• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

ALEKSANDËR XHUVANI MBI ROLIN E PEDAGOGJISË DHE TË EDUKATËS

October 19, 2023 by s p

Ledio Xhoxhi

Punonjës shkencor në Muzeun Historik Kombëtar, Tiranë/

Nga studimi i veprave si edhe i shumë shkrimeve e artikujve të Aleksandër Xhuvanit për çështjet e arsimit, të shkollës e të edukatës, del se ai kishte një mendim pedagogjik të gjerë, origjinal e përparimtar. Atij i takon merita kryesore në krijimin e pasurimin sistematik të shkencave të pedagogjisë e psikologjisë shqiptare.

Aleksandër Xhuvani përpunoi një sistem të tërë pikëpamjesh për pedagogjinë dhe edukatën, për vendin dhe rolin e tyre. Në mendimin pedagogjik të Aleksandër Xhuvanit gjejmë një përcaktim të saktë, të përparuar e të plotë mbi pedagogjinë, objektin dhe rëndësinë e saj. Aleksandër Xhuvani e vlerëson pedagogjinë si një shkencë shoqërore që luan rol në formimin dhe zhvillimin e personalitetit të njeriut dhe i shërben përgatitjes dhe formimit të mësuesit. Ai e vlerëson pedagogjinë si shkencë teorike dhe zbatuese. Xhuvani vlerëson lidhjen e pedagogjisë me filologjinë, sociologjinë dhe antropologjinë të cilat i quan shkenca ndihmëse për pedagogjinë.

Në fushën e pedagogjisë Xhuvani u ndikua, në radhë të parë, nga koncepsionet pedagogjike të Rilindjes, prandaj mund të konsiderohet me të drejtë se ishte vazhdues i denjë i pikëpamjeve të tyre përparimtare; i zotimit dhe i luftës për një shkollë të re, që do të shtrihej edhe në viset më të largëta e që do të ishte e hapur për të gjithë fëmijët; për një shkollë ku do të mësoheshin te gjitha dijet e vërteta shkencore dhe ku fëmijët do të zhvilloheshin drejt në pikëpamje morale, fizike e psikike. Ky fakt është çelës për njohjen e karakteristikave dhe të rëndësisë së pedagogjisë së Xhuvanit dhe të interesimit të tij të pareshtur për veprimtarinë edukative-arsimore dhe përparimin e shkollave shqiptare.

Karakteristikë për mendimin pedagogjik të Aleksandër Xhuvanit është evoluimi i tij nga njëra etapë në tjetrën, në përputhje me kushtet historiko-shoqërore dhe shndërrimet ekonomike, kulturore, politike dhe ideologjike të vendit. Arsimin dhe edukatën, në kuptimin e gjerë shoqëror e pedagogjik, Aleksandër Xhuvani i vlerëson si faktorë të rëndësishëm për çlirim kombëtar e drejtësi shoqërore, për formimin e ndërgjegjes kombëtare, për rritjen e personalitetit të njeriut e përmirësimin e gjendjes ekonomike të popullit. Xhuvani luftoi me të gjitha forcat për një shkollë kombëtare, laike e demokratike. Ai mendonte se të gjithë fëmijëve të kombit duhet t’u jepet një edukatë kombëtare e njëllojtë, pavarësisht nga besimi e gjendja shoqërore. Xhuvani shtroi si të domosdoshme kërkesën për një arsim fillor të detyruar e të drejtuar nga shteti, duke e konsideruar si bazën e qytetërimit të një populli, si edhe arsimimin e gruas shqiptare, që përbën themelin e përparimit si shtet e si komb.

Edukatën e konsideron si kusht themelor për ekzistencën e shoqërisë njerëzore. E çmon edukatën sepse nëpërmjet saj njeriu fiton përvojën njerëzore pa të cilën ai nuk mund të zhvillohet si qenie njerëzore. Termin edukatë Xhuvani e jep ne kuptimin e gjerë si rritjen, formimin, zhvillimin e njeriut dhe në kuptimin e ngushtë si sjellje e mirë e njeriut. Xhuvani e vë theksin në mënyrë të veçantë në karakterin kombëtar të edukatës. Ai e lidh atë me jetën e kombit, me gjuhën e tij, me kulturën, traditat, zakonet. Synimi i edukatës kombëtare sipas Xhuvanit është të ngjallë te nxënësi dashuri për vendin e vet e për çdo gjë që gjendet e jeton brenda në të. Aleksandër Xhuvani është kundër tezës që e konsideron edukatën si të pafuqishme në përmirësimin e natyrës së njeriut. Aleksandër Xhuvani është shprehur dhe ka mbajtur qëndrime lidhur me trashëgiminë, mjedisin dhe familjen si faktorë që ndikojnë mbi edukatën e njeriut. Trashëgiminë e konsideron si një faktor me rëndësi, por jo përcaktues. Aleksandër Xhuvanin e interesoi edhe roli edukativ i familjes. Në mendimin pedagogjik të tij gjejmë ide lidhur me rëndësinë e edukatës familjare, me rolin e nënës për edukimin e fëmijëve, ide për bashkëpunimin e familjes me shkollën. Xhuvani e quan familjen ngrehinën e parë edukatore. Në familje fillon rritja dhe edukimi i njeriut, merr njohuritë e para, zakonet e para, fillojnë të hidhen themelet e karakterit. Në përmbajtje të edukatës familjare Xhuvani përfshinte detyra të ndryshme, që nga më të thjeshtat; fillestare, si: kujdesi për shëndetin e fëmijës, higjienën, kulturën e të ngrënit, veshja, e deri në detyrat për formimin e cilësive pozitive të karakterit për edukimin me ndjenja të tilla si: të atdhedashurisë, të përgjegjësisë etj. Rezultatet e edukatës familjare Xhuvani i lidhte me kulturën e nënës, me arsimin e saj. Ndër parimet e edukatës familjare Xhuvani vlerësonte në mënyrë të veçantë atmosferën në familje, harmoninë, mirëkuptimin, por edhe organizimin e drejtë të jetës në familje. Këto i konsideronte si kushte për një edukatë të mbarë të familjeve.

Aleksandër Xhuvani thoshte se edukata duhet të jetë kombëtare e patriotike, e natyrshme, individuale e sipas kohës. Merita e Xhuvanit qëndron jo vetëm në trajtimin origjinal të këtyre parimeve, por edhe në faktin se si parim bazë të edukatës ai vë karakterin kombëtar të saj dhe e shtron atë në plan të gjerë shoqëror e pedagogjik. Mësimin në gjuhën amtare ai e shihte si element kryesor të edukatës, si shenjë të gjallë të çdo kombi, pasqyrë të qytetërimit të një populli, për të siguruar të ardhmen e vetë popullit. Ai luftoi që vendin e parë në përmbajtjen e shkollës t’a zinin lëndët me karakter kombëtar, si gjuha shqipe, leximi, historia dhe gjeografia e Shqipërisë, por edhe lëndët e tjera të përshkoheshin nga fryma kombëtare, që sistemi arsimor të ndërtohej mbi bazën e psikologjisë e të individualitetit të popullit.

Në mendimin pedagogjik të Aleksandër Xhuvanit, edukatën fizike e quante si faktor të rëndësishëm për ruajtjen dhe forcimin e shëndetit. Dy anë të edukatës fizike merrte: higjenën dhe gjimnastikën. Në mendimin pedagogjik të Xhuvanit gjejmë ide me vlerë për rolin e madh edukativ të punës në jetën e njeriut. Ai e shikonte atë si një nevojë të domosdoshme, në të cilën njeriu gjen jetën, shëndetin dhe lumturinë e tij. Ai mendonte se puna është një shkollë për të formuar karakterin, ajo shtjellon dhe shton kujtesën, gjykimin, taktin dhe vetëmohimin. Xhuvani vlerëson në radhë të parë, anën formuese edukative të punës. Ishte ndër pedagogët e parë nismëtarë që luftoi me të gjitha forcat që në mbarëvajtjen e shkollës fillore të futej edhe mësimi i punës së dorës, që çdo shkollë të kishte pranë edhe kopshtin e saj.

Si përfundim mund të them se idetë e Aleksandër Xhuvanit për pedagogjinë, edukatën dhe qëllimin e saj dallohen për kahun përparimtar, për karakterin shkencor dhe për konkretësinë. Në to shprehet shkalla e formimit të Xhuvanit si pedagog por edhe ndikimi i kohës dhe ideve pedagogjike tek disa pedagogë më të njohur.

Filed Under: Kulture

“Tirana Music Festival”

October 18, 2023 by s p

Vasil S. Tole/

Dje ishte nata mbyllëse e KOSMOS- “Tirana Music Festival”, ku 6 muziktarë të shquar evropianë, dy prej tyre me origjinë shqiptare, krijuan një atmosferë magjike për publikun që kishte mbushur hollin e Universitetit të Arteve.

Sonata nr. 2 për violinë solo e Bahut u interpretua mjeshtërisht nga kitaristi ynë Petrit Çeku, i njohur tej e mbanë si i thonë fjalës, për artin e tij , aq e vërtetë është kjo sa vepra në fjalë erdhi tek dëgjuesit si të ishte varianti origjinal i saj, për shkak të peshës interpretative të Çekut. Versioni për kitarë ishte përshtatur nga Deshpali, pinjoll i shquar i kësaj familjeje artitësh të muzikës nga shqiptarët e Kroacisë.

Trio e Shumanit në re minor, op. 63, u interpretua nga Hernan në violinë, Rahmatulla në çelo dhe Greenberg në violinë, tre muziktarë që sollën një Shuman shumë planësh në këndvështrimin emocional, ku eleganca muzikore dhe fryma romantike e muzikës së tij, herë e gëzuar, idilike dhe e trishtuar herë pas here, i mbivendosej arkitekturës, strukturave dhe formave kompozicionale të fshehura brenda veprës, aq të dukshme tek pararendësit gjermanë të mëdhenj, si Bahu apo Beethoveni.

Piano Kuinteti op.29 i Enescut mbylli programin. Një kryevepër lloji ku shpirti autokton i muzikës me frymë kombëtare, në këtë rast ajo rumune, ndërthurej natyrshëm me tiparet e muzikës evropiane, duke krijuar një arketip e qasje të re muzikore për piano kuintetet, falë talentit dhe vizionit për krijimin e muzikës kombëtare nga Enescu. Ky shpirt autokton i muzikës sē Enescut u përcoll nga loja plot individualitet e Kadeshës si violinë e 1, Hernanit-violinë e dytë, Francis në violë, Hunter në çelo dhe në piano Greenberg.

I lashë për në fund dy fjalë pë veprën time ALLA SHQIPTARÇE për violinë solo, e cila u interpretua nga Kadesha.

E thashë dhe dje pas koncertit, se Kadesha të sfidon me qasjen e tij unike ndaj muzikës që interpreton, jo thjesht tek ALLA SHQIPTARÇE.

Përtej të ndjerit i vlerësuar për faktin që Ai e interpretoi veprën ndryshe dhe mrekullisht, për publikun, por dhe për mua si autor i saj, dëshiroj të them që me brezin e Kadeshës, e deri tek më të rinjtë si Daniel Vlashi apo Laura LLozi etj, po vjen një kalibër tjetër interpretuesish që e nderojnë muzikën tonë në nivel europian e më gjerë.

Vlerësim për të gjithë muziktarët shqiptarë kudo ku janë, për ata që mbajnë gjallë skenēn muzikore në Shqipëri, por edhe për ata si Kadesha me shokë e shoqe, që ndajnë me vendin tonë dhe publikun shqiptar, arritjet e tyre interpretative më të fundit.

Jetë të gjatë KOSMOS, festivalit që i shtohet gjerdanit të veprimtarive që i shndërrojnë skenat tona në skena evropiane të muzikës! 👏👏👏👏👏👏

▪︎Këtu shihni ALLA SHQIPTARCE interpretuar nga Jonian Ilias Kadesha

Filed Under: Kulture

Pasiguri

October 18, 2023 by s p

Astrit Lulushi/

Shumë njerëz janë më të interesuar për atë që nuk dinë sesa për atë që bëjnë. Nga përvoja, e panjohura duket e madhe: në algjebër, x përfaqëson të panjohurën, ndërsa në biznes, “të panjohurat” janë ngjarje ose rrethana që nuk mund të parashikohen. Pra, pasiguria është e vështirë për t’u përballur, ose “më i forti mbijeton”, thotë Darvini.

Studimet tregojnë se një intolerancë ndaj pasigurisë është shenjë dalluese e ankthit dhe panikut. Stresi i shkaktuar nga e panjohura ose pasiguria mund të ndikojë edhe në shëndet.

Por çfarë ndodh kur shqyrtojmë sferën e mjegullt të pasigurisë dhe fillojmë të rimendojmë se si t’i qasemi? Po sikur t’i shihnim ato frikëra të pafundme si mundësi të pafundme? Një studim i vitit 2015 synoi të reduktonte të menduarit deluzional tek pacientët, duke i mësuar ata të merrnin në konsideratë një numër më të madh të rezultateve të mundshme për një situatë të panjohur.

“Mendimi i mundësisë”, sot term gjithnjë e më i popullarizuar në shkollat e biznesit dhe të jetës, i referohet procesit të ndërtimit të një mendësie më të gjerë që mund t’i ndihmojë njerëzit të zbatojnë aftësi konkrete për një qëllim të caktuar.

Përtej përmirësimit të fleksibilitetit të trurit, edhe të mësuarit për t’iu qasur të panjohurës me kërshëri dhe jo me frikë mund të ndihmojë gjithashtu të ndihemi më mirë. Mund të kapemi pas frikës dhe të ngurtësojmë veten për çdo numër rezultatesh negative, ose mund të presim me durim dhe të kërkojmë shtigje të reja përpara, duke lejuar shpresën të na nxitë gjatë rrugës.

Na tërheq vetëm ajo që është misterioze, e pazbuluar dhe e mbuluar. Vetëm ajo që është e fshehur rrezaton magji që premton mundësi të patreguara.

Larg nga të qenit mallkim, pasiguria mund të jetë një burim shprese. Kjo do të thotë që gjërat që presim me padurim mund të mos jenë aq të mira sa duam të jenë, por gjithashtu do të thotë që gjërat nga të cilat kemi frikë mund të mos jenë aq të tmerrshme sa i imagjinojmë.

E gjithë jeta është se nuk mund të jesh i sigurt se çfarë do të ndodhë më pas. Ndonjëherë ajo që ndodh është e mirë, ndonjëherë jo, por gjithmonë ka surpriza.

E kundërta e sigurisë nuk është pasiguria, por kurioziteti dhe gatishmëria për të përqafuar të befasishmen, të papriturën, paradoksin, si të thuash.

“Synim do të bëhet më i qartë, do të shfaqet ngadalë por me siguri, aq sa drafti i përafërt kthehet në një skicë”, thoshte Vincent van Gogh.

Të mos dish do të thotë të mësosh, të ndryshosh, të marrësh momentin dhe të bësh më të mirën prej tij, pa e ditur se çfarë do të ndodhë më pas.

Hero është dikush që ecën vullnetarisht në të panjohurën, thotë një moto e njerëzve të sukseshëm. Në fakt, është etikë mjaft e mirë për jetën. Nuk dihet se çfarë qëndron pas kthesës, por beso se më e mira është.

Filed Under: Kulture

Shqipëria në Festivalin Folklorik Botëror në Uashington

October 17, 2023 by s p

Shoqëria Kulturore-Artistike “Rapsha në mërgim” prezantoi vlerat më të çmuara të traditës e folklorit shqiptar në Festivalin Folklorik Botëror në Uashington. Një prezantim dinjitoz i folklorit shqiptar. Në këtë festival morën pjesë artistë nga 180 shtete të botës, më shumë se 17 mijë artistë dhe rreth 1 milion ndjekës. Në edicionin e katërt të tij ky festival dha mesazhe të forta uniteti e diversiteti. Shoqëria Kulturore-Artistike “Rapsha në mërgim” prezantoi në festival valle e veshje tradicionale të të gjitha trevave shqiptare. Performanca e grupit u shoqërua me portretin e shenjtorës së kombit tonë Nënë Tereza. Paraqitja e valltarëve nën drejtimin e koreografit Anton Marku Junçaj ishte mbresëlënëse dhe u ndoq me vëmendje të veçantë nga artistët dhe pjesëmarrësit. / Dielli

Filed Under: Kulture

Shkruante “Corriere della Sera”, me 31 dhjetor 1940, të nesërmen e kortezhit madhështor të Fishtës, me titull: “Vdekja e Gjergj Fishtës – poeti kombtar shqiptar”

October 12, 2023 by s p

Frano Kulli/

Erdhi lajmi nga Shkodra se për shkak të nji goditje zemre, ka vdekë sot në mëngjes At Gjergj Fishta i Urdhnit Françeskan (OFM), akademik i Italisë dhe shkrimtar i shquem shqiptar.Fishta, i lindun në afërsi të Shkodrës në vitin 1871, mbaroi studimet fetare në Bosnje dhe u kthye në Atdhe mbasi u shugurue meshtar. Në Shkodër themeloi shkollën françeskane dhe filloi botimin e së përkohëshmes “Hylli i Dritës” . Të shumta janë botimet kulturore dhe letrare të cilave u dha jetë dhe zhvillim ky rregulltar. Poemat e tij, krijimet dramaturgjike dhe shkrimet e tij, qysh në fillim u drejtuen në përgjithësi për dhanjen e impulsit të zgjimit të ndërgjegjes atdhetare shqiptare. Si drejtor i Shkollës Publike të françeskanëve në Shkoder, futi aty gjuhën kombtare qysh nga viti 1902, kur ajo ishte e ndalueme rreptësisht nga Qeveria osmane.Mbas lëshimeve të kushtetutes turke të korrikut 1908, shqiptarët, te cilet kishin luejtë nji rol me randësi në atë revolucion, deshten të mblidhnin forcat intelektuale dhe t’i përfshinin në nji bashkësi të përbashkët, por vështirësia e parë në të cilen ndeshën ishte njësimi i alfabetit. Në Kongresin shqiptar të mbledhun për këtë qellim mori pjesë At Gjergj Fishta, i cili ia arriti që të bante që alfabeti latin të pranohej, që ma vonë u ba i përbashkët dhe zyrtar për të gjithë Shqipninë.Mbasi u ba nji ndër eksponentët kryesorë të Shqipnisë së ringjallun, ai mori pjesë në Konferencën e Paqës në Paris dhe ma vonë u emnue deputet dhe zevendes- kryetar i parlamentit. Në shenj mirënjohje, si mik i sinqertë i Italisë, për meritat e tij ndaj vendit të vet dhe për vlerat e botimeve të tij, u ftue në majin e shkuem me marrë pjesë në Akademinë Mbretnore të Italisë. Ndër publikimet e shumta të At Gjergj Fishtes kanë randësi krijimet poetike të frymzueme në pergjithësi prej legjendave shqiptare dhe të prime me përkujtue ndjenjat kombtare. Veç poemës në tridhjet kangë të titullueme “Lahuta e Malcise” , ai ka shkrue himne kishtare, lirika të ndryshme dhe satira me karakter politik. Luigi Federzoni ka marrë masat që Akademia e Italisë të ketë përfaqesuesin e vet në funeral, dhe i ka dërgue telegram ngushllimi familjes, kryeministrit të Shqipnisë, ministrit të Arsimit të Shqipnisë, parisë së etenëve françeskanë sidhe “Institutit Skenderbeg”, anëtar i të cilit ishte i ndjemi i shquem.

Filed Under: Kulture

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 90
  • 91
  • 92
  • 93
  • 94
  • …
  • 548
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Një ishull, një gabim: Investimet e huaja janë të mirëpritura—por jo me çdo çmim
  • Z. Shpëtim Tim Qorraj hapi fushatën për t’u zgjedhur në Parlamentin e Nju Jorkut 
  • Gjyshi i Ismail Qemalit, Ismail Bej Vlora e shihte perspektivën e një të ardhmje të pavarur të shqiptarëve
  • ATHANAS GEGAJ PER ORIGJINEN E ARBNIT
  • VAZHDON KRIMI SHTETËROR NDAJ AT GJERGJ FISHTËS: I PËRJASHTUAR NGA SHTETI QË AI MBROJTI
  • SHQIPTARËT DHE MAQEDONIA E VERIUT MIDIS UNITARIZMIT DHE DEMOKRACISË KONSENSUALE
  • ATË BERNARDIN PALAJ, FRATI QË I “RRËMBEU HARRESËS” KËNGËN SHQIPTARE
  • Garancia Publike për Emigrantët
  • Nëntë njohje de-facto për Kosovën
  • RIZGJEDHJA E PRESIDENTES OSMANI ËSHTË INTERES SHTETËROR DHE KOMBËTAR
  • Stuhi dimërore historike në SHBA: Mbi 10 mijë fluturime të anuluara, miliona qytetarë nën akull, borë dhe të ftohtë ekstrem
  • KELETI UJSÁG (1931) / “NJË MUAJ PRANË MBRETIT ZOG, THEMELUESIT TË SHQIPËRISË MODERNE…” — INTERVISTA ME MÁRTON HOSSZÚ, PIKTORIN NGA KOLOZSVÁR-I
  • Si “Albanian Mafia” zëvendësoi Cosa Nostra-n dhe po rrezikon Shqipërinë
  • Për vendlindjen, komunitetin e kombin…
  • Kur liria e njërit, bëhet burgu i tjetrit 

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT