• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

GJERGJ KASTRIOTI TEK AUTORËT E HUAJ

January 20, 2023 by s p

Xhelal Zejneli/

Me rastin e 555-vjetorit të vajtjes në pavdekësi.

Kur e përmendte Gjergj Kastriotin në veprën e tij klasike “Edukimi britanik ose burimi i çrregullimeve në Britaninë e Madhe”, Thomas Sheridani (1719-1788) e rendiste Gjergj Kastriotin ndër njerëzit e mëdhenj të cilët përgjithmonë do të jetojnë në “tempullin e kujtesës”.

*   *   *

Punën e vet, Barleti ia dedikoi nipit të Gjergj Kastriotit, Donferrante Kastriotit dhe pasardhësve të tij. 

Në shekujt XVI dhe XVII vepra e Barletit u përkthye në një varg versionesh edhe në gjuhë të huaja: 

– Në vitin 1533 në gjermanisht nga Johan Pincianus; 

– Në vitin 1554, 1560 në italisht nga Pietro Rocca; 

– Në vitin 1567 në portugalisht nga Francisco D’Andrade; 

– Në vitin 1569 në polonisht nga kompozitori polak Ciprian Bazylik (1535-1600); 

– Në vitin 1576 në frëngjisht nga fisniku i Plessis du-Bourrot – Zhak dë Lavarden (Jaques de Lavardin), me titullin ”Histoire de Georges Castriot Surnomé Skenderbeu, Roy d’Albanie”; dhe 

– Në vitin 1582 në spanjisht nga Juan Ochoa de la Salde.

Versioni në anglisht u bazua në përkthimin në frëngjisht të kryer nga Zhak dë Lavarden (Jaques de Lavardin) dhe nga Zachary Jones. U botua në fund të shekullit XVI, me titullin “Historiku i Gjergj Kastriotit, i mbiquajtur Skënderbe, Mbret i Shqipërisë”.

*   *   *

Shkrimtari dhe filozofi francez Volteri, emri i vërtetë Fransua-Mari Arue  (François-Marie Arouet Voltaire, 1694-1778) kapitullin e tij “Marrja e Kostandinopojës” e fillon me frazën: “Sikur Perandorët grekë të kishin vepruar si Skënderbeu, Perandoria e Lindjes ende mund ishte ruajtur.” 

Në shekullin XVIII Skënderbeu është protagonist i tri tragjedive: “Skënderbeu” (1733) e dramaturgut britanik Uilliam Havard (William Havard, 1710? – 1778); “Heroi i krishterë” (1735) e dramaturgut anglez Xhorxh Llillëu (George Lillo, 1693-1739) dhe “Scanderbeg: Or, Love and Liberty”, 1747, 320 faqe; (Skënderbeu: Dashuria dhe liria), botuar postum, e Tomas Uinkop (Thomas Whincop, 1697-1730).  

Nga luftërat e Gjergj Kastriotit u frymëzuan edhe poetë dhe kompozitorë të huaj. Në shekullin XVI, një poemë për Gjergjin, shkroi poeti francez Pjerë dë Ronsar (Pierre de Ronsard, 1524-1585), ndërsa në shekullin XIX, poeti amerikan  Henri Uëdzuërth Lëngfelëu (Henry Wadsworth Longfellow, 1807-1882). 

Në vitin 1855, politikani francez Kamil Paganel (Camille Paganel, 1795/97 – 1859), i nxitur prej krimeve të luftës, shkroi “Histoire de Scanderbeg” (Historia e Skënderbeut). Kompozitori italian i shkollës veneciane Antonio Lucio Vivaldi (1678-1741) shkroi operën me titull “Skënderbeu”, të interpretuar më 1718. Një tjetër operë me titull “Skënderbeu” ishte ajo e kompozitorit dhe violinistit francez të shekullit XVIII, Fransua Frankërë (François Francœur, 1698-1787) të interpretuar më 1763. Shkrimtari dhe filozofi danez Ludvig Holberg (1684-1754) thotë se Gjegj Kastrioti është një nga gjeneralët më të mëdhenj të historisë. 

Diplomati, burrështetasi dhe eseisti anglez Sër Uilliam Temple (Sir William Temple, 1628-1699) thotë se Gjergj Kastriotin është një prej shtatë krerëve më të mëdhenj pa kurorë, siç kanë qenë:

– Gjenerali romak i kohës së Perandorit të Bizantit – Justinianit (emri i plotë Flavius Petrus Sabbatius Justinianus, 483-565) – Flavius Belisarius (505-565 era e re); 

– Gjenerali dhe burrështetasi romak, magjistër militum apo The Last Roman General, Flavius Aetius (391? – 454, thuhet se ka jetuar 64 vjet); 

– Gjenerali hungarez Jan Huniadi (János Hunyadi; Hunyad, Transilvani, 1407? – Beograd, 1456); 

– Gjenerali dhe burrështetasi spanjoll (Gonazalo Fernandez de Kordoba (Gonzalo Fernández de Córdoba, 1453-1515);

– Gjenerali i ushtrisë spanjolle, me kombësi spanjolle, prijës ushtarak italian, Dukë i Parmës Aleksandër Farnese (Alexander Farnese, Romë, 1545 – Arras, Francë, 1592); dhe 

– Ushtaraku holandez Uilliami I i Oranit (lindi në Dilenburg Nasau, Perandoria Romake e Shenjtë, tani Hesen, Gjermani, më 1533 – vdiq në Delfi të Holandës në vitin 1584). Njihet edhe si Uilliami i Heshtur (në holandisht Willem de Zwijger). Ka qenë prijësi kryesor i kryengritjes holandeze kundër spanjollëve që shkaktoi luftën 80-vjeçare (1568-1648), e që në vitin 1648 solli pavarësinë e Krahinave të Bashkuara. Në Holandë njihet si baba i kombit (holandisht: Vader des Vaderlands). U vra në atentat në vitin 1584 me urdhrin e oborrit spanjoll në Delfi të Holandës.     

*   *   *

Në poemën “Shtegtimi i Çajld Haroldit” (Child Harold`s Pilgrimage,1812-1819), të cilën poeti anglez Xhorxh Gordon Bajron (George Gordon Byron, 1788-1824) filloi ta shkruajë gjersa ndodhej në Shqipëri, Gjergj Kastrioti dhe shqiptarët janë pasqyruar në vargjet e mëposhtme:

“Land of Albania! where Iskander rose,

Theme of the young, and beacon of the wise,

And he his namesake, whose oft-baffled foes

Shrunk from his deeds of chivalrous emprize…”

Kënga II, LXV 

*   *   *

GJERGJ KASTRIOTI NË ARTET FIGURATIVE – Figura e Gjergj Kastriotit dhe bëmat e tij janë pasqyruar prej kohësh në vepra të pikturës, të skulpturës dhe të gravurës në vende të ndryshme të botës. Pjesa më e madhe e veprave me vlera artistike dhe historike, si tipare karakteristike, japin një profil të veçantë me sy të gjallë dhe hundë shqiponjë.  

Portreti më i hershëm që njihet ndodhet në galerinë Ufici (Uffizi) të Firencës. Mendohet se është mbështetur në vizatimin të bërë drejtpërdrejtë nga natyra, të piktorit venecian Xhentile Benini. Në këtë portret, Heroi Kombëtar i shqiptarëve është paraqitur në moshë të shtyrë, si duket kur e ndërmori udhëtimin e tij të fundit në Itali në vitin 1466.

Vlen të përmendet edhe portreti i shekujve XV-XVI i zbuluar në Shkodër si dhe portreti i galerisë në kështjellën Valdbeng, një riprodhim i të cilit ndodhet edhe në Muzeun e Krujës.

Një portret i hershëm që paraqet rëndësi për tërë ikonografinë e Gjergj Kastriotit, ndodhet në botimin e parë të veprës madhore të humanistit dhe të historianit shqiptar Marin Barletit – “Historia de vita et rebus gestis Scanderbegi” , Romë, midis 1508 dhe 1510 (Historia e jetës dhe e bëmave të Skënderbeut).

Portretin në gravurë e kanë realizuar edhe mjeshtrit gjermanë si Jang Breu (1533) dhe Jost Aman, po i shekullit XVI. Amani heroin shqiptar e paraqiti me një sfond kështjelle.

Gravura mbi Skënderbeun, më 1577, ka shtypur edhe një piktor tjetër gjerman Sigizmund Fejgrahent. Paraqitja e përkrenares dhe e shpatës së heroit jepet për herë të parë (1539-1552) në portretin të bërë nga Tabias Shtimer.

Në qindvjeçarin XVII e këndej u krijuan portrete të Skënderbeut për t’i ilustruar veprat letrare ose historike. Piktori francez N. Auronks është autor i portretit që u botua në poemën e Bysjerit (1658). Në vitin 1662, kjo poemë u ribotua, por tani me portretin të bërë nga piktori Blanshet. Ndërkaq librin e Biemit, të botuar në vitin 1672, e ka ilustruar piktori italian F. Zuçi (Zucci). Një gravurë në dru bëri I.B. Skotin.

Në vitin 1743 vepra e Barletit u botua në Zagreb në gjuhën kroate. Këtu tani e kemi gravurën  në dru të Vajcit (Weitzi). Galerinë e Skënderbeut, me veprat e tyre e kanë pasuruar edhe piktorë të tjerë si Andrea Bianki, J. Fontana, Domeniko Kusto, A. Oslovski.

Për Skënderbeun një numër veprash krijuan edhe piktorët arbëreshë në Itali, si G. Konforti, A. Skurra etj. Një afresk i shekullit XVI ndodhet në një kishë të Monreales në Sicili. Duhet theksuar se në kishën katolike të Prizrenit, në vitin 1878, kur u krijua LidhjaShqiptare e Prizrenit, janë pikturuar me grizaj në dy medaljone, komandanti ushtarak hungarez Jan Huniadi (1387-1456) dhe Skënderbeu.

Figura e Skënderbeut u bë një nga temat  qendrore të arteve figurative shqiptare qysh në periudhën e Rilindjes Kombëtare. Krahas portretit tradicional kthyer në profil të piktorit nga Korça Gjergj Panariti (1883), figura e plotë e heroit mbi kalë dhe në sfond beteja, u trajtua më 1889 nga Anastas N. Ballamaçi dhe Theohar Gjini (1880-1956). Ballamaçi u ndihmua nga tabloja e piktorit francez T. Zheriko.

Nga plejada e piktorëve që punuan mbi bazën e modeleve, shkoi më tej piktori autodidakt Spiro Xega (1876-1953), autor i një cikli romantik-heroik prej më se tetë veprave. Midis tyre edhe “Skënderbeu” (1913). Me fjalë të tjera, prej tij ruhen mbi dhjetë tablo me figurën e Skënderbeut, disa prej tyre të fillimit të shekullit XX.

Në vitin 1937, në bazë të një gravure evropiane, edhe ikonografi nga rrethi i Korçës Vangjel Zengo (1877-1938) pikturoi disa herë portretin e Skënderbeut, tablonë “Beteja e Skënderbeut me turqit” që ndodhet në Muzeun e Krujës.

Linjën kryesisht origjinale e përbën tabloja “Skënderbeu në betejë” e pikturuar në vitin 1915-1916 nga piktori shkodran Simon Rrota (1887-1961), i cili, në vitet 1910-1915, kishte studiuar në Akademinë e Arteve të Bukura në Milano. (Mësimet e para për pikturë, S. Rrota i mori nga piktori shkodran Kolë Idromeno, 1860-1939, autor i njërës nga kryeveprat e pikturës shqiptare, portretit “Motra Mone”). Edhe piktori shkodran Ndoc Martini (1880-1917) portretin e heroit e punoi në disa variante – “Skënderbeu”. 

*   *   *

PËRMENDORET E GJERGJ KASTRIOTIT NË TROJET SHQIPTARE DHE NË BOTË – Skënderbeu është heroi kombëtar i shqiptarëve, por tashmë prej shekujsh ai është bërë simbol i lirisë, i pathyeshmërisë dhe i mbrojtjes së krishterimit. Kjo figurë historike ka vend tejet të rëndësishëm në librat e historisë shqiptare dhe botërore, por edhe në art, në letërsi, në artet vizuale, në muzikë dhe në kinematografi. 

Derisa në letërsi shkrimtarët i shfrytëzojnë dokumentet historike dhe fantazinë e tyre, artistët pamorë kanë pak burime autentike të kohës. 

Portreti më i hershëm i Skënderbeut  supozohet se është bërë sipas një skice të piktorit italian të shkollës veneciane Xhentile Benini (Gentile Benini, 1429-1507) ku Skënderbeu paraqitet i moshuar. Ndoshta ka pozuar gjatë udhëtimit të tij të fundit në Itali në vitin 1466. 

E para skulpturë me imazhin e tij  ishte ajo e viti 1917 e skulptorit dhe poetit Murad Toptani (1866/67 – 1918). Më pas, bustet për këtë hero u përhapën në shumë qytete shqiptare  si dhe në qytete të botës. 

Monumenti i Skënderbeut në Krujë u realizua në vitin 1959. Monumenti i tij në Tiranë u realizua në vitin 1968. Autorë janë: themeluesi i skulpturës shqiptare Odhise Paskali (1903-1985), skulptori shqiptar Andrea Mano (1919-2000) dhe skulptori shqiptar Janaq Paço (1914-1991). Monumenti në Prishtinë u realizua në vitin 2003 dhe është vepër e skulptorit Janaq Paço. Shtatorja në Dibër u realizua në vitin 2009. Kjo është vepër e skulptorit me prejardhje nga Dibra, Muharrem Turkeshit (? – 2003) dhe e skulptorit Agim Sela. Buste të Gjergj Kastriotit janë ngritur edhe në Tuz, në Preshevë, në Burrel. Monumenti i kësaj figure ikonë në Shkup u ngrit në vitin 2006 dhe është vepër e skulptorit Thoma Thomai (1936-). 

Busti i Skënderbeut në Kukës u ngrit më 1939. Monumenti në sheshin “Albania” të Romës është ngritur në vitin 1940. Është vepër e skulptorit italian Romano Romanelli (1882-1968). Monumenti në Bruksel është realizuar në vitin 1968. Busti i Gjergj Kastriotit është vendosur edhe në fshatin Vaccarizzo Albanese të Kozencës në Kalabri. Në vitin 2008 busti është vendosur në Civita të Italisë. Përmendorja në Miçigan të SHBA-së u ngrit në vitin 2006. Busti në qytetin Fermo të Ankonës u vendos në vitin 2007, ndërsa ai në San Cosmo Albanese – në vitin 2010. Buste të heroit kombëtar të shqiptarëve ndodhen edhe në  Vjenë, në Budapest, në Zvicër, buzë liqenit të Gjenevës, në Detroit etj. 

Një nga këto monumente shqiptarët e kanë edhe në pasaportat e tyre biometrike. Kudo që ata shkojnë e mbartin heroin e tyre me vete. 

Përpjekjet për të ngritur monumente të Gjergj Kastriotit në qytete të tjera – vazhdojnë.

*   *   *

Të dhëna të hollësishme për historinë politike të periudhës së Gjergj Kastriotit jep studiuesi i shquar Aurel Plasari në librin “Skënderbeu, një histori politike”.    

Xhelal Zejneli

Filed Under: Kulture

Ermonela Jaho, Winner of Artist of the Year

January 19, 2023 by s p

(International Classical Music Awards)

“With the unique beauty of her glorious, securely led and magnificently shimmering voice, Ermonela Jaho fascinates with her pure vocal aesthetics. But this is only one side of the singer’s great art, the other being her electrifying theatrical presence. Few singers achieve such a high degree of identification with their roles, such a total veracity and deeply moving emotion. Once on the stage, Ermonela Jaho throws off her own personality like a cloak and fully embodies the character she has to interpret.”

Winners 2023

Filed Under: Kulture

NJË HISTORI E MAHNITSHME DASHURIE

January 16, 2023 by s p

në novelën e Maks Rakipajt “Hera e parë…ose dashuria në kohën e kolerës së kuqe”.

Nga Shpend Sollaku Noé

Maks Rakipaj është nga ata lloj personash që, nëse e shihje në postin e Presidentit të Shqipërsë, do ta duartrokisje me gjithë shpirt, nëse do të ishte Ministër i Kulturës, do ta klasifikonin si më të përshtatshmin, nëse do ta gjeje drejtues të diplomacisë shqiptare, do t’i kishte ndryshuar përgjithmonë natyrën atij përfaqësimi të deritanishëm ngjyrë gri të vendit tonë nëpër botë.

Nuk ka qenë fat i politikës shqiptare të ketë patur në kulmet e saj një përfaqësyes të tillë si Maks Rakipaj.

Atë fat sidoqoftë e ka patur kultura, përkthimi dhe letërsia shqiptare në përgjithësi, që e ka patur e do ta ketë në gjirin e saj, të paktën mbi 20 librat e deritanishëm.

Nuk po merrem më gjërë me kurrikulën e shkëlqyer që shpaloset në emrin Maks Rakipaj, por me pjellën e fundit letrare të tij, novelën “Hera e parë… ose dashuria në kohën e kolerës së kuqe”.

Pasi e ka mbaruar së lexuari këtë novelë të vëllimshme, gjithkush që e ka njohur nga afër apo ka informacion të mjaftueshëm për Rakipajn, kërkon të kuptojë se deri në cilën pikë elementi biografik ka ndikuar në shkrimin e saj. Dihet eksperienca e tij jetësore si student i Shkollës së Marinës, lundrimet jashtë shtetit si detar apo kursant, të kulmuara me detyrën e Komandantit të një transoqeaniku, mbajtur deri në arratisjen biblike të fillimit të viteve ‘90. Raporti i imtimes së jetuar me krijimtarinë është i pazgjidhshëm në fund të fundit të gjithë shkrimtarët, ku më shumë dhe ku më pak. I tillë, herë i dukshëm, herë i nënujshëm, është ky raport edhe tek “Hera e parë…”.

Novela nis me një evokim të rastësishëm të të kaluarës, prej një zonje që bart një të dashur për Markun – protagonisti i novelës. Mjafton një emër: Sonja, për të ringjallur një histori dashurie në dukje të groposur diku, në një qytet të largët portual bullgar – Varna. Është një dashuri tronditëse ajo midis kursantit – pacient shqiptar Mark dhe studentes bullgare të mjekësisë Sonja, një dashuri e vetëtimtë, e lindur me shikim të parë. Që nga ai çast dy të rinjtë nisin të kërkohen vazhdimisht, deri sa të konsumohen tërësisht tek njëri tjetri. Nëse për Sonjën dashuria është e lirë, për Markun ajo është ilegale. Nëse Sonja është e rrethuar nga njerëzit e saj më të afërt që ia aprovojnë dhe e ushqejnë zjarrin e saj, Marku do t’i duhet të ruhet sidomos prej komisarit të anijes, që mban detyrën e survejuesit të rreptë të çunave që partia ka nxjerrë jashtë shtetit, të detyruar të ruajnë të pastër figurën morale, sidomos të mos ngatërrohen me vajzat e armikut atje, në brigjet e Detit të zi,në një vend që kish tradhëtuar marksizmin, satelit të socialimperializmit sovjetik.

Përshkrimet e kësaj dashurie – në fillim platonike, pastaj e konsumuar edhe fizikisht, janë aq të ndjera e të vërteta saqë lexuesi shtyhet t’i shkojë leximit deri ne fund si i përhumbur, i dashuraur edhe ai vete me vajzën protaginiste bullgare, të vuajë e të dëshpërohet, të mbahet nën presion e të çlirohet, të befasohet me fundin e papritur të kasaj historie të mahnitshme, që këtu nuk kam ndërmend të zbuloj deri në fund për të mos zbardhur kureshtjen.

Mjetet më të arrirra artistike të autorit janë dialogët, aq të pasur dhe aq të arrira, saqë kjo vepër mund të jetë lehtësisht e dramatizuar pë t’u vënë në skenë. Dialogët dhe thellësia e mendimit dhe pasuria e fantazisë e bëjnë këtë novelë edhe mjaft të lehtë për të xhiruar një film.

Një nga gjetjet artistike që më tërhoqi më shum është shprehja e mendimeve të protagonistit që rrëfen në vetë të parë jo nëpërmjet thonjëzave klasike, por me shkronja të pjerrëta. Mënyrë kjo që e zhdërvjelltëson mjaft të treguarit.

Vlerat njohëse në 181 faqet e kësaj novele janë të panumërta. Në të vihet re lehtësisht dallimi midis dashurisë që mund të praktikohej në Shqipëri, në pjesën më të madhe platonike, që tek vajzat sidomos duhej të kurorëzohej me martesë, që ndëpritej që në zanafillë shpesh për arësye politike nga prindërit apo opinioni. Në pjesën e subjektit të zhvilluar në Bullgari, njihemi edhe me psikologjine e ndryshme shoqërore ndërmjet dy vendeve, edhe me dallimin e madh në trajtimin e jetës së njeriut, të lirive të individit, të nivelit të mjekësisë në vend, të nivelit të mirëqënies. Aq të dukshme janë ato dallime saqë një pjesë të mirë të detarëve tanë e pengon të arratiset jo frika se mos tradhëtojnë atdheun, por tmerri se ç’do të pësojnë familjet e tyre në rast “tradhtie” të një pjesëtari.

Pasuria e detaleve, lehtësia e thjeshtësia gjeniale në të shkruajtur, leksiku i pasur dhe zhdërvjelltësia sintaksore e morfologjike e bëjnë këtë novelë konfirmim tjetër të talentit të pazakontë të Maks Rakipajt, tashmë në kulmin e tij krijues.

Filed Under: Kulture Tagged With: shpend sollaku noe

SHKODRA NË “RRETHIMI”- n E ENKEL DEMIT

January 13, 2023 by s p

Frano Kulli

C:\Users\User\Desktop\FRANOJA personale\Frano.jpg

Unë nisa me e lexue “Rrethimi”- n e Tom Kukës (Enkel Demi) , me kërshërinë e shfaqur se çka do të gjeja interesante në vizatimin artistik të një copë kohe e të një peisazhi të  Shkodrës, atij qyteti, skena më e rëndësishme e teatrit të ngjarjeve historike, sidomos atyre të fillimshekullit të njëzetë dhe për më saktë, tetor 1912-prill 1913. Lufta e parë ballkanike, sulmi dhe pushtimi i Shkodrës nga Mali i Zi dhe ballas, qëndresa mbijetike e qytetit në rrethanat e pushtimit. Ky, është në të vërtetë sfondi historik që tejkqyret  matanë ngjarjeve të romanit të Enkel Demit, kurse ngjarjet e romanit, diku të vërteta e diku fiction, sikurse edhe personazhet mbartës e livrues (lëvizës) të këtyre ngjarjeve, gjithashtu të dyzuar, zënë fill prej historisë së një fotografie.

Këtu nis romani, kjo është pika prej nga autori i kundron ngjarjet e luftës, por aspak si një kronikan i saj. Është jeta qytetëse por e shtjellur (zhvilluar, shpërfaqur) në pelikulen  imagjinare të autorit. Se Kolë Laca, përreth të cilit nis e shtjellohet linja parake e romanit nuk është Kolë Maca, fotografi i njohur i Shkodrës, të cilin na e ka njoftuar më së miri studiuesi i historisë së fotografisë në Shqipëri, Qerim Vrioni, sikurse është e vërtetë historia e Gjon Palit, i cili, i varruem (plagosur) jep shpirt në duart e së bijës dhe fotografi Maca gjindet aty me atë kutinë e madhe të zezë, mbështetur mbi trikëmbësh për të bërë punën e pasionit së tij, atë të fotografit, një punë e zeje që asokohe, e sapo ardhur në qytet si shpikje e Europës , një djalosh që merrej me të e bënte me flatra. Kurse në kundrimin e autorit Tom Kuka, mbi shpalimin e zgaqjen e së mbrendshmes së djaloshit artist ndërtohet linja vezulluese e dashurisë ndërmjet të rinjëve të gjëndur rastësisht kundruall; njëra e pikëlluar  përtej kufinjëve të dhimbjes për babain që po i fikej me kokën në duart e saj e tjetri, duke vjelë e disenjuar dhimbje që ta çan gjoksin për ta nderë mbi pelikulen e ftohtë…

Qyteti, i gjëndur  i rrethuar pabesisht ka dy palë të përkundruallta; ushtria që gjuan me top pa ja dá dhe qytetasit që mbrohen, struken, lëvizin kaleças (ngadalë, pa u ndjerë) më tepër në terr se në dritë, më tepër natën se ditën. Të unshëm të etshëm deri në zi…”Zorrët u kërsisnin më shumë se pushkët”. E në mes Tom Kuka (emër kaq fort i dashur për Enkel Demin, saqë e do përveçse emrin e vet autorial në krejt shkrimësinë e tij romanore edhe emër të personazhit të vet më simpatik këtu) majë dyrrotakut të tij, që bredh mahallë në mahallë tue përcjellë parandjenjën e tij se në cilin kopësht ka rá gjylja e në cilin oborr ka me rá tjetra, simbas alibisë së tij të ndërtuar edhe simbas përndjekjes që ai i bënte kronikës së veprimit në front. – Po bjen n’udhakryq – thërriste njëherë; – po e then qafen në Xhabije, tjetrën herë. E kështu herë mbas here i kishte ra kryq e tërthuer krejt qytetit të rrethuem…

Paralel me Tomën mbajë dyrrotakut shkon e vjen “I premtuemi” , që gati si një somnabul lëshon spikamën e tij rrugicë në rrugicë, anës mureve të avllive me gurë të rrumbullaktë të Kirit e pranë kopshtijeve: “Unë jam i premtuemi…kërkoj…”. 

“I premtuemi”, në të vërtetë kërkonte të zezën e vet. Atij ia kishin thënë se qe i premtuar për Trinën, qysh kur ata ishin në djep,motakë, prej Gjon Palit, të atit. Gjoni kishte vdekë, po fjala kishte mbetë se fjala nuk varroset. E fjala e dhënë peshon rëndë. Me këtë barrë në shpirt, të rëndë sa vetë nderi i malsorit “I premtuemi…” kish zbrit prej malesh  e endej nëpër qytet në kërkim të tij, të nderit. Me e mbrojt atë (nderin pra) me çdo kusht sublim. Krejt përkundruall tij i bjen me qenë Kolë Laca, lidhja e të cilit me Trinën që pati lind si lidhje zemrash, lidhje e përjetëshme.Të përkundërtat kanë zgjidhje të ndryshme. Mirëpo, koha dhe vendi i njëjtë i ngatërron ato… I premtuemi e “don gjanë e vet” edhe pa e dijtë mirëfilli se çka asht gjëja e vet, porse kështu është fjala e fjala është kthyer në sendin që të takon, e sendi që të takon, robi i premtuem pra, është gjë e çmuar që  mbrohet edhe me pushkë. Kurse për Kolë Lacen, gjëja e vet është…Dritëshkronja, së cilës për ta mbrojtë…i ven drynin dhe kaq. E as i shkon mendja mendja me e mbrojtë me pushkë. Ai nuk din si nxirret ajo prej millit. Për të njéri nuk është mall. E mos o Zot Trina; ajo për të është shpirt, frymë, është hyjní. Por…qe se vendi, koha i pshtjellojnë gjendjet e veprimet e cilitdo. E ja që…

-Duhet me e mbrojtë gruen tande, familjen tande. Duhet me ia mbyllë gojën këtij cubit – i thotë Marta e Dodë Bibës e fjalët e saj e bënë të brofte në këmbë. Vajza e princit të Mirditës po i kërkonte të mbronte familjen… Ajo që deri tash i kishte bërë strehë dashurisë së tyre dhe embrionit të familjes së tyre njëherëshi, gjithashtu, në atë “minaren” e saj e e kishte mbrojtë atë, më të shtrenjtën e tij, tani po i kërkonte mbrojtjen me të njëjtat mjete si ato “të premtuemit”…

Hasan Riza Pasha, aludimi për vrasjen e tij prej  Esat Pashës, që njëri pas tjetrit i bie të kollonisin qytetin e rrethuem në qëndresën e mbijtesën e tij e deri te Çerçiz Topulli , që janë personazhe të dorës së parë në histori, janë të dorës së dytë në roman, çka ta bën të plotbesueshëm kumtin e Tomës (Enkel Demit), se ai nuk merr përsipër të rishkruajë historinë e tyre që është vetëm një cak në rrethim i historisë së Shkodrës. Mjaft më në plan të parë të “vizatimit” të rrethimit janë Osoja i falltores , Qazim Quku a Gjiacinto Simini, Seit Saiti e Harapi i Beledijes, Hoxhë Kadria i Xhamisë së plumbit a dom Luigji a Imzot Jak Serreqi. Sikurse edhe gjuha bisedore e tyre është gjuha qytetëse shkodrane a e rrethinave: njitesh-tani; a je i marrë a shtihesh  (frazeologji e përveçme e atij qyteti); motet kishin shkuar dhe mbeten vetëm këngët – frazeologji; haliçët – gurët e vegjël që futen ndërmjet gurëve të gdhendur të murit prej guri; Malësori i ri shkon me një vandak ferrash e i hedh në tymtar…; mica (macja) kur i shkel bishtin; kaçamak (qull i thonë malësorët); dhjakut Simon (djakoni – xhakù, i thonë në Shkoder), çmimi qe kacafiu (i lartë përtej të iamgjinueshmes) etj etj…

E duke kundruar kështu, skenë mbas skene e përshkrim mbas përshkrimi kalon deri në fund, me një frymë, nëpër ferrin e “Rrethimi”-t të Enkel Demit, duke u përmbushur kështu me të tjera dije që të vijnë nga ajo kohë, prej rrëfimeve e ndodhive të treguara që kanë kapërcyer së paku katër breza për t’u shënuar si gjurmë të pashlyeshme në kujtesën tënde. Fundja a s’është edhe kjo një shërbesë për ty që, diç do më shumë të dish e të ushqehesh me pak më shumë dije e përjetim nga e shkuara e antropologjisë tënde kulturore?

C:\Users\User\Desktop\botashqiptare.Enkel_Demi_Rrethiminsp-134.jpg

Filed Under: Kulture Tagged With: Frano Kulli

“Stilografia” e Sabri Hamitit si dominim total

January 12, 2023 by s p

Prof. Agron Gjekmarkaj/

“Sabri Hamiti është krijues i Zanit-Zërit-Ze-së shqiptare.Kjo ndihet në vepren e tij. Ai është krijues i bukurisë së shqipes” pat pohuar Ibrahim Rugova Prijesi i qendrimeve të forta me zë të butë në të 30 -tin pervjetor të vepres letrare të Hamitit.

Në një stinë e cila shpesh perkufizohet si e depresionit kulturor e ftohjes me librin tekstet e Sabri Hamiti mundin tendencen.

Jo vetem kaq por ato të kthejnë optimizmin mbi fatet e letersisë shqipe bashkëkohore.

Një i tillë, një kesodore, një enciklopedi e pulsimeve kulturore shqiptare është “Stilografia”!

Aty në tre pjeset e tij “Letrat e fundit”, “Kalendari” dhe “Breviari” janë të gjithë e gjithçka që penda e shkrimtarëve tanë ka shenjuar mbi leter në me shumë se një shekull.

Tema dhe autore, libra dhe breza, lexim e interpretim në relacion me “klasiken letrare shqipe dhe me sistemin e tërësishem të kesaj letersie” vinë të gjithë bashkë e veç e veç.

Aty është Anton Pashku e At Zef Pllumi, Ismail Kadare e Ibrahim Rugova, Ornela Vorpsi e Luljeta Lleshanaku, Fishta e Mjeda,Qosja, Podrimja, Buxhovi, Ismailji , Eqerem Basha, Teki Dervishi, Zef Zorba, Rreshpja, Vilson Blloshmi, kritiket e shkolles se re Dhurata Shehri, Persida Asllani, Kujtim Shala, Nysret Krasniqi e shumë e shumë të tjere.

Askush nuk është rastesisht aty në një veper e cila mund të konsiderohet e dominimit total në fushen e njohjeve. Një punë mitikoloze për të paraqitur ashtu të “shtryllur” , ” kuptimin elementar të stilit individual, lapsi e letra, duke provuar bukurshkrimin në procesin e leximit të veprave letrare-artistike”!

“Breviar” , shkurtice i bie në shqip e quan Akademik Sabri Hamiti pjesen e tretë të librit të tij e ashtu mund të në duket se në dy-tre faqe sjell një autor të komentuar brënda zgavres së kohës së vet e në permasat e kohes sonë.

E ka quajtuar ashtu por në fakt aty eshtë një jetë studimi e pune, leximi kreativ e plot dashuri në mungaden e tij aty në zemer të “qarkut kulturor” të Prishtines.

Ky liber është në ketë bienio vaksinash një vaksinë kunder nihilizmit ! Hamiti na thotë se tek letersia shqipe mund te gjejme identikitin kulturor të shqiptarit modern si personazh, si individ, dhe si shoqeri !

Edhe kur ne i ikim asaj ajo na ndjek pas, na gjykon, na perfshin, na perkufizon, gjykimit të seciles nuk kemi per ti shpetuar kurrë ! E kotë tentativa per ti ikur e mirë keshilla per të mesuar sesi ka gjykuar të tjeret para nesh. “Shkrimtaret dhe ushtaret janë pergjithmonë më afër tokes dhe nuk i lejojnë t’iu rrëshqasë dheu nën këmbë” një kumt i vjeter na e kujton ! Në një kuptim Hamiti jo vetem kaq po e ka mbledhur dheun e shprishur tek ” Stilografia” e tij. Nëse, Rrahman Dedaj beson se ” Atdheu im prej shiu/ muzika jote nuk kuptohet/ pa fyelli e ashtit tim/ –ne lexuesit e perunjur të Sabri Hamitit shkrimtarit e mendimtarit që prej motesh cilesohet si ” Home poeticus e homo meditans” besojme se vepra e tij ka zënë vend si asht i Albanologjisë shqiptare! Kush tek kultura e ka një aspiratë duhet medeomos ta lexojë ” Stilografinë”!

Filed Under: Kulture Tagged With: Agron Gjekmarkaj

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 129
  • 130
  • 131
  • 132
  • 133
  • …
  • 556
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • KUJTIME PER ITALIANIN DOM ANTONIO SHARRA
  • MASAKRA E TIVARIT MARS-PRILL 1945
  • Kuptimi i Pashkëve Ortodokse – midis ritualit dhe ringjalljes së ndërgjegjes
  • RIKTHIMI I MUSTAFA MAKSUTIT NË FAQET E HISTORISË
  • Shqipëria në politikën ballkanike të Austro-Hungarisë
  • Eliot Engel, in memoriam…
  • VATRA TELEGRAM NGUSHËLLIMI PËR NDARJEN NGA JETA TË ELIOT ENGEL, MIKUT TË MADH TË KOMBIT SHQIPTAR
  • Përkujtojmë në përvjetorin e lindjes një nga figurat e Rilindjes Kombëtare, Aleksandër Stavre Drenova
  • GËRSHËRA E ARGJENDTË
  • Përgjithmonë vetëm mirnjohës për Kongresmenin Eliot Engel
  • PËRKUJTIM PËR ELIOT ENGEL, NJË MIK I PAZENDËVËSUSHËM, ZËRI I SHQIPTARVE NË SHBA
  • Meditim para varrit të Faik Konicës
  • Bashkimi i Diasporës Shqiptare të Greqisë
  • “Fortifikimi ilir i Komlikut në Fregen dhe Ungrej të Lezhës (Mirdita Etnografike)”
  • “The Real Thing”: A Conversation with Luljeta Lleshanaku

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT