• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Skulptori Salah Hammad: Qyteti i Korçës i qetë dhe i bukur, por me njerëz të ndrydhur

July 10, 2015 by dgreca

Nga Vepror Hasani/
“Korça është një qytet i qetë dhe i bukur, por me njerëz të ndrydhur”. Kjo ishte përgjigjja që na dha skulptori egjiptian Salah Hammad, kur e pyetëm se çfarë mbresash i kishte lënë qyteti i Korçës. Ishte herë e parë që dëgjonim një vlerësim të tillë nga një i huaj. Zakonisht, para ikjes, të gjithë përpiqen të thonë ndonjë fjalë të mirë edhe kur ajo nuk është e vërtetë, ndoshta ngaqë edhe ata vetë dëshirojnë të mbahen mend për mirë, por Hammad nuk e kishte këtë kompleks. Preferonte të ishte i vërtetë dhe i drejtpërdrejtë, pa asnjë droje. Nga Korça i kishin mbetur në mendje njerëzit e ndrydhur. Ndoshta këtë gjë e kishte vërejtur sapo kishte hyrë në këtë qytet, ndoshta në një çast tjetër, pak rëndësi ka, Hammad kishte mundur të zbulonte një nga të fshehat e këtij qyteti, që jo të gjithë e shohin, sepse ajo qëndron e heshtur, e kamufluar nën përpjekjet e shumta për ta paraqitur Korçën si një nga qytetet më evropiane të vendit. Fillimisht m’u desh ta kalojë edhe një herë nëpër mend atë që kisha dëgjuar: “Korça qytet me njerëz të ndrydhur”. Po,- mendova,- kjo është e vërtetë”. Ju keni të drejtë z. Hammada,- iu përgjigja. Megjithatë Hammad fliste me dashuri për njerëzit e Korçs për mikpritjen dhe miqësinë që të ofronin. Megjithate Hammad do të na zbkojë edhe çudi të tjera të qytetit të Korcëcs.

Njerëzit e ndrydhur

Salah Hammad është një nga skulptorët pjesëmarrës në simpozimin “Skulpturat e parkut” në qytetin e Korçës. Ndoshta me të mbërritur në Korçë atij iu desh të gjente një ide, që të ishte “korçare”, t’i ngjasonte asaj, që kur njerëzit tashihnin të thoshin: “po si fytyrë e njohur na duket”, dhe ajo që i mbeti në mendje Salah Hammad-it kishte qenë ndrydhja e këtij qyteti. Ndaj edhe kur u gjend para copës së shkëmbit të mermertë, edhe kur nisi t’i hiqte pjesët e tepërta e saj, pas çdo prerje që bënte, guri po i shndërrohej në një dryn. Në një dryn të madh e të rëndë. Mbrëmjeve, kureshtarët e vështronin me çudi, i silleshin rreth e qark me përpjekjen për t’i gjetur domethënien. Sigurisht, të gjithë e shihnin që ishte një dryn i madh, por përse vallë skulptori egjiptian Salah Hammad kishte përzgjedhur një send të tillë për qytetin e Korçës? Pas kësaj shkonin edhe te skulpturat e tjera që po merrnin jetë nga skulptori Liu Yang (nga Kina), François Ëeil dhe Patrice Belin (nga Franca) dhe nga shqiptarja Fiona Mali. Që të gjitha ishin të bukura, të mpiksura nga realja dhe abstraktja, ofronin pamje të magjishme. Çkodifikimi i mesazheve ngjasonte më një lojë mes kureshtarëve dhe skulpturave. Nëse dikush do t’u thoshte që dryni shpreh ndrydhjen, atëherë gjithkush do të thoshte: “Po kjo është një e vërtetë e madhe për Korçën”

Salah Hamad

Nuk kishte asnjë mundësi që skulptori egjiptian të ishte gabuar në zbulimin e të fshehtave të Korçës, të ndrydhjes së saj. Gjatë gjithë jetës së tij kishte vizituar shumë qytete të botës e kishte njohur nga afër shumë njerëz të këtij planeti. Skulptori Gentjan Tavanxhiu, ideatori i simpoziumeve “Skulptura e parkut” në Korçë, njëherazi edhe përkthyesi i bisedës tonë, na tregon se me Hammad ishte njohur në Kinë në vitin 2011. Aty, por edhe më pas, kishte mësuar se Hammad kishte marrë pjesë në 40 sipoziume që do të thotë në 40 vende të ndryshme: në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, në Francë, në Itali, në Turqi, në Kinë, në Vietnam e gjetkë. Numri i vendeve të vizitura prej Hammad-it është i madh, pasi ka qenë edhe pjesëmarrës në bienalet e vendeve të ndryshme të botës, përfshi këtu edhe bienalen e Venecias. Ka një përvojë 30-vjeçare si artist dhe njihet si një nga skulptorët më të rëndësishëm të Egjiptit,- na thotë Tavanxhiu. Në vitin 1993 shkoi në itali për të studiuar, ku mori çmimin e parë, ashtu sikurse edhe në vitin 2000 fitoi sërish çmim të parë të qeverisë për mbrojtjen e punës së tij. Është një skulptor me vlera të mëdha, theksoi Genti Tavanxhiu.

Çuditë e Korçës

Sigurisht, duket se edhe ne nuk ishim gabuar në intuitën tonë. “Dryni” i Hammad-it na tërhoqi vëmendjen që në fillim. Dukej qartazi se diçka kishte për t’ia transmetuar Korçës. Tashmë mesazhin e kësaj vepre e morëm nga vet skulptori. Banorët e Korçës do ta gjejnë të zbërthyer në faqet e gazetës “Telegraf”. Në bisedën me Salah Hammad, patëm rastin që këtij skulptori të madh t’i bëjmë edhe një pyetje tjetër: “Ku vendosen zakonisht vepra të tilla dhe a mund të vendosen ato në rrugë siç ka ndodhur në Korçë?” Përgjigjja e tij na la sërish të befasuar. “Këtë gjë nuk e kam parë në asnjë vend tjetër të botës-tha ai. Skulpturat vendosen nëpër parqe, sheshe, lulishte, ku njerëzit shkojnë për t’u çlodhur, atje gjejnë edhe mundësinë e soditjes, por kurrsesi në rrugë, pasi ato në vende të tilla humbasin vlerat e tyre. Një vepër arti, siç është skulptura në rastin tonë, ka nevojë për hapësirë. Nëse mendohet të vihen në rrugë apo trotuar, atëherë duhet menduar edhe për hapësirën e nevojshme që kërkojnë ato. Gjithsesi, vendosjen e skulpturave në trotuar po e e shoh vetëm në Korçë”. Shpjegimi i Ahmmadit ishte i drejtë. Nëse “dryni” i tij do të vendosej në grumbullin e skulpturave të tjera mbi trotuar, atëherë ashtu si gjithë skulpturat e vendosura aty, edhe dryni i Hammad-it do të humbiste vlerat reale. Madje Kjo vepër i bën mirë Korçës ta vendosë në një shesh të madh

Dëmtimi i skulpturave

Skulptori egjiptian, Salah Hammad gjatë bisedës tonë u ndal edhe te dëmtimi i skulpturave nga vetë banorët e Korçës. Ai ndjente keqardhje ndaj akteve të tilla barbare. Nuk mund ta kuptonte dot një gjë të tillë. Në një vend normal ka vlerësim dhe nderim për artin dhe njerëzit e artit. Dhe e vërteta kështu është. Deri më sot ndodhi të tilla kanë mbetur të pashpjegueshme. Autorët ende nuk dihet cilët janë. Ata sërish do të dalin të thyejnë skulptura, por tashmë duket se e kemi një përgjigje: a nuk është ndrydhja e njerëzve të këtij qyteti, ajo që i nxit ata të hakmerren me skulpturat, siç bënin dikur njerëzit me makinat? A nuk vërehet çdo ditë padrejtësia në punësim, ku njerëzit në këtë qytet janë të ndarë në të nënës dhe të njerkës? Ndoshta është e çuditshmë, por do të mbetet përjetësisht e vërtetë: skulptorit egjiptian ndrydhja e qytetit i kishte rënë në sy që në çastin e parë, dhe ndrydhejn e këtij qyteti ai e shndërroi në një monument të madh e të rëndë, në një dryn. Në përfundim të bisdës, skulptori Hammad, falenderoi Genti Tavanxhiun për ftesën që i kishte drejtuar për të marrë pjesë në “Skulptura e parkut” 2015. “Tavanxhiu është një artist i zoti”- tha, Salah Hammad. Ishte kjo ftese që bëri të mundur zbulimin e të fshehtave të Korçës nëpërmjet syrit të një artisti

Filed Under: Kulture Tagged With: flet skulptori Egjiptian, Korca, Salah Hammad, Vepror Hasani

U promovua filmi dokumentar “Skënderbeu i pagjumë”

July 9, 2015 by dgreca

Nga Zhuljeta Grabocka Çina/
Gjinia e dokumetarit, si kronikë e ngjarjeve aktuale për të çuar në kujtesën kolektive rrugën, përpjekjet e njerëzve të zakonshëm e udheheqës, kryen detyrën e krijimit te fytyrës se një epoke të caktuar. Promovimi i dokumentarit “Skënderbeu i pagjumë” në mjediset e AQF me regji te Angjelina Xhara.e Bujar Kore,skenar të A. Xharrës, operator Ermal Kore..kosulente shkencorë Prof. Dr.Moikom Zeqo e Valentina Duka, Zhani Ciko e Virgjil Kule.etj e tejkaloi këtë detyrë. Duke i dhënë skenarit një peshë emocionale, që njeriu i ditës të përjetojë përditshmërinë duke shkundur nga pluhuri i harresës arkivat e Filmit e të RTSH. Të dukej se kinostudioja po ripërtërihej përsëri. Kishin bujtur për të uruar kolegët, mjeshtra e themelues të këtij institucioni. Dhe ata nuk i zhgënjen. Roza Anagnisti ikona e filmit shqiptar shprehet me fjalët më te mira per realizimin e dokumentarit, Tinka Kurti e Margarita Xhepa aktoret e filmit e tëekranit për gjysëm shekulli e quajtën një sukses të ri në gjininë e dokumentarit. Flora Uka do të pëmendte përlotjen disa herë,duke nënvizuar rëndësinë e trajtimit të temës historike e emocionin patriotik që ajo të jep. Kosulenca e zgjedhur bëri, që Skënderbeu t’i vijë shikuesit me mesazhin e qytetarit të shqetësuar për fatet e mëtejshme të kombit. Në këtë mënyrë realizuesit e kanë të qartë, se po realizojnë një dokumentar, që i kalonte kufijtë e një dokumentari të zakonshëm. Kineastë e dokumentarist thonë vetëm përgëzime: Kujtim Gjonaj, Ilia Tërpini, Kolec Traboini, Ilia Dede. Gazetarë si Albert Xholi, e Juli Vrapi kanë bërë artikuj të veçantë mikpritës për këtë film dokumentar. Bashkëpunimi i autorëve kryesorë A. Xhara e B. Kore eshte i dukshëm e i sukseshëm në realizimin e një dokumentari historik. Gjithçka falë pasionit e punës. E kaluara, e tashmja dhe e ardhmja shkrihen në një. Sekuencat e tij janë të njohura. Renditen pamjet e filmit “Skënderbeu”,pamjet e inagurimeve të veprave skulturore në Shqipëri, Kosovë e Maqedoni. Por gjeografia e tij si qytetar i Europës shtrihet më tej. Në sheshet e Romës e Kalabrisë e Siqilisë, Bruksel e Detroi. Dimensioni i Skenderbeut strategut e humanistit e kapërxen epokat. Duke folur për të krijuesit e veprave e qytetarët per përjetimet e tyre. Shqetësimi krijues i autorëve të dokumentarit del i qartë. Në këtë mijëvjeçar të ri Shqipëria troket në dyert e Bashkimit Evropian si pjesë e proçeseve të saj. Gjuha e dokumentarit përdor bukur simbolikën e Skënderbeut. dhe detajeve që.lidhen me misionin e tij. Ai ështe i pranishëm midis nesh , në çdo eviniment kombëtar, kthese e ribërjeje, me kalin e tij “i pagjumë ” në sheshin e madh të kryeqytetit tonë e kudo ku jetojnë shqiptarë. Përsëritja e imazhit te tij i rrethuar me dëborë e shqotë edhe i të njëjtave rrugë detare, që përcollën përpjekjet diplomatike të tij, e bëjnë të afërt për kohën, që po jetojmë duke ndriçuaruar koshiencën tonë historike. Përsëri Skënderbeu, skënderjada, mbetet si gjithnjë simbol i madh i unitetit, formësimit dhe vizionarit historik. Dokumentari u përjetua me mbresa të fuqishme krenarie e përgjegjësie qytetare. Shqitarët janë në pritje të lajmit të mirë. Orrakulli e thotë, ora po vjen. Ne kemi mitin tonë, mikun e qytetarin e hershëm të Evropës, Skënderbeun. Janë shqiptarët, që duhet ta meritojnë, që Evropa mos na zhgënjejë këtë herë.

Filed Under: Kulture Tagged With: ”Skënderbeu i pagjumë”, filmi dokumentar, u promovua, Zhuljeta Grabocka Cina

Dardani Antike në Vrellë të Istogut

July 7, 2015 by dgreca

Nga Behlul Jashari/ PRISHTINË,7 Korrik 2015-Ministria e Kulturës e Kosovës “është e interesuar jashtëzakonisht shumë për të gjurmuar vendbanime me rëndësi, që dëshmojnë gjurmë të hershme të Dardanisë Antike”, tha sot ministri Kujtim Shala. Ai vizitoi sot Vrellën e Istogut, ku së fundi janë bërë gërmime me rëndësi arkeologjike për trashëgiminë kulturore të Kosovës.
Pas zbulimeve të rëndësishme që ka bërë Instituti Arkeologjik i Kosovës në këtë vendbanim, ministri Shala u interesua t’i shoh për së afërmi të gjeturat në këtë vend. Zbulimet tregojnë një vendbanim të hershëm, ku vërehen gjurmët banimit që nga periudha e antikës së vonshme dhe të mesjetës së hershme.
“Këto të gjetura janë me vlerë për trashëgiminë kulturore të Kosovës”, tha ministri Shala.Au u zotua se do të ndihmojë programin e Institutit të Arkeologjisë së Kosovës për sa më shumë gjurmime dhe konservim të trashëgimisë kulturore të Kosovës.
Kryetari i komunës së Istogut, Haki Rugova, theksoi se në kuadër të mbështetjes së Institutit Arkeologjik të Kosovës, komuna ka përkrahur punën që bën IAK dhe tregoi se do të botohet një libër me të dhëna arkeologjike për Istogun. Ai gjithashtu tha se bashkëpunimi me Ministrinw e Kulturws është i mirëpritur dhe pret që ai të rritet edhe më tej në të ardhmen.

Filed Under: Kulture Tagged With: Behlul Jashari, Dardani Antike, në Vrellë, të Istogut

Bebe Rexha i shkroi këngën Rihannës, por…

July 6, 2015 by dgreca

Rexha, që ka shkruar tekstin e këngës “The Monster” të Eminemit dhe Rihannas në vitin 2013, ka treguar se akoma nuk i ka takuar dy këngëtarët e famshëm/
Nga Beqir SINA – New York/
Emri më i ri shqiptar në Shtetet e Bashkuara, që po bën bujë në botën e muzikës, mbas artistes me famë botërore Rita Ora nga Kosova, duket sikur është një tjetër talent edhe ky shqiptare, por nga Dibra e Madhe, e cila deri tani ka “përmbytur’ shtypin amerikan, dhe rrjete sociale, facebook, twitter, youtube e tjer. Ajo është Bleta ose aka Bebe Rexha banore e qyteti Brooklyn në New York.
Megjithëse, të gjitha mediat amerikane, e kanë nënvizuar se Ylli i ri i muzikës, ka origjinë shqiptare, por thuhet se edhe ajo vetë, kurrë nuk e mohon këtë fakt. Nuk le rast për ta bërë të ditur faktin se Bebe Rexha, është shqipëtare nga Dibra e Madhe. Prandaj gjithmonë në faqen e saj në rrjetin social Facebook, shpesh publikon statuse ku ajo flet me krenari se ajo është shqiptare.
“Bebe Rexha, i shkroi këngën Rihannës, por akoma s’e ka takuar”: ky ishte titulli i një shkrimi nga gazeta konservative njujorkeze New York Post , e cila shkruan se këngëtarja e njohur me prejardhje shqiptare, Bebe Rexha, që ka shkruar tekstin e këngës “The Monster” të Eminemit dhe Rihannas në vitin 2013, ka treguar se akoma nuk i ka takuar dy këngëtarët e famshëm.
Madje ajo tregon se kishte pasur një mundësi të takohej me Rihannën në qendrën “Saks”, ku Rexha punonte , por dhe ky ka qenë një rast “i humbur” sepse Rihana nuk e ka “njohur” tekstshkruesen e disa këngëve të saj . “Isha shumë e lumtur, por ajo nuk më foli.- Sidoqoftë, unë mendoj se është O kay!…Shumë mirë ! -sepse , ajo jeton në botën e vet”, ka rrëfyer dibranja në Amerikë, Bebe Rexha për gazetën konservative të Nju Jorkut, “New York Post”.
Mirëpo, gazeta ka zbuluar se Rexha kishte dështuar të takohej edhe me disa nga yjet në festivalin e muzikës në Lollapalooza vitin e kaluar. “Mezi prisja të shihja këngën time duke u performuar live, por roja i sigurisë – nuk më lejoi t’i afrohesha skenës”,thotë e “pezmatuar” Rexha ngaqë nuk ka takuar ende këngëtaret të cilave edhe u ka shkruar ndonjë këngë madje qoft edhe hit në tregjet e njohura të muzikës.
Kohë kjo kur talenti shqiptar, Bebe Rexha, që konsiderohet një Rita Ora e ardhshme, që prej asaj kohe nisi të “shpërthente” në tregun amerikan. Ajo në atë kohë lansoi ‘mini-albumin’ “I Don’t Wanna Grow Up” në maj dhe tani ka nisur një turne veror p ër promovimin e albumit të fundit.
Këngëtarja shqiptare, në Shtetet e Bashkuara – Bebe Rexha, nëpërmjet rrjetit social facebook i kishte njoftuar adhuruesit e saj të shumtë se ka lansuar dhe videoklipin më të fundit, atë të këngës me titull “I’m gonna show you crazy”.” Kënga, është lëshuar në mënyrë dixhitale që me 23 dhjetor 2014 në iTunes .
Simbas komentuesve të postimit të saj, thuhet se kjo këngë, është realizuar në versionin akustik, gjithashtu ajo mendohet se ka dalë mjaft e mirë dhe në video – klipe, ku ylli në ngritje – talenti shqiptar Bebe Rexha e cila jeton në Staten Island – Nju Jork, këndon dhe shfaq stilin se si një femër që mund të shkoj duke treguar si “e çmendur” ashtu si është edhe titulli i këngës “I’m gonna show you crazy”..
Eshtë interesant fakti se kënga “I’m gonna show you crazy”, deri tani simbas “regjistruesit” automatik në internet është klikuar nga më se 20 milionë herë në websitin Spotify – iTunes.
Kënga është llojit të kënduar singël i dytë i këngëtares, pas baladës “I can’t stop drinking about you”.
Në artikullin e fundjavës së shkuar gazeta New York Post dedikuar këngëtares së famshme shqiptare në Amerikë Bebe Rexha – tregohet edhe për prejardhjen e saj.
Ajo thuhet se ka lindur në Brooklyn, dhe në moshën gjashtë vjeçare nisi të mësonte trumbetën, kitarën dhe pianon. Edhe pse ishte shumë e re ajo ishte zbuluar menjëherë nga ‘skautët’ e talenteve.
Biografia :Rexha u lind më 30 gusht, 1989 në lagjen e njohur njujorkeze Brooklyn – Nju Jork, nga prindërit shqiptarë me origjinë nga Dibra e Madhe, Republika e Maqedonisë. Rexha filloi qasjen e saj në muzikë, qysh në moshën 4 vjeç, dhe vazhdoi të ndjekë dashurinë e saj për muzikën përmes shkollës së mesme, duke marrë pjesë në preformancat muzikale Hello, Dolly!, Jesus Christ Superstar, Fiddler dhe asaj Roof. Ajo tregon se ishte frymëzuar nga muzikantë të till si Stevie Wonder, Tori Amos, John Legend, dhe tundimet e tjera të yjeve të muzikës. Rexha fituar di çmime mes tyre edhe çmimin “”Best Teen Songwriter” në Akademinë Kombëtare të Arteve & e Shkencave të Recording – një ngjarje vjetore prestigjoze në New York e cila thirret “Dita Grammy”, çka i ka dhënë mundësinë asaj të takohet me shumë prodhues të suksesshme të muzikës së saj. –

Filed Under: Kulture Tagged With: bebe Rexha, Beqir Sina, i shkroi kenge Rihannes

DOLI NUMRI DHJETË JUBILAR I REVISTËS MALËSIA

July 6, 2015 by dgreca

Doli nga botimi numri 10 jubilar i revistës për kulturë, shkencë dhe çështje shoqërore Malësia, në Podgoricë, Mali i Zi, i cili sjellë rreth 50 artikuj shkencorë, recensione, vështrime dhe përurime. Në këtë numer kanë bashkëpunuar studiues nga Shqipëria, kosova, Maqedonia, Kroacia, Bullgaria, Italia, Suedia, Gjermania, Austria, Rumunia dhe Mali i Zi.
Në rubrikën “kulturë” punimet e veta i kanë prezantuar 31 autorë: Akademik Aleksandër STIPÇEVIQ ” Etnogjeneza e shqiptarëve nga ilirët”; Prof. dr. Anton Nikë BERISHA “Mbi pasthëniet e Pjetër Budit në “Doktrinën e krishterë“ dhe në “Ritualin romak“; Prof. dr. Shefkije ISLAMAJ “Tribuna të mëdha të filologjiisë shqiptare: “Studime filologjike“ dhe “Gjurmime albanologjike“; Pof.dr.Valter Memisha” Ndihmesa shkencore e akademik Shaban Demiraj në faqet e revistës“studime filologjike”; Akademik Gjovalin SHKURTAJ “Ndihmesa e Prof. Mahir Domit në lëmin e dialektologjisë dhe të onomastikës shqiptare”; Prof. dr. Matteo MANDALÀ” Letrat e pabotuara të Mitkos për Kamardën: shënime paraprake për botimin e tyre”; Prof. dr. Tomor OSMANI” Preng Doçi themelues i shoqërisë“Bashkimi“ dhe ndihmesa që
dha ajo për njësimin e alfabetit të shqipes”; Prof. dr. Shaban SINANI ” Një lexim etnografik në letërsinë e I. Kadaresë- Me një vështrim të posaçëm në veprat Çështjet e marrëzisë dhe Konkurs bukurie për burrat në Bjeshkët e Nemuna -“; Prof. dr. Hajrullah KOLIQI” Anton Harapi për vëllazërimin ndërshqiptar”; Prof. dr. Zymer Ujkan NEZIRI Mbledhja dhe botimi i eposit të kreshnikëve nga krahina e Trieshit: kontributi i Nikollë Ivanajt”; Dr. Xhavit BEQIRI” Fishta dhe “Lahuta”; Prof. dr. Mustafa IBRAHIMI” Njësi frazeologjike me gjymtyrë emra vendesh”; Prof. dr. Roland ZISI” Himara në veprën poetike të Jeronim de Radës”; Prof. dr. Josif MITA” Për përshtatjen sintaksore”; Prof. dr. Adem ZEJNULLAHU ” Drama e një balade familjare”; Dr. Fiorella DE ROSA” Rreth disa veçantive gjuhësore dhe letrare të teksteve folklorike të Fallkunarës të botuara në revistën “La Cabria“ (1888-1902)”; Prof. as. dr. Muharrem JAKUPI” Modernizmi në prozën shqiptare dhe fillimet e ligjërimit të brendshëm në romanet Ismail Kadaresë”; Dr. Anila ÇEPANI – dr. Rozana RUSHITI” Vështrim historiko-krahasues i toponimeve të ndryshuara në 100 vjet”; Dr. Kastriot MARKU” Teksti letrar si monument dhe shkrimi i historisë së letersisë shqipe”; Dr. Edlira TROPLINI “ Dukuri të hershme gjuhësore në të folmet e diasporës shqiptare”; Dr. Anisa KOSTERI “Prurje gjuhësore të dy dialekteve në prozën artistike të Adem Demës”; Dr. Ema KRISTO “ Përdorimi i fjalëve brizante në gjuhën e politikës në Shqipëri – Një vështrim mbi karakteristikat e tyre -“; Doktorant Anton GOJÇAJ “Poema epike në Ballkanin Perëndimor (vështrim krahasues)”; Mr. Marina MIHAJLOVA”Ditari i Bedi Pipës”; Doktorante Monika HASANI “Vështrim leksiko-semantik i grupit paradigmatik të përemrave të pacaktuar”; Doktorant Erzen KOPERAJ ” Pjesoret me -m tek autorët veriorë të shekujve XVI-XVIII”; Doktorant Fitor OLLOMANI ” Fjala e artit poetik të Ali Podrimjes”; MA Besa HOXHA-BEQIRI ” Historia e letërsisë e Justin Rrotës”; Doktorante Evalda PACI “Fjalori i Frang Bardhit në një kontekst të historisë së shkrimit të shqipes”; MA Eriola AGALLIU(PhD Following) “Gjeografia dialektore në romanin Me valët e jetës të Vedat Kokonës”; Avdyl SULAJ, studiues “Lirika popullore – shtojzovallja e folklorit shqiptar”.
Në rubrikën nga “histori” janë prezantuar shtat (7) studime shkencore: Prof. dr. Zef MIRDITA “Krishtërimi ndër shqiptarë – riti ortodoks”; Prof. dr. Emine BAKALLI ” Ideja evropiane: Kongresi I i Unionit Panevropa dhe shqiptarët”; Prof. Dr. Lush Culaj ”
Diplomacia austro-hungareze për kryengritjen shqiptare të Malësisë së Mbishkodrës të vitit 1911″; Prof. asoc. dr. Nertila HAXHIA-LJARJA “Rilindja e kishës katolike shqiptare”; Prof. asoc. dr. Gjon BERISHA” Identiteti arbëror i Zetës: kontinuiteti iliro-arbëror i Dioklës (Zetës)”; Dr. Edmond MALAJ ” Familja fisnike shqiptare Engjëlli (Angelus) para pushtimit osman: mbi origjinën dhe gjenealogjinë e familjes Engjëlli”;
Doktorant Eduard NDRECA “ Mirdita në kryengritjen antiosmane të vitit 1911″.
Në rubrikën “recensione” janë prezantuar po ashtu shtat (7) vështrime për disa botime aktuale të autorëve nga Italia, Kosova, Shqipëria, Mali i Zi, Suedia, trajtuar nga Prof. Dr. Anton Nikë Berisha, Prof. Dr. Shaban Sinani, Prof. Dr. Fatbardh Hoxha, Prof. Gjokë Dabaj, Mr. Sheremet Krasniqi dhe Hysen Ibrahimi.
Ky numer mbydhet me vështrime dhe urime për revistën Malësia, nga kryeredaktorët e disa revistave të njohura shkencore, nga drejtuesit e institucioneve universitare, akademike dhe shkencore, si dhe nga intelektualë të tjerë të njohur të shkencës e kulturës shqiptare, sikurse janë: prof. univ. dr. Ardian Kyçyku, bashkëthemelues dhe bashkëdrejtues i revistës europiane Haemues, gjithashtu Rektor i Universitetit Rumun të Shkencave dhe Arteve Gheorghe Cristea në Bukuresht dhe President Ekzekutiv i European Akademy of Performing Arts, Bukuresht, Rumuni; prof. dr. Valter Memisha, kryeredaktor i revistës Studime filologjike dhe drejtor i Institutit të Gjuhësisë dhe Letërsisë në Tiranë; prof. dr. Lulëzim Lajçi, kryeredaktor i revistës Gjurmime albanologjike – seria e shkencave historike, Prishtinë; prof. dr. Fatbardha Hoxha, kryeredaktore e revistës “Buletini shkencor“ dhe drejtore e Institutit të Studimeve Albanologjike të Universitetit të Shkodrës „Luigj Gurakuqi“; prof. dr. Simë Gjon Dobreci, kryeredaktor i revistës Buzuku, Ulqin; z. Anton Marku, ideator dhe themelues i revistës Dielli Demokristian, Vjenë; prof. dr. Anton Nikë Berisha, Universiteti i Kalabrisë; prof. dr. Lush Culaj, Instituti Albanologjik, Prishtinë; prof. asoc. dr. Muharrem Jakupi, Universiteti Aleksandër Moisiu, Durrës.
Themelues dhe kryeredaktor i revistës është Nikë Gashaj(email: malesia@t-com.me; nik.gasaj@gmail.com ).

Filed Under: Kulture Tagged With: DOLI NUMRI DHJETË JUBILAR, I REVISTËS MALËSIA, Nike Gashaj

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 266
  • 267
  • 268
  • 269
  • 270
  • …
  • 544
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NDAA i SHBA-së dhe pozicioni i Kosovës në arkitekturën e sigurisë
  • Alis Kallaçi do të çojë zërin dhe dhimbjen e “Nân”-s shqiptare në Eurovision Song
  • Garë për pushtet…
  • Njëqind vjet vetmi!
  • “Shënime për historinë antike të shqiptarëve”*
  • Si funksionon sistemi juridik në Shqipëri dhe pse ai ka nevojë për korrigjim?
  • Emisionet postare festive të fundvitit në Kosovë
  • JAKOBSTADS TIDNING (1939) / MBRETI ZOG, SHUMË BUJAR ME BAKSHISHE. — EMRI I TIJ NUK DO TË HARROHET KAQ SHPEJT NGA PRONARËT DHE PERSONELI I HOTELEVE NË VARSHAVË.
  • HAFIZ SHERIF LANGU, DELEGATI I PAVARËSISË TË CILIT IU MOHUA KONTRIBUTI PËR 50 VJET ME RRADHË, KLERIKU DHE VEPRIMTARI I SHQUAR I ÇËSHTJES KOMBËTARE
  • RIPUSHTIMI I KOSOVËS – KUVENDI I PRIZRENIT 1945
  • Nikola Tesla, gjeniu që u fiksua pas pëllumbave dhe u dashurua me njërin prej tyre
  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT