• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

LUFTA E  E FTOHTË  NË  DISA FOTO TE FOTOGRAFIT GEORGE TAMES ME ORIGJINË SHQIPTARO – AMERIKANE

August 17, 2024 by s p

Nga  Kristaq BALLI

Untitled-1.jpgFenomeni i Luftës së ftohtë u shfaq si një tension politik e ushtarak pas Luftës II Botërore midis fuqive të bllokut perëndimor (SHBA, NATO etj) dhe fuqive të bllokut lindor (Bashkimit Sovjetik dhe shteteve satelite të tij) midis viteve 1947 dhe 1991 kur Bashkimi Sovjetik falimentoi. Të dy superfuqitë me sisteme politike, ekonomike e demokratike të kundërta nuk u impenjuan në një luftë direkte, por filluan një garë armatosjesh të rëndë e të sofistikuar për t’u parapërgatitur dhe paraprirë mundësinë reale të një lufte nukleare botërore. 

Untitled 4,1,1.jpgTë dy blloqet zotëronin arsenalet bërthamore me të cilat  kërcënonin njeri-tjetrin sipas idesë se sulmi i mundshëm i njerës palë do të shkatërronte plotësisht palën tjetër, që do të thosh një alarm i shkatërrimit reciprok. Gjithashtu shpërndarja konvencionale e forcave ushtarake ku kishte konflikte të armatosura, beteja për dominim, hegjemoni, lufta psikologjke, si fushatatat masive  propogandistike dhe spiunazhi i institucioneve inteligjente, shantazhet, kërcënimet e  rivaliteti në ekonomi, teknologji dhe  garën hapësinore përbënin  premisat  për një gatishmëri dhe pritshmëri të nderur.  

IMG_20161023_120608+.jpgUntitled 12,1,1.jpgLufta e ftohtë, për nga kronologjia  e ngjarjeve, ndahet në disa faza, nga të cilat fotografi George Tames ka përjetuar e pasqyruar një pjesë prej tyre,  deri aty nga viti 1986, kur ai u pensionua. Gjatë periudhës së Luftës së ftohtë kanë ndodhur shumë ngjarje të dimensioneve të rëndësishme historike, politike, luftarake të shtrira thuajse në të gjithë Globin, e ku dy superfuqitë botërore janë involvuar direkt, ose indirekt duke tentuar të fitojnë supremacinë e rendit dhe sistemit të ardhshëm botëror, por më së tepërmi të ruajnë një gjendje balance ndaj zonave të influencave të tyre politike e ushtarake. Një prej kulmeve të Luftës së ftohtë konsiderohet ndërtimi i murit të Berlinit, më 1961, i cili shënon edhe ndarjen de fakto të botës në dy kampe të kundërta politike e në konkurrencë të papajtueshme  ideologjike që tentonin të gjunjëzonin njeri-tjetrin.

Në vitin 1953 vdiq Stalini dhe drejtimin e shtetit sovjetik e mori Hrushovi. Në SHBA, gjithashtu drejtimin e mori presidenti i radhës, Ajzenauer. Këto rinovime ndryshuan  edhe dinamikën e Luftës së ftohtë. Pas ngjarjeve që ndodhën me “njohjen e krimeve dhe destalinizimin e shoqërisë sovjetike”, dukej se situata e Luftës së ftohtë po çtensionohej disi qoftë edhe në uljen drastike të shpenzimeve për armatimin. Por në një takim me ambasadorët e shteteve perëndimore në ambasadën e Polonisë në Moskë, më 18 Nëntor 1956, Hrushovi i shokoi ata me deklaratën “E pëlqeni apo jo, historia është në anën tonë. Ne do t’ju groposim ju.” 

Untitled 23,1.jpgFOTOJA ME E MIRE+.jpgMë 15 Shtator 1959 Hrushovi filloi  një vizitë të gjatë në ShBA dhe u takua më 25 Shtator në Camp David, Maryland me presidentin Ajzenauer për bisedime mbi Luftën e ftohtë. Përveç disa marrëveshjeve të përgjithshme ekonomike e kulturore të dakortësuara nuk u firmosën traktate të rëndësishëm politikë, por u sqarua më tej qëndrimi premtues i të dy palëve mbi çështjet globale, si dhe mirëkuptimi i shkëmbimit të vizitës së Ajzenauerit në Bashkimin Sovjetik vitin e ardhshëm. Por rrëzimi i një avioni spiun amerikan U-2 në muajin Maj 1960 mbi tokën sovjetike shuan shpresat për përmirësimin e marrëdhënieve SHBA-BRSS dhe vizitën e premtuar të Ajzenauerit pas këtij incidenti. 

Dështimi i tentativës për invazionin e Kubës, organizuar nga CIA amerikane në mes të Prillit të vitit 1961, që njihet si pushtimi i Bay of Pigs (Gjirit të Derrave), i cili forcoi pozitat e popullaritetin e  udhëheqësit komunist Fidel Kastro, madje duke e shndrruar atë në një hero kombëtar,  u shoqërua me një tensionim të ri të marrëdhënieve amerikano-kubaneze, si dhe me një angazhim të ri të marrëdhënieve midis Kubës dhe Bashkimit Sovjetik  e, si rezultat, me acarimin e Luftës së Ftohtë sovjeto-amerikane.  

Untitled 28,1.jpgUntitled 5,1,1.jpgShBA, pas ngjarjeve në Gjirin e Derrave, të cilat u iniciuan nga presidenti  Ajzenauer dhe u zbatuan nga pasardhësi i tij  Kenedi,  ndërprenë thuajse të gjitha marrëveshjet ekonomike, tregtare, financiare, madje në formën e një embargoje. Andaj  mbështetja e mëtejshme e Kubës nga BS do të shoqërohej me një prani fizike e ushtarake të saj përballë Shteteve të Bashkuara, çka do të përvijonte idenë e një kërcënimi dhe riashpërsimi të Luftës së ftohtë. Madje, për shkak të kësaj situate do të pasonte një konflikt i ri i njohur si Kriza e Raketave Kubane, e cila mbetet edhe si një nga ngjarjet më  nderura e më potenciale për fillimin e një lufte të re shkatërruese botërore të bazuar në armët nukleare.       

 Embargoja amerikane ndaj Kubës dhe ndonjë tentative tjetër  për pushtimin e saj nga SHBA do të përbënte pretekstin që BS, krahas ndihmave dhe marrëdhënieve të intensifikuara me Kubën, të ndërtonte aty poligonet për instalimin e raketave ndërkontinentale  bërthamore me rreze veprimi që mbulonin pjesën më të madhe të ShBA dhe hemisferës perëndimore, të cilat u zbuluan nga një avion spiun amerikan U-2. Kjo bëri që Amerika të vendosë bllokadën detare ndaj Kubës, e njohur si Karantina e Kubës dhe që kish për qëllim ndalimin e hyrjes së anijeve sovjetike me ngarkesa të armësh bërthamore. Fotoja  shoqëruese e realizuar nga George Tames pasqyron firmosjen nga presidenti Kenedi më 23 Tetor 1962 të Proklamatës së ndalimit të furnizimit me armë ofensive të Kubës, ose Karantina e Kubës. Në një letër nga Nikita Hrushovi ditën pasuese paralajmërohej se bllokada përbënte një akt agresioni dhe se kriza do të përshkallëzohej. 

IMG_20161023_120646+.jpgPor,nga ana tjetër Karantina e Kubës shërbeu për nisjen e negociatave për zgjidhjen paqësore të kësaj krize që, nëse do të menaxhohej irracionalisht nga ndonjë palë, mund të shkaktonte luftën më shkatërrimtare globale. 13 ditët e krizës  (Tetor 1962) të mbushura me tension, ankth, këshillime, fjalime, diplomaci, konspiracion, bisedime bilaterale çuan më në fund në gjetjen e një marrëveshjeje paqësore më 28 Tetor, ku Bashkimi Sovjetik premtonte tërhiqjen e  armëve bërthamore nga Kuba, ndërsa  ShBA garantonte mossulmimin e Kubës, si dhe zhvendosjen e raketave bërthamore nga Turqia.

George Tames e filloi punën e tij si një korrier zyre, por e vazhdoi dhe e elaboroi atë “step by step”  në mënyrë shumë graduale e racionale duke e shndrruar atë në një karierë me pretendime të vetëdijshme profesionale e krijuese. Suksesi i aktivitetit të tij fotografik rezultoi aq bindshëm e relevant, sa që ai u konsiderua si  “syri i historisë” .

IMG_20161023_120718+.jpgUntitled 26,1.jpgGeorge Tames do të mbetet në memorien dhe vetëdijen e botës mediatike amerikane si një prej mjeshtërve më jetëgjatë e më prodhimtarë të fototekës amerikane që i la asaj jo vetëm pasurinë enumerike, por edhe shumë e shumë dëshmi retrospektive autentike të ngjarjeve deçizive historike, kryesisht nëpërmjet portreteve e fotove presidenciale, zhbirimit të tyre psikologjik politik, dramatik,  human, familjar, intim, lirik, që, në fakt, pasqyrojnë figurativisht edhe gjendjen shpirtërore të kombit amerikan në situata respektive historike, politike, ekonomike, shoqërore.

Sigurisht që numëri i fotove të realizuara nga G. Tames që i referohen Luftës së ftohtë është i madh e i larmishëm, sidoqoftë edhe kjo tufë e paraqitur nga pinakoteka e tij në vite  përbën një dëshmi vizive  historike të pashlyeshme; në mënyrë eksplicite krijimtaria e tij konsiderohet si histori në fotografi, si memorje e përjetshme, por edhe  me theks të posaçëm aktual, që përçon një mesazh të thellë politik e human mbi realitetet e reja, mbi  menaxhimin paqësor global dhe mospërsëritjen e tragjedive që shkaktojnë luftrat “e nxehta”, apo  “të ftohta”: Bota jonë është e vogël, i gjithë njerëzimi jeton mbi këtë planet të përbashkët, jeta e racës njerëzore  është e vetme dhe shkurtër, ndaj duhet të  jetohet ashtu si e ka dhuruar natyra, ajo nuk duhet të jetë e kërcënuar dhe e rrezikuar nga agonia e vëllavrasjes, e luftrave vrastare.

 Së fundi dua të kujtoj vlerësimet e panumërta që i janë bërë George Tmes nga shumë personalitete e institucione kulturore  për grintën profesionale e mjeshtërore prej  një fotografi e letrari që me talentin, pasionin, përkushtimin dhe përvojën e gjatë të ketë në çdo shkrepje edhe një rrezatim krijues, estetik e artistik origjinal.

►▼◄

Filed Under: Kulture

Rajmonda Bulku, ylli që shkëlqen ende në qiellin e adhurimit

August 16, 2024 by s p

Albert Vataj/

Sot më 16 gusht 2024, ajo mbush 66 vjeç. Shumë qirinj për t’u shuar për një dëshirë, dhe… një qiell për ta lejuar që ky yll ende të shkëlqejë, që ai vezullim, që feksi spariherë, shumë vite të shkuara, në betejat e sfidës së aktrimit, për të ndezur ende çdo fijes përjetimi dhe flakur ëndërrtaret e dëshirimeve që shpalohen në kujtimet e saj si një film me metrazh të pambarimtë. Ndoshta më shumë se numra, vitet e shkuara janë skalitja daltë pas dalte e vezullimit të një ylli që shkëlqen ende në qiellin e adhurimit.

Rrugëtimi i vajzës sharmante, nisi me këmbë të mbarë, më 1976 në rolin e Pranverës me “Dimri i fundit”, në kastën e një plejade aktorësh të skalitur në celuloidin e memories së admiruesve të filmit. Hapa të mëdhenj në një rol të vogël të regjisorëve, Ibrahim Muçaj dhe Kristaq Mitro bënë që ajo të shkonte larg dhe të ngjitej lart. Për ta ndjerë zemrën t’i rrahë fort, në filmin ikonik, “Zonja nga qyteti” me rolin e Meli Stefani.

Rendi ajo në shpërfaqjes së shpirtit të bukur, sharmit, talentit dhe një karriere të gjatë dhe të suksesshme, përkrah legjendarëve të kinematografisë shqiptare, për të “flakur” tej petkat e garderobës së mbi katër dekadave si aktore dhe veshur kostumin e politikanes, për t’u votëbesuar si deputete e Partisë Demokratike, 2004-2009.

Rajmonda Bulku, si në skenat e sheshxhirimeve dhe në teatër, ajo shënjoi edhe në politikë, por më së shumti në ndërtimin e imazhit të gruas së fortë dhe të bukur, që nuk pranon të vegjetojë nën hijen e obeliskut të aktores së madhe, apo shkëlqimin e hirshëm që mbeti i pashuar gjithmonë, por guxon të përfaqësojë dhe të mbajë mbi vete detyra dhe përgjegjësitë e një misionareje, më shumë se për demokratët në betejat politike, për të dëshmuar vendosmërisht dhe dinjitetshëm, gruan, nënë, veprimtaren e kontributeve të vlerta shoqërore.

Fëmijëria e saj nis nga ecejaket për të shkuar në familjet e gjyshërve në rrugën “Myslym Shyri”, për t’u zhvendosur në Gjirokastër, ku i ati i bindej urdhrit të detyrës si ushtarak, ku ajo përfundon filloren dhe tetëvjeçaren. Në Cërrik ajo filloi shkollën e mesme. Gjatë pushimeve të vitit të tretë në gjimnaz (1975), Viti i Ri e thërret në Tiranë, për t’u prekur nga fati në një rastësi fatlume në rrugën e “Kavajës”. Një fotografi në ish-Kinostudio dhe “Dimri i fundit” i çel të gjithë lulet e pranverave të shpirtit të saj, për ta mbushur me dehje dhe aroma jetën e saj.

Nga filmi në teatër, nga roli në rol, prej një karakteri në lëkurën e një personazhi, e rriti shtatin e saj të aktores. E temperi në dhjetëra role, shpirtin, për të dëshmuar se ajo nuk ishte vetëm një vajzë dhe grua e bukur, por edhe një talent unik. Po, një vlerë, vepra e së cilës është pritur dhe konsideruar me maksimum të shpërblimit nga publiku po aq sa edhe nga kritika.

Si për çdo grua dhe nënë, edhe për të, shkallarja për t’u ngjitur në majë nuk ishte dhe aq e lehtë, ndonëse e kalitur në edukimit e rreptë dhe korrekt me një baba ushtarak, dhe udhëprirë nga shpirti i sakrificës, pasionit dhe përkushtimit, për të bërë më të mirën dhe për të dhënë maksimumin.

Sot me 66 vite në numërimin kalendarik të moshës, ajo ende e ruan shkëlqimin e saj, rrezet e së cilit i pamë dhe na mbushën në film dhe në teatër. Ajo ka kohë që nuk është vetëm Rajmonda Bulku, sepse e kanë të pamundur disa ta njohin ndryshe ngase ajo erdhi si Pranvera në “Dimri i fundit”. Për t’u ngulitur thellë në kujtesën dhe adhurimin e njerëzve; si Meli i “Zonjës nga Qyteti”, atij filmi komedi që bashkëjeton ende në nevojën tonë, jo vetëm për nostalgji dhe homazh për të gjithë ata që nuk jetojmë më, por edhe për të qeshura ashtu çiltërsisht, siç mësuam dikur dhe nuk harruam as sot.

Jetoi dhe mëkoi Rajmonda Bulku, çdo ditë dhe në çdo rol që ju besua, u përfshi shpirtërisht dhe emocionalisht, për të mbetur Zana e “Etjet e Kosovës” (2006), Magda e “Viteve të pritjes” (1990), Matilda te “Një djalë edhe një vajzë” (1990), Lina te “Muri i gjallë” (1989), Jona te “Duaje emrin tënd” (1984). E pse jo edhe Ema, vajza e pafajshme e filmit “Kërcënimi” (1981), Zana te “Ballë për ballë” (1979). Për shumë njerëz, por edhe për vetë Rajmondën rolet dhe personazhet, tipat dhe karakteret, identitetet dhe personalitetet, lëkurën e të cilëve veshi ajo, çfarë ajo bëri, mund të jetë vetëm një kujtesë dhe krenari, por edhe e drejtë për t’u ndjerë e mbushur me jetët që ajo solli në jetë, me historitë që ajo i mishëroi shpirtërisht.

Filmi dhe teatri, por edhe politika, u bënë për të qëllime, për të kthyer në një reale që e nderon, ëndrrat që ajo pati, dëshirimet që ajo përmbushi, për të mbërritur në këtë trokitje gotash urimi.

Fotot huajtur nga postimi në Facebook i Aktoret shqiptare.

Filed Under: Kulture

PESË NDALESA DHE NJË RIKTHIM TE ANTIKITETI I GURTË

August 12, 2024 by s p

Kosta Nake/

Letërsia antike mbetet një thesar që shekujt e kanë kaluar nëpër prizmin e tyre dhe, jo vetëm e kanë mbajtur të gjallë në kujtesën e njerëzimit, por edhe kanë hedhur dritë mbi gjërat e njohura duke shkërmoqur thërrmija diamantesh. Me romanin “Përbindëshi” Kadareja ka bërë këqyrjen e parë të vëmendshme te Troja, Iliada dhe Homeri.

Është mahnitëse që të arrish të heqësh paralele imagjinare mes një historie tepër të largët dhe fatit të një çifti të ri, pastaj si magnet, të tërheqësh ngjarje dhe karaktere që janë të gjithëkohshëm. Paridi rrëmbeu Helenën, Gent Ruvina rrëmben Lenën; Menelau i çoi fiset greke në Trojë për ta rimarrë Helenën, Maksi i çon shokët e vet në rrethinat e kryeqytetit për ta ndëshkuar Lenën dhe rrëmbyesin. Gjithçka fillon me furgonin e braktisur jashtë qytetit nga Cen Tufina pas një aksidenti dhe autori jo vetëm e tjetërson në një kalë të drunjtë, por fut brenda tij edhe një grup njerëzish që sakaq të kujtojnë grekët brenda Kalit të Trojës.

Ndalesa e parë është në kapitullin V, kur Gent Ruvina, duke parë nga dritarja e hotelit barakat me katrama nën shiun e mëngjesit, hamendëson për zgjimin e parë të Helenës në Trojë. Kaq mjafton që të hyjë në ca labirinthe gjuhësorë të cilët dikush tjetër mund t’i shohë sikur kanë ngrirë përjetësisht. Dhe ja ku dalin dy xhevahiret e para: Troja është Iljoni, domethënë “Ylli Jonë, kurse Iliria është Ylli i Ri. (f.263) Pra nuk është një gërmim për të shuar kureshtjen, por për marrë diçka të çmuar për historinë tonë të munguar.

Ndalesa e dytë: A ka ekzistuar vërtet një kali i drunjtë që u fut në Trojë për ta rrënuar atë, apo ai është përdorur si maskim i mënyrës së vërtetë të depërtimit atje? (f.264) Autori mendon se Troja nuk u pushtua dhe u shkretua duke përdorur një kalë të drunjtë, por ka patur një grupim progrek brenda Trojës që ka mundësuar pranimin e një dërgate para shfaqjes së kalit. Ai sjell edhe detaje shtesë për një vërtitje të Helenës rreth kalit dhe lëshimin e ca thirrjeve provokuese për grekët që mund të ishin fshehur brenda tij. Konkluzioni: Dërgata ka qenë thelbi i asaj që ndodhi, kurse kali ishte trajta e jashtme; u sajua një gënjeshtër e ngjashme me të vërtetën për të gëlltitur një gënjeshtër të kulluar që quhet Dredhia e Madhe.

Ndalesa e tretë: Laokoonti i cili pasi u shfaq së pari në një poezi të autorit me të njëjtin titull, rimerret edhe një herë për të treguar se trojanët nuk ishin aq naivë sa të mashtroheshin me një dhuratë të dyshimtë. Po në kundërshtimin e Laokoontit për futjen e kalit brenda mureve, lobimi arrin deri te Priami dhe kundërgoditja vjen si ato të mafies së sotme, kërcënim jo vetëm për jetën e tij, por edhe të fëmijëve.

Ndalesa e katërt është te Akili hero dhe dezertor. Zemërimi i tij me Agamemnonin nuk është për një femër, pas saj fshihet lodhja nga lufta, kriza shpirtërore që krijon ajo. Sepse lufta greko-trojane nuk u bë për një grua të rrëmbyer, ai ishte vetëm preteksti. Sfidanti Alfred Çako hodhi një version të ri: lufta bëhej për hekurin. Autori e bën Gentin të mendojë se Akili ishte “projekti i parë i tankut”, apo “arma e fshehtë” që e ka pikën e dobët te thembra e cila nënkupton zbulimin e të fshehtës. (f.371)

Edhe pse nuk ndalet gjatë, autori sjell një qasje të re për Orakullin e Delfit duke e quajtur atë “njëfarë institucioni ndërkombëtar të politikës.” (f.373)

Zhbirimi i antikitetit vazhdon në tre kapituj radhazi duke filluar nga i dhjeti. Pas debatit Priam – Laokoonti, autori sjell një element të ri të diskutueshëm: Troja kishte poetin e vet dhe ai u dërgua te hititët për të përjetësuar në pllaka qeramike poemën e vet dhe historinë e vendit të vet. Vetëm një studio krijuese si kjo e Kadaresë mund të zbulojë poshtë thundrës së një kali nga hordhia e Timur Lengut një copëz pllake qeramike mbetur nën rrënojat e një qytetërimi të groposur nga murtaja. Duke u ndalur te ky detaj, le të kujtojmë emrin e poetit trojan Thremoh, që është anagramë e emrit Homerth. (f.375) Të gjithë ata që kanë lexuar apo dëgjuar për “Iliadën” automatikisht i pranëvënë asaj Homerin e verbër. A ishte vërtet i verbër? Kjo mëdyshje është mijëravjeçare. Nëpërmjet Gent Ruvinës autori thotë se verbëria e tij ishte veçse një kod, se “masa e njerëzve… bën një zhvendosje të perdes nga sytë e saj në sytë e poetit.” (f.375)

Kaq nuk është pak, megjithatë nuk mbaron këtu. Pas 15 vitesh Kadare do t’i rikthehet antikitetit dhe Homerit tek romani “Dosja H.”

Sa e pabesueshme shfaqet fjala shqipe në vargun e parë të Iliadës “Menin aeide thes Peleiadeos Ahilaios!” (Mërinë këndo hyjneshë të Akil Peleut.) Sa interesant është krahasimi i Ajkunës së eposit të kreshnikëve me Helenën e Trojës! Po finesa e pyetjes se ç’ka qenë Homeri! “Poet gjenial apo redaktor gjenial, zyrtar, kontestator apo ideolog? Ishte një lloj publisher i asaj kohe, kronist mondan i Olimpit, zëdhënës zyrtar, apo shef si çdo shef kishte ndihmësit e tij të shumtë? Apo s’ishte asnjë nga këto, madje s’ishte fare person, por një institucion, dhe emri i tij, i përbërë prej inicalesh, duhej shkruar jo Homer, por H.O.M.E.R.” (f.160) Perla të tilla mund të dalin vetëm nga pena kadarejane!

(Romani “Përbindëshi” i Ismail Kadaresë, Vepra 1, Onufri 2007).

Filed Under: Kulture

Ilmi Kasemi Beati, “Mikelanxhoja” shqiptar nga Çamëria

August 10, 2024 by s p

Arben Iliazi/

Ilmi Kasemi Beati, skulptor i njohur me origjinë nga Çamëria, është padyshim simboli i përsosmërisë artistike në artet e bukura në hapësirën mbarëshqiptare, veçanërisht në skulpturë.

I pajisur me prirje dhe aftësi estetike e teknike të mahnitshme, me shije të hollë, me dell të ndjeshëm dhe me fantazi të pashtershme, ai përthithi mençurisht ajkën e përvojës kombëtare e ndërkombëtare dhe çau përmes vështirësish të shumta, brenda dhe jashtë vendit, gjatë emigracionit në Itali, duke u ngjitur pareshtur në majat më të larta të artit bashkëkohor.

Me veprat e tij në skulpturë, por edhe në pikturë, Beati është shndërruar në një mit i gjeneratave të artistëve shqiptarë. 64 vjeçari, me një portret klasik, paksa surreal, ku shndrit një buzëqeshje fisnike, mbuluar me një mantel misteri, e sfidon kohën me vepra nga më të ndryshmet, ku ndërthuret realizmi me neoklasicizmin, impresionizmi me paratetizmin simbolist, duke depërtuar thellë në mendimin iluminist të kohës që jetojmë dhe duke çliruar energji me inspirim mitologjik dhe nostalgjik, për të krijuar plot temperament dhe misticizëm besimin e shoqërisë shqiptare te e bukura dhe vlerat historike e humane. Veprat e tij janë absolutisht autentike. Sapo i sheh shquan menjëherë dhe identifikon autorin e tyre, që rikrijoi një botë origjinale, duke arritur vlera të rralla estetike.

Ilmiu, ose Mike siç i thërrasim shkurt, është një prej bashkëkohësve dhe miqve të mij të vjetër, të cilin e kam veçuar gjithmonë për temperamentin e tij të veçantë artistik. I qetë, por edhe shpërthyes e i dalldisur, i butë por dhe rebel plot zjarr e pasion, i familjarizuar me këdo, ai shfaqet gjithnjë optimist mes boceteve dhe realizimeve të tij, që nuk janë ta pakta, që nga veprat monumentale, deri te portretet dhe skulpturat e relievit.

Vështirë ta mendosh skulptorin larg veprave të rëndësishme monumentale. Si mjeshtër në këtë fushë Ilmi Kasemi Beati spikati kur realizoi në vitin 2009 monumentin madhështor të At Gjergj Fishtës, vendosur në sheshin e qytetit të Lezhës,e që nuk është vetëm një statujë.

Por ai ka lëvruar e krijuar me mjeshtri të rrallë në të gjitha rrafshet e skulpturës, ku ka arritur pika kulmore të virtuozitetit mjeshtëror.

Dhe vitet e fundit pasuan mjaft vepra të tjera, ku spikatin: “Memorial për Çamërinë”, Mbreti Pirro, Gjergj Kastrioti, dhe Gin Bua Shpata, Ali Pasha, Çelo Mezani, Lule Çapari, Ali Tepelena, statueta e Noli Film Festival, Abedin Dino e Rasih Dino, Tumankuqja, Dodona, e shumë të tjera.

Beati, me artin e tij, transmeton porosi patriotike dhe estetike. Ai është një artist i brumosur me vetëdije e karakter kombëtar, i frymëzuar në çdo çast nga mitet, nga historia dhe përditshmëria. Arti i tij inspirohet nga heronjtë shqiptarë dhe përgjithësisht frymëzohet nga arti ynë mitologjik dhe mesjetar. Siç shihet nga punët që përmendëm, Beati është një përcjellës i mirë i karakteristikave etnografike çame, nën peshën e energjisë së brendshme që merr parreshtur nga magma e tragjedisë çame, nga mitet dhe legjendat e saj të përsosura. Ja çfarë shkruan skulptori në një nga statuset e tij në facebook: “Çamri, Thesproti apo Epir i Vjetër, pavarësisht nga emërtimi, në fakt ajo është toka që ka të bëjë me Pelasgjinë, duan apo s’duan namuzqarët, me njerëzit që e sistemuan atë, si me gurë ashtu edhe me kulturë dhe për këtë do të mjaftonte ajo që në shtrirjen e gjatë kohore duhet t’a quajmë pa fobi si toka dinastive hyjnore. Aty lindi koncepti religjioz me shumë Zota. Duan apo s’duan qerratallarët dhe agallarët. Por Dodonës iu turrën me egërsi dhe e prenë. Në kujtim të saj politragjike kjo tokë politeiste është mësuesja e parë per ecelenza dhe vendi nga nis Europa e kësisoj mund të quhej Dodonida”, shkruan skulptori në një nga statuset e tij në facebook. Çdo punë që nxjerr nga duart e të tij të arta skulptori Beati e ndan me ndjekësit e tij të shumtë, dhe kjo duket se i jep forcë dhe e shtyn drejt së pamundshmes. Nuk i intereson dhe nuk i ka interesuar kurrë mendimi zyrtar për punët e tij. Nuk ka pyetur kurrë për padronë.

Kalon shumë kohë në natyrë, buzë lumit Erzen, pasi aty qetësohet dhe komunikon me artin e tij, takon njerëz të thjeshtë e të zakonshëm, pasi aty mundohet që të shikojë brendësinë e njeriut, egon e tij, dëshirat, ambiciet, dhimbjen e gjithçka që e bën një njeri të gjallë.

Zaten ai është gjithnjë në kërkim të një lumi, që jo vetëm i freskon fantazinë, por edhe i ofron argjilën që i duhet për bocetetet dhe modelet e tij krijuese, është gjithnjë i përcëlluar nga një zjarr, që e përfytyron dhe e provokon aty për aty edhe kur nuk e ka, është në kërkim të një ngasjeje misterioze, që e ndërsen për të hyrë në hullitë e magjisë së krijimit.

Beati skalit, bashkë me veprat, edhe portretin e tij, duke rrëmuar deri në skutat më të thella të shpirtit njerëzor, për të prodhuar monumentet e tij hyjnore, me magjinë e një “Mikalanxheloje” shqiptar.

Duke rrëmuar e rrëmuar në subkoshiencë, duke ndezur drita e llambushka inkadeshente deri në skutat më të thella të unit të tij krijues, ky artist unik dhe i papërsërtshëm, cdo krijimi që del nga duart e tij të llangosra me baltë e allçi i jep një rrëzëllim qiellor.

Ilmi Kasemi Beati, me veprat e tij sublime e magjiplota, me kumtin e paqes, humanizmit e mirësisë, me vlerat më të epërme estetike që clirojnë energji të pafundme, mbetet padyshim një mjeshtër i rrallë, që kapërcen kohën që jetojmë, duke shërbyer si një gurrë e pashtershme për krijuesit e rinj.

Filed Under: Kulture

KONSTANTIN KRISTOFORIDHI NË PRIZMIN E NJE TRADITE ALBANOLOGJIKE

August 9, 2024 by s p

Prof. Begzad Baliu/

Në studimet albanologjike tash më është krijuar një traditë e mirë e botimit të përmbledhjeve letrare e studimore për krijues dhe personalitete të rëndësishme shkencore: Gjon Buzukun, Jeronim De Radën, Dora d’Istrian, Naim Frashërin, Fan Nolin, Migjenin, Gjergj Fishtën, Aleksandër Xhuvanin, Eqrem Çabejn etj. Në një seri të tërë konferencash dhe madje seminaresh të rregullta, si në: Seminarin Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare (Prishtinë), Serinë e Konfe¬re¬ncave të Universitetit “Luigj Gurakuqi” të Shkodrës, në serinë shumënumërshe për vite të tëra të revistës “Jeta e re” (Prishtinë) etj., janë përmbledhur kumtesa kushtuar personalite¬teve vendore dhe të huaja të albanologjisë. Një përmbledhje e tillë është edhe kjo vepër me kumtesa shkencore kushtuar Konstantin Kristoforidhit.

Në konferencën kushtuar themeluesit të shqipes bashkëkohore Konstantin Kristofori¬dhit kanë marrë pjesë studiues të shumtë nga institucione të larta shkencore e arsimore të fushës së albanologjisë, si: Elbasani, Tirana, Prishtina, Shkodra, Tetova, Gjirokastra, Mynihu, Boni, Parisi, Berlini, Roma, Nju Xhersi etj. Vepra e tij bëhet objekt kërkimi e vlerësimi nga linguistë, historianë të letërsisë, pedagogë, gramatikologë, indoeuropeistë, ballka¬nologë, leksikografë, studiues të gjuhësisë krahasi¬mtare, didaktologë, arkivistë, shqipërues etj.

Vëllimi hapet me një fjalë përuruese të Rektorit të Universitetit mikpritës “A. Xhuvani”, Profesor dr. Jani Dode dhe vazhdon me një paraqitje përimtuese të gjenealogjisë së familjes Kristoforidhi nga i nipi dr. Robert Kristofer, e parë, sikur thotë ai nga perspe¬ktiva amerikane. Jetës dhe veprës së Kristoforidhit i qaset njëri prej njohësve dhe studiuesve më të përkushtuar të tij Profesor dr. Xhevat Lloshi më kumtesën e tij “Kristo¬foridhi dhe themeluesi i albanologjisë”, duke nxjerrë në dritë disa anë të panjohura të lidhjes dhe sidomos të ndihmesës që Kristoforidhi i dha Hahnit. Nëse interesimi i Hahn-it për gjuhën shqipe lidhet me domosdoshmërinë e kryerjes së misionit të tij, (i rrethuar nga shqiptarët), rezultatet e tij në fushë të albanologjisë lidhen me ndihmën që Kristoforidhi i dha në njohjen, leximin, saktësimin e fjalëve të shënuara dhe të dëgjuara nga shqipfolës me të cilët komunikonte Hahni. Të kësaj natyre janë edhe studimet krahasuese mes veprave të Kristoforidhit dhe Dozonit (Christian Gut), Xhuzepe Anxhelo Noçitit (Italo Kostante Fortinos), Ndre Mjedës (Mentor Quku), Dhiatës së re (Teuta Toska) etj.

Studime me vlerë paraqesin kumtesat e bardëve të sotëm të studimeve albanologjike: Shaban Demirajt, Jup Kastratit, Shefik Osmanit etj., të cilët merren me veprat tashmë të njohura të tij, në një mënyrë të veçantë dhe të plotësuar me elemente të tjera historike apo edhe të strukturës së brendshme të saj nga fusha e gramatikës, leksikografisë, pedagogjisë etj. Pra, kontributi i Konstantin Kristoforidhit nuk shihet vetëm nga aspekti i vlerësimit të veprave të tij të veçanta, kryesisht “Fjalorit…”, “Gramatikës…”, “Dhiatës..” etj., por edhe brenda fushave të veçanta në të cilat këto vepra kanë pasur ndikim të dukshëm. Studiues të shumtë, të prirë nga interesimet specializuese, kanë trajtuar kontributin e Kristoforidhit në fushë të standardizimit të gjuhës shqipe (Mehmet Çeliku e Qemal Murati), në formimin e identitetit kombëtar (Bardhyl Demiraj), në krijimin e alfabetit të shqipes (Tomor Osmani), në krijimin e hapësirës shkencore kombëtare (Tomor Plangarica), në historinë e fjalës të gjuhës shqipe (David Luka – Petrit Kotrri), në mënyrën e përdorimit të stilit fetar (Artan Haxhi – Tefë Topalli), në lëvrimin e letërsisë (Robert Elsie, Jonida Xhyrra) dhe sidomos në fushë të letërsisë artistike për fëmijë (Astrit Bishqemi), në unifikimin e mendimit patriotik të Rilindjes Kombëtare (Vilson Kurti); në karakterin didaktik – gjuhësor (Abdulla Ballhysa – Ali Shashaj, Njazi Kazazi), në rrafshin historik të veprës së tij (Hysen Shabani – Liman Varoshi), në sistemin diellor (Shpëtim Vyshka) etj.

Brenda studimit të strukturave gramatikore, për të cilat Kristoforidhi ka dhënë kontribute të shumta, gjurmojnë, vlerësojnë e rindërtojnë nga aspekti historik e bashkëkohor studiuesit Wilfred Fiedler, Remzi Parnaska, Bahri Beci, Latif Mulaku, Mustafa Karapinjalli, Ruzhdi Stringa, Ali Jashari, Emine Sadiku, Valter Memisha etj. Një veçori të kësaj përmbledhje paraqet teksti i Shaban Sinanit, kërkimet e të cilit në Arkivin shtetëror tregojnë se jeta dhe vepra e Konstantin Kristoforidhit janë të hapura për kërkime të reja dhe vlerësime që nxisin diskutime të reja shkencore në fushë të gramatikës, leksikografisë, përkthi¬mit dhe sidomos historisë së gjuhës e të albanolo¬gjisë përgjithësisht.

Në traditën e botimeve albanologjike vëllimi me studime kushtuar Konstantin Kristoforidhit shënon një veçori të theksuar deri më tash, për shumë arsye: për studimin bazë të veprës së Kristoforidhit dhe për pamjen historike të jetës e veprës së tij, për konceptet e reja mbi të cilat është parë një anë e veprës së tij, për fushat e reja përimtuese të mbështetura jo vetëm në strukturat gramatikore e leksikografike të veprës së tij etj. Për shkak të të gjitha këtyre elementeve dhe rrugëve të reja që kanë hapur studimet e theksuara vlerësojmë se ky vëllim paraqet një projekt referencial, si një shembull i mirë për konferencat e ardhshme kushtuar personaliteteve emblematike të albanologjisë, sikur është Konstantin Kristoforidhi.

Filed Under: Kulture

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 51
  • 52
  • 53
  • 54
  • 55
  • …
  • 547
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • KELETI UJSÁG (1931) / “NJË MUAJ PRANË MBRETIT ZOG, THEMELUESIT TË SHQIPËRISË MODERNE…” — INTERVISTA ME MÁRTON HOSSZÚ, PIKTORIN NGA KOLOZSVÁR-I
  • Si “Albanian Mafia” zëvendësoi Cosa Nostra-n dhe po rrezikon Shqipërinë
  • Për vendlindjen, komunitetin e kombin…
  • Kur liria e njërit, bëhet burgu i tjetrit 
  • Eleganca në mërgim – gruaja me mantelin e Shqipërisë
  • Çfarë na ka mbetur nga trashëgimia e Ismail Qemal Vlorës?
  • Përkujtojmë në ditën e lindjes poetin, shkrimtarin dhe dramaturgun e shquar Viktor Eftimiu
  • 𝐖𝐢𝐧𝐬𝐭𝐨𝐧 𝐂𝐡𝐮𝐫𝐜𝐡𝐢𝐥𝐥 𝐝𝐡𝐞 𝐃𝐞𝐭𝐚𝐧𝐭𝐚 𝐋𝐢𝐧𝐝𝐣𝐞-𝐏𝐞𝐫𝐞̈𝐧𝐝𝐢𝐦
  • DËSHMI LETRARE E NJË KOHE TRAGJIKOMIKE  
  • SHBA dhe arkitektura e re e paqes globale: Diplomacia strategjike dhe ndërtimi i rendit të ri ndërkombëtar në epokën e demokracive të avancuara
  • Isa Boletini, Rënia si Akt Themelues i Ndërgjegjes Kombëtare dhe Alarm i Përhershëm i Historisë Shqiptare
  • Kongresi i Lushnjës dhe periudha përgatitore për Luftën e Vlorës 1920
  • GJON MILI DHE EKSPOZITA MЁ E MADHE FOTOGRAFIKE BOTЁRORE E TЁ GJITHA KOHRAVE
  • Rezoluta-6411,nga SHBA-ja, do të jetëson ndaljen e diskriminimit dhe  zgjidh drejt çështjen e Krahinës Shqiptare
  • IBRAHIM RUGOVA: BURRËSHTETASI QË E SFIDOI DHUNËN ME QYTETËRIM 

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT