• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

“Fjalor i Fotografisë”, Fjalor Drite

January 2, 2014 by dgreca

Nga Astrit LULUSHI/

Jo më shumë se dy dekada e gjysmë më parë, nje aparat fotografik ishte send tepër i rrallë, krahas njeriut të lirë apo pas automobilit privat i cili nuk ekzistonte. Sot, është e tepërt të thuhet se fotografia konvencionale dhe ajo dixhitale, kanë hyrë kudo. Dhe një fjalor teknik për të shpjeguar sa më shumë fjalë të terminologjisë së fotografise, shqipes i duhej.
Ky Fjalor i lypur vjen nga Qerim Vrioni, studiues dhe gjurmues, mbledhës i fotografise shqiptare, nxjerrës në dritë i figurave të saj me librat e tij si “Fotografia një grusht Diell” apo “150 vjet fotografi shqiptare”.  Synimi e fjalorit, i çdo fjalori, është sa maksimalist dhe minimalist; “Fjalori..” i Vrionit është edhe përparësor (mbi të dyja), sepse; kalon nëpër udhë të pashkelur; mbulon rreth 600 fjalë  (jo pak për një fjalor zhargon) të fenomenit të artit fotografik; dhe nëse lexohet faqe-pas-faqe njeriu mëson mbi procesin e prodhimit të një objekti nëpërmjet veprimit të dritës, rrezatimit apo ndjeshmërisë së saj, ku drita lë gjurmë, gdhend; “foto-grafi” “gjurmë-drite”, ky është kuptimi i fotografisë në shqip. “Fjalor i fotografisë” dixhitale dhe konvencionale i Qerim Vrioni është udhëzues i rëndësishëm për studentë e profesionistë njësoj, sepse në këto kohëra zhvillimesh të vrullshme teknologjike, dhe vende pa kufij të mbyllur, fotografi sado me përvojë në profesionin, bëhet brenda natës i ri a student.Fjalori (176 fq) është referencë e shkëlqyer, plot përkufizime të termave dhe njohuri në zgjidhjen e problemeve gjatë përdorimit të një aparati ose kamera për të fotografuar dhe retushuar në mënyrë dixhitale.Fjalori i Vrionit është i llojit bifokal, sheh larg dhe afër, maksimalist dhe minimalist, ndërsa përpiqet të mbulojë një pjesë të terminologjisë përkatëse. Fjalori i Vrionit është here-herë një gjuhësh, dy gjuhësh, sqarues, analizues, i plotë, biografik, ku përdoruesit mund të kuptojnë tekstet teknike në shqip a të përkthyera dhe të prodhojë tekste të reja. Bibliografia e pasur, tregon se autori ka kryer kërkime disa vjeçare, siç e thotë edhe vetë, në biblioteka të shumta si në Amerikë edhe në Evropë e Shqipëri.

Gjuha shqipe është e re në të shkruar; alfabeti i saj i njësuar u miratua rreth 105 vjet me pare nga Kongresi i Manastirit (1909); historia e fjalorëve të saj është thuajse njësoj në moshë; ndërsa ajo e fjalorëve teknikë është e re. Qerim Vrioni me Fjalorin e tij të Fotografisë të kujton amerikanin Noa Webster. Në vitin 1806, Noa botoi një Fjalor të përmbledhur te gjuhës angleze me jo më shumë se 20 mijë fjalë; sot Fjalori i tij ka mbi 150-mijë fjalë e shprehje, dhe vazhdon të botohet i shtuar dhe me të njëjtin emër: Webster’s Dictionary. Me kalimin e viteve, për hir të shqipes, të njëjtin fat pasurimi urojmë të ketë edhe Fjalori i Vrionit.

 

Filed Under: Kulture Tagged With: Astrit Lulushi, fjalor drite, Qerim Vrioni

PRESHEVA – E BUKURA E KOSOVËS

January 1, 2014 by dgreca

Lexim i 18 veprave të Mexhid Mehmetit/

( Sa shpesh na shkuan ardhjet e u kthyen shkuarjet s’ ka të numëruar. Përsëritjet  përherë po na bëjnë të vendnumërojmë. Unë nuk e dua as vrasësin as të vrarin. Alfabetin e  lirisë dhe  të gjuhës  nuk e kam ndërruar, jam ai moçmi. Arti im në  plot vargje kullon gjak. Më  kot  dihati të  shkurtoj udhën, por udhë  të tjera të  pafund  ma  mbyllin  udhën , shprehet  shkrimtari, Mexhid Mehmeti, nga  Presheva )Mexhid Mehmeti, poet, romansier, dramaturg,tregimtar, dhe publicist, ka kohë që ka hyrë në gjithësinë letrare të kombit tonë. Ai për 50 vjet krijimtari poetike nuk ka ndalur betejën  mbi letrën e bardhë. Janë 5 mijë faqe tekst të shkruara nga ky shkrimtar prodhimtar.

Shkrimtarët e Kosovës Lindore ( Bujanovc, Preshevë, Medvegje ) janë shkrimtarë të gjakut të fisëm, shkrimtarë të etërve të tyre të lashtë. Për liri më thotë Mexhidi, kurrë nuk mund të bëjmë sa duhet. Për vlerat e lirisë, duhet të punojmë gjithë jetën, ky është mesazhi im.

Fqinjët tanë, jo rrallë  kanë etje për gjak, për luftë, dhe për interesa të tyre. Ky  fakt  tragjik  po  e  ndjek vazhdimisht popullin tonë. Ende pa u tharë gjaku i ‘ 99- tës , Kosova Lindore, druaj se, duhet t´ia nis luftës nga e para, për luftat  e pakryera, dhe për pjesët e betejave të pafituara.

Ata që aktualisht bëjnë urdhërin e kësaj kohe, gjakun e kanë lëndë larëse nëpër fushat e betejave, shkruan poeti Mexhid Mehmeti në librin e tij, “ Trungu i pikëllimit”. Poezia tek unë shprehet Mexhidi, nuk di të flë, nuk di të heshtë, se gjak më kullon shpirti, thotë autori i 18 veprave letrare.

Në dramën e Kosovës, në dramën e popullit tim, ne vazhdimisht jetojmë me dhimbjet e aborteve banale të historisë. Presheva po e jeton periudhën e një pushtimi të egër serb. Abortet historike në këtë pjesë të Evropës janë me pasoja të mëdha gjaku. Njerëzit duhet të flasin, të flasim duhet të gjithë.

Nuk di pse më shfaqet njeriu ngrënës i baladave, ajo fytyrë e pafytyrë në mes të epizodave të kinemasë sime. Sepse, shumë kemi jetuar me “lirinë” e të tjerëve, me lirinë e pa liri. Nën qiellin tonë  jo rrallë, festat e pushtuesit i kemi festuar si tonat.

Nën prangat e pushtuesit “drejtësia” e tij është më e padrejta. Pushtuesi, nuk  lë kurrë të zhvillohemi e të ecim përpara.

Preshevë – e bukura e Kosovës, nuk bëra gabim që të desha. Ai përqafim ishte i domosdoshëm, ishte një urdhër  zemre. Unë pyes, po i pyeturi s’ përgjigjet. Muret në këtë nënqiell kudo më kërcënojnë, andaj, sado që e dua lirinë, unë druaj nga ata që kanë në duar urdhërin për historinë.

Plani i Athisarit s´më pëlqen në shumë pika, e veçmas  në ato pika ku  fshihet asimilimi dhe zhbërja e emrit të popullit tim, dhe emri i gjuhës, dhe i simboleve. Rruste, këto nuk janë shqetësime të  vogla, shprehet shkrimtari, Mexhid Mehmeti. Mirëpo, Kosova është e mençur, dhe do të di ta bëj shtetin, pavarsisht, daullexhinjve të së keqes.  Daullet e thundrakëve unë i fshikulloj. Në Kosovë ka shqiptar që shqiptarisht e duan Kosovën, shembull tipik është, Adem Jashari, dhe Kosova e lirisë dhe pavarsisë.

Poezia e Mexhid Mehmetit, është poezi e përroit të kuq, poezi e gjakut të fisëm. Shkrimtarët e Kosovës Lindore ( Bujanoc, Preshevë, Medvegje ) bëjnë punën e tyre prej poeti. Presheva – e bukura e Kosovës,  është qytet i zemrës sime. Në Preshevë jam lindur dhe jam rritur. Hireve të Preshevës shumë i shkon poezia. Poetët e talentuar të Luginës, si Jonuz Fetahu, Qerim Arifi, Feime Selimi, Dashnim Hebibi, Xhemë Karadaku, Nerimane Kamberi e të tjerë, janë të pagjumtët e kësaj peme të gjakut. Ata dhe vetëm ata shkruajnë dhe  lexojnë plagët e tokës, zjarrin amë të dhimbjes.

Mexhid (Abedin) Mehmeti u lind më 11 qershor të vitit 1948 në Zhunicë të Preshevës. Shkollën fillore e kreu në vendlindje, ndërsa tetëvjeçaren dhe gjimnazin në Preshevë. Pas shkollës së mesme, Mexhit Mehmeti diplomon në Fakultetin Filozofik, Gjuhës dhe të letërsisë shqipe, në Universitetin e Kosovës në Prishtinë. Mexhid Mehmeti, për disa vjet punoi në arsim, në Gjimnazin “Skënderbeu” në Preshevë, e mëpastaj në shkollën e mesme në Tërnoc të Bujanocit, si dhe në shkollat fillore të Raincë, dhe Corraticë. Veprimtaria e Mexhidit nuk mbaron me kaq. Ai  në gazetën “Flaka e vëllazërimit”në Shkup, punësohet përkthyes. Në Shkup ai miqsohet me rrethet letrare atje. Formimi I shkrimtarit nuk është i lehtë, rrëfen Mexhidi, duhej një qerre me libra ta lexoja, ndryshe, vezullimin e dritës në ëndërr nuk do ta shihja.Jeta e shkrimtarit është poemë e gjatë.Prej vitit 1985 e deri në përfundim të Luftës së Kosovës 1999 Mexhidi punoi gazetar-korrespodent I gazetës “Rilindja”.

 

Shkrimtari Mexhid Mehmeti, ishte themelues dhe redaktor i revistave “Filizat”, dhe “Panorama” të Preshevës, dhe “Jehona” të Bujanocit. Për një kohë të gjatë udhëhoqi klubin letrar “Feniks” të Preshevës dhe editor i këtij klubi, i cili u shqua me një sërë botimesh cilësore të autorëve të Krahinës së Mollës së kuqe.

Mexhid Mehmeti është përfaqësuar në shumë antologji poetike, tekste universitare, leksikone, albume, botime kritike etj., në shqip dhe gjuhë të huaja. Bashkëpunon me të gjitha gazetat dhe revistat që botohen në trevat etnike shqiptare e më gjerë. Bashkëpunoi me shtypin e luftës, për liri dhe pavarësi të Kosovës.

Mexhidi, aktualisht është anëtar i kryesisë së Lidhjes së Shkrimtarëve të Kosovës, (i rizgjedhur edhe në mandatin e dytë), ku është angazhuar në shumë aktivitete, përfshirë këtu edhe juritë, komisionet e ndryshme etj. Është fitues i disa çmimeve për poezi, kurse më 2006, për romanin “Shtatë ditë pas vdekjes” mori çmimin “Hivzi Sulejmani”, të cilin LSHK e jep për veprën më të mirë të vitit në prozë. Që nga paslufta jeton e vepron në Prishtinë dhe qtetin e  Fushë Kosovës.

Mexhid Mehmeti për 50 vjet krijimtari letrare, Letërsinë shqipe e pasuron me 18 vepra të mirëfillta. Librat e Mexhidit Mehmetit, janë të vlerësuara me cilësorin, shkrimtar i lauruar me çmime. Vepra e Mexhid Mehmetit i bën nder Letërsisë sonë të bukur. Që nga poezia e pare “Nëna” në vitin 1965 e deri më sot ka botuar këto vepra; “Klithje e përmallim”, “Lumja”,  “Frymëmarrje”,“Peizazh i ngrirë”, “Mon-strumiada”, katër drama,  “Presheva”, poemë, “ Rikthim dhembjeje ”, “Puthja vrastare”, “Hija e korbit”, “Lumi i bardhë”, “Pikë në zemër”, “Shtatë ditë pas vdekjes”, “Pallati me yje”, “Furtuna”, dhe libri monumental, “Përtej Harrimit”.

Unë s’di të nënshtrohem më thotë poeti, se i nënshtruar nuk bëj dot asgjë. Arti i Mexhid Mehmetit dashuron me forcë dheun dhe atdheun e tij : Në asnjë ëndërr timen nuk shihet dielli i thosha një mikut tim tek po bisdonim. Fjala e gjaktë e zemrës brenda ka të gjelbren e jetës. Për lirinë kurrë nuk mund të bëjmë sa duhet, për vlerat e saj duhet të punojmë gjithë jetën, është mesazhi i poetit, Mexhid Mehmeti.

Rrustem Geci – Dortmund

 

Filed Under: Kulture Tagged With: Mexhit Mehmeti, Presheva, Rrustem Rexhepi

POETI HAMIT ALIAJ I KAPËRCEN TË MARTAT SHQIPTARE

December 30, 2013 by dgreca

Nga Ramiz LUSHAJ/

1.

Një vend po u braktis nga poetët e lartësive poetike rrgallet disi nëpër shkretani jo të vogla. Kjo ka fektue kaherë edhe në qytetin tim alpin, në krahina të rrethit tim në brigje të Valbonës e të Drinit. Eksodi i poetëve të lindur në truallin e Eposit të Kreshnikëve, në Eposin sa epik dhe lirik të Malësisë së Gjakovës (Tropojës) nisi herët. U ba masiv dekadat e fundit. Një qytet pa poetë është si një shtëpi që nuk përkund djepe.

Brezi i poetëve të viteve ’70 ishin e mbeten një brez i madhërishëm Ishin e mbeten vargmale poetike. Asokohe banë atë që ndodh rrallë: Tropoja – sa për luftërat e mëdha e bukuritë e rralla përmendej edhe për poetët e saj të mirë, të cilët themeluan, promovuan e lartësuan “Shkollën poetike tropojane”. Shqipëria asokohe kishte vetëm dy shembuj të tillë të përngjashëm: Lezhën dhe Tepelenën.

Ma i pari me botime poetike dritnoi Mehmet Elezi me vëllimin poetik “Zhurmojnë ujvarat” (1970). Mbas tij, Ndoc (Anton) Papleka me “Zëri im” (1971), “Ecim” (1974) e “Njatjeta, diell” (1976). Skënder Buçpapaj me “Zogu i bjeshkës” (1973). Avni R. Mulaj me “Valbona e kaltër”(1974), “Orët e mia”(1976) e “Currila”(1977). Hamit Aliaj me “Bjeshkët janë mbiemri im” (1974). Halil Buçpapaj me “Gurrat e rudinave” (1974). Feride (Mahmudaj) Papleka me “Ëndrra dhe fishekzjarre” (1974). Selim Aliaj me “Njerëzit e dritës” (1977). Besnik Mustafaj me “Motive të gëzuara” (1978). Katër poetë: Ndoc Papleka, Xhevahir Spahiu nga Skrapari, Hamit Aliaj e Skënder Buçpapaj me përmbledhjen poetike “Epikë” (Rilindja, Prishtinë-Kosovë, 1979).

Këto yje poetike të viteve ’70, ndër kohna, ikën te-tanë nga Tropoja. Selim Aliaj nga Kasajt, “poeti i dritës”, mbeti i parafundit, të cilit kur ishte “Lufta e Kosovës” (1999) s’di se kah plumba vrastarë aksidental ia këputën jetën e fjalën në mes, po mbeti flakadan i ndezur emri dhe poetika e tij. Në një vend ku vriten poetët nuk mund të jetojnë as ujqërit.

Ma i fundit qëndrestar i mos ikjes, nga poetët e Brezit ’70, ishte poeti emblematik, Hamit Aliaj. Nuk e di se cila/t e martë ia dha rrugën e ikjes nga bjeshkët e veta, nga qyteti alpin, nga bajraku i Kasajt. Po të tilla të marta kemi secili prej nesh. Vektorë, motive e aktorë të të martave të mëdha e të vogla, disa sish, që e shtynë në kapërcyell të shekullit të ri edhe poetin Hamit Aliaj me u çvendos nga Lugu i Malësisë me qytetërime antike e mesjetare dhe me ra në metropolin e çakorduar të Tiranës kanë nxanë vend edhe tek ma i fundit vëllim i tij poetik “Njëqind vjet e Martë” me plot 90 poezi, botue tek “Kristalina KH” e Kadri Hykajt në Tiranë. Shpeshtas. ritualisht, Hamit Aliaj rikthehet në vendlindjen e vet si tek poezia “Mall” (fq. 9): Në këtë qytet prej të cilit ika / (Po ai s’po ikën kurrë prej meje) / I mallkuar endet të ritë tim / Si lis i harruar vrarëreje / Në këtë qytet ku shkrova lirika / Të cilat s’i shkruaj kurrë më, dot / Kurrkush s’më njeh dhe nëpër këngë / Në vend të rimave dalin lotë /.

2.

Hamit Aliaj, magji e madhështi e fjalës poetike, kurrë/sesi nuk e deshti ikjen nga vendlindja e vet. Përkundrazi: edhe në vitin e egër ’97 rrugëtoi paqësor nga Alpet ku edhe Orët e Malit kishin marrë arrati, eci mbi gëzhojat e plumbave e erën e minave drejt metropolit busullhumbur të Tiranës për me e botue të pestin vëllim poetik “Mungon Viti Një” tek enti botues “Albin” i mikut të tij e të Tropojës, Spiro Dede. Asokohe kur edhe buka gatuhej me lotë e barut, shumkush shprehte habi e entuziazëm të shumëfishtë për misionin fisnik e optimist të poetit Hamit Aliaj, teksa me veprimin e vargjet e tij jepte mesazhe engjëllore paqeje për t’iu ul grykat armëve të dreqnive, marrive e kotësive.

Në mesnatën e 31 tetorit 2001 të qytetit alpin, lugatë vampir të politikës çikllope të hakmarrjes bio-politike, me 5 kg tritol C4, e hodhën në erë pallatin ku shënjestrohej deputeti e kryetari i degës PD të Tropojës, Azgan Haklaj, e nga ky eksplozivim politik terrorist e humbi jetën aksidentalisht gazetarja e re, martirja Shotë Haklaj. Aty, ndër 19 familjet që iu shkatërruan shtëpitë ishte edhe ajo e poetit qëndrestar Hamit Aliaj (Azgan Haklaj. Vepra “Për Kombin, Për Demokracinë”. Tiranë, 2011, fq. 168). Ai pallat, përndryshe, ishte edhe “pallat i njerëzve të letrave”, ku pesha e librave të bibliotekave vetjake në shtëpiat e tyre ishte ma e madhe se e tullave të tij. Vetëm pesë librat margaritar poetik të Hamit Aliaj ishin pesë milionë herë ma të randë në vlera visarore, në tokaqiell e breza, sesa ky pallat pesëkatësh. Një pyetje i pati shtrue në vitin 2001 poeti e analisti Preç Zogaj kohës e politikës: “Sa kushton mospërkulja?”. As vetë nuk po di çka me iu thanë: ndoshta ka çmimin e vdekjes së parakohshme e të pafajshme si gazetarja Shotë Haklaj; ndoshta ka çmimin e burgosjes politike si politikanin e analistin Azgan Haklaj, tashti edhe me katër libra suksesor; ndoshta ka çmimin e çojes çvendostare engjëlltare nga vendlindja si poeti epik e lirik, Hamit Aliaj.

Dhe erdhi një ditë, jo si gjithë të tjerat, dhe emblema e gjallë e qytetit e rrethit tim/tonë të mrekullive alpine e njerëzore, dhe “Homeri malësor”, Hamit Aliaj, iku andej ku s’ndejt as në të ritë e vet: erdhi, si edhe ne të tjerët, në Tiranë. Poetë të lartësive poetike si Hamit Aliaj janë “qytetar të botës”, piedestale të gjalla të kohës, lartësi të së ardhmes, edhe kur ka pasë “Mur Berlini” apo “Mur Lane”. Poeti Hamit Aliaj, si të gjithë poetët që jetojnë me poezinë e për poezinë, është jashtë politikës së ditës, brenda kohës, në genet e së djeshmes, në farën e së ardhmes, ndaj kërkon t’i kapërcejnë të martat, me i lanë në plakaninë e vet, në ferrin e vet, ashtu sikurse tek poezia “Njëqind vjet e martë”(fq. 50): “M’u plak e marta, njëqint vjeçe m’u bë / Një e djelë më duhet / Për meshë a për dasma…”.

Poetin Hamit Aliaj, tashma i larguar nga vendlindja, e merr malli për Itakën e tij, Kasajt, ndaj në poezinë “Porosi në ikje” amaneton: “Shtëpinë e vjetër ua lashë /Veç një dritare mos ma mbyllni kurrë / Se vjen ndonjë natë shpirti i babës / Dhe këqyr a ka hi në votër / Manin mos ma prisni, as qershinë / Janë drurët më fisnikë të jetës: / Prej manit bëhet çiftelia / Prej lëvores së qershisë, tezgjahu i saj / Kthehet ndonjë ditë një këngëtar i gjakut tim, bre!”/(fq. 27).

3.

Hamit Aliaj ka kodet e veta poetike. Është poet i mesazheve të mëdha. Priti 12 vite mos me i djeg poezitë e tij në furrën e kohës, nga “të martat” e kohës. Më 1986 doli me vëllimin e dytë poetik “E ruaj një fjalë për ty”. Kisha me thanë se si rrallkush, bash në kryetitull më duket se e kishte parandjerë vrelltë të nesërmen ngadhnjuese të Demokracisë në Shqipërinë Londineze, të Lirisë e Pavarësisë së Kosovës euro-atlantike, etj.

Vite ma vonë, më 1991, dukej se me kryetitull të librit të tretë: “Lotin nuk ta fal” i paralajmëronte të gjithë: intelektualët, trimat e batakçinjtë e Demokracisë së re e të brishtë. I donte, këta të gjithë, pa të “Marta” ndaj kombit, të ardhmes së tij.

E sëvonit, ndoshta, disi i pakënaqun e i papajtueshëm me “të martat” e Çështjes Kombëtare Shqiptare, me “të martat” e Tranzicionit të vështirë e të tejzgjatur në Shqipëri etj., do të vinte me vëllimin e pestë poetik, emblematik, domethanës: “Njëqind vjet e Martë”.

Në jetën e poetit misionar, në jetën e kombit, ka edhe ditë pa të marte, të cilat ka njëqind vjet që i pret siç është Pavarësia e Kosovës,, që e ban të lumtur për njëmijë vjet, si tek poezia “Nata e parë në Gjakovë”: Njëqind vjet për të mbërritur tek ti… / Jam më i pasuri mbi dhe: / Kam timen këtë natë / Që ndan mijëvjeçarë. / (1999, Gjakovë).

Sot kanë ndryshue kohnat. Njerëzit kërkojnë mbiemra në kohë e prej kohës, etj. Kjo shprehimohet me art e simbolikë nga poeti Hamit Aliaj tek poezia “Gjergj Elez Alia i ri” (fq. 81):

Gjergji shkon të dielave në kishë,

Elezi – të premteve në xhami,

Alia – në diskotekë.

E secili kërkon të bëhet mbiemër.

Gjergji im i ndarë në tre pjesë…

4.

Athina u ngrit lart në antikitetin e saj helen, pasi i deshi poetët e vet, filozofët e saj poetë. Ndoshta, Tropojës time i keq erdhi viti i mbrapshtë ’97 edhe për faktin se i ikën poetët, lisnaja poetike. I ikën poetët e Brezit ’70 e, pas tyre, edhe ata të Brezit ’80, të Brezit ‘90, të cilët ia çuan emrin Tropojës në kupë të qiellit edhe në ndonjë rast kur vendlindja iu dha kupa mërzitije e malli. Ndodhi ajo që s’duhej të ndodhte: Tropoja, kjo Malësi e Gjakovës, mbeti pa lisnajën e vet poetike dhe vendin e rendin e fjalëve e kangëve poetike e mori pushka e mbrapshtive gjithfarësh.  Pushka e zezë me flakë të kuqe. Pushka vrastare e vitit të zi ’97 që solli gjakderdhje e gjakmarrje. Poeti i lartësive poetike Hamit Aliaj tek vepra ma e fundit “Njëqind vjet e Martë” kushtimon një poezi për 150 “të vrarët e Hiçit” të vitit ’97 në Tropojë, të cilët e prekin deri n’atë cak saqë  edhe “fjalën e harroj” tek poezia e arrirë “Ditëlindjet e të Vdekurëve” (fq. 53-54), të cilën po ua përcjell nji cope pa i hjek astenji germë dhimbjeje të pamatë, tragjedi të thellë:

Në qytetin ku u vura emrat fëmijëve

Në çdo pëllëmbë ka një përmendore të pabërë:

150 janë të vrarët e Hiçit.

 

Tash kur shkoj një herë në stinë,

Njëherë në stinë se kështu më thotë”Pse”-ja,

Të 150 i shoh me sy

Në qytetin e vogël dalin si dikur,

Kanë vrarë njëri-tjetrin, po bashkë rrijnë

Dhe mua ma ruajnë një gotë në tavolinë,

Qyteti bën festë dhe dritat si shkimë,

Ata, si dikur, qeshin me shoshojnë

Dhe njëri-tjetrit i japin dhuratë

Plagët e veta për ditëlindjet që zezojnë

Ditëlindje

Të vdekurish a keni parë?

Dhe unë fjalën harroj,

Duke parë vajzat që ata patën dashur,

Që falin lulezeza e kërkojnë lulehëne.

 

Dhe ikin të tmerruar se tuten prej fantazmash…

E gjithçka mbaron sa këndon gjeli i parë…

 

Vendlindja ime, Malësi e Gjakovës, ruaj ma shumë e ma mirë se deri më sot, poetët e tu të lartësive kombëtare të viteve ’70. Ose, të paktën, ata poetë të kahershëm e të rinj që kanë mbetë  trojenik në Tropojën tonë, si Lulzim Logu, Gjon Neçaj, Haki Zllami, Asllan Osmani, Gjon Markokaj, Jonida Osmanaj – Saka, Hasan Buçpapaj, e dhjetra të tjerë. Mirënjohje ndaj tyre që po botojnë libra poetik, antologji poetike (si kjo e fundit me poetë nga Malësia e Gjakovës dhe nga Gjakova), kanë një klub të shkrimtarëve aktiv si rrallëkund në Shqipëri me disa veprimtari në Tropojë, Gjakovë, Pejë, Deçan, Junik, etj.

Duhen poetët e poeteshat të këndojnë qoftë edhe për ditët e zeza, për të vrarët e varret. Mbi të gjitha duhen me t’i hyjnue tokat, njerëzit, malet, se kështu preken lartësitë, ujëvaron jeta, tuten dreqnitë e shekullit të vjetër e të ri.

Tropoja (Malësia e Gjakovës, Malësia e Mirë) nga “prodhimet” ma të mira ndër shekuj i ka veprat e poetëve të saj të të gjithë brezave, të publicistëve e historianëve të saj. Autorët, në çdo vepër, në CV e tyre shënojnë: vendlindja Tropojë. Pra, ata kudo që ndodhen, në vendlindje e kudo në Shqipëri e në diasporat shqiptare në botë, krijimtaria e tyre ka emërtesën “Tropoja” dhe mbijeton në dekada e shekuj ma shumë se çdo prodhimtari tjetër nga duart e mendja e njerëzve të saj të mrekullueshëm.

 

5.

Shpesh bijtë e shpërngulur me çoje e harrojnë tokën e vet. Po ata që e kryejnë një akt të tillë nuk janë poetët tropojas të Brezit ’70. Nuk është Hamit Aliaj. Nuk janë as Mehmet Elezi, as Ndoc Papleka, as Skënder Buçpapaj, as Avni Mulaj, as Halil Buçpapaj, as Besnik Mustafaj.

Nuk janë as poetët e tjerë tropojas të lartësive të ndryshme, të cilët janë larguar nga vendlindja përgjatë dekadave poetike të mapasme, që po i rendis si më vijnë në mbajamendje të çastit: Jahë Margjeka, Mujë Buçpapaj, Skënder Sherifi, Shkëlzen Zalli, Ukzenel Buçpapaj, Arbër e Bislim Ahmetaj, Alfons Zeneli, Zeqir Lushaj, Zef Mulaj, Fran Ukcama, Sami Neza, Jak Përpali, Marash Mëhilli, Guxim Alimani, Elona Zhana, Zog Hysenaj, Azem Baliaj, Manjola Brahaj, Almona Bajrami, Nikollë Ulndreu, Dritan Niklekaj, Gjin Gjonpali, Mehmet Berisha, Skënder Haklaj, Gjin Progni, Osmanie Çakraj, Valbona Hykaj, Riza Haklaj, Hydajet Bajri, e dhjetra të tjerë.

Java ka shtatë ditë. Poetët , në një kuptim të caktuar, janë dita e tetë e javës.

Poetët kujtohen në vendlindje në çdo ditë të javës, kanë minutat e orët e veta në kujtesën e bashkëvendasve, me vargjet e tyre poetike. Njejtësisht e njëherash edhe poetët e kujtojnë në memorie e vargje vendlindjen e tyre. Me i mbledhë te-tana këto minutazhe vargevijë e fjongojnë tufalajkë një “ditë të poetëve”, ditën e tetë të javës. Është një ditë shpirtërore, jetësore.

Tek “Njëqind vjet e Martë” poeti Hamit Aliaj e ka “ditën e tetë të javës” për vendlindjen e vet të bekuar, aty “ku bëjnë be në qiell edhe në gurë / E thonë: na lind djalin shqipja në flamur”/(fq. 74).

Diku tjetër (fq. 87) Hamit Aliaj  artnon me vargjet: “Kulla breg Shën Drinit / Kush ua ngatërroi emrin e ndërtimtarit? / Babiloni udhëton…/ Prej manushaqes së Drinit / Lindet njeriu / Edhe pse qielli ende mbahet / Në brirët e dhisë së egër: / Shën Drini…/”.

Si rrallkund tek poetët jeton vendlindja me gjithçka të sajën. Si rrallkush poetët i ngrejnë vendlindjes “malet e dyta” me poezi e kangë nga ma të bukurat. Në mes tyre, me ta, edhe poeti Hamit Aliaj.

Në poetiken e tij Hamit Aliaj kushtimon poezi për vendlindjen e tij, Tropojën (fq. 69): “…/ (Qiteni pëllembën e dorës t’u a gjej në hartë) / Sipas Kalendarit të Noes, prapë shkoj atje / Kam lënë hijen time…/”.

Poeti bohemik Hamit Aliaj është qytetar i Malësisë së Gjakovës, i Shqipërisë Londineze, i Kosovës euro-atlantike, i Maqedonisë që po e dështon Marrëveshjen e lindur e të lidhur të Ohrit, të trevave shqiptare nën Mal të Zi që po kthehen në një “Çamëri të dytë”, të Luginës së Preshevës që Serbia po e kthen në një gollo-nacionale raciste për shqiptarët trojenik, i Çamërisë me rrethina që ndahet në Qafë Botë, etj. Njëherash është edhe qytetar i Ballkanit dhe i Europës, qytetar i botës. Bohema e tij poetike, njerëzore, kombëtare dritëron reale e shumëdimensionale tek poezia e bukur e mjaft domethanëse, tek poezia “Udhëtim” (fq. 6);

Nisem për në Krujë, mbërrij 500 vjeç,

Nisem tek e dashura, arrij 20 vjeç,

Në shtëpinë ku linda, mbërrij njëvjeçar.

Poeti Hamit Aliaj, ashtu sikurse edhe Skënder Buçpapaj, Anton (Ndoc) Papleka,  Avni R. Mulaj, Mehmet Elezi, Besnik Mustafaj,  është një mal poetik në vendlindjen e tij, në “Shën Tropojë”, një nga vargmalet poetike të saj, dhe pa mëdyshje: është një lartësi poetike e viteve ’70 dhe një lartësi poetike në rritje në shekullin e ri, është një nga lartësitë e poezisë së sotme shqipe.

Tiranë, dhjetor 2013

 

Filed Under: Kulture Tagged With: kapercen te martat, Poeti Hamit Aliaj

LABËRIA E VLORËS U MBLODH NË KUVEND

December 27, 2013 by dgreca

nga Albert HABAZAJ/

Konferenca e radhës e Shoqatës Atdhetare – Kulturore “Labëria” për degën e Vlorës i zhvilloi punimet në mjediset e sallës së konferencave të Pallatit të Kulturës “Labëria”, Qendra Kulturore, Skelë, Vlorë, më datën 3 dhjetor 2013. Në këtë takim mori pjesë edhe vetë Kryetari i Shoqatës Mbarëkombëtare Atdhetare – Kulturore “Labëria”, Prof. Dr. Ago Nezha. Shumë i nderueshëm, prekës dhe dinjitoz qe pjesëmarrja në këtë kuvend e z. Ahmet Demaj, kryetar i shoqatës “Labëria” për Vlorën. Akoma ishte e freskët dhe ende është e patharë plaga e rëndë që i shkaktoi  trimit të urtë Ahmet Demaj ikja e parakohshme, aksidentale dhe e padrejtë e bashkëshortes së tij fisnike, mësueses Mirjane Demaj. Burri i Velçës dhe i Labërisë, për hir të nderimit që i bëri shoqëria labe, u ngrit mbi dhembjen dhe bëri zakonin e burrit lab, doli nga shtëpia, se e kërkoi detyra hyjnore e mëmës Labëri, priti shoqërinë e miqësinë në kuvend e mori pjesë në këtë takim të rëndësishëm. Vërtet nuk e mbajti ai raportin, por pjesëmarrja e tij, qëndrimi i tij, mesazhet që transmentoi, folën shumë e kuvenduan labërisht, vëllazërisht. Shembulli i tij është një model i lartë burrëror, që shënohet gati unikal në trevat tona e do të mbahet mend gjatë si gjest fisnik e trimëror dhe shkollë edukimi për të tjerët, sepse jeta i ka edhe këto halle, larg qofshin, sepse, si duket, edhe vdekja i duhet njeriut, për të provuar forcën, kurajon dhe karakterin e tij në këtë jetë “jallane”, me lule e furtunë.

Raportin mbi veprimtarinë e Shoqatës Atdhetare – Kulturore “Labëria” për degën e Vlorës e mbajti sekretari i Shoqatës Atdhetare – Kulturore “Labëria” për Vlorën, z. Albert Habazaj. U bënë pyetje dhe u kthyen përgjigjet përkatëse, qysh në fillim të analizës. Pastaj filluan diskutimet, nga ku do të shënojmë për botim disa prej tyre: Qani Dervishi, përfaqësues i labëve nga Tepelena, me banim në Vlorë, ndër të tjera tha: “Kjo periudhë dy vjeçare ka qenë e sukseshme dhe janë kryer mjaft detyra shoqërore atdhetare – kulturore, sipas Statusit dhe, patjetër, si vijim i traditës më të mirë labe, në kohët e reja. Vlen për punë Albert Habazaj, sekretar i shoqatës; z. Ahmet Demaj, me një punë të shkëlqyer dhe  u them të dyve: “Hallall iu qoftë!”. Kryesia e re të eci në shembullin e punës së këtyre dy viteve. Pjesëmarrja e grave në kryesi është pozitivisht evidente dhe një gjë shumë e mirë për të ardhmen”. Zotëri Dervishi shtroi problemin se, shumica apo, si i thonë tutje, mazhoranca e “qeverisjes horizontale” përbëhet nga burra, sidomos të moshës së tretë, prandaj të punojmë për futjen në shoqatë, – tërhoqi vëmëndjen ai, – dhe patjetër në kryesinë e shoqatës, të moshave të reja. Veprimtarja Vitori Hasani, Prof. As., mjeke në profesion, theksoi se veprimtaria e shoqatës ka qenë e madhe, sidomos në 100 vjetorin e Pavarësisë qe një gur i çmuar. “Dua të veçoj – u shpreh ajo – punën e z. Ahmet Dema dhe të Albert Habazit, prandaj jap dhe mendimin, që të dy, këta zotërinj të qëndrojnë”. Shpresim Kasaj, kryetar i shoqatës Atdhetare – Kulturore “Armeni”, shprehet se është dakort me të dy parafolësit, aq më tepër që Labëria e Vlorës bëri gjithë atë “bum” aktivitetesh të shkëlqyera, që organizuan të dy drejtuesit e shoqatës sonë në Vlorë. Shtrirja e aktiviteteve qe e mirë, që nga Drashovica, Mesapliku, Dukati, sidomos dy aktivitetet në Teatrin “Petro Marko” qenë model e ngelen të papërsëritshëm. Aktiviteti i shoqatës “Labëria” për Vlorën, gjatë 100 vjetorit, qe i shkëlqyer në Vlorë. Po përmend për punë cilësore dy drejtuesit e shoqatës sonë, z. Ahmet Dema e Albert Habazaj”. Sulçe Çela, mësues veteran dhe sekretar i shoqatës “Velça” tha se të gjithë kemi kontribuar për mbarëvajtjen e veprimtarive atdhetare kulturore të Labërisë në Vlorë, por peshën e kanë mbajtur dy të parët, që ne i përmendim gjithmonë me respekt, z. Ahmet Demaj dhe z. Albert Habazaj, që kanë treguar aftësi të rralla drejtuese dhe komunikuese në komunitetin lab këtu, prandaj mendoj që të dy të qëndrojnë në krye përsëri. “Kam dy mendime, – theksoi ai – ta shkruajmë mirë atë që bëjmë. Për mua të mbahet ditar historik për veprimtaritë atdhetare – kulturore që bën kjo shoqëri e madhe e organizuar e Labërisë në Vlorën Bregdetare. Kushdo që të zgjidhet të ketë synim që të punohet për muzetë. Ditari dhe muzeu të jenë në qendër të punës së kryesisë, forumit dhe drejtuesve të rinj që do të zgjidhen”. I ftuar, Dr. Asqeri Llanaj, kryetar i shoqatës Atdhetare – Kulturore “Cakrani” përshëndeti të dy drejtuesit e shoqatës “Labëria” për Vlorën, por edhe Prof. Dr. Ago Nezha, sidomos për rëndësinë që i kushtoi kësaj Konference në Vlorë, duke marrë pjesë vetë personalisht në këtë kuvend të rëndësishëm e nevralgjik labësh. “Keni qenë në krye të aktivitetev kombëtare – theksoi doktori – dhe me ç’di unë, edhe harxhimet janë bërë nga xhepi juaj. Edhe një herë ju falënderoj dhe jam gati t’ju ndihmoj”. Ndërsa mësuesi veteran Xhafo Muçaj, kryetar i shoqatës “Brati”, ndër të tjera, u shpreh: “Binom shumë i mirë dyshja që ka drejtuar këto dy vite “Labërinë” në Vlorë! Rëndësi t’i jepet shkollave të fshatrave për vlerësim. Dhjetë ndër to në rrethin e Vlorës kanë mbushur shekullin, 100 vjet dritë diturie në gjuhën shqipe. Veprimtari i dalluar, Serri Tushi nga Vermiku, vuri në dukje se drejtimi dhe veprimtaria e shoqatës “Labëria”, Vlorë ka qenë e shkëlqyer. “Them që ky binom të mos prishet edhe në të ardhmen” – nëvizoi veterani shembullor i arsimit, në gjakun e të cilit gëlon edhe zjarri ideal i Bajram Tushit, njërit nga katër Heronjtë e Topanasë. Piro Hodo, kryetar i shoqatës së Bashit, theksoi se edhe në Bashaj, këtë gusht të 2013 – ës, që kaloi, krijuam shoqatën. Si shoqatë e re që jemi, presim ndihma konsultative sipas statusit të Labërisë dhe përvojës që kanë Tërbaçi, Dukati, Vranishti, Bolena, Gumenica, Velça, Kuçi, etj. Punë të mirë bën gazeta “Labëria”, por në zona të thella kjo gazetë e dashur nuk vjen. Mirë ka nisur puna me muzetë dhe me lapidarët, të eci më mirë. Jam i mendimit që të dy zotërinjtë të qëndrojnë në drejtim, si element. Me interes u prit fjala e Prof. Dr. Bilal Shkurtaj, kryetar i shoqatës “Vranishti i Vlorës”, nënkryetar i shoqatës “Labëria” për Vlorën, ish – rektor i Universitetit “Ismail Qemali” të Vlorës për 10 vjet, “Personalitet i Shquar i Labërisë”. Profesori dha mendime, se ka vend për shtrirje dhe për pjesëmarrje. Ka shumë intelektualë, bij të Labërisë, me të cilët, duhet të punojmë për t’i afruar atje ku u takon dhe së dyti, – theksoi ai – shumë mirë bëjmë, që bëjmë vlerësime të njerëzve, por të kemi një listë të figurave të shquara, për t’i vlerësuar pë vijimësi. Jam dakort me të dy drejtuesit. Me shumë emocion labërisht u pritën dy fjalët e Ahmet Demës: “Ju falënderoj sinqerisht për ndihmën shpirtërore, që më keni dhënë. Shtëpia nuk mbahet pa themele në këmbë. Falënderoj profesor Ago Nezhën për ndihmën që na ka dhënë si degë në Vlorë. Dhe një herë ju falënderoj”. Pa diskutim, me shumë dëshirë dhe interes u prit fjala e kryetarit të “Labërisë” Kombëtare, Prof. Dr. Ago Nezha: “Kemi bërë një program për zgjedhjet, por aktiviteti i madh u shty për në prill, – tha ai – dhe, sipas modulit të rotacionit, do të bëhet në Gjirokastër. Ngushëllimet për Ahmetin i kam bërë familjarisht në familje, por sot e ngushëlloj në emër të shoqatës “Labëria”. Më tej ai theksoi, se dega e Vlorës ka patur një dinamikë në rritje, sidomos këto dy vitet e fundit, prandaj falënderoj të dy drejtuesit. Është një punë e vlerësuar, por e papaguar. Secili të thotë: “Çfarë i jap unë shoqatës dhe jo vetëm të kërkojmë llogari çfarë bën kryesia. Drejtuesi duhet të thotë, mendoj kështu. Vlora, dega e saj u shqua, sidomos në 100 vjetorin e Pavarësisë. Shoqata “Labëria” nuk është asnjëherë politike, prandaj secili të kontribuojë për Labërinë pa te kutia të bëjë ç’të dojë. Bashkohem me gjithë opinionin, që z. Ahmet Demaj dhe Albert Habazi të qëndrojnë në drejtimin e degës së Vlorës. Kam asistuar në disa aktitivitete dhe kam ngelur shumë i kënaqur nga ata. Të punojmë më shumë për futjen e intelektualëve vlonjatë në shoqatë. Është shumë e drejtë futja e gruas në shoqatën tonë. Mirë është që ne të marrim njerëzit tanë, që të shtëpisë e të afërmit, sepse duke parë, duke qënë afër, ata do të shohin një punë të mirë. Kam qenë dhe jam shumë i angazhuar. Të zgjidhet një kryesie re edhe me gra, edhe me të reja e të rinj aktivistë. Lini edhe vende bosh, që të futen më vonë, me dëshirën e tyre. Më në fund Profesor Nezha theksoi tekstualisht: “Në këto grupimet tona shoqërore dhe konkretisht në shoqatën atdhetare kulturore, mos kërko llogari, jep llogari!” Mesazhi është i qartë, kuptimplotë dhe progresist për të gjithë ne, idealistët e Labërisë dhe bijtë e saj, që u dhëmb mëmëdheu i përbashkët lab.

Sipas procedurës, drejtuesi i konferencës lexoi emrat e kryesisë së mëparshme, të cilët u diskutuan e u votuan, nga ku një një pjesë u rikonfirmuan përsëri, ndërsa u shtuan edhe të rinj, që plotësuan kryesinë e re të shoqatës “ Labëria” për Vlorën, të përbërë për dyvjeçarin 2013 – 2015, si më poshtë: Ahmet Demaj (Velçë), Albert Habazaj (Tërbaç), Bilal Shkurtaj (Vranisht), Kristo Çipa (Himarë), Vitori Hasani (Vranisht), Dane Hoxha (Matogjin), Tajre Bozhani (Dukat), Ruzhdi Bajrami (Bolenë), Qani Dervishi (Sinanaj, Tepelenë), Sulçe Çela (Velçë), Kastriot Karabolli (Kallarat), Mustafa Dedenika (Dukat), Zigur Suli (Kuç), Luto Memokondi (Brataj), Sejmen Gjokoli (Gjirokastër), Astrit Muho (Lops, Tepelenë), Anila Amataj (përfaqëson brezin e ri, vajzat e Labërisë), Fatmir Hodo (Gumenicë), Eqerem Canaj (Smokthinë), Shpresim Kasaj (Armen), Asqeri Llanaj (Cakran – Mallakastër), Flora Malaj (Brataj), Piro Bregu (Kaninë), Nuri Llanaj (Treblovë) dhe Agim Ruka (Matogjin). Kryetar u rizgjodh Ahmet Dema dhe sekretar përsëri Albert Habazaj. Për kryetar i përgjithshëm u propozua Ago Nezha dhe sekretar i përgjithshëm Xhemil Çeli; si përfaqësues i Vlorës në  qendër u propozua Bilal Shkurtaj, ndërsa u sugjerua që nga Tirana të promovohet një emër i ri, ai i  Prof. As. Benard Zotajt, me  origjinë nga Ramica.

Filed Under: Kulture Tagged With: Albert Habazaj, Kuvendi, Laberia e Vlores

Me krenari dhe mburrje: SHKODRA!

December 27, 2013 by dgreca

Nga Fahri Xharra/

E sigurt ishte që Porta lart, qëllimisht kishte zgjedhur hapësirën e Gjakovës, Malësinë së saj, Shkodrën e deri në det për të treguar qëllimet e saj dhe sajimin e një “tampon zoneje” të tmerrit, ngase përherë aty ishin thyer lindja dhe perëndimi në paraqitjen e fuqisë së tyre”… shkruante Gjon Nikollë Kazazi i Gjakovës (1702-1752).Po kush nuk e zgjodhi kete zonë ,ku thyheshin e ende thyhen lindja me perëndimin? Turku ,serbi ,komunizmi e të gjithë ata që kalun këndej pari. Ose, ”Nga të gjithë elementët e padisiplinuar në Perandorinë Turke, pak mund të ketë pasur, që të mund të sillnin aq shumë trazira sa shqiptarët. Për të dënuar grupet e pabindura duhet të dërgoheshin ekspedita ushtarake njëra pas tjetrës. Edhe pse Shqipëria është veçse pak më e madhe se sa Vermonti dhe me zor sa i bën një milionë banorë, ajo është një qendër cikloni e Ballkanit, nga e cila mund të lindin probleme të rënda. Rajoni i liqenit të Shkodrës në kufirin verior është një zonë problematike ku interesa konfliktuale nuk mund të ndahen paq, përveçse nga ndonjë proces i gjatë negociatash dhe rregullimi “Bota e re, problemet e gjeografisë politike” – libër i pabotuar ndonjëherë në shqip (Bowman, Isaiah, The new world; problems in political geography (1921), Yonkers-on-Hudson World Book Co, 1921, Chapter Seventeen; The Albanian Mountaineers, f. 306-312).” Ose“Nuk më befasonte që serbët e urrenin islamin por u gurëzova kur e pashë që ata e urrenin edhe kishën tjetër të Krishterë. Nuk e pritja që katolikët shqiptarë ishin më shumë të urryer nga sllavët se myslimanët ( E.Durham, Londër 1920).

Origjina e emrit të saj, SΚΟΔRΙΝΩΝ (Scodra në transkriptimin latin), mendohet [7] të jetë vendi ku shkon Drini (Shiko Drinon), kur erdhën turqit në Mesjetë e quanin İşkodra ose Işkenderiyye nga Işkender duke pandehur se banorët e këtij qyteti ishin të bijtë e Aleksandrit të Madh (Skënder, emri i myslimanizuar) për nga trimëria që shfaqnin në beteja, nga ku Barleti nxjerr një tezë se Shkodrën mund ta ketë themeluar Aleksandri i Madh, por faktet dëshmojnë për më të vjetër. Nga ky ambjent dolën në dritë humanistë e mendimtarë të shquar, si Marin Barleti e Marin Beçikemi [8], që me veprat e tyre nxitën në futjen e qytetit në vepra e studime e shkenca të aplikuara. Matematicieni Gjon Gazulli, u konsiderua si një nga astronomët më të shquar të kohës. Dallohet me një nga shkollat më të para në trevat shqiptare më 1698. Historiani E. Jacques shton se edhe të tjera shkolla u hapën “në Pllanë, një fshat afër lumit Mat, më 1638, në Troshan, më 1639″. Shkodra ka pasur observatorin e parë astronomik në Ballkan. Por të dhënat tregojnë se “akademia” kulturore për të cilën shquhet ky qytet fshihet pas shekujve e shekujve At Donat Kurti jep edhe një të dhënë të mrekullueshme për marrëdhëniet e vendit tonë me atë revolucion teknologjik që e tronditi botën kulturore me fuqinë e jashtëzakonshme shtytëse që u dha botimeve dhe kulturës në tërësi: për lidhjet me shtypshkronjën. Ai thekson se shtypshkronja kishte hyrë në Obot “fill mbâs të gjetunit”, domethënë fill pas shpikjes së saj nga Gutenbergu. Shtypshkronja e Obotit, shkruan At Kurti, njihet më 1493. Kjo do të thotë se ajo ishte futur në Shqipëri vetëm 38 vjet pasi Gutenbergu i dhá vendit të vet dhe botës prodhimin më të famshëm të krijesës së tij: Biblën e shtypur në shtypshkronjën e vet.

Tridhjetë e tetë vjet për atë kohë janë si tridhjetë e tetë ditë sot, ndoshta më pak. Ai përmend edhe shtypshkronjën tjetër të Shkodrës, që njihet më 1563, por nuk përjashtohet që edhe kjo të jetë më e hershme; Thuhet që njëfarë Shtjefni nga Shkodra pruri nga Venediku dhe ngriti një shtypshkronjë dhe në vitin 1563 shtypi një libër kishtar. Shtypshkronja, siç dihet, vlerësohet si një prej shpikjeve më të mëdha të gjithë kohëve. Studiues të ndryshëm e vendosin Johann Gutenbergun, autorin e kësaj shpikjeje, ndër njëqind njerëzit më me ndikim në historinë e njerëzimit. Madje amerikani Majkëll Hart (Michael H. Hart), e rendit të tetin sipas këtij kriteri. Futja kaq e vrullshme, e menjëhershme, e kësaj teknologjie dëshmon se në Shkodër e rrethina lidhjet me Perëndimin ishin të drejtpërdrejta; dëshmon se aty kishte një jetë intelektuale të dendur, plot energji, aty shkruhej, krijohej, botohej, përhapej kulturë[9].

Oboti shtrihet në jug-perëndim të Shkodrës dhe është i vendosur në të djathtë të Bunës. Administrativisht i përket komunës së Oblikës, kurse etnografikisht e historikisht i përket zonës së Bregut të Bunës.Sipas gojëdhënave, Oboti është ngritur njëkohësisht me kishën e shna Prendes në Shirq (shek. XIII-XIV). Për herë të parë emri Obot gjendet në dokumentet venedikase të shek. XV.

Sipas traditës gojore, popullimi i kësaj zone njihet para 700 vjetësh. Fiset e para, sipas gojëdhënës, ishin fiset Çemeraj e Gjekaj. Mund të ketë pasur edhe të tjerë, por që u shuan nga sëmundja e murtajës. Kështu fisi Mark Gjekaj erdhi nga Shestani, fisi Çulaj nga trevat etnike nga Mali i Zi, po ashtu edhe fisi i Koçobashve dhe fisi Pemaj, kurse ai i Bumejve nga Mirdita, etj. (shih. Gjovalin Muzhani, “Oboti” Kumbona e së diellës” nr. 12, 1994)

Oboti ka qenë qendër relativisht e re me një farë veprimtarie ekonomike. Në të kaluarën ka patur liman ose stacion lumor ku ndaleshin barkat me tonazh të madh, të cilat nuk mund t’i afroheshin qytetit, meqë prurjet e lumit Buna e kishin mbushur shtratin deri tek skela e Shirqit.

Në shekullin e kaluar ky liman ka pasur hane, depo, magazina, dyqane, qendra postale. Në Obot kanë qëndruar edhe vaporë të firmave të mëdha tregtare shkodrane, si Muzhanët, Darragjatët, etj. Më 10 gusht 1913, në Obot dhe në Anën e Malit u ngrit flamuri shqiptar pas kaq shumë vitesh robëri. Kjo ditë u kthye në një ditë feste e entuziazmi, me batare pushkësh, për banorët e vendit. Kisha e parë e Obotit u ndërtua me tepricat e gurëve të kishës së shën Premtes, në Shirq! Pra, pasi u kryen punimet, ajo që mbeti u mbart dhe u soll në Obot, duke përfituar edhe nga afërsia e këtyre dy fshatrave. Për këtë ka mbetur në formë gojëdhëne shprehja: “E patët ‘baft’ ndërtimin e kësaj kishe”.

Shkodra është qyteti që prej shekujsh njihet si djepi i kulturës dhe civilizimit të lartë brenda trojeve etnike shqiptare. Historia e saj është e mbushur me ngritje dhe ulje ndër shekuj. Ajo gjithnjë ka qenë në qendër të vëmendjes gjatë gjithë historisë kombëtare shqiptare. Shkodranët kanë qenë ndër shekuj nderi dhe lavdia, të parë në të gjitha këndvështrimet, duke zënë në këtë mënyrë një vend nderi në histori. Gjurmët më të hershme të veprimtarisë njerëzore të zbuluara në pellgun e Shkodrës i përkasin periudhës së paleolitit të mesëm, por duke filluar nga periudha e bronzit, ato kanë një prezencë intensive e të pandërprerë. Ky territor ka qenë i banuar nga fisi ilir i Labeatëve, lundërtarë e tregtarë të zotë. Ishin shkëmbimet tregtare me zonat e tjera, që u bënë shkak për themelimin e qytetit të Shkodrës si një treg e vendbanim ilir. Kështu, që në shekullin e IV p.K. e fillon jetën ky qytet ilir, i cili njihej në histori me emrin Scodra, Scobre, Skodrai, Skodre, Skydreonopolis, sot Shkodra. Në vitin 181 para Krishtit bëhet kryeqytet i Mbretërisë së Ilirisë, me sundimtar Gentin, dhe kishte një shtrirje të madhe në pjesën veriore. Gjatë shekullit II para Krishtit, në kalanë e qytetit zhvillohen luftërat me Romën dhe në vitin 168 pushtohet nga Roma dhe bëhet një nga qendrat e njësive administrative të Perandorisë Romake. Me reformat e Dioklecianit bëhet qendër krahinore. Aty kalonin rrugë tregtare të rëndësishme drejt bregut Dalmat, nga veriu, dhe nëpërmjet luginës së Drinit për në Kosovë, nga lindja. Mbas vdekjes së heroit kombëtar Gjergj Kastrioti, i cili drejtoi rezistencën e popullit shqiptar ndaj pushtimit të Perandorisë Osmane, në vitin 1479 Sulltan Mehmeti II rrethon përsëri Shkodrën me mbi 100.000 ushtarë, si qyteti i fundit shqiptar i papushtuar.Mbrojtja vazhdoi mbi shtatë muaj nga një garnizon prej 1600 vetash, i cili u dorëzua me kusht. Kjo qëndresë u përshkrua nga historiani i parë shqiptar dhe dëshmitar i kësaj ngjarjeje, shkodrani françeskan, humanisti At Marin Barleti. Libri i tij “Rrethimi i Shkodrës” u botua në Evropë në vitin 1504. Trashëgimia kulturore e Shkodrës për kombin shqiptar fillon që në shekullin XV, me shkrimet e para në gjuhën shqipe. Kemi në këtë qytet shkrimtarët, gjuhëtarët, historianët e parë të vendit. Në shekujt XVIII-XIX kemi institucionet e para shtetërore që pasqyrojnë lidhjet e Shkodrës me botën e qytetëruar evropiane. Për herë të parë në Shqipëri zhvillohet arti, sporti, lindin muzetë dhe bibliotekat. Fillon arti fotografik, shtypshkrimi dhe më vonë kinemaja dhe energjia elektrike. Me ndarjen e Perandorisë Romake, Shkodra, sikurse e gjithë Iliria e jugut kalon nën kontrollin e Bizantit, por vazhdoi të varej nga Kisha Katolike e Romës.

Kështjella Rozafa është monumenti historik më i vjetri, e cila filloi të ndërtohet në shek V-IV para Krishtit, ndërmjet lumit Drin dhe Buna. Në shekullin V-IV para Krishtit filloi ndërtimi i kalasë me gurë ciklopikë të puthitur pa llaç. Kalaja është e vendosur mbi një kodër në hyrje të qytetit, në një lartësi 130 m.

Ajo është vendosur në pikë strategjike për të kontrolluar fushën bregdetare, hyrjen në liqenin e Shkodrës, si dhe kalimin në thellësi të vendit e të Ballkanit në Lindje. Kështjella ka një histori të gjatë luftarake dhe lidhur me qytetin e Shkodrës ka një gojëdhënë popullore.

Prof. Giuseppe Gelcich, nji nder studjozt ma te çenshemt e ma me autoritet te vjetersive shqyptare, tuj fole permbi zhvillim tone kulturar, para te XV shekull, thote: “Shqytari i pajisun prej natyret me ‘i kuptim te forte e me i shijim te bukur, kishte stolise gjytetet e veta me permendore (monumenta) artistike fort te çmueshme e, deri qi kto gjytete ran rrash per toke prej zjarmit e pezmit t’ anmikut, s’pran tuj dergue me shumice rraqe argjanti, fildishi, kureli, kriri (zadefi), si edhe shkallme, arme e ene remi te punueme me mjeshtri e hollim te madh gjithkund neper Ballkan e nder vise, kndej e andej detin. Petkat mandej te qendisuna n’ ar per bukuri, qi u perdorshin asokohe ne Ballkan per stoli shtati e shpije, vishin edhe kto prej andej. Arti rromanesk ne Dalmacje pat shkasin ma te madhi e te paret apostuj prej Shqypnije.

Kta ndodhte sa mbretnote paqa ne vendin tone, pse, si nisen m’ u dynde shqyptaret katolike, gjith perparimin, kulturen e influksin e tyne kah Dalmacija, Gelcich e permbledhe me kto fjale:

“Sa familje, qi sot thirren dalmate, rrjedhin prej te hikunve t’ atyne kohve! Sa sende, qi sot shumica i mban per arte e vepra dalmate, nuk jane tjeter veç krijime e vepra te daluna prej mjeshtris e zhenis shqyptare!”

Prap Prof.Gelcich, tuj rí ne bisede me P. Gjergj Fishten permbi arte te hershme ne Shqypni, dishmoi, se veç mbrenda nji shekullit te vetem, tuj nise gjate Bregut te Bunes e deri ne gjytet te Djokles afer Podgorices, njitfeshin 82 piktora me za, te cillve u dihej edhe emni.”

Po kush nuk e zgjodhi kete zonë ,ku thyheshin e ende thyhen lindja me perëndimin? Turku ,serbi ,komunizmi e të gjithë ata që kalun këndej pari.

Gjakovë.Dhjetor 2013

Filed Under: Kulture Tagged With: Fahri Xharra, me krenari dhe mburrje, shkodra

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 359
  • 360
  • 361
  • 362
  • 363
  • …
  • 544
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NDAA i SHBA-së dhe pozicioni i Kosovës në arkitekturën e sigurisë
  • Alis Kallaçi do të çojë zërin dhe dhimbjen e “Nân”-s shqiptare në Eurovision Song
  • Garë për pushtet…
  • Njëqind vjet vetmi!
  • “Shënime për historinë antike të shqiptarëve”*
  • Si funksionon sistemi juridik në Shqipëri dhe pse ai ka nevojë për korrigjim?
  • Emisionet postare festive të fundvitit në Kosovë
  • JAKOBSTADS TIDNING (1939) / MBRETI ZOG, SHUMË BUJAR ME BAKSHISHE. — EMRI I TIJ NUK DO TË HARROHET KAQ SHPEJT NGA PRONARËT DHE PERSONELI I HOTELEVE NË VARSHAVË.
  • HAFIZ SHERIF LANGU, DELEGATI I PAVARËSISË TË CILIT IU MOHUA KONTRIBUTI PËR 50 VJET ME RRADHË, KLERIKU DHE VEPRIMTARI I SHQUAR I ÇËSHTJES KOMBËTARE
  • RIPUSHTIMI I KOSOVËS – KUVENDI I PRIZRENIT 1945
  • Nikola Tesla, gjeniu që u fiksua pas pëllumbave dhe u dashurua me njërin prej tyre
  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT