• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Ambasador Flamur Gashi: Për Kongresmenin Eliot ENGEL, liria e Kosovës ishte një bindje e thellë morale dhe njerëzore

May 16, 2026 by s p

KUMTESË, në Tryezën Akademike në Kolegji AAB , në përkujtim të jetës dhe veprës së Kongresmenit amerikan Eliot ENGEL.

Prishtinë, 15 maj 2026

Të nderuar drejtues të Kolegjit AAB,

Të nderuar profesorë,

Të dashur studentë,

Është një nder i veçantë për mua të paraqitem sot në këtë tryezë kushtuar figurës së Kongresmenit amerikan Eliot ENGEL dhe kontributit të tij të jashtëzakonshëm në mbrojtjen e vlerave demokratike, të drejtave të njeriut dhe shërbimit publik.

Kjo tryezë nuk është thjesht një reflektim mbi jetën dhe veprimtarinë e një kongresmeni amerikan, por një mundësi e çmuar për të kuptuar më thellë historinë e marrëdhënieve shqiptaro-amerikane dhe mënyrën se si politika, diplomacia, mërgata dhe shoqëria civile, mund të bashkohen në funksion të lirisë, paqes dhe dinjitetit njerëzor.

Figura e Kongresmenit Eliot ENGEL, nuk mund të kuptohet jashtë traditës historike të politikës amerikane ndaj kombeve të vogla dhe të drejtës së tyre për vetëvendosje.

Kjo traditë lidhet që në zanafillë me Presidentin Woodrow WILSON, i cili në Konferencën e Paqes pas Luftës së Parë Botërore, mbrojti me vendosmëri të drejtën e popujve për vetëvendosje dhe kontribuoi drejtpërdrejt në mbrojtjen e ekzistencës së kombit dhe shtetit shqiptar.

Në një kohë kur fuqitë e mëdha po rishkruanin hartën politike të Evropës, Presidenti WILSON vendosi një standard të ri moral në diplomacinë ndërkombëtare: parimin se kombet nuk duhet të trajtohen si objekte të thjeshta të interesave gjeopolitike, por si komunitete me të drejta legjitime për liri, identitet dhe sovranitet.

Ky parim wilsonian do të rikthehej fuqishëm në fundin e shekullit të njëzetë gjatë krizës në Kosovë.

Shpërbërja e Jugosllavisë krijoi një nga krizat më të rënda humanitare në Evropë pas Luftës së Dytë Botërore.

Fillimisht, administrata e Presidentit George H. W. BUSH ndoqi një qasje të kujdesshme, kur lëshoi paralajmërimin e njohur të “Krishtlindjeve” kundër përdorimit të dhunës dhe represionit etnik.

Më vonë, me ardhjen e administratës së Presidentit Bill CLINTON, politika amerikane mori një drejtim më aktiv dhe më të vendosur në mbrojtje të popullsive civile në Ballkan, duke e vendosur çështjen e Kosovës në qendër të agjendës ndërkombëtare.

Në këtë periudhë vendimtare për fatin e Kosovës dhe të shqiptarëve në Ballkan, një rol të rëndësishëm luajtën edhe shumë personalitete politike, diplomatike, ushtarake amerikane dhe veprimtarë të mërgates shqiptaro-amerikane.

Sekretarja amerikane e Shtetit, Madeleine ALBRIGHT, mbetet një nga figurat më të respektuara në historinë moderne të Kosovës për mbështetjen e saj të palëkundur ndaj ndërhyrjes humanitare të NATO-s dhe mbrojtjes së popullsisë civile shqiptare.

Ambasadori amerikan Richard HALBROOKE, është një nga figurat më vendimtare të diplomacisë ndërkombëtare në rrugën e Kosovës drejt lirisë.

Me këmbëngulje, presion diplomatik dhe angazhim të drejtpërdrejtë ndaj regjimit serb, ai u bë zë i fuqishëm i ndërgjegjësimit botëror për vuajtjet e shqiptarëve të Kosovës.

Kontributi i tij nuk ishte vetëm politik, por historik, sepse ndihmoi në hapjen e rrugës drejt ndërhyrjes së NATO-s dhe çlirimit të Kosovës.

Po ashtu, Gjenerali Wesley CLARK, udhëhoqi me vendosmëri operacionin ushtarak të NATO-s kundër regjimit serb.

Ndërsa diplomati amerikan William WALKER, përmes denoncimit të masakrës së Reçakut, ndikoi fuqishëm në sensibilizimin e opinionit ndërkombëtar mbi krimet ndaj shqiptarëve të Kosovës.

Mbështetja amerikane për Kosovën mori edhe një vulë historike me deklaratën e Presidentit George W. BUSH në Tiranë, më 10 qershor 2007, kur ai deklaroi qartë se: “Më shpejt sesa më vonë duhet të thuhet se mjaft është mjaft — Kosova është e pavarur”.

Kjo deklaratë pati jehonë të jashtëzakonshme politike dhe morale, sepse ishte hera e parë që një President amerikan shprehte kaq hapur dhe prerazi mbështetjen për pavarësinë e Kosovës.

Ajo u konsiderua një moment historik për shqiptarët dhe një sinjal i fortë për bashkësinë ndërkombëtare se SHBA mbështeste zgjidhjen përfundimtare të statusit të Kosovës.

Pas kësaj deklarate të Presidentit BUSH në Tiranë, u organizua edhe shpallja nga Parlamenti i Kosovës, të Republikës së Kosovës, Shtet të Pavarur dhe Sovran.

Por, për të ardhur deri të kjo ditë, ka një histori:

Në një periudhë kthesash të mëdha historike për kombin tonë, një nga figurat më të rëndësishme që e ngriti çështjen e Kosovës në institucionet më të larta amerikane ishte, Senatori Bob DOLE.

Vizita e tij historike në Kosovë në vitin 1990 në krye të një delegacioni të përbërë nga kongresmen dhe senator amerikan, shënon një nga momentet më përcaktuese të ndërgjegjësimit amerikan për gjendjen e rëndë të shqiptarëve.

Në një kohë kur bota ende nuk e kishte kuptuar plotësisht dimensionin e represionit serb, Senatori Bob DOLE e trajtoi çështjen e Kosovës si një çështje të drejtësisë ndërkombëtare dhe të të drejtave themelore të njeriut.

Ai u bë një nga zërat më të fuqishëm në Senatin Amerikan, duke kontribuar në krijimin e klimës politike që më vonë do të kulmonte me ndërhyrjen humanitare të NATO-s.

Në këtë histori të përbashkët, roli i mërgates shqiptare dhe i individëve si Jim XHEMA zë një vend të veçantë, përmes angazhimit të tij qytetar, patriotik dhe lobues.

Jim XHEMA, duke punuar ngushtësisht me Senatorin Bob DOLE, kontribuoi në afrimin e çështjes së Kosovës me qarqet politike dhe institucionale në Washington DC.

Ai ishte ndër shqiptarët e parë që kuptoi herët rëndësinë e diplomacisë publike dhe të krijimit të urave të komunikimit ndërmjet komunitetit shqiptar dhe Kongresit e Senatit Amerikan.

Në të njëjtën kohë, veprimtarë të shquar të mërgates shqiptaro-amerikane, si z.Ekrem BARDHA dhe shumë e shumë të tjerë, kontribuan për vite me radhë në forcimin e lobimit shqiptar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe në ndërtimin e lidhjeve të qëndrueshme me institucionet amerikane.

z.Ekrem BARDHA veproj shpejtë dhe saktë, duke gjetur në mes të viteve ‘80 të Kongresmeni William BROOMFIELD (R- Michigan), një nga zërat e parë dhe më të fuqishëm në Kongresin Amerikan që e ngriti çështjen e Kosovës në ndërgjegjen politike të Amerikës.

Kongresmeni William BROOMFIELD, ishte nga të parët kongresmen që realizoi miratimin e disa rezolutave për të drejtat e shqiptarëve në ish Jugosllavi dhe arriti që të heqi partneritetin strategjik ekonomik të Jugosllavisë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Në të njëjtën linjë historike dhe institucionale me Senatorin Bob DOLE dhe Kongresmenin William BROOMFIELD qëndron figura e Kongresmenit Eliot ENGEL.

Ndryshe nga shumë politikanë që e trajtojnë politikën e jashtme në mënyrë episodike, Kongresmeni Eliot ENGEL ndërtoi një marrëdhënie afatgjatë, të sinqertë dhe të palëkundur me shqiptarët.

Si anëtar dhe më vonë si Kryetar i Komitetit për Punët e Jashtme në Kongresin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Kongresmeni ENGEL ishte zëri më i qartë dhe më i qëndrueshëm në mbështetje të Kosovës dhe të drejtave të shqiptarëve në Ballkan.

Kongresmeni Eliot ENGEL, ishte ndër kongresmenët që denoncoi vazhdimisht shkeljet e të drejtave të njeriut dhe ato kombëtare të shqiptarëve gjatë viteve ’90.

Ai nuk ishte thjesht një mbështetës i politikës amerikane për Kosovën; ai ishte një nga arkitektët që kontribuoi në formësimin e saj.

Kongresmeni ENGEL, formuloi dhe mbështeti rezoluta që kërkonin ndalimin e represionit serb në Kosovë, mbrojti ndërhyrjen ushtarake të NATO-s dhe më vonë u bë një nga avokatët më të vendosur të pavarësisë së Kosovës dhe integrimit të saj euroatlantik.

Për Kongresmenin Eliot ENGEL, liria e Kosovës nuk ishte vetëm një çështje politike, por një bindje e thellë morale dhe njerëzore.

Në këtë proces historik, një vend nderi meriton edhe z.Harry BAJRAKTARI, i cili për dekada shërbeu si një urë e palodhshme lidhëse ndërmjet komunitetit shqiptar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe elitës politike amerikane, e në mënyrë të veçantë me Kongresmenin Eliot Engel.

Përmes organizimit të takimeve të nivelit të lartë dhe aktiviteteve publike, z. Harry Bajraktari ndihmoi në krijimin e një infrastrukture solide të diplomacisë qytetare shqiptaro-amerikane.

Pikërisht, përmes këtyre bashkëpunimeve komuniteti shqiptar arriti të ndërtojë një prani serioze dhe të respektuar në Washington DC dhe New York, duke bërë që zëri ynë të dëgjohej aty ku merren vendimet e mëdha.

Marrëdhënia ndërmjet Kongresmenit Eliot ENGEL dhe mërgates shqiptare ishte e vazhdueshme dhe e ndërtuar mbi besimin reciprok.

Kongresmeni ENGEL, nuk ishte një politikan i largët apo i paarritshëm; përkundrazi, mori pjesë në takime të shumta të komunitetit shqiptar, mbajti kontakte të rregullta me përfaqësuesit institucionalë të Kosovës dhe Shqipërisë dhe dëshmoi se diplomacia moderne ndërtohet jo vetëm në zyra institucionale, por edhe në komunikimin e drejtpërdrejtë me qytetarët dhe komunitetet.

Në mozaikun e madh të mbështetjes amerikane për çështjen shqiptare duhet të kujtojmë me mirënjohje edhe kontributin e figurave të shquara si: Presidenti Joe BIDEN, Senatorët John McCAIN, Richard LUGAR, Edward KENNEDY, Claiborne PELL, Chuck SCHUMER, si dhe kongresmenët Tom LANTOS, Dana ROHRABACHER, David BONIOR, si dhe shumë senator, kongresmen dhe personalitete të tjera të larta të jetës politike dhe vendimmarrjës në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Ky kontribut i gjerë dëshmon se mbështetja për Kosovën nuk ishte qëndrim i një partie të vetme politike, por një konsensus i gjerë institucional amerikan.

Ky vizion vazhdon edhe sot me figura të reja politike, si Kongresmenet Ritchie TORRES (D) e Keith Self (R), të cilët po e trashëgojnë me dinjitet këtë traditë miqësie dhe mbështetjeje.

Po ashtu, një rol pionier në marrëdhëniet shqiptaro-amerikane ka luajtur ish Kongresmeni amerikan më origjine arbëreshe Joseph DioGUARDI, i cili, si themelues dhe drejtues i Ligës Qytetare Shqiptaro-Amerikane, ishte ndër të parët që hapi dyert e Kongresit dhe Senatit Amerikan për çështjen shqiptare, dhe sensibilizoi institucionet amerikane mbi të drejtat e shqiptarëve në ish Jugosllavi, sidomos në Kosovë.

Një rol të veçantë kanë luajtur edhe z.Elez Biberaj dhe gazetarët e tjerë shqiptarë në SHBA, përmes gazetarisë profesionale, analizave dhe informacioneve kryesisht në radio “Zërin e Amerikës” dhe gazetën “Illyria” (që botohej në shqip dhe anglisht).

Këta gazetar kontribuan në informimin e drejtë të opinionit amerikan gjatë periudhave më kritike të historisë sonë, por edhe në krijimin e urave të komunikimit dhe miqësisë me personalitete të larta të institucioneve drejtuese të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Mërgata shqiptare në Amerikë, e organizuar në Federatën Panshqiptare “Vatra”, në shoqata dhe organizata të ndryshme, por edhe përmes shumë personaliteteve dhe individëve të angazhuar kanë luajtur një rol të jashtëzakonshëm në forcimin e lidhjeve ndërmjet shqiptarëve dhe popullit amerikan.

Megjithatë, në më shumë se 35 vitet e fundit, roli i Kongresmenit Eliot ENGEL, mbetet ndër më të veçantët dhe më të rëndësishmit.

Kongresmeni ENGEL, kishte raporte të veçanta miqësie me Presidentin Ibrahim Rugova, më të cilin zhvillonte kontakte, konsultime dhe komunikim të rregullt dhe kishin një konsiderate dhe respekt të ndersjelltë.

Pas daljes në skenë të UÇK-së, por edhe pas lirisë dhe pavarësisë se Kosovës, Kongresmeni Eliot ENGEL, mbajti kontakte dhe komunikim të vazhdueshëm edhe me z. Ramush Haradinaj, z. Hashim Thaçi dhe figura të tjera të luftës çlirimtare të Kosovës.

Kontributi dhe ndikimi i Kongresmenit Eliot ENGEL në procesin e njohjes së pavarësisë së Kosovës janë të pamohueshme.

Ai, personalisht ndikoi në shumë shtete dhe qarqe diplomatike për të mbështetur njohjen ndërkombëtare të Republikës së Kosovës, duke zhvilluar vizita personale dhe duke takuar drejtues shtetesh në shërbim të njohjes së Pavarësisë së Republikës së Kosovës.

Kongresmeni ENGEL, ishte njeri i veprimit dhe i kontakteve të drejtëpërdrejta.

Kontakti im i parë me Kongresmenin Eliot ENGEL, ka qenë gjatë vizitës së tij në Kosovë menjëherë pas luftës, në Kullën e familjes Bajraktari në Vranoc të Pejës, ku ai kishte ardhur si mysafir i mikut dhe shokut të tij të afërt, Harry BAJRAKTARI.

Që nga ajo kohë, kontaktet e mia me Kongresmenin ENGEL dhe me ekipin e zyrës së tij kanë qenë të vazhdueshme dhe shumë miqësore.

Këto kontakte ishin private por edhe institucionale, si në cilësin e Drejtorit të Institutit Kombëtar të Diasporës Shqiptare, si Ambasador, apo si Këshilltar i Kryeministrit apo disa Presidentëve të Republikës së Shqipërisë.

Gjatë shumë viteve të pjesëmarrjes sime në sesionet vjeshtorë të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara (OKB), si anëtar i delegacionit të Republikës së Shqipërisë, takimet e delegacionit Republikes së Shqipërisë dhe të Republikës së Kosovës më Kongresmenin ENGELl kanë qenë të rregullta dhe asnjëherë të anashkaluara.

Shumica e këtyre takimeve organizoheshin nga z.Harry BAJRAKTARI, në rezidencën e tij personale ose në darka e dreka pune, ku këshillat, sugjerimet dhe ndërmjetësimet e Kongresmenit ENGEL kishin një vlerë të jashtëzakonshme politike, diplomatike dhe orientuese.

Një moment simbolik dhe tepër emocional për të gjithë ne pjesëmarrësit në këtë aktivitet por edhe për Kongresmenin ENGEL, mbetet vizita në Shqipëri dhe në Kosovë e Konresmenit Eliot ENGEL në korrik të vitit 2019, kur aksi rrugor “Gjakovë–Qafë Morinë-Tropojë” u emërtua “Rruga Kongresmen Eliot ENGEL”.

Ky akt nuk ishte thjesht një nderim formal, por një shprehje e sinqertë dhe e thellë e mirënjohjes së një populli ndaj një miku që qëndroi pranë tij edhe në momentet më të vështira të historisë së tij moderne.

Të nderuar profesorë,

Të dashur studentë,

Historia e marrëdhënieve shqiptaro-amerikane na mëson se liria, paqja dhe dinjiteti njerëzor duhen mbrojtur me guxim politik, moral dhe institucional.⅞

Figura e Kongresmenit Eliot ENGEL, përfaqëson modelin e politikanit që ndërton ura mirëkuptimi dhe që e kupton pushtetin si shërbim ndaj paqës, drejtësisë dhe demokracisë.

Nëse, Senatori Bob DOLE përfaqëson zgjimin e ndërgjegjes amerikane për Kosovën, Kongresmeni Eliot ENGEL përfaqëson institucionalizimin e kësaj miqësie të qëndrueshme shqiptaro-amerikane.

Në përmbyllje dëshiroj të shpreh mirënjohjen më të thellë për, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe institucionet e saj, Shtëpinë e Bardhë, Departamentin e Shtetit, Pentagonin, Senatin, Kongresin dhe Institucionet e sigurisë, si dhe për popullin amerikan, i cili, në momentet më të vështira të historisë sonë, zgjodhi të qëndrojë në anën e lirisë, demokracisë dhe drejtësisë.

Propozimi dhe miratimin në Komisionin e Politikës së Jashtme në Kogresin Amerikan, që objekti i Ambasadës amerikane në Kosovë të marr emrin “Kongresmen Eliot ENGEL”, është një dëshmi e qartë dhe vlëresim nga ana e institucioneve më të larta amerikane, për kontributin e Senatorit ENGEL për lidhjet në mes dy vendeve dhe popujve tanë!

Trashëgimia politike dhe njerëzore e Kongresmenit Eliot ENGEL do të mbetet përgjithmonë një udhërrëfyes për brezat e ardhshëm dhe një kapitull i rëndësishëm në historinë e miqësisë shqiptaro-amerikane!

Ju faleminderit për vëmendjen tuaj!

Filed Under: Analiza Tagged With: Flamur Gashi

Akademik Esad MEKULI (17 dhjetor 1916 – 6 gusht 1993), përkujtim në 30 vjetorin e kalimit në amshim

August 7, 2023 by s p

Ambasador Flamur Gashi/

Poetin e parë të Kosovës së pas Luftës së Dytë Botërore; një nga themeluesit e “Universitetit të Kosovës”; “Bibliotekës së Kosovës”; “Institutit Albanologjik të Kosovës”; kryetarin e parë të “Shoqatës së Shkrimtarëve të Kosovës”; nismëtarin, themeluesin dhe kryetarin e parë të “Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës”; themeluesin dhe kryeredaktorin e revistës së parë letrare në Kosovë “Jeta e re” etj…

…………………………………………………………….

Akademik Esad MEKULI

Lindi në Plavë, më 17 dhjetor 1916 dhe vdiq në Prishtinë, më 6 gusht 1993.

Familja e tij në Plavë kishte ardhë nga fshati Nokshiq.

Babai i Esad Mekulit, edhe pse ishte hoxhë, fëmijët e tij i orientoi në shkollim jofetar.

Esad Mekuli, shkollën fillore e kreu në Plavë, në gjuhën serbe. Shkollimin e mesëm-gjimnazin e filloi në Pejë, për ta vazhduar pastaj në Prizren e Sarajevë, ndërsa e përfundoi në Pejë në vitin 1936.

Menjëherë pas kryerjes së shkollimit të mesëm u regjistrua në fakultetin e veterinarisë në Universitetin e Beogradit, të cilin e vazhdoi në pastaj në Zagreb e në Italia.

Në këtë fushë, ai edhe doktoroi në Beograd në vitin 1959.

Si nxënës i shkollës së mesme, por edhe si student dëshmoi se është përparimtar dhe çdo herë gjendej në rrethin e atyre që e kritikonin regjimin e kohës. Pikërisht për këtë ai ndërroi shumë shkolla të mesme dhe fakultete. Madje edhe mjaft shpesh u burgos. Tri herë është burgosur, dhe ka rënë në duar të famëkeqit Kosmajc-shef i policisë.

Më së vështiri e ka pasë kur ka kundërshtuar marrëveshjën për shpërnguljen e shqiptarëve për në Turqi.

Esad Mekuli ishte aktivist i dalluar dhe bartës i jetës kulturore të studentëve.

Në Beograd ishte edhe redaktor i fletorës “Beogradski student”. Në këtë sferë siç ka thënë vetë, si gjimnazist ka shkruar romanin “Vendeta – hakmarrja”, për të damkosë këtë të keqe në mesin e shqiptarëve. Pastaj ka shkruar punime sociale në revistat e ndryshme, si: “Venac” – Beograd, “Mlladost” – Zagreb, “Podmladak jadranske Staze” – Split, “Granit” – Podgoricë, “Novi Behar” – Sarajevë, “Student” – Beograd e të tjera.

Në këto revista ka shkruar në gjuhën serbe, dhe çdo herë ka shkruar për popullin e vet – shqiptarët, të cilët i ka mbrojtur kur të tjerët i kanë akuzuar.

Si student përparimtar ai u burgos në vitin 1940 dhe qëndroi në burgun famëkeq “Gllavinjaqa”, prej nga u amnistua me 2 prill të vitit 1941.

Pas daljes nga burgu u paraqit vullnetar dhe punoi si veterinar ushtarak në Pejë. Këtu në vitin 1942 e burgosën për shkak të punës ilegale dhe bashkëpunimit me lëvizjet çlirimtare. Ka qëndruar i burgosur në Kullën e Sheremetit. Pas lirimit, ai u gjend herë në Zagreb, herë në Tiranë, madje edhe në Itali.

Në fund të vitit 1943 ai iu bashkua aradhave partizane dhe ishte redaktor i gazetës ilegale partizane “Lirija”.

Edhe pse shkencëtar, Esad Mekuli, punës krijuese nuk iu nda kurrë. Ai pas Luftës së Dytë Botërore, punoi punë të profesionit të vet, por ishte edhe redaktor në gazetën e vetme shqipe “Rilindja” e pastaj themeloi revistën letrare “Jeta e Re” ku arsimoi gjenerata të tëra të letrarëve, të cilët edhe e pagëzuan si “Bard të letërsisë shqipe në Kosovë e më gjërë”.

Esat Mekuli shkroi dhe bashkëpunoi me shumë gazeta e revista shqipe, si: “Rilindja”, “Zëri i rinisë”, “Fjala”, “Pionieri”, “Përparimi”, “Shëndeti” në Prishtinë, “Flaka e vëllazërimit” të Shkupit dhe me ato në gjuhën serbe: “Jedinstvo” e “Stremljenje” të Prishtinës, “Borba”, “Politika”, “Književne novine”, “Mostovi” të Beogradit, “Pobjeda: dhe “Stvarenje” të Pdgoricës, “Bagdalla” të Krushevcit, “Republika” dhe “Forum” të Zagrebit.

Pos shkrimeve kryesisht në poezi, Esad Mekuli ka përkthyer nga gjuha shqipe në serbe dhe anasjelltas.

Esad Mekuli ka meritë të veçantë për botimin e tregimeve dhe romanit, “Gjarpijt e gjakut” të Adem Demaçit, në revisten letrate “Jeta e Re”, të cilën e kishte redaktuar për shumë kohë.

Ka përkthyer në shqip rreth 18 vepra të të gjitha gjinive lerare.

Poezitë e Esad Mekulit janë përkthyer në gjuhën serbe, maqedone, hungareze, kroate, italiane etj.

Punimet e tij janë prezantuar në të gjitha antologjitë e poezisë shqipe, por edhe në shumë antologji botërore.

Esad Mekuli ka shkruar edhe me pseudonimet Sat Nokshiqi dhe Sat Hoxha.

Vdiq në Prishtinë me 6 gusht 1993.

Veprat letrare

……………………………………………….

“Për ty” – Prishtinë, 1955, 1963, 1967

“Dita e re” – poezi për të rinj, Prishtinë, 1966

“Avsha Ada” – Prishtinë, 1971

“Vjersha” – Prishtinë, 1973

“Brigjet” – Prishtinë, 1981

“Rini e kuqe” – Prishtinë, 1984

“Në mes të dashurisë dhe urrejtjes”Tiranë, 1986

“Dita që nuk shuhet” – Prishtinë, 1989

“Qëndresë urtësie” – ASHAK, Prishtinë, 1996

………………………………………………………………

POPULLIT TIM

……………………..

Deshta, shum’ kam dasht-dishrue

që me këng të trimnoj, me fjalen tënde të ndrydhun

të ngrej fuqitë prej gjumit…

Këndova (dhe kur m’ishte ndalue)

se liria do të vinte edhe për ty, të përbuzun.

Këndova mbi ditët fatlume që do të lindshin, pa dhun,

n’agimin e lirisë për ty me popujt këtu e ngjeti,

mbi forc të bashkimit mbarë:

mbi vrullin tand të mëshehun

-unë, biri yt dhe-poeti.

Po! N’errsinën e shtypjes së randë sa shkambi,

ndëgjova thirrjet që të bana me dal n’dritë-

pse për liri-me tjerë

ke dhanë dhe ti

djers e gjak si etnit.

Kam dhanë, i dashtun…Dhe sot, në liri-

kur thembra e gjaksorit s’na shkel dhe dora pa

pranga mbeti,

me ty këndoj mbi fuqinë e ngjadhun nën yllin që na pri’

-unë, biri yt besnik dhe-poeti.

…………………………………………………………….

SHQIPTARI KENDON

……………………………..

Shekujt mbi ne

e në ne

e mbushën jetën plot vnerë

që pezme

e zjarri kryengritës

nder zmerat tona m’u ngri,

që njeriu mos të jetë-njeri:

emri të na zhdukët perherë.

Qemë-jo njerlz po robë;

pa bukë, liri n’usdajë,

në vatrën tonl

pa shtëpi

në plangun tonë

argatarë!

Qemë-turq, dreqën me bishta,

Qemë-rajë

që t’hiqet në vargoj

të mjerimit

të përbuzur-shiftarë!

qemë…

por koha-luftë

sheron varret çdo ditë;

mbas natls së errët

të shekujve-

hap krahët koha e re…

Po, jemi gjallë!

Dielli dhe për ne shnderit…

………………………………………………………………

SHARRËXHIU

……………………..

Xhepat e sharrëxhiut janë shumë të ngushta për duart e ënjtura të tij.

Ai kur e sheh sharrëxhiun me sëpatën e rrasur në shokë, e bishti i saj ka dalë prapa, dyshon se mos vallë për këtë na quajtën njerëz me bishta?

O vëlla me sharrë në krah

Do të shoh prapë me duar të mërdhime nën sqetull

Me sharrën e stërlashtë mbi krah dhe sëpatën e mprehtë të rrasun në shokë

Në fytyrën tënde lexoj: Kam fjetur në podrumin e lagshtë, unë i trembëdhjeti

Dhe kam hangër në kusinë e bakrit, të sjellun prej vendlindjes

Prej vendlindjes, fasulen e hollë të vendlindjes unë i trembëdhjeti.

-Pse unë kënaqem me pak prej këtyre duarve të mërdhime, Atje mbas 77 bjeshkëve, 7 gojë presin…

#JamShqiptar…🇦🇱

Filed Under: Kulture Tagged With: Flamur Gashi

Ati i Shenjtë Papa Françesku, paralajmëron vizitën e tij në Dardani – Kosovë!

August 5, 2023 by s p

RemasterDirector_5122f8b34

Ambasador Flamur Gashi/

Lajm i mirë dhe tepër i rëndësishëm për Dardaninë – Kosovën dhe kombin shqiptar në përgjithësi është paralajmërimi gjatë një bisede me revistën spanjolle “Vida Nueva”, nga vetë Papa Fraçesku se do ta vizitojë Dardaninë – Kosovën!

Papa Françesku do të mbahet në mend gjithmonë në kombin tonë, për ato që ka bërë deri me sot për ne, si:

– Shenjterimin e Nënë Terezës,

– Lumnimin e 38 Martirëve të Kishës në Shqipëri,

– Vizitën e parë apostolike në Europë që e zhvilloi në Shqipëri,

– Emrimin e kardinal Troshanit,

– Emrimin e ipeshkve dhe meshtarëve shqiptarë në Kosovë, Shqipëri, Mal të Zi dhe diasporë,

– Lëshimin e “Bullës” për katedralen e Prizrenit dhe katedralen e Prishtinës,

– Bekimin e shtatores së Shën Nënë Terezës në Sarajevë,

– Emrimin e arqipeshkvit shqiptare Imzot Rrok Gjonlleshaj, përgjegjës për Tivarin dhe Kotorrin,

– Pritjet dhe takimet e përzemërta me shumë delegacione nga Kosova, Shqipëria, Mali i Zi dhe diaspora jonë,

– Lutjet për kombin tonë dhe ndihmën për Kosovën…

Faleminderit për kujdesin tënd atëror për kombin tonë, Ati i Shenjtë Papa Françesku!

Ati i Shenjte Papa Françesku, mire se vjen ne Dardani, ne token e shenjteve te pare te krishterimit, ne token e Shen Florit dhe Shen Laurit, ne vendlindjen e Konstandinit te Madh, Imzot Pjeter Bogdanit dhe te Shen Nene Terezes, ne token e kombit te Gjergj Kastriotit, Ibrahim Rugoves e Adem Jasharit, te Imzot Nik Preles e dr.Rexhep Bojes, ne token iliro-arbnore te Dardanise antike.

Ne kete paralajmerim vizite ne vendlindjen time, nje falenderim emocional nga ana ime per Ju Ati i Shenjte Papa Françesku, per “Bekimin Apostolik” qe me dhuruat ne prag te Kershendellave ne vitin 2022!

Bekime dhe te mira per Papa Françeskun dhe te gjithe shqiptaret!

Mire se vjen ne Dardani mik i madh i kombit tone, Ati i Shenjte Papa Françesku!

#JamShqiptar…🇦🇱🤝🇻🇦🤝🇽🇰

……………………………………………………………

https://www.vaticannews.va/…/papa-dua-te-shkoj-ne…

Filed Under: Politike Tagged With: Flamur Gashi

Sot 80 vjet nga “Marrëveshja e Mukjes”

August 1, 2023 by s p

Ambasador Flamur Gashi/

Konferenca e Mukjes u mbajt nga 1 deri 3 gusht 1943. Në këtë konferencë morën pjesë 12 përfaqësues të Frontit Nacionalçlirimtar dhe 12 përfaqësues të Ballit Kombëtar.

Pas shumë diskutimesh dhe lëshimesh të dyanshme, u arrit MARRËVESHJA:

– Për luftë të përbashkët dhe të menjëhershme kundër pushtuesit përkrah aleatëve të mëdhenj.

– U krijua “Komiteti për Shpëtimin e Shqipërisë” si një organ i përbashkët i drejtimit të luftës që përbëhej nga 6 përfaqësues nga secila palë.

Në programin e “Komitetit për Shpëtimin e Shqipërisë” parashikohej, jo vetëm lufta për një Shqipëri të pavarur e të lirë, por edhe lufta për një Shqipëri Etnike.

Kjo kërkesë dhe marrëveshja për bashkëpunim me Ballin Kombëtar nuk u pëlqeu të dërguarve jugosllavë dhe Enver Hoxhës, që zbatonte këshillat e tyre. Prandaj, marrëveshja e Mukjes nuk u pranua nga Partia Komuniste e Shqipërisë. Ky qëndrim i Partisë Komuniste i përçau shqiptarët dhe i nxiti luftën kundër njëri-tjetrit.

Nga ana e komunistëve shqiptarë, marrëveshja u nënshkrua nga Dr.Ymer Dishnica, një anëtar i Byrosë Politike të Komitetit Qendror të Partisë Komuniste të Shqipërisë. Një mosmarrëveshje u ngrit në lidhje me statusin e Kosovës. Ndërsa Balli Kombëtar propozoi për të luftuar për bashkimin e Kosovës me Shqipërinë, përfaqësuesit komunistë kundërshtuan ashpër. Më në fund u arrit një kompromis, ku çështja e Kosovës të vendosej në një referendum të popullit të saj në fund të luftës.

Marrëveshja u konsiderua kundërrevolucionare nga Partia Komuniste e Jugosllavisë, i deleguari i të cilëve pranë Partisë Komuniste të Shqipërisë Svetozar Vukmanoviç-Tempo ushtronte ndikim të konsiderueshëm mbi komunistët shqiptar e veçanërisht mbi drejtuesin e tyre, Enver Hoxha. Si pasojë, kjo marrëveshje u dënua zyrtarisht nga Enver Hoxha në një takim të Komitetit Qendror të Partisë Komuniste të Shqipërisë.

………………………………………………………………

(Mbledhja paraprake para takimit në Mukje)

Mbledhja Kombëtare në Tapizë, 26 korrik 1943

Sot më 26 korrik 1943, ora 11 pas dite, u mblodhën në shtëpinë e z. Dr. Ihsan Toptani në katundin Tapizë të Tiranës, Delegacioni i Këshillit të Përgjithshëm Nacionalçlirimtar, i përbërë prej z.Major Abaz Kupi, Myslim Peza, Dr.Ymer Dishnica, Kamber Qafmolla dhe Mustafa Gjinishi dhe Delegacioni i organizatës “Balli Kombëtar”, i përbërë prej z.Mit’hat Abdyl Frashëri, Hasan Dosti dhe Faik Quku. Me vendim të përbashkët u zgjodh z.Mithat Frashëri si kryetar i mbledhjes dhe z.Mustafa Gjinishi si sekretar. U vendos të pranohen si dëgjues z.Pater Lek Luli, Dr.Ihsan Toptani, Xhemal Herri, Gogo Nushi, Sali Vata dhe Abdullah Ymeri. Delegatët e të dyja organizatave, duke interpretuar dëshirën dhe vullnetin e popullit shqiptar për me ndjekë një luftë të përbashkët kundër okupatorit fashist dhe atë të dy organizatave përkatëse, vendosën:

Neni 1: Të formohet një komitet i përbashkët lufte me emrin “Komiteti i Shpëtimit të Shqipërisë”.

Neni 2: Komiteti për shpëtimin e Shqipërisë ka për qëllim realizimin e këtij programi:

1- Luftë imediate kundër armikut okupator për çlirimin e Shqipërisë.

2- Indipendencën e plotë të Shqipërisë në kufijtë e 1913-ës dhe realizimin e bashkimit me atdheun shqiptar të viseve të banuara prej shqiptarësh, në virtut të parimit të përgjithshëm të vetëvendosjes së popujve, të njohur universalisht dhe garantuar prej Kartës së Atlantikut.

3- Një Shqipëri të lirë independente, demokratike të vërtetë.

4- Forma e regjimit do të caktohet prej vetë popullit me anën e një asambleje konstituante, të zgjedhur me sufrazh universal.

5- Komiteti i Shpëtimit të Shqipërisë pushon të ekzistojë me formimin e një qeverie provizore. Komiteti i Shpëtimit të Shqipërisë do të formohet sa më shpejt që ta lejojnë rrethanat.

Delegatët e Ballit Kombëtar për deri në aprovimin e organizatës së tyre e nënshkruajnë këtë rezolucion “Ad referendum”.

Delegatët Këshillit të Përgjithshëm Nacionlaçlirimtar (5 firmat) Balli Kombëtar (3 firmat)

…………………………………………………………….

Procesverbalet e Mbledhjës së Mukjes:

Sot më datë 1 gusht 1943 u mbajt në katundin Mukje, mbledhja e dytë e delegacioneve të Organizatës Balli kombëtar dhe të Organizatës Nacional-Çlirimtare. Kryesia e mbledhjes me vota unanime iu ngarkua z.Thoma Orollogajt dhe sekretaria z.Mustafa Gjinishi. Bisedimet i hap z.Hasan Dosti, delegat i Ballit Kombëtar i cili deklaron se pas bisedimesh që bëri qendra e Ballit proces-verbalit të marrëveshjes së bërë më 26 korrik 1943, të nënshkruar ad-referendum prej delegacionit të Ballit, e gjen të nevojshme të bëhet një shqyrtim disa pikave të akordit të arritun.

Bisedohet dhe vendoset që pika 1 e nenit 2 të ndryshohet dhe të qëndrojë në këtë mënyrë:

Pika 1. Luftë imediate kundër armikut okupator dhe kundër çdo armiku tjetër eventual okupator.

Pika 2. Luftë për një Shqipëri independente dhe për zbatimin e parimit të njohur universalisht e të garantuar nga Karta e Atlantikut të vetëvendosjes së popujve për një Shqipëri Etnike.

Pika 3. ndryshohet dhe pranohet në këtë mënyrë: Një Shqipëri të lirë, indipendente, demokratike, popullore.

Pika 4. ndryshohet dhe pranohet në këtë mënyrë: Komiteti për Shpëtimin e Shqipërisë bie me formimin e një qeverije provizore.

Pika 5. ndryshohet dhe pranohet në këtë mënyrë: Forma e regjimit do të caktohet prej vetë popullit me anën e një asambleje konstituante, të zgjedhur me sufrazh universal direkt.

Delegacionet:

Balli Kombëtar

1. Hasan Dosti

2. Mit’hat Avdyl Frashëri

3. Thoma Orollogaj

4. Skënder Muço

5. Hysni Lepenica

6. Isuf Luzaj

7. Kadri Cakrani

8. Major Raif Fratari

9. Nexhat Peshkëpija

10. Halil Mëniku

11. Ismail Petrela

12. Vasil Andoni

Këshilli Nacional Çlirimtar

1. N.Kolonel Jahja Çaçi

2. Myslim Peza

3. Abaz Kupi

4. Ymer Dishnica

5. Mustafa Gjinishi

6. Omer Nishani

7. Sulo Bogdo

8. Shefqet Beja

9. Medar Shtylla

10. Stefan Luarasi

11. Haki Stërmilli

12. Gogo Nushi

……………………………………………………………..

Proklamatë

Popull shqiptar!

Po bëhen afro 5 vjet që Italia fashiste ka pushtue vendin tonë të shtrenjtë dhe po mbjell kudo zi e mjerim.

Barbarizma ka arritur kulmin. Në këto kohë të fundit ka djegë e ka shkatërrue fshatra e qytete dhe me një etje të tërbueme ka vra e ka therë burra e gra, djem e vajza, pleq e të rinj dhe fëmi të vegjël shqiptar që ende thithin qumështin e nënës…

Komiteti për Shpëtimin e Shqipërisë, shprehje e gjallë e fuqive të kombit, paraqet këtë program:

1. Luftë të përbashkët dhe të menjëhershme përbri aleatëve më të mëdhenj, Anglisë, SHBA dhe Bashkimit Sovjetik si dhe popujve të shtypur kundra pushtuesit barbar.

2. Luftë për një Shqipëri të pamvarme, luftë për zbatimin e parimit të njoftun botërisht e të garantuar nga Karta e Atllantikut të vetvendosjes së popujve për një Shqipëri etnike.

3. Luftë për një Shqipëri të lirë, demokratike e popullore.

Shqiptarë!

Nuk keni ç’të prisni ma. Armiku është akoma në vatrat tona.

Erdhi koha që të çohemi të gjithë të vegjël e të mëdhenj, burra e gra, intelektualë e patriotë qytetarë dhe katundarë dhe të rrokni armët për dëbimin sa më të shpejtë të pushtuesit të huaj nga toka e shenjtë shqiptare.

Ngrihuni të gjithë pra, betohuni rreth flamurit të Skënderbeut, bashkohuni rreth Komitetit për Shpëtimin e Shqipërisë dhe sulmoni në çdo vend e kënd, me armë e çdo mjet armikun pushtues, zgjidhni prangat e robërisë që i kini në duar afër 5 vjet dhe merrni gjakun e martirëve tanë që ditën të vdesin në fushën e nderit për lirinë e Shqipërisë. Dita e shpëtimit erdhi!

Jashtë armiku zaptues!

Rroftë Shqipëria e bashkueme në luftë kundër pushtuesit!

Rrofshin aleatët tanë të mëdhenj, Angli, Shtetet e Bashkueme e Bashkimi Sovjetik!

Rroftë Shqipëria e pavarme, demokratike popullore!

(“Pika 2” e Proklamatës u quajt “tradhëti” nga komunistët dhe u bë shkak për të filluar luftën civile sipas urdhrit të “shokëve jugosllavë”).

……………………………………………………………..

“Zotërinj, nuk jam as për Shqipërinë e madhe dhe as për Shqipërinë e vogël. Jam për Shqipërinë Etnike në të cilën sot banojnë tërësisht shqiptarë apo shumicë shqiptarësh e që kanë shprehur vullnetin të bashkohen në një komb të vetëm, të ndarë padrejtësisht, në një atdhe e shtet kombëtar.”

MID’HAT (Abdyl) FRASHËRI

(nga fjalimi në Konferencën e Mukjes)

Filed Under: Histori Tagged With: Flamur Gashi

28 korrik 1922 – 28 korrik 2023 – Gëzuar 101 vjetorin e marrëdhënieve diplomatike: Shqipëri – SHBA

July 29, 2023 by s p

Ambasador Flamur Gashi/

Marrëdhëniet diplomatike Shqipëri – SHBA janë vendosur më 28 korrik 1922, pak muaj pas përfundimit të Konferencës së Paqes në Paris, ku presidenti amerikan Widrow Wilson doli në krah të shqiptarëve.

Këto marrëdhënie patën një ndërprerje prej 52 vitesh gjatë regjimit komunist për t’u rivendosur sërish më 15 mars 1991 me përmbysjen e regjimit komunist dhe vendosjen e demokracisë në Shqipëri.

Ambasadori i parë amerikan në Tiranë ishte Ulysses Grant Smith, i cili e nisi misionin diplomatik më 4 dhjetor 1922. Ndërsa William Rajerson u bë ambasadori i parë amerikan pas rivendosjes së këtyre marrëdhënieve në 1991.

Ambasadori i parë shqiptar në Uashington DC ishte Faik Konica, i cili u emërua në këtë detyrë në vitin 1929 nga Mbreti i Shqipërisë Ahmet Zogu.

Zyrtari i parë i lartë i SHBA-së që vizitoi Shqipërinë, ishte Sekretari Amerikan i Shtetit James Baker i cili erdhi në Tiranë më 21 qershor 1991, 3 muaj pas rivendosjes së marrëdhënieve diplomatike.

Presidenti i parë në detyrë i SHBA-së që vizitoi Shqipërinë ishte Presidenti George W. Bush, më 10 qershor 2007.

Vitin e kaluar, në kuadër të 100-vjetorit të marrëdhënieve diplomatike SHBA-Shqipëri dhe 15 vjetorit të vizitës së presidentit Bush në Tiranë, Këshilli i Ambasadorëve Shqiptarë (KASH) ka zhvilluar një konferencë me pjesëmarrje të personaliteteve diolomatike dhe politike, si dhe disa aktivitete të tjera ku është theksuar partneriteti i ngushtë mes dy vendeve dhe kombeve tona, si dhe është potencuar fuqishem se SHBA-të mbeten një nga aleatët strategjik dhe kryesor të Shqipërisë, Kosovës dhe kombit shqiptar në përgjithësi…

#JamShqiptar…🇦🇱

Filed Under: Komente Tagged With: Flamur Gashi

  • 1
  • 2
  • 3
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Teoria Hegemonike e stabilitetit shoqëror dhe iluzioni i diversitetit social
  • Jeta e Shumëfishtë e Odisesë
  • DARDANUS ULPIANUS VËSHTRON ME KEQARDHJE NË BRUKSEL
  • Ultimatumi austro-hungarez dhe tërheqja serbe nga territoret e shtetit shqiptar në vitin 1913
  • Dëshmitë e Agimit Gjeografik: Iliria dhe Hapësira Shqiptare në hartografinë mitike të Antikitetit
  • Kërkohet një Kandidat për Sekretar të Përgjithshëm të OKB-së
  • Mira Murati, krenari për femrat shqiptare
  • Nga Cancuni në Zvernec e Sazan
  • Senator Bob Dole, një përkujtim e mirënjohje në ditëlindjen e tij
  • PASLUFTAT E MIA
  • Shqiptarët mahnitës në pikturat e ushtarak austriakut, Rudolf Otto von Ottenfeld
  • Shoqata Shqiptare Amerikane “Bijtë e Shqipes” – Filadelfia ju fton në Festivalin e Dytë të Ushqimit Shqiptar
  • Më 23 korrik kujtojmë përvjetorin e lindjes së Papës me origjinë shqiptare, Klementi XI-Albani
  • Politika në trojet shqiptare
  • Institucionet shtetërore të Kosovës dhe Dhomat e Specializuara të Kosovës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT