

në novelën e Maks Rakipajt “Hera e parë…ose dashuria në kohën e kolerës së kuqe”.
Nga Shpend Sollaku Noé
Maks Rakipaj është nga ata lloj personash që, nëse e shihje në postin e Presidentit të Shqipërsë, do ta duartrokisje me gjithë shpirt, nëse do të ishte Ministër i Kulturës, do ta klasifikonin si më të përshtatshmin, nëse do ta gjeje drejtues të diplomacisë shqiptare, do t’i kishte ndryshuar përgjithmonë natyrën atij përfaqësimi të deritanishëm ngjyrë gri të vendit tonë nëpër botë.
Nuk ka qenë fat i politikës shqiptare të ketë patur në kulmet e saj një përfaqësyes të tillë si Maks Rakipaj.
Atë fat sidoqoftë e ka patur kultura, përkthimi dhe letërsia shqiptare në përgjithësi, që e ka patur e do ta ketë në gjirin e saj, të paktën mbi 20 librat e deritanishëm.
Nuk po merrem më gjërë me kurrikulën e shkëlqyer që shpaloset në emrin Maks Rakipaj, por me pjellën e fundit letrare të tij, novelën “Hera e parë… ose dashuria në kohën e kolerës së kuqe”.
Pasi e ka mbaruar së lexuari këtë novelë të vëllimshme, gjithkush që e ka njohur nga afër apo ka informacion të mjaftueshëm për Rakipajn, kërkon të kuptojë se deri në cilën pikë elementi biografik ka ndikuar në shkrimin e saj. Dihet eksperienca e tij jetësore si student i Shkollës së Marinës, lundrimet jashtë shtetit si detar apo kursant, të kulmuara me detyrën e Komandantit të një transoqeaniku, mbajtur deri në arratisjen biblike të fillimit të viteve ‘90. Raporti i imtimes së jetuar me krijimtarinë është i pazgjidhshëm në fund të fundit të gjithë shkrimtarët, ku më shumë dhe ku më pak. I tillë, herë i dukshëm, herë i nënujshëm, është ky raport edhe tek “Hera e parë…”.
Novela nis me një evokim të rastësishëm të të kaluarës, prej një zonje që bart një të dashur për Markun – protagonisti i novelës. Mjafton një emër: Sonja, për të ringjallur një histori dashurie në dukje të groposur diku, në një qytet të largët portual bullgar – Varna. Është një dashuri tronditëse ajo midis kursantit – pacient shqiptar Mark dhe studentes bullgare të mjekësisë Sonja, një dashuri e vetëtimtë, e lindur me shikim të parë. Që nga ai çast dy të rinjtë nisin të kërkohen vazhdimisht, deri sa të konsumohen tërësisht tek njëri tjetri. Nëse për Sonjën dashuria është e lirë, për Markun ajo është ilegale. Nëse Sonja është e rrethuar nga njerëzit e saj më të afërt që ia aprovojnë dhe e ushqejnë zjarrin e saj, Marku do t’i duhet të ruhet sidomos prej komisarit të anijes, që mban detyrën e survejuesit të rreptë të çunave që partia ka nxjerrë jashtë shtetit, të detyruar të ruajnë të pastër figurën morale, sidomos të mos ngatërrohen me vajzat e armikut atje, në brigjet e Detit të zi,në një vend që kish tradhëtuar marksizmin, satelit të socialimperializmit sovjetik.
Përshkrimet e kësaj dashurie – në fillim platonike, pastaj e konsumuar edhe fizikisht, janë aq të ndjera e të vërteta saqë lexuesi shtyhet t’i shkojë leximit deri ne fund si i përhumbur, i dashuraur edhe ai vete me vajzën protaginiste bullgare, të vuajë e të dëshpërohet, të mbahet nën presion e të çlirohet, të befasohet me fundin e papritur të kasaj historie të mahnitshme, që këtu nuk kam ndërmend të zbuloj deri në fund për të mos zbardhur kureshtjen.
Mjetet më të arrirra artistike të autorit janë dialogët, aq të pasur dhe aq të arrira, saqë kjo vepër mund të jetë lehtësisht e dramatizuar pë t’u vënë në skenë. Dialogët dhe thellësia e mendimit dhe pasuria e fantazisë e bëjnë këtë novelë edhe mjaft të lehtë për të xhiruar një film.
Një nga gjetjet artistike që më tërhoqi më shum është shprehja e mendimeve të protagonistit që rrëfen në vetë të parë jo nëpërmjet thonjëzave klasike, por me shkronja të pjerrëta. Mënyrë kjo që e zhdërvjelltëson mjaft të treguarit.
Vlerat njohëse në 181 faqet e kësaj novele janë të panumërta. Në të vihet re lehtësisht dallimi midis dashurisë që mund të praktikohej në Shqipëri, në pjesën më të madhe platonike, që tek vajzat sidomos duhej të kurorëzohej me martesë, që ndëpritej që në zanafillë shpesh për arësye politike nga prindërit apo opinioni. Në pjesën e subjektit të zhvilluar në Bullgari, njihemi edhe me psikologjine e ndryshme shoqërore ndërmjet dy vendeve, edhe me dallimin e madh në trajtimin e jetës së njeriut, të lirive të individit, të nivelit të mjekësisë në vend, të nivelit të mirëqënies. Aq të dukshme janë ato dallime saqë një pjesë të mirë të detarëve tanë e pengon të arratiset jo frika se mos tradhëtojnë atdheun, por tmerri se ç’do të pësojnë familjet e tyre në rast “tradhtie” të një pjesëtari.
Pasuria e detaleve, lehtësia e thjeshtësia gjeniale në të shkruajtur, leksiku i pasur dhe zhdërvjelltësia sintaksore e morfologjike e bëjnë këtë novelë konfirmim tjetër të talentit të pazakontë të Maks Rakipajt, tashmë në kulmin e tij krijues.