• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

U promovua libri “Operacione sekrete – Shqipëria nën Luftën e Ftohtë” me autor prof. dr. Irakli Koçollarin

December 28, 2022 by s p

#AShSh

#promovimi

#operacionesekrete

Sot në sallën “Aleks Buda” të Akademisë së Shkencave të Shqipërisë u promovua libri “Operacione sekrete – Shqipëria nën Luftën e Ftohtë” me autor prof. dr. Irakli Koçollarin.

Në këtë libër përshkruhen të parat operacione klandestine në historinë e Luftës së Ftohtë, të cilat u drejtuan kundër Shqipërisë, nga viti 1948 gjer në vitin 1954.

I mbështetur kryesisht në dokumentacionin e Arkivit të CIA-s, të Shërbimit Sekret Britanik dhe ato të Sigurimit të Shtetit, në këtë libër autori pasqyron operacionet sekrete të Shërbimit Sekret Shqiptar kundër CIA-s dhe MI 6 në vitet 1949-1953, të cilat njihen si operacionet e para sekrete kundër Perdes së hekurt nga SHBA dhe Britania e Madhe.

Prof.dr. Koçollari në këtë libër zbulon misionin delikat të SHBA-ve që kërkonte të rrëzonte regjimin diktatorial në Shqipëri, por edhe të ruante integritetin e shtetit shqiptar nga pretendimet greke, të cilat mezi prisnin të ndodhte ndryshimi.

Libri është një hulumtim 14-vjeçar. Autori pohon se koha e gjatë ka shërbyer për të shmangur të gjitha ndikimet apo anësitë e mundshme ideologjike, emocionet që shkaktohen nga ngjarjet e dhimbshme që gjenden ne fletët e arkivave të kohës, dhe krahas tyre është përpjekur të rrijë larg nostalgjive apo urrejtjes që kanë sjell shpesh troshitjet politike të kohës në vendin tonë….

Prof. Pëllumb Xhufi dhe Prof. Fatos Tarifa vunë në dukje rëndësinë që kanë dokumentet të cilat shmangin trajtimin bardhë e zi të historisë dhe dëshmojnë për fuqinë e shtetit të diktuarës në këtë aspekt.

Ato rrëfejnë se cila do të ishte fuqia e Sigurimit të Shtetit Shqiptar pa mbikëqyrjen e KGB-së, e cila në të vërtet ishte koka e shërbimit sekret shqiptar në atë kohë dhe oficerët tanë të sigurimit ishin thjesht një grup i gatshëm në terren i tyre.

Prof. dr. Koçollari tha se botimi është një kronikë ngjarjesh mbështetur thellësisht në dokumentacionin arkivor kryesisht atë të CIAS Të MI 6 dhe të Sigurimit, pa folur për të gjitha botimet perëndimore dhe lindore, të cilat flasin qartë përse, çfarë dhe si u realizuan operacionet klandestine të spiunazhit gjatë viteve të diktaturës në territorin shqiptar.

Por ndërkohë që dokumentacioni arkivor i CIA-s, MI6 dhe Sigurimit është deklasifikuar me shumicë, mungon dokumentacioni i shërbimit sekret grek. QIP, EIP, atij italian SIS, dhe jugosllav UDB, të cilët ndërmorën jo pak misione spiunazhi klandestin kundër vendit tonë, ndërkohë që kanë kaluar rreth 70 vite nga ato ngjarje, afate kohore që e bëjnë të detyrueshme deklasifikimin e materialit që flet për ato ngjarje, të këtyre vendeve në zbatim të ligjit ndërkombëtar për informacionin e klasifikuar.

Megjithatë dy vëllimet e këtij libri trajtojnë rrugën si nisën këto operacione, ku u hartuan planet, qëllimin që ato kishin, shkaqet, arsyet dhe objektivat që synonin, mjetet. Mënyrat, kontingjentin që u përdorën, zonat dhe terrenet ku ato u shtrinë, fatin e operacioneve dhe pasojat që ato sollën në jetët njerëzore, në rrjedhat politike të kohëve, për vendin tonë.

Për shkaqet pse e shkroi këtë libër prof.dr. Irakli Koçollari tha se:

Së pari, duke filluar që nga viti 2007, amerikanët, pra CIA, filloi të deklasifikojë pjesë-pjesë dosjet e operacioneve klandestine të ndërmarra në tokën shqiptare, çka pruri shumë dokumentacion që ndriçonte dhe konfirmonte shumë fakte të atyre ngjarjeve apo sillte shumë të reja të panjohura për ne apo që ne i kemi njohur ndryshe gjer më tani. Ishin me mijëra e mijëra faqe me vlera të veçanta historike për vendin tonë.

Një tjetër arsye që nxiti këtë ndërmarrje ishte edhe fakti se edhe nga perëndimorët për këto ngjarje tronditëse për dekada me radhë ishte mbajtur një heshtje dhe censurë ekstreme, madje ishte shkelur ligji FOIA!!? Dokumentet ishin ruajtur në një censurë ekstreme. (Po përse? Sepse sikundër thotë analisti britanik Bethel “ato dokumente ishin tepër komprometuese për vendet që i organizuan dhe ndërmorën ato operacione klandestine ndaj Shqipërisë, dhe binin ndesh me parimet dhe normat e të drejtës ndërkombëtare. )

I pari që do të thyente heshtjen rreth ngjarjeve, operacioneve sekrete dhe do të publikonte dokumentet para të tyre do të ishte lordi britanik Nikolla Bethel, anëtar i dhomës së lordëve dhe kryetar i komisionit të sigurisë në parlamentin britanik. Ai në vitin 1982 shkroi për herë të parë dhe i bëri të njohur publikut ç ‘kishte ndodhur me Shqipërinë, dhe ç’kishte gatuar shërbimi sekret britanik MI 6, përmes librit :”Great Betreal”.

Pas tij do të vinte Stephen Dirill-një ish profesionist i shërbimit sekret britanik. Me librin e tij “MI 6” dhe më pas Cristopher Andreë, amerikanët me Ben Macentyre me librin “A spy amanag friends”, Albert Lulushi, etj., grekët-Pavlos Apostolidhis.

Të gjithë këta autorë, profesionistë të CIA-s apo MI 6, në librat e tyre zbulojnë si u realizuan operacionet, dhe flasin për fatin tragjik që pësuan ato, por në konkluzionet e botimeve të tyre ata do të mbeteshin të dyzuar rreth shkakut të vërtetë të dështimeve.!!! Dhe për të sqaruar këtë enigmë –ata konkludojnë se ishte e panevojshme që pretendimet e tyre të konfrontoheshin me dokumente e sigurimit-si një prej aktorëve decizivë në këto përballje.

( E shihja të nevojshme të sqarohej kjo dilemë duke ofruar dhe prezantuar këtë anë të panjohur, por të rëndësishme të ngjarjeve, pra dokumentacionin e deklasifikuar të sigurimit.)

Prof.dr. Koçollari bëri të njohur se operacionet ndaj Shqipërisë qenë dhe janë të parat operacione klandestine në tërë historinë e luftës së ftohtë që përfshiu këtë planet që quhet tokë (Ato thirren në të gjithë literaturën e botuar të spiunazhit “The first strike aganinst Iron Cortain”) Por në këtë histori vetëm pala shqiptare kishte heshtur, për të treguar se çfarë kishte ndodhur në tokën e saj realisht (një nevojë tjetër kjo për të folur dhe treguar se ç’kishin dokumentet shqiptare).

Prof.dr. Irakli Koçollari tha se libri rrëzon pretendimet e pabaza të rolit të Kim Filbit në këto operacione (në libër gjendet fotokopjet e të vetmit informacion që Kim Filbi i ka dhënë KGB-së dhe që publikohet në mënyrë unike për herë të parë në këtë libër.)

Vite e fundit në shtypin dhe median e vendit tonë ka pasur mjaft pasaktësi, shtrembërime të skajshme dhe deformime, me dhe pa qëllim, të këtyre ngjarjeve, në këto rrethana ishte dhe mbetet një mision qytetar të sqaroheshin opinionet e pandriçuara, të painformuara ose të keqpërdorura për qëllime të caktuara.

Autori i dy vëllimeve të këtij libri ka pasur fatin të takojë protagonistë të ngjarjeve të të dy anëve; ata që bënë plane kundër Shqipërisë, dhe ata që iu kundërvunë grupeve dhe operacioneve klandestine në territorin shqiptar.

Prof. Koçollari tha se dokumentacioni i CIA-s ofron veç të tjerave, mes begatisë së tij shumë njoftime për çështje me interesa të veçanta për të shkuarën por edhe për atë aktuale për vendin tonë. Kështu mes të tjerave ai na bënë të njohur se cilat kanë qenë dhe janë interesat e hapura apo të fshehta të fqinjëve ndaj Shqipërisë-çështje këto që vetëm shërbimet amerikane të inteligjencës mund t’i mësonin dhe t’i dinin më mirë nga ne-dhe sigurisht janë mjaft të vlefshme për ne shqiptaret në përgjithësi, por edhe politikëbërësit në veçanti.

Ai tha se duke ndjekur në hershmëri, që prej fillimit të shekullit të 20-të (prej viteve 1913) dhe gjer në ditën e sotme…, raporte dhe marrëdhëniet e SHBA-së me Shqipërinë, përmes dokumentacionit të CIAS-s sqarohet fare qartë-konsekuenca e palëkundur e politikës së jashtme amerikane për të pasur marrëdhënie të afërta dhe miqësore me Shqipërinë dhe shqiptarët.

Prof.dr.Koçillari në mbyllje të fjalës së tij tha se “Amerika për ne shqiptarët dhe Shqipërinë, nuk është vetëm një partner i madh strategjik, por mbi të gjitha një partner ekzistencial.”

*

Ngjarjet dhe eventet që shkruhen në faqet e këtij libri, bëhen të njohura për herë të parë.

Libri ka tërhequr vëmendjen jo vetëm të opinionit vendas, por edhe të atij ndërkombëtar.

Këshilltari për politikën ndërkombëtare pranë Departamentit të Shtetit, Frank Wisner Jr., shkruan:

“Përmbledhjen e librit “Operacione Sekrete – Shqipëria nën Luftën e Ftohtë” e lexova me një frymë!

U mahnita! Ju rrëzoni përfundimisht mitin e Kim Filbit! Suksese.”

Ndërsa historiani britanik Stephen Long shkruan: “ ….

Dy vëllime me 29 kapituj mbresëlënës, libri “Operacione Sekrete” është pika kulmore, dëshmia e një pune, dedikimi shumëvjeçar dhe hulumtimi të përpiktë shkencor të bërë nga autori….”

I shkruar më shumë se 70 vjet pas ngjarjeve në Shqipëri , trajtuar me mjeshtëri nga profesor Koçollari, libri operacionet sekrete i sjelle lexuesit kujtimet e kohës së gabimeve dështimit dhe arrogancës që ende shpesh duket se shoqërojnë operacionet sekrete.

www.akad.gov.al

Filed Under: LETERSI

Shoqata e Shkrimtarëve dhe Artistëve Shqiptar “Papa Klementi i XI Albani”, në Åkarp të Suedisë

December 27, 2022 by s p

Nga OSMAN AHMETGJEKAJ/

Avdyl Uka mbetët flakadan i ndezur i mbrojtjes së pragut  të shtëpisë-

Në organizim të Shoqatës së Shkrimtarëve dhe Artistëve Shqiptar “Papa Klementi i XI Albani”, në Åkarp të Suedisë, në praninë e një numri të konsiderueshëm të dashamirëve të fjalës së shkruar, u përurua libri “ Avdyl Uka hero i dëshmuar i atdheut-2”, i autorit Hysen Ibrahimi, i cili, njëherit është edhe Kryetar i kësaj shoqate të vyer. Kjo vepër madhore e Hysen Ibrahimit është një punë shumë e rëndësishme e punuar me një kujdes rreth përmbajtjes së vetë aktit të kryer heroik si dhe të dëshmive të tjera që janë paraqitur aq bukur në këtë libër bukur voluminoz. Në të vërtetë autori bënë një përmbledhje të pjesëve më interesante të librave të botuar nga vetë personazhi i kësaj vepre, duke komunikuar në mënyrë profesionale secili rrëfim i paraqitur ndërmjet veti.

Hysen Ibrahimi është autor dhe bashkautor i 19 veprave letrare e publicistike, redaktor, recensent dhe opinionist i dhjetra veprave në mërgatë dhe troje etnike shqiptare dhe kësisoj është bërë emër i njohur për lexuesit jo vetëm në Suedi por edhe më gjerë. Avdyl Uka, hero i gjall, hero i dëshmuar, siç e quan autori dhe siç e titullon edhe veprën, Hysen Ibrahimi ia ka kushtuar dy vepra, studime, në formë të kritikës letrare, në të cilat pasqyron realisht ngjarjen e 22 qershorit të vitit 1991, që ka lënë gjurmë të pashlyer në historinë patriotike të kombit shqiptar. 

Për këtë libër referuan Prof. Osman Ahmetxhekaj, poeti Remzi Basha, Prof. Rexhep Jashari dhe Rrahman Rrahmani. Fjalë miradije për këtë libër dhe për aktin patriotik të Avdyl Ukës folën edhe Prof. Dr. Muhamet Shatri, Avdi Rama, Ramadan Reshitaj, Avdyl Uka, personazh i këtij libri, dhe autori y. Hysen Ibrahimi. Referuesit e këtij libri, pos tjerash, theksuan se Avdyl Uka nuk është vetëm krenaria e Vushtrrisë por ka mbetur emër i përveçëm i patriotizmit në tërë shqiptarinë, sepse me aktin e tij heroik të vrasjes së kriminelit serb Tomasheviq shpëtoi familjen 27 anëtarëshe Uka. Kësisoj Avdyl Uka mbetët një hero i gjallë, një flakadan i ndezur i mbrojtjes së pragut të shtëpisë. Në të vërtetë. Pshka heroike e Avdyl Ukës ishte një krismë që zgjoi nga gjumi dhe ndërgjegja shumë patriotë të idealit kombëtar dhe dërgoi një mesazh të qartë se ka ardhur momenti që Kosova të filloi përgatitjet luftarake ngaqë barbarët serb kishin shtuar terrorin mbi popullatën e pafajshme shqiptare, bile edhe të hynin nëpër shtëpi shqiptare. Kështu vepruan edhe në natën e 22 qershorit të vitit 1991 në familjen Uka. Avdyli ishte i vendosur që të mos largohet nga shtëpia për shkak se nga krimineli serb Tomasheviq rrezikohej likuidimi i 27 anëtarëve familjes, që tentonte t’i tubonte në një dhomë. Avdyli nuk kishte kohë të mendoj gjatë me me plumb në kokë vrau këtë terrorist, i cili kishte hyrë befas në këtë shtëpi i armatosur me automatik. Fjalë miradije referuesit patën edhe për ish- gjyqtarin Gani Rexha nga Prekazi i Epërm, anëtar i familjes se patriotit Ahmet Delija, i cili këtë akt e kishte kualifikuar si mbrojtje të nevojshme, e cila kryhet për të zbrapsur sulmin e kundërligjshëm, përkundër asaj se prokurori serb kishte mendim tjetër se kishte tejkalim të mbrojtjes së nevojshme. Avdyli ishte liruar nga të gjitha akuzat, por për çudi pa praninë e tij në korrik të vitit 1997 ishte dëuar me gjashtë vite burg. Avdyli veç kishte ardhur në Suedi dhe kkishte fituar qendrim të përhershëm dhe ky shtet nuk i kishte marrë parasysh kërkesën e Serbisë për ta ekstraduar këtë patriot të gjallë të shqiptarisë.

Edhe folësi Ramadan Reshitaj tha se është bërë punë e mirë, e angazhuar dhe e përkushtuar me mund e sakrifica për ta bërë këtë vepër. Nuk është lehtë të shkruhen mbi 500 faqe. Shoqata e Shkrimtarëve dhe Artistëve Shqiptar “Papa Klementi i Xi Albani” vërtetë po bënë një punë të vyer, tha ndër tjera ky folës. Ndërkaq, Prof. Dr. Muhamet Shatri  theksoi se ne shqiptarët  nuk kemi lënë gjurmë historike edhe pse është dhënë shumë për atdheun, për kombin por fatkeqësisht diçka të shkruar për këtë histori të lavdishme të të parëve tanë ka pak diçka të shkruar. Ndërkaq, punën që po bënë shoqata e juaj po dëshmohet e kundërta. Rasti i Avdyl Ukës është i veçantë, i cili po nderon komunitetin shqiptar në Suedi, sepse raste të tilla janë të rralla dhe ato kanë pasur jehonë aq më shumë kur edhe sot jemi në luftë me Serbinë, përfundoi ai.

Avdyl Uka personazh i librit e falënderoi autorin për këtë vepër si pjesëmarrësit që ishin prezent në këtë event. Për dallim nga librat tjrë, tha ai, në këtë vepër që tash po promovohet  Hysen Ibrahimi bënë një analizë dhe shkëput mendime, shprehje, opinione, mendime nga më tepër se 20 personalitete të ndryshme. U falenderua edhe autori Hysen Ibrahimi.

Për këtë trim të paepur Remzi Basha dhe Idriz Gashi, që e moderoi shkelqyeshëm këtë event, lexuan disa vjersha që i kishin shkruar dhe dedikuar Avdyl Ukës.

Për më hollësisht e keni gjirimin në këtë link në youtube:

Filed Under: LETERSI

“Shpirt i lirë” – Poezi nga Lulezime Malaj    

December 27, 2022 by s p

Ndërsa unë pres...

Nxitojnë akrepat e orës, po bie muzg

Dhe dielli i përflakur u mbyt në det!

Përmbys po e kthej tokën të të gjej ty

Ndaj po bien gjithkund tërmete!

Ndoshta, je fshehur në një tjetër planet

Dhe kukamçefti me një yll atje luan!?

Ndoshta, ylli me ty është dashuruar, 

Ndaj me gjëmim shirat tokën mbuluan?!

Po nesër në agim, do dal sërish dielli

Dhe do përqafojë ngrohtë, siç di veç ai

Pastaj do i puthi botës, cep më cep sytë…

Ndërsa unë pres, të më puthësh, veç ti!

Le të ik..

( Kushtuar Ditës Botërore të Poezisë)

Le të ik kudo gjetkë, veç larg nga ti,

Le të jet’ stepë a çfarëdo shkretëtirë!

O Zot, ti paske qenë një magjistrickë,

Më mban skllav edhe pa zinxhirë!

Këtë dashuri dua ta zhduk, ta flak,

Natyrisht lule do çel dhe në shkëmb!

Do t’ia mbyll sytë dhe do ta lëshoj,

Do ik pa kthim dhe pse më dhemb!

Ta hedh në ndonjë hon a shpellë,

Por pendohem, se prapëseprapë, 

Mbes gjysmë vdekur e gjysmë gjallë,

Dhe po e hodha si ta gjej prapë!?

Pa të e di që do te jem krejt bosh,

Ndaj kësaj sëmundje ia ruaj kartelën!

Është njësoj, sikur në një çast të vetëm,

T’ia heqësh guaskës perlën!

Shpirt i lirë    

Kohë më parë më burgosën shpirtin,

Në një qeli me hekura ku drita mungon,

Këtu – i thanë – do jetosh, do apo s’do,

S’bëhet fjalë për sot, por përgjithmonë!

Mirëpo, shpirti im, siç është rebel,

Dhe që nuk gjunjëzohet asnjëherë,

Fluturon, si zog i kaltër viseve të largëta,

Dhe më sjell andej një copë pranverë!

Shpirt! Nuk ka lind kush të të hollojë ty!

Ti e sheh gjithmonë gotën gjysmë plot!

Dhe kur jeta të godet me gurë, ti i mbledh

I bën kala, dhe rri brenda saj ngrohtë!

Ti shpirti im ëndërrimtar, dashuror…

Po, a munden, të të lidhin ty me zinxhirë?!

Jooo, s’ka lind kush, të të burgos ty,

Sepse, ti, ke lindur shpirt i lirë!

Filed Under: LETERSI Tagged With: lulezime malaj

FESTIMI I KËRSHËNDELLAVE NË KATEDRALEN “NËNA TEREZE” NË PRISHTINË

December 25, 2022 by s p

Begzad Baliu/

Festë e Kërshëndellave ka zbritur në Prishtinë

Mes të ftohtit dhe mjegullës së zezë, si futa e përrallave të gjyshërve tanë

Rri strukur katedralja “Nëna Terezë”, si e vrarë në faj

Mbretëresha Teutë harruar nga Evropa, pret në karrigen e parë

Hesht si të kishte dalë nga pikturat naive të Amanda Wite

Pret të vinë brenda politikanë që kurrë nuk i kanë besuar zotit

Ushtarakë që shajnë zotin sa herë japin urdhra

Fqinjët myslimanë që festojnë Ditën e Shëngjergjit më 6 maj!

Është natë dhe mjegull e dendur e Prishtinës Katedralen mbulon!

Ajo lëvizë ngadalë në të majtë e në të djathtë me sytë e hapur drejt Krishtit

Është ftohtë dhe në errësirën e mjegullës

Katedralja “Nëna Terezë” rrëshqet thellë vertikalisht në errësirë

Një dritë vetëm një dritë duket në fillim të shekullit që hymë

Ca zëra të paartikuluar vinë nga jashtë

Zëra që hyjnë nga dera, nga dritarja nga porta e kambanës

Ç’po ndodh

Mbretëreshë, grua, kërcu a fallxheshë

Kush je ti?

Mbretëresha Teutë ngrin në vend si një pikturë naive

Dhe nuk e lëvizin dot as rëniet e kambanës

Krismat e kambanës nuk vijnë nga lartë, po nga thellësi e tokës

Zërat shtohen por ende të paartikulueshëm

Gruaja kërcu kthehet nga Porta e madhe

Hapen kanatet e mëdha të Katedrales

Jashtë është ende errësirë dhe mjegullnajë – zi si futa

Zëra të përzier vinë gjithnjë e më shumë

Errësira i bënë më të frikshëm se ç’janë

Mbretëresha Teutë kthehet nga Krishti Mbret

Turma lutet: Allah!Allah!Allah!

Lutu Madhëri, lutu, edhe këta besimtarë të Zotit janë!

Krishti mbret ngre duart lartë, po zëri nuk i del a nuk i dëgjohet

Qindra njerëz: burra, gra, fëmijë, hyjnë me pisha të ndezura në duar

Hyjnë nga dyert e mëdha, nga dritaret, nga dera e kambanës

Paqe! Paqe! Paqe!

Pajtim! Pajtim! Pajtim!

Afrohen pranë gruas kërcu, pranë Krishtit Mbret

Për një çast hapet Kupola e Katedrales dhe qielli njëkohësisht

Kambana bie pa pushim dhe zëri vjen nga lart

Të gjithë drejtojnë duart lartë dhe shohin tek fluturojnë shpirtrat e Skënderbeut dhe Nënës Terezë

Kambana bie pa pushim

Qytetarët ngrenë duart lart ose bëjnë kryq

Bien në gjunjë e luten si në xhami

Mbretëresha Teutë i drejtohet Krishtit: ç’po ndodh Madhëri

Në vend të pishtarëve qytetarët mbajnë në duar librin e lutjeve

(Ajo afrohet sa te njëri sa te tjetri dhe i shikon me habi)

Krisht nuk e kanë në dorë Bibël, Kuran, Tevrat!

Në vend të tyre paskan librin “Profeti” të Halil Xhibranit

Krishti i Madh, ku je?

Zoti i Im, cili je?

Filed Under: LETERSI

“KËPUCA…” E SHKRIMTARIT VISAR ZHITI, ECJA E SHQIPËRISË…LUSHNJA, KU U RRIT, E SHPALL “QYTETAR NDERI”

December 24, 2022 by s p

Nga Kozma GJINI/

Njeriun/

Sa pak gjej tek njeriu,/

Prandaj u drejtohem pemëve,/

Mësoj nga heshtja plot fruta..

.

     Janë vargje të poetit Visar Zhiti, të shkruara në ferr, kanë dëshpërim dhe shpresë, duket sikur e përjashtojnë mesazhin e unitetit mes njerëzve, (për momentin), përvijuar nga Rilindasit tanë. Më saktë: Mesazhi i unitetit s’ishte pjesë e filozofisë “kritike”, mishëruar në kontekstin e vargjeve, që godasin diktaturën. Po kritika këtu është dhe universale. Do të thoni, pse? Sepse realiteti, koha është matësi i qendresës dhe i kumteve të krijimtarisë artistike… 

Sot, koha ndaloi.Vetëm për disa minuta.Ndoshta për një orë. Ndaloi, e “turpëruar” prej vargjeve të poetit? Apo vargjet u “tërhoqën” nga “llogorja” për t’i lënë rrugë unitetit. Unitetit të kujt? Të popullit?… Në pluralizëm ka shumë parti dhe populli duket është bërë copa-copa sot. I gjori popull: S’ di as vet se në ç’strehëz të fus kokën që të mos laget…Prandaj rrjetet sociale (pak muaj më parë…), çaheshin duke shprehur vullnetin e lirë të njerëzve shqipfolës se simboli më i mirë i unitetit “Presidenti”, besohej, firmosej e propozohej të ishte shkrimtari Visar Zhiti… Ai perbashkon veçantësitë në tërësinë kombëtare fare mirë. E dëshmon dhe krijimtaria e tij si shkrimtar. 

     Romani i ri “Këpuca e aktorit” e Visar Zhitit, sot theu çdo rekord dhe përmbysi çdo “tymnajë” që cënon unitetin. Festat e pavarësisë dhe të çlirimit i gjetën shqiptarët të “përçarë”. Të përçarë për punën e një date. Atë të ikjes së gjermanit të fundit nga Shqipëria. Dhe ç’ndodh në shkallë republike? Ditën e festës së pavarësisë e të çlirimit, te varrezat e dëshmorëve çuan lule e mbajtën fjalime vetëm ata të pozitës.Asnjë nga opozita. A, ndjesë, se vunë lule te busti i “Nebi Sefës”, “Nënshkruesit të Pavarësisë…” S’është ndonjë risi kjo. Se, kështu e ka bërë edhe pozita, kur ishte në opozitë. Ky ritual…”më 28 apo më 29…”  vazhdon gërr-vërr… 30 e kusur viteve, saqë populli është mërzitur nga politikanët.Sikur  ata, (të rënët për atdhe), të ishin vetëm të palës që është në pushtet! Nuk do ta lodh më tej lexuesin tonë të nderuar.

     “Këpuca…” e Visar Zhitit e rrëzoi “Murin e Berlinit”. Pra: i bashkoi  në një sallë, të majtë e të djathtë. Se libri është “pa parti”. Ose më mirë: Libri është “partia “ e bashkim-vëllazërimit të njerëzve. Libri e sfidoi kohën, apo koha librin?!

     Këto ditë, krijuesit lushnjarë dhe jo vetëm, patën mes tyre shkrimtarin shumëdimensional, 

z. Visar Zhiti, më të mirin e tyre, (por më përpara, më të mirin sa i përket rrezatimit  shpirtëror). Vet autori, përmes ligjëratës së tij, shfaqi virtytet më të larta të një intelektuali e krijuesi me në qendër njeriun.Djalin e qytetit tonë e ka vlerësuar kritika letrare botërore me nota maksimale.Ishte ndoshta një koincidencë e bukur që promovimin e librit në qytetitn ku ka kaluar rininë e vet, ta bënte këto ditë, kur  kritika botërore do ta shpallte atë në listën e poetëve më të shquar të globit. Njëherësh i urojmë dhe përvjetorin jubilar të ditëlindjes! 

Pas disa promovimeve të “Këpucës…” në Tiranë, Shkodër, Durrës, Korçë, Vlorë, etj, Visari e priti me kënaqësi ftesën tonë për të mbyllur ciklin e përurimit të “Këpucës…” në qytetin e tij të adoleshencës dhe të rinisë së parë, në Lushnjë. Dhe kjo finale, ishte kurora e artë e manifestimit të unitetit mes njerëzve të “depolitizuar”. Libri ishte i tillë. Të pranishmit i bënë jehonë librit dhe autorit të tij, Visarit, ndërsa politikën e lanë pas krahëve, atëhere kur të jetë momenti për të shprehur vullnetin e lirë, para kutisë së votimit.

Kishin ardhur për të marrë pjesë në përurimin e librit të Visarit: mësues te letërsisë, dashamirës të librit, shkrimtarë, banorë e fqinjë të autorit, ish-moshatarë, gjimnazistë dhe politikanë. Ndodheshin edhe kryetari i këshillit bashkiak të Lushnjës ing. Ferdinant Gjermeni dhe deputeti, avokat Saimir Korreshi me një grup miqsh. Shkurt, “Këpuca e aktorit” e Visar Zhitit mblodhi në hollin e Muzeut të qytetit një auditor te kualifikuar profesionalisht e pluralist. Në emër të kryesisë së krijuesve të qytetit, autorin e përshëndeti Kozma Gjini.

“Mirë se keni ardhur, të çmallemi, të shikojmë e të bisedojmë me Visarin tonë, të dashur miq! Mire se keni ardhur në qytetin tuaj, z. Visar!

Sot, nuk jemi ne që nderojmë Visarin, por është Visari ai që na bën neve një nder të madh me personalitetin e tij, me letërsinë brilante, me rezistencën heroike ndaj regjimit diktatorial,  qëndresën burrërore 10 vjet në burg dhe vargjet e vrarë që të rininë passhkollore. Ndërkaq vepra e tij mbart liri dhe art europian…

           Visari është djali i artistit të papërsëritshëm të estradës së qytetit të Lushnjës, aktorit e krijuesit, humoristit që improvizonte  në skenë dhe bënte spektatorin të mbante brinjët me duar nga të qeshurat e gazi që shpërthente pas fjalës e batutave të tij…djali i të madhit Hekuran Zhiti.Pas gjimnazit në qytetin  tonë, Visari kreu Institutin për letërsi në Shkodër. Në Lushnjë nisi vargjet e para, në Shkodër ra edhe në “grackën” e metaforës së vargjeve “reaksionare” që do ta prangosnin për agjitacion e propagandë… kurdisur nga sigurimsi… në një rrugicë të përbaltur të Kukësit (1979) teksa shkonte t’u jepte mësim vocërrakëve të tij… (Në ditë festash ishin të ndaluara arrestimet, por për poetin, regjimi bëri një “përjashtim”…?! Ku-ku…breee!” ). Ku ta dinin që i brishti poet i kishte hapësirat e lirisë poetike shumë e shumë më larg se kufiri që  kishin vënë (!) Vëllimi “Rapsodia e jetës së trëndafilave” kishte kaluar në sitën e plenumit famëkeq të 4-t dhe ishte vënë në rreth të kuq, me porosi nga lart, nga Komiteti Qendror i PPSH, nga vetë zv/diktatori i Enver Hoxhës. “Po, ç’deshe more bir, që  kërkoje një diell të dytë?” Sa një kokër breshëri duhej të ishte pika e fshehtë e lotit, teksa shikonin atë të ri të kryqëzuar.Në të vërtet, (mesazhi i autorit), ishte që të kishte një tjetër diell, për më tepër dashuri mes njerëzve, por kjo alegori e çoi 10 vjet burgjeve të vendit, deri sa më 1987, ku e lirojnë. Mbushi afatin, se me punën prej skllavi në minierë e ndonjë amnisti mjerane që u bë, uli dhe ca kohë nga dëmimi mizor. Me trastën e poezive në sup, e sollën mësuesin e ri, poetin që donte të përmbyste pushtetin  nëpërmjet vargjeve … të punonte në fabrikën e tullave, por pa të drejtë botimi e votimi. Por nuk iu ndanë, prapë e përndiqnin dhe ai si të paktit qendrestarë, me forcë të lartë morale guxoi dhe refuzoi bashkëpunimin me Sigurimin e Shtetit. Vetëm lirine e ajrit…sa për të marrë frymë kishte… dhe priste ta kthenin sërisht në burg! 

Po ra Muri i Berlinit edhe perandoria komuniste. Pas ardhjes së demokracisë, (ai ka pjesën e vet të kontributit për ardhjen e demokracisë ), punoi si gazetar, në parlament, ambasador, ministër e deputet i Kuvendit. Ah…! nuk deshën ta bënin President! Visar Zhiti ka botuar  mjaft libra si: “Kujtesa e ajrit”, ”Hedh një kafkë te këmbët tuaja”, “Mbjellja e vetëtimave”, “Dyert e gjalla”, “Si shkohet në Kosovë”, ”Kohë e vrarë në sy”, etj, burgologjitë monumentale “Rrugët e ferrit” dhe Ferri i çarë”, tregime dhe ese e studime, romanet “Funerali i pafundmë”, “Perëndia mbrapsht dhe e dashura”, “Në kohën e britmës”, etj, për të ardhur te romani më i fundit tani, “Këpuca e aktorit”.

         Poezia e Visarit është e mbrujtur me të gjithë elementët e frymëzimit, me dhimbje, me lot, me dritë dhe shpresë, me dinjitetin e njeriut. Krijimtarinë letrare artisike të Visarit e kanë vlerësuar jo vetëm në vend si: shkrimtarët e mëdhenj Ismail Kadare, poeti Ali Podrimja, kritiku Ali Aliu, etj, por edhe personalitete të kulturës në botë, ku ai është përkthyer në shumë gjuhë, që nga anglishtja e italishtja e në të gjitha gjuhët e ballkanit, etj, e së fundmi dhe ne Esperanto, si filozofi dhe semiologu më i madh i shekullit XX, Umberto Eco, poeti Mario Luzi, kandidat për Nobel, shkrimtarët dhe kritikët si Aurel Baros, Enino Grassi, etj, ndërsa albanalogu i madh kanadezo-gjerman, Rober Elisie do të shkruante: “…jeta dhe vepra e Visar Zhitit janë pasqyra më e mirë e historisë së kombit të tij”. Një rastësi e bukur është fakti që ndërsa me miqtë e tij në Lushnjë përuronte librin në fjalë, kritika letrare e huaj do t’i sillte sihariqin, se Visar Zhiti është listuar si një nga poetët më të mirë botërorë.Ja, pse është nder të kesh përballë shkrimtarin Visar Zhiti.

        Në takim e Lushnjës si mes miqsh vlerësuan krijimtarinë letrare dhe staturën e shkrimtarit Visar Zhiti edhe mjaft të tjerë poetë, mësues e ish-fqinjë të autorit, shumë prekës ky takim me lule dhe kujtime.  Folën Ermelinda Myzeqari, Valter Dauti, Zhaneta Këmbora, Amarda Sulo, Liri Bello, Pëllumb Zela, dr..Koli Prifti, Rrapi Prendi, Sheqere Sina, Zija Cela etj, ndërsa këngëtari lirik Gëzim Xhaxhai këndoi një baladë. 

Përmes romanit të ri “Këpuca e aktorit”, autori zhbiron njeriun shqiptar në tri kohët e historisë së tij të re, një periudhë mbi 100 vjeçare, duke i bërë skanerin periudhës së mbretërisë së Zogut I, diktaturës komuniste dhe demokracisë… romani enden nëpër atdhe, që nga Lushnja jonë, në kryeqytet e shkon deri në SHBA. “Këpuca…” në mënyrë metaforike është rrugëtimi i Shqipërisë…me zig-zaget e saj… ku të gjithë jemi nga pak personazhe, por edhe përgjegjës… ka luftë dhe paqe dhe dashuri, histori kolektive dhe e secilit prej nesh.

Me sa kam ndjekur imazhin letrar e mediatik te Visarit, kurrë nuk e kam dëgjuar këtë burrë që të zbrazë mllefe e inate, por me logjikë të ftohtë, di ku e vë gishtin, drejtësi dhe dhëmbje, kujtesë dhe vision. Me fjalën e tij kaq të bukur, kaq natyrshëm, të lë pa frymë e të jep frymë, i bën të flasin dhe sendet, pa ua falur lapsin “Stalinistëve” e Co, të cilëve ua lë “inatin” shkrimor si një testament tek librat e tij.

Shkrimtari Visar Zhiti në fjalën e tij, falenderoi kryesinë e degës sonë të shkrimtarëve për ftesën, gjithë të pranishmëve, që mbushën sallën e madhe të Muzeut të qytetit, diskutantët, deputetin Saimir Korreshi, kryetarin e këshillit bashkiak, Ferdinant Gjermeni të cilët sollën mbresat dhe kujtimet, si për librin dhe krijimtarinë e tij letrare artistike, ashtu edhe për personalitetin e autorit.

       “Unë e dua Lushnjën, tha Visari. – Babai im, ish-normalist, ka punuar mësues në Karbunarë dhe më pas u bë ndër themeluesit e Estradës Profesioniste të qytetit të Lushnjës. Gëzohem që thatë fjalë të mira, tim atë njerëzit që e takonin rrugës, e thërrisnin me emrat e personazheve, që interpretonte, çka tregonte dashurinë që kishin për artin dhe artistin. Kam kaluar një pjesë të jetës në Lushnjë dhe ruaj respekt për njerëzit. Kam mbaruar shkollën “Kongresi i Lushnjës” gjimnazin “18 Tetori”, kam patur përkujdesin e mësuesve tanë të respektuar si Liri Kazazi e Faslli Haliti, etj. .Pra, Lushnja do të gjejë pjesën e saj në librin  “Këpuca e aktorit”.  Çdo njërit prej jush i uroj gëzime në familje e suksese në punë…” 

       “ Deputeti Saimir Korreshi në fjalën e tij solli disa kujtime nga puna dhe jeta aktive e deputetit, ambasadorit dhe ministrit të kulturës, zotit Visar Zhiti, i zgjedhur nga të dy kahet e forcave politike. Visari i përket elitës së shkrimtarëve që sollën risi në letërsinë shqipe të pasviteve ’90.” Librat e Visarit janë dëshmi të vuajtjeve dhe persekucionit te egër që ai përjetoi dhe të rrugës drejt Europës të Shqipërise tonë. Librat janë një aktakuzë e shkruar në mermer ndaj së keqes dhe duhet t’u shërbejnë brezave që  kurrë të mos përsëritet më e kaluara…pasi diktatura jo rrallë na vërtitet si hije e zezë për ta na dominuar. Librat e Visiarit janë liri dhe apele të dashurise njerëzore.

        Ferdinant Gjermeni, kryetar i Këshillit bashkiak i dorëzoi  zotit Visar Zhiti titullin e lartë “Qytetar Nderi i Lushnjës”, miratuar njëzëri nga Këshilli bashkiak i qytetit, me këtë motivacion: “Personalitet i shquar i letrave dhe kulturës shqiptare. Duke rezistuar u ngrit mbi vuajtjen e persekutimit komunist, përfaqësoi popullin në kuvend dhe i shërbeu vendit si ministër dhe ambasador.Vepra letrare e shkrimtarit Visar Zhiti u botua dhe u vlerësua në Shqipëri dhe jashtë vendit. Shquhet për nivel të lartë artistik dhe për pasuri jetësore”  Titulli u shoqërua me medaljonin e Shtëpisë “Kongresi i Lushnjës.”

Aty përmblidhej zëri i gjithë qytetarëve të qytetit të tij dhe mirënjohja jonë e përbashkët.
20120516125416_00001

Kozma Gjini

Visar Zhiti merr titullin “Qytetar nderi i Lushnjës”

Nga e djathta ne te majte:Saimir Koreshi (deputet i PD), Ferdinant Gjermeni (Kryetar i Keshillit bashkiak),Visar Zhiti dhe Kozma Gjini

Filed Under: LETERSI Tagged With: Visar Zhiti

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 120
  • 121
  • 122
  • 123
  • 124
  • …
  • 301
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • VATRA URON BESIMTARËT ORTODOKSË: GËZUAR DHE PËRSHUMËVJET PASHKËT
  • Fan Noli, apostull i ringjalljes shqiptare
  • KOSOVA NË NATO DHE ASNJËHERË ASOCIACION SERB
  • ELIOT ENGLE DHE HARRY BAJRAKTARI: NJË BASHKËPUNIM QË FUQIZOI ZËRIN SHQIPTAR NË SHTETET E BASHKUARA TË AMERIKËS
  • “Ngërçi Presidencial në Kosovë Zbulon një Dobësi të Kushtetutës”
  • KUJTIME PER ITALIANIN DOM ANTONIO SHARRA
  • MASAKRA E TIVARIT MARS-PRILL 1945
  • Kuptimi i Pashkëve Ortodokse – midis ritualit dhe ringjalljes së ndërgjegjes
  • RIKTHIMI I MUSTAFA MAKSUTIT NË FAQET E HISTORISË
  • Shqipëria në politikën ballkanike të Austro-Hungarisë
  • Eliot Engel, in memoriam…
  • VATRA TELEGRAM NGUSHËLLIMI PËR NDARJEN NGA JETA TË ELIOT ENGEL, MIKUT TË MADH TË KOMBIT SHQIPTAR
  • Përkujtojmë në përvjetorin e lindjes një nga figurat e Rilindjes Kombëtare, Aleksandër Stavre Drenova
  • GËRSHËRA E ARGJENDTË
  • Përgjithmonë vetëm mirnjohës për Kongresmenin Eliot Engel

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT