë e bashkatdhetarë me banim në Uster, në vise të tjera të Amerikës dhe në atdheun e largët.

Në agimrendjen e këtij shekulli, po humbim edhe disa nga të dashurit tanë. U ringjallen edhe një herë plagët e kurbetit të dikurshëm, kur vdekja, që merrte aq jetë kurbetlinjsh, tundte kambanat e kishave në të dy kontinentet, jehona e të cilave

përzihej me vajet e nuseve e të nënave. Këto kohët e fundit na kanë lënë mjaft dardharë e bashkatdhetarë, duke na kujtuar se ndodhemi në një vend të huaj dhe dhembjen e ndiejmë dyfish.

Jani lindi në fshatin Dardhë të Korçës më 11 korrik 1940, ku dhe kaloi fëmijërinë. Babai i tij, Kostë Melka, si shumë dardharë të tjerë, kishte emigruar në Amerikë qysh në fillim të shekullit të kaluar dhe shërbeu në ushtrinë amerikane gjatë

Luftës së Parë Botërore. Kosta u kthye në Shqipëri, në vitin 1939, të vizitonte familjen, por, për shkak të luftës, nuk mundi të kthehej përsëri në Amerikë. Jani pati fatin e madh të rritej me baba e nënë, fat që nuk e kishin shumë moshatarë të tij me baballarët që punonin në Amerikë. Babai i tij, një burrë I respektuar nga dardharët, e edukoi të birin me dashurinë për Dardhën, për traditat e vyera që trashëgonte fisi i dardharëve në breza. Jani, me natyrën e tij të ndjeshme e romantike, u rrit në mes të maleve të Dardhës, mes bukurisë që sjell behari me

lule, tek shkëlqejnë dëllinjat në diell, dhe dimri me dëborë, tek bubullojnë malet e shkrepat. U rrit bashkë me moshatarët, me lodrat e shumta të fëmijërisë. Ai ishte nxënës i dalluar në shkollën e bukur të Dardhës, e cila në ato vite ziente nga zërat

e gëzueshëm të fëmijëve. Por Jani dallohej nga nxënësit e tjerë të fillores për disa virtyte.

Më kujtohen ato vite të pasçlirimit, kur në shkollat tona mungonte çdo gjë: mungonin shkumësat, librat, fletoret, penat, boja e shkrimit etj. Ishte “luks” në qoftë se një nxënës sillte ndonjë send nga këto në klasë. Ndërsa ne luanim në rrugët e fshatit, vinim re Janin, të larë, të krehur e të veshur pastër, me një shishe të vogël bosh në dorë. Ai nuk luante si ne, por shkonte te kushërinjtë qe kishin bojë blu,“gushëpëllumbi,” për ngjyrosjen e leshit për qilima. Me sjelljen e tij të hijshme, djali I vogël i lutej zonjës së shtëpisë t’i hidhte pak bojë në shishe. Ajo ia plotësonte dëshirën dhe Jani kthehej në shtëpi tërë gaz, sikur mbante në dorë një thesar. Pasi e përziente bojën me ujë dhe shishja mbushej plot, ai lejonte që ta përdornin atë të gjithë nxënësit e klasës. Ndoshta ky detaj duket i parëndesishëm, por ai lidhet vetëkuptimthi me karakterin e fortë dhe këmbënguljen e të riut që çdo punë ta kryente në mënyrë të plote e të përsosur, si dhe me dëshiren e tij për të ndihmuar cilindo në nevojë. Kjo ndjenjë detyre e përkujdesjeje e shoqëroi atë deri në shtratin e vdekjes.

Me merakun për të ndihmuar familjen, kur u rrit, Jani vazhdoi shkollën e rezervave të punës dhe gjimnazin e qytetit të Korçës, pa u ndarë kurrë nga fshati i tij ku kthehej gjatë pushimeve javore e verore. Në Korçë ai punoi disa kohë si mekanik në parkun automobilistik. Më vonë, me deshirën për të vazhduar studimet e larta, në vitin 1964, u regjistrua në Universitetin e Tiranës, në Fakultetin e Inxhinerisë dhe, pas katër vjetësh, në vitin 1968, u diplomua inxhinier mekanik.

Jani Melka punoi e drejtoi në disa rrethe të vendit, ku ndërtoheshin uzina e fabrika, si në Lushnje, Fier, Krujë; si inxhinier i ndërmarrjes së montimeve në Tiranë dhe mandej në Durrës, në ndërmarrjen e montimit të makinerive të rënda.

Ai vazhdoi të punonte me përkushtim edhe në vepra të tjera, drejtoi me zotësi, urtësi e korrektesë, plotësoi detyra të rëndësishme që iu ngarkuan, pa as më të voglën mëdyshje, deri në vitin 1993. Jani, kurdoherë i disiplinuar e i dalluar, u bë

një shembull për drejtuesit e kantiereve deri edhe për punëtorin e thjeshtë, sepse ai vetë ishte një punëtor i mbrujtur me dashurinë e respektin për njeriun, i gatshëm kurdo e kudo të ndihmonte të tjerët.

Po ashtu, Jani krijoi edhe familjen e tij shembullore. Ai u njoh e u martua me Zhaneta Plasën, vajzë nga një familje e dëgjuar në Korçë, bija e inxhinierit të talentuar të bonifikimeve në Shqipëri, Ilia Plasës. Ata u martuan në vitin 1975, duke krijuar një familje të nderuar e të respektuar nga të gjithë ata që i njihnin e i vlerësonin.

Jani erdhi familisht në Amerikë, si nënshtetas amerikan (nga babai i tij), në vitin 1993 e u vendos në qytetin e Usterit, qytet me tradita atdhedashëse. Qysh në fillim, ai u njoh me shumë dardharë e bashkatdhetarë, ardhur në Uster që nga shekulli i

kaluar, u familjarizua e u njoh nga afër me ta sidomos nëpërmjet kishës “Fjetja e Shen Mërise”, e cila është kthyer në një institucion që bashkon shqiptarët e që ndihmon emigrantët e posaardhur në Uster. Jani, i sjellshëm, i respektuar, xhentil, i

gatshëm për të ndihmuar cilindo, fitoi një popullaritet në banorët shqiptarë të Usterit, që rrallë mund ta arrijë një tjetër person. Janit iu propozua menjëherë të punësohej në kompaninë “Dimitria Delights” inc., pronarja e së cilës është

me origjinë shqiptare. Duke vlerësuar cilësitë e mira dhe disiplinën me të cilën punonte Jani, ajo e emëroi atë me detyrën e rëndësishme supervisor (përgjegjës), detyrë të cilën ai e mbajti deri në fund të jetës. Në vitet 1993-95, kur në Uster numri I emigrantëve ishte akoma i pakët, Jani ndihmoi pa u lodhur, me çfarë kishte mundësi, familjet e emigrantëve të rinj, për të filluar jetën e re në Amerikë. Ai i propozonte pronares së kompanisë që të punësonte shqiptarët e posaardhur dhe ajo,

me besimin dhe respektin që kishte për punën e Janit, nuk ia kthente fjalën. Puna në kompani ishte e lodhshme, kapitëse.

Punetorët gjatë gjithë kohës qëndronin në këmbë, duke gatuar brumin fillimisht e duke bërë byrekë e prodhime të tjera bekerie.

Kur Jani kthehej në shtëpi, ashtu si dhe intelektualëve të tjerë shqiptarë që punonin në kompani, mezi i pastroheshin flokët nga mielli i ngurosur në lëkurë. Kjo ka qenë dhe është Amerika ! Ajo thith energjitë e emigrantëve! Por Jani ka dhënë energjitë e tij jashtë mase…Ai punonte pa orar, punonte edhe atëherë kur nuk e paguanin, si vullnetar, sepse kishte merakun e cilësisë së prodhimit. Me pronaren shqiptare, me punëtorët e tij shqiptarë, me prodhimet e byrekëve shqiptarë për treg, me të folurit shqip gjatë procesit të punës, me bisedat për vendlindjen, qoftë edhe me lulet e beharit që kishte mbjellë në oborrin e godinës së kompanisë me farat që kishte sjellë nga fshati i tij, Dardha, Jani gojëmjaltë kishte krijuar një ansambël shqiptar, një vatër të ngrohtë atdhetare për ta pasur zili.

Qysh në fillim të jetës si emigrant, Jani Melka u njoh e u interesua për emisionet e radios së Usterit në gjuhën shqipe që jepen çdo të shtunë në “Ora shqiptare.” Ai e filloi si folës vullnetar, më vonë u bë miku e bashkëpunëtori i shqiptaroamerikanit

Dhimiter Stefo, i cili mbante dikur tërë peshën e radios. Pak nga pak, Jani filloi të merrte përgjegjësinë e emisionit. I përkushtuar për të dhënë sa më shumë informacione nga Shqipëria, ai sillte në emisionin e radios lajme të ndryshme e të larmishme për bashkatdhetarët. Nëpërmjet emisioneve të radios, ai u mundua të bashkonte bashkëfshatarët e tij nga Dardha për të rikrijuar shoqatën dardhare “Mbleta”, shoqatë që dikur e drejtonte Vasil Pani, kryetari i “Vatrës”.

Jani Melka së bashku me Sotir Panin, djalin e Vasil Panit dhe të ndjerin Koço Tollko, ringritën shoqatën“Mbleta,” e cila u shpall në piknikun e dardharëve në Southbric, me 26 gusht 2001. Por ishte Jani ai që e projektoi dhe këmbenguli për

rikrijimin e shoqatës. “Jani e mori seriozisht organizimin e shoqatës,- thotë Sotir Pani,- duke qenë i zgjedhur si sekretar I saj, “i zgjonte” nga gjumi të tjerët, i thërriste në mbledhje, ku shtronte probleme dhe jepte mendime për të kryer punë të vyera për shoqatën dhe jetën e kolonisë dardhare në Amerikë, që është vendosur kryesisht në Uster.” Edhe pse mjaft i sëmurë, Jani gjente forca të vinte në kishë rregullisht, të merrte pjesë në ndonjë takim të shqiptarëve. Kështu ai ishte i pranishëm në mbrëmjen tradicionale të shoqatës“Mbleta”më 29 dhjetor 2003.

Por shëndeti sa vinte e binte, ai hynte e dilte nga spitali me sy të trishtuar, e dinte që ndodhej në gjendje të rëndë shëndetësore, veçse dardhari optimist kurrë nuk e lëshoi veten, ai shpresonte se do të shërohej. Për habinë e të gjithëve, ai organizoi dhe mori pjesë në ceremonine e dekorimit të punonjësit të radios së Usterit, zotit Dhimiter Stefo, nga Kuvendi Popullor i Republikës së Shqipërisë.

Jani ishte aktivist shoqëror i talentuar, ishte i kudondodhur midis familjeve të emigrantëve të Usterit, në kishe ku ishte anëtar i nderuar i saj, në piknikë e në ekskursione, në festa e në gëzime familjare, në këngë e ne valle. Banorët shqiptarë të Usterit nuk mund ta harrojnë Jani Melkën; emri i tij, prania e tij do të jenë të gjalla kudo në qytetin e Usterit. Sa mbrëmje gazmore dëfrimi për shqiptarët organizoi dora e tij! Dardhari zemërdhëmbshur mendonte se shqiptarët e organizuar në festime masive e në darkëra me bashkatdhetarët, do të shuanin

mallin e dhembjen e mërgimit, do të harronin lodhjet e përditshme nga puna e hallet. Ai ishte ndihmës e aktivist jo vetëm i radios “Ora shqiptare,” por edhe përkrahës, me aq sa mundi, i emisionit televiziv në gjuhën shqipe.

Jani i donte shumë librat dhe një pjesë të kohës merrej me lexime. Kur kthehej nga vizita që bënte në atdhe, e sillte valixhen plot me libra; kur dikush dëshironte t’i bënte një dhuratë, ai ia priste shkurt: “Më bli një libër”. Kur kthehej vonë nga puna, ngulej në karrige, duke shfletuar gazetat “Illyria” ,”Dielli” dhe gazetat

e tjera shqiptare, për të përpiluar lajmet e emisionit të radios.

Atij, gjithashtu, i pëlqente të shkruante artikuj në gazeta; ka qenë një nder bashkëpunetorët e parë të gazetës “Illyria” dhe e ka ndihmuar këtë gazetë, duke i dërguar informacione e fotografi për veprimtarinë e shqiptaro-amerikanëve të hershëm të Usterit. I pëlqente të shkruante për Dardhën dhe gëzohej, kur gjente në shtyp artikuj për dardharët. Dashurinë e tij për vendlindjen, për Dardhën, ai e shprehte menjëherë sapo të takonte një bashkëfshatar ose të bisedonte në telefon. Ai jetonte shumë me kujtimet e vegjëlisë në fshatin e tij të dashur. Sa herë kthehej nga Shqipëria, Jani më telefononte nga Usteri e më tregonte se si kishte kaluar para shtëpisë sime e më sillte “të falat” e saj, ose si ishte shembur një mur i oborrit të shkollës së fshatit dhe, me interesimin dhe pjesëmarrjen e tij, dardharët e kishin ngritur përsëri, ose përshkruante bukurinë e korijeve erëftohta të Dardhës…

“Nuk do ta harroj kurrë,- thotë Sotir Pani,- gjestin që bëri Jani me gruan e tij në qershor të vitit 2002. Ai ndodhej në Dardhë për një vizitë, siç bënte zakonisht, dhe, për kujtim të babait, nënës dhe motrës së vdekur, dha një meshë përshpirtjeje

në kishën e Shen Gjergjit të Dardhës, si dhe shtroi një darkë me 60 të ftuar në një nga restorantet e fshatit. Në atë darkë Jani Melka mbajti një fjalim shumë kuptimplotë, që na bëri përshtypje neve pjesëmarrësve që u ndodhëm aty.”

Në muajt e parë të vitit 2004, gjendja shëndetësore e Janit u keqësua mjaft, hyri në një rrugë pa shpëtim, por ai nuk e lëshoi veten. Ishte një e papritur për familjarët, për miqtë dhe për ata që e njihnin, kur ai vendosi të bënte një udhëtim në Shqipëri, në qershor 2004, gjë që mjeku nuk ia pranoi. Por Jani me mendje e zemër jetonte me dashurinë për fshatin e tij, Dardhën. Ndoshta, refreni i këngës që ai e pëlqente aq shumë dhe e këndonte nëpër piknike e festa familjare, sikur e ftonte të kthehej:

Pra eja, ti eja,

Në Dardhën e bukur,

Në pyjet e gjelbra

Do ndjehesh i ri…

Zhaneta, gruaja e tij e dashur që nuk iu nda asnjë çast, tregon se Jani gjithnjë optimist, kishte njëfarë shprese se në vendlindje gjendja e tij do të përmirësohej, do të ndodhte ndoshta një mrekulli. I shoqëruar nga Zhaneta, vizitoi Durrësin, ku ka

shtëpinë, më tej Tiranën, Korçën e së fundi Dardhën. Kudo u prit me dashuri e dhembje nga të afërmit e të njohurit e tij, kur e panë se si e kishte shndërruar sëmundja trupin e tij, dikur të shëndetshëm e tërë gjallëri. Zhaneta tregon se me sa vështirësi ai e përballonte sëmundjen tashmë, çdo orë, çdo çast.

Megjithatë, i bëri të gjitha nderimet në fshatin e tij, në Dardhë, ashtu siç e kishte planifikuar. Vizitoi shtëpinë e prindërve, ku tani banonte një tjetër pronar, trokiti në derën e një miku dardhar, të cilit i kërkoi pak mjaltë bletësh me gjithë hoje, që

ka aromën e borigave. Kudo ishte i mirëpritur nga dardharët, të cilët ia hapnin dyert e shtëpive e mundoheshin t’i gatuanin diçka nga kuzhina e fshatit, për të cilën e kishte zënë malli.

Duke tërhequr këmbët nga pafuqia e dhembjet e padurueshme, ai vizitoi edhe varrezat e fshatit, puthi gurin e ftohtë mbi varrin e babait të tij Kosta, vuri lule mbi varret e familjes e qau me dënesë. Mbasi u qetësua pak, tregon e shoqja, ai lexoi me radhë emrat e shkruajtura në kryqe, që i njihte të gjithë. Qëndroi para

varrit të folkloristit dhe këngëtarit dardhar Koci Zdruli, i cili mblidhte dikur në shtëpinë e tij djelmurinë e fshatit dhe këndonin të shoqëruar nga kitarat e mandolinat. Kushedi ç’mendonte Jani atë çast, para varreve të babait, gjyshërve e

bashkëfshatarëve! Pasi e përqafoi disa herë gurin e babait, kaloi midis varreve duke qarë, ashtu i sëmurë, i këputur, doli nga varrezat duke u hedhur sytë e përlotur shtëpive të Dardhës, rrugëve me kalldrem, krojeve që rridhnin ujë të ftohtë, u freskua duke larë fytyrën. Zhaneta tregon se, duke u takuar me bashkëfshatarët, u la disa porosi për punët e fshatit. Hipi në veturë dhe u nis, ashtu, i sëmurë e i drobitur fizikisht e shpirtërisht, qëndroi për pak minuta në sheshin e valleve, lart,

te kisha e Shen Thanasit, ku, sikur iu fanit një grup vajzash të fshatit, veshur me xibunet dardhare, që po luanin vallen “Njëzet e pesë gersheta” në ditën e Shen Mërisë e ato ia tundnin shaminë e i jepnin lamtumirën. Hodhi sytë në malet e Gramozit, në pyjet që rrethojnë Dardhën, në korijen e bukur të Shen Pjetrit, u

kthye e pa Gurin e Vjeshtës, u la shëndetin, e dinte qe nuk do t’i shihte më, bëri kryqin përpara kishës së Shen Thanasit dhe kishës së Shen Pjetrit dhe u nis për në Korçë….Të nesërmen a të pasnesërmen mori rrugën e gjatë për të ardhur në Amerikë, në Uster, ku e prisnin tërë merak fëmijët, të afërmit e miqtë. U shtrua menjëherë në spital, ku e vizitonin të gjithë dhe s’mbeti pa u dhënë nga një porosi të gjithëve, megjithëse të folurin e kishte të vështirësuar.

Sotir Pani tregon për bisedën telefonike me spitalin…”Soto, -i thoshte Jani,- jam shumë i sëmurë…Ç’ po bën ti me shokët?

Pse s’po ecën shoqata jonë?…Mos rri indiferent…ta lë amanet “Mbletën”…unë nuk dal dot më…s’kam fuqi…”

Jani nuk kishte fuqi të merrte pjesë në piknikun e “Mbletës” të dardharëve, me 22 gusht 2004, por me mendjen aty, me dashurinë për dardharet, me Dardhën në mendje dhe në gojë,shkroi një përshëndetje për bashkëfshatarët që merrnin pjesë

në piknikun e shoqërisë “Mbleta.” Jani nuk ishte në piknik me trup, por ishte me mendje e zemër mes bashkëfshatarëve. Atë ditë nuk këndonte si një vit më parë, por vuante nga dhembjet, vuante nga dëshpërimi, shtrirë në krevat, pranë Zhanetës së tij që i shërbeu e u lodh për të. Në luftë me vdekjen fitoi vdekja, jo ai; me 5 shtator 2004, Jani mbylli sytë. Lajmin e dhembshëm e mësuan dardharët këtu në diasporë e larg, në atdhe. Kambana e kishës së Dardhës dha lajmin me tingujt e saj vajtues, tinguj që, veç njerëzve, i dëgjuan malet, korijet e lëndinat e Dardhës.

Humbja e Janit shkaktoi dëshpërim në radhë të parë në familjen e tij, tek bashkëshortja Zhanetë dhe dy djemtë. Klodi e Iliri janë krenarë për atë baba që i rriti e i edukoi e do të çojnë në vend amanetet që ai u la para se të mbyllte sytë. Dy vëllezërit më tregonin për sakrificat që bëri Jani për t’i shkolluar ata.

“Në Amerikë nuk keni ardhur të fitoni një copë bukë,-u tha Jani djemve,- por të shkolloheni, të pajiseni me diploma e të punoni në profesionin tuaj.” Klodi ka mbaruar kolegjin për biznes, ndërsa Iliri kolegjin për inxhinier elektronik. Të dy

punojnë në zanatin e vet, që e kanë fituar me djersë dhe ia dinë për nder të atit që këmbënguli aq shumë. Jani ndihej krenar për “investimin” e madh që kishte bërë gjatë viteve për edukimin dhe arsimimin e tyre.

Kur i telefonova zotit Anton Çefa, editorit të gazetës “Dielli”, dhe e lajmërova për vdekjen e Jani Melkës, atij iu duk sa I papritur aq edhe dhembjeshkaktues ky lajm.“Është një humbje jo vetëm për familjen,-tha ai,- por edhe për diasporën shqiptaroamerikane…

Më kujtohet,-vazhdoi ai,- në pranverën e vitit 2002, me rastin e ceremonisë së 90-vjetorit të themelimit të federatës “Vatra”, erdhi edhe Jani së bashku me të shoqen,

Zhanetën. Në banketin që u shtrua, folën shumë pjesëmarrës, por unë nuk do ta harroj fjalimin e Jani Melkës, i cili ishte I entuziazmuar – ndoshta më i entuziazmuari nga të gjithë pjesëmarrësit – për kontributin që ka dhënë dhe jep “Vatra” për çështjen e shqiptarizmës. Po ashtu, ai ishte optimist se “Vatra” do të luajë një rol të rëndësishëm në dobi të zhvillimeve demokratike në Shqipëri dhe të krejt çështjes kombëtare.” Jani ka qenë vazhdimisht i lidhur me redaksinë e gazetës “Dielli,” duke dërguar letra e korrespondenca, duke dhënë informacione

me telefon ose me internet. Zoti Anton Çefa vlerësoi lart veprimtarinë atdhetare të dardharëve që kur kanë vënë këmbë këtu një shekull më parë me Sotir Pecin, Josif e Vasil Panin e të tjerë. Edhe sot, ata vazhdojnë të ecin me përkushtim dhe sakrifica në gjurmët e traditës së tyre. Një shembull kuptimplotë është jeta dhe veprimtaria e Jani Melkës.

Jani u shua përgjithnjë në ditët e vakëta të vjeshtës së parë,por kujtimet që na lidhin me të, nuk do të kalojnë në rrugën e harrimit. Në fjalimin e varrimit, Sotir Pani, midis të tjerash, tha: “I dashur Jani! Ne dardharët që të donim e të respektonim aq tepër, do ta ruajmë emrin tënd në zemër, do t’i ruajmë

kujtimet që lidhen aq shumë me emrin dhe punën tënde që lë pas…Do të plotësojmë disa amanete që na lë…Mungesa jote do të ndihet shumë si në familje, si tek ne shokët e miqtë… I përjetshëm kujtimi…”

Tani që ka ardhur pranvera, ne dardharët e rajonit të Bostonit dhe të qytetit të Usterit e përkujtojmë Janin, bashkëfshatarin tone të paharruar dhe i çojmë te varri një buketë me lule të freskëta.

 

Filed Under: Kronike, Kulture Tagged With: nga dardharet, Rozi Theohari, u perkujtua Jani Melka

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 535
  • 536
  • 537
  • 538
  • 539
  • …
  • 596
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Fitoi Çmimin e Madh në Saint-Saëns International Music Competition, Prof. Ina Kosturi: “Shpaloseni talentin shqiptar nëpër botë e na bëni krenarë”
  • “Ëndrra Amerikane” në Washington DC
  • Potret kushtuar guximtarit të përndjekur Qemal Agaj
  • Shqipëria Nuk Ka Nevojë të Bëhet Singapor — Ka Nevojë të Bëhet Baltike
  • “PRIJATARËT E LAVDISË” – POEZI NGA VALBONA AHMETI
  • Gjuhën shqipe nuk e humb Norvegjia, e humbim ne në shtëpi
  • Një letër – Dy intelektualë – Tri dekada më vonë
  • Propaganda…
  • 𝐃𝐢𝐩𝐥𝐨𝐦𝐚𝐜𝐢𝐚 𝐞 𝐒𝐞𝐧𝐭𝐢𝐦𝐞𝐧𝐭𝐞𝐯𝐞 𝐌𝐢𝐝𝐢𝐬 𝐊𝐨𝐦𝐛𝐞𝐯𝐞: 𝐑𝐢𝐤𝐭𝐡𝐢𝐦𝐢 𝐢 𝐍𝐣𝐞𝐫𝐞̈𝐳𝐢𝐦𝐢𝐭 𝐧𝐞̈ 𝐧𝐣𝐞̈ 𝐁𝐨𝐭𝐞̈ 𝐊𝐨𝐧𝐟𝐥𝐢𝐤𝐭𝐮𝐚𝐥𝐞
  • LËVIZJA KOMBËTARE – NGA AUTONOMIA TE PAVARËSIA E SHQIPËRISË
  • “VATRA” në Boston ju fton në “Albanian Boston Community Center” më 17 janar 2026
  • NGA NJË KOLONI DE FACTO NË NJË KOLONI DE JURE
  • ADEM DEMAÇI, JO THJESHT FIGURË E REZISTENCËS, POR KATEGORI KONCEPTUALE E SHTETFORMIMIT
  • Roli i gazetës “Arnavud/Shqipëtari” në formimin e vetëdijes kombëtare te shqiptarët përballë politikave turqizuese të xhonturqve
  • Si investonte Serbia në thellimin e përçarjeve ndërmjet udhëheqësve shqiptarë dhe në shkëputjen e tyre nga ndikimi austro-hungarez

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT