• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Eklips zemrash

April 13, 2024 by s p

Poezi nga Rafael Floqi/

Big Brother story

Në shtetin distopik të dashurisë së frikës,

ku meritokracia është burgosur prej kohësh

kur këmbanat e ndjekësve të Big Brotherit

përcillen me sytë e gjakosur nga pamjet.

Në ekranin e hollë të televizorit,

ku shfaqet një realitet, një fatkeq i vërtetë,

“Big Brother Abania” – një lavdi e paradoksale,

Kamera të hapura, por njerëz në burg për jetë.

Në atë shtëpi, si një kopsht të mbyllur,

ku njerëzit bëhen lojtarë, për publikun

e të shtrënguar, shfaqin emocionet e tyre,

në ekranin e shkretë.

E zbulohen me kamera gënjeshtare

ndërsa jeta e tyre u mbetet e retushuar

si indi i papërfunduar një drame.

Ku secili personazh televiziv i saj,

hap sytë për të fituar ndjekësit e vet.

kufizimet që erdhën prej pandemive dikur,

sot shmangen ndoshta,

por emocionet e tyre ende s’pushojnë,

ato gjallë mbeten përsëri, si heshtja

që si unë dhe ti, e di si.

Sot pat një grusht përjashtimi,

një dramë e re, në TV “kush hyri e kush doli”,

skena e vërtetë

që rrethon një spektaklin

e këtij show

“Big Brother Albania”.

Dhe prej aty

mëson diçka të madhe, të pamatë

se realiteti gjithnjë është më i çuditshëm

sesa çdo imaginatë.

Mendoni “A do të jetonit dot në një shtëpi mbyllur

për muaj të tërë”,

me njerëz që duan t’u hanë,

do të çmendeshit për besë fare.

Por mos u shqetësoni!

keni shumë për të parë.

Përjetoheni atë në ekranin tonë të gjerë!

Njerëz dashuruar me një joshje të fshehta

me sytë e tyre si kamera

me zemrat e tyre si dronë

në rrugët e përshkuara me LED

dhe nga sensorë AI pandjenja.

Sot gjindja shpalos dashurinë e vet,

sa me “emoji”, sa me “like”, sa me klikime,

dhe për çdo kafshatë tjetër pëlqimi

ata brenda tregojnë histori të rreme

dhe fabula e legjenda trimërie…e zhgënjimi.

Dhe Big Brother vëzhgon mbi ta si Zot

me sytë e tij të mëdhenj të shkëlqyer,

ndërsa ata para tij ata përulin kryet

para predikimeve dhe urdhërave të përjetshëm.

Dhe pse nga brenda u zjen një pyetje e vjetër:

“Cili është armiku më i madh,

vetvetja apo konkurrenti tjetër?

Dashuria e tyre është si një lojë boshe

e transmetuar për të gjithë për ta parë

dhe ata veç luajnë rolin e vet,

me veten për veten.

duke qeshur apo duke qarë,

jashtë apo brenda vetes s’e di.

si aktorë në skenën e jetës së kontrolluar

nga kotësia e shenjtërisë së tij.

Por në thellësi, ndoshta edhe të vetë atyre,

të cilëve një shpirt u rri i ndrydhur

nga kërkimi për dritë, për liri, që shfryhet

që ndoshta një ditë, kur të dalin

do të shpërthejnë si rebelë

në atë vend survejimi

në atë pip show pa pagesë,

ku njerëzit paguajnë me historitë e jetës

dhe dashuri efemere ku fjala s*ks shkruhet me yje

me debatet e përmjerra si radhë uturaku

ku të grindeni kush është më luftaraku

dhe morali kërkon më kot fjalën ‘turp’.

“Ju e urreni atë. Mirë bëni. Ta urreni!

Por sidoqoftë dijeni ka ardhur koha

që ju të bëni hapin e fundit,

duhet ta doni Big Brother! Ta doni!

Nuk mjafton t’i bindesh: duhet edhe ta duash,

si vasal, dhe derrit dajë t’i thuash!

Kështu në ekranin e hollë të televizorit,

shfaqet një realitet, një shpirt “i vërtetë”,

“Big Brother Albania” – një lavdi, gjith’ “jetë”,

kamera të hapura, por njerëz në burg,

çfarë mund të shpresojmë më shumë,

nga një spektakël televiziv në atë vend

ku absurditeti duket si parajsë e përhershme

e cila, fatkeqësisht, vazhdon të pëlqehet?

-Ndaj, ktheje kanalin tek Big Brother.

Ktheje!

Eklips zemrash

Në hijen e vallëzimin të zjarrit diellor,

Në agun e drojtur të një qafimi hënor,

Dy shpirtra ngërthehen me yshtje plot

Në një puthje ku kompletohen dy botë.

Nën përqafimin e diellit gjith’ dritëhije,

Buzët të etshme, një simfoni hijeshije,

Befasi efemere, një lumturi kalimtare,

Në eklipsin e joshjes, me puthjen e parë.

S’ka errësirë këtu, por vetëm truk drite,

Një bashkim qiellor, pa ndrojtje frike,

Zemra që rrahin e dridhen sinkron,

Për heshtjen e eklipsit, dashuria jehon.

Në skenën e qiejve e yjeve të ndritshëm,

Një puthje, astronomike të pazgjidhshëm.

Fshehja e diellit, eklipsi i dashurisë,

Dy shpirtra bashkuar, drejt përjetësisë.

Ai Diell e ti Hënë e hija bjerret ngadalë,

Kjo puthje mbet si legjendë e pa fjalë.

Datën për jetë do ta mbajnë mend,

Me një puthje amshimi u ngjiz në moment.

Përsiatja e Narcizit me Refleksin

Në përqafimin e pasqyrës,

i humbur në kënaqësi,

Narcisi, suprem merr pozën e krenare.

Çdo shikim, çdo pamje, simfoni adhurimi

një spektakël i dashurisë për veten,

tretet idhësisht në pafundësi

besimi tek vetaj e tij.

Oh, Narcis,

me egon tënde kaq madhështore,

që këtë botë askush si ty tjetër

nuk mund ta kuptojë.

veten e vetes të vetvetes

Refleksin, sharmin tënd,

në shkëlqimin e rrezuar,

të Mbretërisë Supreme të Unit.

Zgjohu sot, njeri, prej gjumit,

shpalos “bukurinë” e mendjes sate

për të çuditur të gjithë.

Por, jo mos e shpall

dekretin me aq mendjelehtësi,

poshtë mbulesës së një fasade,

ku një zemër si pezhishkë e çjerrë

nga era luhatet në sa ora

e gënjyer

me mirazhet e hijes sate prore.

Se koha e vjetër e famës kishte rëndësi,

se kotësia jote zjarr tek ty përvëlohej,

Megjithatë, nën hije,

lidhja e vërtetë shprishej,

e qeshura jote jehonte kalbjen,

e zbrazët dhe të ftohtë acar

si pikëllimi dhe gëzimi i një sulmi

me Facebook

që s’ të bën dot aq “guximtar”

e jo që jo, një figurë publike.

Në pallatin e tënd e brenda Unit,

facebuku ishte bedena

që e sulmonin të gjithë Don Kishotët.

E më pas zhgënjimi

në errësinën e frikshme rëkllehej

duke zbuluar kotësinë e qënies sate

së cilës i druheshe se kush mos e kuptonte

i druheshe se kush mos e kapte,

sa i vogël ishe në hijen e vetvetes

Oh, Narcis,

me shikimin zhbirues kaq të fiksuar,

mbi refleksin tënd të vluar.

Bëj kujdes! Vër mend!,

sepse në faltoren që ia ke bërë vetvetes,

shtrihet zbrazëtia e kotësisë së një jete,

si e një vemjeje të një shpirti

që duke u rritur qelbet.

Kënaqu me lavdinë sate, shijo refleksin e ëmbël,

Por kujto, Narcis,

fundin e fluturimit-ëndërr.

pasqyrën e krisur që plasaritet

gastaret dhe iluzionet që si zogj tremben.

Eja dhe rrëfeu vetes të vërtetën,

si qenie e zakonshme

që askush s’i beson

se ndryshe do të zhagitesh në muzg i vetmuar

në indin e jetës që vetë e pate thurrur

duke u mburrur

me mendje që kur ke lindur…

Se ç’mbolle do të korrësh,

kjo dihet

dhe për këtë, të jesh i bindur!

Filed Under: Kulture

Bujar Lako…

April 12, 2024 by s p

Mevlan Shanaj/

Klithmë nga qielli, nga shpirti, gjithë ajri më merr frymën, ka ikur Bujo! Lajm i dhimbshëm, therës, që ne miqtë, si dhe familja, e kemi të papërballueshëm. Ikja e Bujos ishte apeli më i fuqishëm për respektin ndaj artit të ekranit shqiptar. Secili nga ne do të dëshironte të ikte në këtë mënyrë kaq thirrëse për të ndryshuar mendësinë ndaj vëmendjes dhe kushtimit të artit të ekranit si fytyrë e shoqërisë. Të lumtë Bujar Lako, me këtë ‘gjest’ sublim godite si asnjëherë më fuqishëm. Lamtumirë o njeriu i mesazheve të mëdha, si askush deri më sot!”. Bujar Lako, që gati u shndërrua në legjendë me ikjen e tij, sipas meje ishte forca e ekranit, të cilin ai e shfrytëzoi në mënyrë intuitive, shkëlqyeshëm. “Përkëdhelia” e aktorit të parë në ekran i dha shansin të shumëzonte në ngjitje hijen e tij dhe si çdo hije që sterrritet e bëri aktorin e ekranit më të lakmuarin për gati dy dekada.

Në teatër nuk pati “këtë hije”, pasi puna në teatër punohet në tavolinë të rrumbullakët, kështu që je në një plan shikimi edhe me kolegët. Ndërsa kamera e kishte përherë në plan të parë dhe në kësi rastesh, ai nuk të falte. Njeriu Bujar dhe aktori Lako zotëronin imponimin sa privat, aq edhe krijues. Bujo ishte artist në formë dhe përmbajtje. Kishte të dhëna fizike të shkëlqyera për një aktor, konstrukt harmonik, portret goditës dhe zërin e ngrohtë burrëror me shikim depërtues, gati-gati asgjësues.

Sqimatar si ai dhe kërkues deri në një për atë që bënte në krijimin e figurave artistike. Dinte shumë mirë proçesin e tjetërsimit dhe gjente çastin e zhbirimit të partnerit. I lindur artist, qoftë edhe në mënyrën si ecte, apo edhe si hante. Artistin nuk e luajti ndonjëherë pasi nuk pati rast, por dha shembullin e artistit që mbetet i adhuruari i regjisorëve dhe i gjithë shikueseve, jo vetëm brenda kohës.

Epiteti i gjeneralit qe një rastësi e bukur për Bujar Lakon, pasi tre gjeneralë artistikë (Gjeneral gramafoni, Mujo Bermema dhe gjenerali i ushtrisë së vdekur), i pari i Vath Koreshit me regjinë e përkryer të Viktor Gjikës, dy të tjerët shkruar nga Ismail Kadare me regji të Kujtim Çashkut dhe Pirro Milkanit, dhe i treti i Dhimitër Anagnostit, krijuan kryegjeneralin Bujar Lako.

Statura civile e këtij “ushtaraku” u duk se ishte krijuar fshehurazi në çdo hap të tijin. Larguar nga sheshet e xhirimeve pa spaletat, por me një ajër gjeneralësh në çdo mjedis ku shkelte, linte hije gjeneralësh. Me ikjen e tij, gjithë opinioni kishte krijuar ekranin gjigant, ku vetë dëshmitarët ishin bërë pjesë e kësaj figure jetësore të vetë artistit unikal, më të arriturën se të tria figurat artistike. Bujar Lako kishte ndërtuar në gjallje mitin e gjeneralit fitues.

Largimi tinëzarisht i këtij “ushtaraku” të rreptë rikonfirmoi autoritetin e tij krijues të figurës së artistit në çdo çast të jetës. Dinjitoz në krijim, i rreptë në mosnënshtrim. Posedues i gjithë fuqisë krijuese në ekran.

-Shkruar Dhjetor 2016( Vizatimi nga Fatbardh Marku)

Filed Under: Kulture

Mbresa e kujtime të pashlyeshme nga vizita e parë e Albanos dhe prindërve të tij në Shqipëri në vitin 1987

April 11, 2024 by s p

Nga Gazmend Mullahi, kompozitor/

Kjo stinë që në vitin 1987 kur Albano erdhi për herë të parë në Shqipëri pak javë sapo kishte përfunduar Festivali i San Remos dhe Albano e Romina kishin fituar çmimin e Parë me këngën hit “Nostalgia Canaglia“, tingujt e së cilës gjëmonin që kur arritën në Kakavijë tek dilnin nga makina e tyre “Range Rover” …Bëja pjesë në grupin që i pritëm dhe shoqëruam gjatë gjithë kohës prindërit e tij për të vizituar vendet ku ai akoma mbante mend me detaje ku ai kishte kaluar rininë gjatë luftës, Vlorë, Gjirokastër, Tepelenë, Sarandë ….I jati, Carmelo, babaxhan njeri, ndonëse i rënduar nga mosha dhe shikimi, kishte një nostalgji të jashtëzakoneshme për vendin tonë, veçanërisht njerëzit bujar që i ra rasti të njihte. Njeriu i thjeshtë, popullor, fshatar me origjinë nga jugu i Italisë që porosiste gjithmonë në restorant “cozze crudo” që kamarieri ynë i pamësuar se duhej t’i shërbente të gjalla çuditej dhe s’e kuptonte porosinë dhe i sillte të ziera, por që detyrohej t’i kthente përsëri. Carmelo i hapte me maje thike e duar duke i përpirë ashtu të gjalla plot kënaqësi duke shijuar me aromë deti dhe kripën jodè.

Muhabetqar gjithë kohës, më tregonte copëza kujtimesh që i mbante mend fare mirë nga koha e rinisë së tij përgjatë asaj periudhe të shkurtër që i ra për pjesë ta kalonte në Shqipëri gjatë luftës. 

Njëra nga këto rrëfime më bëri shumë përshtypje dhe m’u fiksua edhe mua për ta rrëfyer. 

…Fillim viti 1943. Toga e tij ishte disllokuar buzë lumit në Tepelenë. Aty kishin ngritur çadrat dhe prisnin urdhëra për t’u kthyer mbrapsh. Kishte javë që kishte nisur çorientimi nga kapitullimi i tyre i pa shpresë, por edhe të trembur nga perspektiva e zymtë që sillte situata me gjermanët që u ra rruga në terheqje. Carmelo atëherë djalë fare i ri, të rraskapitur e të çorientuar por me shumë “dezertues” vendosi t’i largohej dhe të arrinte sa më shpejt në portin e Durrësit për t’u kthyer në shtëpi. 

Një arësye më shumë, Jolanda, e shoqja imcake, zeshkane, në muajt e fundit të shtatëzanisë priste për të lindur fëmijën e parë që më pas mori emrin Albano. Ushtari i këmbësorisë i quajtur Carmelo u “vodh” nga çadrat e kampingut në mbrëmje dhe në terrin e natës në një kohë të keqe me shi u detyrua të kalonte natën jashtë, fare pranë disa shtëpive përdhese pranë në hyrje të kalasë në Tepelenë. Trokiti në një nga shtëpitë e veçuara të saj që u hap nga dy të moshuar tmerrësisht të varfër që ngroheshin të rreckosur pranë një vatre që njëkohësisht bënte dhe dritë atij mjedisi. E pranuan menjëherë duke e futur brenda, ngrohur dhe tharë rrobat dhe këpucët e qullosura, të lagura nga lumi. 

-Më ulën pranë zjarrit, kujtonte Carmelo, isha i paarmatosur dhe pa kapele e rripa. Unë flisja me gishta e shenja ata s’kuptonin asgjë. -Më afruan për të ngrënë diçka që ata i thonin “kaçamak” me bukë të thekur misri mbi mashën e zjarrit. Ishin dy pleq të mrekullueshëm, bujarë që nuk dinin asnjë fjalë italisht, por që kuptoheshin nga zemra e bardhë e tyre… më përcollën që në mëngjes herët dhe më dhaneë edhe bukë me vehte….

Bëmë çmos për të rënë në gjurmët e këtij çifti plak, pyeten kur arritën në Tepelenë, por kishin kaluar gati 45 vite nga ajo kohë dhe sigurisht ata nuk jetonim më, por dhe s’patën mundësi të kishin lënë ndonjë gjurmë trashëgimtarësh. Të vetmen gjë që nuk ia realizuam dot babait të Albanos për t’i takuar ndonjërin prej tyre dhe për t’i shprehur mirënjohjen e tij të asaj nate të paharruar që kaloi në atë kohë të vështirë.…U mërzit shumë i gjori që s’mundi dot t’ua shprehte, por edhe t’ua shpërblente këtyre njerëzve të mirë që në atë “natë të shenjtë fati” i hapën derën për ta kaluar atë natë që ruante në kujtesë edhe në vitet e plëqerisë. Ndaj, ishte kthyer si një amanet dhe deshirë e zjarrtë për të vizituar edhe njëherë këtë vend të bekuar dhe që i kishte gdhendur thellë në gji respektin dhe konsideratën e këtij vendi magjik si Shqipëria. Dhe Albano, i biri, ia realizoi për të vijuar të njejtën dëshirë dhe konsideratë ndaj këtij vendi siç ëshëe Shqipëria! 

Jemi takuar dhe herë të tjera me këngëtarin famoz italian me emer shqiptar, Albano, por takimi i parë dhe i fundit për prindërit e tij ka qenë i rrallë dhe shumë prekës e mbresëlënës edhe për shumë episode të tjera gjatë kësaj vizite.

Filed Under: Kulture

PROFESOR SAMI REPISHTI NË 99-VJETORIN E LINDJES!

April 9, 2024 by s p

I dashur Prof. Repishti ju dërgoj urimet e mia për 99-vjetorin e lindjes suaj. Për ju nga dita e sotme fillon viti jubilar i 100-vjetorit.

Me jetën dhe veprën tuaj të derisotme ju keni qenë për mbarë popullin shqiptar një pishtar i ndezur që i ka treguar rrugën më të saktë drejt demokracisë. Nga distanca e viteve ju keni të drejtë të jeni i qetë shpirtërisht dhe moralisht, gjithënjë keni bërë më të mirën në jetën tuaj.

Populli shqiptar, duke qenë se ka jetuar si popull i përgjysmuar dhei sunduar nga ideologjia komuniste, nuk e ka pasur as dje e as sot pjekurinë e nevojshme për t’i asimiluar e për t’i venë në jetë mësimet tuaja në masën e duhur.

Ju keni sot shumë lexues dhe vleresues të cilët me kalimin e kohës do të shtohen dhe do t’ju japin vendin e merituar në gjirin e botës shqiptare. Ky proces rivleresimi i vlerave tuaja dhe të kolegëve tuaj të përndjekur besoj do të shpejtohet pasi populli ynë të futet në Bashkimin Europian, ku do mundë të krijojë shtetin kombëtar shqiptar: një komb një shtet.

Ju përqafoj nga larg me respekt e dashuri duke kujtuar dy takimet tona plot bukë, njërën tek Biblioteka e Nju Jorkut dhe tjetra tek shtëpia juaj. Shpresoj që këtë verë të vij e t’ju takoj dhe një hrë për t’ju dhuruar një kopje të studimit tim “Saint Paul in Dyrrach – corretions of some notes and maps in the New Testament”, për të cilnin punova gati 25 vjet krahas punëve të tjera.

Uroj të rroni sa më gjatë dhe Zoti qoftë me ju deri në fund të jetës suaj!

Prof. Assoc. Dr. Thanas L. Gjika.

Filed Under: Kulture

Sopranoja gjakovare që ngriti peshë publikun e West Palm Beach-it tek “Norma” e Bellinit!

April 8, 2024 by s p

Iris Halili

Kryetare e degës “Vatra Miami”/

Mbrëmë ne, një grup nga komuniteti shqiptar i Floridës së Jugut patëm një emocion të veçantë. Sopranoja me famë ndërkombëtare dhe me origjinë nga Gjakova e Kosovës si dhe me një emër kaq shumë shqiptar, zonja Marigona Qerkezi, ishte ylli që shkëlqeu në Opera House të West Palm Beach. Ajo interpretoi Normën, protagonisten kryesore në operën me të njëjtin titull të Vincenzo Bellinit. Me një zë të rrjedhshëm si lumenjtë shqiptar dhe me kumbim të thellë si burimet e krrojeve tona, Marigoja ishte një surprizë e vërtetë për të gjithë spektatorët e “Normës” e cila konsiderohet si sfida më e lartë e çdo sopranoje, e ndërsa pjesa me e njohur e kësaj kryevepre “Casta Diva” konsiderohet si aria më e vështirë e të gjitha kohërave.

Karakteri i Normës është shumë kompleks, jeta e saj është tragjedia e dilemave të zemrës, detyrës ndaj Atdheut, brengat e shumëfishta të një gruaje që dashuron, tradhëtohet dhe zhgënjehet. E tërbuar nga xhelozia dhe braktisja, e mallëngjyer si nënë dhe e penduar për aktet e saj në kundërshtim me fenë të cilën i shërben, Norma kalon në shumë gjëndje psikologjike dhe traumatike. Në përçapje për të gjetur rrugëdaljen atje ku ajo shpesh mungon, Norma mundohet të hyjë në portat e zemrës me arsye, por del prej saj pa të, apo mundohet të dalë nga portat e zemrës me ndjenjë, por nuk është e lumtur edhe me këtë zgjidhje. Për vetë kompleksitetin e saj Norma mban pothuajse ¾ e të gjithë shfaqjes, duke bërë të duket se të gjithë protagonistët e tjerë janë vetëm në funksion të saj. Sipas ekspertëve, në këtë opera sopranoja që interpreton Normën duhet të mbajë C-në e lartë në më shumë se 12 herë, dhe gjatë gjithë orëve të gjata të shfaqjes, ajo ka shumë pak kohë për të kontrolluar frymën. Me një italishte shumë të kuptueshme, si dhe me një portret fizik të gjatë dhe të bukur, Marigona e sundoi plotësisht skenën duke performuar sa me zë aq edhe me mimikë dhe lëvizje sinkronike. Zëri i saj sa melodioz, aq edhe i ëmbël dhe shpërthyes jo vetëm na mbërtheu përgjatë gjithë shfaqjes, por ai ishte në harmoni të plotë me emocionet nëpër të cilat kalon Norma, që falë interpretimit të Margionës na mbeti gjatë në mëndje.

Duartrokitjet vazhduan pa ndërprerje edhe kur perdja u mbyll, pasi spektatorët sërisht nuk donin ta linin “Normën” të largohej prej tyre.

Marigona Qerkezi ka nje karierë të spikatur në boten e artit operistik. Talenti i saj është vlerësuar me shumë tituj dhe çmime të larta, ku ndër më të njohurat është tituli “Sopranoja e Rosinit”, dhënë sopranove të spikatura për interpretimin e veprave të Rosinit. E lindur dhe rritur në Zagreb ajo ka mbaruar studimet për Master në Fluit dhe Kanto në Universitetin e Prishtinës. 6 -vjec Marigona ka zbritur në skenë për herë të pare dhe prej atij çasti duket sikur nuk ju nda më skenave. Në muajt në vazhdim ajo do të performojë në Gala Concert London; Savonlinna Opera Festival në Finland në rolin “Abigalle” nga “Nabuko” e Xhusepe Verdit, më pas në Dubai Opera House dhe Varshavë Opera House me rolin e “Aida” sërisht nga Xhuzepe Verdi ; Në vazhdim në Kopenhagen Opera House tek “Toska” i Xhiakomo Pucinit, për t’u rikthyer sërisht tek “Norma” i Vincenco Bellinit në Operën e Frankfurtit.

Ftojmë të gjithë bashkëatdhetarët kudo ku jetojnë të ndjekin turin e Marigosë tonë në Instagram apo Facebook dhe nëse kanë mundësi të dëgjojnë zërin e saj të vecantë dhe të jenë të sigurt se pas shfaqjes do të ndjejnë krenarinë kombëtare që na dhuron kjo artiste shumë dimensionale, do të shijojnë një interpretim shumë të arrirë artistiskisht dhe ndosha do të kenë mundësinë të takojnë këtë soprano shqiptare me famë botërore që me thjeshtësinë e saj nuk kursen të takoj, apo përshëndes bashkëatdhetarët e saj në gjuhën e nënës, shqipen tonë të bukur.

Filed Under: Kulture

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 67
  • 68
  • 69
  • 70
  • 71
  • …
  • 547
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Garancia Publike për Emigrantët
  • Nëntë njohje de-facto për Kosovën
  • RIZGJEDHJA E PRESIDENTES OSMANI ËSHTË INTERES SHTETËROR DHE KOMBËTAR
  • Stuhi dimërore historike në SHBA: Mbi 10 mijë fluturime të anuluara, miliona qytetarë nën akull, borë dhe të ftohtë ekstrem
  • KELETI UJSÁG (1931) / “NJË MUAJ PRANË MBRETIT ZOG, THEMELUESIT TË SHQIPËRISË MODERNE…” — INTERVISTA ME MÁRTON HOSSZÚ, PIKTORIN NGA KOLOZSVÁR-I
  • Si “Albanian Mafia” zëvendësoi Cosa Nostra-n dhe po rrezikon Shqipërinë
  • Për vendlindjen, komunitetin e kombin…
  • Kur liria e njërit, bëhet burgu i tjetrit 
  • Eleganca në mërgim – gruaja me mantelin e Shqipërisë
  • Çfarë na ka mbetur nga trashëgimia e Ismail Qemal Vlorës?
  • Përkujtojmë në ditën e lindjes poetin, shkrimtarin dhe dramaturgun e shquar Viktor Eftimiu
  • 𝐖𝐢𝐧𝐬𝐭𝐨𝐧 𝐂𝐡𝐮𝐫𝐜𝐡𝐢𝐥𝐥 𝐝𝐡𝐞 𝐃𝐞𝐭𝐚𝐧𝐭𝐚 𝐋𝐢𝐧𝐝𝐣𝐞-𝐏𝐞𝐫𝐞̈𝐧𝐝𝐢𝐦
  • DËSHMI LETRARE E NJË KOHE TRAGJIKOMIKE  
  • SHBA dhe arkitektura e re e paqes globale: Diplomacia strategjike dhe ndërtimi i rendit të ri ndërkombëtar në epokën e demokracive të avancuara
  • Isa Boletini, Rënia si Akt Themelues i Ndërgjegjes Kombëtare dhe Alarm i Përhershëm i Historisë Shqiptare

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT