

(Kërkime në kolanën e mjedologut Mentor Quku)
Shkruan: Prof. Begzad Baliu
Në studimet albanologjike të dy dekadave të fundit shpesh është shtruar çështja e botimit të veprave të autorëve të panjohur deri më tash, si kusht për ta shkruar historinë e plotë të letërsisë shqipe.
Në këtë rrjedhë prej njohjeve bazike që kemi formuar nga botimet shkollore dhe shkencore nuk janë të paktë lexuesit dhe studiuesit që kanë pritur vëllime të tilla:
– për shkrimtarë të letërsisë së vjetër (si Buzuku, Budi apo Bogdani), jeta e të cilëve më shumë sesa me të dhëna arkivore është e mbushur me mite për prejardhjen e tyre krahinore dhe për dorëshkrimet e humbura;
– për shkrimtarë të Rilindjes Kombëtare Shqiptare, si Jeronim de Rada dhe Naim Frashëri, të cilët me jetën dhe me veprën e tyre e kanë përgatitur formimin kombëtar dhe shtetëror të popullit shqiptar;
– për bardin kombëtar Gjergj Fishtën, për të cilin dija shqiptare e shekullit XX ka ngritur më shumë mite sesa njohje dokumentare dhe sinteza shkencore etj.
Në këtë mënyrë, në dijen shqiptare, në shkollën shqiptare jemi mjaftuar me studimin filologjik të të vetmit dorëshkrim të paplotë të Mesharit të Buzukut, me disa monografi dhe letra të Jeronim de Radës, me dy-tri sinteza monografike për veprën e Naim Frashërit, me disa sinteza përgjithësisht të varfra të veprës së Gjergj Fishtës etj. Besoj se kjo është edhe arsyeja pse jeta dhe krijimtaria e bardëve të letërsisë shqipe ka më shumë veshje mitesh e kultesh sesa dëshmi dokumentare dhe njohje të thelluar personale, familjare dhe kohore të gjallimit dhe krijimit të tyre.
Kolana e studiuesit Mentor Quku për Ndre Mjedën, në studimet filologjike shqiptare është përpjekja e parë e një studiuesi për ta sjellë të plotë gjithë pasurinë materiale e shpirtërore të njërit prej shkrimtarëve të veçantë të letrave shqipe dhe një përvojë e jashtëzakonshme për të gjithë hulumtuesit shqiptarë që një ditë do të provojnë të bëjnë objekt studimi periudha, ngjarje, personalitete apo vepra të caktuara historike, letrare apo kulturore të traditës a të sotmes sonë.
Jeta dhe vepra e Ndre Mjedës ka qenë objekt trajtimi i mjaft studiuesve si: Gaetano Petrotta, Filip Fishta, Eqrem Çabej, Injac Zamputi, Henrik Lacaj, Kolë Ashta, Pashko Gjeçi, Mark Gurakuqi, Jup Kastrati, Lazër Siliqi, Andreja Varfi, Dhimitër S. Shuteriqi, Rinush Idrizi, Rexhep Qosja, Petro Janura, Mahir Domi, Klara Kodra, Razi Brahimi, Jorgo Bulo, Sabri Hamiti, Isak Ahmeti, Mensur Raifi etj. Jeta dhe vepra letrare e gjuhësore është provuar të botohet sa më e plotë, por asnjëri prej studiuesve nuk e ka projektuar ashtu në përmasën e një botimi historik, filologjik dhe kritik veprën e Ndre Mjedës dhe studimet për të, në atë përmasë që ka filluar ta bëjë studiuesi Mentor Quku.
Ndre Mjeda i fëmijërisë
Vëllimi i parë i serisë për Mjedën hapet me periudhën e fëmijërisë dhe rinisë apo, siç e shënon autori, me 20 vjetët e para (1866-1888) . Fjala është për njërën prej periudhave më të panjohura të tij. E kuptueshme, janë të paktë autorët shqiptarë, fëmijëria e të cilëve mund të thuhet se është bërë e njohur për lexuesit përgjithësisht, duke përfshirë edhe shkrimtarët bashkëkohorë, ndërsa të mos flasim për shkrimtarët e periudhave më të hershme. Ndre Mjeda është shkrimtar dhe shkencëtar, për fëmijërinë, për rininë dhe për jetën e të cilit nuk dihej shumë për shumë arsye. Mjeda ka kaluar një pjesë të mirë të jetës në institucione fetare, ndërsa këto institucione ku është shkolluar dhe ka kryer misionin e tij prej kleriku, gjenden jo vetëm në Shqipëri, por edhe në disa vende të Ballkanit dhe të Evropës , si Vatikanin, Vjenën etj. Pra, njohja e jetës dhe veprës së tij nënkupton kërkimet në arkivat e këtyre institucioneve e kjo nuk ishte as punë e lehtë, as punë e mundshme për studiuesit si Mentor Quku, i cili jetonte në një shoqëri totalitare. Autori i këtij projekti të madh ka qenë i vetëdijshëm për këtë, prandaj ka zgjedhur metodën e rindërtimit të jetës dhe veprës së tij, duke u nisur nga të dhënat e pjesshme dhe të anshme të atyre rrethanave që kanë ndihmuar njëkohësisht edhe ndërtimin e pjesshëm të jetës dhe veprës së Ndre Mjedës, të familjes së tij nga ana e babait dhe e nënës, të krahinës së tij etj. Për këtë arsye, më parë se një monografi sintezë në shumë vëllime për Ndre Mjedën, ky korpus do të mund të quhej tërësi e studimeve të Mentor Qukut, që bëjnë një monografi për Mjedën.
Vëllimi i parë i serisë së veprave të Mentor Qukut Mjeda mbyllet me pjesën për vitin e mbarë 1888. Këtu botohen studime të autorit mbi disa probleme të jetës dhe të veprës së Mjedës në Itali. Zë vend puna e Mjedës në Kolegjin Vida, disa probleme shpirtërore të tij, protesta e tij për të ashtuquajturin dekonspirim të krijimtarisë së tij letrare, korrespodenca me rektorin e Kolegjit Papnor të Shkodrës, Atë Dedë Pasin, të cilat botohen të plota, madje edhe si faksimile, veprat me poezi origjinale, të përkthyera apo të përshtatura, këngë të mbledhura etj., Shahiri Elierz, historiku i botimit të dy veprave të tij Jeta e Shenjtit Sh’Gjon Berkamns dhe Shën Luigj Gonzaga, botimi i parë i kalendarit kombëtar ndër shqiptarët, me titullin Miku bestar (Milano, 1989), me të cilin shtyhet mosha e këtyre botimeve të njohura në studimet albanologjike më parë, dhe sillet një përmbajtje e gjerë e komentuar e tryezës së kësaj vepre etj. Pjesa e fundit mbyllet me një temë mbi debatet dhe vlerësimet për Ndre Mjedën, nga shumë bashkëkohës të tij dhe studiues të kohës sonë si: Kordinjano, Zef Valentini, Gustav Majer, Mark Hasi, Martin Camaj, Ernest Koliqi , Gjon Karma, Ndre Zadeja, Kolë Ashta, Rexhep Qosja, Mehmet Elezi, Moikom Zeqo etj.
Albanologu dhe dijetari
Vëllimi i dytë i Mentor Qukut për jetën dhe veprën e Ndre Mjedës përfshin periudhën e formimit të Ndre Mjedës si intelektual, si studiues dhe më në fund si shkencëtar . Sigurisht kjo është arsyeja pse edhe Rexhep Qosja, duke e hapur kapitullin për Ndre Mjedën dhe vendin e tij në Historinë e letërsisë shqipe, shkruan: “Ndre Mjeda është njëri prej shkrimtarëve më të arsimuar të romantizmit shqiptar dhe, njëkohësisht, njëri prej intelektualëve shqiptarë më të ngritur e më të gjithanshëm të kohës së tij” . Fjala është për atë periudhë kur Ndre Mjeda ndjek shkollat më të arrira që ia afron përkushtimi i tij prej bardi të kishës, për atë periudhë kur Mjeda zhvillon një komunikim të dendur me albanologët më të mëdhenj të kohës dhe, më në fund, për atë periudhë kur Ndre Mjeda krijon konceptet metodologjikisht shkencore në përmasat që atë e vënë në provë edhe albanologët më të shquar shqiptarë dhe të huaj të kohës.
Prej nëntitullit të këtij vëllimi ndërkaq do të mund të pritej që mjeshtri ynë të merrej krejtësisht me veprën albanologjike të tij, përkatësisht me kërkimet, studimet dhe vlerësimet e Mjedës në fushë të albanologjisë, e në mënyrë të veçantë në fushë të historisë së gjuhës. Pasqyra e lëndës dhe teksti heterogjen për nga kërkimet dhe vlerësimet, dëshmon se brenda vëllimit janë përfshirë disa nga aspektet jetësore dhe shkencore, historike, e madje letrare të veprës së tij poetike, të cilat, në një mënyrë apo tjetër, përvijojnë disa nga prirjet e Mjedës për albanologjinë si një koncept i gjerë jo vetëm linguistik dhe sidomos bashkëpunimin e tij me albanologët.
Janë një varg temash që më shumë se njohje sjellin dëshmi për njohje të reja; që më shumë se vlerësime hapin mundësi diskutimesh prej versioneve të reja dokumentuese të botuara në fototipi; që më shumë sesa paraqitje bibliografike sjellin mundësi sintezash; që prej indiceve të sjella më shumë sesa shqetësime për fatin e teksteve të zverdhura ndër arkiva vetjake e shtetërore, japin mundësi botimi të atyre teksteve që tash mund të sillen të plota në jetën tonë shkencore, për të mos thënë në vëllimet e pabotuara të historisë së albanologjisë. Do të linim mënjanë shumë studime të rëndësishme në fushë të studimeve mjedologjike dhe shumë studime të mbetura në dosje arkivash vetjake dhe shtetërore, po nuk mund të lëmë mënjanë veprën e Profesor Jup Kastratit, Ndre Mjedja, Çështje gjuhësore, mbledhur dhe paraqitur nën kujdesin e Jup Kastratit. Botim i Universitetit Shtetëror të Tiranës. Instituti i Historisë dhe i Gjuhësisë. Tiranë, 1967, 170 faqe, e cila u kthye në karton me urdhër nga lart, sikur thuhet në bibliografinë e Diana Kastratit, e së cilës i është referuar edhe mjeshtri ynë. Duke pasur në dorë këtë vepër unike, për lexuesit duam të kujtojmë se bashkë me Profesor Jup Kastratin dorëshkrimin e tij Kontribute për studimin e Ndre Mjedës, Tiranë, 1958; dhe veprën e kthyer në karton Çështje gjuhësore të Ndre Mjedës, Tiranë, 1966, i kemi planifikuar për të gjallë të tij në vëllimin e XIII, të veprave të plota të Profesor Jup Kastratit në tridhjetë vëllime .
Nëse ky vëllim vërtet identifikon personalitetin e Ndre Mjedës prej albanologu, kjo bëhet për një kontribut të veçantë të Mjedës dhënë zhvillimeve albanologjike të kohës, me theks të veçantë letërkëmbimi të pasur me albanologun më të madh të kohës, Gustav Majer . Letërkëmbim të pasur me albanologë të mëdhenj të kohës kanë pasur edhe rilindës të tjerë, para dhe pas Ndre Mjedës, mesazhet e të cilëve mund të jenë më pak apo më shumë emocionale, por Mjeda do të dallohet, me letërkëmbimin e tij, edhe për një nivel të veçantë të komunikimit, për mesazhet shkencore që përcjell ky komunikim. Përveç respektit të madh që artikulon Mjeda për Majerin gjatë gjithë këtij komunikimi prej dy fazash jetësore, të shprehura madje edhe nëpërmjet poezisë përkushtuese Gjuha shqipe, nëpërmjet kontributeve të tij në dërgimin e materialeve albanologjike, diskutimeve të temave të Majerit, madje vërejtjeve e plotësimit të studimeve e veprave të tij me njësi leksikore të shqipes apo me trajta dialektore të tyre. Në tekstet e tij Mentor Quku merret me dy faza të letërkëmbimit në mes të dy albanologëve, Mjedës dhe Majerit, me temën e madhe dyshekullore Gjuha shqipe dhe autoktonia e shqiptarëve; me kontributin e Mjedës për përgatitjen dhe botimin e dy vëllimeve të Majerit Albanesische Studien VI dhe fatin e vëllimit të pabotuar Albanesische Studien VII, me trashëgiminë e pasur të materialeve të mbledhura në fushë të gjuhës dhe të folklorit, me bazën e Fjalorit etimologjik të gjuhës shqipe të Majerit dhe me një fjalor të kësaj natyre të Mjedës dhe me gjurmët e ekzistimit të një gramatike historike të shqipes të Ndre Mjedës. Letërkëmbimi i Ndre Mjedës me Gustav Majerin në këtë fushë jep shumë argumente orientuese për formimin e Ndre Mjedës prej albanologu, për kontributin e tij edhe në zhvillimin e dijes së albanologjisë në përmasa evropiane. Aq më tepër kur diskutimet e dyanshme të tyre shoqërohen edhe me dokumente të botuara në fototipa.
Ndre Mjeda dhe Alfabeti i gjuhës shqipe
Janë dy tema të mëdha me të cilat identifikohet Ndre Mjeda në librin e përgjithshëm të qytetërimit shqiptar: poezinë dhe alfabetin. Të parën, për shkak të vlerave të veçanta artistike dhe gjuhësore dhe të dytën, për shkak të rëndësisë së madhe që pati në rrethet shkencore, intelektuale, arsimore dhe qytetëruese të popullit shqiptar që në fillim të shekullit XX.
Vëllimi i tretë – libri i parë i kushtohet pikërisht njërit prej kontributeve të Ndre Mjedës në fushë të gjuhësisë, e ky është alfabeti. Është një nga temat të cilat dija albanologjike e ka ndriçuar mjaft gjerësisht, por sikur ndodh shpesh në studimet tona, ky kontribut i Mjedës është parë dhe vlerësuar ndaras kontributeve të tjera të tij: fonetikës, leksikografisë, onomastikës, historisë së gjuhës, etnografisë, folklorit dhe më tej të teorisë së letërsisë.
E menduar dhe e projektuar si një prej veprave tematike të përgatitura për jetën dhe veprën e Ndre Mjedës, në komplementaritet të plotë me zhvillimet e tjera historike të kësaj kohe, vëllimi, kronologjikisht përfshin periudhën 1899-1912. Fjala është për kohën më dramatike të veprimtarisë të tij jetësore. Ndoshta pikërisht pse kthimi i tij në atdhe është një periudhë e ndezur e gërshetimit të punëve të tij, mes bardit të besimit fetar, bardit të lëvizjes kombëtare rilindëse dhe postrilindase, si dhe përmbysjeve të mëdha që po ndodhnin krahas rënies së Perandorisë Osmane, ka shtyrë autorin që temat e shumta që trajtojnë jetën dhe veprën e tij t’i ndajë në dy vëllime: misionin atdhetar të tij dhe dijen shkencore prej gjuhëtari, që e kishte po kaq për mision intelektual e kombëtar.
I gjetur mes temave të mëdha të zhvillimeve historike të kohës dhe përpjekjeve të vazhdueshme të Ndre Mjedës për t’i arsyetuar dhe standardizuar vlerat e përgjithshme dhe të veçanta të alfabetit të tij, mjeshtri ynë Mentor Quku ia arrin t’i përplotësojë dhe t’i shndritë shumë anë të errëta a të diskutuara të kësaj periudhe, sidomos sa iu përket zhvillimeve të Kongresit të Manastirit . Studiuesi Mentor Quku jo vetëm ka diskutuar mendimet e gjertashme, por ka sjellë edhe shumë dokumente të reja, ka vënë personalitete historike përballë njëri-tjetrit. Janë mjaft interesante interpretimet e tij për fazën paraprake të organizimit të Kongresit të Manastirit, formimin e Komisisë së Alfabetit, reflektimet e tri alfabeteve dhe të tre personaliteteve historike brenda Kongresit, përgjegjësia politike e Mithat Frashërit, ndikimi i mendimit të Luigj Gurakuqit , rrezatimi epik i Gjergj Fishtës dhe konceptet shkencore të Ndre Mjedës, si dhe përpjekjet e këtij të fundit për zbatimin e alfabetit të tij te Kalendari dhe librat shkollorë, rrezatimi gjithëkombëtar i alfabetit te revistat shkencore, gatishmëria për kompromis me alfabetet e të tjerëve etj. Të gjitha këto në dijen e sotme albanologjike kanë sjellë dhe vazhdojnë të sjellin një diskutim të pasur mendor, intelektual dhe shkencor.
Ndre Mjeda dhe kryeveprat letrare të tij
Duke zgjeruar kërkimet në arkivat vetjake, institucionale dhe shtetërore shqiptare e ndërkombëtare, studiuesi Mentor Quku, kërkimeve për Ndre Mjedën në periudhën 1899-1912 u është kthyer edhe një herë . Jeta shumë aktive e kësaj kohe, kërkimet letrare dhe sidomos kontributet shkencore të kësaj kohe nuk mund të përfshiheshin në një libër, pavarësisht vëllimit të faqeve të tij dhe pavarësisht përpjekjeve për të dhënë një sintezë të kontributeve të tij.
Kjo është arsyeja pse hulumtuesi dhe mjeshtri ynë Mentor Quku, pasi ka përmbyllur një vëllim për këtë periudhë, i cili i kushtohet ekskluzivisht kontributit të tij në fushë të alfabetit, ka përgatitur edhe një vëllim tjetër, i cili përtej kërkimeve gjuhësore kap edhe disa anë të tjera të jetës dhe të veprës së Ndre Mjedës. Fjala është për ato veprimtari të përditshme të Ndre Mjedës dhe për ato krijime letrare e historike të Mjedës, me të cilat Mjeda identifikohet me atdhetarin e pandalur dhe me liridashësin nacional e humanistin universal të epokës së tij .
Kjo është periudha e angazhimeve të Ndre Mjedës në qytetin e Shkodrës, e meshtarit të përkushtuar, e shkrimit të disa prej poezive asketike, e problemeve të ngritjes së tij në hierarkinë ipeshkëvnore, e studimit të hershëm të Kanunit të Lekës dhe sidomos e përfshirjes së tij në çështjen e Mirditës etj. Angazhimi jetësor dhe intelektual i Mjedës në këtë tërësi përmbyllet me ndikimin e këtyre rrethanave në poezinë e tij Lirija, me versionet e saj dhe me studimin e vlerësimin e këtij teksti nga autorë të ndryshëm për ta përmbyllur me një version shumë të zgjeruar të mjeshtrit tonë për këtë poezi të Mjedës.
Vepra mbyllet me një retrospektivë, e cila prej teksteve të pasura që hapen me dilemën e emrit të nënës së Mjedës dhe vazhdon me tema të mëdha sikur është botimi i Shahirit Elierz apo diskutimit rreth alfabetit të shqipes, nuk duket se është një përmbyllje e thjeshtë, po një përmbyllje që hap edhe një varg temash të mëdha dhe afatgjate. Botohet këtu diskutimi i vlerësimit të botimit në italisht të poezive të Ndre Mjedës, dhe një tekst brilant (homazh për Jolanda Kodrën: Parathënia që nuk pa dritë), si dhe një ese shkencore: mendimi i lirë-mendimi kritik mendimi shkencor, me të cilin autori ynë grish studiuesit që të hyjnë në një debat shkencor, intelektual dhe qytetërues mbi disa koncepte të ndërlidhjes së etikës me dijen, brenda institucioneve të sotme shkencore, ndërlidhjes së shkencës me besimin fetar, ndërlidhjes së disa besimeve fetare në shoqërinë shqiptare e kështu me radhë, të gjitha këto nën perspektivën e mendimit largvajtës të Ndre Mjedës e të veprës së tij letrare, shkencore dhe shpirtërore.
Mjeda dhe jeta e tij politike
Në kolanën shumëvëllimshe të Mjedës studiuesi Mentor Quku ka botuar shumë studime, trajtesa, dokumente, kronika, vlerësime, indicie për dorëshkrime, kujtime e të tjera dhe pa dyshim është vështirë ta dallosh njërin nga tjetri për nga veçoritë e tyre, por kur merr në dorë vëllimin e katërt, që kap periudhën e veprimtarisë së tij 1912-1925, nuk është vështirë ta dallosh pasurinë materiale dhe thellësinë e shumanshmërinë shkencore të trajtimit të temave në shqyrtim.
Në këtë vëllim me titull Identitet , aktiviteti i Mjedës shihet në kontekst të zhvillimeve kombëtare në një periudhë tepër të vështirë të formimit të shtetit shqiptar, i cili në të njëjtën kohë i jepte edhe një identitet të ri edhe shoqërisë shqiptare. Fjala është për periudhën e shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë dhe ndërhyrjes së shteteve fqinje, Luftës së Parë Botërore dhe Luftës së Parë e të Dytë Ballkanike, si edhe krimeve serbe në Kosovë e vise të tjera shqiptare, për të cilat autori ynë sjell të dhëna të gjëra të teksteve dhe dokumenteve autentike të proveniencës serbe. Të gjitha këto pastaj i ven në paralele të reagimeve të institucioneve të sapothemeluara shqiptare dhe në mënyrë të veçantë me qëndrimin e Ndre Mjedës brenda këtyre situatave.
Ndonëse Mjeda kishte arritur të bëhej jo vetëm një prej studiuesve më të shquar të kohës ndër shqiptarët, por edhe një prej studiuesve më të respektuar të hierarkisë së albanologëve kudo në botë, me angazhimet e përditshme të tij ai bëhet edhe pjesë aktive e zhvillimeve të kohës, duke dalë madje shpesh edhe në krye të aktiviteteve të caktuara, apo duke u bërë jo rrallë edhe viktimë e këtyre proceseve.
Një studim me shumë interes për problemin e kërkimit dhe për natyrën e metodologjinë e paraqitjes paraqet diskutimi i fazave të komunikimit të Mjedës me albanologë të huaj. Në të vërtetë në këtë vëllim janë sjellë vetëm disa nga letrat e tij dërguar albanologut të shquar danez Holger Pedersenit , që krahas letërkëmbimit të tij me Gustav Majerin, paraqesin vlera të rëndësishme jo vetëm për Mjedën si albanolog, por edhe për disa zhvillime tepër të rëndësishme gjuhësore, sikur është alfabeti i shqipes, mendimi për leksikografin e Francesco Rosit etj. Kjo është arsyeja pse ato botohen në formë autografesh, në gjuhën shqipe dhe komentohen gjerësisht dhe ndonjëra prej tyre, në mungesë, për shkak të rëndësisë që ka, madje edhe rindërtohet. Nëse letërkëmbimi me Majerin kishte rëndësi të veçantë për botimin e disa teksteve letrare, trashëgimisë popullore shqiptare dhe sidomos leksikografisë shqipe, letërkëmbimi me Pedersenin do të ketë rëndësi për diskutimin e alfabetit të shqipes dhe sigurisht edhe me ndikimin që pati në Kongresin e Manastirit.
Parë në tërësinë e tij, ky kapitull do ta nxiste vetëm karakterin historiko-gjuhësor të botimit të veprës Juvenila dhe botimin tekstologjik të disa prej poezive, por po të duam të hedhim dritë edhe në anën sociologjike të versioneve të disa prej poezive apo përkthimit të Gëtes, do të shohim se interesimi i vlerësimit të tyre do të shkonte drejt reflektimit biografik dhe shoqëror të tyre. Sigurisht kjo është arsyeja pse veprës Andrra jetës, Mentor Quku i qaset në mënyrë të veçantë, duke përimtuar situata historike dhe letrare të saj që nga titulli e deri te leximi dhe interpretimi i tekstit.
Duke qenë njeri me ndjenjën e qytetarit që nuk mund të qëndronte indiferent ndaj rrjedhave fetare, po edhe ndaj rrjedhave shoqërore e kulturore, si dhe duke qenë personalitet me ndikim në hapësirën shqiptare, Mjeda bëhet një prej zëdhënësve të opozitës politike të kohës, prandaj fatet e tij nuk do t’i shkëlqejnë. Ky angazhim dhe ky ndikim e çojnë Ndre Mjedën në Parlamentin shqiptar, në të cilin do të gjendet edhe gjatë përmbysjes së Qeverisë shqiptare, respektivisht gjatë grushtit të shtetit në dhjetor të vitit 1921. Gjatë kësaj kohe Mjeda do të gjendet në shumë komisione legjislative që kishin të bënin me Statutin e Zgjeruar të Lushnjes, Ligjin e Këshillit Ligjgatitës, Rregulloren e Parlamentit të Arsimit, po njëkohësisht do të gjendet edhe në krye të komisioneve, sikur ishte Komisioni i Posaçëm i Arkeologjisë. Të qenit në krye të këtij Komisioni mbase për autorin e këtij libri, Mentor Qukun, nuk do të ishte esencial sikur nga kjo pozitë të mos trajtonte kontaktet me arkeologun e shquar, në mos më të madhin e kësaj kohe, studiuesin Karl Patch.
Veprat si kjo dëshmojnë se historia nuk i takon vetëm individit, por një rrethi më të gjerë, ndërsa studimet dhe kërkimet brenda saj dëshmojnë se konceptet për historinë ndërtohen mbi dokumentin dhe jo mbi ideologjinë.
Ndre Mjeda dhe gjuhësia shqiptare
Megjithëse vëllimi i pestë “Mjeda” është identifikuar me nëntitullin Gjuhëtari (1925-1937) , përmbajtja e tij nuk nënkupton vlerësim të vetëm kësaj fushe dhe vetëm kontributit të tij në fushë të gjuhësisë. Përmbajtja e tij tregon për një vëllim brenda të cilit janë trajtuar tema jetësore, letrare, kulturore, historike dhe shkencore. Brenda tij janë botuar vlerësimet për vepra dhe poezi të tij, për përmasën e vlerësimit të tij prej ligjëruesi, për letërkëmbimin e tij me personalitete të rëndësishme të kohës, për botimet e tij te revista e autoritetshme e kohës Leka, për vdekjen e tij dhe atmosferën e varrimit të tij, për polemikat rreth veprës letrare të tij menjëherë pas vdekjes dhe më në fund për fatin e varrit e të dorëshkrimeve të tij. Në mesin e gjithë teksteve për letërsinë dhe temat kulturore, historike e jetësore për Ndre Mjedën, vetëm një kapitull mban titullin “gjuhëtari”, respektivisht paraqet ndihmesën e Mjedës në fushë të gjuhësisë.
Po t’i referoheshim vetëm kësaj të dhëne, pyetja e parë që do të duhej të shtrohej në këtë vepër mjaft të vëllimshme me 720 faqe, do ta shtronte nevojën e arsyetimit të këtij nëntitulli. E vërteta, ky nëntitull në shikim të parë duket jo shumë përmbulues por, pasi të lexohet, nuk është vështirë të shihet se i gjithë nënteksti i të gjitha temave që ka në vetvete është gjuha: gjuhëtari, në kuptimin e parë të fjalës, studiues i problemeve gjuhësore, leksikografi, onomasticienti, gramatikani, gjuhëtari i studimeve të përkushtuara për shkrimtarët e vjetër; gjuhëtari i diskutimeve të gjëra gjatë letërkëmbimit të tij me studiues nga vendi dhe bota, si dhe gjuhëtari, në kuptimin e dytë të fjalës: leksiku i pasur i poezisë së tij, leksiku i pasur i polemikave të tij, leksiku i pasur i stilit të komunikimit të tij.
Në këtë sintezë të madhe të temave dhe të mikrotezave të tij, kontributi i tij prej gjuhëtari në fushë të gramatikës, me theks të veçantë Vërejtjet mbi artikuj e premna pronës, ndoshta është i vetmi studim i vlerësuar gjerësisht në studimet gramatologjike dhe përgjithësisht albanologjike shqiptare. Ky studim është bërë objekt studimi në disa nga arritjet e studimeve gjuhësore shqiptare edhe në gjysmën e dytë të shekullit XX, kur mendimi shkencore i viteve ’20 e ’30 pothuajse ishte i përjashtuar. Në një rrafsh më të gjerë të fushës së gjithësisë, kontributet e Ndre Mjedës janë vlerësuar gjerësisht edhe në onomastikë, paleografi, leksikografi etj. Ndonëse brenda disa vëllimeve, brenda disa kapitujve dhe brenda disa temave, është sheshuar shpesh dhe dendur, kontributi gjuhësor i Ndre Mjedës është i pambuluar dhe thellësisht i patrajtuar në përmasën që kjo është bërë për poezinë e tij. Konceptet gjuhësore, etnogjeografike dhe historike të Ndre Mjedës kapin një përmasë më komplekse sesa janë parë në studimet e gjertanishme. Ato fillimisht duhen botuar origjinale dhe me fakturë historike e me komente filologjike. Një studim i thellë dhe i mbështetur mirë me të dhëna historike e me krahasime filologjike, shembullin e të cilit e ka dhënë edhe mjeshtri ynë Mentor Quku, do të pasuronte shumë, për të mos thënë do ta ndryshonte shumë, pamjen e historisë së albanologjisë së shekullit XIX dhe XX .
Sikur ka ndodhur shpesh me fatin e krijuesve në botë dhe në mënyrë të veçantë me krijuesit shqiptarë, edhe Ndre Mjedën e përcjell një fat i tillë. Në kohën kur pritej të caktohej vendi i tij i veçantë në historinë e popullit shqiptar, të albanologjisë e të letërsisë shqiptare, në të vërtetë në historinë e qytetërimit shqiptar, me një vendim të njëanshëm, vepra e tij u kthye në karton, dorëshkrimet u strukën në dosjet e thella të Arkivave shtetërore, botimi i filluar i krijimtarisë së tij letrare në gjuhë të botës u ndërpre, përpjekja e studiuesve për ta botuar veprën e plotë të tij, sipas nodelit të botimeve bashkëkohore të kohës, u ndalua etj. Të dhënat e shumta që sjell studiuesi Mentor Quku prandaj janë me interes për studimin e plotë e të gjithanshëm të veprës së tij, nga Ndre Mjeda te shkenca e mjedologjisë.
Ndre Mjeda i kujtimeve dhe referimeve
Kohë më parë studiuesi dhe gjurmuesi i lakmuar në rrethet tona shkencore, Mentor Quku , kishte botuar vëllimin e parë të një projekti të madh shkencor, i cili përtej një shestimi për ta përmbledhur veprën e plotë letrare, gjuhësore, krijuese dhe përkushtuese ngrihej në një objekt shkencor. Meqenëse vëllimi i parë përfshinte një pjesë të jetës së fëmijërisë dhe të rinisë së të tij, ishte krejt e natyrshme të pritej një vëllim tjetër (i dyti), i cili përmbushte vazhdimin jetësor të tij, sa me materiale jetësore, aq edhe me ato të ideve dhe mendimeve, bëmave të tij në fushë të letërsisë, gjuhësisë, mendimit kritik, estetik dhe madje iluminist e liturgjik.
Në pamje të parë, vëllimi duket i rrudhur në një dosje shënimesh, por në fakt ai ka një strukturë të hapur dhe përbëhet nga pesë pjesë, të cilat veç e veç merren me problemin të konceptuara brenda vëllimit: intervista, portrete, kujtime dhe njoftime. Vepra mbyllet me një aparat të saktë dhe shumë të domosdoshëm të treguesit alfabetik të emrave të njerëzve dhe të treguesit të emrave gjeografikë.
Në pjesën e parë janë botuar disa artikuj të cilët merren me “aventurat” prej më shumë se tri dekadash të studiuesit M. Quku. Fjala është për një nismë të tij të vitit 1974, për mbledhjen, sistemimin dhe studimin e botimin e veprës së Ndre Mjedës. Natyrisht projektet e mëdha duan kohë dhe përpjekje të mëdha, prandaj kjo është arsyeja që me kohë autorit të këtij projekti nuk i ishte lejuar të hapej në përmasat që nuk i lejonin të ëndërronin as institucionet shkencore e shtetërore. I menduar si një projekt prej pesë vëllimesh, për autorin fillimisht ishte një guxim i madh hulumtues dhe studiues, por kjo nuk e pengonte të bënte përpjekje të reja në hulli sapo të çelura nga të tjerët, në rrugë madje krejt të pashkelura dhe në burime të palejuara, të cilat mbaheshin si rezerva ideologjike dhe shtetërore.
Duke shikuar fotografitë e botuara deri më tash në botimet tona akademike dhe duke parë se në to janë retushuar bashkëpunëtorët e tij më të ngushtë: Gjergj Fishta, Shtjefën Gjeçovi dhe të tjerë; duke lexuar kujtimet e botuara në pjesën e dytë, në të cilën janë përfshirë personalitete të kohëve, të moshave dhe të profesioneve të ndryshme; duke lexuar disa të dhëna të përgjithshme për vlerësimin e mëvonshëm të shoqërisë shqiptare, nuk mund të mos e vëmë gishtin në kokë dhe të pyesim e të përgjigjemi njëkohësisht: a është Ndre Mjeda ai të cilin e kemi njohur nga botimet e gjertashme akademike, apo një tjetër të cilin do ta njohim nga botimi inedit i Mentor Qukut. Si është e mundur që Ndre Mjedën e paskemi njohur kaq pak dhe madje vetëm një pjesë të njërës anë të personalitetit të jetës e të veprës së tij! Si është e mundur që Ndre Mjeda, vepra e të cilit kemi menduar se është botuar pa u prekur nga censura, qenka censuruar kaq shumë. Si është e mundur që Ndre Mjeda, të cilin e kemi nderuar në institucionet shkollore dhe e kemi studiuar e përfaqësuar në panteonin e kulturës shqiptare, nuk paska as edhe një varr, shenjë e nderimit tonë elementar për të.
Në këtë vëllim për Ndre Mjedën flasin mësues, studiues, regjisorë, bujq, barinj, farmacistë, kimistë, klerikë, ekonomistë, ushtarakë, shkrimtarë, nëpunës, zejtarë, inxhinierë, matematikanë, teknikë, juristë, muzikologë, agronomë, poetë, pedagogë, shoferë etj.
Në tipologjizimin e materialeve të këtij vëllimi, mes portreteve dhe njoftimeve, studiuesi Mentor Quku ka vënë kujtimet, pavarësisht se edhe intervistat e vendosura në kapitullin e dytë, për nga funksioni, kanë të njëjtin qëllim. Të parët flasin të intervistuar nga autori, ndërsa të dytët shkruajnë të nxituar nga parime të tjera.
Kujtimet e pjesës së dytë autori i ka realizuar vetë ndër mote dhe më në fund i ka nxjerrë nga sirtari, ndërsa kujtimet e pjesës së katërt i ka vjelë nga shtypi, arkivat dhe botimet e kohëpaskohshme. Fragmente botimesh, ku Ndre Mjeda del në plan të parë, apo tekste të plota, studiuesi Mentor Quku ka sjellë nga Atë Daniel Gjeçaj, Faik Quku, Gjush Sheldija, Injac Zamputi, Kolë Jakova, Dom Mark Hasi, Dom Ndoc Nikaj, Viktor Koliqi. Kujtimin e tyre për Ndre Mjedën autorët e këtyre shkrimeve e kanë shprehur duke shkruar për Gjergj Fishtën dhe për Luftën e Dytë Botërore, duke shprehur disa ndjenja intime të tyre, duke kujtuar çastet e veçanta të takimit me të, duke folur për krahinën etnografike të Mirditës, duke përjetuar pavdekësinë e tij, duke shkruar për mësuesin si ideal dhe si shembull të fisnikërisë njerëzore etj.
Kujtohet këtu angazhimi i Ndre Mjedës, përkrah Rajko Nahtigalit, për t’i verifikuar afërsitë që kanë dialektet e shqipes në katundin Polis (qarku i Elbasanit); publikimi i pjesshëm i Kanunit të maleve, në revistën e Shoqërisë Antropologjike Gjermane nga Ndre Mjeda; dhembja që shkaktoi te intelektualët shqiptarë vdekja e Ndre Mjedës dhe mungesa e autoriteteve shtetërore të kohës në funeralin e tij; angazhimi i drejtpërdrejtë i Ndre Mjedës në përgatitjen e Promemories, e njohur si vepër e albanologut Rajko Nahtigal, për organizimin ekonomik-financiar të famullisë së Kuklit ; përjetimi shpirtëror dhe intelektual i krijimtarisë së Ndre Mjedës në Burgun e Burrelit, përjetimi shpirtëror i ditëve të fundit të Ndre Mjedës nga djalëria shqiptare, vlerësimi që albanologu Holger Petersen i bëri Abetares së Ndre Mjedës, të paraqitur në Kongresin e Orientalistëve në Hamburg , krimet materiale, morale e vetjake që ushtarët e Esat Pashës bënë mbi kishën shqiptare, mbi gratë shqiptare të fshatit dhe mbi vetë Ndre Mjedën, duke e tërhequr zvarrë rrugëve të fshatit; qëndrimi i pakompromis ndaj gegërishtes; udhëtimi i tij ndër male që të mbledhë fonde për botimin e veprës së Pjetër Budit ; pasaporta e tij e vitit 1917; kompleksiteti i tij shpirtëror, kolegial, familjar dhe këmbëngulja e tij prej puristi për ta zëvendësuar fjalën e gurrës shqipe në vend të asaj latine, qoftë kjo edhe brenda terminologjisë fetare; fshati dhe kisha e Kuklit, të cilin Ndre Mjeda e projektoi dhe e ndërtoi me dorën e tij, duke e udhëhequr për tridhjetë vjet me radhë; përkushtimi i tij prej mësuesi, sidomos gjatë ligjërimit të gjuhës shqipe; përkujdesja e tij e pashoqe ndaj vizitorëve të huaj në trojet shqiptare; heshtja e shtypit shqiptar me rastin e vdekjes së Ndre Mjedës, portreti i tij ideal, përkthimet simultane të tij, të ruajtura ndër fletore nxënësish e bashkëkohësish; urrejtja e tij ndaj pashallarëve, si dhe dashuria e tij ndaj kafshëve.
Albumi si referencë kombëtare dhe identitare
Vëllimi i dhjetë për Ndre Mjedën është një album fotografish, materialesh origjinale, portretesh, autografesh, objektesh, ku Mjeda ka bërë jetën e tij, institucionesh shkencore e arsimore, objektesh fetare e kulturore, vendbanime fshatrash e qytetesh shqiptare e të huaja etj., ku ka jetuar, studiuar, punuar e ku është formuar Ndre Mjeda prej poeti, shkencëtari, jezuiti, famullitari e personaliteti me peshë të veçantë kombëtare.
Një vepër pothuajse e rrallë në studimet e sotme albanologjike dhe për personalitetet më të shquara letrare të historisë sonë edhe ashtu të varfër me dokumente. Ka më shumë se një shekull, po të merret si kufi vepra e Markianos për Jeronim de Radën, që historianë të albanologjisë, kritikë dhe historianë të letërsisë kanë botuar vepra të karakterit monografik e përgjithësues për periudha, ngjarje dhe personalitete të shumta kombëtare, por me përjashtime tepër të rralla, sikur është Albumi për Vëllezërit Frashëri apo ai për Lidhjen Shqiptare të Prizrenit , albumet për periudha, ngjarje dhe personalitetet na kanë munguar. E albumet janë të nevojshme jo vetëm për artistë dhe arte figurative apo filmike, por edhe për periudha sikur është ajo e Lidhjes së Prizrenit, periudha e shpërnguljes së madhe të popullsisë shqiptare nga Sanxhaku i Nishit dhe i Leskovcit, periudha e Kryengritjeve të mëdha në fillim të shekullit XX, periudha e shpërnguljes së popullsisë shqiptare nga Kosova në Turqi ndërmjet dy luftërave botërore, për përndjekjen e dhunshme të popullsisë shqiptare nga Kosova gjatë luftës së fundit; për ngjarjet, sikur janë Shpallja e Pavarësisë së Shqipërisë, Revolucioni i Qershorit i vitit 1924, për Kongreset dhe konferencat shkencore, arsimore e politike, për ardhjen dhe rënien e komunizmit, për shpalljen e Pavarësisë së Kosovës apo edhe për personalitetet siç janë: Skënderbeu, Ali Pashë Tepelena, Naim Frashëri, Abdyl Frashëri e Sami Frashëri, Jeronim de Rada , Ismail Qemali, Fan Noli, Aleksandër Moisiu dhe personalitete të tjera të shekullit XX që kanë shënuar jetën politike, shkencore, kulturore, fetare e mendore të popullit shqiptar apo për popullin shqiptar.
Studiuesi ynë me këtë vepër ka kryer një prej detyrave tona për realizimin sa më të plotë të historisë vizuale, kombëtare, shoqërore dhe letrare të popullit shqiptar dhe këtë e ka bërë me pasion. Prej veprës së studiuesit Mentor Quku do të mund të paramendojmë se si do të duken nesër edhe heronjtë e tjerë, burrështetasit, rilindësit dhe personalitetet e tjera që kanë bartur idenë e madhe të gjuhës, kulturës dhe identitetit kombëtar. Të mësuar që ata të gjithë, madje pa dallim, t’i shohim burra të pjekur apo në një moshë të shtyrë, ne gjatë e kemi përfytyruar historinë si një mesazh dhe të njëtrajtshme: Mbretëreshën Teutë, vetëm të bukur si Bukuria e Dheut; Skënderbeun, vetëm të fuqishëm mbi kalë; Ali Pashë Tepelenën, vetëm si një prototip të pashait dinak; Sami Frashërin, vetëm të moshuar; filozofin plak Ismail Qemalin, vetëm prototipin e babadimrit që na sjell pavarësinë; Fan Nolin, vetëm brenda veladonit të priftit patriot e kështu me radhë.
Në vend të përfundimit
Në studimet albanologjike të dy dekadave të fundit shpesh është shtruar çështja e botimit të veprave të autorëve të panjohur deri më tash si kusht për ta shkruar historinë e plotë të letërsisë shqipe. Kjo kërkesë është plotësuar e po plotësohet, kur më pak e kur më shumë, dhe jo vetëm në një mënyrë. Në një mënyrë tepër të veçantë këtë e ka bërë studiuesi i përkushtuar Mentor Quku, duke dhënë shembullin e punës afatgjatë dhe të durueshme për të na e dhënë sa më të plotë shkrimtarin dhe studiuesin Ndre Mjeda, si dhe veprën letrare e shkencore të tij, për të cilin kemi menduar se kemi qenë mjaftueshëm të njohur.
Përkundrazi, studiuesi Mentor Quku na e ka dhënë Mjedën në një format më të gjerë, në të cilin është përfshirë një pasuri e madhe dokumentesh (fotografi, fototipa letrash, dokumentesh e krijime letrare) dhe tekstesh autografe, si dhe në raste të caktuara edhe versione e variante tekstesh letrare. Këto të fundit madje kryesisht vetëm në nivel të sprovave për paraqitje të plotë në vëllime të veçanta, sikur duket të jenë projektuar nga autori, pasi ta ketë përfunduar edhe vëllimin e dhjetë për Ndre Mjedën.
Kjo është arsyeja pse ende pa përfunduar kjo kolanë, para autorit shtrohen kërkesa të reja, sikur janë: botimi tekstologjik i veprës letrare të tij, botimi filologjik i veprës gjuhësore të tij, botimi i një vëllimi me studime të pabotuara, pjesën më të madhe të të cilit sigurisht do ta zinte dorëshkrimi i Profesor Jup Kastratit, në rreth 160 faqe makine shkrimi, botimi i një a dy vëllimeve me studime të zgjedhura nga të gjitha periudhat dhe nga e gjithë hapësira shqiptare, po edhe nga të gjitha gjuhët në të cilat janë shkruar artikujt për Mjedën. Në këtë mënyrë, shpresojmë që Ndre Mjeda ta japë shembullin e paraqitjes komplekse dhe shumëpërmbajtjesore të veprës së Mjedës. Vetëm pasi ta kemi veprën e tij të plotë dhe variantet e saj, ne do ta kemi të plotë dhe të sigurt Fjalorin e gjuhës së Ndre Mjedës, një vëllim (dorëshkrim), i cili tashmë ka një gjysmëshekulli që është përgatitur; vetëm pasi ta kemi të plotë veprën e tij, ne do të mund të përgatisim jo vetëm Fjalësin e gjuhës së veprës së tij, po edhe Fjalorin e termave estetike të tij, Fjalorin e rimës së pasur të tij, ndikimin e shkollës austriake në mendimet gjuhësore të tij, sidomos ndihmën që Mjeda ua dha disa albanologëve më të shquar të gjysmës së dytë të shekullit XIX dhe gjysmës së parë të shekullit XX.
Të gjitha vëllimet janë përcjellë me treguesin e emrave të njerëzve dhe të vendeve, duke përfshirë këtu edhe emra të panjohur shumë në literaturën shqiptare, si Vatikani , Vjena , Krakova , por edhe emra më pak të njohur e me interes për jetën dhe veprën e Ndre Mjedës, si: Zadrima . Kjo ka bërë të mundur që veprat të përdoren me lehtësi nga studiues të thelluar dhe lexues të rastit. Ndonëse veprat nuk kanë karakter sintetizues të monografive të botuara deri më tash nga studiuesit, veprat janë një sintezë e madhe kronologjike e jetës, veprës, bashkëkohësve dhe kohës në të cilën jetoi Ndre Mjeda. Ato janë njëkohësisht një arkiv i madh dhe shembull i kërkimit jetësor të një teme, sikur është kjo e Mjedës, të cilën studiuesi i pasionuar Mentor Quku e ka ngritur në shkencë më vete: mjedologji.
Studiuesi Mentor Quku është shembulli më i mirë i punës afatgjatë dhe të durueshme për të na e dhënë sa më të plotë jetën dhe veprën e një shkrimtari. Ai ka dëshmuar se kërkimet dhe sintezat e mëdha historiko-letrare nuk janë çështje e një projekti, doktorate apo konference, po çështje të një jete. Në këtë kolanë ai na ka dhënë dhe po na e jep për çdo ditë shkrimtarin dhe studiuesin Ndre Mjeda, si dhe veprën letrare e shkencore të tij jashtëzakonisht të plotë, sado kemi menduar se kemi qenë mjaftueshëm të njohur me të.
Përkundrazi, studiuesi Mentor Quku na e ka dhënë Mjedën në një format të pazakonshëm, në të cilin është përfshirë një pasuri e madhe dokumentesh, ngjarjesh, sintezash, vlerësimesh, fotografi, fototipa letrash dhe tekste – autografe, si dhe në raste të caktuara edhe versione të teksteve të krijimtarisë së tij letrare. Këto të fundit madje kryesisht vetëm në nivel të sprovave për një paraqitje të plotë në vëllime të veçanta, sikur duket të jenë projektuar nga autori, pasi ta ketë përfunduar edhe vëllimin e dhjetë për Ndre Mjedën.
Kjo është arsyeja pse ende pa përfunduar kjo kolanë, para autorit shtrohen kërkesa të reja, sikur janë: botimi tekstologjik i veprës letrare të Mjedës, botimi filologjik i veprës gjuhësore të tij, botimi i një vëllimi me studime të pabotuara, pjesën më të madhe të të cilit sigurisht do ta zinte dorëshkrimi, përkatësisht vepra e ndaluar e Profesor Jup Kastratit, në rreth 160 faqe makine shkrimi, botimi i një a dy vëllimeve me studime të zgjedhura nga të gjitha periudhat dhe nga e gjithë hapësira shqiptare, po edhe nga të gjitha gjuhët në të cilat janë shkruar artikujt për Mjedën. Në këtë mënyrë, shpresojmë që studiuesi Mentor Quku ta përmbushë plotësisht idealin e tij për paraqitjen e shumanshme dhe shumëpërmbajtësore të veprës së Mjedës. Vetëm pasi ta kemi veprën e tij të plotë dhe variantet e saj, ne do ta kemi të plotë dhe të sigurt Fjalorin e gjuhës së Ndre Mjedës; vetëm pasi ta kemi të plotë veprën e tij, ne do të mund të përgatisim jo vetëm Fjalësin e gjuhës së veprës së tij, po edhe Fjalorin nocioneve estetike dhe madje filologjike të tij, Fjalorin e rimës së pasur të tij, ndikimin e shkollës austriake në mendimet gjuhësore të tij, si dhe ndihmesën që Mjeda ua dha disa prej albanologëve më të shquar të gjysmës së dytë të shekullit XIX dhe gjysmës së parë të shekullit XX.
Ndonëse vëllimet e kësaj kolane, në shikim të parë nuk kanë karakter sintetizues të monografive, ato në të vërtetë janë korpuse kronologjike të jetës, veprës dhe bashkëkohësve të tij. Ato janë njëkohësisht një arkiv i madh dhe shembull i kërkimit jetësor të studiuesit për një teme, sikur është kjo për Mjedën, të cilën studiuesi i pasionuar Mentor Quku e ka ngritur në shkencë më vete: në shkencën e mjedologjisë .