• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

KRYENGRITJA E MALËSISË SË  MBISHKODRËS -1911

April 6, 2022 by s p

 -111- VJETORI-     

Nikë Gashaj, Politolog

Nisemi nga njohja e historisë politike se Kryengritja e Malësisë së Mbishkodrës  e vitit 1911 iu imponua fuqishëm historiografisë shqiptare. Kryengritja e Malësisë së Mbishkodrës si dhe gjithë që e përcolli atë u bë objekt shkrimesh e analizash të bashkëkohësve, të huajve që përcollën për së afërmi këtë ngjarje, ndër të cilët spikat Edit Durham.

Në fakt, kjo ngjarje historike u identifikua dhe u përkufizua në përmasat reale të saj, që në hapat e parë të historiografisë shqiptare. Po veçojmë këtu numrat ekskluzivë të revistës Leka të botuar me rastin e përvjetorit të njëzet e pestë të Pavarësisë së Shqipërisë, në vitin 1937. Në këta numra të kësaj reviste iluministe, paraqiten një kronikë e detajuar me titullin “Kryengritja e Malcisë së Mbishkodrës” brenda një kuadri më të gjerë me titull:”Kronikë e Agimit të Lirisë”.

Ndërkaq, historiografia shqiptare që në fazën e parë të saj(vitet 50, 60 të shek.XX), këtë ngjarje historike e përkufizoi si segment të rëndësishëm konstitutiv të Lëvizjes Kombëtare Shqiptare. Kështu në sintezën e parë histografike për historinë e shqiptarëve, titulli Kryengritja e Malësisë së Mbishkodrës zë vend të veçantë në kuadër të kapitullit Shpallja e Pavarësisë së Shqipërisë, e të cilin kapitull e përgatiti historiani Prof. dr. Stefanaq Pollo. Kurse në sintezën e fundit të historisë së shqiptarëve, kësaj ngjarje i kushtohet një kapitull e veçantë, i cili është përgatitur nga historiani Prof. dr. Gazmend Shpuza.

Kryengritja e Malësisë së Mbishkodrës vazhdoi të jetë objekt studimi deri më sot dhe atë në të gjitha zhanret historiografike: trajtesa shkencore, monografi kushtuar ngjarjes dhe personazhave kryesore të saj, si pjesë e monografive shkencore për lëvizjen Kombëtare që mbulojnë këtë periudhë etj. Në këtë drejtim do të përmendim kontribitin e autorëve: Prof. dr. Shukri Rahimi, Prof. dr. Romeo Gurakuqi, Prof. dr. Ramiz Abdyli, Prof. dr. Emine Bakalli, mr. Gjergj Nikprelaj etj.

Aspekti politik i kryengritjes

Për parashtrimin e aspektit politik të kësaj ngjarje historike, kemi parasysh një titull sinjifikativ:”Revolta, kërkesa, ndërhyrje”, titull ky që mbulon kryengritjen e vitit 1911 në monografinë e historianit Prof. dr. Stavro Skendi, me titullin Zgjimi Kombëtar Shqiptar.

Çka i revoltoi shqiptarët ?

Shqiptarët, më së pari, i revoltoi: politika e shtypjes dhe e antishqitarizmit që zbatoi regjimi xhonturk;  mungesa e përkrahjes së duhur nga arbitri ndërkombëtar të kohës – gjashtë Fuqitë e Mëdha evropiane; politika e pasinqertë, respektivisht armiqësore ndaj Lëvizjes së tyre kombëtare e fqinjëve ballkanik; ndërhyrja në front të gjerë që ata të hiqin dorë nga kërkesa politike për autonominë e Shqipërisë, si dhe skamja materiale e tyre.

Masat antishqiptare të regjimit xhonturk

Masat antishqiptare të regjimit xhonturk: mbydhja e shkollave shqipe, e klubeve, e gazetave; përndjekja dhe ndëshkimi i mësuesëve dhe veprimtarëve shqiptarë; mobilizimi dhe organizimi antikombëtar i pjesës fanatike dhe të pavetëdijshme të shqiptarëve kundër alfabetit dhe simboleve tjera kombëtare; vjelja me dhunë e taksave të vjetra dhe të reja; çarmatimi, rekrutimi etj. filluan shumë shpejt pasi që xhonturqit morën pushtetin. Nivelet më të larta të pushtetarëve të rinj osmanë pretendonin për shkrirjen e shqiptarëve në osmanë duke mohuar ekzistencën  e kombit shqiptar. Sa për fillim xhonturqit projektuan idenë që shqiptarët të zhvishen nga aspiratat kombëtare përmes një represioni të paparë. Dhe natyrisht e gjithë kjo fushatë u kamuflua me propagandën intensive për shqiptarët “rebelë”, antireformistë dhe me mendësi antishtetërore.

Lëvizja Kombëtare Shqiptare, synim politik i kryengritjes së

Malësisë së Mbishkodrës -1911

Jo rastësisht në fokus të goditjes dhe represionit  të pushtetit xhonturk u gjend Malësia e Madhe, banorët e së cilës kishin ruajtur me xhelozi gjithë tiparet etnike-kombëtare paraosmane. Prandaj, malësorët me prijësit e tyre shpirtëror-tribunët popullor nga bota shqiptare perceptoheshin si “atdhetarë të zjarrët shqiptarë”. Prandaj, kjo kategori shoqërore e cila tradicionalisht ishte bartëse e lëvizjeve masive nacionale dhe e rrezikshme për Perandorinë Osmane. Andaj, regjimi osmanë, malësorët i konsideroshin si “nacionalistë shqiptarë”. Mbi të gjitha, malësorët kishin arritur të ruajnë pozitë autonome në relacion me pushtetin osman. Lëvizja kombëtare shqiptare ishte synimi politik i tyre, si dhe preokupim i madh i malësorëve.

Malësia e Mbishkodrës e mori stafetën e luftës së shqiptarëve për shtetin autonom shqiptar

Derisa një pjesë e mirë e elitës politike dhe intelektuale shqiptare të kohës, ishin ithtarë që çështja shqiptare të gjejë zgjidhje mundësisht në rrugë paqësore dhe në kuadrin kushtetues osman. Prandaj, nuk ishte çudi që kjo elitë deshi të besojë në këtë opsion politik dhe u involvua sinqerisht në jetën politike osmane sidomos gjatë viteve 1908-1911. Përkundrazi,  Malësia e Mbishkodrës u detyrua të niste rezistencën e saj në shkallë të gjerë kundër përpjekjeve të regjimit xhonturk që kjo të nënshtrohej dhe popullsia e saj të instrumentalizohej. Apo siç thoshte Tringë Smajlja”… do ti vem pushkën turkut, se raja e tij nuk bahena…”

Malësia e Mbishkodrës me faktin që doli me kërkesat politike, të cilat i paraprinë Memorandumit të Greçës dhe sidomos me këtë Memorandum, e mori stafetën e luftës së shqiptarëve për shtetin autonom shqiptar dhe u bë epiqendra e Lëvizjes Kombëtare Shqiptare. Malësorët e kësaj krahinë u treguan krejt të gatshëm që të hiqnin dorë nga venomet e tyre me kushtin që këto venome të shkriheshin në autonominë e madhe, në autonominë e Shqipërisë. Prandaj mund të thuhet se revolta fillestare e malësorëve u shndërrua në një lëvizje të gjerë e cila pati jehonë në gjithë Evropën. Stabolli u detyrua që kryengritësit shqiptarë t’i pranojë si palë dhe të   nënshkruajë një marrëveshje me ta.

               Fillimi i kryengritjes së Malësisë së Mbishkodrës

Kryengritja e Malësisë së Mbishkodrës filloi më 24 mars 1911. Udhëheqësit kryesor të saj kanë qenë Ded Gjo Luli, Gjek Marash Gjeloshi e të tjerë. filluan veprimet e armatosura dhe në fillim sulmuan fortikantën kufitare të Rapshës. Lëvizja u shtri shumë shpejt në Grudë, në Kelmend dhe në Kastrat.

Shpërthimi i kryengritjes shkaktoi panik tek autoritetet xhonturke në Shkodër. Autoritetet osmane menduan të përdorin si mjet për ta penguar kryengritjen fanatizmin fetar, duke synuar të nxisnin përçarjet e grindjet fetare ndërmjet shqiptarëve myslimanë e katolikë, por pa sukses.

Kryengritja përfshiu menjëherë krahinat e Malësisë së Madhe. Numri i kryengritësve arriti brenda pak ditësh në 3000 veta. Më 28 mars kryengritësit morën qytetzën e Tuzit. Garnizoni i vogël ushtarak dhe qeveritarët u detyruan të mbylleshin në kalanë e quejtur Shipshanik.

Mbledhja e udhëheqësve të kryengritjes në Cetinë

30 mars 1911

Më 30 mars 1911 u bë në Cetinë mbledhja e udhëheqësve të kryengritjes, e cila miratoi një memorandum drejtuar Fuqive të Mëdha. Në këtë dokument kërkohej paprekshmëria e territoreve shqiptare, të njihej gjuha shqipe si gjuhë zyrtare në katër vilajetet, në zyra e gjyqe dhe si gjuhë mësimi në shkolla; të  gjithë nëpunësit në Shqipëri të ishin shqiptarë dhe të njihej zyrtarisht kombësia shqiptare; të ardhurat buxhetore të shpenzoheshin në dobi të vendit; ushtarët shqiptarë të mos shërbenin jashtë trojeve shqiptare, me përjashtim të rasteve të luftës. Memorandumi ishe nënshkruar nga Muharrem Bushati, Isa Boletini, Sokol Baci, Dedë Gjo Luli, Abdulla Aga, Preng Kola dhe Mehmet Shpendi. Shtypi i kohës theksonte se, megjthëse kryengritja zhvillohej në një trevë të ngushtë, të banuar kryesisht nga katolikë, kryengritësit dolën me kërkesa kombëtare. Ata në thelb kërkuan autonominë e Shqipërisë.

Lufta e malësorëve në Deçiq ( 6 prill 1911)

Më 6 prill 1911 u zhvilluan përleshje të ashpra ndërmjet malësorëve dhe forcave turke prej Tuzit deri në Kastrat. Por luftimet më të rrepta u zhvilluan atë ditë pranë Deçiqit, ku  asgjësuan 30 ushtarë, ndërsa nga kryengritësit mbetën në fushën e luftës shtatë veta, midis të cilëve ishte edhe prijësi i tyre, Nish Gjelosh Luli.

Më 8 prill 200 malësorë u bënë ball në afërsi të Kastratit për gjashtë orë rresht 1200 forcave xhonturke, të cilat pas tërheqjes së kryengritësve plaçkitën dhe dogjën Bajzën e Kastratit.

Me qëllim që t’i fuste shqiptarët në mes dy zjarresh, komanda e ushtrisë osmane dërgoi nga Gjakova katër batalione nën drejtimin e Ethem Pashës. Kur po vinte nga Gucia, natën e 16 prillit, ushtria osmane u sulmua te Hani i Gropës nga banorët e Selcës. Ajo nuk arriti të vazhdonte marshimin drejt vendit kryesor të luftimeve përreth Tuzit.

Për tri javë rresht xhonturqit nuk mundën jo vetëm t’i nënshtronin malësorët, por as të lidheshin me garnizonin e rrethuar të Tuzit dhe të përforcoheshin në Deçiq.

( Historia e Popullit Shqiptar II, Akademia e Shkencave e Shqipërisë-Instituti i Historisë, Tiranë, 2002, f.445).

Fillimi i parakohshëm i kryengritjes

Kryengritja e Malësisë së Mbishkodrës filloi para kohe të planifikuar, si pasojë e presionit dhe kushtëzimit të ndihmës nga kreu malazias. Andaj, në një pjesë të historiografisë shqiptare është konstatuar se fillimi i parakohshëm i kryengritjes së Malësisë së Mbishkodrës negativisht është reflektuar në planin e Lëvizjes kombëtare shqiptare për një kryengritje të përgjithshme në nivelin kombëtar. Por, sa qëndron ky konstatim kur kihet parasysh kohëzgjatja e kryengritjes? Ajo filloi më 24 mars dhe përfundoi më 2 gusht 1911. Në fakt, çështjen e dështimit të organizimit të një kryengritje të përgjithshme shqiptare duhet kërkuar në shpresën dhe besimin e një pjese të elitës politike shqiptare se ende kishte hapësirë që autonomia e Shqipërisë të realizohej pa luftë, por përmes angazhimit legal politik, respektivisht nuk ishte e gatshme dhe e vendosur për një kryengritje të përgjithshme mbarëkombëtare shqiptare.

Përkrahja e jashtme politike

Kryengritjen e Malësisë së Mbishkodrës, më 1911.  e përkrahi Mali i Zi – ku kishte selinë dhe Komiteti Qendror Kombëtar. Ndihma malazeze vinte nga lart, nga vetë mbreti Nikollë. Kjo ndihmë, siç edhe del nga të gjitha burimet e kohës, kishte të bëjë me planet ekspansioniste të kreut malazias. Njëkosisht, kreu malazias ndërmori hapa për marrëveshje me kreun serb për ndarjen e sferave të interesit në trojet shqiptare. Ndihma që iu dha shqiptarëve në sistemin e të përndjekurëve nga Kosova dhe malësorëve kryengritës, kishte për qëllim që ata të lidheshin  këmbë e krye me Malin e Zi, dhe, mandje pse jo edhe të përkrahnin ekspansionin e këtij shteti në pjesën veriprëndimore të Shqipërisë me qytet Shkodër, Pejë, Prizren etj. Nëse kjo nuk mund të arrihej, atëherë së paku të parandalohej një kryengritje e përgjthshme shqiptare e cila mund të përfundonte me autonominë e Shqipërisë. Dhe në fund të fundit, kjo përkrahje do duhej të ndikonte në topitjen e rezistencës së shqiptarëve në momentin kur forcat e Malit të Zi do të depërtonin në Shqipëri. E vërteta është se shumë pak shqiptarë besonin në altruizmin e kreut malazias. Të gjithë e dinin se ku qëndronte puna, kështu që mund të thuhet se bashkëpunimi shqiptaro – malazez bazohej thjesht në interesa të ndërsjellë. Prandaj Mali i Zi arriti të instrumentalizojë shumë pak nga malësorët e zhgënjyer dhe të dëshpruar.

Po ashtu, në Itali zhvillohej një aktivitet i tërë në përkrahjen të Shqipërisë e të synimeve kombëtare të shqiptarëve. Atje po vepronin komitete si “Pro Albania”, “Komiteti italo-shqiptar”, “Organizata Kombëtare e Shqipërisë” etj.  Prezenca dhe ndihma e dhënë dhe e pritur nga Italia ishte e një natyre jozyrtare. Në Itali, Lëvizja Kombëtare Shqiptare përkrahej nga forca politike me orientim revolucionar garibaldian, antarë të Partisë Republikane dhe Socialistë, demokratë dhe elementë të tjerë përparimtarë italiane. Midis tyre kishte edhe 60 deputetë.

Çështja shqiptare u përkrah veçanërisht nga kolonitë arbëreshe, që zhvilluan një veprimtari të gjerë në të mirë të Lëvizjes Kombëtare Shqiptare. Komiteti filloi ta shtrijë veprimtarinë e tij me anën e nënkomiteteve në vise të ndryshme të Gadishullit Apenin, duke synuar të mblidhte ndihma në të holla dhe të regjistronte vullnetarë për kryengritjen shqiptare.

Në këto rethana, me nismën e patriotit kombëtar Nikollë Ivanaj, u krijua në Bari një komitet i kryengritjes, i cili u orvat të vendoste lidhje me kolonitë e mërgimit dhe me komitetet e fshehta brenda vendit.

Komiteti i Podgoricës

Një punë të madhe bëri Komiteti i Podgoricës për sigurimin e armëve dhe të municioneve. Ai u bë qendër, ku u grumbulluan gjatë kryengritjes ardhetarë nga viset e ndryshme të Shqipërisë, si edhe nga kolonitë e mërgimit. Komiteti u ndihmua edhe nga atdhetarët që ndodheshin në Mal të Zi, si Risto Siliqi,  Nikollë Ivanaj, Hilë Mosi, Luigj Gurakuqi etj. që shkuan më pas në Podgoricë.

Përfaqësuesit të lëvizjes Kombëtare Shqiptare bënë përpjekje për të siguruar përkrahje e qeverive të shteteve fqinje dhe sidomios të Serbisë e të Bullgarisë. Por si Bullgaria, ashtu dhe Serbia, nëpërmjet pëfaqësuesëve të vet diplomatikë në Romë, u kumtuan përfaqësuesve të Lëvizjes Kombëtare Shqiptare se, derisa nuk do të cenoheshin interesat e tyre shtetërore dhe kombëtare, ato do të vijojn t’i përmbaheshin neutralitetit të plotë.

Në këto rrethana Komiteti i Podgoricës u përpoq të shfrytëzonte ndihmën e qeverisë malazeze, por pa rënë në kurthin e politikës  grabiçare ndaj tokave shqiptare. Por kjo nuk ishte e lehtë të arrihej. Qeveria e Malit të Zi mori të gjitha masat që kryengritja të mos fitonte karakter kombëtar, por kufizohej në caqet lokale. Kjo do t’i jepte mundësi kral Nikollës të ndërhynte më lehtë e ta përdorte atë për interesat e veta. Përveç kësaj ai punoi që kryengritja të fillonte para kohe. Në shkurt qeveria e Malit të Zi njoftoi Portën e Lartë dhe Fuqitë e Mëdha se nuk do t’i mbante malësorët më gjatë se 28 marsi i vitit 1911.

Ndërkaq, Isa Boletini, në një takim që pati me kral Nikollën, hodhi poshtë propozimin e tij që veprimet luftarake të malësorëve të mbështetshin nga trupat malazeze. Po kështu veproi dhe Dedë Gjo Luli.

Mirëpo, Mali i Zi, duke synuar t’i nënshtronte me anë të urisë, më 14 mars ua preu ndihmat malësorëve. Në këto rrethana malësorëve të arratisur iu desh ta fillonin kryengritjen para kohe.

Kuvendi i Greçës (23 qershor 1911)

Memorandumi i Greçës

Me nismën e Komitetit të kryengritjes (të Podgoricë), u mblodh në Greçë të Bëkajve të Trieshit( Malësia e Madhe) Kuvendi i Përgjithshëm i krerëve shqiptarë i cili më 23 qershor miratoi dokumentin më të  rëndësishëm të kryengritjes, të njohur me emrin”Memorandumi i Greçës”, i hartuar nga Ismail Qemali e Luigj Gurakuqi. Këtë dokument, i njohur si “Libri i kuq”(për shkak të ngjyrës së ballinës së broshurës në të cilën u shtyp) ia paraqiti Kuvendit të krerëve të Kryengritjes Luigj Gurakuqi.

Me këtë akt kryengritja e armatosur e shqiptarëve të veriut kishte tani një program kombëtar në të cilin aderuan tashmë të gjithë shqiptarët.

Memorandumi i Greçës parashtronte një program të plotë të autonomisë së Shqipërisë.  Ky memorandum kishte një rëndësi të veçantë, sepse dilte nga gjiri i kryengritjes dhe në formulimin e tij morën pjesë veprimtarët atdhetarë të krahinave të ndryshme të vendit e të kolonive shqiptare të mërgimit.

Në memorandum parashtrohen këto kërkesa: t’u jepej garanci se nuk do të përsëriteshin veprimet antikushtetuese nga qeveria qendrore dhe nga autoritetet lokale në të gjithë Shqipërinë dhe se do të respektoheshin fetë e zakonet e vendit; të njihej kombi shqiptar me po ato të drejta që kishin kombet e tjera të Perandorisë Osmane; të kishte liri të plotë për zgjedhjen e deputetëve shqiptarë, numri i të cilëve të ishte në përpjestim me popullsinë;  të kishte liri për përhapjen e gjuhës shqipe dhe të shkollave shqipe; të bëhej bashkimi i vilajeteve, ku jetojnë shqiptarët, sipas decentralizimit administrativ, dhe të harmonizoheshin ligjet turke me të drejtat zakonore të vendit; nëpunësit e lartë të dinin gjuhën e zakonet e vendit; të gjithë nëpunësit civilë dhe financiarë të  ishin shqiptarë, ndërsa gjyqtarët, xhandarët e policët të ishin gjithashtu vendas; të caktohej një guvernator i përgjithshëm nga sulltani për një periudhë të caktuar; të përdorej gjuha shqipe në administratë, në gjyqe e kuvende, përkrah turqishtes, që mbetej gjuhë zyrtare e qeverisë qendrore;shërbimi ushtarak i detyrueshëm për të gjithë në  kohë paqeje të kryhej në vend, ndërsa për banorët e zonave kufitare të organizohej një shërbim i veçantë ushtarak, që do të kryhej në krahinat e tyre, për të ruajtur kufijtë; të përdoreshin në vend, për ndërtime rrugësh, hekurudhash, shkollash e  të tjera, të ardhurat fiskale me përjashtim të atyre të doganës, të postës, të telegrafës, të duhanit, të alkoholit dhe të pullave, të cilat ishin monopole të shtetit ose u ishin dhënë të huajve sipas kapitulacioneve; t’u njihej fshatarëve e drejta të për prerjen e pyjve sipas një takse;  këshillat e përgjithshme të kishin të drejtë të  jepnin vendime për buxhetin e vilajeteve dhe të kontrollonin shpenzimet; të jepeshin fonde të nevojshme për rregullimin e shtëpive e të dëmeve të tjera të shkaktuara nga operacionet e ushtrive osmane dhe t’u ktheheshin shqiptarëve armët që u ishin marrë ( Historia e Popullit Shqiptar II, Akademia e Shkencave e Shqipërisë-Instituti i Historisë, Tiranë, 2002, f.450).

“Libri i kuq” iu dorëzua nga përfaqësuesit e kryengritësve ambasadorit turk në Mal të Zi, Sadredin Beut. Për të pasur garancinë e Fuqive të Mëdha për plotësimin e kërkesave të tyre, një delegacion i kryengritësve, i përbërë nga Luigj Gurakuqi, Dedë Gjo Luli, etj., ua dorëzoi Memorandumin e Greçës përfaqësuesëve të Fuqive të Mëdha në Cetinë.

Përfundime

Më 2 gusht 1911 në  përfaqësinë e Perandorisë Osmane në Podgoricë, u nënshkrua marrëveshja e malësorëve me përfaqësuesit e qeverisë xhonturke.

Marrëveshja e 2 gushtit 1911 e arritur me presionin frontal(malazias, ndërkombëtar po dhe nga segmente të shoqërisë shqiptare (Jak Sereçi),  kishte 12 pika të ofruara nga pala osmane. Pala turke hyri në negociata me malësorët dhe doli me kundërpropozime sepse kryengritja mund të përhapej; sepse ajo po bënte jehonë dhe po merrte përkrahje; sepse kishte presion nga Fuqitë e Mëdha dhe në radhë të parë nga Austro-Hungaria dhe Britania e Madhe etj.

Kryengritja e Malësisë së Mbishodrës nuk arriti të shëndërrohej në një kryengritje të përgjithshme shqiptare: sepse, në kohën kur ajo ishte në kulmin e saj, krahinat e tjera shqiptare ngurruan të ngriheshin në kryengritje; sepse, një pjesë e mirë e elitës politike dhe intelektuale shqiptare ishte e involvuar në jetën politike osmane dhe insistonte që çështja shqiptare të zgjidhet në mënyrë paqësore në kuadrin kushtetues osman.

Gjithashtu, Kryengritja u zhvillua në kushte të vështira brenda vendit dhe në rrethana jo të favorshme ndërkombëtare. Shtetet ballkanike, duke e vlerësuar autonominë e Shqipërisë si një pengesë për plotësimin e synimeve të tyre pushtuese ndaj tokave shqiptare, vunë të gjitha forcat për ta pënguar Kryengritjen e Malësisë së Mbishkodrës dhe për të mos lejuar që ajo të kthehej në kryengritje të përgjithshme.

Gjëndjen e malësorëve e rëndonte edhe më shumë qëndrimi i qeverisë malazeze, që u bë më armiqësor kur kryengritësit nuk paranuan të vinin luftën e tyre në shërbim të politikës së Cetinës. Prandaj, Qeveria malazeze ua preu furnizimin me bukë kryengritësve malësorë dhe ushtronte presion mbi ta, që të prënonin marrëveshjen me xhonturq. Në ato rrethana malësorët pranuan të bisedonin me përfaqësuesit e Perandorisë osmane, por ata përsëri, duke parë kombin shqiptar si një të tërë, kërkuan që të drejtat, që do t’u jepshin malësorëve, t’u njiheshin të gjithë shqiptarëve.

Megjithëse Kryengritja e vitit 1911 nuk arriti të sendërtojë objektivat e Lëvizjes Kombëtare Shqiptare, respektivisht, ajo nuk arriti ta detyronte qeverinë xhonturke të pranonte kërkesat autonomiste të Memorandumit të Greçës, ajo zë një vend të rëndësishme në historinë e popullit shqiptar. Sepse, ajo shënoi një hap cilësor përpara në organizimin e lëvizjes kombëtare dhe ngriti në një shkallë të lartë ndërgjegjen politike të shqiptarëve. Ajo u zhvillua nën udhëheqjen e një qendre të vetme, të Komitetit të Podgoricës. Kulmin e saj kryengritja e arriti në qershor, kur duke miratuar (më 23 qershor) Memorandumin e Greçës, shpalli kërkesën e autonomisë së Shqipërisë, si program të mbarë lëvizjes kombëtare.

Kryengritja nxori në pah çështjen shqiptare si një problem ndërkombëtar. Për këtë dëshmon, krahas të tjerave, edhe interesimi i diplomacisë angleze për kryengritjen dhe sidomos përkrahja prej Londrës e kërkesave kombëtare të shqiptarëve.

Historiania e njohur Emine Bakalli, ndër të tjerat shkruan: “Me plotë gojë mund të thuhet se Kryengritja e Malësisë së Mbishkodrës e vitit 1911 u bë katalizator homogjenizues te shqiptarët. Ndërkaq, fakti që Perandoria Osmane u detyrua të nënshkuante një marrëveshje me malësorët, në sytë e shqiptarëve zhveshin mitin e pathyeshmërisë së saj dhe trasoi rrugën drejt organizimit të revolucionit nacional shqiptar të vitit 1912.

Kryengritja e Malësisë së Mbishkodrës e vitit 1911 është shembull i shkëlqyeshëm se rëndësinë dhe madhshtinë e ngjarjes historike nuk e përcaktojnë përmasat fizike, por përkushtimi, vendosmëria dhe orientimi politik në harmoni me rrjedhat e kohës, në harmoni me postulatat universale, siç janë dinjiteti, prosperiteti dhe liria.

Sukseset që po shënonin kryengritësit shqiptarë të Malësisë së Mbishkodrës patën jehonë të gjerë në opinionin evropian dhe afirmuan çështjen shqiptare si asnjëherë më parë.”

(Prof. dr. Emine Bakalli, Revista Gjurmime albanologjike-Seria e shkencave historike, Instituti Albanologjik, Prishtinë, 2011, f.187).

Filed Under: Kronike Tagged With: Nike Gashaj

LAHUTA E MALËSISË”, KRYEVEPRA E GJERGJ FISHTËS

October 26, 2021 by s p

NIKË GASHAJ

Epopeja “Lahuta e Malësisë”(“Lahuta e Malcis”) është kryevepra e Gergj Fishtës dhe njëherësh njëra ndër veprat klasike të letërsisë shqiptare të traditës. Zotësia e Fishtës si poet i cili ka lënë emër pothuaj në të gjitha gjinitë dhe zhanret e krijimtarisë letrare, shprehet sidomos në “Lahutën e Malësisë”, në të tridhjetë këngët e së cilës poetizohet historia e popullit shqiptar nga Lidhja e Prizrenit e deri në pavarësinë e Shqipërisë më 1912. 

Tema e cila shtjellohet artistikisht në epopenë “Lahuta e Malësisë”(“Lahuta e Malcis”) është temë e rëndësishme kombëtare, është temë ekzistenciale e kombit. Me një forcë të rrallë epike, duke u mbështetur në kodin poetik popullor, në këtë vepër Fishta këndon luftën e popullit shqiptar për pavarësi të zhvilluar në dy drejtime: kundër Perandorisë Osmane në perudhën e shthurjes së saj, dhe luftën kundër coptimit të truallit etnik shqiptar nga Mali i Zi dhe nga Serbia. 

Shpirtin poetik të Fishtës e preukupon sidomos coptimi i truallit të lashtë etnik, rreziku i ri kombëtar që po i kanosej Shqipërisë dhe shqiptarëvet nga monarkitë ballkanike, aspiratat aneksioniste të të cilave gjenin mbështetje në Rusinë cariste, e cila ushtronte presion jo vetëm ndaj Perandorisë Osmane, por edhe ndaj Europës.

Poeti në Lahutë, sidomos anatemon, sidomos mallëkon Evropën, e cila në Kongresin e Berlinit i jepte të drejtë Malit të Zi dhe Serbisë t’i coptonin tokat stërgjyshore shqiptare. Rrezikun e copëtimit të truallit etnik shqiptar në poezinë tonë të traditës në mënyrë të plotë dhe në nivel të lartë artistik e ka realizuar, e ka ngritur për herë të parë në letërsinë shqiptare Gjergj Fishta. 

“Lahuta e Malësisë” është epopeja e parë në letërsinë shqiptare në kuptimin e mirëfilltë të fjalës,  në kuptimin e plotë të fjalës, të cilën kohë më parë u përpoqën ta krijojnë poetët arbëreshë si Engjëll Bazile, Gavril Dara, e sidomos Jeronim de Rada. Mirëpo, Fishta  ndryshe nga De Rada, i cili në Rapsodi më 1866 i bashkoi këngët  popullore arbëreshe në mënyrë mekanike, duke u përpjekur ta rikonstruktojë një tërësi të madhe, një poemë  që dikur kishin  pasur shqiptarët, nuk e ndjek      rrugën e tij.  Ai, përkundër konceptit mistifikues romantik të Jeronim  de Radës, epopenë “Lahuta e Malësisë” e krijoj  duke u mbështetur në poetikën e modelit epik të poezisë popullore shqiptare. Prandaj, pa e njohur mirë të gjitha format e krijimtarisë gojore epike, pa e njohur mirë strukturën artistike të eposit heroik popullor, nuk mund të kuptohet sa duhet dhe si duhet as “Lahuta e Malësisë”, sepse ajo është e ndërtuar, sepse ajo është ngritur mbi këtë traditë të këndimitm epik shqiptar. Në këtë drejtim, “Lahuta e Malësisë” nuk bën kurrëfarë përjashtimi nga epopetë e vjetra e të reja të letërsisë botërore, sepse edhe ato lidhen me traditën epike popullore.

Kështu mund të thuhet edhe për Iliadën e Homerit, edhe për Këngën e Rolandit, Këngën e Sidit, Këngën e Osianit etj. Lindja e kësaj vepre letrare në truallin ku bënin jetë aktive format më të shtjelluara të epikës gojore, siç është kënga tregimtare, nuk është e rastit. Ndërtimi i Lahutës nga materia orale e zonave të mirëfillta të epikës popullore shqiptare të veriut të cilat e ushqen me lëndë epike veprën e Fishtës,  jo më kot qenë truall i hulumtimeve të fenomenit homerik. Pikërisht në këto zona, më mirë se çdo kund gjetiu në Ballkan ishte ruajtur epika gojore. Prandaj, jo më kot homerologët e njohur amerikanë, profesorë të Universitetit të Harvardit, Milman Parry dhe Albert Lordi kishin bërë gjurmime të eposit popullor në relacion me fenomenin homerik. Këta studiues, sidomos Lordi, duke u mbështetur në morfologjinë e epikës popullore sjellin në shkencë tezën mbi origjinën orale të Iliadës së Homerit. 

Lahuta, e cila lindi në këtë ambient epik, edhe pse shumë e vonuar në krahasim me epopetë e letërsisë botërore, është një vepër që i mungonte më parë letërsisë shqiptare, është një vepër që e plotëson një hapësirë të letërsisë kombëtare shqiptare(Enver Mehmeti).

Fishta në Lahutë ka shfrytëzuar kryesisht dy forma të epikës popullore: këngën e lashtë epike ose këngën epike legjendare dhe këngën e re epike apo këngën historike. Përveç këtyre dy zhanreve të poezisë popullore, që kanë strukturë të qëndrueshme epike, sidomos kënga kreshnike, më rrallë është e pranishme edhe bota e baladave popullore legjendare, me syzhe të zhvilluar. Në këto dy forma kryesore të epikës popullore poeti gjeti në radhë të parë frymën heroike që është elementi kryesor i strukturës artistike të këtyre krijimeve foklorike. Përmes heroikës të shprehur në modelin epik folklorik në “Lahutën e Malësisë”, në të gjitha këngët e saj pasqyrohet lufta e popullit shqiptar për pavarësi nga Turqia dhe lufta kundër aneksimit të truallit kombëtar.

Në kët drejtim, burim i pashterrshëm i poetit ka qenë sidomos kënga historike e periudhës së Rilindjes Kombëtare, kurse nga bota e epikës së moçme popullore kënga kreshnike. Përmbajtja e heroikës në “Lahutën e Malësisë” është e njëjtë sidomos me atë të eposit popullor historik. Ndërkaq artistikisht të shumten kjo përmbajtje realizohet me mundësitë shprehëse letrare të këngës së vjetër epike, gjegjësisht të këngës kreshnike. Si në “Lahutën e Malësisë”, ashtu edhe në këngën historike kemi të bëjmë me një heroizëm të njohur historikisht, me një heroizëm historikisht të pëcaktuar, me një heroizëm me përmbajtje kombëtare dhe jo me heroizmin e lokalizuar, personal dhe fisnor të këngës së vjetër epike. 

Fryma kombëtare e heroikës që reflektohet edhe në veprën e Fishtës lidhet me kohën e krijimit të këngës epike historike. Kënga popullore epike e tipit historik, edhe pse daton që nga shekulli pesëmbëdhjetë, megjithatë formën e vetë stabile dhe të përkryer e ka arritur gjatë periudhës së Rilindjes Kombëtare, përkatësisht në periudhën e formimit të kombit. Prandaj, aspiratat kombëtare për pavarësi, tërësi tokësore dhe jetë të përbashkët shpirtërore etnike poeti i mori  nga modeli i epikës historike. Ndërkaq pasurinë e këngës epike me shtrat legjendar, e cila pas pushtimit osman e kishte përfunduar fazën produktive, Fishta në Lahutë e funksionalizon rishtas. Nga ky tip i këngës epike merr elemente të shumta të strukturës së saj artistike. Në mënyrë të posaçme shfrytëzon sidomos rezistencën kundër nënshtrimit mesjetar sllav, të cilën poeti e përdor të ndryshuar, e përdor në përputhje me kontekstin e ri historik të rrezikut sllav. 

Temat dhe motivet e të tridhjetë këngëve të “Lahutës së Malësisë”(“Lahuta e Malcis”) para se nga Fishta, pra janë kënduar në këngët epike popullore. Fishtës i takon merita se modelin folklorik epik, se këto tema dhe motive folklorike i sintetizoi, i shkriu, i rikrioi në një tërësi prej 16.838 vargjesh, duke na dhënë kështu një vepër madhështore epike.

Edhe përmbajtja e protagonistit të poemave  të”Lahutës së Malësisë”(“Lahuta e Malcis”) është e njëjtë me përmbajten  e protagonistit të këngëve epike popullore. Etja për famë heroike është njëra ndër veçoritë themelore të tij. Ky tipar i heroit të Lahutës edhe këngëve epike lidhet  me ndjenjën e përjetimit epik të jetës te shqiptarët. Protagonisti i veprës së Fishtës është një sintezë e  protagonistit të këngëve historike dhe kreshnike. Nga bota e këngës historike është vetëdija e tij kombëtare, lufta për ta mbrojtur qenien kombëtare në përgjithësi, sidomos atdheun i cili  si në këngët historike është Shqipëria. 

Heronjtë e Fishtës i karakterizon gatishmëria për t’u flijuar për çështjen e atdheut, element ky që njihet në këngët popullore historike dhe jo lufta për mbrojtjen e bjeshkëve e të kullotave e këngës së moçme epike. Po ashtu ata nuk i shquan fryma aventuristike që është tipar karakterogjik i heroit të epikës kreshnike. Me botën e këngëve kreshnike heroin e “Lahutës së Malësisë” e lidh legjendarizimi. Ai mbi të gjitha është një hero legjendar, portreti fizik e moral i të cilit realizohet me hipërbollën mitologjike të këngës kreshnike. 

Heronjtë e Fishtës, sikurse heronjtë e ciklit të kreshnikëve, mëkohen nga zanat e malit(Ali Pashë Gucia). Heroi i tillë i madhërishëm, me fuqi kolosale fizike dhe shpirtërore si në “Lahutën e Malësisë”, ashtu edhe në eposin heroik legjendar, ushqen ndjenja të fuqishme ideoestetike, ideoemocionale dhe psikologjike te lexuesit. Kali dhe kalorimi, tagani, duelet(mejdani), respektimi i antagonistëve(shkjevet)  po ashtu janë nga epika e lashtë popullore. Protagonistë të këtillë, të njohur historikisht, të ngjajshëm me tipin e protagonistit të modelit më arkaik të epikës popullore shqiptare në “Lahutën e Malësisë”(“Lahuta e Malcis”) janë Oso Kuka, Ali Pashë Gucia, Tringë Smajli, Marash Uci, Çun Mula e të tjerë.

Filed Under: LETERSI Tagged With: Nike Gashaj

AT GJERGJ FISHTA, POETI KOMBËTAR

October 1, 2021 by s p

Me rastin e 150 vjetorit të Lindjes

Nikë Gashaj

Me rastin e 150-vjetorit të lindjes të At Gjergj  Fishtës, Akademia e Shkencave të Shqipërisë, për herë të parë, më 23 shtator 2021, mbajti konferencën shkencore “Nderimi, mbijetesa dhe rikthimi i Fishtës në tri kohët e letërsisë”.

Revista për kulturë, shkencë dhe çështje shoqërore “Malësia”, në Mal të Zi, të cilën e drejtoi, në numrin 14, në vitin 2019, ia  kushtoi  në mënyrë tematike At Gjergj Fishtës. Në këtë numër të revistës “Malësia, punimet e tyre i kanë publikuar emra të njohur intelektualësh nga mbarë trevat etnike shqiptare. Arsyet pse një numër të veçantë të revistës sonë ia kushtueme këtij shkrimtari, studiuesi dhe patrioti kombëtar janë të mëdha, ndërmjet të tjerash, në veçanti po i nënvizojmë:

Së pari, motivimi i nxitjes së botimit është studimi më i thelluar i jetës dhe veprës së Fishtës, i cili në periudhën e sistemit komunist, për arsye politike dhe ideologjike, u ndalua më se dyzet vjet nga mësimi në shkolla e në universitete, si dhe nga botimi dhe studimi në trojet shqiptare: Shqipëri, Kosovë, Maqedoni, Mal të Zi e Luginë të Preshevës. Kjo ndalesë bëri që disa gjenerata të mos kishin mundësi ta njohin këtë figure të madhe të kulturës shqiptare.

Së dyti, ka të bëjë me vlerën e madhe artistike të veprimtarisë letrare të Gjergj Fishtës, e, në veçanti, të kryeveprës “Lahuta e Malcis”.

Së treti, kontributi jashtëzakonisht i madh i Gjergj Fishtës si kryetar i Komisionit për hartimin e alfabetit të gjuhës shqipe në Kongresin e Manastirit (Bitoli i sotëm-Maqedonia e Veriut), më 1908.

Së katërti, rëndësia e madhe e tij si sekretar i përgjithshëm i delegacionit shqiptar në Konferencën e Paqës në Paris, më 1919-1920.

Së pesti, në zgjedhjet e qershorit të vitit 1921, Gjergj Fishta zgjedhet deputet i Shkodrës dhe nënkryetar i Parlamentit të Shqipërisë. Prandaj, është me rëndësi angazhimi i tij politik për mbrojtjen me dinjitet të interesave të popullit dhe të shtetit shqiptar.

Së gjashti, merita e madhe e Fishtës, për mbrojtjen cilësore të interesave të shtetit shqiptar dhe të mbrojtjes së drejtave njerëzore të vëllezëve shqiptar jashtë kufijve të Shqipërisë, si pjestar i delegacionit shqiptar në konferencat ballkanike: 1930 në Athinë, 1931 në Stamboll, 1932 në Bukuresht dhe më 1933 në Selanik.

Së shtati, kontribiti i madh i Fishtës si bashkë themelues dhe antar i Shoqërisë letrare “Bashkimi” në Shkodër (1899), qëllimi i së cilës ishte zgjimi i popullit me anë botimesh në gjuhën shqipe.

Së teti, Fishta u emrua në vitin 1902 drejtor i Shkollës Françeskane në Shkodër, e cila qysh prej themelimit të saj në vitin 1861 drejtohej nga të huajt. Me ardhjen për drejtor, Fishta në shkollë bëri shtiemen e gjuhës shqipe si gjuhë mësimi. Pra, zëvendësoi italishten me shqipen, për here të parë si gjuhë në shkollë.

Nën drejtimin e tij shkolla mori një hov të ri. Shkolla e P. Gjergjit – kështu e quajshin shkodranët. Ajo u bë qendra e atdhetarvet, ku në mbrëmje mbledhshin rinia e qytetit për të marrë këshilla e mësime nga goja e Mjeshtrit t’idesë kombëtare Gjerg Fishtës.

Së nënti, Fishta së bashku me patriotin Luigj Gurakuqin, formuan “Komisin Letrare” në Shkodër, më 1916, e cila kishte për qëllim me i vë themelet e një gjuhe të përbashkët letrare të shqipes.

Së dhjeti, Fishta duke iu mbajtë gjithnjë parimit të vet themelor se shtypi asht arma ma e mirë për të përhapë mendimet, e mjeti ma i përdorshëm për t’i çelë syt popullit, themeloi revistën letrare, filozofike dhe diturore “Hylli i Dritës”, më 1913. Po ashtu, më 1916, themeloi dhe drejtoi gazetën politike-letrare “Posta e Shqypnisë”. Përveç, këtyre, për një kohë të gjatë drejtoi dhe revistën “Zani i Shdout”.

Së njëmbëdhjeti, në vitin 1923 Shoqëria “Rozafa” organizoi në Shkodër një ekspozitë pikturash kombëtare. Në këtë Ekspozitë, Fishta paraqiti 24 copë piktura origjinale të tij të punuara me një mjeshtri aq të madhe sa disa prej tyre u miratuan nga Akademia e Vjenës.

Së dymbëdhjeti, nevoja për njohjen më të mirë të gjeneratave të reja me veprën e rëndësishme letrare-artistike të tij, si dhe me kontributin e madh të përgjithshëm të Fishtës për kulturën dhe çështjen kombëtare shqiptare.

Së trembëdhjeti, ndjenja e borxhit ndaj këtij vigani dhe personaliteti të madh të kulturës kombëtare, i cili është nderi dhe krenaria e shqiptarisë.

At Gjergj Fishta( 23 tetor 1871-30 dhjetor 1940) është poeti kombëtar, dramaturg, prozator, estet, publicist, pedagog, klerik dhe politikan.  Lindi më 23 tetor 1871, në fshatin Fishtë të Zadrimës, në paralagje të Shkodrës. Ndoqi shkollat françeskane në Troshan dhe Shkodër. Më 1886 u dërgua nga françeskanët në Bosnjë – Sutjeskë, Livno dhe Kreshevë, ku studioi telogji, filozofi dhe gjuhë të huaja, sidomos latinishten, italishten dhe kroatishten.

Më 1894 u shugurua prift dhe u pranua në Urdhërin françeskan. Po atë vit u kthye në Shqipëri dhe filloi punën si mësues në Kolegjin françeskan në Troshan e më pas si famulltar në fshatin Gomsiqe.

Zotësia e Fishtës si poet i cili ka lënë emër pothuaj në të gjitha gjinitë dhe zhanret e krijimtarisë letrare shprehet sidomos në kryeveprën “Lahuta e Malcisë”, në të tridhjetë këngët e së cilës poetizohet historia e popullit shqiptar nga Lidhja e Prizrenit 1878 e deri në pavarësinë e Shqipërisë më 1912. Në këtë vepër Fishta këndon luftën e popullit shqiptar për pavarësi të zhvilluar në dy drejtime: Kundër Perandorisë Osmane në periudhën e shthuerjes së saj, dhe luftës kundër coptimit të truallit etnik shqiptar nga fqinjët.

Gati e tërë lënda me të cilën Fishta ndërtoi këtë vepër, është nxjerrun nga jeta e pasuria shpirërore e popullit shqiptar(Martin Camaj). Kot mundohen Grekët e sotëm – thotë Faik Konica-të gjejnë në letërsinë e vet një vepër më të plotësueme se “Lahutën”.

Eqrem Çabej thekson: “Vepra e Fishtës i ka rrënjët në tokën e në jetën popullore të Shqipënisë, ajo nuk do t’ishte çka është pa njohjen e thellë të vendit nga ana e poetit, dhe nuk mund të kuptohet pa njohur vëndin dhe njerëzit e Shqipërisë. Veçse ç’i  fali vendi poetit, ky ia përligji në trajtë të fisnikruar të artit. Sepse vepra e tij u bë pasqyra besnike, fytyra e kthjelltë e gjithë vërtetësisë etnike, trimërisë së ashpër, burrërisë luftarake, krenarisë raciale që ka mundur të ruaj gjer sot jeta shqiptare”.

Lasgush Poradeci thotë: “Fishta është shkëmb i tokës dhe shkemb i shpirtit shqiptar”.

Fishta nihet si poeti më popullor i shqiptarëve, si poeti më i përzëmrt i këtij populli. Ai ka qenë figura emblematike e gjuhës dhe kulturës shqipe dhe apostulli i Atdheut të vet. Prandaj, ai është nderi dhe krenaria e shqiptarisë.Ai e meriton këtë ndrim dhe vlerësim. Është një botë e tërë që e ka nderuar si të tillë, që e ka cilësuar si poetin më tëmadh të kombit shqiptar.

Poezitë e tij epike, lirike e satirike, jo vetëm u njoftën, u studiuen dhe u çmuan në tërë botën shqiptare, duke lënë vragë të pashlyeshme, por jehuan edhe në botën  letrare të jashtme, duke e bë të njohur emrin shqiptar ndër rrethet intelektuale të botës së qytetëruar.

Gjergj Fishtën e nderoi dhe ngriti bota shqiptare, por dhe bota e jashtme duke i dhënë atij dekorata e tituj nderimi. E dekoroj Mbreti i Austro-Hungarisë me Ritterkreuz (1912), Paria e Përgj. E Urdhnit Françeskan me titullin Lector Jubilatus(1929), mbreti i Turqisë me dekoratën Mearij, kl.II (1912) dhe Greqia me dekoratën Foenix (1931).

Në mesin e vitit 1939 Fishta u emërua anëtar i Akademisë së Shkencave Mbretërore të Italisë, që sot njihet si Accademia Nazionale dei Lincei.

Karl Gurakuqi, thotë: “Në qoftë se sot mburret  Italia për një Dante Alighieri dhe Francesco Petrarca, në qofttë se krenohet Albiona plakë  për një Milton e Schakespeare, Gjemanët për një Goethe e Schiller, Francezët për Corncille e Racine; atëherë Fishta është krenaria e Kombit tonë, është gjenia më e naltë e fisit arbnuer, është pjella më fisnike e më e bukur e tokës së parëvt tonë… Fëtyra e tij rrall përsëritet në historinë e qytetërimit, emni i tij do të shkruhet me germa ari në historinë e Rilindjes sonë, vepra e tij është monument i shekujvet të historisë kombëtare…”.

Pas rënjes së komunizmit në Shqipëri, Fishta përsëri këthehet në institucione arsimore, kulturore dhe shkencore pët t’u  mësuar dhe studiuar, por jo dhe sa duhet. Prandaj, ekziston nevoja për njohjen më të mirë të gjeneratave të reja me veprën e rëndësishme letrare-artistike të tij, si dhe me  kontributin e madh të përgjithshëm të Fishtës për kulturën dhe çështjen kombëtare shqiptare.

Prandaj,është çështje kurajuese që, At Gjergj Fishta kthehet në Akademinë e Shkencave të Shqipërisë i vlerësuar  për të gjitha kontributet e tij në fushën e albanologjisë, si poet, orator, estet, studiues, publicist, mendimtar dhe botues.

Filed Under: Politike Tagged With: At Gjergj Fishta, Nike Gashaj

GJENOCIDI SERB NË SHQIPËRI- 1913

August 9, 2021 by s p

Shkruan: NIKË GASHAJ/

 MASAKRAT E POPULLËSISË CIVILE-Në maj 1913 Fuqitë e Mëdha u kërkuan trupave serbe e malazeze të tërhiqeshin nga Shqipëria Qendrore dhe Veriore të pushtuara prej tyre. Serbia, nga zemërimi që po humbte portet e Shkodrës dhe të Durrësit, la pas një vazhdë shkatërrimesh gjatë tërheqjes së trupave të saj. Ashtu që në shtator 1913 shpërtheu një valë e re mizorish. Më 20 shtator ushtria serbe mori me vete të gjithë gjedhët e Malësisë së Dibrës. Barinjtë u munduan të mbroheshin dhe luftuan, por u vranë të gjithë.

Serbët vranë gjithashtu dy prijës të fisit të Lumës, Mehmet Ademin e Xhafer Elezin, dhe nisën të plaçkitnin e të digjnin të gjithë fshatrat që hasnin gjatë rrugës(dhjetë). Në të gjithë këta fshatra serbët kryen akte masakrash të tmerrshme dhe dhunime grash, fëmijësh e pleqsh… Duke hyrë në fshatrin e Porçasit, ushtria serbe i nxori të gjithë burrat jashtë fshatit dhe pastaj dërgoi atje gratë që t’u merrnin para si shpërblim për lirimin e tyre; burrat e gjorë i kishin mbyllur në xhami, të cilën e hodhën në erë me katër predha. Në fshatin e Sulpit 73 shqiptarë pësuan një vdekje të tmerrshme , kurse 57 të tjerë nga fshati Çolopek u vranë në mënyrë të shëmtuar. Prefekti i Krushevës i kërkoi ushtrisë serbe haptas që të digjnin të gjitha fshatrat në ndodheshin midis Krushevës dhe Ohrit.

Në një letër të një ushtari serb , që u botua më 22 tetor të atij viti, thuhet: Nuk kam kohë t’ju shkruaj gjatë, por do t’ju tregoj për gjërat e tmerrshme që po ndodhin këtej. Jam tmerruar prej tyre dhe vazhdimisht pyes veten se si mund të bëhet njeriu kaq barbar, sa të kryejë mizori të tilla. Është e tmerrshme. Nuk ma mban të them më shumë, por mund t’ju them se Luma (një fshat shqiptar anës lumit me të njëjtin emër),  nuk ekziston më. Nuk kanë mbetur veçse kufoma, pluhur e hi. Ka fshatra me 100, 150 dhe 200 shtëpi, ku nuk gjendet më këmbë njeriu. Njerëzit i mbledhim në tufa me nga dyzet a pesëdhjetë vetë dhe pastaj i shpojmë me bajoneta deri tek i fundit(Edwin Jacques: Historia e Popullit Shqiptar nga Lashtësia deri në ditët sotme, Carolina, USA, 1995, f. 379). Bie erë plaçkitje gjithandej. Oficerët u thanë ushtarëve që të shkonin në Prizren e të shisnin gjënë e vjedhur. Gazeta që botoi këtë letër shtonte: “Miku ynë na tregon  për gjëra më  të frikshme se këto(!), mirëpo ato janë aq të tmerrshme dhe sfilitëse,  saqë preferojmë të mos i botojmë”. Atë tetor një ushtri serbe prej 60.000 vetësh shkretoi krahinat e Dibrës, Strugës, Liqenit të Ohrit dhe Gollobordës në Shqipërinë Qendrore, si  edhe Gashin, Krasniqin e Valbonën në veri. B. Peel Uillet, një agjent i ndihmës amerikane, shkroi një raport rreth vëzhgimeve të tij. Në Shqipërinë Veriore trupat serbe shkatërruan njëqind fshatra pa paralajmërim, pa asnjë provokim dhe pa kurrfarë arsyeje…12.000 shtëpi u dogjën e u hodhën në erë, 8.000 bujq u vranë ose u dogjën të gjallë, 125.000 mbetën të pastrehë. Të gjithë bagtinë e rrëmbyen. Kështu bënë edhe  me drithërat e sapokorrura. Bujqit, si kafshë të përndjekura, merrnin arratinë për në Elbasan, Tiranë, Shkodër e fshatra të largët. Tani sa jam kthyer nga një udhëtim , përmes këtyre zonave të goditura. Pashë fshatra të rrënuar dhe shtëpi të djegura ose të hedhura në erë. Pashë refugjatë të uritur. Pashë gra e fëmijë që vdisnin nga uria.

              Komisioni Karnegi përmblodhi vëzhgimet e tij si më poshtë:

Trupat e rregullta serbe nuk lanë gjë pa bërë, që nga dita e parë kur pushtuan Shqipërinë, me qëllim që t’i detyronin banorët të linin kombësinë e tyre ose të shtypnin me egërsi racën shqiptare. Shtëpi e fshatra të tërë u bënë shkrumb e hi, popullsia e pafajshme dhe e paarmatosur u masakrua në masë, u kryen akte të shëmtuara dhune, plaçkitje dhe mizorie, – të tilla ishin mjetet që përdorën dhe vazhdojnë të përdorin ushtarët serbë, me qëllim që të transformojnë rrënjësisht karakterin etnik të rajoneve të banuara dikur vetëm nga shqiptarë.

Kjo luftë shfarosëse e sërbëve përgjatë kufirit verior të Shqipërisë u përshkrua edhe nga Edit Durham, bamirësja britanike që kaloi vite të shumta midis fiseve të malësisë.

Një shqiptar, të cilit i ra rruga nga Podgorica, deklaroi se në vilajetin e Kosovës në shumë vende toka ishte mbuluar me trupat e grave e të fëmijve dhe se kishte parë një gjymtyrë që ende përpëlitej mbi tokë.

Një oficer serb ishte mburrur gjithë gëzim: “ Fisin e Lumës e shfarosëm. “ Pastaj ai përshkroi masakrën e paparë të burrave, grave e fëmijëve, si edhe djegjen e fshatrave. Oficerët serbë kishin rënë në ujdi që “kur vendi të bëhet sërish i yni, nuk do të ketë më asnjë këmbë myslimani”.

Mirëpo, më 7 nëntor 1913 Austria dhe Italia u kërkuan serbëve që të evakuonin tokat shqiptare të pushtuara, kështu që ata, pa dëshirë, u tërhoqën në kufijtë e përcaktuar nga Konferenca e Ambasadorëve të Londrës. Disa muaj më vonë, më 28 qershor 1914, një nacionalist serb e shfryu zhgënjimin e tij të thellë duke vrarë Princin Austriak, Franc Jozefin, në Sarajevë. Kështu, falë ngathtësisë së Evropës në trajtimin e çështjes shqiptare, fuçia e barutit në Ballkan shpërtheu në një Luftë Botërore.

Përfundim: Serbizmi i madh është i gjallë, madje dhe në ato momente kur duket se nuk ka kurr fare shansë për të mbijetuar, e jo më për tu zbatuar. Sot jemi dëshmitarë, se funkcionarët e lartë të Shtetit të Serbisë dhe të Republikës Serbe në Bosnjë e Hercegovinë parashtrojnë  idenë dhe projektin e tyre politik: “Bota Serbe” apo “Serbia e Madhe”. Idetë e tilla nuk kanë të bëjnë me një politik reale, por mitologjike, për çka nuk ka shërim. Për ithtarë të tillë pushtimi i tokave të huaja është detyrë e shenjtë dhe njëheri është arsyeja e vetekzistencës së tyre. Ideja e Serbisë së Madhe sikurse një sëmundje epidemike ekziston dhe mbijeton tashmë disa shekuj dhe se gjithmon çfaqet në kohën kur për atë arrihen kushtet e volitshme. Ajo mund të kapërcej dhe gjenerata, periudha të tëra, por kurr në të vërtetë nuk shuhet apo vdesë. Një konkluzë të tillë më së miri e vërteton dhe hisoriania e njohur serbe, Llatinka Peroviq, e cila ndër të tjerat thotë: “ Serbia është e lodhur nga luftërat për pushtimin e territoreve të huaja. Brenda 125 vjetësh, ajo ka luftuar çdo 14 vjet… Sot, kur një orientim i tillë do të duhej të përfundoj dhe kur një model i tillë politik do të duhej të jetë i zbrazur, bëhet e qartë se është e nevojshme të ndryshoj ajo që quhet mentalitet. Mirëpo, parashtrohet pyetja: a mund të ndryshoj fare mentaliteti serb? Unë e pranoj se vetë po përmballe gjithnjë e më tepër me këtë pyetje, por akoma nuk kam përgjegje?!

Filed Under: Histori Tagged With: Genocidi serb, Histori, Nike Gashaj

INICIATIVA E BASHKËPUNIMIT RAJONAL “BALLKANI I HAPUR”

August 3, 2021 by s p

Nikë Gashaj

Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq dhe kryeministrat e Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut, Edi Rama dhe Zoran Zaev, nënshkruan dy memorandume dhe një Marrëveshje për bashkëpunim në Shkup (29 korrik 2021.) dhe riemertuan iniciativën “Mini Shengen” në “Ballkanin e Hapur”.Mirëpo, iniciativa tashmë është nënshkruar një here midis tri shteteve në vitin 2019. Prandaj, këtu nuk shihet asgjë e re tani në memorandumet trepalëshe të nënshkruara. Nënshkruesit e memoradiumeve ndoshta donin të konfirmonin dhe një here marrëveshjen, dhe se në Serbi, “zgjedhjet po vijnë së shpejti”. Me këtë, rast po ceki se, Kosova Mali i Zi dhe Bosnja dhe Hercegovina nuk i janë bashkuar nismës në fjalë. Përkundrazi, Kosova me të drejtë reagoi ashpër kundëra kësaj iniciativë duke e vlerësuar atë të dëmshme dhe të rrezikshme për Kosovën dhe për tërë rajonin ballkanik.

Lidhur me atë nismë, Presidenti i Serbisë, Aleksadër Vuçiq, ndër të tjera u shpreh: Nuk do të ketë kufij midis vendeve tona. Ka kufij, por nuk ka kufij për qytetarët. Ju shkoni nga Beogradi në Tiranë dhe askush nuk ju ndalon askund. Mirëpo, këtu nuk është e qartë se për të cilët kufij bëhet fjalë, sepse Serbia nuk kufizohet me Shqiprinë!

Përsa i përket Nismës”Mini Shengen”, respektivisht”Ballkani i Hapur”, jam i mëndimit se ajo është e parakohshme, derisa më parë të zgjidhen disa çështje politike në rajon, para së gjithash vendosjen e normalizimit të plotë ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, respektivisht të njohjes të tyre reciproke shtetërore. Ajo është çështje qëndrore e stabiliteti politik rajonal.

Njohjet tregojnë se nuk është tejkalua ideologjia politike e viteve të 90-ta në Serbi. Fjala është për ide të njëjta dhe për gjëndjen shpirtërore mitologjike, por në një kohë dhe rrethana plotësisht të ndryshme gjeopolitike. Pra, ka të bëj me një mitologji politike dhe ideologjike, e cila gjithherë ka qenë e rrezikshme për paq dhe stabilitet rajonal. Andaj, është i nevojshëm diferencimi i politikës mitologjike dhe i asaj reale.

Mini -Shengeni ose “Ballkani i Hapur” ka të bëj ndërmjet Serbisë, Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut, dhe ajo paraqet një eksperiment politik, meqënëse zhvillimi i integrimeve në Ballkan nënkupton përfshirjen e të gjitha 6 shteteve të Ballkanit Prëdimor, dmth. dhe të Kosovës, Malit të Zi dhe Bosnjes e Hercegovinës. Pa ato shtete, inciativa në fjalë do të përjetojë mossukses.

Përfaqësuesit e kësaj Nismë deklarojnë se ajo do të  mundësoj qytetarëve me kalua kufijt me kartë të identitetit. Në atë mënyrë do të mundësohet qarkullimi i lirë i madhërave, kapitalit, njerzëve dhe shërbimeve, si dhe të krijimit të tregut të punës. Më tutje shtojnë: se do të zvogëlohen humbjet me miliona dhe pritja e gjatë me kamiona në kufij. Në lidhje me atë, parashtrohet pyetja, çka ajo do të thotë në praktikë, kur fare mirë dijet, se vendet e ballkanit Prendimor janë të vogëla, të prapambetura, të pa zhvilluara. Ato kanë prodhim, relativisht të ulët, papunësim shumë të madh, treg të kufizuar, import më të madh se export, deficit permanent të tregtisë. Më tutje, për çfarë tregu të punës, kapitali, industrisë së zhvilluar dhe teknologjisë bashkëkohore bëhet fjalë, kur prej atyre vendeve ikin dhe qytetarët e tyre. Në bazë të cilave burime konstatohet, se do të zvogëlohen humbjet me miliona, respektivisht, në lidhje me të, a ekziston ndonjë studim shkencor. Konstatimi i tyre, se nuk do do  të ketë ndalim dhe kontrollë në kufij, a nënkupton ajo, se në kohën e krizës emigruese, natyrisht se do të ketë kalim ilegal nëpërmjet të kufijve, kontrabanda me madhëra dhe droga, si dhe aktivitete të grupeve kriminale.

Ajo që paraqet befasi, çudi dhe shqetësm është fakti se Shqipëria e pranoi këtë nismë të Presidentit të Serbisë Aleksandër Vuçiq pa marrëveshje me Kosovën. U rreshtua dhe u bë partner i Serbisë dhe Maqedonisë së Veriut, edhe pse jam i bindur se një iniciativë e tillë ka një prapavijë të dëmshme politike për Kosovën, repektivisht, gjoja e normalizimit të marrëdhënieve nëpërmjet të tregtisë së lirë, pa njohje shtetërore të Kosovës, por si në kohën e ish-Jugosllavisë, si Krahinë e Serbisë. Me fjalë të tjera, Sërbia bënë manovra për legjitimin e një gjëndje të tillë politike dhe për shtyrjen e njohjes së Kosovës. Ata kishte me u dashtë për ta ditur udhëheqësia e shtetit shqiptar, por dhe partitë politike shqiptare në Maqedonë e Veriut që janë në koalicion me Kreministrin Zoran Zaev.

Sot jemi dëshmitarë të avokimit të një ideje të rrezikshme për Kosovën, por dhe për stabilitetin e të gjithë rajonit “Bota Serbe”, respektivisht të “Serbisë së Madhe”. Qëllimi i kësaj politik është të kthej të gjithë rajonin në të kaluarën. Prandaj, parashtrohet pyetja: Në çfarë lloj korrelacioni është inicijativa”Ballkani i Hapur” me “Botën Serbe” apo “Serbin e Madhe”. Ku qëndorn prapavija politike? A ka nevojë rajoni për nisma të tilla rajonale, kur dihet se të gjitha vendet e rajonit janë të përfshira në procesin e Berlinit. Prandaj, bashkimi me këtë nisëm”Ballkani i Hapur” është vetëm humbje kohe dhe energjie, në vend që vendet e Ballkanit Perëndimor të përqendrohen në përmbushjen e kritereve të pëcaktuara për integrimin e tyre në Bashkësinë Evropiane.

Më në fund, mund të konstatohet se pa stabilizim politik në rajon, nuk ka as bashkëpunim të suksesshëm ekonomik. Përkundrazi, gjithë çka tjetër paraqet gënjim apo mashtrim politik, respektivisht mund të supozohet se nismëtari kryesor ka ambicie dhe qëllime të tjera politike.

Filed Under: Analiza Tagged With: Ballkani I hapur, Mali i Zi, Nike Gashaj

  • 1
  • 2
  • 3
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Kosova’s 15th Anniversary of Independence Celebration
  • PAL ËNGJËLLI, KRYEIPESHKËV I DURRËSIT I SHKRUAN GJERGJ KASTRIOTIT SKENDERBEUT – PRINCIT TË EPIROTËVE PËR FILLIMIN E LUFTËS KUNDËR SULLTANIT OSMAN – MEHMETIT TË II-TË
  • In Memoriam Presidenti Woodrow Wilson
  • Thirrje !!! Ka kohe qe makina e jetes po “jep shpirt” !
  • “Fijet”, kur shteti gjunjëzohet përballë krimit
  • Qëndrimi i Kryeministrit Kurti dhe Qeverisë së Kosovës: Gjashtë kushte për Asociacionin…
  • Mirënjohje përjetë Senatorit Bob Dole
  • How Prosecutors Say a Top F.B.I. Agent Sold His Services Overseas
  • HISTORIA E HIDHUR E “KROIT TË LOTIT”
  • Ç’PO NDODH ME ALEATËT PERËNDIMORË – KOSOVA
  • BUKËPJEKËSI ME ZEMËR TË MADHE
  • Një shënim mbi librin “Esencat e mendimit letrar”, të Dr. Besim Muhadri
  • Shoqata Shqiptaro Amerikane e Punonjësve të Policisë për gjithë Amerikën organizoi aktivitetin e saj vjetor
  • Libër me vlera të veçanta në ndriçimin e figurës atdhetare, politike dhe shkencore të profesor Rexhep Krasniqit
  • Kalendar – Kosova drejt Pavarësisë: Para 16 viteve Propozimi i Ahtisaarit, SHBA e falënderonin 

Kategoritë

Arkiv

Tags

alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Hazir Mehmeti Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT