• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

“Kontributi i Presidentit Historik Dr. Ibrahim Rugova në shtet formimin e Kosovës”

April 20, 2023 by s p

Dr. sc. Muharrem Qafleshi/

Bashkautorët e librit dr. sc. Sadik Krasniqi dhe PhD. Besnik Rraci dy intelektual të njohur kosovar vite më parë botuan librin, “Kontributi i Presidentit Historik Dr. Ibrahim Rugova në Shtet formimin e Kosovës”, libër ky që pati jehonë të madhe si në vend ashtu edhe në rajon e më gjerë, duke organizuar ekspozita në disa vende evropiane e botërore, andaj u paraqit nevoja imediate për ribotimin e këtij libri, ngase është koha e përkryer për shpërndarjen e këtij libri për të tërhequr një audiencë më të madhe globale, për të mësuar më shumë për personalitetin dhe figurën më markante të shtet formimit të Republikës së Kosovës.
Për çdo lexues është kënaqësi të lexosh këtë libër analitik të plotësuar edhe me mbi 500 fotografi dhe komente të mprehta të autorëve për veprimtarinë e presidentit historik dr. Ibrahim Rugovës, për çlirimin e Kosovës nga okupatori serb dhe pavarësinë e saj.
Ky libër duhet t’i inkurajojë edhe liderët e sotme politike të Kosovës, që të praktikojnë dhe promovojnë politiken demokratike e vizionare të Ibrahim Rugovës.
Ngase koncepti politik i korifeut të dëshmuar të shqiptarisë na kujton Napolonin, ngase suksesi dhe fama e tij, nuk ishte se kishte më shumë ushtarë nga Lidhja Evropiane, por se në momentin e duhur dinte ku të hidhte forca më shumë.
Edhe presidenti i historik i Kosovës dr. Ibrahim Rugova dinte në çdo moment të vepronte mençur dhe me vizion.
Ai në momentin më të duhur për Kosovën diti të formoj partinë shqiptare në Kosovë, LDK-në, e cila ishte një lëvizje e vërtetë kombëtare për popullin shqiptar të Kosovës.
Në momentin e duhur dr. Rugova kërkoj durimin e popullit të Kosovës, për ta ruajtur atë nga masakrat dhe krimet që përgatitshin nga serbo-sllavet.
Në momentin e duhur diti t’i tregoj botës për masakrat dhe krimet që po bënte Serbia në Kosovë dhe i vuri përballë realitetit faktik e historik të gjithë ata që ishin faktor që do të vendosshin për fatin e shqiptarëve që ishin të robëruar dhe të okupuar nga Serbia.
Për asnjë moment dr. Rugova nuk gaboi dhe atë që e premtonte edhe e realizonte përmes miqve si SHBA-t, Papa Gjon Palin e II dhe shteteve evropiane.
Ai me një zhdërvjelltësi të lindur e të sprovuar politike, me një vizion të shquar intelektual, u prezantua guximshëm para opinionit shqiptar e botëror, me projektin e zgjidhjes së çështjes shqiptare duke kërkuar protektorat ndërkombëtar dhe kjo u realizua.
Projekti politik e strategjik i dr. Ibrahim Rugovës ishte dhe është deri në realizimin e plotë pavarësia e Kosovës.
Mu për këtë dr. Rugova do të mbetet personaliteti më i madh historik i Kosovës.

Recension i librit historik “Kontributi i Presidentit Historik Dr. Ibrahim Rugova në Shtet formimin e Kosovës”, i bashkautorëve dr. sc. Sadik Krasniqi dhe PhD. Besnik Rraci.

Filed Under: LETERSI

Ushtrimi i mikropushtetit në institucionet arsimore

April 19, 2023 by s p

Viliem Kurtulaj/

Nuk e di nëse pohimi i Foucault-së se çdo diskurs prodhon të vërteta, dhe rrjedhimisht prodhon pushtet, është i vërtetë, por besoj se diskurset, në përgjithësi, prodhojnë pushtet. Dikush mund të thotë se pushteti prodhohet kryesisht nga forca dhe jo nga diskurset. Në fakt, koncepti i pushtetit është trajtuar nga shumë autorë në fusha të ndryshme të shkencave shoqërore dhe secili prej tyre i ka dhënë këtij termi veçori specifike. Mirëpo, pushteti, në këtë artikull, ka karakter Foucault-ian, që do të thotë se nënkupton që disa njerëz mund të përcaktojnë në mënyrë pak a shumë të plotë sjelljen e njerëzve të tjerë – pak a shumë, por kurrë krejtësisht dhe as nëpërmjet forcës. Njeriu i rrahur e i lidhur me pranga i nënshtrohet forcës që ushtrohet mbi të, por jo pushtetit.

Pushteti këtu nuk konceptohet si diçka ekskluzive që i përket tërësisht dikujt dhe aspak dikujt tjetër. Pushteti nuk mund të trajtohet si një objekt që mund të jepet, shkëmbehet ose rikuperohet, por si një veprim/aksion që mund të ushtrohet. Pushteti nuk është kurrë i qendërzuar vetëm në një vend ose vetëm në zotërimin e vetëm një individi. Trupa, gjeste, diskurse dhe dëshira të caktuara janë disa nga efektet kryesore të pushtetit që mund të identifikojnë dhe formojnë individë. Një person është njëkohësisht efekt i pushtetit dhe element i artikulimit të pushtetit. Pra pushteti përbën individin, por në të njëjtën kohë janë individët ata që i japin formë pushtetit. Individi është një mjet i pushtetit si ushtrues, transportues dhe si rezultat.

Bazuar në qasjet e shumë studiuesve dhe filozofëve, si Foucault, Biesta, etj., mund të thuhet se institucionet arsimore janë një lloj institucioni komunikimi ku ushtrohet pushtet gjithashtu. Për më tepër, sipas Foucault, ajo që i dallon institucionet arsimore nga burgjet, spitalet dhe ushtritë është se institucionet arsimore e vënë theksin më shumë te komunikimi sesa te kapaciteti apo pushteti. Pra, nuk ka dyshim se komunikimi është një element shumë i rëndësishëm në shkolla. Pushteti i ushtruar gjatë komunikimit në auditor është i gjithanshëm dhe mund të vijë nga të gjithë pjesëmarrësit, natyrisht në përmasa të ndryshme. Jashtëzakonisht shumë rrallë mund të ndodhë që ushtrimi i pushtetit të jetë i njëanshëm. Në institucionet arsimore, ata që supozohet të ushtrojnë pushtet (mësimdhënësit) janë të ekspozuar ndaj marrëdhënieve të pushtetit, ndoshta po aq sa ata mbi të cilët supozohet se ushtrohet pushtet (nxënësit/studentët). Jo rrallë herë mësuesit punojnë nën një presion të padukshme nga ata mbi të cilët supozohet se ushtrohet pushteti. Është fakt i pamohueshëm se edhe nxënësit/studentët ushtrojnë trysni mbi mësuesit/lektorët përmes komunikimit, sjelljes apo gjesteve. Mësuesit gjithashtu mund të ndiejnë trysni nga nxënësit edhe nëse këta të fundit nuk shprehen me fjalë, për shembull nëpërmjet vështrimeve apo mimikave të tyre, ashtu siç, shpesh, nxënësit e ndiejnë trysninë e mësuesve edhe kur mësuesit nuk flasin apo nuk kanë nevojë të flasin. 

Filed Under: LETERSI

“TË GJITHË TANËT” (SVI NAŠI) – DISA MENDIME RRETH ANTOLOGJISË SË PROZËS SË SHKURTËR TË SHKRIMTARËVE SHQIPTARË NË MAL TË ZI

April 15, 2023 by s p

Nga Gëzim Puka/

“Nashke” një fjalë që e dëgjoj që fëmijë, për një entitet që flet një gjuhë tjetër dhe që rron në qytetin tonë prej shekujsh. Shoh titullin e kësaj antologjie dygjuhëshe dhe e rigjej kuptimin e kësaj fjale rrënjë “naši” – “tanët”, që prodhohet përtej kufirit tonë verior, në Mal të Zi. Fjala shqipe letrare është ruajtur mirë artistikisht ndër autorët me qasje realiste e moderniste, që vijojnë të shkruajnë po aq mirë shqipen tonë të bukur. Përmes kësaj antologjie prezantohet vlerat estetike të prozës shqipe të disa autorëve kryesorë bashkëkohorë. Peshën e këtij libri e shton edhe përkthimi në “nashke”, domethënë në gjuhën e Malit të Zi, në gjuhën e fqinjëve tanë të moçëm.

Një ngjarje e tillë e ngjashme pati ndodhur disa vjet më parë me antologjinë “Dy gjuhë – një libër”, që u mbështet dhe u promovua edhe nga Universiteti i Shkodrës “Luigj Gurakuqi”, duke përcjellë respektivisht në dy gjuhë autorë të spikatur shqiptarë të Veriut dhe autorë malazezë. Kjo tregon se arti i fjalës, para së gjithash, ka epërsinë të shembë barriera ideologjike dhe politike, si dhe është mjeti estetiko-etik më qytetërues.

Mbase e kemi theksuar edhe herë të tjera, por e gjej me vend të përsëris se letërsia shqipe në Mal të Zi e ka krijuar një profil të sajin, që ruan ngjyrat lokale, pa u ndikuar shumë nga letërsia që bëhet në Tiranë apo në Kosovë. Këtë e dëshmon edhe ky produkt, kjo antologji që marrim sot në dorë, “Të gjithë tanët” (Svi naši) – Antologji e prozës së shkurtër e shkrimtarëve shqiptarë në Mal të Zi, botuar nga Qendra për Ruajtjen dhe Zhvillimin e Kulturës së Pakicave të Malit të Zi në vitin 2022 në Podgoricë.

Proza e shkurtër gjithmonë tërheq lexuesin, së pari, se përmban një rrëfim dhe një mendim më të përqendruar. Ajo përpunon një figuracion të ngjashëm me poezinë. Kjo mbase është edhe mendjeshkrepja e zgjuar e hartuesve të kësaj antologjie, që ta mbërthejë lexuesin që kundron mes rreshtash esencialë, krijimtarinë e disa zërave shkrimtarësh, shumë të njohur, por edhe më pak të njohur, në atë anë të kufirit.

Veçova disa nga emrat e këtij libri, si: Mehmet Kraja, Zuvdija Hodžić, Hajro Ulqinaku, Anton Gojçaj, Jaho Kollari, që vijnë përmes këtij libri me gjithë shumëkuptimësinë e mundshme, që ofron krijimtaria e tyre. Konceptimi i çdo paraqitjeje të autorëve përmes një pasazhi biografik dhe veprimtarie letrare, ia shton vlerën kësaj përmbledhjeje me proza, por në anën tjetër, veçimi dhe dallimi pikërisht i atyre titujve, rigjallëron një lloj të ri kuptimi për tekstet e përzgjedhura, që mbase lexuesit, edhe atij më të vëmendshëm, mund t’i kenë shpëtuar.

Zuvdija Hodžić është ndër emrat më të njohur të shkrimtarëve të Malit të Zi. Ky autor më pati tërhequr vëmendjen me romanin e tij “Të gjithë njerëzit e mi”, që i është përcjellë lexuesit shqiptar disa vjet më parë. Tekstet e Hodžić në këtë antologji janë sjellë në shqip prej përkthyesit Dimitrov Popoviq, i cili është ndër kontribuesit kryesorë të këtij libri, së bashku me Qazim Mujën.

“Rrasa” është një tregim që për nga stili ka diçka prej përralle, qoftë në aspektin rrëfimtar, kryesisht me fjali të thjeshta që tregojnë veprime, por edhe përsa i përket ngjarjes semiotikisht të dhënë me disa programe kallëzimore, që sillen rreth një objektit me vlerë, që është thesari i fshehur poshtë një rrase në mes të qytetit.

Citoj:“Rrasa ndodhej në mes të çarshisë së Gucisë,e lëmuet si ndonjë gur i gdhendur,e madhe rreth tri metra, në formë vezake të çrregullt. Aty ishte nga kohë të moçme, kur nuk kishte pasur as shtëpi, as çarshi, por kishte qenë pyll i madh. Përfundi saj ndodhej thesari (i padukshëm dhe i fshehur si çdo gjë me vlerë) florinjtë e verdhë si dylli, që do t’i takonin vetëm atij që është shkruar.”

“Rrasa” edhe simbolikisht është një nivel i pathyeshëm rrëfim shumështresor. Sa më shumë ngjarje që e rrethojnë rrasën, aq më shumë mësime merren prej saj. Përmes analepsash vijnë aktantë-subjekte, që kërkojnë të bashkohen më një objekt me vlerë, që është ari, pasuria e beftë, e cila e lumturon njeriun, nëse e gjen. Tregimi fillon me një ëndërr, për thesarin e gjetur poshtë rrasës. Përvijohen fundet tragjike të personazheve që kërkuan ta shtien në dorë këtë thesar, por mbaron me një përgjumje të lumtur shprësëlënëse prej përrallash.

“I kënaqur, ishte rrotulluar në krahun tjetër dhe ishte zhytur në gjumë, fëmijëror, si dikur, të qetë e të rehatshëm, në gjumin e këndshëm të njeriut që kishte gjetur çëlësin e humbur dhe që e dinte se mund të jesh i pasur dhe i lumtur.”

Strategjia e mistershme e përrallës ironikisht nuk është përdorur për të zgjuar thjesht fantazinë e lexuesit, por është një rikujtim arketipor, i vjetër sa njerëzimi, që ia ndërmend edhe lexuesit të bashkëkohësisë, se në këtë botë jemi dënuar fatalisht për ta kërkuar lumturinë vetëm tek puna e mundimshme, e përditshme dhe e dobishme.

Tek copëza “Dikush thërret” Hodžić zbret nga rrëfimi i jashtëm drejt brendësisë së një dhembjeje katastrofike, që buron nga zemra e një nëne të mjerë për humbjen e fëmijëve të saj. Përsëri jemi në regjistrin gjuhësor dhe tonet e një rrëfimi baladesk, tipik ballkanas, ku fatkeqësitë ndjekin njëra-tjetrën. Me ndërtime sintaksore ku mbizotërojnë fjalitë e thjeshta ose me pak pjesë, autori arrin të shpojë brenda imagjinares së një lexuesi, që e ka ndeshur edhe më parë tragjedicitetin e jetës ndër heronjtë mitikë e kreshnikë, por kësaj here rrëfimi ka zbritur ndër personazhe që përfaqësojnë shtresat dhe shkallët më të ulëta të shoqërisë. Ja si përshkruhet fati i njërit prej fëmijëve të kësaj nëne të mjerë:

“Plasi bomba e shkretë sa e gjithë Gucia u tund. Kadriun ma goditi poshtë sisës, e ndau dhe e dogji. Copat e trupit i vareshin të gjitha. As duart në të, aq sa hoxha nuk mundi të ma lajë. Kur nuk luajta mendsh atëherë, s’kam për të luajtur kurrë”.

Universaliteti i dhembjes njerëzore kërkon vërtet dorën e një shkrimtari si Hodžić, për të të kaluar përmes pragut të një vajtimi prej Ajkune, brenda një zemre nëne “magjype”.

“Mbreti” i Mehmet Krajës është një tjetër tekst që është veçuar me mjaft kujdes nga krijimtaria e këtij autori, që vazhdimisht i ka dhënë prodhim të spikatur sistemit tonë letrar qoftë në prozë, qoftë në dramë. Përmes një forme rudimentale dialogu, vjen për lexuesin një prozë e gjallë simbolike. Është një dialog që zhvillohet midis një personazhi njeri të paemër, të pacak dhe të pakohë, me Mbretin apo figurën e sundimtarit. Kjo është një prozë e shkurtër e ndërtuar me tri paragrafe. E para është replika përshkruese infernale e një peizazhi dantesk luftrash dhe viktimash të llahtarshme. Paragrafi i dytë është përshkrimi i vendit dhe dy personazheve të tjera që ndjekin replikën e njeriut, Mbreti dhe qeni i tij. Ndërsa paragrafi i tretë është vetëm replika e shkurtër e Mbretit, si shprehje e indiferencës së përhershme të sundimtarëve për historitë e të sunduarve. Është kjo “trini” kompozicionale, që shpreh asgjënë që ndodh, kur mjerimi veç rrëfehet përballë qenieve të qenëzuara dhe pushtetit që e konsideron veten të pamposhtur.

Ndërsa tregimi tjetër përfaqësues i Mehmet Krajës në këtë antologji, është “Historia e një andrre të hershme”, ku më një gegërishte të ëmbël veriperëndimore, vjen historia e disa njerëzve të thjeshtë, që jetojnë në kufij të shteteve dhe në kufij të kohëve të luftërave. Ka diçka prej kronike si tek “Kronikë në gur” e Kadaresë, por edhe diçka prej proze ekzistenciale, si ajo e Albert Kamysë. Janë histori ciklike, që përsëriten nga brezi në brez, por të rrëfyera prej një zëri fëminor.

Citojmë: “Siç kam thanë edhe nji herë, baba diq në fruer të atij dimni, qi i bjen dy muej ma vonë mbasi kish ba me shkue në Shkodër për me marrë vesh se shka po bahej me ne. Ai nuk lëngoi giatë si gjyshi dhe vdekjen, e cila dukej sikur rrinte në hatllat e akshihanes, e mbërrijti ma shpejt, ndoshta për shkak se msheftësitë e saj tashma ishin mësue prej njerëzve të shtëpisë sonë.”

Përballë këtij absurdi, narratori i parritur mirë bluan tema të mëdha ekzistenciale, përmes një gjuhe natyraliste ekspresive, sidomos përsa i takon aspektit përshkrues. Mungojnë mbase qëllimisht sekuencat dialogjike, gjë që nuk ia zbeh aspak vlerën kësaj kronike dramatike, që mbart absurditetin e një jete pa qëllime.

Tregimi mbyllet: “U futa në shtëpi nëpër derë të çelun e në akshihanen mbushun errësim gjeta nji dyshek shtrumun anës votrës. Nji dishir i motshëm më shtyni me u shtri atje e me shikue ngeshëm hatllat atje sipër, veshun mugëtirë të blertë e hijesh të vjetra gjithandej”.

Kur ndërmend se krijimtaria e Hajro Ulqinakut, i drejtohet një lexuesi fëminor, nuk mund të mos vëresh se këto dy rrëfenja të këtij libri, nuk përjashtojnë edhe modelin e lexuesit të rritur të anëve tona, që mbase edhe për shkak të origjinës kanë një lidhje qenësore emocionale me ato treva, me detin dhe me simbolikën e tij. Akti i të lexuarit është i lidhur pazgjidhshmërisht me të përjetuarit. Është kjo arsyeja që tek tregimet e Hajro Ulqinakut, zgjohen emocione të gjithanshme, që shumë prej poezive të mira i përçojnë. Lexon prozën poetike “Çka flasin pulëbardhat” dhe nuk ka sesi mos të të kujtohet “Albatrosi” i Bodlerit.

“Afrohet mbrëmja mbi det. Në mol – plot kureshtarë: fëmijë e të mëdhenj. Është koha të kthehen anijet e peshkatarëve në liman. Dhe qe, atje tek Ishujt e Koraleve, dallohen peshkatoret. Pas tërheqin rrjetat dhe tufat e pulëbardhave…”

Shoqërizimi i botës fëminore me pulëbardhat dhe detin, shenjojnë një prozë që më shumës sesa me simbolin, përpiqet të të krijojë imazhe dhe të të kthjejë në kohë. Enumeracione dhe shkallëzime të tipit: “…fishkëllojnë, krikëllojnë, flasin” ndërtojnë tek lexuesi kuptimin e pakohë dhe të paanë, që e krijon arti i bukur i fjalës.

Tema në dukje e thjeshtë tek tregimi “Çfarë gjonje”, ku paraqiten veç dy personazhe peshkatarë, babë e bir. Djali i ri ka atë ditë shumë fat në gjuetinë e peshkut. Natyrshëm të kontrastohet mendimi me kryeveprën e Heminguejt “Plaku dhe deti”, historia e peshkatarit të pafat, duket se të vjen si paratekst përmes një rrëfimi me një stil prej realizmi magjik. Edhe në këtë rast është përfshirë lexuesi i rritur dhe i kultivuar me letërsi të mirë.

“Dielli tash ishte ngritur në qiell, mbi Ishullin e Pulëbardhave dhe digjte. Në syprinën e valëzuar të detit notonin pulëbardhat. Dy peshkatarët me kënaqësi shikonin peshqit në sandall.

-Çfarë gjonje!- shqiptoi peshkatari i ri.

-Çfarë fati!- e plotësoi garga.”

Por teksti i Hajro Ulqinakut nuk ka vetëm përjetime deti, aty gjen edhe të folmen e këndshme të Ulqinit, që tingëllon aq bukur në gojën e personazheve.

Në anën tjetër me një penë gjithnjë e më të stërvitur, vijnë dy tregime, ndër më filozofiket e këtij volumi, prej Anton Gojçajt. Tema e lirisë, e dashurisë dhe e komunikimit njerëzor mishërohet përmes një historie me personazhe alegoriko-simbolike, siç janë: një papagall (Alefi) dhe një zog tjetër (Omega). Nga vetë emrat e personazheve të formatit Borges, dëshmohet vlera e thelluar e leximeve të shkrimtarit. Përmes një ngjarjeje në dukje minimaliste, brenda këtij teksti rrëfehet vetë historia e njeriut dhe raporti i tij me lirinë. Tek këto dy figura kryqëzohet edhe keqkuptimi i alegorisë me simbolin. Sipas Umberto Ekos alegoria e kthen dukurinë në koncept dhe konceptin në figurë, ndërsa simboli e kthen dukurinë në ide dhe idenë në figurë. Në lexim tim papagalli Alef është alegori e vetmisë së njeriut modern, ndërsa Zogu është simbol i lirisë së keqpërdorur.

Citoj nga replika e Omegës në dialogun me Alefin: “Liria e ka çmimin e vet, shpesh më të shtrenjtë se jeta e një zogu…”

Alefi borgesian është pika mitike e universit, ku të gjitha veprimet, të gjitha kohërat zënë të njëjtën pikë, pa mbivendosje. Alefi dhe Omega janë përkatësisht germa e parë dhe e fundit me të cilat është shkruar libri i Zotit. Fabula “botëkrijuese” e Gojçajt i vendos këto personazhe në një apartament ku papagalli Alef, i cili jeton në kafaz, dashurohet me zogun Omega, që jeton i lirë. Është një dashuri alegorike platonike, e cila mbulon përmes kësaj gjetjeje lidhjen ndërtektësore të këtij autori me elementet biblike e më shumë. Në tregim kemi ironikisht të shprehur një lidhje të pamundur, pasi papagalli Alef jeton si i burgosur, ndërsa zogu Omega shijon lirinë e pakufishme. Pikëtakimi i fillimit dhe i fundit, i Alefit me Omegën, është tragjik, është vdekje. E megjithatë gjithë ky shtresëzim filozofik lidhet me dashurinë për jetën. Për çiftin e ri që jeton në apartamentin ku luhet kjo tragjedi zogjsh, kjo vdekje është thjesht një moment frikësimi.

Citoj: ““O zot, ç’po bëhet kështu?”- ofshani thellë e zonja e shtëpisë.

“Ç’ka të bëj me zogjtë e vdekur, o Zot?”

Gruaja e mori zogun dhe e futi po në atë kontenjer ku e pat hedhur veç ca minuta më parë Alefin.”

Përmes një përfundimi thuajse kafkian, që ka diçka prej “Metamorfoze” , mbyllet ky tregim që e bllokon lexuesin ndër mendime.

Tregimi tjetër “Shkrimtari i ri dhe qielli” trajton përhumbjen e njeriut të letrave në një botë gjithnjë e më sipërfaqësore. Është një rrëfim prej një pozicioni ironik prej “narratori të gjithëdijshëm”, i cili fokusohet qëllimshëm veç në veprimet e jashtme, pa dashur të zbresë në problemet dhe shqetësimet psikologjike të shpirtit krijues.

Jaho Kollarin e kam njohur si “Poeti i mijëvjeçarit të tretë”, një vëllim poetik që më pati nxitur për të bërë një shkrim, por edhe më vonë përmes një vëllimi tjetër me tregime. Autori, që prej vitesh është kurbetli, nuk e mënjanon temën e vendlidjes, të mërgimit, të detarisë, të cilat nuk i mungojnë me lidhjet e tyre kuptimore edhe kësaj përmbledhjeje. Vokacioni i tij për letërsi është i hershëm, por edhe i përditësuar vazhdimisht me krijimtari stilistikisht të përpunuar mirë, sipas poetikës së një realizmi magjik. Një krijues mjaft shprehës i lidhjeve me kode zakonore që kanë të bëjnë me burrërinë, trimërinë, virtytin, siç është rasti i tregimeve “Hafija”, ku përmes një ironie të hollë jepet fati i një kapadaiu stereotip ballkanas, aq i ndeshur në mendësinë e lexuesit tonë. Tek “Brahushi ‘kalasë” rrëfehet në të folmen e Ulqinit dashuria e pafat dhe dëshpërimi i një detari. Edhe tek ky tregim i Kollarit kemi një njeri të atrofizuar në shumë pikëpamje, me një ankth të vazhdueshëm, i përjashtuar dhe i padobishëm. Kjo prozë e shkurtër zhveshet nga ornamentet stilistikore dhe zbukurimore. Brahushi i kalasë është simbol i njeriut të tradhtuar dhe të lënë mënjanë nga prakticiteti dhe interesi i përditshërisë. Autori vijon t’u japë vend dhe zë këtyre aktantëve të përjashtuar nga shoqëria, të cilët janë “të tjetërsuar” dhe “të çoroditur” nga interesa jo materialiste.

Për të përfunduar mendimin që e nisëm në hyrje të këtij shkrimi, mund të themi se kjo antologji e titulluar “Të gjithë tanët” (Svi naši), e mbushur me krijimtari domethënëse autorësh të veçantë të botës shqiptare dhe e përkthyer brenda një areali dygjuhësh nga: Dimitrov Popović, Qazim Muja, Nikolla Berisha, Suzana Mujić, duket se përpunon mjaft mirë shijen letrare të lexuesve.

Shkrimtarët e përfshirë në këtë antologji tingëllojnë mjaft mirë si në tonën gjuhë shqipe, ashtu edhe në nashken e Malit të Zi, duke ngritur kështu plot ura estetike, që janë paraprirëse të paqes dhe komunikimit shpirtëror mes popujve.

Filed Under: LETERSI

FJALA E LIRË

April 11, 2023 by s p

Muç Xhepa/

– Shkoi në… djali i Stalinit… – i qeshin sytë Yllit.

9 prill. 1985. Goja, që kishte prodhuar vetëm dhimbje, ishte prerë. Përgjithnjë. E thirrën… por, ishemia i kishte marrë këmbët…

“Frikoju Perëndisë… ora e gjykimit troket…!”, shkruajnë librat e shenjtë.

– Shkojmë te Nuja ta festojmë. Mbaroi.

Ylli Mehja, mësuesi i fizikës, ka njerëz në Tiranë. Diçka di, them me vete.

– Në shkollë s’na treguan gjë.

– Do ta mbajnë fshehur. Klasës punëtore… fshatare… – qesh dhe tund gazetën “ZËRIiPOPULLIT”.

– Më befason që ke blerë…

– Jo, e mora në sallën e mësuesve, ta shoh. Asgjë.

Te lokali ngjitur me murin e kalasë shërben Nuja. Ka vite aty. E kemi mik. Ka kaluar nëpër rrathët e ferrit dhe pak njerëzve u beson në Peqin. I ndrisin sytë. E ka mësuar, them me vete.

– Miq për të gëzuar… ditë… – flet si me vete.

Në tryezë na vendos një pjatë me turshi, përzier me ullinj Peqini dhe dy të vogla me peshk, konserva Vlore. Në vend të rakisë, dy gota uji të mbushura plot. Ylli shikon nga unë.

– Është djegur derëziu. S’i kërkojmë dot pije sot.

Nuja ulet pranë banakut. Ngre një gotë ujë.

– Gëzuar! Iku e keqja… e kam zier vetë.

Në Elbasan, autobusi ndalon pranë postës qendrore. Ylli merr për në shtëpi, unë lart bulevardit. Në kryqëzim ma bën me dorë Bujari. Është i gëzuar.

– Prandaj thonë që miku gjendet… edhe në gëzim, – më shtrëngon dorën. Fort. Ndryshe.

S’e përmban veten. E ka mësuar, them me vete. Jemi miq të mirë ndër vite. Na lidh letërsia. Mëson rusisht dhe adhuron Çehovin. E lexon në origjinal.

“…nuk jam murg. Por dua të jem një artist i lirë dhe asgjë më shumë”.

– Po citon Çehovin, Bujar?

– Muçi, të ka shkuar në mendje të kemi gazetën tonë?

– Ëndërr…

– Çfarë do të bëjmë me të?

– Botojmë.

– Po, atë që duam vetë.

1991. Bujar Hudhri themelon gazetën “Fjala e Lirë”. Dhe, ndër numrat e parë, boton poemën “Shpresë” të Shilerit, përkthyer nga unë.

Bujar Hudhri dhe Muç Xhepa

Filed Under: LETERSI

NJE  PERLE POETIKE E PAZBULUAR NGA KRITIKA

April 8, 2023 by s p

Rreth një fragmenti nga tregimi i mahnitshëm “Purpuranti” i Bilal Xhaferit 

Nga Skifter Këlliçi

Para disa  vjetësh, i mbështetur në motivet e tregimin të gjatë “Tej largësive”, me temë ilire, të shkrimtarit të shquar, Bilal Xhaferi, që u shua me 1986 në Amerikë, në rrethana ende te paqarta, ( mbase i vrarë nga agjentë të Sigurimit të Shtetit, që elementët antikomunistë i ndiqnin dhe jashtë Shqiperise), botova romanin me titull “Dashuri e  gdhendur në shkëmb”.

   Ishte kënaqësi e rallë për mua që  lexuesit dhe kritika,   vunë në dukje se  stili poetik, që është veçori  e këtij shkrimtari, jo vetëm në këtë tregim, por në përgjithësi  në tërë prozën e tij të përfshirë në të vetmin vëllim “Tokë e lashtë njerëz të rinj”, në këtë roman ishte vazhdimësi e këtij stili .

 Duke u përpjekur të ruaja, pra  gjithnjë stilin e Bilal Xhaferit, që në faqet e tregimit të tij të gjatë  “Tej largësive” shfaqet thuajse tërësisht në forme të një prozë poetike, fillova të ripunoja thellësisht romanin, i cili është ende në dorëshkrim.

  Në reshtat e fundit  të tij kam përdorur  shprehjen që ai ka vënë    në gojën e Batos, njërit prej personazheve të tregimit të tij, prijës i kryengritjes ilire: ”Deri sa të na mungojë liria, ne  do të jemi gjithnjë kryengritës”.

  Dhe më  duket se kjo frazë është një përgjithësim shumë i gjetur  filozofik  që përshkon  tërë veprën  e tij .

   Mirëpo në krjimtarinë e këtij shkrimtari dhe poeti , jashtëzakonisht të talentuar,  gjen perifrazime po aq të goditura, në mos edhe më të goditura se perifrazimi i mësipërm.

  Ndërmenda tregimin”Purpuranti”, botuar për herë të parë në mesin e viteve 60-të në faqet e gazetës letrare “Drita”, që habiti lexuesit dhe kritikët. Strezi, heroi i këtij tregimi, luftëtar i  Skënderbeut, pas betejsës së Torviollit të fituar nga ushtritë pushtuese otomane, kthehet  në fshatin e tij të lindjes. Dhe befas dëgjon një këngë.

”Ishte melodia e një kënge të lashtë…- shkruan Bilal Xhaferi në këtë tregim.- Fjalët  e saj që nuk mbaheshin mend, kujtoheshin përsëri. Ato që nuk kujtoheshin, zevendësoheshin me fjalë të tjera”.


   Dhe unë po u paraqes lexuesve përmbajtjen  e kësaj kënge, të përshkruar nga autori,  e cila, ndonëse në formë proze, është një perlë poetike, që  edhe kështu, zë vend të veçantë, jo vetëm në poezinë shqiptare , por, për mendimin tim  edhe në poezinë botërore:

“Kur të mbarohen të gjitha, atëherë, për të ndezur qymyrdrurirn në farka, do të bëjmë gjyryk mushëritë tona. Dhe do të nxjerrim brinjët tona, që t’i kalisim dhe  t’i kthejmë  në shpata. Kur të mbarohen të gjitha, atëherë gratë do të presin gërshetat  dhe me to do të lidhin harqet, për  të lëshuar shigjetat. Dhe do të presin për shigjeta tërë drurët e pyjeve. Dhe në s’mjaftofshin pyjet, do të çajmë djepet e fëmijëve. Kur të mbarohen të gjitha, atëherë do të rrëzojmë shkëmbenjtë e maleve mbi kryet e armiqve  dhe do të hapim ngastra toke për grunore e vreshta, në rrënjët e shkëmbenjve. Kur të mbarohen të gjitha, atëherë do të ndezim akujt e çative lart në kupën e qiellit, te yjet dhe do t’i vemë në shandanë, në vend të qirinjve, për të na bërë dritë në netët  e vona, në netët e përgjakura e të ftohta. Kur të mbarohen të gjitha…”. 

  Ja, kjo është përmbajtja  e kësaj këngë që Bilal Xhaferi ka vënë në gojë e një plaku të fshatit, të cilën Strezi  e dëgjon,  kur po  afrohet fshatit të lindjes. 

   Le ta kthejmë tani përmbajtjen  në prozë të kësaj kënge, në vargje,duke bërë vetëm disa zhvendosje fjalësh që më duket se i japin më shumë ritëm të brendshëm:

“Kur të mbarohen të gjitha,

Atëherë, për të ndezur qymyrdrurin  në farka,

Gjyryk do të bëjmë mushkëritë ,

Dhe brinjët tona do të nxjerrim ,

Që t’i kalisim dhe t’i kthejmë në shpata…

Kur të mbarohen të gjitha,

Atëherë gratë gërshetat do të këpusin, 

Dhe harqe me to  do të lidhin,

Për të lëshuar shigjetat,

Dhe për shigjeta tërë drurët e pyjeve do të presim…

Dhe në s’mjaftofshin pyjet,

Djepet e fëmijëve do të çajmë…

Kur të mbarohen të gjitha,

Atëherë mbi kryet e armiqeve

 Shkëmbenjtë  do t’i rrëzojmë, 

Dhe për grunore dhe vreshta,

 Ngastra toke do të hapim në rrënjët etyre.

Kur të mbarohen të gjitha ,

Atehëre do të ndezim akujt e çative,

Lart në kupën e qiellit, te yjet, 

Dhe do t’i vemë në shandanë  në vend të qirinjve, 

Që  dritë të na bëjnë  në netët tona  të vona,

Në netët tona të  përgjakura e të ftohta .

Kur të mbarohen të gjitha…

   Deri më sot kam lexuar artikuj kritikë, me vlera të veçanta, kushtuar krijimtarisë letrare të  Xhaferit  si në prozë, ashtu edhë në poezi, që janë shkruar nga autorë shqiptarë dhe kosovarë, ndër të cilët vë në dukje kritikun e njohur Bashkim Kuçuku, sidomos me  studimin “Jehonë e veprës së panjohur”, (1996) dhe Sabri Hamiti “Bilal Xhaferi, shkrimtari i etnisë”, (‘Gjurmime albanologjike’, seria e shkencave filologjike, Prishtinë , 1994, faqe 7-27). 

   Qofsha i gabuar, por deri tani nuk më ka rastisur që ndonjë   studiues të këtë  vërejtur dhe veçuar këtë fragment nga tregimi “Purpuranti “ që është poezi e rrallë dhe të cilën  Bilal Xhaferi, çuditërisht nuk e ka punuar si poezi në formën e mësipërme dhe si të tillë edhe ta botonte, por  ka parapëlqyer ta vërë në gojën e një personazhi të këtij tregimi.

   Jo vetëm kaq, por,  me sa shihet,  studiuesve u ka shpëtuar nga shikimi vlera  artistike të këtij fragmeti  prozë -poezi, e tregimit  të mësipërm, me një pasuri kaq të madhe figurative,  deri në kufijtë më të skajshëm  të imagjinatës, që sintetizon aq mjeshtërsht jo vetëm luftërat e popullit tonë  në shekuj kundër pushtuesve të huaj, por edhe luftërat  e tërë e popujvë të shtypur të botës gjatë historisë së njerëzimit. Si e tillë, kjo poezi do të meritonte të futej në antologjitë poetike të çdo vendi të botës . 

   Bilal Xhaferi, që kishte mbaruar vetëm një shkollë dyvjecare ndërtimi, u end lart e poshtë kantiereve të ndërtimit në punë të vështira , pa asnjë përkrahje nga shteti komunist, ngaqë ishte biri i një nacionalisti të pushkatuar çam.

  Si pasojë, me ashpërsimin e luftës së klasave , më 1967 atij iu  hoq edhe e drejta e botimit, nuk doli në qarkullim vëllimi poetik  “Lirishtja e kuqe ”dhe romani historik “Krastakraus”, kushtuar luftërave  të populit tonë kundër pushtimit  turk, që u botua më 1993, pas vdekjes së tij.

  Veç kësaj, diktatura  komuniste  e dënoi  Bilal Xhaferin të punonte i izoluar në në një fshat të Durrësit, aq sa në këto rrethana ai u  detyrua  të arratisej dhe të vendosej në SHBA, ku vazhdoi  veprimtarinë e tij  tij letrare dhe publicistike, së pari në gazetën “Dielli” dhe pastaj në revistën “Krahu i Shqiponjës”. 

     Nën kujdesin  e pr. Bashkim Kuçukut Shtëpia Botuese “Toena” botoi më 1996 librin ”Tej kaltërsive”, ku veç disa  tregimeve te botuara në vëllimin e tij të vetëm “Tokë ë lashtë njerëz të rinj”(1965), u përfshi publistika e botuar në faqet e kësaj reviste.

  Në një botim të mundshëm në të ardhmen, do të ishte mirë që ky vëllim të ribotohej dhe në të të përshihej edhe kjo “poezi”, e fshehur në tregimin “Purpuranti” dhe krahas saj edhe poezi të tjera kundër diktaturës komuniste, të ushtruar nga arma e tmerrshme e Sigurimit të Shtetit, të shkruara në SHBA, si  “Shqipëri ‘76”, që po rendis më poshtë:

‘Vend i vogël , kohë e vogël, racion i vogël,

Errësirë e madhe  ,frikë e madhe, mjerim  i madh…

Dhe rrugëve të atdheut, 

Si kukuvajkë nën  hënë,

Leh dhe ulërin “Gazi  69…’

…Dhe,krahas poemës kushtuar,vendlindjes se tij, #amërisë,  poezia “Kosovë”, truall  tjetër shqiptar, ku UDB-ja, ku simotra e këij,  Sigurimi, ushtronte mbi vëllezërit tanë kosovarë:  

‘Kosovë,

legjendë e mbetur në udhëkryqet e historisë,

Kosovë,

Gjithnjë ashtu si gjithnjë,

Me dhëmbë shtrënguar e me shpirt në dhëmbë,

Kosovë,

Ku shqiptarët flasin një gjuhë, 

Dhe dëgjojnë dy gjuhë,

Së bashku më gjuhën e nënës ,

Dhe gjuhën e UDB-ës.’

Filed Under: LETERSI

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 102
  • 103
  • 104
  • 105
  • 106
  • …
  • 293
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Amerika dhe Rendi i Ri Botëror: Forca, Përgjegjësia dhe e Ardhmja e Perëndimit
  • Këmbana lufte – “Gruaja që Vinte nga Mjegulla” botohet në gjuhën angleze
  • The Last Besa…
  • FRANG BARDHI ME VEPRËN E TIJ, APOLOGJI E SKËNDERBEUT MBROJTI ME BURIME TË SHEK.XV E XVI, ORIGJINËN SHQIPTARE-ARBËRORE  TË SKËNDERBEUT
  • Ismail Qemali, 16 janar 1844 – 24 janar 1919
  • Letërsia si dëshmi e së vërtetës…
  • Mirënjohje për atin tim…
  • Isa Boletini, 15 janar 1864 – 23 janar 1916
  • “Yll’ i Mëngjezit”
  • “Histori e shtypit arbëresh: nga zanafilla deri në ditët e sotme”
  • “Personalitet Historik” – Bajram Curri: Një jetë në shërbim të çështjes kombëtare
  • Shqiptarët dhe parimet themelore të së drejtës ndërkombëtare dhe përgjegjësia evropiane
  • Në Ditën e Gjenocidit në Kosovë, nevoja e Kualifikimi Juridik Ndërkombëtar për Krimet e Kryera në Kosovë (1998–1999)
  • FUNDI I REZISTENCËS SË NACIONALIZMËS 1946-1947
  • ZBULOHEN KONGRESET E BALLIT KOMBËTAR

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT