
Xhelal Zejneli/
Historia dhe gjuha e shqiptarëve, një terra incognita për Evropën shkencore të periudhës së Rilindjes evropiane, u bë relativisht vonë objekt i një interesimi të gjallë dhe hetimi shkencor, për arsye se Shqipëria ende nuk ishte një shtet i pavarur ose autonom, e rrjedhimisht, historia dhe kultura e saj u pa vetëm në kuadrin e një entiteti më të gjerë politik, të Perandorisë Osmane.
Lidhur me prejardhjen e gjuhës shqipe, në literaturën shkencore relevante kanë mbizotëruar pesë hipoteza:
1. Teza ilire: më 1774: historiani suedez, Hans Tunman (Hans Erick Thunmann, 1746-1778); 1811: ushtaraku, diplomati, studiuesi anglez Uiljam Martin Lik (William Martin Leake, 1777-1860); 1854: diplomati gjerman, Johan Georg fon Han (Johann Georges von Hahn, 1811-1869); 1861: gjuhëtari slloven Franc Miklosiç (Franz Miklosich, 1813-1891); 1882: gjuhëtari gjerman, indoevropianist, albanolog me emër Gustav Majer (Gustav Meyer, 1850-1900); 1894: gjuhëtari danez Holger Pedersen, 1867-1953); 1973: gjuhëtari polak, indoevropianist, albanolog Vaclav Çimohovski (Waclaw Cimochowski, Kursk, Rusi, 1912- Gdynia, Poloni, 1982); gjuhëtari gjerman, ilirolog Hans Krahe (Hans Krahe, 1898-1965) etj.
Të gjithë dijetarët e gjuhësisë shqiptare, në krye me Eqrem Çabejin (1908-1980) mbrojnë tezën e prejardhjes ilire të gjuhës shqipe, prejardhjen ilire të shqiptarëve dhe autoktoninë e shqiptarëve në të gjitha hapësirat në Gadishullin Ballkanik.
2. Teza trake: më 1891: filologu gjerman Karl Pauli (Carl Pauli, 1839-1901); 1893: filologu e orientalisti çek-austriak Vilhelm Tomashek (Wilhelm Tomaschek, 1841-1901); 1898: filologu gjerman, indoevropianisti Herman Hirt (Hermann Hirt, 1865-1936); 1921: gjuhëtari ruso-gjerman Maks Fasmer (Max Julius Friedrich Vasmer, 1886-1962); 1927: gjuhëtari gjerman Gustav Vajgand (Gustaw Weigand, 1860-1930); 1938: gjuhëtari austriak-çek Julius Pokorni (Julius Pokorny, 1887-1970); 1954: gjuhëtari kroat, ballkanolog e albanolog Henrik Bariq, (1888-1957); 1957: 1994: historiani gjerman Gotfrid Shram (Gottfried Schramm, 1929-2017).
3. Teza iliro-trake: më 1911: Norbert Jokl (Norbert Jokl) 1925: Paul Kreçmer (Paul Kretschmer); 1940: linguisti italian Vitore Pisani (Vittore Pisani, 1889-1990); 1950: filologu e ballkanologu serb Milan Budimir (1891-1975); 1988: gjuhëtari gjerman, indoevropianist, keltolog, sllavist, u mor edhe me shqipen, mik i shqiptarëve Rolf Këderiç (Rolf Kdderitzsch, 1941-2020).
4. Teza dako-mizike: më 1960: gjuhëtari bullgar Vladimir Georgiev (1908-1986).
5. Teza për zhvillimin e pavarur (autonom): më 1964:
indogjermanisti gjerman Valter Porcig (Walter Porzig, 1895-1961), “Das Albanische und die Vergleichende Indogermanisch Sprachwissenschaft”; 1966: linguisti amerikan Erik Pret Hemp (Eric Pratt Hamp, 1920-2019); 1987: gjuhëtarja ruse, albanologe Agnia Vasiljevna Desnickaja (1912-1992). Sipas studiuesve shqiptarë, Desnickaja i përmbahej mendimit për prejardhjen ilire të shqipes.
* * *
Historian bizantin, i vetmi athinas të cilin e njeh historia e letërsisë bizantine, Laonik HALKOKONDILI (Laonici Chalkokondylas, 1423-1490) është autor i veprës “Tregime historike në dhjetë libra”. Mendohet se ka lindur në Athinë në një familje fisnike, ndër më të dëgjuarat në shekullin XV. Në veprën e tij ka përshkruar ngjarjet e viteve 1298-1487, duke u mbështetur në ato që kishte parë e dëgjuar vetë si dhe në burime të tjera të shkruara. Halkokondili ndoqi modelin e Herodotit dhe të Tukididit. Vepra e Halkokndilit ka rëndësi edhe si burim për historinë e Shqipërisë, përmban të dhëna për ilirët, për prejardhjen e shqiptarëve, për pushtimet e para të osmanëve në Shiqipëri, për zotërimet e Gjon Kastriotit dhe të Gjergj Arianitit, për luftën e Gjin Zenebishit (? – 1417/18) kundër osmanëve, për kryengritjen e shqiptarëve në Gjirokastër në vitin 1433, për luftën e Sfetigradit, për rrethimin e dytë të Krujës dhe disfatën e sulltan Muratit II (1403/1404 – 1451), për marrëveshjet e Gjergj Kastriotit (1405-1468) dhe të Gjergj Arianitit (?1383 – rreth vitit 1462/63) me udhëheqësin ushtarak hungarez, me prejardhje rumune Janosh Huniadin (1407-1456), për ekspeditat e Gjergj Kastriotit në Itali, për luftërat dhe kryengritjet e shqiptarëve të Peloponezit në vitet 1432, 1454 etj.
Në paraqitjen e ngjarjeve, në krahasim me autorë të tjerë, Halkokondili mban një qëndrim më objektiv. Megjithëkëtë, në disa raste në veprën e tij përzihen ngjarjet, lartësohen pa vend pushtimet osmane etj.
Shënim: Herodoti (rreth 484 ose 490 – 424/25 para K.) është historian i Greqisë së lashtë, i quajtur baba i historisë. Gjatë udhëtimeve të tij nëpër Gadishullin Ballkanik vizitoi edhe Ilirinë, Trakinë dhe Maqedoninë. Është autor i veprës “Historia” me 9 libra. Vepra përmban të dhëna edhe për pellazgët. Është i pari autor që zë në gojë emrin e ilirëve.
Tukididi (460 – vdiq pas vitit 400 para K.) historian grek. Ngjarjet historike i shpjegon me mjaft realizëm, ndaj është quajtur historiani i parë i vërtetë. Në veprën e tij ka të dhëna për luftën civile të Epidamnit të vitit 436 para K. si dhe për pjesëmarrjen e Taulantëve në këtë luftë.
* * *
Për shkak të mungesës së të dhënave për Shqipërinë dhe shqiptarët gjatë një periudhe të mesjetës (shekulli VI deri XI), prejardhja e shqiptarëve, në studimet gjermane, u bë objekt i një debati të gjatë shkencor. Studimi i gjuhës shqipe për të arritur në përfundime mbi prejardhjen e saj e të shqiptarëve filloi qysh me filozofin dhe matematikanin gjerman Lajbnic.
Studimi i parë gjerman, e njëkohësisht evropian, rreth prejardhjes së gjuhës shqipe e të shqiptarëve i takon filozofit më të madh të kohës së tij Vilhelm Gotfrid LAJBNIC (Gottfried Wilhelm Lajbniz, 1646-1716). Këtë përpjekje ia kishte kërkuar miku i tij M. V. La Krozë (La Crose) i cili ishte krye-bibliotekist i Bibliotekës Mbretërore të Berlinit, ku tanimë ishte themeluar Akademia e Shkencave e Prusisë. Për prejardhjen e gjuhës shqipe Lajbnici bën fjalë në tri apo në pesë letrat që njihen si “Letra shqiptare” të cilat ia dërgonte krye-bibliotekistit, e që janë shkruar nga 24.06.1704 deri më 15.03.1715. Në to shtroi problemin e prejardhjes së shqipes, e përkimeve, takimeve dhe marrëdhënieve të saj me gjuhët e tjera (indoevropiane). Theksoi nevojën e dallimit të fjalëve me burim vendas nga huazimet. Vuri në dukje përkime dhe analogji të fjalëve shqipe me fjalë të gjuhëve gjermane, latine etj. Theksoi se shqipja është gjuhë e veçantë, e dallueshme nga sllavishtja, hungarishtja, greqishtja, turqishtja.
Në letrën e dytë të datës 10 dhjetor 1709 Lajbnici e quan shqipen “gjuhë e ilirëve të lashtë”. Enciklopedisti i gjuhëve – Lajbnici – thotë se kishte shtënë në dorë një libër dhe një fjalor të gjuhës shqipe, të cilët dihet se janë “Doktrina e kërshtenë” (1618) e Pjetër Budit (1566-1622) dhe “Fjalori latinisht-shqip” (Dictionarium latino-epiroticum) (Romë 1635) i Frang Bardhit (1606-1643). Filozofi i madh, në etimologjizimet e fjalëve shqip operon me një koncept që do të formulohej shkencërisht rreth një shekull më vonë. Shekulli XVIII është shekull i iluminizmit.
Ndër të parët që do të merret me shqiptarët është Hans Erih TUNMAN (Hans Erich Thunmann, 1746-1778). Ai del si eksploratori i parë i Evropës shkencore në historinë e shqiptarëve. Kishte vënë në dorë “Fjalorin latinisht-shqip” të F. Bardhit dhe përkthimin shqip të Katekizmit të Belarminit nga Pjetër Budi. Hans Tunman është historian suedez, një nga albanologët e parë, profesor në Universitetin e Hales (Halle) në Gjermani. Njohja me studentë e tregtarë nga vendet e Evropës Lindore dhe Juglindore, midis tyre edhe me shqiptarë, ia nxiti interesin për ta studiuar gjuhën dhe historinë e atyre vendeve.
Në veprën “Untersuhungen über die Geschichte der östlichen europäischen Völker” (Kërkime për historinë e popujve të Evropës Lindore, Lajpcig 1774), H. Tunman bëri përpjekjen e parë shkencore për të shpjeguar prejardhjen e shqiptarëve dhe të gjuhës së tyre. Vepra ka të bëjë me historinë dhe me prejardhjen e shqiptarëve dhe të rumunëve. Në bazë të argumenteve historike të nxjerra nga burimet greko-latine e bizantine, H. Tunman arriti në përfundimin se shqiptarët mesjetarë janë vazhduesit autoktonë të popullsisë antike të ilirëve, e cila nuk u romanizua si ajo dako-trake paraardhëse e rumunëve, as nuk u zëvendësua në viset e veta nga një popullsi e mëvonshme e dyndur këtu. Duke u mbështetur në burimet bizantine, ai jep historinë e shqiptarëve mesjetarë, si një formacion etnokulturor unitar dhe si faktor politik më vete. Si provë të gjuhës së këtij populli, për të cilin shprehte simpati për shkak të gjendjes së tij të robëruar, H. Tunman përfshiu në këtë vepër fjalorin e mendimtarit dhe filozofit iluminist Theodor Kavaliotit (Voskopojë, 1718 – Voskopojë, 1797) që ia kishte dorëzuar nxënësi i tij Konstandin Xhehani*, një voskopojar i ditur, me të cilin u takua në Hale. Vepra e H. Tunmanit përbën një ndihmesë për të vënë mbi baza shkencore problemin e formimit të popullit shqiptar dhe të gjuhës së tij.
Shënim: Konstandin Xhehani (emri i plotë Konstadin Haxhi Jorgji Xhehani (1740-1822) ishte filozof, mësues, matematikan, poet voskopojar i shekullit XVIII. Lindi në vitin 1740 në qendrën e famshme mesjetare të Shqipërisë, Voskopojë. Ishte nxënës i pedagogut të shquar të asaj kohe Theodor Kavalioti në Akademinë e Re në Voskopojë. Studioi në disa universitete evropiane: në Modra të Sllovakisë, Halle të Prusisë (Gjermani), në Kembrixh, në Leiden të Holandës. Ishte njohës i mirë u kulturës greko-romake dhe asaj evropiane.
* * *
Filozofi, shkrimtari dhe teoricieni i historisë i shekullit XVIII Johan Gotfrid HERDER (Johann Gottfried Herder, 1744-1803) në veprën e tij “Ide për historinë e njerëzimit”, 1784-1791), bën fjalë edhe për popujt e sotëm të Evropës e të botës. Herderi në këtë vepër thotë për shqiptarët: “Ata nuk janë aspak të huaj, por një popull i lashtë i familjes evropiane”. Kjo ide e Herderit pohon autoktoninë e popullit shqiptar. Për të shqiptarët janë popull me histori të lashtë dhe rrjedhin prej ilirëve. Është autori i tretë gjerman ( njëkohësisht edhe evropian) që shprehet në favor të prejardhjes ilire të shqiptarëve.
Në kohën kur është botuar vepra e Herderit, për Evropën shkencore ishte bërë e njohur edhe pikëpamja që mohonte autoktoninë e shqiptarëve (rrjedhimisht edhe prejardhjen ilire të tyre) nëpërmjet autorëve bizantinë Laonik Halkokondilit (rreth 1425-1490) dhe historianëve kishtarë Mishel Le-Quien (Michel Le Quien, 1661-1733) dhe Xhuzepe Simone Asemani (Guiseppe Simone Assemani, 1687-1768) që i bënin shqiptarët të ardhur gjatë mesjetës, i pari nga Alba e Italisë, kurse dy të tjerët – nga Albania e Kaukazit. Në vijën e tyre ishte edhe teza e doktoratës e studiuesit Nikokles në të cilën, nga pozita antishkencore, ai përpiqet të argumentojë ardhjen e shqiptarëve nga Albania e Kaukazit në periudhën e mesjetës, që ishte paraqitur së pari nga historianët kishtarë një shekull para tij.
Koncepti i familjes gjuhësore indoevropiane në formën e tij embrionale u parashtrua së pari nga orientalisti dhe juristi anglez Uilljëm XHONS (William Jons, 1746-1794) rreth 80 vjet pas letrës së Lajbnicit.
Në vitin 1807, gjeografi dhe gazetari danez-francez Konrad MALTE-BRUN (Conrad Malte-Brun, emri i lindjes: Malthe Conrad Bruun. Thisted, Danimark, 1775 – Paris, 1826) botoi në frëngjisht studimin “Essai sur l’origine, les moeurs et l’état actuel de la nation albanaise” (Ese për prejardhjen, zakonet dhe gjendjen e tanishme të kombit shqiptar).
Në vitet 40 të shekullit XIX gjuha shqipe u bë objekt studimi për figura të tilla të shquara botërore të gjuhësisë krahasimtare siç ishin Franc BOPI, profesor në Universitetin e Berlinit dhe August Shlajheri.
Më 1850, gjuhëtari gjerman August SHLAJHER (August Schleicher, 1821-1868), i njohur si themelues i teorisë së pemës gjenealogjike në gjuhësinë e krahasuar indoevropiane dhe rikonstruktuesi i gjuhës protoindoevropiane, vërtetoi karakterin indoevropian të shqipes, duke i dhënë asaj një vend të afërt me greqishten.
Më 1855 Bopi e hodhi poshtë pikëpamjen e Shlajherit rreth lidhjeve të ngushta të shqipes me greqishten. Ky ishte një përfundim i rëndësishëm edhe për lëvizjen patriotike shqiptare gjatë Rilindjes sonë Kombëtare, sepse sillte një argument shkencor kundër propagandës së megali idesë rreth një lidhjeje të lashtë prejardhjeje të përbashkët e kulturore të shqiptarëve me grekët.
Gjuhëtari dhe albanologu gjerman Franc BOP (Franz Bopp, Mainz, 1791 – Berlin, 1867) është themeluesi kryesor i gjuhësisë krahasuese historike indoevropiane. Profesor në Universitetin e Berlinit. Në rrafshin e gjuhësisë krahasuese indoevropiane studioi edhe gjuhën shqipe.
Që në vitin 1843, në një kumtim në Akademinë e Berlinit, analizoi numërorët dhe përemrat e gjuhës shqipe dhe tregoi karakterin indoevropian të tyre, duke konfirmuar përfundimin e gjuhëtarit dhe albanologut bavarez Jozef Riter fon KSILANDER ( Xylander), libri i të cilit “Die Sprache der Albanesen oder Schkipëtaren” (Gjuha e shqiptarëve, 1835) doli nga shtypi më 1835. Në vitin 1854, Bopi botoi studimin “Uber das Albanesische in seinen verwandtschaftlichen Beziehungen” (Mbi gjuhën shqipe në lidhjet e afrisë së saj”, ku u bëri një analizë historike pak a shumë tërësore strukturës gramatikore dhe disa elementeve të leksikut të gjuhës shqipe. Franc Bopi zbuloi një varg elementesh të përbashkëta të shqipes me gjuhët e tjera indoevropiane dhe vërtetoi në mënyrë përfundimtare se ajo bën pjesë në familjen gjuhësore indoevropiane, ku zë një vend të veçantë si gjuhë më vete. Vepra e Franc Bopit qe një gur themeli në studimin e historisë së gjuhës shqipe. Është autor i veprës “A Comparative Grammar of the Sanskrit, Zend, Greek, Latin, Lithuanian, Gothic, German, and Sclavonic languages”, (1833-1852) në 3 vëllime (Gramatika krahasuese e sanskritishtes, zendishtes, greqishtes, latinishtes, lituanishtes, gotishtes, gjermanishtes dhe e sllavishtes së vjetër).
Shënim: Zend është gjuhë e vjetër iraniane me të cilën është shkruar “Zend-Avesta”, libri i shenjtë i religjionit të Zaratustrës. Predikuesi dhe filozofi iranian Zaratustra jetoi midis shekujve VII dhe VI para K. dhe është themelues i religjionit të vjetër persian, mazdaizmit.