• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

TEK BIJTE E SHQIPES NE FILADELFIA, HYN EDHE HAVZI NELA

April 15, 2023 by s p

Nga: Tajar Domi/

Në sallën e veprimtarive të Shoqatës Atdhetare – Kulturore “Bijtë e Shqipes“ në Filadelfia, nga sot nuk do të mungojë edhe portreti i martirit të fjalës së lirë, poetit HAVZI  NELA  i vlerësuar “Martir I Demokracisë“ (pas vdekjes ). Ai do të jetë aty krahas poetëve, shkrimtarëve e atdhetarëve të tjerë, me të cilët I bashkon dashuria e kontributi për kombin, për ta parë atë të fortë, të lirë e të bashkuar. Aty, do të jetë së bashku me vëllezërit Frashëri e me Ndre Mjedën, me Pashko Vasën por edhe me Ali Podrimjen, me Fan Nolin por edhe me Faik Konicën, me Gjergj Fishtën, Migjenin dhe Esad Mekulin, me Ismail Kadarenë e Mitrush Kutelin, me Musine Kokalarin, Ali Asllanin, Dritëro Agollin dhe shumë e shumë të tjerë. Sigurisht aty do të gjejë edhe figurat më të mëdhaja kombëtare, që e ndërtuan shtetin shqiptar apo i dhane emër si askush tjetër kombit, GJ. K. Skenderbeu, Ismail Qemali e Nënë Tereza.

Ceremonia e këtij veprimi e planifikuar të zhvillohej pak ditë më vonë, u realizua me datën 9 prill 2023, meqenëse atë ditë erdhi për një vizitë të shkurtër pranë nesh edhe kryetari i këshillit të Qarkut Kukes, z. Abdulla Domi prania e të cilit në këtë veprimtari u mendua se do te ishte një vlerësim i shtuar për veprën e poetit kuksian Havzi Nela. Ishin pjesëmarrës anëtar të këshillit drejtues të shoqatës “Bijte e Shqipes”, intelektualë e anëtar të komunitetit shqiptar e veçmas të atij kuksian . Krejt rastësisht u gjetën të pranishëm në këtë ngjarje të rëndësishme mysafirët nga Shqipëria, çifti intelektual Sanie e Arian Korini, drejtues të shkollës jo publike Arkos në Tiranë, të cilët kishin planifikuar një vizitë pranë shkollës shqipe “Gjuha Jonë”, dhe me këtë rast u antarsuan në shoqatë. Këte veprimtari e hapi kryetari i kësaj shoqate, z. Bujar Gjoka i cili pasi uroj mirëseardhjen për të gjithë pjesëmarrësit, theksoi se kjo veprimtari është e vecantë për shoqatën “Bijtë e Shqipes”, pasi i kushtohet një emri që është vlerësuar vetëm pas vdekjes. Dhe ne qoftë edhe simbolikisht duam ta sjellim afër komunitetit, me qëllim që ne të ardhmen poetin martir Havzi Nelen, ta njohim më mirë nëpërmjet organizimeve të tilla kushtuar atij. Ai ja dha fjalën kryetarit të nderit të shoqatës “Bijte e Shqipes” z. Tajar Domi (që është edhe autori i këtij shkrimi), i cili shkurt evidentoi jetën, veprimtarinë poetike e vlerësimin e figurës të Havzi Neles, mbështetur edhe në publikimet e shkrimtarëve lumjan Rexhep Shahu, Izet Duraku e Petrit Palushi:

Mësuesi e poeti shqiptar Havzi Nela, lindi në fshatin Kollovoz të Kukësit në vitin 1934 dhe vdiq i ekzekutuar me varje në litar me 10 gusht 1988, nga sistemi diktatorial i kohes. Ndoshta është poeti i fundit në botë i ekzekutuar në këtë mënyrë. 

Kur ishte ende fëmije, babai i tij vdiq. Dhe pikërisht për arësye të varfërise, në moshën 9 vjecare del nga shtëpia prindërore për të nxjerrë bukën e gojës në Tiranë , ku falë dashamirësisë të mësuesve e zellit të tij për dije , filloi menjëherë shkollën , që e vazhdoi edhe pas luftës. 

Në vitet 1947-1949 jetoi me xhaxhain e tij në Prizren, ku vazhdoi arsimimin e tij në shkollën normale të atij qyteti. U kthye në Shqipëri në 1950-tën, ku vazhdoi 

shkollimin e tij ne Kukës e Shkodër përgjate viteve 1950-1952. Më pas fillon punën si mësues duke shërbyer në Burrel, Krume e Kukës, në fshatrat Lojme, Shishtavec e Topojan, ndërsa vazhdonte studimet e larta pa shkëputje nga puna.

Në vitin 1967, në nje takim publik në Topojan, bëhet kritik i reformave që po aplikoheshin nga qeveria për ndalimin e besimit fetar, kolektivizimin ekstrem të bujqësisë si dhe afirmimit të së resë në ndryshimin e traditës së jetesës, riteve e zakoneve si dhe të veshjes. Shprehja e tij aty ishte: “Tre inxheksione të menjëhershme e vdesin njeriun dhe nuk e shërojne atë“, e cila sigurisht do ta vinte nën vezhgimin e strukturave të pushtetit. Për ti shpëtuar ndeshkimit, Havziu së bashku me bashkëshorten e tij, Lavdijen, kapërcejne kufirin shtetëror në prill 1967, duke lënë një copë letër aty: 

“Lamtumirë, atdhe i dashur, 

Po të la, por zemër plasur “.

Fati tragjik nuk e deshi të qendronte gjatë në Prizren, në qytetin që e deshte aq shumë. Në Prizren e mbajtën të burgosur në qeli , e keq trajtuan dhe e kërcënuan, por nuk e thyen. Prandaj e kthyen në Shqipëri me datën 6 maj 1967, ku u denua me 15 vjet burg, ndërsa në vitin 1975 u ridënua me 8 vjet të tjera shtesë burgimi.

Filloi kështu kalvari i gjatë i vuajtjeve për mësuesin e poetin e ardhshëm, Havzi Nela. Ai do te provonte dimrin e terrin e natës në birucat e kampet e burgjeve të egra në Shqipëri. Kryengritjen e tij poetike, Havziu e nisi ne birucat e Rreshenit, sic shkruan vete, “kur unë isha në vuejtje dhe në mërzi të randë …”.

Dhe në kushte të pa përfytyrueshme, në terr të plotë, pa laps e fletore, sic shkruan ai në shënimet e tij të pakta, “ia nisa hartimit vetëm me mendje dhe ato që nxirrja, i përsëritesha shpesh vetëm me mend, me qëllim që ti ngulja në kujtesë për të mos i harrue. Duke i përserit herë pas herë për 8 vjet, munda ti ruej të pa shlyeshme nga kujtesa. Ai portretizon shqiponjat sypatrembura që dhanë jetën për liri, thur vargje për shokët e tij të Spacit si përmendore të flamurit, fton vendlindjen e tij Lumën historike, por edhe Vloren e Krujen, Shkodren e Korçen, Dibren e Tiranen etj, të bëhen mburojë e atdheut, ngre në kembë të vdekurit që janë bërë të pavdekshëm si Skenderbeu, Ismail Qemali, Isa Boletini, Bajram Curri, Selam Musaj; ata që ndezin zemrēn e kombit si Gjergj Fishten, Mjeden e Vaso Pashen…

Kosovën, poeti Havzi Nela e kishte në zemer, si të gjithë banorët e Lumës, e cila fatet e saj i kishte të lidhura me të si pjesë e vilajetit të Kosoves. Ndërsa Prizrenin e donte si qytetin ku Luma merrte bukën e nxirrte në treg prodhimet e saj. Në Prizren ishte dija, drita, qytetërimi. 

Prandaj, por edhe për shume faktorë të tjerë, atë që pak nga krijuesit letrar guxuan ta realizonin për lirinë e Kosoves, Havziu arriti ta nxirrte në dritë.

Ky kontribut prej mijëra vargjesh, në të cilart rrezellin Kosova me qëndresën e përpjekjet e saj të pa epura për liri, mbetet dëshmia më e fortë e autorit si kundërshtar i regjimit.

Poezitë e poemat e tij janë të mbajtura në 7 fletore, dhe janë botuar në një libër të vetëm nën kujdesin e studiuesit Rexhep Shahu. Libri përmban një volum prej 5,546 vargjesh. Poezitë e Havzi Neles, janë bërë objekt studimi e vlerësimi prej shumë shkrimtarëvë e studiuesve tanë , dhe lexuesit do të dinë ta vlerësojnë veprën e tij. 

“Kur të mësoni se unë kam vdeke,

Kur të thoni “Ndjesë Pastë”, 

A e dini se cfarë kam hjeke,

Unë poeti zemërzjarrtë.

Mësuesi dhe poeti desident Havzi Nela, një simbol i fjalës së lirë e i dinjitetit njerëzor, tashmë është një emër i njohur e i vlerësuar me shumë të drejtë nga institucionet vendore e qendrore të shtetit shqiptar, në periudhën e demokracisë. Shkolla e mesme e përgjithshme në qytetin e Kukësit, mban emrin e këtij martiri, ndërsa portret i tij është përjetësuar me bustin e vendosur përballë saj. Është nderuar me shumë institucione, ku me i larti është ai “Martir i Democracisë“, akorduar nga presidenti i vendit. 

Duke vendos portretin e poetit martir Havzi Nela, në ambjentet e qendrës tonë social – kulturore “Bijte e Shqipes”, krahas portreteve të tjerë kombëtar të cilët sigurisht janë me kontribute të ndryshme në përmasa por edhe në kohë, në hapim një dritare të re të afishimit e njohjes të këtyre figurave. Pas Musine Kokalarit, po vendosim sot Havzi Nelen, por pas tij ndoshta do të duhet të vendosen edhe Vilson Blloshmi e Gjergj Leka e të tjerë. E rëndësishme për ne e vecanërisht për brezat që vijnë, është që historia e emrave të tillë, me vlerat letrare e atdhetare që mbartin dhe përfundimin tragjik të jetës së tyre për fjalën e lire, jo vetëm të njihet por edhe të lartësohet në veprimtari e shkolla, këtu në diaspore.

Pas këtij prezantimi të shkurtër të jetës e veprës të Havzi Neles, fjala ju dha kryetarit të këshillit të qarkut Kukës, z. Abdulla Domi, i cili mes të tjerave falenderoi shoqatën Bijte e Shqipes dhe u shpreh krenar që një figurë kuksiane si Havzi Nela, behët i pa harruar edhe këtu në Filadelfia, megjithëse fatkeqësisht pas vdekjes. Pas tij intelektualët, zotërinjte Llazar Vero, Ahmet Shabani, Hys Hasa Eqerem Murataj, Vlashi Fili, Enver Parllaku, drejtore e shkollës ERKO në Tiranë znj. Sanie Korini , Haki Collaku, Dritan Matraku, Shkelzen Gjakova etj, si dhe bisnesmenët kuksian Besim Fana, Mexhit Koboci etj, duke i bërë jehonë veprës e qëndrimit të pa pajtueshëm të Havzi Neles  ndaj regjimit, u pajtuan me mendimin për të organizuar një veprimtari me të gjerë për të , gjatë muajve shtator-tetor.

Kështu pra Havzi Nela, hyri te “Bijte e Shqipes“, për të mos u harruar kurrë. 

Filadelfia, me 12 Prill 2023

Filed Under: Kulture Tagged With: Tajar Domi

THE CHRISTIAN SCIENCE MONITOR (1935) / AHMET ZOGU, NJË DEKADË NË PUSHTET – RRËFIMI I REPORTERIT AMERIKAN REUBEN HENRY MARKHAM

April 14, 2023 by s p


Reuben Henry Markham (1887 – 1949)
Reuben Henry Markham (1887 – 1949)

Nga Aurenc Bebja*, Francë – 14 Prill 2023

“The Christian Science Monitor” ka botuar, të shtunën e 9 shkurtit 1935, në faqen n°16, shkrimin e reporterit amerikan Reuben Henry Markham rreth dekadës në pushtet të Ahmet Zogut, të cilin, Aurenc Bebja, nëpërmjet blogut të tij “Dars (Klos), Mat – Albania”, e ka sjellë për publikun shqiptar :

Dekada në pushtet e Zogut

Nga R. H. Markham

Burimi : The Christian Science Monitor, e shtunë, 9 shkurt 1935, f.16
Burimi : The Christian Science Monitor, e shtunë, 9 shkurt 1935, f.16

Tiranë, Shqipëri.

Kohët e fundit këtu u festua dhjetëvjetori i ditës kur Ahmet Zogu, duke depërtuar në Shqipëri nga Jugosllavia, mori Tiranën dhe u bë zot i vendit. Vetëm katër vjet pas mbërritjes së tij ai u vetëshpall Zogu i Parë, Mbret i Shqipërisë, por që nga ajo ditë historike e dhjetorit 1924, Zogu ka dominuar plotësisht tokën e tij. Për një dekadë, historia e tij ka qenë historia e Shqipërisë dhe gjatë këtyre dhjetë viteve vendi i tij ka bërë përparimin më të madh në shumicën e fushave sesa gjatë çdo shekulli paraardhës.

Ai ka arritur të vendosë rend shembullor në Shqipëri. Është një tokë e egër malore, e banuar nga njerëz të fortë e të patrembur; fise liridashëse që përçmojnë taksat, të cilat për dy mijë vite kanë bërë atë që kanë dashur. Mbreti i ri ka brumosur këta njerëz në qytetarë besnikë dhe e ka bërë Shqipërinë një model rendi, sigurie dhe qetësie. Pak vende të tjera janë kaq të lira nga anarkia. Udhëtimi këtu është po aq i sigurt sa në Francë dhe rrëzimi dhe formimi i qeverive nuk shoqërohet me emocione më të mëdha se në Zvicër. Ky është një rend i imponuar, por prapëseprapë shërben si bazë për jetën normale borgjeze. Kjo është një arritje unike në Shqipëri.

***

Së dyti, Zogu ka krijuar një shkallë më të madhe të unitetit të shqiptarëve sesa ka ekzistuar ndonjëherë në vend më parë. Në Shqipëri ekzistojnë dy fise të dallueshme dhe tre besime të ndryshme. Aty ka malësorë e fushorë. Ka rrethe në të cilat ka dominuar kultura greke dhe të tjera ku serbët kanë ushtruar ndikim të madh. Dhe nuk kishte rrugë me anë të të cilave këto grupe të ndryshme mund të bienin në kontakt të ngushtë me njëri-tjetrin. Shqipëria është vetëm 180 milje e gjatë dhe e banuar nga më pak njerëz se sa në Detroit, por megjithatë Nju Jorku është shumë më afër Çikagos sesa Shkodra në Shqipërinë e Veriut me Korçën në jug. Asnjëherë nuk ka ekzistuar kombësia shqiptare apo shteti i bashkuar shqiptar. Zogu i ka krijuar të dyja.

Dhe përveç kësaj, një kulturë shqiptare. Kjo mund të duket një deklaratë disi arrogante dhe askush nuk do të pretendonte se kultura shqiptare mund të krahasohet me atë të Evropës perëndimore. Ajo është ende e papërpunuar. Por pavarësisht kësaj, ka pasur përparim të jashtëzakonshëm gjatë dekadës së fundit. Për shembull, është formuar një gjuhë standarde e shkruar. U hapën shkolla, u dhanë shfaqje teatrale, u krijua një rrjet i larmishëm dhe i dobishëm aktivitetesh sportive, u krijuan gazeta dhe u zhvilluan marrëdhëniet shoqërore. Ka poetë, romancierë, tekstshkrues, artistë dhe muzikantë shqiptarë. Është formuar një Kishë Ortodokse Lindore krejtësisht e re, e pavarur. Priftërinjtë katolikë romakë, hoxhallarët myslimanë, “papët” ortodoksë dhe mësues laikë po e ndihmojnë të gjithë këtë kulturë kombëtare.

***

Një sistem financiar i shëndoshë është krijuar. Kur Zogu filloi veprimtarinë e tij, nuk kishte para shqiptare dhe asnjë bankë shqiptare. Këtu u përdorën monedhat e argjendit dhe të arit të një duzinë vendesh. Në tregje qarkullonin kurora, dinarë, levë, lei, napolona, franga, lira, dollarë dhe paund. Por tani ka një monedhë shqiptare. Ekziston një buxhet i shtetit, jo i balancuar mirë, me siguri, por në përmirësim. Aty po rritet një klasë e mesme, një “inteligjencë”, një grup zyrtarësh të arsimuar shtetërorë dhe burra profesionistë që duan rend të vendosur, shtëpi të mira, rrugë, lehtësira transporti dhe krediti. Ata përbëjnë bazën e sigurimeve shoqërore, të taksapaguesve, të tregtisë, të biznesit dhe të buxheteve të ekuilibruara. Ata po ndihmojnë që Shqipëria të dalë nga stadi feudal. Ata janë më të rëndësishëm se bejlerët pronarë të tokave dhe e zëvendësojnë kapriçon aristokratike me ligje dhe gjykatës.

Pastaj Zogu po rindërton Shqipërinë. Ai ka ngritur më shumë ura dhe ka ndërtuar më shumë rrugë se kurrë më parë në këtë vend. As në kohën e romakëve nuk depërtuan në këto male kaq shumë rrugë të mira automobilistike. Asnjëherë më parë këta lumenj të egër nuk ishin përshkuar nga ura që nuk mund t’i rrëmbenin. Edhe Tirana, kryeqyteti, është shndërruar në një qytet të denjë. Është ndërtuar tërësisht dhe është furnizuar me bulevardë të gjerë, drita elektrike, shkolla, ambiente sportive, kazerma, aeroporte dhe godina të mira administrative. Po kështu, një port është ndërtuar në Durrës, i aftë për të pritur anije të mëdha.

***

Jo më pak e rëndësishme, Zogu ka ndjekur një politikë të jashtme mjaft të suksesshme. Ai e bëri Italinë miken kryesore të Shqipërisë, lidhi pakte të njëpasnjëshme me zotin Benito Musolini dhe mori ndihmë financiare shumë të konsiderueshme nga Roma. Më vonë, Zogu është bërë më miqësor me Jugosllavinë. Ai gjithmonë e ka bërë Lidhjen e Kombeve mbrojtëse të Shqipërisë.

Natyrisht, do të ishte e papërshtatshme të vizatohej një tablo shumë e ndritshme, ose të harrohet se Zogu mban dhjetëra kundërshtarë të tij politikë në burg, ose të mohohet se ka shumë favorizime dhe joefikasitet. Por e mira duhet të peshohet me të keqen dhe kur kjo bëhet shihet se në asnjë dekadë tjetër në të gjithë historinë shqiptare nuk është arritur aq shumë për këtë popull sa që nga dita e 1924 kur Zogu mori Tiranën dhe u bë zot i saj.

Filed Under: Kulture Tagged With: Aurenc Bebja

Zara-thustra

April 12, 2023 by s p

Astrit Lulushi/

Çdo perëndi kishte nevojë për profetin e tij dhe Ahura, Zoti, në fenë e lashtë iraniane e gjeti të tijin në figurën e Zara-thustras. Grekët e njohën atë si Zoroaster; në persishten moderne ai është Zardosht.

Zarathustra ishte një bari nga Afganistani ose Azerbajxhani – traditat ndryshojnë. Si i ri ai shërbeu prift, duke adhuruar një sërë ‘hyjnish’, derisa dëgjoi zërin e zotit të vërtetë që e thërriste. Krahasuar me Muhamedin, Jezusin, Budën, apo edhe Moisiun, Zarathustra është një figurë e largët, e vështirë për t’u përcaktuar në kohë apo vend. Megjithatë, si një figurë kyçe në historinë e mendimit fetar, ai është po aq i rëndësishëm sa çdo profet tjetër. Sot, në postera muri dhe libra lutjesh të ilustruara, ndjekësit e tij zoroastrianë – sepse ky është emri që i është dhënë besimit që ai zhvilloi – e përshkruajnë atë në mënyrë që t’i ngjajë portreteve të shkollës të së dielës të Krishtit, me një mjekër të pastër, të bardhë të rrjedhur dhe aureolë verbuese, megjithëse ky imazh me shkëlqim përgënjeshtron origjinën e tij të ashpër malore.

Detajet e jetës së tij janë të paqarta dhe më shumë përrallë sesa fakte. Një histori thotë se në momentin e lindjes së tij Zarathustra nuk qau, por përkundrazi qeshi, duke u kënaqur me fatin e tij të mirë që ishte pjesë e Krijimit të madh. Tradita moderne Zoroastriane e vendos momentin e lindjes në vitin 600 pes, dhe e lidh atë gjithashtu me një mbrojtës princëror pers të quajtur Hy, emri i babait të Darit të Madh. Studiuesit me të drejtë priren ta shtyjnë datën e lindjes së Zaratustrës në vitin 1000 ose 1200 pes, epoka e migrimeve të mëdha.

Arsyetimi për një datë më të hershme është për shkak të gjuhës dhe imazheve në një seri tekstesh fetare të njohura si Gathas, gjoja një cikël himnesh të kompozuara nga vetë Zarathustra. Ato pasqyrojnë stilin e jetës nomade të hershëm, por nuk kanë asnjë referencë për persët, ose për ndonjë sundimtar ose popuj të tjerë historikë.

Ato u shkruan për herë të parë mbi një mijë vjet pas vdekjes së profetit dhe kryesisht datojnë në shekullin e gjashtë të erës sonë.

Gathat përmbajnë episode fragmentare nga jeta e Zarathustras dhe sugjerojnë se kur ai ishte rreth dyzet vjeç, mori një thirrje për të profetizuar nga Zoti. Gjatë shërbesës së tij të hershme Zarathustra duket se kishte bërë armiq të fuqishëm. Dhe të shquar ndër kritikuesit e tij ishin karpanët (priftërinjtë) dhe kavitë (princat) e fuqishëm të cilët kryenin ritualet e tyre fetare në mënyra të kundërta me vizionin e Zarathustras për mesazhin e Zotit Ahura. Zarathustra i dënoi ata si paganë të pabesë, por ata refuzuan me kokëfortësi. Armiqësitë u rritën deri në atë pikë saqë pozicioni i tij brenda shoqërisë u bë aq i pasigurt sa u detyrua të ikte. Në mënyrë të jashtëzakonshme, një himn lirik, Yasht 46, përmban një rezyme magjepsëse të ikjes së tij në mërgim:

“Në cilën tokë të iki?

Ku duhet të shkoj?

Komuniteti tek i cili

i përkas nuk më ka kënaqur,

as pushtetarët e vendit!

Si mund të kënaq, Zot?

Jam i pafuqishëm:

Kërkoj mbështetjen tënde

siç do t’i jepte një mik një shoku,

që shikon fuqinë e mendjes

së mirë përmes së vërtetës!”

Zarathustra nuk u thirr aq shumë për të krijuar një fe të re, por për të reformuar dhe përmirësuar një besim tashmë ekzistues, i cili po praktikohej keq nga qeveritarët e atdheut të tij. Duke pranuar se një profet nuk njihet kurrë në tokën e tij, Zarathustra mori mesazhin e tij më thellë në rrafshnaltën iraniane dhe nëpërmjet zhvillimit të një teologjie të sofistikuar në të cilën drejtësia dhe morali kishin përparësi mbi të gjitha gjërat, Zarathustra i dha formë të re dhe kuptim të ri një besimi të lashtë e të lëkundur. Ai theksoi natyrën dualiste të jetesës dhe u kërkoi ndjekësve të besimit të luanin rolin e tyre në refuzimin e Gënjeshtrës dhe vendosjen e së Vërtetës hyjnore. Sot e kësaj dite Zoroastrianët mbajnë një angazhim personal ndaj tre parimeve kryesore: të kenë mendime të mira, të thonë fjalë të mira dhe të kryejnë vepra të mira.

Si të gjitha fetë, Zoroastrianizmi ka evoluar me kalimin e kohës dhe besimi siç praktikohet tani është shumë larg nga sistemi dhe synimet origjinale të themeluesit të tij. Tekstet flasin për atë duke shpallur ungjillin e tij, me fjalët: “Le të promovohet Krijuesi i ekzistencës nëpërmjet Mendjes së Mirë

realizimi i asaj që, sipas vullnetit të Tij, është më e mrekullueshme”.

Photo by: wikipedia

Filed Under: Kulture

ISTANBUL (1939) / DEKLARATA PËR SHTYP E ADIL ALI SEREZIT, KRYETARIT TË FEDERATËS SHQIPTARE NË BULLGARI, PAS TAKIMIT ME MBRETIN ZOG NË STAMBOLL

April 11, 2023 by s p



Nga Aurenc Bebja*, Francë – 10 Prill 2023

“Istanbul” ka botuar, të hënën e 3 korrikut 1939, në faqen n°2, deklaratën e Adil Ali Serezit, kryetarit të Federatës shqiptare në Bullgari, pas takimit asokohe me Mbretin Zog në Stamboll, të cilën, Aurenc Bebja, nëpërmjet blogut të tij “Dars (Klos), Mat – Albania”, e ka sjellë për publikun shqiptar :

“Shqiptarët do të shpëtojnë atdheun e tyre”

Burimi : gallica.bnf.fr / Bibliothèque nationale de France
Burimi : gallica.bnf.fr / Bibliothèque nationale de France

Z. Adil Ali Serezi, president në Bullgari i Federatës Shqiptare, ndodhet prej disa ditësh në Stamboll. Federata u organizua për të ndihmuar Shqipërinë për të rifituar pavarësinë e saj.

Z. Serezi pati një bisedë me ish-mbretin Zog përpara se mbreti të nisej për në Rumani. Z. Serezi planifikon të kthehet në Bullgari pas disa ditësh. Ai i tha një redaktori të “Tan” :

“Unë erdha në Turqi, të cilën të gjithë shqiptarët e konsiderojnë si atdheun e tyre të dytë, për të realizuar këtë takim me mbretin. Unë isha veçanërisht i lumtur që pashë sërish Stambollin, qytet ku kam bërë studimet e mia. Ne të gjithë ndjejmë mirënjohje të thellë për qeverinë republikane turke për mikpritjen e saj, për popullin turk, vëllanë tonë, i cili në këto ditë të hidhura për ne, tregoi konsideratë ndaj nesh. Kemi biseduar shpesh me Mbretin tonë Zog I. Më vjen keq që nuk mund t’ju them asgjë për udhëtimin që ai po ndërmerr për të shkuar në Paris dhe Londër.

Por është mirë të mos harrojmë që shqiptarët nuk do të jetojnë kurrë pa atdhe. Ne do të punojmë, secili deri në vdekje, për të shpëtuar atdheun. Ditët e skllavërisë kanë kaluar prej kohësh. Në shekullin e 20-të, njerëzit nuk do të mbajnë kurrë zinxhirin e skllavërisë. Ndonëse Shqipëria u aneksua sot nga Italia, ne nuk e kemi humbur shpresën.

Herët a vonë Shqipëria do të rilindë.”

Një natë më parë ish-mbreti Zog i Shqipërisë deklaroi se po largohej për të realizuar disa nga idetë e tij për Shqipërinë dhe shtoi : “Sa të jemi gjallë, nuk do të heqim dorë nga pavarësia e Shqipërisë.”

Filed Under: Kulture Tagged With: Aurenc Bebja

“Aleksandri i Madh, Historia e patreguar”, e regjisorit dhe aktorit Ervin Musabelliu u shfaq në Hollywood

April 3, 2023 by s p

Me 31 Mars, 2023, shqiptarë me banim në Los Angelos, Arizona , San Diego u mblodhën për një natë të paharrueshme, në zemër të Hollivudit!Ata festuan premierën e shumëpritur të filmit me metrazh të shurtër “Aleksandri i Madh, Historia e patreguar”, e regjisorit dhe aktorit Ervin Musabelliu. Shfaqja premierë përfshiu Open Wine Bar, Foto në Tapetit të Kuq, profesionistë të Industrisë së filmit, kinematografisë si dhe pyetje e përgjigje rreth filmit. Regjisori dhe aktori Ervin Musabelliu ka punuar për këtë film për 3vite e gjysëm. Premiera e filmit përkoi dhe me ditëlindjen e tij të 35-të. Duke patur eksperiencën e tij me gjashtë çmime dhe katër nominime nga filmi i tij i parë “Dark Web”, Ervin Musabelliu zgjodhi projektin e tij më të vështirë dhe më testues deri më sot – një histori për Aleksandrin e Madh. Për 3 vjet e gjysmë, Ervini është zhytur thellë në botën komplekse dhe enigmatike të Aleksandrit. Ai jo vetëm që po tregon historinë, por po luan edhe Aleksandrin – një përgjegjësi monumentale në të cilën ai e merr shumë seriozisht. I lindur dhe rritur në Shqipëri deri në moshën dhjetë vjeçare, ai ndjen se Aleksandri nuk është vetëm një rol për tu luajtur… por ai e shikon atë dhe si paraardhësin tij! Prandaj ky nuk është thjesht një projekt tjetër për të, por kjo eshtë një sfidë personale!Ervin Musabelliu është futur me gjithë shpirt në këtë projekt, dhe këtë e tregon përgatitja e tij fizike, stërvitja e tij me shpata, shtiza, kalërim, si dhe një vrapim 50 miljesh në dëborë, në Minesota. Ervin Musabelliu, në fjalën e tij të hapjes I kushtoi një falenderim të veçantë prindërve të tij Engjell e Valbona Musabelliu, vëllait Adnan Musabelliu, si dhe të afërmve e shoqërisë për mbështetjen morale për këtë projekt. Përmbledhje e ngarjeve të pasqyruara në film. I shtyrë nga një endërr për madhështinë dhe shpresat e mëdha për t’u bërë një ditë mbret, bota e Aleksandrit përmbyset kur babai i tij, Filipi e internon atë dhe nënën e tij Olimpian larg nga Maqedonia për arsye të padrejta. I dëshpëruar thellë në mërgim dhe i dëshpëruar për përgjigje, Aleksandri dorëzohet në ceremonitë rituale dionisiane të udhëhequra nga Olimpia me shpresën për të zbuluar të ardhmen. Dhe kështu fillon historia jonë; një eksplorim i botës së mbrendshme shpirtërore të Aleksandrit, e pasqyruar përmes ëndrrave dhe vizioneve që I ndodhin atij. Çfarë është e vërtetë? Çfarë është një iluzion? Dhe më e rëndësishmja, cila është e vërteta? Kjo është historia e djaloshit që pushtoi botën, por duket se nuk mundi kurrë të pushtojë veten! Kjo është…Historia e patreguar e Aleksandrit të Madh!Një rol të rëndësishëm në realizimin e këtij filmi me metrazh të shkurtër ka luajtur trajneri kryesor i kuajve Ty Nitti, një trajner veteran kuajsh me më shumë se 30 vjet përvojë në këtë fushë. Ai mori përsipër një mision të pamundur: përgatitjen fizike dhe shndërrimin e aktorëve pa përvojë në kalërim, në kalorës të egër të lashtësisë, zotërim të shtizave e mburojave në dorë, duke kalëruar. Drejtori i fotografisë Amza Moglan me një përvojë mbi 10vjeçare prapa kamerës si dhe suksesi nga Filmat “Dark Webb” e deri te “There Will Be Blood” me Daniel Day Lewis, e bënë atë një pasuri të vërtetë për ekipin.Ekspertët e gjuhësisë, Brian D. Joseph me Lindon Dedvukaj dhe Clayton Marr ndihmuan të rikrijojnë gjuhën e lashtë të zhdukur maqedonase.Brian D Joseph pas diplomimit në Harvard në 1978 me doktoraturën e tij në Gjuhësi, është profesor i shquar i gjuhësisë në Universitetin Shtetëror të Ohajos për më shumë se 30 vjet!Zona e ekspertizës së Brian-it është mjaft e gjerë, por ai është i fokusuar para së gjithash në studimin e ndryshimit të gjuhës, veçanërisht në lidhje me gjuhën greke në të gjitha fazat e saj historike, nga mikenasja e deri te greqishtja moderne, duke përfshirë parahistorinë e saj dhe mënyrën se si përshtatet ajo në familjen e gjuhëve indo-evropiane dhe gjithashtu kontaktet e saj më të fundit të rëndësishme me gjuhët fqinje në Ballkan. E thënë thjesht, kur bëhet fjalë për rikrijimin e gjuhës së lashtë maqedonase, nuk ka njeri më të kualifikuar se Brian D Joseph.Historiani, John Maxwell O’Brienqë fatkeqësisht nuk jeton më (1939-2022), ishte historiani dhe konsulenti aktiv i Ervinit për më shumë se një vit! John ishte një profesor emeritus i historisë në Queens College, City University of New York. Ai ka shkruar shumë mbi botën e lashtë dhe mesjetare, por ishte puna e tij dhe dekadat e kërkimit që ai shpenzoi për Aleksandrin e Madh me të cilat ai u bë i njohur. Prof. Maxwell O’Brien ishte më shumë se një historian, ai ishte një mentor dhe një mik. Kontributi dhe pasioni i tij ndaj këtij projekti nuk do të harrohet kurrë, prandaj dhe ky filmi I dedikohet Prof. John Maxwell O’Brien. Në këtë film merr pjesë dhe një aktore me origjinë Kosovare e lindur në Suedi , Vjosa Halili. Gjithashtu në përgatitjen fizike të Ervinit ka dhënë kontribitin e tij të çmuar, djaloshi nga Kaçaniku Besnik Gashi, kampion në Arizona në 2021 në artet marciale, JiuJitsu, MMA fighter 3:0 record. I urojmë talenteve të reja Shqiptaro-Amerikane suksese të mëtejshme në projektet e ardhshme, në misionin fisnik të pasqyrimit të të vërtetave historike. Së bashku mund të shkojmë larg.

Filed Under: Kulture

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 108
  • 109
  • 110
  • 111
  • 112
  • …
  • 544
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NDAA i SHBA-së dhe pozicioni i Kosovës në arkitekturën e sigurisë
  • Alis Kallaçi do të çojë zërin dhe dhimbjen e “Nân”-s shqiptare në Eurovision Song
  • Garë për pushtet…
  • Njëqind vjet vetmi!
  • “Shënime për historinë antike të shqiptarëve”*
  • Si funksionon sistemi juridik në Shqipëri dhe pse ai ka nevojë për korrigjim?
  • Emisionet postare festive të fundvitit në Kosovë
  • JAKOBSTADS TIDNING (1939) / MBRETI ZOG, SHUMË BUJAR ME BAKSHISHE. — EMRI I TIJ NUK DO TË HARROHET KAQ SHPEJT NGA PRONARËT DHE PERSONELI I HOTELEVE NË VARSHAVË.
  • HAFIZ SHERIF LANGU, DELEGATI I PAVARËSISË TË CILIT IU MOHUA KONTRIBUTI PËR 50 VJET ME RRADHË, KLERIKU DHE VEPRIMTARI I SHQUAR I ÇËSHTJES KOMBËTARE
  • RIPUSHTIMI I KOSOVËS – KUVENDI I PRIZRENIT 1945
  • Nikola Tesla, gjeniu që u fiksua pas pëllumbave dhe u dashurua me njërin prej tyre
  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT