• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Vjetërsia e gjuhës shqipe

August 9, 2023 by s p

Bledi Filipi/

Lajmi u përhap me shpejtësinë e dritës, a thua se dëgjohej e lexohej për të parën herë. Si fillim do të përpiqem shkurt të përmbledh se ç’kanë thënë për shqipen. J. Hahn, në veprën “Studime shqiptare” (1854), me të cilën shënoi një etapë të re në më shumë se një fushë të albanologjisë, shtroi pyetjen se a janë shqiptarët autoktonë në vendbanimet e sotme të tyre, pyetje së cilës ai iu përgjigj në mënyrë pohuese. Ai i shihte shqiptarët si pasardhës të ilirëve, me të cilët afroi epirotët e maqedonasit, duke e lidhur gjithë këtë me pellazgët parahistorikë. Për të argumentuar tezën e tij të prejardhjes ilire të shqiptarëve e të gjuhës së tyre, Hahni përdori edhe materialet gjuhësore. Teoria e prejardhjes së shqipes, nëpërmjet ilirishtes, nga pellazgjishtja, u përkrah përpara Hahnit e për një periudhë edhe pas tij nga një radhë autorësh arbëreshë, duke filluar nga Nikollë Keta i shek. XVIII gjer te poeti i madh arbëresh Jeronim De Rada, që e mbrojti atë me zjarr gjer në fund të jetës së tij. Ajo u bë teza e përgjithshme e rilindësve tanë, që, duke theksuar me të lashtësinë e popullit shqiptar, kërkonin të vinin në dukje të drejtat e tij për të qenë zot i vetvetes e për të marrë vendin që i takonte në mes të popujve të lirë e të pavarur të Evropës. (Buda, 1987:25)

G. Mayeri më pas e pati caktuar vendin e shqipes, duke theksuar sidomos lidhjet e saj me arealin indoevropian. H. Pederseni solli disa përkime me armenishten. N. Jokli përforcoi qëndrimin e Mayer-it. Pas Joklit përkimet speciale leksikore midis shqipes dhe gjuhëve indoevropiane flasin për raportet e lashta të paraardhësve të shqiptarëve me paraardhësit e baltëve, gjermanikëve etj.

Këto janë thënë shekuj më parë nga albanologë të huaj dhe gjuhëtarë shqiptarë. Por para disa ditësh një lajm bëri bujë, sa kaloi në kryelajm në gazeta dhe televizione. Ishte për “zbulimin” e madh se shqipja është një ndër tri gjuhët më të vjetra në botë. Por kur e lexova këtë lajm edhe në faqen e AShSh-së, mendova: deri këtu arritëm?

Dikush mund të thotë me të drejtë, u bëre ti të dalësh kundër tyre. Nuk është çështja se po kundërshtoj punën e dikujt. Jo! Përkundrazi, më bëhet qejfi që në një revistë me prestigj dhe që lexohet gjerësisht ripohohet, se shqipja bashkë me dy gjuhë të tjera është ndër më të lashtat gjuhë indoeuropiane (jo më të vjetrat në botë). Këtë gjë shumë vite më parë e kanë vërtetuar arkitektët e gjuhësisë dhe të historisë shqiptare, si: Çabej, Domi, Buda, Ajeti etj., dhe nga albanologët e huaj pëfrmenda Pedersenin, Joklin, Majerin etj. dhe do ishte e udhës të citoheshin këta dijetarë të mëdhenj. Një e ftuar e një TV deklaronte se ajo e kishte thënë vite më parë këtë dhe akademikët tanë nuk ia kishin vënë veshin. E më pas zuri të fliste me pasion e ta shpallte veten etimologe bashkë me disa kolegë të saj. Ajo filloi si gjithmonë të shante gjuhëtarët e vërtetë e të hidhte baltë mbi veprën e tyre. Kësaj iu bashkëngjitën edhe allosoj “gjuhëtarësh”, që lanë mënjanë profesionin për të cilin ishin thirrur dhe i thanë vetes gjuhëtarë.

U bë temë dite sa u përfshinë në debat juristë, mjekë, sociologë, klerikë dhe lanë mënjanë profesionin e tyre e i thanë vetes mashalla gjuhëtarë.

Por a kemi kësaj here një zbulim të ri?

Këtu nuk kemi të bëjmë me një zbulim të ri, por me një saktësim të asaj që albanologët e kanë vërtetuar herët

Siç e theksova, ditët e fundit këtij lajmi iu bashkëngjitën jo gjuhëtarët e vërtetë, por sharlatanët që s’lanë fjalë të rruzullit pa e nxjerrë shqip. Të gjithë do të donim që shqipja të ishte nëna e gjuhëve indoeuropiane, por s’të lë historia e gjuhës dhe më saktë fonetika historike, etimologjia dhe mbi të gjitha gjuhësia krahasuese.

Do të ishte një lajm i ri nëse do të ishte zbuluar ndonjë shkrim i vjetër i parashqipes, pra ilirishtes dhe rregulli e do që të flasin të parët specialistët e fushës e jo ata që nuk kanë asnjë lidhje me gjuhësinë. Mjafton të citoj prof. Xh. Lloshin, i cili në librin “Periudhat historike të gjuhës shqipe”, botuar më 2013, domethënë dhjetë vjet më parë, ka shkruar: “Shqipja bën pjesë në gjuhët indoeuropiane, por zë një vend të veçantë, ashtu si greqishtja ose armenishtja, sepse qëndron më vete, nuk është brenda një grupi, si gjuhët romane, gjermanike ose sllave”. Sipas shpjegimeve të tij, arsyeja është se këto tri gjuhë nuk janë degëzuar në pasardhëset e sotme për shkakun se popullsitë bartëse të tyre janë pasojë e rrudhjes, e zvogëlimit të hapësirës së tyre për shkaqe historike. Mjafton të përmendet Magna Grecia dy mijë e ca vjet më parë, ndërsa edhe ilirët shtriheshin në veri deri në Trieste dhe në jug deri në Pargë, kure përfundimisht shqipja është pasardhëse e një grupi dialektesh ilire jug-perëndimore. Madje prof. Xh. Lloshi ka shkruar jo për një ilirishte, por për disa gjuhë ilire dhe prandaj shqipja është me vlera të veçanta, sepse vetëm ajo ka qenë e aftë të mbijetojë deri në ditët tona e të jetë si shoqet e saj një gjuhë e lëvruar europiane. Sa për datën 6 mijë vjet, është e vërtetë që sipaa dijes gjuhësore, gjuhët indoeuropiane mund të quhet se përcaktohen në një periudhë paraindoeuropiane dhe rreth 3700 vjet para erës së re mund të flitet për një gjuhë indoeuropiane si bashkësi dialektesh.

Do të ishte mirë që edhe televizionet të ndërgjegjësoheshin dhe të thërrasin në emisione ata gjuhëtarë që kanë dhënë kontribut të çmuar në gjuhësinë shqiptare e jo ata që po bëhen qesharakë me budallallëqet e tyre.

Kombi ynë është një komb me histori të lashtë në trojet e tij dhe këtë e dinë të gjithë. Jemi komb i copëtuar në gjashtë pjesë dhe në Evropë dhe botë ne duhet të përfaqësohemi denjësisht dhe jo me përralla.

Ajo që na bën një kudo jemi është gjuha, por kur vjen puna te vjetërsia e gjuhës sonë amtare duhet të flasin specialistët. Gjuhësia, historia flasin me shkrime, dokumente dhe shkenca me prova a eksperimente.

Historia e gjuhës ka rregullat e saj, dhe për të dëshmuar vjetërsinë e një gjuhe duhen shkrime të vjetra që ne deri më sot nuk i kemi dhe për të shkuar te gjuha-nënë niset nga e reja tek e vjetra, jo nga e vjetra tek e reja.

Filed Under: Kulture

PROFESOR JORGJI GJINARI DHE ALBANOLOGJIA E GJYSMËS SË DYTË TË SHEKULLIT XX

August 8, 2023 by s p

Shkruan: Prof. Begzad BALIU/

Një hyrje bio-bibliografike

Jorgji Gjinari (Berat, 1931 – Tiranë, 2020) është njëri prej përfaqësuesve të veçantë të gjuhësisë shqiptare të gjysmës së dytë të shekullit XX. Duke qenë bartës i një prej fushave më të veçanta të gjuhësisë shqiptare: dialektologjisë, Jorgji Gjinari përfaqëson atë brez studiuesish shqiptarë që lidhej me personalitetet e shquara të kohës: Mahir Domin, Eqrem Çabejn, Selman Rizën, Aleks Budën, Androkli Kostallarin, Xhevat Lloshin etj., të cilët ishin formuar në shkollat më të mira ndërkombëtare të kohës; ndërsa duke qenë drejtues institucionesh dhe projektesh të mëdha shkencore nacionale, ai para së gjithash hyn në rrethin e atyre albanologëve shqiptarë që u formuan brenda shkollës shqiptare, si: Shaban Demirajt, Jani Thomajt, Jup Kastratit, Gjovalin Shkurtajt, Tomor Osmanit etj., të cilët u bënë bartës të dy proceseve njëkohësisht: ngritjes së institucioneve albanologjike dhe projekteve nacionale albanologjike.

Profesor Jorgji Gjinari i përbashkon këta dy breza, në dy procese të rëndësishme: së pari, si drejtues i projekteve të mëdha nacionale në fushë të dialektologjisë, sikur është Atlasi dialektologjik i gjuhës shqipe (I, II), dhe seria e vëllimeve me studime “Dialektologjia shqiptare”, dhe si titullar universitar i lëndës së Dialektologjisë, me të cilën identifikohej për shumë dekada, krahas bashkëkohësve: Eqrem Çabejt e Idriz Ajetit (historianë të gjuhës), Mahir Domit (sintaksolog), Selman Rizës e Shaban Demirajt (gramatikanë), Jup Kastratit (albanolog), Jani Thomajt (leksikograf), Androkli Kostallarit (standardolog), Shefki Sejdiut (semasiolog dhe ballkanolog), Gjovalin Shkurtajt (sociolinguist), Tomor Osmanit (historian i alfabetit), Ruzhdi Ushakut (etnolinguist), Xhevat Lloshit (semantist), Anastas Dodit (fonetikan) etj.

Me punën e tij jo shumë të vëllimshme hulumtuese, në krahasim me disa nga bashkëkohësit e tij, Profesor Jorgji Gjinari ka shënuar disa veçori shkencore dhe ka sjellë qasje bashkëkohore në fushë të metodologjisë së kërkimit shkencor, të cilat i kanë munguar dijes albanologjike të kohës në Tiranë. Në zhvillimet e tanishme të mendimit shkencor, kur modelet e kërkimeve të gjysmës së dytë të shekullit XX, janë bërë temë hulumtimi ndër arkiva, dhe diskutimi për çështje të zhvillimit të shkencave shqiptare, historianit të albanologjisë nuk mund t’i shpëtojë fakti se nga mesi i viteve ’70 e më tej, kur konceptet ideologjike në letërsi, histori e në disa fusha të tjera përmbysnin projektet shkencore nacionale, ai botonte artikuj shkencorë në fushë të dialektologjisë mbështetur në konceptet e gjuhësisë së përgjithshme të strukturalistëve më të shquar të shekullit XX: Ferdinand de Sosur, N. S. Troubetskoy, Roman Jakobson, Andre Martinet, rezultatet e cilave do t’i kurorëzojë me disertacionin e doktoratës Sistemi fonologjik i dialekteve të gjuhës shqipe (1983), si dhe me njërën prej monografive më sistematike të kohës, madje jo vetëm në fushë të dialektologjisë, veprën Dialektet e gjuhës shqipe (1989). Në kontekstin institucional të organizimit dhe dijes shkencore të albanologjisë, kulmet e kërkimeve të tij arrihen me Atlasin dialektologjik të gjuhës shqipe, të cilin e drejton si bartës i projektit, por në të njëjtën kohë është edhe hartues, krahas bashkëkohësve të tij. Në këtë projekt të madh shkencor, dijes albanologjike, nacionale, Profesor Gjinari do t’i prijë me tekstin themelor Parimet themelore të “Atlasit dialektologjik të gjuhës shqipe”, në të cilin, në mënyrë sintetike ka reflektuar gjithë përbërësit teorikë, metodologjikë dhe praktikë të punës që e kanë bërë anëtarët e këtij projekti të madh nacional: Jorgji Gjinari, Gjovalin Shkurtaj, Bahri Beci dhe Xheladin Gosturani, si dhe bashkëpunëtorët e tyre në Kosovë, Mal të Zi, Maqedoni, ndër Arbëreshët e Italisë dhe në kolonitë e tjera shqiptare nëpër botë.

Kontributi i Profesor Jorgji Gjinarit në këtë vëllim do të shquhet në mënyrë të veçantë edhe me studimet e përfshira brenda projektit. Ato janë tekste të karakterit teorik, krahasues, praktik dhe orientues për disa çështje dhe për disa aspekte, të cilat Atlasin dialektologjik të gjuhës shqipe e bëjnë vepër model të projekteve të mëdha nacionale, të cilat nuk i kemi, dhe të krahasueshme me projekte të kësaj natyre në rajon dhe më gjer në Europë. Të kësaj natyre janë tekstet me karakter dialektologjik, sociolinguistik e etnografik Izoglosa leksikore në “Atlasin dialektologjik” dhe zakone krahinash, Ylber/arc-en-cie…, Vështrim i dialekteve nga aspekti strukturor në hartat e “Atlasit dialektologjik”, Arbërishtja e Italisë dhe çamërishtja në “Atlasin dialektologjik”, Fjala perëndon (dielli) në “Atlasin dialektologjik”, Variantet leksikore të hartave të “Atlasit dialektologjik” të krahasuara me normën e gjuhës shqipe.

E parë në tërësinë e saj vepra shkencore e profesor Jorgji Gjinarit mund të vlerësohet mbështetur në dy paradigma: së pari, mbi strukturën shkencore të saj: monografitë Sistemi fonologjik i dialekteve të gjuhës shqipe dhe Dialektet e gjuhës shqipe; studimet monografike: Vërejtje mbi të folmen e krahinave Krasniqe, Gash e Butyç të rrethit të Tropojës, Vëzhgime mbi të folmen e Bregut të Bunës; tekst pedagogjik: Dialektologjia shqiptare (disa ripunime); tipologjitë historike: Për historinë e dialekteve të gjuhës shqipe, Mbi disa elemente sllave në të folmet veriore të Shqipërisë jugore, a bashkëkohore: Sprovë për një ndarje dialektore të gjuhës shqipe, Toskërishtja veriore dhe grupimi i të folmeve të saj); trajtesat: Gjuha letrare, drejtshkrimi dhe dialektet e shqipes, Gjuha letrare shqipe në një fazë të re; vlerësimet: Gjendja dhe perspektiva e dialekteve shqipe, Dialektologjia shqiptare në vendin tonë gjatë 25 vjetëve të çlirimit etj., dhe së dyti, sipas karakterit të kërkimit: kronologjik – në kontekst të avancimit shkencor, si dhe rolit që kishte në arritjet shkencore kryesisht në fushë të dialektologjisë dhe planifikimit gjuhësor; po edhe historiko-kronologjik, – në kontekst të trajtimit të dukurive dhe fenomeneve dialektologjike në diakroni e sinkroni, si përbërëse themelore të zhvillimit të historisë së gjuhës shqipe.

Mbështetur në vlerësimet e gjertanishme të filologëve të sotëm shqiptarë, në biografinë e Jorgji Gjinarit do shquar edhe ekspeditat e tij në vise të ndryshme të Shqipërisë, të Kosovës dhe të Arbëreshëve të Italisë, mbi bazën e të cilave ka përgatitur disa monografi përshkruese për të folmen e Beratit, të folmen e krahinës së Oparit, Skraparit, Myzeqesë, Mallakastrës, Devollit, Korçës, Tropojës, Bregut të Bunës etj., si dhe një aktivitet veçanërisht të lakmuar nga të gjithë filologët e gjysmës së dytë të shekullit XX: të qenit pjesëmarrës në konferencat kryesore të albanologjisë, si dhe delegat në Kongresin e Drejtshkrimit të Gjuhës Shqipe (1972), e Jorgji Gjinari ishte jo vetëm pjesëmarrës i Konferencave të Albanologjisë po edhe delegat e madje anëtar i Komisionit Organizues të këtij Kongresi.

Veprat monografike

Po të shihet me kujdes biografia jetësore dhe bibliografia shkencore e Jorgji Gjinarit nuk është vështirë të nxirret një përfundim shumë komplementar i formimit të tij shkencor, i cili në këtë rast do të mund të përshkallëzohet me dy veçori. E para ka të bëjë me ngritjen cilësore dhe avancimin arsimor dhe sidomos metodik e bashkëkohor, të cilat shihen dukshëm në kronologjinë e studimeve të tij dhe e dyta, që ndërlidhet me ngritjen e tij shkencore, nga kërkuesi në terren dhe përshkruesi i të folmeve gjuhësore, deri te autori i studimeve të avancuara gjuhësore të karakterit teorik e monografik. Ky proces formues e konceptual në bibliografinë e tij bartet nga studimet sintetike, deri te arritjet më të mira të paraqitura në vëllime monografike me qasje serioze jo vetëm të karakterit teorik, por edhe historiko-gjuhësor e sistematik. Nuk është e rastit prandaj pse në kohën kur shumë bashkëkohës të tij veprimtarinë shkencore e fillojnë me disa artikuj të rastit dhe e kurorëzojnë me sinteza monografike, Jorgji Gjinari, para se t’i kurorëzojë dy monografitë e tij shkencore boton disa studime me karakter monografik dhe riboton disa herë tekstin universitar për lëndën e Dialektologjisë, fillimisht si dispensë, pastaj si kurs, e më pastaj si tekst universitar, dhe në fund edhe si bashkautor me Profesor Gjovalin Shkurtajn.

(…)

Dy sinteza në një monografi

Në studimet dialektore shqiptare monografia Dialektet e gjuhës shqipe është njëra prej veprave më të mira në këtë fushë. Disa dekada me radhë në studimet dialektore janë botuar dhjetëra monografi përshkruese dhe historiko-gjuhësore, por ndikim më të madh e kishin ajo e Cimohovskit për të folmen e Thethit dhe ajo e Idriz Ajetit për të folmet e Zarës. Si e para ashtu edhe e dyta janë shquar për karakterin sintetik dhe metodën historiko-gjuhësore të qasjes, porse vetëm Jorgji Gjinari me veprën e tij Dialektet e gjuhës shqipe do të arrijë të sjellë një sintezë mjaft të plotë për tërësinë historike, fonetike dhe morfologjike të të folmeve të gjuhës shqipe, të cilën autori i saj me të drejtë e quan një traktat për dialektet e shqipes.

Monografisë Dialektet e gjuhës shqipe i kanë paraprirë disa studime përshkruese të kërkimeve të tij në krahina etnografike brenda dhe jashtë Shqipërisë, si dhe disa studime teoriko-gjuhësore për fenomene dhe dukuri historike e bashkëkohore të dialekteve të shqipes, po edhe një monografi sintetike për sistemin fonologjik të dialekteve të gjuhës shqipe. Ajo është shkruar, veç tjerash, edhe pas kërkimeve sistematike, që bashkëkohësit e tij kanë bërë në krahina të ndryshme etnografike në gjithë hapësirën shqiptare dhe në diasporën historike, prandaj sintezat e tij më parë se sa përshkrues kanë karakter përgjithësues dhe strukturor. Në të vërtetë, sikur thuhet në fjalën hyrëse të autorit, në këtë vepër “çdo dukuri dialektore është analizuar nga aspekti strukturor dhe funksional, sipas parimeve të N. S. Trubeckoit të parashtruara për dallimet dialektore, fonetike në veprën e tij Principes de phonologie. Për analogji, me klasifikimin e dallimeve fonetike është bërë edhe klasifikimi i dallimeve morfologjike po sipas kriterit strukturor dhe funksional”. Sikur mund të shihet prej arritjeve të tij në disa nga studimet teoriko-gjuhësore të mëparshme dhe sikur mund të vlerësohet prej kapitujve të këtij vëllimi, analizat e kësaj natyre, të mbështetura në kriteret strukturore të parimeve të Trubeckoit dhe të shkollës së tij, zgjerojnë hapësirat dialektore të tipareve të njëjta gjuhësore të shqipes, ndryshe nga analizat tradicionale, të cilat dallimet dialektore i copëzojnë dukshëm më shumë dhe përveç koncepteve historiko-gjuhësore, në fushë të planifikimit gjuhësor dëmtojnë arritjet e gjertanishme, për të mos thënë thellojnë dallimet dialektore në kundërshtim me afrimin e tyre në interes të shqipes standarde.

Monografia hapet me një parathënie të shkurtër, por përmbyllet me një rezyme të zgjeruar në gjuhën frënge. Kapitullin e parë e përbëjnë dy tema të mëdha të dy projekteve shumë të rëndësishme në studimet dialektore: hulumtimet e gjertanishme në fushë të dialektologjisë dhe rezultatet e tyre në kurorëzimin e Atlasit dialektor të gjuhës shqipe. Në të vërtetë, kapitulli i parë është një hyrje në studimet dialektologjike shqiptare në kontekstin historik dhe një paraqitje e arritjeve të tyre në fund të shekullit XX.

Kapitulli i dytë mund të thuhet se është një paraqitje sintetike e kërkimeve dhe përshkrimeve të gjertanishme në fushë të dialektologjisë, të cilat zënë vend në kapitullin e parë. Në kapitullin e dytë, të përbërë prej dy temave të mëdha paraqiten mendimet e gjertanishme për ndarjen e sotme dialektore të gjuhës shqipe, në kontekstin historik dhe gjeografik e etnografik, ndërsa në temën e dytë është parë e gjithë kjo në kontekst të zhvillimeve të saj gjatë historisë, fillimisht si dije e gjertanishme e pastaj edhe si tipologji e saj në kontekst të zhvillimit të brendshëm dhe në kontekst të lidhjes së saj me vetë historinë e popullit shqiptar.

Kapitulli i tretë zë pjesën qendrore të gjithë veprës. Në këtë kapitull bëhet një tipologji dhe sillen rezultate të reja në fushë të studimit të sistemit fonologjik të dialekteve të gjuhës shqipe. Fillimisht iu bëhet një vështrim thelbësor dy problemeve qenësore të kësaj teme: aspektit historik, pra studimit të gjertanishëm të sistemit fonologjik, si dhe aspektit metodologjik të qasjes, pra kritereve që janë përdorur për klasifikimin e dallimeve dialektore fonetike të shqipes. Më tej, janë trajtuar si sythe më vete sistemi i zanoreve dhe sistemi i bashkëtingëlloreve në gjendjen e sotme. Brenda sythit të sistemit të zanoreve dhe varianteve të tyre, pasi është sjell i plotë inventari i fonemave zanore, janë trajtuar në mënyrë të veçantë funksionet e tyre, variantet fonetike, si dhe dallimet në përbërjen fonematike të fjalëve. Po kështu është vepruar edhe me sythin për sistemin e bashkëtingëlloreve, në të cilin pasi është identifikuar i gjithë inventari i fonemave bashkëtingëllore është hedhur dritë mjaft e plotë edhe në sistemin e fonemave, funksionin e fonema, variantet dhe dallimet në përbërjen fonematike të fjalëve. Ashtu si edhe në kapitullin e parë edhe në këtë kapitull të dytë, janë parë dhe janë trajtuar me kujdes ndryshimet në sistemin e fonemave gjatë historisë së dialekteve. Në sistemin e parë të ndryshimeve ai ka parë dhe trajtuar me interes dukuritë e karakterit historik, sikur janë zanoret hundore të gegërishtes dhe ə-ja e theksuar e toskërishtes, zanoret gojore të gjata dhe të shkurtra, zanoret e theksuara i dhe u; togjet e zanoreve ua, ye dhe ie; ndërsa brenda ndryshimeve në sistemin e bashkëtingëlloreve janë trajtuar rotacizmi, bashkëtingëlloret qiellzore c dhe ɟ, grupet e bashkëtingëlloreve kl dhe gl, si dhe disa aspekte të natyralizimit të kundërvënieve të bashkëtingëlloreve.

Prej kërkimeve dhe studimeve mjaft të thella në strukturën e sistemit fonetike të zanoreve e të bashkëtingëlloreve, të para ndaras, në diakroni e sinkroni, autori arrin të sjellë disa përfundime të cilat tri më duken përfaqësuese:

a) në përgjithësi, konstaton autori, shihet se më shumë ndryshime fonetike kanë pasur të folmet e dialektit verior. Në këtë aspekt, toskërishtja paraqitet më e njësishme në sistemin fonetik. Njësia në dialektin jugor shihet edhe në sistemin e fonemave bashkëtingëllore;

b) dialekti verior paraqitet më pak i njësishëm në sistemin fonetik, e megjithatë edhe në këtë dialekt njësia nuk mungon, sidomos në pjesën relevante të tij; dhe

c) përfundon Jorgji Gjinari “njësia fonetike në thelb është ruajtur dhe ka arritur deri në ditët tona, çka nxjerr në dukje qëndrueshmërinë e bashkësisë gjuhësore dhe etniko-politike të shqiptarëve”.

Ndonëse jo në përmasa të kapitullit të mëparshëm për strukturën historike dhe bashkëkohore të sistemit fonetik të shqipes, në një kapitull më vete paraqiten edhe dallimet morfologjike të dialekteve të shqipes, sipas një klasifikimi strukturor. Ai hapet me konceptet teoriko-gjuhësore dhe metodologjike që janë përdorur për klasifikimin e këtyre veçorive, për të thelluar kërkimet e tij për dallimet në inventarin e strukturave të kategorive gramatikore; për dallimet në variantet e strukturave gramatikore; për dallimet në dendurinë e përdorimit të varianteve strukturore; dhe për dallimet fonetike të varianteve strukturore.

Monografia Dialektet e gjuhës shqipe përmbyllet me një kapitull të karakterit sintetik dhe pragmatik, pa të cilin nuk mund të merren me mend studimet e kësaj natyre nga brezi i studiuesve si Jorgji Gjinari. Ky brez, që një jetë të tërë ia ka kushtuar planifikimit gjuhësor, shqipes standarde, apo gjuhës letrare, sikur thuhej në terminologjinë e kohës, është e kuptueshme që veprat e kësaj natyre t’i kenë përmbyllur me një kapitull si ky, për marrëdhëniet e sotme të dialekteve me gjuhën letrare. Megjithëse të theksuara dhe të ritheksuara shpesh në kapitujt e mëparshëm, sa herë i sillte natyra e këtij studimi, fenomenet dhe dukuritë fonetike a morfologjike të të folmeve të shqipes, janë të lidhura ngushtë me sintezën e madhe të planifikimit gjuhësor, në të cilën kontribut të rëndësishëm ka dhënë edhe Jorgji Gjinari. Në këtë kapitull trajtohen tri tema themelore të kësaj natyre: përbërja e gjuhës letrare në raport me dialektet, tiparet dalluese dialektore që tërhiqen nga dialektet nën veprimin e gjuhës letrare, si dhe tiparet dalluese dialektore që hyjnë në gjuhën letrare për pasurimin, pastrimin dhe zhvillimin e saj të mëtejshëm.

Vepra mbyllet me një syth për literaturën e përzgjedhur, një veçanti kjo e akribisë shkencore dhe mjaft e veçantë e Jorgji Gjinarit në studimet albanologjike.

Dëshmi të historisë së gjuhës shqipe për kohën dhe vendin e formimit të popullit shqiptar

Prej studiuesit që dekada të tëra ka sjellë sinteza më të mëdha a më të vogla për çështje të dialektologjisë historike, është e natyrshme që të sillte edhe sintezën e madhe të dukurive dialektologjike, që dëshmojnë për vendin e formimit të popullit shqiptar e të gjuhës shqipe. Një përmbledhje posaçërisht të plotë dhe analitike e sintetike Profesor Gjinari e ka paraqitur në kumtesën e tij të lexuar në Konferencën kombëtare të formimit të popullit shqiptar, të gjuhës dhe të kulturës së tij, në Tiranë më 1982. Në të vërtetë kumtesa e tij e kësaj konference i tejkalonte pritjet për përmasën historike, gjuhësore dhe kulturore të paraqitjes. Në shtratin e saj, përtej referencave gjuhësore a dialektore, silleshin të dhëna historike e demografike, etnologjike e kulturore për popullin shqiptar e për popujt fqinjë, për periudha të mëdha historike dhe për formacione kulturo-historike të hapësirës shqiptare, ballkanike dhe madje europiane e aziatike. “Në formacionin e një perandorie me një konglomerat këmbimesh siç ishte ajo e Bizantit, – e fillonte diskutimin Profesor Gjinari, – ku përfshiheshin edhe shqiptarët, është e natyrshme që të ketë pasur përzierje grupesh të popullsive të ndryshme jo vetëm në kufij, por edhe brenda territori të një populli. Një gjendje e këtillë me grupe etnike heterogjene u krijua në disa territore të shqiptarëve në kohën e Bizantit me futjen e sllavëve dalë nga dalë deri në thellësi.

Këtë gjendje, përveç me të dhëna të karakterit historik e demografik, kulturor e sociolinguistik, autori e dëshmonte edhe me një numër jo modest të toponimeve të sotme me prejardhje sllave, të cilat dëshmojnë se deri në kapërcyell të mijëvjeçarit të parë dhe mijëvjeçarit të dytë në trojet shqiptarëve ishte formuar një shtresë qendrash të banuara me emra sllavë. Toponimet sllave, të sjella nga Profesor Gjinari dëshmojnë gjithashtu se edhe në shekujt e parë të mijëvjeçarit të dytë është formuar një shtresë tjetër vendbanimesh me emra sllavë, me një shtrirje më të madhe se ato të mijëvjeçarit të parë. Karakteristikë e këtyre toponimeve është se ato dëshmojnë qartë për shtresën e pushtimeve bullgare dhe serbe, por ato njëkohësisht nuk tumirin në asnjë mënyrë mendimin e disa studiuesve të dijes sllave, të udhëhequr nga sllavisti A. M. Selishqev, se shqiptarët u vendosën në këto hapësira duke ardhur dhe duke u ngulitur herë pas here në grupe të vogla. Mendimeve të Selishqevit, Profesor Gjinari do t’iu kundërvihet ashtu si edhe pararendësi i dijes albanologjike Norbert Jokli, duke vendosur në plan të parë metodologjinë e kërkimit. Është e panatyrshme dhe metodologjikisht e papranushme që nga e gjithë historia e një populli të nxirren konstatime përfundimtare, duke u mbështetur vetëm në përbërës të caktuar a të përzgjedhur dhe duke përjashtuar pjesën tjetër të jetës materiale e shpirtërore të tij. Në studimin e tij, për të mos i ikur diskutimit të studiuesve sllavë, Profesor Gjinari vë në plan të parë pikërisht toponiminë e kësaj natyre, të shpërndarë nga Jugu në Veri, e madje edhe në Kosovë: Bushtricë, Plashnik, Shtërmen, Belishovë etj., të cilat tregojnë qartë se s sllave është shndërruar në sh, nëpër gojë të shqiptarëve. Toponime si këto janë të një kohe kur në gjuhën shqipe ende nuk kishte marrë fund procesi i kalimit të fonemës s në sh, d.m.th. para shekullit X. Në të vërtetë, kjo është një shtresë toponimike e hapësirës shqiptare që dëshmon për vazhdimësinë e sistemit fonetik, përkatësisht dukurive fonetike të tij, të bartura nga periudha e antikitetit, prandaj edhe mund të themi, edhe të atij sistemi toponimesh të kësaj periudhe të hapësirës shqiptare: Nish, Shkup, Shtip, Sharr, Shkodër etj.

Ndryshe ndodh me ato toponime të proveniencës sllave, që në hapësirën shqiptare shfaqen mjaft dendur në mijëvjeçarin e dytë, e ku s sllave, ashtu si në fjalët shqipe të kësaj periudhe, ka mbetur e pandryshuar: Bistricë, Bistrovicë, Belesovë, e që kanë po një prejardhje si Bushtricë, Belishovë etj. Në këto toponime gjejmë edhe tipare të tjera, sikur është rotacizmi dhe kalimi i a në ë, si zhvillime të brendshme që ndajnë dy dialektet e saj.

Në ndihmë të kërkimeve të tij dhe të metodave shkencore që përdor, Profesor Gjinari mbështetet edhe në konceptet shkencore më bashkëkohore që sjell dija linguistike e shekullit XX, prandaj në studimin e tij nga aspekti metodologjik mbështetet edhe në teorinë e Ferdinand dë Sosyrit, sipas të cilit “atje ku është i prerë kufiri midis dy gjuhëve, atje ku kalimi bëhet përnjëherë nga një gjuhë në tjetrën, ai kufi është relativisht i ri, atje ku kalimet bëhen nga një gjuhë në tjetrën kufiri është i lashtë sepse ka pasur kontakte të vazhdueshme, nuk kanë ndodhur lëvizje dhe zhvendosje të popujve që i flasin ato gjuhë. Këtë mendim të F.W. Sosyrit të dhënë për gjuhë të ndryshme mund ta zbatojmë edhe për dialekte të një gjuhe, në rastin tonë për dialekte të gjuhës shqipe”, përfundonte Gjinari.

Për ta përmbushur këtë koncept të Sosyrit, Profesor Gjinari sjell edhe tiparet e veçanta të arbërorëve dhe dialekteve të shqipes, e kjo do të thotë të fatit të arbërorëve, të cilët ndryshe prej popujve të Europës që u zhvilluan në një ombrellë të feudalizmit europian, ata u zhvilluan nën ombrellën e dy perandorive, porse nuk japin asnjë dëshmi shpërnguljeje të popullatës nga njëra hapësirë në tjetrën dhe nuk kemi lindje të dialekteve të reja, porse kemi pushimin e veprimit të procesit të rotacizmit të n-së. Në këtë rrjedhë vihet në dukje se të folmet shqipe në hapësirë vijnë njëra pas tjetrës sipas shkallës së afërsisë së tyre gjuhësore, nuk ndërpritet vijimësia, e kjo tregon se nuk ka pasur gjatë mesjetës shpërngulje e zhvendosje të grupeve të popullsisë shqiptare nga një skaj i territorit të tyre në një skaj tjetër, nga qendra në periferi ose nga periferia në qendër. Pra, “këto grupe të mëdha të folmesh si degëzime brenda dy dialekteve u formuan gjatë mesjetës dhe morën një shtrirje sipas territoreve”.

Si as edhe një tekst tjetër i kësaj konference, studimi i Profesor Gjinarit kontekstualizohet edhe në krahasimin e tij me situata të ngjashme të hapësirës ballkanike. Studiuesve sllavë, do t’ua kujtojë se janë faktorët e jashtëm politikë, të fillimit të këtij shekulli (XX), ata që shkëputen dhe lanë jashtë kufijve pjesët më të mëdha të territoreve shqiptare, por këta faktorë nuk mund të përdoren për të mjegulluar të vërtetën e historisë. Përkundrazi, lineariteti demografik, historik dhe gjuhësor shqiptar e bëri të mundur edhe formimin e një entiteti etnik me vazhdimësi, si një bashkësi etnike e një shkalle më të lartë, ndryshe nga ajo që ndodhi me grupet sllave të Ballkanit: të serbëve, të kroatëve, të boshnjakëve, të malazezëve e të maqedonasve, të cilët erdhën me vetëdije kombëtare të veçanta, prandaj në fund të shekullit XX edhe formuan kombe më vete.

Në këtë rrjedhë Profesor Jorgji Gjinari diskutoi kufirin gjuhësor, përkatësisht karakterin historik të dialekteve të shqipes, një tezë që u theksua nga bashkëkohësit e tij. Studiuesit dhe njohësi i thellë i studimeve bashkëkohore në fushë të dialektologjisë Bahri Beci, që në fillimet e tij e diskutonte karakterin historik të ndarjeve dialektore dhe kufirin gjuhësor që ndan gegërishten me toskërishten, duke u mbështetur në arritjet që më herët i kishte shënuar Profesor Gjinari dhe Profesor Çabej. Sipas tij “kjo ndarje dialektore e gjuhës shqipe dhe kjo ndarje krahinore e popullit tonë, që është rezultat i ndryshimeve dhe i zhvillimeve të herëpashershme gjatë kohëve, morën formën që kanë sot nga fundi i shek. XVIII dhe fillimi i shek. XIX, para lëvizjes sonë kombëtare. Në këtë kohë erdhën e u dalluan dy ndarje të mëdha krahinore, Toskëria në Jug dhe Gegëria në Veri, që përbëheshin nga njësi të tjera krahinore më të vogla deri në krahina të veçanta. Nga pikëpamja gjuhësore në këto zona dalloheshin dy ndarje të mëdha dialektore gegërishtja në Veri dhe toskërishtja në Jug me nënndarjet e tyre”. Brenda këtyre diskutimeve hyn edhe trajtesa e tij Ndihmesa e prof. E. Çabejt në fushën e dialektologjisë shqiptare, në të cilën ai arrinte te disa përfundime sintetike me interes të dyanshëm: sa për Profesor Çabejn, të cilit i kushtohet studimi aq edhe për dialektologjinë si dije nacionale. E para, për përmasën diakronike e sinkronike të pjesëmarrjes së leksikut dialektor në studimet etimologjike të shqipes dhe për rëndësinë e njësive etimologjike, veç e veç, për dialektologjinë historike; e dyta, për përmasën e përshkrimit të njësive leksikore me karakter dialektor, krahasuar edhe me njësitë leksikore të teksteve të vjetra; dhe e treta, për mundësinë e përgatitjes së një Atlasi dialektor të shqipes, pikërisht prej paraqitjes së leksikut dialektor në Studimet etimologjike të shqipes dhe përmasës së shtrirjes krahinore të tij. Le të theksojmë se vlerësime të kësaj natyre, mbështetur në studimet etimologjike, mund të bëhen edhe për disa struktura morfologjike të këtyre fjalëve dhe sidomos për antroponiminë, patroniminë e toponiminë e paraqitur këtu, prej së cilës mund të krijohen shumë harta me karakter historik dhe bashkëkohor, harta të proveniencës së antikitetit dhe të mesjetës shqiptare dhe harta të toponimisë së proveniencës greke e romake, sllave e orientale etj.

Me të gjitha këto vlera, konstatonte Profesor Gjinari, Profesor Çabej dialekteve të shqipes iu drejtua si një historian i gjuhës, i formuar me metodat historike-krahasuese, me parimet shkencore të shkollave të neogramatikanëve dhe të neolinguistëve, dhe në mënyrë të veçantë me metodën e gjeografisë gjuhësore. “Me këtë, përfundonte Gjinari, – shpjegohen disa nga vijat kryesore që përshkojnë gjithë veprën e tij në lëmin e studimit të dialekteve, siç janë arealet gjuhësore ku del njëra ose tjera dukuri dialektore, kronologjia e zhvillimit të historisë së dukurive dhe raporti i unitetit (njësisë) dhe i diversitetit (ndryshueshmërisë) me dialektet e shqipes”.

Përfundim

Profesor Jorgji Gjinari është njëri prej personaliteteve të veçanta të albanologjisë së gjysmës së dytë të shekullit XX. Kontributet e tij në fushë të albanologjisë para se gjithash i takojnë dijes së dialektologjisë dhe institucionalizimit të saj në veçanti dhe albanologjisë në përgjithësi. Me tekstet e para normative për dialektologjinë, për nevoja të studentëve, (Dialektologjia, Dialektologjia shqiptare etj) dhe me sintezat e mëdha në fushë të dialektologjisë, nga studimet monografike (Dialektet e gjuhës shqipe etj) deri te Atlasi i dialektologjisë shqiptare, ai dha kontribut të madh në ridimensionimin e themeleve të kësaj dije në studimet albanologjike. Këto janë vetëm disa nga arsyet pse vendi i tij në Historinë e albanologjisë del në ato përmasa në të cilat shfaqet edhe një pjesë e çmueshme e bashkëkohësve më të shquar të kohës së tij.

Filed Under: Kulture Tagged With: Begzad Baliu

Akademik Esad MEKULI (17 dhjetor 1916 – 6 gusht 1993), përkujtim në 30 vjetorin e kalimit në amshim

August 7, 2023 by s p

Ambasador Flamur Gashi/

Poetin e parë të Kosovës së pas Luftës së Dytë Botërore; një nga themeluesit e “Universitetit të Kosovës”; “Bibliotekës së Kosovës”; “Institutit Albanologjik të Kosovës”; kryetarin e parë të “Shoqatës së Shkrimtarëve të Kosovës”; nismëtarin, themeluesin dhe kryetarin e parë të “Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës”; themeluesin dhe kryeredaktorin e revistës së parë letrare në Kosovë “Jeta e re” etj…

…………………………………………………………….

Akademik Esad MEKULI

Lindi në Plavë, më 17 dhjetor 1916 dhe vdiq në Prishtinë, më 6 gusht 1993.

Familja e tij në Plavë kishte ardhë nga fshati Nokshiq.

Babai i Esad Mekulit, edhe pse ishte hoxhë, fëmijët e tij i orientoi në shkollim jofetar.

Esad Mekuli, shkollën fillore e kreu në Plavë, në gjuhën serbe. Shkollimin e mesëm-gjimnazin e filloi në Pejë, për ta vazhduar pastaj në Prizren e Sarajevë, ndërsa e përfundoi në Pejë në vitin 1936.

Menjëherë pas kryerjes së shkollimit të mesëm u regjistrua në fakultetin e veterinarisë në Universitetin e Beogradit, të cilin e vazhdoi në pastaj në Zagreb e në Italia.

Në këtë fushë, ai edhe doktoroi në Beograd në vitin 1959.

Si nxënës i shkollës së mesme, por edhe si student dëshmoi se është përparimtar dhe çdo herë gjendej në rrethin e atyre që e kritikonin regjimin e kohës. Pikërisht për këtë ai ndërroi shumë shkolla të mesme dhe fakultete. Madje edhe mjaft shpesh u burgos. Tri herë është burgosur, dhe ka rënë në duar të famëkeqit Kosmajc-shef i policisë.

Më së vështiri e ka pasë kur ka kundërshtuar marrëveshjën për shpërnguljen e shqiptarëve për në Turqi.

Esad Mekuli ishte aktivist i dalluar dhe bartës i jetës kulturore të studentëve.

Në Beograd ishte edhe redaktor i fletorës “Beogradski student”. Në këtë sferë siç ka thënë vetë, si gjimnazist ka shkruar romanin “Vendeta – hakmarrja”, për të damkosë këtë të keqe në mesin e shqiptarëve. Pastaj ka shkruar punime sociale në revistat e ndryshme, si: “Venac” – Beograd, “Mlladost” – Zagreb, “Podmladak jadranske Staze” – Split, “Granit” – Podgoricë, “Novi Behar” – Sarajevë, “Student” – Beograd e të tjera.

Në këto revista ka shkruar në gjuhën serbe, dhe çdo herë ka shkruar për popullin e vet – shqiptarët, të cilët i ka mbrojtur kur të tjerët i kanë akuzuar.

Si student përparimtar ai u burgos në vitin 1940 dhe qëndroi në burgun famëkeq “Gllavinjaqa”, prej nga u amnistua me 2 prill të vitit 1941.

Pas daljes nga burgu u paraqit vullnetar dhe punoi si veterinar ushtarak në Pejë. Këtu në vitin 1942 e burgosën për shkak të punës ilegale dhe bashkëpunimit me lëvizjet çlirimtare. Ka qëndruar i burgosur në Kullën e Sheremetit. Pas lirimit, ai u gjend herë në Zagreb, herë në Tiranë, madje edhe në Itali.

Në fund të vitit 1943 ai iu bashkua aradhave partizane dhe ishte redaktor i gazetës ilegale partizane “Lirija”.

Edhe pse shkencëtar, Esad Mekuli, punës krijuese nuk iu nda kurrë. Ai pas Luftës së Dytë Botërore, punoi punë të profesionit të vet, por ishte edhe redaktor në gazetën e vetme shqipe “Rilindja” e pastaj themeloi revistën letrare “Jeta e Re” ku arsimoi gjenerata të tëra të letrarëve, të cilët edhe e pagëzuan si “Bard të letërsisë shqipe në Kosovë e më gjërë”.

Esat Mekuli shkroi dhe bashkëpunoi me shumë gazeta e revista shqipe, si: “Rilindja”, “Zëri i rinisë”, “Fjala”, “Pionieri”, “Përparimi”, “Shëndeti” në Prishtinë, “Flaka e vëllazërimit” të Shkupit dhe me ato në gjuhën serbe: “Jedinstvo” e “Stremljenje” të Prishtinës, “Borba”, “Politika”, “Književne novine”, “Mostovi” të Beogradit, “Pobjeda: dhe “Stvarenje” të Pdgoricës, “Bagdalla” të Krushevcit, “Republika” dhe “Forum” të Zagrebit.

Pos shkrimeve kryesisht në poezi, Esad Mekuli ka përkthyer nga gjuha shqipe në serbe dhe anasjelltas.

Esad Mekuli ka meritë të veçantë për botimin e tregimeve dhe romanit, “Gjarpijt e gjakut” të Adem Demaçit, në revisten letrate “Jeta e Re”, të cilën e kishte redaktuar për shumë kohë.

Ka përkthyer në shqip rreth 18 vepra të të gjitha gjinive lerare.

Poezitë e Esad Mekulit janë përkthyer në gjuhën serbe, maqedone, hungareze, kroate, italiane etj.

Punimet e tij janë prezantuar në të gjitha antologjitë e poezisë shqipe, por edhe në shumë antologji botërore.

Esad Mekuli ka shkruar edhe me pseudonimet Sat Nokshiqi dhe Sat Hoxha.

Vdiq në Prishtinë me 6 gusht 1993.

Veprat letrare

……………………………………………….

“Për ty” – Prishtinë, 1955, 1963, 1967

“Dita e re” – poezi për të rinj, Prishtinë, 1966

“Avsha Ada” – Prishtinë, 1971

“Vjersha” – Prishtinë, 1973

“Brigjet” – Prishtinë, 1981

“Rini e kuqe” – Prishtinë, 1984

“Në mes të dashurisë dhe urrejtjes”Tiranë, 1986

“Dita që nuk shuhet” – Prishtinë, 1989

“Qëndresë urtësie” – ASHAK, Prishtinë, 1996

………………………………………………………………

POPULLIT TIM

……………………..

Deshta, shum’ kam dasht-dishrue

që me këng të trimnoj, me fjalen tënde të ndrydhun

të ngrej fuqitë prej gjumit…

Këndova (dhe kur m’ishte ndalue)

se liria do të vinte edhe për ty, të përbuzun.

Këndova mbi ditët fatlume që do të lindshin, pa dhun,

n’agimin e lirisë për ty me popujt këtu e ngjeti,

mbi forc të bashkimit mbarë:

mbi vrullin tand të mëshehun

-unë, biri yt dhe-poeti.

Po! N’errsinën e shtypjes së randë sa shkambi,

ndëgjova thirrjet që të bana me dal n’dritë-

pse për liri-me tjerë

ke dhanë dhe ti

djers e gjak si etnit.

Kam dhanë, i dashtun…Dhe sot, në liri-

kur thembra e gjaksorit s’na shkel dhe dora pa

pranga mbeti,

me ty këndoj mbi fuqinë e ngjadhun nën yllin që na pri’

-unë, biri yt besnik dhe-poeti.

…………………………………………………………….

SHQIPTARI KENDON

……………………………..

Shekujt mbi ne

e në ne

e mbushën jetën plot vnerë

që pezme

e zjarri kryengritës

nder zmerat tona m’u ngri,

që njeriu mos të jetë-njeri:

emri të na zhdukët perherë.

Qemë-jo njerlz po robë;

pa bukë, liri n’usdajë,

në vatrën tonl

pa shtëpi

në plangun tonë

argatarë!

Qemë-turq, dreqën me bishta,

Qemë-rajë

që t’hiqet në vargoj

të mjerimit

të përbuzur-shiftarë!

qemë…

por koha-luftë

sheron varret çdo ditë;

mbas natls së errët

të shekujve-

hap krahët koha e re…

Po, jemi gjallë!

Dielli dhe për ne shnderit…

………………………………………………………………

SHARRËXHIU

……………………..

Xhepat e sharrëxhiut janë shumë të ngushta për duart e ënjtura të tij.

Ai kur e sheh sharrëxhiun me sëpatën e rrasur në shokë, e bishti i saj ka dalë prapa, dyshon se mos vallë për këtë na quajtën njerëz me bishta?

O vëlla me sharrë në krah

Do të shoh prapë me duar të mërdhime nën sqetull

Me sharrën e stërlashtë mbi krah dhe sëpatën e mprehtë të rrasun në shokë

Në fytyrën tënde lexoj: Kam fjetur në podrumin e lagshtë, unë i trembëdhjeti

Dhe kam hangër në kusinë e bakrit, të sjellun prej vendlindjes

Prej vendlindjes, fasulen e hollë të vendlindjes unë i trembëdhjeti.

-Pse unë kënaqem me pak prej këtyre duarve të mërdhime, Atje mbas 77 bjeshkëve, 7 gojë presin…

#JamShqiptar…🇦🇱

Filed Under: Kulture Tagged With: Flamur Gashi

IL PICCOLO DI TRIESTE (1939) / KUR AT GJERGJ FISHTA EMËROHEJ AKADEMIK I INSTITUTIT MË TË LARTË KULTUROR TË REGJIMIT FASHIST : “FALEMINDERIT LUIGI FEDERZONI, FALEMINDERIT DUÇE!”

August 4, 2023 by s p


At Gjergj Fishta (1871 – 1940)
At Gjergj Fishta (1871 – 1940)

Nga Aurenc Bebja*, Francë – 4 Gusht 2023

“Il Piccolo di Trieste” ka botuar, të enjten e 15 dhe të shtunën e 17 qershorit 1939, dy telegrame të At Gjergj Fishtës drejtuar asokohe Luigi Federzoni-t dhe Benito Musolinit me rastin e emërimit të tij në Institutin më të lartë kulturor të regjimit fashist, të cilat, Aurenc Bebja, nëpërmjet blogut të tij “Dars (Klos), Mat – Albania”, i ka sjellë për publikun shqiptar :

“Vetëm nga gjiri i Italisë do të rilindë Shqipëria ideale”

Mesazhi i Fishtës drejtuar Federzonit

Il Piccolo di Trieste, e enjte, 15 qershor 1939, f.2 : 

Romë, 14 qershor.

At Gjergj Fishta, Akademiku i ri i Italisë, i dërgoi Shkëlqesisë së Tij Federzonit (Luigi Federzoni) këtë telegram :

“I prekur, ju falënderoj për urimet dhe kënaqësinë tuaj dhe të bashkëpunëtorëve akademikë për emërimin tim si anëtar i institutit më të lartë kulturor të regjimit fashist, i votuar me emërimin e lartë të Duçes dhe me vullnetin e Sovranit tonë. Jam i sigurt se vetëm nga gjiri i Italisë do të rilindë sërish Shqipëria ideale”. — At Gjergj Fishta

Falenderimi për Duçen nga At Gjergj Fishta

Il Piccolo di Trieste, e shtunë, 17 qershor 1939, ballinë :

Romë, 16 qershor.

Akademiku At Gjergj Fishta i dërgoi Duçes telegramin në vijim :

“Faleminderit Duçe për nderimin e lartë të Akademikut të Italisë që me prirjen tuaj dashamirëse më atribuohet dhe që e konsideroj si një tregues të sigurt të interesimit tuaj bujar si për Shqipërinë ashtu edhe për racën shqiptare, një virtyt i panjohur deri tani në diplomacinë evropiane”. — At Gjergj Fishta

Filed Under: Kulture Tagged With: Aurenc Bebja

RILINDJA E NDRE MJEDËS

August 3, 2023 by s p

(Kërkime në kolanën e mjedologut Mentor Quku)

Shkruan: Prof. Begzad Baliu

Hyrje

Në studimet albanologjike të dy dekadave të fundit shpesh është shtruar çështja e botimit të veprave të autorëve të panjohur deri më tash, si kusht për ta shkruar historinë e plotë të letërsisë shqipe.

Në këtë rrjedhë prej njohjeve bazike që kemi formuar nga botimet shkollore dhe shkencore nuk janë të paktë lexuesit dhe studiuesit që kanë pritur vëllime të tilla:

– për shkrimtarë të letërsisë së vjetër (si Buzuku, Budi apo Bogdani), jeta e të cilëve më shumë sesa me të dhëna arkivore është e mbushur me mite për prejardhjen e tyre krahinore dhe për dorëshkrimet e humbura;

– për shkrimtarë të Rilindjes Kombëtare Shqiptare, si Jeronim de Rada dhe Naim Frashëri, të cilët me jetën dhe me veprën e tyre e kanë përgatitur formimin kombëtar dhe shtetëror të popullit shqiptar;

– për bardin kombëtar Gjergj Fishtën, për të cilin dija shqiptare e shekullit XX ka ngritur më shumë mite sesa njohje dokumentare dhe sinteza shkencore etj.

Në këtë mënyrë, në dijen shqiptare, në shkollën shqiptare jemi mjaftuar me studimin filologjik të të vetmit dorëshkrim të paplotë të Mesharit të Buzukut, me disa monografi dhe letra të Jeronim de Radës, me dy-tri sinteza monografike për veprën e Naim Frashërit, me disa sinteza përgjithësisht të varfra të veprës së Gjergj Fishtës etj. Besoj se kjo është edhe arsyeja pse jeta dhe krijimtaria e bardëve të letërsisë shqipe ka më shumë veshje mitesh e kultesh sesa dëshmi dokumentare dhe njohje të thelluar personale, familjare dhe kohore të gjallimit dhe krijimit të tyre.

Kolana e studiuesit Mentor Quku për Ndre Mjedën, në studimet filologjike shqiptare është përpjekja e parë e një studiuesi për ta sjellë të plotë gjithë pasurinë materiale e shpirtërore të njërit prej shkrimtarëve të veçantë të letrave shqipe dhe një përvojë e jashtëzakonshme për të gjithë hulumtuesit shqiptarë që një ditë do të provojnë të bëjnë objekt studimi periudha, ngjarje, personalitete apo vepra të caktuara historike, letrare apo kulturore të traditës a të sotmes sonë.

Jeta dhe vepra e Ndre Mjedës ka qenë objekt trajtimi i mjaft studiuesve si: Gaetano Petrotta, Filip Fishta, Eqrem Çabej, Injac Zamputi, Henrik Lacaj, Kolë Ashta, Pashko Gjeçi, Mark Gurakuqi, Jup Kastrati, Lazër Siliqi, Andreja Varfi, Dhimitër S. Shuteriqi, Rinush Idrizi, Rexhep Qosja, Petro Janura, Mahir Domi, Klara Kodra, Razi Brahimi, Jorgo Bulo, Sabri Hamiti, Isak Ahmeti, Mensur Raifi etj. Jeta dhe vepra letrare e gjuhësore është provuar të botohet sa më e plotë, por asnjëri prej studiuesve nuk e ka projektuar ashtu në përmasën e një botimi historik, filologjik dhe kritik veprën e Ndre Mjedës dhe studimet për të, në atë përmasë që ka filluar ta bëjë studiuesi Mentor Quku.

Ndre Mjeda i fëmijërisë

Vëllimi i parë i serisë për Mjedën hapet me periudhën e fëmijërisë dhe rinisë apo, siç e shënon autori, me 20 vjetët e para (1866-1888) . Fjala është për njërën prej periudhave më të panjohura të tij. E kuptueshme, janë të paktë autorët shqiptarë, fëmijëria e të cilëve mund të thuhet se është bërë e njohur për lexuesit përgjithësisht, duke përfshirë edhe shkrimtarët bashkëkohorë, ndërsa të mos flasim për shkrimtarët e periudhave më të hershme. Ndre Mjeda është shkrimtar dhe shkencëtar, për fëmijërinë, për rininë dhe për jetën e të cilit nuk dihej shumë për shumë arsye. Mjeda ka kaluar një pjesë të mirë të jetës në institucione fetare, ndërsa këto institucione ku është shkolluar dhe ka kryer misionin e tij prej kleriku, gjenden jo vetëm në Shqipëri, por edhe në disa vende të Ballkanit dhe të Evropës , si Vatikanin, Vjenën etj. Pra, njohja e jetës dhe veprës së tij nënkupton kërkimet në arkivat e këtyre institucioneve e kjo nuk ishte as punë e lehtë, as punë e mundshme për studiuesit si Mentor Quku, i cili jetonte në një shoqëri totalitare. Autori i këtij projekti të madh ka qenë i vetëdijshëm për këtë, prandaj ka zgjedhur metodën e rindërtimit të jetës dhe veprës së tij, duke u nisur nga të dhënat e pjesshme dhe të anshme të atyre rrethanave që kanë ndihmuar njëkohësisht edhe ndërtimin e pjesshëm të jetës dhe veprës së Ndre Mjedës, të familjes së tij nga ana e babait dhe e nënës, të krahinës së tij etj. Për këtë arsye, më parë se një monografi sintezë në shumë vëllime për Ndre Mjedën, ky korpus do të mund të quhej tërësi e studimeve të Mentor Qukut, që bëjnë një monografi për Mjedën.

Vëllimi i parë i serisë së veprave të Mentor Qukut Mjeda mbyllet me pjesën për vitin e mbarë 1888. Këtu botohen studime të autorit mbi disa probleme të jetës dhe të veprës së Mjedës në Itali. Zë vend puna e Mjedës në Kolegjin Vida, disa probleme shpirtërore të tij, protesta e tij për të ashtuquajturin dekonspirim të krijimtarisë së tij letrare, korrespodenca me rektorin e Kolegjit Papnor të Shkodrës, Atë Dedë Pasin, të cilat botohen të plota, madje edhe si faksimile, veprat me poezi origjinale, të përkthyera apo të përshtatura, këngë të mbledhura etj., Shahiri Elierz, historiku i botimit të dy veprave të tij Jeta e Shenjtit Sh’Gjon Berkamns dhe Shën Luigj Gonzaga, botimi i parë i kalendarit kombëtar ndër shqiptarët, me titullin Miku bestar (Milano, 1989), me të cilin shtyhet mosha e këtyre botimeve të njohura në studimet albanologjike më parë, dhe sillet një përmbajtje e gjerë e komentuar e tryezës së kësaj vepre etj. Pjesa e fundit mbyllet me një temë mbi debatet dhe vlerësimet për Ndre Mjedën, nga shumë bashkëkohës të tij dhe studiues të kohës sonë si: Kordinjano, Zef Valentini, Gustav Majer, Mark Hasi, Martin Camaj, Ernest Koliqi , Gjon Karma, Ndre Zadeja, Kolë Ashta, Rexhep Qosja, Mehmet Elezi, Moikom Zeqo etj.

Albanologu dhe dijetari

Vëllimi i dytë i Mentor Qukut për jetën dhe veprën e Ndre Mjedës përfshin periudhën e formimit të Ndre Mjedës si intelektual, si studiues dhe më në fund si shkencëtar . Sigurisht kjo është arsyeja pse edhe Rexhep Qosja, duke e hapur kapitullin për Ndre Mjedën dhe vendin e tij në Historinë e letërsisë shqipe, shkruan: “Ndre Mjeda është njëri prej shkrimtarëve më të arsimuar të romantizmit shqiptar dhe, njëkohësisht, njëri prej intelektualëve shqiptarë më të ngritur e më të gjithanshëm të kohës së tij” . Fjala është për atë periudhë kur Ndre Mjeda ndjek shkollat më të arrira që ia afron përkushtimi i tij prej bardi të kishës, për atë periudhë kur Mjeda zhvillon një komunikim të dendur me albanologët më të mëdhenj të kohës dhe, më në fund, për atë periudhë kur Ndre Mjeda krijon konceptet metodologjikisht shkencore në përmasat që atë e vënë në provë edhe albanologët më të shquar shqiptarë dhe të huaj të kohës.

Prej nëntitullit të këtij vëllimi ndërkaq do të mund të pritej që mjeshtri ynë të merrej krejtësisht me veprën albanologjike të tij, përkatësisht me kërkimet, studimet dhe vlerësimet e Mjedës në fushë të albanologjisë, e në mënyrë të veçantë në fushë të historisë së gjuhës. Pasqyra e lëndës dhe teksti heterogjen për nga kërkimet dhe vlerësimet, dëshmon se brenda vëllimit janë përfshirë disa nga aspektet jetësore dhe shkencore, historike, e madje letrare të veprës së tij poetike, të cilat, në një mënyrë apo tjetër, përvijojnë disa nga prirjet e Mjedës për albanologjinë si një koncept i gjerë jo vetëm linguistik dhe sidomos bashkëpunimin e tij me albanologët.

Janë një varg temash që më shumë se njohje sjellin dëshmi për njohje të reja; që më shumë se vlerësime hapin mundësi diskutimesh prej versioneve të reja dokumentuese të botuara në fototipi; që më shumë sesa paraqitje bibliografike sjellin mundësi sintezash; që prej indiceve të sjella më shumë sesa shqetësime për fatin e teksteve të zverdhura ndër arkiva vetjake e shtetërore, japin mundësi botimi të atyre teksteve që tash mund të sillen të plota në jetën tonë shkencore, për të mos thënë në vëllimet e pabotuara të historisë së albanologjisë. Do të linim mënjanë shumë studime të rëndësishme në fushë të studimeve mjedologjike dhe shumë studime të mbetura në dosje arkivash vetjake dhe shtetërore, po nuk mund të lëmë mënjanë veprën e Profesor Jup Kastratit, Ndre Mjedja, Çështje gjuhësore, mbledhur dhe paraqitur nën kujdesin e Jup Kastratit. Botim i Universitetit Shtetëror të Tiranës. Instituti i Historisë dhe i Gjuhësisë. Tiranë, 1967, 170 faqe, e cila u kthye në karton me urdhër nga lart, sikur thuhet në bibliografinë e Diana Kastratit, e së cilës i është referuar edhe mjeshtri ynë. Duke pasur në dorë këtë vepër unike, për lexuesit duam të kujtojmë se bashkë me Profesor Jup Kastratin dorëshkrimin e tij Kontribute për studimin e Ndre Mjedës, Tiranë, 1958; dhe veprën e kthyer në karton Çështje gjuhësore të Ndre Mjedës, Tiranë, 1966, i kemi planifikuar për të gjallë të tij në vëllimin e XIII, të veprave të plota të Profesor Jup Kastratit në tridhjetë vëllime .

Nëse ky vëllim vërtet identifikon personalitetin e Ndre Mjedës prej albanologu, kjo bëhet për një kontribut të veçantë të Mjedës dhënë zhvillimeve albanologjike të kohës, me theks të veçantë letërkëmbimi të pasur me albanologun më të madh të kohës, Gustav Majer . Letërkëmbim të pasur me albanologë të mëdhenj të kohës kanë pasur edhe rilindës të tjerë, para dhe pas Ndre Mjedës, mesazhet e të cilëve mund të jenë më pak apo më shumë emocionale, por Mjeda do të dallohet, me letërkëmbimin e tij, edhe për një nivel të veçantë të komunikimit, për mesazhet shkencore që përcjell ky komunikim. Përveç respektit të madh që artikulon Mjeda për Majerin gjatë gjithë këtij komunikimi prej dy fazash jetësore, të shprehura madje edhe nëpërmjet poezisë përkushtuese Gjuha shqipe, nëpërmjet kontributeve të tij në dërgimin e materialeve albanologjike, diskutimeve të temave të Majerit, madje vërejtjeve e plotësimit të studimeve e veprave të tij me njësi leksikore të shqipes apo me trajta dialektore të tyre. Në tekstet e tij Mentor Quku merret me dy faza të letërkëmbimit në mes të dy albanologëve, Mjedës dhe Majerit, me temën e madhe dyshekullore Gjuha shqipe dhe autoktonia e shqiptarëve; me kontributin e Mjedës për përgatitjen dhe botimin e dy vëllimeve të Majerit Albanesische Studien VI dhe fatin e vëllimit të pabotuar Albanesische Studien VII, me trashëgiminë e pasur të materialeve të mbledhura në fushë të gjuhës dhe të folklorit, me bazën e Fjalorit etimologjik të gjuhës shqipe të Majerit dhe me një fjalor të kësaj natyre të Mjedës dhe me gjurmët e ekzistimit të një gramatike historike të shqipes të Ndre Mjedës. Letërkëmbimi i Ndre Mjedës me Gustav Majerin në këtë fushë jep shumë argumente orientuese për formimin e Ndre Mjedës prej albanologu, për kontributin e tij edhe në zhvillimin e dijes së albanologjisë në përmasa evropiane. Aq më tepër kur diskutimet e dyanshme të tyre shoqërohen edhe me dokumente të botuara në fototipa.

Ndre Mjeda dhe Alfabeti i gjuhës shqipe

Janë dy tema të mëdha me të cilat identifikohet Ndre Mjeda në librin e përgjithshëm të qytetërimit shqiptar: poezinë dhe alfabetin. Të parën, për shkak të vlerave të veçanta artistike dhe gjuhësore dhe të dytën, për shkak të rëndësisë së madhe që pati në rrethet shkencore, intelektuale, arsimore dhe qytetëruese të popullit shqiptar që në fillim të shekullit XX.

Vëllimi i tretë – libri i parë i kushtohet pikërisht njërit prej kontributeve të Ndre Mjedës në fushë të gjuhësisë, e ky është alfabeti. Është një nga temat të cilat dija albanologjike e ka ndriçuar mjaft gjerësisht, por sikur ndodh shpesh në studimet tona, ky kontribut i Mjedës është parë dhe vlerësuar ndaras kontributeve të tjera të tij: fonetikës, leksikografisë, onomastikës, historisë së gjuhës, etnografisë, folklorit dhe më tej të teorisë së letërsisë.

E menduar dhe e projektuar si një prej veprave tematike të përgatitura për jetën dhe veprën e Ndre Mjedës, në komplementaritet të plotë me zhvillimet e tjera historike të kësaj kohe, vëllimi, kronologjikisht përfshin periudhën 1899-1912. Fjala është për kohën më dramatike të veprimtarisë të tij jetësore. Ndoshta pikërisht pse kthimi i tij në atdhe është një periudhë e ndezur e gërshetimit të punëve të tij, mes bardit të besimit fetar, bardit të lëvizjes kombëtare rilindëse dhe postrilindase, si dhe përmbysjeve të mëdha që po ndodhnin krahas rënies së Perandorisë Osmane, ka shtyrë autorin që temat e shumta që trajtojnë jetën dhe veprën e tij t’i ndajë në dy vëllime: misionin atdhetar të tij dhe dijen shkencore prej gjuhëtari, që e kishte po kaq për mision intelektual e kombëtar.

I gjetur mes temave të mëdha të zhvillimeve historike të kohës dhe përpjekjeve të vazhdueshme të Ndre Mjedës për t’i arsyetuar dhe standardizuar vlerat e përgjithshme dhe të veçanta të alfabetit të tij, mjeshtri ynë Mentor Quku ia arrin t’i përplotësojë dhe t’i shndritë shumë anë të errëta a të diskutuara të kësaj periudhe, sidomos sa iu përket zhvillimeve të Kongresit të Manastirit . Studiuesi Mentor Quku jo vetëm ka diskutuar mendimet e gjertashme, por ka sjellë edhe shumë dokumente të reja, ka vënë personalitete historike përballë njëri-tjetrit. Janë mjaft interesante interpretimet e tij për fazën paraprake të organizimit të Kongresit të Manastirit, formimin e Komisisë së Alfabetit, reflektimet e tri alfabeteve dhe të tre personaliteteve historike brenda Kongresit, përgjegjësia politike e Mithat Frashërit, ndikimi i mendimit të Luigj Gurakuqit , rrezatimi epik i Gjergj Fishtës dhe konceptet shkencore të Ndre Mjedës, si dhe përpjekjet e këtij të fundit për zbatimin e alfabetit të tij te Kalendari dhe librat shkollorë, rrezatimi gjithëkombëtar i alfabetit te revistat shkencore, gatishmëria për kompromis me alfabetet e të tjerëve etj. Të gjitha këto në dijen e sotme albanologjike kanë sjellë dhe vazhdojnë të sjellin një diskutim të pasur mendor, intelektual dhe shkencor.

Ndre Mjeda dhe kryeveprat letrare të tij

Duke zgjeruar kërkimet në arkivat vetjake, institucionale dhe shtetërore shqiptare e ndërkombëtare, studiuesi Mentor Quku, kërkimeve për Ndre Mjedën në periudhën 1899-1912 u është kthyer edhe një herë . Jeta shumë aktive e kësaj kohe, kërkimet letrare dhe sidomos kontributet shkencore të kësaj kohe nuk mund të përfshiheshin në një libër, pavarësisht vëllimit të faqeve të tij dhe pavarësisht përpjekjeve për të dhënë një sintezë të kontributeve të tij.

Kjo është arsyeja pse hulumtuesi dhe mjeshtri ynë Mentor Quku, pasi ka përmbyllur një vëllim për këtë periudhë, i cili i kushtohet ekskluzivisht kontributit të tij në fushë të alfabetit, ka përgatitur edhe një vëllim tjetër, i cili përtej kërkimeve gjuhësore kap edhe disa anë të tjera të jetës dhe të veprës së Ndre Mjedës. Fjala është për ato veprimtari të përditshme të Ndre Mjedës dhe për ato krijime letrare e historike të Mjedës, me të cilat Mjeda identifikohet me atdhetarin e pandalur dhe me liridashësin nacional e humanistin universal të epokës së tij .

Kjo është periudha e angazhimeve të Ndre Mjedës në qytetin e Shkodrës, e meshtarit të përkushtuar, e shkrimit të disa prej poezive asketike, e problemeve të ngritjes së tij në hierarkinë ipeshkëvnore, e studimit të hershëm të Kanunit të Lekës dhe sidomos e përfshirjes së tij në çështjen e Mirditës etj. Angazhimi jetësor dhe intelektual i Mjedës në këtë tërësi përmbyllet me ndikimin e këtyre rrethanave në poezinë e tij Lirija, me versionet e saj dhe me studimin e vlerësimin e këtij teksti nga autorë të ndryshëm për ta përmbyllur me një version shumë të zgjeruar të mjeshtrit tonë për këtë poezi të Mjedës.

Vepra mbyllet me një retrospektivë, e cila prej teksteve të pasura që hapen me dilemën e emrit të nënës së Mjedës dhe vazhdon me tema të mëdha sikur është botimi i Shahirit Elierz apo diskutimit rreth alfabetit të shqipes, nuk duket se është një përmbyllje e thjeshtë, po një përmbyllje që hap edhe një varg temash të mëdha dhe afatgjate. Botohet këtu diskutimi i vlerësimit të botimit në italisht të poezive të Ndre Mjedës, dhe një tekst brilant (homazh për Jolanda Kodrën: Parathënia që nuk pa dritë), si dhe një ese shkencore: mendimi i lirë-mendimi kritik mendimi shkencor, me të cilin autori ynë grish studiuesit që të hyjnë në një debat shkencor, intelektual dhe qytetërues mbi disa koncepte të ndërlidhjes së etikës me dijen, brenda institucioneve të sotme shkencore, ndërlidhjes së shkencës me besimin fetar, ndërlidhjes së disa besimeve fetare në shoqërinë shqiptare e kështu me radhë, të gjitha këto nën perspektivën e mendimit largvajtës të Ndre Mjedës e të veprës së tij letrare, shkencore dhe shpirtërore.

Mjeda dhe jeta e tij politike

Në kolanën shumëvëllimshe të Mjedës studiuesi Mentor Quku ka botuar shumë studime, trajtesa, dokumente, kronika, vlerësime, indicie për dorëshkrime, kujtime e të tjera dhe pa dyshim është vështirë ta dallosh njërin nga tjetri për nga veçoritë e tyre, por kur merr në dorë vëllimin e katërt, që kap periudhën e veprimtarisë së tij 1912-1925, nuk është vështirë ta dallosh pasurinë materiale dhe thellësinë e shumanshmërinë shkencore të trajtimit të temave në shqyrtim.

Në këtë vëllim me titull Identitet , aktiviteti i Mjedës shihet në kontekst të zhvillimeve kombëtare në një periudhë tepër të vështirë të formimit të shtetit shqiptar, i cili në të njëjtën kohë i jepte edhe një identitet të ri edhe shoqërisë shqiptare. Fjala është për periudhën e shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë dhe ndërhyrjes së shteteve fqinje, Luftës së Parë Botërore dhe Luftës së Parë e të Dytë Ballkanike, si edhe krimeve serbe në Kosovë e vise të tjera shqiptare, për të cilat autori ynë sjell të dhëna të gjëra të teksteve dhe dokumenteve autentike të proveniencës serbe. Të gjitha këto pastaj i ven në paralele të reagimeve të institucioneve të sapothemeluara shqiptare dhe në mënyrë të veçantë me qëndrimin e Ndre Mjedës brenda këtyre situatave.

Ndonëse Mjeda kishte arritur të bëhej jo vetëm një prej studiuesve më të shquar të kohës ndër shqiptarët, por edhe një prej studiuesve më të respektuar të hierarkisë së albanologëve kudo në botë, me angazhimet e përditshme të tij ai bëhet edhe pjesë aktive e zhvillimeve të kohës, duke dalë madje shpesh edhe në krye të aktiviteteve të caktuara, apo duke u bërë jo rrallë edhe viktimë e këtyre proceseve.

Një studim me shumë interes për problemin e kërkimit dhe për natyrën e metodologjinë e paraqitjes paraqet diskutimi i fazave të komunikimit të Mjedës me albanologë të huaj. Në të vërtetë në këtë vëllim janë sjellë vetëm disa nga letrat e tij dërguar albanologut të shquar danez Holger Pedersenit , që krahas letërkëmbimit të tij me Gustav Majerin, paraqesin vlera të rëndësishme jo vetëm për Mjedën si albanolog, por edhe për disa zhvillime tepër të rëndësishme gjuhësore, sikur është alfabeti i shqipes, mendimi për leksikografin e Francesco Rosit etj. Kjo është arsyeja pse ato botohen në formë autografesh, në gjuhën shqipe dhe komentohen gjerësisht dhe ndonjëra prej tyre, në mungesë, për shkak të rëndësisë që ka, madje edhe rindërtohet. Nëse letërkëmbimi me Majerin kishte rëndësi të veçantë për botimin e disa teksteve letrare, trashëgimisë popullore shqiptare dhe sidomos leksikografisë shqipe, letërkëmbimi me Pedersenin do të ketë rëndësi për diskutimin e alfabetit të shqipes dhe sigurisht edhe me ndikimin që pati në Kongresin e Manastirit.

Parë në tërësinë e tij, ky kapitull do ta nxiste vetëm karakterin historiko-gjuhësor të botimit të veprës Juvenila dhe botimin tekstologjik të disa prej poezive, por po të duam të hedhim dritë edhe në anën sociologjike të versioneve të disa prej poezive apo përkthimit të Gëtes, do të shohim se interesimi i vlerësimit të tyre do të shkonte drejt reflektimit biografik dhe shoqëror të tyre. Sigurisht kjo është arsyeja pse veprës Andrra jetës, Mentor Quku i qaset në mënyrë të veçantë, duke përimtuar situata historike dhe letrare të saj që nga titulli e deri te leximi dhe interpretimi i tekstit.

Duke qenë njeri me ndjenjën e qytetarit që nuk mund të qëndronte indiferent ndaj rrjedhave fetare, po edhe ndaj rrjedhave shoqërore e kulturore, si dhe duke qenë personalitet me ndikim në hapësirën shqiptare, Mjeda bëhet një prej zëdhënësve të opozitës politike të kohës, prandaj fatet e tij nuk do t’i shkëlqejnë. Ky angazhim dhe ky ndikim e çojnë Ndre Mjedën në Parlamentin shqiptar, në të cilin do të gjendet edhe gjatë përmbysjes së Qeverisë shqiptare, respektivisht gjatë grushtit të shtetit në dhjetor të vitit 1921. Gjatë kësaj kohe Mjeda do të gjendet në shumë komisione legjislative që kishin të bënin me Statutin e Zgjeruar të Lushnjes, Ligjin e Këshillit Ligjgatitës, Rregulloren e Parlamentit të Arsimit, po njëkohësisht do të gjendet edhe në krye të komisioneve, sikur ishte Komisioni i Posaçëm i Arkeologjisë. Të qenit në krye të këtij Komisioni mbase për autorin e këtij libri, Mentor Qukun, nuk do të ishte esencial sikur nga kjo pozitë të mos trajtonte kontaktet me arkeologun e shquar, në mos më të madhin e kësaj kohe, studiuesin Karl Patch.

Veprat si kjo dëshmojnë se historia nuk i takon vetëm individit, por një rrethi më të gjerë, ndërsa studimet dhe kërkimet brenda saj dëshmojnë se konceptet për historinë ndërtohen mbi dokumentin dhe jo mbi ideologjinë.

Ndre Mjeda dhe gjuhësia shqiptare

Megjithëse vëllimi i pestë “Mjeda” është identifikuar me nëntitullin Gjuhëtari (1925-1937) , përmbajtja e tij nuk nënkupton vlerësim të vetëm kësaj fushe dhe vetëm kontributit të tij në fushë të gjuhësisë. Përmbajtja e tij tregon për një vëllim brenda të cilit janë trajtuar tema jetësore, letrare, kulturore, historike dhe shkencore. Brenda tij janë botuar vlerësimet për vepra dhe poezi të tij, për përmasën e vlerësimit të tij prej ligjëruesi, për letërkëmbimin e tij me personalitete të rëndësishme të kohës, për botimet e tij te revista e autoritetshme e kohës Leka, për vdekjen e tij dhe atmosferën e varrimit të tij, për polemikat rreth veprës letrare të tij menjëherë pas vdekjes dhe më në fund për fatin e varrit e të dorëshkrimeve të tij. Në mesin e gjithë teksteve për letërsinë dhe temat kulturore, historike e jetësore për Ndre Mjedën, vetëm një kapitull mban titullin “gjuhëtari”, respektivisht paraqet ndihmesën e Mjedës në fushë të gjuhësisë.

Po t’i referoheshim vetëm kësaj të dhëne, pyetja e parë që do të duhej të shtrohej në këtë vepër mjaft të vëllimshme me 720 faqe, do ta shtronte nevojën e arsyetimit të këtij nëntitulli. E vërteta, ky nëntitull në shikim të parë duket jo shumë përmbulues por, pasi të lexohet, nuk është vështirë të shihet se i gjithë nënteksti i të gjitha temave që ka në vetvete është gjuha: gjuhëtari, në kuptimin e parë të fjalës, studiues i problemeve gjuhësore, leksikografi, onomasticienti, gramatikani, gjuhëtari i studimeve të përkushtuara për shkrimtarët e vjetër; gjuhëtari i diskutimeve të gjëra gjatë letërkëmbimit të tij me studiues nga vendi dhe bota, si dhe gjuhëtari, në kuptimin e dytë të fjalës: leksiku i pasur i poezisë së tij, leksiku i pasur i polemikave të tij, leksiku i pasur i stilit të komunikimit të tij.

Në këtë sintezë të madhe të temave dhe të mikrotezave të tij, kontributi i tij prej gjuhëtari në fushë të gramatikës, me theks të veçantë Vërejtjet mbi artikuj e premna pronës, ndoshta është i vetmi studim i vlerësuar gjerësisht në studimet gramatologjike dhe përgjithësisht albanologjike shqiptare. Ky studim është bërë objekt studimi në disa nga arritjet e studimeve gjuhësore shqiptare edhe në gjysmën e dytë të shekullit XX, kur mendimi shkencore i viteve ’20 e ’30 pothuajse ishte i përjashtuar. Në një rrafsh më të gjerë të fushës së gjithësisë, kontributet e Ndre Mjedës janë vlerësuar gjerësisht edhe në onomastikë, paleografi, leksikografi etj. Ndonëse brenda disa vëllimeve, brenda disa kapitujve dhe brenda disa temave, është sheshuar shpesh dhe dendur, kontributi gjuhësor i Ndre Mjedës është i pambuluar dhe thellësisht i patrajtuar në përmasën që kjo është bërë për poezinë e tij. Konceptet gjuhësore, etnogjeografike dhe historike të Ndre Mjedës kapin një përmasë më komplekse sesa janë parë në studimet e gjertanishme. Ato fillimisht duhen botuar origjinale dhe me fakturë historike e me komente filologjike. Një studim i thellë dhe i mbështetur mirë me të dhëna historike e me krahasime filologjike, shembullin e të cilit e ka dhënë edhe mjeshtri ynë Mentor Quku, do të pasuronte shumë, për të mos thënë do ta ndryshonte shumë, pamjen e historisë së albanologjisë së shekullit XIX dhe XX .

Sikur ka ndodhur shpesh me fatin e krijuesve në botë dhe në mënyrë të veçantë me krijuesit shqiptarë, edhe Ndre Mjedën e përcjell një fat i tillë. Në kohën kur pritej të caktohej vendi i tij i veçantë në historinë e popullit shqiptar, të albanologjisë e të letërsisë shqiptare, në të vërtetë në historinë e qytetërimit shqiptar, me një vendim të njëanshëm, vepra e tij u kthye në karton, dorëshkrimet u strukën në dosjet e thella të Arkivave shtetërore, botimi i filluar i krijimtarisë së tij letrare në gjuhë të botës u ndërpre, përpjekja e studiuesve për ta botuar veprën e plotë të tij, sipas nodelit të botimeve bashkëkohore të kohës, u ndalua etj. Të dhënat e shumta që sjell studiuesi Mentor Quku prandaj janë me interes për studimin e plotë e të gjithanshëm të veprës së tij, nga Ndre Mjeda te shkenca e mjedologjisë.

Ndre Mjeda i kujtimeve dhe referimeve

Kohë më parë studiuesi dhe gjurmuesi i lakmuar në rrethet tona shkencore, Mentor Quku , kishte botuar vëllimin e parë të një projekti të madh shkencor, i cili përtej një shestimi për ta përmbledhur veprën e plotë letrare, gjuhësore, krijuese dhe përkushtuese ngrihej në një objekt shkencor. Meqenëse vëllimi i parë përfshinte një pjesë të jetës së fëmijërisë dhe të rinisë së të tij, ishte krejt e natyrshme të pritej një vëllim tjetër (i dyti), i cili përmbushte vazhdimin jetësor të tij, sa me materiale jetësore, aq edhe me ato të ideve dhe mendimeve, bëmave të tij në fushë të letërsisë, gjuhësisë, mendimit kritik, estetik dhe madje iluminist e liturgjik.

Në pamje të parë, vëllimi duket i rrudhur në një dosje shënimesh, por në fakt ai ka një strukturë të hapur dhe përbëhet nga pesë pjesë, të cilat veç e veç merren me problemin të konceptuara brenda vëllimit: intervista, portrete, kujtime dhe njoftime. Vepra mbyllet me një aparat të saktë dhe shumë të domosdoshëm të treguesit alfabetik të emrave të njerëzve dhe të treguesit të emrave gjeografikë.

Në pjesën e parë janë botuar disa artikuj të cilët merren me “aventurat” prej më shumë se tri dekadash të studiuesit M. Quku. Fjala është për një nismë të tij të vitit 1974, për mbledhjen, sistemimin dhe studimin e botimin e veprës së Ndre Mjedës. Natyrisht projektet e mëdha duan kohë dhe përpjekje të mëdha, prandaj kjo është arsyeja që me kohë autorit të këtij projekti nuk i ishte lejuar të hapej në përmasat që nuk i lejonin të ëndërronin as institucionet shkencore e shtetërore. I menduar si një projekt prej pesë vëllimesh, për autorin fillimisht ishte një guxim i madh hulumtues dhe studiues, por kjo nuk e pengonte të bënte përpjekje të reja në hulli sapo të çelura nga të tjerët, në rrugë madje krejt të pashkelura dhe në burime të palejuara, të cilat mbaheshin si rezerva ideologjike dhe shtetërore.

Duke shikuar fotografitë e botuara deri më tash në botimet tona akademike dhe duke parë se në to janë retushuar bashkëpunëtorët e tij më të ngushtë: Gjergj Fishta, Shtjefën Gjeçovi dhe të tjerë; duke lexuar kujtimet e botuara në pjesën e dytë, në të cilën janë përfshirë personalitete të kohëve, të moshave dhe të profesioneve të ndryshme; duke lexuar disa të dhëna të përgjithshme për vlerësimin e mëvonshëm të shoqërisë shqiptare, nuk mund të mos e vëmë gishtin në kokë dhe të pyesim e të përgjigjemi njëkohësisht: a është Ndre Mjeda ai të cilin e kemi njohur nga botimet e gjertashme akademike, apo një tjetër të cilin do ta njohim nga botimi inedit i Mentor Qukut. Si është e mundur që Ndre Mjedën e paskemi njohur kaq pak dhe madje vetëm një pjesë të njërës anë të personalitetit të jetës e të veprës së tij! Si është e mundur që Ndre Mjeda, vepra e të cilit kemi menduar se është botuar pa u prekur nga censura, qenka censuruar kaq shumë. Si është e mundur që Ndre Mjeda, të cilin e kemi nderuar në institucionet shkollore dhe e kemi studiuar e përfaqësuar në panteonin e kulturës shqiptare, nuk paska as edhe një varr, shenjë e nderimit tonë elementar për të.

Në këtë vëllim për Ndre Mjedën flasin mësues, studiues, regjisorë, bujq, barinj, farmacistë, kimistë, klerikë, ekonomistë, ushtarakë, shkrimtarë, nëpunës, zejtarë, inxhinierë, matematikanë, teknikë, juristë, muzikologë, agronomë, poetë, pedagogë, shoferë etj.

Në tipologjizimin e materialeve të këtij vëllimi, mes portreteve dhe njoftimeve, studiuesi Mentor Quku ka vënë kujtimet, pavarësisht se edhe intervistat e vendosura në kapitullin e dytë, për nga funksioni, kanë të njëjtin qëllim. Të parët flasin të intervistuar nga autori, ndërsa të dytët shkruajnë të nxituar nga parime të tjera.

Kujtimet e pjesës së dytë autori i ka realizuar vetë ndër mote dhe më në fund i ka nxjerrë nga sirtari, ndërsa kujtimet e pjesës së katërt i ka vjelë nga shtypi, arkivat dhe botimet e kohëpaskohshme. Fragmente botimesh, ku Ndre Mjeda del në plan të parë, apo tekste të plota, studiuesi Mentor Quku ka sjellë nga Atë Daniel Gjeçaj, Faik Quku, Gjush Sheldija, Injac Zamputi, Kolë Jakova, Dom Mark Hasi, Dom Ndoc Nikaj, Viktor Koliqi. Kujtimin e tyre për Ndre Mjedën autorët e këtyre shkrimeve e kanë shprehur duke shkruar për Gjergj Fishtën dhe për Luftën e Dytë Botërore, duke shprehur disa ndjenja intime të tyre, duke kujtuar çastet e veçanta të takimit me të, duke folur për krahinën etnografike të Mirditës, duke përjetuar pavdekësinë e tij, duke shkruar për mësuesin si ideal dhe si shembull të fisnikërisë njerëzore etj.

Kujtohet këtu angazhimi i Ndre Mjedës, përkrah Rajko Nahtigalit, për t’i verifikuar afërsitë që kanë dialektet e shqipes në katundin Polis (qarku i Elbasanit); publikimi i pjesshëm i Kanunit të maleve, në revistën e Shoqërisë Antropologjike Gjermane nga Ndre Mjeda; dhembja që shkaktoi te intelektualët shqiptarë vdekja e Ndre Mjedës dhe mungesa e autoriteteve shtetërore të kohës në funeralin e tij; angazhimi i drejtpërdrejtë i Ndre Mjedës në përgatitjen e Promemories, e njohur si vepër e albanologut Rajko Nahtigal, për organizimin ekonomik-financiar të famullisë së Kuklit ; përjetimi shpirtëror dhe intelektual i krijimtarisë së Ndre Mjedës në Burgun e Burrelit, përjetimi shpirtëror i ditëve të fundit të Ndre Mjedës nga djalëria shqiptare, vlerësimi që albanologu Holger Petersen i bëri Abetares së Ndre Mjedës, të paraqitur në Kongresin e Orientalistëve në Hamburg , krimet materiale, morale e vetjake që ushtarët e Esat Pashës bënë mbi kishën shqiptare, mbi gratë shqiptare të fshatit dhe mbi vetë Ndre Mjedën, duke e tërhequr zvarrë rrugëve të fshatit; qëndrimi i pakompromis ndaj gegërishtes; udhëtimi i tij ndër male që të mbledhë fonde për botimin e veprës së Pjetër Budit ; pasaporta e tij e vitit 1917; kompleksiteti i tij shpirtëror, kolegial, familjar dhe këmbëngulja e tij prej puristi për ta zëvendësuar fjalën e gurrës shqipe në vend të asaj latine, qoftë kjo edhe brenda terminologjisë fetare; fshati dhe kisha e Kuklit, të cilin Ndre Mjeda e projektoi dhe e ndërtoi me dorën e tij, duke e udhëhequr për tridhjetë vjet me radhë; përkushtimi i tij prej mësuesi, sidomos gjatë ligjërimit të gjuhës shqipe; përkujdesja e tij e pashoqe ndaj vizitorëve të huaj në trojet shqiptare; heshtja e shtypit shqiptar me rastin e vdekjes së Ndre Mjedës, portreti i tij ideal, përkthimet simultane të tij, të ruajtura ndër fletore nxënësish e bashkëkohësish; urrejtja e tij ndaj pashallarëve, si dhe dashuria e tij ndaj kafshëve.

Albumi si referencë kombëtare dhe identitare

Vëllimi i dhjetë për Ndre Mjedën është një album fotografish, materialesh origjinale, portretesh, autografesh, objektesh, ku Mjeda ka bërë jetën e tij, institucionesh shkencore e arsimore, objektesh fetare e kulturore, vendbanime fshatrash e qytetesh shqiptare e të huaja etj., ku ka jetuar, studiuar, punuar e ku është formuar Ndre Mjeda prej poeti, shkencëtari, jezuiti, famullitari e personaliteti me peshë të veçantë kombëtare.

Një vepër pothuajse e rrallë në studimet e sotme albanologjike dhe për personalitetet më të shquara letrare të historisë sonë edhe ashtu të varfër me dokumente. Ka më shumë se një shekull, po të merret si kufi vepra e Markianos për Jeronim de Radën, që historianë të albanologjisë, kritikë dhe historianë të letërsisë kanë botuar vepra të karakterit monografik e përgjithësues për periudha, ngjarje dhe personalitete të shumta kombëtare, por me përjashtime tepër të rralla, sikur është Albumi për Vëllezërit Frashëri apo ai për Lidhjen Shqiptare të Prizrenit , albumet për periudha, ngjarje dhe personalitetet na kanë munguar. E albumet janë të nevojshme jo vetëm për artistë dhe arte figurative apo filmike, por edhe për periudha sikur është ajo e Lidhjes së Prizrenit, periudha e shpërnguljes së madhe të popullsisë shqiptare nga Sanxhaku i Nishit dhe i Leskovcit, periudha e Kryengritjeve të mëdha në fillim të shekullit XX, periudha e shpërnguljes së popullsisë shqiptare nga Kosova në Turqi ndërmjet dy luftërave botërore, për përndjekjen e dhunshme të popullsisë shqiptare nga Kosova gjatë luftës së fundit; për ngjarjet, sikur janë Shpallja e Pavarësisë së Shqipërisë, Revolucioni i Qershorit i vitit 1924, për Kongreset dhe konferencat shkencore, arsimore e politike, për ardhjen dhe rënien e komunizmit, për shpalljen e Pavarësisë së Kosovës apo edhe për personalitetet siç janë: Skënderbeu, Ali Pashë Tepelena, Naim Frashëri, Abdyl Frashëri e Sami Frashëri, Jeronim de Rada , Ismail Qemali, Fan Noli, Aleksandër Moisiu dhe personalitete të tjera të shekullit XX që kanë shënuar jetën politike, shkencore, kulturore, fetare e mendore të popullit shqiptar apo për popullin shqiptar.

Studiuesi ynë me këtë vepër ka kryer një prej detyrave tona për realizimin sa më të plotë të historisë vizuale, kombëtare, shoqërore dhe letrare të popullit shqiptar dhe këtë e ka bërë me pasion. Prej veprës së studiuesit Mentor Quku do të mund të paramendojmë se si do të duken nesër edhe heronjtë e tjerë, burrështetasit, rilindësit dhe personalitetet e tjera që kanë bartur idenë e madhe të gjuhës, kulturës dhe identitetit kombëtar. Të mësuar që ata të gjithë, madje pa dallim, t’i shohim burra të pjekur apo në një moshë të shtyrë, ne gjatë e kemi përfytyruar historinë si një mesazh dhe të njëtrajtshme: Mbretëreshën Teutë, vetëm të bukur si Bukuria e Dheut; Skënderbeun, vetëm të fuqishëm mbi kalë; Ali Pashë Tepelenën, vetëm si një prototip të pashait dinak; Sami Frashërin, vetëm të moshuar; filozofin plak Ismail Qemalin, vetëm prototipin e babadimrit që na sjell pavarësinë; Fan Nolin, vetëm brenda veladonit të priftit patriot e kështu me radhë.

Në vend të përfundimit

Në studimet albanologjike të dy dekadave të fundit shpesh është shtruar çështja e botimit të veprave të autorëve të panjohur deri më tash si kusht për ta shkruar historinë e plotë të letërsisë shqipe. Kjo kërkesë është plotësuar e po plotësohet, kur më pak e kur më shumë, dhe jo vetëm në një mënyrë. Në një mënyrë tepër të veçantë këtë e ka bërë studiuesi i përkushtuar Mentor Quku, duke dhënë shembullin e punës afatgjatë dhe të durueshme për të na e dhënë sa më të plotë shkrimtarin dhe studiuesin Ndre Mjeda, si dhe veprën letrare e shkencore të tij, për të cilin kemi menduar se kemi qenë mjaftueshëm të njohur.

Përkundrazi, studiuesi Mentor Quku na e ka dhënë Mjedën në një format më të gjerë, në të cilin është përfshirë një pasuri e madhe dokumentesh (fotografi, fototipa letrash, dokumentesh e krijime letrare) dhe tekstesh autografe, si dhe në raste të caktuara edhe versione e variante tekstesh letrare. Këto të fundit madje kryesisht vetëm në nivel të sprovave për paraqitje të plotë në vëllime të veçanta, sikur duket të jenë projektuar nga autori, pasi ta ketë përfunduar edhe vëllimin e dhjetë për Ndre Mjedën.

Kjo është arsyeja pse ende pa përfunduar kjo kolanë, para autorit shtrohen kërkesa të reja, sikur janë: botimi tekstologjik i veprës letrare të tij, botimi filologjik i veprës gjuhësore të tij, botimi i një vëllimi me studime të pabotuara, pjesën më të madhe të të cilit sigurisht do ta zinte dorëshkrimi i Profesor Jup Kastratit, në rreth 160 faqe makine shkrimi, botimi i një a dy vëllimeve me studime të zgjedhura nga të gjitha periudhat dhe nga e gjithë hapësira shqiptare, po edhe nga të gjitha gjuhët në të cilat janë shkruar artikujt për Mjedën. Në këtë mënyrë, shpresojmë që Ndre Mjeda ta japë shembullin e paraqitjes komplekse dhe shumëpërmbajtjesore të veprës së Mjedës. Vetëm pasi ta kemi veprën e tij të plotë dhe variantet e saj, ne do ta kemi të plotë dhe të sigurt Fjalorin e gjuhës së Ndre Mjedës, një vëllim (dorëshkrim), i cili tashmë ka një gjysmëshekulli që është përgatitur; vetëm pasi ta kemi të plotë veprën e tij, ne do të mund të përgatisim jo vetëm Fjalësin e gjuhës së veprës së tij, po edhe Fjalorin e termave estetike të tij, Fjalorin e rimës së pasur të tij, ndikimin e shkollës austriake në mendimet gjuhësore të tij, sidomos ndihmën që Mjeda ua dha disa albanologëve më të shquar të gjysmës së dytë të shekullit XIX dhe gjysmës së parë të shekullit XX.

Të gjitha vëllimet janë përcjellë me treguesin e emrave të njerëzve dhe të vendeve, duke përfshirë këtu edhe emra të panjohur shumë në literaturën shqiptare, si Vatikani , Vjena , Krakova , por edhe emra më pak të njohur e me interes për jetën dhe veprën e Ndre Mjedës, si: Zadrima . Kjo ka bërë të mundur që veprat të përdoren me lehtësi nga studiues të thelluar dhe lexues të rastit. Ndonëse veprat nuk kanë karakter sintetizues të monografive të botuara deri më tash nga studiuesit, veprat janë një sintezë e madhe kronologjike e jetës, veprës, bashkëkohësve dhe kohës në të cilën jetoi Ndre Mjeda. Ato janë njëkohësisht një arkiv i madh dhe shembull i kërkimit jetësor të një teme, sikur është kjo e Mjedës, të cilën studiuesi i pasionuar Mentor Quku e ka ngritur në shkencë më vete: mjedologji.

Studiuesi Mentor Quku është shembulli më i mirë i punës afatgjatë dhe të durueshme për të na e dhënë sa më të plotë jetën dhe veprën e një shkrimtari. Ai ka dëshmuar se kërkimet dhe sintezat e mëdha historiko-letrare nuk janë çështje e një projekti, doktorate apo konference, po çështje të një jete. Në këtë kolanë ai na ka dhënë dhe po na e jep për çdo ditë shkrimtarin dhe studiuesin Ndre Mjeda, si dhe veprën letrare e shkencore të tij jashtëzakonisht të plotë, sado kemi menduar se kemi qenë mjaftueshëm të njohur me të.

Përkundrazi, studiuesi Mentor Quku na e ka dhënë Mjedën në një format të pazakonshëm, në të cilin është përfshirë një pasuri e madhe dokumentesh, ngjarjesh, sintezash, vlerësimesh, fotografi, fototipa letrash dhe tekste – autografe, si dhe në raste të caktuara edhe versione të teksteve të krijimtarisë së tij letrare. Këto të fundit madje kryesisht vetëm në nivel të sprovave për një paraqitje të plotë në vëllime të veçanta, sikur duket të jenë projektuar nga autori, pasi ta ketë përfunduar edhe vëllimin e dhjetë për Ndre Mjedën.

Kjo është arsyeja pse ende pa përfunduar kjo kolanë, para autorit shtrohen kërkesa të reja, sikur janë: botimi tekstologjik i veprës letrare të Mjedës, botimi filologjik i veprës gjuhësore të tij, botimi i një vëllimi me studime të pabotuara, pjesën më të madhe të të cilit sigurisht do ta zinte dorëshkrimi, përkatësisht vepra e ndaluar e Profesor Jup Kastratit, në rreth 160 faqe makine shkrimi, botimi i një a dy vëllimeve me studime të zgjedhura nga të gjitha periudhat dhe nga e gjithë hapësira shqiptare, po edhe nga të gjitha gjuhët në të cilat janë shkruar artikujt për Mjedën. Në këtë mënyrë, shpresojmë që studiuesi Mentor Quku ta përmbushë plotësisht idealin e tij për paraqitjen e shumanshme dhe shumëpërmbajtësore të veprës së Mjedës. Vetëm pasi ta kemi veprën e tij të plotë dhe variantet e saj, ne do ta kemi të plotë dhe të sigurt Fjalorin e gjuhës së Ndre Mjedës; vetëm pasi ta kemi të plotë veprën e tij, ne do të mund të përgatisim jo vetëm Fjalësin e gjuhës së veprës së tij, po edhe Fjalorin nocioneve estetike dhe madje filologjike të tij, Fjalorin e rimës së pasur të tij, ndikimin e shkollës austriake në mendimet gjuhësore të tij, si dhe ndihmesën që Mjeda ua dha disa prej albanologëve më të shquar të gjysmës së dytë të shekullit XIX dhe gjysmës së parë të shekullit XX.

Ndonëse vëllimet e kësaj kolane, në shikim të parë nuk kanë karakter sintetizues të monografive, ato në të vërtetë janë korpuse kronologjike të jetës, veprës dhe bashkëkohësve të tij. Ato janë njëkohësisht një arkiv i madh dhe shembull i kërkimit jetësor të studiuesit për një teme, sikur është kjo për Mjedën, të cilën studiuesi i pasionuar Mentor Quku e ka ngritur në shkencë më vete: në shkencën e mjedologjisë .

Filed Under: Kulture

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 99
  • 100
  • 101
  • 102
  • 103
  • …
  • 548
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Një ishull, një gabim: Investimet e huaja janë të mirëpritura—por jo me çdo çmim
  • Z. Shpëtim Tim Qorraj hapi fushatën për t’u zgjedhur në Parlamentin e Nju Jorkut 
  • Gjyshi i Ismail Qemalit, Ismail Bej Vlora e shihte perspektivën e një të ardhmje të pavarur të shqiptarëve
  • ATHANAS GEGAJ PER ORIGJINEN E ARBNIT
  • VAZHDON KRIMI SHTETËROR NDAJ AT GJERGJ FISHTËS: I PËRJASHTUAR NGA SHTETI QË AI MBROJTI
  • SHQIPTARËT DHE MAQEDONIA E VERIUT MIDIS UNITARIZMIT DHE DEMOKRACISË KONSENSUALE
  • ATË BERNARDIN PALAJ, FRATI QË I “RRËMBEU HARRESËS” KËNGËN SHQIPTARE
  • Garancia Publike për Emigrantët
  • Nëntë njohje de-facto për Kosovën
  • RIZGJEDHJA E PRESIDENTES OSMANI ËSHTË INTERES SHTETËROR DHE KOMBËTAR
  • Stuhi dimërore historike në SHBA: Mbi 10 mijë fluturime të anuluara, miliona qytetarë nën akull, borë dhe të ftohtë ekstrem
  • KELETI UJSÁG (1931) / “NJË MUAJ PRANË MBRETIT ZOG, THEMELUESIT TË SHQIPËRISË MODERNE…” — INTERVISTA ME MÁRTON HOSSZÚ, PIKTORIN NGA KOLOZSVÁR-I
  • Si “Albanian Mafia” zëvendësoi Cosa Nostra-n dhe po rrezikon Shqipërinë
  • Për vendlindjen, komunitetin e kombin…
  • Kur liria e njërit, bëhet burgu i tjetrit 

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT