• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Për të gjithë artdashësit “Netë të Bardha” shfaqet në Producers Club Theaters NYC në datat 10-11 & 16-17-18 Maj 2025

May 6, 2025 by s p

Për të gjithë artdashësit “Netë të Bardha” shfaqet në Producers Club Theaters NYC në datat 10-11 & 16-17-18 Maj 2025

https://www.eventbrite.com/…/nete-te-bardha-tickets…

https://www.eventbrite.com/…/nete-te-bardha-tickets…

Filed Under: Kulture

Fadil Berisha – Vetë edukimi me artin e fotografisë

May 2, 2025 by s p

Intervistuar në vitin 2000 – Julika Prifti/

– Si fotograf shumë i njohur i modës ju e dini se konkurrenca është shumë e egër dhe se shumë përpiqen të hyjnë por pak ia dalin. Si ishte jeta në Amerikë për ty dhe familjen Berisha? Cila ishte shtysa për të synuar majat e artit të fotografisë së modës?

– Rruga ka qenë e gjatë, me zigzage dhe e vështirë. Familja ime e ka origjinën nga Tropoja por në vitet ‘50 u shpërngulën në Kosovë ku linda unë dhe disa nga vëllezërit e motrat e mia. Për emigrantët jeta qe e vështirë edhe në Jugosllavi. Babai siguroi bileta udhetimi dhe u nisëm për në Itali. Meqë kisha mbushur moshën e shkollës aty fillova mësimet në një gjuhë krejt të panjohur në një vend të huaj pa shokë dhe i vetmuar. Për fat, një kushëri që kishte vajtur me familjen e tij para nesh, më ndihmoi të mësoja gjuhën shpejt e më hapi sytë ta shikoja botën që na rrethonte dhe ngjyrat e saj. Aty pashë për herë të parë nga afër zezakë, kinezë, dhe raca të tjera etj. Një vit më vonë ndihesha mirë, pasi kisha mësuar gjuhën e kisha plot shok, mirëpo familja u shpërngul sërish. Kësaj here për në Amerikën e largët. Kur erdhëm në Nju Jork, gjashtë muajt e parë u strehuam te një xhami. Një kushëri i babait, me djalin e të cilit u miqësova shpejt, u bë udhërrëfyesi im për Amerikën. Babai bleu një shtëpi në Nju Xhersi, në një zonë ku shumica e banorëve ishin jaudi. Fqinjët, kur panë gratë e familjes sonë me shami të bardha në kokë, e me veshje krejt tjetër, ndryshe nga ajo e Amerikës, s’na flisnin me gojë dhe s’na përshëndesnin asnjëherë. Në vendin e ri mbetëm prapë të huaj ashtu si në Jugosllavi dhe Itali.

Për ne fëmijët ishte e vështirë edhe në shkollë, se visheshim ndryshe e kishim zakone të tjera. Babai ishte shumë fetar dhe ndiqte me rreptësi të gjitha ritet e besimit mysliman. Edhe nuset që vinin në shtëpinë tonë pa shami të bardha në kokë, pas martese, detyroheshin ta respektonin rregullin. Për babain rregullat ishin norma të detyrueshme, për të gjithë, pa përjashtim. Për shkak të pengesës me gjuhën dhe teshave që vishnim, as në shkollë nuk e patëm të lehtë. Ishim tetë fëmijë dhe jetonim bashkë me prindërit e babait. Ishim familje e madhe me të ardhura modeste. Koncepti i prindërve tanë ishte të dilnim të veshur, me rroba në trup, veç kaq. Në shkollë na shihnin me mospërfillje, sepse asnjë nga ne s’kishte veshje të firmave si shumë nga moshatarët tanë. Fqinjët na rrinin larg, ndërsa fëmijët e tyre “na ndihmonin” duke na mësuar vetëm fjalë të këqija dhe qeshnin kur ne i përdornim sipas shpjegimeve të tyre. Në shkollë kishte dhe disa italianë, me të cilët u shoqëruam shpejt se edhe ata, sikurse ne ishin emigrantë. Unë fillova të mësoj anglisht me të gjitha forcat e me gjithë inatin tim rinor. Doja të flisja njëlloj si amerikanët që askush të mos më dallonte se isha i huaj dhe aq më tepër që asnjë të mos kishte mundësi të më vinte në lojë.

-Cilat ishin prirjet e tua gjatë shkollimit gjatë kësaj kohe?

-Kur mbarova shkollën e mesme, notat më të larta i kisha në art. Artisti lind artist. Këtë dhunti ose e ke, ose nuk e ke. Në atë kohë nuk mund të filozofoja, por kisha dëshirë të flaktë të barazohesha me botën, të qëndroja në një shkallë me çdokënd. Më vinte inat me ata që na shihnin nga lart, sikur ishim qytetarë të dorës së dytë siç na kishin parë serbët në Jugosllavi, italianët kur jetuam në Itali dhe tani amerikanët. Kudo të shpërfillur. Unë shihja motrat dhe kushërirat e mendoja sa mirë do të ishte të zbulohej bukuria e tyre, jo vetëm ajo fizike, por edhe ajo shpirtërore që nuk ishte e lehtë për t’u dalluar.

-Si ju tërhoqi Nju Jorku dhe çfarë ofronte qyteti kozmopolitan për një djalosh emigrant? Sa e rëndësishme ishte miqësia me Dr. Santos të cilën e ruani edhe sot?

-Një nga motrat e mia qe martuar në Nju Jork dhe unë shkoja shpesh ta vizitoja. Ky qytet më bëri shpejt për vete. E desha shumë dhe menjëherë. Ndihesha më mirë në këtë vend të madh, sesa në Nju Xhersi ku kishim shtëpinë tonë. I thashë babait se doja të studioja për art. “Arti nuk është punë,” ma priti. “Mendo për diçka tjetër!” Në atë kohë shumë pak fëmijë emigrantësh shqiptarë vazhdonin studimet e larta, e vetëm rrallë e tek mund të gjeje ndonjë student në fakultetin e juridikut ose të biznesit si degët që preferoheshin më shumë, ndërsa shkollave të artit s’u afrohej askush nga ne. I thashë babait se shumë nga shokët e mi do të studionin në F.R.T. Unë do punoj vetë e do të banoj në lagjen më luksoze, në Manhattan, për të qenë sa më i kohës. I mbaja edhe flokët e gjata, ashtu si edhe shumë moshatarë të mi. Kërkova punë dhe nisa të jem “bartender” në një lokal. Kur më pyetën nëse e dija atë zanat, nuk hezitova të thosha “Po” por mu desh të filloja punë atë mbrëmje. Bleva shpejt një libër që të më ndihmonte sadopak. Më dridheshin duart, dhe e dija që s’kisha haber nga ai zanat. Dhe koktejin nuk e bëra siç duhej. Klienti që e kishte porositur më tha se nuk ishte pija që kishte kërkuar. U justifikova se gjasme “ashtu e përgatisnim në Nju Xhersi”. Ai u çudit pak, por gjithsesi më tregoi se si përgatitej pija që donte. Atë mbrëmje u njoha me pronarin e restoranti që erdhi më uroi “Punë të mbarë!” dhe më pyeti nga ç’vend vija. I thashë se isha shqiptar. Nuk mund të habitesha më shumë kur ai ma ktheu shqip: “Edhe unë jam shqiptar, jam arbëresh.” Kështu u njoha me doktor Santos, me të cilin e ruajmë miqësinë edhe sot.

-Ku ju çoi puna si bartender?

-Meqë kisha më shumë pare xhepi, pata me shumë liri dhe pavarësi, vishesha sipas modës dhe ndihesha si vetja ime por sa herë dilja me shokë shqiptarë, dëgjoja veçse kritika për flokët, teshat, këpucët, etj. Më mërzitën aq shumë sa vendosa të ndahesha prej tyre. Dhe të gjithë shokët e mi i pata amerikanë. Për pak kohë nisa të punoj edhe si buyer (blerës), por nuk më pëlqeu, se kishte shumë tension. Në shkollë shkoja rregullisht, por ende s’më dukej se kisha gjetur vetveten. Kjo ndryshoi kur në F.R.T. erdhi një disenjator. Ai sapo më pa duke ecur në korridor, më pyeti: “A ke dëshirë të bëhesh modelist për veshjet e mia?” Unë s’dita ç’të them, ndaj heshta. “Ti ke trup perfekt dhe puna nuk është e vështirë. Do vishni rrobat që do t’u jap unë dhe do ecni në sfilatë.” Pata frikë edhe ta mendoja veten në skenë e jo më të ecja si modelet që kisha parë në TV. Bashkëbiseduesi e vure re hezitimin tim: “Paga është 25 dollarë në orë.” Kjo e anoi peshoren në favor të tij. E pranova ofertën dhe fillova “punën” e re, në fillim me druajtje, por shpejt më doli frika. Më pëlqente ta shihja veten veshur me rroba të shtrenjta, dhe të ecja në skenë. “Në qoftë se të pëlqen puna, duhet të japësh një provim dhe nëse fiton mund të vish me ne në Europë për një turne,” qe oferta tjetër. Fillova të kursej për udhëtimin në Europë. Puna pas banakut të pijeve dhe shkolla më pëlqenin, por më dukej se diçka më mungonte.

-Periudha e “Fadilit model” e plotësoi atë që kërkonit apo ju drejtoi diku tjetër?

-Po më jepej një mundësi tjetër për të njohur veten dhe aftësitë e mia. Në verën e vitit 1982 u nisa për në Itali. Por në Milano më ndodhi një e papritur që m’i theu shpresat dhe ëndrrat. Nuk më lejuan të dilja në qytet. Mbeta në aeroport. Unë e dija veten nënshtetas amerikan, por veç pasaportës jugosllave, s’kisha asnjë dokument tjetër. Me atë lloj pasaporte duhej vizë për të dalë në qytet dhe meqë unë vizë s’kisha marrë, më kthyen në ShBA. U mbylla në shtëpi se nuk doja t’i tregoja askujt për incidentin që më ndodhi. Të hënën që në mëngjes vajta në konsullatën italiane, mora vizën dhe pasdite u nisa sërish për në Itali. Përveç disa qindra dollarëve e tri ditëve sorollatje, s’kisha humbur gjë tjetër. Italia me pëlqeu shumë edhe ngaqë e mbaja mend gjuhën nga koha që kisha kaluar aty, ndihesha mirë. Më lindi dëshira të bëja një libër për stilet e modës, por kjo nuk ishte aspak e lehtë. Zgjidhja rrobat, rregulloja modelet e i lutesha fotografes t’i fotografonte. Mënyra e fotografimit të saj s’më pëlqeu sepse nuk i afrohej asfare imazhit që kisha krijuar unë në mendjen time për modelet. Kur u ktheva në hotel dhe pashë aparatin fotografik mbi tavolinë pata guximin ta pyes nëse mund ta përdorja për pak kohë. Fillova të fotografoj modelet e përgatitura me veshjet e zgjedhura prej meje dhe mbeta shumë i kënaqur. Modelet në fotografi ishin ashtu sikurse i kisha në imagjinatën time. “Tani e di çfarë dua të bëhem,” i thashë vetes. Ai udhëtim zbuloi e përcaktoi qartë rrugën të cilën e ndoqa dhe po e ndjek pa asnjë mëdyshje. Sapo u ktheva në Amerikë, i ndryshova klasat që të studioja gjithçka që kishte të bënte me artin e fotografimit.

-Si u prit kjo në familje?

-Babait nuk i pëlqeu aspak zgjedhja ime e re, se zanati i fotografit i dukej i rëndomtë, por e dinte mirë se s’kishte fuqi të më ndalonte, se atëherë isha i rritur. Fillova të studioj rregullisht e të punoja shumë që të bëhesha dikush. Ndërkohë isha martuar me vajzën që kishin zgjedhur për mua. Sipas babait, “s’kisha ku gjeja më të mirë se ajo”. Sot i jam mirënjohës babait dhe fjalët e tij për time shoqe i kujtoj gjithmonë. Porosia tjetër e rëndësishme ishte edukimi në familje për të ndihmuar çdokënd që kishte nevojë me aq sa mundeshim pa dallime midis racave. Kur një shok më pati pyetur se çfarë do të bëja për Krishlindje, iu përgjigja se unë isha mysliman. “Po ti je vëllai im, më tha. Babai yt është kumbari im.” Këta janë shqiptarët e vërtetë.

-Jeta e artistit kërkon sakrifica nga ai dhe familjarët. Si e keni përjetuar ju këtë në profesionin tuaj?

-Edhe familjarët s’e kanë patur të lehtë dhe as tani nuk e kanë. Si shembull, kur na lindi djali, unë dhe bashkëshortja u gëzuam shumë, se e kishim fëmijën e parë. Mirëpo pronari na përzuri nga apartamenti se s’kishim paguar qiranë për disa muaj. Unë i prishja paratë për të blerë filma e për të larë fotografitë. Për artin s’kurseja asgjë. Ime shoqe edhe në ditët më të rënda për familjen tonë s’u ankua dhe as u mundua të më largonte nga rruga e vështirë dhe e paqartë në të cilën po ecja, prandaj i jam shumë mirënjohës. Mendoj se dashuria e vërtetë në jetën e njeriut provohet në vështirësi.

-Cilat ishin pasojat e rrethanave të reja dhe si ndikoi kjo periudhë tek ju?

-Për mua ajo kohë është më e rënda që kam kaluar. M’u desh të kthehesha në shtëpinë e prindërve. U ndjeva i rënë poshtë, pa krenari e pa shumë shpresa, por i vendosur për të vazhduar më tej. Edhe babai, i cili nuk e kishte pranuar profesionin tim, kur më pa të mërzitur, një ditë më tha: “Fadil, mos u mërzit! Zoti e shpërblen at’ që mundohet.” Prindërit e mi, edhe pse s’e kishin pëlqyer zgjedhjen time, prapë më rrinin pranë e më jepnin kurajë. Babai vdiq shpejt pas kthimit tim në shtëpinë atërore po para se të vdiste më tha: “Fadil, bëje mirë çdo punë që merr përsipër dhe suksesi do të ndjekë, më beso. Dhe gjithmonë bëju të mira të tjerëve, edhe nëse nuk ta dinë. Po t’i bësh mirë dikujt, ka shumë mundësi që edhe ai ta mësojë këtë.” E maj mend këshillën e tij dhe jam i bindur se po nuk ndihmuam njëri-tjetrin, kurrë s’mund të përparojmë!

– Ju e keni vënë në jetë porosinë e tij sepse studio juaj ka qenë vend mikpritës për sa e sa veprimtari të komunitetit ndërsa ju keni ndihmuar karrierën e shumë e shumë artistëve. Talenteve të reja e të panjohura, iu keni krijuar mundësitë të shpalosin aftësitë e tyre në Konkurset Ndërkombëtare të Bukurisë. Njerëzit thonë “Nëse do të dukesh e bukur, shko te Fadil Berisha.”

-Edhe mua ma ka zënë veshi këtë shprehje. Mua më pëlqen e bukura, ajo më bën të gëzuar e më mbush me gjallëri e forcë. Por unë kam sy të shoh edhe atë që të tjerët nuk e shohin. Në këtë lloj profesioni kjo veti ka vlera të mëdha.

-Cila është fotografia që të kënaq ty së pari pastaj edhe subjektin? Ku është sekreti i kapjes së bukurisë me aparatin fotografik?

-Unë kënaqem kur fotografia nxjerr në pah ato cilësi që kam parë unë. Mendoj se stili im është klasik, por çdo gjë edhe ndryshon. Kjo vjen në formë organike, është dicka e brendshme. Ngaqë ishim të nënshtruar, të përçmuar, të diskriminuar, të parë nga lart poshtë, unë e kam ndjerë gjithnjë si një lloj detyrimi dhe si misionin tim, ta ndryshoj këtë përshtypje për shqiptarët. Që në fëmijëri më ka preokupuar ky aspekt. Atëherë vishesha bukur e me shije, kështu që asnjë njeri s’e kuptonte që isha shqiptar. Kjo për mua përkthehej se shija jonë ishte po aq e mirë sa edhe e të tjerëve. Më pas, desha që puna ime të ishte e barabartë me ato të artistëve më të mirë, që kështu të shiheshin cilësitë e kombit tonë. Përpiqem me të gjitha forcat e mia të përkrah artistët shqiptarë. Për mua është e mjaftueshme që janë shqiptarë e as dua të di se nga cila krahinë vijnë. Shqiptarët i përkasin një etnie për mua, pavarësisht se ku kanë banuar, ku banojnë ose çfarë dialekti flasin. Shqipja, si edhe çdo gjuhë tjetër është e bukur në të gjitha të folmet e saj, por duhet syri dhe veshi që t’i dëgjosh e t’i shijosh të gjitha llojet e bukurive.

Ju falemnderit dhe suksese!

Botohet për herë të parë me rastin e 65 vjetorit të ditëlindjes së Fadil Berishës. Biseda është shkurtuar dhe redaktuar nga ana gjuhësore.

Foto nga festimi i 50 vjetorit të krijimtarisë së shkrimtarit Naum Priftit në studion e Fadil Berishës, Nju Jork 2002.

Filed Under: Kulture

“Një Love Story” – Një baladë e shpirtit shqiptar

April 30, 2025 by s p

Dr.Liliana Pere/

Si një melodi që vjen nga thellësitë e kohës dhe përshkon butësisht damarët e historisë, dokumentari “Një Love Story” me skenar të Angjelina Xharës është një rrëfim filmik – është një këngë e përmallshme për dashurinë, artin dhe kujtesën.

Në qendër të saj qëndron Tefta Tashko Koço, ajo bilbilja e muzikës shqiptare, zëri i së cilës ngjan sikur ka mbirë në një fushë me lule mali dhe është rritur nën dritën e hënës. Filmi e përshkruan Teftën si një shpirt të ndjeshëm, të ngjashëm me harqet e violinës që dridhen në ajër, si një petal i bardhë trëndafili që ruan aromën e një epoke të artë dhe të dhimbshme njëherësh.

Me një mjeshtëri të rrallë, Xhara thur një rrjetë emocionesh, ku fjala dhe imazhi ngatërrohen si fijet e një tapicerie të lashtë që rrëfen më shumë sesa mund të thotë historia.

Tefta nuk është thjesht një këngëtare në këtë dokumentar – ajo është një simbol i dashurisë së patundur, një yll që nuk shuhet edhe pse nata ka rënë. Dashuria e saj me Kristo Koçon ngjan me një poemë të ndaluar, një letër e lënë përgjysmë mbi një piano të heshtur. Është një dashuri që flet pak, por thërret fort, si një valë që përkëdhel bregun por mban brenda saj gjithë fuqinë e detit.

Dokumentari nuk qëndron në sipërfaqe. Ai zbret thellë në shpirtin e një gruaje që i këndoi Shqipërisë me zë të perëndive, që veshi muzikën popullore me petkun e operës dhe që vdiq e re, por jetoi sa për dhjetë jetë. Xhara i jep Teftës një jetë të dytë nëpërmjet kujtesës kolektive, nëpërmjet një rrëfimi që të merr përdore dhe të çon në një kohë ku arti ishte rrëfim i zemrës, jo i tregut.

Dokumentari ka per regjisori Ylli Pepo sjell në vëmendje jetën dhe historinë e dashurisë së dy figurave të shquara të skenës shqiptare të viteve ’30–’40: sopranoja lirike Tefta Tashko Koço dhe baritoni Kristaq Koço. Përmes një qasjeje artistike të veçantë dhe një rrëfimi të ngrohtë emocional, filmi eksploron udhëtimin e tyre përmes kujtimesh personale, letrave të dashurisë, intervistave dhe materialeve arkivore të rralla.

Skenari, i shkruar nga Angjelina Xhara Papalilo – një autore me përvojë të gjatë në fushën e artit dhe letërsisë – është i ndërtuar mbi dokumente autentike dhe emocione që tejkalojnë kohën. Filmi shpaloset në vende të lidhura ngushtë me jetën e tyre, si Tirana, Korça, Dardha dhe Boboshtica, si dhe në qytete franceze ku Tefta kreu studimet – Montpellier dhe Paris.

Kontribut të rëndësishëm në këtë prodhim ka dhënë edhe Eno Koço, djali i çiftit, i cili ka mbledhur me kujdes një thesar të vërtetë kujtimesh: letra, fotografi dhe dëshmi që gjallërojnë jetën e prindërve të tij dhe periudhën në të cilën ata krijuan. Përmes këtij materiali të çmuar, dokumentari pasqyron jo vetëm lidhjen e tyre të fortë personale, por edhe përkushtimin ndaj artit dhe sfidat që përballuan për të ngritur muzikën qytetare shqiptare në nivele të larta.

Filmi përshkruan gjithashtu rrugëtimin e tyre artistik, që nga debutimi i Teftës në vitin 1927 deri te koncertet e shumta në qytete të ndryshme si Durrësi, Gjirokastra apo Vlora. Nuk mungojnë as episodet sfiduese të jetës së tyre, si ndërprerja e bursës së Teftës në Francë apo vështirësitë ekonomike që ndikuan në rrugëtimin e tyre profesional.

Duke ndërlidhur të kaluarën me të tashmen përmes interpretuesve bashkëkohorë – aktorë dhe këngëtarë të njohur – dokumentari shndërrohet në më shumë sesa një histori dashurie: ai bëhet një testament i trashëgimisë shpirtërore dhe kulturore të një epoke që formësoi identitetin artistik të Shqipërisë.

Një film që i bën nder dy emrave të mëdhenj të artit tonë, duke sjellë një reflektim të thellë mbi fuqinë që kanë dashuria dhe arti për të ndikuar në jetën individuale dhe kolektive. Siç shprehet vetë regjisori Pepo, ky është një film që ka rëndësi për kohën në të cilën jetojmë – një rikujtesë frymëzuese për të kaluarën dhe një thirrje e heshtur për brezat e rinj.

Dëshiron ta përshtatim edhe si tekst për narracion filmi apo ndoshta për një katalog artistik?

Në fund, “Një Love Story” nuk është vetëm thjesht një film – është një lutje e ëmbël, një psherëtimë e gjatë në erën e kujtesës kombëtare, një himn për një grua që u bë zë. Dhe ky zë, i Teftës, tingëllon ende – si një jehonë që nuk shuhet, por vazhdon të këndojë në shpirtin e çdo shqiptari që di të dëgjojë.

Filed Under: Kulture

Mëshirë, ti je emri i Zotit — Një ese filozofiko-teologjike mbi mendimin e Papa Françeskut

April 26, 2025 by s p

Nga Rafael Floqi 

Mendimet e Papa Françeskut mbi mëshirën e Zotit janë ndër shtyllat kryesore të pontifikatit të tij dhe përbëjnë një nga temat më të përsëritura në fjalimet, shkrimet dhe veprimtarinë e tij pastorale. Ja disa pika kyçe që përmbledhin thelbin e reflektimeve të tij mbi mëshirën:

 Mëshira si emri i Zotit

Papa Françesku e ka quajtur mëshirën si “emrin e dytë të Zotit”, duke theksuar se Zoti nuk është thjesht gjykatës apo ligjvënës, por mbi të gjitha Ati mëshirues. Në librin e tij “Emri i Zotit është Mëshirë” (2016), ai thotë:

    “Zoti nuk lodhet kurrë së faluri. Ne jemi ata që lodhemi duke kërkuar mëshirë.”

 Kisha si shtëpi e mëshirës

Papa Françesku beson se Kisha duhet të jetë një “spital fushe” ku të plagosurit nga mëkati dhe jeta gjejnë shërim përmes mëshirës. Ai ka kritikuar një qëndrim dogmatik dhe të ftohtë të Kishës që përjashton mëkatarët në vend që t’i afrohet atyre me dashuri dhe mirëkuptim.

Në një botë të lodhur nga pasiguritë, të mbërthyer nga vetmia e ekzistencës moderne, e cila shpesh e përfytyron Zotin si një strukturë të largët dhe të heshtur, Papa Françesku na fton të rikthejmë sytë nga një fytyrë tjetër: fytyra e mëshirës. Në thelb të pontifikatit të tij qëndron një akt filozofik i kthimit tek thelbësorja — Zoti si mëshirë, jo thjesht si fuqi apo si gjykatës, por si prani që ulet, përqafon dhe fal. Në këtë kuptim, mëshira nuk është një atribut ndër të tjerët, por vetë natyra ontologjike e Hyjit.

Mëshira si kategori metafizike

Papa Françesku shkon përtej një leximi moral të mëshirës. Në fjalët e tij, mëshira shfaqet si një kategori që i përket qenies së Zotit — një mënyrë e qenësishme e të ekzistuarit të Hyjit. Në këtë sens, mëshira nuk është një reagim ndaj mëkatit, por është një akt i pastër i lirisë hyjnore, një mënyrë se si Zoti vendos të jetë përballë krijesës së tij të thyer. Kjo mëshirë nuk lind prej nevojës, por prej dashurisë — ajo është liri në shërbim të tjetrit.

Ky qëndrim na afron me misticizmin e shekujve të mëdhenj. Shenjtërit si Shën Tereza e Avilës apo Shën Gjoni i Kryqit flasin për një Zot që “digjet nga dëshira për të dashur”, dhe Papa Françesku, në gjuhën e shekullit XXI, rikthen këtë zjarr.

Antropologjia e mëshirës

Nëse Zoti është mëshirë, atëherë njeriu, i krijuar “sipas shëmbëlltyrës së Tij”, është thirrur të jetojë një antropologji të mëshirës. Për Papën, njeriu nuk është thjesht “qenie morale” e ngarkuar me ligje, por një qenie e etur për pajtim, për dashuri, për përqafim. E keqja nuk është fundi i historisë së njeriut, por vetëm ndërprerja e saj. Mëshira është akti që rihap të ardhmen.

Në këtë kuptim, mëkati nuk përbën thelbin e njeriut, por plagën që kërkon shërim. Mëshira, siç e koncepton Françesku, nuk është justifikim, por rikonstituim — ajo nuk e anulon të vërtetën e mëkatit, por e tejkalon me një të vërtetë më të lartë: dashurinë që nuk resht së besuari në të mirën e njeriut.

Kisha si ikonë e mëshirës

Kisha, sipas Papës, nuk është një kështjellë e mbyllur për të përsosurit, por një “spital fushe” për të plagosurit. Kjo metaforë ka një peshë të madhe filozofike dhe ekleziale: ajo thyen me paradigmat e së kaluarës që e lidhën shenjtërinë me pastërtinë morale. Kisha nuk është thesari i të shenjtëve, por dora e shtrirë drejt mëkatarit..

Ky koncept ngre edhe një sfidë: a mundet të qëndrojmë besnikë ndaj së vërtetës pa u bërë gjykatës të hidhur? Për Françeskun, përgjigjja është po. E vërteta pa mëshirën shndërrohet në armë; mëshira pa të vërtetën bëhet sentimentalizëm. Por kur bashkohen, lind ajo që ai e quan “nënshtrimi hyjnor i dashurisë”: një Zot që zbret për të ngritur, jo për të poshtëruar.

Mëshira si filozofi politike dhe sociale

Nuk është rastësi që Françesku e sheh mëshirën si kategori jo vetëm teologjike, por edhe shoqërore. Në një kohë të përçarjeve globale, luftërave dhe pabarazive, mëshira bëhet një akt subversiv, një kritikë ndaj indiferencës dhe një kundërvënie ndaj logjikës së përjashtimit.

Të jesh mëshirues sot do të thotë të qëndrosh përballë logjikës së tregut që e mat vlerën e njeriut me produktivitetin, përballë politikave që e shohin tjetërsinë si kërcënim. Në këtë kuptim, mëshira bëhet filozofi e rezistencës — një mënyrë për të mos pranuar që njerëzit të ndahen në të vlefshëm dhe të pavlefshëm. Mëshira si fund dhe fillim i të gjitha gjërave

Në fund të gjithçkaje, mëshira nuk është thjesht një ilaç për një botë të sëmurë, por ajo është vetë realiteti i ri që Jezusi solli. Është zëri që ngjall të vdekurin, është përqafimi që ndryshon zemrën e birit plangprishës, është loti i Atit që kthehet në buzëqeshje. Mëshira është fillimi i një rendi të ri, ku pushteti është shërbim, ligji është dashuri, dhe gjykimi është shpresë.

Papa Françesku nuk ofron një teologji të re; ai kujton atë që është më e lashta: se Zoti është dashuri, dhe dashuria, kur zbret në tokë, merr emrin mëshirë. Në një botë që ka harruar të falë dhe të presë, kjo është një revolucion i qetë, por rrënjësor. Mëshira nuk është një strategji fetare. Është e vetmja mënyrë për të qenë thellësisht njerëzor dhe thellësisht hyjnor.

 Viti Jubilar i Mëshirës (2015–2016)

Françesku shpalli një Jubile të Jashtëzakonshme të Mëshirës, duke i ftuar të gjithë të krishterët dhe botën në reflektim e veprim përmes veprave të mëshirës shpirtërore dhe trupore. Gjatë këtij viti, ai vendosi që edhe priftërinjtë të kishin fuqinë të falnin mëkatin e abortit — një gjest domethënës i hapjes dhe mëshirës.

Jezusi, fytyra e mëshirës së Atit

Sipas Papës, mëshira nuk është një koncept abstrakt, por është bërë e dukshme dhe e prekshme në personin e Jezus Krishtit. Ai është mishërimi i mëshirës së Zotit dhe shembulli i përsosur i dashurisë pa kushte.

Gjykimi duhet t’i lihet Zotit

Françesku shpesh thotë se askush nuk duhet të jetë gjykatës i ndërgjegjes së tjetrit. Ai nxit që të krishterët të mos jenë “rojtarë të ligjit” por misionarë të mëshirës. Ky qëndrim është parë edhe në qasjen e tij ndaj të divorcuarve, personave LGBT, dhe atyre që ndihen të larguar nga Kisha.

Në thelb, mëshira për Papa Françeskun nuk është thjesht një virtyt; ajo është mënyra e vetme për ta kuptuar Zotin dhe mënyra më e krishterë për të jetuar. Ajo që për të është më tronditëse, nuk është mëkati i njeriut, por mungesa e besimit në mëshirën e Zotit.

Mendimet e Papa Françeskut mbi mëshirën e Zotit janë ndër shtyllat kryesore të pontifikatit të tij dhe përbëjnë një nga temat më të përsëritura në fjalimet, shkrimet e veprimtarinë e tij. Ne po sjellim nje fragment nga libri  PAPA FRANCESKU, EMRI I ZOTIT ËSHTË MËSHIRA me Një bisedë me gazetarin Andrea Tornielli.

VIZIONI I FRANCESKUT MBI MEKATIN 

Mëngjesin e së dielës, më 17 mars 2013, Françesku kremtoi Meshën e tij të parë pas zgjedhjes së tij si Ipeshkv i Romës, e cila u zhvillua mbrëmjen e së mërkurës së kaluar. Kisha e Shën Anës në Vatikan, një shëtitje e shkurtër nga porta me të njëjtin emër për në shtetin më të vogël në botë dhe kisha famullitare për banorët e Borgo Pio, ishte plot me besimtarë. Isha atje me disa nga miqtë e mi. Me këtë rast, Françesku mbajti predikimin e tij të dytë si Papë dhe foli pa u menduar: “Mesazhi i Jezusit është mëshira. Për mua, dhe e them këtë me përulësi, është mesazhi më i fortë i Zotit.”

Papa zgjodhi të komentonte mbi fragmentin nga Ungjilli i Gjonit që flet për kurorëshkelësen, gruan të cilën skribët dhe farisenjtë ishin gati ta vrisnin me gurë, siç përshkruhej në Ligjin e Moisiut. Jezusi i shpëtoi jetën duke i thirrur kujtdo që ishte pa mëkat të hidhte gurin e parë. Të gjithë u larguan. “As unë nuk të dënoj. Shko, [dhe] që tani e tutje mos mëkato më” (Gjoni 8:11). Françesku, duke iu referuar skribëve dhe farisenjve që e kishin zvarritur gruan para Nazareasit për ta vrarë me gurë, tha: “Ndonjëherë edhe ne na pëlqen t’i qortojmë të tjerët, t’i dënojmë të tjerët.

“Hapi i parë dhe i vetëm i kërkuar për të përjetuar mëshirë, shtoi Papa, është të pranojmë se kemi nevojë për mëshirë. “Jezusi vjen për ne, kur e pranojmë se jemi mëkatarë.” E tëra çfarë është e nevojshme është të mos imitojmë fariseun që qëndroi para altarit dhe falënderoi Perëndinë që nuk ishte mëkatar “si njerëzit e tjerë”. Nëse jemi si ai farise, nëse mendojmë se jemi të drejtë, “nuk e njohim zemrën e Zotit dhe nuk do të kemi kurrë gëzimin e ndierjes së kësaj mëshire!” shpjegoi Peshkopi i ri i Romës. 

Ata që kanë zakon t’i gjykojnë njerëzit nga lart, që janë të sigurt për drejtësinë e tyre, që janë mësuar ta konsiderojnë veten të drejtë, të mirë dhe të drejtë, nuk e ndiejnë nevojën të përqafohen dhe të falen. Dhe ka edhe nga ata që e ndiejnë nevojën, por mendojnë se janë të pashpëtueshëm sepse kanë bërë shumë gjëra të këqija. Në lidhje me këtë, Françesku tregoi një dialog që kishte pasur me një burrë i cili, pasi iu dha ky shpjegim i mëshirës, ishte përgjigjur: “Oh, Atë, nëse do ta njihje jetën time, nuk do të më flisje kështu! Kam bërë disa gjëra të tmerrshme!” Kjo ishte përgjigjja e Françeskut: “Aq më mirë! Shko te Jezusi: atij i pëlqen të dëgjojë për këto gjëra. Ai harron, ka një prirje të veçantë për të harruar. Ai harron, të puth, të përqafon dhe thotë: ‘As unë nuk të dënoj. Shko, [dhe] që tani e tutje mos mëkato më.’ 

Për të “treguar mëshirë”, Jezusi shkon përtej “ligjit që kërkonte vrasjen me gurë”. Dhe kështu i thotë gruas të shkojë në paqe. “Mëshira”, tha Peshkopi i Romës gjatë atij predikimi në mëngjes, “është diçka e vështirë për t’u kuptuar: nuk i fshin mëkatet”. Ajo që i fshin mëkatet “është falja e Zotit”. Por mëshira është mënyra me të cilën Zoti fal. Sepse “Jezusi mund të kishte thënë: Unë të fal, tani shko! Siç i tha burrit të paralizuar: ‘Mëkatet e tua janë falur!”” Këtu, në këtë situatë, “Jezusi shkon më tej dhe e këshillon gruan të mos mëkatojë përsëri. Dhe këtu shohim qëndrimin e mëshirshëm të Jezusit: ai i mbron mëkatarët nga armiqtë e tyre, ai e mbron mëkatarin nga një dënim i drejtë”.

Kjo, shtoi Françesku, “vlen edhe për ne. Sa prej nesh do të meritonin të dënoheshin! Dhe do të ishte e drejtë! Por ai fal”. Si? “Me mëshirë, e cila nuk e fshin mëkatin: vetëm falja e Zotit e fshin atë, ndërsa mëshira shkon më tej.” Është “si qielli: ne e shikojmë qiellin kur është plot me yje, por kur dielli del në mëngjes, me gjithë dritën e tij, nuk i shohim më yjet. Kështu është mëshira e Zotit: një dritë e madhe dashurie dhe butësie sepse Zoti nuk fal me një dekret, por me një përkëdhelje.” Ai e bën këtë “duke përkëdhelur plagët e mëkatit tonë””

Filed Under: Kulture

Pianot e para te shqiptarët

April 25, 2025 by s p

Prof.as.dr Hasan Bello/

Piano është një nga instrumentat më të rëndësishëm muzikor. Fillesat e saj datojnë në fund të shek. XVII dhe në fillim të shek. XVIII. Që nga kjo periudhë ajo u përhap nga qytetet italiane në kryeqytetet dhe qytetet kryesore të botës. Në territoret shqiptare, piano i ka fillesat në gjysmën e dytë të shek. XIX. Sipas dokumentave arkivore, pianot e para kanë hyrë në qytetin e Shkodrës.

Në një letër që Engjell Çoba i dërgon Shtjefën Biankut në Venedik në vitin 1877 ai e informon mbi largimin e ushtrisë osmane drejt Tivarit, bashkë bandën publike (daullen) të qytetit. Por, ai ngushëllohej se vendin e saj për t`u argëtuar e kishte zënë Filipi i Kolës me pianon e tij, që luante përnatë.

Një përdorues tjetër i pianos ishte edhe muzikanti i vjetër shkodran Palok Kurti, i cili e përdorte në ahengjet e ndryshme.

Piano e familjes Çoba e cila datonte që në vitin 1877 kishte ngjallur xhelozinë e gruas së konsullit austro-hungarez të Shkodrës, Lipik, e cila e kishte ngacmuar të shoqin me fjalët se çfarë konsulli ishte ai, kur gruaja e tij nuk kishte piano siç kishin disa familje shkodrane. Në vitet 70 të shek. XIX, ky instrument i muzikës klasike filloi të përdorej edhe nga shoqëria “Don Bosko” e jezuitëve.

Sipas të dhënave të pakonfirmuara, thuhet se nga viti 1877-1912 në qytetin e Shkodrës ekzistonin 26-28 piano. Ky instrument përdorej kryesisht nga familjet e shtresës së mesme dhe të lartë katolike, që kishin marrëdhënie tregtare me Venedikun dhe qytete të tjera të Italisë.

Në fund të shek. XIX përdorimi i pianos filloi edhe te disa familja të shtresës së lartë myslimane. Kështu, në konakun e familjes Vlora ekzistenca e saj vijon të jetë e pranishme edhe sot e kësaj dite.

Një dëshmi interesante për përdorimin e pianos nga femrat në fillim të shek. XX vjen nga përkthyesi i njohur shqiptar Jusuf Vrioni. Në librin “Kujtimet e një evropiani”, ai shkruan se ëma e tij, e cila ishte vajza e Hysen Pashë Dinos, pinjolle e familjes së njohur shqiptare nga Preveza dhe mbesë e ish-ministrit të Jashtëm të Perandorisë Osmane, Abedin Pashë Dino, kur ishte martuar me babanë e tij, kryetarin e bashkisë së Beratit, Iliaz Vrionin përveç pajës dhe sendeve të tjera personale kishte sjellë me vete edhe një piano. Megjithëse ishte akoma periudha e sundimit osman, me të mbaruar prezantimet, Iliaz beu e kishte ftuar bashkëshorten që të ulej në piano dhe luante himnin shqiptar. Për shkak se ajo nuk e kishte dëgjuar më parë, disa të pranishëm ia kënduan lehtazi dhe me vesh. Ndërsa ajo filloi t`i përshtaste notat e tij mbi tastierë. Ky veprim kishte ngjallur habinë e grave të tjera, të cilat, çuditeshin sesi një grua arrinte që të luante muzikë përpara burrave.

Në vitet 20-30 piano ishte një instrument i cili po përhapej në të gjitha qytetet kryesore të Shqipërisë. Në disa institucione arsimore, ajo u bë pjesë e programeve shkollore. Në këtë periudhë filloi edhe diplomimi i muzikantëve të parë profesionistë në konservatorët e Austrisë, Francës dhe Italisë, të cilët, organizuan koncerte, siç ishte ai i Tefta Tashkos (me lejen dhe mbështetjen e qeverisë, jo si falsifikimi i filmit “Koncert në vitin 1936”).

Foto: zhurnal.mk

Filed Under: Kulture

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 23
  • 24
  • 25
  • 26
  • 27
  • …
  • 547
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • SHBA dhe arkitektura e re e paqes globale: Diplomacia strategjike dhe ndërtimi i rendit të ri ndërkombëtar në epokën e demokracive të avancuara
  • Isa Boletini, Rënia si Akt Themelues i Ndërgjegjes Kombëtare dhe Alarm i Përhershëm i Historisë Shqiptare
  • Kongresi i Lushnjës dhe periudha përgatitore për Luftën e Vlorës 1920
  • GJON MILI DHE EKSPOZITA MЁ E MADHE FOTOGRAFIKE BOTЁRORE E TЁ GJITHA KOHRAVE
  • Rezoluta-6411,nga SHBA-ja, do të jetëson ndaljen e diskriminimit dhe  zgjidh drejt çështjen e Krahinës Shqiptare
  • IBRAHIM RUGOVA: BURRËSHTETASI QË E SFIDOI DHUNËN ME QYTETËRIM 
  • Mbi romanin “Brenga” të Dr. Pashko R. Camaj
  • Presheva Valley Discrimination Assessment Act Advances
  • Riza Lushta (22 JANAR 1916 – 6 shkurt 1997)
  • Krimet e grekëve ndaj shqiptarëve të pafajshëm në Luftën Italo-Greke (tetor 1940 – prill 1941)
  • Masakra e Reçakut në dritën e Aktakuzës së Tribunalit Penal Ndërkombëtar për ish-Jugosllavinë
  • FATI I URAVE PREJ GURI MBI LUMIN SHKUMBIN
  • Skënderbeu, Alfonsi V dhe Venediku: në dritën e Athanas Gegajt
  • Abaz Kupi si udhëheqës ushtarak i çështjeve kombëtare
  • “Lule e fshatit tim” – Poezi nga Liziana Kiçaj

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT