Kosta Nake/
Ky vëllim i është rezervuar tërësisht publicistikës së Fishtës, gazetat dhe revistat janë foltoret nga ku përçohet lajmi, kronika dhe analiza e dukurive. Fishta përdor fjalët “fletore” për gazetat dhe “e përkohshme” për revistat, “Hylli i Dritës” është një prej tyre, numri i parë i saj doli në vitin 1913 dhe Fishta duket të ketë qenë kontributori kryesor dhe më cilësori jo vetëm te kjo revistë por edhe në rrafshin kombëtar. Këtë e dëshmon fakti se ai ka shpalosur programin e saj “Përlimi i së përkohshmes” (f.7)
Fillon me një trajtimin teologjik-filozofik të njeriut dhe kuptimit të tij për jetën duke nënvizuar tri detyra të tij ndaj Zotit, vetes dhe shokut. Kushti i parë që duhet përmbushur në këtë raport është dija që sigurohet brenda një rrethi të caktuar shoqëror që quhet “gjindje” dhe e lidhur me një truall të caktuar që quhet “atdhe”. Është detyrë e prindërve që t’i pajisin pjellat e tyre me dije, por, kur kjo mundësi kufizohet për arsye të ndryshme, ka dy shtigje të tjera për mësim: kisha dhe shkolla. Përvoja e njerëzimit stampohet në libra, prandaj shtypshkronja u bë vegla e parë e përparimit. Gazetat e revistat u bënë vegla të përhapjes së qytetërimit. “Hylli i Dritës” “ka me u mundue me ia çelë sytë popullit me këshilla e dije… do të përkujdeset me ngjallë shpresën ndër zemra të shqiptarëve se… ditë ma të mira kanë me iu reshë Shqipnisë.” (f.13-14)
Mjaft interesant është fakti se ka patur fërkime mes botuesve dhe gazetarëve të ndryshëm, gjë që nuk vihet re me botuesit e mediave të shkruara të ditëve tona ngaqë po i predominon debati partiak konfliktual. E para fillon me të përkohshmen “Zgjimi” që filloi të botohej në Korçë në vitin 1914 nën drejtimin e Thodhor G. Kottit. Në nr.3 të saj kishte një shkrim për racën e njeriut. Informacioni ishte i pasaktë me deklarimin se raca njerëzore ka mbi 500 mijë vjet mbi tokë dhe Fishta ironizon duke përdorur shprehjen “artikulli i “Zgjimit” ia ka pre kërthizën të parit njeri.” (f.87) Ironia vazhdon edhe me përcaktimin e gorillave, shimpanzeve dhe gibonëve si paraardhës të njeriut dhe me detajin e dhëmbëve si të qenit.
Shtysa e dytë për debat është një artikull i “Diellit” të Bostonit “Fetë në Shqipëri” të botuar në nr.293, 10 mars 1914 ku kishte insinuata që mbretëria shqiptare të linte pas dore punën e fesë dhe mësynte katolikët e Shkodrës, posaçërisht gazetën “Hylli i Dritës.” Autori i artikullit donte një Shqipëri liberale, pa fe dhe sipas tij Shqipëria gjatë Luftës Ballkanike humbui gjysmën e trojeve të veta “për qejf të krishtërimit dhe të muhamedizmit”. Mandej autori e akuzonte “Hyllin e Dritës” si vegël fetare e Vatikanit të Romës dhe përmendte nominalisht edhe at Gjergj Fishtën.
Fishta e pranon se revista është fetare, se është ndërtuar mbi parimet e fesë katolike, por kjo është tregues i dijes dhe i kombësisë. Akuza vazhdon me deklarimin se pas maskës fetare predikohet patriotizmi i shoqëruar me fenë. Fishta i përgjigjet se nuk ka kurrfarë maske po një princip që e kanë patur edhe filozofët e mëdhenj dhe citon Platonin, Tit Livin, Njutonin, Rusonë, Senekën dhe dijetarë të kishës katolike për Zotin dhe rolin e fesë. Së fundi artikullshkruesi i “Diellit” i shikon priftërinjtë e Shkodrës si pengesë për bashkimin kombëtar dhe Fisha tregon për rrethimin e Shkodrës qëndresën e ndihmesë pa dallim feje. Përgjigja mbaron me shprehjen ironike se akuzuesi “nuk ka mjekër për Qabe.”
Gazeta “Bashkimi” nr.25 të vitit 1924 dhe gazeta “Dajti” nr.53 iu kundërvunë revistës “Hylli i Dritës” në pikëpamje të arsimit duke kërkuar shkolla afetare. Françeskanët ishin për lirinë e mësimit që presupozon edhe shkollat private dhe Fishta argumenton lirinë e mësimit si një tagër i paprishshëm natyre, një tagër publik natyre. Fëmijët janë të prindërve, prandaj për mbajtjen e edukimit mbi ta qëndron vetë Zoti që i bëri prindër. Laicizmi nuk njeh tolerancë. Kundër një blasfemie të fletores “Bashkimi”shkroi Fishta kur në një shkrim të saj kishte vënë shenjën e barazimit mes një të burgosuri dhe Jezu Krishtit. Fishta bën një pasqyrë të religjionit që para Krishtit e deri në ditët tona.
Në gazetën “Besa” më 4 nëntor 1932 ministri Hilë Mosi sulmonte revistën “Hylli i Dritës” dhe shkrimtarët e saj, pasi pati sulmuar vite më parë klerin katolik dhe Urdhërin Françeskan. “Hylli i Dritës” pati shkruar se në Shqipëri timoni i jetës nuk ishte zotësia morale e dituria, por rrena, batakçillëku, dredhitë, akraballëku. Ministri kalon në kundërsulm duke pretenduar se këto kritika cënojnë nderin dhe prestigjin kombëtar. Ai e quante meshtarin Fishta pesimist dhe e këshillonte pronarin ta përjashtonte nga urdhëri françeskan. Ministri mburrej me 25 vjet veprimtari patriotike, madje pati luftuar dhe me pushkë dhe kalon në fyerje duke i quajtur hipokritë shkrimtarët e “Hyllit të Dritës.”
Në shtator 1935 Zalvi botoi në revistën “Leka” një artikull për lirikën heroike shqiptare ku shprehej se ato ishin shkruar me varg dhjetërrokësh duke i bërë iso serbit Elezoviç. Kurse tetërrokëshin e quante të përshtatshëm për këngët gaztore dhe satirike. Ai përmend edhe “Lahutën e Malësisë” të shkruar me tetërrokësh dhe nuk ua rekomandonte të rinjve. Fishta i përgjgijet se popuj të ndryshëm i ndërtojnë këngët heroike me vargje të ndryshëm dhe këtë duhet ta pasqyrojnë edhe shkrimtarët e çdo kombi. Kështu ka bërë Budi, Variboba, Naimi. Nga letërsia botërore me tetërrokësha kanë shkruar Kalderoni, epopeja e gjermanëve, etj.
Përkundër rasteve të mësimpërme, ka edhe qëndrime dashamirëse, siç ndodhe me të përkohshmen “Përparimi”, e cila doli në vitin 1914 në Shkodër nga shtypshkronja e Zonjës së Papërlyeme. Fishta shpreson se “ka me u dhanë shkas të fortë ndiesive fetare e kombëtare në Shqipni.” (f.121) Kusht për një ecuri të mbarë të saj janë programi i mirë dhe shkrimtarët me vlerë. Me këtë rast Fishta veçon artikullin “Begatitë e Shqipnisë” dhe thekson qëllimin e naltueshëm “me ia çelë sytë popullit.
Rasti tjetër miqësor është kur Fishta merr në mbrojtje një frat të Dukagjinit i cili pati shkruar në gazetën “Ora e Maleve” në vitin 1924 një shkrim kritik për qeverinë pas vrasjes pa gjyq të shtatë kaçakëve në Qafën e Milisë. Një shërbëtor i qeverisë i kundërpërgjigjet në gazetën “Ku vemi?” duke bërtitur e “qëlluar me shqelma” kundër gjithë franëve shqiptarë, duke vënë shenjën e barazimit mes feudalit myzeqar – dembel, sarahosh e kumarxhi dhe klerit të shkolluar. Fishta i përgjigjet sulmit me një sarkazmë dërrmuese duke e quajtur llapazan injorant, maskarallon.
*
Një vend të rëndësishëm në publicistikën e Fishtës zë promivimi i botimeve të reja me vlera kombëtare ose kritika e argumentuar ndaj autorëve mburracakë e të pavlerë. Revista jep lajmin e botimit të vëllimit të parë “Visari Komtar” me këngë popullore të Viçenc Prenushit. Thënien e njohur: “Më thuaj me kë rri,të të them se cili je”, Fishta e ka transformuar: “Më kallëzo se ç’libra këndon e të të kallëzoj se kush je.” (f.22) Duke përmendur marrëdhënien e ftohtë të shqiptarëve të kohës me librin, Fishta vlerëson këtë botim si “një shërbim të madh” për kombin e vet, një dokument me rëndësi të madhe për historinë. Sepse një komb që s’ka histori, shkatërrohet e humb si kripa në ujë. Informacioni shoqërohet me përmbajtjen e librit: ligjëratën hyrëse ku me shumë mjeshtëri flitet mbi bukurinë e poezisë sonë popullore dhe tri grupimet e këngëve. Pastaj vjen kritika e parë: Të kishte shpjegime më të shpeshta e më të plota.
Revista i bën jehonë botimit në Bukuresht të librit me vjersha “Ëndrra e lotë” të Asdrenit në dhjetor 1912 dhe shoqërohet me vlerësime të larta sepse ka shtuar pasurinë e letërsisë shqipe, “fillim e mbarim këtij libri ndihet një fllad i ambël njomësie e hijeshie fort të kandshme”, “vegojnë mendime të naltueshme, të shprehuna me një gjuhë të pastër e të hijshme”, “ky libër shfaq ma së miri çka të hijshëm në vetvete dialekti i Toskënisë.” (f.155)
Fishta merr shtysë nga ky botim për të shprehur qasjen e vet për gjuhën letrare: “Për me u përba gjuha letrare nuk asht nevoja me krijue një gjuhë të re: lypet vetëm me njoftë gjuhën e me i ditë rregullat e saj, e masandej koha e dija e estetika kanë me gjykue se cili dialekt do zgjedhë për gjuhë letrare në Shqipni.” (f.155)
Dr. Gjergj Pekëmezi, konsull i Shqipërisë, përktheu dhe ribotoi me shkronja shqipe në Vienë në vitin 1924 “Bletën Shqiptare” të Thimi Mitkos. “I ndritshmi Dr. Gjergj Pekëmezi ka merita sepse shton një dokument të ri për historinë e popullit shqiptar, zgjeron gurrën e gjallë të gjuhës sonë amtare.” Libri ka interes nga pikëpamja gjuhësore dhe foklorike. Duke i thënë tri herë “të lumtë!” Fishta u paraprin vlerësimeve për botuesin: “Po të kishin ba të gjithë shqiptarët në dhe të huej, aq sa ka ba zotnia e tij,… sot do të kishte vepra me mjaft randësi sa me qenë citue prej dijetarëve dhe filologëve ma të përmendun të Europës.”
Kritika e parë letrare është për “Valët e Vijosës”, një libër me vjersha i Nafiz O. Mamaqit, i vetëquajtur “këngëtori kombëtar”, i cili u botua në shtypshkronjën “Tirana” në vitin 1923, me përkushtrim për kryeministrin e atëhershëm Ahmet Zogu dhe pretendonte ta stërviste djelmërinë shqiptare me ndjenja nacionale. Fishta gjeti te kënga e parë e librit jo një këngë popullore, siç pretendonte autori, por “një kanga erotike… kangë palavi, e poshtër ku lëvdohet pederastia pa pikë turpi. Një këngë tjetër emërtohet nga autori si antike, kurse Fishta e quan po aq të poshtër sa e mëparshmja dhe arrin në përfundimin se botime të tilla e poshtërojnë jo vetëm kombin shqiptar por mbarë njerëzimin. Analiza vazhdon gjerësisht duke u ngritur kundër pseudoprofesorët e pseudodoktorët analfabetë. “Me ditë me mbajtë penën në dorë, nuk do me thanë me qenë i zoti me shkrue libra, vjersha, artikuj e revista të hijshme e të dobishme.” (f.307) Fishta e përfundon kritikën me kërkesën për Ministrinë e Arsimit që vepra të tilla mos jepen si tekste për shkollat sepse kombi s’mabhet në këmbë pamoral të shëndoshë.
Në vitin 1924 Xhevat Korça botoi një broshurë të titulluar “Tri pyetje nga jeta e Skënderbeut” që e vetëquajti “vepër shkencore” dhe bëri deklarimin bombastik “franët e Shqipërisë në 600 vjet nuk kanë botuar asnjë libër historik që të mund të përkrahet me librin tim.” Fishta shkruan me ironi se e përpiu prej dëshirës së madhe që do të shihte të parën vepër shkencore shqipe. Nga biseda me një mikun e vet në Tiranë Fishta mësoi se Xhevati nuk ishte autori i veprës shkencore por një përkthyes i saj prej një profesori të Universitetit të Vienës me teori dhe teza të Konstantin Jereçekut e Nikolla Jorgës. Përveç kësaj Fishta gjen një gabim trashanik që në faqen e parë të broshurës kur Dr.Xhevat Korça autorësinë ia jep vetes në veten e tretë dhe kushtimin ia bën gruas së vet në vetën e parë, gabim që nuk i falet një nxënësi të shkollës fillore dhe jo një doktori filozofie.
Horizonti kulturor i Fishtës kapërcente kufijtë kombëtarë të letërsisë. Luigj Naraçi dhe Karl Gurakuqi përkthyen në shqip dhe botuan në Shkodër nga shtypshkronja “Nikaj” dramën “Genovefa” në vitin 1921. Përveç përgëzimit të autorëve për punën e bërë Fishta evidenton “ndjesi të ëmbla e delikate, gjuhë të pastër e stil të rrjedhshëm, të përkuem me landë që e hijeshojnë fund e majë këtë vepër të vlershme”, “drama është fort e gjallë e plot veprim, karakteret janë mjaft të spikatuna…” (f.155)
Me rastin e 100-vjetorit të Volfang Gëtes Fishta shkruan për krijuesin gjenial dhe veprën e tij “Fausti” duke e karakerizuar si tipin estetik më të përkryer në letërsinë moderne. Për të gjykuar një vepër Fishta mendonte se duhet të njohësh edhe biografinë e autorit. Gëte ishte i pafe, pa atdhe, pa bashkëqytetës, ai s’ka derdhur një pikë lot, s’ka ngushëlluar asnjë zemër. Edhe Fausti ishte i pa Zot, i pashpirt, i pamoral, i pafrikë, i pazemër, ortak me një Mefistofel, me një djall. Ai ka fizionomi dhe është protagonist vetëm në gjashtë skenat e para, pastaj në pikëpamje estetike është budalla, në marrëdhëniet me Margaritën është delinkuent. Veprimi i tij është instinktiv e shtazor. Për Fishtën protagonist është Margarita. Sipas Fishtës, skena e fundit ishte nga më të bukurat që pati lexuar.
*
Edhe pse me një hapësirë më të kufizuar, me mjaft peshë janë artikujt e Fishtës për kalendarin e vitit 1914 që u përgatit në Shkodër nga Shoqëria e Veprës Piore të etërve jezuitë dhe të cilin e vlerëson si një almanak të rreshtuar e zhvilluar me shumë mend, të dobishëm për përparimin e popullit.
Artikulli tjetër i kushtohej Federatës “Vatra” e cila në vitin 1923 i dhuroi gjimnazit françeskan “Illyricum” të Shkodrës një saksofon francez. Ky ishte një rast i volitshëm për të vlerësuar kujdesin e federatës për artin muzikor në Shqipëri dhe pasonte dërgimin e një bande muzikore në Korçë në vitin 1920, një akt që tregon se atdhetarët nuk e duan vetëm Shqipërinë e pavarur, por edhe të lirë e të qytetëruar. Muzika është një prej faktorëve qytetërues. Fishta sjell nga antikiteti Orfeun me lirën e tij për të treguar fuqinë e artit muzikor, sepse muzika u flet zemrave dhe është e lirë, nuk njeh cak, është më e hyjnueshmja.
Duke parë në tërësi shkrimet publicistike të at Gjergj Fishtës që lidhen me gazetarinë, letërsinë dhe artin mund të vëmë re interesimin dhe mirinformimin e tij për zhvillimet bashkëkohëse në Shqipëri dhe në Europë, forcën argumentuese në çështjet e debatueshme, ekselencën në mendimin filozofik e teologjik, notat e humorit me një pasuri të jashtëzakonshme të frazeologjisë së gjuhës shqipe.
(Gjergj Fishta, Veprat, vëllimi 9, botimet Fishta, 2012).